• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

Një dialog i frikshëm hetuesie për Oswald Splengerin në kohën e diktaturës

August 12, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

Subjekti i këtij libri të shkruar nga unë dhe të botuar nga Plejad 2022 është një histori reale tepër interesant nga koha e diktaturës. Oswald Splengeri një filozof dhe historian I madh gjerman me përmasa të shquara botërore është autor i librit “Rënia e Perëndimit” të cilin Plejad e botoi para dy vitesh.

Gjurmët e interest tim për të mësuar më shumë mbi idetë e debatuara të këtij libri të ndaluar u bënë objekt i një hetimi të frikshëm nga hetuesia e regjimit ku edhe sot pyes veten si kam shpëtuar nga akuza dhe dënimi? Ndoshta se bëhet fjalë edhe për fundin e viteve 80-të dhe diktaturës kishin filluar ti binin dhëmbët , por ndoshta dhe aftësia edhe qetësia ime që e shmanga me pak “pelivanllëk “këtë incident.Sidoqoftë kjo më ka motivuar shumë që unë të botoja dhe librin e madhme fame botërore për lexuesin shqiptar” Rënia e Perëndimit”.

Tre hetuesit më ngjanin si tre demonë të dalë nga faqet e “Ferrit” të Dante-s dhe që përdornin katër pikëpyetjet si çengela për të më varur kokëposhtë në flakët e ferrit që më dukej se hapeshin diku mes meje dhe atyre. Gojët e tyre pyesnin parreshtur për pikëpyetjet dhe mua më dukej se kravatat e tyre që ishin poshtë gojës, ishin si litarë në të cilët ishin të lidhur çengelët.

– Interesante kjo që ti punëtor miniere merresh edhe me kërkime filozofike, – më tha ai që dukej si kryesori nga tre hetuesët që më morën në pyetje.

(Demoni i parë)

– Më pëlqen të lexoj filozofi, dhe në përgjithësi mbaj shënime për leximet e mia, me përshtypjet e mia modeste, nuk merrem me kërkime, kjo është fjalë e madhe. – I ktheva përgjigje unë dhe në çastin e fundit e përmbajta veten që të mos e korrigjoja duke i thënë se Spengler-i ishte historian më tepër se filozof. Por pastaj me siguri që do të më thoshin se ku e dija unë këtë gjë, a e kisha lexuar Spengler-in, si e kisha gjetur etj.

Demoni i dytë më tha:

– Që të pëlqen filozofia dhe lexon libra filozofikë mirë bën se partia jonë kërkon që edhe punëtorët të lexojnë sa më shumë. Është e vërtetë se ka libra të vështirë dhe të lehtë, dhe ky është një libër i vështirë, por ti duket se ke dëshirë të zhbirilosh dhe kjo duket edhe nga pikëpyetjet që ke vënë. Pikëpyetja vihet atje ku ai që lexon nuk është i bindur apo nuk është.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ndricim Kulla

Nik, rishihemi në Dukagjin…

August 12, 2023 by s p

Aleksandër Çipa/

Dy ditë nëpër ujërat rrjedhëse të Shalës, nëpër Shosh.

Aty ku natyra e ka shëndet rrallësinë e njerëzve.

Ndonëse, tashmë e përditë, kjo mungesë është e ndieshme vetëm për tetë-nëntë muaj të vitit. Kurreshtarët nga krejt Bota shtohen përvitshëm. Dukagjini është territori ende i virgjër shqiptar.

E vetmja mundësi për të shkuar nëpër gjatësinë lartësore të krahinës është lumi, i cili në këto ditë gushti ka në nivelin më të lartë ujor.

Lëvrijnë skafet e ndërtuar artizanatshëm nga Komani drejt luginës së gjelbërimtë të Shalës. Ne na ra rasti të na shërbejë Nik M., një djalosh i fismë dukagjinas. I palodhshëm dhe besnik si malësor, i zgjuar, i shkathët, i mprehtë, symprehtë ndaj çdo pantomime dhe çdo rryme të ujit. Manovrues i shkëlqyer i varkës me motor të cilën e ka ndërtuar vetë dhe ka një kapacitet për rreth 20 persona.

Nik është një rrëfimtar ekspresiv i tipologjive të dukagjinasve, të zonës dhe të raportit të njeriut me këtë natyrë virgjine.

Por në udhëtimin drejt Shalës, ai na jep telegrafisht një skicim të trashëgimisë familjare, fisnore dhe zakonore e cila ende është në fuqi, në Dukagjin.

Ne jetojmë bashkërisht, familja e babës tem me atë të xhaxhait. Tashmë jemi 11 vetë. Qeverisjen e familjes e kryen xhaxhai dhe nusja tjetër e xhaxhait. Ata marrin vendime për gjithçka. Ne punojmë dhe ndihmojmë nën këtë “qeverisje” të patundshme e të padiskutueshme. Kurrë nuk kemi një përplasje. Arat tona atje sipër, ( na i tregon ndërsa ngjitemi përgjatë brigjeve), përballë bregut të zonës së Bushatit).

-Matanë,- thotë Nik, është Temali, andej ka qenë Martin Camaj. (E thotë me krenari, ndonëse pak gjasa ka ta ketë njohur ktejt veprën letrare të Camajt).

Nik është karakteri i një të riu që nuk e ndesh shpesh më në territorin shqiptar.

Besnik i qëndrimit në truall të vet. Rreth të 40-ve, me shtatlartësinë dhe elegancën sportive. Jeton me bindjen se ai duhet të jetojë vetëm duke punuar dhe me besnikërinë për të shtuar punën dhe sidomos rrjetin hotelier dhe restoranteve në Shalë. Aty ndërtohet bukur, me të njëjtën arkitekturë dhe me funksione shërbimi posaçërisht për turizmin lumor malor. Respektohen kushtet dhe ende ruhet sensi i masës. Është një sakrificë e madhe investimi në këtë vend. Shteti do të duhej t’i mbpshteste përmes një plani dhe projekti afatgjatë mbështetës. Ata janë vetëqeverisës dhe besnikë të palëkundshëm të mbrojtjes së pronës dhe të trashëgimisë mbi të. Janë në konceptin e trashëguar të truallit që u takon dheasve, të kësaj krahine.

Të gjitha i kemi bërë vetë. Elektrifikimin e kemi përfunduar para një ose dy vitesh. Shkrep më shkrep i kemi mbartur shtyllat e drunjta të tensionit të lartë dhe kemi zgjatur fijet e telit. Kemi punë, por zgjat shumë pak…Sivjet është shumëfishuar ardhja e njerëzve. Kryesisht dhe ma së shumti të huej!…

Në këto brigje shëtit realisht si në një vis ëndërrash dhe leximesh që nuk ke nevojë t’i imagjinosh, pasi janë realë, si ti që i viziton. Tokë, ujë dhe gjebërim gati stepor në shumë gjatësi brigjesh… Në kreshta ngjiten lloj, lloj bimësh e pemësh. Shquhen kurorat e gështenjave… ka ende shumë kafshë të egra… nuk gjuhet shumë… natyra nuk ka nisur ende “të trembet” nga njeriu…sepse vendasit kanë një trashëgimi të bukur primitive të besimit ndaj saj dhe tek ajo. Besim si ndaj një tempulli…

Nik, shpesh përmend e betohet në Zot, duke më lënë në shijen dhe perceptimin se zotëron një kod të bashkëkomunikimit me natyrën pra, me providencën e prekshme dhe të ndëgjueshme të tij.

Nik, një ditë më parë për herë të parë bëri tri rrugë me varkën motorike prej llamarine Koman- Shalë- Koman…

Puna po i shtohet si në imitim shtese të prurjeve në lumë…

Ne po kapim një shezlong ndanë ujit të kristaltë të lumit dhe mërmërisim:

NIK kemi për t’u riparë shpesh e më shpesh….në Dukagjin…

Filed Under: Ekonomi Tagged With: aleksander Cipa

URATA NË ERË…

August 12, 2023 by s p

Zija Çela/

“Të dëgjoj. Po pra, të dëgjoj. Por nuk të shoh. Rruga e mbarë, rruga e mbarë, e mbarë u qoftë, o Zot!”

E ndjeva se kisha folur me vete. Fshehur mes reve, diku atje lart, gumëzhinte një avion me udhëtarë të panjohur në bord. Sa ishin, kush ishin, nga vinin, ku shkonin?

Teksa bëj ecjen e zakonshme mbrëmjeve, kjo nuk është as e fundit dhe as e para herë që lëshoj urta në erë. Si, si thashë, i lëshoj dhe humbin në erë?! Ah, jo kurdoherë.

Me të zbardhur mëngjesi i asaj natës, kur nuk e shquaja dot avionin, në telefon gjeta këtë mesazh:

“Kohë pa komunikuar, por jo pa u kujtuar. Je bërë prej kohësh një nxitës për ne. Edhe kur duam ta “mallkojmë” letërsinë, që natyrisht s’na i ka fajet, themi: Shkruan ende Zija Çela! Dhe kjo me plot kuptim.

Ç’kohë!… Politika ka futur hundët edhe në shuajtën hyjnore të Apollonit. Por vuajtjen e kësaj katrahure ti e tret në historitë magjike të romaneve të tua. Le të marrim shembull, do të vijë një ditë… Jetuam njëfarësoj si artistë, tash jemi thjeshtë emigrantë të copës së bukës. Na e bëre nderin me pash në këtë botë dorërrudhur… Shkruaj, i dashur mik, siç di ti, shkruaj në fushën e minuar. Dhe si një çmontues i duruar, bëje këtë edhe për ne, të ikurit.”

Për të arritur deri tek unë, sado që logjikisht nuk pritet përgjigje për një urim në erë, edhe ky mesazh kishte udhëtuar në eter. Miqtë, me të cilët shihesh fort rrallë, ose që kurrë s’je takuar fizikisht, çuditërisht ruajnë përherë një enigmë, një si befasim me ca gëzim, me ca trishtim.

Në erë, në erë, hidhni urata përherë.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Zija Cela

HYRJA E KRYENGRITËSVE SHQIPTARË NË SHKUP

August 12, 2023 by s p

Jusuf Buxhovi/

Kryengritja shqiptare e verës së vitit 1912 e drejtuar nga Hasan Prishtina, mbas luftimeve të vazhdueshme në pjesën më të madhe të vilajetit të Kosovës, me ç’rast një nga një nga kryengritësit u morën Prizreni, Gjakova, Peja, Ferizaj dhe së fundi Prishtina, detyroi Perandorinë Osmane që të niste bisedimet me udhëheqësit shqiptarë të kryengritjes. Bisedimet e filluara në Prishtinë dhe mandej të bartura në Shkup midis Hasan Prishtinës dhe gjeneralit Ibrahim Pasha (me origjinë shqiptare) zgjatën disa ditë dhe kishte rrezik që nga zvarritja të shpërqendronin radhët e kryengritësve shqiptarë. Hasan Prishtina dhe liderët tjerë shqiptarë morën vendim që për ta sjellë Ibrahim Pashën para aktit të kryer, të marshojnë në Shkup. Më 11 gusht filloi depërtimi i kryengritësve shqiptarë nga disa drejtime me ç’rasat disa mija kryengritës të nesërmen hynë në Shkup. Me këtë rast njësitë ushtarake osmane u futën në kazermat e Shkupit si edhe ato përreth (në Tetovë dhe Kumanovë), ndërsa kryengritësit u pritën me entuziazëm nga shkupjanët. Nga 12 gushti deri më 19 gusht, kur do të nënshkruhet marrëveshja e quajtur Katëmbëdhjetë pikëshi i Hasan Prishtinës me gjeneralin Ibrahim Pasha, kryengritësit shqiptarë mbikëqyrnin Shkupin. Liruan të burgosit dhe u përkujdesën për rregullin dhe qetësinë në qytet dhe rrethinë, por nuk organizuan administratën autonome të përcjellë edhe me pushtetin vendor. Futja e kryengritësve shqiptarë në Shkup solli lëvizje dramatike në Stamboll, ngaqë Sulltani shpërndau parlamentin të dominuar nga xhonturqit, që dalloheshin për politikë antishqiptare, ndërsa të nesërmen rrëzoi edhe qeverinë xhonturke, e cila u zëvendësua nga një e pavarur e drejtuar nga Gazi Myftar Pasha (përndryshe ithtarë i një marrëveshjeje me shqiptarët për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një, siç kërkohej nga kryengritësit).

Me gjithë ndikimin që pati futja e kryengritësve shqiptarë në Shkup (sipas vlerësimeve të huaja rreth gjashtë mijë, ndërsa sipas disa historianëve tridhjetë mijë) për kahun e bisedimeve që përfunduan me marrëveshjen e 19 gushtit, si e arritur e madhe ushtarake, që mund të quhet edhe historike, mbeti pa epilogun e duhur politik (krijimin e vilajetit autonom shqiptar ose shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë), ngaqë liderët e kryengritjes shqiptare nuk ia dolën që të pajtoheshin mes veti se fitoret në planin ushtarak në vilajetin e Kosovës dhe veçmas futja e kryengritësve në kryeqendrën e vilajetit, në Shkup, të përcilleshin me ngritjen e institucioneve autonome (administratës) dhe të pushtetit vendor në to në nivel të vilajetit me çka Perandoria Osmane, për të neutralizuar shpalljen eventuale të shtetit të pavarur shqiptar në Shkup, do të detyrohej që të pranonte kërkesat e kryengritësve për vilajetin shqiptar nga katër sosh, që praktikisht krijonte të ashtuquajturën Shqipëri Osmane, si fazë kalimtare për shtetin shqiptar në rrethanat e tërheqjes së Perandorisë Osmane nga pjesa evropiane.

Nga këndvështrimi historik, depërtimi i kryengritësve shqiptarë në Shkup, vënia nën mbikëqyrje si dhe tërheqja e asqerit osman në kazerma, mund të konsiderohet depërtim për trysni politike, por jo edhe çlirim, ngaqë nuk u përcoll as me rrëzimin e pushtetit osman e as me ngritjen e institucioneve autonome në të gjitha nivelet. Përkundrazi, kryengritja u shpërnda, ndërsa fuqia e shkapërderdhur e saj, nuk qe në gjendje të riorganizohet, për t’u bërë ballë ushtrive serbe dhe malaziase në tetorin e atij viti që pushtuan Kosovën me pasoja tragjike.

Kjo sjellje do të përsëritet edhe në verën e vitit 2001, kur njësitë e UÇK-së, për tre muaj bënë një luftë tejet të suksesshme (vunë nën mbikëqyrje pjesën më të madhe të etnisë shqiptare në Maqedoni), madje edhe rrethuan Shkupin dhe hynë në një pjesë të tij (Haraqinë), por nuk ndërtuan institucionet në viset e çliruara. Kjo edhe solli te marrëveshja e Ohrit, ku kapitali ushtarak, u shpenzua për qëllime politike, të cilat nuk ishin në përputhje me kërkesat që u proklamuan me fillimin e saj: Maqedonia federate (me dy njësi: atë shqiptare dhe maqedone) si dhe arritja e statusit të popullit shtetformues, pra të barabartë!

Filed Under: Histori

E Bukura është e shëmtuar, e shëmtuara është e bukur. Shtrigat e Macbeth-it

August 12, 2023 by s p

Gjergj Hani/

Shpesh, këto kohë, kam folur për përmbysjen, rrënimin e vlerave e të principeve. Kjo jona është një kohë e përmbysur, që filloi 81 vite më parë, e që nuk po e këthejmë dot së mbari. Është fitorja e shtrigave të Macbeth-it, tragjedia e Shakespeare-it mbi pushtetin, ambiciet, errësirën.

Shtrigat janë motori, me profecitë e tyre të errëta dhe frazën me të cilën hapin tragjedinë : fair is foul, and foul is fair. E bukura është e shëmtuar, dhe e shëmtuara është e bukur, fërshëllejnë nëpër dhëmbë mes së qeshurës cinikisht të hidhur ndërkohë që dalin nga skena “mbështjellë nga mjegulla e ajri I ndyrë”.

Ka dicka të ligë, të sëmurë, në atë që thonë, e që përmbys cdo kuptim e arsye : e bukura është e shëmtuar dhe e kundërta e saj. E mira bëhet e keqe e mashtrimi sundon mbi të vërtetën.

Në tragjedinë e rapsodid anglez bota e përmbysur mundet në fund të betejës finale që zbardh dhe profecite e errëta të shtrigave, por në të tashmen bëhet buka e përditshme, ushqim i helmuar që infekton e përmbys shkallën e vlerave.

Këtë rrealitet e shohim ngado. Simbol emblematik janë bërë kullat. Kulla që mbijnë si kërpudha të helmuara edhe në ato pak hapësira identitare që i shpëtuan sopatës së rrealizmit socialist. Kulla që ngrihen nga pushteti, por edhe nga familiarë të atyre që tashmë thjesht e ëndërrojnë pushtetin. E sikur kjo të mos mjaftonte, e shohim shëmtinë në rrugët e pista, ku fuoristrada e atyre që ngrenë kullat, lënë pas vorbulla pluhuri që të merr frymën. E shohim dhe e pësojmë dhunshëm në muret e zhgarravitur nga shkrime e grafite që gjithcka mund të jenë vec art jo. E shohim në selfie-t, në të cilat protagonisti kryesor është egoja jonë e pa matë, e njëkohësisht mikroskopike; në gjuhën e përditëshme që është aq e varfër sa nuk e di as vetë; që është aq e pa turp sa turpi ka humbur kuptimin; e shohim në indiferencën për të vërtetën, që tejkalohet nga mashtrimi që përsërit vetveten si refren pa fund; e dëgjojmë nga mëngjesi në darkë në muzikën e tallavasë që përjetëson idiotësinë kolektive, gjithmonë e vetëm, në vetën e parë njëjës, si vetë idiotësia.

Të gjithë duket se sillen në të njëjtën mënyrë, në braktisjen e përbashkët, në veshje, në mënyrën e sjelljes, në preferencat: vështirë të dallosh mes plebejve të pasur e plebejve të varfër.

Mbi të gjitha, është “heroike” të gjesh gjurmë të së bukurës. Shëmtia lulëzon në cdo cep, duke u bërë kështu trashëgimtare e vetvetes. Pejsazhe të mrekullueshme, shpërfytyrohen nga paralelopipedë të tmerrshëm, kuba e ndërtesa të pa formë. Një askund i frekuentuar nga breza të dorëzuar injorancës, të pa ndjeshëm, të shëmtuar e të përcudnuar me gjithë silikonin, trukun e rëndë, e rrobat firmato fallco si vetë aspiratat e tyre. Qëndrat tregëtare, dritat e reklamave, lokalet e lluksit që zbehen bashkë me periferitë, bëhen pika takimi social, skenari i jetës, vetë njohja e një turme identike e zënë dhe e vëmëndëshme të kalojë kohën me telenovela turke e pasione vulgare.

Arkitektura – mbyllur lojën me zbukurimin – nuk ka më ambicie mbi të bukurën e të qëndrueshmen. Ndryshe nga e shkuara që tashmë nuk e kujtojmë më, athere kur të ndërtoje ishte për njerëzit mënyra më e mirë për të lënë një gjurmë e për të përcjellë një model qytetërimi.

Mbi të gjitha e të gjithë, dominon sistemi i komunikimit masiv, rreklama e zbavitja, që ndryshe edhe nga e shkuara e afërt, imponojnë modele e personazhe të karakterizuar nga shëmtia, nga anormaliteti i nxjerrë në shesh, nga arroganca e të demostruarit cdo deformim e eksentricitet.

E gjitha kjo nuk ndodh rastësisht. Bëhet me dashje e imponohet si elementi kryesor i de-identifikimit, regresit, shëndërrimit në rangun e kafshës ku prej 82 vitesh politika e politikanët përpiqen të na shtyjnë, pasi gjithcka duhet të shërbejë për dicka, që për ta është thjesht pushteti si qëllim në vetvete, pasi mendojnë se me të do të mbushin humnerën që kanë brënda vetes.

Ata që po na shtyjnë në oqeanin e shëmtisë e urrejtjes, duan të na shuajnë vetëdijen, që së bashku me të bukurën e të vërtetën, con drejt lartësimit. E dinë mirë armiqtë e njeriut, armiqtë tanë. Ata që në kohët e mashtrimit universal e nihilizmit të pështirë, synojnë të shuajnë njëherë e mirë, të bukurën e të vërtetën, për të na shtyrë drejt omologimit gjitpërfsirës e anonim, në barazinë e llumit që mbulon gjithcka e nuk njeh kufij. Ashtu sic nuk ka kufij dominimi i volgaritetit, i pengmarrjes e i cfilitjes që ushtron mbi ne brezi i njerëzve të fundit. Politikanët. Tipologji njerëzore kjo e fundit, aq e përcmuar, pasi nuk di më të përcmojë vetveten. Ndaj dhe beteja për të bukurën e të vërtetën, edhe pse na duket e pakuptimtë, të zënë sic jemi eskluzivisht ne suksesin që e masim vetëm me para, është vendimtare pasi nuk pranon idene e një qënijeje kafshërore, e dobishme, e hedhur mbi tokë vetëm për të grumbulluar sende e para si i vetmi peng i lumturisë që nuk vjen kurrë. Gjithmonë tek njeriu ka një tendencë që e shtyn poshtë, drejt volgares së shurdhër, por kurrë më parë ishte ngritur në princip fitues, në moral të pamoralshmes, si në kastën tonë politike.

Duhet kthyer koka pas herë pas here, për ti shkuar deri në fund memories e për të dëgjuar dridhjet rrënqethëse ideologjike të kohëve që kurrë nuk shkuan, e akoma e sot na mbajnë të ankoruar në fundin e llumtë të kënetës nga e cila nuk po dalim dot, për të marrë frymë si njerëz të lirë, e për të parë e kuptuar që jeta egziston vetëm përtej të gjithë kësaj që na kanë bindur se është jeta.

Shëmtia dhe mashtrimi, që kasta politike ka ngritur në rang modeli unik për të gjithë, është arsyeja e vetme e degradimit që jo rrallë shpërthen në akte cnjerzore. Janë plot kronikat e zeza që zenë ekranet per dite e muaj, deri sa të kryhet një tjetër krim edhe më cnjerëzor, edhe më i zi, për ti lënë radhën një tjetri e një tjetri akoma, si në një breshëri pa fund, që shton frikën e vret habinë. Tashmë gjithcka është e mundur, si në një video lojë. Vrasim, vjedhim, grabisim, vëllain, komshiun e të panjohurin, a thua se pas një ore mund ti japim fund kësaj loje, e kur të luajmë sërish mund ta fillojmë sërish nga e para. Ne marrim jetë se nuk e njohim jetën. Jetojmë në një spirale dhune barbare që na shtyn ti nënshtrohemi pushtetit të fitimit, të materiales e vetëm asaj, të banales prozaike që ka sjellë e mban në pushtet të shëmtuarën, të trishtën e të pistën klasë politike që na sundon përmes urrejtjes që mbjell mes nesh si farë e së keqes që atyre u garanton pushtetin.

Është koha për një kryengritje. Kryengritje morale e morali, që të mund të mbetemi në këmbë në këtë botë të rrënuar. Të qëndrueshëm në të mirën e të vërtetën për të njohur të keqen. Na duhet e mira dhe e vërteta për të mundur të keqen. Na duhet e mira dhe e vërteta për të mos gabuar në momentet e pasigurisë e dyshimit. Na duhet e mira dhe e vërteta për të kuptuar. E verteta dhe e mira për të jetuar rrealitetin ashtu sic e duam, përtej projeksioneve të shtrembëra të pushtetit. Na duhet e mira dhe e vërteta per të ecur pa peshën e kompromisit mes ndërgjegjies e së keqes.

Na duhet trinia e se bukurës, së mirës e së vërtetës që kjo kastë politike e urren aq shumë. Trini që është më e masakruara nga mendimi sundues, që nuk fsheh më kultin e së shëmtuarës, të shkëputjes nga e mira, e të mohimit të së vërtetës. E bukura është edhe e mirë, edhe e vërtetë. Këtë e dinin mirë romakët, baballarët e qytetërimit që kemi shpërdoruar. Kur mjegulla e mashtrimit universal fsheh konturet e së vërtetës, është koha për tu këthyer tek esencialja, tek e pandryshueshmja, tek të vetmet gjëra të rëndësishme: e mira, e bukura, e vërteta. Janë detyra dhe shpëtimi ynë. Pasi, nëse nuk është e qartë se si e vërteta do ta shpëtojë botën, është mëse e qartë se mashtrimi po e shkatërron atë.

Na duhet një kryengritje morali me vetëdijen se: “E verteta egziston pa një përse. Jeton sepse është jeta. Ajo nuk kujdeset për vetveten, pasi i mjafton vetvetja për atë që është. Nuk kërkon që ta pranosh, por nëse e pranon, zbulon se nuk mund të jetosh më pa të. Nuk ka Zot mbi të vërtetën, pasi e vërteta është atributi kryesor i Zotit, e kjo nuk varet nga besimi yt apo i imi. Thjesht është.

Filed Under: Kronike Tagged With: Gjergj Hani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT