• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

SHËNIME HISTORIKE NGA XHAMIA E PLUMBIT NË SHKODËR…

November 16, 2023 by s p

(Me rastin 16 nëntorit 1990, ditës së rihapjes të kësaj Xhamie)

NGA NDUE BACAJ

Që nga viti 1773 në historinë e besmit të Shkodres ka zënë një vend të rendesishem objekti i kultit Islam , “Xhamia e Plumbit”. Kjo Xhami ishte ndertuar në lagjen e vjeter “Qafe “ , sot “Tabake”, në breg të lumit Drin afër Kalasë…Historia e ndertimit të kesaj Xhamie i perket periudhes më të sukseshme të Pashallekut të Shkodres e më gjërë kur drejtohej nga Dinastia famemadhe shqiptare e Bushatelinjëve , që me luftë e perpjekje kishte fituar autonomin substanciale nga perandoria Osmane , duke marrë trajtat e një shteti të pavarur me shumë kufijë Etnik – Arbënor e njohur edhe nderkombetarisht…Perfaqësuesi më sinjifikativ i kësaj dinasti ka qënë Karamahmud Pasha i cili me dy prill të vitit 1786 (nga Potgorica) kishte shpallur Konfederaten Ilirike me pjesmarrjen e 500 delegatëve shqiptarë , të besimit katolik e musliman , të cilet ishin betuar me dorë në bibel e me dorë në kuran..

HISTORI NDËRTIMI E VLERSIMI

Studiuesi shkodrane Hamdi Bushati shkruan se Xhamia e Plumbit është monumenti historik ma i bukur ndër të gjitha objektet e tjera të lagjes “Tabake”, është ndertesa madhështore e artistike në stilin turko-arab , që ka terheq interesimin e vazhdueshem të vizitoreve…Xhamia e Plumbit është veper e Mehmet Pashë Plakut … Pllaka e gdhendur mbi porten e xhamisë është një dokument i padiskutueshem që shkruan se kjo xhami është një veper e ndertuar në vitin 1187 Hixhri , që me kalendarin e sotem Gregorian korespondon me vitin 1773 …1.Të dhënat e kronikaneve të kohes tregojnë se Mehmet Pashe Plaku xhaminë e ndertoi me gurë të gdhendur e të sjellur prej popullit me sistemin zinxhir (dorë më dorë) prej Gurit të Zi e deri në vendin e ndertimit…Mustafa Pasha jo vetem investoi , por edhe mori pjesë direkt në ndertimin e Xhamisë Plumbit , ku per ketë tregojnë edhe një “anektodë” e cila thotë se : “Kur një fshatare donte me i paraqitë Pashës një ankesë personale ,dhe e kishte marrë vesh se ai ndodhej në mes puntoreve , por nuk e dallonte , sepse ai ishte i veshur thjeshtë… Rastisi që personi ta pyeste (vet Pashën) se ku gjindej Pasha dhe mori pergjigjen që të priste pak. Pas perfundimit të punes , Pasha u vesh zyrtarisht dhe i doli perpara hallexhiut , që mbeti i prekur nga thjeshtësia e tij..” 2. Studiuesi tjeter shkodran Smajl Bala “tregon” se Xhamia ishte e ndarë në dy pjese: pjesa e jashtme ,që ishte pjeserisht e pa mbuluar, dhe salla e faljes e mbuluar me një Kube të madhe… afersisht 15 metra të lartë , aq sa është edhe lartesia e xhamisë…Në pjesen e jashtme (pjesa e hyrjes në xhami ) , faleshin besimtaret që vinin me vonesë dhe kishte këto përmasa : gjatësi 15 metra dhe gjerësia 13 metra. Kjo sallë kishte katër dyer…katër dritare në ball të hyrjes , katër në anësoren majtas dhe tre dritare në anesoren djathtas. Të gjitha dritaret ishin me grila hekuri e të stilizuara.. Kishte edhe dy dritare nga një anësore , që janë të salles së faljes. Harqet dhe bordurat anësore të dritareve që gjinden në pjesen e hyrjes të xhamisë janë të zbukuruara me dekoracione “bimore” (Imitime në forma të bimve dhe luleve, N.B.). Pjesa e Brendeshme ( salla e faljes)..është në formë katerore 10 X 10 metra. Ajo ka derën e hyrjes dhe një paradhomë të hapur nga salla .., ose vendi ku rrinte Imami në xhami… Në fasadë ka pesë dritare të vogla , ku njera është më e lartë , gjithashtu salla ka tetë dritare poshtë dhe kater lartë. Kubeja është tetëkëndëshe ,ku secili kend ka nga një dritare te vogel… Ka pasur edhe çardakun prej dërrase… parmakë dekorativ… shkallë dërrase per tu ngjitur në çardak dhe që komunikonte me deren për t’u ngjitur në minare. Në mes të Kubes që mbulonte sallen e faljes kishte të varur në vargj (zinxhirë) hekuri një shandan me kandila qelqi , që fillimisht funksiononin me vaj ulliri , me vonë me vaj guri e llampa elektrike… Dyshemja ka qenë e shtruar me çimento dhe me matriale izoluese nga lageshtira. Përsipër ishte e shtruar me qilima. Ka pasur edhe rafte per vendosjen e këpucëve…3. Por më interesantja ka qenë se Salla e faljes ka pasur edhe kanalin e zërit që deportonte nepermjet mureve në të gjitha ambientet e Xhamisë… Minarja është ndertuar me gurë të gedhendur të lidhur me hekur dhe pikur me plumb.

XHAMIA NË FOKUSIN E STUDIUESVE TË HUAJ

Ky objekt kulti me vlera të medha besimi ka terhequr vemendjen e studiuesit dhe ish konsullit francez në Shkodër, Hekard (Hecquard) i cili shkruan se vetem njëra nga Xhamit të terheq më shumë vemendjen , Xhamia e Plumbit e ndertuar nga Pasha Bushatli i Shkodrës. Kjo xhami kupolat e saj i ka të mbuluara me plumbë dhe të mbeshtetura mbi kolona graniti , me kapitele të uredherit Korintas… Në të njejten kohë (me xhaminë ) Pasha ndertoi uren e Kirit…Ura ka qënë e ndërtuar (mbi lumin Kir) në vitin 1768 jo shumë largë vendit ku ujrat e tij derdhen në Bunë . Ajo urë sherbente per të lidhur qytetin me fshatin e madh Bahçallek . Konstrukti i fortë i kesaj ure , harqet e larta e të guximeshme , si dhe gjigantizmi i saj paraqesin një pamje që gjithsesi të imponohet…4.

Është interesant se sipas Hekardit Ura dhe Xhamia janë ndertuar në vitin 1768 , pra pesë vite më heret se shkrimi i gjetur në pllaken e derës së xhamisë. Per ketë ne mendojmë se viti 1768 eshte koha e fillimit të projektimit e ndertimit të xhamisë, ndersa viti 1773 është viti i inagurimit të ndertimit të plotë. Studiuesi dhe albanologu i njohur i shekullit XIX-të Johan Georg Hahn pershkruan me nota brilante natyren dhe xhamin e plumbit ,ku ndër të tjera citoj: ”Nga Juglindja syri të sheh fushen e Drinit dhe vargjet e bukura të maleve që si në panoramë vijnë njeri pas tjetrit.. Perpara shkon rruga e gjatë e lagjes së Tabakeve, në mes kodrave dhe Kirit ,i cili në perendim të kodrës së Kalasë bashkohet me Drinin. Mbi lumin Kir është e ndertuar një Urë Guri …me të cilen lidhen me lagjen e Bahçallekut… Lagja e Tabakeve ka një xhami të bukur të mbuluar me pllaka plumbi..5. Një studiues i njohur italian (Ermanno Armao) duke shkruar per disa vepra ndertimi me vlera (si Ura e tjer) në Shkoder do të “thoshte” ; Vëreni harten tonë dhe shihni se që në atë kohë (shekulli XVII), ishin Dy Ura, ndoshta prej druri ; njera mbi Bunë më poshtë se ajo e sotmja prej hekuri , dhe tjetra mbi lumin Kir , e zevendesuar njeqindë vjet më vonë me një urë guri, kur u ndertua edhe Xhamia e Plumbit në vitin 1773… Ura e gurit mbi Kir është rrezuar nga ujerat e rrembyeshem të Drinit në vitin 1880 , kjo urë gjindej në mes Xhamisë Plumbit dhe ures së sotme të Bahçallekut ..6. Vlen të kujtohet se Ura e ndertuar nga Mehmet Pash Plaku (Bushatliu) kundrejt lagjes “Ajasem” ose “Tabake” kishte lidhje me rrugën tregtare Shkoder-Lezhë të shekullit XVIII…

“FATI” I NDËRTUESIT TË XHAMISË

Ndertuesi dhe themeluesi i Xhamisë së Plumbit Mehmet Pasha ka pasur varrin (dhe tyrben..) ngjitur me xhamin në anën e djathtë të murit , në skuten për nën minare , në pjesen e qarkueme me hekura të trashë dhe që ishte e mbuluar me pullaz , siç e vertetojnë fotografit e vjetra. Si rezultat i permbytjeve të vazhdueshme , lymi i lumit ka arritur deri në dritare ,duke mbuluar edhe varrin e Pashes , per të cilin flitet se është vet i dytë..7, ku një studiues shkodran shkruan se varri i dytë ketu sipas gojdhenave ka qenë i Ibrahim Pashes. Ndersa në hyrje të oborrit të Xhamisë ka qenë një ndertese e vogel ku brenda saj ka pasur një saraxhë uji.8.

XHAMIA NË MES DEKADAVE E SHEKUJVE

Xhamia si çdo objekt tjeter i ndertuar nga dora e njeriut është ndeshur ndër dekada me pasojat e shekujve dhe shekullareve.. Ndaj per t’i perballuar këto pasoja ka pasur nevojë disa herë të riparohet , gjë që konfirmohet per herë të parë në vitin 1863. Në vitet e pushtimit Austro-Hungarez (1916-1918) xhamisë fatkeqesisht iu dëmtua shtresa e plumbit (duke iu grabitur). Në vitin 1920 ky dëm u riparua. Në vitet 1930 ranë disa gurë të minares, ndersa në revisten “ Zani i Naltë” të vitit 1938 jepet alarmi se Xhamia e Plumbit ndodhet në shkaterrim e siper prej vershimeve të lumit Drin per çdo vit , sa të thuash se krejt xhamia brenda është mbushur me lym (dhe), si dhe minarja e kësaj xhamie mbas pak kohet rrezikohet per të rënë… Xhamia e Plumbit në vitin 1930 e kishte pushuar aktivitetin fetarë..9. Me gjithë rrokopujat historike , xhamia e plumbit me ndihmen e besimtareve kishte mbijetuar dhe fituar statusin “ monument kulture “. Në vitin e zi atesit 1967 Xhaminë e Plumbit e goditen dy fatkeqësi , së pari një rrufe që i këputi pergjysëm minaren e bukur të ndertuar me gurë të latuar, që dukej madheshtore prej së largu, 10, dhe së dyti “lufta” kundër besimeve që shpalli shteti komunist. Në fakt Xhamia e Plumbit nuk u shkaterrua me kulm e themel , si shumë objekte kulti të besimeve muslimane e kristiane , por u la thuajse në harresë… Si për çdo veper që është ndertuar në emer të Zotit edhe per Xhamin e Plumbit me16 nentor të vitit 1990 vjen dita e rilindjes saj . Hafiz Sabri Koçi në një miting madheshtore (ku muaren pjesë besimtare musliman e kristian) ,”deklaron” rihapjen e e ketij tempulli të Zotit. Që nga ajo ditë kjo xhami me ndihmen e Krijuesit të gjithësisë dhe vullnetin e besimtareve iu kthye normalitetit , por ky normalitet sot (shpesh) rrezikohet nga vershimet e ujrave të Drinit , që shpesh pa meshirë kerkojnë t’a perpijnë …

Foto e “mitingut”me rastin e rihapjes së xhamisë së plumbit, 16 nëntor 1990

R E F E R E N C A T :

1. Hamdi Bushati ,Shkodra dhe Motet .I. fq.56.

2. Hamdi Bushati ,po aty fq.58.

3.Smajl Bala ,Institucionet Islame dhe Hoxhallaret e Shkodres,fq.128-131.

4.Hyacinthe Hecquard ,Historia dhe pershkrimi i Shqiperise se Eperme ,ose i Gegerise ,fq.42-43.

5.Johan Georg Hahn ,Studime Shqiptare ,fq.136.

6.Ermanno Armao ,Vende , kisha , lumenj , male e toponime te ndryshme te nje harte te lashte te Shqiperise Veriore, fq.116.

7.Hamdi Bushati ,po aty ,fq.57.

8.Smajl Bala , po aty, fq.128-131.

9.Smajl Bala , po aty, fq.128-131.

10.Hamdi Bushati , po aty ,fq.57-59..

May be an image of crowd

Like

Comment

Filed Under: Uncategorized

Disa fakte për jetën e Mësonjësit të Rilindjes Petro Nini Luarasi

November 16, 2023 by s p

Processed with VSCO with kp6 preset

Gëzim Zilja/

Petro Nini Luarasi (22.04,1865-17.08.1911) është një nga ikonat e përhapjes së gjuhës shqipe në kohë shumë të vështira për kombin shqiptar. Ai bëri atë që pak të tjerë mundën ta bënin. Për veprimtarinë e tij në përhapjen e gjuhës shqipe u helmua nga përfaqësuesit e kishës greke në bashkëpunim me qeveritarët turq. Petro ishte i bindur në misionin që kishte marrë përsipër megjithëse rreziqet ishin të mëdha. Atij i përket thënia e famshme: “Dhe nëntëdhjetenëntë herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.” ( Nga fjalimi mbajtur në provimet e shkollës shqipe në Korçë, qershor 1909.). Kisha greke, dhe përfaqësuesit e qeverisë turke në bashkëpunim iu vunë egërsisht pas Petros, jo vetëm me kërcënime por edhe duke vepruar haptas ta asgjësonin fizikisht. Mirëpo si thotë Sali Butka: “…Me anën e Dhespotit dhe të qeverisë turke e ndoqën shumë kohë për ta vrarë por zoti Petro ruhej tepër dhe armët nuk i lëshoi nga dora kurrë…dhe sado e ndiqnin në të gjitha anët prap nuk rreshti së punuari për shkronjat shqipe ndonëse ishte i vobekët nga gjëja…” Letër e Sali Butkës më 8 janar 1924. Më 20 shtator 1892 Mitropoliti i Kosturit, Fillaret, shkroi një Çkishërim dhe një Mallkim për mësuesin patriot shqiptar.

“…. Meqënëse Petrua nga Katundi tuaj Luaras u përlidh me shoqëritë Masone dhe Protestane dhe meqënëse përndau predikime kundër Krishtërimit dhe libra të çvetëmuara (aforisura) është i çkishëruar fëmijërisht. Nuk kini pra të drejtë t’a kishëtoni atë, as të bëni ndonjë meshë për fëmijët e ti, gjer sa të pendohet dhe të kthehet nga udh’ e keqe që po ndjek,” Çkishërimi u bë vetëm se ai shpërnate libra shqip dhe u mësonte shqiptarëve gjuhën e nënës. Mallkimi është tekst shumë më i gjatë dhe përfundon”…Qoftë mallkuar prej Perëndis së Gjithëpushtetëtshme : pastë nëmën e të 318 dhe të tjerëve Atë të kishës; e zëntë krroma e Jeziut ; mbetë pas vdekjes i patretur dhe kotruf;dhe të mirë mos paftë as përparim mos bëftë gjersa të pendohet dhe të marrë ndjesën dhe përlarjën kanuntare.”

Në parathënien e Librit të Skënder Luarasit. “Jeta dhe vepra e P. N. Luarasit,” Andrea Varfi shkruan për Dhespotin e Kosturit:”Fillareti ishte një nga kuadrot më të përgatitura dhe më të shquara të kishës greke,… është një nga korifejtë e hierarkisë së re greke, një nga shkrimtarët më të mirë elkiastikë; është autor i një sërë vëllimesh e monografish me karakter historiko-fetar, përfaqësonjës me autoritet i Patrikanës në forumet dhe kongrese botërore fetare… “

Petro Nini ktheu një përgjigje të gjatë ( rreth 100 faqe libri) të mbështetur në historinë e Shqipërisë, në parimet bazë të fesë ortodokse, prejardhjen e shqiptarëve, traditat, zakonet dhe përpjekjet që ata po bënin për gjuhën e shkruar shqipe e një atdhe të pavarur. Është një punim i vërtetë shkencor që hedh poshtë gjithë vrerin dhe të pavërtetat e Dhespotit të Kosturit dhe të kishës greke. Po hedh një copëz nga “Mallkimi i shkr0njave shqipe,” shkruar nga Petro Nini Luarasi më 1911.

“… Le të mos frikësohemi përpara llomotitjevet e përrallavet t’atyre që nuk dashurojnë, por urrejnë mbrothësinë e njerëzisë dhe nën maskim shënjtorësh e mendimtarësh duan të na gabojnë ne; dhe le të dimë se ay që është frikacak përkundrejt së drejtës, ay bëhet tradhëtor i Mëmëdheut dhe i vehtes së tij… “

Fragmentet e mëposhtëme janë huazuar nga libri: “Petro Luarasi Mësonjësi im i shqipes.” Kujtime prej GURI KR. SEVOS. Shtypshkronja Tirana. Në Tiranë 1936. Autori Guri Sevo ka qenë nxënës i Petro Luarasit dhe shkruan ato që ka parë e përjetuar vetë atë kohë. Libri ka githësej 110 fletë. Në të jepen me vërtetësi shumë hollësi ku del figura e plotë e Petro Ninit si atdhetar por edhe si një njeri syptrembur që nuk e hoqi për asnjë çast koburen nga brezi dhe dogranë nga supi.

“…Përfaqësuesi turk i propozoi të merrte 50 lira në vit prej Turqisë (ndryshe do të burgosej. Shën im) të hiqte dorë prej shqipes, e t’i jepej detyra e inspektorit të propagandës greke. Petrua u pëgjigj: “Pesëdhjet mijë e di sa vlejnë . S’i kam për të zënë për gjithë jetën t’ime. Po të m’i japç nuk i marr. Udhën që kam nisur do ta ndjek Këtë ma tregoi Petroja vetë më vonë dhe shtoi: “Si të tradhëtonja vëllezërit e mij te Turqia e t’i bënja shërbim ati shteti që po na mban nënë thundër dhe na mohon gjuhën e nënës?”

:.. Dy përfaqësonjës të fuqishëm të këtyre shtypësve ( të kishës greke dhe qeverisë turke. Shën,im) ardhnë vetë në Kolonjë që t’i shuanin këto gjashtë drita të popullit shqiptar…. Kështu u mbyllnë shkollat shqipe në qarkun e Kolonjës dhe të Vakëvevet. Vetëm në Luaras u përmbajt më gjatë me harxhe e ca të pakë mëmëdhetarëve shtëpiakë. Por edhe këtu mësonjëtoreja, duke u përluftuar egërsisht nga të gjitha anët u shtrëngua të përulet më 1894 nën forcën e rexhimevet. Kështu u mbyll kaptina e parë dhjetë-vjeçare (1884-1994. Shën im) e vepërimevet për të filluar dy të tjera nga jeta e Petro Nini Luarasit… Faqe 46-47.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Mergata

Përsëri mbi pellazgët

November 16, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Shumë studiues thonë se Popujt e detit (Filistinët dhe Pellazgët) e kanë prejardhjen nga Minoanët. E vetmja dëshmi për Popujt e Detit është regjistruar në mbishkrimet e faraonëve Merneptah dhe Ramesses III.

Ky është mbishkrimi i Merneptah: Asnjë tokë nuk mund të qëndronte para krahëve të tyre. Një kamp u ngrit në një vend në Amurru. Ata shkretuan popullin e tij dhe toka e tij nuk lulëzoi kurrë më. Ata po shkonin përpara në drejtim të Egjiptit. Konfederata e tyre përbëhej nga Peleset, Shekelesh, Danuna dhe Veshesh.

Mbishkrimi i Ramesses përshkruan ardhjen dramatike të Popujve të Detit në Egjipt. Ata cilësohen si një konfederatë e njerëzve nga ishujt, atdheu i të cilëve ishte trazuar; kishin udhëtuar me anije, shkaktuan kërdi në të gjithë Mesdheun dhe sulmuan Egjiptin. Forcat egjiptiane, të udhëhequra nga Ramesses III i mundën.

Këta pushtues të robëruar më vonë u vendosën në Levant.

Dhe kjo është gjithçka që dimë vërtet për Popujt e Detit. Por mjafton për të konkluduar për origjinën e tyre.

Filistejtë ose Pellazgët janë dy interpretime të mundshme të emrit Peleset që gjenden në mbishkrimet egjiptiane. Popujt e Detit përfshinin njerëz nga më shumë se një kulturë

Zonat rreth ishujve britanikë, Danimarkës dhe Skandinavisë kanë një histori shumë të gjatë të ndërtimit të varkave të sofistikuara. Zbulimi i një platforme 8000-vjeçare në Britani mund të jetë vendi më i vjetër për ndërtimin e varkave i zbuluar ndonjëherë. Ishujt Britanikë në veçanti ishin një burim i rëndësishëm i kallajit për epokën e bronzit, kështu që mund të kishin lidhje tregtare detare në veri e në jug. Popujt që jetonin rreth ishujve duhet të kishin qenë plotësisht të vetëdijshëm për shoqëritë e pasura me të cilat bënin tregti. Edhe ideja se bënin udhëtime dhe angazhoheshin në pushtime e shkatërrime të epokës së bronzit nuk është plotësisht përtej sferave të probabilitetit.

Importi i prodhimeve të tyre ishte i gjerë. Edhe stacioni detar i Athinës në Dor, në Palestinë, kishte lidhje me këtë. Do të dukej si e çuditshme që athinasit të vendosnin një port detar atje nëse nuk kishte një lidhje kulturore ekzistuese më parë.

Historia egjiptiane ka kuptim për njerëzit e detit. Asnjë tokë nuk mund të qëndrojë para ushtrisë së tyre. Ramesses III luftoi disa beteja, por e humbi luftën. Njerëzit e detit zhdukën aborigjenët. Ndoshta, “afrikanët veriorë” të tanishëm janë pasardhës të popujve të detit.

I vetmi informacion vjen nga një burim tjetër egjiptian thotë se disa prej tyre u vendosën në Levant. Nuk dihet se cili ishte fati i të tjerëve.

Nuk ka asnjë ngjashmëri midis Pellazgëve që ishin para grekë dhe palestinezëve të islamizuar dhe arabizuar, nga pushtuesit të quajtur filistinë.

Peles dhe filistinë të ishin dy popuj të ndryshëm me të njëjtin emër. I gjithë rrëfimi i palestinezëve që janë pellazgë është totalisht me origjinë politike. Në fakt, Peleset dhe Filistinët nuk janë pelazgë. Mbishkrimet janë ato që janë dhe të gjitha të dokumentuara mirë. “P” fillestare duket se ka pësuar ndryshim në një fërkim. Një pyetje më e mirë ka të bëjë me “Keftiun” egjiptian. A ishte kjo fillimisht kf-tiu, ku “f” përsëritej një “r”, me fjalë të tjera Kreta, Kretas?

Ka disa popuj të detit. Peleset e Filistejtë janë identifikuar si dy prej tyre dhe ADN-ja u është testuar. Ata ishin me prejardhje indoevropiane.

Filed Under: Sociale

Rikthimi tek etërit tanë themelues

November 16, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

Që në fjalët e para të fjalimit të tij inaugurues, Barak Obama citon faktin e të qenit i përgjegjshëm për sakrificat e bëra nga paraardhësit e vet. Kurse në mbyllje të tij ai u rikthehet etërve themelues të vendit, duke evokuar fjalët dhe gjendjen e tyre shpirtërore me një përshkrim sa drithërues aq edhe shpresëdhënës.

“Në vitin e lindjes së Amerikës, në muajin më të ftohtë, një grup i vogël patriotësh shtrëngoheshin përreth zjarreve gati në të shuar, në brigjet e një lumi të ngrirë. Në atë moment, Ati i Kombit tonë urdhëroi që popullit t’i lexoheshin fjalët e mëposhtme: “Në botën e së ardhmes do të thuhet… që në zemër të dimrit, kur asgjë përveç shpresës dhe virtytit mund të mbijetojë… qyteti dhe fshati të alarmuar nga një rrezik i përbashkët u puqën së bashku… Amerikë! Përballë kanosjeve të përbashkëta, në këtë dimër të mundimeve tona, le t’i kujtojmë këto fjalë pa fund në kohë. Me shpresë dhe virtyt, do t’i përballim edhe njëherë rrymat e akullta e do t’u qëndrojmë furtunave që do të vijnë”.

E gjitha kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një përfundim logjik i dëshirës dhe frymëzimit të tij të prirë ndaj revokimit të tyre dhe mësimeve që ata i lanë kombit, të shprehur që në momentin kur nisi udhëtimin me tren nga Filadelfia për në Uashington, ashtu si një paraardhësi i vet i shquar; e të pasqyruar në zgjedhjen, si moto të tij, të fjalëve të Linkolnit në ligjërimin historik të 1863-shit në Getisburg, me temë “Rilindjen e lirisë”.

Shfaqet më se e qartë një nevojë urgjente që në momente të tilla të vështira të krizës të gjendet mbështetje në rikthim te mësimet e etërve themelues, një nevojë kjo që, nëse do të vendosej në prizmin e realitetit tonë, do të dukej si krejt e huaj, ndoshta romantike, ndoshta patetike e, në sytë e cinikëve e skeptikëve ndoshta dhe një nacionalizëm shterp. Nuk janë të rastit këto etiketime, pasi vlerësime të tilla janë bërë nga segmente të caktuara analistësh edhe në momentet e para kur publikut shqiptar iu ofrua trashëgimia e vyer e mendimit tonë të traditës e kur herë pas here i kujtohet me forcë aktualiteti dhe rëndësia e mësimeve që ata kanë dhënë..

Ndoshta rasti i Obamës duhet të na bëjë të reflektojmë më shumë në këtë drejtim e të këqyrim të gjithë më thellë brenda vetes. .

“Shtet. Ja një fjalë e shkurtër që simbolizon gjithë kuptimin e independencës së vërtetë kombëtare. Po edhe një vepër arti e një pune njerëzore shumë të gjatë! Do të punojmë për shumë vjet. Do të mundohemi për shumë breza. Do dërmojmë shumë armiq. Do të zhdukim influencën e shumë të metave antishoqërore dhe trashëgimore. E vetëm pas një periudhe të tërë heroizmi shpirtëror, do të vijë dita e bukur në të cilën do të ndrijë edhe në horizontin e Atdheut tonë dielli i qytetërimit: Shteti…”

Kjo ishte thirrje-sfida që Branko Merxhani hidhte me një ton aq të vendosur, që në radhët e shkrimeve të tij të para në gazetën “Demokratia”. Kuptohet qartë se kemi të bëjmë me një perceptim afatgjatë të së ardhmes, pasi lufta për ndërtimin e shtetit modern shqiptar shtron përsëri ende dhe sot nevojën e një “heroizmi shpirtëror” për t’u ndërtuar. Aq më tepër që kjo ishte marrëveshja e heshtur e një njeriu që kish e ndjerë thellë “nevojën e minutës dhe të vërtetën e kohës”, e një njeriu që e kish kuptuar se shoqëria shqiptare kish nevojë për njerëz që munden ta lartësojnë veten e vet përmbi logjikën e imponuar të ditës, për njerëz që dinë ta kuptojnë kohën, të njohin fund e krye nevojat e saj e të kenë guximin mendor të thonë hapur se ç’shohin a ç’mendojnë. Pse vallë, s’është momenti që edhe në jetën e sotme shqiptare të besohen e promovohen më shumë njerëz të një brumi të tillë? E nën këtë prizëm, a s’duhet rrëmuar sa më mirë për t’u spikatur se cilat janë këto probleme dhe nevoja që na nevojiten fillimisht në luftën e Qytetërimit, në luftën e fitimit të vlerave morale, në luftën më në fund të pasurimit të shpirtit dhe krijimit të idealeve të reja shoqërore. Po pse vallë, a e kemi fituar ende dhe sot luftën për qytetërimin?

E për ta bërë sa më të kapshëm këtë parim të riformulimit të kritereve të reja le të marrim për shembull periudhën e ashtuquajtur të viteve 30, dhe le të shohim objektivitetin e trajtimit ose, më mirë, pozicionimin e saj në tërësinë e historisë shqiptare, qoftë nga kriteri i vlerave, qoftë nga kriteri i rëndësisë.

Për t’ia arritur qëllimit, problemin duhet ta shohim në dy nivele. Nëse do të bazoheshim në modelin e ri historiografik që na tregon Shkolla franceze e Analeve ku, përveç historisë së ashtuquajtur të evenimenteve, ne kemi edhe shumë lloje historish të tjera, do të shihnim se epoka e viteve 30 do të na shfaqej si më pjellorja në lindjen e domeneve të reja, të tilla si albanologjia, hagjiografia, numizmatika, euristika apo historia sociale, historia juridike, historia e filozofisë, sociologjisë etj.; e në vijim, jo vetëm se i zuri fill, por edhe se arriti t’i lëvrojë këto pjesë me një lartësi të re mendore dhe profesionale, që e tejkalon madje në segmente të caktuara edhe nivelin e sotëm. Le të marrim një shembull. Disa mendimtarë të spikatur të këtij mendimi hodhën ide të vyera mbi themelimin të një Muzeu Etnografik, një Instituti Albanologjik në Tiranë, duke dhënë madje mendime apo këshilla edhe për mënyrën dhe strukturën e historisë dhe historiografisë sonë; ide këto që, për fat të keq, po të shihen me kujdes janë më se të shtruara për zgjidhje ende dhe sot.

Që të shkruhet historia, duhet pikësëpari të përgatitet fusha apo domeni i saj e të drejtohen përpjekjet tona të paktën në dy qëllime kryesore:

Së pari, të përcaktohet mirë dhe qartë trualli i lëvrimit dhe i zhvillimit të saj. Së dyti, të mblidhen e sistemohen të gjitha materialet e historisë sonë. Ja pra cila është e meta jonë më e madhe: mungon baza historiografike. A mos vallë janë bërë hope të rëndësishëm që nga koha kur u hodh kjo thirrje-sfidë nga ana e historianëve dhe e specialistëve tanë të historiografisë? Nuk mund të themi se nuk është bërë përpara, por, tek e fundit, detyrimisht që rrjedha e kohës dhe ndërgjegjësimi kombëtar do ta shpinin përpara këtë proces. Mirëpo, në detyra të përmasave të tilla krahasimi duhet bërë në lidhje me lartësinë, ritmin dhe cilësinë që kërkon koha dhe sidomos epoka 15-vjeçare e lirisë së pas-komunizmit. Në këtë përballje, mund të themi se përmbushja e kësaj detyre është ende prapa.

“Studim, formim dhe pastaj veprim” qe parulla në “mobilizimin e tyre të famshëm për pushtime morale”, për krijimin e asaj “Shqipërie të mendimit dhe ndjenjës”. E ja pse, ndryshe gati tërësisht nga fryma e shtypit të sotëm, gazetaria e atëhershme foli për të rinjtë, për nënat dhe djemtë, për lirinë dashurore, duke marrë për bazë studimet e psikologëve më të mëdhenj të kohës, si Frojd, Jung, Adler apo James. Vazhdoi më pas të sqarojë kuptimet dhe lidhjet midis jetës dhe ligjeve, midis kulturës, fesë dhe qytetërimit. Shpjegoi materializmin historik, idealizmin shoqëror hodhën mendime për revista-ide, revista-mision, revista-tendencë; përpiloi një projekt-rregullore të detajuar për mbledhjen e folklorit, hartoi një skicë sociologjike të Perandorisë së Osmanlinjve; shkroi për doktrinat ekonomike të kohës, për kongreset filozofike, shpjegoi se ç’është filozofia, sociologjia, mitet, ideali, njeriu. Vallë, a janë përmendur ndonjëherë tema të tilla në shtypin e sotëm? Shkroi për një Dekart a një Comte, shpjegoi teoritë e nacionalizmit (determinizmin shpirtëror dhe atë lëndor), komentoi teorinë evolucioniste të Bergsonit të viteve 30 dhe sqaroi se ç’është metafizika, disa vite pasi Hajdegeri i madh e kishte shtruar si çështje bazë kapërcimin e saj. Pra, duhet të sqarojmë se bëhet fjalë për rryma të mendimit asokohe bashkëkohore, çka tregon se ata mendimtarë qenë në po të njëjtën amplitudë me mendimin dhe diskutimet filozofiko-sociologjike më bashkëkohore të kohës. A është vallë sot, e përthithur nga shtypi, tv-të ose dhe universitetet, një traditë e tillë? S’duket kurrfarë gjurme a jehonë. Ja, për të gjitha arsyet kjo periudhë duhet të zërë vend si periudha e fillimit të iluminizmit shqiptar, iluminizëm që si proces sot shtrohet me urgjencë në çdo ind të shoqërisë sonë, si një kambanë buçitëse për krijimin të atij horizonti mendor dhe kulturor që po përpiqemi t’i veshim ndërmarrjes sonë për të fituar betejën e demokracisë. “Jemi bijtë e një race tragjike, e cila mbetet apatike, e pa interesuar dhe e pa influencuar brenda në një botë të tërë luftërash idealiste, brenda në një pellg aq të madh korrentesh mendore. Mbi kryet tona shkuan gjithë rrebeshet e një rilindjeje, e një kryengritjeje frënge, po për ne sikur nuk ngjau asgjë”. Ja se si shkruante realisht, por jo pa dhembje, Branko Merxhani në fillim të shekullit të shkuar, kur iu përvesh punës për të nisur këtë epokë të ndriçimit së brezit të ri shqiptar. Mirëpo, një gabim të tillë nuk na falet ta bëjmë shumë dekada më pas përparimit dhe ngritjes kulturore. Kombet – ashtu si dhe njerëzit – janë të mëdhenj, kur ata arrijnë të mësojnë nga gabimet.

Po kaq shteg-shënjues shfaqet edhe aspekti i trajtimit të kësaj periudhe në nivelin e brendshëm të vetë fushës së historiografisë. U panë të vërshonin një numër i madh dokumentesh mbi historinë e Shqipërisë. Mund të përmendim këtu mjaft seri, por më të spikaturat mund të qenë “Përpjekje për lirim të Shqipnisë nga sundimi turk në fundin e shekullit të XVI dhe fillimin e shek. XVII”, fjalor bibliografik ilirik dhe shqiptar, që me plot gojën mund të quhet nisja e një enciklopedie te historisë së Shqipërisë. Të gjitha këtyre mund t’u shtohen edhe botime të veçanta si “Sprovë mbi një regjistër historik të Shqipërisë” të vlerësuar me çmim nga Akademia Italiane. Është ky një vëllim në të cilin listohen rreth 1 500 dokumente që i përkasin shekujve XII-XV, nga viti 1201 e duke arritur saktësisht deri në vitin 1568, me një rëndësi të jashtëzakonshme për të saktësuar panoramën historike të ngjarjeve të ndryshme në të cilat është trazuar jeta shqiptare gjatë këtyre shekujve. Mund të vijojmë me veprën “Kontribute të kronologjisë shqiptare”, që mbledh ngjarjet më kryesore historike, etnografike, religjioze e politike të Shqipërisë, një tjetër “moment”, një tjetër orvatje kjo që me plot gojën mund të emërtohet e rrallë për nga vlera që ka në mbushjen e periudhave të errëta e të pak-dokumentuara të historisë sonë.

Por mjaft të goditura e forcërisht shkencore deri dhe në ditët e sotme shfaqen studimet e një serie autorësh, duke filluar që nga Gjeçovi, Ernesto Cozzi e Bernardin Palaj, për të përfunduar te Koliqi, Valentini e Cordinjano, mbi rregullat dhe të drejtat e kodit tonë tradicional zakonor, për t’i dhuruar kështu kësaj fushe të kulturës sonë një korpus të tërë veprash monumentale. Janë të gjitha këto prurje të asaj periudhe që, për fat të keq, janë botuar e janë bërë tashmë të njohura edhe kësaj here nga iniciativa private, jashtë rrethit të institucioneve studimore (përfshi këtu edhe Akademinë), ato që përbëjnë njërin nga kontributet më të çmuar për kulturën shqiptare, një kontribut ky që ka të bëjë me një aspekt kulturor e tradicional, deri më sot po kaq pak të njohur sa dhe interesant: atë të mentalitetit juridik dhe të së drejtës tradicionale shqiptare, për të provuar kështu, në mënyrë tepër shkencore, faktin se kombit shqiptar, në një nivel shumë të kënaqshëm, antikiteti, personaliteti dhe fisnikëria i demonstrohet nga mentaliteti i fuqishëm juridik, jo më pak e ndoshta shumë më tepër sesa dhe nga vetë gjuha e poezia e tij.

Pavarësisht nga këto suksese, duhet thënë se deri në një pikë të caktuar lëvizja jonë historiografike arriti të përballej me vonesat e kohës, falë pasionit, profesionalizmit dhe idealizmit të pinjollëve të patriotizmit të vet, por veçse deri në një pikë, ama. E kjo, sepse historiografia dhe studimet albanologjike shqiptare, të nisura aq mirë në vitet 30, nuk arritën të ngjiteshin dot deri në majë, falë mungesës së një përkrahjeje institucionale dhe financiare, pra, falë mungesës edhe të një vullneti politik. Po, gjithsesi, arritjet e saj të shkëlqyera, bashkë me lëvrimet shumëdisiplinore që nisën të zinin udhë, duhet ta pozicionojnë këtë periudhë shumë më gjerë dhe shumë më lart në skenën e studimit të sotëm të historisë shqiptare. Nëse Shqipëria nuk pati ndonjë platformë dhe zbatim të një plani të përgatitjes kulturore për pavarësinë e saj politike, ajo në periudhën e parë të shekullit XX mund të përcaktohet pa mëdyshje se pati periudhën e artë të përgatitjes së pavarësisë së saj në luftën e Qytetërimit. Nëse do të dimë se si t’i përcaktojmë kriteret e periodicizimit që na dikton mënyra bashkëkohore e këndvështrimit të historisë, do të dimë edhe se si të vendosim piketat nëpër të cilat do të kalojë edhe shkrimi i gjithë historisë sonë. Në këtë kontekst, historia e mendimit shqiptar të gjysmës së parë të shekullit XX duhet të shihet si periudha më dinamike dhe shteg-shënjuese, nga kriteri krahasimor i periudhave me nivelin e zhvillimit, në të gjithë historinë tonë, madje në disa ritme e pritshmëri ajo mund të matet edhe me vetë periudhën pas shembjes së komunizmit.

“Kombet që e kanë ndjerë thellësisht nevojën e një reforme nuk kufizohen as në përsosjen e institucioneve të tyre juridike, as kanë për qëllim vetëm punimin më të mirë të mekanizmit të shtetit, por rëndësinë më të madhe ia japin rregullimit dhe lartësimit të jetës arsimore si dhe cilësisë së prodhimit të saj.” Sepse, aty ku mungon ideja pedagogjike, aty ku shkolla nuk është e zonja të përdoret si organi më i sigurt për përhapjen dhe zbatimin e ideve të reja dhe të tendencave reformuese, kjo do të thotë se predispozitat dhe dëshirat e shoqërisë nuk janë të zhvilluara akoma në atë pikë sa të mendojnë e të punojnë për sigurimin e përparimit dhe mirëqenien e së nesërme. Ja, këtë përcaktim së pari duhet ta ndiejë shkolla në kurrikulat e saj. Kemi të bëjmë me një mungesë shumë serioze e të trashëguar prej kohësh në procesin e mësimdhënies, sepse, përveç të tjerash, tërë ato dije që po na vijnë nga kultura botërore, nuk mund të përvetësohen si duhet pa u shartuar me mendimin shqiptar. Ky raport që nuk ekziston, nëse vazhdon, do t’ia heqë dalëngadalë arsimit tonë bazën nacionale.

Dinamika e prurjeve historiografike dhe ritmi i lartë i punës seleksionuese dhe analizuese i një grupi tashmë të specializuar botuesish dhe studiuesish i kanë pjekur kushtet e realizimit të këtij hopi cilësor të kulturës sonë.

Këtë ndikim duhet ta ndiejë drejtpërdrejt edhe politika jonë e jashtme, për ta përdorur në këtë rast historinë si përfaqësim të kombit dhe të kulturës shqiptare. Këtu kemi të bëjmë me trashëgiminë tonë mendore gati një shekullore, me filozofinë e me sociologjinë tonë, me psikologjinë e qytetarinë tonë, me dijet tona politike, çka provon faktikisht se ne nuk jemi kurrsesi vend tribush, siç mundohen të na paraqisnin armiqtë tanë apo të gjithë ata që nuk na njohin mirë, por jemi një komb me mendimtarët dhe dijetarët tanë, të cilët që në momentet e para kur orientuan luftën për të fituar lirinë politike ose kur konceptuan shtetin e ardhshëm shqiptar, sytë i kishin nga modelet e përparuara evropiane dhe nga Perëndimi. Këtë gjë, është e rëndësishme ta dimë të gjithë ne dhe pasardhësit tanë, por veçanërisht të dinë ta përdorin mirë diplomatët, ambasadorët dhe gjithë faktorët e politikës sonë të jashtme, sidomos në kushtet gjeopolitike të integrimit evropian dhe të globalizmit botëror.

Rikthimi te rrënjët është gjithnjë i shëndetshëm në përndezjen e ideve të reja, që ndoshta të tilla nuk janë, por shfaqen si të tilla të hedhura e të theksuara në rrethana e situata të caktuara. Një ide e këtij lloji ishte edhe theksimi i përgjegjshmërisë dhe i ngritjes së këtij nocioni në bazën e fillimit të një ere të re në të gjitha qasjet politike dhe në shumë ligjërata të politikanëve shqiptarë. Në fakt, koncepti i përgjegjshmërisë e njeh hyrjen e vet në leksikun e filozofisë në një periudhë relativisht të hershme e, më saktësisht, në vitin 1787, kur Aleksander Hamilton, në letrat e tij të famshme federaliste, për të përshkruar raportin që duhet të ekzistojë ndërmjet qytetarëve dhe qeverisë që i përfaqëson, përdori pikërisht termin “përgjegjshmëri”. Që nga ky moment, termi filloi të përdorej gjithnjë e më shpesh, qoftë në fushën juridike, qoftë nga pikëpamja etike, duke iu referuar atij raporti të ngushtë që lidh secilin prej nesh me pasojat e veprimeve tona. Madje, më në hollësi mund të themi se i takon pikërisht Maks Ueberit merita e zbulimit të ndarjes midis “etikës së bindjes” dhe “etikës së përgjegjshmërisë”; në rastin e parë vlen motoja kantiane “që të vihet në vend drejtësia, ia vlen të shkojë në shkatërrim edhe e gjithë bota”, ndërkohë që, në rastin e dytë, bëhet fjalë për një “veprim racional në përputhje me qëllimin”. Kuptohet, pra, se si nga ana juridike, ashtu dhe në aspektet e tjera politike, etike apo fetare, koncepti i përgjegjshmërisë mbart mbi vete një ngarkesë të fortë problematiciteti, Megjithatë, duhet të saktësojmë se në gjuhët moderne evropiane “përgjegjshmëri” do të thotë në thelb “të përgjigjesh”. Rrjedhimisht, ajo nënkupton ekzistencën e dy kushteve: të një zëri plotësisht të përcaktuar që “thërret” dhe të një “përgjigjeje” ndaj tij. Për ta shpjeguar praktikisht, le t’i referohemi një shembulli konkret. Nëse një qeveritar e administron pronën publike duke u përkujdesur për interesat e qytetarëve të vet, atëherë ai i “përgjigjet thirrjes” që vjen prej tyre e, pikërisht falë kësaj sjelljeje, nuk i “përgjigjet” thirrjes së interesave të tij personale, të lëna kështu në plan të dytë, në krahasim me ato të të tjerëve. Ndaj, mund të thuhet se nuk mund të jesh i përgjegjshëm në mënyrë “absolute”, por vetëm në lidhje me një zë specifik në krahasim me zërat e tjerë që ngelen kësisoj të padëgjuar. Ja, ky është thelbi i etikës moderne të përgjegjshmërisë, që duhet të jetë përmbajtja e qasjes së vullnetit politik, intelektual, e ministerior ndaj vlerave dhe, aktualitetit të mendimit shqiptar të traditës. Zëri që tashmë po vjen prej gjithë kësaj pune përgatitore shumëvjeçare, të shprehur në libra dhe në manuale didaktike, duhet t’i përgjigjet ndërgjegjja kombëtare dhe institucionale që, më në fund, nxënësi shqiptar dhe brezat e ardhëm ta dëgjojnë e ta mësojnë atë, ta përthithin e të formësohen prej tij, duke u bërë më të dijshëm, duke e ndjerë se kanë rrënjë e themele të forta e, së fundi, duke u ndjerë më krenarë e patriotë.

Filed Under: Emigracion

RRUGËTIMI HISTORIK I ISMAIL QEMALIT

November 16, 2023 by s p

Ledio Xhoxhi

Studiues shkencor

Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë/

Ismail Qemali është personalitet me rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar. Me emrin e tij është i lidhur një fund dhe një fillim në këtë histori: fundi i pushtimit shumëshekullor osman dhe fillimi i lirisë dhe i pavarësisë shqiptare. Si themelues i Shqipërisë, ai hyn në radhën e atyre personaliteteve që e kanë ndryshuar historinë politike të popullit shqiptar dhe të Ballkanit në përgjithësi.

Ismail Qemali është njëri nga politikanët me prejardhje shqiptare më të suksesshëm në Perandorinë Osmane, dhe kur thuhet kështu, mendohet në karrierën e tij të gjatë politike e shtetare dhe në ndikimin e tij të madh. Ai i kishte tri parakushte për sukses politik e shtetëror: e para, kishte prejardhje fisnike, e cila shihej shumë në atë kohë; e dyta, ishte aq i pashëm mes burrave të tjerë, gjë që nuk ishte e parëndësishme në atë kohë; e treta, ishte mendjelartë dhe shquhej mes të tjerëve, gjë që çmohet gjithmonë.

Cilësitë e tij gjatë jetës krijonin baraspeshë në personalitetin e tij. Ai ishte modest, i vendosur dhe zemërgjerë, i guximshëm dhe i matur, gojëtar e largpamës. Gjykimi i tij i qartë, sjellja e tij e avashtë dhe e sigurt e bënin magjepsës personalitetin e tij.

Në sajë të cilësive të tij, Ismail Qemali arriti të bëhej prijës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, themelues i shtetit shqiptar dhe kryeministër i Shqipërisë. Gjatë, gati gjysmëshekulli të veprimtarisë politike e shtetare në Perandorinë Osmane, ai arriti të jetë sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ministër i Jashtëm, ministër i Punëve të Brendshme, pjesëmarrës në misione të ndryshme politike e diplomatike të Perandorisë në vende të Evropës, Kryetar i Komisionit Evropian të Danubit etj. Njohja e gjendjes politike e shoqërore dhe përvoja e madhe shtetare e bëri të përzgjedhurin e sulltanit për reforma shtetërore. Cilësitë e tij e bënë njëkohësisht, edhe të dyshimtin apo të dënuarin e sulltanit, shkaku i smirës nga politikanë e diplomatë dhe i përndjekjeve që e pasuan.

Të dhënat që dihen për jetën dhe veprimtarinë politike e shtetare të Ismail Qemalit, kujtimet e tij dhe kujtimet e të tjerëve për të e tregojnë njeri me formim të gjithanshëm dhe me kulturë të gjerë. Në mendjen e tij kishte vend për të gjitha kulturat, kurse në zemrën e tij vend për të gjitha racat, të gjitha kombësitë dhe të gjitha besimet.

Megjithëse atdhetar i përkushtuar dhe krijues i shtetit shqiptar, ai kurrë nuk i keqpërdori ndjenjat kombëtare për qëllime politike. Megjithëse mysliman për nga besimi, ai kaloi jetën e tij të lumtur me gruan e besimit të krishterë dhe të kombësisë tjetër. Megjithëse politikan e diplomat në një Perandori në të cilën sundonte despotizmi oriental, me bindje e me sjellje ai ishte demokrat liberal. Marrëveshja ishte mjeti i tij politik; toleranca ishte mënyra e sjelljes së tij; humanizmi ishte etika e tij.

Liberalizmi i Ismail Qemalit ka më shumë se një burim. Burimi i parë është shkollimi i tij. Në gjimnazin e njohur Zosimea të Janinës ai mësohet “të jetojë – si thotë vetë – në frymën e lirive të botës së vjetër greke” dhe përvetësoi ide liberale të Volterit, Rusos e Lokut. Burimi i dytë janë njohuritë që kishte për Evropën Perëndimore. Ai qëndron shpesh në Angli, në Francë e në Itali, ku njeh organizimin shtetëror, sistemin ekonomik, filozofinë politike dhe qytetërimin e tyre. Burimi i tretë i liberalizmit të Ismail Qemalit është kultura e tij politike dhe historike. Ai e di se vetëm shtetet demokratike janë shtete historikisht të qëndrueshme. Ai thekson se “çdo perandori që është krijuar me shpatë në të njëjtën kohë ka mbjellë edhe farën e shkatërrimit të vet”. Për këtë arsye, për rregullimin shtetëror ai e çmon “forcën morale më të fuqishme se forcën e armatosur” por, natyrisht, forcën morale të mbështetur në ligje demokratike.

Me bindje të tilla, liberale, Ismail Qemali hyn në Lëvizjen Kombëtare për krijimin e shtetit shqiptar. Bindjet që kishte dhe cilësitë me të cilat shquhej e bënë shpejt prijësin e kësaj Lëvizjeje. Ashtu si ideologët e Rilindjes Kombëtare përpara tij, edhe ai mendoi për zgjidhjen e çështjes kombëtare përmes autonomisë në gjirin e Perandorisë Osmane. Mendoi në këtë mënyrë sepse e dinte se disa nga fuqitë e mëdha, sidomos Britania e Madhe, ishin të interesuara që kjo perandori të mbahej si një nga faktorët për mbajtjen e baraspeshës së tyre. Evropa, ndërkaq, po i afrohej luftës botërore. Kur u bind se Perandoria Osmane po përmbysej dhe se me përmbysjen e saj mund të përmbysej edhe shpresa e shqiptarëve për krijimin e shtetit të vet, ndërkohë fqinjët ballkanikë mund të copëtonin tokat shqiptare, u bind se çasti historik kishte ardhur. Ismail Qemali zëvendësoi idenë e autonomisë me idenë e pavarësisë së Shqipërisë. Njëkohësisht ai ndryshoi edhe idenë për mjetet që do të duhej të përdoreshin për aaritjen e pavarësisë: në vend të luftës politike – si i vetmi mjet, ai kërkoi luftë të armatosur – si mjet kryesor. Rrjedhimisht, veprimtaria e tij përqendrohet: e para, në bashkimin e të gjitha forcave mendore, morale e vepruese kombëtare për atë luftë dhe, e dyta, në sigurimin e mirëkuptimit të Fuqive të Mëdha për kërkesën shqiptare. Më 28 nëntor 1912 ai mbledh në Vlorë Kuvendin Kombëtar, i cili shpall pavarësinë e Shqipërisë, zgjedh Qeverinë e Përkohshme, qeveri që e zgjedh atë si kryeministër të saj.

Ky ishte shtet ende pa kufij, pa forca të rendit, pa ushtri, pa administratë kombëtare, pa ekonomi, pa financa – shtet pa kushte shteti. Por, ky shtet i porsalindur kishte dinjitetin politik, juridik dhe moral të shtetit. Institucionet e tij shtetformuese si Kuvendi dhe Qeveria, ishin sovrane në një pjesë, sado e vogël atëherë, të Shqipërisë së ardhshme. Qeveria e Përkohshme, me në krye Ismail Qemalin, bënë çmos që Shqipëria të shtrihej deri atje deri ku ishin kufijtë e saj etnikë dhe që të jetë, vërtet, e pavarur dhe e qëndrueshme.

Luftërat Ballkanike, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, dhe më pas Lufta I Botërore, solli dëshpërim të popullit shqiptar dhe Ismail Qemalit. Jashtë kufijve të Shqipërisë mbetën më shumë se gjysma e trojeve shqiptare dhe më shumë se gjysma e popullit shqiptar. Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë j’u dhanë fushat pjellore, burime të lumenjve, qytete të zhvilluara shqiptare. Serbia i vazhdoi përpjekjet për të dalë në det përmes Shqipërisë. Mali i Zi bën çmos të rikthejë Shkodrën si pjesë të saj. Greqia nuk heq dorë prej synimeve për tu shtrirë në pjesën jugore të Shqipërisë. Italia bën politikën e pushtimit të Vlorës e të Sazanit dhe të vënies së Shqipërisë nën protektoratin e saj. Rusia e Franca, madje edhe Britania e Madhe, shteti shpresë i Ismail Qemalit, shohin si ta bëjnë Serbinë sa më të madhe, kurse Franca nuk ngurron ta shpërblejë Greqinë me qytete shqiptare, si, fjala vjen, me Korçën. Esat Pashë Toptani krijon kundërqeverinë në Durrës dhe zhvillon fushatë të hapur kundër Ismail Qemalit. Anarkia e brendshme, varfëria, analfabetizmi i shtrirë dhe zia e bukës bëhen gjithashtu rrezik për Shqipërinë dhe për qeverisjen e saj.

Fati i Shqipërisë dhe i babait të saj ishin bërë njësh. I gjetur nën trysninë e Fuqive të Mëdha për arsye se donte të ishte subjekt e jo objekt i historisë, i braktisur nga bashkëpunëtorët, i pa kuptuar nga një pjesë e madhe e bashkëkombësve, i lodhur nga mosha, i pushtuar nga një mosbesim për mundësinë e ndryshimit të shpejtë të gjendjes, Ismail Qemali më në fund lë Shqipërinë dhe rishtazi merr rrugën e mërgimit. Pesha mbi krahët e tij kishte qenë shumë e rëndë dhe ai nuk kishte mundur ta çonte më tutje. Si njeri që nuk dorëzohej lehtë, ai vazhdoi luftën për Shqipërinë atje ku e kishte filluar: në qendrat politike evropiane. Kjo luftë nuk zgjati shumë, drama e jetës së tij përfundon më 26 janar 1919.

Emri i Ismail Qemalit në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar si shtetari, që themeloi Shqipërinë. Ismail Qemal Vlora është shembulli i njeriut, i politikanit dhe i shtetarit në historinë e popullit shqiptar.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT