• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2022

Gjermani – hapet pika shkollore në Fürth të Republikës së Bavarisë

November 12, 2022 by s p

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Klasa në Fürth

   Në rrugën e përpjekjeve të mëdha për shkollën shqipe nuk kanë të ndalur, njëkohësisht as inkurajimin e prindërve për t’i dërguar fëmijët  në mësimin plotësues në gjuhën shqipe, më qëllim të ruajtjes së saj dhe përmes saj komuniteti shqiptar ta ruan identitetin e të qenit shqiptar, rrënjë Pellazgo-Ilire.  Përhapjen e kësaj pike shkollore në Fürth, qytetës në rrethinën e Nürnbergut, u angazhua Këshilli i Prindërve të Nürnbergut, të cilët mori përsipër hapjen e kësaj pike shkollore dhe u zotua se në të ardhmen do të hapim edhe pika tjera, më qëllimi  të zgjerimi të rrjeti të klasave të mësimit plotësues në gjuhës shqipe.

Hapja e klasës në Fürth u hapë në mënyrë ceremoniale, më 11 nëntor 2022, në prani të nxënësve, prindërve të Fürth-it, të përfaqësuesve të LAPSH-të në Bavari, të nënkryetarit Armend Ismajli dhe arkëtari Xhymshit Tafa. Po ashtu dhe në prani të mësueses Arianita Abdiu, e cila para të pranishmëve u zotua se do të jetë e përkushtuar në realizimin e misionit të mësuesit, në mësimdhënie. Në këtë eveniment e pranishme ishte edhe mësuesja e klasës në Nyrnberg, Lume Daci Hotit, e cila pasi i përshëndeti të pranishmit i ofroi mësueses së re bashkëpunim profesional, në shkëmbimin e përvojës në mësimdhënies. 

Në  këtë eveniment i pranishëm ishte edhe koordinatori për Nyrnberg-un z. Selim Hotit, gjë që dhe bëri hapjen e kësaj ceremonie, i cili dhe foli për ecurinë dhe rëndësinë e mësimit plotësues, ku ndër të tjera u bëri thirrje prindërve dhe tha: “Sa më shumë fëmijë të vijojnë mësimin në gjuhën shqipe, aq më të bindur do të jemi në ruajtjen e gjuhës amtare te fëmijët tanë. Po ashtu aq më tepër do të kemi besim se gjuha jonë nuk do të harrohet, por do të jetë një rreze dritë, aromë e atdheut, e dashur për fëmijët tanë dhe krenari për ne dhe kombin. Andaj së bashku të angazhohemi, ngaqë së bashku dhe ia arrijmë qëllimin”

Për të pranishmit, prindërit kishin përgatitur një koktej me ushqime tradicionale dhe, gjatë bisedave njëri me tjetrin buzëqeshja në fytyrat e tyre ishte e madhe sa kishte edhe lot gëzimi, ku emocioni dhe hapja e klasës shqipe me mësim plotësues u bë një hije e atdheut, e përcjellë me zërin e saj “Mos e harroni gjuhën shqipe”! 

Ceremonia përfundoi me thirrjen: “Prindër mos hezitoni sjellni fëmijët në shkollën shqipe, sepse vetëm kështu e duam atdheun, gjuhën e bukur të Naimit, gjuhën shqipe”.

Nxënësit me mësuesen, koordinatorin, arkatarin dhe nënkryetarin e LAPSh-it

Shqiponja simbol se si pranë saj të jemi krenar!

Filed Under: Fejton

Akademik Vasil S. Tole: “Lasgush Poradeci si etnograf i muzikës, rasti i këngëve të Usta Isuf Myzyrit”

November 12, 2022 by s p

Dy botimet më të fundit me autor Lasgush Poradecin, “Vjersha (këngë) popullore grarishte Pogradec dhe të fshatit Dardhë, Korçë”- Vëllimi I dhe “Vjersha (këngë) popullore grarishte krahinash të ndryshme”- Vëllimi II, që të dyja me shënimin mbledhur prej gojës së popullit, të përgatitura nga Marie Gusho-Poradeci dhe të botuara nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, janë ngjarje e veçantë kulturore në vitin e 50-të jubilar të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe të 35-vjetorit të ndarjes së Tij nga jeta.

#AShSh

#botimiiakademisësëshkencave

Nga akademik Vasil S. Tole

Përmbajtja e shkurtër:

Punimi “Lasgush Poradeci si etnograf i muzikës, rasti i këngëve të Usta Isuf Myzyrit” është një vështrim i hollësishëm mbi rolin e veçantë që Lasgush Poradeci ka pasur si mbledhës i folklorit muzikor e letrar shqiptar në vitet 1930-1940, rëndësinë e këtyre mbledhjeve për folkloristikën shqiptare, aftësitë në muzikë dhe formimin shkencor të Lasgush Poradecit në dokumentimin me saktësi të kësaj trashëgimie kulturore, e posaçërisht ndikimet që kjo trashëgimi mund dhe ka pasur në artin e tij të krijimit si poet unik i letrave shqipe. Punimi fokusohet në dinamikën dhe rastin e mbledhjeve të këngëve qytetare Elbasanase të krijuar nga usta Isuf Myzyri, direkt prej gojës së tij, se si Lasgushi çmon vlerat e kësaj trashëgimie të re muzikore të qytetit të Elbasanit, se si ai i qaset thelbit të kësaj krijimtarie si një krijimtari e gjallë, e cila ka nevojë për tu njohur dhe dokumentuar ashtu siç duhet. Pjesë e studimit janë tekstet e 14 këngëve të mbledhura prej tij nga Usta Isuf Myzyri.

***

Dy botimet më të fundit me autor Lasgush Poradecin, “Vjersha (këngë) popullore grarishte Pogradec dhe të fshatit Dardhë, Korçë”- Vëllimi I dhe “Vjersha (këngë) popullore grarishte krahinash të ndryshme”- Vëllimi II, që të dyja me shënimin mbledhur prej gojës së popullit, të përgatitura nga Marie Gusho-Poradeci dhe të botuara nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, janë ngjarje e veçantë kulturore në vitin e 50-të jubilar të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe të 35-vjetorit të ndarjes së Tij nga jeta.

Rasti i mbledhjes së këngëve të Isuf Myzyrit (1881-1956) prej Lasgush Poradecit (1899-1987) është ndoshta procesi etnografik më i dokumentuar dhe më i strukturuar, që tregon se si Lasgush Poradeci, ky personalitet i jashtëzakonshëm i letërsisë shqiptare, ia doli të dokumentojë dhe të regjistrojë këtë trashëgimi muziko-letrare të mjeshtrit Isuf Myzyri, e cila sot bën pjesë në “Listën Kombëtare të Kryeveprave të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore”, shpallur nga Ministria e Kulturës. Lasgushi e konsideronte me të drejtë traditën si “fuqinë e një kombi”, e kësisoj edhe për veten e tij si krijues ai thoshte “unë jam tradicionalist”, pasi tradita për të ishte “fuqija shpirtërore dhe materiale e kombit” .

Këngët e Usta Isuf Myzyrit janë mbledhur drejtpërsëdrejti të kënduara nga goja e tij në 2 ditë shtatori të vitit 1940, përkatësisht në datat 26 dhe 29 shtator, kohë kur poeti Lasgush Poradeci qëndronte për kurim në “Banjat e Elbasanit”, ose siç njihen edhe si “Llixhat e Elbasanit”. Në shënimin hyrës, para paraqitjes së këtyre këngëve, gjendet teksti i mëposhtëm i bërë nga vetë Lasgushi: …. këngë të Isuf Myzyrit, vjershëtorit popullor elbasanas. Sot nj’a pesëdhjetë e tetëvjeçar, lindur në Elbasan. Të dëgjuara prej gojës së tij. Isufi ishte bektashi. Është bërë myhyp para 26 vjetësh në teqen e Elbasanit prej Baba Ahmet Elbasanit, në teqenë e madhe të Elbasanit. I vëllaj i Baba Ahmetit është Baba Mustafaj-I I teqesë së Elbasanit. Baba Mustafaj është gjysh .

Vitet 1930 dhe fillimi i viteve 1940, kohë kur Lasgushi u mor intensivisht me mbledhjen e folklorit, ishin vite të rizgjimit të interesit publik e shtetëror për trashëgiminë kulturore dhe për shkencën albanologjike në veçanti. Me krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në vitin 1940, institut i cili kishte si synim edhe botimin e përmbledhjeve të punimeve për folklorin, Lasgushi u bë një nga pjesëtarët kryesorë themelues të tij, së bashku me personalitete të tjera të artit dhe shkencës si Aleksandër Xhuvani, Ekrem bej Vlora, Eqrem Çabej, Ernest Koliqi, Odhise Paskali, Zef Valentini etj.

Në këtë kohë, e cila kishte zgjuar interesimin për trashëgiminë shpirtërore të shqiptarëve, botohet i pari libër i quajtur “Udhëheqësi i vogël për mbledhjen e Thesarit Folkloristik” , nga folkloristi i shquar shqiptar i shek. XX Stavro Th. Frashëri (1900-1965), në të cilin një vend të veçantë zinte kujdesi që duhet treguar për mbledhjen e folklorit e posaçërisht të muzikës popullore shqiptare. Ky botim i parë në këtë fushë gërshetonte përvojën më të mirë të krijuar nga vetë autori në mbledhjen e folklorit, me atë të studiuesve të huaj. Në ndarjen XXVI-Muzika dhe vegla muzikore autori shkruante: … studimit të muzikës popullore, për fat të keq, nuk i është dhënë rëndësi aspak në vendin tonë. Dhe kjo nofta rjeth nga mendësija e gabuar të disa të rinjëve që kanë studjuar muzikën europiane, dhe të cilët pandejnë se kjo nuk vlen të studiohet me qenë se është orientale. Shpresoj se do të na dalë nonjë eksponent tjetër i ri i cili jo vetëm të përgënjeshtrojë këto thënie falco por edhe të lartësoje muzikën t`onë të bukur n`atë shkallën e merituar. Sikundër që kostumet ashtu edhe muzika popullore ka një ndryshim të math prej një vendi në tjetrin dhe natyrisht terminologjia përkatëse ka për të qëne interesant. Shkodranët xheç kanë bërë mi studimin e muzikës popullore të Shkodrës dhe Toskët do të bënin shumë mirë sikur të bënin një gjë të njësojshme për muzikën e tyre e cila, në shumë raste, është plot hir dhe bukuri. Përsa u përket veglavet muzikore është nevoja që, bashkë me emër edhe shpjegimet, të jepet edhe një vizatim.

Eksponenti tjetër, Ai që Stavro Frashëri kërkonte “të lartësonte muzikën tonë në shkallën e merituar”, ishte Lasgushi, i cili kishte vite që i kishte paraprirë reagimit shtetëror me mbledhjet e tij vetjake të folklorit, e që përmes personalitetit të tij tërhoqi vëmendjen e duhur ndaj trashëgimisë europiane të shqiptarëve pikërisht atëherë kur nuk bëhej fjalë për ekspedita të organizuara nga institucionet e specializuara ose ato arsimore të shtetit për ta mbledhur dhe dokumentuar atë.

Në thelb të tyre, dokumentimi i këngëve të Usta Isuf Myzyrit është një tekst etnografik, pasi etnografia nuk është gjë tjetër veçse të shkruash për njerëzit (nga greqishtja ethnos-popull dhe graphien-shkruaj). Dihet se etnografia, e posaçërisht ajo e muzikës, nuk përcaktohet përmes perspektivave apo linjave të tipit teorik. Më së shumti ajo lidhet me elementet përshkruese të muzikës, të cilat kalojnë nga shkrimi i thjeshtë i tingujve drejt mënyrës se si këta tinguj janë konceptuar, si janë realizuar, si janë kombinuar me fjalët, si janë vlerësuar dhe si ndikojnë mbi individë të tjerë, mbi grupet shoqërore, deri edhe te vetë proceset muzikore. Pra, etnografia e muzikës merret para së gjithash me mënyrën se si njerëzit bëjnë muzikë e për këtë arsye, shpesh, ajo mund të ngjasojë me analizimin e ngjarjeve, sesa thjesht me analizimin e tingujve muzikorë.

Për të kuptuar “etnografinë e muzikës” së Lasgush Poradecit, në ndihmë na vjen ditari i tij i cili është mjeti i analizimit të ngjarjeve etnografike. Ritheksojmë se këngët e Usta Isufit janë mbledhur që të gjitha gjatë kohës që Lasgushi qëndronte për pushime në “Banjat e Elbasanit”, te të cilat u nis nga Poradeci në datën 16 shtator 1940 . Në datat 17, 18, 19, 20, 21, 22, 23 dhe 24 shtator 1940, Lasgushi ndjek një procedurë standarde që përfshin kryerjen e banjave të squfurit disa herë në ditë, ngrënien e drekës që zakonisht e konsumonte në natyrë pranë krojeve (kroi i Lindjes ose i Juglindjes, ose në mal nën drurë, ngrënien e zemërherës etj.). Në shënimin e datës 25 shtator 1940, e mërkurë, Lasgushi shkruan: … ardhi në Lixhë vjershëtori-violinist popullor Isuf Myzyri nga Elbasani, u poq me mua (me qënë që siç më tha, nuk mundi të vijë vjet kur e thirra). Kish sjellë dhe violinë dhe i ra disa këngëve të tija .

Në këtë shënim dalin qartë dy elemente. Së pari, fakti që Usta Isufi i ka kënduar këngët të shoqëruara me violinë e në prezencë të Lasgushit e po ashtu, edhe interesi i Lasgushit për trashëgiminë muzikore të Usta Isufit, të paktën prej vitit 1939, kohë kur po në “Llixhat e Elbasanit”, Lasgushi kishte mbledhur nga goja e Kíma 😊 Jaqim) Bueadàn, nga Elbasani (aromën), dy nga këngët më të njohura të Usta Isufit: “Moj fullanxe moj mitare” dhe “Iku nata, agun malet”. Këngën e dytë e kishte mbledhur si motërzim edhe nga një tjetër bartëse, zonja Shaqe Zef Llupi, nga Shkodra, po në Llixhat e Elbasanit, më 26 shtator 1939.

Në lidhje me takimin e parë nga afër me Usta Isufin, kemi edhe një shënim tjetër të Lasgushit, i shkruar pasi ata ishin takuar, i cili i bën akoma më të qarta synimet e tij: :… Isuf Myzyrin nga Elbasani e kam takuar kur shkova njëherë në Llixhë. I dërgova të vinte të më takonte dhe më erdhi. Ishte veshur me brekushe të bardha, shumë të pastra. Ndenjmë e biseduam. Unë desha të di poezitë që bënte ai. Isuf Myzyri vetë i bënte fjalët e këngëve, vetë i këndonte dhe vetë i shoqëronte me violinë. Për atë kam shkrojtur dhe një artikull atëherë . Lasgushi e ndien dhe e di fare mirë se muziktarët si Myzyri kanë sjelljen dhe qasjen e tyre për atë që po ndodh gjatë takimit dhe interpretimit, i cili shoqërohet edhe me aspekte psikologjike e emotive, e për më tepër në kushtet kur ata, bartësit që intervistohen, nuk kanë dëshirë që të flasin për to.

E duke i ditur të gjitha këto, thelbi i interesimit të Lasgushit qartazi fokusohet në dy elemente të rëndësishme:

1. Nga buron aftësia krijuese muzikore e Usta Isufit?

2. Cili është roli i tij si pjesë dhe kontribues në traditën e madhe të muzikës popullore qytetare?

Në vitin 1940, Usta Isuf Myzyri ishte kryemjeshtri i muzikës qytetare të Elbasanit dhe një ndër mjeshtrit më të njohur të muzikës qytetare shqiptare. Ndikimi i muzikës së krijuar dhe interpretuar prej tij dhe orkestrinës së përbërë nga Mitat Stringa, Leksi Vini, Mustafa Bodini, Rustem Serica, Mahmut Ashiku, Arif Topalli, Met Balashi, Demir Shore, Ali Zena etj., i kishte kaluar kufijtë e qytetit të Elbasanit, për të shkuar në qytetet kryesore shqiptare e më tej, në Kosovë e Maqedoni. Ai kishte mundur që krijimtarinë e tij ta shndërronte në një gjuhë komunikimi mes njerëzve, pasi muzika popullore nuk mund të ekzistojë e ndarë nga krijuesi, interpretuesi dhe publiku i saj.

Dihet p.sh. se në vitet 1920-1930, një vend të posaçëm në formatimin e tipareve të këngës popullore qytetare të qytetit të Tiranës zunë lidhjet profesionale dhe miqësore të Usta Isuf Myzyrit me Tiranën dhe muziktarët popullorë të Tiranës , miqësi e cila ka ndikuar fort në tiparet e muzikës popullore të kryeqytetit të ri të Shqipërisë. Një këngë popullore e ahengut tiranas e ka përjetuar këtë miqësi në vargje e melodi:

Po kënoj nji kong të vjetër, për arshikët në Tiron,

i kujtojmë ne për gjith jetën, asiher s’do t’i harrojm.

Sa i bukur osht Uqini, lezetlliku osht m’Tiron,

e ka thon Mustafa Budini dhe Myzyri n’Elbason.

Nëpër kafe nër mihone, kongët tona tuj kenu,

Liu i Nushit me qemone, xhevahir që s’ka të ç’mu.

Vje Isufi prej Elbasoni, bon ahengun n’tabakhon ,

Me Bet Shyrben e Dull Dërhemin, arshikët jon m’Tiron.

Në fotot që njohim nga Usta Isuf Myzyri, ai mbante në kokë një qeleshe tiranase, të cilat ishin më të lartat që mbaheshin në Shqipëri , dhe se ai ishte vetë një zanatçi që punonte qeleshe. Zanatin e qeleshexhiut-qeleshepunuesit ai e mësoi në Tiranë nga miku i tij Rexhep Murthi dhe e ushtronte atë paralelisht me muzikën, të cilën e kishte filluar rreth vitit 1905. Nuk është e tepërt të pohojmë se, Tirana ishte një nga qendrat kryesore për punimin e qelesheve , ku ka dhe nji grumbull zejtarësh që kët zanat e ushtrojnë pothue den-babaden . Janë këto vitet të cilat e njohën atë në rrethet e artizanëve të Tiranës edhe si muzikant popullor . Me të drejtë është pohuar nga studimet tona muzikologjike se krijimtaria e tij, e mbështetur në trashëgiminë e këngëve tradicionale elbasanase si dhe më gjerë, të Shqipërisë së Mesme, edhe pse mjaft personale është e mbrujtur fort me këtë traditë .

***

Ditët kur Lasgushi ka dokumentuar këngët e Usta Isufit janë ato të 26 shtatorit 1940 (e enjte) dhe 29 shtatorit 1940 (e diel). Në ditarin e datës 26 shtator, Lasgushi shkruan: … hëngra drekë ne kroj i Jug-Perëndimit (krua në lloj pusi). Sot përpara dhe pas dreke shkrojta 9 këngë të Isuf Myzyrit prej gojës së tij (në Lixhë) ; dhe shënimi tjetër i datës 29 shtator, që thotë: … u fjalosa për herën e fundit me këngëtorin popullor Isuf Myzyri. Ardhi që në mëngjes (ora 7.30’) në hotel “Park”. Pasdreke shkoj në Elbasan .

Edhe pse nuk ka sqarime konkrete për këngët që ka mbledhur ditën e dytë, është e qartë se atë ditë janë mbledhur 5 këngët e tjera të tij. Pra, 14 këngët që gjithsej janë mbledhur drejtpërsëdrejti prej Usta Isuf Myzyrit, të cilat i gjejmë të publikuara në librat për të cilët po flasim, u përkasin 26 dhe 29 shtatorit të vitit 1940.

Dimë se Lasgushi ka shkuar edhe herë të tjera në Elbasan apo edhe te “Banjat e Elbasanit”, por ai nuk është takuar më me Usta Isuf Myzyrin. Për këtë na ndihmon një tjetër shënim i bërë prej Lasgushit, ku rikonfirmohet se takimi i tij i fundit me të ishte ai i datës 29 shtator i vitit 1940. Lasgushi shkruan: …. më vonë desha ta takoj përsëri. Shkova te kafeneja ku rrinte zakonisht. Pyeta – ishin ca pleq bektashinj. Ka kalue – më thanë. Shiko sa bukur! Nuk më thanë vdiq apo ka vdekur, por ka kalue d.m.th. ka kaluar në jetën tjetër. Isuf Myzyri ka kalue, por poezinë e tij e mbaj mend: Sevdaja në pleqëni S’asht memqym me u durue/ S’më besojn as miqt e mij/ Mjeri un si kam pësue .

14 këngët e mbledhura nga goja e Usta Isuf Myzyrit janë ato me titujt: “Ah më paç në qaf që më vrave mu”, “Iku nata, agun malet”, “Si bilbili në pranverë”, “Kënga e shokut t’im Ali Bilalit”, “Nji lulisht me trandafila”, “U dëshirush me të pa”, “E paskim pas fatn e zi”, “Kumrija bën gu-gu”, “S’paske pas moj pik mëshire”, “Dashënija si rrufe”, “Përse më rri kaq vranu”, “Errësin’ e pyllit”, “Ma mir në pyll se në qytet”, dhe “Harap u bash un’ i mjeri”.

Të mbledhura prej një këngëtari dhe instrumentisti të vetëm siç ishte Usta Isufi, referuar Kurt Sachsit (një studiues i kualifikuar si në historinë e artit, ashtu edhe në historinë e muzikës), pohojmë se tipari mbizotërues i natyrës së këtyre mbledhjeve prej Lasgushit është dokumentimi i «stilit patogjenik», me origjinë në “pasionin dhe impulset motorike”, që ndjek relaksimin e energjisë së këngëtarit i cili pason çdo shpërthim të emocionit të fortë. Për këtë arsye, të gjitha këngët shoqërohen me sqarime të natyrës shpjeguese të historisë së krijimit të tyre dhe kujt i kushtohet kënga, të fjalëve të përdorura në to, të vitit kur ato janë krijuar si dhe të mënyrës se si vargjet e këtyre këngëve janë mbledhur.

Dokumentimi i këngëve popullore mbledhur nga Lasgush Poradeci prej këndimit dhe interpretimit të Usta Isuf Myzyrit duket se do të shenjojë një precedent pozitiv në etnomuzikologjinë shqiptare. Edhe pse këto këngë janë mbledhur vetëm si vargje dhe jo si notizime, ky rast dëshmon se sa e rëndësishme është për vërtetësinë e procesit të dokumentimit që vargjet të mblidhen si të kënduara kur vijnë prej këngës, dhe si të folura kur vijnë prej rrëfimit. Duket se Lasgushi e ka pasur shumë të qartë këtë gjë, derisa thekson disa herë, duke filluar prej titullit të librit “Vjersha (këngë) popullore… mbledhur prej gojës së popullit”.

Para se Lasgushi të mblidhte trashëgiminë kulturore shpirtërore, mbledhje dhe botime të këngëve popullore duke filluar nga shek. XVIII kanë bërë Reinholdi, Hani, Pukëvili, Dozoni, Mitkoja, Hekardi, Basile, Camarda, Crispi, Staffa, Biondelli, Schiroi, De Rada etj. Gjithashtu, një lëndë të pasur do të gjejmë edhe në veprat e para të letërsisë së vjetër shqipe duke filluar me Buzukun, Budin, Bogdanin, Frang Bardhin, Marin Barletin etj. Pas tyre ishte Mitko e më pas françeskanët, që kishin hedhur hapat e parë edhe për botimin e mbledhjeve të folklorit. Ajo që ndryshon te Lasgushi në raport me ta është pikërisht informacioni plotësues-shtesë e i detajuar që ai sjell sa u përket rrethanave të mbledhjes së materialeve burimore folklorike, gjë të cilën e gjejmë akoma më të konkretizuar te mbledhjet me nota të folklorit muzikor mbarëshqiptar, si te “Lyra” e Pjetër Dungut-1940 dhe ato të folklorit muzikor shkodran që Gjon Kujxhia transkriptoi dhe botoi në Itali, në vitin 1943. Vdekja e parakohshme e Kujxhisë i ndërpreu:….:… planet guximtare me mbledhë e komentue folklorin muzikuer shqiptar dhe m’e shfrytëzue në krijesa origjinale ku të ndihej fryma autoktone , ndër to edhe punën e pambaruar “Hengu Shkodran”, të cilin autori e la në dorëshkrim.

Janë me shumë interes shënimet plotësuese të bëra prej Lasgushit për rrethanat se si këngët e Usta Isufit u krijuan, për shpjegimet e fjalëve, e sidomos për kohën e krijimit të këngëve. P.sh. për këngën shumë të njohur “Si bilbili në pranverë” shkruan se “kjo këngë ka nja 13 vjet që është bërë”; për këngën “Ah më paç më qaf që më vrave mu” shkruan se “Isuf Myzyri ia ka vënë edhe melodinë vetë dhe mund të ketë qenë nja 14-15 vjeç”; për “Kënga e shokut tim Ali Bilalit” shkruan se “ka nja pesë vjet që e ka bërë, në parëverë”; për “Nji lulisht me trëndafila” thotë “mund të ketë nja 4-5 vjet që e ka bërë”; për këngën “U dëshirush për me të pa” dhe “E paskim pas fatn e zi” shkruan se “nuk mban mend kur e ka bërë”; për këngën “Kumrija bën gu-gu” pohon se “e ka bërë para 4,5, ose 3 vjetësh”; për këngën “S’paske pas moj pik mëshire” nuk ka informacion për kohën e krijimit; për këngën “Dashënija si rrufe” pohon se “ka nja 7-8 vjet që e bëri”; për këngën “Përse më rri kaq vranu”- “mund të ketë nja 10-12 vjet që e ka bërë”; për këngën “Errësin’ e pyllit”- “krijuar para 5-6 vjetësh”; për kryekëngën “Ma mir në pyll se në qytet” shkruan “bërë para tre vjetësh” dhe për këngën “Harap u bash un’ i mjeri” bën shënimin “Këtë vjershë e ka bërë simvjet, 1940. Nuk e di asnjeri tjetër, vetë shoku Aliu e ka dëgjuar një herë. Vetëm një herë, por Aliu nuk e di me gojë”.

I theksuam sa më sipër pasi koha e krijimit të këngëve ka shumë rëndësi, sepse përmes njohjes së saj kuptojmë shpejtësinë e përhapjes si dhe zonën e përhapjes së tyre. Këtë fenomen e ka konstatuar edhe Eqrem bej Vlora kur shkruante:… del një këngë, poeti dhe kompozitori i saj në më të shumtën mbeten anonim, ndonjë nga këngëtaret e pëlqyera e benë të njohur dhe atëhere, këndohet e këndohet pa pushim .

Pasi njihesh me këto dy volume të mbledhjeve folklorike prej tij, bëhet shumë e qartë situata sa i përket vendit që zë krijimtaria popullore dhe ndikimi i saj në gjuhën e tij poetike. Në jetën e tij Lasgushi pati kontakte dhe bëri përpjekje të rëndësishme për të njohur e më pas studiuar trashëgiminë kulturore shpirtërore të popullit. Në dy botimet për të cilat po flasim, gjejmë trashëgimi shpirtërore nga e gjithë Shqipëria: nga Labëria, Toskëria e Gegëria, polifoni me iso e njëzërësh, këngë lahute e këngë çiftelie, folklor muzikor qytetar dhe folklor muzikor të fshatit etj. Ai, qysh fëmijë, u mëkua me këngët dhe vajet e vendlindjes, jo më kot një pjesë e bartësve të dokumentuar janë pjesëtarë të ngushtë të familjes së tij. Më pas, në periudhën e studimeve në Athinë, bie në kontakt me librin e A. Kulluriotit me vjersha, fabula e rrëfime të mbledhura nga goja e popullit, i botuar më 1882. Vite më pas, studimi i tij i doktoraturës “Mihal Eminesku, lidhja e tij me filozofinë popullore” (1933), ishte një qasje madhore e shkencore e Lasgushit mbi rëndësinë e folklorit te krijuesi, rasti i Emineskut, e jo vetëm për të.

I pari që theksoi rëndësinë e Lasgushit si poet ishte Eqrem Çabej, dhe këtë e bëri përmes një shkrimi që mbarte brenda një thirrje: “Djalëri shqiptare, lexo Lasgushin dhe vdis”! Po në këtë shkrim të botuar më 1929, disa vite përpara se Lasgushi të botonte vëllimet e tij poetike, Çabej bëri pohimin emblematik se stili i Lasgushit ndryshon nga shkrimi i një Naimi a Fishte si, bie fjala, një pjesë mozartiane nga një pjesë beethoveniane” . Më 1933 botohet VALLJA E YJEVE në Kostancë të Rumanisë dhe më 1937, “Ylli i zemrës” në Bukuresht. Këto dy vëllime kryesore të krijimtarisë së tij janë shkruar e botuar në dhjetëvjeçarin që përfshin vitet 1930-1940, kohë kur Lasgushi ishte tërësisht i fokusuar edhe si mbledhës folklori, gjë e cila është konstatuar edhe në studimet e tjera kushtuar veprës së tij, kur pohohet se: … arti i Lasgushit ushqehet nga disa burime. Imagjinata e lindur dhe pasioni i ndezur u fuqizuan nga kultura e gjerë dhe arti popullor. Arti popullor nuk erdhi në poezinë e tij si një material i përpunuar, por si element strukturor i rëndësishëm. Kështu poezia e tij nisi te tradita më e mirë e letërsisë sonë popullore, te folklori i Jugut , se … një numër i konsiderueshëm i poezive të Lasgushit ka një strukturë që përgjithësisht na kujton strukturën e këngëve popullore , etj.

Fjala në poezinë e Lasgush Poradecit, me mënyrën e veçantë të formimit dhe përdorimit, ka peshë të madhe e cilësi të rralla. Në të, ashtu si harmonizohet mendimi me bukurinë, harmonizohet edhe shqetësimi i brendshëm me qetësinë e jashtme, tingulli me ritmin. Muzikaliteti i saj është i pandarë nga atributet e tjera ; apo … aktivizimi melodik dhe muzikor i interpunkcionit” si dhe “…muzikaliteti i vargjeve të Lasgush Poradecit … nuk mund të jetë i pavarur nga fondi i poezisë, madje ai përbën një kusht parësor të vlerës poetike” .

Lasgushi, përveçse një poet i dorës së parë, një shkencëtar i historisë së gjuhës dhe letërsisë kishte një formim dhe afinitet të veçantë për muzikën. Në djalëri, në liceun rumun të Manastirit i binte flautit, ndërsa kur shkoi në liceun francez, në Athinë, mësoi të luante në klarinetë , duke qenë edhe pjesëtar i orkestrës së shkollës. Dimë se kur ishte në Bukuresht, pas vitit 1920, ndoqi për 6 muaj konservatorin e muzikës dhe se kishte formuar dije thelbësore për historinë e muzikës e për lëndët teknike të saj, si për solfezhin, harmoninë e polifoninë. Pas kthimit nga Graci, Austri në Shqipëri, dimë se solli me vete një klarinetë në sib me të cilën ushtrohej rregullisht në kopshtet e jeshiluara të Pogradecit. Një provë më shumë për formimin muzikor të :Asgushit është edhe një dorëshkrim muzikor i tij që përmban një këngë në notizim, me fjalë e muzikë të krijuar prej tij.

Nga ana tjetër, në vitet 1930 ai kishte shkruar vargjet më të bukura për disa këngë e romanca të cilat ishin muzikuar nga kompozitorët e kohës, miq të tij, si Kristo Kono (1907-1991), që shkroi muzikën e “Kur m’u rite vogëloshe” dhe “E mora shoqezën përkrah”; “Marshi i djalërisë” kompozuar nga Dhimitër Mihailesku-Toskani në Rumani; “Kroi i fshatit tonë”, “Të ritë e viteve të mi”, “Fryn veriu në Mal-të-thatë”, “Foli nëna me vajtim”, “Ku shtrohet vala përmi zall”, melodi të krijuara prej shokut të tij, Eftim (Miçe) Kovaçit etj. Sipas Lasgushit: … këto 5 poezi të muzikuara prej Miçe Kovaçit që ish një artist-baritor shumë idealist korçar dhe një atdhetar shumë idealist rilindas bukureshtjan, i pat kënduar gjithënjë në koncertet e saj personale që jipte në Tiranë, Korçë, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe qytete të tjera të Shqipërisë, sopranoja lirike, e famëshmja Tefta Tashko, e akompanjuar në piano prej Lola Aleksit .

Duke u përpjekur të kuptojmë se përse Lasgushi mbetet një figurë ideale si etnograf i muzikës, na duhet të ritheksojmë talentin dhe formimin e tij të veçantë jo vetëm si poet, por dhe aftësinë e tij në kuptimin dhe zbërthimin e gjuhës muzikore, pasazhe të mrekullueshme të të cilave i gjejmë në korrespodencën e tij me këngëtaret tona të njohura dhe me kompozitorin Kristo Kono. P.sh., në letrën e vitit 1931 drejtuar sopranos Jorgjie Truja, ai i drejtohet asaj si “këngëtarja shqiptare gryk ergjëndi” dhe “zëri me vala të florinjta”, ndërkohë që me këngëtaren Tefta Tashko Koço kishte vendosur marrëdhënie profesionale të ngushta, kishte shkruar dhe përkthyer disa materiale sipas kërkesave të saj, ndër to tekstin e “Serenatës” së Franc Shubertit, “Pensee d’automne” të Jules Massenet etj. Në korrespodencën e vitit 1937 me Tefta Tashko Koçon, ajo ndër të tjera i kërkon Lasgushit “zgjatimin e këngës popullore shqiptare “Kur më vjen burri nga stani” , si dhe i pohon faktin se “do të jetë e para herë që do më epet rasti të këndoj fjalët e një poeti shqiptar që gjithë atdheu ynë e njeh dhe admiron talentin e tij” . Nga kjo pjesëz e shkëputur nga letra, kuptojmë shumë si për raportin e Lasgushit me këngët popullore e po ashtu procesin e ndikimit të saj në krijimtarinë e tij poetike të atyre viteve.

Në një tjetër letër, tashmë drejtuar kompozitorit Kristo Kono , Lasgushi përshfaqet si muzikolog i thekur në analizën që i bën romancës së Konos “E mora shoqezën përkrah”, mbi poezinë e tij. Ai shkruan:… i ke dhënë Kono muzikës shumë fond poetik dhe një stil të kulluar, të drejtuar me serenitet përmes kadencave të ndryshme dhe modulacioneve të variuara të saj. E kuptoj mendimin t’ënd, temën e përgjithëshme të ndarë trimëzaj, të përbërë prej tri idesh muzikale që konkordojnë me njëra tjetrën drejt efektit kryesor: melodija e përmallëshme me taktet e mbëdha të pjesës së parë – hovi i intesifikuar me shpejtimin ritmik të së dytës – ekspansioni i pasionit në të tretën që kulminon me atë akord largo të masës finale.

Më pas, në të njëjtën letër, shkruan raportin e artë që ekziston mes tingullit dhe fjalës, ky i konkretizuar në raportin mes Konos si kompozitor dhe Poradecit si poet: … kështu Kono, muzikant hije-rëndë, me tonet valonjëse dhe fluturonjëse nër qiej harmonish të pasosura. Kur se unë vargëtar fat-plumb, i lidhur prej materjes së fjalës, prej fjalës fizike, lëndore, së dheshme – lëndë e rëndë kjo, e shkrumbtë, e plumbtë o Kono – i lidhur unë kështu prej kësaj martirizonjëse për të shprehur atë përmjet saj, harmoninë e padëgjuarshme sepse vetëm të ndjerë të zemrës – luftoj me fjalën e lëndtë luftë mizore, mundohem, digjem, ndizem, piqem edhe përpiqem, zjej dhe brej, flas e buças, mëndem e çmëndem, vdes po prapë nuk vdes fare dyke rrojtur i vdekur i gjallë – gjer sa me kaq luftë dhe kaq kotësirë mund të nxjerr më në fund një harmoni të pakët: të cilën lavdi Zotit, ja se ku vjen muzikanti sepse ndryshe ajo mbetet e dergjur dhe e cekët, ja ku vjen muzikanti për t’a shumuar dhe fuqizuar, për t’a ngritur dhe vërsulur lart qiejve si me kraha të leta me fuqinë dhe magjinë e toneve fluturimtare.

Ndërkohë, Lasgushi nuk ka nguruar që afinitetin dhe lidhjen e tij me muzikën ta bëjë publik edhe në shtypin shqiptar, fillimisht me një artikull për historikun e krijimit të Himnin tonë Kombëtar, të titulluar “Himni kombëtar Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij”, botuar fillimisht në gazetën “Tomorri”, në vitin 1942. Në rrëfimin e tij të tërheq vëmendjen një hollësi: … me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçmë që të shërbejë si “Himn Kombëtar”, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit. Kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë” .

Në një tjetër artikull të shkruar me titullin “Koncerti Konstantin Papajorgji”, i botuar në revistën “Bota e Re”, nr. 4, viti 1945, për të konstatohet se “nuk është thjesht një raportim gazetaresk për një koncert harqesh, por një tekst që i përmban të gjitha elementet e kritikës muzikore” . Aty, ndër të tjera, Lasgushi thekson se:… “Rapsodia shqiptare, për hirin e motivit popullor “Trandafil në Shkodër”, të zhvilluar më së miri në stilin e kompozicionit modern, gjë e cila vërteton mundësinë e rikrijimit të muzikës popullore shqiptare” etj.

Referuar botimeve me mbledhje folklori të Lasgushit, ripohojmë se vitet 1930-1940 ishin vitet më intensive kur ai iu përkushtua mbledhjes së folklorit drejtpërsëdrejti nga goja e popullit. Janë disa krijime që provojnë praninë e tij fizike gjatë mbledhjes së folklorit. Po sjell dy prej tyre. I pari, një krijim popullor që quhet “O Ky Lasgushi mor seç ri fshetur” dhe i dyti, një krijim letrar i Lasgushit me titullin “Kënga Pleqërishte”. Te krijimi i parë kuptojmë se sa familjar ishte Lasgushi me bartësit e folklorit, saqë prezenca e tij në ambientet ku këndohej dhe kërcehej është përjetuar tashmë edhe në krijimin popullor “O Ky Lasgushi mor seç ri fshetur” . Po e citoj:

O Ky Lasgushi mor seç ri fshetur

Po Ramadani mor ç’e ka gjetur

Po me një kupë mor me raki

O po më shumë mor dashuri

A këto kupa mor plot e plot

Ky Lasgushi mor, s’i pi dot

Pije more Lasgush pije

Pije se të paska hije

Pije se t’u paska kënda

Të mirënë ç’e paska brënda.

Kurse tek i dyti, kuptojmë jo vetëm atmosferën ku Lasgushi gjendet, pra në mes të një grupi polifonik, por edhe faktin se duke qenë mes tyre është frymëzuar për këtë poezi unike, e cila në thelb është përshkrimi poetik i këndimit polifonik popullor, nisur nga mënyra si zërat solistikë dhe iso e grupit komunikojnë mes tyre në kontekstin e peizazhit tipik malor shqiptar.

Këngë pleqërishte! Ti vjersh’ e Vendit tem!

Ti fjalë që më dhimbsesh e që më bën ujem!

Tani jam dëshëruar së largu të më vish:

Dëgjoju, as dëgjoju! Moj këngë pleqërish!

……………………………………………

……………………………………………

Në hije të kasolles që nxin nj’atje mi mal,

Ja nis me zë të shtruar…ja merr me dal-nga-dal…;

Ja thua më të dhemshur… ja thua me të qarë….,

Ja dredh e përvëluar…ja zjen…e ja heq zvarrë…;

Pastaj fillon të ngrihesh, e nis e ja thërret:

Dh’aq lehtë-e ngreh së poshti… aq fort e shpje përpjet…,

Aq dyke mërmëruar me zë të parpalitur

Rënkimi-i zemrës sate ronitet me të ngjitur…,

Sa…. Që nga lartësira ku vate fluturoj…,

Me sulm e ulërimë këputet si përroj….

E rrjedh për tatëpjetë prej kulmit qielluar

Si breshër i thërrmuar…. Si lot i përvëluar;

-Pastaj të shuhet zëri… e rrihesh … edhe vdes;

Mjerimi-i vetevetes të thjevi dhembja jote,

Dëshir’ e varfëruar e këngës magjiplote!

……………………………………….

Këngë pleqërishte! O vjersh’ e Vendit tem!

O fjalë që më dhimsesh, e që më bën ujem!

O mall! O psherëtimë! O vaje! – O lot i zi!

O shpirt i përvëluar që qan nër syt’ e mi!

Si ngrihet që nga deti një valë-e dëshëruar:

Nga fund’ i zemres sate ti ngrihesh dyke vuar;

E prapë posi vala, që bje sërish në det:

Ti bje në fellësirën e zemërës së vet.

Pa u zgjatur më tej, dokumentimi i këngëve të Usta Isuf Myzyrit ka vlerë të shumëfishtë, pasi:

1. Për të parën herë, prej vetë Usta Isufit dëshmohet se cilat janë këngët e krijuara prej tij, këto në raport me një repertor më të gjerë këngësh që i atribuohen Atij si autor, si në muzikën qytetare të Elbasanit, ashtu edhe në atë të Tiranës.

2. Provohet katërçipërisht origjinaliteti i vargjeve të këngëve të krijuara prej Usta Isufit, kjo përmes vargjeve të kënduara, të dëgjuara në prezencë e më pas të dokumentuara prej Lasgush Poradecit, me kompetencë e korrektesë letrare si dhe me saktësi shkencore. Për këtë arsye, këto këngë duhen konsideruar si vullneti i Usta Isufit, dhe si të tilla ato duhen respektuar në këndimet e mëpastajme sipas variantit që Lasgush Poradeci mblodhi prej gojës së tij.

3. Mbledhja e këngëve të Tij nga Lasgush Poradeci dëshmon se procesi i krijimit të muzikës popullore qytetare të Elbasanit ishte aktiv në vitet 1939-1940 dhe se Usta Isuf Myzyri pranohej dhe konsiderohej nga të gjithë si emblema më e re e kësaj trashëgimie muzikore qytetare.

4. Këngët e Usta Isuf Myzyrit janë prova e qartë e rikrijimit të muzikës popullore të qytetit të Elbasanit pas një periudhe të gjatë shumëshekullore të ndikimit otoman, duke shënuar reformimin e praktikave të ahengut qytetar elbasanas. Në muzikën qytetare këto këngë shenjojnë një kthesë drejt veçorive muzikore paraosmane, drejt shkallëve modale hemitonike, me fare pak kromatizma, me përdorimin e metrave dhe të masave muzikore të lidhura me mendimin poetik e individual të krijuesit dhe jo me krijime të prejardhura, të ndikuara apo të mbishtresuara e të huazuara.

Përmes këtij botimi, Lasgush Poradeci e rendit veten në më të mëdhenjtë mbledhës të folklorit shqiptar të të gjitha kohëve, prej Frang Bardhit, Thimi Mitkos, Spiro Dines, Dozonit, Hahnit, Majerit, Pedersenit e deri te Jeronim de Rada e Ramadan Sokoli.

Njohja e kësaj pune kolosale të kryer nga Lasgush Poradeci në lëmin e mbledhjes së trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar do të sjellë një interesim të çdo kategorie lexuesi ndaj këtyre librave, për t’u njohur me pasurinë e folklorit tonë e, padyshim, një qasje të re të studiuesve të veprës së Tij, për të parë tanimë konkretisht marrëdhëniet e pandashme të Lasgushit me folklorin, ashtu siç ai shkruan te poezia “Përjetësia”:

Nër shteg-bashkimi, që ti s’di sesi,

Bashkohesh brenda me përjashtësi,

Bashkohesh jashta me përbrendësi,

Bashkohesh fellē me përjetësi!

Ju faleminderit për vëmendjen.

Këngët e plota të Usta Isuf Myzyrit të mbledhura nga Lasgush Poradeci në vitin 1940.

1. Ah më paç më qaf që më vrave mu

Ah më paç më qaf që më vrave mu

Më vrave edhe më plagose

Plagët e mija s’kan të shëru

Më vdiqe edhe më sose.

Në qoftë se vdes përpara meje

Ç’ka më duhet rrojtja mu

Der sa të vi afër teje

Me kët zemër të helmu.

Unë të dhashë besën që s’du tjetër

Përveç teje more xhanàn1

Dy pika t’i vuna nën vetull

Për kujtim t’i lash nishan.

________________________

1 I dashur, shpirt.

Në zabel1 të gjeta në muaj të Maj2

Ke po më rrije si zogu i hum

Pësho ashik mà mos qaj

Mëshi-i lott se të erdha un.

M’i ke derth leshrat si ar

Kur m’i ze bishtat gërshet

Bàni kapistër me më var

Un prej teje dor nuk hjek.

Më dridhet zemra si tërtëri3

Kur të shof me sy, more xhanan

Vjershë nga Isuf Myzyri

Krijum në Elbasan.

(ka dhe dy strofa, po me fjalë të huaja:

Àshku4 me xhazí5

Na nzur nt’ashkun hakikí6

Do njerës agjahí7

Se ky asht síri8 dhe ezelí9.

Rakija e ditës, veriu i vapës,

Koha e sabahut edhe ujt’e natës

Pëlqim për këci njerzish).

1 Pyll dyshku, po i rreshtur, e ka rresht i zoti dhe i ka vu kufí, garth. (rresht=I ve kufi)

2 Jo të “majit”.

3 Tel ari ose ërgjëndi, vërtitur: bëheshin më parë robet e ërgjënta. Në Tiranë: tartly”. Tërtëri, kur lot dridhet dhe bën drita.

4 Zjarr i brëndëshëm, ay që të djeg brenda.

5 “Abuzimet që bën mosha e re”.

6 Të vërtetë.

7 I dituri, i mënçuri, i nalti”.

8 “E mshefmja”.

9 E vjetër.

Kësaj vjershe Isuf Myzyri i-a ka vënë edhe melodinë vetë. Mund të ketë qënë nj’a 14-15 vjeç kur e ka bërë në Elbasan. Ka dashur, asi kohe, një grua publike, evgjitkë, u dashuruan pastaj u ndanë. Po Isufit, pas ndarjes, nuk i shuhej malli i dashurisë dhe prandaj, bëri këtë vjershë.

2.Iku nata, agun malet

Iku nata, agun malet,

Na gëdhini u ba sabah

Jani shok të më qani hallet,

Përsërí un vuna sevdà.

Sevdajà në pleqëní

S’asht memqyn me u duru

S’m’a qajn hallin shokët e mi

I mjeri un si kam mësu.

Trëdafili në Maís

Ç’m’i çel konxhet plot me ves

Floku yt më ka shastis

Desh të më lujti mëndja kres.

Shyqyr goc po na vjen vera,

Trëndafili u zbukuru

Unë kam desht edhe shumë të tjera,

Përveç tejet tjetër s’du.

Ah i-u bafsha ati syri

N’Elbasan asht kriju

Ashik i-u ba Isuf Myzyri

Jeri s’mujti me e kuptu.

3.Si bilbili në pranverë

Si bilbili në pranverë

Po kënon pa pushu

Ah moj zemër moj e mjerë

Qënke djeg e përvëlu.

Përse më dhé kaq mundime

Sa nuk munem t’i baj

Shum po hjek kjo zemra ime

Nat’ e dit me lot qaj.

Si bilbili bëj figan1

Edhe gjuha s’më pushoj

M’u dogj zemra si pervàn2

Gjet xhanànin që kërkoj.

Të gjith të shofin more xhanàn

Asnjeri nuk të njef

Je një lule në Elbasan

Vetëm kush ka sy të shef.

Zemrën t’eme ç’m’a ka pik

Gjuhëna tate ore xhanan

Myzyri tub a ashik

Ty moj lule n’Elbasan.

Edhe kjo këngë ka nj’a 13 vjet që kur është bërë, është bërë gjith për atë grua (jevgë) që më sipër.

1 Vajtoj.

2 Pervàn = I thonë asaj fluturës që digjet në llambë.

4.Kënga e shokut t’im Alí Bilalit

Aliu ka vdekur1 aty para nj’a 18 vjetve, i-a bëri këngën mbas nj’a 2-3 muaj.

Na u nda lulja na u nda

Mori udhën edhe shkoj

Të gjith shokun zun me qa

Po mu të mjerin më helmoj

Na iku nji shok me mënd

Ma i zoti atdhetari

U nis e mà nuk vjen

I shkreti Ali Bilali

I mir qe me të vërtet

Edhe shok s’i gjindet kund

Po dergjet në dhé të shkret

Jetës tij i dha fund.

Zemrën mu m’a helmoj

Edhe me lot më qan syri

Një shok të mir që paç më shkoj

Vjersh nga Isuf Myzyri.

1 Vdiq nj’a dyzetvjeçar: ka qënë kryesekretar në financë. Ka qënë myhyp.

Ka edhe nji strofë arabisht1

Zengjín-e2 sé qíran3

Prej mallit jan hutu

Fakír4-e hajràn5

Po vdesin të dëshirú.

(Ka nj’a pesë vjet që e ka bërë, në parëverë).

1 Isufi nuk di arabisht, po, thotë, kam ndenjur me njerëz të lartë (në teqe të bektashinjve) dhe e kam bërë strofën arabisht.

2 Zengjín-e (plural) = të pasur.

3 Sé qíran = janë të dehur.

4 Fukarenjtë.

5 Të shastisur, të hutuar.

5.Nji lulisht me trandafila

Nji lulisht me trandafila

Asht parajsa e vërtet

Ky asht ven që rijn bilbila

Ah u doq ashiku shkret.

Të gjith lulet jan lavdëru

Po trandafili asht me fam

Ashiku u përvëlu

U dogj flakë si pervàn.

Vet më the more xhanàn

Në lulisht ymrin t’a çojmë

Mos më le në kët zindan

Të gjithë jetën nuk do rrojmë.

Meraku àsht nji shkëndí

Porsi dilli në qershor

Kët sevda kush t’a di

Shpirtin t’em j-a ap në dor.

N’Elbasan àsht nji gur dyrri1

Të zest ashikët sí s’e panë?

Flak u dogj Isuf Myzyri

Si Mexhnúni për Lejlanë.

(Mund të ketë nj’a 4-5 vjet që e ka bërë)

1 Gur i çmuar si gjyrë beze.

6.U dëshirush për me të pa

U dëshirush për me të pa

Fytyrën t’ate mor xhanàn

U bà shum që jemi nda

Kaq koh e kaq zaman.

Un mas teje u bash harap

Fati t’em àsht gremis

Për ty qaj dit e nat

Trëndafil në marës.

Un do t’shkoj me kët shpres

Sa të jemi në kët jet

Sa të rroj gjer kur të vdes

Me këtë ashk të vërtet.

U bashkum në kët bot

Çë në krijim të kom dhon bes

Kjo sevda nuk àsht e kotë

E di aj që ka marr pjesë.

Àsht një drit në Elbasan

E ndriçoj gjith kët dhé

Myzyr mos u ban pishman

Dilber tjetër mà nuk ke.

(Nuk mban mënd kur e ka bërë).

7.E paskim pas fatn e zi

E paskim pas fatn e zi

A deri sa të jet jeta

Kur i shof shokt e mi

Me të dashurat e veta

U bà shum që jemi ndà

Sa fort jemi largu

Hiç me sy nuk të kam pà

Si s’u gjind derman për mu

Në mjedis vetllash më ke një pik

Un aty jam bà hajràn1

Qëndro pak të rijm edhe i çik

Të dy bashkë me xhanàn

Faqen posi shefteli

Buzën kuq si esheboj

Ku të ka lala, moj kumri2

Pse s’na flet nji her me goj.

Djali kur të vej merak

Edhe vajza me j-a dit

N’Elbasan àsht nji plak

Këto vjersha aj na-i qit.

(Nuk e mban mënd kur e ka bërë).

1 I shastisur, i hutuar.

2 Guguçe.

8.Kumrija bën gu-gu

Kumrija bën gu-gu

N’at mëjes kur zbardhon dita

Nuk ka tjetër mà për mu

Zemrën un ke ti e qita

Me dëshir këndon kumrija

Se pranvera u gjelbëru

Zjarr i madh à dashënia

Të gjithë ashikët jan përvëlu

Kumrija bàn figàn

Se pranvera u gjelbëru

Më ka njit zemra në Elbasan

Në vënd tjetër s’du me shku

Këndon kumrija edhe qoku1

E ndëgjon ti more flak-merxhan?

Më erth keq se m’ka humb shoku

E gjeta prap në Elbasan

Këndon kumrija kur bin fylli

Ato qajn brengat e veta

Kështu tha Isuf Myzyri

Cin kërkova atë gjeta.

(E ka bërë para 4, 5, ose 3 vjetësh).

1 Një zog që këndon natën.

9.S’paskë pas moj pik mëshirë

S’paske pas moj pik mëshire

Qysh mësova un kësi far soj

S’pres prej teje moj far të mire

Vetëm fol nji her me goj

Përse m’ke marr kaq mëní

S’shkohet jeta me inat

Fol me goj mor syu i zi

Mos ki frik se bon mëkat.

E paske pas mi zemrën hekur

Qysh durove more Qen-àn1

Ju kam betu që nuk du tjetër

Trandafilit n’Elbasan.

Kur më than t’u idhnu xhanàni

Shum mà mir të m’kishin vra

Sikur me m’qit prej Elbasani

Un se hjek mà kët sevda.

Me syt e tuj e ke pa

Myzyr mos u ban pishman

Sí Jusufi Likà2

Ke dilberin n”Elbasan.

1 Është një qytet në Arabi, shumë i bukur. “Çdo njeri që e ka emrin Isuf quhet edhe Qenàn”.

2 Jusuf Lika ka qenë bir mbreti në Arabi dhe ka qenë më i bukuri i botës.

10.Dashënija si rrufé

Dashënija si rrufé

Që m’goditi mu në kokë

Nuk kam gjuhë t’jau rrëfej

Çë m’ka gjetun mu more shokë.

Më gremisi sevdaja e shkret

Pleqënija s’mund t’a baj1

Rrojtja ime nuk àsht jet

Nat e dit me lot po qaj.

Ashiku e di sevdanë

Se e ka pas mik të vjetër

Si Mexhnúni kërkoj Lejlànë

Po nashti dul pun tjetër.

Ku qëlloj kjo dit’ e zez

Na bashkoj neve të dy

Unë kam jetën t’jesh pa shpres

S’kam me t’pa ma me sy.

Zemra m’u ka zemëru

Qaj me lot more Qen-àn2

Paska qën takdír3 për mu

T’a bëj terq4 kët Elbasan.

(Ka nj’a 7-8 vjet që e bëri).

1 Mbajë.

2 D.m.th. Isuf (është Isuf Myzyri vetë) “jam unë” më tha. Lasgush.

3 E thënë.

4 Dotëheqje (=të jap dorëheqjen [t’a le] prej Elbasanit [Elbasanin].

11.Përse më rri kaq vranú

Përse më rri kaq vranú

Sekur1 po bij shi

Lis më lis, dru më dru

Qaj për syn’e zi.

Me hakikat2 unë të desha

Pa no nji garàs3

Vetëm qava, kurr nuk qesha

Zemrën mos m’a plas.

Nuk të erth pak keq për mu

Ty more xhanàn?

Të kam dash edhe të du

Konxhe në findàn4.

E sevda jetën e shkova

Edhe e bàna figan5

Të gjeta kë të kërkova

Lule n’Elbasan.

Hatri ty ku të ka met6

Që nuk flet me mu

Kujtoje Myzyrin e shkretë

Mos e len të helmu.

1 Siç.

2 Me të vërtetë.

3 Qëllim.

4 “Findàn = I thonë asaj degës së re, dëgës së hollë”.

5 Ah.

6 Ose “jet”.

(Mund të ketë nj’a 10 ose 12 vjet që e ka bërë).

“Kemi [=kam] 30 e ca vjet që kemi [kam] hequr dorë nga ato (nga dashurija) gjana” thotë Isufi, “Po gjith ajo [=gruaja publike, jevga] e para ësht’ që më ka shty t’a baj këtë vjershë).

12. Errësin’ e pyllit

Errësin’ e pyllit

Dëfrim’ i njeriut

Porsi drit’ e yllit

E bij’ e bariut.

Pyllin tu’ kërku

Nji hije t’a pëlqejm

Ti qënke për mu

Bashk të dëfrejmë.

Na në pyll do të rrojm

Un edhe ti

Si e kemi zakon

Shokët na kanë zili.

Bota s’e kuptojnë

Se ç’është ky qëllim

Më të errët shkojnë

J-u ngjan si dëfrim.

U zemrën e njita

Me ty more xhanàn

Si ylli Afërdita

Më je në Elbasan.

(Krijuar para 5-6 vjetësh).

13. Mà mir në pyll se në qytet

Mà mir në pyll se në qytet

Na të dy atje do të rrojmë

Njeri atje s’na përket

Të àmbël jetën t’a çojm

Kapërxeva maln e Krastës1

Të mir meç mor Elbasan,

E vuna kàmbën në Mal të Vashës

Pash Sopotin2 dhe Vasnjàn3

Ç’i-u lutëm zotit na e dha

Nuk ka tjetër lumtërí

I4 kacolle me e bà

Të rrojn në mal si barí

Kur hum rrugën i5 njerí

Të gjith brengat i mendon

Shok i bàhet nji barí

Hajde sonte në kasollet t’on

Zoti ju dhant bujarí

Nuk e lat ushtarin jasht

Buk, ven edhe raki

Dhe kët kasolle me kasht

Bariu miken e dëfren

Edhe fyllit tuke i ràn

Zakone t’vjetra i rrëfen

Kështu gjyshnat na i kanë lanë

Sa ambël rënka fylli

Kush ka vesh për me e ndigju

Larg u ndoth Isuf Myzyri

Bariur afër i-u afru

(Bërë para tre vjetësh).

1 Më i pari mal pasi të kalosh Elbasanë kur vete në Korçë.

2 Është një mal i math karshi Elbasanit.

3 Mal karshi Sopotit.

4 Nji.

Nji.

14.Harap u bash un’i mjeri

Harap1 u bash un’i mjeri

Ogradisa2 me nji sy të jeshil

Më preu vetlla si neshteri3

Fol more buz trandafil.

Lanet qoftë mynafiku4

Do me të dam ty me mu

Ti më shtëpove nga reziku

Si në kohët tufanit Nu5.

Zemrën t’ime ti m’a shkule

S’të erth keq mër xhevair?

Ti je mret përmi çdo lule

Ti je mret or trandafil.

Sido që me m’mendu6,

Për mu asht një7 lumtëri

Pratë zot që m’ka kriju

Të kam njoft qyç8 n’ezelí9.

Kërkova gjith Elbasan

Nërshim10 tjetër nuk ka

Pije Myzyr pa pishman

Pi sharàbën11 tahurà12.

(Këtë vjershë e ka bërë simvjet (1940).

Nuk e di asnjeri tjetër, vetë shoku Aliu e ka dëgjuar një herë. (Vetëm një herë),

po Aliu nuk e di me gojë.

1 U dalldisa, u xhvesha (sikur me qenë nga robet).

2 Rashë keq, në shtrëngim.

3 Brisk i hollë që pret plagë.

4 Spiun, nërmjetës i keq.

5 Noja, Noe-ja.

6 Mundu.

7 Sic.

8 Qysh.

9 Që në kohën e vjetër (të kam njohur).

10 Ndryshim.

11 Venën (verën që pihet). Sherab e përdorin përsianët.

12 Të pastër. Tahura ë

www.akad.gov.al

Filed Under: LETERSI Tagged With: Vasil Tole

Murtaja e zbrazjes së Shqipërisë duhet ndaluar

November 12, 2022 by s p

Ndriçim Kulla(Nderi i Kombit)

Katastrofa e tmerrshme e shpopullimit nuk ka të֝ ndalur.Kjo ka tronditur në mënyrë dramatike edhe kishën katolike shqiptare si problem më i madh social që ka mbërthyer Shqipërinë.Ajo tashti është aq e prekshme sa që ndjehet në çdo moment sapo del nga dera e shtëpisë për të shkuar në punë apo për të shkuar diku tjetër.Tashmë nuk është më e nevojshme për të kërkuar shifra apo statistika diku për tiu referuar trajtimit të saj ,për të analizuar shkaqet dhe autorët e këtij eruzioni të frikshëm që kërcënon qënien tonë ekzistenciale si komb.Po jap një dëshmi të thjesht personale.Nga pallati im ku unë banoj dhe deri në studion ku unë punoj çdo ditë që nuk është më shumë se 600 – 700 metra mbi dhjet lokale që dikur punonin normalisht tash kanë mbushur dyert dhe dritaret me shpalljet e vëna , që kërkojnë kamarjer,pastrues, banakier ,shitës etj etj. Në dy- tre klubet që unë kam frekuantuar kafen e mëngjezit vetëm apo me miqët e mi tashmë vëren një ndryshim domethënës ; shërbimi ka filluar të kryhet nga vet banakieri, që bën edhe rolin e kamarierit edhe të pastruesit. Drejtuesit e fasonerive kanë kohë që kanë vënë alarmin se dizinjatorët po ju avullojnë,puntorët gjithashtu. .Spitalet dhe qëndrat shëndetsore po bëjnë organizime tepër të sforcuara se infermierët dhe mjekët kanë ikur ose janë në procedura emigrimi.Vështirë të gjesh më dhe shofer , mekanikë ,hidraulikë ,motorristë dhe profesione të tjera. Të mbeturit , sytë i kanë andej ose janë në një dilemë ekzistenciale. Kjo është panorama më trishtuese e përshkrimit të Shqipërisë në çdo qytet dhe fshat të mbetur . Murtaja e braktisjes së këtij vëndi është e pa precedent në histori.

Ndërsa fillimi i këtij vitit të ri shkollor si në ciklin para universitar ashtu edhe në atë universitar na prezantoi qartësisht dramën më rrënqenthëse me një pykpyetje të hidhur dhe të dyfisht, të dijes dhe shpopullimit.Mbyllje masive e shkollave fillore dhe tetvjeçare në fshatrat dhe qytetet e vëndit.Ndërsa në auditorët e universiteteve publike në Elbasan,Vlorë ,Fier ,Durrës dhe Tiranë regjistrimet treguan se nuk do ketë më programe frekuentimi për fizikë,kimi,matematikë ,agronomi etj . Ska më nxënës dhe student.Kanë ikur dhe të tjerë po vazhdojnë të ikin.Krizë në mësuesi , krizë në shkencat ekzakte, krizë në kopshte ,krizë kudo.

Nuk mund të gjesh një popull të arsyeshëm në botë që shkaqet e kësaj drame rrënqethëse të mos i adresonte tek kryeministri dhe qeveria e tij .

Por pabesueshmërisht kryeministri i kësaj masakre kombëtare, kryeministri më i papërgjegjshëm i historisë së vëndit vazhdon lojën e piarit duke shpërndarë në rrjetet e tij socale që sundon kudo figura me flutura dhe imazhe të dezinjuara për një Shqipëri virtuale që ska lidhje me Shqipërinë e sotme të zymtë që i detyron njerëzit të ikin.

Cfarë po ndodh kështu ?

Rreth 7-8 vite më parë nuk ishte kështu .Kishte problem ekonomike ,kulturore dhe demokratike Shqipëria por ishte krejtësisht ndryshe.Madje shumë njerëz po riktheheshin në vëndin e tyre , duke kërkuar të ardhmen në tokën që kishin lënë disa vite më parë.

Shqipëria po zbrazet e tëra nga fryma e gjallë që mund ta mbajnë në këmbë këtë vënd .

Tani më që duket sikur kemi arritur fundin, sikur po jetojmë dhe po shohim në sy ferrin, i kemi të gjitha shkaqet të shkundemi e të zgjohemi nga ëndrra e keqe e arratisë dhe të mendojmë se përveç ferrit Shqipëria është edhe vënd që duhet dhe mund të bëhet i jetueshëm. Nga të gjithë ne. Është ai vendi i bukur, i mrekullueshëm që vështirë se mund ta gjejmë dot në mërgim. Është ajo sofra e varfër, ku shtrohet buka e ngrohtë e bujarisë dhe hahet kripa e shijshme e solidaritetit njerëzor, e njerëzve që flasin të njejtën gjuhë e që kanë të njëjtat zakone.

Murtajën e zbrazjes së Shqipërisë duhet ta ndalim.Për këtë duhet të luftojmë të gjithë me çfarë të mundemi dhe si të mundemi me të gjitha forcat krijuese ,fizike dhe mendore.Këtë duhet ta bëj dhe e ka për detyrë ta bëj me shumë forcë dhe frymëzim opozita, që në çdo demokraci është dhe instrumenti i shpresës.Timonieri famëkeq që sot ka tërë pushtetet e grabitura me timonin dhe tepsinë e kastës së tij nëpër duar po e çojnë veten në parajsën e tyre, ndërsa Shqipërinë në ferrin e saj.Opozita e Lulëzim Bashës për fat të keq 8 vjet me radhë bëri balet politikë.Nuk iu dha njerëzve fuqi dhe shpresë. Busulla e saj si misionare që duhej të ishte pati të njëjtin orientim me pushtetin.Lufta e klasve ndaj atyre që nuk ishin në portalet e qeverisjes dhe që mendonin ndryshe nga timonieri e lodhën shumicën dërrmuese të tyre duke e detyruar ta kërkonte mbijetesën jashtë atdheut të tyre.

“E çfarë ka se po ikin – thotë kryeministri ? Kjo është normale në një vend demokrtatik.Fuqinë puntore e sjellim nga Bangladeshi,Afganistani,nga India ….” Dhe fajin ciniku e gjenë jashtë pragut të shtëpisë sonë të përbashkët, që atij i ka rënë në dorë ta qeverisë.

Duhet të shpejtojmë ta ndalim.Ne vërtet u mbijetuam shekujve.Por ky pushtet duket më djallëzor se pushtuesit e huaj historikë që shkretuan disa here trojet tona.Eshtë më djallëzori sepse ka të veshur mirë dhe bukur sipas stilit ekstravagant mantelin e qeverimit shqiptar.Ndërsa projektet e duhura të qevirisjes dhe të prosperitetit të këtij vëndi janë shndërruar në zbrazje nga veriu në jug .

Njeriu dhe kombi janë dy kuptime që plotësojnë njëri-tjetrin. Njeriu përfaqëson të gjitha fuqitë e kombit të vet. Ëndrrat e tij janë ëndrra të kombit dhe shpresat e kombit janë shpresat e tij. Nëse kombi i humb shpresat, i takon njerëzve të vet që t’i dhurojnë ëndrrat dhe shpresat e tyre. Dhe përsëri prej tij të marrin shpresë, sa herë të dëshpërohen. Këtë gjë duhet të bëjmë sot ne shqiptarët për kombin tonë, pavarësisht se mund të duket paradoksale, pavarësisht se mund të duket një sakrificë shumë e madhe për t’u marrë përsipër.

Filed Under: Politike Tagged With: Ndricim Kulla

Serbia ndihmon Rusinë për thyerjen e sanksioneve, BE hesht

November 12, 2022 by s p

Shaban Murati/

Ndërsa BE vazhdon dhe i lutet Beogradit të bashkohet me sanksionet europiane kundër Rusisë, Serbia tallet dhe jo vetëm nuk i vendos sanksione, por po e ndihmon hapur Rusinë të thyejë sanksionet e BE.

Agjencia qeveritare ruse “Balkanist.ru” njoftonte në 11 nëntor 2022 se nga data 24 shkurt 2022, (e nisjes së agresionit rus në Ukrainë), e deri më sot Rusia ka hapur në Serbi 789 kompani dhe 2134 firma të reja ruse. Ky vërshim stërmadh i kompanive dhe firmave ruse në Serbi këto muaj organizohet që Rusia të neutralizojë sanksionet e BE dhe nga territori serb të zhvillojë tregëtinë ruse qetësisht me vendet europiane.

Diplomacia e BE bën sikur nuk e shikon këtë qendrim skandaloz të Serbisë në ndihmë të Rusisë dhe kundër BE. Brukseli po rrin e merret me qiqrat në Kosovë dhe se sa muaj dhe sa vite duhet të shtyjë Kosova reciprocitetin e targave për hatër të Serbisë.

Deri tani është menduar se një shtet me peshë në BE është me Serbinë. Tani e tutje mendoni që një shtet me peshë në BE është me Rusinë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Shaban Murati

Akad. Shaban Sinani: Ardhja e koleksionit të këngëve popullore të mbledhura nga Lasgush Poradeci ndërmjet viteve 1931-1937 është në kufijtë e së pabesueshmes

November 12, 2022 by s p

Lasgush Poradeci mblodhi para së gjithash lirikë: erotike, dashurie, rrëmbimi, tradhtie, flirti, dasme. Në këtë kuptim Poradeci është shkollë më vete. Me koleksionin e tij ai e rivendosi poezinë popullore në ekuilibër, duke dëshmuar se nuk i mungonte ajo që s’mblidhej, poezia erotike, e cila vazhdoi të mbetej gati-gati tabu edhe në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, sepse konsiderohej e pavirtytshme, e padenjë dhe në mospajtim me rendin moral. Për Poradecin më e rëndësishme nga të gjitha ishte besnikëria ndaj fjalës së popullit. Nëse populli nuk ka lënë gjymtyrë a pjesë të trupit njerëzor pa i kënduar, edhe mbledhësi duhet t’i ketë në koleksionin e tij. Lasgushi e shpërfill “namuzin gjuhësor”, në koleksionin e tij nuk ka fjalë të përjashtuara.

#AShSh

#botimiakdemisësëshkencave

Nga akad. Shaban Sinani

Për një kohë të gjatë, gati gjysmë shekulli, Lasgush Poradeci është qortuar se qendroi larg popullit, u mbyll “në kullën e fildishtë”, “qendroi mënjanë luftës”. Në tri dekadat e fundme qortimet iu kthyen në lëvdime: shkroi poezi ezoterike, zbuloi shpirtin njerëzor. Por përsëri në heshtje mbeti që Poradeci, me simbolizmin dhe modernitetin e tij, nuk pati lidhje me traditën dhe vargëzimin popullor, sepse nuk i njihte as kishte respekt për to.

Dy vëllimet e sapobotuara nga Akademia e Shkencave janë përgënjeshtrimi dhe argumenti më kokëfortë për të kundërtën.

Poradeci i ka quajtur “këngë grarishte” jo se këndoheshin vetëm nga gratë apo se ishin repertor përjashtimor i tyre, por sepse i mblodhi nga subjekte gra, kryesisht të njohura e farefis, në Dardhë, Korçë e Poradec; në Bregdet, Vlorë e Gjirokastër; në Myzeqe e gjetiu.

Poeti ynë i shpirtit lirik, i peizazhit dhe kodit naimian, nuk bëri ekspedita si etnologët, por shfrytëzoi udhëtimet dhe pushimet e tij për të mbledhur këngë “nga goja e popullit”.

Ndryshe prej shkollës së franceskanëve, që iu drejtuan epopesë heroike legjendare dhe këngëve historike (deri-diku edhe lirikës rituale-kalendarike nga Krishtlindjet në ditën e Rushajave), jo se në viset veriore nuk kishte lirikë (mjafton të kujtojmë ciklin e “kangëve të kanagjeçit” dhe “të natës së kuerit”), por se lirika jashtë interesimit të tyre, Lasgush Poradeci mblodhi para së gjithash lirikë: erotike, dashurie, rrëmbimi, tradhtie, flirti, dasme. Në këtë kuptim Poradeci është shkollë më vete. Me koleksionin e tij ai e rivendosi poezinë popullore në ekuilibër, duke dëshmuar se nuk i mungonte ajo që s’mblidhej, poezia erotike, e cila vazhdoi të mbetej gati-gati tabu edhe në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, sepse konsiderohej e pavirtytshme, e padenjë dhe në mospajtim me rendin moral. Për Poradecin më e rëndësishme nga të gjitha ishte besnikëria ndaj fjalës së popullit. Nëse populli nuk ka lënë gjymtyrë a pjesë të trupit njerëzor pa i kënduar, edhe mbledhësi duhet t’i ketë në koleksionin e tij. Lasgushi e shpërfill “namuzin gjuhësor”, në koleksionin e tij nuk ka fjalë të përjashtuara. Ai madje mbledh edhe këngën e “gjermankës së përdhunuar” në një fshat të Korçës, jo për të përligjur ndodhinë, por sepse vetë kënga është e bukur.

Me koleksionin e tij Lasgush Poradeci prish ngado kufij e kufizime: mbledh këngë për të shenjtët – lazërore e për Shën Spiridonin; në vend të dhëndrit anonim (“Ky filani” apo “Ky N.N” në këngët e mbledhura më vonë) vendos emrin e vet “Ky Lasgushi rri mënjanë”); djemtë e çupat e lirikës së dashurisë kanë emra e herë-herë mbiemra; princesha Sofia e përgojuar për shkak të princit Wied lëvdohet për bukuri e virtyt; kryengritësi E’them Toto dhe Madhëria këndohen si të barabartë; pamja evropiane e çupës korçare (me kapellë e me parfum, me skarpina e fustane mode) shihet si model bukurie. Nuk mungojë edhe këngët dygjuhëshe, shqip e greqisht, por jo me gjuhë të ndara, të kënduara varg pas vargu shqip e greqisht.

Nga krahasimi që kam bërë me koleksionin e botuar dekada më parë nga profesori im Jorgo Panajoti dhe folkloristi Riza Hysi në Korçë e Kolonjë del se Lasgushi ka shpëtuar atë pjesë të lirikës që më vonë ose nuk gjendej më, ose nuk mund të mblidhej: këngët kishtare, folklorin fetar.

Duke njohur teorinë dhe konceptet e Herderit për folklorin, Lasgush Poradeci nuk i përfilli hierarkitë gjinore të tij. Për të koncepti se epopeha qendron në shkallë të parë dhe gjinitë e tjera qendronin në dorë të dytë ishte i huaj. Kështu, franceskanët me eposin dhe Poradeci me lirikën, plotësuan njëri-tjetrin dhe e shpëtuan këngën popullore pa gjymtime.

Në tejshkrim Poradeci ndoqi parimin e rrokjezimit sipas variantit-këngë, jo duke e lexuar si poezi. Prandaj në këngët e mbledhura prej tij ka shumë shpesh pasthirrma, dyfishime rrokjesh, madje edhe tinguj që thjesht plotësojnë masën e vargut dhe e kthejnë këngën në isometri. Mbase po të ishte mbledhur kështu edhe eposi nuk do të kishim pasur kaq shumë diskutime për të ashtuquajturën heterometri të vargur të këngëve të kreshnikëve dhe për autoritetin e dhjetërrokëshit në epos.

Duke mos ngritur kritere për rëndësinë shoqërore të personave historikë, Poradeci ia lejon vetes të prishë kufij edhe për këngët historike, cikli i tyre do t’u hapë punë historianëve sepse një pjesë e tyre bëjnë fjalë për njerëz rastësorë, hajdutë të mëdhenj, hakmarrës sipas rendit kanunor.

Me këtë botim plotësohet jo vetëm larmia, por para së gjithash tipologjia e lirikës popullore shqiptare.

www.akad.gov.al

Filed Under: ESSE Tagged With: Shaban Sinani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT