• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2019

Kosova,‘‘Mini Shëngeni’’ dhe taksa

December 29, 2019 by dgreca

Nga Anton MARKU/

‘‘Mini Shëngeni’’ duket të jetë një ndër përpjekjet e para serioze në dekadën e fundit. Ajo ka filluar të hedhë hapat e parënë realizimin e një ëndërre që mund të ketë karakter rajonal, por që në mënyrë konkrete e promovon elementin evropian tëintegrimit mes njerëzve, kombeve dhe shteteve. Kundër kësaj ideje janë kryesisht idhëtarët e taksës që e futi vendin nëizolim si pothuajse asnjëherë më parë që nga vitit 1999.

Frika nga lira

Është për tu habitur kundërshtimi i hapur, kryesisht i pajustifikuar, i konceptit, jo vetëm nga pushtetarët e deridjeshëm, por edhe e një pjese të shoqërisë civile, sidomos mediave dhe intelektualëve të (pa)varur. 

Nga njëra anë edhe mund të përceptohet skepticizimi i atyre që sjellin paralele mes të djeshmes dhe të sotmes, sidomos nëkontekstin historik të pas luftës së dytë botërore dhe tentativave të përfshirjes së Shqipërisë në kuadrin e një federate jugosllave si republika e shtatë e saj. Po ashtu mund të kuptohet edhe rikthimi në kujtesë i pozitës diskriminuese tëKosovës në shtetin e dominuar nga sllavët e jugut, e sidomos dhunës sistematike të Beogradit ndaj tyre.

Sidoqoftë duket se në rastin konkret argumentet pro përfshirjes eventuale të Kosovës në iniciativa të tilla rajonale janë mëtë mëdha se sa mendohet aktualisht. Ndër to mund të veçohen:

-Fuqizimi i shtetësisë së Kosovës në kontekstin ballkanik: Kosova synon të ketë marëdhënie të mira fqinjësore me tëgjitha shtetet që e rrethojnë. Tre nga katër shtetet që momentalisht janë bërë pjesë e këtij procesi e kanë njohur Kosovën dhe nuk do të lejonin që ky realitet të vihet në pikëpyetje. 

-Rritja e imazhit të Kosovës në skenën ndërkombëtare: pas dështimeve në sjelljen e njohjeve të reja dhe në anëtarësimin në organizata të mëdha në nivel global (UNESCO, INTERPOL, etj), si dhe vendosjen e taksës si instrument i cili nuk solli rezultatet e pritura (një ndër to edhe njohjen nga Serbia), Kosova do të tregonte maturi politike nëse qeveria e ardhshme, pas një analize të thuktë, rimendon çasjen dhe pozicionimin e saj në raport me projektet të cilat i mbështesin, politikisht dhe financiarisht, qendrat e mëdha të vendosjes në botë.

-Rikthimi në një treg të hapur: prodhuesit dhe tregtarët kosovarë do të sfidoheshin nga konkurenca rajonale, por dhe do tëpërfitonin nga shkëmbimi i përvojave me të tjerët, ndërsa konsumatorëve do të iu ofroheshin mallëra më cilësore me njëçmim më të ulët.

-Vazhdimi i ëndërrës evropiane: është utopi të mendohet se shteti i Kosovës do të mund të bëhet një ditë anëtar i BE duke u sjellë në mënyre izoluese, gjë që është vlerë anti-evropiane. Nuk mund të pretendosh të bëhesh pjesë e familjes sëmadhe me seli në Bruksel duke i përplasur dyert tua për pjesën tjetër të botës, andej mureve.

Shoqëritë e civilizuara nuk kanë frikë nga hapja por nga mbyllja. 

Të guxosh

Në këtë kontekst natyrisht se përfituesit më të mëdhenj do të ishin vetë qytetarët e Ballkanit, ndër ta edhe ata të Kosovës. Qarkullim i lirë i njerëzve, mallërave, shërbimeve dhe kapitalit është ndër projektet më të mira paqësore që ka njohur njerëzimi deri më tani dhe Kosova duhet të guxoj që të afrohet në këtë grup shtetesh, ngadalë dhe me kujdes, por me njëenergji pozitive dhe pa paragjykime. 

Në lidhje me këtë duhet thënë se është për tu pritur që bartësit e institucioneve kosovare janë të vetdijshëm se ndër hapat e parë që do të detyrohen të ndërmarrin në rast se do të duan të bëhen pjesë e ‘‘Mini Shëngenit’’ do të jetë edhe rishikimi i vendimit për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila konsiderohet se ishte njëinstrument politik në kundërshtim me parimet ekonomike. Kjo dhe mund të jetë arsyeja e refuzimit të ftesës nga ana e Presidentit Thaçi për të qenë pjesë e samitit të dhjetorit mbajtur para pak ditëve në Tiranë. 

Kuptohet se ‘‘Mini Shëngeni’’ do të jetë një alternativë e përkohshme e integrimit në BE, por edhe ashtu rruga për atje çon nëpër vargmalet dhe autostradat e Ballkanit. 

Hija e Ramës

Kosova nuk duhet të ketë frikë nga Edi Rama, e aq më pak nga shteti shqiptar. Ata dhe po të duan nuk mund të vendosin për fatin e saj. As nuk e kanë këtë mandat e as nuk duket se pretendojnë diçka të tillë. Në këtë rast Kosova, duke pasur nëkrah Shqipërinë, vetëm sa do të përfitonte nga pjesëmarrja në një forum në të cilin do të dëgjohej edhe zëri i saj. Nëse për pothuajse dhjetë vite Kosova dialogoi me Serbinë e vetme pse duhet të ketë rezerva për tu ulur në tavolinë aty ku ështëdhe Shqipëria. 

Është për tu shpresuar se qeveria e re e Kosovës do të gjej mënyrat e duhura, qoftë dhe në cilësinë e vëzhguesit, që të mos mbetet jashtë rrjedhave të cilat i ofrojnë asaj mundësinë që nga vështruesi pasiv të marrë rolin e pjesëmarrësit aktiv nëdiçka e cila, në një perspektivë afatgjatë, mund të jetë në dobi të saj. 

(Mos)njohja

Po, Serbia duhet të kërkojë falje dhe ta njohë Kosovës. Absolutisht po. Por, kjo mund të mos ndodhë në 50 vitet e ardhshme. Ky mund të jetë fati ynë. Dhe i tyre. Megjithatë kjo nuk do të thotë se edhe gjysmë shekulli duhet tëvazhdojmë të shikohemi përmes tytave të pushkëve.

Për të parë larg nuk mjaftojnë vetëm sytë.

Vjenë, 28 dhjetor 2019

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Marku, kosova

SULLTANATI I ZULULANDIT

December 29, 2019 by dgreca

 Nga Petro DANGELLIA/

 Në pjesën juglindore të Europës ndodhet nje sulltanat i vogël  i mbetur aty qe nga kalbja dhe shpërbërja e perandorisë së Osmanllinjve. Aty jeton një popull i vogël, për të cilin thonë se dikur ka qënë trim dhe liridashës, por duke qëndruar një gjysëm mijëvjeçari me osmallinjtë morri edhe gjithë veset e tyre; përtacllëkun, dembelllëkun, budallallëkun, puthjepëqirllëkun, ‘peqe-hejvallallëkun’, kusarllëkun, ryshfetllëkun, akraballëkun,etj,etj dhe që të mos zgjatemi më tutje, se këto veset e ‘llëkut’ që ka marrë ky ‘xhins milet’ nuk kanë të sosur, megjithse ka kaluar afro një shekull që këta janë ndarë nga osmanllinjtë. 

        Por veç këtyre një pjesë e zululandasve, kuptohet ata më të shkathtit, më puthadorët dhe më të egrit, jo ndaj osmanllinjve, por ndaj zululandasve të tjerë, bënë prokopi. Pas tre brezash shkëputje nga osmallinjtë, ky takëm mileti, kuptohet nga ‘tabijati’, vazhdon të qeverisë zululandasit e shkretë.  Dhe në kohën e soçme, njërit prej tyre, i krisur nga trutë e kokës,  i ka shkrepur në kokë që të bëhet sulltan. Por jo vetëm kaq, por i është mbushur mëndja top, se është më i dituri dhe më i zoti nga të gjithë zululandasit. Aq keq është dalldisur pas kësaj ëndërre të marrë, sa që nuk dëgjon njeri, e të kthehet në rrugën e mbarë. Po mirë, mund të thotë ndonjëri? Çfarë pune na prish një njeri që është i marrosur? Vërtet ashtu është, por po të shikonte hallin e vet dhe të  mos u binte më  qafë  zululandasve, nuk do të  thoshja gjë. Por ky rob zoti, i mbështetur dhe nga jashtë Zululandit, ka arritur që të bëhet i pari i zululandasve, prandaj edhe do të bëhet sulltan, të “vrasë dhe të presë” dhe të mos i jap llogari njeriut.

        Thonë, se kur ky zululandas gjatosh dhe pa tru në kokë ka qënë tek frëngjtë, ka qënë i pabrekë dhe cullak. Por kur e prunë tek zululandasit e vet filloi të bënte prokopi, dhe jo vetëm është bërë më i pasuri i zululandasve, por për nga malli dhe kapitali i vënë, ja kanë zili edhe shumë pashallarë nga Avropi. Kështu thonë, por këtë nuk e thashë unë. Me të dëgjuar e kam. Në më kanë gënjyer, po ju gënjej. Thonë që është edhe shumë i babëzitur. Nuk ngopet duke ngrënë. Dhe sa vite shkojnë, aq më shumë i shtohet oreksi  dhe natë  e ditë  papushim ha si i babëzitur. Jatrotë që e kanë  vizituar thonë,  se këtë  e ka nga sëmundja, që në latinisht, sipas tyre kjo gjëndje patologjike quhet PPP-grabus. Ca të tjerë thonë që ky, që i vogël, ka “shkelur në xhinde”, dhe që atëhere i është shfaqur sëmundja. Ky bina, pasi hëngri autostrada, shkolla, spitale, pallate; pa i tretur mirë ato filloi të hajë edhe hidrocentrale. Ju kthye instrumentave të operimit në spitale dhe i kapërdiu. Gojët e liga thonë se është bërë kanibal dhe do të hajë edhe Teatrin Kombëtar megjithë aktorët brenda. Por këtë, gjynahqari, nuk do ta hajë  të  gjithë  vet, por do t’i japë  një  llokmë  edhe sejmenit të  tij, valiut të  Tiranës, Veli Beut.

         Po për të pirë, pyet një  andej nga fundi? Po ore, edhe pi.  Kur mbytet me të thata ja kthen me lëng: pi lumenj, pi përrenj, pi edhe karburante; dhe tani së  fundmi, në  kulmin e marrisë,  do të  pijë  edhe detin. Dhe me këtë ka bërë  ziliqar edhe Ksanthin, që  nuk arriti dot t’a pinte detin. Por edhe detin , që  të  mos i hymë  në  hak, nuk do ta pijë  vetëm, do t’a pijë  bashkë  me mikun e tij, Miçotaqin. Zululandasit, të  tmerruar, thonë  se i pari i tyre, qeveri-gremisuri, është  bërë lubi që  përpin çdo gjë, dhe kështu si e ka nisur nuk do të  mbetet as një bujashkë  nga Zululandi, se ky i babëzitur ka për ta  ngrënë  të  tërë, kuptohet bashkë  me miqtë  e tij.

        Tani së fundmi, në kulmin e çakërdisjes, pasi i ka provuar të gjitha, dhe meqënësë tërmeti i fundit la shumë gërmadha, i ka vajtur mëndja keq të provojë të hajë dhe gërmadhat. Prandaj më 18 dhjetor të kësaj seneje, pa u tharë mirë lotët për ata që ndërruan jetë nën gërmadha, ky sulltan pelivan, fshehurazi, dhe në mes të natës sterrë, me shi dhe bubullima, nxorri fermanin për të ngrënë 42 kala dhe gërmadha, monumente të zululandasve që nga lashtësia. Do thoni ju, që gërmadhat as hahen dhe as pihen. Thoni ju, pa pyeteni atë? Do ju thotë, se edhe hahen edhe pihen. Madje për t’i ngrënë ato do ta ndihmojë edhe një veziresha e tij, ajo e kulturës. Se nuk ju thamë që në fillim, se ky sulltanuc, ndryshe nga sulltanët e mëdhenj sa një deve që mbanin vetëm vezirë, shumicën e vezirëve i ka veziresha. Si me thënë, ky mendon se një gjel në mes të pulave komandon më mire se një gjel në mes të gjelave. Megjithëse gojët e liga thonë, se edhe ata gjela që i kanë mbetur janë bërë më pula se pulat.

        Thonë se ky sulltan, kur ishte i ri, i jati e çoi në një shkollë ku mësohej se si bëheshin surretet dhe syfetet. Megjithëse nga kjo shkollë ai nuk mësoi gjë, se hyri lloz e doli shul, prapë e mban veten për surratbërësin dhe syfetçiun më të mirë në Avropi. Nga kjo shkollë, megjithëse nuk e kishte për sua, i  pëlqeu shumë zurnaja, ahengu dhe çingitë. Gojët e liga thonë se duhet ta kesh në gjak këtë zanat, pasi edhe ashtu kot, ato nuk të pëlqejnë. Ne nuk marrim përsipër gjë për këtë, e ka, apo nuk e ka në gjak; por që i pëlqejnë shfaqjet, ahengjet, çitjanët dhe çingitë, pa merak, dilni dhe shikojeni vet, se vdes për të qënë atje ku “loz qeni i kallajxhiut”.

         Megjithatë, të kthehemi atje ku e lamë dhe të ngasim muhabetin; kur ra tërmeti dhe tundi dhenë, për t’u dukur se i vinte keq për miletin e vet, por duke pasur edhe frikë se mos mileti i kthehej kundër; gjithashtu, i mësuar edhe nga një prift i vjetër, i rrahur në vaj dhe në uthull në këto punë, Orosos ja thonë emrin; sulltani hoqi rrobat e bukura dhe të shtrenjta dhe veshi ca zhele murgu që dukeshin edhe si një veladon i rreckosur i një prifti ortodoks katundi. Tani pse veshi atë të ortodoksit dhe nuk veshi xhyben e një dervishi, unë nuk e di. Më mirë pyesni vet të zotin dhe ai vet do t’ju japë xhevap. La edhe pak mjekër që t’i afrohej shumë një eremiti, apo një hieronomaku. Vetëm një shkop i mungonte dhe do të dukej si shën Kozmai. Mileti e pa kaq të përvujtur dhe  më shumë i erdhi keq për të, se sa për veten që mbeti nën gërmadha. Bile, edhe kur thërriste  “divanin” në mbledhje, si një aktor i vërtetë teatri fliste me zë të ulët, si i drobitur, belbëzonte, si një prift në meshim, sa që kush e shikonte thoshte: I varfëri është bërë për të ardhur keq. Biles, për ta bërë lojën më të bukur dhe më bindëse, të gjithë vezirët, vezireshat dhe oborrtarët e pallatit i veshi me të zeza, kjo për t’i treguar miletit, se sa shumë po vuanin për të.

        Në këtë kohë, siç thamë edhe më lart, në kulmin e lojës aktoreske të një hieronomaku, ju rishfaq sëmundja e PPP-grabusit, dhe donte të hante të gjithë gurët e gërmadhave të vjetra të Zululandit. Kështu, një natë pa hënë, nxorri fermanin për gllabërimin e të gjitha kalave të Zululandit. Disa nga të diturit e kryeqytetit perandorak i thanë se po bënte gabim. Por i pari i Zululandit, kur i shkon mendja për ndonjë gjë, nuk pyet njeri, nuk dëgjon njeri; I erren sytë dhe as dëgjon, e as shikon.

        Zululandasit, në këtë thagmë të sulltanit panë fundin e tyre. Pasi vërtet, ky sulltan, por edhe të tjerë para tij, e kishin grabitur, varfëruar dhe katandisur aq keq, sa as “qeni nuk kishte ku t’i kapte”; por mbaheshin me gajret me sojin dhe fisin e tyre, si një nga më të vjetrit dhe më të fismit në Avropi. Por shitja të huajve dhe shkatërrimi i kalave të tyre, që tregonin gjithë historinë dhe luftërat e të parëve të tyre, do t’i linte pa histori, pa origjinë, pa trashëgimi dokesh dhe zakonesh. Pra, ata nuk panë vetëm një veprim babëzitës të sulltanit të tyre, por edhe një veprim keqdashës dhe djallëzor.

        Gojët e liga thonë se këto ai i bën, pasi kur ka qënë  i ri, ka qënë në oborrin mbretëror të frëngjve, ku edhe i kanë mësuar të gjitha djallëzitë kundër miletit  të vet. Për këto punë, thonë ata, ai ‘yshtet’ vazhdimisht tek frëngjtë. Për këto punë, gojët e liga thonë se i ka ngjarë një pashe të lig të Zululandit, që ja shiti Zululandin, Krajlisë. Esat Pashai ja thoshin emrin. Por një trim nga Jugu  i Zululandit ja morri shpirtin, atje në mes të oborrit mbretëror të frëngjve. Kuptohet, frengjtë u xhindosën, po nuk kishin se ç’të bënin, e varrosën me nderime në dheun e tyre. Do zoti, që edhe ky i sormi nuk ka fatin e tij. Pasi edhe ky ka filluar të fërkohet shumë me mbretin e Krajlisë, Buçiçin. Biles ka bërë edhe një marrëveshje me të; Miniçiçi e quajnë.

        Mileti ka frikë që të flasë, se ai ka nxjerr një ligj, që kush e kundërshton, do t’a shkojë në satër. Një nga zululandasit i bëri thirrje kryetarit të kuvendit, që të “verë  dorën në zemër” për miletin e vet, dhe t’a ndalë këtë të shkarë nga trutë e kokës. Bile i  ka thënë, që meqë ke edhe një emër mali, edhe origjinën e ke nga një zonë malore dhe e mban veten për sua trimi, dhe në të ka mbetur edhe pak gjak zululandasi në dejet e tua, ndaloje këtë të çmendur, që po na çmend derë më derë; pasi me thagmën e fundit të tij, nuk ka për të pasur më Zululand dhe populli i Zululandit ka për t’u shuar me të gjitha. Kjo thirrje i është drejtuar edhe pleqësisë së kuvendit, megjithëse pjesa më e madhe e tyre janë peqe-hejvallatë e sulltanit. Ndërsa oborri mbretëror, në kulmin e pasurimit, qejfeve, ahengjeve dhe bolorive të tyre, nuk dëgjojnë nga ai vesh. Ata bashkë me sulltanin thonë: Në djallë të vejë Zululandi dhe zululandasit; gur mbi gur të mos mbetet,  zjarri i rëntë Zululandit, se ne me floririn që kemi siguruar do të shkojmë tek sulltanati i Kajmakut bashkë me çilimijtë, sojin dhe sorollopin, dhe do të rrojmë për “shtatë palë qejfe” sa të na japë ymër zoti.

        Këtë sulltan në babëzinë e tij , ka për ta gjetur ajo që u ka bërë vaki disa mbretërve në kohën e lashtë, ku zotat, duke parë se sa të babëzitur ishin; njerit, Tantal ja thoshin emrin, e bënë që as të mos hante dhe as të mos pinte dot, deri sa mbaroi; ndërsa tjetrit, Midas e thërrisnin, që vuante edhe ai nga babëzia  për pasuri dhe flori, e bënë që çfarë prekte më dorë të kthehej në flori. Kapte mishin dhe mishi kthehej në flori, kapte peshkun dhe peshku kthehej në flori, kapte ngjalat e “Gjirit të Lalëzit”, dhe ato të shkreta, përsëri ktheheshin në flori, dhe kështu që thoni ju, mbeti pa ngrënë, edhe ai ndërroi jetë nga uria për shkak të babëzisë së tij për pasuri dhe flori. Do zoti dhe ky i yni kthen mëndje, se zotat nuk të falin, vonojnë por nuk harojnë,pasi do të përfundojë keq e mos më keq. Një i lashtë nga një mbretëri fqinjë, Dane Ali Geri e thoshin, për takëmin e sulltanit tonë, ka thënë se u ka rezervuar, rrethin e nëntë të xhehnemit, ku trupi dhe shpirti të digjet në zjarr. Gjynah, ishallah sulltani inë vë mend dhe nuk përfundon në xhehnem.

        Pleqtë e vjetër të Zululandit thonë edhe disa gjëra, që ky sulltani inë dhe oborrtarët e zilepsur të tij nuk e dinë. Ata thonë që qysh në kohët e vjetra dhe deri më sot, Zululandi ka qënë dhe mbetet në ruajtje të zotave. Mjerë kush e prekë dhe i bën keq atij. Ndëshkoji o zot ata që ja kanë shitur shpirtin djallit dhe satanait.

Petro Dangellia 29 dhjetor 2019.

Filed Under: Analiza Tagged With: Petro Dangellia, Zululandi

DR. IBRAHIM RUGOVA: VETITË E NJË BURRËSHTETI

December 29, 2019 by dgreca

  • Me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës / Nga Frank Shkreli/

Ditët e fundit, historiani i njohur dhe njëri prej intelektualëve më të shquar të Kombit shqiptar, Jusuf Buxhovi botoi, me rastin e 30-vjetorit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dokumentin autentik të programit të kësaj lidhjeje njëra prej partive më të mëdha politike në Kosovë.  Dokumenti origjinal që mban nënshkrimin e Jusuf Buxhovit, është nënshkruar me datën e 23 Dhjetor të vitit 1989.  Dokumenti në fjalë, në të cilin radhiten angazhimet e LDK-së për të ardhmen e Kosovës, sipas historianit Buxhovi, ishte bazuar mbi sugjerimet e paraqitura nga akademikët e njohur të Kosovës, Gazmend Zajmi, Fehmi Agani dhe Ajri Begut dhe ishte miratuar njëzëri nga Kuvendi themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
                Urime LDK-së në 30-vjetorin e themelimit të saj, megjithëse ky shënim nuk është për LDK-në, por për Dr. Ibrahim Rugovën — të cilit, delegatët që morën pjesë në themelimin e LDK-së — ia besuan Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, lëvizjes ndoshta më të madhe mbarë popullore që ka ekzistuar ndonjëherë në trojet shqiptare dhe të cilën ai e drejtoi për 16 vjet.  Në një kohë ndryshimesh të mëdha politike, anë e mbanë Evropës, ishte një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh shqiptarë të Kosovës që miratoi themelimin e një partie – ndoshta e para e këtij lloji në Evropën post-komuniste — e cila më në fund do të artikulonte kërkesat politike dhe kombëtare të shqiptarëve, si nisëmtarja e proceseve të pluralizmit politik ndër shqiptarë, në rrethana mjaft të vështira nën të cilat gjëndej në atë kohë Kosova.  
Në deklaratën e Kuvendit nismëtar thekësohej një temë gjithnjë aktuale edhe sot, të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në trojet e veta, ku thuhej se, “Është e drejtë e shqiptarëve në trojet e tyre etnike të komunikojnë e të bashkëpunojnë në mënyra që i konsiderojnë vetë më të përshtatshme, sikur që është e drejtë e tyre që në hapësirën gjithë shqiptare, në frymën e ecurive të sotme politike e civilizuese evropiane, të bashkëpunojnë, të papenguar dhe të kërkojnë që kufiri me Shqipërinë të shëndërrohet nga një mur i pengimit në një vijë të takimit e të komunikimit të lirë ndërshqiptar”. 
 
Ndërkohë që Dr.Ibrahim Rugova u zgjodhë Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me “aklamacion” — në rolin e Kryetarit të Partisë së re — në përmbyllje të Kuvendit, Dr. Rugova u ka deklaruar delegatëve se, “LDK-ja kontribuoi që sot shqiptarët pa frikë mund të shtrojnë kërkesat politike dhe të gjitha problemet që i preokupojnë, jo vetëm karshi pushtuesit, por kemi arritur që të lirohemi edhe brenda vetvetes”, ka thekësuar Presidenti i ardhëshëm historik i Kosovës.
 
Kush ishte Dr. Ibrahim Rugova, i cili pothuaj pa asnjë përvojë në fushën politike dhe diplomatike, nga një intelektual i panjohur jaashtë Kosovës, mbrenda një kohe të shkurtër, në një periudhë të vështirë për Kombin shqiptar, bëri aq shumë miq anë e mbanë botës — mbrenda dhe jashtë kancelarive më të njohura botërore –jo vetëm për Kosovën, por edhe për Kombin shqiptar në përgjithësi?
 
Unë kam patur nderin ta takoja, Dr. Rugovën, para se të bëhej i njohur ndërkombëtarisht, më s’pari si njeri, si intelektual e shkrimtar, por mbi të gjitha si shqiptar, në shtëpinë time në Virxhinia, afër Washingtonit, në tetor të vitit 1989, që për të ishte edhe vizita e tij të parë në Washington.  Në librin e tij, “Në hap me Rugovën”, Adnan Merovci, ish-këshilltar i Presidentit Rugova për një kohë të gjatë ka shkruar në librin e tij, “Në Hap Me Rugovën”, se Ibrahim Rugova, “posedonte atribute profetike” që e dallonin nga të tjerët.  Për këtë unë isha bindur që nga takimi i parë me ‘të.  Autori gjithashtu citon Dr. Rugovën t’i ketë thënë se, “Jemi popull i vogël, edhe lisat duhet t’i bëjmë për vete”.  Presidenti i ardhëshëm i Kosovës ishte i qartë se ai i konsideronte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si “lisin e madh” që shqiptarët duhej ta bënin për vete.  Gjithashtu pyetjes se si duhej vepruar për tu përballur me shtypjet brutale serbe që po shtoheshin gjithnjë kundër shqiptarëve në Kosovë, ai qe përgjigjur që në vizitën e tij të parë  në Washington në tetor të vitit 1989, se fillimisht duhej të ndërmirreshin urgjentisht dy gjëra si hapa të parë: ndërkombtarizimi i çështjes së Kosovës dhe vendosja e një numri të konsiderueshëm forcash ushtarake të OKB-së ose të NATO-s në Kosovë, pikë kjo që më vonë, siç shkruan edhe Z. Merovci, kryesonte 10-pikat e planit veprues paraqitur bashkisë ndërkombëtare, për zgjidhjen e krizës në Kosovë.  Duket pra, se që në vizitën e parë në Shtetet e Bashkuara, Ibrahim Rugova, kishte menduar për masat dhe opcionet më të mira dhe më të efektshme fillestare për të zgjidhur të ardhmen afat gjatë të Kosovës.  Ai e konsideronte ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës si një mision personal.  Por, ai kurrë nuk u predikonte të tjerëve, por i shpjegonte faktet me urtësi dhe pa zemërim.  Në këtë pike, udhëheqsit e sotëm shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë mund të mësojnë shumë nga ish-Presidenti Rugova, se si duhet komunikuar me të huajt.  Si askush tjetër, Dr. Ibrahim Rugova i paraqiti botës bindshëm përdhunimin historik të kombit shqiptar dhe si përfundim, bota me në fund, e dëgjoi.
 
Presidenti Ibrahim Rugova ishte një udhëheqës shqiptar, ndryshe, me veti dhe karakteristika që e dallojnë nga të gjithë të tjerët.  Me cilin udhëheqës tjetër të 100-viteve të kaluar, përfshirë politikanët aktualë, mund të krenohen shqiptarët.  Rugova jo vetëm që e deklaroi, por i vuri themelet e miqësisë së përherëshme midis Shteteve të Bashkuara e Kosovës.
 
Ibrahim Rugova jo vetëm që e deklaroi, por i vuri themelet miqësisë së përherëshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe në proces forcoi mëtej   lidhjet e forta midis dy kombeve tona.  Presidenti historik i Kosovës, ruante një krenari atdhedashurie si asnjë udhëheqës tjetër shqiptar i kohërave moderne.  Ish-Presidenti i Kosovës, ishte një burrështeti ndryshe me bashk-biseduesit e tij, qoftë shqiptarë apo ndërkombëtarë.  Ai ishte ndryshe sepse ofronte gjithmonë urtësinë, miqësinë e qëndresën tradicionale, që gjatë shekujve kanë përberë vlerat e qenjës shqiptare — së bashku me besën, nderin e burrëninë.  Presidenti Rugova besonte se bota, sidomos ajo perëndimore, do të kishte respekt më të madh për shqiptarët nëqoftse ata do t’u përmbaheshin këtyre vlerave bazë të identitetit të tyre arbëror. Dr. Rugova ishte një burrështeti shqiptar ndryshe, i frymëzuar nga këto virtyte.  Ai me durim, guxim e besim – fillojë të shpaloste para botës dinjitetin dhe vlerat kombëtare të shqiptarëve, të nepërkambura për më shumë se 50 vjetë nga një ideologji sllavo-komuniste, anti-perëndimore, krejt e huaj për kulturën dhe traditat më të mira shqiptare.
 
Kam respekt për Ibrahim Rugovën si një burrështeti ndryshe, për bindjen e tij dhe siç shprehej me të tjerët, se komunizmi ishte rreziku më i madh që i ka ndodhur Kombit shqiptar në shekullin e 20-të, si dhe për faktin se besonte që Kombi shqiptar, në liri e në demokraci, duhej të ndërtonte bazat e ekzistencës së tij dhe të shtetformimit – jo mbi një ideologji të huaj sllavo-komuniste ose në trashëgiminë e saj autoritare — por mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të vërtetë të Kombit.
 
Ibrahim Rugova ishte një udhëheqës shqiptar ndryshe sepse kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor perëndimor, plotë urtësi, të gërshetuar me traditat dhe vlerat më të mira të kombit shqiptar.  Megjithëse shumë e kanë kritikuar dhe e kritikojnë gjithnjë se ishte tepër paqësor për kohën që jetoi, Ibrahim Rugova ishte ndryshe, sepse ishte i vetdijshëm se edhe trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për t’u përdour në mbrojtje të interesave të kombit, por ai njëkohësisht me sjelljet e tija, tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e të drejtës dhe interesave kombëtare dëshmohet gjithashtu edhe duke i ruajtur nderin emrit shqiptar, në marrëshëniet me njëri tjetrin dhe me të huajt.
 
Një gjë tjetër që e dallonte Presidentin Rugova si burrë shteti ndryshe nga politikanët e sotëm shqiptarë, është se ai fliste pak, nuk i kërkonte kamerat as studiot televizive, por megjithkëtë, jehona dhe apeli i tij në mbështetje të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, u dëgjua anë e mbanë botës. 
Unë nuk jam i sigurt se si do të vepronte Presidenti Ibrahim nën rrethanat e sotëme politike kaotike në Kosovë dhe në Shqipëri, por për një gjë jam i sigurt:se nëqoftse politikanët e sotëm shqiptarë do të kishin urtësinë, fuqinë mendore dhe atdhedashurinë e Ibrahim Rugovës, për të venë interesat e Kombit mbi ato personale dhe partiake, shqiptarët në përgjithësi do të ishin më mirë se ç’janë sot.  Jam i sigurt se përballë përçarjeve aktuale të egëra politike, në Shqipëri dhe në Kosovë, Ibrahim Rugova do të jepte kushtrimin e arsyes, për tu këthyer në rrugën e pajtimit duke bërë thirrje, “Uluni burra të pajtojmë vendin”.  I bindur në drejtësinë dhe më fund në realizimin e kërkesave historike të shqiptarëve, ai citohet të jetë shprehur në tubimin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, 30-vjetë më parë, se atëherë, madje në një gjëndje shumë më të vështirë se sot për shqiptarët ka thënë: “Ne kemi forcën morale të popullit, e cila çmohet shumë në botë.  Ne jemi nën gjëndje okupimi, por jemi solidarë me njëri tjetrin, falë edhe mërgimtarëve tanë në botën e jashtme”, ka theksuarDr. Ibrahim Rugova, 30-vjet më parë me rastin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.  Kjo është një porosi për klasën e sotëme politike shqiptare, ashtu siç e ka thënë edhe Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, 30-vjet më parë: Besoni në forcën morale të shqiptarëve dhe dëgjoni kushtrimin e tyre, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare kudo që janë, për pajtim politik e kombëtar!

 
    

 
Foto në shtëpinë e Dr. Elez Biberaj në zonën Fairfax të shtetit Virxhinia, jo larg Washingtonit, me delegacionin e parë nga Kosova, ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Prill të vitit 1990, (menjëherë pasi ishte themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës).  Delegacioni i Kosovës kryesohej nga Dr. Ibrahim Rugova.  Mungon në foto, Dr. Rugova, pasi ai nuk erdhi tek shtëpia e Elez Biberaj, për arsye sigurie.  Me atë rast, ish-kongresmeni amerikan me origjinë arbëreshe, Joe Dioguardi kishte marrë përsipër që Shërbimi Sekret Amerikan të kujdesej për sigurinë e Dr. Rugovës, duke e trajtuar atë si një udhëheqës shteti gjatë një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
              

Foto me rastin e një konferencë shtypi në kryeqendrën e Zërit të Amerikës në Washington ku morën pjesë Senatori republikan Robert Dole dhe Dr. Ibrahim Rugova, organizuar nga Dr. Elez Biberaj, në atë kohë Kryeredaktor i Divizionit të Euro-Azisë të Zërit të Amerikës, në sallën e konferencave të shtypit të VOA’s, në vitin 2004.
 
                Darkë me Dr. Ibrahim Rugovën në familjen fisnike të mikut dhe kolegut tim të ngushtë, Dr. Elez Biberaj, në fillim të 1990-ave.
 
*Fotot nga Dr. Elez Biberaj
                                        

                                  Takimi i fundit me Presidentin Rugova, Prishtinë, 2005
 
                      

      Në Kuvendin e Kosovës me mikun e shqiptarëve, Kongresmenin Eliot Engel, 2005

Filed Under: Analiza Tagged With: DR. IBRAHIM RUGOVA

TE NJOHIM KUSHTETUTEN E VATRES-KUVENDI

December 29, 2019 by dgreca

KUVENDI/

Nyje 28 Kuvendi i Vatrës  mblidhet nje here ne mot dhe përbehet nga delegatët e cdo Dege të njohur të rregullushme nga Komissioni dhe e cila të ketë numrin e duhur anetaresh.

Nyje 29 Vendin dhe Kohen e Kuvendit e cakton Kuvendi i meparshem, ose neqoftë nje nevoje e shtërnguar e cakton nje votë e kerkuar dhe e derguar me postë nga Pleqësia e Degeve. Në qoftë se se as Kuvendi i shkuar ka caktuar  gjesendi as Deget kane dhene leje për nje caktim,  kuptohet se Kuvendi do të mbahet ne Boston ne javen e pare të korrikut.

Nyje 30 Delegatët ne Kuvend s’mund të pranohet vec se nje njeri që ka qëne anetare i rregullt të paktën dy vjet dhe ka paguar të paktën gjashtë kestët e fundit.

Nyje 31. Prova, ne eshtë Delegati nje anetar i rregullshëm ne dy vjetët e fundit, do ti kerkohet ne Arshivat e Vatrës.

Nyje 32 Nje anetar i rregullshëm për me tëpër se dy vjet , në qoftë se u largua nga Amerika fiton të drejtat e nje anetari të vjetër posa paguan dhe shkruhet përseri anetar që muajin e pare që kthehet ne Amerike.

Nyje 33. Nje anetar i rregullut i semur ne nje spital vazhdon se qëni anetar i Vatrës pa paguar sa ndodhet ne spital, po e humbet anetarsine posa del nga spitali në qoftë se s’ paguan kestin se afërm.

Nyje 34 Kredencialet e Delegatëve të Kuvendit i kqyr Kryetari me Komisionin  ne Zyrat e Vatrës para se të hapet Kuvendi dhe i vertëton sit e rregullshme ose të pafuqishme.

Delegati , ne mos u pranoftë duhet t’i bindit ketij vendimi të paktën si mase provizore dhe ka të drejtë ti kerkoje Kuvendit  i cili munt të përmbus vendimin e Komisionit.

Ankimi mund t’i behet Kuvendit  me të shkruar dhe Delegati i papranuar mund të thirret  nga Kuvendi që të shtroje shpjengimet e tij; po nuk mund të hyje ne Kuvend i pautorizuar, dhe cdo hyrje me pahir nga ana e tij do të denohet  heqjen e anetarsise  si nje turbullonjes dhe shkeles i rregullave dhe si nje njeri i paqytëtëruar.

Nyje 35 Chairmani përkohshem i Kuvendit eshtë Kryetari i Vatrës, i cili e hap Kuvendin me nje fjalim ku përmbledh veprimet e Federatës. Pastaj me vota te hapura zgjidhet Chairman-i  i regullt i Kuvendit dhe pas ketij Sekretari dhe Reportëri i Kuvendit.

Nyje 36 Ne Kuvend merr pjese dhe Komisioni i Vatrës i cili s’ ka votë dhe mund  të marre pjese ne bisedime vetëm për të dhene shpjegime.

Nyje 37 Kuvendi shikon hesapet dhe veprimet e vitit të shkuar , ben hetime, pyet Kryetarin  dhe anetaret e tjere të Komisionit dhe pastaj voton pelqimin dhe mospelqimin e hesapeve dhe të veprimeve.

Nyje 38 Kuvendi pasi ben vendime ose ndryshime për vitn e ardhshem , zgjedh Komisisonin e ri , i cili shtron nje buxhet për bisedim dhe miratim përpara Kuvendit.

Filed Under: Politike Tagged With: Kuvendi

Z.MITHAT GASHI I SHKRUAN EDITORIT TE DIELLIT: NUK ISHA UNE KRYESUES I PUNIMEVE TE KUVENDIT TE VITIT 2014…

December 29, 2019 by dgreca

Pershendetje Z. Greca, /

Pashe artikullin e Z. A. Grishaj ne “Dielli Online”. Per hire te vertetes, kerkoj qe ju te bajni nji verifikim te fakteve ne lidhje me Kuvendin e vitit 2014. Po ju dergoj nji e-mail qe i kam pase nise Dr. Buçajt me 23 qershor 2014 qe ka te baje me kete teme. 

Z. Grishaj nuk mban mend se kush e drejtoi Kuvendin ne vitin 2014, dhe tregon vete qe refuzoi te marre pjese ne shoshitjen e mendimeve per caktimin e objektivave vjetor te Vatres. Ju mund ta nxjerrni ne gazete pjesen e poshtme krahas artikullit te Z. Grishaj. 

Me kete rast, ju lutem pranoni urimet ma te mira per vitin e ri 2020. Shendet dhe mbaresi per ju dhe familjen tuej. 

Mithati

 ***

PJESA E SHKRIMIT TE Z. GRISHAJ : “Ne pregatitëm terrenin për Dritanin, kur, papritmas pak kohë para Kuvendit na doli dhe kandidatura e Mithat Gashit, një burrë i  qëndrueshëm, që jetonte midis dy botëve. Këtë përshypje ma konsolidoi në Kuvendin që u bë NY , ku ai si kryesues i punimeve u dha të gjithëve nga një laps e letër, duke i testuar burrat si të ishin në fillore. Unë dhe Dalip Greca nuk e morëm letrën, kur të gjithë e kishin marrë seriozisht “shakanë” e tij… Ai e vërejti këtë… dhe m’u afrua me buzë në gaz: “Alfons, ti nuk po shkruan asgjë?!” Unë iu përgjigja se  kisha vite që kisha harruar Shkollën Fillore. Ai buzëqeshi me çiltërsi.”’

***

Ballafaqim Faktesh mbi Kuvendin e Vitit 2014 -“për hir të Vërtetës”

1. Z. Grishaj thote qe Mithat Gashi ka drejtuar punimet e Kuvendit ne 2014.  Jo e vertete.  Z. Gashi ka drejtuar nje pjese nga ora 15:00 – 16:00, nji workshop me qellim qe te merrnin pjese te gjithe delegatet ne caktimin e objektivave te Vatres per 2014-2015. 

2. Z. Grishaj deklaron qe Dalip Greca dhe ai (Grishaj) nuk moren pjese ne kete Workshop ku delegatet punonin ne menyre kolektive per te caktue objektivat vjetor te Vatres. (Nuk me kujtohet a u angazhuet ju ne kete pjese te Kuvendit).  Z. Grishaj nuk mori pjese; bisedonte me antarin e ri Z. Mishto në nje qoshe afer mikrofonit. 

Më poshte eshte nje permbledhje e mendimeve te delegateve per objektivat e Vatres per vitin 2014-2015 qe Z. Gashi i ka permbledhur ne letren qe ai i dergoi Dr. Gjon Buçajt me 23 qershor 2014.  Bashkangjitur jane edhe dokumentat origjinale te skanuara nga puna e delegateve. 

Besoj qe lexusesit e “Dielli Online” do te ken interes per te ballafaquar faktet. 

****

Emaili qe z. Gashi i pat derguar Kryetarit Bucaj, te Henen, qershor 2014, ora 2:34

Subjekti i Emailit: Mbledhja sonte…

I dashun Dr. Bucaj: 

Ngjitun me ket e mail, po te dergoj objektivat e grupeve gjate “workshop-it” qi u ba ne Kuvend. Disa prej prezantueseve nuk i kane ndjeke udhezimet; nuk e kane vu emnin e vet dhe nuk i kane shkrue objektivat ne pjesen e dyte; i kane vu ne pjesen e pare, dhe disa prej objektivave nuk jane te kthjellta. 

Ma poshte, kam nxjerre mendimet qe jane shpreh prej 6 grupeve. Nqs nji objektiv asht perserite, nuk e kam radhite dy here. Disa i kam permbledhe me pak fjale. Shihi origjinalet, dhe po munde, redukto keto qe kam shkrue une. Te japin opinion per mendimin e pergjithshem te delegateve. 

Mithati

MENDIME PER CAKTIMIN E OBJEKTIVAVE TE VATRES PER 2014-2015

1.       Te mbahen “workshops” neper gjithe deget Vatres cdo gjashte muej qe te riedukohet Komuniteti per Vatren dhe historine e saj.

2.       Organizimi i deges # 29 ne New York mbrenda nji viti

3.       Te shtohet numri i antareve (randesi t’u jepen studenteve) dhe te ngarkohen nenkryetaret me kete detyre.

4.       Te organizohen programe kulturore si seminare, etj.

5.       Te shtohet numri i nxanseve ne shkollen shqipe ne Orlando rreth 30-40 mbrenda vitit.

6.       Te shtohet numri i grave ne degen e Vatres ne Orlando –te jene 10 antare gra.

7.       Te perfundohet dhe aprovohet Kanunorja me 15 nandor 2014.

8.       Te krijohen shkolla shqipe ne cdo dege mbrenda vitit 2015

9.       Te kerkohet nga qeveria shqiptare per ngritjen e nji muzeu te krimeve te komunizmit

10.   Mobilimi i zyres se Vatres mbrenda 3 muejve.

11.   Rritja e degeve me antare –deri me 2000 antare per nji vit.

12.   Mbrenda nji viti, botimi i punimeve te seminarit me rastin e 100-vjetorit te Vatres.

13.   Mbrenda nji viti, botimi i albumit historik te Vatres.

14.   Krijimi i nji bibloteke te pasun ne Seline e Vatres.

15.   3 (tre) takime me drejtues te intitucioneve amerikane per internacionalizimin e cashtje shqiptare.

Sqarim i Editorit:

Punimet e Kuvendit të Qershorit 2014 i ka drejtuar një ekip i përbërë prej: Z. Nevruz Nazarko, kryetar, Nazo Veliu dhe Bashkim Musabelliu,ishin ndihmësit e tij. Z. Gashi ka drejtuar workshop-in për të ardhmen e Vatrës. Editori gjatë kësaj seance është marrë me punën e tij, duke bërë fotografi dhe kronikën e gazetës rreth Kuvendit.

Në Fotografinë shoqëruse paraqitet z. Mithat Gashi duke drejtuar punimet e Kuvendit të Vatrës të vitit 2015 organizuar në Jacksonville.

Filed Under: Histori Tagged With: editori, Mithat Gashi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT