• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2020

U NDA NGA JETA GAZETARI KURAJOZ KOSTAQ XOXA

August 25, 2020 by dgreca

SHKRUAN: SHPENDI TOPOLLAJ-

Si rezultat i një arresti kardiak, u nda nga jeta gazetari i mirënjohur Kostaq Xoxa. Kostaqi u lind në Tiranë në vitin 1931 në një familje të shquar atdhetare. Babai i tij Xoi Xoxe ishte një gazetar dhe politikan i ndershëm dhe i guximshëm, fjalimet e të cilit në Parlament dhe kujtimet e shkruara, mbeten shembujt më domethënës për të treguar se cili duhet të jetë roli dhe pozicioni i një intelektuali të vërtetë në shërbim të popullit. Në rrugën e tij eci përherë edhe Kostaqi, i cili pati një jetë plot peripeci, si pasojë e goditjeve të herëpasherëshme që regjimi komunist ushtroi ndaj familjes së tij, pasi kishte arritur edhe t`i burgoste pa asnjë faj, të atin. Provoi çpronësimin e egër, përbuzjen dhe deri pengimin për t`u shkolluar rregullisht, edhe pse ishte përherë nga nxënësit më të shkëlqyer, apo internimin e kufomës së vëllait të vdekur dhe mos lejimin për ta varrosur atë. Bëri punë të rëndomta krahu, si në Kriporen e Kavajës, dhe shofer kamioni, gjersa duke parë aftësitë e tij, kulturën e gjërë, prirjet letrare dhe njohjen e disa gjuhëve të huaja, me ndërhyrjen e një njeriu të mirë, Kahreman Yllit, emërohet mësues në disa shkolla të mesme të kryeqytetit, ku arriti të japë me mjaft kompetencë edhe lëndën e matematikës. Për korrektesën e tij, aftësitë pedagogjike, horizontin e gjërë dhe mënyrën e komunikimit me nxënësit, duke aplikuar metoda të reja mësimdhënieje, ai mbeti i dashur dhe i respektuar nga kushdo. Pas vitit 90 – të shte nga të parët që u angazhua me guxim në përpjekjet për shembjen e komunizmit në Shqipëri. E përkrahu si idealist i vërtetë demokracinë dhe aspiratën tonë evropianiste. Si gazetar e publicist, sidomos te gazeta “55”, ai shkëlqeu me penën e tij të mprehtë, duke shfaqur si pak kush mospajtimin e tij me atë ideologji që i solli aq dëme dhe vuajtje shqiptarëve. Stigmata e tij plot llogjikë dhe tërësisht e mbështetur në fakte dhe të vërteta të pa mohueshme, synonte të sqaronte dhe ndërgjegjësonte lexuesit dhe asnjëherë ai nuk denigronte ndokënd. Për të, të gjithë ishim vëllezër dhe së bashku do ta bënim më të mirë këtë vend. I rreptë në qëndrimet e tij politike, dhe armik i vendosur i korrupsionit, ai asnjëherë nuk bëri kundërshtarë. Miqtë e tij të shumtë ishin të çdo krahu, dhe ai mundohej me gjithë shpirt të ndihmonte cilindo që kishte nevojë për të. Skrupuloz në kërkesat gjuhësore, ai kujtdo i shfaqte gatishmërinë për t`ia korrektuar librat qysh në dorëshkrim, pa asnjë shpërblim, duke thënë se le të jemi të kundërt në mendime, te gjuha jonë e bukur duhet të jemi njësoj. Ishte mik besnik Kostaq Xoxa dhe u gëzohej arritjeve të të tjerëve. Sapo botohej një libër, ai e lexonte dhe shkruante artikullin përkatës me talentin e një kritiku të mirëfilltë, duke vënë në dukje anët e mira dhe mangësitë që konstatonte në të. I pakët nga trupi, por zjarr në biseda, me atë të qeshurën që i buronte nga shpirti, ky shok, ky mik, ky bashkëshort e prind i rrallë, që ngriti fuqishëm deri në fund, zërin për demaskimin e krimeve të komunizmit dhe domosdoshmërinë e futjes në Evropë, do mbetet në kujtesën e kujtdo që e njohu, modeli i intelektualit të ndershëm, plot integritet e dinjitet. La në pikëllim gruan e tij të mençur, Meritën dhe dy fëmijët e mrekullueshëm, por dhe një boshllëk te të gjithë ne që e deshëm dhe e vlerësuam ashtu sikurse e meritonte. Jeta dhe vepra e tij nuk do të harrohen lehtë, pasi ai me to, do na kujtojë gjithmonë thënien e Virgjilit se “Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar, jeta është për të gjithë e shkurtër dhe e papërsëritshme: të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është arritja e virtytit”. Dhe Kostaq Xoxa ynë, iku nga kjo botë i virtytshëm!  

Filed Under: ESSE Tagged With: Kostaq xoxa, Shpendi Topallaj, u nda nga jeta

Me ju dhimtë gurit e drurit- këto ishin fjalët e burrit

August 25, 2020 by dgreca

Shkruan: Nue Oroshi-
Oda shqiptare historikisht në mungesë të institucioneve edukativo-arsimore në trojet shqiptare e ka luajtur një rol historik në edukimin e gjeneratave të reja.Në odën shqiptare është përcjellur tradita shqiptare dhe pleqtë e mençur kanë shpjeguar shumë fillozofi popullore të cilat kanë qenë edukative për kohën dhe rrethanat historike shqiptare. Aty janë përcjellur edhe shumë fjalë të cilat e kanë pasur peshën e vet historike,për shumë ngjarje dhe personalitete qoftë ata që kanë qenë mbarë të orientuar por edhe për ata që kanë qenë të orientuar mbrapshtë. Pleqtë e mençur kur kanë dashur të flasin për personalitete qoftë politike apo personalitete të tjera të cilët ishin shëndrruar në kancer për shqiptarët dhe vepronin në dem te popullatës e përdornin fjalën ka me u ba me ju dhimtë gurit e drurit. Guri gjithmonë në traditën shqiptare ka simbolizuar forcën për faktin se gjatë tërë historisë luftëtarët e lirisë shpeshherë si mburoj i kanë pasur shpellat e gurit ku janë strehuar shpeshherë dhe kanë kaluar dimrat e vështirë, dhe jo rastësisht në fillozofinë tonë popullore është folur edhe fjala “ma i fortë se guri”, për përsonalitetet qendrestare.Kurse edhe druri ka pasur një rol shumë të madh në familjet tradicionale shqiptare sepse në dimrat e gjatë dhe me plot borë ka ngrohur vatrën e shtëpisë. Gjatë shumë bisedave që zhvilloheshin në odat shqiptare për personat problematikë dhe që ishin kundër çështjes kombëtare por edhe për të tillët që i keqpërdornin pozitat politike për qëllimet e tyre financiare,duke e dëmtuar kombin dhe popullin shqiptar në shumë aspekte përdorej fjala:”Ka me u bërë me ju dhimtë gurit e drurit.” Vërtetë shpeshherë ata persona kanë pasur një fund tragjik dhe kanë përfunduar si është më së keqi. Atëherë pleqtë tanë nëpër odat shqiptare i merrnin edhe shembujt të shumtë për personat e tillë.Edhe një pjesë e politikanëve shqiptar në trojet shqiptare që për përfitime të tyre personale e familjare e kanë sjellur popullin shqiptar në gjendje të vështirë e mbramja do t´iu vjen keq.Ata do t´iu dhimbsen gurit e drurit por asesi nuk kanë për t´iu dhimbsur popullit shqiptarë që e kanë sjellur buzë greminës. Nuk e di të tillët a e mendojnë se pozicionet politike nuk janë të perjetshme ato janë kalimtare në demokraci.E sikur pleqtë në atë kohë edhe mirreshin vesh prej një krahine në krahinën tjetër i qojshin fjalë njëri- tjetrit.Njëri thoshte: ” Moj e mira qe shkon me mshtjerra lumtë na lumtë na erdh pranvera”.E pasi plaku tjetër e kishte pritur me vite atë pranverë por nuk kishte ardhur ia kthente me fjalët: ” Moj e mira që shkon me dhenë terrt e verrtë e kurrni send”.Këto ishin komunikimet e pleqve të mençur për kohën dhe rrethanat politike.E fjalët e burrit se personat kanë me ju dhimtë gurit e drurit më tingellojnë edhe sot pas shumë viteve kur i ndëgjoja pleqtë tanë plisbardhë, të cilët edhe pse nuk ishin aq shumë të shkolluar por e kishin qëndresën e gurit dhe trurin e pastër prej biluri i cili rrezatonte dritë në mes të errësirës dhe edukonin brezat me fillozofinë popullore që përcillej prej brezi në brez.Është për tu theksuar se politikanët dhe intelektualët që rrjedhin nga familjet që është përcjellur tradita shqiptare brez pas brezi nëper oda shqiptare ndonjëri nga ta e ka ruajtur edhe sot e asaj dite atë burrërinë tradicionale shqiptare.Kjo shihet gjatë takimeve dhe shumë shpejtë mund ti dallosh politikanin dhe intelektualët, tradicionalë shqiptar nga politikanët e familjeve pa taban kombëtar.Për faktin se politikanëve dhe intelektualeve pa taban kombëtar ju mungon edukata familjare.E burrat e dheut në të kaluarën kur dëshironin t´ia lëshojnë një fjalë të rend dikujt që e meritonte e sillnin fjalën shumë herë rreth e rrotull deri sa vinin tek fjala që duhet thënë bashkëbiseduesit. Këtu po e sjelli vetëm një dialog që e kam fokusuar si i ri që u zhvillua në një odë të komunës së Prizrenit.Derisa pleqtë bisedonin një plaku të mençur të kanunit që shtjellonte tema me karakter kombëtar njëri nga fundi i odës i thotë: “Nuk është ashtu siç je duke thënë “,plaku e ndalë bisedën dhe e pyet:“Mbasi nuk është ashtu na shpjego se si është?“ e ai i përgjigjet :”Si është nuk e di por ashtu si thue ti nuk është “.Dhe kur pritet reagimi i plakut qohet vëllai i ti dhe i thotë këto fjalë”Këtë person ma leni mu”. I përgjigjet me fjalën “Moj e mira nato talla n´tollovi nihet budalla”.Fatkeqësisht sikur ai fatziu i fundit të odës na u ka mbushë politika shqiptare.Ata thonë nuk është ashtu edhe pse vet nuk e dinë se si është dhe si duhet ecur përpara dhe as nuk kërkojnë këshilla se si duhet udhëhequr shteti.Me një fjalë po përseritet ajo fjala e mirditorës së mençur që e kishte pasur djalin shumë puntor e ku thoshte:”Me majtë kuzhdo shpi, Kola jem i kish majt tri-por nja e menzi.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Me ju dhimte gurit, Nue Oroshi

VIZITA E FUNDIT E DRITËROIT NË DEVOLL

August 25, 2020 by dgreca

DRITËROI: “Uroj që shqiptarët të duan njëri-tjetrin e mos jenë fanatikë të partive e të feve“.–

– Nga vizita e Dritëro Agollit në Devoll, në takimin me Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Miqtë e Dritëroit” në gusht të vitit 2006 –

Nga  Fuat Memelli-Boston

Në vitin 2004 një grup devollinjsh krijuan në Bilisht Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Miqtë e Dritëroit”. Ishte kjo një ngjarje e veçantë për Devollin e më gjerë. Kur ende vazhdonte krijimi i partive të reja, krijuesit devollinj me në krye poetin Bashkim Gjoza por edhe krijues të tjerë si Thanas Jorgji, Bujar Braho, Skënder Demolli, Hajdër Lilo, Lefter Babi Viktor Hoxha dhe Valentin Dedgjonaj, krijuan këtë Klub duke i vënë emrin e birit të Devollit, poetit e shkrimtarit tonë të shquar, Dritëro Agolli.

Statutin e kishte hartuar shkrimtari i njohur Thanas Jorgji. Gjatë dy vjetëve të krijimit Klubi kishte zhvilluar një sërë veprimtarish si promovime librash të anëtarëve të tij, ndarje çmimesh vjetorë për veprat e autorëve, anëtarë të Klubit, pranime të anëtarëve të rinj, si dhe veprimtari letare-artistike në vigjilje të ditëlindjes së Poetit të shquar, etj.

Gjatë dy vjetëve ata e kishin ftuar Dritëroin për të bërë një takim me ta por poetit nuk i qe dhënë mundësia. Kjo mundësi u krijua në gusht të vitit 2006. Klubi do festonte dy vjetorin e krijimit të tij. Kryetari Bashkim Gjoza e ftoi Dritëroin për të marë pjesë në këtë ngjarje letrare – kulturore. Ato ditë Dritëroi me Sadijen ndodheshin me pushime në Pogradec dhe i premtuan se do mernin pjesë në atë kremtimin e atij përvjetori. Dhe e mbajtën fjalën.

Si anëtar i Klubit, Bashkimi më kishte ftuar edhe mua për të marë pjesë në atë veprimtari. Kisha shkuar një natë më parë në Bilisht. Të nesërmen në mëngjes tok me Bashkimin u nisëm me një makinë për në vendin e shenjtë Inonisht që ndodhet në fshatin Kuç të Devollit. Bashkimi pat zgjedhur këtë vend të shenjtë për ta zhvilluar veprimtarinë pasi e dinte se Dritëroi kishte një lidhje shpirtërore me bektashizmin. Për më tepër, Baba Ahmeti i kish vënë emrin Dritëroit.

Bashkimi ishte i gëzuar atë ditë. Tek ecnim me makinë për në Inonisht, poeti lirik recitonte poezi të veta. Një ndër poezitë që recitoi, ishte ajo me titull „Peruniga“, një lloj lule që rritet në Poloskë, fshatin e tij të lindjes. Ja disa vargje të kësaj poezie:”

                                   Ç’më ndjell larg një aromë livadhi

                                   perunigash zverdhur plot dritë

                                   qënka e thënë të digjem nga malli

                                   pa të gjetur kurrë një ditë

Duke ditur thjeshtësinë e Dritëroit, Bashkimi kish marë dy poste delesh. Zgjodhëm një vend në krye të një lëndine të bukur ku kishte hije e pastaj vizituam mjediset e atij vendi të shenjtë. Ndërkohë erdhën një nga një pjesëtarë të Klubit si dhe të ftuar si ish kryetari i bashkisë së Bilishtit Valter Miza, regjisori dhe aktori i njohur, Artisti i Merituar, Dhimitër Orgocka ( tani edhe Mjeshtër i Madh) i cili kish qënë edhe herë të tjera në veprimtari të krijuesve devollinj.

Anëtari i Klubit dhe krijuesi i njohur Skënder Demolli, atëherë drejtor i TV Korçës, kishte marë me vete një operator për ta pasqyruar veprimtarinë te ky stacion.

Rreth orës njëmbëdhjetë erdhi Dritëroi e Sadija. Pasi u ulën në poste, Dritëroi tha:

– Këto poste janë kolltuku më i mirë për mua e Sadijen.

Pasi i uroi mirseardhjen miqve të shquar, kryetari Bashkim Gjoza foli për veprimtaritë e Klubit gjatë vitit të fundit dhe ngriti shëndete për Dritëroin e Sadijen.Më pas fjalën e mori Dritëroi.

ARTI I BASHKON NJERËZIT

Megjithëse i ruaja në kujtesë fjalët e Dritëroit, për të qenë me i saktë i kërkova ndihmë Endri Fifos, këngëtar i shquar dhe mik i Dritëroit. Ai e kishte në video gjithë fjalën e tij. E zbardhi e ma dërgoi. Ja fjalët e Dritëroit:

„…Jam i nderuar që marr pjesë në këtë vatër të ngrohtë të krijuesve devollinj. Bashkë me Sadijen ishim me pushime në Pogradec dhe nuk mund të rrinim pa ardhur. Krijimet tuaja si dhe veprimtaritë që zhvilloni i ndjek hap pas hapi, pasi Bashkimi më informon vazhdimisht.

Kur isha fëmijë, mësuesit na sillnin në Inonisht. Mbaj mend që këtu kishte shumë gjelbërim, kishte lisa e drurë të tjerë. Kur po vija rrugës, mendoja: a do të ketë gjelbërim si atëherë? U kënaqa kur pashë gjelbërim dhe juve të bashkuar, pa dallime partiake apo pushteti.

Poemën e Naim Frashërit “Bagëti e bujqësi” e recitojnë të gjithë, pa dallim. Inonishtin e ka themeluar Baba Kasëmi, ndërsa mua ma ka vënë emrin Baba Ahmeti. Ai nuk vinte emra në turqisht. Pasi e mendoi emrin, doli në dritare dhe thirri dy herë:– Dritëro!

Siç më ka treguar nëna, ai nuk kishte shumë zë, prandaj edhe ajo thirri emrin Dritëro që më vuri baba Ahmeti.

Shkova një herë në kryegjyshatë te baba Reshati. Ai kishte shtruar një darkë. Më kishte dëgjuar në një intervistë që kisha lavdëruar bektashizmin, por kisha thënë se nuk para e besoja fenë. Në atë darkë, ai më tha:

– Ma ke prishur qejfin me atë fjalë që the se nuk beson fenë.

– More baba Reshat, – i thashë. – mua më ka hyrë lugati i marksizmit dhe nuk më le të besoj. Ti bëj nja tridhjetë darka të tilla dhe mua do të më dalë lugati.

– Mirë, – më tha baba Reshati.

– Po mua akoma nuk më ka dalë ky lugat. Sadija, gruaja ime, beson dhe ne kështu plotësojmë njëri-tjetrin. Megjithatë unë i respektoj të gjithë fetarët, – i thashë baba Reshatit.

Më pas Dritëroi u ndal te krijuesit që ka nxjerrë Devolli. Ai përmendi Teodor Laçon, Sotir Andonin, Petraq Zoton, Kostë Çekrezin, Skënder Rusin, Bashkim Gjozën, Skënder Demollin, etj. – Devolli ka nxjerrë edhe akademikë, – tha ai. – si Alfred Uçin, Josif Adhamin, Petrit Skënden e një ndër ta jam edhe unë.

Në fjalën e tij Dritëroi vlerësoi edhe një herë devollinjtë duke thënë:

– Devollinjtë janë njërez të punës, të këngës e të dollisë. Për ta bërë punën sa më mirë, bishtin e shatës nuk e bëjnë të gjatë që të punojnë më këmbë, por të shkurtër që të përkulen e të punojnë sa më mirë. E kam thënë edhe herë tjerër: sikur të ngrihet një monument kushtuar Punës, ky monument duhet të ngrihet në Devoll.

Dritëroi e mbylli fjalën duke thënë:

– Uroj devollinjtë si dhe gjithë shqiptarët që ta duan njëri-tjetrin. Të mos jenë fanatikë të partive dhe të feve. Unë i jam ruajtur këtij fanatizmi dhe kur partia ka patur gabime, ia kam thënë.

Fjala e Driëroit u duartrokit nga pjesëmarrësit. Pastaj Dhimitër Orgocka recitoi poemën e njohur të Dritëroit “Devoll, Devoll” i cili gjithashtu u duartrokit.

SOFRA E KËNGËS DEVOLLITE

Rreth kësaj sofre të bukur të shtruar në natyrë, nuk munguan këngët devollite të cilat ishin çaste të tjera të bukura të asaj veprimtarie. Nuk mund të rrinin pa kënduar bilbilat e këngës popullore të Devollit Ali Kondi, Endri Fifo, Nafiz Babi, Zija Pajo, Fatmir Dangëlli, Nasho Andoni, etj.

Në një moment ia mori këngës edhe Dritëroi. Ishte kënga” Çeli manushaqja, s’bëra me shëndet”. Ia mbante xha Aliu dhe zjenin të tjerët. Endri Fifo e bëri në dy kolla këngen, (kur e pësërit një dyshe tjetër)

Dritëroi këndoi me Endrin edhe këngë të tjera. Endri kishte kënduar edhe më parë me Poetin e shquar dhe i dinte këngët që kishte për zemër ai.

Operatori i TV Korçës e ka filmuar këngën e kënduar nga Dritëroi „Çeli manushaqja, s‘bëra me shëndet”, por për fat të keq, operatori nuk e ka futur në kuadër artistin e merituar, Ali Kondin i cili ia mbante këngën Dritëroit. Me xha Aliun i kisha dëgjuar të këndonin bashkë edhe në Tiranë.

Kjo veprimtari e bukur vazhdoi disa orë, aty rreth sofrës devollite. U ngritën dolli, u kënduan këngë, u bënë fotografi. Në fund kryetari i Klubit Bashkim Gjoza shpalli çmimet vjetore për krijimet letrare të anëtarëve të Klubit. Ai i dorëzoi Dritëroit simbolin e Klubit që mban emrin e tij.

Duke e marë atë, Dritëroi tha:

– Këtë simbol do ta ruaj si një kujtim të shënjtë.Më pas Dritëroi e Sadija, shoqëruar nga Bashkimi dhe Endri, vizituan teqenë e Kuçit dhe  ndalën te varri simbolik i Baba ahmetit që i i kishte vënë emrin Dritëroit. Ata çast Endri ia thiri këngës që sajoi në çast, e cila emocionoi Dritëroin :“Ngrehu baba Ahmeti, ngrehu/ të ka ardhur djali/ të ka ardhur Dritëroi/ shpirt e zemër behari“.U mblodhën aty plot fshatarë dhe vazhdoi muhabeti deri në mbrëmje.

DEVOLLI MË NDJEK PAS KUDO QË JAM“

Për Devollin e devollinjtë, Dritëroi ka folur edhe në vitin 2008 në intervistën e dhënë për dokumentarin “Devolli-djepi që përkundi devollinjtë”, ku ndër të tjera thotë:” Devolli më ndjek pas kudo që jam në Shqipëri, më ndjek pas trokitja e tokës së tij, më ndjek fëshfërima e fletëve, cicërima e zogjve, më ndjekin pikat e shiut që bien pik-pik në strehë, më ndjek gurgullima e lumit të Devollit, më ndjekin këngët nëpër dasma, vallet, më ndjekin të gjitha këto”.

Dritëroi ndërroi jetë më 3 shkurt të vitit 2017. Ai iku por la pas krijimtarinë e tij të begatë, dashurinë për njerzit, fjalën e mënçur e kurajoze, humorin e tij me kripë si dhe thjeshtësinë e tij. Ai la pas pavdekësinë dhe dritëron, siç e ka patur emrin.

NË VEND TË MBYLLJES

Kanë kaluar 14 vjet nga gushti i vitit 2006, nga ajo ditë e shënuar për krijuesit devollinj. Klubi është rritur dhe janë shtuar veprimtaritë e tij. Siç na thotë kryetari i sotëm, Lefter Babi,Devolli ka krijues të njohur si Skënder Rusi, Skënder Demolli, Kosta Nake, Arben Shaholli, Andon Andoni, Sefer Hoxhalli, Endri Fifo,Pandeli Bardhi, Olivert Topçiu, Sami Begolli, etj. Anëtarë të Klubit, thotë Lefteri, janë bërë edhe krijues nga rrethe të tjerë si Pogradeci, Korça, Durrësi e Përmeti, si Istref Haxhillari, Bujar Balliu, Dhimitër Orgocka, Arjan Kallço, Agron Elezi, Maksi Kulla, Ilir Koro, Qazim Muska, Besnik Bedollari, Anila Mihali si dhe plot dashamirës të artit e kulturës. Ka edhe disa krijues devollinj të njohur në janë në emigracion si Thani Naqo, Thanas Jorgji, Luan Xhuli, Luan Kalana, Merita Bajraktari, etj.Për disa vjet me rradhe Klubi ka botuar edhe gazetën „Bilishti“.

Disa nga anëtarët e Klubit, kanë ndrruar jetë, si Ali Kondi (Artist i Merituar), Bashkim Gjoza, Pëllumb Agolli, Fatmir Dangëlli e Vaskë Eski. Le të jetë ky shkrim një homazh edhe për ta.

Ka ca kohë që Klubi ka rënë në qetësi. Ka ndikuar situata e virusit dhe kjo është e natyrshme. Por ka edhe një arsye tjetër që nuk do desha ta shkruaj. Në radhët e Klubit ka patur përçarje e cila vazhdon. Driëtëroi sikur e parandjente dhe porositi që të jeni të bashkuar.

Le t’i lemë përçarjet. Klubi ka një emër ta madh, atë të Dritëroit. Le të bashkohen rreth këtij emri krijuesit devollinj si dhe ata nga rrethe të tjerë, pa ngjyra partiake, xhelozie, etj. Le të mos i ngjasim partive. Në radhët e Klubit ka figura me integritet që mund ta shërojnë këtë plagë, pa e lënë të thellohet.

Filed Under: Histori Tagged With: Dritero Agolli, Fuat Memelli, Vizita e fundit

SHQIPTARËT NË SHBA NË NDIHMË TË BASHKATDHETARËVE NË MAL TË ZI PËR TË RRITË VETËDIJEN KOMBËTARE

August 25, 2020 by dgreca

  • Kryetari i Vatrës Elmi Berisha dhe nënkryetari Dr. Pashko Camaj dhuruan të dy nga 1 mijë dollarë secili, ndërsa z. Jim Xhema, që shoqërohej nga Kryetari i Vatrës, dhuroi 10 mijë dollarë.
  • Shqiptarët e Amerikës, veçanërisht ata që janë pjesë e organizatave me anëtarësi nga trevat etnike shqiptare nga Mali i Zi, prej kohësh janë bashkuar dhe kanë krijuar frontin e përbashkët shqiptaro-amerikan, që i shërben rritjes së vetëdijes kombëtare të partive politike shqiptare në Mal të Zi, në prag të zgjedhjeve Parlamentare të 30 Gushtit 2020.

Federata Panshqiptare e Amerkës”VATRA” ka dhënë përkrahjen e saj duke u bërë pjesë të këtij fronti. Nënkryetari i Vatrës, biri i Malësisë Dr. Pashko Camaj, ka përfaqësuar Vatrën në të gjitha takimet.

Në vijim të pergatitjes per zgjedhjet parlamentare ne Mal te Zi, organiztat shqiptare me qender ne SHBA,por Jo vetëm, organizuan të enjten me 20 gusht një darkë për të mbledhur fonde per ta mbeshtetur këtë fushatë dhe për të ngritur në një shkallë më të lartë vetëdijen dhe për të rritur angazhimet e komunitetit shqiptaro-amerikan, qe se bashku te kërkohet drejtësi politike dhe vetndërgjegjësim i qytetarëve shqiptarë në Republikën e Malit të Zi, në mënyrë që përmes përbashkimit të luftojnë për të siguruar të drejtat që ruajnë identitetin dhe plotësojnë kërkesat kombëtare.

Darka e 20 gushtit kishte për organizator anëtarin e Këshillit të Bashkisë së Neë York-ut Mark Gjonaj. Kjo veprimtari u organizua ne restoarnin”Ciao” në Eastchester, NY.Vatra u përfaqësua me Kryetarin e saj Z. Elmi Berisha dhe me nënkryetarin Dr. Pashko Camaj.Kryetari Berisha dhe nënkryetari Camaj dhuruan të dy nga 1.000 doollarë, ndërsa z. Jim Xhema, që shoqërohej nga Kryetari i Vatrës, dhuroi 10 mijë dollarë.

Siç është bërë e njohur,organizatat Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me origjinë nga Mali i Zi, së bashku me ato dhe Vatra, kanë qenë te angazhuara dhe kanë kerkuar nga subjekti politik shqiptare, qe në zgjedhje e 30 Gushtiti 2020, subjektet shqiptare të dalin se bashku në NJË liste të vetme. Një gjë e tillë nuk ndodhi.Megjithate, fushata e shqiptaro-amerikanëve ne perkrahjen e vlearve kombetare nuk do të ndalojë. Ata sërish u bëjnë thirrje votueseve shqiptare ne Mal te Zi, qe të ndërgjegjësohen dhe të Votojnë SHQIP, duke i çuar Votat në nëjrën nga Dy Listat Shqiptare.(DIELLI)

Filed Under: Featured Tagged With: Pashko camaj, Vatra

SOT DUHET QËNDRESË DHE REFUZIM I SË KEQES

August 25, 2020 by dgreca

Nga Agustin MIRAKAJ-
Të mbrosh komunizmin në vendin më të persekutuar në Evropë është një karagjozllëk i turpshëm dhe i dënueshëm. Komunizmi, kjo farë e keqe do të thoshte At Zef Pllumi, ka qenë ne anen e tradhetisë kombetare të mbeshtetur nga armiqtë historik te kombit shqiptar.
Nga Agustin MIRAKAJ- Kryetari i deges se Vatres-Manhattan-NY
Mënyra sesi një shoqëri reagon ndaj së keqes është shenjë e lartë e civilizimit të saj. Refuzimi me përbuzje i së keqes është kurdoherë detyrë e shenjtë e çdo individi dhe shoqërie.Mosndëshkueshmëria e krimit dhe genocidit komunist mbi popullsinë e pafajshme në Shqipëri, mbi klerin fetar dhe familjet e mëdha, vazhdon dhe sot të jetë një plagë e thellë shoqërore, një amanet i pambajtur, një premtim i parealizuar.E shkuara vazhdon dhe sot të na mbajë peng. Pa ndëshkuar të kaluarën e tmerrshme, kurrë shoqëria shqiptare nuk do gjejë paqe, zhvillim, qetësi dhe kohezion. Krekosja e xhelatëve në institucionet më të larta shtetërore, promovimi i antivlerave komuniste, i bijve të etërve, kthimi në neodiktaturë ka gjunjëzuar shqiptarët.Sot, bota përkujton ditën e viktimave nga rregjimi komunist. Kurse në Shqipëri askush nuk ka dhënë ende llogari për mijëra të vrarë, te burgosur e mijëra të persekutuar. Familjet qe vuajten nga kthetrat e diktatures, asnjeherë nuk rreshtën per te kerkuar dhe mbrojtur demokracinë e brishtë e cila asnjëherë nuk ju dha as triumfin moral.Tani eshte koha te perballemi me te kaluaren, ajo nuk duhet harruar. Gjithmonë ka kohë për të bërë luftë me të keqen.Qendresa e palëkundur eshte ajo qe nxit shpresen per te mos shkuar më mbrapa, mbrapa nen kthetrat e nje diktature te re qe sot keta neokomunistë po mundohen ta shtypin me forma të ndryshme duke gjykuar lirinë e mendimit, te shprehurit, të vepruarit, të pjesëmarrjes.Sot ata vazhdojnë në gjurmet e baballarëve te tyre duke monopolizuar shtetin, duke mbushur institucionet me ish oficerë te sigurimit famëkeq komunist. Një trashëgimi e mallkuar që na ndjek nga pas.Ne te kaluaren shoqeria shqiptare ka vuajtur shume , dhe SOT akoma vazhdojne te vuajne nga e kaluara që naparaqitetsi mallkim i së ardhmes. Baballaret e tyre ishin metastaza e këtij kanceri ku ushtruan dhune brutale për të shkaterruar lirinë, besimin, historinë dhe kulturën tonë europiane. Këtë e verteton dhe vete neokomunisti Rama i cili deklaron që “komunistët ishin në anën e duhur të historisë” deklaratë kjo e dënueshme dhe e papranueshme.Të mbrosh komunizmin në vendin më të persekutuar në Evropë është një karagjozllëk i turpshëm dhe i dënueshëm. Komunizmi, kjo farë e keqe do të thoshte At Zef Pllumi, ka qenë ne anen e tradhetisë kombetare të mbeshtetur nga armiqtë historik te kombit shqiptar.Lufta ndaj së keqes nuk ka mbarim e as fillim. Është detyrë e shenjtë e çdo shqiptari.Qëndresa është ajo që na ndan nga e keqja.

Filed Under: Analiza Tagged With: Agustin Mirakaj-Sot duhet qendrese

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT