• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2019

Bastardët

August 27, 2019 by dgreca


Bastardët Nga Alfons GRISHAJ/

Të gjitha kombet janë të dashuruar me vetveten, një lidhje ku  promovojnë vlerat me anë të një propagande të detajuar. Ata nuk lënë gur pa lëvizur për të injektuar korpet që të   predominojnë mbi kulturat e ngjashme, duke u përpjekur dhe  shtruar  terrenin e transformimit dhe asimilimit. Ne, shqiptarët jemi prapa shumë me promovimin e kulturës dhe vlerave të traditave që kemi. Mbase kjo dhe prej pushtimeve të njëpasnjëshme. Por, mos të harrojmë se, ne nuk kemi qenë  i vetmi komb i pushtuar, siç e dëshmon më së miri edhe historia e vendeve fqinje.   

Është e trishtueshme dhe e papranueshme kur ne, promovojmë anti-vlerat e kombeve tjera, duke kaluar çdo cak logjik, deri aty sa ta quajmë  dhe ish-pushtuesim: “Vëlla!” Dhe, pa pikën e turpit identifikohemi me rracën e tyre barbare, e cila hyri në histori dymijë vjet pas nesh. Kjo nuk ndodh me asnjë komb në rruzull, vetëm me ca hajvanë tanë, të cilët nuk luftojnë për historinë e identitetin kombëtar, as për tokën e gjakun e të parëve, por për nostalgjinë e drapër-çekanëve, këmishëzinjëve, feseve të vdekuara të një perandorie pa nder dhe lavdi që u përhap me dhunë dhe gjak,  përdhunime, pengje e tradhëti.

Fatkeqësisht, ky është prelud i dhimbshëm i një psikologjie inferiore me gjak të përzier, që nuk lejon asnjëherë me qenë  vetvetja, por gjithnjë peng  i një jehone të turpshme.

Shumë miq të mi, personalitete të letrave, të artit, ushtrisë, mësimdhënies etj., janë shqetësuar me të drejtë për veprimet zvarranike të qeveritarëve “tanë”, të cilët ngritën një memorial fantazëm për shpirtërat e viktimizuara nga arroganca  e sulltanatit dhe sakrifica e dështuar e ndryshimit. Shqiptarët marshuan me flamujt e ish-pushtuesit për t’i bërë qejfin viktimëbërësit! Sikur të ishin turq, do ishte në nderin e tyre, të thonin: “Rroftë Çezari!”, apo “Poshtë Çezari!” Po çfarë është ky çnderim i inteligjencës dhe ndërgjegjes patriotike shqiptare?! Po sikur në Tiranë të marshonin svastikat e Hitlerit, sopatat e Musolinit, apo flamujt e Brankoviçit apo Knjaz Nikollës, çfarë do bëhej? Ku është ndryshimi i këtyre të fundit me të parin? Pushtuesit kanë një brutta figura, një uri, një përbuzje, një psikologji. Miklimi anadollak ka qenë dhe më parë. Respektimi haraçpaguesit nuk ishte asgjë tjetër vetëm strategjia e nënshtrimit të butë. Shqiptarët u syrgjynosën, u vranë, dogjën e plakçitën, përdhunuan… në pesë shekuj pushtim, dhe megjithëse u munduan për t’i bërë simbiozë  shpirtërore, ata  nuk ua dhanë kurrë  shansin e turpit. Tradhëtarë, spiunë dhe vegla ka patur sigurisht, por në një situatë pushtimi veprojnë të gjithë mekanizmat e përçarjes dhe asimilimit etnik. Historia jonë ua ka skicuar portretin gjithë atyre që kanë shërbyer si vegla të pushtuesve, dhe ata janë sot në perceptimin e përgjithshëm figurat më të urryera. Prandaj  edhe sot është po aq e urrejtshme, në mos më shumë, për shkak se gjendemi në paqe, gjithë kjo përulësi e neveritshme me parada flamujsh para një zvarraniku të izoluar!

Propaganda e vëllazërisë shpirtërore të shtirë ngjason me çorbën e helmuar titiste të “bashkim-vëllazërimit” që më vonë u kthye  në lum gjaku!

Le t’a ilustrojmë subjektin e këtij shkrimi me fakte nga gjeopolitika ku mbretëroi sulltanati dhe mbretëron sulltan-salltaneti i ri. Kombet arabe, të të njëjtit besim, e kanë halë në sy Turqinë, pikërisht prej të kaluarës së dhimbshme dhe simptomave të sotme diktatoriale. Diskriminimi etnik dhe kamzhiku i sulltanatëve nuk është fshirë ende nga kujtesa e tyre. Ashtu si në kujtesën e patriotëve, historianëve, inteligjencës aktive shqiptare nuk është harruar ende karakterizimi denigrues: “Arrnaut!”, dhe sidomos  deklarimi i tmerrshëm: “Ua vrasim burrat dhe ua përdhunojmë gratë!”

Unë nuk mund t’i bëj me faj udhëheqësit e rinj, por mendësia e vjetër zhvesh petkun e udhëheqësve të rinj duke vërtetuar vazhdimësinë dinake, e cila përfundimisht vret shpresën e bashkëpunimit reciprok. Asnjë diktator nuk lë hapësirën e një vaske për t’u larë, por dhe nëse po, nderja është e hekurt!

Mendoj se qytetarët shqiptarë me ADN të pastër, duhet të hapin librat që kanë shkruar vetë turqit per ne… që të shohin “dashurinë turke” për arrnautllëkun. Pas kësaj (ai që ka gjak shqiptari),  nuk do të ketë më nostalgji për gënjeshtrën e Bosforit.

Kam respekt për popullin turk dhe Mustafa Kemal Ata’turkun, Ata’n e Turqisë moderne (që ishte dhe gjysmë shqiptar), por jo për  patronatin fallso që shtrëngon dhëmbët në shekullin e Shqiptarëve, ashtu siç ndodhi në Dardani, kur u arrestuan kundërshtarët e pushtetmbajtësit bash në zemër të Prishtinës.

Le të harrojmë për një moment lajthitjen zvarranike të servilizmit  skllavërues që mbretëron tek një pjesë decivilizuese e shoqërisë tonë. Le të harrojmë për një sekond çfarë shkrova më lart (të cilat janë të vërteta si drita e diellit), e t’i qasemi sadopak filozofisë politike të mosndërhyrjes në punën e tjerëve… Po sikur nesër… në Turqi të vijnë në pushtet kundërshtarët e Erdoganit, ku do e çojnë atë palo pllakatë? Apo, do e çdaltojnë dhe do e zumparojnë për ta përdorur si palimpsest?! Pra, dhe politikisht një lajthitje ordinere me mendësi socialiste. Socialistët mendojnë se demokracia është më e prekshme duke lidhur aleanca strategjike me nivele të ngjashme ose me superioritet të lehtë se sa me filozofinë “konfliktuale” kapitaliste, e cila e ngriti botën në 100 vjet në një nivel astronomik.

Prof John Parick Diggins Says: The Socialist simply cannot face the fact that there is no conflict between democracy and capitalism…(Politics and Vision. P, 525) .

Gjithnjë, socialistët kanë dëshirë që popullin ta ushqejnë me iluzione sociale dhe tryezën t’ia mbushin me  pjata komuniste. Ata  për vete e adhurojnë kapitalizmin, duke investuar në perëndim paratë e plaçkitjes së shtetit. Aleanca e sotme midis pashallëkut dhe pisllëkut ka dhe motivin  e fshehtë: Fshehja e  kokës në Turqi, kur në Shqipëri të mbretërojë drejtësia dhe ligji. Unë mendoj se,  sarajet e sulltanit të ri nuk do të jenë të mjaftueshme për të fshehur neoballabanistët!

Sa për kujtesë: Mustafa Kemali, nuk e pranoi asnjëherë Ahmet Zogun për Mbret?! Sepse Ata’turku  kishte luftuar pikërisht kundër sulltanatit anakronik, duke u përpjekur ta reformonte emrin e keq të Turqisë deri aty sa, dhe gërmat e gjuhës turke i ktheu në latinisht që t’i tregonte botës së qytetëruar se, Turqia i përkiste Europës dhe jo të kaluarës barbare. E pra, Mustafa Kemali punonte për t’u njësuar në familjen europiane, kurse bastardët “tanë”, bash  në shekullin XXI… kërkojnë të shkojnë prapa në esfel!

Filed Under: Emigracion, Opinion Tagged With: Alfons Grishaj-Bastardët

IDENTITETI KOMBËTAR

August 26, 2019 by dgreca

Shkruan: Nikë Gashaj/

Një ndër faktorët më me rëndësi të përcaktimit të identitetit kombëtar është përdorimi i gjuhës amtare ( private, publike dhe zyrtare) dhe arsimimi kombëtar. Njohjet historike tregojnë se themelimi i shkollave në trojet shqiptare u bë gjatë mesjetës me nismën e urdhrave kishtarë, sidomos të urdhrit dominikan. Një aktivitet i këtillë filloi së pari në Ulqin rreth vitit 1258, në Kotorr më 1266, në Durrës më 1278, në Shkodër më 1345 dhe në Tivar nga gjysma e dytë e shek.XIV.

Gjuha shqipe, si gjuhë e shkruar, në këtë kohë ende nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë shkrimit greqisht, latinisht dhe sllavisht, gjuhë kishtare me rendësi, të cilat për më tepër kishin mbështetjen e institucioneve të administratës shtetërore. Ajo shërbente si gjuhë e komunikimit të përditshëm si për shtresat popullore, ashtu dhe për fisnikërinë e klerin vendas. Kështu, në shek.XIV shqipja përdorej në administratën e bashkësisë qytetare të Ulqinit, ku në mbledhjet të Këshillit të Madh ajo ishte gjuha e shërbimit.

                     Përdorimi i shqipes si gjuhë shkrimi për herë të parë

Një ndryshim me rëndësi shumë të madhe për historië e kulturës shqiptare shfaqet në gjysmën e parë të shek.XIV, kur dokumentohet për herë të parë se shqipja, përdorej si gjuhë shkrimi. Ky ishte një hap i rëndësishëm për identitetin kombëtar shqiptar, sepse me përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë shkrimi, viheshin bazat për zhvillimin e mëtejshëm të saj si gjuhë e kulturës dhe e letërsisë shqipe ( Historia e Popullit Shqiptar I, Akademia e Shkencave e Shqiprisë- Instituti i Historisë, f.354, Tiranë, 2002. ).

Institucionet kryesore arsimore që u ngritën në periudhën e sundimit osman në Shqipëri, ishin shkollat e komuniteteve myslimane, me mësim në gjuhë turko-osmane dhe arabe.
Shkollat e komunitetit ortodoks, që funkciononin në Shqipëri qysh nga shek.XVI-XVII ishin nën mbrojtjen Patrikanës së Stambollit. Mësime në këto shkolla jepej greqisht, në gjuhën e kishës.

Shkollat katolike ishin nën drejtimin e kishës së Romës dhe kishin si detyrë të përgatisnin mësues-klerikë. Kur misionarët e Romës vunë re se veprimtaria e tyre në Shqipëri nuk po jepte rezultatet që priteshin, për shkak se zhvillohej latinisht ose italisht dhe jo në gjuhën e popullit, Roma filloi të përdorte edhe gjuhën shqipe në shkollat fetare katolike. Në këto rrethana u hapën disa shkolla të tilla, ku mësohej edhe gjuha shqipe dhe ku shërbenin si tekste mësimore katekizmat e hartuar nga shkrimtarët klerikë si Pjetër Budi. Këto ishin ngritur kryesisht pranë famullive dhe manastireve. Një shkollë e tillë funksiononte në vitet 1628-1675 në Pedhanë dhe po në atë kohë edhe në Blinisht(të dyja në rrethin e Lezhës ), si dhe në Kurbin ( rrethi i Krujës ) . Në 1669-1670 funksiononte një shkollë katolike në gjuhën shqipe edhe në Himarë. Në Pedhanë e në Blinisht u krijuan më vonë edhe shkolla më të larta, gjimnaze, ku përdorej gjithashtu gjuha shqipe. Këto shkolla u ngritën nga murgjit françeskanë. Shkolla të mesme shqipe katolike u hapën edhe në Janievë të Kosovës (1671), në Velje të Mirditës (1699), në qytetin e Shkodrës(1699). Në këto shkolla të mesme nxënsit, që ishin destinuar për t’u bërë klerikë, studionin teologjinë, gjuhët latine e italiane dhe disa prej tyre dërgoheshin për studime më të larta në itali.

Mësimi i gjuhës shqipe në këto shkolla, ishte në interes të popullësisë vendase, që i përkrahte ato. Kështu gjimnazi i Blinshtit u ngrit me kërkesën e krerëve të vendit dhe kur në vitin 1648 shkolla e Pëdhanës u rrafshua nga një ekspeditë ndëshkimore osmane, banorët e fshatit e rindëruan atë përsëri.

Në vitin 1622 kisha katolike krijoi institucionin me emrin”De Propaganda Fide”me qendër në Romë. Ky ngriti disa shkolla për përgatitjen e klerikëve shqiptarë, si Kolegji ilirik i Femos(1633 ), që drejtohej nga misionarët jezuitë, shkolla e Montorinos në Romë, nën drejtimin e misionarëve françeskan etj.

Rrethana më e favorshme për arsimin shqip u krijuan, kur në fronin e papës hipi Klementi XI, me origjinë shqiptare. Me nismën e tij u mblodh më 1703 Koncili i peshkopëve të Shqipërisë, që njihet me emrin”Koncili i Arbërit”, i cili vendosi të përhapte letërsinë fetare në gjuhën shqipe. Tetë vjet më vonë, më 1711, në shkollën e Montorinos në Romë u hap katedra e gjuhës shqipe ( Historia e Popullit Shqiptar, tomi I, Akademia e shkencave e Shqipërisë- Instituti i Historisë, faqe, 704-706, Tiranë, 2002. ).

    Roli i kishës katolike në mesjetë për përhapjen arsimit dhe kulturës shqiptare                            

Në bazë të dhënave të lartpermendura, si dhe të njohjeve tjera historike mund të konstatohet se një rol të rëndësishëm në veprimtarin arsimore dhe kultuore në gjuhën shqipe në mesjetë tek shqiptarët e ka luajtur kisha katolike. Ajo pati në dorë përgatitjen e inteligjencës së kohës. Shumica e njerëzëve të kulturës, veçenarisht në shekujt e mesjetës së herët, ishin thuajse pa përjashtim klerikë. Në duarët e tyre ishin filozofia e letërsia, arsimi dhe artet. Si qendra të arsimit dhe të veprimtarisë kulturore-artistike shërbyen manastiret fetare. Në shkollat pranë manastirave, mësohej kursi tradicional mësimor që jepej edhe në shkollat e vendeve perëndimore. Ai përbëhej nga cikli i ulët që përfshinte lëndët letrare (gramatikë, retorikë, didaktikë ) dhe cikli i lartë me lëndë shkencore (aritmetikë, gjeometri, astronomi e muzikë ).

Në shek. XIV e në fillimin e shek. XV numri i intelektualëve klerikë shqiptarë me origjinë qytetare ishte mjaftë i madh; ata gjenden të përhapur edhe jashtë Shqipërisë, në shumë qytete dalmatine ku kryenin funksione kancelarësh, mësuesish, famulltarësh etj.(Historia e Popullit Shqiptar, tomi I, Akademia e Shkencave  e Shqipërisë – Instituti i Historisë, faqe, 353, Tiranë, 2002.).

Po ashtu në atë kohë shënohej një rritje e zgjerim në përdorimin e shkrimit dhe në zhvillimin e letërsisë e të arsimit në tokat shqiptare. Megjithatë, që veprat letrare ishin të shkruara në një frymë teologjike, këto prodhime përbëjnë hapat e para të historiografisë në trojet shqiptarte, sepse pikërisht një pjesë e këtyre është hartuar nga autorët shqiptarë.
Shkputjen nga ndikimi kishtar dhe kalimi në historiografinë laike, këtë hap në historinë e kulturës shqiptare, e bënë humanistët shqiptarë në fund të shek. XV e në fillim të shek. XVI, por tanimë në kushtet e pushtimit osman të vendit, jashtë Shqipërisë.

Gjatë kohës së sundimit osman në trojet shqiptare shkollat ishin të ndara veç për popullsin myslimane dhe veç për atë të krishterë. Përveç shkollave turke, ishin hapur dhe në numer i madh i shkollave private: greke, serbe, bullgare, austriake e italiane. Në ato shkolla mësimi zhvillohej në gjuhë të huaja, ndërsa gjuha shqipe ishte e përjashtuar nga mësimdhënia, çka rrezikonte që të zhdukej pa nam e pa nishan me kalimin e kohës.

      Perandoria Osmane nuk ka njohur kombësi, por vetëm komunitete fetare

Perandaoria Osmane nuk njihte në zotërimet e veta kombësi, por vetëm komunitete fetare: myslimanë, ortodoksë dhe latinë (katolikë ). Rrjedhimisht edhe shqiptarët ishin grupuar në këtë tri komunitete fetare dhe nuk njiheshin si një njësi kombëtare më vete.

Përveç kësaj, komunitetet e tyre fetare ishin të varura nga tri qendra të ndryshme të huaja kishtare e kulturore. Sistemi arsimor i kohës ishte shëndërruar në një mjet të fuqishëm ndikimi politik e kulturor si të sundimit osman, ashtu edhe të shtetëve të tjera.

Një pjesë e atyre shkollave kishin një dimension të propagandave të shteteve të huaja për asimilimin e shqiptarëve. Prandaj rilindësit i trajtonin ato si një pengesë në lëvizjen për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar dhe kërkonin mbydhjen e tyre ose kthimin e tyre në shkolla shqipe.

Ndërkaq, rreziku i asimilimit të kombit shqiptar, diktonin si nevojë të ngutshme për hapjen e arsimit të kulturës kombëtare, e bënë atë një domosdoshmëri historike, me të cilën ishte e lidhur qenia dhe e ardhmja e Shqipërisë.

Mirëpo, përhapja e arsimit kombëtar ndeshte në vështirësi e pengesa të shumta. Pengesat kryesore i nxirrte Perandoria Osmane, e cila ishte përpjekur gjithnjë t’i mbante shqiptarët në errësirë e në padituri. Megjithëse me reformat e Tanzimanit ishte shpallur se të gjitha kombësitë e Perandorisë do të lejoheshin të  ushtronin lirisht gjuhët e tyre në institucionet arsimore e fetare. Porta e Lartë i përjashtoi shqiptarët nga kjo e drejtë kombëtare. Duke u mbështetur në parimin mesjetar absurd të identifikimit të kombësisë me fenë, Porta e Lartë, edhe pas reformës arsimore turke të vitit 1844, nuk ua njohu shqiptarëve të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare, por vijoi t’ i quante ata sipas besimit fetar”turq”, “grekë” e “latinë”.

                                Shkolla e parë kombëtare shqipe në Korçë

Pas një lufte këmbëngulëse gati dyvjeçare, më 7 mars 1887 u çel shkolla e parë shqipe e Korçës, drejtor i së cilës ishte Pandeli Sotiri. Si lokal për shkollën shërbeu shtëpia e dhuruar nga atdhetari i mërguar korçar Mandi Tërpo.

Çelja e shkollës në shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore për gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta të organizatave atdhetare të të mërguarëve shqiptarë dhe të atdhetarëve brenda vendit. Mësonjëtorja shqipe e Korçës nuk varej e nuk financohej prej asnjë shteti a shoqërie të huaj. Ajo u hap, u financua e u mbrojt nga populli dhe nga shoqëritë shqiptare të mërgimit. Dita e përurimit të saj u kthye në një ditë feste. Qysh ditën e pare në këtë shkollë u regjistruan 35 nxënës. Numri i tyre erdhi duke u rritur dhe në vitin e dytë arriti 200. Ajo ishte një shkollë fillore laike me fizionomi të plotë kombëtare, ku gjithë mësimet jepeshin shqip. Turqishtja mësohej si gjuhë e huaj, më von u fut edhe frëngjishtja. Si tekste mësimore përdoreshin ato që ishin përgatitur nga Naim Frashëri, Sami Frashëri etj., dhe që qenë shtypur e ishin dërguar pa shpërblim nga kolonia shqiptare e Bukureshtit. Mësonjëtorja e Korçës u bë qendër e përhapjes së shkrimit e të këndimit të gjuhës shqipe edhe për të rriturit. Ajo ishte gjithashtu qendër e përhapjes së ideve kombëtare shqiptare. Duke qenë shkollë e përbashkët për fëmijët e besimeve të ndryshme, ajo ndihmonte bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga feja dhe ngrinte tek ata ndërgjegjen kombëtare.

Çelja e shkollës kombëtare të Korçës ngjalli entuziazëm te patriotët brenda e jashtë ardheut. Poeti i shquar i Rilindjes, Naim Frashëri, duke përshëndetur Mësonjëtoren e çelur në Korçë, shkruante plot frymëzim:”Hapu, hapu errësirë, /Pa jakë tëhu o dritë! /Se arriti koh’ e mirë, /U gdhi nata u bë ditë…/Lumja ti, moj Korç’o lule! /Q’i le pas shoqet e tua / Si trimi në ball’u sule, /Ta paçim për jetë hua!.

Hapja e Mësonjëtores së Korçës u bë nxitje edhe për çeljen e shkollave të tjera në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe në Pogradec, në Rekë e në Ohër dhe u bënë përgatitje për të tilla shkolla në Elbasan, në Leskovik, në Ersekë etj.

Në vitin 1889 në Prizren ishte çelur një shkollë shqipe nën kujdesin e Austro-Hungarisë. Po kështu, Austro-Hungaria gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shk. XIX futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi edhe në 24 shkolla fillore, të administruara prej saj, në qytete e në fshatrat e Shqipërisë së Sipërme dhe të asaj Qendrore.

Përveç shkollave të përmendura, në shumë vise të Shqipërisë, si në  Elbasan, në Dibër, në Krujë, në Korçë, në Berat, në Gjirokastër, në Kolonjë, në Pogradec, në Vlorë, në Përmet, në Skrapar, në Çamëri etj., u çelën dhe  funkciononin pranë shtëpive private ose pranë dyqaneve kurse e shkolla të fshehta shqipe, në të cilat mësuesit atdhetarë u mësonin fëmijve dhe të rriturve abetaren e gjuhës shqipe.

Ndryshe nga autoritetet osmane që e përkufizonin kombin mbi bazën e fesë. Intelektualët e Rilindjes kombëtare shqiptare mendonin se kombi ishte në radhë të parë gjuha. Në themel të kombit shqiptar ishte gjuha. Ajo u kishte bërë ballë të gjitha përpjekjeve për asimilim, që nga koha e pushtimit romak. Ajo duhej të ishte njëzëri gjuhë letërsie të shkruar dhe gjuhë arsimi.

Duhet thënë se, deri në mesin e shekullit XIX, librat në shqip ishin shumë të rrallë dhe se nuk kishte normë shkrimi mbi bazën e një alfabeti të veçantë. Tekstet e botura ishin nxjerrë pikësëpari për qëllime fetare dhe alfabetet e përdorura ishin grek, por edhe arab. Mungesa e një drejtshkrimi të njësuar dhe numri i paktë i botimeve në shqip shpjegohen me faktin se, qysh nga koha e pushtimit romak në shekullin e II para erës sonë, shqiptarët
(ose paraardhësit e tyre ilirët, dardanë apo epirotë ) nuk kanë qenë kurrë përnjëmend zot të vetes. Po të veçohet mënjëanë episodi i Principatës shqiptare të Gjergj Kastriotit Skënderbegut në shekullin XV, ata kanë qenë gjithmon të sunduar: nga romakët, bizantinët, sllavët dhe osmanët. Natyrisht, as që kanë mujtur m’iu kundërvu fuqive të mëdha. Andaj dhe gjuha administrative ishte një gjuhë e huaj, por edhe shqipja e përjashtuar nga liturgjia. Tek Shqiptarët qe i ngadalshëm e i vonë ndërgjegjësimi se përbëjnë një komb. Ai zuri fill nga mesi i shekullit XIX me shenjat e para të një lëvizje kulturore që u quajt Rilindja Kombëtare. Lindja e vetëdijes kombëtare lidhej me idenë se gjuha shqipe ishte një pasuri, në trashigimi prej të parëve, që ishte e udhës të mbrohej.

Rrahja e mendimeve për një normë shkrimi të shqipes, beteja për arsimin në këtë gjuhë, shpinin në një kërkim identiteti. Ndjesia e shqiptarëve se i përkisnin një populli shumë të lashtë, u përforcua nëpërmjet përcjelljes së miteve dhe kultit të heronjeve.

Patriotët e Rilindjes kombëtare punuan me përkushtim për zhvillimin e arsimit kombëtar. Mirëpo, në atë drejtim krahas pengesave të regjimit osman, i cili ishte përpjekur gjithë një t’i mbante shqiptarët në errësirë e në padituri, si dhe faktorvë të jashtëm, ata hasën dhe në pengesa dhe për shkak të përçarjes së shqiptarëve nga pikëpamja fetare.

Karakteri i përçarë i fesë në tri besime kryesore: islame, katolike e ortodokse, si dhe i tri shkollave fetare me ndikim financiar dhe programor nga të huajit vuri në rrezik veprimin e bashkuar të shqiptarëve në luftën e tyre për liri. Mu për këtë arsye patriotët e parë nisën të nxisnin shqiptarinë mbi të gjitha fetë. Gjatë luftës për pavarësi nga Turqia Pashko Vasa një patriot dhe poet kombëtar nga Shkodra, shkruente:”Çoniu, o shqiptarë, prej gjumi çoniu, /të gjithë si vllazën në një besë shtrëngoniu, /edhe mos shikoni kisha e xhamia, /fe e shqyptarit asht shqypria…”


Një nga udhëheqësit e shquar të Rilindjes kombëtare, Sami Frashëri, kishte shkruar më 1899: “Shqiptari është shqipëtar përpara se të jetë mysliman a i kreshtenë. Besa s’e ka ndruarë fare edhe kurrë, se kombësia ashtë përpara besës…”.

Një vazhdim të së njëjtës ide, një vjershator popullor thoshte: “Besa juaj sot/ s’është as kishë as xhami / por Nëna Shqipëri ! / Kur të fitojmë lirinë / do të kujdesi për kishën e xhaminë. Nëse kisha ka një këmbanë / njëqind të varni anembanë. / Nëse kini në fshat vetëm një xhami / ndëtoni edhe njëzet e tri. / Por feja jonë tani / është Nëna Shqipëri”.

Edhe pas fitores së pavarësisë së Shqipërisë, patriotët shqiptar kishin bindjen se e vetmja zgjidhje për dyzimin e përçarë midis islamizmit dhe krishterimit ishte zëvendësimi i tyre me shqiptarinë. Kështu, Andon Zako Çajupi në librin e tij Mëmdheu, përfshiu në të një poemë për Malin e Tomorit. Në majën e malit ndodhej një faltore, ku shqiptarët e lashtë shkonin të këshilloheshin me orakullin për të ardhmen e tyre. Poti shkruente:”Baba Tomor, kishë e Shqipërisë, /mal kryelartë, fron i Perëdisë, / tek ti kanë ardhur njerëzia që në lashtësi, /për të mësuar atë që urdhëronte Zoti”. Më tej shtonte:”… kombi juaj s’vete mbarë, / se betë u kanë ndarë. / … të krishterë e myslimanë, / gjithë një perendi kanë; / jini një gjak mor të mjerë, / se një vend kini lerë, / jini gjithë shqiptarë”.

Në pajtim me këtë atmosferë mbizotëruese elita politike e shtetit shqiptarë të kohës vëndosi që shteti të ishte asnjanës, pa fe zyrtare, dhe që ushtrimin e lirë të besimit duhet ta gëzonin të gjitha fetë. Ata vun si fe shqiptarinë, duke i quejtur nëpunësit dhe mësuesit”apostuj” dhe “misionarë”. Në tëra aktivitete shoqërore publike, si dhe në fushën e arsimit dhe kulturës shprehej një shqiptari e zjarrtë që kishte për qellim të eklipsonte dasitë fetare dhe të bashkonte popullin shqiptar.

             Vonesa e shqiptarëve në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare

Shqiptarët kanë pasur një vonesë në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare e cila ishte kryesisht pasojë e përçarjes fetare: nën sundimin osman, dy të tretat e popullsisë shqiptare ishin kthyer në fenë islame, ndërkohë që një e treta që mbetej ishte edhe ajo e ndarë në të krishterë katolik në Veri dhe ortodoksë të ritit grek, në Jug. Të mbëshetur në këtë përçarje autoritetet osmane e mohonin ekzistencën e një kombi shqiptar. Ata e pëkufizonin kombin në bazë të fesë – parimi i miletit ( Studiuesi Serge Metais, Histori e Shqiptarëve- nga Ilirët deri te Pavarësia e Kosovës, f. 16, Tiranë, 2006.).

                       Bismarku në Kongresin e Berlinit  për Shqipërinë

Si pasojë e zgjimit të vonë të vetëdijes kombëtare te shqiptarët dhe të mungesës së përkrahësëve të tyre jashtë Perandorisë Osmane, Bismarku tha në Kongresin e Berlinit më 1878 se Shqipëria nuk ishte veçëse një shprehje gjeografike dhe se nuk ekziston kurrëfarë kombi shqiptar. Dhe jo vetëm Bismaku si kryesues i Kongresit por asnjë prej fuqive të mëdha nuk i njishin shqiptarë si kombë, e kjo ka qenë fatale për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare. Sepse si parim i njohjes dhe i formimit të shteteve europiane dhe ballkanike ishte parimi kombëtar. Shqiptarët me vonesë të madhe bëjnë përpjeke që prej horizonteve politike osmane të dalin në horizonte evropiane.

                          Rexhep Qosja për shqiptarët në Kongresin e Berlinit

 Në lidhje me këtë çështje profesor Rexhep Qosja, ndër të tjerat shprehet:”Në Kongresin e Berlinit përfaqësuesëve shqiptarë nuk u lëjohet në marrin pjesë në cilësi zyrtare në punimet e tij, sepse në Kongresin e Berlinit trojet shqiptare trajtohen”zotërime turke”, kurse shqiptarët nënshtetas të Turqisë”! Vetëm pse rreth dy të tretat e tij e kishin pranuar fenë myslimane, shpallej kështu popullë i paqenë ! Më tutje Qosja shton:”Shqiptarët kanë pësuar dëmtim të rëndë, tragjik, prej politikës së Fuqive të Mëdha evropiane… për arësye se dy të tretat e tij i takonin fesë myslimane dhe pse ishin nën pushtimet e një perandorie që këtë fe e kishte përhapur me shpatë dhe zjarr. Në kohën kur për Evropën e krishterë feja dhe kombësia ishin njësh, shqiptarët e gjetur në gjirin e një perandorie, pothuaj, islamike, s’kishin se si të shikoheshin veçse si dikush që nuk i takon Evropës as me fenë, as me etninë, prandaj as me fatin, si dikush që prej Evropës trajtohej i përjashtuari i Evropës!” ( Rexhep Qosja, Studimi: Çështja Shqiptare-Historia dhe politika, faq.8 dhe 47, Instituti albanologjik, Prishtinë, 1994).

                             Ismail Qemali në Londër 1913

Menjëherë pasi u bë e njohur mbledhja e afërt e Konferencës së Ambasadorëve në Londër me 1913, Ismail Qemali me antarët e Delegacionit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës shkoi në Londër për takime dhe bisedime me politikantë e lartë të Anglisë me qëllim të përfitimit të përkrahjes së tyre për ruajtjen e kufijve etnik të Shqipërisë.

Mirëpo, I. Qemali largohet nga Londra me ndjenjën e misionit të pakryer. Dokumentet zyrtare tregojnë se ai hasi në një mos përfillje të përgjithshme si në qarqet zyrtare britanike ashtu edhe në Konferencën e Ambasadorëve. Ashtu që vendimet e Konfrencës së Londrës me 1913, e lanë gjysmën e tokave shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë

 Për vizitën e tij në Londër, I. Qemali do të flasë disa muaj më vonë, në një takim me gazetarë të huaj në Vlorë në shtator 1913. Ai u shpreh krejt i zhgënjyer. Ndër të tjerat I. Qemali deklaroi:” Se shkoi në kryeqytetin anglez me shpresë se do të arrinte diçka në Angli”, por u ndesh me një moskuptim të plotë nga dy krahët e politikës angleze. “Liberalët, – thotë I. Qemali, – mendonin se shqiptarët ishin të gjithë turq dhe myslimanë, ndërsa konservatorët i quanin prishës të paqës, njësoj si irlandezët”(Arben Puto, Studimi: “Shqipëria Politike 1912-1939”, faqe, 91, Tiranë, 2009).

              Fakëtorët ndikues në islamizimin e popullsisë shqiptare

Në shekullin 15, Shqipëria ka qenë e okupuar nga Perandoria Osmane. Vëndosja e pushtetit turk në territoret shqiptare ka pasur pasoja të rënda afatgjate për historinë, kulturën dhe kombin shqiptar, si dhe për formimin e shtetit shqiptar.

Turqit janë përpjekur për të çrrënjos gjithë çka ka qenë e pastër shqiptare dhe për t’ua imponuar shqiptarëve një kulturë tjetër të botës orientale-islamike, me qëllim për t’i nda ata nga djepi i qytetërimit europian.

Përhapja e islamit në tokat shqiptare ishte një dukuri e shkaktuar prej bashkëpunimit të një numri faktorësh të natyrave të ndryshme: politike, ekonomike, kulturore, fetare, si dhe të presionit të pushtetit turk. Meqenëse, Perandoria Osmane ka qenë fuqi okupuese, pushtuese apo zaptuese, e jo humanitare.

       Ngritja e memorialit  turk në Tiranë, në dëm të  identitetit  kombëtar

Ngritja e memorialit të ashtuqujtur dëshmorëve turq në Tiranë, paraqet një skandal të  madh historik të paparë të politikës shqiptare, e që është në dëm t’ identitetit kombëtar shqiptar. Kjo dëshmon se politika e shtetit shqiptar është kontradiktore. Në njërën anë, Shqipëria është antare e NATO-së dhe deklarohet se është përcaktua për integrime në Bashkësinë Europiane, kurse në anën tjetë me të madhe përqafon politikën e një regjimit  diktatorial të Erdoganit, për të cilin trulloset tërë bota demokratike. Andaj, njohjet nga shkencat politike tregojnë se fundamentalizmi fetar në politik është i dëmshëm për rendin shoqëror, e në veçanti është i rrezikshëm për shoqërinë shqiptare.

Shteti bashkëkohor duhet të jetë në pikëpamje të religjionit neutral. Ai u takon të gjithëve, ndërsa religjioni jo. Bindjet e besimit fetar të njerëzve nuk mund t’u imponohet të gjithëve. Shteti nuk duhet të kujdeset për shpëtimin e shpirtit(J. Lock).

Natyrisht, ndarja e bashkësive fetare dhe shtetit nuk nënkupton një kundërshtim të ndërsjellët, por ajo ka të bëj me dallimin e lëmisë politike dhe asaj religjioze. Andaj, normat religjioze nuk mund të shënderrohen në norma politike. Meqënse,  besimi fetar dhe politika janë dy realitete të ndryshme. Prandaj, pushteti ndahet në atë shpirtëror dhe laik, dhe secili është, ose duhet të jetë me kompetencë në fushën e vet.

Në qoftë se  ndonjëra prej Bashësive fetare u përkulet tendencave të ndryshme politike, respektivisht nuk është neutrale, por ka të bëj me instrumentalizimin e përbashkët të religjionit e politikës, atëherë ajo nuk prodhon kurrgjë të mirë në drejtim të lirisë dhe barazisë njerëzore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nike Gashaj-IDENTITETI KOMBËTAR

NJË SQARIM I NEVOJSHËM PËR DOSJEN E VATRËS

August 26, 2019 by dgreca

– Tërheqja e Dosjes së Vatrës nuk ka synim as të diskretitojë kënd dhe as të përçajë Vatrën apo të hedhë baltë mbi Vatrën e vatranët, as të shuaj kurreshtjen e bisedave nëpër kafene, por të nxjerrë në dritë të Diellit planet, shantazhet, intrigat, kurthet e Diktaturës komuniste përmes Sigurimit të Shtetit-

– Fatmirësisht planet operative, agjenturore të Sigurimit të Shtetit me Misionin Shhqiptar pranë Kombeve të Bashkuara, që ishte kthyer në një çerdhe agjenturore e spiunazhi, kanë dështuar dhe Vatra & Dielli i mbijetuan çdo kurthi e plani ogurzi…-

-Disa nga ata te Misionit Shqiptar prane OKB-se, qe firmosen raporte e hartuan plane kunder Vatres “reaksionare”…., “vegel e zbulimeve amerikane”, kane marre status qytetarie amerikane…

Publikimi i informacionit në Gazetën Dielli online dhe rrjetet sociale se Vatra ka tërhequr Dosjen e Sigurimit të Shtetit nga AUTORITETI PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTETE E ISH SIGURIMIT TË SHTETIT, ngjalli diskutime, hamendje, qëndrime pro dhe kundër, pse Jo edhe shqetësim se mos tash do të nis një luftë e re në Vatër. Mendoj se nuk ka vend për shqetësim e keqinterpretime kafenesh. Edhe më parë është shkruar për luftën e ndërhyrjen e Sigurimit në punët e Vatrës, ka 30 vjet që shtypi i Tiranës shkruan e hamendëson. Dosja e tanishme është një përmbledhje e detajuar e asaj çfarë ka bërë realisht kundër Vatrës Sigurimi me strukturat e veta. Kjo Dosje është tërhequr sipas ligjeve në fuqi dhe do të respektohen deri në fund kërkesat ligjore. Publikimi i lajmit nuk ka synim as të diskretitojë kënd dhe as të përçajë Vatrën apo të hedhë baltë mbi Vatrën e vatranët. Fatmirësisht planet operative, agjenturore të Sigurimit të Shtetit me Misionin Shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara, që ishte kthyer në një çerdhe agjenturore e spiunazhi, kanë dështura dhe Vatra & Dielli i mbijetuan çdo kurthi e plani ogurzi.Vetë qëndresa stoike e Vatrës dhe Gazetës së saj DIELLI, dëshmon fitoren mbi Sigurimin dhe dështimin e planeve të organizatorëve. Në Dosjen e Vatrës realisht ka pseudonime, ka kode shifrorë, por jo emra, kështu që çdo interpretim se Dosja do t’i kthehet në bumerang Vatrës, nuk ka baza dhe nuk ka për të ndodhur.

        Askush nuk ka pse friket se Vatra dhe Dielli tash do të bëjnë gjueti shtrigash dhe do të merren me çkodimin e pseudonimeve apo me shuarjen e kurreshtjes së njerëzve nëpër kafene. JO, Qëllimi është që vatranët të mësojnë se çfarë është bërë në shpinë të tyre, si planifikoheshin planet prej drejtorive përkatëse të Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Brendshme, si thurej rrjeta e merimangës në Mision, si shfrytëzoheshin pakënaqësitë e brendshme, si injektoheshin konfliktet mes vatranëve të vjetër dhe vatranëve të rinj,si ngriheshin kurthet, si krijoheshin përplasjet mes emigracionit politik dhe emigrantëve ekonomik, si nxiteshin konfliktet mes organizatave politike të Diapsorës me njëra tjetrën dhe mes tyre e Vatrës, si u krijuan dy fraksione me nxitjen e Sigurimit, pro dhe kundër Tiranës, si u interpretua dhe si u nxit pakënaqësia kundër Zonjës së Vatrës Nexhmije Zajmi pas vizitës në Tiranë etj. etj. Që nga vitet ’50 e deri në prill 1991 Vatra cilësohej si reaksionare dhe agjente e Zbulimit Amerikan, ndërsa Dielli si gazetë fashiste dhe fletushkë që diskretitonte regjimin e Tiranës.

Interesant është fakti se për Vatrën dhe Diellin hartoheshin plane operative dhe agjenturore të kohëpaskohëshme, që nga planet 6 mujore e deri tek ato vjetoret. Sigurimi ndiqte lëvizjet e udhëheqjes së Vatrës dhe Editorëve të Diellit,hartonte plane se si të mos zgjidhej kryetar apo editor x apo Y, si të ngjallshin pakënaqësi ndaj editorëve të Diellit, që kritikonin Tiranën, duke u kundërvënë atyre njerëz me influencë, apo duke publikuar në shtypin e Tiranës shkrime demaskuse apo duke shpërndarë ndër vatranë letra anonime. Të gjitha Kuvendet e Vatrës ishin në Lupën e Sigurimit të Shtetit, pas çdo kuvendi kërkohej lista e të zgjedhuërve që përcillej deri tek udhëheqësit e lartë të Shtetit komunist sipas hierarkisë përmes shënimeve rekomanduese, kërkoheshin Listat e kryetarëve të degëve të Vatrës si dhe emrat e vatranëve për çdo degë, me qëllim që të shantazhoheshin sipas një plani të detajuar e të miratuar. Çdo aktivitet i paralajmëruar i Vatrës, përfshi Kuvendet, festimet e 28 Nëntorit, Seminaret, e ngrinin në këmbë Sigurimin dhe hatroheshin plane kundërvënse. Edhe Seminari i 60 vjetorit të Diellit e shqetësoi shumë Sigurimin sepse po bashkohej Diaspora e Amerikës me Arbëreshët dhe emigracionin politik shqiptar të Italisë, se gjoja Vatikani po kërkonte të fuste nën komandë Diasporën Shqiptare, dhe Sigurimi u përpoq t’i kundërvërë Vatrës Organizatën Pro regjimit të Tiranës” Shqipëria e Lirë” ndërsa Diellit u përpoq  t’i kundërvejë gazetën”Liria”, revisten e ilustruar Shqiperia e Re dhe Radio-Tiranën.

Këto dhe të tjera do të jenë realisht objekti studimor i Dosjes së VATRËS për të zbërthyer platformën përçarëse dhe përndjekëse të Sigurimit të Shtetit komunist, përfaqësues të spikatur të të cilit kanë marrë edhe qytetarinë amerikane dhe jetojnë këtu, packa se dikur e raportonin Vatren si reaksionere dhe vegel e Zbulimeve amerikane!!(Editori)

Filed Under: Politike Tagged With: Sqarim-Dosja e Vatres-dalip Greca

Nënë Tereza: “E kam në zemër popullin tem Shqiptar”

August 25, 2019 by dgreca

Me rastin e 26 Gushtit,ditëlindjes së Shën Nënë Terezes/

Nga Frank Shkreli*/

Shën Nëna Tereze ose siç e njeh e mbarë bota, thjesht si Nënë Tereza ka lindur, më 26 gusht 1910. Po e kujtoj këtë datë me një shënim për një libër, që më dërgoi para disa ditësh Don Lush Gjergji, autor i shumë librave dhe artikujve mbi Nënë Terezen, të cilën ai e ka njohur, siç thotë edhe vetë, qysh prej vitit 1969. Librin, që më erdhi me postë elektronike, autori Don Lush Gjergji e ka përgatitur për botim me rastin e 40-vjetorit të Çmimit “Nobel për Paqe”, dhënë Nënë Terezes, më 10 dhjetor 1979. Don Lush Gjergji, pranon se megjithëse gjatë viteve kur ishte gjallë Nënë Tereza, ai ka kaluar aq shume kohë me të duke përcjellë pothuaj çdo aktivitet të Nën Terezës, anë e mbanë botës, dhe ndonëse me të drejtë konsiderohet si eksperti numër një i jetës dhe veprimtarisë së Nënë Terezes – madje shumë e cilësojnë edhe si biografi zyrtar i kësaj bije të Kombit shqiptar – ai shprehet se nuk është as ai vetë i sigurt, nëse e njeh mirë Nënë Terezen. “Madje edhe pas gjithë këtyre vjetësh, unë nuk jam i sigurt se e njoh mirë, se e kuptoj dhe mbi të gjitha se mund të jem në gjendje t’ua përcjell atë të tjerëve me shkrime dhe me dëshmi”. Por ama, për një gjë jemi të sigurt të gjithë: Në një intervistë në Oslo të Norvegjisë, në vitin 1979, Nënë Tereza është shprehur qartë se kush është ajo: “Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, murgeshë e kushtuar. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës.”

Don Lush Gjergji ka shkruar shumë për jetën e Nënë Terezes, ndërkohë që disa prej këtyre veprave janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja, por librin e fundit kushtuar Nënë Terezes, me titull të titulluar: “E kam në Zemër popullin tem Shqiptar – Bisedime me Shën Nënën Tereze” – ia paraqet lexuesit me shpresën që – duke u mbështetur në përmbajtjen e librit që pasqyron fjalët dhe deklaratat e Nënës Tereze, përfshirë intervistat – vetë lexuesi mund ta kuptojë më mirë Nënë Terezen, jetën dhe veprimtarinë e saj si shërbëtore e botës, por edhe si shqiptare.

Në veprën e tij më të fundit për Nënë Terezen, Don Lush Gjergji sjell për lexuesin intervista ekskluzive me Nënë Terezen, në vende dhe rrethana të ndryshme, përfshirë edhe vizitat e saj në Kosovë dhe në Evropë. Aty mund të gjejmë edhe fotografi të rralla të Nënë Terezes e të lexojmë intervista, fjalime dhe porosi të saj ku pasqyrohen, “vizione largpamëse dhe profetike që përbëjnë një lloj testamenti shpirtëror për të gjithë ne”, shprehet autori në parathënien e librit. Në një prej këtyre intervistave të vitit 1978, botuar në këtë libër, Nënë Tereza shpreh, “dëshirën e saj për t’u kthyer te populli im shqiptar”. E pyetur se si ndihej në vendlindjen e saj, në Shkup pas aq shumë vitesh mungesë, Nënë Tereza me mallëngjim dhe dëshpërim përgjigjet: “Mendoj në veçanti për familjen time, për babain tim të ndjerë, Kolën dhe nënën time Drane, që tani jeton me motrën time Age në Tiranë si dhe vëllain tim Lazrin, i cili jeton në Palermo. Jam takuar shpesh me vëllain tim, ose në Romë, ose në Palermo, nga që atje kemi një shtëpi për të moshuarit dhe për të varfrit. Nuk e kam parë nënën dhe motrën time që nga viti 1928, që nga nisja ime për në misione në Zagreb…”. Intervistuesi dhe autori i librit, të lartpërmendur, “E kam në zemër popullin tem Shqiptar”, Don Lush Gjergji shënon në librin tij reagimin e Nën Terezes kur fliste për familjen e saj të ngushtë. Duke folur për familjen e vet, “fytyra e saj u bë hijerëndë madje edhe paksa e pikëlluar nga që siç më tha ajo, ishte përpjekur sa e sa herë përmes autoriteteve politike të merrte leje për të hyrë në Shqipëri, për të vizituar nënën dhe motrën, por më kot!”. E pyetur gjatë një interviste në vitin 1979 nga Lush Gjergji mbi gjendjen në Shqipëri, Nënë Tereza pranon se nuk dinte shumë për Shqipërinë. “Nuk di se çfarë të them, nga që nuk di se çfarë, në të vërtetë, po ndodh atje. Nganjëherë kam marrë ndonjë letër nga nëna dhe motra ime, nga Tirana. Ato shkruajnë vetëm disa fjalë. Ato kanë aq dëshirë të madhe për t’u takuar me mua dhe me vëllain tim, Lazrin. Atë që unë mund të thosha është, se unë lutem shumë për Shqipërinë, që Zoti t’i ndriçojë që të mund të kuptojnë këtë: Nëse duan të jetojnë në paqe, ata duhet të ta duan njëri tjetrin…” Dihet se regjimi i Enver Hoxhës nuk e lejoi Nënë Terezen të vizitonte nënën e motrën në Tiranë. Pasi ato kishin vdekur, siç dihet Nënë Tereza u lejua, më në fund, të vizitonte Shqipërinë, në vitin 1989.

E pyetur nga Don Lush Gjergji gjatë një interviste në Budapest të Hungarisë në vitin 1989, nëse ajo kishte ndonjë mesazh për popullin tonë shqiptar, i cili po kalonte çaste të rënda në atë kohë, Nënë Tereza i përgjigjet duke u shprehur: “Po, unë gjithmonë bart në zemrën time popullin tim shqiptar dhe i lutem Zotit për paqe dhe prosperitet, për një të ardhme më të mirë për të. Lutem që lutja t’ju bashkojë me Zotin dhe me njëri tjetri, me tërë botën.”, është shprehur ajo.

Libri prej 100 faqesh sjellë edhe disa mesazhe të Nënë Terezës shkruar shqip me dorën e vet, si më poshtë, në të cilat ajo shpreh jo vetëm krenarinë për identitetin e saj, por edhe dashurinë e vet për shqiptarët, për Kosovën dhe për Shqipërinë, dhe sidomos për qytetin e saj të lindjes Shkupin shqiptar, në të cilin shprehet se do të dëshironte të kthehej: “Kjo ka qenë dëshira ime gjithmonë, për t’u kthyer tek populli im shqiptar, në qytetin tim të lindjes, në Ipeshkvinë tonë Shkup-Prizren, në mesin e popullit tim dhe të motrave të mia”, ka deklaruar Nënë Tereza në një intervistë ekskluzive me Don Lush Gjergjin, në vitin 1978. Ajo kishte mirëpritur edhe lëvizjet në atë kohë për pajtim të gjaqeve, gjë që le të kuptohet se ajo e ndiqte deri diku edhe situatën në atdheun e të parëve të saj. “Dëshiroj të festojmë së bashku Pajtimin e mbarë popullit tem Shqiptar”, ka thënë ajo në një mesazh drejtuar ish-ipeshkvit të Kosovës, Mons. Nikë Prela, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së tij që ajo të vizitonte Kosovën, gjë që ajo pranoi të vinte në Kosovë. Dhe nga një tjetër shkresë mësojmë se Nënë Tereza nuk e kishte harruar Kombin e vet – dhe kurrë nuk e kishte mohuar identitetin e saj dhe origjinën e saj si shqiptare, siç pretendonin atëherë dhe siç e akuzojnë edhe sot disa kritikë të saj, fatkeqësisht edhe shqiptarë e quajnë veten, por dhe të huaj, të indoktrinuar nga ideologjia komuniste anti-fetare dhe anti-shqiptare. “Gjithmonë, shpirtënisht, jam e lidhur me uratë dhe dashni me popullin tem Shqiptar, sidomos në kohë të vështira…”, është shprehur Nënë Tereza siç sugjeron edhe titulli i librit, “E kam në zemër popullin tem Shqiptar” “Shumë luti Zotin që paqja e Tij të vijë në zemrat tona, në të gjitha familjet tona dhe në të gjithë botën”, ka shkruar me një rast, Nënë Tereza, sipas librit, të posa botuar të Don Lush Gjergjit.

Në këtë ditëlindje të Nënë Terezës, uroj që ajo të jetë me ne sot dhe të lutet për ne, sidomos në këto kohë të vështira për shqiptarët. Autori Don Lush Gjergji shkruan se është në rregull admirimi dhe nderimi për Nënë Terezen. Por ai bënë gjithashtu thirrje që, “Nga mendja e saj e ndritur dhe ngritur, nga zemra e saj e madhe—shprehje feje dhe dashurie për Zotin dhe për Njeriun vëlla e motër – fara që ajo e mbolli në mendjet dhe zemrat tona — ta mbajmë të gjallë jetën dhe veprën e saj mahnitëse për mbarë njerëzimin, si kujtim dhe frymëzim në vazhdimësi…Të mos ndalemi vetëm në nderim dhe admirim (të saj) por të kalojmë në imitim dhe dëshmi duke ushqyer përditshmërinë tonë me vlera dhe virtyte”. Sidomos, do të porosiste Nënë Tereza, të jetojmë në dashuri dhe pajtim vëllazëror me njëri tjetrin, në këtë kohë të vështirë mospajtimesh dhe konfliktesh aktuale politike në radhët e shqiptarëve. Në qoftë se thirrja e Nënë Terezes për dashuri me njëri tjetrin mund të duket tepër idealiste dhe jo reale për mëkatarët e kësaj bote, atëherë të pakën të mësojmë diçka nga jeta dhe veprimtaria e saj për tolerancë dhe bashkëjetesë me njëri tjetrin, pa dallim, si bijë dhe bija të një kombi e të një gjuhe—një kërkesë kjo minimale për një shoqëri të përparuar të shekullit XXI, që e quan veten demokraci.

Ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë*

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli-Ditelindja-Nene Tereza

Aleksandër

August 25, 2019 by dgreca

Walter de la Mare*/(shqipërim nga Astrit Lulushi)/

Ishte Aleksandri,/
Fytyrë mbuluar/
Me maskën e artë,/
Shtrirë në epoka,/
Në anijen e tij/
Në heshtje të vdekur./

Sirenat e detit/
Me këngën e tyre/
Në humnerë e endnin:/
Detarët e përkulur/
Si t’ishin në gjumë lundronin./

E gjithë Azia magjepsur
Nga kënga e sirenave,
Me mendje të lodhura
Ëndrra të venitura përcillte.

Ky djalë i guximshëm
Kapiteni i madh
Shkëlqimin u dha dhe iku,
Nga ushtarët e tij të gjallë,
Ndërsa këngët rreth tij
Sirenat shpërndanë.

Koha si vesë që bie,
Jeta si skena e një ëndrre
Shtrirë mes dremitjes
Dhe dremitje vetëm dukej. . . .

O Aleksandër,
Pa ty të gjithë ne,
Dyll jo aq i mbivendosur
Në valët-blu të errët mbetëm!

Nëse vjen nje natë si yll,
Kush ka mbetur të t’shohë
Ose të dëgjojë këngët
Që përhapin sirenat e detit?

——-
*Walter John de la Mare (1873 – 1956) poet britanik e novelist; dalloi dy aspekte të imagjinatës – fëminore dhe intelektuale; ishte në kufirin midis të dyjave ku shtriheshin Shekspiri, Dante dhe pjesa tjetër e poetëve të mëdhenj. Sipas De la Mares, imagjinata fëminore zakonisht zëvendësohet me imagjinatën intelektuale, por jo tek të gjithë. Fëmijët janë, me pak fjalë, vizionarë të jetës.
“Imagjinata intelektuale mund të shfaqet në krijimtari ose në shkëputjen nga realiteti, ose në të dyja”. (de la Mare)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Walter de la Mare-Aleksander-Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT