• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2024

“Vasil Gërmenji, një jetë në shërbim të çështjes shqiptare”

November 6, 2024 by s p

Elez Osmani, Prishtinë-New York, 2024/

Nëse, një parathënie e një libri e shkruar nga autori, ka për qëllim të tërheqë vëmendjen lexuesit, duke ofruar informacion në lidhje me përvojën krijuese, njohuritë që ofron, ose frymëzimin që i ka dhënë tema që ka trajtuar, si dhe kontekstin historik të materialit që ka shfrytëzuar për hartimin e veprës, më duhet të them që në fillim, se nuk i kisha as parapërgatitjen fillestar për hartimin e kësaj vepre. Nuk e kisha as si ide. Mirëpo, nëse një parathënie shkruhet nga autori, që të tregojë rrugën që ka ndjekur për hartimin e saj, atëherë mund të them, se jo kot, rasti është mbret i botës, kanë thënë të mençurit. Falë kësaj rastësie, sot kam nëpër duar një material të tërë, kryesisht një letërkëmbim madhështor, por edhe krijimtari origjinale, të njërit nga atdhetarët që kanë lënë gjumë për historinë e popullit shqiptar. Fjala është për veprën e gjithanshme të Vasil Germenjit.

Një ditë, derisa banoja në Brox të Nju Jorkut, më telefonon Muharrem Krreku, i cili ishte nga Juniku, por që banonte dhe punonte si kontraktor në Long Island të NY. Nga ana tjetër e telefonit, më thotë :”O dajë, jam duke e meremetuar një bodrum të një shtëpie, këtu në Long Island. Pronarja e shtëpisë më thotë, se çdo mbeturinë ta gjuaj në kontejner. Duke punuar, po shohë disa letra, gazeta, libra të vjetër, të gjitha në gjuhën shqipe, Janë disa kuti të mbushura me materiale të ndryshme. Çka të bëj? A janë me interes që të ruhen’’?

Pasi e dëgjova, i them shkurt: ‘‘Mos i hedh’’! Pastaj vazhdova, ‘‘nëse nuk t’i zë makina, mund të vijë edhe unë e t’i marrim’’. ‘‘Jo, më thotë, mos u merakos se e kam kamionin e vogël me vete dhe kam mjaft vend. Në mbrëmje t’i sjellë në shtëpi’’. Të gjitha ato materiale m’i solli në Bronx. Në ndërkohë, i paketova në kuti të plastikës, kurse pas një kohe, i ngarkova në makinën time, të cilën po e dërgoja në Kosovë. Kështu, të gjitha ato materiale shkrimore, nga porti i Nju Xhersit, me anije i nisa për në portin e Durrësit. Pas një muaj, anija kishte mbërritur në Durrës. I mora dhe i vendosa në shtëpinë time, në Prishtinë. Në pushimet e verës, kur u ktheva në Kosovë, fillova t’i shfletojë, t’i kontrollojë, në mënyrë që të njihesha me lëndën e atyre shkrimeve. Në këtë mënyrë, e kuptova se ai ishte “arkivi” i Vasil Germenjit. Unë, në të vërtetë, as që e dija se kush ishte Vasil Germenji. Ndoshta e kisha dëgjuar vetëm si emër. Pasi kisha shfletuar mjaft shkrime nga ai material, kisha marrë njohuritë e përgjithshme nga tërë ajo lëndë shkrimore, e thirra në telefon Z. Idriz Lamaj, ish- gazetar i ‘‘Zërit të Amerikës’’, por edhe njohës i mirë i mërgatës shqiptare të asaj periudhe. I fola për çka bëhej fjalë. Sa mund ta përfytyroja përmes bisedës, Idrizi ishte gëzua shumë nga kjo gjetje e rastësishme. I erdhi aq shumë mirë, që kishte shpëtuar, së paku një pjesë e atyre shkrimeve nga tërësia e dokumentacionit të Vasil Gërmenjit, me të cilin, më thoshte se kishin punuar një kohë bashkë. Por, po ashtu, nga ato që i tregoja, ishte i befasuar me faktin se si kishin përfunduar “shkrimet “ dhe puna tij në Long Island, kur dihej se Vasil Germenji kishte vdekur në Florida!

Në fillim e pyeta: ‘‘Është një përkthim nga gjuha frënge, nga Vasil Germenji me titull “Gjashtë muaj histori e Shqipërisë”, si thua ke njohuri se a është botuar’’? Pas pak më thotë, ‘‘Nuk më kujtohet, por po do të interesohem çka mund të gjejë’’. Në ndërkohë i them që të mos merrej fare me atë punë, ngase ‘‘materialin’’ do të ta kthejë që të merresh ti me të, sepse, jo vetëm e njeh mirë këtë materie, por edhe keni punuar bashkë, si dhe keni zhvilluar të njëjtën veprimtari.

Idrizi me thotë shkurt: ‘‘Unë nuk kam mundësi fizike që të merrem me te. Përvishu punës për ta ndriçuar figurën e Vasil Germenjit. Do të më kesh për krahë. Do ta kesh ndihmën time të vazhdueshme. Pasi ke punuar në Programin Dokumentar të TVP-së, ke përvojë si hartohen dokumentarët, andaj jam i bindur se tërë atë dokumentacion do ta sistemosh mirë’’. Idrizi me ”lëshoi në det dhe më tha, noto’’.

I hyra punës. Fillimisht në ndarjen e gazetave dhe të revistave, sigurisht numrat që ishin, pastaj fillova sistemimin e letrave të shumta nga tërësia e letërkëmbimit të tij. Pastaj bëra radhitjen e shkrimeve, të komenteve dhe të raporteve të ndryshme të tij, të shkruar në gjuhën shqipe, në gjuhën angleze dhe në gjuhën frënge.

Duke u marrë me gjithë atë krijimtari të Vasil Germenjit, ndava mendjen që në këtë botim të përfshihen këto përmbajtje:

1. Punime të shkruara për Vasil Gërmenjin,

2. Shkrime autoriale, disa nga ato shkrime të tij,

3. Poezitë e tij, të shkruara dhe te radhitura në një fletore xhepi,

4. Pjesë nga ditari i tij, si dhe

6. “Gjashtë muaj histori e Shqipërisë” Perkthimi i Shënimve te gjeneralit Descoin

5. Letërkëmbimin e tij vetëm në gjuhën shqipe, me personalitete te ndryshme të kohës kur kanë vepruar. *

Letërkëmbimi i tij ishte pjesa me e vështirë që të redaktohej. Ishin letra të shumta që mbërrinin deri në njëmijë faqe, si të dërguara personave të ndryshëm, por edhe të marra nga ata. Ishin të shkruara kaherë, në shumë vende të dëmtuara nga dhëmbi i kohës, kurse shumë nga ato ishin të shkruara me dorë. Do të thotë, kishte vështirësi që të radhiteshin. Një ditë, duke biseduar me ish kolegun Sabit Jahën, redaktor i shumë botimeve, ia tregova edhe hallin tim. Më tha se do të krijonte kontakt me një punëtore që ishte e angazhuar në Akademinë e Shkencave dhe të e Arteve të Kosovës, e cila merrej edhe me këtë punë. Ndoshta ka mundësi të merret me këtë punë. I tregova se janë shumë dorëshkrime, por të vështira që të radhiten. Pas një kohe biseduam me zonjën Mirëlinda Latifi, e cila pranoi të merrej me këtë punë, të cilën e ka kryer me sukses, për çka e falënderoj me shumë respekt.

Në tërësi, materialin e rishkruar dhe të përpunuar ia dorëzova sërish , z. Idriz Lama, që ta kontrollonte dhe ta redaktonte, por edhe ta plotësonte me ndonjë të dhënë nga “arkivi” i tij, nga publikimet e tij që mund t’i kujtoheshin. Studiuesi i zellshëm, Idriz Lama, këtë punë e ka bërë me kënaqësi të veçantë, edhe pse i lodhur nga mosha, por edhe nga shëndeti i lig. Disa ditë kemi punuar edhe në shtëpinë e tij, ku bashkëshortja e tij, zonja e nderuar Alma, na ka pritur, na ka nderuar dhe na ka respektuar ashtu si i kishte hije një zonje mikpritëse dhe shumë bujare. Në asnjë rast, nuk e kishte mërzi, që ia mbushnim shtëpinë me letra e dosje të ndryshme, por na shpesh edhe na jepte kurajë për punën që bënim. *

Ky libër, lexuesit shqiptar do t’i japë informacion shtesë dhe të ndryshëm mbi historinë tonë. Lexuesi do ta kuptojë një pjesë të historisë sonë, që nuk e kemi ditur dhe që nuk na e kanë mësuar, edhe përkundër faktit se personazhi kryesor i këtij libri, si dhe personazhet e tjerë, me të cilët ka bashkëvepruar janë pjesë e qenies sonë kombëtare. Të gjitha këto figura të historisë sonë, mjerisht të anatemuar, të ndarë, të izoluar nga procesi i përgjithshëm i zhvillimeve historike në jetën tonë kombëtare.

Prandaj, në këtë libër, ka informacione mbi personazhet, shkruhet dhe flitet për shumë ngjarje që kanë ndodhur para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, por edhe pas saj, kurse pjesëmarrëse kryesore ishte Mërgata shqiptare, e cila me angazhimin e saj, me punën e palodhshme në shërbim të kombit, ka zënë vendin e merituar në elitën ndërkombëtare në tërësinë e proceseve kundër komuniste, andaj edhe janë pjesë e historisë se përgjithshme botërore.

Në anën tjetër, përveç fakteve historike lidhur me veprimtarinë madhore të mërgatës sonë, në libër ka edhe informacione të shumta dhe të ndryshme, që shpalohen përmes këtij letërkëmbimi. Ky letërkëmbim vinte dhe shkonte nga shumë shtete të botës, nga aty ku secilin nga këta mërgimtarë e kishin përplasur dallgët e jetës. Prandaj, këto letra, në një mënyrë, përmbushin rrjedhën e rrëfimit të ngjarjeve historike.

Kam bërë përpjekje që lexuesit ta kuptojë se nuk jemi bërës të historisë, por ne jemi pjellë e historisë, kurse historia është e rëndësishme, edhe për faktin se edhe ne, një ditë, do të kthehemi në të kaluarën.

Të mësuarit dhe të kuptuarit e ngjarjeve që kanë ndodhur në historinë tonë, lexuesit i ndihmon të ketë edhe një aspekt tjetër të informacionit për atë që ka ndodhur dje, si dhe për ngjarjet që ndodhin aktualisht, por mbase edhe të ngjarjeve që do të ndodhin në të ardhmen!

Përmbajta që është përfshirë në këtë libër është një mundësi më shumë, që lexuesi të njihet edhe me anën tjetër të rrjedhës së ngjarjeve historike, të zhvillimeve të ndryshme në jetën tonë historike, në mënyrën e bërjes politikë, por edhe në zhvillimet e përgjithshme shoqërore. Pra, jepet një pasqyrë e të gjitha atyre ngjarjeve që janë zhvilluar jashtë hapësirave të ndryshme shtetërore ku jetojnë shqiptarët e sotëm.

* Vlenë te theksohet se në shtëpin e tij ne Bronx, Z.Idrizi,ruan dokumentcionin te shumtë,me me vlerë të kësaj natyre,ndonëse një pjesë i ka dhuruar “Vatrës” , Arkivitit te Kosovës ,dhe publicistëve dhe studjuesve të ndryshem.

* Materialin e mbetur do ja dorëzoj Arkivit të Kosovës.

Filed Under: Histori

Pse amerikanët e rikthyen Donald Trump?

November 6, 2024 by s p

Analizë nga Rafael Floqi

Trump ia arriti sërish. Ai ka një mandat. Duke pranuar me dashamirësi fitoren në skenën në Mar-a-Lagos –në orën 2 të natës  “të gjithë këtu janë të mrekullueshëm”– tha Trump se ai drejtonte “lëvizjen më të madhe politike të tëgjitha kohërave” dhe JD Vance paralajmëroi “kthimin më të madh politik në historinë e Amerikës”. Duket se Amerika e ka bërë Trump-in sërish të madh. Ai falenderoi klasën punëtore që fitoi pasi doli e votoi. Asgjë nuk do më ndalë mua të punoj për ju!

Në fjalimin e tij në Qendrën e Konventave në Palm Beach në Florida, Trump u zotua të mos pushojë “derisa të kemi bërë Amerikën e fortë dhe të begatë”.

-Kjo është një fitore e autentikut mbi jo autentiken, deklaroi një mbështetës i Trumpit të mërkurën në mëngjes. 

“He won fair and square”….shtoi një tjetër. Ne duhet të respektojmë rezultatin. 

Ky është një rikthim historik ajo jo vetem mori 277 votat elektorale por ai fitoi edhe voten popullore me 5 milione vota por edhe senatin me 51 senatore me 43  dhe republikanet mbajten kongresin 197 me 177.

Sondazhet kishin të drejtë: Trump kundër Harrisit ishin afër me një avantazh të lehtë të Trump-it, duke siguruar Sun Belt dhe duke fituar ngushtë disa nga shtetet veriore të të ashtuquajturin ‘Muri blu”. Një përsëritje e vitit 2016, ndoshta më vendimtare. Edhe kur fituesi u shfaq në mikrofonin e tij – “ne të gjithë mendojmë se fëmijët tanë janë të mrekullueshëm” – ekspertët nuk donin t’u besonin veshëve. Një heshtje funebër në CNN. Organizimi i fushatës demokratike në Washington DC u zbraz.

Kjo nuk një fitore për Donald Trump, dhe  jo një hedhje poshtë e Kamala Haris. Kjo është një marsh funebër për makinerinë e mediave të majta ,si CNN, MSNBC . 

Si mundi Trump-i, ai plaku i çmendur gojështurur  – në gjyq për krime të panumërta – me dy tentativa për vrasje të fitonte një mandat të dytë? Sepse për miliona amerikanë, ai nuk është aq i çmendur. Kur u qetha disa dite me pare vetem 30 dollarë  23  plus 7 bakshish. Për të cilën me parë paguaja 13 plus bakshish. Por mendoni sa kushton një pulë sot, sa kushton një gallon qumësht, një bikierinë me vezë , sa kushton një gallon benzinë. 

Kjo është arsyeja pse shumë votuan për republikanët për herë të parë në jetën e tyre. Demokratët janë shumë të kushtueshëm.

Exit poll-et nxorën në pah tri çështje kryesore: abortin, demokracinë, ekonominë. Dy të parat ishin pikat e forta të Harrisit, e fundit ishte e Trump-it – me kujtimet e mandatit të tij, para Covid-it, kur tregu i aksioneve u rrit dhe papunësia ra në nivelet më të ulëta historike. Nën Joe Biden-in, amerikanët duruan inflacionin në rritje. Biden economics. Kjo, së bashku me rënien fizike të Biden-it, e vendosi vendin në një spirale në rënie emocionale. Demokratët dukeshin të paaftë, të hutuar nga liberalizmi. Të pamundur për të sjellë paqen në Ukrainë apo Izrael; të poshtëruar në Afganistan.

Me fjalë të tjera, kushtet për një fitore të Trump-it u vendosën shumë kohë para se Biden të tërhiqej nga gara, disa javë melodramë që ndoshta na shpërqendroi nga dinamika thelbësore e garës: pushtetarët nuk fitojnë kur votuesit janë të mjerë. Hareja që duhet të sillte e qeshua e Kamalës u shua shpejt, pavarësisht apeleve të celebriteteve si Opera Humphrey… 

Harrisi zuri vendin e Biden-it dhe ka meritën për një rritje të mbështetjes për demokratët. Por ajo nuk arriti të ndiqte një axhendë të qartë apo politika transformuese. Me arrogancë supreme, ajo u përpoq të hynte në Shtëpinë e Bardhë vetëm me atmosferë – një premtim për t’i dhënë fund dram-a-lës, por nuk qe në gjendje të shpjegonte politikat e saj.

Dhe mediat amerikane i përkeqësuan gjërat. Ngatërruan dashurinë e tyre për një liberale patetike me entuziazmin kombëtar – duke e ngritur Harrisin aq lart sa kjo gjë mund të ketë kontribuuar në humbjen e saj. Njerëzve nuk u pëlqen t’u thuhet se çfarë u pëlqen. “Mamala”? Jo faleminderit-ala.

Ndërkohë, Trump zhvilloi një fushatë mjaft të disiplinuar. Ishin shpërthimet e tij të zakonshme: “Ngrënia e kafshëve shtëpiake”. Dhe plagët e vetëshkaktuara pa dashje ai mund të mos shkelë kurrë më në Porto Riko. Por portorikanet ne Florida votuan per të. Por Trump iu përmbajt temave të tij të thjeshta të gjendjes së keqe demokratike dhe rinovimit të republikanëve, dhe asnjëra prej tyre nuk dukej aq e frikshme sa në vitin 2016 – sepse ndryshimi i madh mes asaj kohe dhe tani është se tani ai është normal. Edhe paraqitjet e pafundme në gjykatë the Mugshot u dukën banale me kalimin e kohës; sidomos pas fotos të atentatit.

Votuesit kanë mësuar të bëjnë dallimin mes batutave dhe komenteve serioze, mes Trump-it që i jep gojës dhe asaj që Trump do të bëjë realisht. Është e çuditshme të shkruash se ai është një “burrë shteti i moshuar”, por me kalimin e kohës, i tillë është bërë ai. Dhe koalicioni i tij personal, i cili dikur dukej me fat dhe i dobët, duket se është forcuar në diçka si riorganizimi i Marrëveshjes së Re ose i Reganit. Vota e vjetër e klasës së mesme republikane – jo më e mjaftueshme për John McCain-in apo Mitt Romney-in – është shndërruar në një koalicion votuesish ruralë, me arsim të ulët, me jakë blu, me xhepa të konsiderueshëm të hispanikëve, ndoshta edhe me mbështetje të zezakëve (ne kemi kohë ende për t’u analizuar numrat). Trumpizmi ka një bazë të madhe Maga. Ai ka një lëvizje … 

Kjo mund të tingëllojë e çmendur nëse jeni një amerikan më i ri, por dikur ka qenë një kohë kur të gjitha votat numëroheshin në ditën e zgjedhjeve, dhe më pas dikush shpalli fitoren me gëzim, ndërsa dikush tjetër pranoi me mirësjellje, dhe vendi u zgjua të nesërmen në mëngjes duke e ditur se demokracia ishte e sigurt edhe për katër vite të tjera. Kjo nuk është normalja e re.

Trump është në rrugën e duhur për t’u bërë i vetmi president përveç Grover Cleveland-it që të fitojë dy mandate radhazi. Në një vështrim të mëvonshëm historianët do ta quajnë të mrekullueshmen të dukshme. Amerikanët mendonin se Trump-i ishte një president i mirë. Biden i dëshpëroi; Kamala i mbrojti ata. Kamala u përpoq të shfaqej unifikuese, po mënyra si e anashkaluan Bidenin tregonte të kundërtën. Kështu ata vendosën ta kthejnë Trump-in

Filed Under: Analiza

Dita Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave 

November 6, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Më shumë se një e treta e grave në mbarë botën kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale në një moment të jetës se tyre. Duke u ndalur tek ngjarjet e viteve 60-të në Republikën Domenikane ndodhi një vrasje makabre ndaj 3 motrave Mirabal. Referuar kësaj tragjedie, OKB vendosi që data 25 Nëntor të njihet si Dita Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe çdo vit kujtohet si lëvizje popullore kundër dhunës ndaj grave. Në këtë ditë kërkohet ndërgjegjësimi individit, i mbarë opinionit publik dhe gjithë rruzullit që të denoncojnë dhunën ndaj grave, vajzave dhe fëmijëve. 

Në Meksikë rreth 10 gra dhe vajza në ditë vriten nga partnerët apo anëtarët e familjes. Bazuar në këto skena krimi për jetën këngëtarja meksikane Silvana Estrada ka shkruar këngën me titull “Si Me Matan”, “If They Kill Me”. Këngë që u nominua për Çmimin e rëndësishëm “Latin Grammys” në Mexico City.

Përsa i përket Shqipërisë nga të dhënat e medias; Mos zbatimi i ligjeve dhe mungesa e shërbimeve sociale pranë komuniteteve për fuqizimin e familjes dhe zgjidhjen e konflikteve, për rrjedhojë “sjell” krimin në familje. Dhuna që ushtrohet ndaj grave nga partnerët konsiderohet me përmasa pandemike edhe nga ekspertët e shëndetësisë botërore. Por përmasat e dhunës në familje janë edhe më të mëdha se sa paraqiten, pasi pjesa më e madhe e rasteve nuk denoncohen, për shkak sepse viktimat e shohin dhunën në familje si një ҫështje private.

“Armët nuk vrasin njerëz, njerëzit vrasin njerëz“ – ka shkruar studentja ekselente Ariela Murati 22 vjeçe e Fakultetit Juridik, vrarë në datë 21 Janar 2018, para Fakultetit të Mjeksisë, Tiranë.

Ndërsa këngëtarja dhe aktivistja italiane Noemi, e cila performoi këngën e John Lennon “Imagine” në një Ceremoni Çmimesh organizuar nga OKB pak ditë më parë në Romë tha: “Nëse një grua lëndohet, jemi lënduar të gjitha ne gratë. Eshtë lënduar e gjithë bota”. 

Një shprehje tjetër thënë e duhet përmendur në rastin konkret nga Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres thotë: “Le të ndërtojmë një botë që refuzon të tolerojë dhunën ndaj grave kudo në çfarë do forme njëherë e përgjithmonë”.

Në konferencat e ndryshme që kemi marë pjesë me temë “Dhuna në Familje” nga specialistët e kriminalistikës jemi informuar; Kur një bashkëjetues nuk është komunikues me bashkëjetuesen, është kontrollues dhe e dhunon gruan në mënyrë barbare, veçanerisht kur ajo është edhe shtatëzënë, problemet serioze të shëndetit do të reflektohen edhe tek fëmija, pasi mbeten plagë që lenë gjurmë dhe mund të jenë të pakorrigjueshme. Çfarë evidenton se mentaliteti primitiv dhe kultura tradicionale që ekziston edhe tek disa meshkuj shqiptar i shikojnë e i trajtojnë vajzat dhe gratë si pronë dhe ndaj tyre duhet ushtruar dhunë dhe vrasje.

Në këtë drejtim organet e rendit në Shqipëri, policia dhe shoqëria civile, duhet ti izolojnë këta persona, e nuk duhet ti lenë të lirë, pasi janë të dëmshëm e të rrezikshëm jo vetëm për familjen, por edhe për shoqërinë.

Sipas Tv – Zëri i Amerikës: “Ndonëse ndëshkimet janë ashpërsuar dhe gjykatat kanë dhënë dënime me burgim të përjetshëm për vrasësit e grave ky krim nuk ka shënuar ulje.

Dënimi më i fundit me burgim të përjetshëm u dha mesin e korrikut të këtij viti nga Gjykata e Elbasanit për Tefik Tashin, i cili vrau me sëpatë motrën e bashkëshortes .

Gjatë vitit të kaluar u regjistruan 12 vrasje të grave dhe qindra denoncime të tjera për dhunë në familje, të cilat sipas analistëve janë vetëm një pjesë e vogël e përmasave të vërteta të kësaj dukurie në shoqërinë shqiptare.

Sipas të dhënave të Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë numri i rasteve që janë evidentuar dhe denoncuar për dhunën në familje ka ardhur në rritje vit pas viti.

Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2023 ka pasur 5064 raste të denoncuara për dhunën në familje pranë policisë dhe ku me urdhër-mbrojtje janë trajtuar 2730 raste .

Edhe në 3-mujorin e parë të vitit 2024 janë regjistruar 1197 raste të denoncimit të dhunës në familje nga të cilat janë trajtuar me urdhër mbrojtje 627 raste”.

Po sipas Zërit të Amerikës referuar raportit nga Instituti i Universiteti Georgetown për Gratë, Paqen dhe Sigurinë thotë se rreth 600 milionë gra, apo 15 për qind e popullsisë së botës, janë të ekspozuara ndaj konflikteve. Në raportin e fundit të këtij Instituti, që botohet një herë në dy vjet, Kosova radhitet në vendin e 100, ndërsa Shqipëria në vendin e 45 mes 177 shteteve. Në një intervistë për Zërin e Amerikes, autorja e raportit Elena Ortiz thotë se në Kosovë gratë kanë gjendjen më të keqe në rajon, në veçanti sa i përket përfshirjes së grave në tregun e punës, fuqizimit dhe pavarësisë së tyre financiare dhe ekonomike, si edhe diskriminimit gjinor në lindje. 

Por më tej ajo shton se Kosova në veçanti shënon rezultat të lartë kur bëhet fjalë për të drejtat ligjore të grave. Është shteti me rezultatin më të lartë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, e radhitur pas Serbisë dhe në mesin e 40 shteteve që tregojnë rezultat të mirë në këtë tregues. Kosova del me një gjendje të mirë sa i përket perceptimit të sigurisë së grave, njëri prej treguesve të dimensionit të sigurisë, që bën maatje e përqindjes së grave që thonë se ndihen të sigurta të ecin vetëm në lagjet e tyre natën. 

“Në Kosovë – zonja Ortiz, kjo përqindje shkon në 77 për qind, shumë pikë mbi mesataren rajonale prej 58 për qind dhe mesataren globale prej 64 për qind. Në këtë aspekt, Kosova radhitet në mesin e 25 shteteve në krye të listës. Dhe së treti, Kosova ka shkallë shumë të lartë të përdorimit të telefonave celularë, 94 për qind. Në anën tjetër, fushat ku duhet përmirësim në Kosovë janë të përqendruara kryesisht në dimensionin e përfshirjes, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me fuqizimin ekonomik të grave. Për shembull, Kosova është në vendin e 10 më të ulët në botë sa i përket punësimit të grave, me vetëm afro 20 për qind të grave të punësuara dhe po ashtu është prapa përfshirjes së grave në çështjet e financave, që matet me përqindjen e grave që kanë një llogari të tyre bankare. Në Kosovë, përqindja e atyre që kanë një llogari bankare është 47 për qind, shumë pas mesatares rajonale dee globale, që është 70 dhe 77 për qind. Gjithashtu kemi parë përmirësimin më të rëndësishëm në treguesit për sigurinë dhe uljen e rasteve të dhunës politike ndaj grave”.

Megjithë uljen e rasteve të dhunës në Kosovë, shqetësuese paraqitet situata në programin Big Brother VIP, transmetuar nga Klan Kosova” ku nga produksioni është lejuar të hyjë si banor, një individ që akuzohet për dhunë fizike dhe psikologjike nga ish bashkëshortja e tij, aktualisht banore e këtij spektakli televiziv.

Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA, bashkon zërin e saj me Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë, “Rrjetin e Grave Gazetare” të Kosovës dhe Organizatat e ndryshme të Grave, të cilat kanë dorëzuar ankesë/kërkesë tek KPM lidhur me shqetësimin për përmbajtjen problematike të programit Big Brother VIP, transmetuar nga Klan Kosova. Në deklaratën e kësaj Ministrie mes të tjerave shkruhet: 

“Vendosja e znj. Latifi nën presion psikologjik përballë ish bashkëshortit i cili është cilësuar si dhunues me vetë lëshimin e UM, është formë e dhunës psikologjike, e cila e vendos znj. Latifi në pozitë të cenueshme psikologjike, dhe paraqet mundësi të ri-viktimizimit por tani në situatë të presionit psikologjik publik”. Etj…

Duke u kthyer sërish tek data 25 Nëntor, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, shpresojmë që edhe në Shqipëri, Kosovë e të gjithë trevat shqiptare do të ketë manifestime për këtë ditë në mbrojtje të të drejtave të grave, vajzave dhe fëmijëve. 

Filed Under: Kronike

“Drama e moskuptimit” në poezinë e Irena Dragotit

November 6, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Përkas në letra me dy gjysma atdheu;

udhëtoj mes tyre, me varkën e syve;

Në netë mallëngjimi ajo shpesh më mbytet…

Symbyllaz ndaj stinët ,por gjithmonë bën dimër;

yjet mezi shihen, vonon perëndimi…

Kështu shkruan së fundi poetja shqiptare Irena Dragoti, e cila jeton prej kohësh në Michigan. Në letërsinë e sukseshme shqipe që kultivohet në SHBA ka spikatur së fundmi zëri i kësaj krijuese moderne. Irena Dragoti sjell në mënyrë origjinale dhe me një ndjeshmëri të mrekullueshme dualitetin e tmerrshëm afektiv të dashurisë me urrejtjen. Në thelbin e poezisë së saj, që shijohen si një liker i fortë, ekziston drama e moskuptimit. Ka një konflikt apologjik mes ndjenjave dhe ideve, pa misticizëm dhe pa tone idealizuese, ku shpaloset bota e brendshme e një femre, me gjithë ndjesinë e imazheve dhe ndjenjat sublime në konceptimin e së bukurës, e shtrirë mbi zonat më të paeksplorueshme të shpirtit. Kjo ndjesi arrin majat në vargje si:

“Jam një e huaj që kërrus aromat

sjellë nga toka ime.

Të huaj kam shtëpinë dhe gjumin e pakët,

si udhëtim vajtje-ardhje e bëj çdo natë.

Ndaj shihmëni pa mëri;

Nuk dua të hyj në zemër të kujtesës,

as tju gdhend të ardhmen”. 

(Të tjerat m’i jep Atdheu )

Këto sugjestione e këto akorde, brenda një kornize estetike metafizike, ravijëzojnë një filozofi të veçantë për natyrën dhe marrëdhëniet njerëzore, që kanë të bëjnë me gjendjen e qënieve njerëzore, me ekzistencën reale të secilit person, me provokacionet me të cilat arsyeja është e detyruar në çdo rast t’i nënshtrohet jetës. Në poezinë  e Irena Dragotit e sundon mosdëshira për të mos maskuar kontradiktat dhe hendeqet e jetës, mohimi i ngushëllimeve sentimentale, përçmimi për çdo lloj patetizmi. 

“Ndërtoni burgje
brenda shpirtit,
me kujtimet.
Pa harruar tiranët
që përdhunuan mendje,
shpirtra, trupa,
që rrënuan kulte.
Që më shumë se jetë,
kufoma numëruan.
Mos lejoni…
të ngrenë përmendore nderi,
në të sotmen,
për hir të dashurisë sublime me të shkuarën”.

(Mos lejoni)

Irena Dragoti nuk flet nën vello; në poezinë  e saj nuk ka asnjë lloj kamuflimi dhe përçmimi, por vargjet rrëfejnë për një nevojë ekzistenciale për të komunikuar me masën e qënieve njerëzore, me turmën e padukshme dhe të hallakatur në lëmshin e raporteve të panumërta.

“Koha u djerr….

dhe njerëzit…

por mëshira lakohet shtigjeve;

huton rrudhat mbi mollëzat e mendjes,

pa e sosur luftën për mbijetesë

Mëshirona, o Zot!

Bëj që ulliri i mbjellë para kohe, në oborr

të hapë rrënjët e lëmoshës dhe faljes

e të të takojmë Ty, si pendim

edhe njëherë”.

 (“Mëshirë”)

Në poezinë e saj Dragoti kërkon të gjejë këndshikimin më të përshtatshëm, në të cilin drita dhe dritëhija gërshetohen në mënyrë të ndërsjelltë dhe nëpërmjet kontrasteve. Autorja përdor krahasimin, metaforën dhe hiperbolën, pa ndonjë sforcim të veçantë, të cilat janë përcaktuese në procesin e saj krijues, duke shkaktuar ndriçime të papritura e reflekse të befasishme. Psikologe për nga pasioni, me vullnetin për t’i dhënë formë krijimit, autorja e nxit artin e vet vetëm në atë drejtim ku ndjehet më mirë, e shtyn drejt atyre figuarave me të cilat ndiehet e lidhur shpirtërisht, pa u përpjekur të përshkruajë gjithë botën shpirtërore të njeriut, e cila është e pafundme. 

Ja çfarë shkruan në poezinë “Mëshira”:

“Dikur e takoja mëshirën si frymë

të hyj në portën e mëkateve.

E humbja…

kur shqyheshin dritaret, nga fjala 

që buza s’e mban..

E gjeja lakuriq…

si nevojë përdëllitëse çlirimi,

kur shpirti i lodhur, kish përçartje.

Sot, e pres si rritje

e ul në sofër fisnikësh, të thyejë urinë;

për të mos fikur lutjet.”

Edhe pse kureshtare, autorja ndihet e tërhequr pikërisht nga rrafshi i dikotomisë, që e çon drejt abstragimeve artistike, të cilat nuk qëndrojnë pezull, por ndërtojnë ngrehinën e një mesazhi të qartë filozofik e përmbajtësor. Edhe në rastet kur i mëshon një mesazhi të fuqishëm poetja nuk ka nevojë të dalë jashtë vetvetes dhe përtej vetvetes, me teprim e dalldi, e bindur se kështu dëmton peshën specifike të kumteve të saj estetike e folozofike. Poezia e I. Dragotit është përherë një luftë dashurie dhe lirie. Një krijimtari e ekzaltuar, me një shkëlqim drithërues, gulçuese e spazmatike, me harlisjen dhe ankthin e shpirtit, që ka vënë artin mbi jetën, poezinë mbi realitetin.

“Toka është shumë e vogël për dashurinë.
Dashuria, në tokë nuk merr frymë… nuk ka zë”, thotë autorja.

Sa e vështirë është për njeriun të gjejë lirinë! Por I. Dragoti e ka gjetur prej kohësh.

“Poezia ime është liria ime”, thotë poetja, dhe kjo është alter ego-ja e krijimtarisë së saj. “Kurrë nuk jam mbytur nga dallgë zilie/ një shkronjë do mbetem, në fletë lirie”. (Të tjerat m’i jep atdheu)

Ja si shprehet autorja në një ese të botuar në gazetën “Dielli, në 30 maj 2024: A je gati të mbytesh si një gur në fund liqeni, pra vetflijosh paqen tënde, a të shpërndash rrathë negativiteti e rreziku, njerëzve që do më shumë, apo t’i bëhesh hije vetes? A je gati të endesh në qiej mizantropikë, plot reteorika të rreme dhe tangencialitetit të vlerave letrare? A je gati të përplasesh me mure kështjellash letrare pa dyer të vërteta? A je gati të kuptosh se poezia nuk është profesion i marrë me qera për të jetuar? Poezia është pëllëmbë, për të shtrënguar si prekje e munguar, njeriun brenda nesh. Pyete veten a ke takuar këtë njeri”?

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Filed Under: LETERSI

“Zëri i Amerikës”: Donald Trump zgjidhet President i Shteteve të Bashkuara

November 6, 2024 by s p

Zgjedhjet presidenciale në SHBA. Amerikanët votuan për demokraten Kamala Harris dhe republikanin Donald Trump, dy kandidatë me pikëpamje të ndryshme mbi të ardhmen e fuqisë më të madhe ekonomike dhe ushtarake në botë.

Rezultatet drejtpërdrejtë

Dallimi mes Kolegjit Zgjedhor dhe votës popullore në SHBA

Si interpretohen sondazhet?

Të gjitha lajmet për zgjedhjet presidenciale

New posts

11:49

Kandidati republikan Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një rikthim të jashtëzakonshëm.

Me një fitore në Uiskonsin, zoti Trump siguroi 277 vota elektorale nga 270 sa janë të nevojshme për të siguruar presidencën.

Mëngjesin e së mërkurës ndërsa ende po numëroheshin votat, zoti Trump shpalli fitoren në një tubim në Florida.

“Kjo ishte një lëvizje që askush nuk e ka parë ndonjëherë më parë dhe sinqerisht, kjo ishte, besoj, lëvizja më e madhe politike e të gjitha kohërave”, u tha zoti Trump mbështetësve të tij.

Ai u zotua të “rregullojë kufijtë tanë” dhe “të rregullojë gjithçka në vendin tonë”.

Trump tha gjithashtu se do të punojë për një “Amerikë të fortë, të sigurt dhe të begatë”.

Ai garoi me rivalen demokrate, Kamala Harris, aktualisht Nënpresidente, e cila deri tani siguroi 224 vota elektorale.

Zoti Trump është ish-Presidenti i parë që nga Grover Cleveland që rikthehet në Shtëpinë e Bardhë pasi humbi një palë zgjedhje pas mandatit të parë.

Zoti Trump i cili shërbeu si President në periudhën 2017-2021, u largua nga posti pasi humbi përballë Presidentit aktual Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020 për të cilat vazhdoi të pohonte në mënyrë të rreme se i kishte fituar. Ky mohim ndihmoi në nxitjen e sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitol nga një turmë mbështetësish të tij, të cilët ndërprenë numërimin zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve.

Zoti Trump dhe aleatët e tij gjithashtu nisën sfida të shumta ligjore pas votimeve të vitit 2020. Gjykatësit shtetërorë dhe federalë përfundimisht hodhën poshtë më shumë se 50 padi.

Që kur u largua nga posti, ish Presidenti Trump u dënua për 34 akuza të lidhura me pagesat që i bëri një aktoreje të filmave për të rritur në prag të zgjedhjeve të vitit 2016. Shpallja e dënimit është caktuar për 26 nëntor. Zoti Trump u padit gjithashtu në tre raste të tjera, duke përfshirë dy nën akuzat për përpjekje për të përmbysur në mënyrë të paligjshme zgjedhjet e vitit 2020 dhe një tjetër që pretendon se mori qindra dokumente sekrete në shtëpinë e tij në Florida.

Donald Trump pritet të inaugurohet për një mandat të ri më 20 janar të vitit 2025.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT