• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2020

Kosova dialog me Serbinë për njohjen e pavarësisë

August 26, 2020 by dgreca

Kryeministri Hoti: Dialogu zhvillohet për njohje reciproke, ftoj opozitën të na bashkohet në Shtëpinë e Bardhë – në Uashington. Unë sot kam dërguar letër edhe te partitë opozitare që të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë delegacion të Qeverisë së Kosovës në takimin në Shtëpinë e Bardhë dhe pastaj në takimin e ardhshëm të paraparë në fillim të shtatorit në Bruksel/

   PRISHTINË, 26 Gusht 2020-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë e ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, kanë mbajtur konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, në të cilën është miratuar Master-Plani për organizimin e vitit të ri shkollor 2020-2021 në kushte të pandemisë.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, tha se në dokumentin e miratuar janë dhënë shumë qartë udhëzimet se si dhe kur hapen shkollat, kriteret që duhet të përmbushen për hapjen e shkollave, kriteret për organizimin dhe procedurat që duhet të ndiqen për organizimin e mësimit online, i cili do të jetë i plotë, si një platformë shtesë për nxënësit. Siç tha kryeministri, është më rëndësi të thuhet së mësimi do të organizohet edhe në gjuhët e komuniteteve për të mos mbetur mbrapa asnjë nxënës në tërë Kosovën.

 “Falënderoj IKSHPK-në dhe MSH-në që kanë punuar ngushtë gjatë kësaj kohe me ministrin e Arsimit dhe Shkencës për të zhvilluar protokollet e nevojshme që duhet të ndjekin arsimtarët në klasë, kujdestari i klasës, shkolla dhe komuna në rast se paraqiten raste të infektimeve nëpër shkolla”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se janë bërë përgatitje të nevojshme për një fushatë informuese të nxënëseve, për masat që duhet të respektohen, për organizimin e mësimit duke vendosur shenja dalluese nëpër shkollë dhe nëpër klasa për nxënësit.

 “Jemi të vetëdijshëm se po e marrim përsipër një risk për të hapur shkollat sipas procedurave që duhet të ndiqen në kushtet e pandemisë, andaj kërkohet kujdes ekstrem i prindërve, i nxënësve, i arsimtarëve dhe i komunave, që të mos kthehen shkollat në vend ku përhapet virusi”, tha kryeministri Hoti, i cili u bëri thirrje prindërve dhe arsimtarëve që të marrin udhëzimet e nevojshme, t’i udhëzojnë fëmijët, nxënësit për respektim të plotë të masave që janë përcaktuar në detaje nga ministri i Arsimit.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, tha se në kuadër të këtij Master-Plani janë konceptet për realizimin e mësimit për secilin nivel të sistemit arsimor, janë paraqitur skenarët dhe fazat se si do të fillojë viti i ri shkollor, e po ashtu janë përshkruar edhe përgjegjësitë e secilit institucion të përfshirë.

I pyetur nga gazetarët se cilat janë temat që do të diskutohen nesër në nivel të ekspertëve në Bruksel, kryeministri Hoti tha se ka një dakordim të përgjithshëm edhe me partnerët e koalicionit brenda Qeverisë, edhe me raportimin që ka bërë në Kuvend, se dialogun e zhvillojmë për njohje reciproke, për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

“Nesër diskutimet që bëhen në Bruksel janë pjesë e marrëveshjes finale për njohje reciproke, që adreson në takimin e mëhershëm çështjen e të pagjeturve, dhe nesër do të diskutohen çështjet e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve”, tha kryeministri Hoti.

Po ashtu, kryeministri Hoti është pyetur edhe për delegacionin e Kosovës që do të udhëtojë për në SHBA. Me këtë rast, ai tha se është duke u finalizuar edhe delegacioni që do të marrë pjesë atje, i cili kryesohet nga kryeministri, në bazë të kompetencave kushtetuese që ka. 

Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se do të tentojë që në delegacion të përfshihen të gjithë pa përjashtim, sepse kjo çështje është e rëndësisë më të lartë shtetërore, një takim që është pritur tash e sa kohë në Shtëpinë e Bardhë.

 “Unë sot për informimin tuaj kam dërguar letër edhe te partitë opozitare që të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë delegacion të Qeverisë së Kosovës në takimin në Shtëpinë e Bardhë dhe pastaj në takimin e ardhshëm të paraparë në fillim të shtatorit në Bruksel”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se është i hapur për të krijuar një ekip gjithëpërfshirëse të të gjitha forcave politike pa përjashtim, duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj teme, por duke mos i bartur kompetencat kushtetuese, por duke i ushtruar ato ashtu siç janë të parapara në Kushtetutë.

VITI I RI SHKOLLOR NË KOSOVË – TRE SKENARË NË KOHË PANDEMIE

-Qeveria miratoi Master-Planin dhe buxhetin shtesë për vitin shkollor 2020-2021. Mbledhja e 27-të e Qeverisë së Kosovës/

Prishtinë, 26 Gusht 2020-Gazeta DIELLI/

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e 27-të, të rregullt, në të cilën ka shqyrtuar dhe ka miratuar vendimin për përkrahjen institucionale dhe financiare për fillimin dhe realizimin e suksesshëm të vitit shkollor 2020-2021.

Vendimi i miratuar në mbledhjen e sotme është bërë sipas kërkesës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për përkrahje institucionale dhe financiare për fillimin dhe realizimin e suksesshëm të viti shkollor 2020-2021. Mjetet e nevojshme janë llogaritur në vlerë prej 9,515,384 euro.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paraparë format e mësimit në shkollë dhe e-mësimit, të cilat do të zbatohen në nivele dhe shërbime të ndryshme të arsimit para universitar dhe të cilat do të aplikohen varësisht nga skenari për të cilin do të përcaktohen autoritetet kosovare për zhvillimin e mësimit gjatë vitit shkollor 2020-2021.

Mësimi online dhe në distancë do të zhvillohet dhe publikohet paralelisht me aplikimin e skenarëve të ndryshëm për të qenë në dispozicion të të gjithë nxënësve në Kosovë edhe si formë rezervë në raste të situatave të paparashikuara.

Kabineti qeveritar ka miratuar gjithashtu edhe me Master-Planin e projektit për mësimin 2020, i cili shqyrton të gjitha format dhe mundësitë e organizimit të mësimit në vitin shkollor 2020-221. Dokumenti prezanton tre skenarë të ndryshëm, të mundshëm për organizimin e mësimit, sipas kushteve dhe situatave të ndryshme në institucionet e arsimit parauniversitar në Kosovë:

a)      Organizimi i mësimit në shkolla – kërkon investime në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim të shkollave;

b)     Mësimi i kombinuar (mësimi në shkolla dhe mësimi në distancë) – kërkon gjithashtu investim në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim. Kërkon angazhim e stafit ndihmës-rezervë duke përfshirë mësues, punëtorë teknik, mjek dhe psikolog. Ky opsion kërkon që njëkohësisht të zhvillohet edhe mësimi online.

c)      Mësimi online dhe në distancë – ky opsion kërkon sigurimin dhe blerjen e pajisjeve teknologjike dhe zhvillimin e mësimit online.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, bisedimet me Serbine, Qeveria Hoti, Shkollat ne Pandemi

Nënë Tereza: Nënë e jetës, dashurisë dhe e paqes

August 26, 2020 by dgreca

Disa mendime me rastin e 110-vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut-

Nga Don Lush Gjergji-

Nëna e jetës-

Nëna Tereze e ka çmuar, nderuar, dashur dhe përkrahur jetën e njeriut në çdo kënd dhe vend të botës,  prej ngjizjes deri te ofshama e fundit para kalimit në amshim, duke e mbrojtur nga kërcënimet dhe rrezikimet e ndryshme, me parimin e njohur të saj: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”.

Tradita jonë e mirë shqiptare mbështetet në pranimin e jetës dhe të familjes, në kujdes për fëmijë dhe për pleq. “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë” dhe “Mjerë ajo shtëpi që nuk ka pleq dhe fëmijë”.

Këtë parim ungjillor dhe  fryt të traditës sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, Nëna Tereze e ka shpallur dhe mbrojtur vendosmërisht  nga “Katedra e Paqes” në ditën e marrjes së Shpërblimit Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979).

Kështu Shenjtëresha jonë ka dëshmuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, si përgjigje më të mirë ndaj frikës së jetës së re, fëmijës, dhe braktisjes së të moshuarve, duke i “varrosur” ata për së gjalli, edhe para vdekjes. Kjo dukuri është vetëshkatërrimi i të ashtuquajturës  botës së të pasurve material, pra, kultura e vdekjes, varfëria dhe të mjerimi  shpirtëror i botës së sotme.

Jeta është e rrezikuar edhe nga varfëria, sëmundjet, mungesa e shkollimit dhe kulturës, mospërfilljeve, sidomos sot nga egoizmi, materializmi, konsumizmi, hedonizmi dhe ateizmi praktik, që njeriun e trajton më shumë si gjësend, objekt,vegël pune dhe përfitimi,  se subjekt, person, qenie njerëzore, edhe më pak vëlla apo motër.

Mu për këtë Nëna Tereze ka thënë: “Sëmundja më e rëndë nuk është gërbula apo kanceri, por mungesa e kujdesit dhe dashurisë, vetmia… Shërimi i vetmisë është dashuria”.

Feja dhe dashuria e frymëzonin dhe aftësonin Nënën Tereze për dashuri flijuese dhe dhuruese, pa asnjë dallim dhe përjashtim, si Nënë universale. “Nuk ka asnjë sëmundje që mund ta shëmtojë njeriun aq,  saqë  unë në të mos ta njoh Njeriun, Vëlla apo Motër, edhe më tepër vetë Jezusin…”.

Nëna e dashurisë

Jeta ka kuptim, shije, bukuri, lumturi vetëm në dashuri. Burimi i jetës dhe dashurisë, në veçanti për Nënën Tereze, është Zoti – Dashuri, që na ndihmon, udhëzon, aftëson për takim, afrim dhe bashkim me Vëllain apo Motrën Njeri.Ajo me dorën dhe zemrën e saj na ka shkruar dhe dhuruar këtë porosi: “Dashnija fillon n’familje  Dhe familja qi lutet bashk, mbetet bashk”.

Nëna e paqes

Porosia e saj për të gjithë ne është kjo: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”. “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.”  “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Në këto tri shtylla mbështet e tërë jeta dhe vepra e Shën Nënës Tereze.

Porositë e Shën Nënës Tereze për paqe mund të përmblidhen në këto qëndrime dhe parime:

“Për ta mbajtur që ndezur një llambë, duhet vazhdimisht të shtojmë vajin”.

“Nëse gjykon dikë, nuk ke kohë për ta dashur”.

“Në këtë botë mund të bëjmë shumë pak. Atëherë të bëjmë  vepra të vogla me dashuri të madhe”.

“Një buzëqeshje e vogël është fillimi i paqes”.

“Mos të përdorim armë për ta fituar luftën. Arma jonë është mirëkuptimi dhe dashuria”.

“Buzëqeshu së paku pesë herë në ditë. Dikush ka nevojë për ty dhe për buzëqeshjen tënde”.

“Dikush më pyeti:  “Çka mund të bëj unë për paqe? I thashë kështu: “Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde”.

“Paqja fillon në mua dhe në ty, në ne. Me Zotin Dashuri dhe vëllain apo motrën njeri, ne jetojmë në paqe dhe jemi bartësit, dëshmitarët e paqes”.

“Dashuria është përgjigjja e vetme për vetmi. Ajo e shëron vetminë”.

Deri tash ndoshta ne e kemi njohur, nderuar dhe dashur Bijën, Motrën, Nënën, Shenjtëreshën tonë Terezen, si emër, si shqiptare, si përfaqësuese të Kishës dhe Popullit tonë shqiptar. Tash, pas shenjtërimit të saj, në praninë e gjakut – reliktit të gjakut në Shenjtërore dhe Katedrale, ajo na thërret, pret dhe frymëzon për jetë me Zotin dhe me të afërmin, për dashuri dhe paqe, që buron nga ndërgjegjja dhe zemra e pastër, me ndihmën e Zotit dhe përkrahjen vëllazërore./drita.info

Filed Under: ESSE Tagged With: don Lush Gjergji, Nene Tereza

LIBRI”SI MBIJETOVA NË FERRIN KOMUNIST”, NË BIBLIOTEKËN E VATRËS

August 26, 2020 by dgreca

Sot, e Mërkurë 26 gusht 2020, gazetari Sokol Paja, dhuroi për bibliotekën e Vatrës librin e autorit Saimir Maloku”How I Survived in the Comunist Hell”- The confessions  of a former polical prisioner  accused with his father of being together as potential agents of the British Intelligence Services- ”Si Mbijetova në  Ferrin Komunist”- Rrëfimet e një ish-të burgosuri politik i akuzuar së bashku me babanë e tij edhe se agjentë të mundshëm të Shërbimeve Sekrete Britanike). Libri është dhuratë nga autori, botim”ERMAL”, Tiranë 2020.

Në shenjë falenderimi, po ripublikojmë shkrimin e gazetarit të Diellit Sokol Paja.

***

Saimir Maloku, një rrëfim për tmerrin dhe ferrin komunist

NGA SOKOL PAJA-DIELLI

“Të arrestohet menjëherë. Është armik i poshtër”. Ky shënim i Mehmet Shehut në kartelën personale në degën e Sigurimit të Shtetit, do ti ndryshonte jetën përgjithmonë tragjikisht Saimir Malokut dhe familjes së tij. Nga ky shënim i kryeministrit komunist do të fillonte një kalvar vuajtjesh e persekutimi i pashëmbullt. Saimir Maloku sot përbën një dëshmi të gjallë të vuajtjes dhe mbijetesës në ferrin komunist shqiptar. Maloku me ekzistencën dhe tregimin e ferrit të tij, përpiqet të na rrëfejë e dëshmojë  mizorinë e komunizmit, pashpirthmërinë, ligësinë, çmendurinë, paligjshmërinë e sistemit, torturën e dhunën dhe mbi të gjitha ashpërsinë e egersinë deri në kafshëri të sistemit komuniste që tmerroi shqiptarët për 50 vjet. Saimir Maloku u akuzua prej regjimit komunist si spiun i 17 vendeve kapitaliste dhe agjent i anglezëve në veçanti. Me profesion inxhinjer elektronik në ushtri, Saimir Maloku u përndoq, u hetua, u shantazhua nga 120 spiunë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe 9 hetues të regjimit. Saimir Maloku vuajti 9 vjet në burgjet më të egra dhe më të frikshme të diktaturës. Përveç dënimit, Maloku familjarisht vuajti po kaq vite survejim, gjurmim, përgjime dhe inskenime nga Sigurimi i Shtetit, bisha e tmerrshme që mbante në këmbë diktaturën staliniste nëpërmjet frikës, panikut, përndjekjes, dhunës, arrestimeve dhe tmerrit që ajo shkaktonte ngado.  Pas gjyqit të fals, Saimir Maloku u mbajt për 200 ditë nën tokë, nën ujë e baltë i fshehur prej komunistëve, në një kohë që familja e kërkonte në të gjitha burgjet e Shqipërisë. 

Fatin e keq të Saimir Malokut e patën shumë shqiptarë të cilët edhe për 1 fjalë goje të pathënë dhe dy dëshmitare të sajuar, dergjeshin burgjeve e kampeve të punës me 10 vite në birucat e frikshme të regjimit diktatorial.  Saimir Maloku u burgos për 9 vite nga ish-Sigurimi i Shtetit nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës për shkak të shpikjes së një pajisjeje Kanoçe që shërbente si antenë televizioni për të parë stacione të huaja për të cilat komunizmi i ndalonte rreptësisht. Në komunizëm duhej parë dhe ndjekur vetëm ato që thoshte partia e punës. Çdo tentativë tjetër të dërgonte direkt në burg. Nëse nuk i bindeshe partisë, ishe armiku më i poshtër i klasës dhe pushtetit, partisë e popullit. Komunizmi kontrollonte gjithçka e çdo gjë deri edhe te shijet e njerëzve. Gjithçka që nuk mirtohej nga partia-shtet shpallej e ndaluar, e rrezikshme dhe e dënueshme. 

Pjesën kryesore të dënimit politik Saimiri e kaloi në kampin politik të minierës së Spaçit dhe më pas të Burrelit e Ballshit. Drama e Saimir Malokut nuk mbaron këtu: për të njëjtin “krim” i arrestojnë dhe të atin Reshit Maloku por Sigurimi i Shtetit e anulloi dënimin me burg për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore pasi Reshiti ishte i paralizuar dhe në pamundësi lëvizje. Absurdi në familjen Maloku qëndron në faktin se u terrerizua e gjithë familja dhe se i ati edhe pse kishte 2 vite që kishte vdekur, prapë se prapë ndiqej nga Sigurimi i regjimit komunist me dosje speciale.  Komunizmi u shëndërrua në një një mallkim që të ndiqte edhe në varr. Për një krim që nuk e kishte kryer asnjëherë, Saimir Maloku u gjend në një gjyq komunist teatral pa flet akuzë, pa familjarë të pranishëm, pa avokat dhe ndërsa torturohej pak para fillimit të gjyqit i thuhej të firmoste dhe të pranonte çfarëdo ishte shtruar në dokumentat gjyqësorë se ndryshe do vritej ai dhe do i zhdukej familja. Mes vuajtes mizore, prapë se prapë Saimir Maloku qëndroi duke mos u dorëzuar asnjëherë. Me orë të tëra Saimiri u mbajt i lidhur këmbësh e duarsh. Qëndroi me orë të gjata i lidhur teksa goditej mizorisht prej hetuesve. Maloku nuk pranoi akuzën dhe për këtë fakt hetuesit e rrahën barbarisht duke i thyer nofullën, dhëmbët, gjymtyrët dhe gjaku më shpërtheu gjithndej- rrëfen Saimir Maloku në librin e tij. Katër ishin gjërat më të dhimbshme e më të tmerrshme në burgjet komuniste sipas Saimir Malokut: dhuna, tortura, uria dhe shkëputja më familjen. Mes dhimbjesh dhe vuajtjesh, Saimir Maloku tregon se lehtësim prej Zotit, mes tmerrit komunist, në burg kishim disa nga priftërinjtë dhe klerikët më të mëdhenj të Kishës Katolike të cilët ishin profesorët tanë, baballarët tanë që na drejtonin, orjentonin e këshillonin sesi të silleshim në burg dhe të ruheshim nga provokimet e Sigurimit në burgje, miniera, galeri e kampet e punës së detyruar. Bashkëvuajtës të Saimir Malokut ishin Dom Simon Jubani, At Zef Pllumi, Imzot Frano Ilia, Dom Ndoc Sahatçija, Kardinal Ernest Simoni, Kardinal Mikel Koliqi, Dom Nikollë Mazreku etj. Dëshmi persekutimi në ferrin komunist si e Saimir Malokut e shumë shqiptarëve që vuajtën padrejtësishtm janë pasyrë e errët e tmerrin dictatorial. Nxjerrja në dritë e kësaj errësirë makabre është një çlirim jo vetëm për shpirtin e atyre që vdiqën por edhe të atyre që qëndruan heroikisht si Saimir Maloku e mijëra bashkëvuajtës të kohës.(Dielli, 21 Maj 2020)

Filed Under: Histori Tagged With: Biblioteka e Vatres, Ferrin Komunist, Saimir Maloku

LIBRI

August 26, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi-Teoritë zakonisht lindin të parat, por ndonjëherë ato nuk arrijnë të kapërcejnë paqartësitë e botës reale, ose shpesh e bëjnë më të turbullt. Historia është shkruar jo nga më i forti, por nga më i çuditshmi. Franz Boas, themeluesi i antropologjisë moderne amerikane, citohet të ketë thënë se, njeriu nuk gënjen kurrë për hedhurinat e tij. Dhe ka të drejtë: një pjesë e madhe e asaj që dihet për të kaluarën e njerëzimit vjen nga përmbajtja e grumbujve dhe gropave me plehëra. Zbulimi i ri se libri në formën e sotme ka ekzistuar 2500 vite më parë është për shkak të gërmimit të plehrave, zhvarrosjes së një qyteti që zgjeroi kuptimin e njeriut për kulturat letrare të Egjiptit, Greqisë dhe Romës së lashtë.Në fund të vitit 1896, dy arkeologë anglezë Bernard Grenfell dhe Arthur Hunt u nisën nga Oxfordi për në fshatin egjiptian El-Bahnasa, në jug të kryeqytetit të Memfisit të lashtë. Ata u vendosën në një degë të Nilit të quajtur Bahr Yusuf (Kanali i Josifit). Arkeologëve u tërhoqën vemendjen përrallat që rrëfenin banorët e fshatit, ku dikur shtrihej qytetit i lashtë Oksyrhynshus, i cili pas pushtimit nga Aleksandri (v. 320 pes) u bë kryeqytet provincial me rreth 20,000 banorë.Si tani, qyteti kaq i madh prodhoi edhe një sasi të konsiderueshme plehërash, në pjesën më të madhe në formë dokumentesh, dhe tekstesh të tjera të hedhura. Diku midis qytetit dhe fermave të ujitura që e rrethonin ndodhej një rrip i pakultivuar toke, ku banorët hidhnin mbeturinat, të sigurt se rëra e shkretëtirës do t’i mbulonte. Grumbujt e plehërave u rritën e u rritën gjatë shekujve, u bënë tuma, duke krijuar një peizazh me kodra dhjetëra metra të larta.Pas një viti, Grenfell e Hunt u kthyen në Britani, dhe zbulimet i publikuan në një vëllim me titull Oxyrhynchus Papyri. Në sezonin e parë të gërmimeve ata zbuluan fragmente nga poetja Sappho; kopjen më të hershme të njohur të Ungjillit të Mateut; një libër me titull ‘Veprat e Palit dhe Thedas’ që janë biseda të Apostullit me besimtarë. Gropa me dokumente shtrihej 10 metra poshtë në tokë, të ruajtura nga rëra mbrojtëse dhe klima e thatë.Pas disa vitesh në gërmime gjetkë, Grenfell dhe Hunt u kthyen në Oxyrhynchus dimrin e vitit 1903-1904 dhe përsëri çdo vit deri në vitin 1907. Në fund ata rikuperuan gjysmë milioni copa të ndara papirusesh, duke i botuar në vëllime vjetore. Më 1920, Grenfellit vdiq. Hunt vazhdoi i vetëm punën deri sa edhe ai vdiq në vitin 1934; vëllimi i 70 i Oxirhynchus Papyri u botua në 2014, dhe përgatitësit parashikojnë më shumë se njëqind vëllime.Gropa e Oxyrhynchus është elefanti në dhomën e papirologëve. Më shumë se gjysma e të gjitha papiruseve që kanë mbijetuar deri në shekujt e IV kanë dalë nga grumbujt e hedhurinave për rreth Elbahnasit, dhe pesha e provave vazhdon të ushtrojë një tërheqje të fuqishme për ata që studiojnë shkrimin, letërsinë dhe kulturën antike. Por po aq intriguese sa ishin përmbajtjet e poezive të humbura, shkrimeve fetare dhe letrave personale, edhe paraqitja fizike dhe forma e tyre janë po aq të rëndësishme. Deri kohët e fundit, historianët ishin të bindur se libri i parë doli diku gjatë shekullit IV të erës sonë, dhe, duke pasur parasysh që një pjesë e vogël e librave që mbijetuan nga ajo kohë ishin bërë të gjitha me pergamene, supozohej se shpikja e librit me fletë kishte shoqëruar rënien e shkrimeve në papiruse.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, libri

TERRIN MES DY DRITAVE S’E DURON YLLI QË SHKOQET, AS NJERIU-Martin Camaj

August 26, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli-

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpg“Ex Malo Bonum”, është një citim latinisht nga Shën Augustini, që në shqip mund të përkëthehej se, nga një e keqe vjen diçka e mirë. Nga fillimi i muajit korrik qe botuar një shkrim nga Auron Tare për Ernest Koliqin dhe Martin Camajn, një “studim”, siç u quajt nga disa, që akuzon Koliqin dhe Camajn si poliagjentë dhe kollaboracionistë të forcave më të errta anti-shqiptare.  “Studimin” e botoi portali nga Nju Jorku, Peisazhe të Fjalës.  Bazuar në absurditetin e akuzave dhe aludimeve të Auron Tares, për nja dy javë, “studimi” i Auron Tares u bë çështje e ditës, media shqiptare, përfshir televizionin– sikur nuk kishte halle më të mëdha për shqiptarët– i kushtonte kohë dhe hapësirë, nga nata në natë.  Auron Tare për pak kohë u bë “TV star”, si rrjedhim i akuzave dhe aludimeve të tija pa bazë. 

                                                   Martin Camaj

Këtyre zërave, modestësisht, iu bashkova edhe unë në atë kohë duke thënë se megjith pretendimet e Tares, “studimi” i tij nuk sillte asgjë të re, që nuk dihej më parë.  Për më tepër, mua dhe shumë të tjerëve, na u duk se pretendimet e Auron Tares ishin një shpifje me qëllim baltosjen e këtyre dy shkrimtarëve. Aludimet dhe të pretendohej se këta dy shkrimtarë të njohur të kombit shqiptar ishin poliagjentë dhe anti-shqiptarë, mu duk mua dhe shumë të tjerëve si diçka që kishte dalur nga tryeza e Enver Hoxhës, në kulmin e luftës së ftohtë.  Me atë rast, thashë gjithashtu se shkrimi ose “studimi” “Dritëhije në Histori” i Auron Tares, botuar në portalin e Ardian Vehbiut, “Peisazhe të Fjalës” në Nju Jork, nuk ishte as i “rrallë”, as “origjinal”, siç pretendohej nga autori dhe botuesi.

Sidoqoftë, debati rreth këtij “studimi”, ishte ai që ishte, me qëndrime pro nga autori dhe botuesi dhe ndonjë mbështetës i tyre, që si duket mezi kishin pritur rastin të hedhnin baltë kundër dy shkrimtarëve të njohur shqiptarë—ndërkohë që shumë të tjerë shprehën pikëpamjet e tyre kundër “studimit” të Auron Tares, për mungesë dokumentacioni dhe sidomos, për interpretimet dhe aludimet dashakeqëse, pa mbështetje dokumentacioni.

Por, siç ka thenë Abraham Linkolni, në fund të fundit “E vërteta është, zakonisht, mbrojtja më e fortë dhe më e mirë kundër shpifjeve”.  Zot ruajna prej atyre që të mirës i thonë e keqe dhe të keqës të mirë.  Por, siç ka thënë edhe Shën Augustini, shpesh ndodhë që edhe nga një e keqe – siç ishin shpifjet publike të Auron Tares kundër Koliqit dhe Camajt—ndodhë që vjen diçka e mirë.  

Në këtë ndërkohë, me të thenë të drejtën, u gëzova kur mora vesh se Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991, (AIDSSH) ka në plan të organizojë, këtë javë, një tryezë të rrumbullakët me rastin e 95-vjetorit të lindjes (21 Korrik, 1925).  Specifikisht, në njoftimin e AIDSSH thuhet se, “Në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, AIDSSH me partnerë, organizon tryezën e rrumbullakët, “95 vjet Martin Camaj – vepra dhe përndjekja”, me pjesëmarrjen e familjarëve, bashkëpunëtorëve akademikë, studiuesve brenda dhe jashtë vendit e institucioneve publike.

Më 28 gusht, ora 18.00, live nga Pallati Presidencial në Tiranë.”, thuhet në njoftimin e botuar në faqen fejsbuk të AIDSSH.  Ndërkohë, AIDSSH kërkon nga të interesuarit se, “Për shkak të interesit të lartë për pjesëmarrje në tryezën e rrumbullakët “95 vjet Martin Camaj – vepra dhe përndjekja” dhe kufizimeve të detyruara në kushtet e përhapjes së COVID-19, të interesuarit që marrin pjesë në aktivitet janë të lutur të dërgojnë email të konfirmimit të pranisë së tyre në info@autoritetidosjeve.gov.al brenda datës 27 gusht 2020, e enjte.

AIDSSH njofton gjithashtu se ashtu siç është lajmëruar edhe më heret, aktiviteti do të transmetohet “live” nga AIDSSH dhe media të pranishme. 

Image may contain: text

Concept & Grafic Design: Henrik Lezi 

Uroj që tryeza e rrumbullakët  e AIDSSH për Jetën dhe Veprimtarinë e Martin Camajt, të hedhë dritë mbi shpifjet dhe aludimet propagandistike të ish-regjimit komunist, në përgjithësi si dhe të atyre nostalgjikëve modernë të atij regjimi, të cilët duan që me çdo mjet të baltosin dy figurat më të njohura të letrave dhe historisë shqiptare.  Por, mbi të gjitha, uroj që qëllimi dhe përfundimi i kësaj tryeze të jetë zbardhja e të vërtetës, për jetën dhe veprimtarinë e Martin Camajt – përfshir edhe akuzat dhe aludimet e kohëve të fundit kundër tij — sepse këtë do të donte edhe ai vet – të vërtetën, me të gjitha të mirat e të këqiat, asgjë më pak as më shumë se të vërtetën!  Që drita e së vërtetës të zëvendësojë terrin e akuzave djallëzore të kundërshtarëve të tij, “shpend mishngranës me fytyrë njerëzore”, sepse “Terrin mes dy dritave ‘s’e duron ylli që shkoqet, as njeriu…” Martin Camaj.  

Ismail Kadare e ka quajtur Martin Camajn, “Shkrimtari i Lartësive, që i ka strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi që iu siguronte pavarësinë.  Ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”, ka shkruar Kadare.  Fatkeqësisht, “katrahura shqiptare”, të cilës i referohet Kadare – sidomos në fushën politike dhe letrare – është ndoshta më e theksuar sot se kurdoherë tjetër që prej kohës së komunizmit.  Sot më shumë se kurrë, në këtë rrëmujë në të cilën ndodhet Shqipëria dhe bota shqiptare, thirrja e Camajt për “Afrim të Shqiptarëve”, është më aktuale se kurrë.  Uroj që pjesëmarrësit — në tryezen e rrumbullaktë të enjtën në Tiranë, për jetën dhe veprimtarinë e Martin Camajt, organizuar nga AIDSSH – të dalin nga ajo konferencë më të bashkuar në përpjekjet e tyre, për të hedhë më shumë dritë mbi të vërtetën dhe më jo baltë mbi jetën jetën dhe të veprimtarinë e Martin Camajt.

Frank Shkreli 

Image may contain: text

Për një mendim ndryshe, për personin dhe dosjen e Martin Camaj, mund të ndiqni një intervistë me të Sonila Boçi Pepivani, Akademia e Studimeve Albanologjike, të Fatmira Nikollit në News24:

Përmbledhje e shkurtër e intervistës nga News 24: Martin Camaj, në dritë dosja e shkrimtarit — Sonila Boçi: Dosja e Camajt, jo e zakonshme “Nuk eshtë dosje bashkëpunëtori, por të përndjekuri”.  Historianja: E kanë arrestuar që ta perdornin.  Dokumenti, “Camaj bashkëpunetor nën detyrim” “Dosja nuk flet për torturë, thuhet u mor me force” Boçi: Dosja thote qe Camaj e dezinformoi Sigurimin “U arratis me ata qe i kerkuan te denonconte” “Komiteti i Prizrenit? Nuk del roli i Camajt atje” “Permendja e Camajt dhe roli jane gjera te ndryshme” Camaj zero marredhenie me Politiken.  Boçi: Camaj agjent? Do te ishte krejt atipik! Boçi: Ne dosje ngaterrohen faktet me opinionet, “Dosja e Camajt nuk ka fakte, duhet vërtetuar” Sonila Boçi: Çmitizim? Atdheu e partia ishin një.  Boçi: Po të ishe kundër partisë, ishe tradhtar –Sonila Boçi, historian.  Gazetare, Fatmira Nikolli

Një bashkëpunim i #IH_ASA me #AIDSSH

Fatmira Nikolli Sonila Boçi Pepivani Akademia e Studimeve Albanologjike- faqe zyrtare News 24

Martin Camaj, ne drite dosja e shkrimtarit Sonila Boçi: Dosja e Camajt, jo e zakonshme “Nuk eshte dosje bashkepunetori, por te perndjekuri” Historianja: E ka…

                    

YOUTUBE.COM

Martin Camaj në dritë – dosja e Sigurimit për shkrimtarin, përndjekje, detyrim e letra anonime.  Sonila Boçi: Dosja e Camajt, jo e zakonshme “Nuk është dosje bashkepunëtori, por të përndjekuri”  

Poezi nga Martin Camaj

VRASJA E POETITI

Liria e fshehun ndër vargje
të poezisë
nuk ishte vetëm:
para tyne rrishin galuc roje
shpend mishngranës
me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë
tue u rropatë ka drita në qelq,
andej kufijve të botës
njerëzore.

SHKUSHULLIM

Kush iu kujtue territ që bie në luginë mbas fikjes së yjve
para agimit?
Shkatrruesi i vetes, nji krip-bardhë
e gjeti se koha e mungët
mes dritave
i hyn në palcë gurit
dhe ashtit njerëzor.

Terrin mes dy dritave
s’e duron ylli që shkoqet,
as njeriu.

Image may contain: text

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, Terrin mes dy dritave, Ylli qe shkoqet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT