• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2021

KUJTESA-101 VITE- NGA LUSHNJA NË WASHINGTON, LETER PRESIDENTIT WILSON…

January 21, 2021 by dgreca

101 VJET KONGRESI I LUSHNJES OSE PAVARËSIA E DYTË E SHQIPËRISË/

nga Visar Zhiti/Ashtu si  Pavarësia e Shqipërisë, shpallja e shtetit modern shqiptar, edhe Kongresi i Lushnjës ose pavarësia e dytë e Shqipërisë e kaloi shekullin nga dita kur nisi, 21 Janari i 1920.  

Flamuri I Kongresit/

Gjëndja e Shqipërisë në kohën e këtij Kongresi jetik ishte e rëndë, alarmante, e rrëmujshme dhe e paqartë nga brenda, varfëri dhe përçarje; kurse nga jashtë, teksa ishin ende gërmadhat dhe plagët e Luftës së Parë Botërore, vinin kërcënime aggressive. Dukej sikur nanxharët e një kasapapne po mpriheshin sërish për ta copëtuar sërisht Shqipërinë, njëherë e përgjithmonë. 

Ndërgjegjia e kombit dhe kushtrimin skenderbejan. Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat e vëndit, kush e ndjente e mundëte, nga ata që kishin bërë emër, nga paria, kryengritës a nëpunësa, që kishin qenë në Vlorë 8 mote më parë në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Europë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin sakrifikuar për vendin, duke lenë pasuri dhe gjak, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të paktat që ishin atëhere, të ngadalta gati sa qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet e natës, nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja, që hazdisnin trojeve tona.

“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Qeveria heroike dhe halle madhe e Ismail Qemalit ishte shprishur. E si u lajmëruan shqiptarët të mblidhen në Lushnjë? Si u përcoll lajmi 101 vjet më parë, në vendin më të varfër në Ballkanin e trazuar, ku mungonin posta, institucionet, universitetet, trenat, media,  shteti vetë, etj, etj? Si kaloi lajmi nëpër erë, me ç’frymë?

Dësmori i parë ra, Abdyl Ypi. Por u bashkuan burrat, të palodhur nga lodhaj. Teksa i priste një lodhje tjetër, madhështore. S’i caktoi kush delegatë, veç ndërgjegjia dhe përgjegjësia. Thirrja nga thellësitë katakombeve të Kombit. Pra, jo me vota, pa e blerë besimin, por sipas bëmave dhe përkushtimit dhe arritjeve. U mblodhën si oligarki morale, jo për të bërë pasuri, por përkundrazi, duke humbur nga e tyrja, veç “të bënin Shqipëri”, siç këdohej drmatikisht atëhere..

U mblodhën në Lushnjën e vogël, ende katund, në sarajin më të shquar, atë Fugajve. Qëllimi ishte që jo vetëm të gjykonin kohën, por të vendosnin se ç’duhej bërë në ato rrethana të rënda e me rrezikun mbi krye, jo vetëm të tyre, por të Shqipërisë, dhe të vepronin menjëherë, me qendresë e luftë, edhe me diplomaci, duke përcaktuar aleatët, nëse do të kishte përreth, atëhere më tutje, përtej oqeanit, pra ata që do të mund të ndihmonin në shpëtimin e Vëndit. Se gjysma e trojeve i ishin marrë. Të ruhej ajo që ishte, gjithmonë mëma Shqipëri. 

Ku e gjeti forcë që të siguronte mbrojtjen e Kongresit një emëri, pothuajse i panjohur, Sulë Zdrava, me luftëtarët e vet, me atë pushkë që kishte marrë pjesë dhe në Rrethimin e Shkodrës apo kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë?

Kongresi i Lushnjës në 10 ditët e punimeve të tij, ribëri shtetin shqiptar, caktoi kryeqytetin, Tiranën, Kryeministrin dhe Qeverinë e tij për t’i dalë zot vendit. Institucionet dhe detyrat nga ideale u bënë mundësi e vërtetë. Shqipëria po shpëtonte sërish. Mrekullia u arrit. Me guxim dhe mënçuri, mbi të gjitha nga fryma e përbashkët e të gjithave, që vinte nga kohërat dhe varret, por dhe nga e ardhmja. 

         Ka një 101 vite që ecin delegatët e atij kuvendi, arrin bëma e tyre dhe fjala e tyre në ditët tona, e arkivuar, ndërsa qeverive të tanishme u del si detyrë jo vetëm që t’i njohin thellë dhe t’i përkujtojnë, jo thjeshtë si histori, por t’i kthejnë në përvojë e mësime. 

         Lushnja me kryetarin e saj të Bashkisë, fatos Tushe, ta kthejnë Shtëpinë e kongresit në tempull të patriotizmit, ku të bëjnë pelegrinazh gjeneratat e reja… 

                         Delegat:e të Kongresit të Lushnjes (1920)

Presidenti amerikan Wilson…

Duket e çuditëshme! Sa largpamësi ruan ky fakt!  Kryetari i Katundarisë së Lushnjës, gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 17.3.1920, dërgon një letër në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit.

Letër e mrekullueshme, e sinqertë, e qartë, me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet dinake kancelareske, e urtë dhe me dije, e bukur, vizionare për të ardhmen. 

Përfytyroj gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që i thoshin me zë, hiq këtë, shto këtë, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë llafin, “e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale”, etj, etj. Kërkonin njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të planeve ziliqare të copëtimit të mëtejshëm.

         Letra është e shkruar me dorë, me pendë a stilolaps mbase dhe pastaj është transkriptuar dhe gjendet në Arkivin e Shtetit. Meriton vëmendjen e mëtejshme të studiuesve. Por dhe të politikanëve dhe lidershipit. Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së ndrit si yll polar. Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipëria quhet Mëmë dhe dhimbja therëse për Kosovën dhe Çamërinë, për token dhe detin. Ja, teksti i saj i plotë, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim:

Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikes

I Shteteve të Bashkuem Vashington.

Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.

I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.

Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike. 

Kryetari Katundaris së Lushnjës

Lushnjë, më 17.3.1920

                                       Presidenti i SHBA, Wilson

                   Letra e Lushnjes për Presidentin e SHBA

Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Shqip? Po kush e përktheu? Ç’do me thënë ‘Kryetar i Katundarisë’? A, qenka Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Mes atij analfabetizmi të madh, varfërisë e malarjes e trallisjes kombëtare, si iu arrit kësaj largpamësie, me ç’mister dhe ç’engjëll i mbronte? 

Le të shohim një nga kronikat e kohës, shih, ç’thuhet: 

 “…në fillim të vitit 1920, Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre duke thënë që ‘populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten’. Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, ‘padrejtësinë’ ndaj popullit shqiptar.” 

Në kryeqytetin që caktoi Lushnja, në Tiranë, u ngrit më së fundmi në shtatorja e Presidentit Wilson në sheshin që iu dha emri i tij në 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por po në atë bronz meriton të derdhet dhe kjo letër-institucion, që gjendet në Arkivin Qendror dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit, në Muzeun Kombëtar në Tiranë, pse jo dhe në Parlamentin Shqiptar.

DRAMA E FRYMËS SË KONGRESIT

                     Hekuran Zhiti – Autor i Drames “Te mblidhemi në Lusnje”

Vetë Kongresi i Lushnjës është një dramë në skenën e Shqipërisë, por dhe për atë ka një dramë të shkruar, që s’është vënë ende në skenë, e një gjysmë shekulli më parë, mbase e vetmja, që sjell më së miri atë frymë e popull. 

Është vepër e dramaturgut Hekuran Zhiti, aktor në Teatrin e Estardës së Lushnjës, tashmë “Qytetar Nderi” i atij qyteti, kur një rrugë mban emrin e tij.

Drama “Të mblidhemi në Lushnjë” ishte menduar të vihej në skenë në kushtet e atëhershme, në Lusnjë, plot mangësi. Nis me persoanzhet vendas, të trilluar dhe realë si Vath Plugu dhe Bajrami, i njohur në Lushnjë si Xha Bami, korrieri i Kongresit  dhe shkon te delegatët, përfaqësues të krahinave të vendit, figura historike si Sheh Karbunara, Plaku i Butkës, Delagati i Matit, më i riu që bëhet minister e brendshëm e deri te Kryetari i Kongresit, Elbasan Pasha, quhet në dramë, etj. Milicë shqiptarë e ushtritë të huaja aty. Ka persoanzhe ushtarë e oficerë italianë, ndonje filogrek, etj, etj. Si një mister në dramë ndjehet mbështetja amerikane, fryn si një fllad shpresëdhënës. Fundi i dramës është një magjistrale patriotike. Çahet rrethimi për të mbërritur në kryeqytetin e ri, në Tiranë, për të shkuar në ardhmëri…

Harrimi i dramës i bën dhe më të mëdha mangësitë. Arriti të botohet postume nga editori “Uegen” me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit dhe të ribotohet me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës, shoqëruar me një studim nga botuesi, historinai Xhevair Lleshi. Në gjimnazin e Lushnjë nxënësit e vunë në skenë për veten e tyre dramën e kongresit. Akt prekës, por vetëm kaq.

Si një vazhdim emocional po sjellim këtu pak nga fryma e dramës, nga akti i tretë dhe i fundit.

Në Kongres:

(Salla me 10 ose 12 sërë karrikesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut dhe të Jugut dhe disa me kostume europiane, barsolina e gravata e çanta, janë shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar…

Lushnjarë e bashkë me ta e të tjerë të armatosur, Vathi, Bajrami, Vrenozi, Thimiu, etj., si roje rrinë pak larg, hyjnë dhe dalin.

Zera:

– …kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe…

– E madhe shtëpia… e mblodhi Shqipërinë…

– …nuk kanë mbrritë të gjithë…

– …ku ishit mbrëmë?

– Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me rradhé dhe dilnin bënin roje me pushkë jashtë shtépisé…

– …kush e kishte Korçën, grekërit apo fracezët?

– Francezët për grekërit…

– Shiko Plakun e Butkës… legjendarin…

– … sa kohë që s’jemi parë? Qysh në Vlorë,

– …atë ditë kur u ngrit flamuri…

– A fillojmë, burra? Koha nuk pret…

– I përndershmi Sheh Karbunara do t’i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë… ogur i mirë… në mbrojtje nga të papriturat e shumta… ka kaq trazira…

(Të gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas menyrës së vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë gjunjëzohet, mërmërisin, etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem…

-Përfaqësuesi i Lushnjës ta marrë fjalën… Zoti Vokopola nise…

Përfaqësuesi i Lushnjës – Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar, lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim një betejë, sot më 21 Janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej… (emocionohet) Zini vendet… në këtë sallë… por dhe në ngjarjet që na presin…

Ia jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë, Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e më mëdheut. Urdhëroni!

Elbasan Pasha (I moshuar, me pak mjekërr të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.) Të dashur qytetarë, delegatë nga i gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta), luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju falenderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parave. Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet!

Duartrokitje.

Zotërinj, jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mespërmes pushtonjësve të Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat e shtigjet e humnerat, se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e lanë atdheun tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.

Kam kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qënë këtu ai dhe të gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para gjithë të rënëve dhe martirëve të Kombit…

Të gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë…

Pas përfundimit të Kongresit të Lushnjes

Kryetar (i porsazgjedhur) – Të vazhdojmë më tej… të formojmë komisionet, që tani, të ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe… Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision të posaçëm prej 5 vetash… Hë, të presim… për të mos pritur…

Delegati i Matit – (ngrihet) Unë jam për sulm, i përndershmi Sheh!

Zera – Me shka, me çfarë?

Delegati i Matit  – Me armën e diplomacisë, me diplomacinë e armëve.

Delegati i IV – Konkretisht: burra, gra, djem e pleq, me spata e me hunj, me armët që kemi, të përzëmë armiqtë nga toka jonë. Të hedhim si leckë qeverinë e sotme, që nuk bën për sot. (Duartrokitje)

Kryetari – Traktatin e Fshehtë të Londrës… Kongresi e hedh poshtë me vendosmëri duke përgatitur një protestë energjike për Konferencën e Parisit.

Kjo bëhet në emër të Asamblesë së Kombit në Lushnjë, kundra vendimeve të Francës, Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Sërbisë e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon): Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit të gjakut të tyre kundra çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë dhe tërësinë e saj tokësore…

Ndizen drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon punën…

Sheh Karbunara – Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtetet të tjera të robëruara, zotërinj, kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania… Edhe ne. Shtet i vjetër, qeveri e re!

Rojet e Armatosura – Rroftë Qeveria e re!… (Duartrokitje)

Nënkryetari – Të përgatiten tekstet që do t’i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!

Plaku i Butkës – T’i drejtohemi Parlamentit italian, por jo me ton të butë, kështu m’u duk se dégjova, me lal e me lule ose me tryla si thotë myzeqari. Me spatët dardharit siç e përdorin nga Korça…

Përfaqësuesi i Matit – Shkronjat duhet të bjenë erë barut!….

Vrenozi – Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.

Delegati IV – Populli është mbret vetë dhe s’ka nevojë për mbretër, sulltanë e perandorë.

Kryetari – Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.

Delegati II – Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika, republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.

Zëra: republikë, po, po republikë… THOMAJ- Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina.

Delegati I – Tani ai ndodhet jashtë shtetit, në Konferencën e Parisit, pra askush këtu nuk mendoi tjetrin pranë a vetveten.

Delegati II– Gjithmonë më i mirë është ai që mungon… (Të qeshura)

Kryetari – S’është ashtu gjithmonë. Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën…

Delegati II- Ai të vijë sa më shpejt.

Ministër i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar… po, po…

Ministër i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica…

Ministër i Arsimit z. Sotir Peci…

Ministër i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin… Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni… Ministër Finance Z. Ndoc Çoba… Zëvendës z. Idhomen Kosturi…

Votohen. Duartrokitje…

Kryetari – Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të bëjmë betimin më të lartë para Kombit.

Delegatët ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para flamurit.

Sekretari – (Lexon me zë të lartë) “Betohem n’Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë!”

Të zgjedhurit  – (Një zëri) Betohemi! Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.

Një zë – Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më vonë…

Një zë tjetër: – Rroftë Poeti! Duartrokitje prapë.

Kryetari – Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!

Sekretari – Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t’i shpërndajmë kudo.

Shpërndan flamujt e vegjël.

Njëri nga delegatët – Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe…

Zëra të ashpër – Jeni të rrethuar… ndalni!… Kongres i paligjshëm… Dorëzohuni… do ju shpërndajmë me forcë…

Jehona e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht: ndalni… të rrethuar…

Ministëri i Punëve të Mbrendshme – Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja… dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të marrshojmë drejt Tiranës!

Një zë i ashpër – Kush jeni ju?

Ministër i Punëve të Mbrendshme  – Ministri i Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!

Zëri – Mos lëvizni.

Ministër i Punëve të Mbrendshme – Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara me mua! Hingëllima kuajsh, trokëllima… Bie perdja.

* * *

Kështu mbyllet kjo dramë dhe duket sikur hingëllimat e shqetësuara të kohës, vazhdojnë mitike dhe ndryshe, pa ata kuaj dhe kalorsa dhe pa ato barra mbi shpinë, ndërsa trokëllimat ngjajnë si të shndëruara në trokitje në dyert e institucioneve euroatlantike.  

Në vitin e 101-të të atij Kongresi lavdimadh t’i rikthehemi betimit shqiptar, të lartë dhe me besë, me fe e nder e përkushtim, me drejtësi dhe ligje, dhe të gjithë, tani e gjithmonë, të ndjehemi si para “Mbledhjes së shenjtë të Kombit”, ndërkaq si ai misteri që ndihej në frymën e dramës së Kongresit, të bëjmë që të na vijë vazhdimisht zëri i shpëtimit, nga përtej oqeanit, nga shteti më i fuqishëm në botë, SHBA, që shqiptarët të gëzojnë Atdhe dhe prosperitetin e tij, duke iu shtuar Kombit dhe Republika e Kosovës e të jenë të mbrojtur ku ka shqiptarë e truall të tyre. Me emblemën e Kongresit të Lushnjës. Së bashku në Europë. Në një botë me paqe…

Filed Under: Featured Tagged With: Kongresi i Lushnjes, Presidenti Wilson, Visar Zhiti

“THIS IS AMERICA’S DAY”

January 20, 2021 by dgreca

The Inaugural Address of Joe Biden as the 46th US President/

This is America’s day. This is democracy’s day, a day of history and hope, of renewal and resolve through a crucible for the ages,” he said. “America has been tested anew, and America has risen to the challenge.” 

Chief Justice Roberts, Vice President Harris, Speaker Pelosi, Leader Schumer, Leader McConnell, Vice President Pence, my distinguished guests, my fellow Americans: This is America’s day. This is democracy’s day, a day of history and hope, of renewal and resolve through a crucible for the ages. America has been tested anew, and America has risen to the challenge.

Today, we celebrate the triumph not of a candidate but of a cause, the cause of democracy. The people, the will of the people has been heard and the will of the people has been heeded. 

We’ve learned again that democracy is precious.  Democracy is fragile. And at this hour, my friends, democracy has prevailed.

So now on this hallowed ground, where just a few days ago, violence sought to shake the Capitol’s very foundation.  We come together as one nation, under God, indivisible, to carry out the peaceful transfer of power as we have for more than two centuries.

As we look ahead in our uniquely American way, restless, bold, optimistic, and set our sights on a nation we know we can be and we must be. I thank my predecessors of both parties for their presence here today. I thank them from the bottom of my heart. And I know the resilience of our Constitution and the strength, the strength of our nation, as does President Carter who I spoke with last night who cannot be with us today, but whom we salute for his lifetime of service. 

I’ve just taken the sacred oath each of those patriots have taken. The oath first sworn by George Washington. But the American story depends not on any one of us, not on some of us, but on all of us. On we the people who seek a more perfect Union. 

This is a great nation. We are good people. And over the centuries through storm and strife, in peace and in war, we’ve come so far.  But we still have far to go. We’ll press forward with speed and urgency for we have much to do in this winter of peril and significant possibilities.  Much to repair, much to restore, much to heal, much to build, and much to gain. 

Few people in our nation’s history have been more challenged or found the time more challenging or difficult than the time we’re in now.  Once in a century virus that silently stalks the country. It’s taken as many lives in one year as America lost in all of World War II. 

Millions of jobs have been lost. Hundreds of thousands of businesses closed.  A cry for racial justice some 400 years in the making moves us. The dream of justice for all will be deferred no longer. 

A cry of survival comes from the planet itself, a cry that can’t be any more desperate or any more clear. And now a rise of political extremism white supremacy and domestic terrorism that we must confront and we will defeat. 

To overcome these challenges, to restore the soul and secure the future of America, requires so much more than words. It requires the most elusive of all things in a democracy: Unity.  Unity. 

In another January, on New Year’s Day 1863, Abraham Lincoln signed the Emancipation Proclamation.  When he put pen to paper, the president said, and I quote, “if my name ever goes down into history it will be for this act, and my whole soul is in it.”  My whole soul is in it.  Today, on this January day, my whole soul is in this. Bringing America together, uniting our people, uniting our nation. 

And I ask every American to join me in this cause. 

Read the full address in the January issue of Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Joe Biden, THIS IS AMERICA’S DAY

THJESHT ….VATRA

January 20, 2021 by dgreca

… No matter what, trenin ekspres të Vatrës të Shekullit XXI  askush nuk mund ta ndalë drejtë destinacionit!/

Nga Alfons Grishaj*/

Shumë njerëz që nuk e njohin me themel Vatrën dhe rrugëtimin historik që ajo ka bërë, e mohojnë identitetin politik të saj. Sa herë kam dëgjuar e lexuar që Vatra nuk është marrë  kurrë me politikë! Duke mos bezdisur askënd me shkrime “eklektike” e filozofike, sidomos për lexuesin e “vëmendshëm” do rekomandoja shkrimet kronologjike dhe historike të ciceronit,  kryeredaktorit të “Diellit”,  Dalip Greca. Aty do gjejnë përgjigjet e pikëpyepyetjeve, kurse dembelët dhe “dijetarët” e internetit le t’i thërrasin kujtesës së fakteve të paharrueshme, thjesht, duke evokuar dy themeluesit e Vatrës, të cilët qenë thellësisht veprimtarë politikë. Njëri, Kryeministër (Fan Noli), dhe tjetri  ambasador i Mbretërisë Shqiptare (Faik Konica).

Jo rastësisht, para se të fillonte sulmi ndaj Serbisë naziste, Presidenti Bill Klinton takimin final do e zhvillonte me lidershipin e Vatrës. Kjo tregon se statusi patriotik i Vatrës, kuptohej qartazi nga Presidenti Klinton si një status politik. Dhe ky nuk ka qenë rasti i vetëm i raportit apo i raporteve politike të Vatrës me institucionet e larta amerikane. Nëse Vatra do e kishte shmangur këtë qasje, me siguri ajo nuk do ishte marrë në konsideratë nga autoritetet e larta të Sh. B. A.

Krerët e fundit të Vatrës, Agim Karagjozi, Gjon Buçaj, Dritan Mishto deri tek kryetari  aktual, Elmi Berisha …, të gjithë veprimtarë politikë! Për të mos harruar Arshi Pipën!

Që të kuptojmë më mirë se si duhet të veprojë Vatra, është më mirë të kemi të qartë se si nuk duhet të veprojë. Për ta definuar këtë po i referohem ish sekretarit të nderuar të saj, shkrimtarit Naum Prifti, i cili shqetësohej gjithnjë se Vatra ishte kthyer në një kafe, ku mblidheshin e flitej vetëm për të kaluarën dhe për ca fletushka pa brumë, por asgjë për të ardhmen… andaj duhej një frymë e re për ta rinovuar dhe forcuar se po të vazhdohej ashtu… Vatra  do jepte shpirt! 

Vizioni i Dr. Buçaj, Agim Rexhaj etj, bëri që Vatra të hapej. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Vatra e kolosëve vizionarë, e Konicës dhe Nolit, nuk mund të mbetej një organizatë onorifike për pritje e përcjellje me interes muzeal, por si fuqi gjeneruese misionare kombëtare. 

Nëqind Vjetori i Vatrës, vërtetoi plotësisht se ajo është dhe mbetet një shtyllë e politikës kombëtare, duke mbledhur senatorë e kongresmenë, priftërinj e hoxhallarë, ambasadorë e gazetarë, akademikë e artistë etj, eveniment që u nderua dhe nga Kryeministri Shqipërisë, Sali Berisha. Një takim madhështor me një mesazh kuptimplotë!

Në  Kuvendin e Floridës, me propozimin tim u votua unanimisht, që  të shtohej në Kanunore një amendament (jo i kamufluar si më parë për vetë rrethanat e Kanunores së vjetër në ligjet e kohës): “Vatra merret me politikë kombëtare!”  

Me ardhjen e diplomatit Mishto, Vatra adaptoi një vizion të ri. Pranë saj u afruan dhe ato personalitete, të cilëve pa të drejtë u ishte mbyllur dera. U nderuan figura nacionale, si Prof. Sami Repishti, Dr. Elez Biberaj, shkrimtari Naum Prifti, Prof. Nikolla Pano, Ekrem Bardha  etj.  Kursi i ri frymëzoi dhe afroi rininë që më parë ishte skeptike. Plani kulturor me në krye Frederik Ndoci dhe Gëzim Nika solli një atmosferë të gjallë, festive. Mishto, për herë të parë krijoi një Kabinet, sipas stilit perendimor dhe shef të kësaj strukture emëroi Dr. Pashko Camaj, një personalitet me vlera intelektuale dhe nacionale, ndërsa si Këshilltar, Marko Kepi, një politikan dhe nacionalist i ri me vizion më konservator. Dielli formatoi faqen në gjuhën angleze me redaktore Rafaela Prifti.

Mbrëmja akademike e 110 – vjetorit të Diellit e kryesuar nga Dalip Greca, Fran Shkreli dhe Rafaela Prifti, tregoi se “mineralet” e Diellit janë pasuri kombëtare. Gazeta “Dielli” është e vetmja gazetë e pakicave kulturore në USA e cila, denjësisht arkivohet që nga numri i parë në Bibliotekën e Kongresit Amerikan.

Takimet në Departament të Shtetit nga Mishto, më vonë nga Berisha apo dhe udhëheqës të Vatrës me politikanë të dy partive amerikane, kanë treguar dhe tregojnë se Vatra  ndjek një strategji të drejtë politike në funksion të mbajtjes e të rritjes së raporteve të ngushta amerikano-shqiptare, sipas interesave historike të  atdheut tonë. 

Le t’i hedhim një sy maratonës së Kryetarit të ri, Elmi Berisha:  firmosja e Memorandumit me Dardaninë, protokolli i takimeve me liderët politikë në territoret amtare, vizita gjithëpërfshirëse në Tiranë që përveç efekteve pozitive që pati, nxori mësime dhe detyra objektive për të ardhmen.

E kuptoj se, disa kolektorë të së keqës, të prirur ta përziejnë atë që duhet ruajtur e kultivuar me atë që është për t’u tretur, asnjëherë nuk kanë dashur ta kuptojnë rolin dhe rëndësinë e Vatrës. Dëshira e tyre është që ta paralizojnë, ta bëjnë sa më inaktive në misionin politik të saj, por fatmirësisht ndodh e kundërta, ajo po rritet dhe forcohet përditë.

Vatra si  një familje e madhe  kombëtare,  ka në rradhët e saj figura të fushave të ndryshme nga të gjitha trevat e Shqipërisë: akademikë, politikanë, mësues, shkrimtarë, gazetarë, doktorë, artistë, profesorë, ushtarakë, juristë, biznesmenë, punëtorë etj., me një dëshirë të përbashkët, ruajtjen e vlerave nacionale në diasporë. Prandaj një nga përparësitë e saj është dhe ruajtja dhe zhvillimi i identitetit gjuhësor si kushti kryesor për kultivimin e identitetit kombëtar dhe zhvillimin e  kulturës sonë edhe këtu, për çka në mënyrë konkrete, ka ngritur dhe një shkollë në gjuhën amtare bash  në selinë saj.

Çdonjëri ka të drejtë të gjykojë dhe të japë mendimin e vet qytetar, modest apo relevant për Vatrën, por jo hamendësime të dëmshme qëndisur me shpifje e penelatë bastarde.

Vatra ka që prej themelimit nga etërit e vet një mision të pandryshuar: të punojë energjikisht për realizimin e një shteti nacional shqiptar në kufijtë territorialë të Shqipërisë Etnike. 

No matter what, trenin ekspres të Vatrës të Shekullit XXI  askush nuk mund ta ndalë drejtë destinacionit! 

Autori është nënkryetar I Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, Vatra

“ZËRI I ARBËRIT”, ZËRI I SHQIPTARËVE NË NORVEGJI

January 20, 2021 by dgreca

Imri Trena, themelues dhe kryeredaktor i Radiostacionit “Zëri i Arbërit” në Norvegji flet për Diellin e Vatrës New York në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja.  

PANORAMA RADIOFONIKE NË KOSOVË NËN REPRESIONIN SERB 

Unë kam pasur një dashuri të veçantë për radion që kur isha nxënës i shkollës së mesme, (1979) ku isha bashkëpuntor i disa emisioneve në Radio TV e Prishtinës. Po në ato vite edhe isha bashkëpuntor i radiostacioneve regjionale, Radio Ferizaj, si korrespondent nga terreni ndër vite dhe në Radio Gjilani. Për të përshkruar ato vite e sfida, duhet një vepër, por sfidë në vehte, ishte bashkëpunimi ndër vite me Radio Vatin dhe rreziqet të cilat i barta ato vite; sa unë, edhe më tepër miku im zotëri Refik Agushi. Ai udhëtonte nga Shkupi për në Ferizaj për çdo ditë, ngaqe kishte puntorinë, argjendëtarinë në Ferizaj. Ai më barte letrat për në redaksinë e radio Vatit në lagjen Nerez në Shkup. Në ato letra unë përshkruaja gjendjen e nderë e cila shkonte ditë e më tepër nga pika e vlimit që kulmoi me atë gjenocid në vitet 1998/99 që e vëreja sapo dilja nga shtëpia. Gjendje shtetërrethimi në të gjitha anët, arrestime, rrahje, burgosje e vrasje masive! Letrat ua dërgoja emisionit informativ i cili emitohej ora 18 e ku redaktohet nga z.Rexhep Memedi, ish- gazetar i Radio Shkupit e ato vite ishte përgjegjës i Radio Vatit; pastaj emisionit “Eureka”, të cilin shkurt e ka udhëhequr edhe znj.Radije Hoxha, por më gjatë znj.Lindita Bilalli. Unë në mungesë të pasaportës kurr s`munda ta vizitoj këtë redaksi e të takohem me ata njerëz që na u ishin bërë të afër e të dashur; por që aq shumë i ndihmova e rrezikova me z.Refik Agushi. Nga ish përgjegjësit e stafi lëre që kurr s`mora një të vetmin falënderim (z.Rexhep Mehmedit) i cili më është falënderuar disa herë, sepse aq shumë i kam kontribuar edhe në realizimin e emisioni; “Emisioni për fshat”, emitohej nga ora 11:00 çdo të dielë. I kam pas dërguar qindra këshilla profesioniste nga lëmia e  bujqësisë dhe ato këshilla Ai m`i ka ruajtur dhe m`i ka dërguar në Norvegji përmes mikut të tij, Nehat Zharku. Edhe një detaj, sa jemi ne falënderues! Ishte gjendje lufte dhe kam shkuar njëher me tren në Han të Elezit në punëtorinë e personave të cilët ishin të afërt apo pronar të radio Vatit. Materialet, informatat flitnin për situatën e cila mbretëronte në Ferizaj, Kaçanik e rrethinë dhe ata në vend që të më falënderoheshin së paku, më thanë: -“Ti po na rrezikon me këto informata”! Ai po “rrezikohej”, ndërsa unë  çuditërisht jo e aq më tepër që kurr një cent s`jam paguar nga ai radiostacion, dëshmi janë gazetarët e gjallë. Ato letra po të binin në duart e pushtetarëve, jam fort i bindur se s`do të isha në mesin e të gjallëve sot. Emrin e mbiemrin time e dinte vetëm Redaktori përgjegjës, e në emisionin “Eureka” shkruaja me pseudonimin “Besniku”, ndërsa në emisionin “Për fshat” me emër e mbiemër. Kam shpëtuar fatmirësisht nga shkaku sepse shoku im i fjalës dhe i besës z.Refik Agushin e kanë njohur doganierët, e kanë ditur se ai shkon në vendin e punës për çdo ditë dhe s`është kontrolluar në detaje. Më parë, po sidomos viteve 1989, e `90 kur u mbyllën RTV Prishtina dhe radiostacionet rajonale nga regjimi serb, i vetmi zë që na mbante gjallë ishin RTV shqiptar, Radio Tirana (ishte e penguar, por me mënyra të ndryshme e dëgjonin fshehtas). E dëgjonim tek të afërmit ku kishim besim të plotë, e veçmas tek ata të cilët i kishin shtëpitë majë kodrave, përndryshe pengesat ishin shumë të mëdha. Nëse ziheshe duke dëgjuar mediat e lartë përmendura, cilësoheshe si nacionalist e irridentist dhe përfundojë menjëherë në burg. Pastaj aty pasonin rrahjet, maltretimet, dënimet me dhjetëra vjet burg e në shumë raste edhe me mbytjet me torturë.  

SI FILLOI TRANSMETIMET RADIO ZËRI I ARBËRIT NË NORVEGJI

Unë mbërrita në Norvegji më 30 maj 1999 si refugjat lufte, së bashku me 9 anëtarë të familjes. Atje në Kosovë përjetova terrin informativ. Këtu sapo erdha, më dukej se më çonte peshë malli për Atdhe (Shqipëri e Kosovë). Gjuhën, asnjë fjalë, as anglishten se njihja! Në vitin 2001 kuptova se ishte një radiostacion regjional në afërsi, qytezën ku jetoja. Jetonim në një strehimore, mbi 350 shqiptar, familje të traumatizuara, me plagë në shpirtë e zemër; fëmijët kishin dalë nga binarët e jetës; Në Oslo e komunat për rreth ishin edhe dhjetëra strehimore tjera me shqiptarë të sapo ardhur nga lufta. Në fillim të muajit qershon me një përkthyes shqiptar shkuam në Redaksinë e Radio Follo (radiostacion regjional) dhe iu tregova qëllimin. U habitën, pse?! Gjendshmëria ime dha fryt; iu tregova për njerëzit e sapo ardhur, s`kishte parabola ato vite; s`kishim nga të informoheshim. Më thanë përgatit një emision prej një ore! Ku, si e me çka me përgaditur? Me një kasetofon të hedhur betohem në deponi mbeturinash, kam inçizuar një orë program: Himnin Kombëtar, Fjala ime hyrëse, emisioni informativ, emisioni për fëmijë, pikat muzikore me tematikë atdhetare, prezantova Shote dhe Azem Galicen, disa fjalë të mendimtarëve të mëdhenjë, fjalë të urta dhe një pikë humori e programi i parë prej një ore. E dërguam në studio audiokasetën, ai përkthyesi ua përkthente përmbajtjen e programit. Kryeredaktori Kjel Mathisen dhe Redakori Jan Vidar Magnusen mbetën të mahitur. Skema programore ishte e stërngarkuar, më thanë diku në vjeshtë me emituar programin e parë. Me lutjen time që të fillojmë më 2 Korrik (dita kur më 2 Korrik, 1990 në Kosovë ishte publikuar Deklarata e Pavarësisë), ëndërra m`u realizua. Fillova i vetëm, pa asnjë përkrahje dhe madje kishte të atillë edhe që më penguan, s`dua të merrem me emrat e tyre, i din mërgata shqiptare këtu. Tërë barra që nga dita e themelimit ra mbi mua dhe me pak gjumë e shumë punë, Radio Zëri i Arbërit filloi të pushtoj votrat shqiptare në mërgatë e në atdhe. Në vitin e pestë, me transmetimin e programit edhe në valët e internetit duke iu falënderuar bashkëpuntorit, z.Afrim Aliu nga Kumanova, Zëri Arbërit pushtoi botën shqiptare. Pastaj për punën tonë shkruan edhe krijuesit e gazetarët si; Shaban Cakolli, profesori Sabit Abdyli, gazetarët e veprimtarët si; Haxhi Muhaxheri, Berat Luzha; korrespondeti nga Kosova, veprimtari Shaban Çupi, gazetari në pension z.Rexhep Memedi nga Shkupi (të cilit ndër vite i kishim kontribuar në Radio Vat). Data 2 korrik është datë historike për stafin e shqiptarët në Norvegji, për ata të cilët ia dinë vlerën. Radio Zëri i Arbërit është radio ndër të rrallat në mërgatë ku me asnjë çmim s`toleroi e as nuk lejon të emitohen pseudovlera, këtë e dinë më  së miri dëgjuesit. Radio Zëri i Arbërit që nga fillimi mbeti po i njëjti dhe kurrë se humbi shkëlqimin e dëgjueshmërinë, edhe pse nga mërgata shqiptare në Norvegji s`u ndihmua me asgjë tash e 20 vite. Në Shoqatën Kulturore Shqiptare «Nëna Tereze» në Ski iu është përgadit studioja ku pritet të kalojmë (ndoshta këtë vit, në vitin jubilar të 20-tin të ekzistimit). Çmimet? Mjaftojnë falënderimet e dëgjuesve tanë! Më e vlerësuara prej nesh, dy herë përmendja në Kalendarin Historik të Botës Shqiptare në Radio Tirana; Mirënjohja nga Republika e Kosovës, Ministria e Diasporës, më 2014;  Mirënjohja nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani më 3 qershor, 2012 nga z.Martin Çuni; Mirënjohja nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar ”Papa Klementi XI Albani”, në Suedi nga z.Hysen Ibrahimi; Mirënjohja nga Ambasadori i Republikës së Maqedonisë, i cili ishte i akreditur në Mbretërinë e Norvegjisë, z.Enver Abdullahu, portreti i shenjëtores Nëna Terezë; Biblioteka Popullore e Ferizajt, z.Enver Zhinipotoku; Revista ”Doruntina” nga z.Ragip Rama etj. Mbi të gjitha, pjesëmarrja në Konferencën e parë Mbarëkombëtare e Radiove në Prishtinë 12 e 13 shkurt 2015. Mirënjohja edhe më e lartë ura lidhëse me Radio Tirana çdo të dielë nga ora 20:30 me emisionin “Larg&Afër” e z.Jaho Margjeka; pastaj Radio Kosova, emisioni ”Më Afër” e z.Demir Reshiti; Radio Liria në Austri me z.Haxhi Muhaxheri; më parë me Radio Dukagjinin, z.Feim Kurhasanaj e RTV ”Zëri i Kosovës në Kopenhagën që nga fillimi e ditët e sotme; z.Ibrahim Xhemajli, z.Ixhet Lutfiu etj. Me radiostacione në internet (i kemi ndërpre bashkëpunimin ngaqe s`emitojnë vlera, por pseudovlera). Këto të fundit, i kanë bërë dëme të pariparueshme Kombit, sepse kanë indokrinuar të rinjë me pseudovlera dhe programe boshe; programe me fjalë koloare rrugësh ku si kushtohet kujdes  as gjuhës, as kulturës. Ndihmat fare të pakta na kanë ardhur nga dëgjuesit mërgimtar. Me ato pak ndihma kemi botuar librin monografik. “Me Zërat arbënor të Radio Zëri i Arbërit”, korik, 2014; kemi blerë paisjet për studio të cilat kërkojnë të renovohen shpesh sepse 24 orë transmetohet program (drejtëpërdrejtë nga ora 20:00 – 01:00) për çdo ditë, 1738 orë programe të drejtëpërdrejta në vitin 2020 (viteve tjera edhe më shumë). Sa i përket ngjarjeve të Kombit, s`ka asnjë radiostacion tjetër që i përkujton si Radio “Zëri i Arbërit” tash e 20 vite. E them këtë me plot përgjegjësi, si Kryeredaktor i këtij mediumi. Le të del dikush e le ta demantoj këtë të dhënë, e jani urdhëroni e kontrollojeni Arkivin e Radios se si i kemi renditur e përkujtuar ato; po tek e fundit i kemi dëgjuesit dëshmitar, kjo na mjafton. Kanë kulmuar nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt, 2008;  Pranimi Shqipërisë në NATO e ngjarjet tjera. Kurse, sa i përket politikës dhe temave me konatacion fetar, ato s`kan zënë vend e kurr s`do t`iu kushtojmë vend në programet tona. A pak po kanë dëgjuesit programe tjera të kësaj natyre madje në dhjetëra media ”prestigjioze” ku jo rrallë herë janë edhe neveritëse, ky është mendimi im personal dhe pse të mos e them haptazi? Mërgata shqiptare ka probleme tjera më qenësore; mjafton asimilimi brezit të ri për të cilët pak kush brengoset në shtetet tona. 

PROGRAMET MË TË RËNDËSISHME TË RADIOS ZËR I ARBËRIT 

Programet më të rëndësishme të radios “Zëri i Arbërit” janë: Emisioni për fëmijë – “E dua Atdheun” një emision që sajohet me këngë të përzgjedhura për më të dashurit tanë, fëmijët; rubrikat tjera interesante si: të flasim bukur gjuhën shqipe, këndi recitatorëve, bisedat me fëmijë dhe përralla për fëmijë. Emisioni tjetër radiofonik “Mikrofoni i dëshirave tuaja” një emission ku priten kërkesat muzikore ku mund të telefonojnë dëgjuesit dhe t’i pëshëndesin më të dashurit e tyre; të shkruajnë në dritarëzen e radios; në tel mobil e celular dhe skype. Një tjetër emision që transmetohet në bashkëpunim me radio Tiranën në Shqipëri është “Kalendari Historik i Botës Shqiptare” në këtë emision përmenden ngjarjet më të rëndësishme nga e kaluara jonë e dhembshme, por edhe e lavdishme e kombit shqiptar.  

ARKIVI I RADIO “ZËRI I ARBËRIT”  

Punën tonë serioze dhe me një përkushtim të veçantë e bënë edhe Arkivi i pasur i radios që nga programi i parë historik, i datës 2 Korrik, 2001. Për secilën ditë këtij Arkivi i shtohet nga një rreze dritë, emisionet e emituara, emrat e kontributi dëgjuesve për secilën ditë. Pjesa e parë i kushtohet programeve të emituara brenda javës e cila mbetet pas nesh (kontributi dëgjuesëve); Pjesa e dytë dëgjuesit mund të lajmërohen apo shkruajnë për vërejtjet e sygjerimet për programin e radios; Pjesa e tretë dhe e fudit – emitimi i programeve të emituara, intervistave e thesarëve me vlerë. Me interesim priten edhe Top lista e këngëve(qytetare, argëtuese, popullore e folklorike, ditëve të mërkura). Fjala e bukur artistike ditëve të enjte, Kuizi i diturisë ditën e premtë, emisioni «Thesarët e odës shqiptare» të shtunave…mbrëmja gazmore e së dielës. Plane konkrete tjera s`kemi, na mjaftojnë këto programe t`i mbajmë siç duhet ku dëgjuesit i kemi shembull për të gjitha mediat tjera, më të paktë numerikisht, por neve kjo s`ka brengosë aspak. Më mirë pak dëgjues e dinjitoz se sa shumë e me pasur mosmarrëveshje ata mes vehte e me u reflektuar negativisht edhe në mundin dhe ecurinë e punës sonë. Falënderojmë publikisht redaksinë e Diellin e Vatrës në New York duke iu uruar shumë suksese në misionin tuaj shumë të vështirë, por edhe fisnik edhe në vitin e ri 2021.  

Filed Under: Mergata Tagged With: Imri Trena, Norvegji, Sokol Paja

Presidenti Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë

January 20, 2021 by dgreca

Mandati i Presidentit Trump përfundon të mërkurën. Ai u largua nga Shtëpia e Bardhë paradite për një fluturim të fundit me avionin presidencial drejt rezidencës së tij të pushimeve në Florida. 

Pas mbërritjes me helikopter në bazën ajrore Andrews në Uashington, presidenti mbajti një fjalim ku përshëndeti të ftuarit dhe foli për arritjet e administratës së tij. Para futjes në avion ai u përcoll me një ceremoni me tapetin e kuq, me bandë ushtarake dhe përshëndetje me 21 gjëmime topash. 

Në të njëjtën kohë që presidenti mbërrin në Florida, në Uashington do të jetë në zhvillim ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri, Joe Biden. Këtë radhë një traditë e vjetër do të thyhet, pasi Presidenti Trump nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri. 

E ardhmja e zotit Trump, përfshirë edhe ndonjë aspiratë politike, mbetet e paqartë. 

“Duhet ta dini që lëvizja që nisëm është vetëm në fillimet e saj,” tha presidenti në një mesazh lamtumire të bërë publik të martën me një videoklip. “Nuk ka pasur diçka të ngjashme më parë. Bindja se vendi duhet t’u shërbejë qytetarëve nuk do të lëkundet, por do të forcohet nga dita në ditë”. 

Presidenti Trump largohet nën hijen e një procesi të dytë gjykues, i vetmi president në historinë amerikane ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkim të mundshëm. Nuk është e qartë se kur Senati mund ta fillojë gjykimin lidhur me rolin e tij në sulmin e dhunshëm të turmës ndaj Kapitolit më 6 janar. 

Të martën, ai foli shkurtimisht për sulmin, duke thënë se amerikanët “ishin tmerruar” dhe se dhuna politike “nuk mund të tolerohet kurrë”. 

Presidenti Trump përmendi edhe një numër nismash të politikës së jashtme të realizuara nga administrata e tij, përfshirë tërheqjen nga marrëveshja tregtare, e njohur si Partneriteti Trans-Paqësor si dhe nga Traktati i Parisit për Klimën, arritjen e një marrëveshjeje të re tregtare për Amerikën e Veriut si dhe tarifat ndaj importeve nga Kina. 

“Rikthyem sovranitetin duke u ngritur për Amerikën në OKB dhe duke u tërhequr nga traktate që ishin në interes të palës tjetër dhe jo tonin,” tha zoti Trump. “Tani vendet e NATO-s paguajnë qindra miliarda dollarë më shumë se sa para administratës sime. Ishte shumë e padrejtë”. 

Ai u shpreh se kishte qenë një “privilegj i jashtëzakonshëm” që shërbeu si president. 

Presidenti miratoi edhe një numër faljesh të reja, përfshirë për ish-bashkëpunëtorë të tij. 

Po ashtu, zoti Trump anuloi një urdhër ekzekutiv që kishte nxjerrë në fillim të administratës ku ish-zyrtarë amerikanë nuk lejoheshin të bëheshin lobistë për pesë vjetët e parë pas largimit nga detyra zyrtare. Kur e shpalli atë masë, presidenti e prezantoi si pjesë e përpjekjeve për të “tharë moçalin” dhe për të çrrënjosur korrupsionin në Uashington.(Kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Largimi, Presidenti Trump, shtepia e bardhe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT