• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2021

QEVERIA E KOSOVËS, 100 DITËT E KTHESËS

June 30, 2021 by dgreca

-Mbledhja e 18-të e Qeverisë, prezantohet puna 100 ditore e Qeverisë së Republikës së Kosovës/

-Kryeministri Kurti: Sot janë bërë 100 ditë të Qeverisë që doli si rezultat nga zgjedhjet plebishitare të 14 Shkurtit… Gara jonë është me të ardhmen jo me të kaluarën e këto janë 100 ditët e kthesës drejt zhvillimit/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 30 Qershor 2021/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur sot mbledhjen e 18-të me radhë në të cilën është prezantuar puna 100 ditore e Qeverisë, bazuar në programin qeverisës, të arriturat kryesore dhe vendimet që janë marrë.

“Sot janë bërë 100 ditë të Qeverisë që doli si rezultat nga zgjedhjet plebishitare të 14 Shkurtit dhe unë jam i lumtur që të ndaj me ju progresin që kemi shënuar në këta 3 muaj, por edhe rrugëtimin e rëndësishëm që kemi filluar së bashku.  Në këto 100 ditë ne kemi marrë 144 vendime dhe kemi kaluar projektligje e dokumente të rëndësishme, të cilat kanë hedhur bazat për reforma afatgjata dhe themelet për shtet të drejtë e zhvillimor”, tha në fillim Kryeministri Albin Kurti.

Në fjalën hyrëse Kryeministri Kurti para kabinetit qeveritar vlerësoi se suksesin duhet matur jo me sa mirë po qeverisim në krahasim me qeveritë e kaluara, por se sa mirë po qeverisim në krahasim me pritjet e qytetarëve.


“Qytetarët e dinë se qeveritë e mëparshme nuk krahasohen me këtë qeverinë tonë që i ka ministrat e përgatitur e të ditur, të pakorruptuar e të përgjegjshëm. Gara jonë është me të ardhmen jo me të kaluarën e këto janë 100 ditët e kthesës drejt zhvillimit,” tha ai.

Kryeministri Kurti tha se në Politikën e Jashtme kemi filluar reformën në shërbimin diplomatik që mundëson më shumë diplomatë të karrierës në mënyrë që të rrisim cilësinë e përfaqësimit dhe dinjitetin e Republikës.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, mes tjerash theksoi edhe:

“- Në këto 100 ditë janë pritur në vizitë Ministri i Jashtëm i Kroacisë Gordan Grliç Radman, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas, Ministri i Jashtëm Grek Nikos Dendias Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, Ministri i Jashtëm i Italisë Luigi Di Maio.

– Kemi zhvilluar takime bilaterale me krerët e institucioneve të BE-së e NATO-s, Ursula Von Der Leyen, Josep Borrel, me Presidentin e Francës Emanuel Macron, virtualisht me Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel, me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg e të tjerë.”

Në këtë mbledhje, në të cilën u bë prezantimi i punës 100 ditore të Qeverisë, përveç Kryeministrit Kurti, i cili përmbylli fjalën duke thesuar se “Gara jonë është me të ardhmen jo me të kaluarën e këto janë 100 ditët e kthesës drejt zhvillimit”, edhe zëvendëskryeministrat dhe ministrat e resorëve përkatës kanë prezantuar në mënyrë më të detajuar të arriturat kryesore të ministrive, duke vënë në pah një numër të madh vendimesh, marrëveshjesh dhe rezultatesh në fusha të ndryshme.

Filed Under: Featured Tagged With: 100 DITËT E KTHESËS, Bell Jashari, QEVERIA E KOSOVËS

TRE KOMUNITETET FETARE MBËSHTESIN PARCELEN E KUJTESËS NË TIRANË

June 30, 2021 by dgreca

Shkruan: Dr. Besim NDREGJONI*/ Unionit  i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë ka marrë Misionin Kombëtar për ngritjen e “Parcelës Kombëtare të Kujtesës” në nderim të 4500 qytetarve shqiptar që diktatura enveriste  i pushkatoi dhe ju zhduki kufomat. Misioni e mbeshtet ngritjen e kësaj parcele  në moton:  “Për të mësuar të Vertetën”. “Për të kërkuar Drejtsi”. Për të ruajtur kujtesën”.  Me 23 qersor 2021 Kryetari i Këshillit ndërfetar, Kryegjyshi botëror Haxhi Dede Edmon Brahimaj, si dhe Perfaqësuesi i Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Bujar Spahia , drejtor i kabinetit zoti Demetja. Përfaqësuesi i Kryepeshkopit të kishës Autoqefale fort lumturine e tij Anastas Jaullatos, e përfaqësonte, Prifti i Adrenicës. Drejuesi i Unionit të Burgosuve Politikë të Shqipërisë i njohu Drejuesit e komuniteteve me këtë  mision si dhe bilancin e krimeve te diktaturës ndaj të tre besimeve fetare vetëm se ato besonin në Zot, dhe klerikët që edukonin komunitetet me besimin dhe dashurine njerzore, Ndaj klerikve të tre besimeve fetare u përdor diktati tortura  e xhelatëve që  donin me çdo kusht mos të lejonin besimin në  Zot. 

Shqiptarët  mbajnë  në  ndërgjegjen  e tyre  disa nga  gjërat  më dramatike  për një komb. Njëra pjesë  e kombit  u përndoq  se besonte në  të madhin zot, në mënyrë tragjike e të pamëshirshme ,  u përndoqën për bindje e tyre, u përndoqën për pasurinë e vënë  me djersën e tijë, për rangun dhe inteligjencën , për kodet e saj etike kombëtare, dhe u përndoq  për tre  breza . U përndoq vetëm se ishte e tillë. Kur një shoqëri nuk do të ballafaqohet me ndërgjegjen e vet për të bërë pastrimin e së keqes , ajo shoqëri do të vazhdoi të jetë  traumatike: E nesërmja  kushedi,  mund ta ketë më të errtë se të djeshmen. U mbushën  tridhjet vjet  që nuk janë gjetur eshtrat e 4500 shqiptarve të pushkatuarëve  me dhe pa gjygje nga diktatura enveriste, dhe që ju kan zhdukur dhe  kufomat. Tridhjet vite kërkim, përball heshtjes shtetërore. Dhe sot ata vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe të harruar  nga kjo klasë politike. Fatkeqësisht dhe nga shoqëria civile, intelektual, gazetar, ndërgjegjësimi i shoqërisë shqiptare, ndaj krimeve të diktaturës ështe e nivelit zero. Ky ndërgjegjësim duhet të alarmoi të gjith institucjonet politike, fetare mediatike e shoqërore në vend. E në qoftë se heshtim, ne shkatrojmë të ardhmen e fëmive tanë. Me lejoni të  nderuar të  ju pasqyroi të  dhënat zyrtare të krimeve makabre të komunizmit enverist stalinisit shqiptar.            

STATISTIKA SHTETERORE E KRIMIT KOMUNISTE 45 VJECAR NE SHQIPERI

Të  ekzekutuar për motive politike 5037 burra dhe 450 gra 

Të   dënuar me burgosje politike  36.788 burra dhe 7367 gra

Të internuar per motive politike  50.217 burra dhe 10.792 gra

U dëbuan nga qytetet kryesore dhe nga zonat kufitare 11.536 familje

U pushkatuan apo vdiqën në burgjet shqiptare 64 shtetas të huaj

U burgosën 1215 burra dhe 38 gra  me kombësi jo shqiptare

95 shqiptarë kosovarë që ndodheshin në Shqipëri u pushkatuan

 U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë katolik 120 veta 

 U ekzekutuan dhe u burgosën  klerikë bektashian 83 veta
U ekzekutuan dhe burgosën  klerikë mysliman  60 veta

 U ekzekutuan dhe burgosën klerikë ortodoksë 39 veta

U shkatruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare

Xhami 740, 

Kisha manastire ortodokse 608, 

Kisha manastire katolike 157

Teqe, tyrbe 530

4500 Të  pushkatuar me gjygj  dhe pa gjygj mbas 25 vitesh nuk u janë gjetur eshtrat…

Kampe e burgje u ngritën : Gjirokastër, Tepelenë, Vlorë,Korçë, Berat,Elbasan, Durrës,  Tiranë, Burrel, Shkodër, Peshkopi, Tepelena, Bulqiza, Spaci,  Qaf-Bari. 

Gjirokastër, Tepelenë, Vlorë,Korçë, Berat,Elbasan, Durrës,  Tiranë, Burrel, Shkodër, Peshkopi, Tepelena, Bulqiza, Spaci,  Qaf-Bari. 

C:\Users\user\Desktop\Takimi me komunitet fetare..jpg

Harresa është fenomeni  që nuk i shërben paqes, lirisë, por diktaturës!  Duhet ta pohoj me keqardhje se gjatë  30 viteve ndaj ketyre krimeve është  heshtur dhe më e keqja ka tentuar e vazhdojnë  të tentojn,  e shtrembërojn çeshtjen e viktimave të komunizmit,sipas interesit  dhe trillimeve të  çastit duke bërë premtime, por pa asnje vullnet as deshire,  për tu përballur  me të  kaluarën komuniste, as me krimet  e regjimit komunist të  Enver Hoxhës. Jemi mësuar me talljet , me genjeshtrat,  dhe me premtimet boshe, të  radhës nga përfaqesues  të  ndryshëm politikanve shqiptar, pozit e opozite, fatkeqësishte  garda e vjeter komuniste me mentalitetin e sundimit, ka mbizotrua për tre dekada  shqiptarët në  këtë  tranzicjon sa të  veshtire por dhe të  pështire nga ata që  Drejtuan  politiken e tranzicjonit. A mund të ndihen të  qetë shqiptaret ku 4500 shqiptare mysliman, katolik, ortodoks, bektashian, dhe kleriket e tyre mbasi jane pushkatuar u kan zhdukur kufomat, dhe këto kufoma jane hedhur në lumin e Drinit,  në Kir, në  Maliq, në Beden, në  Burrel, në  Gjirokastër,  në  Tepelene, 300 femije o—5 vjeç në  Spaç , në  Qaf Barit,  në  Bulqize, 4500 familje shqiptare ka 30 vite që  luten për ta, se nuk kan një  varr. Dhe politikanet shqiptar jane të  qete, respektoin xhelatët, ju japin pensione, maramendse, dhe të  martirizuarit, të  denuarit, familjet e tyre i kan degdisur nërpër botë. Fort të  nderuar,drejtues të komuniteteve, ardhja juaj sot këtu në këtë godine ku po i shihni fotot e tyre këtyre martirve jane foto dhe në ndergjegjen e atyre shqiptarve që i urrejne  martiret,  e ne familjaret e tyrje  urretjen e kthyem në paqe.  Por këta burra e gra, kërkojne nderimin e tyre, dhe është detyrë e patjersueshme e jona, që të ju ndërtojme parcelën kombëtare të kujtesëse, ku këta pishtare ti japin Tiranës dritën e martirizimit të  tyre, sot Gjergj  Fishta, dhe qindra klerike katolike, mysliman, ortodoksë,  nga Kiri , nga Vlocishti e Maliqi në  Korçe, Sulejman Vuciterrni me shoke thëret nga  nga Bedeni, Sazan Haderi, e qindra të tjere nga Bureli i tmerrshem, Xhelal  Koprenca nga Spaçi e mijëra ortodoksë, bektashi, nga vendete ku jan krye krime kan një  amanet, dhe thirrje: “Mos na harroni, u vrame se deshëm zot dhe lirine,”. Shteti nuk bëhet me mendsi komuniste, as me urretje ndaj te perndjekurve politike, Demokracia nuk zhvillohet me mentalitet komuniste,  dhe as liria nuk vendoset, me ligje  për kufizimin e lirise,  si për shembull  të lirise së shtypit,  ashtu siç  drejtsia nuk mund të  vendoset  nga ish prokuror gjykates të  komunizmit, prej të  cilëve  kan gisht në denimet e viktimave e pafajshme  të komunizmit, mandaj ,  dhe kur ata kan mbështetjen  e turpshme dhe pa rezerva  të  ambasadave me të mëdha perndimore. Ka ardhur koha që  Tirana zyrtare  të veproj në  anën e duhur të  historise,  të  bashkohet me botën e qyteruar perndimore, dhe të  përballen me krimet e komunizmit, me historine e turpshme  të regjimit  enverian. Cilën rrugë  do të ndjeki kombi shqiptar,  rrugën e vlerave njerzore,  e respektit  për jetët e njeriut të  lirise dhe demokracise,   apo rrugen  e  Everizmit! Përball kësaj heshtje vrastare 30 vjeçare  ne muarëm përsiper  misionit tonë  të  shenjtë -Për të mësuar të  vërteten,- Për të  kërkuar drejtsi, -Për të  ruajtur kujtesën. Dhe ky mision ka detyrën të  ngrej : Parcelën Kombëtare të  Kujteses në  nderim të   4500 shqiptarve të  vrarë  e të  zhdukur kufomat. Ndërtimi i Parcelës Kombëtare të  Kujtesës është  një vepër patriotike, një  obligim moral ndaj jetëve të humbura ështe një domosdoshmëri për  pajtim kombëtar, dhe  qetsim shpirtnor të  4500 familjarve të  tyre, Kujtese  për brezat që rriten !  Mbas ekspozes të  drejtuesit të Unionit, Kryetari i Këshillit ndӕrfetar të Shqipërisë Kryegjyshi Botërorë Haxhi Dede Edmond Brahimaj tha : Profeti Muhamet , ka thënë se kur të humb  varri ka humbur gjithçka , me humbjen e varrit , humb kombi. Këta burra dhe gra u vrane për liri, dhe se deshen Zotin, prandaj si Kryetari i Këshillit ndërfetar të Shqipërisë dhe Kryegjyshi Botrore të Bektashinjeve shqiptar, e mbeshtes dhe firmos për ngritjen sa ma pare të Parcelës Kombëtare të Kujtesës në Tiranë. Përfaqësuesi i Kishës autoqefale të Ortodokse shqiptare, tha: shifrat flasin vete , dhimbja eshte e madhe, këta shqiptar u vrane në menyrë makabre, ne e mbështesim këtë  mision dhe japim OK,  për të ndërtuar parcelen e pishtarve të lirise, Kurse përfaqesuesi i komunitetit mysliman, tha se është detyre e çdo qeverie , të mbështes, dhe të ngrihet parcela e kujtesës, Të përndjekurit politike jane shembulli ma i madh i dashurise njerzore, ata gjate këtij pluralizmi përçuan paqe tek shoqeria dhe jo urretje, kjo duhet të nderohet nga të gjithe faktorët e politikëse dhe shoqerisë në Shqiperi, e mbeshtesim plotsisht ngritjen e parcelës të kujtesëse në nderim  të  4500 shqiptarve që i pushkatuan dhe ju zhduken kufomat… 

C:\Users\user\Desktop\Kryegjyshi Botrore Haxhi Dede Edmond Brahimaj.jpg

    Kryetari i Këshillit  Ndërfetar të Shqipërisë

Kryegjishi Botërorë Haxhi Dede Edmond BRAHIMAJ                                         

C:\Users\user\Desktop\Pëfaqesuesi i komunitetit Mysliman shqiptar..jpg

  Përfaqësuesi i Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar

Drejtor i kabinetit Demetja.

.

C:\Users\user\Desktop\Pëfaqësuesi i Komunitetit Ortodoks shqiptar.jpg

Përfaqësuesi i Kryepeshkopit të Kishës Autoqefale fort lumturine e tij Anastas Jaullatos, 

 Prifti i Adrenicës 

 Të tre drejtuesit firmosën Ngritjen e Parcelës Kombëtare të Kujtesës në Tiranë mbas Universitetit  Politeknik përbal bulevardit deshmorët e kombit, ku do të  i tregoi brezave, të vërteten dhe do te ruaj kujtesen për brezat që do të rriten, , duke i dhëne Tiranës një  vlerë  kujtese me moton : Kujto të kaluarën –Ndërto të ardhmen!

  Dr. BESIM NDREGJONI

President i  Unionit Mbarkombëtar i të Burgosurve

 dhe të Përndjekurve politike të Shqipërisë. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Besim Ndregjoni, Parcela e Kujteses

RRËFENJË NGA QYTETI STALIN

June 30, 2021 by dgreca

              Nga Agim Xh. Dëshnica/

     Pak histori/

Nëse dikur një shtegtar merrte udhën për Berat e pas Urës së Hasan Beut kthehej majtas në rrugën me plepa, herë në hije, herë në dritë, mbërrinte në qytetin, ku nxirrej naftë e bitum qysh në lashtësi. Ky vendbanim ndodhej në krye të fshatrave nën malin e Sulovës nga dielli del e zbret për nga perëndimi. Thonë se ajo qytezë ka ndërruar emrin disa herë, nga Seras në Zjarrishtë, më pas në Kuçovë. Ky emërrvend sllav, ndryshoi, edhe në kohën e miqësisë me Rusinë Sovjetike, e njohur për dimrin e gjatë, në hapësirat e gjera të pushtuara nga carët rusë.Nuk dihet dita e saktë, kur në qendër të qytetit u ngrit shtatorja e një burri të ngrysur, vetullzi me mustaqet e zgjatur anash buzëve. Nën shtatore qe gdhendur me daltë Josif V. Stalin.  Pas përurimit Kuçova mori emrin Qyteti Stalin, rusisht: Stalingrad, ndonëse ky qytet nuk njihej për beteja të përgjakshme! Pra, kujt i shkoi ndërmend ky emër i ri, gjysëm shqip e gjysëm sllav, të cilin populli e quante shkurt Qytet? Në biseda miqsh thuhej: “Do të shkoj në Qytet” “Ika nga Qyteti”, ose “Më caktuan në Qytet”. Ishte krejt e pamundur ta quanin shkurt, Stalin, sepse atëhere. duhej të sajonin, shprehje të pabesueshme e me rrezik si: “Vajta te Stalini,” “Ika nga Stalini.”, “U mërzita te Stalini!”,  “Më plasi shpirti  te  Stalini!”. 

Megjithëse nafta, qe shterruar dukshëm, skuadra e futbollit nga shefat e komitetit, u quajt Naftëtari dhe jo Stalini, ndryshe, do t’i gjente belaja me tifozët kundërshtarë, kur pas ndeshjes do të dëgjonin ulurimat e tyre: “Shkumbini i Peqinit e mbyti Stalinin,  Traktori i Lushnjës e dërrmoi Stalinin!’’

 Sot, edhe pse kemi alamet Akademie Shkencash, akademikët e quajnë prapë Kuçovë, ndaj historianët sërbë fërkojnë duart nga kënaqësia, kur hedhin sytë në harta e libra. Ndërkohë dijetarët tanë vrasin mendjen e thonë: “Ta quajmë Seras a Zjarrishtë, përsëri nuk shkon, sepse do të ngjalleshin kujtime të tmerrshme me tifozët e Naftëtarit, kur në mbarimin e një ndeshjeje, u sulën me tërbim të digjnin për së gjalli gjyqtarin tok me fubollistët e Dinamos. Nëse ia heqim Kuçovës mbaresën sllave ov, na del Kuç. Nuk mund ta quajmë as kështu, se Kuçin e kemi në malet e Kurveleshit, tek burronja nën rrepe.” 

Çudi! Sllavët, kudo tek shkelën, e harruan gjuhën, humbën etninë ose u larguan, lanë një varg marramendës emërvendesh, nga Novoselë në Zagori, nga Konispol në Poliçan e plot të tjerë. Ja, ç’do të thotë të jesh mikpritës e bujar ndaj ardhacakëve që kërkonin bukë e punë, për të mbajtur frymën. Pra, profesorët tanë ç’emër t’i vinin këtij qyteti që për çudi në kohë të ndryshme ndërron emrin?  Disa menduan ta quanin Plepas, disa Seras. Por, me urdhër nga lart i mbeti sërish emri sllav Kuçovë. Por, çudia më e madhe e kohëve të fundit, është se Ura e Hasan Beut, më pas Ura Vajgurore e ndodhur në truall fushor me lumin Osum mespërmes, nuk do te mbajë më ato emra. sepse disa burra fort të ditur nga qeveria e pagëzuan me emër te ri Dimal, si qyteti antik diku mbi Shpirag, Pra, vizitorët do të shohin jo një por, dy Dimale, njërin mbi mal, me  gropa, gurë e pluhur dhe heshtje, tjetrin në fushë me rrugë, urë, makina, lumë, shtëpi,  zyra, shkolla  e dyqane. Askush s’duhet të habitet, nëse edhe Beratit të njohur në histori me ndërrime emrash nga më të ndryshmit, me vendim po nga  ata burra, t’i ngjitet emrin Erdogan Kasaba,

 Portieri i Naftëtarit

  Në Qytetin Stalin të naftës, një ditë, ndërmjet dy djemve të rinj, plasi sherri për punë sporti, me fjalë pak si të ashpra. Njëri ishte  ndihmësmjek, i transferuar atje, nga Tirana, tjetri vendas, teknik nafte. Pas fjalëve nisën të flisnin grushtet. Tre policë kureshtarë, mbështetur në mur, e shikonin ndeshjen si në sallën e boksit. Në atë dyluftim, tiranasi, me goditjen e pestë, e hodhi kundërshtarin përtokë. Më pas, me urdhërrin e shefit, të dy i lidhën e i mbyllën në qeli. Ndihmësmjeku ishte edhe portier i Naftëtarit, madje i shquar në një ndeshje të bujëshme, në fushën sportive të Elbasanit, ku rrjeta e tij, u shqye keqas nga topat, e futbollistëve vendas, edhe për shkak të disa vajzave elbasanase të mbledhura tufë prapa portës. Ato, e qëllonin portierin, herë me guraleca, herë i tërhqnin rrjeten, duke bërtitur:

– O çuno!  Ktheje kryet!

– O çun i Qytetit, çile, çile portën!  

– Gol! Gol! Gol!

Në zyrën e shefit.

    Të  ngujuar në qelitë e ndriçuara keq,  të dy djemtë, pritën më kot të liroheshin po atë natë. Djaloshi nga Tirana, për të vrarë kohën, disa orë i kaloi duke hedhur e kapur një top ping – pongu në tavan e nëpër mure. Por, ja, erdhi çasti e u hap dera. Njëri prej tre policëve i thirri me zë të ashpër: 

-Ec me ne! Të pret shefi në zyrë! 

Toger Rakip Donofrosa rrinte ulur pas tavolinës me kokën mbi bllokun e  shënimeve dhe telefonin pranë. Nuk merrej vesh, flinte apo shkruante. Pas një heshtje të gjatë, ngriti ballin e gjerë.

– Hë, more portier, ulu e pëgjigju  drejt pyetjeve të mia! Emrin? 

– Kostandin.

– Mbiemrin?

– Vako.  

– Kur dhe ku ke lindur?

– Më 1933, në Londër.

– Si the!? Po ç’deshe gjer në Amerikë ti!?

– Jo, jo, në Angli  në Londër! Atje, më lindi nëna.

– Ç’bënte jot’ ëmë atje!? – uluriti togeri. – Fol!

– Ku ta di unë! 

– Kuptova! Më thuaj tani, merr vesh, e këndon apo jo gazetën e Partisë “ Zëri i  Popullit”? 

– Sigurisht!

-Pse ka atë emër ajo, gazeta?

– Sepse, nëpërmjet saj, populli, u thërret me zë  të lartë armiqve të brendshëm e të jashtëm.

– Po tjetër? Çfarë sheh mbi kokën e gazetës?

-Draprin e Çekanin. Drapri pret, çekani godet! Armiqtë e klasës, domosdo!

– Ashtu de! Më trego tani, nga cila faqe fillon ta këndosh gazetën ti?

– Nga faqja e parë, s’do mend! Shoh kryeartikullin dhe lajmet kryesore.

– Bukur! Pastaj?

– Kaloj te faqja e dytë, te “ Jeta e Partisë.”

– Vazhdo!

– E kështu me radhë! Në faqen e tretë gjej shkrime nga shendetësia, kultura , arti dhe…

 – Kaq? Po qysh e merr vesh ajo koka jote  se si është shtuar pambuku, misri, kupton, gruri ndër ara, kupton, dhe nafta tek ne në Qytet?! 

– Po si jo!

– Pastaj? 

– Hidhem në faqen e katërt, te lajmet e jashtme dhe sportive.

– Aty më qëndro! Te faqja e katërt mëson gjëra ti, kupton, edhe për qytetin ku je lindur? 

– Me raste.

– Si me raste!?

– Sepse kur ka raste, duhet të përfitojmë nga rastet, ka thënë Stalini.

– Si?

– Ja, për shëmbull, në Londër janë takuar Marksi dhe Engelsi.

– Ç’na përrallis, ore!? Ata qenë nga Rusia, ç’punë kishin me Londrën!? 

– Jo,  ishin nga Gjermnia!

– Pusho! – Për disa çaste pllakosi heshtja e plotë. Togeri, pasi u mendua, tha:

 – E di, e di. Vazhdo!

– Po, ja, në „Zërin e Popullit“ unë kam lexuar se në Londër, ka dalë për herë të parë  Manfesti i Partisë Komuniste.

– Manifesti? Ah po, nga Stalini ynë…

– Jo, jo, nga Marks dhe Engelsi.

– Pusho! Mos më jep mësime, po përgjigjju pyetjeve të mia, kupton?  Shefi nuk desh ta ngiste më atë udhë të vështirë hetimi, ndaj, e ndryshoi kahun, u hodh te gjimnastika e mengjesit, te puna vullnetare për korrjet e vaditjen e  ullishteve me fuçi e kova. Më në fund, u  kthye te sporti.

– Më thuaj tashti, përveç  Naftëtarit, me cilën skuadër  je?

– Me Partizanin. 

– Pse nuk je me Dinamon?! Mos ke qenë gjë partizan?

– Jo, ç’ne unë partizan.

– Ç’lidhje ke atëherë ti, me  Partizanin?

– Po, a nuk kam qenë pionier!? Kam mbajtur në qafë shallin e kuq! 

Për zënkën shefi nuk i bëri asnjë pyetje!

Doktor Vako në mërgim.

Në vitet e lirisë,  doktor Vako, mërgoi  në Angli. Me pasaportë angleze punonte mjek në klubin sportiv londinez me emrin “West Hamer.” Skudra e futbollit e atij klubi ndodhej në vendet e para të kategorisë së dytë të kampionatit anglez. Gjatë verës ajo zhvilloi dy ndeshje miqësore nëTurqi me skuadrën e mirënjohur “Fenerbahçe” të Stambollit. Ndeshja e parë  përfundoi 1-1 dhe e dyta 0-0. Skuadra angleze pushoi disa ditë në një nga plazhet e bukura të Izmirit. Atje lojtarët u njohën me dynmet apo si i thonë ndryshe me hanëmet e bukura, që shkuan nga Stambolli. Lozën tenis dhe vollejboll. Nuk thonë kot “Shih Stambollin pastaj vdis”! Biondët e Londrës mandej u larguan nëpër det, për në Greqi, me anijen turistike “Olimboz”. Në Selanik vizituan Lefkopyrgon. Natën u ndeshën me skuadrën vendase, “Aris”. Rezultati: 3-0.  

     Doktor Kosta, pas ndeshjes, në dalje të stadiumit pati një takim të këndshëm. Një djalë me pamje rreth të tridhjetave pranë autobusit po përshëndeste, me duart e ngritura lart, futbollistët.  anglezë.  Doktori iu afrua dhe e pyeti:

– Where are you come from?…

Djaloshi e pa i heshtur, u mendua pak dhe tha:

– Albania!

Doktorit i qeshi fytyra, e hoqi mënjanë për një kafe diku pranë. Atje, i foli shqip: 

– Shqiptar qenke!?  Po nga cili qytet? 

– Nga qyteti i Kuçovës.

–  Kuçova?! – thirri doktori me gëzim dhe i zgjati dorën. 

– Edhe ju shqiptar jeni?

– Po, nga Tirana. Si të quajnë ty?

– Josif –  pas pak shtoi: Donofrosa. 

         –  Ç’e ke Rakip Donofrosën?

– Baba. 

– Ou!  Pse, i biri i shefit qenke ti? Ç’ne, ky emër Josif?

   -E kam nga babai,  me atë kam çare këtu  për punë e strehim.

-Ashtu vërtetë. Po si është me shëndet babai yt tani?

– Mirë, mirë, por ca i plakur dhe i mërzitur. 

– Kur ta takosh, i bëj shumë të fala nga Kostandin Vako i Naftëtarit të Qytetit! Dhe pyete, a   e lexon më Zërin e Popullit?

Leximi i lajmeve

Doktor Vako, ndërsa pushonte në hotel, iu kujtua një ndodhi e largët e shkurtit 1975, me lexim gazete. Rrebeshi i shiut kishte vërshuar nëpër rrugët e Tiranës. Era përplaste shiun e rrëmbyer në trupat e kalimtarëve. Çadra nuk kishte më asnjë vlerë. Ftohtë. Doktori  i lagur qull u gjend në rrugën e Durrësit. Në shtëpinë e Naimit pa dritë. Tha me vete: „Sa të ulet  tërbimi i motit, po ngjitem pak lart!” 

Në katin e tretë trokiti fort. 

– Kush është?

– Hape! Jam unë! 

– O, kush paska ardhur! Kosta! Nga bredh kështu nëpër këtë kiamet! Qenke bërë ujë! 

Miku, pa përshëndetur, la çadrën afër derës, u përkul dhe zbathi këpucët. Pardesynë dhe xhaketën qull i vari në korridor dhe zuri vend në kuzhinën e ngrohtë. I mbërdhirë, edhe pse pranë sobës valë, thoshte i hutuar:

– Oh, çfarë rrebeshi! Ujërat e turbullta të kanaleve kanë shpërthyer lart. Lana ka dalë nga shtrati. Tirana  po mbytet!  

I zoti i shtëpisë i hodhi  në gotë çaj mali me pak sheqer. 

– Pije të ngrohesh! – i tha.-Dhe, për t’u qetësuar, merre ketë gazetë.  Ka lajme të reja.   

Kosta e pa në sy, pastaj nisi të shihte lajmet, radhë pas radhe.Në faqen e parë, në kryeartikullin me autor Brigata e Shtypit shkruhej:“Byroja  dhe Sekretariati i KQ të  PPSH, bëjnë thirrje për fitorje të reja.” Pastaj brodhi sytë lartë poshtë. Ktheu faqet në vijim e u befasua prej lajmeve për jetën e popullit në qendër e në rrethe, për arritjet nga puna në industri e bujqësi. Kudo rendimente të larta, thyerje normash e zotime!  Më tej me një farë kënaqësie hapi faqen e katërt. Lajme nga bota: nga Fronti i Fukienit. Krizë e rëndë financiare në Japoni.. Falimentim bankash amerikane. Kolaps ekonomik në Europë. Greva të fuqishme në Italinë e veriut. Bota kapitaliste në prag të katastrofës.“  Doktorin e kapi  papritur diçka, si turbullirë.  

-Të lutem, një gotë, por jo çaj! Ujë, ujë të ftohtë! – Piu me një frymë dhe iu kthye sërish gazetës. Për të larguar shqetësimin, hodhi sytë te rubrika sportive. Në lajmet për futbollin lexoi:  „17 nëntori i  Tiranës në prag  të ndeshjeve për turin e parë për kupën e Europës, në këtë vapë të nxehtë korriku, po kalon pushimet në plazhin e bukur të Durrësit, në ajrin e pastër buzë detit, me stërvitje të shumta, vrapime, vollejboll  dhe futboll  me porta të vogla.“ 

– Ç’dreqin bëhet kështu me këtë gazetë? – thirri. –  E kthehu me vrull  në faqen e parë.  I  befasuar pa: Zëri Popullit, organ politik i PPSH, n. 350 ( 8888877…)   20  korrik, 1965! 

  Naimi buzëgaz, iu qas dhe e pyeti: 

         -Hë, doktor! Si t’u dukën lajmet?-  

 Befas jashtë dritares  vetëtiu, shkrepi rrufeja  dhe më pas u degjua, diku afër bubullima pak si e zgjatur…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh. Dëshnica, Qyteti Stalin., Rrefenje

NDARJE PA LAMTUMIRË

June 30, 2021 by dgreca

EDITORIALI DHE NUMRI I FUNDIT I DIELLIT/

NGA DALIP GRECA/

Pas një rrugëtimi 12 vjeçar erdhi koha që të ndahem me gazetën e dashur të Vatrës ”Dielli”. Ka qenë një punë e bukur dhe e lodhshme njëkohësisht që jam përpjekë ta kryej me ndershmëri dhe pasion. Erdhi koha që të pensionohem.

Vendimi i emrimit tim u mor nga Këshilli i Vatrës me propozim të kryesisë me 1 gusht 2009, pra 12 vite të shkuara.

   KUJTESA: Kur Dielli mbushi motin e parë të jetës së vet me 15 shkurt 1910, editori i atëhershëm, i papërsëritshmi, i madhi Faik Konica shkroi: “Me këtë numër DIELLI mbush motin e parë të botimit të tij. Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron nga ndonjë herë, rri mbi një gurë, dhe hedh sytë pas tij. Është një çlodhje dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara,kur sheh se sa eci dhe ç’mbaroj gjer atje…” Faiku deri në atë kohë kishte përshkuar një copëz rrugë fare te vogël të Diellit, numrin e parë e kishte publikuar me 22 tetor 1909, por i lodhur shpejt nga moskuptimet me kryesinë e Besa-Besës, u detyrua që me 25 shkurt 1910, dhjetë ditë pas përvjetorit të parë, të lajmëronte dorëheqjen, por i falenderonte me kortezi drejtuesit e shoqatës dhe i uronte Diellit shumë përvjetorë të tjerë. Dhe Dielli vazhdon dhe sot e do të vazhdojë përgjatë shekullit të dytë të jetës së tij. Ndjehem mirë që përvjetorin e 112-të të jetës së vet gazeta e përkujtoi me mua editor, duke regjistruar 12 vite plus në shekullin e dytë.

      Le t’i kthejmë sytë pas: Numri i parë i edituar prej meje ishte special dhe iu kushtua 100 vjetorit të Diellit.Të gjithë e mbajnë mend se gazeta, që nga qershori i vitit 2006 nuk dilte më duke e ndërprerë ciklin e mëparshëm kur dilte një herë në 3-4 muaj në vit. Në 100 vjetor, për shkak të financave, mungonte vetë Dielli. Në konferencën shkencore që u organizua në atë 100 vjetor kisha përgatitë dhe unë një kumtesë, pas një studimi 3 mujor në arkivin e Vatrës.

Vatra më mirëpriti.Në njoftimin që publikoi kryetari i ndjerë z. Agim Karagjozi, shkruhej:” Në mbledhjen e mbajtur me 1 gusht 2009, Këshilli i Vatrës miratoi unanimisht dhe me entuziazëm emrimin nga Kryesia të z. Dalip Greca editor të Diellit.Lexuesit do të shohin se z. Greca e nis punën në atë detyrë me këtë numër të Gazetës”…Më ra në sy për mirë togfjalëshi-u miratua:”unanimisht dhe me entuziazëm”. Njoftimi ndodhet në faqen e parë të Diellit të numrit special, shtator 2009.

Ishte kënaqësi që numrat e parë i përgatita në këshillim me kryetarin Karagjozi,i cili e kishte pasion punën me gazetën.Numri special u botua me 20 faqe, duke ruajtur ciklin e mëparshëm. Më pas i shtuam faqet dhe sollëm ndryshime në strukturë. Ndryshimi i parë ishte përgatitja e numrit special të 28 Nëntorit, festës së Flamurit Kombëtar. Fillimisht me 60 faqe, në  vitin pasuses me 84 faqe, për të arritur në një botim të qëndrushëm 36 faqe për çdo edicion mujor, dhe 108 faqe në numrat special të Festës së Flamurit.Në tërësi kam edituar 139 numra, një shifër që më bën krenar,duke mos harruar se online kemi nxjerrë Diellin e përditshëm. Ndërkohë që po të llogarisësh që në çdo numër special të festës së Flamurit gazeta ka dalë me 108 faqe, tre numra bashkë, i bie që të kenë dalë dhe 24 numra plus, gjithësej shkojnë 163  numra. Ndryshimi i dytë ishte futja e reklamave, pasi më parë gazeta nuk arkëtonte të ardhura dhe dhurohej. Në fakt ato s’ishin reklama të mirëfillta, mbizotëronin urime të vatranëve,dhe miq të Vatrës, që e suportonin gazetën. Ndryshimi i tretë ishte kolori, faqa e parë, dy të mesit dhe e fundit, ndërsa në numrat special faqet me ngjyra shkonin 36 e më shumë, praktikë që vazhdon ende. Gazeta krijoi rrjetin e vet të bashkëpunëtorëve në Kosovë, Shqipëri e trojet e tjera etnike, por përzgjodhi dhe bashkëpunëtorë cilësor në Europë, SHBA e Kanada.

         Për 12 vite kam synuar që Dielli t’ia lartësojë emrin vetes dhe Vatrës, si dhe ta  mbrojë atë nga shpifjet dhe thashethemet e dashakeqësve të saj, siç ka ndodhur përgjatë të gjithë historisë 112 & 109 vjeçare. Edhe pse janë përpjekur t’më pengojnë, t’më përgojojnë, të shpifin e sajojnë biografi të paqenë,të bëjnë aleanca brenda dhe jasht Vatrës, të hedhin gurin e të fshehin dorën, unë nuk jam tërhequr, deri në ditën e sotme, nisur nga këshilla e Dr. Rugovës se në pozicione të tilla duhet të mësohesh që të gëlltisësh edhe gurë të nxehtë.

      Ndjehem mirë se Dielli, nga një gazetë e mbyllur,e pavlerësuar, arriti të ndriçojë mjaftushëm, dhe falenderoj presidenti Bujar Nishani, që me këmbënguljen time në kryesinë e Vatrës,e miratoi kërkesën për dekorimin e gazetës, jo për mua, por për të gjithë ata që dhanë shpirtin e tyre në faqet e kasaj gazete historike. Dhe kërkesa ime më së fundi u dëgjua nga kryesia, kërkesa e hartuar prej meje u dërgua në Presidencë, dhe me 19 Maj 2017, me Dekret Nr. 10348, Gazeta“Dielli”u dekorua me Dekoratën”NDER I KOMBIT”, për veprimtarinë e saj të vyer gjatë një shekulli, të drejtuar nga figurat më të shquara të kombit tonë,si dhe për kontributin e jashtzakonshëm në historinë e shtypit shqiptar. Për rolin e pamohueshëm si misionare dhe zëdhënëse e çmuar e shqiptarëve të shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u kujdesur për ruajtjen e gjuhës shqipe, traditave e kulturës kombëtare si dhe duke ndërtuar e farkëtuar ura miqësie mes dy vendeve dhe popujve”.

Dielli u ka prirë fushatave në ndihmë të Vatrës, veçanërisht përgjatë festimeve të përvjetorëve të Vatrës dhe Diellit, por edhe në rast katastrofash natyrore në Shqipëri, siç  ka qenë rasti i përmbytjeve dhe tërmeteve.

Duke vlerësuar të gjithë paraardhësit e mi që kanë drejtuar Diellin,një pjesë prej të cilëve, gati ishin harruar, jam përpjekur që të sjell në faqet e gazetës jetët e tyre, veprat, kontributet.Kështu kam bërë për Kristo Floqin, Kostë Çekrezin, Nelo Drizarin, Athanas Gegaj, Arshi Pipa, e të tjerë. Po ashtu ia kam lënë lënë çelë derën edhe kam bashkëpunuar me paraardhësin tim, poetin e studiuesin e njohur Anton Çefa.

      Dielli gjatë këtyre 12 viteve u ka prirë veprimtarive promovuse, përvjetorëve historikë, veprimtarive komunitare dhe atyre të vetë Vatrës, duke synuar pjesmarrjen cilësore dhe masive në to. Kujtojmë përveç rolit prirës në 100 vjetorin e Vatrës dhe në çdo përvjetor të saj, përvjetorëve të Pavarësisë së Kosovës, përkujtimit të ngjarjeve historike, organizimit të konferencave dhe seminareve,organizimi i konkurseve mbarëkombëtare, Dielli u ka prirur edhe veprimtarive kushtuar figurave të tilla si Faik Konica, Fan S. Noli, Arshi Pipa, Mid’hat Frashëri, Musine Kokalari etj., ndërkohë që janë promovuar vepra të shkrimtarëve të njohur si Visar Zhiti, Frank Shkreli, Dine Dine, Arjeta Ferlushkaj, Ines Murzaku e të tjerë.

        Duke qenë zëdhënës i Vatrës gazeta, nën drejtimin tim është përpjekur që ta kryej misionin me paanësi. Probelemet e krijuara pas Kuvendit të qershorit 2017, Dielli i ka përcjellë me korrektesë, duke u orientuar nga Kushtetuta e Vatrës, që ka sanksionuar  frymën dhe detyrat e saj, duke i qëndruar besnikërisht strukturave institucionale të Vatrës, dhe kryesisë nga varet. Kjo ka qenë arsyeja që deklaratat e ndonjë dege të nervozuar, që i është kundërvënë qendrës, që sulmonin zyrtarët e Vatrës, apo deklarata të komisionit të paligjshëm, antikushtetus, anti Vatër, 5 tetori, nuk janë botuar në faqet e Diellit. Me ndërgjegje dhe mbështetur në frymën e Vatrës, jam përpjekur që ta mbroj Vatrën nga përçarjet, madje edhe duke kritikuar ashpër frymën përçarëse dhe rrugën pa krye ku përpiqen ta fusin Vatrën ende disa të pakënaqur.

Duke analizuar marrdhëniet me kryetarët, mendoj se kam shkuar mirë me drejtuesit e Vatrës. Z. Agim Karagjozi, mbetet i veçantë për vlerësimin dhe lirinë që më dha në drejtimin e Diellit. Po ashtu edhe ish Kryetari Gjon Buçaj, i cili me shkrim, me gojë, në takime, mbledhje, ka vlerësuar pozitivisht punën time, madje në ikje, pas Kuvendit të qershorit 2017, në mbrëmjen festive, si shumë të tjerë më nderoi me MIRËNJOHJE. Ndërsa kryetari Dritan Mishto, më la të punoj në lirinë e trashëguar nga kryetarët e mëparshëm, por mendoj se ai ka meritë nga që i shtoi Diellit editoren e anglishtes, që gazeta nuk e kishte që prej viteve ’80. Kryetari Elmi Berisha, më ka respektuar dhe më ka dhënë  mbështetjen e duhur, madje edhe më vlerësoi duke i propozuar Presidentit të Shqipërisë z. Ilir Meta, që t’më dekoronte me Urdhërin”Kalorës i Skënderbeut”. E vlerësoj miratimin e Presidentit, i cili me Dekret Nr. 13049, datë 21 Prill 2021, më nderoi me titullin”Kalorës i Skënderbeut” me motivacionin ”Në vlerësim të veprimtarisë së shquar kombëtare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e kryeredaktor i gazetës”Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare VATRA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Në ikje e falenderoj Kryesinë e Vatrës,e cila pa përjashtim më ka mbështetur, Këshillin e saj, degët, të gjithë vatranët, kryetarët e degëve,bashkëpunëtorët e Diellit, lexuesit, korrespondentin në Prishtinë Behlul Jashari dhe shumë të tjerë. Ndjesë për ndonjë keqkuptim.

Falenderim të veçantë për gazetarin Sokol Paja, që me profesionalizëm, me shkrimet e tij, me intervistat e relalizuara me personalitet të mjeksisë, kulturës, shkencës, me drejtues të shkollave shqipe, në të gjithë kontinentet ku jetojnë shqiptarët, ka ngritur autoritetin edhe zërin e Vatrës dhe të Diellit.

Jashtë falenderimit nuk mund të lë mikun tim Veis Belliu, sekretaren Nazo Veliu, mbesat e saj studente  Kamila dhe Franka, e shoqen e tyre Rea,që më janë bërë krah duke ndihmuar në përgatitjen e gazetës për postim. Falenderim edhe për anëtarin e Kryesisë Zef Balaj, Mark Mrnaçaj,Marjan Cubi, Asllan Bushati, e të tjerë, që sa herë u kam kërkuar ndihmë, më janë gjendur. Falenderoj dizajnerin e Diellit, Hezër Hajrullaaga në Kosovë.

Në këto radhë nuk mund të lë pa përmenduar dy dy miq të çmuar, që nuk jetojnë më, që më dhanë gjithë mbështetjen e tyre,vatranët Jonuz Ndreu dhe Zef Përndocaj.

Së fundi dua të falenderoj familjen time, së cilës i kam munguar nga mëngjesi  deri në orët e vona të natës,duke punuar edhe të shtunave dhe të dielave. Nga ana tjetër, familja ka qenë pjesë e pandarë e punës time, e Diellit dhe Vatrës, duke shërbyer vullnetarisht, duke kryer edhe punët e rëndomta, të pastrimeve në vatër, apo të përgatitjes së gazetës për postim.

Largimi ishte vendimi im, por dhe këmbëngulja e familjes, që unë të shlodhem dhe të shoh problemet e shëndetit. Gjej rastin që t’i përcjell një falenderim prej shpirti dr. Skënder Murtezani, që aq shumë është kujdesur për shëndetin tim. Edhe këshilla e tij ishte pjesë e vendimit tim.

E uroj Vatrën dhe Diellin, që të fitojnë mbi sfidat e shekullit të dytë të jetës së tyre dhe të ngrihen mbi përçarjet dhe sulmet e dashakeqësve, nervozëve, të pakënaqurve, të shpifësve, të njerëzve të vegjël në shpirt, që nuk kanë munguar asnjëherë.

Një këshillë për Vatrën: Të ruaj frymën e bashkimit dhe të veprojë në mënyrë insitucionale, të shmangë thashethemet, përgojimet, grupazhet e vogla shkatërruse që funksionojnë përmes telefonatave e-meileve me përzgjedhje,të ruhet nga egoizmat dhe xhelozitë karrieriste,të respektojë Kushtetutën e saj të trashëguar nga  koha e Konicës.

Vatra dhe Dielli do të mbijetojnë se janë të shenjtë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: dalip greca, Editoriali i fundit, Ndarje pa Lamtumire

Anglia, hakmarrja pas 53 vjetëve

June 30, 2021 by dgreca

-Gjermanët largohen nga Europa 2020./
Nga Alban KOLONJARI/ Anglia është në çerekfinalen e  Euro 2020 pas një fitore emocionuese 2-0 ndaj Gjermanisë të martën në Wembley Stadium. Anglezët kishin 53 vite që nuk fitonin një ndeshje me eliminim direkt kundër gjermanisë në eliminatoret e një Europiani.  Raheem Sterling, i cili kishte shënuar dy golat e vetëm të Anglisë në fazën e grupeve, ishte heroi që i hapi rrugë fitores së Anglisë. Të dy ekipet hynë në këtë ndeshje me pikëpyetje  të mëdha pas paraqitjeve jo bindëse në fazës së grupeve. Anglia kishte shënuar vetëm dy herë pavarësisht se ishte në krye të grupit, ndërsa Gjermanisë iu desh shumë sakrificë për të siguruar kualifikimin përballë Hungarisë. Pas një pjese të parë të qetë, Luke Shaw u fut në lojë dhe ofroi një prefekte por edhe pasimin e fundit ndërsa Jack Grealish edhe një herë filloi në stol, në të 69 minutë në vend të Bukayo Saka duke ndihmuar Anglinë të ndryshojë lojën e saj sulmuese.  Në të 75 minutë sulmuesi i Manchester City Raheem Sterling i cili kishte shënuar për Anglinë në fitoret e tyre 1-0 të Grupit D ndaj Kroacisë dhe Republikës Çeke, gjendet në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Disa kalime të bukura me dy prekje, midis Grealish dhe Shaw, kulmon në mbrojtësin e majtë i cili hedh një kros të ulët në zonë për 26-vjeçarin Sterling, i cili e dërgon topin në cepin e rrjetës  së Neuer nga një distancë e afërt. 1-0. Wembley shpërthen në festë. Müller i ka të gjtha shanset të barazojë për gjermanët, por gjuajtja e tij në hyrje të zonës përfundon jashtë.Në të 86′, Harry Kane Kapiteni i Anglisë tund rrjetën e Muller pas një gjuajtje me  kokë nga një distancë e afërt për të dërguar Wembley në festën e kualifikimit!  Dhe sërisht janë potragonistë Shaw dhe Gnabry që në këtë ndeshje e nisën si zëvëndësues. Gjermania.Mandati 15-vjeçar i Löw përfundoi me një thriller në Wembley. Skuadra e tij do të zhgënjehete masivisht tifozë gjermanë gjatë EURO 2020.  Anglia shënoi e para kur dukej se Gjermania ishte një avantazh të lehtë, në fushën e lojës. Por ne e  dinim që më shumë herët se fati i kësaj ndeshje do të vendosej nga detajet më të vogla. Në tërësi, Gjermania thjesht nuk ishte në gjendje të shfrytëzonte maksimalisht potencialin e saj sulmues në këtë turne.AngliaFantazia e tranjerit Southgate ka bëjnë përsëri me këtë fitore të shumëpritur të nokautit të turneut ndaj Gjermanisë, duke luajtur kartat e tij me zëvëndësime prefekte që i dhanë fitoren.  Të gjithë kanë kontributin e tyre në të gjithë fushën – nga Pickford i shkëlqyeshëm duke mbajtur një tjetër gol të pastër, deri te Sterling që theu bllokimin me golin e tij të tretë në turne. Një fjalë gjithashtu për supersub Grealish, topi i të cilit ndihmoi Kane të merrte golin e tij të parë në EURO. Ndoshta nuk do të vijë në shtëpi akoma, por Anglia do të drejtohet në Romë.  Raheem Sterling, golashënues i Anglisë: “Ne e dinim që duhej të bënim një paraqitje të madhe kundër një skuadre shumë të mirë, dhe mendoj se e bëmë atë sot. Ne e dinim intensitetin në të cilin mund të luajmë, jo shumë ekipe mund të merren dhe maten me Gjermanine. Të dy djemtë në mesfushë {Rajs dhe Phillips] ishin super, ata hëngrën tokë, ata ishin vetëm “kafshë” atje “.Declan Rice, mesfushor i Anglisë: “eshtë e pabesueshme, shumë njerëz na kishin kritikuar në fazën e grupeve, por ne donim të provonim që njerëzit gabuan. Raheem Sterling po provon që shumë njerëz gabojnë, dhe këtë po e realizon  duke shënuar gola. Harry Kane është krijuar për raste të mëdha, ai shënoi golin që e vuri ndeshjen në shina”. Joachim Löw, trajner i Gjermanisë, duke folur për ARD: “Ky është një zhgënjim i madh për të gjithë ne. Ne shpresonim të arrinim shumë më tepër në këtë turne dhe besimi në këtë ekip ishte i lartë. Në ndeshje si kjo është e domosdoshme të përdoret Timo Werner dhe Thomas Müller, fatkeqësisht nuk mundën të shënojnë ne mundësitë e tyre per gol, kështu që ndihet shumë keq që jemi jashtë. Jam në krye të Gjermanisë prej 15 vitesh dhe me të gjithë përgjegjësinë e madhe, disa pushime duhen. Duhet kohë për të krijuar energji të reja, për momentin nuk kam ndonjë plan konkret’’. “Toni Kroos, mesfushor i Gjermanisë, duke folur për ARD: “Ju nuk mund ta imagjinoni sa e hidhur eshte ky eleminim. Ishte një ndeshje e ekuilibruar derisa ata shënuan golin e parë. Anglia nuk kishte pothuajse asnjë shans derisa ata e bënë 1-0. Performanca jonë ishte solide deri atëherë, por goli ndryshoi gjithçka”.Gareth Southgate, trajner i Anglisë: “këta lojtarë vazhdojnë të shkruajnë historinë dhe ata e kanë shansin përsëri – ne kemi vetëm ndonjëherë në një gjysmëfinale të Kampionatit Evropian kështu që, përsëri, ata kanë pasur mundësinë të bëjnë diçka me të vërtetë të veçantë Luajtëm në shtëpinë tone dhe nuk kam dëgjuar kurrë një atmosferë të tillë. Tifozët ishin prapa çdo prekje topi, çdo vrapimi të futbollistëve.”.
 Statistikat kryesoreKjo ishte ndeshja e parë nokaut në EURO që Anglia ka fituar pa ndihmën e një gjuajtje penalltish që nga fitorja e tyre në vendin e tretë play-off mbi Bashkimin Sovjetik në 1968.Anglia kurrë nuk ka humbur në finalet e një turneu të madh në Stadiumin Wembley (W10 D4).Tre Luanët kanë humbur vetëm një nga 15 ndeshjet e tyre të fundit të turneut në EURO, duke injoruar penalltitë (W8 D6).Skuadra e Southgate duhet të pranojë në këto finale pas katër ndeshjeve.Sterling ka shënuar 15 gola në 20 daljet e tij ndërkombëtare për Anglinë.Anglia ka fituar të gjitha 13 ndeshjet në të cilat ka shënuar Sterling.Gjermania ka fituar vetëm një nga gjashtë ndeshjet e fundit të turneut EURO.Mannschaft nuk arriti të shënojë për herë të tretë në 30 ndeshje.RreshtimetAnglia: Pickford; Walker, Stones, Maguire; Trippier, Rice (Henderson 88), Phillips, Shaw; Saka (Grealisht 69), Kane, Sterling
Gjermani: Neuer; Ginter (Can 87), Hummels, Rüdiger; Kimmich, Goretzka, Kroos, Gosens (Sané 88); Müller (Musiala 90), Havertz, Werner (Gnabry 68)

Filed Under: Sport Tagged With: Alban Kolonjari

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT