• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

PRESIDENTI META NDEROI KENGETARIN E SHQUAR DEMIR ZYKO“NDER I KOMBIT”

June 26, 2020 by dgreca

– Kreu i Shtetit shqiptar çmoi gjithashtu edhe zotin Dule Caushaj (Malindi) me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Për kontributet e tij të shquara në përfaqësimin dinjitoz të polifonisë me iso të Toskërisë.

Nga Skrapari per Diellin- Sulo GOZHINA/


SKRAPAR – Sheshi në qëndror të qytetit të Çorovodës ishte kthyer në një ditë feste dhe kënge, për banorët e tij e të rethinave. Që herët në mëngjes grupet e këngës, i të rinjëve e të rejave të qëndrës kulturore  “Riza Cerova”, të veshura me kostumet Kombëtare, jehonin me këngët e Skraparit, edhe grupi i polifonisë të këngës të kësaj krahine e të krejt toskëristes me këngët e tij kishte mbledhur qindra qytetar. Kënga jehonte grykave të maleve të Skraparit, ndërsa pritej të vinte sot mes tyre me një mission të veçantë edhe vet Presidenti Rrepublikës Ilir Meta. Në këtë shesh ku janë bërë me qindra takime të llojve të ndryshme elektorale e promovime për prodhimet buqësote, agro-industriale, ditët e sezionit turistik etj. Sot këtu do të nderohen dy këngëtarët e Skraparit e më gjerë dhe ky nderim vjen nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta që nderon me: “Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” këngëtarin e shquar Demir Zyko (pas vdekjes)., me motivacionin: “Për vlerat e spikatura si këngëtar me zë të artë i polifonisë me iso të Toskërisë. Me mirënjohje ndaj bartësit të shquar të vlerave të trashëgimisë muzikore dhe shpirtërore shqiptare, i cili ishte dhe mbeti një model i rrallë për ruajtjen dhe përcjelljen e tyre ndër breza”. 

                                                                                                 
Demir Zyko, korife i këngës, një yll  vezullues, një meteor i zbritur nga qiejët që i buronte kënga nga shpirti e që i këndonte, jetës, halleve, mërgimeve, vuajtjeve, gëzimeve, trimerisë, mënçurisë, luftës e penës, dasmave e dashurisë. Demir Zyko, ngeli në pëjetësin e këngës në atë përjetësi që brezat që do kalojn një ditë do ta kthejë në legjendë.

                                                                 
“Dule Malindi,që me zërin e artë në këngët e polifonisë me iso të Toskërisë, tashëm i njohur në trevën e Skraparit, në të gjithë shqipërinë në diasporë e më gjerë,këngëtari që ka marë pjesë në qindra festival folkrorike të treva shqipfolse, por dhe në festivalet Kombëtare e ndërkombëtare etj, është cilsuar për nga zëri por dhe intepertimi edhe si një pasardhës i denjë i legjendës Zyko. Edhe këngëtari Malindi i këndon jetës, gëzimeve, vuajtjeve, trimërise, punës e jetës, madje edhe vetë kollofejit të këngës të Skraparit e të polifonisë me iso të toskërisë, Xha Demirit.  

 Kreu i Shtetit shqiptar çmoi gjithashtu edhe zotin Dule Caushaj (Malindi) me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Për kontributet e tij të shquara në përfaqësimin dinjitoz të polifonisë me iso të Toskërisë. Me mirënjohje për interpretimet e rralla si këngëtar me vlera të veçanta në shpalosjen e kësaj trashëgimie të vyer, brenda dhe jashtë vendit tonë”.
Fjala e Presidentit Ilir META:
Të nderuar personalitete të kulturës!                                                                                                   Është kënaqësi dhe privilegj të nderoj sot dy personalitete të veçanta dhe tepër të spikatura jo vetëm të kësaj treve, por edhe të kulturës sonë. 

 Unë Demir Zykon, e kam njohur më shumë përmes Dritëro Agollit, këtij personaliteti shumë të madh të kulturës sonë kombëtare, i cili kishte një dashuri të veçantë për Skraparin, dhe një nga arsyet kryesore ishte adhurimi dhe vlerësimi i jashtëzakonshëm për këngëtarin e madh Demir Zyko. Ndaj sa herë që vinim në Skrapar, Dritëroi kërkonte me këmbëngulje që të vizitonim Gjerbësin për të nderuar familjen e Demir Zykos, por edhe për të kënduar dhe për të thënë gjithmonë se: ‘Jeton Xha Demiri, se jeton gjithmonë kënga e tij’! Malet dhe këngët e kanë shpëtuar kombin tonë!  Malet, sepse gjithmonë ishin fortesat e lirisë dhe të qëndresës ndaj pushtuesit, dhe këngët sepse përmes tyre u ruajt gjuha dhe u transmetua brez pas brezi krenaria dhe identiteti kombëtar. Ndaj jam shumë i lumtur që sot të nderoj Demir Zykon, këtë personalitet të jashtëzakonshëm të kombit tonë, i cili ishte ‘maestro’ i isolopolifonisë toske dhe u shqua në mënyrë të rrallë për intepretimin e këngëve me grupin e tij, duke nderuar kështu edhe bashkëpunëtorët e tij: Medin Kushen, Shahit Gjinarin, Neshat Ebibasin, Agim Cakranin, e shumë të tjerë. Në kuadër të 500-vjetorit të Skënderbeut, në Festivalin Folklorik Kombëtar në Lezhë, ai këndoi këngën lapidare ‘Mbeçë more shokë!’:                                                                                       

 ‘Mbeçë, more shokë, mbeçë!./ përtej Urës së Qabesë! / Falëm me shëndet nënesë, /kaun e zi le ta shesë. / Në pyestë nëna për mua / i thoni që u martua. / Në pyestë se ç’grua mori / Tre plumba te kraharori.’ . Ai u këndoi si askush tjetër halleve, vuajtjeve, kurbetit, sakrificave të shqiptarëve, por i këndoi si rrallëkush lirisë: ‘39 mos ardhsh kurrë, Ti që na rrëzove flamur!’. Zëri i artë i Demir Zykos u dëgjua në të gjithë Shqipërinë, deri sa u nda nga jeta në vitin 1992. Për vlerat e interpretimit të tij muzikor mjaft të veçantë dhe njëkohësisht shumë të vështirë për t’u interpretuar nga kushdo, Demir Zykos iu akordua titulli i lartë ‘Artist i Popullit’. Edhe pse jo fizikisht mes nesh, tradita e këngës së Skraparit me iso të xha Demirit, vazhdon të mbetet e gjallë, nëpërmjet interpretimit nga këngëtarët e Skraparit dhe nga grupi polifonik i  Shoqatës Kulturore ‘Demir Zyko’. Demir Zyko është vlerësuar për këngët e tij magjike nga studiues, muzikologë, shkrimtarë dhe artistë për zërin e një tenori lirik, të bukur e jashtëzakonisht të ëmbël. Dëshiroj të citoj fjalët e studiuesit të njohur Shaban Sinani: ‘Polifonia e Xha Demirit përveçoi dhe identifikoi një prej ligjërimeve më të pastra e më burimore të polifonisë shqiptare, polifoninë e Skraparit. Koncepti për polifoninë e pandashme vjen prej kohrash antike’. Demir Zyko e çoi më tej këngën polifonike toske, atë burimore të viseve të Tomorrit dhe ai, jo vetëm e ringjalli atë, por monumentalizoi këngën polifonike dhe mbetet një prej visarëve të traditës shqiptare. Demir Zyko mbetet një nga vlerat më të rralla e më të çmuara jo vetëm të isopolifonisë toske të Skraparit, por të gjithë Shqipërisë. Traditat e bukura të vendit tonë, veçantia dhe bukuria e isopolifonisë, e shumë vlera të tjera të çmuara që ne mbartim si komb duhen përçuar edhe te brezi i ri, të krenohemi me to dhe t’i promovojmë ato sa më shumë, sepse ato janë krenaria e pasurisë dhe trashëgimisë së vendit tonë.”
Ndërsa duke dekoruar zotin Dule Caushaj (Malindin), Presidenti i Republikës vuri në dukje se:
“Një vijues i çmuar i traditës më të mirë të isopolifonisë të Toskërisë i zonës së Skraparit është edhe Dule Malindi. Këngëtar me vlera të veçanta në përçimin e kësaj trashëgimie të pasur brenda dhe jashtë vendit, të cilit kam sot nderin t’i akordoj Titullin ‘Mjeshtër i Madh’. Pasioni i Dule Malindit për këngën popullore u shfaq që në fëmijëri duke kënduar këngët polifonike të Skraparit. I lindur në Malind, fshatin e poetit të madh Xhevahir Spahiu, magjinë e muzikës së tij, e transmetoi jo vetëm në vendlindjen e tij, por edhe jashtë kufijve. Zëri i tij melodioz dhe klarineta e tij përpiqeshin të shuante mallin e shqiptarëve të emigruar për atdheun e tyre. Dule Malindi ka një repertor të pasur këngësh, përmes të cilit transmeton thellësinë e bukurisë dhe shpirtit të iso-polifonisë dhe muzikës popullore. Ai e ka përçuar më së miri traditën e këngës së isopolifonisë së Skraparit dhe pa e cenuar atë, ka evoluar muzikën e tij duke sjellë risi në këngën përpunuese popullore me elemente qytetare. Dule Malindi ka realizuar deri më sot rreth 100 këngë, videoklipe dhe kolazhe të tematikave të ndryshme, duke bashkëpunuar për realizimin e teksteve me poetë të njohur si Xhevahir Spahiu, me krijuesit Arben Duka, Jorgo Papingji, dhe me kompozitorët më në zë në vend. Muzika e tij ka prekur të gjitha trevat e Shqipërisë, por është dëgjuar edhe në Kosovë dhe kudo në Diasporën Shqiptare, si Maqedoni, Turqi, Kroaci, Amerikë, Angli, Greqi, Itali e deri në Australinë e largët. Kjo karrierë kaq e pasur ka ardhur si fryt i punës përkushtuese ndaj këngës dhe muzikës, zërit të tij meliodoz, të ëmbël, tërheqës, që radhitet ndër më të mirët në Shqipëri. I jemi thellësisht mirënjohës Dule Malindit për vlerat që ka treguar dhe frymëzim që ka përçuar për të mbajtur gjallë traditën e këngës së  Skraparit e asaj mbarë kombëtare. Ai është një pasues i denjë i Demir Zykos, ndaj dhe këto dy vlerësime i kemi bashkuar në këtë ditë të veçantë.
Në vijim – Presidenti i Republikës së bashku me personalitetet e të pranishmit në veprimtarinë e dekorimeve ndoqën koncertin festiv të grupeve popullore të këngëve dhe valleve të zonës si grupi polifonik i grave të Skraparit dhe këngëtarët Petrit Lulo, Irini Qirjako, Ylli Baka e Avni Lushka.
Vlenë të pëmendet: Takimi i Presidentit Meta me Poetin Xhevair Spahiu, takimi me një grup të moshuar në lokalin “Verori” si dhe trokitja e gotave e një dolli për legjendën e iso polifonise se Toskërisë, Demir Zyka si dhe pritja që fëmijët i bënë Presidentit me përqafime e me buqeta me lule.

Filed Under: Kronike Tagged With: Demir Zyko, Dule Malindi, Mjeshter i Madh, nder I Kombit, Presidenti Meta

Sa është larg Kosova për “analistët”nga Tirana…?

June 26, 2020 by dgreca

Kujdes,ndaj ,,analsitëve,,nostalgjikë me huqet e Ballkanit- Rreth (D)ebateve në TV në Tiranë/
Nga Skender KARAÇICA- Çikago/
Me rastin e lajmit,ekskluziv,,nga Haga lidhur me paraqitjen në krye në veti të prokurorit të Dhomës Speciale,që e bëri publike pa verdiktin e gjykatësit,paralajmërimin për ,,akuzat për krime lufte,,kundër presidentit Hashim Thaçi,në botën e lajmit në Tiranë nisën vërdallë (d)ebatet me ,,analsitë,,dhe disa figura të ,,diplomacisë,,rasti (Nasho)!
Është për të ardhur keq kur dëgjon ,,debatët,,për gjendjen në Kosovë dhe koha e pushtimit më të egër dhe më skenarë të gjenocidit të sajuara në shtabin e S.Millosheviç në Beograd,për shfarosjen deri në substancë të shqiptarëve dhe për tokën e djegur të Kosovës,ndërsa këta farë ,,analsitë,,të sojit (Nasho-Bushati)sikur flasin për ndonjë kontinent tjerët për ,,Bregun e Fildisht,,(siç!)e jo për Kosovën dhe historinë e saj të rëndë në pushtimet ndër vite të Serbisë.
Sa është larg Kosova për ,,analistët,,e sojit Nasho-Bushati nga Shqipëria,që flasin me sy mbyllur,sikur të jenë të pëzgjedhurit e nostalgjisë për Beogradin,kur e kur Kosovën e shohin përmes gishtave të tyre,që,dorën në zemër në këto (d)ebate ia fusin kot së koti…(siç!).
Mos të trezohet opinioni i gjerë shqiptar me ,,analsitët,,e përgjumur që nuk e njohin mirë e kanë notën e dobët në historinë dhe gjeografinë kombëtare dhe për Kosovën(sic!).
Kujdes,ndaj ,,analsitëve,,nostalgjikë me huqet e Ballkanit!
Çikago, qershor të motit 2020

Filed Under: Analiza Tagged With: analistet nga tirana, Skender Karacica

Pak për Diasporën

June 26, 2020 by dgreca

Diaspora në SHBA duhet të angazhohet tërësisht në procesin politik të tanishëm, por kjo duhet  bërë duke u angazhuar me administratën e SHBA-ve dhe duke përdor marëdhëniet tona me miqtë tanë në Kongres për të ushtruar ndikimin tonë tek ata që procesi të sigurojë integritetin territorial të Kosovës si dhe shpejtimin e hyrjes në NATO, OKB dhe, eventualisht, në BE.Ne duhet të jemi pjesë e procesit për të ndikuar tek procesi. Kjo duhet të bëhet nga brenda, dhe jo duke hedhur gurë nga jashtë…./

Shkruan Martin Vulaj*

Fjala “diasporë” rrjedh nga fjala greke “diaspeirin”, që do të thotë shpërndarje. Hebrenjtë e kanë përdorur fjalën “galuth”, që do të thotë azil, në të njëjtin kontekst. Diaspora shqiptare ka një histori të gjatë të kontributit për kauzën shqiptare dhe shtetin shqiptar, e cila është po aq e gjatë sa vetë historia e shtetit shqiptar. Qëllimi i këtij artikulli nuk është shprehja e mendimeve për historinë shqiptare, për ç’gjë nuk jam i kualifikuar. Historianë ka me bollëk në mesin e shqiptarëve.
Sidoqoftë, edhe vështrimi më i përciptë i historisë shqiptare pasqyron rolin kritik të diasporës në zhvillimin e kombit, shtetit dhe aftësisë për bashkëveprim kombëtar dhe ndërkombëtar. Prej Skënderbeut, figurave të rilindjes shqiptare, rezistencës kombëtare të kosovarëve e deri te guximi i jashtëzakonshëm i pararendësve dhe themeluesve të UÇK-së, është e qartë se roli i diasporës ka qenë kritik në çdo fazë të zhvillimit të vetëdijes kombëtare shqiptare.
Gjatë diskutimit të rolit modern të diasporës shqiptare bëhet e qartë se ndihma e mundësuar nga diaspora në Evropë në aspekt të fondeve (si remitencat dhe fondet e ndara për kauza të veçanta, lëvizje apo edhe armë) ka qenë e pazëvendësueshme, por ajo që ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara është unike dhe meriton një vëmendje të veçantë.
Përveç ndihmës së njëjtë në formë të remitencave, fondeve të ndara, mbështetjes morale dhe teknike, diaspora në Shtetet e Bashkuara ka arritur të ketë qasje në vetë levat e pushtetit të shtetit, dhe të ndikojë drejtpërdrejt në aplikimin e fuqisë së butë dhe të fortë. Kjo nuk është bërë në saje të natyrës individuale të secilës diasporë, pasi që, si farat e bujkut që shpërndahen, diku më të mira e diku më të dobëta, në përgjithësi ekziston një shpërndarje bajagi e barabartë në aspekt të cilësisë. Kështu ka qenë edhe shpërndarja e diasporës ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo është bërë kryesisht falë: 1. modelit të demokracisë në Shtetet e Bashkuara dhe kontratës unike sociale ndërmjet qytetarit dhe shtetit, që jo vetëm i mundëson, por edhe aktivisht e inkurajon qytetarin të përfshihet në procesin demokratik. Një përfshirje e tillë është kryesisht e kufizuar vetëm nga aftësitë e ndryshueshme të qytetarit; dhe 2. Politikave kryesisht jodiskriminuese sociale të SHBA-së, që mundësojnë veprimtari të shpejtë ekonomike të qytetarit.
Diaspora në Shtetet e Bashkuara ka arritur të shfrytëzojë të dyja këto aspekte të shoqërisë amerikane dhe të gjenerojë sasi të konsiderueshme parash brenda një gjenerate, dhe më pas t’i shfrytëzojë ato para duke i zbatuar ato në procesin e hapur politik për të fituar qasje të drejtpërdrejt te politikëbërësit dhe vendimmarrësit, dhe rrjedhimisht për të ndikuar te ta nëpërmjet theksimit të politikave që janë në interes të përbashkët të SHBA-së dhe kombit shqiptar.
Kulmimi i këtij aktiviteti ka qenë ndërhyrja e udhëhequr nga SHBA-ja në Kosovë. Ndërhyrja, natyrisht, nuk ka ardhur vetëm falë aktiviteteve të diasporës, por roli i saj në ushtrimin e ndikimit te qeveria amerikane nuk duhet të nënvlerësohet.
Pas ndërhyrjes, me themelimin e shtetit të ri të Kosovës dhe me Shqipërinë në rrugë drejt demokracisë së qëndrueshme dhe përfshirjes në Evropë, energjia e konsiderueshme që ka gjeneruar diaspora është dukur të jetë dobësuar nga mungesa e një zëri unanim. Kjo nxit pyetjen, “Quo vadis, diaspora?”.
Me aftësinë e jashtëzakonshme që ka treguar diaspora në SHBA, me potencialin e pamasë që ofron qeveria amerikane (dhe komuniteti i biznesit), me nevojat e thekshme të kombit shqiptar në rritje, dhe me gatishmërinë e qeverisë amerikane për të inkuadruar qytetarët në procesin demokratik, potenciali për të realizuar një rritje dhe forcim të interesave të përbashkët karshi SHBA-së dhe kombit shqiptar është i qartë. Që kjo të ndodhë, janë të nevojshme disa gjëra:
Një, diaspora duhet të vazhdojë të ushtrojë ndikim te Kongresi dhe Departamenti amerikan i Shtetit, por në një mënyrë të strukturuar. Komisionet kryesore që kanë të bëjnë me çështjet tona janë ato që merren me çështje ndërkombëtare dhe ndarje parash për një çështje të caktuar. Ka edhe të tjera, natyrisht, por vëmendja dhe resurset duhet të përqendrohen te këto katër (2 në Senat, 2 në Dhomën e Përfaqësuesve).
Megjithatë, diaspora duhet të shikojë përtej Kongresit dhe Departamentit të Shtetit si mekanizma të vetëm të ndryshimit, dhe të fitojë qasje dhe ndikim edhe te departamentet e tjera. Bashkëveprimi me “Capitol Hill”-in dhe “C Street”-in duhet të vazhdojë, ndërsa Kongresi është veçanërisht i rëndësishëm për realizimin e objektivave, pasi ata munden t’i realizojnë ato, ose drejtpërdrejt, ose tërthorazi, nëpërmjet forcës së parave, legjislacionit apo hijeve të tyre. Diaspora duhet të përqendrohet në objektiva të prekshme, si ndihma bujqësore, mjekësore dhe ushtarake, krijimi i një korpusi modern dhe profesional diplomatik, forcimi i organizatave qytetare dhe i teknologjisë që do të shërbenin për të joshur investime. Por, kjo nuk mund të bëhet pa bashkëveprimin strukturor me vendimmarrësit shqiptarë;
Dy, përderisa ekziston një aftësi e dukshme në rritje e korpuseve diplomatike shqiptare (lexo: kosovare dhe maqedonase, gjithashtu), vendet pritëse duhet të kuptojnë se diplomacia tradicionale i ka kufizimet dhe kufijtë e saj. Diaspora nuk i ka. Duhet të ekzistojë një marrëdhënie e institucionalizuar me diasporën dhe Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin, ku idetë dhe informatat shkëmbehen lirshëm. Vlen të theksohet se, mbase deri së fundmi, këto kryeqytete nuk kanë pasur njohuri për mundësitë mbresëlënëse të ofruara nga Departamenti i Bujqësisë, Departamenti i Shëndetësisë dhe i Shërbimeve Njerëzore, Departamenti i Energjisë, e të tjerë. Për shembull, Departamenti i Bujqësisë ka programe në të cilat marrësit i jepet një sasi e një produkti që ekziston me tepricë (drithi, për shembull) për ta shitur në vendin pritës dhe për t’i shfrytëzuar të ardhurat për të investuar në vend për të nxitur zhvillimin.
Në arkat e këtyre burokracive ndodhen shuma të jashtëzakonshme parash, dhe burokratë të cilët detyrë të vetme e kanë dhënien e tyre. Natyrisht, nuk flitet gjithmonë për para të gatshme, por edhe për programe dhe ndihma që mund të ndryshojnë jetë dhe të ndikojnë në drejtimin kombëtar.
Aftësia e korpuseve formale diplomatike për të shfrytëzuar mundësitë e tilla është e kufizuar, por jo edhe e diasporës, e cila jeton në një botë të diplomacisë së ndërmjetme, dhe qarkullon ndërmjet “Capitol Hill”-it, “C Street”-it dhe agjencive të tjera qeveritare derisa të përmbushen objektivat e caktuar. Prandaj nevojitet një strategji dhe prandaj duhet të ndikohet të Kongresi. Unë ju siguroj se takimi me një përfaqësues të agjencisë është shumë më i ndryshëm kur atë ta ketë kërkuar një senator, apo edhe më mirë, kur një senator merr vetë pjesë në të.
Natyrisht, është detyrë e USAID-it të merret me ndihmat, por është Kongresi ai që cakton buxhetin dhe komisioni për ndarje parash ai që e mbikëqyr dhe ushtron ndikim të drejtpërdrejt mbi të;
Tre, diaspora dhe kombi shqiptar nuk duhet ta shohin këtë ndihmë si bamirësi, por si një tregti në mes të partnerëve. Përveç marrëdhënies së forcuar dhe interesit strategjik që i shërben Shteteve të Bashkuara, diaspora ka për të ofruar diçka shumë më të rëndësishme: eksportimin e idealit amerikan! Shtetet e Bashkuara janë të ndërtuara mbi konceptin e sovranitetit të individit; se secili individ gëzon të drejta të patjetërsueshme. Raportet reciproke të individëve sovranë kombinohen për të bërë një kolektiv sovran, prandaj këto raporte dhe cenimi i cilësdo të drejtë mbrohet nga ligji.
Përderisa për disa ky mund të jetë një formulim i ditur, graviteti dhe vlera e tij nuk mund të mbivlerësohen. Përderisa këtu në SHBA ai është, apo është bërë, i rëndësisë së dytë, ne vetëm duhet t’i shikojmë vendet e Lindjes së Mesme për të parë se çfarë vlere ka në fakt ky koncept, ky ideal, ky realitet. Prandaj, nocioni i ndihmës në shkëmbim të zgjerimit dhe forcimit të idealit amerikan është marrëveshje e mirë për Shtetet e Bashkuara. Diaspora është mekanizmi kyç për këtë. Vetëm nëpërmjet diasporës kjo mund të bëhet esenciale dhe organike për organizmin shqiptar. Nga lartë poshtë kurrë s’mundet;
Katër, zhvillimi organizativ i diasporës duhet të ecë përpara. Diaspora ka arritur të sigurojë fonde të ndara drejtpërdrejt nëpërmjet bashkëveprimit me komisionin për ndarje parash. Vlen të theksohet këtu se kjo është arritur vetëm falë Jim Xhemës, luanit të vjetër të komunitetit, dhe lidhjes së tij me senatorin Mitch McConnell, i cili ka qenë kryetar asokohe. Megjithatë, kjo përbën vetëm një pikë të vogël të potencialit ekzistues. Lidhjet e tjera, si lidhja speciale që Harry Bajraktari ka me Elliot Engelin, dhe ato që ka Joe DioGuardi kanë prodhuar shumë rezultate. Arbën Xhaferi i ndjerë njëherë më pat thënë se “Joe DioGuardi na ka treguar neve se ku ndodhet Uashingtoni, kur ne as nuk e dinim adresën”.
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka pasur sukses dhe i ka dhënë komunitetit një qasje të re dhe më të sofistikuar, por që prej pavarësisë së Kosovës ai është dukur i pakoordinuar.
Luanët e vjetër, si Jimmy, Harry, Joe dhe shumë të tjerë nuk duhet të lejohen të veniten. Që prej fundit të luftës në Kosovë, mijëra shqiptaro-amerikanë janë rritur, kanë diplomuar nga universitetet dhe shkollat profesionale, dhe i janë bashkuar forcës punëtore. Ky talent i ri duhet të shfrytëzohet për të vazhduar atë që kanë krijuar luanët, dhe për të shtyrë komunitetin përpara me një strategji koherente. Institucionalizimi i këtij roli është kritik për suksesin e të gjitha palëve, por nuk mund të bëhet pa Tiranën dhe Prishtinën në veçanti;
Pesë, gjatë rrjedhës së dy dekadave të fundit, shumë miq amerikanë janë shfaqur në skenën kombëtare shqiptare. Këta miq nuk duhet të lejohen të veniten. Tërheqja e “The Albright Group” nga investimi në Kosovë duhet të përçojë valë drithëruese në shpinën shqiptare dhe nuk duhet të lejohet të përsëritet. Interesat thelbësore të një investimi të tillë janë shumë më të mëdha se vetë investimi monetar. Miqtë si sekretarja Madeleine Albright duhet të nxiten të mbesin të përfshirë në suksesin tonë.
Shqipëria po ndërton rrugë që do ta lidhin atë jo vetëm me Evropën, por edhe me vetë të ardhmen e saj. Kosova po shton njohjet vazhdimisht përderisa po konsolidon institucionet e saj. Në Maqedoni, shqiptarët janë bërë pjesë përbërëse e shtetit. Të gjithë kanë sfida, por ajo që është e pamohueshme është se shqiponja është duke i hapur krahët e saj gjithandej. Ajo duhet të vazhdojë t’i shtrijë krahët e saj në një mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikueshme, për të frymëzuar vetëbesim në vend të pasigurisë. Diaspora duhet t’u përshtatet nevojave aktuale dhe të ndihmojë për ta udhëhequr ndryshimin drejt së ardhmes.

*Autori Martin Vulaj, e shoqeron shkrimin me kete sqarim: Artikullin e kam shkruan me 2013, por mendoj se ruan aktualitetin.Po shtoj këtë koment: Diaspora në SHBA duhet të angazhohet tërësisht në procesin politik të tanishëm, por kjo duhet  bërë duke u angazhuar me administratën e SHBA-ve dhe duke përdor marëdhëniet tona me miqtë tanë në Kongres për të ushtruar ndikimin tonë tek ata që procesi të sigurojë integritetin territorial të Kosovës si dhe shpejtimin e hyrjes në NATO, OKB dhe, eventualisht, në BE.

Ne duhet të jemi pjesë e procesit për të ndikuar tek procesi. Kjo duhet të bëhet nga brenda, dhe jo duke hedhur gurë nga jashtë.

Filed Under: Analiza Tagged With: diaspora, Martin Vulaj

Raporti i DASH: Kosova ka shënuar progres…

June 26, 2020 by dgreca

-Vlerësimi i ministrit Veliu për Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për trafikim me qenie njerëzore/

PRISHTINË, 26 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/

Pas publikimit të raportit vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për trafikim me qenie njerëzore për vitin 2019, vlerësimi i Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, i dërguar sot nga Ministria, është ky:

Raporti i DASH-it për trafikim me qenie njerëzore

Kam pranuar raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për trafikim me qenie njerëzore për vitin 2019.

Sipas raportit të DASH-it, Republika e Kosovës vazhdon të listohet në nivelin dy nga tri nivelet themelore, derisa raporti ka parasysh përpjekjet domethënëse të Qeverisë së Kosovës.

Rrjedhimisht, sipas raportit, Republika e Kosovës ka shënuar progres të dukshëm krahasuar me raportin e vitit të kaluar dhe raportet e viteve tjera paraprake. Në raport theksohet puna e shkëlqyeshme e Policisë së Kosovës, më saktë e njësisë kundër trafikimit, e cila vazhdon të arrijë dhe regjistroi rezultate të shkëlqyera nga viti në vit, derisa rekomandohen  përmirësime në fushën e gjykimeve përfundimtare dhe financimin e shtëpive të sigurta për viktimat e trafikimit.

Me këtë rast dua të falënderoi të gjithë anëtarët e Autoritetit Kombëtar për luftë kundër trafikimit me qenie njerëzore për punën e tyre të palodhshme, duke u zotuar njëkohësisht se në koordinim me institucionet tjera shtetërore, do të angazhohemi në përmbushjen e rekomandimeve të dala nga raporti i DASH-it, veçanërisht për një rregullativë ligjore më efikase për mbrojtjen e viktimave të trafikimit.

Agim Veliu

Ministër

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës

  • FOTO ARKIV: Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, takim me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett/

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambasadori Kosnett, Kosova progres, Raporti DASH

Sikur smira të ishte virus…?!

June 26, 2020 by dgreca

Ese nga Vilhelme Vrana Haxhiraj/

      Dita e parë pas izolimit! Ishte dhënë  “leja e superiorëve” për të dalë në rrugë.

     I armatosur me maskë e me dorashka, ecja kuturu i përhumbur në botën time  apo guaskën e vetmisë të detyruar nga lufta e padukshme mikrobiologjike e “Korona virusit”.  Gjendja e tensionuar më troket si çekan në tru, duke ndikuar në ndërgjegjen time të lodhur prej ankthit, stresit  dhe  trysnisë, ku gëlon vetëm një mendim ogurzi.

    Gjithë kjo politikë për t’u mbrojtur nga vetvetja, më duket diçka e sajuar, një politikë panikndjellëse nga sfera të caktuara botërore. Këta njerëz të pangopur që gjthë botën duan ta kenë në një dorë të vetme që nesër të kontrollojnë jetën, ekonominë dhe privatësinë e shoqërisë dhe të çdo individi. “Po sikur botën ta shtrydhin si limoni, çfarë do t’i ngelet vallë? –pyeta ndërgjegjen.

    -Ç’përgjigje pret nga unë vallë? Mos do të të them se botën pret lumturia?!”-ndieva një nënzërimë.

    Pasi Nevetja ma priti me sëpatë, vazhdova të çaploj përtueshëm…, madje i bezdisur nga qenia ime. Për një çast m’u duk vetja e tepërt në këtë botë të pabesë. “Kujt mund t’i besojë vallë? Kush e thotë të vërtetën për gjendjen e krijuar? Përse gjithçka ka ndalur lëvizjen? Nuk di kush mund të më thotë të vërtetën.”-pyetjet e mia ngelën pa përgjigje, pasi arsyeja ishte shndërruar në një gjendje inerte, e cila duke qenë shterpë dhe memece, nuk mund të më tregojë asgjë.

    Teksa përshkoja bulevardin i zhytur në një botë tjetër të huaj, madje inekzistente, asgjë nuk më hynte në sy nga qyteti im i lindjes, të cilin nuk e ndërroj me asnjë nga mrekullitë e botës. Ky qytet i diellit, i bukur që i bën karshillëk detit të gjerë, duket sikur më pëshpërin në vesh, duke mos më lënë të qetë:

   –O njeri, ti që linde, u rrite dhe po plakesh këtu, në gjirin tim, më thuaj a nuk kam të drejtë të matem me kaltërsinë e detit? –Pa dashur në një çast të vetëm, pa e kontrolluar veten, belba me zë aqsa e dëgjova përgjigjen e nënzëritjes sime:

    -Ai të konkuron me kaltërsinë, bukurinë, freskinë dhe gjithë të mirat që të sjellë ty dhe banorëve të tu. Ju të dy duket sikur keni lindur bashkë, ndaj ai po aq sa lumturi të falë, po aq dhembje e lëndime mund të të shkaktojë. Veçse ki parasysh një gjë:- Kur në këtë tokë  ti hodhe hapin e parë si qendër e banuar, ku u vendos vetëm një gur themeli, mos harro se deti ishte aty dhe priste të të shërbente. Mos u bëj xheloz me detin  tënd të kaltër. Sytë e tij blu të shohin, të admirojnë teksa rritesh , ndryshon dhe zbukurohesh nga dita në ditë. Më mirë se deti askush nuk të njeh, sepse të dy jeni bashkëudhëtarë. Udhëtimi i juaj ka qenë i pandarë si në paqe dhe në luftë, si në ditët me dielll dhe në mot stuhi.Të dy bahkë kni kaluar të mirat dhe të këqijat ekësaj bote…Deti i paanë aprovon  lashtësinë, historinë që ti mbart në shekuj. Ti, qyteti i bukur me klimën e mrekullueshme, qyteti im, të cilin e adhuroj, mos e prish zemrën, mos e mbush shpirtin me mllef, se smira do të të çojë drejt urrejtjes dhe hakmarrjes.”-  kjo kuturi e çmendur më rrëqethi trup e shpirt. Ndala një hop dhe nisa t’i flasë mendjes: “Ç’bëj kështu,? Mos vallë lajthita? Po, po u çmenda. Papritur nisa të prekë çdo gjymtyrë e tipar  të trupit. Zura kokën me të dy duart dhe si i shushatur klitha: “Qenkam në rregull…Kujtova se…por jo!”

    Atëherë nisa të qeshja si budalla dhe i hodha një sy pamjes sime në xhamat  e vitrinës së një dyqani të heshtur. U shtanga në vend me shikim të zgurdulluar. Përballë meje qëndronte një shembëlltyrë e huaj e ngërdheshur. Ajo vitrinë më e heshtur se heshtja më tregoi të vërtetën e transformimit tim gjatë stinës së ripërtëritjes, pranverës. Atje shikoja një njeri të tjetërsuar, të plakur, të mpakur, të rrudhur dhe me një bark të qullët. Çuditërisht në vend të ëmbëlsisë nga shndritja e tipareve që jep buzëqeshja shikoja një tjetër njeri, një të huaj që ngrëdheshej me veten.

  I  kthyer në realitet, pyeta ndërgjegjen:“ Çuditërisht këtë mëngjes qyteti im më duket i tjetërsuar, i shkretë, me rrugë të boshatisura.Vështroj përreth dhe diçka më mundon. Më mungojnë ecejaket e qytetraëve, më tmerron mungesa e përshëndetjeve të zakonshme që u japin bukuri ditëve në qytetin tim. Mungojnë zërat fëmijëror që i japin gjallëri jetës…Eh, sa shumë gjëra po  më mungojnë këtë mëngjes! Ndoshta për këtë arsye nuk më bënte përshtypje si përherë. Mos vallë izolimi brenda katër mureve të shtëpisë më ka zvordhur dëshirën për të shijuar bukurinë e qytetit tim të pakrahasuar? Çuditëisht mendimet vazhdojnë të më gëlojnë në tru të lodhura, të  zvargura, të rraskapitura  deri në kapitje…Gjithsesi truri im nuk ndalet…vazhdon e dhe vazhdon papushim të rrëmojë në labirintet e kujtesës. Memorja është një kasafortë hermetike, apo një arkiv që ruan sekretet dhe të vërtetat e jetës. Sa të thëna e të pathëna ruhen aty të kyçura me fanatizëm, që koha apo njerëzit të mos i ndryshojnë apo shpëdorojnë.Janë e vetmja dëshmi e pamohueshme.Pikërisht për t’i rikujtuar na vlen kujtesa njerëzore…

    “Epokat historike në të cilat njerëzimi ka kaluar 21 qytetërime, kanë ndikuar në botë, ku gjithësia  ka pësuar ndryshime rrënjësore. Çdo njeri, si qenie humane lind nga një qenie tjetër humane, nga nëna. Porse është koha, ajo që e rrit dhe e madhon njerinë. Koha dhe natyra ecin paralel dhe ndikojnë në zhvillimet sociale, ndikojnë në jetën e çdo individi, të një komuniteti, në marrëdhëniet ndërkomunitare dhe individuale. Sa kohë kalon dhe i vetëdijshëm kthehem pas në të shkuarën e largët, sepse është e sotmja që jetojmë, ajo që lidh të djeshmen me të nesërmen. Nëse do të harrojmë të shkuarën, si mund ta mendojmë apo imagjinojmë të ardhmen që po troket?! Me gjithë vështirësitë e rrugës së gjatë të njerëzimit, e cila e ka emrin jetë, i lumtur është ai njeri që i merr kohës më të mirat e saj. Nuk është turp të shfrytëzosh të gjitha mundësitë si qenie humane, për të përballur të përpjetat dhe të tatëpjetat e  jetës. I fituar është ai që i kapërcen…”- nga mendimet më përmendi një zë gruaje, e cila më thirri në emër:- Pellazg! Ktheva kokën ngaqë zëri m’u duk i njohur por personin sikur e shihja për herë të parë. Ishte një zonjë e moshuar tek të shtatëdhjetat.  Ajo frenoi biçikletën. Me një këmbë në tokë, m’u drejtua:

      -Nuk po më njeh?

      -Megjithëse kanë kaluar vite, nga zëri,  po, e njoh këtë zë, kurse si person më dukeni e panjohur.

      -Mesa shoh paske rënë nga vakti…qënke plakur, Pellazg! Apo meqë ke emër të lashtë të ka plakur lashtësia e emrit?- nga romuzet cingëriëse e njoha, por nuk e dhashë veten. Ndërkohë ajo zbriti nga biçikleta.

     Për një çast shtanga dhe më ngeli goja hapur.Më bëri përshtypje veshja e saj moderne, një bluzë dekolte e bardhë dhe pantallona të shkurtra në të njëjtën ngjyrë. me syza të errëta moderne, kurse në flokët ngjyrë bakri me rica kishte lidhur një shallë të hollë që i varej bisht te qafa.  Unë kisha ngelur i shtangur, ndërkohë  më zgjati dorën dhe u prezantua: -Fatmira. Kemi qenë kolegë në të njëjtën shkollë deri në vitin 1994. Unë jepja gjuhën shqipe, kurse ti matematikë.

    -Ti,ti… Fff, Fatmira?! E pabesueshme!  Ti qënke rinuar, moj vajzë! Ç’të ka ndodhur që dukesh e tjetërsuar?

   -Tani jam një nënë dhe gjyshe beqare.  
   -Pse je ndarë me Akilin?!

   -Pse nuk e di ti? I shtrenjti im, Akil nuk jeton më, ka 20 vjet që më ka lënë.

   Megjithëse kishte ndodhur shumë vite më paë, i shpreha ngushëllimet e rastit

   -Nga bëhesh tani, zonja Mira? 

   -Pas ikjes së Akilit shkova në Itali , ku jetoj prej gati njëzetë vitesh.

   -Po thuaje, të shkretën! Ti na qenke bërë italiankë, moj zonjë?! Kështu më thuaj! Tani po, që të jap të drejtë! Si do të shohësh, ashtu do të bësh moj nusezo,-thoshte gjyshja ime e ndierë.

   -A nuk u ngritëm më 1990 për një jetë më të mirë?

   -Thamë që të bëheshim si Evropa, si bota e zhvilluar…por traditën tonë kombëtare duhet ta ruajmë dhe t’ua përciellim brezave.

   -Edhe unë këtë bëra, i nderuar kolegë. U përshtata dhe u integrova në perëndim, veçanërisht në mënyrën e jetesës.

  – Eja të ulemi, të pimë një kafe dhe të bisedojmë për të shkuarën, -papritur u kthyem në barin më të afërt.

   -Kisha vite pa ardhur dhe shoh që qyteti paska pësuar shumë ndryshime. Ka marrë fizionominë e një qyteti perëndimor sidomos shëtitorja gjatë  bregdetit. Kudo nëpër rrugë ka gjelbërim.Duket gjithçka e rilindur.

    Fjalët e saj të akullta më bën përshtypje. Ishte një thënie e ftohtë, që ngjasonte me një etiketë. Një emigrant kur kthehet në atdhe pas disa kohësh, flet me mall për ato që nuk ekzistojnë më, sepse në ato rrugë, në atë ndërtesa të lashta të qytetit janë ngjizur kujtimet, ruhet një pjesëz e  historisë dhe identitetit kombëtar.

     -Me sa shoh ty të pëlqeka, sepse sot je jo si në shtëpinë tënde, por si vizitore e përkohshme. Kurse unë që jam lidhur me qytein tim si mishi me kockën, nuk jam i kënaqur. Të duket i shëndetshëm betonimi i bregut të detit, trotuaret me mbingarkesa betoni? Rrugët automobilistike brenda qytetit janë një kalimshe, shumë të ngushta, ku nuk manovron në raste aksidentesh. Që kjo rrugë është e bukur, nuk e vë në dyshim.Porse përderisa harxhohen miliona e miliona Euro, për gjelbërimin, mos mbill shelgje, mbill agrume dhe palma. Ruaj origjinalitetin e qytetit të dikurshëm.

     -Nuk thua, fal Zotit që është vënë dorë, po i vini nga një bisht pas.

     -Më dëgjo mirë! Ti nuk jeton këtu, ne që jemi të përhershëm do ta ndiejmë mungesën e frymëmarrjes.  Gjithsesi edhe ne do të përshtatemi, siç po mësohemi me shumë gjëra të tjera më të rëndësishme që nuk na pëlqejnë apo të tjera që na janë mohuar.

    Papritur ajo u interesua për kolegët e tjerë. Pasi mësoi në vija të përgjithshme aq sa dija, më ndërpreu fjalën.Veçse mënyra e shprehjes së mimikës më bëri të mendoj se, përsa do më pyeste e kishte me shpoti. “Kjo mendjendritura nuk heq dorë nga cinizmi, jo…Le ta dëgjojë njëherë se ç’do më përrallis…” -hamendësova vetëtimthi.

      -Diku kam lexuar për Astritin që paska bërë një punim shkencor në Gjeodezi.

      -Astriti nuk jeton këtu. I doli llotua dhe shkoi me gjithë familjen në ShBA, ku dhe jeton.

      -Atje merret me studime?

      -Sa mbërriti dhe u sistemua me shtëpi,  mbrojti anglishten, likujdoi provimet për t’ju njohur diploma. Më pas nisi studimet në Universitetin e Harvard. Aty shkëlqeu dhe e emëruan pedagog në një Universitet të Amerikës. Në këtë mënyrë iu krijuan mundësitë për të realizuar ëndrrën. Iu vu studimit.

      -Amerika është vendi i mundësive, sa për Astritin nuk ishte gjë. Madje nuk ishte i aftë  as si mësues. Të tjerë e meritonin këtë fat dhe e mira shkoi dhe gjeti një njeri të rëndomë…si Ai.     

      -Unë kujtoj se Italia të kishte ndryshuar disi, jo vetëm duke përqafuar modernizimin, por edhe mendërisht e shpirtërisht. Më vjen keq, por qenke shumë shpirtvogël dhe akoma më cinike dhe ambicioze se ç’ke qenë në të ri.

       -Të lutem, Pellazg, mos më fyej. Merre më shtruar dhe arsyeto. Të rrimë shtrembër e të flasim drejtë, Astriti është një copë mish me dy sy, që nuk lëviz dot qimen nga qulli.  Si ti edhe unë e njohim, se ishim kolegë për kaq vite. Ai kurrë nuk ka shfaqur inteligjencë. Ta hajë dreqi,  kur na u bë kaq i shquar?! Pse Amerika ia dha mendjen, duke e bërë të ditur? Ishte njeri i mefshtë dhe për këtë nuk ma ndryshon dot mendimin as ti dhe askush tjetër. Kur ndryshoi ky njeri pa kapacitet, pa ndonjë intelekt të veçantë? Ndaj mos e ngri në qiell se nuk është i vetmi që ka bërë diçka ndryshe nga të tjerët. Kushedi si ka arritur. Sot në botën dixhitale ka forma dhe mënyra të ndryshme për të aaritur synimet. Paska humbur Amerika  ,ku janë kokat ebotës për mendjen e Astritit.

        -Jo, nuk jam në një mendje me ty. Kam plotësisht të drejtë që të kundërshtoj. Astriti sot është bër faktor. Më fal, por një njëri pa kulturë, pa intelekt a mund të realizojë arritje të tilla? Kurrë. Sot u kujtove për paaftësinë e Astritit? Apo ngaqë Ai sot është dikushi, ti po i shpërfill vlerazt  e tij. Pse nuk bëhemi edhe ne faktor në një fushë. Sepse as unë dhe as ti  nuk bëjmë dot diçka ndryshe? Aq më tepër kur njeriu udhëhiqet nga fodullëku, që i duket vetja kushedi se çfarë, nuk del dot nga guaska e errët e egoizmit të sëmurë!

   Atë kohë që mos ardhtë kurrë, as për ty nuk kisha dëgjuar që të të lëvdonin si mësuese dhe metodiste. Ti vetëm që mbaheshe më të madh dhe njërin sy e mbyllje përgjysmë, kurse vetullën tjetër e ngrije lart me shpërfillje.

       -Më vjen keq që shprehesh me kaq urrejtje dhe mllef për një njeri të mirë që nuk e harron as vendin dhe as shokët. Mira, nuk i prisja nga ty fjalë të tilla, pasi ju të dy i përkisni një shtrese të mohuar. Veçse me një ndryshim. Kur ty të emëruan mësuese, Astritin e burgosën me grupin e  inxhinierëve të naftës. Ty të transferuan në një nga shkollat më në zë të qytetit , kurse ai i binte varesë në gurore. Kur fëmijët e tu shkuan me studime në Universitet, fëmijët e tij ngrinin kovat me llaç në ndërtim dhe në ullishte. Ti e quaje veten të persekutuar se punoje mësuese në fshat, kurse mbi shpinën e tij dhe të fëmijëve binte shiu, bora, i ftohti apo temperaturat përvëluese të verës.

     -Ndalu Xhek se ka hendek! Të lutem më ngadalë, me zë më të ulët dhe mos u bëj avokat mbrojtës i tij.Nuk është i vetmi që ka vuajtur. Të gjithë e kemi hequr mbi shpinë Luftën e klasave…Në burg ka qenë edhe vëllai im.

   -Ishte, por çulitërisht ty nuk ta mohuan ushtrimin  e profesionit, kurse atij veç lirisë i hoqën edhe bukën e fëmijëve. Zonjë, ka vuajtje dhe vuajtje. Edhe brenda familjes shkalla e vuajtjeve është e ndryshme. Ti jetoje në mes të qytetit, kurse familjen  e tij e internuan. Njerëzve të tij u është bërë një luftë klasore e jashtëzakonshme. Arritën deri aty sa nga urrejtja vranë qenin atë kafshë besnike me mënyra barbare, duke ja shtypur kokën me gurë, duke i bërtitur gjithë mllef, “qen i biri qenit. Nuk bëhesh më i mirë nga yt zot!” I therën pelën që galoponte si një pegaso. Vëllai yt bëri 2-3 vjet burg dhe fitoi lirinë. Kurse nga trupi i vëllait të tij i erdhi nënës në shtëpi vetëm një këmbë që kishte ngecur në yzengji të mushkës. Pse vallë? Sepse ngaqë nuk pranoi të bëhej spiun i Sigurimit, i vunë dy gozhdë në samarin e kafshës, e cila u harbua dhe e mori zvarrë studentin e vitit të fundit të shkollës Tregtare.  Trupin e të vëllait e mblodhën në çarçafë natën me pishtarë bashkëfshatarët e tij, copa-copa si mish për jani.Veç humbjes së jetës të njërit vëlla,vëllai tjetër, i arsimuar në perëndim, me disa gjuhë të huaja, përfundoi në furrat shfarosëse të Mat’auzenit. Dajua i tij ishte dëshmorë se u vra  në Sanxhak të Dardanisë. Megjithatë familja e tij u internua dhe Astriti m dy vëllezërit u burgos.E kupton që ai nuk kishrte dalë nga hiçi.

      Të them të drejtën më ke befasuar. Çfarë të keqe të bëri ty Astriti si studiues? Mos vallë arritjet  e tij janë bërë pengesë për ty?  Koha u ka dhënë mundësi të gjithëve, por ama  jo të gjithë do të bëhen me tituj shkencorë. Nuk mund të bëhen të gjithë të famshëm. Kush të ka ndaluar moj zonjë?  Urdhëro merr lapsin ulu, shkruaj dhe hidhi mendimet në letër. Puna shkencore apo krijuese që të jetë produktive, kërkon palodhshmëri. Maja të pashkelura ka për të gjithë ata që duan të flijohen për shkencën, letërsinë apo artin, ekonominë, mjekësinë apo diplomacinë. Kush është i zoti le të provojë dhe të ngjitet në to sipas aftësive.  Për njerëzit e punës krijuese fjalët janë të tepërta. Konkretisht për Astritin është e huaj mëndjemadhësia, cinizmi, egua, dehja nga suksesi apo smira për sukseset e të tjerëve.

  Mira, më dëgjo me vëmendje.  Mua do të më vinte turp nga vetja nëse do të shprehesha kështu për cilindo dhe aq më tepër për një ish koleg.  Nuk e di se çfarë stomaku ke?! Veç në këtë bisedë që mendova se do të shmalleshim si dy bashkëqytetarë, më forcove dhe përkeqësove akoma më shumë përshtypjet që kam pasur për ty.

     -Bravo, të lumtë zoti Pellazg! Nuk e dija që ruake rezerva brenda qenies sate…

     -Më vjen keq! Nuk kam dashur të t’i kujtoj, por tani po të them mendimin tim për ty. Je egocentriste. Me çdo kusht kërkon që bota të vërtitet rreth teje, kur nuk ke bërë asgjë për të qenë dikushi.

      -Ua edhe këtë ma the?!Me ç’të drejtë po më tjetërson personalitetin?

      -Nëse ti e quan mëndjemadhësinë, fodullëkun, smirën , cinizmin, egoizmin, urrejtjen dhe shvlerësimin e mundit të të tjerëve, këto cilësi që sot i nxore në pah, i quan personalitet, nuk je gjëkundi. Personaliteti i njeriu formohet me dije, kulturë, talent, profesionalizëm, me punë vetëmohuese, vullnet dhe paodhsmëri. Vetëm atëherë quhet një njeri i formuar si individualitet. Ndryshe cilido që flet në erë, urrejtja pathologjike për një tjetër, e çon në hakmarrje. Cilido qoftë ai njeri, quhet llafazan, sharlatan dhe i pamoralshënm që merret me punët e të tjerëve, të cilëve u shkon uji në arë, kurse ai thotë pse u tha ara ime për ujë?!

      -Tani e kuptoj gabimin tim. Nuk ia fal vetes që të fola… Kurrë, kurrë s’kam për ta falur veten…

      -Unë të falënderoj që u takuam, sepse mes kësaj bisede ti zbulove anët e errëta dhe të panjohur të qenies tënde. Edhe diçka dhe do ta mbyllim bisedën. Gjithë fjalët e tua më bën të mendoj ose më mirë të bindem se ti ke brenda vetes shumë urrejtje dhe smirë, e cila i ngjet Korona virusit që po përjeton dhembshëm njerëzimi.  Pastroje shpirtin, kthjello ndërgjegjen se smira nuk të çon askund, veç në vetëshkatërrim. Kujtoja se në fjalët e tua do të gjeja mirësi dhe adhurim për një njeri që gjeti veten pas vuajtjeve të pashembullta.  Për fat të keq ndër ne mirësia e ka harruar rrugën e Zotit, pasi është zëvendësuar nga shpirtligësia,- teksa i flisja ia kisha ngulur vështrimin thellë në bebet e syve të saj.Vura re gjendjen e një njeriu të mjerë, që turfullonte nga zemërimi, pasi kishte humbur betejën. Nga paraqitja fodulle e kryeneçe,  tani mezi kapërditej sikur i zvargej një kockë në fyt…

     -Fatmira, mblidhe veten. Zonjë, ende nuk i ka ardhur fundi i botës.

     -Përse mendon kështu, Pellazg?

    -Këtë përshtypje më la mimika  jote, pas bisedës. Mira, mbai mend këto që po të them:  Sikur smira të kishte qenë virus, do të kishte infektuar dhe gjysmuar njerëzimin.

      Si këshillë po të jap një thënie të Sokratit: “Ai që dëshiron ta ndryshojë botën, fillimisht duhet të ndryshojë veten e tij!”Pse nuk kemi arritur të njohim vetëveten, labirintet më të errëta të shpirtit, ndaj ky komb nuk është në gjendje të mbrojë idenitetin e tij, as autoktoninë  dhe as gjuhën më të lashtë shqipe, gjuha e fillimit në Evropë. Po nuk deshëm veten nuk ka se si të na duan të tjerët. Respekto veten që të të respektojnë!

     U ndava me të duke më lënë një shije të hidhur dhe pa dashje nënzërita: “Zot përse ke lënë mbi tokë njerëz të tillë shpirtkazëm që udhëhiqen nga smira?!”

  Ktheva kokën pas dhe vura re se ajo me biçikletën për dore ishte mbështetur tek një shtyllë, si duket nuk e gëlltiste dot vesin, i cili lind me njeriun dhe vdes me të. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Smira, Vilhelme Vrana Haxhiraj, Virus

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT