• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2021

SHËN TEREZA SHENJTORJA E PERIFERIVE

May 18, 2021 by dgreca

PhD. Ines Murzaku, profesore e Historisë Kishtare, Drejtoreshë e Programit të Studimeve Katolike dhe Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall në New Jersey në një rrëfim dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën Dielli, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, rrëfen për publikun librin e saj më të ri kushtuar Shenjtores shqiptare Nënë Terezës në përmbledhjen studimore “Shën Tereza, Shenjtorja e Periferive”.  Libri është një libër teologjik, përdor metodat teologjike, filozofike e misionare për të kuptuar e interpretuar figurën e Nënë Terezës dhe veprën e saj që e tejkalon bamirësinë. Libri është i bazuar në teologjinë e periferive të Papa Françeskut, një periferi që manifestohet në forma të ndryshme, me dimensione të ndryshme, me aktorë të ndryshëm. 

SHËN TEREZA, SHENJTORJA E PERIFERIVE

Libri nuk është një tjetër biografi mbi jetën dhe veprën bamirëse të Nënë Terezës. Ka shumë libra të tillë. Nënë Tereza është një figurë që ka tërhequr shumë shkrimtarë, biografë dhe kjo ka bërë që të kemi një “letërsi” të tërë mbi Nënë Terezën. Libri është një studim shkencor mbi Nënë Terezën, i bazuar në dokumenta origjinale, letra të shkruara nga dora e Nënës. Libri është një libër teologjik, përdor metodat teologjike, filozofike e misionare për të kuptuar e interpretuar figurën e Nënë Terezës dhe veprën e saj që e tejkalon bamirësinë. Libri është i bazuar në teologjinë e periferive të Papa Françeskut, një periferi që manifestohet në forma të ndryshme, me dimensione të ndryshme, me aktorë të ndryshëm. Nënë Tereza dhe Papa Françesku janë takuar në periferi, e kanë bërë periferinë pjesë të jetës, të misionit dhe identitetit të tyre. Ata të dy, kanë sjellë dhe sjellin periferinë dhe problemet e periferikëve, atyre njerëzve që shoqëria i ka mohuar, larguar e izoluar, në qëndër të vëmendjes. Nënë Tereza me zërin e saj i dha zë atyre që nuk kishin zë, i dha sy të verbërve duke perdorur popullaritetin e saj në media për shembull. Qëllimi i librit është për të argumentuar se periferia e periferikët, kombet në periferi siç është rasti i kombit Shqiptar, kanë shumë për të ofruar, qendra mund të mësojë nga periferia. Nënë Tereza vjen nga një popull i vogël por me vlera të mëdha, një popull që ka kontribuar dhe kontribon akoma. Për Nënë Terezën Zoti, besa-nderi, mikpritja janë të gjitha cilësi të cilat vijnë natyrshëm për një Shqiptar dhe këto ajo diti me zgjuarsi e vetëmohim t’ja transmetojë gjithë botës. 

NËNË TEREZA NJË FIGURE HUMANITARE, FETARE, SHQIPTARE QË LARTËSOI KOMBIN SHQIPTAR

Nënë Tereza dhe kombi ynë janë një binom. Ajo i ka bërë truallit Shqiptar një shërbesë, pa e ditur dhe pa e kuptuar. Ajo është prezantimi me i mirë i vlerave të një populli të vogël, periferik, ndoshta dhe të harruar por që ka kontribuar duke i dhënë botës një bijë besnike, të mençur, heroike e shumë njerëzore dhe për këtë shoqëria ka shumë nevojë. 

PERIFERIKËT E NËNË TEREZËS: TË SEMURET, TË VETMUARIT, TË PAMUNDURIT NË VËMENDJEN E KISHËS KATOLIKE

Periferikët pra të sëmurët, të vetmuarit, të pamundurit kanë qënë gjithnjë në vëmëndjen e Kishës Katolike si një klasë e preferuar, që misionaret i shërbenin pa pritur shpërblim. Kuptohet, ky është një parim biblik e teologjik. 

PËRCEPTIMI I HARMONISË FETARE NË SHQIPËRI, SHQIPËRIA RAST I VEÇANTË 

Kjo temë do shumë kërkime e dokumenta për tu vërtetuar e vlerësuar si e tillë nga bota akademike. Pastaj janë edhe periudhat, për kë periudhë po flasim në historinë e Shqipërisë? Mendoj se është një temë shumë e rëndësishme por ka ende shumë për tu studiuar. 

ZHDUKJA E FESË NË SHQIPËRI MË 1967, REFLEKTIMI EDHE SOT NË KRIM, KORRUPSION DHE VESE NË SHOQËRINË SHQIPTARE

 Unë kam më shumë se dy dekada që jam larguar nga Shqipëria. Nuk mund të gjykoj për këtë. Mendoj se nuk është vetëm feja që ndikon në moralin e shoqërisë, është edhe familja, shkolla etj. Çfarë ka ndodhur e po ndodh me familjen shqiptare? Familja është baza e shoqërisë, shtylla kurrizore. 

FOKUSI, SYNIMET DHE PUNA NË SHOQATËN E STUDIMEVE SHQIPTARE

Unë jam historiane me fokus në historinë kishtare, sidomos historinë e murgjeve Italo-Grekë në periudhën mesjetare. Në Shoqatë sjell këtë dimension, teologjik, historik. 

KUSH ËSHTË PROF. INES MURZAKU 

Ines Murzaku është Profesore (Full Professor) e Historisë Kishtare, Drejtoreshë e Programit të Studimeve Katolike dhe Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall në New Jersey. Ka një doktoraturë kërkimi nga Pontifical Oriental Institute në Romë, pjesë e Konsorciumit Pontifikal Gregorian University, dhe ka mbajtur pozita vizituese (visiting profesor) në Universitetet e Bolonjës dhe Kalabrisë në Itali dhe Universitetin e Münster në Gjermani. Ka fituar grante prestigjioze qeveritare, duke përfshirë Alexander von Humboldt për Studiuesit me përvojë (Gjermani) dhe Grantin e Këshillit të Kërkimeve të Shkencave Sociale dhe Humanitare të Kanadasë (SSHRC-Kanada) dhe ka fituar Fulbright Senior Research Scholars (USA) në Itali dhe Slloveni. Kërkimet e saja shkencore janë botuar në artikuj të shumtë dhe në 8 libra. Librat janë: Mother Teresa, Saint of the Peripheries (Paulist Press 2021); Life of St Neilos of Rossano (1004) (Dumbarton Oaks, Harvard University Press 2018); Italo-Greek Monasticism from St Neilos to Bessarion (Ashgate-Routledge 2018); Monasticism in Eastern Europe and the Former Soviet Republics (Routledge 2016); Monastic Tradition in Eastern Christianity and the Outside World: A Call for Dialogue (Peeters University of Leuven 2013); Returning Home to Rome? The Monks of Grottaferrata in Albania (Analekta Kryptopherres 2009); Quo Vadis Eastern Europe? Religion, State and Society after Communism (Longo University of Bologna 2009); dhe Catholicism, Culture and Conversion: The History of the Jesuits in Albania (1841-1946) (Orientalia Christiana Analecta, Pontifical Oriental Institute 2006). Ka shërbyer si nënkryetare e Association for the Study of Nationalities (ASN) dhe si përfaqësuese e akredituar e Kombeve të Bashkuara për organizatën Christian Associated for Relations with Eastern Europe. Është komentatore e rregullt në mediat Amerikane për çështje fetare dhe ka punuar ose ka bashkëpunuar me Associated Press, CNN, Catholic World Report, National Catholic Register, Voice of America, Relevant Radio, The Catholic Thing, Crux – Taking the Catholic Pulse, The Record, The Stream, Vatican Radio (Vatican City), and EWTN (Rome). Për më shumë: https://www.shu.edu/profiles/inesmurzaku.cfm.  

Filed Under: Featured Tagged With: PhD.Ines Murzaku, SHËN TEREZA, SHENJTORJA E PERIFERIVE

14 veç dhëndër në Nju Jork…

May 18, 2021 by dgreca

“14 veç dhëndër në Nju Jork”,i autorëve Skifter Këlliçi dhe Zylyftar Plaku, roman humoristik, mbshtetur në komedinë e famshme të çajupit “14 vjeç dhëndër në Nju jork ‘dhe ‘Pas vdekjes’…/
-Vërtet nuk ke ndërmend te punosh? – e pyeti  Marga.- Mos dashke të   firosësh edhe ato para që të kanë ke ruajtur  nga shitja e vreshtave.
      Vangjeli e priste këtë pyetje, dhe ,megjithatë  kruajti kokën dhe ngriti sytë në tavan, thua se atje do të gjendte përgjigje.
     -Nuk ta kam thënë këtë që  bluaj prej kohësh në mendje,  por ja ku erdhi dekika, -i tha pas një ngurrimi jo të vogël .- Do të martojmë djalin, Gjinin.
      Tana sa nuk shqeu sytë nga habia.
     -Gjinin the?
     Vangjeli tund kokën.
     -Gjinin që është 14 vjeç?!
     Vangjeli tundi sërishmi kokën.
       – Ku është parë e degjuar që një djale kaq i mitur të bëhet me grua?! Dhe me ke menduar ta martosh?  Me nje vajze 10-12 vjeçe që luan me kukulla, si vetë  Gjini shpatash?
  -Jo, me një vajzë të…të  madhe.
    -Me te madhe se ai vete?
  Për të tretën herë Vangjeli pohoi me  kokë
    -Dhe kush na qenka kjo?

  -Lena e Grigorit. 

Tana ia plasi gazit.
     – Cila, more Vangjel, Lena, qe e kemi rritur si ta kishim  çupën tonë, që e kam mbajtur për dore kur nisi  të ecte? Ajo të jetë e gruaja e Gjinit tonë miturak?
  – Përse me flet broçkulla, Tanë. Gjini  duket si 18 vjeç djalë. Lena është, 20.. .Po ja do të rritet djali ynë,shpejt do t burrërohet. I bëshem dhe i fortë nga lart dhe… nga poshtë.
Tana nuk ia ndante  sy të  gjithnjë e habitur.

 – Ç’më veshtron ashtu? Të thashë, djali  është i bëshëm gjithandej.
-Leri këto marrëzira, Vangjel,- i tha Tana vrazhdë. – Gjini është akoma vocërrak dhe me shtat duket si vëllai I vogëlth   i Lenës.  –  Por  ti po  flet si i pirë.  –  Nuk jam fare i pirë, dhe  po i them këto fjalë me mend në kokë.
 -Po se  çfarë përgjigjeje do të na japë Grigori dhe gruaja e tij, Marga, për këto ukubete që nxjerr nga goja, a ke menduar?
   Si ndenji një copë herë si guak,  Vangjeli ia ktheu: -Edhe këtë e kam menduar…. Po të bëj një pyetje: “Me ç’ çpara erdhi Grigori  këtu në Amerikë? Kush ia dha?”.
   – Me para nga të  tuat., -iu përgjigj ajo -Dhe ti pandeh se ia kam falur? 

 – Jo, i ke thënë  të na i kthejë, kur te mundet dhe me kamatë. 

 -Dhe kanë kaluar tre vjet që jemi këtu  në Amerike  dhe ai nuk na ka kthyer  as edhe një kacidhe?!
-Po nuk i ke vënë litarin në fyt, se fqinjë të mirë kemi qenë dhe jemi. Pale, vajzen e tyre  e kemi si tonën.Vangjeli heshti.
 -Nuk ta kam thënë, -zuri t’I ithoshte së shoqes,- por një ditë si nëpër dhëmbë Grigori  më permendi borxhin. Më tha se ja, sapo çupa të fillonte punë, ai do të niste të ma shlyente dalëngadalë. Dhe nuk ka si të bëjë ndryshe,  se  une, siç po them edhe tani,nuk kam më takat të rropatem dhe të jap frymën  e fundit nëpër fabrikat e Nju  Jorkut. Ndaj Gjini martohet me Lenën, që vjen në familjen  tonë;  punon kështu  për shtëpinë, por edhe për mua. Apo nuk do  të ketë   goxha  rrogë… …financiere, që për disa javë po mbaron edhe shkollën!. 
  -Dhe ti i shtyn kështu borxhin?…
 -Po edhe ia shtyj, -iu përgjigj Vangjeli.- Por për të falur nuk ia fal, se borxhin nuk e tret as dheu. -Dhe ti pandeh se Lena,vajzë me  goxha shkollë, siç the edhe ti vetë, e bukur si drita e diellit, do të pranoka të kete për burrë nje çunak   si Gjini ?
–  Po ta përsëris, çunak, por punën e bën te madhe me  atë…të perendise. Pa do t’i ngjisim dhe nje palë mustaqe, sa t’i rritet edhe atij qimja dhe  do të na duket burrë e kaluar burrit.
  Tana tundi kryet me trishtim dhe faqet e tulëta iu kuqëluan.

  – Si nuk e kupton, mor Vangjel se kështu do të bëhemi gazi i botës – ofshani pastaj. – I cilës botë, të  amerikanëve?! …ç’më bëre të shqyhem gazit.!..

S’ke faj ti se për ty Amerika është shtëpia, treni, restoranti ku punon dhe pastaj prapë treni, shtëpia, pazari, ku bën harxhet dhe së  fundi, shtëpia. Shkurt, je prapa dynjasë….Po ta them unë se këtu në Amerikë një burrë, qoftë dhe vejan 80-e kusur vjeç me një tufë fëmijësh nga pas, merr për grua një çupë  që sapo ka mbushur të 16 vjetët dhe askush nuk shkulet së qeshuri. Atëherë, përse do t’u habitka mileti se djali ynë u martuaka me një çupë që na qenkesh vetëm 6 vjet me i vogël se gruaja e tij? Por kur ai të bëhet 20 vjeç dhe e shoqja 26, do të habitet kush? Askush për perendi! Se ata, burrë e grua do të duken moshatarë, ndaj hidhi gunën këtij muhabeti.
     – Po mërgimtarët  shqiptarë që kemi këtu rreth e rrotull, ç’do të thonë? Se  të tillë edhe ne dasmë do t’i thërrasësh.
     – Gojët e liga do të thuash?

 Të çirren sa te duan, se  nje ditë do te shkalafiten  dhe nuk do e pipetijnë më.   
     – Po Grigori  me të shoqen e vet, Margën?…
     -Me paratë  qe u kam dhene borxh , i kam  vënë nën  zgjedhë,- u haharis Vangjeli duke mbledhur  dorën grusht.
    -Pu, pu, ç’na gjeti…- rënkoi Tana duke vënë duart në faqe.
    – Hataja e zeze se martoke djalin?!…
     -Po djali çilimi ç’do të thotë?
      -Kush po e pyet djalin!. Nuk martohet ai, por e martojmë ne, dhe me kë të duam. Vetë e the pak më parë, se edhe ti u martove me mua, se kështu e donte e zakoni.  Pastaj, kur te jetë ne dyshek vetëm me nusen, ky që thua ti,  çilimiu, kur ta prekë atë në fytyrë, në, qafë, në gushë, dora do t’i vejë pastaj andej nga viset e poshtme të kurmit  të saj , pa do t’i lëvizë edhe ai bishtuku poshtë të mbathurave, dhe pastaj   do të ndodhë ajo që ndodhi kur u martuam dhe u shtrimë dhe ne në dyshek. E mban mend si përpëliteshe, moj?… 

 Pas këtyre fjalëve, Vangjeli ia nguli sytë, tundi kokën dhe qeshi me shpoti. Tana u nemit  e turpëruar dhe vrenjt në fytyrë.
  -Bëj si bëj, po më mirë  shko vete te  Grigori  dhe Marga  dhe kuvendo me ta, – i tha ajo prerë.- Mua mos me përziej fare në këtë mesele. 
    -Edhe ti bëj si të duash, moj grua, se kur kam bërë pa ty për halle kaq  të mëdha që ka pasur shtëpia jonë, kështu do të bëj edhe tani. Se në fund të fundit jam burrë, i pari i konakut, ndonjë mendim të hedh edhe ty, por, për të vendosur, ama, vendos vetë!..

Filed Under: LETERSI Tagged With: 14 veç dhëndër, në Nju Jork, Skifter Kellici, Zylyftar Plaku

MASAKRA E TIVARIT

May 18, 2021 by dgreca

Nga Xhelal Zejneli/ Gjatë kolonizimit të Kosovës në vitet ’30 të shekullit XX, pushteti i Mbretërisë Jugosllave, tokat e shqiptarëve të zonës së Gjakovës dhe të Pejës i zaptonte dhe ua ndante kolonëve malazezë. Në vitin 1941 Fuqitë e Boshtit e pushtuan Jugosllavinë. Një numër i malazezëve u kthyen apo u larguan për në Mal të Zi. Një pjesë e tyre ishin strehuar edhe në
Tivar. Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës, në fillim të janarit të vitit 1944, në Konferencën e Bujanit (31.12.1943 – 02.01.1944) mori vendim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Komunistët jugosllavë këtë vendim nuk e njohën. Kah fundi i dhjetorit të vitit 1944 shpërtheu kryengritja e shqiptarëve në Kosovë kundër pushtetit të Jugosllavisë së re.
Kryengritja udhëhiqej prej komiteteve nacionaliste dhe ballistëve që kishin ndikim të madh në popull.


Një prej aktorëve të kryengritejes shqiptare në Kosovë kundër pushtuesve serbë qe Shaban Polluzha (1871-1945). Ishte komandant i forcave popullore në Kosovë, mbrojës i vendosur i popullit shqiptar. Përkrahës i luftës së popullit shqiptar për çlirim dhe bashkim kombëtar. U angazhua për çlirimin e Kosovës nga gjermanët dhe ndihmoi në mobilizimin e të
rinjve në rreshtat partizane. Në fillim të vitit 1943, si komandant batalioni i forcave nacionaliste, kryente veprime vetëmbrojtëse në pjesën perëndimore të Kosovës kundër forcave terroriste serbo-çetnike. Në vitet 1944-1945, në krye të forcave popullore u angazhua
për zbatimin e Rezolutës së Konferencës së Bujanit dhe për shmangien e dhunës dhe të gjenocidit ndaj popullsisë civile shqiptare, të ndërmarrë nga forcat ushtarake serbe, malazeze dhe sllavo-maqedonase, me pretekstin e çarmatimit masiv dhe të luftës kundër bashkëpunëtorëve të fashizmit. Me krijimin e Brigadës VII kosovare, formacionet e komanduara nga Shaban Polluzha, që përbënin Brigadën e Drenicës u rreshtuan në këtë njësi
dhe ai u caktua zëvendëskomandant. Në janar të vitit 1945 pranoi që brigada të nisej për në frontin e Sremit, në veri të Jugosllavisë. Me largimin nga Kosova të njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe të Brigadës VII filluan represaliet dhe masakrat. Për ta
mbrojtur popullsinë civile, Shaban Polluzha me grupin e forcave që komandonte u drejtua për në Drenicë. Ndonëse Komanda e Përgjithshme Jugosllave më 8 shkurt të vitit 1945 vendosi në Kosovë pushtetin ushtarak, Shaban Polluzha organizoi dhe vazhdoi luftën vetëmbrojtëse.
Pas luftimesh të përgjakshme, më 21 shkurt 1945 u vra nga forcat ushtarake serbo-malazeze.


Masakra e Tivarit ka ndodhur më 24-27 mars 1945 në Tivar (Mali i Zi). Në
shënjestër kanë qenë rekrutët e kombësisë shqiptare nga Kosova. Vrasja është kryer me armë zjarri. Sipas vlerësimeve zyrtare jugosllave në masakrën e Tivarit u vranë 400 deri 450 vetë, ndërsa sipas vlerësimit të historianëve shqiptarë, bëhet fjalë për 2000 deri 4000 të vrarë. Ka të
dhëna sipas të cilave numri i të vrarëve është mbi 4300. Vrasja është kryer me pushkatim masiv apo pogrom (sulm i organizuar ndaj popullsisë së paarmatosur). Krimi është kryer nga Armata Jugosllave, nga Brigada X malazeze, nga Divizioni i 46 serb dhe nga civilët serbë e
malazezë në Tivar. Numri i saktë i kryerësve të krimit nuk dihet saktë, por duhet të kenë qenë me qindra.


Masakër e Tivarit është quajtur vrasja masive e një numri të madh të shqiptarëve të Kosovës në Tivar, e kryer nga njësitë e Brigadës X malazeze të Ushtrisë Nacionalçlirimtare
të Jugosllavisë (UNÇJ) në pranverë të viti 1945, në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Viktima kanë qenë kryesisht shqiptarët e Kosovës të cilit i kishte rekrutuar UNÇJ- ja, për t’i shfrytëzuar në luftën kundër forcave gjermane dhe forcave të tjera të boshtit të cilat në atë kohë kanë qenë duke u tërhequr nga Ballkani.

Prej Prizreni, shqiptarët janë shoqëruar për në Tivar, në tre grupe të ndryshme. Pothuajse të gjithë pjesëtarët e grupit të dytë, të cilët nëpër Shqipëri kanë mbërritur në Tivar,
janë vrarë prej rojeve malazezë.


Mobilizimi – Për të vendosur rend në Kosovë apo për ta mbajtur Kosovën nën pushtim, pushtetet serbo-malazeze ndërmorën masa të caktuara. Një prej tyre ishte edhe mobilizimi i shqiptarëve në Armatën Jugosllave. Në këtë mënyrë, të rinjtë e mobilizuar do të tërhiqeshin nga vatra e kryengritjes. Njëherazi, ata do të shfrytëzoheshin edhe në operacionet
për çlirimin e Jugosllavisë. Në janar të vitit 1945, Komanda jugosllave lëshoi urdhër për mobilizimin e shqiptarëve të Kosovës, prej moshës 16 deri në 65 vjeç. Ka burime që thonë se duhej të mobilizoheshin njerëz të moshës 18 deri 45 vjeç. Mirëpo, partizanët shqiptarë dëshironin të luftojnë në kuadër të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe jo të Jugosllavisë.
Për t’iu shmangur mobilizimit në ushtrinë jugosllave, në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë ishin strehuar nëpër male. Më 11 mars 1945, shpërthyen në Gjakovë demonstratat e grave kundër mobilizimeve të dhunshme të bijve, të vëllezërve dhe të burrave. Partizanët jugosllavë, në bashkëpunim me njësitë partizane shqiptare grumbulluan një numër të konsiderueshëm rekrutësh nga Mitrovica, Prizreni, Vuçitërni (Vushtria), Podujeva dhe
Prishtina. Sipas disa burimeve, bëhet fjalë për rreth 5.400 vetë.
Shqiptarët, prej qendrave komunale u tubuan në Prizren, me qëllim që të nisen për në veri të Jugosllavisë për të marrë pjesë në luftimet përfundimtare. I çarmatosën duke u thënë se armët do t’u jepen në Kroaci dhe në Slloveni. Pas kësaj, shqiptarët e çarmatosur i morën
rojtarët e armatosur serbë dhe malazezë, të cilët i ndanë në tre grupe apo në tre kolona të
ndryshme. I urdhëruan që të marshojnë për në Tivar. Pushtetet jugosllave synonin t’i shfrytëzonin si plotësim të Armatës IV , e cila luftonte në Trieste.
Një numër i konsiderueshëm i të mobilizuarve kishin marrë pjesë në kryengritjen në Kosovë kundër pushtetit serbo-malazez. Disa prej tyre kishin përhapur fjalë se pasi të hipnin nëpër anije do t’i mbytnin në det.


Deri në Tivar, shqiptarët e Kosovës janë shoqëruar në këmbë, nëpër kurorat malore të Kosovës, të Shqipërisë veriore dhe të Malit të Zi, në vijën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar, ku duhet t’i priste anija për në Dalmaci, për t’i dërguar në front. Pas disa ditë ecjeje në këmbë, kolona e parë prej rreth 2500 apo 3700 vetëve, mbërrin në Tivar. Që aty, është dërguar në
Istrie.
Kolona e dytë prej rreth 2472 apo 4700 vetëve ka marshuar nëpër rrugën Prizren- Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër. Njësitë partizane nga Vranja dhe nga Piroti i kanë shoqëruar shqiptarët deri në Shkodër. Përkundër lodhjes së madhe dhe rraskapitjes nga rruga e gjatë, marshi është sforcuar gjithnjë e më tepër. Gjatë marshit regrutët i kanë keqtrajtuar, ndërsa të
sëmurët i kanë lënë të vdesin. Sipas burimeve shqiptare, gjatë rrugës, shumë shqiptarë i kanë rrahur dhe i kanë vrarë. Ka pasur raste kur ndonjërin prej tyre e kanë rrahur apo edhe e kanë vrarë, vetëm se ka dashur apo ka tentuar të shuajë etjen.
Burimet malazeze thonë se për shkak të agjitacionit armiqësor, gjatë tërë rrugës kanë ndodhur “incidente të shumta”. Gjatë udhëtimit përtej Drinit, shqiptarët e mobilizuar kanë hedhur disa shoqërues në ujë. Sipas burimeve të njëjta, kjo qenkësh përsëritur edhe gjatë
kalimit përtej Bunës, por krejt kjo paskësh kaluar pa pasoja të rënda. Në Shkodër, shqiptarët i
janë dorëzuar Brigadës X malazeze, e cila ka pasur për detyrë t’i shoqërojë deri në Tivar.
Gjatë këtij takimi, shqiptarët që kanë qenë me plisa të bardhë, malazeztë i kanë cilësuar si ballistë. Është formuar një kolonë prej 12 grupeve. Pranë kolonës, në një distancë të caktuar, janë caktuar luftëtarë të Brigadës X. Sipas dëshmive të caktuara, më 31 mars, në afërsi të Ulqinit të sëmurët dhe të plagosurit i kanë ndarë, me arsyetimin se i çojnë për mjekim në
spitale në Mal të Zi. Pas kësaj, për fatin e tyre s’dihet asgjë.


Incidenti – Për të mbërritur në Tivar, shqiptarët e mobilizuar kanë ecur disa kilometra nëpër fushën e Tivarit. Kolona mbërrin në qytet më 1 prill 1945. Njerëzit kanë qenë tepër të lodhur dhe të rraskapitur. Sipas burimeve sllave, paskësh ndodhur një incident që paskësh qenë prelud i kasaphanës që ka pasuar. Sipas një versioni sllav, diku në fushë një i ri shqiptar
e paskësh vrarë një ushtar malazez i cili nuk e paska lënë të pijë ujë e të shuajë etjen. Pas kësaj, të riun, bashkë me dy të tjerë i kanë masakruar. Sipas një versioni tjetër sllav, një prej shqiptarëve e paskësh rrëmbyer pushkën e shoqëruesit malazez dhe e paskësh vrarë. Pas kësaj, shqiptari qenkësh larguar dhe qenkësh përzier me të tjerët. Më vonë është vrarë një i ri shqiptar i cili paskësh tentuar t’ia marrë pistoletën një oficeri. Incidenti paska shkaktuar zemërimin e malazezëve dhe gatishmërinë e tyre për hakmarrje. Ata kanë zënë pozicione përgjatë rrugës nëpër të cilën ka ecur kolona si dhe përreth ndërtesës në Tivar, ku është dashur të vendoseshin të rinjtë shqiptarë.


Masakra – Shqiptarët e mobilizuar u mbyllën në një ndërtesë të madhe që quhej “Monopoli i duhanit” me një sipërfaqe prej rreth 300 m 2 , me një oborr të rrethuar me mure të larta. Partizanët malazias kanë pasur ndaj të mobilizuarve shqiptarë qëndrim tejet armiqësor.
Një prej oficerëve i paska pritur me fjalët: “Jua qafsha nënën, ju do të luftoni kundër partizanëve”. Atëherë patrulla paskësh veçuar 16 të dyshuar për vrasjen e shoqëruesit malazez dhe i ka marrë me vete. Sipas versionit malazez, masa ka filluar të protestojë, ndërsa dikush paska hedhur në drejtim të rojtarëve një bombë të kontrabanduar. Pas kësaj qenkësh
dëgjuar thirrja: ”Rebelimi i shqiptarëve!” Rojet së pari paskan qitur në qiell, e kur turma është përfshirë nga paniku, kanë gjuajtur edhe mbi njerëz. Kur shqiptarët në kolonë i paskan dëgjuar krismat, paskan filluar të arratisen dhe të fshihen në pyje. Pas kësaj ka pasuar ndjekja e tyre dhe ekzekutimi i menjëhershëm.
“Në kodrën mu te hyrja e rrethit të Stacionit të duhanit ishte vendosur një mitraloz. Ai sakaq filloi të qëllojë drejt turmës së dendur, e cila në panik ka filluar të ikë kah sytë këmbët.
Me të dëgjuar thirrjen “Rebelim”, është vënë në veprim çeta e Komandës vendore si dhe të gjithë qytetarët që kanë pasur armë. Shqiptarët e mobilizuar, kush si ka mundur, kanë filluar të largohen kah veriu, nëpër kodra. Një batalion i Brigadës X ka qenë në Tivarin e Vjetër. E
njoftuar për rebelimin, batalioni ka dalë para masës, në rreshtin e pushkatimit. Kjo ishte një skenë e tmerrshme. Afro 400 vetë u vranë, ndërsa qindra të tjerë u plagosën”. (Boshko Gjuriçkoviq, komisar politik i Grupit operativ bregdetar).


Sipas versionit shqiptar, sapo janë sjellë regrutët në ndërtesën e Monopolit, malazeztë i kanë drejtuar mitralozat në drejtim të tyre dhe kanë hapur zjarr. rreth orës 14 janë sulmuar nga të katër anët me të gjitha llojet e armëve – me automatikë, me mitraloza, me bomba dore, me pistoleta etj. Njëherazi, është hapur zjarr edhe mbi të rinjtë shqiptarë që kanë ndodhur në oborrin e “Monopolit”. Një prej të mbijetuarve, Azem Hajdini, dëshmon se në ndërtesë ka pasur rreth 1000 vetë, brenda oborrit rreth 2200 deri në 2500 vetë, ndërsa disa të tjerë kanë qenë në rrugën para oborrit. Në hapësirën e oborrit është krijuar një lum gjaku, ndërsa ndërtesa është shkatërruar, me trupat e qindra të rinjve brenda saj. Sipas dëshmive të të mbijetuarve, masakra ka qenë e përgatitur. Paraprakisht kanë qenë të hapura edhe gropat.
Një malazez që e ka parë skenën e përgjakshme, dëshmon: “Kaloja urën, gjaku arrinte deri te leqet e këmbëve”.
Në atë kohë në Tivar ndodheshin Brigada X malazeze, rreth 100 luftëtarë të
Komandës vendore, pjesë të Mbrojtjes popullore, një pjesë e odës së Brigadës së Bokelit dhe masa e madhe e të plagosurve të armatosur, e refugjatëve dhe e vendësve. Në masakrën e Tivarit kanë marrë pjesë edhe pjesë të Divizionit të 46 të partizanëve serbë, të përbërë prej qytetarëve të Vranjës dhe të Pirotit. Përpos partizanëve, ka pasur edhe vendës të cilët me të madhe kanë marrë pjesë në masakër. Në vrasje kanë marrë pjesë edhe kolonët serbë dhe malazezë të cilët, pas luftës së prillit 1941, qenkëshin larguar nga Kosova. Sipas disa burimeve, paskësh pasur vendës të cilët të rinjtë shqiptarë i paskëshin fshehur nëpër shtëpi apo në mullarë kashte. Trupat e shqiptarëve të vrarë janë hedhur nëpër gropa, në det, janë djegur apo janë varrosur në varre masive, pesë kilometra larg Tivarit të Vjetër. Shqiptarët e mbijetuar që kanë mundur t’i zënë, i paskan dërguar në front.


Numri i viktimave – Kurrë nuk është përcaktuar saktë sesa shqiptarë janë vrarë atë ditë. Numri i të vrarëve përcaktohet varësisht nga burimi i informatave. Sipas kronikëve zyrtarë të partizanëve, flitet për një numër prej 400 deri në 450 të vrarë, ndërsa sipas historianëve shqiptarë ka të vrarë 1500 deri 2000 vetë. Ka edhe vlerësime që thonë se në Tivar janë vrarë 4300 shqiptarë.


Një ditë pas masakrës është ndërruar dhe është degraduar i tërë shtabi komandues, me në krye Gasha Markoviqin, por askush nuk është dënuar. Madje komisari politik i Grupit operativ bregdetar, Boshko Gjuriçkoviqi, në njëfarë mënyre i ka arsyetuar njësitë e veta: “Ushtarët tanë kanë qenë të provokuar në mënyrën më mizore dhe më jonjerëzore, ndaj edhe
është shkaktuar kjo tragjedi….”
Sipas disa burimeve jugosllave, kjo ngjarje e paskësh njollosur lëvizjen partizane si dhe Tivarin, për arsye se paskësh mbetur në kujtesë si ekzekutimi më i madh në ato hapësira.
Në RSFJ kjo ka qenë temë e paprekshme për të cilën nuk është folur me dekada. Të dhënat serbo-malazeze për masakrën e Tivarit ose janë asgjësuar, ose janë shtrembëruar.
Dokumentet eventuale me të dhëna objektive Beogradi i ruan si dokumente konfidenciale, sisekret shtetëror apo tepër rezervat.


RIKAPITULIM – Masakra e Tivarit është një nga më të mëdhatë në fund të Luftës II Botërore. Viktimat ishin të moshave 18 deri në 45 vjeç. I mobilizuan në rajone të ndryshme të Kosovës dhe i nisën për në Tivar, me qëllim që t’i transportonin më pas me anije në territoret në veri të Jugosllavisë, nën pretekstin e ndjekjes së trupave gjermane. Qysh në janar 1945, me urdhër të Shtabit Suprem të UNÇ të Jugosllavisë, në drejtim të veriut të Jugosllavisë ishin dërguar Brigadat VI, VII dhe VIII kosovare dhe Brigada IV (VII) e shqiptarëve të mobilizuar në rajonet e Maqedonisë, me një efektiv prej 14.000 luftëtarësh. Më 20 mars 1945 Shtabi Suprem i UNÇJ urdhëroi Komandën Ushtarake dhe Shtabin Operativ tëKosovës për mobilizimin ushtarak të të rinjve nga ajo trevë, të cilët do të shërbenin për të plotësuar radhët e Armatës IV jugosllave. Të rinjtë e mobilizuar në Kosovë marshuan në drejtim të portit të Tivarit, në këmbë dhe të ndarë në kolona. Rruga që ata përshkuan filloi nga pikat e mobilizimit e deri në Prizren, që ishte dhe vendi i grumbullimit. Rruga vijoi në
drejtim të Kukësit, Pukës, Shkodrës dhe Tivarit. Ata i ndanë në tri kolona me rreth 2500 vetë secila. Për shoqërimin e tyre u ngarkuan repartet e Divizionit të 46 serb. Më 24 mars 1945, nga Prizreni u nis kolona e parë me 2394 vetë, e cila arriti në Tivar në fund të muajit, ku iu dorëzuan reparteve të Divizionit IX jugosllav. Kolona e dytë me 2382 vetë u nis nga Prizreni
më 26 mars dhe në Tivar iu dorëzua reparteve të Brigadës X malazeze. Më 27 mars u nis kolona e tretë me 2700 vetë dhe për shoqërimin e saj u ngarkuan reparte më të mëdha të
Brigadës XXVII të Divizionit të 46 serb. Nga Kosova, për të plotësuar radhët e Armatës IV jugosllave vetëm gjatë muajit mars të vitit 1945 u dërguan 7476 luftëtarë. Të rinjtë shqiptarë duhej të përballonin vështirësitë e rrugës së gjatë e të mundimshme, mungesën e ushqimeve dhe të kushteve higjienike më themelore. Mbi të gjitha, provokimet e vazhdueshme të rojeve të armatosura serbe. Ata, duke u trajtuar si armiq potencialë, sepse kishin dalë nga radhët e të ashtuquajturve të dyshimtë, ishin të detyruar të marshonin në këmbë dhe në kolonë për katër, të çarmatosur dhe nën mbikëqyrjen e rreptë të patrullave ushtarake. Kushdo që dilte nga
kolona për nevoja personale, ekzekutohej. Banorët e Kukësit, të Pukës dhe të Shkodrës u bënë dëshmitarë të trajtimit mizor të të rinjve shqiptarë nga rojet ushtarake serbe. Jehonë të hidhur bënë vrasjet e ushtarëve shqiptarë të kryera në urën e Bunës. Në situatë tejet të rëndë u ndodh kolona e të rinjve kosovarë me rreth 2300 vetë, që arriti në Tivar më 1 prill 1945. Në
oborrin e ndërtesës së monopolit të duhanit të rinjtë shqiptarë u bënë pre e provokimeve të rojeve të armatosura serbe. Pas largimit të elementëve sllavë, kolona u gjend nën breshërinë e
llojeve të ndryshme të armëve të reparteve jugosllave, që qëllonin nga të katër anët. trupat e pajetë të vrarëve dhe të të plagosurve u hodhën në karroca dhe u varrosën në gropa të përbashkëta. Për numrin e të rinjve shqiptarë të masakruar në Tivar më 1 prill 1945 janë dhënë shifra të ndryshme. Sipas autoriteteve jugosllave, numri i të vrarëve ka qenë 300 vetë, por studiues që janë marrë me këtë ngjarje thonë se bëhet fjalë për 1670 të rinj shqiptarë.
Pavarësisht nga këto ngjarje, mobilizimi i të rinjve shqiptarë dhe largimi i tyre nga Kosova vazhdoi edhe më pas.


Varri masiv i viktimave të masakrës së Tivarit u zbulua pas më se gjysmë shekulli. E zbuloi më 17 shtator 1996 historiani Zekeria Cana (1934-2009).
Tragjedia e Tivarit zuri vend edhe në kulturën e popullarizuar. Në vitin 1996 regjisori Ekrem Kryeziu (1943-), në produksion të Radiotelevizioni të Shqipërisë xhiroi Tv-filmin “Viktimat e Tivarit” kushtuar masakrës.


Në prag të mbarimit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas përfundimit të sa, serbët, malazeztë dhe sllavo-maqedonasit kryen krime ndaj shqiptarëve.
Për arsye të caktuara, përmasat e krimeve nuk janë studiuar sa duhet nga studiuesit shqiptarë.

  • Në kohën e kryerjes së krimeve, shqiptarët nuk kishin kapacitet të mjaftueshëm për t’i hulumtuar ato;
  • Kryerësit e krimeve ndaj shqiptarëve i kryenin krimet, pa lënë gjurmë;
  • Gjatë regjimit komunist, arkivat e Beogradit ishin të paarritshme për studiuesit shqiptarë.
    Krimet e asaj kohe ndaj shqiptarëve, janë mbartur si legjenda, brez pas brezit. Në kohën e regjimit komunist, për tragjedinë e Tivarit, s’ke mundur të flasësh publikisht dhe në nivel akademik. Si rrjedhojë, qytetaria shqiptare nuk ka qenë e njoftuar sa duhet. Me kalimin
    e moteve, tragjedia dita ditës është zbehur, për të mbetur si një legjendë, në kujtesën e njerëzve. Regjimi serbosllav nuk lejoi që masakra e Tivarit të shënohet në histori dhe të
    mësohet nga historia. Përkundër vështirësive me të cilat u ballafaquan, disa historianë dhe
    studiues shqiptarë, me kërkime të pareshtura arritën disi ta zbardhin këtë ferr.
    Kah fundi i vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945 krime ndaj shqiptarëve janë kryer
    edhe në qytet shqiptare në Maqedoni. Kryerës të krimeve kanë qenë komunistët dhe
    partizanët sllavo-maqedonas, të mbështetur nga Beogradi. Krimet janë kryer sidomos në
    Kërçovë, në Gostivar, në Tetovë, në Kumanovë dhe gjetkë. Shqiptarët janë cilësuar si
    ballistë, bashkëpunëtorë të italianëve apo të gjermanëve, si ushtarë apo si mbështetës të
    ballistit Xhemë Hasës (Simnicë, Gostivar, 1908 – 06.05.1945), si antijugosllavë, si
    nacionalistë që kanë vepruar për bashkim me Shqipërinë. Në atë kohë, shumë shqiptarë janë
    mbyllur në Monopolin e duhanit në Tetovë. Gjurmët e krimeve ndaj shqiptarëve në
    Maqedoni, kryerësit e krimeve i kanë asgjësuar. Ndonjë dokument eventual me përmbajtje
    për krimet e kryera është klasifikuar si konfidencial. Kur strukturat shtetërore kryejnë krime
    mbi një popull, rëndom nuk lënë dëshmi të shkruara. Që atëherë e këndej, nga boshti
    antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë), mbi shqiptarët në Maqedoni është
    kryer gjenocid.

Tragjedia e Tivarit paraqet gjenocid ndaj shqiptarëve. Për krimet e asaj kohe ndaj
shqiptarëve hulumtimet nuk duhet të pushojnë. Për krimet e asaj kohe duhet të organizohen
konferenca shkencore. Për ta njohur historinë, krimi serbo-malazez duhet të zërë vend në
histori, në historinë e kombit shqiptar. Krimet kundër njerëzimit nuk vjetrohen kurrë. Midis
kryerësit të krimit dhe viktimës nuk mund të ketë pajtim derisa aktori i tmerreve të mos e
pranojë fajin dhe të mbajë përgjegjësi për mizoritë e kryera.
Në botën shqiptare tragjedia e Tivarit duhet të shënohet çdo vit. Çdo vit, 1 prilli duhet
të shënohet si ditë e kujtimit të masakrës së Tivarit. Për viktimat e masakrës së Tivarit duhet
të ngrihet një monument në Prizren apo gjetkë, në hapësirat shqiptare. Përvjetori i kasaphanës
së Tivarit duhet të shënohet me ceremoni shtetërore. Për gjakderdhjen e kryer, Serbia dhe
Mali i Zi duhet të paditen në gjykatën ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit.


Gjatë tërë shekullit XX Serbia ka kryer masakra ndaj shqiptarëve. Sidomos në vitet
1998-1999. Masakra e Tivarit të kujton gjenocidin serb në Srebrenicë. Të pandëshkuar,
serbët vazhdimisht i përsërisin krimet kundër njerëzimit. Srebrenica ndodhej në zonën e
Bosnjës lindore të mbrojtur nga 300 trupa holandeze që vepronin në kuadër të OKB-s.
Largimi i trupave holandeze nga kjo “zonë e mbrojtur”, ua çeli rrugën trupave serbe, për të
hyrë në të. Në javën e parë të korrikut, përkatësisht më 11 korrik të vitit 1995 forcat serbe, të
komanduara nga gjenerali serb Ratko Mlladiq (1943-) dhe të orkestruara nga kryetari i
Republikës Serbe, Radovan Karaxhiq (1945-), morën kontrollin e kësaj “zone të mbrojtur”
dhe masakruan rreth tetë mijë djem e burra myslimanë.
Gjenocidi në Srebrenicë është simbol i indiferencës dhe i qëndrimit injorues të
vendeve të Perëndimit. Gjenocidi në Bosnjë ndodhi paralelisht me gjenocidin në Ruandë, ku
u vranë rreth një milion njerëz, të cilin bashkësia ndërkombëtare po ashtu e injoroi.
Srebrenica shkaktoi dilema morale serioze në botë. Pas këtij krimi, Administrata amerikane e
përshpejtoi strategjinë përfundimtare e cila liderët e Ballkanit – Franjo Tugjmanin, Alija
Izetbegoviqin dhe Sllobodan Millosheviqin i çoi në Dejton* (Dayton).
Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë, Bosnja dhe Hercegovina
paraqiti padi kundër Serbisë për agresion dhe gjenocid. Për shkak të marrëveshjes midis
kryeprokurores së OKB-së për krime lufte, juristes zvicerane Karla del Ponte (Carla del
Ponte, 1947-) dhe Beogradit, dokumentet më të rëndësishme që kishin të bënin me rolin e
Serbisë në gjakderdhjen e BH-së, nuk qenë në dispozicion të GJND-së. Për shkak “të
mungesës së provave”, me aktgjykimin që nxori GjND-ja, Serbia amnistohej nga përgjegjësia
e drejtpërdrejtë për gjenocidin, por u konsiderua përgjegjëse se nuk e kishte parandaluar
gjenocidin. Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë, masakrën e
Srebrenicës e cilësoi si akt gjenocidi. Të gjithë e dinë se involvimi i Serbisë në gjakderdhjen
e BH-së ka qenë i padiskutueshëm. Ndërkohë, Parlamenti Evropian miratoi një Deklaratë
sipas të cilës detyroheshin të gjitha vendet e Evropës që 11 korrikun ta shënojnë si Ditë
kujtimi të krimeve në Srebrenicë.
Shënim: Marrëveshja e paqes e Dejtonit (Dayton Agreement) u arrit në bazën
ushtarake të forcave ajrore Rajt-Paterson, në afërsi të Dejtonit, në shtetin amerikan Ohajo.
Konferenca zgjati prej 1 deri më 21 nëntor 1995. Pjesëmarrës qenë kryetari i Kroacisë
Franjo Tugjman (1922-1999), kryetari i BH-së Alija Izetbegoviq (1925-2003) dhe kryetari
i Serbisë Sllobodan Millosheviq (1941-2006). Bisedimet i udhëhoqi sekretari amerikan i
shtetit Uoren M. Kristofer (Warren Minor Christopher (1925-2011). Negocues ishte
diplomati amerikan Riçard Holbruk (Richard Holbrooke, 1941-2010). I pranishëm qe edhe
gjenerali amerikan Uesli Klark (Wesley Clark, 1944-). Zyrtarisht marrëveshja u nënshkrua
në Paris më 14 dhjetor 1995. Përpos tre liderëve ballkanikë, të pranishëm ishin edhe
presidenti i ShBA-së Bill Klinton (Bill Clinton, 1946-), presidenti i Francës Zhak Shirak

(Jacques Chirac, 1932-2019), kancelari gjerman Helmut Kol (Helmut Hohl, 1930-2017),
kryeministri britanik Xhon Mejxhër (John Major, 1943-), kryeministri spanjoll Felipe
Gonzales (Felipe Gonzáles, 1942-) dhe kryeministri i Rusisë Viktor Çernomirdin (1938-
2010). Sipas kësaj marrëveshjeje, BH-ja u bë shtet me dy entitete: Federata Myslimano-
Kroate me 51 për qind të territorit dhe Republika Serbe me 49 për qind të territorit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Masakra e Tivarit, Xhelal Zenjeli

KOSOVA NË PENËN E SHKRIMTARIT KADRI TARELLI

May 18, 2021 by dgreca

Nga Bajram Gashi/

Titullin e këtij shkrimi e vendosa me mëdyshje dhe e kam ndryshuar disa herë. Mua më pëlqen kështu, ndërsa Kadriu në shumicën e shkrimeve dhe poezive, për Kosovën vendos emërtimin “Dardani”. Një emër i lashtë sa vetë jeta e shqiptareve në këto troje. Duhet ta pranoj, se zëri i Kadriut dëgjohet më larg, pasi nuk le pas dore edhe trojet shqiptare jashtë kufijve shtetëror, si shqiptarët e Maqedonisë apo Malit të Zi dhe Çamërisë. Nuk kam frikë se po nxitoj të them që në fillim edhe një shprehje, që miku im e përdor sa here bie fjala për Kosovën, sepse me këtë i bën nder e dritë edhe poezisë: “Komandant Jashari, të presim ku je? Kushtuar heroit legjendar Adem Jashari. “Dashtë Zoti, me Flamurin Kombëtar në krye, të marrim dhe Kosovën e Çamërinë. E nëse nuk do t‘ia arrijmë kësaj, brezat e ardhmë do na gjejnë në varr, me gishtin drejtuar nga këto vise”. Rauf Fico. (Diplomati më i njohur i Monarkisë shqiptare)

Jam njohur me Kadriun shumë vite më parë, si koleg dhe drejtues shkolle. Unë në Shënavlash, ai në Qerret dhe Katund të Ri, në rrethin e Durrësit, më pas në shkollën “Bajram Curri” këtu në Plazh të Durrësit. Ai ka lindur në Devoll, por u rrit dhe u shkollua në Durrës. Vitet e fundit kam bashkëpunuar me të, i ftuar si redaktor dhe konsulent i dy librave të mi: “Një shekull në udhën e dijes”, libër historik i shkollës së Shënavlashit, dhe “Ah Shqipni mos thuj mbarova…..!”, kushtuar rapsodit Dervish Shaqa e Demush Neziri, legjendës së këngës popullore shqiptare të Kosovës. 

Çuditërisht, këtë e pranon edhe vetë, se rrjedha e fatit e ka sjellë që ai, gjithë jetën të punojë në komunitet kosovarësh. Si fillim në vitet 1960 e përtej, në Qerret të Kavajës, me kosovarë të ardhur në vitet 1923-24, dhe të sistemuar në toka që i dha mbreti Zog I. Ishte mësues i ri në ato vite, por i njohu nga afër ata njerëz mikpritës dhe punëtorë, që nuk e harronin vendlindjen, Kosovën, si në kuvend e oda zjarrit, ashtu edhe në veshje e zakone. Këtu e ka burimin shkrimi “Plisi dhe fëmijët”, botuar në gazetat. “Bota sot” dhe “Durrësi Bulevrd”. Shtator 2019. 

Besoj se kjo është edhe arsyeja kryesore, që ai ka një nderim të veçantë për Kosovën dhe kosovarët, megjithëse kur e pyes, ai shton: – “Është edhe kjo, por ka edhe arsye të tjera, si bie fjala: Arsimi, meqë jam diplomuar për histori, dhe më kryesorja e kryesoreve, është edukata atdhetare në familje, që edhe kur flitej nën zë, në bisedat me të rriturit, përmendej me adhurim e keqardhje, Kosova dhe Çamëria”. 

Kjo përmbledhje e shkurtër, më ndihmon të hyj në temën dhe brendinë e këtij shkrimi, duke shtuar edhe veprimtarinë politike dhe atdhetare, para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare që u zhvillua në Kosovë, e që solli mëvetësinë e saj. Ai ishte drejtor shkolle, por nuk u shmang të jetë në kryesinë e Fondacionit “Sulejman Vokshi”, të themeluar në Durrës, nga kosovari Qazim Kreka. Nuk u tërhoq, por u vu në ballë të mitingut madhështor “Një komb një qëndrim”, që u organizua në sheshin kryesor të Durrësit, në Maj 1998, ku ai mbajti fjalën e hapjes. Më kujtohen si sot ato fjalë magjike: “Për kombin, asnjëherë nuk është vonë, dhe gjithçka nuk është e tepërt”. Megjithëse ka kaluar mjaft kohë, unë nuk i heq nga mendja, shkrimet: “Një copë Drenice në Plazhin e Durrësit”, botuar në “Durrësi Bulevard” dhe “Pavarësia Neës”, në Nëntor 2005. “Gjeneralmajor  Skënder Çeku”. Dëshmor i kombit. (Si e njoha unë).  Gazeta “D. Bulevard”. Revista “Dituria”. Suedi. “Bota Sot”. Kosovë.. Maj 2006. Etj, etj. 

Si koleg i vjetër, atij i shkon përshtat emri “Misionar i udhës së dijes”, kur kujtoj ato përpjekje për të ndihmuar fëmijët e ardhur nga Kosova, në prag të luftës së madhe. Nuk i tha kush, as e urdhëroi dikush, që të interesohej për ata fëmijë të traumatizuar e hallakatur nga lufta. Si fillim, gjatë verës 1998, ai gjeti mundësi dhe hapi një kamp veror për këta fëmijë, duke thirrur në ndihmë edhe mësues kosovarë. Në ato muaj të ngarkuar me shumë dhembje e të papritura, u organizuan disa takime në shkollën “B. Curri”, me prindërit dhe të afërmit e këtyre fëmijëve, që në qershor 1999, arriti numri rreth 750 nxënës e 35 mësues. Fati e deshte që Kosova u çlirua dhe fëmijët, si dallëndyshet fluturuan në folenë e tyre, në shumicën e herës të djegura e të shkatërruara nga lufta. 

Kam përshtypjen, se gati të gjitha ngjarjet e mëdha të asaj periudhe të trazuar, e më pas, janë trajtuar nga pena e këtij kronisti të zellshëm e të kujdesshëm. Jam dëshmitar, se për të gjitha udhëtimet dhe takimet në Kosovë dhe në Durrës, ai ka publikuar shkrime, si në shtypin vendas ashtu edhe në Kosovë, madje edhe në Londër, SHBA, Zvicër, Suedi, etj. 

Po përmend disa prej tyre: “Kosovë. E gëzofshi pavarësinë”! Veprimtari në shkollën “Rilindja”. Sallmone. Shijak. Durrës., “Kongresi i Manastirit”, “Shkolla  e ShënVlashit në Durrës, pret miq nga Kosova”, “Luftëtarët e Batalionit “Atllantiku”, kthehen tek “Drenica” në Durrës, “Dy heronjtë e Kosovës, Haki Taha dhe Bajram Sali Gashi, mësues në Shënvlash të Durrësit”, “Sokol Demaku, “Model” i veprimtarit atdhetar”. “Kolegu ynë i çmuar. Drejtor Bajram Demaj”, “Një shekull në udhën e dijes”, (vështrim librit të Bajram Halil Gashit). Trimi “Bajram Sali Gashi. Mësuesi që këmbeu penën me pushkë për liri”, “Istog. Kuvend shkencor”. (Gjuha standarde dhe dialektet). Isha edhe unë i pranishëm në atë tubim të diturish, kur Kadriu në fjalën e tij të përshëndetjes, theksoi përafësisht kështu: “T’i ruajmë dialektet, sepse janë trashëgimi e mbijetesës së kombit, por të kujdesemi për gjuhën letrare, apo standarde, sepse jo vetëm lidhet dhe afrohet kombi ynë i çarë dhe përçarë nga historia, por rritet edhe hapësira e shpërndarjes dhe leximit të librit. Shkrimtari apo krijuesi, me librin e tij i përcjell mesazhe kombit, jo vetëm fshatit apo mëhallës së tij…….”. 

Më tej po shtoj edhe të tjerë shkrime: “Niman Ferizi, Pishtar i arsimit shqip”, (Monografi) nga Shevqet Canhasi. “Hytbi Tarelli, sjell nga Toronto në Prekaz, shtatoren e Adem Jasharit”. “Unë kosovari Dush Zeqiraj, çdo fundmarsi jam në Durrës”. “Sadulla Zendeli-Daja. Hartuesi i fjalorit Suedisht-shqip”, “Arsimi shqip në Suedi. Vepra 2. Monument mësuesve të mërgatës shqiptare”, nga Hysen Ibrahimi, “Dervish Shaqa, Demush Neziri dhe Merushe Badolli, mbërritën në Deçan”, (Reportazh), “Merushe Badolli, Legjenda e valles kosovare”, “Komiteti “Mbrojtja kombëtare e Kosovës” dhe Isuf Veseli”, “As Alia, as Ilia”, roman nga shkrimtari Hamit Gurguri. “Djemt e Podgurit do ta mbajn bajrakun”. (Baladë), “Të papriturat e udhëtimit Istog-Pejë”, “Emine Hoti. “Marigoja” shqiptare në Norvegji”. “Kim Mehmeti. Kuvend me lexuesit durrsak”, “Bajram Muharremi dhe libri “Vullkani i fjetur”, “Portreti i Isak Ahmetit, gdhendur në libër”. “Një urim me kripë deti”. Po citoj pak vargje: “Në Prizrend mblidhet kuvendi,/me poetë nga trojet mbarë./Jemi shumë e s’na nxen vendi,/shqip këndojmë, jemi një farë”.

Kështu siç e kam zënë, do më duhen faqe e faqe, për të shkruar listën e artikujve, takimeve, kuvendeve, udhëtimeve, konferencave, konkurseve dhe përshëndetjeve të rastit. Ndaj po e thjeshtoj mendimin: Një pjesë e mirë është përmbledhur në katër librat e tij: “Misionarë në udhën e dijes”, (portrete, reportazhe, tregime), më pas libri “Kur lexoj një libër”, (kritikë letrare). Studimi “Hytbi Tarelli. Mjeshtër i penelit dhe daltës”. (monografi), dhe “Koha në vargje” (poezi). Të tjerë libra presin të mbushen me shumë shkrime, që i kushtohen Dardanisë. Më pëlqen mendimi i tij, kur thotë: – “Shkrimet, janë si kokrrat e grurit, mund të humbasin po nuk u mblodhën në thes, kështu i hanë mizat, apo kalben dhe harrohen. Ndërsa futja e tyre në libër është vlerësim, kujdes dhe domosdoshmëri. Libri është “Arka e kujtesës njerëzore”, që i reziston shekujve.

Në mbyllje të këtij shkrimi, më duhet të them, se: “Më vjen mirë, se ky autor, edhe sot e kësaj dite, po vazhdon të shkruajë me po atë ritëm, si 30 apo 20 vjet më parë, duke mbetur cilësor në tematikë dhe frymë atdhetare”. 

Në bisedë, Kadriu rrëfen me modesti se ka edhe shumë shkrime që meritojnë dhe duhet të futen në libër, jo pak por mund të bëhen edhe katër të tillë. Veç duhet pak punë për t’i sistemuar, më tej edhe ca para. 

Punën e ka vetë në dorë, ndërsa paratë duhen gjetur……!

Urime z. Tarelli! Presim shkrime e libra, me shumë përkushtim, dashuri e atdhetari, për Dardani e shqiptari.

Itali. Maj 2021.

Foto pranë bustit të Gjeneral Major Skender Çeku (dëshmor) Korrik 1998, në fshatin Qysk, pranë qytetit të Pejës, Kosovë. Nga e djathta: Avdyl Buçpapaj, Bajram Halil Gashi, Kadri Tarelli dhe Mehmet Berisha.

Filed Under: Analiza Tagged With: BAJRAM GASHI

Profesori Edward P. Joseph: Serbia nuk duhet privilegjuar më

May 18, 2021 by dgreca

Nga Krenaren Cubolli-Evropa e Lire/*

Profesori Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington beson se Bashkimi Evropian duhet të vendosë në mënyrë unanime për çështjen e Kosovës dhe në këtë mënyrë, bashkë me Shtetet e Bashkuara, të fitojë ndikim në krijimin e stabilitetit në Ballkan. Ai beson se Perëndimi duhet t’i japë fund qasjes privilegjuese që ka ndaj Serbisë, për shkak të qëndrimit që ka kjo e fundit ndaj Kosovës. Ai po ashtu propozon miratimin e dy parimeve nga blloku evropian dhe NATO-ja, përmes së cilave ndalet agresioni politik dhe shmangen ndryshimet territoriale.

Radi Evropa e Lirë: Zoti Joseph, në artikullin tuaj të fundit për Qendrën Wilson, ju keni thënë se besoni që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë mungesë ndikimi për të mbyllur çështjen e Kosovës dhe se ky problem ndikon edhe në shtetet tjera të Ballkanit. Ju po ashtu keni thënë se korrigjimi i ndasive brenda BE-së ndaj Kosovës është në njëfarë mënyrë çelësi. A mund të flisni më shumë për këtë gjë?

Edward P. Joseph: Është shumë e thjeshtë. Unë në fakt besoj se i gjithë ky konfuzion nuk është edhe aq i komplikuar. Ne nuk kemi pasur mundësi të mbyllim çështjen e Kosovës, dhe kjo gjë lidhet natyrisht me Serbinë, dhe Serbia më pas lidhet përveçse me Kosovën edhe me Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Kroacinë. Kjo gjë lidhet edhe me vetë zhvillimin politik në Serbi. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi lidhet me zhvillimin e saj demokratik, që është duke bërë kthim mbrapa. Dhe krejt kjo lidhet me mungesë të ndikimit. Mungesa e ndikimit që kemi në Kosovë, ka të bëjë me atë pse çështja e Kosovës është ende e hapur.

Serbia nuk e ka njohur Kosovën, andaj edhe çështja e Kosovës ka mbetur pezull, ashtu sikurse edhe e Serbisë. Serbia nuk ka qenë në gjendje të ecë përpara. Në vend që të ecë përpara, është duke bërë kthim mbrapa. Udhëhëqësia e drejtuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq është duke bërë kthim mbrapa. Dhe nuk jam vetëm unë që po e them këtë. Kështu po thonë edhe akademikë dhe aktivistë serbë. Dhe krejt kjo ka të bëjë me mungesën tonë të ndikimit.

Përse kemi këtë mungesë? Jo pse Shtetet e Bashkuara nuk janë të fuqishme, në fakt janë shumë të fuqishme apo se Bashkimi Evropian nuk është i fuqishëm, pasi shumë vende brenda tij janë të fuqishme. Problemi është se ne nuk jemi të bashkuar sa i përket çështjes së Kosovës. Për shkak të këtyre ndasive, për shkak të këtyre pesë shteteve të BE-së që nuk njohin Kosovën, kjo i bie që ato pesë vende kanë pozicionin e njëjtë sikurse ai i Serbisë. I bie se ato kanë pozicionin e njëjtë me të Rusisë dhe Kinës. Kjo i bie që ne jemi të penguar. Nëse pesë shtete të BE-së kanë të njëjtin pozicion sikurse Serbia, Rusia dhe Kina, kjo i bie që Serbia nuk është stimuluar për ta njohur Kosovën, sepse Kosova është e bllokuar nga Rusia dhe Kina.

Të imagjinojmë se Rusia dhe Kina do të thonë se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës edhe nëse Serbia do ta njohë shtetësinë e saj. Por nëse pesë vendet e BE-së e njohin Kosovën, kjo gjë nuk do të ishte edhe aq problematike, dhe aq serioze. Kjo pasi Kosova më pas do të mund të ishte pjesë e NATO-s dhe BE-së, dhe kjo bllokadë në Kombet e Bashkuara nuk do të kishte shumë rëndësi. Në këtë mënyrë, Serbia nuk do të kishte kaq shumë ndikim dhe potencialisht do të mund t’i ndalej ritmi, ndërkohë që Kosova do të bëhej anëtare e NATO-s, do të avanconte drejt BE-së dhe do të bëhej shtet më i fuqishëm. Çfarë do të fitonte Serbia përveçse do të shikonte dhe do të humbiste në strategjinë e të mbajturit Kosovën të izoluar. Pra krejt kjo është e lidhur me ndasitë në Evropë, që rrisin më pas ndikimin te Serbia dhe për shkak se Serbia ka ndikim, problem është i pazgjidhur.

Serbia “i duhet Perëndimit” më shumë sesa Perëndimi Serbisë

Radio Evropa e Lirë: Ju jeni edhe kritik i Perëndimit kur është fjala për qasjen e tij ndaj Serbisë. Për të qenë më e saktë ju thoni se “Qeveria më anti-demokratike në rajon dhe partnerja strategjike e Rusisë dhe Kinës – regjimi në Serbi, i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq – trajtohet në mënyrën më të favorshme.

Edward P. Joseph: Po, plotësisht e saktë, madje është edhe më keq se aq. Ajo çfarë kam thënë është absolutisht e vërtetë dhe ka të bëjë pikërisht me këtë mungesën e ndikimit. Për shkak se kemi këto ndasi, Serbia ka më shumë ndikim. Dhe meqë ajo ka ndikim, ne jemi në pozicion të dobët dhe prandaj na “duhet” Serbia. Neve “na duhet” Serbia, më shumë sesa që ne i duhemi asaj. Ne jemi gati se në një pozitë të përgjërimit të saj. Dhe çfarë bëjmë ne? A jemi duke kërkuar llogari nga Serbia rreth përkushtimeve të saja për t’iu bashkuar BE-së dhe të mbajtur vlerat dhe standardet e BE-së? Jo nuk jemi. Në vitin kur Serbia ka prezantuar kandidaturën drejt BE-së, Vuçiq ka dobësuar nivelin e demokracisë në Serbi. Dhe përgjigjen tonë mund ta shihni nëpër deklarimet publike.Vetëm muajin e kaluar, një politikan i mirënjohur perëndimor, që është publikisht i lidhur me Rusinë dhe Kinën, ka thënë se Serbia është lidere ekonomike dhe politike në rajon. Dhe ne vazhdojmë të mos e mbajmë Serbinë përgjegjëse, e cila ka një qeveri që në thelb nuk është liberale, ndonëse dëshiron ta prezantojë veten si demokratike, por që nuk është e tillë. Nuk zbaton praktika demokratike dhe as ato të BE-së. Ajo promovon vlerat e Rusisë, Kinës dhe Hungarisë, dhe ne ende nuk e mbajmë përgjegjëse, pasi “na duhet” në çështjen e Kosovës.

Kështu edhe jemi përfshirë në çështjen e shkëmbimit të territoreve në kohën e administratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump, dhe udhëheqësinë e asaj kohe në krye me Federica Mogherinin. Ne u patëm pajtuar që Kosova të bëjë ndërrim territoresh dhe më pas muajin e kaluar u befasuam kur non-paperi slloven kërkonte që e njëjta të ndodhte në Bosnje-Hercegovinën. Diplomatët më të lartë në SHBA dhe BE kanë qenë duke promovuar konceptin e njëjtë sikurse dokumenti slloven.

“Duhet ndalur agresioni politik”

Radio Evropa e Lirë: Çështja e ndryshimit të territoreve në Ballkan është duke qarkulluar nga viti 2018. Ju thoni se Uashingtoni dhe Brukseli kanë hequr dorë nga shkëmbimi i territoreve, por kjo temë nuk ka hequr dorë nga këto dy vende. Megjithatë, ju ende përmendni mundësinë që administrata aktuale amerikane të krijojë një standard për të gjashtë vendet që synojnë BE-në, duke theksuar se luftërat në rajon kanë mbaruar.

Edward P. Joseph: Po, kjo është zgjidhja ime. Uashingtoni dhe Brukseli patën thënë se heqim dorë nga tema e shkëmbimit të territoreve. Por muajin e kaluar papritur u prezantua “bomba sllovene” për ndryshime territoriale. Koncepti i njëjtë. Kthehemi prapë te mungesa e ndikimit. Përgjigjja për këtë çështje në teori mund të zgjidhet shpejt. Nëse pesë vendet e BE-së, Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja do ta njihnin shtetësinë e Kosovës, ky problem do të zgjidhej menjëherë dhe situata në mes të Kosovës dhe Serbisë do të stabilizohej. Mirëpo e dimë që këto pesë shtete nuk do ta njohin shtetësinë e Kosovës për shkak të problemeve të tyre të brendshme, siç është Katalonja në Spanjë.

Prandaj unë kam gjetur zgjidhje për këtë gjë. Këto vende nuk kanë nevojë që ta njohin Kosovën, por ato vende bashkë me pjesën tjetër të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara duhet të krijojnë një pozicion unanim që zbatohet për Kosovën, Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit. Qasja e tyre duhet të jetë drejt dhënies fund të agresionit politik. Ato mund të mos e njohin të gjitha Kosovën dhe kjo mund të jetë në rregull, por ato vende duhet të vendosin limite sepse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE dhe Kosova ka Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me bllokun evropian.

Ato më pas mund t’iu tregojnë këtyre vendeve se çfarë duhet të bëjnë, pasi të dyja vendet duan të jenë pjesë e BE-së. Prandaj ato mund të ndalohen në bërjen e luftës përmes mënyrave politike. Në këtë mënyrë, një pozicion unanim i gjithë BE-së nuk mund të injorohet. Serbisë do t’i ndalohet kryerja e fushatës për mosnjohje të shtetësisë së Kosovës, sepse kush është ajo që ta bëjë një gjë të tillë nëse BE-ja dhe SHBA-ja nuk ndalojnë diçka të tillë apo kush është Serbia që t’ia ndalojë Kosovës anëtarësimin në Interpol, nëse fuqitë e mëdha nuk e bëjnë një ndalesë të tillë?

Por në anën tjetër edhe Kosova nuk mund të nisë agresion politik kundër Serbisë dhe serbëve në Kosovë dhe të kërcënojë me bashkim me Shqipërinë, duke bërë serbët në Kosovë minoritet edhe më të vogël. Pra kush është Kosova që ta bëjë një gjë të tillë? Kosova nuk mund ta bëjë këtë gjë. Jo nëse dëshiron ta zbatojë MSA-në. Dhe këto veprime nuk janë në linjë me të. Përbëjnë agresion dhe kjo gjë duhet të ndalet.

Kur ky agresion politik të ndalet, gjithçka ndryshon, sepse fuqia e ndikimit bartet. Në situatë të këtillë, kur ndalet fushata e Serbisë për mosnjohje të Kosovës, ky shtet nuk mund ta ndalë Kosovën nga zhvillimi, nga rritja e kapacitetit të saj ndërkombëtar, më pas nuk mund t’ia ndalojë anëtarësimin në BE dhe organizata tjera apo edhe krijimin e marrëdhënieve me vendet tjera. Serbia më pas ose duhet të negociojë – diçka që duhet të bëjë – apo mund ta refuzojë një gjë të tillë. Nëse refuzon, tregon qartë se cila është zgjedhja e saj. Tregon për refuzim të BE-së për dallim nga të pretenduarit kinse po i bashkohet BE-së, ndërkohë që promovon agjendën e Rusisë, Kinës dhe Hungarisë.“BE-ja duhet të ketë pozicion unanim për çështjen e Kosovës”

Radio Evropa e Lirë: Në artikullin tuaj, ju keni përmendur nevojën e hartimit të dy parimeve koncize – një të formalizuar nga BE-ja, dhe tjetrën nga NATO-ja. A mund të na i shpalosni ato më shumë?

Edward P. Joseph: Na duhet ta kujtojmë se për çfarë është gjithë kjo gjë. E gjitha kjo synon që t’i mundësojë BE-së dhe SHBA-së që të mos privilegjojnë më Serbinë, sepse këtë gjë janë duke bërë tani. Meqë nuk kemi ndikim mbi Serbinë, ne privilegjojmë atë. Serbia mund të sillet në mënyrë jodemokratike, mund të jetë aleate me Rusinë dhe Kinën dhe ne të themi “ju jeni lidere”. Kjo gjë duhet të marrë fund. Kjo gjë mbaron kur të sillemi me Serbinë sikurse me vendet tjera. Jo duke e vendosur në një pozicion më të keq, por jo edhe më të mirë sesa të tjerët. Më pas do të mund të kishim dy parime. Njërën nga BE-ja dhe tjetrën nga NATO-ja. Ato janë të hartuara në atë mënyrë që kurrë nuk mund të zbatohen, shembull për Katalonjën. Gjithçka është e hartuar shumë me kujdes dhe lidhet me Serbinë dhe Kosovën, të cilat kanë marrëveshje zyrtare me BE-në. Katalonja nuk mund të përfshihet në këto parime asnjëherë, përveç nëse Qeveria në Madrid miraton diçka të tillë, por ajo nuk do të ndodhë. Parimi i BE-së përcakton që këto dy shtete nuk mund të kryejnë agresion politik kundër njëra-tjetrës. Parimi i NATO-s është shumë specifik dhe lidhet me ndryshime të kufijve. Në këtë rast lidhet me mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, por ka të bëjë edhe me Bosnje-Hercegovinën. Pra kjo mund të vlejë për të gjitha shtetet.

Kjo është ajo që bëjmë këto parime. Ato i mundësojnë BE-së dhe SHBA-së të bëjnë diçka që nuk mund të bëjnë tani, pasi nuk e kanë mbështetjen e të gjitha shteteve, sepse pesë shtetet e BE-së janë të lidhura me Serbinë dhe Rusinë dhe Kinën sa i përket çështjes së Kosovës.

Alternativa për shtetet mosnjohëse

Radio Evropa e Lirë: Ju keni prezantuar edhe mundësinë që SHBA-ja të hartojë një Traktat për Mbrojtje të Ndërsjellë me Kosovën, sikurse atë që ka me Korenë Jugore.

Edward P. Joseph: Ky Traktat është i rëndësishëm për dy arsye, pasi pesë shtetet mosnjohëse të BE-së mund të kundërshtojnë idenë që t’ia ndalojnë Serbisë fushatën për mosnjohje të Kosovës dhe të thonë se Serbia mund të bëjë çfarë të dëshirojë dhe nuk na intereson nëse Rusia dhe Kina shtrijnë ndikimin në Ballkan.

Epo nëse ekziston një disponim i tillë, atëherë na duhet rritje e ndikimit aty po ashtu. Nëse Spanja është e interesuar vetëm për Katalonjën dhe kështu ia mundëson Serbisë që të vazhdojë kryerjen e agresionit politik dhe ia mundëson ndikimin Rusisë dhe Kinës, atëherë ashtu na shtyn edhe neve të bëjmë disa ndryshime. Kështu SHBA-ja mund të detyrohet të krijojë një marrëveshje bilaterale me Kosovën, për të cilën nuk mund të bëjë asgjë as Spanja, as Serbia, as Rusia dhe as Kina. Dhe nëse SHBA-ja e kthen Kosovën në partnere strategjike, atëherë për Serbinë ndryshon gjithçka. Strategjia e Serbisë në atë rrafsh dështon, ndërsa Kosova fiton siguri gati sikurse të ishte anëtare e NATO-s.

Prandaj nëse këto shtete nuk pranojnë propozimin që të mos e njohin Kosovën, madje që as Serbia të mos njohë Kosovën, atëherë kjo gjë e detyron SHBA-në të marrë vendime tjera, sepse një gjë e tillë nuk mund të tolerohet më.

‘Një skenar i ri ndryshon pozicionin e opozitës në Serbi”

Radio Evropa e Lirë: Parimet e reja do të cenonin politikisht presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Pse mendoni kështu?

Edward P. Joseph: Kjo është gjë shumë e rëndësishme. Kjo është pyetje shumë e rëndësishme sepse një nga argumentet që përdorin njerëzit që thonë ‘ju nuk e kuptoni këtë, sepse nëse e kritikojmë Serbinë për nivelin e demokracisë apo për pozicionin në rajon për dëmtim të Malit të Zi apo Bosnjës, presidenti Vuçiq do të thotë se shikoni, unë jam duke mbrojtur interesat e serbëve në Kosovë, Mal të Zi, Bosnje, apo edhe Kroaci, unë jam duke i mbrojtur dhe për këtë ata më bëjnë presion mua’.

Në këtë mënyrë ai mendon se mund të bëjë diçka të tillë dhe opozita të mbetet më e dobët. Por jo me këtë skenar, sepse edhe opozita në Serbi nuk ka pse ta njohë Kosovën. Ata mund të thonë çfarë të duan për Kosovën, por edhe do të mund ta kritikojnë presidentin Vuçiq në një mënyrë që nuk munden tani. Opozita nuk mund ta kritikojë tani Vuçiqin sepse ai ka përkrahjen publike të SHBA-së dhe BE-së. Ai mund të thotë se shihni se si jam duke ndërhyrë në çështjet e Malit të Zi dhe sërish e kam mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së. Por me skenarin e ri ai nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, sepse opozita mund t’i thotë nuk e ke përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së dhe ju jeni fajtor për këtë gjë. Ju e keni bërë këtë.

“Kosova, në pozicion sekondar”

Radio Evropa e Lirë: Përgjatë tekstit, ju përmendni presidentin serb Vuçiq, por jo edhe liderët e Kosovës. Si e komentoni qasjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në dialogun me Serbinë? Ai ka thënë se ky proces duhet të ketë parime, dhe të dyja palët duhet të jenë të barabarta.

Edward P. Joseph: Nuk është e nevojshme për mua. Pse me duhet mua të flasë për liderët e Kosovës? Ata pothuajse nuk kanë fare ndikim. Ata janë në pozicion sekondar. Kosovës i duhet njohja. Nuk ka rëndësi fare çfarë flet Kurti se dialogu nuk është prioriteti i tij, sepse ky nuk është realiteti. Realiteti është që Kosovës i duhet kjo gjë, dhe ai e di mirë këtë.

Kosova është në pozicion më të dobët sepse nuk ka ndikim dhe as ne nuk kemi ndikim. Pra nuk është qendër e problemit. Dua t’i referohem Kurtit në deklaratën që ka bërë në muajin shkurt për një të përditshme kroate. Ai hapur ka promovuar idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Ai po ashtu ka votuar në zgjedhjet në Shqipëri dhe partia e tij ka garuar në zgjedhjet në Shqipëri. Përmes të gjitha këtyre veprimeve, ai është duke promovuar bashkimin mes Kosovës dhe Serbisë dhe një gjë e tillë është e ndaluar sipas qasjes sime. Partia e tij nuk duhet të garojë në zgjedhjet në Shqipëri dhe ai nuk duhet të promovojë bashkimin me Shqipërinë. Kjo gjë duhet të ndalojë. Ky është agresion kundër serbëve në Kosovë dhe Serbisë.

Albin Kurti është kryeministër i të gjithë qytetarëve, dhe aty përfshihen edhe serbët e Kosovës. Ai nuk mund të ndryshojë kombësinë e qytetarëve të vet, nuk mund të thotë se ‘ju tani jeni qytetarë të Kosovës, por ne do ta ndryshojmë këtë sepse do të jemi konfederatë me Shqipërinë’.

Radio Evropa e Lirë: Mendoj se Kurti së fundmi ka thënë se nuk mund të bëjnë bashkimin me Shqipërinë sepse Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon një gjë të tillë.

Edward P. Joseph: Ai e ka thënë këtë gjë edhe në intervistën e tij në shkurt. Mirëpo ka thënë edhe se Kushtetuta e Kosovës është e padrejtë. Ai nuk thotë se duhet të bëjmë bashkimin me Shqipërinë sepse Serbia nuk na lë të anëtarësohemi në NATO dhe kjo është mënyra e vetme për ta bërë një gjë të tillë. Ai nuk e thotë këtë gjë.

Ai e thotë arsyen e ngjashme sikurse që ekziston për Serbinë e Madhe. Ai e përmend sesi shqiptarët janë ndarë një shekull më parë. Ky është mentalitet që nuk duhet ta kemi. Kjo nuk i përket shekullit XXI. Kjo është diçka e shekullit XIX. Luftrat kanë mbaruar. Shqiptarët do të jetojnë në Maqedoninë e Veriut, në Kosovën e pavarur, në Malin e Zi dhe Shqipëri, por jo në një shtet të përbashkët.

*

Krenare Cubolli është gazetare e Radios Evropa e Lirë në Pragë dhe autore e magazinës së përjavshme Hashtag. cubollik@rferl.org

Filed Under: Interviste Tagged With: Krenare Cubolli, Profesori Edward P. Joseph, Serbia nuk duet privilegjuar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT