• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2023

“Wind of change” duhet të këndohet në çdo bashki

May 12, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

Dita e votimit po afron dhe çdokush përpara se të zgjedhë kandidatin e tij të preferuar për kryetar të bashkësisë ku jeton, do të duhej të bënte një analizë dyplanëshe: njërën duke këndvështruar partinë që e kandidon dhe tjetrën duke u fokusuar tek vetë kandidati, tek personaliteti dhe aftësitë e tij.

Në rastin e parë duhet të kihet parasysh se Shqipëria në këtë pikë ku gjende, ka ardhur koha të thuhet qartësisht dhe të bërtitet me zë të lartë, se ka përjetuar padrejtësinë më të madhe të mundshme në kurriz të qytetarëve të saj dhe mungesën më të thellë të mundshme të demokracisë që mund të përjetojë një popull, përsa i përket zgjedhjes së administratorëve të 61 bashkive të territorit të tij. E kjo për faktin e thjeshtë se zgjedhjet e mëparshme ose u bënë pa kandidatë ose me kandidatë fiktivë. E gjitha kjo jo vetëm që s’duhet harruar për pasojat e tmershme që ka sjellë në punën, performancën, përgjegjësinë dhe mënyrën e qasjes ndaj qytetarëve përgjatë gjithë këtyre viteve, të cdo kryebashkiaku të pazgjedhur socialist, por edhe për diskriminimin e opozitës së sotme me anathema nga më të ndryshme. Për t’i vënë vulën këtij denigrimi dhe diskriminimi, shërben sllogani i fushatës që Edi Rama trumbeton me valle “tallava” në çdo takim të tij, duke paragjykuar gjoja kthimin prapa të Shqipërisë me përfaqësuesit e lartë të opozitës. Kjo bamirësi ofendimesh dhe negativiteti, ndaj kundërshtarëve të vet që para 4 viteve as nuk ishin përballë tij, por parësisht ndaj qytetarëve të këtij vendi, të cilëve iu mohua demokracia e zgjedhjes dhe iu servir me mburrje e lëvdatra të ecjes përpara, tragjedia e autokracisë në një administrim 60 me 1 të bashkive, tregon përmasën e frikshme të diskriminimit me të cilën hyn sot opozita në zgjedhje. Ky diskriminim i padrejtë, i dëmshëm, kobsjellës për cdo qytetar të këtij vendi duhet të jetë “parrulla e parë e rrezikut” me të cilën duhet të përballet cdo analizë e tij se për kë duhet të votojë. Nevojitet urgjentisht një korrigjim masiv, në cdo vend, në çdo bashki, i kësaj anomalie kaq të keqe të demokracisë sonë që na dhurroi Edi Rama dhe monopoli i propagandës së tij të kthyer në tallava politike për kaq shumë vjet. I detyrohet parësisht popullit të vet t’ia parashtrojë këtë anomali diskriminuese, këtë flluskë papërgjegjshmërie tiranike brenda së cilës kanë lëvrirë krybashkiakët e tij, e pastaj të flasë e të dërdëllitë për shkim mbrapsh apo parsh në këto zgjedhje. Kënga e famshme e ndryshimit epokal “Wind of change” duhet të këndohet përfundimisht në të gjithë Shqipërinë,duhet të bëhet si një hymn kombëtar për momentin, për të rihapur të ardhmen, për të rikthyer lirinë dhe demokracinë e përmbysur nga intrigat në tavolinë mes Ramës dhe Bashës dhe ndihmën e dukshme dhe të pa drejt të lobistëve amerikanë dhe për ta nxjerrë popullin nga makthi pafund i tranzicionit. Nuk ka asgjë që mund të quhet e vjetër, e prapambetur në politikë, kur fuqia më e madhe e saj është ndryshimi. Dhe opozita shqiptare është krejtësisht e ndryshuar përballë fytyrës së demokracisë sonë, sepse të gjithë kandidatët e saj kanë dalë nga zgjedhjet e primareve, dicka e padëgjuar ndonjëherë në traditën tonë politike, një leksion i madh demokracie, që tallavaja e Ramës akoma nuk arrin dot ta pranojë e jo më ta përqafojë si një standard ndryshimi. Që këtu, gjithcka bëhet e qartë si drita e një agimi të ri që po i pret shqiptarët, agimi i primareve të demokracisë. Që këtu qytetarët janë të thirrur të vlerësojnë jo një akt, një rastësi, por një vullnet konkret, politik, një proces të tërë transformimi. Është ky ndryshim i madh konceptual ai që e bën pluhur e hi slloganin socialist, e për më tepër ai që shërben si garanci edhe për qytetarët se të zgjedhurit e opozitës i kanë të gjitha cilësitë e njerëzve të dalë nga gjiri i votuesve dhe përfaqësojnë zërin e tyre të vërtetë dhe asgjë nuk e mbulon dot më të bukurën ,të renë demokratiken mjergulla mc megonigalliane as hija makbethiane me kamë në dorë për të goditur pabesisht natën në errësirë kundërshtarin . Kjo është një tjetër forcë ndryshimi në këto zgjedhje: pastërtia e figurës, e dinjitetit, pastërtia ndaj korrupsionit dhe nepotizmit, dy plagët e tmershme që rregjimii Ramës ia përplasi në fytyrë shqiptarëve, gjatë gjithë kohës së rregjimit të tij. Formula e tij e pështirë dhe tallëse që të dyja këto gjëma demokratike, ekonomike dhe sociale i fshihte si përgjegjësi personale të të zgjedhurve të vet i la qytetarët për plot 4 vjet pa rrugëdalje, të pafuqishëm para padrejtësive dhe pabarazisë. Përkundrazi, bashkëjetesa me krimin dhe korrupsionin, me autokracinë dhe oligarkët është emblemë e sistemit që ai ka ndërtuar dhe për të cilin mban përgjegjësinë kryesore, që e ka shpënë Shqipërinë prapa në kohë. Ndaj plejada e djemve të rinj, të aftë e kulturuar, Belind Këlliçi në Tiranë,Bardh Spahia në Shkodër, Ardit Cikuli në Sarandë, Arjan Hoxha në Kamëz e gërshetuar me plejadën e figura të shquara akademike dhe qëndrestare të historisë së opozitës Luçiano Boçit në Elbasan, Igli Carës në Durrës, Zef Hilës në Vaun e Dejës , Zija Ismailit në Berat etj , nuk mund të mos përbëjë një tjetër risi ndryshimi përpara syve të zgjedhësve. Ata nuk mund të mos i përgjigjen kësaj zgjedhjeje me “duar të pasta” që kanë bërë bashkëkombasit e tyre, ata nuk mund të mos i besojnë nuhatjes dhe instiktit popullor të së vërtetës, që merr zë në këtë zgjedhje. E së fundi, ata nuk mund të mos i bashkohen gjithë kësaj energji revolte pozitive, që ka përfshirë të majtë e të djadhtë, për të rivendosur balancat e prishura me dhumë dhe padrejtësisht, mes njerëzve, zgjedhësve dhe hallkave administrative, që rezultari 60 me 1 i zgjedhjeve apo mos-zgjedhjeve të shkuara, i bëri të durojnë mbi kurrizet e tyre me aq shumë vuajtje dhe zemëratë.

Le t’i kanalizojmë atëherë të gjitha këto ndjesi negative të qasjes ndaj qytetarëve prej rregjimit të sotëm, me shpresën e pozitivizmit të ndryshimit që fryma opozitare po përhap me vepra dhe projekte në çdo bashki, për të bërë që Shqipëria të mos vazhdojë të jetë një “geto” e demokracisë në zemër të Europës, një “toke e xanun” e korrupsionit dhe oligarkisë, por një oaz i përgjegjësisë më të thellë ndaj votës së qytetaerëve, që opozita brenda vetes tashmë e ka faktuar që mund ta sigurojë. Le ti japim besimin që i meriton ta sigurojë këtë demokraci edhe në gjirin e gjithë Shqipërisë, pasi është pikërisht demokracia nëna e të gjithë të mirave që ne mund të presim: përparimit, drejtësisë dhe barazisë. Qoftë e bërë, siç uronte dikur Noli për pavarësimin tonë, le të themi të gjithë sot, shpëtofshim nga ky rregjim.

Filed Under: Opinion

Teori dhe fakt

May 12, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Graviteti Njutonian ka humbur mbështetjen mes shkencëtarëve sot. Të dyja, teoria e evolucionit të Darvinit dhe teoria e gravitetit të Njutonit u formuluan qindra vjet më parë për të shpjeguar se si funksiononin fenomenet natyrore. Dhe në të dyja rastet janë zbuluar informacione që zgjerohen deri në pikën ku shkencëtarët e kuptojnë se teoritë origjinale – megjithëse janë ende të dobishme në shumë raste – janë të paplota.

Teoria e Darvinit, për shembull, nuk shpjegon si ndodhën mutacionet ose se si ato mund të kalohen nga një brez në tjetrin; kjo gjë u zbulua me ADN-në shumë vite më vonë. Dhe shkencëtarët në përgjithësi i referohen të ashtuquajturës “sintezë moderne” që përfshin përmendjen e ADN-së në vend të evolucionit “darvinian”. Teoria origjinale e Darvinit gjithashtu nuk përfshinte përmendjen e temave të ndryshme që ende diskutohen sot për sa i përket rolit dhe rëndësisë që luajnë në evolucion zhvendosja gjenetike, rrjedha e gjeneve dhe ndoshta edhe epigjenetika.

Teoria e Njutonit, nga ana tjetër, prodhoi rezultate të pasakta në rastet që kanë të bëjnë me shpejtësi të larta ose masa të mëdha. U desh të vinte Ajnshtajni me teorinë e tij të relativitetit që ato çështje të zgjidheshin. Megjithëse formulat e Njutonit konsiderohen ende të dobishme sot në situata që nuk përfshijnë shpejtësi të mëdha ose masa të mëdha.

Gjëja e rëndësishme është se edhe pse shkencëtarët tani e dinë se teoria e Darvinit dhe teoria e Njutonit ishin jo të plota, asnjë shkencëtar nuk thotë se evolucioni nuk ndodh ose graviteti nuk ekziston.

Shkenca ka ecur përpara që nga koha e Darvinit dhe tani dihet se ka faktorë të tjerë të përfshirë në një shkallë ose në një tjetër. Pra, të thuash se teoria “darviniane” është jo e plotë nuk është e diskutueshme dhe se teoria “Njutoniane” është e paplotë. Pas kësaj që u tha, disave u mbushet mendja se vetë evolucioni është i rremë dhe se “Zoti e bëri atë” është shpjegimi aktual për diversitetin e jetës në Tokë.

Filed Under: Fejton

SOKRATI MBI TIRANINË

May 12, 2023 by s p

Prof.Xhelal Zejneli/

“Qeverisjes së shtetit i nevojiten mendjet e njerëzve më të aftë, ndaj atyre duhet besuar administrimin e shoqërisë” – Sokrati

*   *   *

“Demokracia do të paguajë çmim për arsye se do të tentojë t’u përgjigjet të gjithëve. Të varfrit do të kërkojnë pasurinë e të pasurve. Demokracia do t’ua japë këtë. Të rinjtë do të kërkojnë të jenë të respektuar si të moshuarit, femrat do të duan të trajtohen të barabartë me meshkujt, të huajt do t’i kërkojnë të drejtat që i gëzojnë vendasit. Demokracia do t’ua japë edhe këto! Vjedhësit dhe mashtruesit do të synojnë të vijnë në funksione shtetërore të rëndësishme, demokracia ndërkaq, do t’ua mundësojë një gjë të tillë. 

E kur vjedhësit dhe mashtruesit të marrin pushtetin, për arsye se kriminelët dhe të ligët synojnë të bëhen të pushtetshëm, do të lindë një tirani shumë më e egër se tiranitë dhe oligarkitë që i ka parë njerëzimi deri më sot”  – Sokrati 

*   *   *

Sokrati (470 – 399 para erës së re) ka qenë filozof grek. Veprimtarinë filozofike të vet në formë të dialogëve të ditëpërditshme në sheshet e qyteteve, e filloi në kohën e lulëzimit të demokracisë athiniane. Personaliteti origjinal i Sokratit nuk mund të pajtohej me rolin e një dijetari rigoroz, të mbyllur. Ai i shikonte me shpërfillje mësuesit që udhëtonin nga një vend në tjetër dhe që i shitnin me të holla mençuritë e veta retorike të rrejshme. Nuk tregonte konsideratë për oratorët e shkathët sofistë. Kudo që shfaqej, Sokrati shtronte pyetje të rëndomta, për arsye se nuk dinte asgjë përpos faktit se vetë ai nuk dinte gjë. Tuboi rreth vetes elitën intelektuale të rinisë së Athinës dhe u shfaq si ideolog i aristokracisë shpirtërore. Ra në konflikt me demokracinë mbizotëruese. Në vitin 399 para K., u akuzua si i pafe dhe si një filozof i cili me idetë e veta e prish rininë. Refuzoi para gjykatës që të heqë dorë nga tezat e veta. U dënua me vdekje. Me një dënim drakonik të këtillë pushtetarët tentonin ta luftonin apo ta eliminonin ndikimin e tij. Por nxënësit e tij dëshmojnë se pikërisht dënimi i tij me vdekje u shndërrua në triumf të mënyrës së qetë, racionale dhe konsekuente të të menduarit dhe të etikes. Është koha, gjyqtarë, që unë të shkoj në vdekje, ndërsa ju – në jetë. Cili prej nesh e ka zgjedhur më të mirën, këtë s’e di dot kush”. Shokët e Sokratit i mundësuan të arratisej, por ai, në shenjë respekt ndaj ligjeve, qëndroi në burg dhe vetë e piu helmin. 

Sokrati nuk ka lënë asnjë vepër të shkruar ngase konsideronte se libri është i vdekur dhe si i tillë nuk mund ta zëvendësojë bisedën e gjallë. Burimet nga të cilat mund të njihet jeta dhe filozofia e tij janë: “Kujtime për Sokratin” e shkrimtarit dhe filozofit grek Ksenofonit (430-345 para K.), i cili ishte nxënës i Sokratit; veprat e filozofit grek Aristotelit (384-322 para K.) dhe sidomos dialogët e shumtë të filozofit grek Platonit (emri i vërtetë Aristokle, 427-347 para K.), veçanërisht shkrimet e tij të periudhës së rinisë “Kritoni”, “Mbrojtja e Sokratit” etj.

Mendimi themelor i Sokratit i kundërvihet subjektivizmit dhe relativizmit të sofistëve. Ai i drejtohet brendisë së njeriut, kështu që problemin antropologjik dhe etik e vë në qendër të bisedave filozofike të tij. Sipas tij, filozofia fillon pikërisht atëherë kur njeriu mëson të dyshojë, e sidomos atëherë kur fillon të dyshojë në dogmat dhe në aksiomat e veta. Shkaqet e lajthitjeve tona, e paragjykimeve dhe e nocioneve tona të paqarta janë të shumta. Prandaj, në radhë të parë njeriu duhet ta analizojë subjektin e vet. Nuk ka filozofi të vërtetë derisa shpirti nuk i kthehet vetvetes. Premisë e parë, njëherazi edhe conclusio e filozofimit të tij është “Njihe vetveten”. Duke u nisur nga supozimi “ di se s’di asgjë”, Sokrati nëpërmjet ironisë ua bën me dije bashkëbiseduesve se dituria e tyre bazohet në nocione të rrejshme dhe të pastudiuara. 

Si armik i demokracisë së Athinës, Sokrati ka qenë i afërt edhe me disa pikëpamje të mëvonshme të nxënësit të tij më të madh – Platonit. Edhe ai mendonte se aty ku nuk ka mendime, mbizotëron kaosi. Aty, turma e paarsimuar për çdo gjë vendos si nuk duhet. Derisa  është pjesë e turmës, individi është plot marrëzi, i ashpër dhe i dhunshëm. Kur është jashtë turmës, ai bëhet njeri tjetër. 

Qeverisjes së shtetit i nevojiten mendjet e njerëzve më të aftë, ndaj atyre duhet besuar administrimin e shoqërisë. 

Iluminizmi e konsideronte Sokratin “paraardhës të Krishtit” dhe shpirt moral dhe filozofik më të madh të antikës. 

Ndërkaq, filozofi gjerman Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900), Sokratin dhe sundimin absolut të nocioneve të tij, u përpoq ta shpallë si lajthitjen më të madhe të historisë së kulturës njerëzore që e ka sakatuar, moralizuar dhe varfëruar kulturën e pasur dhe të rrëmbyeshme të antikës, më vonë duke u bërë pengesë për ta studiuar mendimin burimor dionizian grek të periudhës parasokratiane.        

 Xhelal Zejneli

Filed Under: ESSE

MARRËVESHJA GREKO-TURKE E LOZANËS E VITIT 1923 DHE PËRZËNIA E SHQIPTARËVE NË TURQI

May 12, 2023 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Traktati i Lozanës ishte një marrëveshje që qeveritë e Greqisë dhe Turqisë arritën në lidhje me shkëmbimin e të gjithë grekëve që jetonin në Anadolli dhe në Traki dhe atyre që kishin jetuar në Stamboll përpara vitit 1918 me të gjithë turqit që jetonin në Greqi. Shkëmbimi në të vërtetë kishte filluar gjatë ditëve të fundit të luftës për pavarësinë e Turqisë. Shpërngulja dhe shkëmbimi i popullsisë mendoi se u krye pasi shtetet greke dhe turke kërkonin homogjenizimin e popullsisë dhe shtimin e kohezionit kombëtar, si përpjekje për të ulur tensioned e brendëshme. Në lojë ishin dhe përfitimet ekonomike të palëve: grekët duke sekuestruar pronat e pasuritë e shqiptarëve myslimanë të Çamërisë, ndërsa turqit duke u mundur të përfitonin nga ndonjë kompensim financiar(Kaceli-Demirlika, 2013:125-126).

Në fillim të dhjetorit 1922, qeveria shqiptare, e bindur se çështja e shqiptarëve në Greqi e kishte vendin në Konferencën e Lozanës, i kishte dhënë udhëzime delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, që të bëheshin përpjekje për mbrojtjen e minoritetit shqiptar në Greqi, prandaj kërkoi që delegacioni të kryente veprimet e duhura.

Më 18 dhjetor 1922, ishte zhvilluar një mbledhje e veçantë në Këshillin Kombëtar në lidhje me ecurinë e ngjarjeve në Çamëri. Nga deputetë të ndryshëm u diskutua dhe u kërkua zbatimi dhe sigurimi i të drejtave civile të kësaj popullsie, si dhe i të drejtave që i takonin asaj si pakicë. Bedri Pejani, një nga deputetët, sugjeroi që Shqipëria në Lidhjen e Kombeve, të parashtronte që “Turqia nuk kishte të drejtë të merrte proteksionin e elementit shqiptar me besim mysliman të Çamërisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi. Me këtë rast,- vërente ai,-çështja e popullsisë çame, duhej të rregullohej në mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke”(Rama, 2005, 42-45).

Mehdi Frashëri, përfaqësuesi shqiptar në Lozanë, më 11 janar 1923, i dërgoi një notë Kryetarit të Komisionit të Pakicave, italianit Montagna, ku tërhiqte vëmendjen për fatin e shqiptarëve me banim në Greqi, duke kërkuar që “të merreshin masa, me qëllim që të ruhej elementi shqiptar nga një trajtim i dhimbshëm”. Frashëri shtonte se “përfshirja në shkëmbimin e shqiptarëve, që po diskutohej, duke e konsideruar atë si turke, edhe pse s’kishte asnjë lidhje gjaku, gjuhe e zakoni me elementin turk, do të ishte një padrejtësie madhe, e hidhur dhe me pasoja”(Kaceli-Demirlika, 2013,122-123). Pavarësisht nga deklarimet publike që u bënë për të qetësuar qeverinë shqiptare, në marrëveshjen e fshehtë që realizuan midis tyre, delegacionet e Greqisë dhe të Turqisë e mbështetën shkëmbimin e popullësisë mbi kriterin e fesë, siç parashikohej në Konventën e Lozanës(Baltsiotis,2011)

Nën monitorimin e Fuqive të Mëdha e të Lidhjes së Kombeve, më 30 janar 1923, u nënshkrua Traktati i Lozanës. Në një nga nenet e tij përcaktohej shkëmbimi i popullsisë turke në Greqi me atë greke në Turqi. U vendos që të ngrihej një komision i Lidhjes së Kombeve për të ndjekur zbatimin e dispozitave të shkëmbimit, së bashku me disa nënkomisione(Sheme, 2020). Sipas marrëveshjes, duke filluar që nga 1 maji i vitit 1923: ”…duhet të kryhej shkëmbimi, i detyrueshëm i shtetasve “turq” të besimit ortodoks, grekëve të vendosur në tokat turke me shtetasit grekë të besimit mysliman të vendosur në tokat greke.” Edhe pse të dy palët ranë dakord që nga kjo marrëveshje të përjashtonin popullsinë shqiptare që jetonte në Greqi, përsëri si Athina ashtu edhe Ankaraja nuk iu përmbajtën zotimeve të tyre.(Komina, 2016:72)

Përdorimi i kriterit fetar në përcaktimin e elementit që do të përfshihej në shkëmbimin e detyruar të popullsisë linte shteg për abuzime. Kjo vlente në rradhë të parë për popullsinë shqiptare që banonte në zonën e Çamërisë dhe të Maqedonisë(Bello, 2015:198). Ky shkëmbim i madh i detyrueshëm i popullsisë, ose dëbimi i ndërsjellë i rënë dakord, nuk bazohej në gjuhën ose përkatësinë etnike, por në identitetin fetar dhe përfshinte pothuajse të gjithë qytetarët e krishterë ortodoksë të Turqisë, së bashku me qytetarët e saj ortodoksë turqishtfolës dhe shumicën e qytetarëve myslimanë të Greqisë, duke përfshirë shtetasit e saj myslimanë greqishtfolës. Sipas studiuesve shqiptarë, “ky spastrim etnik i sofistikuar, ishte tërësisht i pabazuar në të drejtën ndërkombëtare të kohës, por vetëm mbi një marrëveshje krejtësisht të padrejtë bilaterale greko-turke”(Bashkurti, 2012:277).

Të gjitha përfaqësitë diplomatike shqiptare vepruan në mënyrë aktive, një aktivitet të dendur patën edhe diplomatët e dërguar në shtete që ende nuk kishin një marrëveshje akreditimi me shtetin shqiptar. Juridikisht qeveria shqiptare u mbështet në detyrimet e qeverisë turke dhe asaj greke për respektimin e Traktatit turko-grek të 14 nëntorit 1913 si dhe atij të Sevres të 20 gushtit 1920, të cilët garantonin respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare(Komina, 2016:73). Në përpjekje për ta ndërkombëtarizuar problemin e shkëmbimit të popullsisë çame si popullsi turke u shquan diplomatët shqiptarë si: Mithat Frashëri, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, Benoit Blinishti, konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Gjenevë, Mehdi Frashëri, përfaqësues në Lidhjen e Kombeve etj.(Komina, 2016:72)

Përpjekjeve të shpeshta të shtetit shqiptar për të bërë të mundur mos shkëmbimin e popullsisë shqiptare në Greqi si popullsi turke, Athina zyrtare iu përgjigj, me akuza ndaj shtetit shqiptar se “po ndërhynte në punët e brendshme të Greqisë”. Në mbështetje të palës greke u vu edhe Komisioni Mikst, i cili pranoi tezën greke se popullsia shqiptare duhet të paraqiste dokumentacionin e nevojshëm për të vërtetuar se ishte me origjinë shqiptare, në mënyrë që të mos këmbehej si popullsi turke(Komina, 2016: 218). Nga ana tjetër, krahas me intensifikimin e dhunës dhe terrorit mbi popullsinë shqiptare autoktone, qeveria greke filloi edhe vendosjen e kolonëve grekë të ardhur nga Azia e Vogël. Kontingjentet e para të kolonëve grekë filluan të dukeshin në fshatrat shqiptare qysh nga vjeshta e vitit 1923(Komina, 2016: 219).

Edhe qeveria turke nuk kishte pranuar që popullsinë çame ta njihte si popullsi myslimane shqiptare, në kuadrin e minoritetit, gjë e cila u shkonte për shtat interesave politike greke, për ta shpërngulur këtë popullsi dhe për ta zëvendësuar me popullsi greke. Duke hasur në këto vështirësi, në interesat politike të qeverisë shqiptare ishte zhvillimi i një diplomacie dhe një politike të jashtme aktive, që të bëheshin përpjekje maksimale për të shpëtuar popullsinë myslimane shqiptare nga shkëmbimi(Komina, 2016:74). Mithat Frashëri, duke iu referuar Traktatit të Lozanës (Konventës) theksonte; “Turqia nuk është aspak e autorizuar të flasë për myslimanët në përgjithësi, sepse ka 200 milionë individë muhamedanë kudo nëpër botë, dhe vetëm Turqia ka 7 milionë të tillë. Është e vështirë të pranohet se në një traktat midis Turqisë dhe Greqisë të jetë pretenduar të vendosë për fatin e myslimanëve shqiptarë”(Kaceli-Demirlika, 2013:140). Zyrtarët turq nuk u treguan të sinqertë në takimet që zhvilluan me zyrtarët shqiptarë. Ndërkohë që kishin premtuar se “shqiptarët do të përjashtoheshin nga shkëmbimi, ata vazhduan përpjekjet për të nxitur tërheqjen e shqiptarëve në Turqi. Me 13 prill 1924, Mithat Frashëri raportonte nga Athina se “delegati turk, Hamdi Beu kishte shtruar një darkë me disa klerikë fanatikë dhe propagandonte në mes të myslimanëve, duke u thënë se “në Anadoll do të kishin kushte më të mira”(Bello, 2015: 209-2010).

Qeveria turke, pavarësisht angazhimeve publike, që nga disa studiues trajtohen me lehtësi si vullnet zyrtar turk për t’i përjashtuar shqiptarët nga shkëmbimi, ishte e vendosur të merrte sa më shumë popullsi myslimane nga Greqia, pavarësisht kombësisë së tyre. Në një nga fjalimet e tij në Izmir, midis të tjerave Mustafa Qemal Ataturku do të theksonte:“Unë mendoj se për të rritur popullsinë turke… është e nevojshme të sjellim elementë nga Maqedonia dhe Traka Lindore”(Kaceli-Demirlika, 2013: 124), pa specifikuar se çfarë kombësie do të kenë ata. Përfaqësuesit turq në Komitetin dhe nënkomitetet e përziera vazhduan zbatimin e këtij procesi në disfavor të popullsisë çame shqiptare dhe në interes të ripopullimit të rajoneve turke, që mbetën bosh nga zhvendosja e 1 300 000 grekëve në Greqi(Shaqiri, 2016:18). Mehmet Necati bej, Ministri Turk i Shkëmbimit kishte deklaruar se “janinjotët e vendosur në krahinën e Stambollit s’janë shqiptarë, por janë turq dhe janë pritur si turq”(Shaqiri, 2016:18). Pra zyrtarët turq po vazhdonin të mendonin si në kohën e Perandorisë osmane, ku nuk bëhej diferencimi i fesë me kombin, duke tërhequr në shkëmbim dhe shqiptarët.

Qeveria Shqiptare e bëri çështjen e shkëmbimit problem ndërkombëtar. Në dhjetor të vitit 1925, gjatë seancës së 37-të të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, përfaqësuesi shqiptar Mehdi Frashëri iu referua një “marrëveshjeje” midis Athinës dhe Ankarasë lidhur me vendosjen e 5000 shqiptarëve të Epirit në Turqi dhe kërkoi përjashtimin përfundimtar të myslimanëve të Çamërisë nga shkëmbimi i popullsive. Përpjekjet për të ndaluar shkëmbimin e mëtejshme të kësaj popullsie me atë greke, nuk pushuan prej qeverisë së Tiranës edhe gjatë viteve 1926-1927. Shumë herë Tirana zyrtare iu drejtua si organizmave ndërkombëtare (Lidhjes së Kombeve), kryesisë së Komisionit Mikst, ashtu edhe qeverisë turke. Një rol aktiv në këtë çështje luajti sërish Ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në Ankara Rauf Fico, i cili iu drejtua drejtpërdrejt instancave më të larta të qeverisë turke, që të mos pranonin më shkëmbimin e popullsisë çame me atë greke(Komina, 2016: 85), por autoritetet turke mbajtën qëndriem të paqarta, ndërkohë që vazhdonte shkëmbimi. Nga ana tjetër, pavarësisht ofensivës diplomatike të Tiranës zyrtare, Greqia vazhdoi të shpikte arsye të paqena, për ta përfshirë popullsinë shqiptare në listat e shkëmbimit. Për ditë e më shumë bëhej e qartë mospërfillja e premtimeve që kishte dhënë Athina dhe demagogjia e deklaratave të Kakllamanosit nëKonferencën e Lozanës, si dhe mospërfillja e garancive të Venizellosit. Shtypi i kohës dhe qarqet zyrtare shqiptare shqetësimin e vet për fatin e popullsisë shqiptare që kërcënohej nga shpërngulja e shprehën me një solidaritet të thellë, duke bërë thirrje që të merrej çdo masë për t’i pritur e sistemuar në Shqipëri, ata që nuk donin të shkonin në Anadoll(Komina, 2016: 221).

Shkëmbimi i popullsisë, i realizuar pas nënshkrimit të Konventës greko-turke të 30 janarit 1923, nga dy figurat kryesore politike turke dhe greke të asaj kohe, përkatësisht Ataturku dhe Venizelos,- sipas studiuesve perëndimorë, shpreh këndvështrimin nacionalist të tyre. Shkëmbimi i popullisë i ndihmoi ata në krijimin e shteteve-kombe me fe homogjene. Turqia parashikonte që asimilimin e elementit shqiptar ta realizonte në një fazë të dytë, sa më shpejt që të ishte e mundur.

Të përzënë prej trojeve të tyre me forcë, shqiptarët myslimanë të Greqisë u degdisën në Anadoll, ku nuk duruan dot as klimën dhe as kushtet e jetesës. Për pasojë vdiqën në masë pleq, fëmijë e gra. Një pjesë fare e vogël mundi të kthehej në Shqipëri, ndërsa të tjerët iu nënshtruan vuajtjeve dhe mjerimit në tokat e shkreta të Anadollit. Vetëm në zonën e Izmirit e qytetet përreth, si Meneme, Saqe, Çeshme, Menisa, etj., u vendosën mbi 2000 familje çame. Sot Izmiri konsiderohet kryeqendra e shqiptarëve të Çamërisë në Turqi. Popullsia e dëbuar me forcë u vendos kryesisht në rajonin e Stambollit, të Izmirit, të Bursës, të Kaiserit, të Konjës, të Ankarasë, të Samsunit, të Zonguldakut, etj. Si rezultat i shpërnguljes së dhunshme qytete dhe fshatra të tëra u boshatisën nga popullsia shqiptare. Kështu Gardhiqi nga 400 shtëpi që kishte më 1913, në vitin 1925 mbetën 80, Dragomia nga 160 shtëpi në 18, Karbunari nga 300 shtëpi në 120, Parga nga 300 shtëpi në 40, ndërsa në disa fshatra si në Petrovicë nuk mbeti asnjë shtëpi(Sheme: 2020).

Në traktatin greko-turk, shqiptarët nuk qenë palë e nënshkrimit, megjithatë u përdorën si elementë në shkëmbimin e popullsisë. Traktati plotësoi dëshirat greke dhe turke, duke dhunuar ashpër të drejtat e popullsisë shqiptare në Greqi.

Këmbëngulja e Qeverisë Shqiptare bëri që në vitin 1926, tre vjet pas përfundimit të bisedimeve dhe pazareve diplomatike, popullsia myslimane e Çamërisë të klasifikohet “me origjinë shqiptare” (αλβανικήςκαταγωγής) dhe të përjashtohet nga shkëmbimi (Baltsiotis, 2011), por tre vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, shumica e popullsisë shqiptare të Greqisë tashmë ishte deportuar për në Turqi. Në fakt, shkëmbimi duket se i ka çuar gradualisht myslimanët shqiptarë të Greqisë të kthehen drejt Shqipërisë në kërkim të mbrojtjes dhe në përgjithësi, ka çuar në krijimin e lidhjeve më të forta midis shtetit shqiptar dhe asaj popullsie.

Literatura

Bledar Komina(Disertacion), Marrëdhëniet politike të shtetit shqiptar me shtetet ballkanike: Rasti i Turqisë, Jugosllavisë dhe Greqisë në vitet 1920-1939, Universiteti i Tiranës 2016.

Hasan Bello, Marrëdhëniet shqiptaro turke 1912-1939, Tiranë 2015.

Fatmira Rama, Traktati i Lozanës, shpërnguljet dhe shpronësimi (1923-1926), në “Çështja Çame dhe Integrimi Evropian”, Tiranë: Instituti i Studimeve për Çamërinë, Fakultetit i Histori-Filologjisë, Arbëria, 2005.

Hekuran Rapaj, Traktati i Lozanës, fatkeqësia e trojeve dhe e popullsisë çame, https://www.voal.ch/traktati-i…/multimedia/dossier/

Ilirjana Kaceli-Demirlika, Marrëdhëniet shqiptaro-turke 1912-1939, disertacion, Universiteti i Tiranës 2013.

Klodjan Shaqiri, The Treaty of Lausanne and the expulsion of Albanian Chams in Tyrkey, Bjes,Volume 12 Number 1, September 2016.

Lambros Baltsiotis, The Muslim Chams of Northwestern Greece, The grounds for the expulsion of a “non-existent” minority community, https://journals.openedition.org/ejts/4444

Lisien Bashkurti, Çamëria-në rrugën e zgjidhjes, Akademia Diplomatike Shqiptare, botimet “Geer”, Tiranë 2012.

Selman Sheme, Shqiptarët e Çamërisë në rrjedhat e shpërnguljeve të dhunshme, https://www.zaninalte.al/…/shqiptaret-e-camerise-ne…/

Filed Under: Kronike Tagged With: Nikolle Loka

REVOLTA ANTIKOMUNISTE NË GULAGUN SHQIPTAR TË SPAÇIT – 50-VJET MË PARË

May 12, 2023 by s p

“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!?”

Nga Frank Shkreli

“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!”!?  Ishte kjo thirrja për solidaritet, e cila ndezi revoltën e Spaçit.  21 Maji, 2023 shënon 50-vjetorin e Revoltës Anti-Komuniste, në njërin prej burgjeve më të tmershme të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në Spaç, një revoltë që ka filluaar (me 21 Maj, 1973) dhe zgjatur 3 ditë rrjesht. Në librin e tij, “Rrno vetëm për me tregue”, At Zef Pllumi — Frank Shkreli: At Zef Pllumi – Krenaria e Shkrelit dhe Nderi i Kombit | Gazeta Telegraf — françeskani i madh shqiptar, i cili vuajti vet dënimin në burgjet e Enver Hoxhës, përfshir Spaçin, e ka kujtuar kështu burgun e Spaçit pas revoltës anti-komuniste të burgosurve kundërshtarë të regjimit enverist: “Në kamp gjeta shumë të burgosun që i kishin pru aty mbas revoltës së Spaçit. Prej tyne mora vesht se ishin pushkatue Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko e Hajri Pashaj. Revolta e Spaçit duhet të renditet në historinë tonë kombëtare si të gjitha revoltat e skllevërve që kërkuen lirinë, edhe pse nuk ia duelën me fitue. Këta katër dëshmorë kjenë të parët heroj që, mbas gadi dhetë vjet robnie, zgjuen e ndezën idealin e lirisë në këtë popull të shtypun që kishte humbë çdo shpresë nga kultivimi i servilizmit ndaj tiranit.”

At Zef Pllumi vazhdon tregimin se si kishte filluar revolta në Spaç, sipas të dhënave të shokëve të tij, të cilët i kishte takuar në burg: “Me 21 Maj Pal Zefi, nji i dënuem në birucë, përfitoi nga pakujdesi i policëve që e kishin lanë derën pa çelës e duel jashtë; mandej hini në kamp, u ngjit mbi tarracën e mensës, që shërbente si oborr. Dy policë u kujtuen për shkeljen e rregullores nga Pali, hinë në kamp, u ngjitën në tarracë, e kapën Palin për krahi, por ai rezistoi. Nuk donte kurrsesi me u kthye në birucë. Atëhere të dy policët filluen me e rrahë tmerrsisht, në sy të të gjithve. Pali lëshoi kushtrimin: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!” Pas asaj thirrjeje dëshpruese nga Pal Zefi për liri, demokraci dhe për dinjitet e moral njerëzor, At Zef Pllumi, ka kujtuar kështu fillimin e revoltës anti-komuniste, 50-vjetë më parë: 

“Është çue në kambë Paulin Vata dhe Paulo Popa, që të dy nga rrethinat e Shkodrës. Këta i paralizuen policët dhe morën në mbrojtje Pal Zefin. Me atë rast, të burgosurit anti-komunistë shpalosën, në terracën e burgut, një flamur të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut — pa yllin komunist — duke kënduar dhe duke hedhur parrulla kundër diktaturës enveriste. Siç mund të merret me mend, revolta u shtyp me dhunë e gjak”, ka shkruar At Zef Pllumi. 

Përfundimi tragjik i shtypjes së revoltës ishte: 4 nga të burgosurit janë dënuar me pushkatim, 8 të burgosur janë ri-dënuar me 25 vjet shtesë, 70 të tjerë janë arrestuar dhe rigjykuar. Katër prej tyre që e paguan revoltën me jetë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai.

Prandaj, 21 Maji, 2023, dita e revoltës anti-komuniste në Spaç – dita e vrasjeve dhe e terrorit — sigurisht që duhet të jetë për të gjithë një ditë kujtese, por edhe një ditë reflektimi për secilin. Ata u vranë në mbrojtje të dinjitetit të tyre njerëzor, njerëz të thjeshtë që dëshironin lirinë dhe të drejtat e tyre bazë të njeriut. Në këtë 50-vjetor, e gjithë shoqëria shqiptare, shteti dhe qeveria, do duhej të reflektonin seriozisht për krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, për viktimat e revoltës anti-komuniste në Spaç dhe për mijëra viktima të tjera të pafajshme të regjimit komunist në kampet e përqendrimit. anë e mbanë Shqipërisë, për pothuaj gjysëm shekulli komunizëm. Dëshironi të bindeni për dështimet fatale dhe për krimet barbare të komunizmit ndër shqiptarët, në këtë 50-vjetor, shkoni në Spaç e shikoni për veten tuaj dhe reflektoni. Por jo vetëm në Spaç — Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf  –Lekë Pervizi, dëshmitari i kampit komunist të terrorit dhe vdekjes në Tepelenë.

Nostalgjikëve modestë të komunizmit të Enver Hoxhës por edhe mbështetësve të tyre ndërkombëtarë, të cilët ende dëshirojnë të na bindin se jeta e shqiptarëve nuk ishte aq e keqe nën komunizëm dhe se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë — unë u bëjë thirrje që të shkojnë e të vizitojnë Spaçin në këtë 50-vjetor dhe para Kombit shqiptar dhe botës –  t’i përgjigjen kushtrimit të Pal Zefit nëse – “ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!?—duke marrë vendime dhe masa konkrete zyrtare që tregojnë se po ka ende shqiptarë që mbrojnë nderin e shqiptarit, qoftë edhe 50-vjet më vonë!

Ishte aty në Spaç, në vendin e krimeve, abuzimeve dhe vuajtjeve të tmerrshme të shkaktuara nga shqiptarët kundër shqiptarëve, ku për herë të parë u hoq ylli komunist nga flamuri kombëtar i Gjergj Kastriotit-Skenderbe. Ka shumë njerëz që thonë se shqiptarët nuk rezistuan kundër regjimit kriminal të Enver Hoxhës. Unë nuk besoj se mund të thuhet se shqiptarët nuk e rezistuan komunizmin. Dëshmojnë ndryshe, revolta e Spaçit dhe Qafë Barit, por ka pasur edhe të tjera.  Me dhjetëra mijëra revolta shqiptarësh individualë gjatë pothuaj gjysmë shekulli komunizëm, që përballoheshin me një regjim kriminal, i cili për një fjalë goje dënonte shqiptarët e pafajshëm — gjyq e pa gjyq – duke i dërguar në dhjetëra burgje e kampe të punës anë e mbanë Shqipërisë, vetëm se kundërshtonin regjimin komunist të Hoxhës dhe se aspironin një Shqipëri ndryshe, të lirë dhe demokratike, pro-perëndimore.  Burgjet dhe kampet ishin plot e përplot me shqiptarë të tillë anti-komunistë, deri në ditët e fundit të atij regjimi. 

Kështu që nuk ka munguar rezistenca dhe si pasojë as viktimat e komunizmit, heronjtë e demokracisë në Shqipëri, siç ishin ata të Spaçit. Ajo që ka munguar në këto tre dekada “post-komunizëm” është, kujtimi i vërtetë i këtyre viktimave të pafajshme të diktaturës komuniste nga mbarë klasa politike shqiptare, pa dallim, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste evropiane. Urojmë që ky 50-vjetor i revoltës anti-komuniste të Spaçit të kujtohet me nderime dhe respekt për të gjithë heronjtë e kombit që dhanë jetën e tyre për të vërtetën historike, për një Shqipëri të lirë e demokratike, pro-perendimore. Në lidhje me këtë 50-vjetor, të pakën deri tani është njoftuar se do mbahen dy ceremoni për të kujtuar revoltën e Spaçit. Të Mbijetuarit e diktaturës, pjesmarrës të Revoltës Antikomuniste të Spaçit dhe “Unioni Mbarëkombetar i Integrimit të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”, me pjesmarrjen dhe kujdesin e Shkëlqesisë së tij Presidentit të  Republikës, Zotit Bajram Begaj do zhvillojnë ceremoninë e përkujtimit në kampin çfarosës të Spaçit me 21 Maj, 2023, ora 11:00 para dite. Ndërkohë, është njoftuar se me19 Maj, 2023 në orën 10:30 para dite, në Selinë qendrore te Partisë Demokratike, Tiranë do mbahet gjithashtu një ceremoni përkujtimore kushtuar 50- vjetorit të Revoltës në burgun e Spaçit. 

Shumë mirë që të pakën kujtohet ky përvjetor i hidhët I historisë së krimeve të komunizmit në Shqipëri.  Por duhet bërë më shumë në lidhje me denoncimin e krimeve të komunizmit, në përputhje me vendimet ish-komuniste evropiane, sot aleate të Shqipërisë në NATO. Vazhdimisht kam shprehur dyshimet e mia serioze për angazhimin e autoriteteve shqiptare për t’u përballur me të kaluarën komuniste. Edhe në qoftë se është bërë sadopak në këtë fushë, zakonisht, ka qenë rezultat i trysnisë dhe interesimit të të huajve, sidomos ambasadës gjermane dhe asaj suedeze në Tiranë dhe jo rezultat i dëshirës së klasës politike shqiptare, “post-komuniste” për të zbardhur krimet e komunizmit në Shqipëri dhe për t’u distancuar njëherë e mirë nga periudha vëllavrasëse komuniste. Faji për këtë u mbetet të dera autoriteteve shqiptare të të gjitha qeverive të këtyre 30-viteve. Thjeshtë dhe qartë, autoritetet shqiptare të periudhës së të ashtuquajtur tranzicion nuk kanë treguar asnjëherë seriozitetin e duhur dhe të nevojshëm për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe me krimet e atij regjimi – pasojat e të cilit shihen edhe sot kudo në jetën shoqërore dhe politike të vendit – krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës. 

Të mbijetuarit e revoltës së Spaçit, familjet e tyre dhe mbarë shoqëria shqiptare, pret në këtë 50-vjetor që shteti, qeveria dhe politika shqiptare në përgjithësi, që më në fund, t’i përgjigjet vullnet të mirë dhe me vepra, pyetjes dhe kushtrimit të Pal Zefit nga burgu i Spaçit 50-vite më parë: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!?” – Kjo për hir të burgosurve që humbën jetën në Spaç, por mbi të gjitha, për hir të një Shqipërie të lirë e demokratike, për të vertetën historike, për drejtësinë dhe për të drejtat bazë të njeriut, për të gjithë dhe pa dallim.  Ka ardhur koha që ashtu siç u hoq ylli komunist nga Flamuri i Gjergj Kastriotit – Skenderbe në revoltën anti-komuniste të Spaçit 50-vjet më parë, të shembet edhe “muri ideologjik i berlinit” midis shqiptarëve, njëherë e përgjithmonë. Dyert e ferrit komunist si ato të kampit të Spaçit nuk guxojnë të hapen më kurrë për shqiptarët! Pajtim e paqë midis shqiptarëve!

Frank Shkreli

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT