• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

Masakra e Manastirit sipas një dokumenti të kohës

August 2, 2023 by s p

Gëzim Zilja/

Në mesditën e 9 gushtit të vitit 1830, në një kohë të shkurtër u vranë me pabesi rreth 500 fisnikë feudalë së bashku me trimat e tyre, në vendin e quajtur Dovlexhik në afërsi të urës që lidh rrugën e vjetër të Manastirit me rrugën e re, që vjen nga Përlepi. Lëndina u skuq me gjak të pastër finikësh shqiptarë ashtu si qindra vjet me rradhë toka shqiptare nën sundimin turk. Ajo që të bën përshtypje veç egërsisë dhe pabesisë turke është sesi arrinte të ripërtërihej, e të nxirte parreshtur komandantë e luftëtarë kjo rracë e pamposhtur shqiptare. Masakra e Mananstirit me shfarosjen e një numri të madh kapedanësh të shquar shqiptarë ndikoi në vonesën e themelimit të një Shqipërie të pavarur shumë më herët se viti 1912. Luftërat e shqiptarëve do të vazhdonin e do të merrnin hov me kryengritjet e famshme gjatë viteve 1833-1847 të drejtuara nga Tafil Buzi, Zylyftar Poda, Balil Nezha, Abdyl Bej Koka, Shahin Delvina, Çelo Picari, Zenel Gjonleka, Rrapo Hekali, Hodo Aliu, Cane Miftari, etj, e do të kulmonin me Lidhjen e Prizrenit e Shpalljen e Pavarësisë.AMI BOUE’ (1794-1881) anëtar i pothuaj gjithë akademive europiane të kohës, njihet si studiues, i historisë, zakoneve e traditave të popujve ballkanas dhe më gjerë. Më 1836, gjashtë vjet pas Masakrës së Manastirit ndodhet duke udhëtuar nëpër Shqipëri. Midis shumë të dhënave historike, gjeografike, gjeologjike zakoneve, mënyrës së organizimit të shqiptarëve nën Turqinë etj, ai shkruan edhe për Masakrën e Manstirit. Këto shënime i boton në Paris më 1840, në librin “Shqipëria, në Turqinë europiane,” shtypur në 2011 në gjuhën shqipe nga nga shtëpia botuese “Plejad.” Në librin e mësipërm (faqe 64) ai shkruan për Masakrën e Manastirit: “… Bejlerët e përkëdhelur nga bashkëatdhetarët si dhe nga Veziri i Madh, i tërhoqën shqiptarët në Manastir me preteksin e një feste ushtarake. Të shoqëruar nga 500 luftëtarë ata u pritën dhe u trajtuan në mënyrë të shkëlqyer; por ditën e festës ata i gjetën trupat ushtarake të rradhitura në kuadrat, ku aty nuk gjendej askush për t’i pritur. Asllan (Asllan Kuca) Beu e kuptoi menjëherë se ishin të humbur dhe thirri: “ Kaq e patëm” Këtyre fjalëve Veli (Veliko Jaçe) Beu iu përgjegj: “Kjo është mënyra e rregullt për të përshëndetur, ti mund t’ia mbathësh veçse për turpin tënd dhe timin.” Megjithatë Asllan Beu e shkëmbeu vendin me Veli Beun, para se të hynte në kuadrat. Sapo arritën sinjali për të hapur zjarr u dha, dhe nga kthina e Vezirit dhe kuadratet e ushtarëve shpërtheu një breshëri armësh i pasuar nga një sulm me bajoneta.Të gjithë u vranë me përjashtim të Asllan Beut, i cili mund të shpëtonte por e ndoqi dhe e kapi në një farë largësie nga Manastiri Chior (Qorr) Ibrahim Pasha, i cili e vrau. Kështu përfundoi në vitin 1930, në një mënyrë mizore ajka e fisnikëve shqiptarë…” 

Disa përcaktime nga Ami Boue’ për shqiptarët

1.“Shqiptarët janë ndoshta raca më e bukur e Turqisë evropiane. Banorët e Shqipërisë, dhe më tepër akoma të Shqipërisë së Sipërme, kanë profilin si atë të ushtarëve romakë, që duken mbi disa harqe triumfi të perandorëve të parë. Mbase shqiptarët gjendeshin dhe midis luftëtarëve të Aleksandrit të Madh, të Pirros, të Teutës, të Gencit dhe të perandorëve romakë, sidomos të Dioklecianit, bashkëkombësi i tyre; se këta, zvicerianë të Orientit, kanë qenë kurdoherë gati të shërbejnë për të marrë të holla. Bota i përfytyron kurdoherë si ushtarë të dhënë fort shumë pas plaçkës dhe të këqinj, gjë që s’duket të jetë fare e vërtetë, si e rrëfen shëmbulla e bukur e mirditëve, të cilët më 1810 i refuzuan Ali Pashës të masakrojnë si kasapë kardhiqotët e mbyllur në një shtëpi me mur. 

2. “Shqiptari e përbuz turkun, sepse veten e tij e shikon më të lart, më të mençëm, më të zgjuar…”

3. “Në fund edhe s’do harruar, se shqiptari është kurdoherë gati të marrë fenë e atij që e sundon dhe, sidomos në Epir, shumë veta mund të bëhen të krishterë por, sipas idesë fikse të malësorëve dhe të mirditëve, (mirditorëve. Shën,im) është pothuaj e sigurt që këta s’do t’i shtrohen kishës ortodokse”

*Asllan Beu me Veli bejnë

Në Mecov’ e bën benë

Në Manastir do të vemë

Të kërkojmë ylyfenë

Po s’na e dhanë me të mirë

Do të djegëm Manastirë

*

O Asllan o Veli

Ç’ju qan nëna në shtëpi

Oh të zestë djemt e mi

Ç’ju erth kuka në sini

Filed Under: Komente Tagged With: Gezim Zilja

Pushteti si dashnorja e vetme

August 2, 2023 by s p

Artan Nati/

Në mitologjinë greke, Kronos është një titan që përmbysi babanë e tij, Uranin, dhe u bë sunduesi i kozmosit. Megjithatë, nga frika e një profecie se ai do të rrëzohej nga një prej fëmijëve të tij, Kronosi gëlltiti secilin prej pasardhësve të tij kur ata lindën, duke i penguar në mënyrë efektive ata të uzurponin pushtetin e tij. Ky mit tragjik mund të shërbejë si një metaforë e fuqishme për politikën e përditëshme në Shqipëri, veçanërisht në këto kohët e fundit. Shikojmë që qeveria aktuale ose më saktë lideri i saj po gllabëron “bijtë e partisë”, duke i përdorur ata si koka turku. Shkaku kryesor është frika nga humbja e pushtetit: Frika e humbjes së pushtetit është rruga drejt anës së errët. Frika të çon në zemërim, zemërimi të çon në urrejtje, urrejtja të çon në veprime irracionale. Ashtu si Kronos, shumë liderë politikë gjatë historisë janë shtyrë nga një frikë e fortë e humbjes së pushtetit të tyre. Kjo frikë po e detyron edhe lidershipin në PS të marrin masa drastike për të mbajtur kontrollin, edhe nëse kjo do të thotë të të hedhë në rrjetën e drejtësisë disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë,ku rasti më flagrant është ish zv.kryeministri Ahmetaj, por edhe ai i ditëve të fundit i Damian Gjiknurit e ministra e funksionarë të lartë të tjerë. “Qeveritë, nëse qëndrojnë për një kohë të gjatë në pushtet, priren gjithnjë e më shumë drejt formave aristokratike. Asnjë qeveri në histori nuk është njohur që t’i shmanget këtij modeli. Dhe ndërsa aristokracia zhvillohet, qeveria tenton gjithnjë e më shumë të veprojë ekskluzivisht në interes të klasës sunduese – qoftë ajo klasë mbretërore trashëgimore, oligarkë të perandorive financiare apo burokraci e rrënjosur.” shkruan Frank Herbert (1920-1986) . Ky fenomen është i vërtetë jo vetëm për qeveritë,por edhe për partitë politike etj.A nuk po ndodh i njëjti skenar në PD?
“Njerëzit në pushtet nuk do të heqin dorë pa luftë, sepse pushteti është afrodiziaku i fundit.” thotë Henri Kisinger, duke dashur të thojë se pushteti është e vetmja mënyrë ose iluzioni i vetëm rreth të cilit jeta e tyre rrotullohet ose si Bonoparti e thotë në mëyrë figurative:“Pushteti është zonja ime. Unë kam punuar shumë në pushtimin e saj për të lejuar dikë që ta largojë atë nga unë.” Kur udhëheqësit janë të shtyrë nga kjo frikë e fortë e humbjes së pushtetit, qoftë në politikë apo në vendin e punës, disa faktorë motivues fillojnë të veprojnë,faktorë që shërbejnë si ilaçi i vetëm,faktorë që bëjnë të zgjohet faktori shtazarak dhe të humbasin arësyen. Duket se kjo po ndodh në politikën tonë, në qeverinë tonë. Ashtu si në Romën e lashtë ngritja e Cezarit në diktaturë tregoi rreziqet e mundshme të përqendrimit të pushtetit në duart e një individi. Nga frika e humbjes së pushtetit Cezari i dha fund republikës duke u shndërruar në diktator dhe përfundoi në vrasjen e tij nga bashkëpunëtorëe tij. Ai shërben si një shembull paralajmërues për rreziqet e autoritetit të pakontrolluar në çdo sistem politik. Aktualisht Shqipëria duket si një xhungël ku i vetmi synim në jetë i çdo politikani është pushteti pa e kuptuar se sa më shumë pushtet akumulojnë aq më shumë shkëputen nga realiteti dhe aq më afër janë drejt fundit të tyre.

Liderët në vendin tonë që nxiten nga frika e humbjes së pushtetit shpesh nuk arrijnë të kuptojnë se udhëheqja e vërtetë ka të bëjë me fuqizimin e të tjerëve.Udhëheqja e vërtetë nuk ka të bëjë me dominimin ose kontrollin e të tjerëve, por për t’i ngritur lart dhe për t’i ndihmuar ata të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Duke fuqizuar të tjerët, udhëheqësit krijojnë një mjedis pozitiv dhe bashkëpunues që mund të arrijë rezultate të jashtëzakonshme. Stili i udhëheqjes së liderit gjerman,pas luftës së dytë botëore, Adenauer përfshinte delegimin, besimin dhe përfshirjen. Ai e kuptoi se duke u dhënë përgjegjësi individëve të aftë dhe duke i lejuar ata të ushtrojnë talentet e tyre, vendi mund të bëjë përparim të jashtëzakonshëm. Kjo qasje inkurajoi bashkëpunimin, inovacionin dhe ndjenjën e pronësisë mes njerëzve që punonin nën të.Qeveria jonë dhe lidershipi i PS si pasojë e frikës së humbjes së pushtetit është më e interesuar të përçajë opozitën se të mendojë për bashkëpunim. Vetë opozita është më e interesuar të shkatërrojë grupet kundështare të të njëjtës parti duke u shndërruar patericë për sistemin e korruptuar në dëm të vendit.

Ndërsa politika ndonjëherë mund të ngjajë me një xhungël interesash konfliktuale, është përmes bashkëpunimit që ne ndërtojmë një shoqëri të civilizuar dhe të drejtë. “Konkurrenca është ligji i xhunglës, por bashkëpunimi është ligji i qytetërimit.” thotë Peter Kropotkin. Politika vetë është art i kompromisit. Partitë politike duhet të kenë të qartë se ato nuk janë thjesht rivale, por partnerë në ndjekjen e një qëllimi të përbashkët që të jenë në shërbim të vendit për një shoqëri të begatë dhe harmonike. Vendi nuk ka nevojë për kompromise fallco në shërbim të kryetarëve si ajo e 2008 apo marrëveshje për të votuar SPAK-un nën presionin amerikan, por në realitet nën rrogoz e minonin atë. Politikanët tanë duhet të kuptojnë se themeli i qeverisjes demokratike është kompromisi duke përfshirë këtu edhe dorëheqjen e tyre si kompromis për të hapur rrugën ideve të reja drejt qëllimit final të përparimit të vendit.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: artan nati

VRASJET MAKABËR TË KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI DHE SHTETI QË ENDE NUK I KA DËNUAR ATO ZYRTARISHT — NJË NJOLLË E ZEZË PËR KOMBIN SHQIPTAR!

August 2, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli
A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Me 31 Korrik, 1948 — 75-vjet më parë, xhelatët e diktaturës së regjimit komunist të Enver Hoxhës mbytën, pas torturave më çnjerëzore dy, ndër të parët e shumë klerikëve katolikë, por edhe të tjerë – Dom Lekë Sirdanin dhe Dom Pjetër Çunin. I mbytën për së gjalli, sipas dëshmitarëve dhe të dhënave dokumetare për mbytjen e tyre, pasi ishin arrestuar për “veprimtari armiqësore” —   duke i hedhur, në një gropë ose pus ujërash të zeza në Koplik, ku është zhvilluar hetuesia kundër këtyre dy meshtarëve të pafajshëm.  I torturuan egërsisht në mënyrën më barbare e të pashpirtëshme që mundej.  Pas torturave i futën — të gjallë — në një pus ujërash të zeza dhe i lanë aty dy klerikët e pafajshëm — Dom Pjetër Çunin dhe Dom Lekë Sirdanin – derisa më në fund vdiqën at në fund të pusit nga torturat e përfaqsuesve të regjimit komunist enverist, 75-vjetë më parë, më 31 korrik 1948. 

Këta të dy, ashtu siç ishte rasti me shumë nga klerikët katolikë shqiptarë të vrarë nga regjimi komunist – vetëm e vetëm se ishin të tillë, përfaqsues të Kishës Katolike shqiptare – të cilët sipas urdhërave të themeluesve komunistë serbo-malazezë të Partisë Komuniste Shqiptare, duhej të zhdukeshin nga faqja e dheut, sepse ata ishin kundërshtarët më të vendosur të regjimit komunist shqiptar, themeluar në bazë të ideologjisë komuniste sllavo-aziatike dhe pengesa kryesore e vendosjes së një regjimi komunist në Shqipëri. Dom Aleksandër Sirdani e Dom Pjetër Çuni kanë qenë dy figura nga më të shquara, jo vetëm të Kishës Katolike, por edhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, sidomos Dom Lekë (Aleksandër) Sirdani, edhe një nga penat më të njohura në vend. Shkrimet e tija janë botuar në shumë organe të shtypit të kohës, veçanërisht në revistën famëmadhe të jezuitëve shqiptarë, ‘LEKA’.  

Për “Xhelatët ekzekutues nuk kishte rëndësi fakti se klerikët e martirizuar, në të vërtetë, përbënin kolonën vertebrore të një shoqërie shqiptare të organizuar për qëndresë në kryengritjet kombëtare që nga Skënderbeu e deri në Ditën e Pavarësisë, që ky grup i veçantë mbajti gjallë shqiptarizmin për pesë shekuj robënie otomane, që ky grup i veçantë lavroi gjuhën shqipe dhe e mësoi atë në shkolla…se historia e kombit shqiptar nuk njeh nji rast të vetëm kur kleri dhe besimtarët katolikë të mos kenë qenë pjesëmarrës, e në shumë raste udhëheqës në kalvarin shumë shekullor të vendit tonë e në luftat kundër anmiqve kërcënues, e tashti, vonë në forcimin e nji Shqipnie të lirë që përpiqet me qenë europiane, është  shprehur i nderuari Profesor Sami Repishti, i cili ka kaluar vite të tëra në burgjet e Enver Hoxhës së bashku me shumë prej klerikëve katolikë shqiptarë. Frank Shkreli: Sami Repishti: “Lotë, Lavdi e Lumnim” | Gazeta Telegraf

Të dy këta martirë të Fesë e të Atdheut, kanë shërbyer në famullitë e Kishës Katolike në Malësinë e Madhe të Mbi-Shkodrës. Për martirizimin e tyre nga komunizmi, Dom Pjetër Çuni dhe Dom Aleksandër Sirdani janë shpallur të lum – një term fetar ky që përcakton hapin e parë drejtë shënjtërimit nga Kisha Katolike universale, së bashku me 36 martirë të tjerë shqiptarë të diktaturës komuniste. Martiret e Komunizmit – Kisha Katolike në Shqipëri (kishakatolikeshkoder.com)

70 VITE NGA VDEKJA E MARTIRËVE, DOM LEKË SIRDANI E DOM PJETËR ÇUNI ...

                   Dom Lekë Sirdani                              Dom Pjetër Çuni

Mbytja e Dom Lekë Sirdanit dhe Dom Pjetër Çunit, në rrethanat më barbare, pas torturave të tmershme anti-njerzore, por edhe mijëra e mijëra kundërshtarëve të tjerë, viktima të regjimit komunist enverist – civilë e klerikë që kanë pësuar të njëjtin fat të keq për veten dhe për Shqipërinë–ishte një krim kundër njerëzimit – atëherë dhe mbetet i tillë edhe sot, 33 vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit dhe të ashtuquajturit tranzicionit politik “post-komunist”.  Në rastin e Shqipërisë, krimet gjysëm shekullore të komunizmit mbeten ende një krim i pandëshkuar dhe i pa dënuar si i tillë, nga qeveritë “demokratike”, “post-komuniste” të dy partive krsesore politike të vendit, gjatë tri dekadave të kaluara në Shqipëri. Për shtetet ish-komuniste të Evropës Lindore e Qendrore, sot pjesëtare të NATO-s dhe anëtare të Bashkimit Evropian — ndryshe nga Shqipëria e cila pretendon se dëshiron të jetë pjesë e të gjitha integrimeve euro-atlantike — krimet e regjimeve të komunizmit i kanë konsideruar si Krime Kundër Njerëzimit!  Ato i kanë dënuar krimet e komunizmit anë e mbanë Evropës, si krime kundër njerëzimit dhe janë distancuar, zyrtarisht, nga e kaluara kriminale e diktaturës komuniste në vendet e tyre, gjatë shekullit XX. 

Por, jo Shqipëria!  Krimet barbare të regjimit komunist atje — siç ishte vrasja e këtyre dy klerikëve të pafajshëm 75-vjetë më parë — kanë lenë pas një trashëgimi dhe gjurmë të tmershme dhe të pashërueshme në shoqërinë e sotme shqiptare, jo vetëm në sistemin ligjor dhe të drejtësisë, por dhe në zhillimet politike aktuale. Një përvjetor si ky na kujton, fatkeqsisht, tmerret e regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës.  Në formën e tij djallëzore, mund të mos jetë më ky regjim, por trashëgimia dhe fryma e tij mbijeton me nostalgjikët e tij që ushtrojnë sot detyrat më të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar.  Qeveritë e të dy partive kryesore në Shqipëri, për 30-vjet tashti, nuk kanë pasur guximin moral as vullnetin politik për t’u përballur me të kaluarën komuniste të Shqipërisë, për të dënuar krimet e komunizmit, siç ka bërë e gjithë Evropa. Por, as për të caktuar një ditë në vit në kujtim të viktimave të pafajshme të barbarizmit komunist në Shqipëri – martirë siç ishin Dom Pjetër Çuni e Dom Lekë Sirdani. 

E kam thenë shpesh dhe do vazhdoj ta theksoj për derisa nuk ka një ndryshim rrënjësor në atë vend në lidhje me krimet dhe me viktimat e komunizmit, se për fatin e keq të Kombit shqiptar, Shqipëria e sotme, anëtare e Aleancës Euro-Atlantike, NATO, që njëherazi pretendon se aspiron të bëhet edhe anëtare e Bashkimit Evropian, është i vetmi vend ish-komunist i Evropës Lindore e Qendrore që nuk është distancuar, zyrtarisht, shpirtërisht as moralisht nga e kaluara e saj terroriste komuniste.

Në këtë ditë përkujtimore të mbytjes së Dom Lekë Sirdanit dhe Dom Pjetër Çunit, detyrohem të pyes, si në të kaluarën: kur do të njohin Shqipëria dhe Kosova krimet e komunizmit dhe kur do i dënojnë ato, zyrtarisht? Kur do të kujtojnë Tirana dhe Prishtina zyrtare, viktimat shqiptare të atij regjimi barbar sllavo-aziatik, anë e mbanë trojeve shqiptare, prej një gjysëm shekulli?  

Ky shkrim imi sot është në përputhje me besimin tim të thellë se përpjekjet e njerëzve vullnetmirë sot kundër komunizmit, duhet të pasqyrojnë kujtesën e viktimave të komunizmit, ashtu siç është shprehur edhe shkrimtari i njohur çek, Milan Kundera, se këto përpjekje duhet të jenë, “Një luftë e kujtesës kundër harresës.”  Mos-kujtesa e viktimave të komunizmit dhe mosdënimi i krimeve të komunizmit në Shqipëri është një njollë e zezë për Kombin Shqiptar!

Për të kujtuar, pra, krimet e komunizmit në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, me qëllim që atë akte barbare të mos përsëriten më dhe për të festuar, njëkohësisht, lirinë dhe drejtësinë që na ofron Amerika. Në mbrojtje të lirinë së vërtetë, ndonëse jo të përsosur, e të cilën e dëshirojmë, për të cilën luftojmë për Shqipërinë, për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në trevat e veta.

Por pa dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit dhe pa distancimin serioz të Shqipërisë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës – aktualiteti politik në vend po tregon, se rrugëtimi euro-atlantik i Shqipërisë, jo vetëm që ka marrë një rrugë të gabuar, por ai rrugëtim nuk është më as i sigurtë dhe as i besueshëm, as përndërkombëtarët dhe as për shqiptarët — një prej faktorëve që po shkakton zbrazjen e Shqipërisë nga rinia e saj dhe nga më të mirët e Kombit. 

“Krimet e komunizmit në Shqipëri dhe kudo janë një çështje e rëndësishme e drejtësisë së mohuar ndaj viktimave të komunizmit – të gjallë e të vdekur – në atë vend dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, për të cilat askush as nuk flet për to.

Ne, nga ana jonë, nuk do të heshtim! 

I përjetëshëm qoftë kujtimi i Dom Lekë Sirdanit dhe Dom Pjetër Çunit dhe i të gjitha viktimave të komunizmit, pa dallim, në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Frank Shkreli             

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli

SEMINARI XVI MBARËKOMBËTAR ME MËSUESIT E GJUHËS SHQIPE DHE KULTURËS SHQIPTARE NË DIASPORË

August 2, 2023 by s p

Lefteri Metkaj/

Vlorë, 30 Korrik- 2 Gusht, zhvillon punimet Seminari i XVI-të Mbarëkombëtar për Mësuesit e Gjuhës Shqipe në Diasporë. Pikërisht Vlora, në këtë stinë vere u bë pika e takimi për të pritur bijtë e saj nga larg, mësuesit e gjuhës shqipe nga e gjithë bota shqiptare.

Jo rastësisht u zgjodh qyteti i Vlorës për të zhvilluar seminarin e gjuhës shqipe, mbas seminarit të fundit që ishte zhvilluar para katër viteve në qytetin e Prizrenit , në vatrën e kuvendeve kombëtare, sepse Vlora është simbol i bashkimit kombëtar, simbol i identitetit, simbol i patriotizmit dhe atdhedashurisë.

Mësuesit atdhetare erdhen në Vlorë nga largësitë e diasporës me mallin mbajtur ngrohtë për tokën amë,

dhe pikërisht nga Vlora përcollën misionin për punën e kryer në diasporë, si dhe morën eksperienca dhe praktika të reja për të ofruar më të mirën e mësimdhënies për fëmijët tanë që lindin dhe rriten jashtë atdheut tonë.

Ashtu si dikur në Vlorën heroike, u bashkuan nga trojet shqiptare më 28 Nëntor të vitit 1912 , u mblodhën në kuvend burrat atdhetarë shqiptarë dhe vendosën për fatin e Atdheut, ashtu dhe mesuesit e diasporës u mblodhën për një mision shumë të rëndësishëm. Të mbajnë kuvendin për gjuhën shqipe, për të përcjellë traditën e arsimit tonë kombëtar, që është të mbajnë gjallë në breza dashurinë për Shqipërinë e Kosovën, për gjuhën shqipe dhe identitetin kombëtar si shqiptarë jashtë vendit.

Ky seminar vjen si një nga dhuratat më të bukura nga diaspora shqiptare për qytetin arsimdashës të Vlorës, ku pikërisht në Vlorë, Ismail Qemali pasi krijoi shtetin shqiptar, menjëherë filloi punën për arsimin kombëtar. Dhe pikërisht në Vlorë, në Lagjen “Muradie” , në Shkollen Nr 1 caktoi Ministrinë e parë të Arsimit Kombëtar Shqiptar, me Minister të parë, mësuesin atdhetar Luigj Gurakuqi.

Eshte nder i veçante per qytetin tim te Vlores ,te kete ne perqafim te saj , 150 margaritarë, sepse margarita jane mesuesit atdhetare vullnetare, te cilet japin nje kontribut jashtëzakonisht te madh ne rrafshin kombetar duke mbajne gjalle gjuhen tone te çmuar shpirterisht, profesionalisht dhe financiarisht, ku investojne vetë nga te ardhurat e tyre per te mbajtur çelur pikat shkollore te gjuhes shqipe anembane diaspores shqiptare.

Ishte kenaqesi e veçante si mesuese e diaspores nga Vlora , te pershendesja e te falenderoja me mirenjohje duke iu uruar mirëseardhjet me te perzemerta organizatoreve, veprimtareve te ketij seminari dhe vecanerisht te gjithe mesueseve, kolegeve te mi te dashur te diaspores duke iu uruar suksese dhe te kalojne sa me bukur ne qytetin historik e bregdetar te Vlores.

Seminari ne Vlore eshte nje kryeveper, shembull per te gjithe mesimdhenesit shqiptare te cilet kishin mundesine te njoheshin me punen qe bejne keta mesues vullnetare te diaspores pa interes personal, qe femijet tane kudo jashte Atdheut te behen krenare duke ruajtur me kujdes e dashuri identitetin e tyre, per nje te ardhme me dinjitet.

Rilindasit tane dhe brezat me radhe e treguan duke e mbrojtur dinjitetin dhe nderin e gjuhes shqipe me çmimin me te larte, me jeten e tyre..

Ky Seminar Mbarekombetar i Gjuhes Shqipe per Mesuesit e Diaspores eshte nje nga ngjarjet me te rendesishme kushtuar gjuhes shqipe ne diaspore, i cili organizohet ne bashkepunim me Ministrite e Arsimit te Shqiperise dhe Kosoves.

Me fjalen e tyre pershendetese nderuan mesuesit dhe shprehen mirenjohje te thelle per kontributin e tyre ,znj. Evis Kushi ,MAS-it te Republikes se Shqiperise , znj. Arbërie Nagavci, MASHT-it te Republikes se Kosoves, a.Ermal Dredha, Kryetar i Bashkise Vlore.

Mesuesit seminaristet u pershendeten me nje program te bukur kulturor-artistik nga femijet e Qendres Kulturore Vlore.

Gjithashtu ne seminar kishte shume te pranishme ,personalitete te arsimit dhe te kultures nga te dy shtetet shqiptare. Por seminarit nuk i mungoi dhe prezenca e znj.Donika Gervalla, Zv/Kryeministre dhe MPJ te Republikes se Kosoves, znj.Luiza Gashi, Z/Ministre e PJ D, te Republikes se Kosoves, te cilat zhvilluan nje bashkebisedim te hapur per mesimin e gjuhe shqipe me mesuesit e diaspores. Të e respektuar kolege, motra dhe vellezer te dashur ,duke ju uruar pune te mbare , deshiroj qe ky seminar ne qytetin e Vlores, te zhvilloj me sukses permbushjen e qellimit te tij duke ndikuar ne rritjen e aftesimit profesional, didaktik dhe pedagogjik tek mesuesit pjesemarres.

Mirenjohje per gjithcka beni ne dobi te mesimit te gjuhes shqipe per femijet ne diaspore, ne dobi te kombit.

Se fundi, shpresoj te gjithe mesuesit seminariste te kene arritur qellimin e tyre ne kete seminar. Te jene ç’mallur

me koleget, te kene marre me vete çastet e paharruara ku vizituan qendrat historike , turistike, muzete e shumte, sepse Vlora, historia e saj, akti i Pavaresise se Shqiperise, emri i patrioti te shquar Ismail Qemali, shtiza e Flamurit Kuq e Zi, do t’i frymezoje ne punen e tyre, si nje shenje nderimi te veçante per krenarine e identitetit tone kombetar. Po ashtu , mengjeset e fresketa, perendimi i diellit, shetitjet ne buze mbremje gjate bregdetit ne gjirin e detit Jon e ne Vloren e shenjteruar e mahnitese…patjeter do t’iu mbeten mesueseve te diaspores nje kujtim i perhershem nga Atdheu .

Dhe mos të harrojmë se mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë janë një vlerë e madhe për arsimin kombëtar shqiptar jashtë Atdheut tonë.

Filed Under: Opinion

E ardhmja

August 2, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

E shkuara vjen në mendje. Nuk jemi larg nga koha kur poicia sulmonte njerëz të mbledhur për të festuar ose kryeministri që dilte rrugëve me gërshërë për të qethur.

Parashikime të shumta bëhen për të ardhmen, sa më të largëta aq më të guximshme. Prandaj shpesh nuk duhen marrë në konsideratë, ato vetëm trembin.

Shkencëtarë thonë se në 500 milionë vjet, shkëlqimi i diellit do të rritet deri në pikën kur jeta në Tokë do të ndërpritet. Por, edhe mund të vazhdojë. Kush bën parashikime të tilla nuk mban përgjegjësi, pasi e di që nuk do të jetojë deri atëherë. Kështu lindën shkencat jo-ekzakte.

Afërsisht 10,000 vjet kanë kaluar që nga agimi i qytetërimit kur qeniet njerëzore filluan të rrisinin të korrat dhe të jetonin në vendbanime të çdo madhësie. Ecim shpejt përpara një mijë vjet, deri në 3023, nëse nuk e vrasim veten me ngrohjen globale, bombë bërthamore apo diçka tjetër, dhe vazhdojmë të zhvillojmë shkencën dhe teknologjinë. Për njerëzit e vitit 3023, gjëra të tilla si qiellgërvishtësi Burj Khalifa në Dubai, vaksinat mRNA dhe teleskopi James Webb do të duken diçka si teknologjia kur shikojmë prapa një mijë vjet – kulla guri për mbrojtjen e murgjve nga sulmet vikinge, shushunjat për heqjen e gjakut të tepërt, letër për të shkruar, por edhe burgje maleve për thyerje gurësh. Gjëra primitive.

Ecim përpara një mijë vjet të tjera, në 4023. Njerëzit do të shikojnë mbrapa mrekullitë e një mijë viteve si histori të tyre të lashtë. Vashdojmë përsëri, 5022, dhe përsëri dhe përsëri dhe përsëri. Le ta bëjmë këtë 170 herë. Deri në vitin 173,023, duke supozuar pothuajse çdo lëvizje përpara në shkencë dhe teknologji dhe duke supozuar se do të mbijetojmë kaq gjatë si specie, shkenca dhe teknologjia jdo të transformohen plotësisht dhe do të jetë e fuqishme sa që sot nuk mund të fillojmë as të kuptojmë se çfarë do të bëjë ose pse, e lëre më se si. Do të duket si magji mbi magji mbi magji, nëse bëhet më e kuptueshme.

Tani kthehemi te imazhi i ndërtesës më të lartë në botë, Burj Khalifa.

Kullë madhështore ka 163 kate. Ka ashensorë të mrekullueshëm dhe të shpejtë për t’ju çuar në majë, por nëse prishen, mund të ngjitni shkallët, gjithsej 2902 hapa. Tani le ta përdorim atë si një shkop matës. Le ta quajmë katin e poshtëm të kulles agimi i qytetërimit 10000 vjet më parë. Le ta quajmë katin e fundit, 500 milionë vjet nga tani, kur dielli e bën jetën të vështirë në Tokë. Aktualisht sapo kemi filluar të hedhim këmbën nga kati përdhesës.

E ardhmja e 500 milionë viteve nga tani është e paparashikueshme në aspektin njerëzor. Mund të imagjinohet që do të ketë njerëz – dhe të paktën tre lloje të tjera speciesh kryesisht deti. Por ajo që do të bëjmë; çfarë do të mendojmë si sfida dhe si do t’i përballojmë ato? është shumë, shumë përtej qenies sonë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT