• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2024

GAZETA “DIELLI”, GËZUAR DITËLINDJEN E 115-TË

February 15, 2024 by s p

Sokol Paja/

“Dielli” i Vatrës, “Dielli” i shqiptarëve të Amerikës, “Dielli” i Rilindjes Kombëtare, “Dielli” i botës shqiptare, “Dielli” i mërgatës përtej Atlantikut, “Dielli” i kombit shqiptar sot feston ditëlindjen e 115-të. Që prej 15 Shkurtit 1909, Gazeta “Dielli” – “Nderi i Kombit” është gazeta më e vjetër në botën shqiptare, regjistri, arkiva, historia, krenaria, identiteti, lavdia dhe vazhdimësia e Vatrës, vatranëve e shqiptarëve të Amerikës.

Gazeta “Dielli” është institucion atdhedashurie, shkollë gazetarie, referencë historie, pasuri kombëtare dhe identitare shqiptare.

“Dielli” është dritë që do ndriçojë përjetë qiellin e shqiptarisë. “Dielli” është e shkuara e tashmja dhe e ardhmja e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gazeta “Dielli” është një dëshmi autentike e përpjekjeve të shenjta për shqiptarinë prej patriotëve, atdhetarëve e veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare. Gazeta “Dielli” është fillimi i shekullit të dytë të frymëzimit kombëtar, ruajtjes, trashëgimit dhe konsolidimit të vlerave më të çmuara të kombit tonë.

Gazeta “Dielli” është pasuri e çmuar historisë së lavdishme të kombit tonë, gjuhës, kulturës, medias, traditës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve të Amerikës dhe mbarë trojeve shqipfolëse.

“Diell”, ndriço, qëndro, shkëlqe e vezullo në shekuj të shekujve.

Filed Under: Opinion

“Niko Stillo në ndërgjegjësimin e shqiptarëve mbi vlerat kulturës së tyre të lashtë”

February 14, 2024 by s p

Eva Brinja/

Le të nisim me parathënien e tij në Librin Sekretet e Etruskëve. 

Parathënie 

Me prejardhje nga një familje arvanitase me vetëdije të plotë greke, me paraardhës që dhanë  jetën duke luftuar nga Mesolongji deri në Qeracini për çlirimin e Greqisë, prej preriudhës sime  shkollore nisa të më interesoj problemi i prejardhjes sime dhe në përgjithësi probemi i prejardhjes  së arvanitasve. 

Në kërkim të informacioneve mbi këto pyetje u gjenda përpara përgjigjes së të ashtuquajtur  shkencore të 

historiografisë greke se arvanitasit janë emigrant nga Shqipëria e jugut, gjë jo vetëm e gabuar por  shpesh dhe ofenduese. Fillova të lexoj literatura nga më të ndryshmet për të gjetur të vertetën  mbi këtë çështje. 

Duke lexuar gjithnjë e më shumë në disa prej tyre gjeta të shprehur se arvanitasit kanë afërsi me  banorët e lashtë të Italisë, të quajtur etrusk për latinët dhe tirrenas për grekët, dhe që kultura e  tyre kish qenë shumë e shquar në lashtësi. Sot gjetjet arkeologjike të kësaj kulture, etruske,  gjenden në muzeumet më të shquara arkeologjike të botës. 

Ndërkoh përgjatë arsimimit tim dymbëshjetveçarë në Greqi as emrin nuk ja kisha dëgjuar kësaj  kulture. 

Menjëherë futa në dorë disa prej numrit të madh të librave të shkruar për të pothuaj në të gjitha  gjuhët e evropës, përveç asaj greke. Ndërsa ndjeja gjithënjë e më shumë admirim për  madhështinë e saj ndjeja njëkohësisht indinjatë për mospërfilljen ndaj saj të historiografisë greke  por dhe ndaj atyre që mbahen si ekspert në këtë fushë në Europë. 

Krahasimi i relikteve me mbishkrime të shkruara prej etruskëve, numri i të cilave e tejkalojnë njëmbëdhjetëmijëshin, me mbishkrimet e pazbërthyera të gjetura në hapësirën e sotme të  quajtur greke, madje me ato që janë gjetur në vendet që dhe sot flitet gjuha arvanitase, na solli  në pah, lehtësisht identifikueshëm, faktin se kemi të bëjmë me të njëjtën gjuhë. 

Në njëjtësinë e gjuhës së Tirrenasve apo ndryshe të Etruskëve me atë që aktualisht quhet  Arvanitase, gjendet edhe përgjigja e pyetjes: Cila është arsyeja apo sekreti që gjuhëtarët  evropian nuk kanë qenë në gjendje të lexojnë mbishkrimet etruske deri më tani? Njëkohësisht  kështu zgjidhet problemi etrusk. 

Kështu, pas shumë vitesh hulumtimi nga ana ime në marrjen e përgjigjes për pyetjet, si dhe  dokumentimin e tyre, u krijua ky libër me titullin e përgjithshëm: SEKRETET E ETRUSKËVE, e cila 

nuk është vetëm një përgjigje, por edhe një përpjekje për ta rikthyer Prehistorinë e Vërtetë me  transformimin e mitologjisë greke në Histori. 

Kujtesë,  

në këtë referat do të marrim pjesë nga ky libër për të dhënë përmbajtjen dhe metodikën e punës  së tij dhe sidomos do të vinim në dukje se shpalosja e një morie artifaktesh dhe faktesh që ai sjell,  si fjalorë, pllaka të shkruara me plumb, pasqyra etruske, interpretimi i shkrimeve mbi to,  përdorimi i nëndialekteve brenda një dialekti apo ndikimet e alfabeteve vendase me gërma  njëshe, dyshe apo treshe, etj., janë shumë edhe për një studiues të sotëm për t’u fokusuar në  mendimin e fundit se mbi supet e kujt popullsie u ngritën dy kollonat e kulturës europiane, ajo  helene dhe romake. 

E gjithë pasuria kulturore e këtij mesdheu që u bë baza e atyre dy kollonave që quhen sot themeli  I kulturës së sotme europiane është pasuria shpirtërore e etnitetit tonë shqipfolës. 

Më poshtë keni një shembull. 

Figura më poshtë fig.1 është një pllakatë e shkruar, gjendur në sitet arkeologjike të Bylisit (Ballsh)  para disa viteve. Për hir të së vërtetës jo pak specialist nga fusha e arkeologjisë kanë nxituar të  shprehen se, pas përcaktimit të përkatësisë së shek. të II pas Krishtit, ky është shkrim është helen  apo romak. 

Fig.1

Fillojmë… 

• Gërma e dytë në rrjeshtin e parë dhë gërma e dytë (fig.1/2) në rrjeshtin e tretë dhe geërma  e parë në rrjeshtin e katër qartësisht tregojnë se nuk kemi të bëjmë as me shkrim helen  dhe as me shkrim latin. Me gjasa alfabeti është më pranë atij etrusk. 

Në fig.2 kemi një pasqyre etruske që përmbajnë gërmë, e dytë në rrjeshtin e parë dhe vet  fjalën e parë (fig.1.1) në këtë rrjesh. 

Fig.1/1 

Fig.1/2 

Fig.2 

Të gjithë tekstin, Stillo mbas shtjellimit të gërmë pas gërme, e përfundon të ndarë si në formën  e fig. .3

Fig.3 

Emërtesat dhe fjalët janë të identifikueshme përkatësisht sipas fig4, fig.5,  

Fig. 4 Fig.5 

del e qartë emërtesa Cecilia, Dionis dhe Venus, etj.

E kthyer apo e adoptuar në morfologjinë e sotme të krijimit të fjalisë shkrimi pllakatës de: 

Cecilia, e Venusit më të Madh të gjashtë, vajza e parë e lindur, shumë e lartësuar prej Dionisi, sytë  pluhur-pluhur, të krijuara gjatë, vjet 42, në sy të verbër, la tingujt e akustik (të lehtë). 

Pra kemi të bëjmë me Sesilian (emër i njohur në personazhet apo hyjnit mitologjik), Dionisin dhe  Venusin gjithashtu hyjni apo gjysëm hyjni të njohur, si dhe dy nga shumë karakteristikat që  personifikojnë hyjneshën Sesilia në të gjitha historit mitologjike ku ajo është e përfshirë. 

Për saktësimin e secilës gërmë në këtë pllakatë Stillo sjell shtjellime shumë të hollësishme të cilat  vërtetojnë saktësinë e artikulimit, pra dhe të identifikimit të të gjitha fjalëve apo emërtesa dhe  në fund vetë përmbajtjes së kësaj pllakate që ka të bëjë me një “Dedikim Sesilias”, hyjneshës  shumë të rëndësishme të mitologjis apo të botëkuptimit pellazg që së pari njihet si Isis (gruas së  Osirit dhe nënë e Horusit) e në vazhdim hyjneshë te cilës i atribohen shumë cilësi apo tipare si: 

– Shpikësja e rrotës, 

– Shpikësja e velave për anijen në detë 

– Shpikësja e harpës ose e vetë jetës, 

– E lindur në ditën e katërt prej detit (ndaj dhe shoqërohet ikona e saj zakonisht me 4 delfin) apo e gjejm edhe me emrin Thalasa, pore dhe me emrin Pelasgia, 

– Mbretëresha e shtatë e Mionëve (ndryshe quhet dhe 7 Gushtja, dita e festës për nder të  saj).etj. 

E njohur me emrat: 

CECILIA/ SELENA (hëna)/ ISIS / IOS/ PELAGIA/ THALASA-qe ka te beje me detin e lindur  në ditën e katërt ndaj dhe e shoqerojn me 4 peshq nëpër figura). SHTATA-mbreteresha e  Shtate e Mioneve. /IRINI/… 

Pra, ndërsa Stillo sjell artifakte me shkrime që përmbajnë gërma dhe emrat në kërkim, numri i tyre, si mozaikë, skluptura, monedha, afreske nëpër kisha me manastire apo muzeume të  ndryshme sot në botë , I kalon mbi 200 vetëm në këtë libër. 

Ndaj gjithmon punët e Stillos përveç metodollogjisë për të vërtetuar në mënyrë shteruese  artikulimet e gërmave për të gjetur përmbajtjen e shkrimeve na jep një panorama shumë të gjërë  figurative informuese për pasurinë dhe shtrirjen e kulturës pellazge dhe përkatesinë e etniteti që  e bart. Shipfolësit. 

Këtu po paraqesim një pjesë të vogël të artifaktve që bartin këto shkrime të shtria në kohë dhe  hapësirë nga antikiteti i hershëm para helen dhe romak deri në mesjetën e vonë nëpër ikonostatet  e kishave dhe manastireve të botës së sotme kristiane. 

Më poshtë figurat e periudhës antike paraqesin Hyjneshën Selena apo Cecilia me atributet si  shpikësja e velave, e rrotë, 

  Fig. 6 Statujë mermeri Selena Fig.7 Statujë bronxi e shek I pr.Kr sot në Muze në Berlin Fig.8 , reliev mermeri me Selenën (Luna) sot në muzeun e Pio Clementino në Vatikan. Fig.8

Kjo figure e njohur si Selena, Luna, Isis , Pelasgia I atribohen shpikja e velës , e rrotës siç e shikoni në  relieving më poshtë Fig.9 

Edhe në monedhat e mëpshtëme të përdoruar në hapësirat e NEIKAIA 167-175 pas.Kr. dhe e dyta  në KIMI në 258-268 ps.Kr. pra janë përdorur deri në epriudhën e zyrtarizimit të kristianizmit. 

e  

Fig. 10 (në Nikea) Fig.11 (në Kimi). 

Kjo shpikëse e madhe është quajtur edhe THALASA- Sea, dhe me këtë emëre e gjemë në mozaikun  e mëposhtëm të shekullit të VI, në kishën e Holy Apostles në Madaba, Jordani Fig. 12.

Κ (ΥΡΙ) Ε Ο Θ(ΕΟ)Σ Ο ΠΟΙΗΣΑΣ ΤΟΝ ΟΥΡΑΝΟΝ ΚΑΙ ΤΗΝ  ΓΗΝ ΔΟΣ ΖΩΗΝ ΑΝΑΣΤΑΣΙΩ ΚΑΙ ΘΩΜΑ ΚΑΙ ΘΕΟΔΩΡΑ  Κ(ΑΙ)ΣΑΛΑ: ΑΝΙΟΥΨΗΦ. (ΟΘΕΤΟΥ). 

Pra kjo perëndeshë është e lidhur me Qiellin, Jetën dhe Detin-ISIS IO. 

Fig. 12. 

Fig.13 kemi monedhat ku figura e femrës (hyjneshë) karakterizohet këtu me me numrin 4- peshke  ose delfinë dhe me emeërtesën Sea ose Pelagia si një dhrahmi e Sirakusës me vlerën $, dhe emrin  IOS.

Fig.13. 

_____________ 

Më poshtë do të japim disa shëmbuj nga pasqyrimi I kësaj hyjneshe në periudhat e vona dhe deri  në ditët e sotme në kisha dhe manastire të botës kristiane europiane dhe pikërisht me gërma  pellazge dhe emërtesa po ashtu pellazge. 

Fig. 14 dhe fig.15, më poshtë kemi një hyjneshë kristiane në Basilikën e Shën Cecilias në Trastevere  në Romë. Këtu qartazi lexohet emri Cecilia me gërma pellazge dhe me harpen në dorë duke  cilësuar këtu një nga atrubutete e saj si shpikësja e muzikës dhe harpës.

Ndërsa në figurën e dytë është në mes dy figurave Papa Paskali A dhe Apostulit Pal. Fig.14 Fig. 15 

Më poshtë kemi fig. 16 kemi një mbretëreshë apo hyjneshë në ikonostatet e “Tembullit të Artë” të Katedrales së Shën Markut në Venecia.

Fig.16 

Vini re shkrimin djathtas, gërma e parë e rrjeshtit të parë dhe të dytë është dyshe  S+T= sht, 

dhe e rrjeshtit të dytë A+V = Av 

Mund të lexohet lehtësisht “Shtatë Avgushti”, pra “Shtatë gushtja”. Por kjo katedrale është e  Mesjetës dhe e shkruar me gërma që gjënden edhe në shkrimin e pllakës së Bylisit.

Po japim edhe një shëmbull tjetër më poshtë në fig.17 dhe fig.18, është e njëjta ikonë kristiane  por edhë më dy emra të ndryshëm, Shën Pelasgia dhe Shën Cecilia. 

 SCA PELAGIA dhe SCA CECILIA 

Një konfirmim se kjo hyjneshë njihet me emra të ndryshme. 

  Fig. 17 Fig, 18 

Një tjetër shembull për dy ikona kristiane të njëjta por të dhëna me dy emra të ndryshëm më poshtë, tek e para fig.19 si Shën Parashqevi dhe e dyta fig.20 si Shën Cecilia. 

Por Parashqevia shoqërohet me një varkë me vela në duar, si shpiksja e saj, ndërsa Cecilia me  Sytë në Duar, pasi për të edhe në tregimet e lashta në trevat tona të veriut, kur përshkruhet kjo  hyjneshë thuhet se fluturonte pikërisht me sytë e mbyllur apo të verbuar, diçka e tillë.

Fig. 19 Fig. 20 

Dhe së fundmi po japim tre ikona për Shën Pellagian, në kishat orthodokse, ku fjala Shën është  zëvendësuar me fjalën Shtata (mbretëresha e Shtatë e Mionëve). 

Kurioziteti është se fjala Shtata është shkrujtur me gërma pellazge, pra as slave dhe as greke (në  kishat ortodokse).

dhe Shtata e saj  Fig. 21 

dhe Shtat e saj është Fig. 22

dhe Shtat këtu, Fig. 23 

Lexues, 

Këtu paraqitëm një pjesë të vogël vëtëm të një libri të Niko Stillos. 

Vetëm në këtë libër artifaktet që zbërthehen janë mbi 200 dhe janë të shpëndara nëpër Mesdhe  apo Europë. 

Synimi i këtij referati është ndërgjegjësimi ynë për këtë aset Niko Stillo, të cilin e kemi ende midis  nesh, jo për ta vlersuar, se ai nuk ka nevojë , është i mbushur plot me kulturën e etnisë që i përket,  por për të krijuar një vazhdimësi të shkollës së tij. 

Respekt nëse e lexuat.

Filed Under: Analiza

Pak humor për Ditën e Shën Valentinit

February 14, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi 

A closeup of a pink candy heart that reads "Pick Me" and that is split in half.

Ah, Dita e Shën Valentinit, një ditë kur dashuria është në ajër dhe romanca lulëzon si luleradhiqet në pranverë. Është ai rasti i veçantë kur luleshitësit dyfishojnë çmimet e tyre, restorantet në mënyrë magjike bëhen plotësisht të rezervuar dhe kompanitë e kartolinave fërkojnë duart nga gëzimi. Por mos kini frikë, sepse edhe në mes të kësaj furie në formë zemre, ka vend për pak humor.

Askush nuk e di se si filloi Dita e Shën Valentinit. 

Në varësi të burimeve tuaja, origjina e saj mund të gjurmohet nga një festival i lashtë romak i pjellorisë që përfshin dhitë e flijimit ose në një poemë Chaucer për zogjtë. “Është një nga ato probleme misterioze historike ose antike që janë të dënuar të mos zbulohen kurrë,” shkroi The Times në 1853. Ndoshta është po aq mirë që historia e festës mbetet e diskutueshme. Edhe mijëra apo qindra vjet më vonë, amerikanët duken gjithashtu të paaftë për të rënë dakord nëse Dita e Shën Valentinit është një festë e shenjtë, apo një mashtrim marketingu që rrënjos hegjemoninë bërthamore të familjes apo thjesht një formë e padëmshme për të cilën të gjithë duhet të qetësohen. Këtu është një buqetë me këndvështrime për t’ju ndihmuar të kuptoni ndjenjat tuaja për traditën, e cila, ndryshe nga shumica e marrëdhënieve, nuk do të përfundojë. E diskutueshme apo jo. Pranoni të mos pajtoheni, apo nuk pajtoheni më mirë? Zgjeroni këndvështrimin tuaj me argumente të mprehta për çështjet më të ngutshme të javës. 

Këtë vit, amerikanët pritet të vendosin një rekord për shpenzimet e Ditës së Shën Valentinit: 27.4 miliardë dollarë, 32 për qind më shumë nga 20.7 miliardë dollarë të vitit të kaluar, që ishte gjithashtu një rekord. Kjo është rreth 196 dollarë për festues (rreth 15 dollarë nga të cilat shkojnë për miqtë dhe 12 dollarë për kafshët shtëpiake). Nëse kjo ju duket si shumë para, mbase mendoni të bashkoheni në traditën e gjatë të lakmisë antikonsumatoriste të Ditës së Shën Valentinit. “Ishte një kohë kur Dita e Shën Valentinit do të thoshte diçka. … Ne e urrejmë këtë degjenerim modern, këtë modë të ndryshme dhe të biznesit,” shkruante New York Daily Tribune në 1847. “Tani askush nuk bën më shumë se një shaka me të.”

Ndërsa çiftet kudo përpiqen të gjejnë dhuratën më perfekte dhe beqarët debatojnë nëse duhet të përqafojnë vetminë apo të bashkohen në festime, le të marrim një moment për të vlerësuar absurditetin e të gjithave.

Si fillim, ekziston pyetja e vjetër: “Çfarë i jepni dikujt për ditën e Shën Valentinit?” 

Një buqetë me trëndafila? Sigurisht, nëse nuk e keni problem të paguani ekuivalentin e një pagese të vogël makine për diçka që do të thahet brenda një jave. Çokollata? Gjithmonë një bast i sigurt, përveç rastit kur personi juaj i rëndësishëm është në dietë, në të cilin rast mund ta gjeni veten në shtëpinë e qenve më shpejt sesa mund të thoni “numërim kalorish”.

Pastaj është presioni për të planifikuar një mbrëmje romantike perfekte. Darka me qirinj, shëtitje me hënë, serenata nën ballkone – mundësitë janë të pafundme. Por le të jemi të vërtetë, shumica prej nesh përfundojnë duke porositur ushqim dhe duke parë Netflix me pizhame, dhe nuk ka absolutisht asgjë të keqe me këtë. Në fund të fundit, dashuria e vërtetë do të thotë të jeni në gjendje të shijoni shoqërinë e njëri-tjetrit edhe kur të dy jeni të veshur me xhup.

Dhe të mos harrojmë beqarët, të cilët me guxim ushtruan gjatë Ditës së Shën Valentinit si ujq të vetmuar në një det zogjsh dashurie. Ata mund t’i rrotullojnë sytë nga të gjitha dekorimet në formë zemre dhe këngët e lezetshme të dashurisë, por thellë brenda tyre, ata fshehtas gëzojnë justifikimin për ta trajtuar veten me një darkë të këndshme ose për t’u kënaqur me një kujdes të vogël për veten. Absolutisht! Le të zhytemi më thellë në kaosin e lezetshëm të Ditës së Shën Valentinit.

Imagjinoni këtë: është 14 shkurt dhe dashuria është në ajër rrrugët janë të veshura me tullumbace në formë zemre dhe vitrinat e dyqaneve janë zbukuruar me mjaft dekorime të kuqe dhe rozë për ta bërë vetë Kupidin të skuqet. Kudo që shikoni, ka çifte të kapur për dore, duke shkëmbyer dhurata dhe duke vjedhur puthje sikur të jenë në një komedi romantike.

Por në mes të furisë së pëllumbave të dashuruar, çmenduria ka një bukuri të caktuar. Merrni, për shembull, traditën e dhënies së kartolinave përshëndetëse. Sigurisht, ju mund të kaloni orë të tëra duke pastruar raftet për ndjenjën e përsosur, por le të jemi të sinqertë – gjysma e kënaqësisë është të lexosh lojërat qesharake dhe deklaratat e lezetshme të dashurisë. “Ti je gjalpi i kikirikut për ëmbëlsirën time” ose “Unë jam banane për ty” – Dikush gërmon fantazinë me këto gjëra? E megjithatë, disi, ajo funksionon.

Pastaj është tradita e nderuar nga koha e dhënies së çokollatës. Është dita e vetme e vitit kur është krejtësisht e pranueshme të kënaqesh me sasi të bollshme ëmbëlsirash pa gjykim. Por le të mos harrojmë gjendjen e rëndë të shpirtrave të varfër me alergjitë ushqimore ose kufizimet dietike – lundrimi në fushën e minuar të çokollatës së Ditës së Shën Valentinit mund të jetë si të luani ruletë ruse me shijet tuaja.

Po ato gjeste ekstravagante dashurie? Darkat me qirinj, arratisje surprizë në fundjavë, duke shkruar në qiell deklarata dashurie – të gjitha janë të barabarta për kursin në ditën e Shën Valentinit. Por le të jemi të vërtetë, shumica prej nesh do të kënaqeshin plotësisht me një “të dua” të përzemërt dhe një natë komode. Në fund të fundit, është mendimi që ka rëndësi, jo çmimi.

Por ndoshta magjia e vërtetë e Ditës së Shën Valentinit qëndron në aftësinë e saj për t’i bashkuar njerëzit – pavarësisht nëse ata janë duke festuar me të dashurit e tyre të rëndësishëm, miqtë e tyre apo edhe kafshët shtëpiake. Sepse në fund të fundit, dashuria vjen në shumë forma dhe nuk ka asnjë mënyrë të drejtë apo të gabuar për ta festuar atë.

Dashuria moderne qeveriset nga një kompleks romantiko-industrial,, që fiton duke zbatuar dhe më pas duke shfrytëzuar dëshirat dhe pasiguritë romantike: “Sa më shumë ta shprehni dashurinë tuaj përmes karameleve, çokollatave, diamanteve,  aq më shumë para ata bëjnë!” Njerëzit romantikë meritojnë mënyra më të mira, më autentike dhe të qëndrueshme për të shprehur dashurinë e tyre. “Mbi të gjitha, le të gjejmë një mënyrë për të nderuar veten, që nuk mbështetet në blerjen e gjërave.”

Po pse trëndafilat janë kaq të shtrenjtë? Por ka diçka për të thënë për shfaqjet ekstravagante të dashurisë. Një mënyrë për të kapërcyer gjërat e zakonshme.” Rituali vjetor i Ditës së Shën Valentinit ndonjëherë është pikërisht ajo që nevojitet për të mbajtur gjallë një marrëdhënie të kalitur, shkruan një bashkathetare. “Jam jashtëzakonisht cinike për mundësitë e markës për të blerë gjëra dhe dashurinë romantike siç na shiten filmat dhe kartolinat, megjithatë unë dhe bashkëshorti im e festojmë këtë festë të konsumit të prodhuar çdo vit me një shishe verë të shijshme, një pjatë djathi dhe një bisedë të gazuar, “. “Arsyetimi për t’u ulur dhe për të bërë asgjë veç bisedës, për të kujtuar pak se kur ishim më të rinj dhe më pak të bezdisur, është një dhuratë, që doli nga përsëritja, nga bërja e së njëjtës gjë çdo vit në këtë çokollatë kadife të grimcuar. 

Pra, nëse do t’i bëni dush të dashurve tuaj me dhurata ekstravagante ose thjesht po ndani një të qeshur me një picë në formë zemre, mos harroni të përqafoni absurditetin e të gjithëve dhe të shijoni këtë udhëtimin. Në fund të fundit, jeta është shumë e shkurtër për të mos u kënaqur me pak romancë – ose shumë çokollatë.

Pra, pavarësisht nëse jeni çift i lumtur apo fluturoni vetëm këtë Ditën e Shën Valentinit, mos harroni t’i merrni të gjitha me pak kripë dhe një dozë të shëndetshme humori. 

Në fund të fundit, dashuria ka të bëjë më shumë sesa thjesht gjeste madhështore dhe dhurata ekstravagante – ka të bëjë me të qeshurën, mirëkuptimin dhe të qenit pranë njëri-tjetrit, pa marrë parasysh çfarë. Dhe nëse gjithçka tjetër dështon, ka gjithmonë çokollatë me zbritje më 15 shkurt.

Filed Under: ESSE, Sociale

KOPRI I VOGËL SLLOVEN, HISTORI E LASHTË SHQIPTARE

February 14, 2024 by s p

  Hazir MEHMETI /

           Shoqata “Iliria” e Koprit, vatër e fuqishme shqiptare në Slloveni.
  Zbulohet e kaluara shqiptare nga Peter Stoka (Shtoka), një histori e vjetër e pluhurosur shekujve që nga Iliria e lashtë. Shoqata “Iliria” e  drejtuar nga Heset Ahmeti, shembull i veçantë në diasporë. 

             Dikur, isha vizitor në qytetin e vjetër të Koprit, por nuk dija asgjë për historinë e lashtë të qytetit. E shija si arkitekturë interesante me rrugët e gurta dhe shtëpi të vjetra në të dy anët e tyre. Një arkitekturë e vjetër e ngjashme me qytetet tjera të vjetra në “Atyria  (italisht: Adria), apo selia stërgjyshore, fjalë për fjalë Atësia”.  

        Kontaktet me mërgimtarët në Kopër fillojnë nga kryetari i Shoqatës Kulturore të Shqiptarëve të Istrës Sllovene “Iliria”, Heset Ahmeti. Ai ka bërë emër si organizator i aktiviteteve të shumta kulturore e hulumtuese në shërbim të kulturës dhe historiografisë shqiptare në Istrinë Sllovene dhe më shumë.  Hesetin e njihja nga njohuritë mbi veprimtarinë e tij dhe takimi me te në Samitin e Parë të Diasporës në Tiranë para tetë viteve.  Ai e mundësoi takimin me hulumtuesin e njohur  Profesor Peter Stoka. Studiuesi i njohur slloven erdhi  pa përtesë nga rrethina veçan për takimin tonë.   Dhe, kishim çka të mësojmë prej njeriut  me duar plotë. Librat e tij  dhe shënime interesante që askush nuk i kishte arrirë gjerë më tani në rajonin e Istrisë Sllovene. Iliricumi kishte histori interesante mijëra vjeçare mbi të cilin ishin rrahur erëra të shumta, gjurmë kalorësish dhe ankorime të shumta shpesh tragjike deri në ditët tona.   Peter Stoka, njeri modest dhe i pa lëkundur në shpjegimet e tij faktike bazuar nga zbulime të dorës së parë, të shkruara gjithkund: gurë, kështjella, kisha, varre, tempuj idhujsh, hyjni në shekujt e Iliricumit.               

           Burime të shumta nga e kaluara shqiptare të hulumtuara nga Peter Stoka, në librat e tij  “Monumenta Albanica Justinopolitana“,  “Historia Illirii Divina” dhe libra tjerë, zbulon një histori të vjetër shqiptare të pluhurosur shekujve që nga Iliria e lashtë. “ Istria ishte më parë Lapidia ( sipas Amsterdam: Wilem Blaeu /1640( SIKKP, DR 235/92).  Kërkimet albanologjike të bazuara në gjuhësinë pellazge-ilire kanë identifikuara shumë hyjni autoktone në Istria, të pakuptueshëm dhe të panjohur deri më tani si në kërkimet kombëtare dhe ato botërore.  Këto hyjni, të paraqitura dhe të shpjeguara përmes një hermeneutike të përzgjedhur  zbulon origjinën e përbashkët të këtyre vendasve, të cilët për nga shpirti dhe gjuha i përkasin familjes së gjerë të popujve pellazgë. Dhe, pavarësisht ndikimeve të shumta e të ndryshme, ata i qëndrojnë besnikë traditës së tyre, gjë që dëshmon integritetin dhe unitetin e kulteve të ndryshme fetare dhe shprehjen e tyre mitike në gjuhën e përbashkët të popujve pellazgë.” 

           Tani rrugët e Koprit shndrinin më mirë. Ato lidhnin tempuj e shtëpi të vjetra me gjithë gjuhën e historisë së tyre. Peter Stoka, vazhdonte të na njoftonte në detaje gjuhën e shkruar tempujve, afreskeve, gurëve me gjithë porosinë e tyre. E mësuam, se Pallati i Brutit kishte festuar 300 vjetorin e tij para dhjetë viteve. Datë e shënuar në histori e përcjellë në kujtesë gjeneratave. Derisa Peter-i fliste rreth Pallatit Bruti dhe Katedralen e Koprit, lidhur ngushtë me peshkopin shqiptar kontin Augustin Bruti, me vëmendje përcillnim  hapësirat e katedrales madhështore.  Piktura e mjeshtrit të njohur Vittore Carpacci (Vitore Karpaç) “Madona në fron me shenjtorët”, e vitit 1516,  e zbukuronte katedralen me artin dhe gjuhën e saj shekujve. Shenjtorët në historinë kombëtare ku dallohej dhe “Atleti i Krishtit” Gjergj Kastriotit-Skënderbe.  Aty pranë guri i varrezës së familjes së kontëve Bruti, nga e cila dolën figura madhore historike, artistike, letrare etj. Mes tyre ishte letrari i njohur Alessandro Bruti, letrar, humanist dhe njëri nga themeluesit e kolegjit ose seminari i laikëve në Kopër në fillim të shekullit të shtatëmbëdhjetë ku ai ishte njëri nga mësuesit e gramatikës. Njëra nga rrugët e Koprit, jo larg tempuve të kontëve shqiptarë është emëruar “Calle Albanse- Rruga Shqiptare”, por ne nuk e takuam tabelën e shkruar. 

       Mbi rrethportën e gurtë të Pallatit Bruti dallohet fytyre e gdhendur në gurë e Antonio Brutit II, kurse pak më lartë fytyra e gruas së tij nga familja fisnike Bruni, Maria Bruni apo Diana. Pastaj, Portrete  të Ipeshkvit Agostin  kont de Bruti në Oborrin Ipeshvnor të Koprit.  Mësime interesante nga shpjegimet e Peter Stok-ës të lenin pa gojë. “ Në disa prej këtyre familjeve ka rrjedhur gjak i Gjergj Kastriotit. Në fakt Oria Katriota, u martua me Antonio Brutin dhe në gjakun e familjes Bruti rrjedh gjaku i Skënderbeut. Po ashtu në gjakun e Domenico Rossettit, historianit më të rëndësishëm të Triestes Austriake, rrjedh gjaku i heroit shqiptar. Madje, kur ai mori titullin fisnik, u bë Domenico Rossetti De Scander, si tregues se vinte nga familja e Skënderbeut”. 

  Shpjegimet e studiuesit slloven Peter Stoka ishin aq interesante sa harruam çdo gjë tjetër. Muzika që vinte nga festa e karnavaleve na pasuroi dhe freskoi në shijimin e artit mbi gurët e shkruar si përkujtues të ngjarjeve të mëdha shekujve. Në qendrën tregtare, Sheshi Carpaccio,  pamë Kolonën e Shën Justinës e ngritur nga drejtuesi i Koprit Andrea Justiniani me stemën e saj karakteristike dhe mjaftë domethënëse. Kjo stemë përmban hartën e Italisë, Dalmacisë dhe Shqipërisë duke shprehur qëllimin e një familje fisnike shqiptare të Justinianit në Koper. Kolona e Shën Justinianit u ngrit në vitin 1572, një memorial dhe falënderim për Betejen e Lepantos kundër ushtrive aziatike ku morën pjesë edhe anijet luftarake të Koprit.  

     Në portën hyrëse të Pallatit Bruti (tani biblioteka qendrore e qytetit) e rrethuar me gurë  dalloheshin  simbole  shqiptare shqiponja dy krenare shoqëruar me pamje të hyjnive ilir.   “I sheh këto figura, janë dardha, që përfaqësojnë Dardaninë ilire, e sheh luanin me të dy këmbët e lidhura njëra mbi tjetrën, të gjitha këto paraqesin pushtimin aziatik të Dardanisë. Paraqesin brengën, dhembjen dhe porosinë shekujve. Ata që nuk e kuptojnë gjuhën e figurave, nuk e kuptojnë gjuhën e historisë së themeluesve të Koprit, vetëm i kalojnë ato sikur të ishin vetëm zbukurime rasti, shprehet studiuesi i njohur slloven. Ai i lidhur fuqishëm me historinë dhe gjuhën shqipe, kishte mësuar shumë fjalë në gjuhën shqipe dhe derisa ne flisnim me Hesetin  shqip, ai dëgjonte kureshtar bisedën tonë. 

     Kafja freskuese me Greta Shirokën nga Prizreni, ishte sa e shijshme, po aq e pa harruar në ambientet e qytetit të lashtë. Greta shpalosi kujtimet e saja rrjedhshëm në shqip edhe pse kishte ardhur shumë e vogël nga Prizreni me të atin Tomen, filigran i njohur dhe nënën e saj mësuese e cila kishte qenë nxënëse e Ibrahim Fehmiut, (i ati i Bekim Fehmiut).  
    Historia shqiptare vazhdon në Koprin modern me gjithë koloritin e banorëve tê saj. Mes tij Shoqata ILIRIA qëndron tempull me aktivitet e saja në afirmimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Ajo me revistën e saj ILIRIA dhe botime që nxjerr, pasurojnë kulturën, historiografinë, por mbi të gjitha pasurojnë miqësinë me banorët e Koprit, Istrisë dhe më shumë.   Urat e miqësisë mes dy kombeve u ngrit shekujve me punën e albanologëve të njohur slloven Kapitari, Franz Miklosiq, Rajko Nahtigal dhe kontëve shqiptar nga familjet fisnike shqiptare Bruti, Bruni, Dukagjini e cila vazhdon deri në ditët e sotme.  Ata që ndërtojnë ura miqësie në kohën tonë, pa dyshim, janë Peter Stoka dhe Heset Ahmeti. Heseti  me punën e tij madhore është shembulli i pa përsëritshëm i një mërgimtari në diasporë. Ai është ambasadori më i mirë i atdheut jashtë tij. Atdheut i detyrohemi për të gjitha, por mbështetja dhe vlerësimi nga Atdheu, janë forcë e jetës, edhe për nesër.   

Filed Under: Histori

Senati dhe Parlamenti i shtetit të Nju Jorkut në këmbë për Kosovën

February 14, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Çertifikatë Përkujtimore për 16 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nga Senati i Nju Jork-ut

“Populli i Kosovës ka treguar qëndrueshmëri dhe vendosmëri të jashtëzakonshme”, tha senatorja e shtetit të Nju Jorkut, Jessica Scarcella-Spanton.

Qindra shqiptarë dhe amerikanë u mblodhën së bashku në Senatin e Shtetit të Nju Jorkut për të kremtuar 16 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.  Dita e hënë e 12 shkurtit ka qenë një ditë e jashtëzakonshme, nga më mbresëlënëset për pjesëmarrësit shqiptarë dhe natyrisht për të gjithë popullin shqiptar në Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut.  

Organi legjislativ i shtetit të Nju Jorkut vendosi që të ndalojë diskutimet e tij të rendit të ditës për të përkujtuar 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke festuar të kaluarën e saj, duke pranuar të tashmen e saj dhe duke pritur me optimizëm të ardhmen e saj.

Në këtë ceremoni të jashtëzakonshme ishin të ftuar dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit.  Nderuan me pjesëmarrjen e tyre nxënësit e fidanishtes së parë të shkollave shqipe në Staten Island të drejtuar nga z. Qemal Zylo shoqëruar nga mësueset Entela Muda dhe Dr. Valbona Zylo Watkins në bashkëpunim me asistenten Aida Hajri dhe prindërit.  Ndonëse ishte ditë mësimi të gjithë kishin marre leje për këtë ditë historike dhe së bashku u nisëm me makinat tejet komode të sponsorizuar nga z. Naser Nika veprimtar i dalluar nismëtar dhe bashkëpunëtor në organizimin e kësaj dite të madhe historike për Kosovën.  

Ceremonia e organizmit në Parlamentin e Nju Jorkut ishte madhështore, emocionuese, krenari.  Vetë ndërtesa selia e qeverisë së shtetit të Nju Jorkut, ndodhet në Albany, kryeqyteti i shtetit amerikan të Nju Jorkut e cila u përfundua në 1899.  Ecnim me nxënësit dhe kënaqeshim me këtë ndërtesë gjigante prej graniti qe është në fakt një shumëllojshmëri stilesh arti, punime magjepsëse, duke përfshirë rilindjen romane dhe franceze që i duhej 32 vjet (1867-1899) me pesë arkitektë për t’u përfunduar.

Ceremonia u moderua nga dy shqiptarë plot kulturë dhe profesionalizëm të cilët janë Vanesa Limani shefe e kabinetit të senatores Jessica dhe Fitim Shabani shef i kabinetit të Ansambleistit Charles D. Fall.

Zonja Limani në prezantimin e saj tha: “Ndërsa qendroj para jush këtu sot, si një vajzë që vjen nga Prishtina, jam e mbushur plot me krenari dhe nder që jam pjesë e kësaj dite. Rruga drejt Pavarësisë nuk ka qenë e lehtë, por shpirti i palëkundur dhe rezistenca e popullit kosovar kanë triumfuar. Sot, ne jo vetëm i kujtojmë ata që sakrifikuan për ne, por gjithashtu riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj parimeve të lirisë dhe drejtësisë. Dua të shpreh mirënjohjen time për Senatoren e shtetit Jessica Scarcella-Spanton dhe Asambleistin e shtetit Charles D. Fall për gjithçka që bëjnë për komunitetin shqiptar dhe për manifestimin e 16-të vjetorit te pavarësisë së Kosovës. Le të festojmë ketë arritje me krenari, duke e ditur se rruga drejt Pavarësisë është vetëm fillimi i një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe popullin e saj.” 

Këtë ditë historike e bekoi Imam Tahir Kukaj i cili është zgjedhur si përfaqësuesi kryesor i detyrave islame në policinë e Nju Jork-ut.

Imam Tahir Kukaj e hapi ceremoninë me një lutje paqeje për gjithë shqiptarët dhe popujt në botë.  U intepretuan hymnet kombëtare të Amerikës dhe të shtetit të Kosovës.  Zonja Limani prezantoi senatoren e shtetit të Nju Jorkut, Jessica Scarcella-Spanton e cila në fjalën e saj tha se: “Populli i Kosovës ka treguar qëndrueshmëri dhe vendosmëri të jashtëzakonshme”.  

Z.Shabani prezantoi Ansambleistin z. Charles D. Fall i cili është ndihmës udhëheqësi i shumicës në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut. Ai përfaqëson me krenari Distriktin e Asamblesë së 61-të të Nju Jorkut që mbulon Bregun Verior të Staten Island, Lower Manhattan dhe pjesë në Brooklyn. Ai ndihej krenar që do të nënshkruante rezolutën për festimin e 16-të Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. 

Ambasadori Blerim Reka, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York përshëndeti dhe falënderoi në emër të shtetit shqiptar Senatin e shtetit të Nju Jorkut për mbështetjen që i bën Kosovës, popullin amerikan që kanë ndikuar fuqimisht në Pavarësinë e saj.  

Në këtë ceremoni përshëndeti gjeneral Gani Shehu komandant i Batalionit “Atlantiku”. 

Ish Ansambleistit i shtetit të Nju Jorkut z. Mark Gjonaj “Nderi I Kombit” shprehu mirënjohjen për kolegët e tij të cmuar për mbështetjen që i bëjnë Kosovës dhe tha se do të vazhdojmë për të punuar më shumë për të ardhmen e ndritur të saj.  

Në këtë ceremoni ishte i ftuar nga Tirana Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Mondi dhe deputeti i Parlamentit të Kosovës z. Ferat Shala.

Të ftuar nga Kosova të cilët përshendetën plot mirënjohje ishin Kryetari i Mitrovicës: Bedri Hamza i Skënderajt Fadil Nura, i Deçanit Bashkim Ramosaj, i Malishevës Ekrem Kastrati, i Klinës Zenun Elezaj, i Istogut Ilir Ferati.  

Në këtë ceremoni u mbajt një minutë heshtje për Heroin e Kosovës Afrim Bunjaku i cili u vra nga forcat paramilitare serbe në Veriun e Kosovës.

Z. Fitim Shabani prezantoi Albanian American Law Enforcment Association me kryetar z. Elton Shametaj themelues dhe kryetar i saj.

Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” intepretuan vallen e Pavarësisë së Kosovës, të Tiranës përgatitur nën kujdesin e mësuese E.Muda si dhe nxënësja e talentuar Laura Leka interpretoi poezinë e shkruar nga shkrimtarja K.Z.

Grupi i valleve “Rozafati” nën drejtimin e koreografes Angjelina Nika interpretuan valle të bukura shqiptare. 

Mbyllja e ceremonisë u bë me një lutje nga Imam Tahir Kukaj.

Parlamenti dhe Senati i shtetit të Nju Jorkut për miratimin e rezolutës 

Mbas ceremonise të gjithë pjesëmarrësit morën pjesë në sezionin e mbledhjes në sallën madhështore te Ansamblesë së shtetit të Nju Jorkut ku u miratua rezoluta për përkujtimin e 16- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.  

Kryetari i Parlamentit ngriti në këmbë parlamentarët dhe gjithë shqiptarët për të nderuar këtë ditë të madhe për Kosovën.  Emocione dhe lot pashë nga sytë tanë për mbështetjen që na bën Amerika e vendit më demokratik në botë, ndërsa lart nga ballkoni i Parlamentit shikoja nxënësit tanë që përshëndetnin dhe na bënin krenar se si ata edukohen, marrin si shembuj kaq pozitivë për të punuar fort në të ardhmen për Amerikën dhe Kombin shqiptar. Pas Parlamentit morëm pjesë në mbledhjen e Senatit të shtetit të Nju Jorkut për t’i vënë vulën kësaj rezolute, rezolutës për njohjen e 16- të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. 

Në zyrën e Ansambleistit të shtetit të Nju Jork-ut z. Charles Fall

Me shumë respekt dhe mirënjohje u mirëpritëm nga z.Charles Fall, deputeti i parë musliman dhe afrikano-amerikan i Asamblesë i zgjedhur nga Staten Island. Z. Fall vlerësoi për punën atdhetare disa veprimtarë duke ju dhënë rezolutën me firmën e tij në shenjë mirënjohje Dr. Bari dhe Ilka Ceka doktor i 27 mijë pacientëve në New York, z. Qemal Zylo themelues dhe Drejtues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” i cili mban titullin e lartë “Kalorës I Urdhrit të Flamurit”, veprimtarit Naser Nika në emër te shoqatës shqiptare- amerikane Staten Island-NY si dhe biznesmenit të mirënjohur Nik. 

Ansambleisti Charles Fall bëri disa fotografit me nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në zyrën e tij duke iu kushtuar një vemendje të posacme dhe duke i frymëzuar që një ditë të jenë parlmentarë dhe më shumë.

Rezoluta e Senatit nr. 1689

Në përkujtim: 16-vjetorin e Kosovës

Pavarësia

NDËRSA, Dita e Pavarësisë së Kosovës është festë kombëtare çdo vit çdo 17 shkurt, në përkujtim të deklaratës së Pavarësisë së kombit ballkanik në 2008; dhe

NDËRSA, Kosova, si vendi i dytë më i ri në juglindje të Evropes, më 17 shkurt 2008, bëri një deklaratë të Pavarësisë nga Serbia pas një lufte vdekjeprurëse e cila zgjati nga 5 mars 1998 deri në qershor, 11, 1999; dhe

NDËRSA, konflikti u ndal pas Atlantikut të Veriut, ndërhyrjes së forcave të NATO-s me sulme ajrore në mars 1999.  Forcat jugosllave pastaj u tërhoqën nga Kosova; dhe

NDËRSA, Republika e Kosovës, e cila e ka marrë emrin nga “fusha e zogjve të zi”, një ish krahinë në Serbi, kryesisht përshkruhet si një territor etnik shqiptar; dhe

NDËRSA, Kosova e sotme e ka origjinën në Dardani, duke u formuar si një shtet i pavarur i njohur si Mbretëria e Dardanisë (shek. IV B.C.); dhe

NDËRSA, që nga pavarësia e saj, qytetarët e Kosovës me të drejtë janë krenarë të progresit që ka bërë Kosova në promovimin dhe avancimin e demokracisë, vlerat dhe forcimin e institucioneve për të ofruar qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësive ekonomike për të gjithë kosovarët; dhe

NDËRSA, deri më sot, partneriteti i qëndrueshëm midis Amerikës dhe Kosovës i ka rrënjët në mirëkuptimin reciprok, vlerat dhe miqësia mes vendeve tona; normalizimi i marrëdhënieve me

Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë eventuale, mbetet thelbësore për paqe dhe prosperitet në këtë rajon të botës; dhe

NDËRSA, Marrëveshja e propozuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja do ta çojë Kosovën drejt një stabiliteti më të madh rajonal dhe evropian dhe integrimet euroatlantike; dhe

NDËRSA, është kënaqësi e jashtëzakonshme që ky Organ Legjislativ njeh dhe përgëzon popullin e Kosovës, mikun tonë, partner, dhe aleat, në këtë ditë të rëndësishme të Pavarësisë, duke i njohur arritjet e tyre dhe mbështetjen e përpjekjeve të tyre në të ardhmen; tani pra,

Vendosi: që ky Organ Legjislativ të ndalojë diskutimet në punët e tij dhe të

përkujtojë 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke festuar të kaluarën e saj, duke pranuar të tashmen e saj dhe duke parë përpara me optimizëm për të ardhmen e saj.

Autorja e shkrimit është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit si dhe ka marre titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti I Republikes se Shqiperise.

12 shkurt, 2024

Albany, New York

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT