• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

SHQIPTARËT NË MALIN E ZI PA KANAL TË VEÇANTË TELEVIZIONIN PUBLIK

June 16, 2025 by s p

Partitë politike shqiptare gjatë fushatave zgjedhore me eufori kanë premtuar formimin e kanalit të veçantë televiziv në gjuhën shqipe, por pas etheve të zgjedhjeve çdo gjë iu la harresës dhe heshtjes edhe atherë kur u bënë shkelje të dukshme të së drejtës së informimit të shqiptarëve në Malin e Zi.

Shkruan: ALI SALAJ

Me dispozita ligjore Mali i Zi përcakton të drejtën e informimit në gjuhën e pakicave, ashtu siç përcaktohet edhe detyrimi i shtetit ndaj informimit publik në gjuhën e tyre. Edhe pse në hapësirën tonë ligjore dhe politike flitet për një garantim dhe respektim të identitetit të popujve pakicë në informim, megjithatë ende sot nuk kemi programacion 24 orë në gjuhën shqipe në kuadër të Televizionit publik të Malit të Zi.

Partitë politike shqiptare gjatë fushatave zgjedhore me eufori kanë premtuar formimin e kanalit të veçantë televiziv në gjuhën shqipe, por pas etheve të zgjedhjeve çdo gjë iu la harresës dhe heshtjes edhe atherë kur u bënë shkelje të dukshme të së drejtës së informimit të shqiptarëve në Malin e Zi.

Gjuha shqipe në Televizionin e Malit të Zi, ndërkohë nisi të ndrydhej. Reduktohen emisionet, largohen punëtorët me kontratë, bashkëpunëtorët dhe korrespondentët. Në anën tjetër, me vite të tëra nuk ka pasur udhëheqës të programacionit nga komuniteti shqiptar, por në vazhdimësi emëroheshin kuadro të komunitetit shumicë që nuk e njohin gjuhën shqipe, ashtu siç ende sot nuk ka përfaqësues nga komuniteti shqiptar në Bordin e Drejtorëve apo në këshillat tjera përkatëse.

Veprimet e viteve të fundit të menaxhmentit të Televizionit publik tregojnë për një paqartësi mediale kundrejtë emisioneve në gjuhën shqipe duke ndjekur një politikë dytësore ndaj kësaj pakice që e karakterizon një gjuhë e veçantë, tërësisht e ndryshme nga gjuhët sllave. Kjo dukuri me informimin shqip vazhdoj edhe në kohën e përbytjeve të mëdha politike në Mal të Zi, ku pasuan ndryshimet në Qeveri dhe në institucionet e ndryshme, duke përfshirë këtu edhe Televizionin publik. Në këto ndryshime dukshëm ndikuan edhe aktorët politikë dhe jopolitikë shqiptarë.Disa përfaqësues politikë nga partitë qytetare dhe disa organizata joqeveritare nga Ulqini e mbështetën pa rezervë Boris Raoniqin në krye të Radio Televizionit publik të Malit të Zi. Efektet e zgjedhjes së një personi, që tërë kohën punoj në kuadër të shoqërisë civile, u vrejtën menjëherë. Ai jo që nuk ndihmoj programacionin në gjuhën shqipe, as formimin e kanalit të veçantë, por bëri përpjekje të aneksojë edhe të vetmen medie publike të shqiptarëve në Malin e Zi, siç është Radio Ulqini dhe ta shndërroj atë në studio të RTMZ-së.

Televizioni publik i Malit të Zi vazhdon ti ngjajë një prodhimi me gabime. Kjo media po jeton defektet aktuale të rendit shtetëror, kushtetues dhe ligjor të Malit të Zi, duke nxitur nacionalizmin proserb dhe mosmarrëveshjet ndëretnike. Në këtë kuadër është vështirë të kuptohet përfshirja e partive politike shqiptare në Qeveri, të cilët përveç që krijojnë një imazh të rrejshëm para ndërkombëtarëve, nuk po shohim vullnetin e tyre në mbrojtjen e pakicës shqiptare në Malin e Zi.

Është e pakuptueshme që ende sot në Televizionin publik mos të ketë një kanal të veçantë, por emisionet në gjuhën shqipe ndërthuren në kanalin ekzistues ku kjo simbiozë padyshim pengon edhe shikueshmërinë.

Një platformë me transmetim 24 orësh në kanalin e veçantë duhet sa më parë ti ofrohet komunitetit shqiptar në Malin e Zi. Të krijohen vende për punësime të reja, me staf dhe redaksi të zgjeruar, me studio bashkëkohore dhe me një skemë programore pa stereotipe dhe ndikime nga redaksitë sllavofolëse. Kanali i tillë do të ishte në përputhje me normat ndërkombëtare dhe me synimin për barazi dhe integrim të shqiptarëve në jetën publike dhe institucionale. Kjo situatë kërkon veprim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse dhe nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Malin e Zi.Përdryshe ruajtja e situatës së status-quo-së në fushën e informimit në gjuhën shqipe rrezikon qenien kombëtare, pasi është e ditur se komuniteti pa medie është i predestinuar të humbasë identitetin kombëtar, gjuhësor dhe kukturor.

Filed Under: ESSE

Piluri – Sofër e Këngës Polifonike

June 16, 2025 by s p

Shqiponja Veshaj

Moderuese e Festivalit/

Në Pilur, në majën ku qielli bën kuvend me shkëmbin dhe era flet me zërin e stërgjyshërve, ku malet kanë zë dhe rrënjët kujtesë mbahet Festivali i 6-të Folklorik Netët e Bejkës së Bardhë! Në këtë festival marrin pjesë këngëtarë dhe grupe nga shumë treva të Shqipërisë si edhe përshëndetës nga vendet Ballkanike! Nderi i Kombit Lefter Cipa ështē burimi ku ushqehen shumica e këngëtarëve të sotëm modernë shqiptarë, të cilët në repertorin e tyre kanë të kryerenditur poezitë dhe lirikat befasuese të kêtij autori! Aty kënga dhe vallja Polifonike është art, frymëzim, ritual dhe trashëgimi! Ajo lind si një murmurimë, rritet si valë dhe kulmon si një thirrje qiellore! Kjo harmoni e shpirtit të përbashkët shqiptar e lindur nga mundimi, dashuria dhe lufta është tempulli i lashtësisë, vazhdimi dhe zhvillimi i një kulture që trashëgohet nga brezi në brez!

Në Pilur kēnga ka genetikë, rritet në prehër, mëkohet me qumështin e nënës,dhe zhurmon në shpirt sa herë guri preket nga fjala! Netët e Bejkës së Bardhë janë një pikatim i rrallë mes hyjnores dhe njerëzores! Ullinjtë shekullorë, aroma e trëndelinës që zbret nga shpatet dhe shushurima e natës që hesht për të degjuar këngën – të gjitha bëhen një me tingullin! Kjo është prova se shqiptarët dinë të kujtojnë përmes këngës, të respektojnë përmes zërit dhe të ndërtojnë përmes traditës!

Piluri është vendi ku Polifonia është gjuhë, lutje, manuskript i gjallë,ku çdo grup ngjitet në skenë sjell një gjëmim, një amanet, një shenjë se kjo tokë ende këndon, ruan dhe beson! Sot më shumë se kurrë na duhet kjo këngē si udhêrrëfyese, si djep shprese, si altari ku gjuha shqipe ngrihet mbi veten e saj dhe bëhet melodi e pavdekshme! Grupi Polifonik Bejka e Bardhe Pilur me drejtuesin Artistik, Nderin e Qarkut Vlorë zoti Kristo Çipa mirëpresin nē datën 20 dhe 21 Qershor 2025 grupe dhe kēngëtarë në Netët e Bardha me dritë, këngë e sofrat plot!

Le të këndojmē të gjithë së bashku:

Sa të ketë qiell dhe yje,

Shqiptarë e lapidarë,

Do ketë këngë polifonie,

Në gjak e në gjokset tanë!

* Autorja është Drejtuese Artistike e Ansamblit Folklorik Bogonica

Filed Under: Analiza

Fan Noli dhe drejtimi i qeverisë shqiptare gjatë vitit 1924

June 16, 2025 by s p

Dr. Ardiana MICI/

Fan Noli përfaqëson një nga personalitetet më të shquara shqiptare, i evidentuar si një mendje e ndritur në disa dimensione. Shkrimtar, përkthyes dhe aktivist i çështjes shqiptare për pavarësi ai shfaqi një mendim dhe penë të mprehtë në shërbim të zgjimit kombëtar, kulmoi me një karrierë të shkurtër por intensive si politikan e diplomat, ndërsa mbajti postin e personalitetit më të lartë fetar në Amerikë, nën petkun e të cilit përmbylli karrierën dhe jetën e tij.

Midis Shqipërisë dhe Amerikës, midis peshkopit dhe politikanit, midis shkrimtarit dhe diplomatit Fan Noli e drejtoi energjinë dhe veprimtarinë e tij atje ku Shqipëria kishte më shumë nevojë. Ai ishte i gatshëm të vishte petkun e priftit në moshë të re atëherë kur nevoja e kërkoi krijimin e kishës autoqefale, veshi petkun e diplomatit për të shkëlqyer në Gjenevë ndonëse ishte nisur të përfaqësonte Vatrën në parlamentin shqiptar, dhe në të njëjtën mënyrë ai veshi petkun e kryeministrit të Shqipërisë atëherë kur e pa të udhës se duhej ta drejtonte anijen shqiptare drejt perëndimit dhe modernizimit. 

Kisha autoqefale shqiptare e Amerikës dhe Federata Vatra ishin dy institucione ku Fan Noli prej mëse një dekade ngjizte nacionalizmën në një komunitet shqiptarësh që rritej dhe forcohej ekonomikisht. Fan Noli do ta bënte të njohur çështjen kombëtare (mes shumë vendeve pjesëmarrëse në Kongresin e Kombeve të Shtypura) në takimin me Presidentin Amerikan Wilson në 4 korrik 1918. Mbështetja amerikane u bë garancia për rikonfirmimin e pavarësisë së Shqipërisë pas LIB, të cilën Noli e vulosi me anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (17 Dhjetor 1920). Tani që sfida e rradhës për shqiptarët ishte organizimi dhe përparimi i shtetit të pavarur, për Nolin kishte ardhur momenti i shumëpritur që ti shërbente atdheut në atdhe. Përveçse vinte në Shqipëri me një background të pasur që u përmend më lart, ai kishte një autoritet që buronte nga bagazhi kulturor dhe intelektual, eksperienca e të jetuarit në perëndim dhe njohja e këtij qytetërimi, nga buronte edhe vizioni që Noli kishte për Shqipërinë, një shtet modern i stilit perëndimor. Por çfarë gjeti ai në realitetin shqiptar? 

Shqipëria e viteve 20’ prezantonte një vend të dalë nga pushtimi osman me mbeturina feudale prezente si në asnjë vend tjetër europian, një vend që LIB nuk e la të organizohej si shtet më vete, me kufij ende të pa siguruar dhe strukturë sociale dhe administrative të prapambetur, me mungesë kulture politike dhe traditash parlamentare. Dega kryesore e ekonomisë ishte bujqësia me një bilanc të qartë negativ, ku 85% e popullsisë jetonte në fshat, por vetëm 9% e tokës ishte e punueshme. Fshatarësia ishte e varfër, e paarsimuar dhe e varur krejtësisht prej bejlerëve që zotëronin pronat e mëdha.  

Klasa politike shqiptare e viteve 20’ vinte kryesisht nga shtresa e bejlerëve, pronarë tokash që përfaqësonin interesat feudale, grupi i të rinjve të shkolluar jashtë dhe me ide përparimtare ishte i vogël, fshatarësia e paarsimuar dhe e painteresuar për proceset politike. Përmes sensibilizimit të shqiptarëve të Amerikës nga Federata Vatra, në ndihmë të Shqipërisë, pas LIB u kthyen në Shqipëri rreth 15.000 emigrantë nga SHBA, nga të cilët një pjesë  u përfshi në jetën politike dhe kulturore shqiptare. Fan Noli nuk ishte i vetmi “Vatran” në Shqipërinë e kësaj kohe. Në Këshillin Kombëtar të emëruar nga Kongresi i Lushnjes, 3 anëtarë ishin nga “Vatra”, nga zgjedhjet e vitit 1921, 8 deputetë  ishin vatranë, ndërsa nga zgjedhjet e vitit 1923, 5 deputetë, ishin vatranë. Shumë të tjerë u angazhuan në nivelin lokal të qeverisjes. 

Në skenën politike ishin krijuar dy parti, Partia Përparimtare dhe Partia Popullore, por ato nuk ishin të qëndrueshme, disa grupime të tjera zgjeruan skenën e pluralizmit politik dhe debatin në parlament. Vatranët e ardhur në Shqipëri u angazhuan në të dyja partitë politike, ata nuk mbajtën qëndrim politik të unifikuar, shpesh u bënë kundërshtarë, duke bërë opozitë të fortë edhe me njëri tjetrin. Fan Noli u pozicionua fillimisht me Partinë Popullore ku aderonte edhe Ahmet Zogu, ai mbajti postin e Ministrit të Jashtëm në qeverinë e Xhafer Ypit, kur në janar 1922 nënshkroi kërkesën mbi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA. Më pas u largua nga kjo parti dhe u pozicionua  në opozitë së bashku me disa grupime të rinjsh. I dalluar për oratorinë e tij brilante, ai mbajti gjatë kësaj kohe fjalime kritike të forta në parlament duke shprehur nevojën për një sistem ligjor dhe demokratik.  

Pas zgjedhjeve të vitit 1923 klima politike në Shqipëri u ashpërsua. Qeveritë u ndërruan disa herë dhe skena politike u radikalizua nga vrasje dhe konflikte. Ishte pikërisht vrasja e Avni Rustemit që do ta çonte opozitën drejt veprimeve të armatosura, në të cilat do të përfshihej dhe ushtria. Nën këtë presion qeveria Vrioni në pushtet dhe Ahmet Zogu të akuzuar për goditjen ndaj  opozitës u detyruan të largohen drejt vendeve fqinje.  

Noli u bë kryeministri i qeverisë të dalë nga kjo lëvizje e armatosur, që është njohur si Revolucioni i qershorit i vitit 1924. Kabineti me Nolin si kryeministër përbëhej nga 7 ministra të cilët përfaqësonin të gjitha grupimet opozitare kundërshtarë të Zogut por pa krijuar ndonjë një kohesion mes tyre dhe interesave që ata përfaqësonin. 

Programi prej 20 pikash që qeveria Noli shpalli menjëherë, përfaqësonte një sistem reformash të thella të cilat synonin të ndryshonin krejtësisht panoramën shqiptare të viteve 20’. Blloku i parë i reformave synonte vendosjen e rendit dhe sigurisë, ndarjen e pushteteve dhe riorganizimin e administratës (civile dhe ushtatrake). Blloku i dytë kishte qëllim zhdukjen e mbeturinave feudale dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik përmes reformës agrare dhe zhvillimit të kapitalit të huaj e vendas. Në vazhdim projektohej përmirësimi i infrastrukturës së rëndë dhe shërbimeve, ndërsa  një zë i veçantë i kushtohej politikës së fqinjësisë së mirë dhe prestigjit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. 

Si program politik, ky i Nolit është vlerësuar nga studiues dhe diplomatë të kohës si një program ambicioz që e çonte Shqipërinë drejt modernizimit dhe zhvillimit shoqëror. Disa e kanë quajtur edhe radikal ose të parakohshëm, por në thelb programi është vlerësuar si një drejtim progresiv dhe perëndimor. Por a ia doli Noli të realizonte programin e tij? 

Qeveria Noli mori urimet e para nga disa vende, përfshi edhe Francën e cila e njohu fillimisht si një ndërrim qeverie, ndërkohë që Britania ishte skeptike në lidhje me mënyrën e ardhjes në pushtet të Nolit. Gjermania e njohu zyrtarisht e u përfshi në marrëveshje, ndërsa vendet fqinje dhe fuqitë kryesore të kohës, përfshi edhe SHBA-të, qëndruan në pritje të zhvillimeve në Shqipëri duke mos lidhur marrëveshje zyrtare me Nolin. 

Si kryeministër, Noli njohu projektet dhe marrëveshjet e lidhura nga qeveria e mëparshme me shtetet e tjera, duke dëshmuar vazhdimësi dhe pjekuri në drejtimin e shtetit. Ai u ofroi fqinjëve qartazi politikën e fqinjësisë së mirë, por refuzoi marrëveshje që preknin sovranitetin e Shqipërisë. Në politkën e jashtme, Noli iu përkushtua  mbrojtjes së të drejtave të minoritetit shqiptar dhe përcaktimit të kufijve të mbetur pezull duke përdorur arenën e Lidhjes së Kombeve. Kohë dhe energji morën çështje të tilla si 14 fshatrat që Greqia duhej ti dorëzonte Shqipërisë; vendimi mbi Vermoshin dhe Shën Numin, shpërngulja e çamëve nga Greqia, nga të cilat e para mori zgjidhje në favor të Shqipërisë e dy të tjerat mbetën pezull, (30 tetor 1924). Këto veprime u treguan fqinjëve vendosmërinë e Nolit për këto çështje të ndjeshme.   

Në politikën e brendshme, reforma agrare ishte shtylla e programit ekonomik, që do ti hapte rrugë zhvillimit shoqëror dhe politik, por realizimi ishte shumë i vështirë. Qeveria Noli e filloi me shpërndarjen e tokës në pronësi shtetërore për bujqit dhe më pas do të vazhdonte me shpronësimin e pronarëve të mëdhenj dhe ndarjen e tokës por këtu u përball me kundërshti të forta si brenda dhe jashtë vendit, në lidhje me mënyrën se si do të prekej prona private. Në këtë çështje Noli kishte kundërshti edhe brenda qeverisë së tij. Reformat në tërësi kishin kosto të madhe dhe qeveria nuk kishte mundësi financiare. Ajo arriti të balanconte  buxhetin, si një nga pikat e programit, por kjo nuk mjaftonte.    

Për të realizuar programin, Noli do të preferonte një kredi nga Lidhja e Kombeve ose Amerika për të mos kompromentuar pavarësinë e vendit, por këtë rradhë ai nuk gjeti përkrahje nga asnjëra, edhe pse i kushtoi mjaft energji kësaj çështje në Lidhjen e Kombeve. Refuzimi i mbështetjes u pasua nga një fjalim i Nolit, në të cilin ai ironizoi konceptin e parlamentit, kur ndërkohë  qeveriste si kryeministër pa parlament dhe nuk kishte përgatitur zgjedhjet për ta bërë qeverinë legjitime. Përfundimisht kjo ngjarje do të ndante Lidhjen e Kombeve dhe fuqitë kryesore nga mbështetja e qeverisë Noli. Tendencat e Nolit për të hyrë në bisedime me Bashkimin Sovjetik e ftohën më shumë situatën me perëndimin.  Pas këtyre ngjarjeve perëndimi ishte i gatshëm të mbështeste rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet në Shqipëri, i cili nga ana e tij kishte gjetur mbështetje tek fqinjët veriorë dhe kishte përgatitur terrenin për rikthim.  

Në politikën e brendshme, reforma agrare dhe mungesa 2 mujore (shtator-tetor 1924)  e Nolit kur ishte në Gjenevë kishte bërë kundër Nolit nga njëra anë një pjesë të qeverisë, që ishte kundër  reformës  agrare dhe nga ana tjetër fshatarësinë për moszbatimin e saj.  Gjithashtu krijimi i gjyqit special për dënimin e elementëve pro Zogut kishte krijuar pakënaqësi dhe përçarje në politikën e brendshme. Kur në 13 Nëntor 1924, Noli vendosi për mbajtjen e zgjedhjeve situata kishte precipituar, aq shumë sa ai nuk e kishte më atë përkrahje dhe nuk mund të ngjallte entuziazëm në popull për të mbrojtur qeverisjen nga sulmi i jashtëm dhe rikthimi i Ahmet Zogut.

Fan Noli qeverisi vetëm 6 muaj si kryeministër në kushte të vështira brenda vendit dhe nën një pritje që krijoi izolim nga jashtë, ai arriti të konkretizonte shumë pak nga reformat e premtuara, që kërkonin jo vetëm mbështetje financiare, por edhe një vullnet shoqëror për një transformim thelbësor politik dhe social. Deri në fund të vitit 1924 Fan Noli nuk e gjeti dhe nuk arriti të ndërtonte atë klimë politike në Shqipëri dhe në arenën ndërkombëtare që do ti siguronte mbështetje për të konkretizuar programin e tij për zhvillimin e Shqipërisë. Evropa dhe politikat e saj po ndryshonin shpejt gjithashtu. Fan Noli u largua nga Shqipëria për të mos u kthyer më kurrë. 

Në thelb të gjithë veprimtarisë shumëdimensionale të Nolit qëndronte vullneti për ta bërë Shqipërinë me vete dhe për ta çuar atë drejt përparimit, nisur nga motive të larta patriotike.  Ndonëse vizioni, idetë dhe programi qeverisës i Nolit ishin shumë më përpara sesa vetë shoqëria shqiptare e asaj kohe, rëndësi pati prezantimi i tyre përballë modelit qeverisës të vjetër të bejlerëve. Largimin nga Shqipëria, Noli  e konsideronte dëshpërimin e tij më të madh pasi ai nuk arriti të ndërtonte atë Shqipëri që ai kishte ëndërruar pas fitores së pavarësisë. Kontributi i Nolit dhe i vatranëve në Shqipërinë e viteve 20’, edhe pse ata nuk ishin gjithnjë në sinergji me njëri tjetrin, pati rëndësi të madhe në ngritjen e institucioneve shtetërore dhe kulturore sipas modelit amerikan. Secili prej tyre vendosi gurin e vet në themelet e shtetit të ri shqiptar dhe pati rrugëtimin e vet, në disa raste edhe me fund tragjik. 

Fan Noli u kthye në Amerikë, veshi përsëri petkun fetar dhe iu përkushtua krijesës së tij të parë, Kishës (Autoqefale Shqiptare të Amerikës), për të ruajtur dhe gjallëruar gjuhën dhe ndjenjat kombëtare dhe komunitare mes shqiptarëve të Amerikës. Ai e konsideron fenë si subjektin e tij më të preferuar, duke u shprehur se “Feja ka qenë puna e jetës sime”. 

Të dyja krijesat ku Fan Noli derdhi energjinë e tij,  si Vatra edhe Kisha shqiptare vazhojnë edhe sot të luajnë po të njëjtin rol në Amerikë, ku shqiptarët vazhdojnë të vijnë si emigrantë ekonomikë nga ajo Shqipëri që edhe pas një shekulli nuk është bërë ende ai vendi me demokraci perëndimore dhe me prosperitet ekonomik siç e ëndërronte Fan Noli. 

Filed Under: Opinion

Uji, njeriu, jeta…

June 16, 2025 by s p

Sa ujë duhet të pijmë në ditë ? Përgjegjia nuk është as e lehtë sa mendoni 

Përktheu Rafel Floqi 

drawing of person drinking from a bucket

Morphart via Deposit Photos

Ka shumë lukse në jetë, por uji padyshim nuk është një prej tyre. Shumica prej nesh janë të vetëdijshëm se të gjithë kemi nevojë për lëng për të mbijetuar, por sasia e saktë e tij është çuditërisht komplekse.

Ekziston një ide popullore se të gjithë duhet të pimë tetë gota ujë çdo ditë për shëndet optimal. Ndërsa është e vërtetë që të qëndrosh i hidratuar sigurisht që do të ndihmojë në funksionimin më të mirë të trupit tuaj, nuk ka prova që sugjerojnë se pirja e vazhdueshme e tetë gotave ujë në ditë është e nevojshme.

Në realitet, nevojat e secilit person për marrjen e ujit ndryshojnë dhe varen nga një numër faktorësh, duke përfshirë sa ushtrime bëni, kushtet e motit ku ndodheni, çfarë hani dhe probleme të tjera shëndetësore që mund të keni. Duke marrë parasysh të gjithë këta faktorë, tetë gotat e supozuara në ditë thjesht nuk funksionojnë për shumicën e njerëzve. Dhe trupat tanë tashmë kanë një mënyrë të lehtë për të na thënë nëse kemi nevojë për ujë: etjen. Ju mund t’i rimbushni shpejt lëngjet e humbura me një porcion të mirë uji. Trupi i njeriut ka një sistem të kalibruar me kujdes për të vendosur kur ka nevojë për më shumë hidratim dhe duke dëgjuar sinjalet e tij, mund të siguroheni që të qëndroni në krye të nevojave tuaja për hidratim.

Sasia e ujit që ju nevojitet varet nga madhësia e trupit tuaj. Sipas një rishikimi të vitit 2018, foshnjat kanë nevojë për më pak ujë (në formën e qumështit të gjirit ose formulës, sigurisht) sesa fëmijët e vegjël, të cilët kanë nevojë për më pak ujë sesa adoleshentët dhe të rriturit që në përgjithësi kanë nevojë për të njëjtën sasi lëngu, mesatarisht. Ka edhe faktorë të tjerë që duhen marrë në konsideratë në këtë ekuacion. Për shembull, njerëzit që ushqejnë me gji kanë nevojë për më shumë ujë bazë sesa shumica e grupeve të tjera.

Niveli juaj i aktivitetit gjithashtu luan një rol të madh. Nëse ushtroheni shumë, atëherë ka më shumë të ngjarë të djersitni më shumë, gjë që ju detyron të keni nevojë për më shumë ujë për të rimbushur atë sasi të humbur. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse ushtroheni në një mjedis veçanërisht të nxehtë ose të lagësht, ose stërvitja juaj është e gjatë ose intensive.

Për më tepër, uji nuk është burimi i vetëm i hidratimit. Në fakt, sipas një raporti shumë të cituar të vitit 2005 nga Instituti i Mjekësisë, ne marrim rreth 20 përqind të hidratimit tonë nga ushqimi që hamë. Disa ushqime, si shalqiri, janë pothuajse ekskluzivisht ujë. Gjithashtu mund t’ju habisë fakti që konsumimi i pijeve me kafeinë, të tilla si çaji ose kafeja, të cilat shpesh konsiderohen diuretikë, në të vërtetë nuk ju dehidratojnë. Ndërsa pijet me kafeinë ka të ngjarë t’ju bëjnë të urinoni, ky efekt është i përkohshëm dhe nuk do të ketë një efekt të konsiderueshëm në ekuilibrin tuaj të përgjithshëm të hidratimit. Me fjalë të tjera, të gjitha ato filxhanë kafeje që pini çdo ditë po kontribuojnë në nevojat tuaja ditore të hidratimit.

Duke pasur parasysh se nuk keni nevojë të pini të gjitha ato gota gjatë gjithë ditës, si mund ta kuptoni nëse po i plotësoni nevojat tuaja të hidratimit? Përgjigja është çuditërisht e thjeshtë. Ndiqni etjen tuaj.

Ndërsa është e vërtetë që mund të pini ujë shumë, është jashtëzakonisht e vështirë ta bëni. Hiponatremia ndodh kur trupi juaj merr shumë ujë dhe sasia e ujit në gjak bëhet aq e lartë saqë i çekuilibron elektrolitet, veçanërisht natriumin. Gjendja, simptomat e së cilës përfshijnë dhimbje koke, konfuzion, të përziera dhe dobësi muskulore, është tepër e rrezikshme, por për fat të mirë e rrallë. Duke dëgjuar etjen e trupit tuaj – dhe duke vërejtur se kur moti, intensiteti i ushtrimeve ose faktorë të tjerë mund t’ju bëjnë më të prirur të keni nevojë për hidratim shtesë – do të siguroheni që po merrni të gjithë ujin që ju nevojitet, pa pasur nevojë të numëroni.

Filed Under: ESSE

Kosova – Kurrë pjesë e Serbisë: E vërteta historike e mohuar me qëllim

June 16, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Në diskursin ndërkombëtar, e sidomos në narrativën politike të Beogradit, shpesh përsëritet pretendimi se “Serbia e ka humbur Kosovën”. Ky është një manipulim i qëllimshëm, një gënjeshtër historike dhe politike që synon ta paraqesë Kosovën si pronë të ligjshme serbe – gjoja të grabitur padrejtësisht. Në të vërtetë, Kosova nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë në kuptimin juridik, por një territor i pushtuar përmes dhunës dhe i mbajtur me represion për më shumë se një shekull.

I. Pushtimi i Kosovës më 1912: fundi i sundimit osman, jo fillimi i të drejtës serbe

Në tetor të vitit 1912, ushtria e Mbretërisë së Serbisë pushtoi Kosovën – atëherë ende pjesë e Perandorisë Osmane – pa asnjë bazë ligjore ndërkombëtare që do t’i garantonte asaj sovranitet mbi këtë territor. Raportet ndërkombëtare të kohës, si ai i Komisionit të Carnegie-s (1913), dëshmojnë krime masive ndaj popullsisë shqiptare: masakra, dëbime, djegie dhe grabitje.

Ky pushtim ushtarak, si çdo formë tjetër kolonializmi, nuk krijon të drejtë sovrane. Serbia nuk fitoi asnjëherë legjitimitet mbi Kosovën, por vetëm kontroll të imponuar me forcë.

II. Politika e kolonizimit dhe serbizimit (1912–1941)

Pas pushtimit, Serbia dhe më pas Mbretëria e Jugosllavisë zhvilluan një politikë të planifikuar të kolonizimit me serbë e malazezë, në përpjekje për të ndryshuar strukturën demografike të Kosovës. Ligjet për kolonizim (1920–1939) shpërndanë prona shqiptare te kolonët sllavë, duke ndjekur një strategji të qartë etnospastrimi. Shkollat shqipe u mbyllën, gjuha dhe kultura shqiptare u shtypën, ndërsa mijëra shqiptarë u dëbuan drejt Turqisë.

Kjo ishte një dhunë sistematike dhe e qëllimshme – një përpjekje për ta bërë Kosovën “tokë serbe” përmes zhdukjes së shqiptarëve si element përbërës.

III. Kosova në Jugosllavi: autonomi kushtetuese, jo pjesë “natyrore” e Serbisë

Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova u përfshi në Federatën Jugosllave si krahinë autonome formalisht brenda Serbisë, por me status të veçantë kushtetues, që kulmoi me Kushtetutën e vitit 1974. Ajo kishte institucione vetëqeverisëse, përfaqësim federal dhe kompetenca të barasvlershme me republikat tjera.

Vetëm në vitin 1989, me ardhjen e Sllobodan Millosheviqit, Serbia suprimoi këtë autonomi përmes dhunës – një grusht kushtetues i shoqëruar me dërgimin e ushtrisë në Kuvendin e Kosovës dhe shuarjen e institucioneve shqiptare. Ky akt ishte i pavlefshëm juridikisht dhe u kundërshtua nga shqiptarët me krijimin e institucioneve paralele, duke dëshmuar se Kosova as atëherë nuk ishte pjesë e Serbisë, por një entitet që rezistonte ndaj kolonizimit të brendshëm.

IV. Lufta 1998–1999 dhe ndërhyrja e NATO-s: fundi i sundimit kolonial serb

Në fund të viteve ’90, Serbia intensifikoi represionin ndaj shqiptarëve. Mbi 13 mijë civilë u vranë, qindra mijëra u dëbuan dhe u kryen dhjetëra masakra – nga Prekazi e deri në Krushë, Mejë e Reçak. Këto krime tregojnë se Serbia nuk ushtronte autoritet sovran, por sundim me anë të terrorit.

Ndërhyrja e NATO-s në mars 1999, e bazuar në parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare, dëshmoi refuzimin ndërkombëtar të sundimit serb mbi Kosovën dhe hapi rrugën për çlirimin dhe ndërtimin e institucioneve të reja.

V. Pavarësia e vitit 2008 dhe opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë përmes një procesi të mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se kjo shpallje nuk shkelte asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare. Pra, bota u bind: Kosova nuk është “ndarë” nga Serbia, por është çliruar nga një pushtues.

VI. Narrativa serbe: manipulim për qëllime diplomatike

Serbia ka ndërtuar një narrativë të qëllimshme, ku paraqitet si viktimë që “e humbi Kosovën” për shkak të ndërhyrjes së jashtme. Ky narrativ përdoret në të gjitha frontet – në dialogun me BE-në, në raportet me Rusinë e Kinën dhe në përpjekjet për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Por kjo gjuhë nuk bazohet në fakte juridike, as në realitetin historik. Ajo synon të mbulojë krimet dhe të legjitimojë pretendime që kurrë nuk kanë ekzistuar.

VII. Rreziku i pranimtarisë së kësaj narrative

Përdorimi i shprehjes “Serbia e ka humbur Kosovën” është i dëmshëm dhe i rrezikshëm, sepse:

-e shndërron çlirimin e Kosovës në një kontestim territorial;-

relativizon luftën për liri dhe sakrificën e popullit shqiptar;-

inkurajon Serbinë të vazhdojë politikën mohimit dhe pengimit diplomatik.

Ky është një fyerje për viktimat, për UÇK-në, për ndihmën ndërkombëtare dhe për vetë parimet mbi të cilat është ndërtuar shtetësia e Kosovës.

VIII. Çfarë duhet të bëjë Kosova?

Kosova duhet të ndërtojë dhe artikulojë me vendosmëri një kundër-narrativë mbi tre shtylla:

  1. E vërteta historike – duke risjellë raportet dhe faktet mbi pushtimin dhe represionin (1912–1999);
  2. E drejta ndërkombëtare – me theks në parimin e vetëvendosjes dhe legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë;
  3. Gjuha e çlirimit, jo e ndarjes – Kosova nuk është ndarë nga Serbia, por është çliruar nga një sundim kolonial.

Mbyllje: E vërteta si bazë e mbrojtjes së shtetësisë

Shtetësia e Kosovës nuk është një “favor” i dhuruar, por një realitet i fituar me gjak, qëndresë dhe vizion kombëtar. Kosova nuk është “humbje” e Serbisë – sepse Serbia nuk e ka pasur kurrë. Prandaj, çdo përfaqësim ndërkombëtar, çdo deklaratë diplomatike dhe çdo tekst akademik duhet të mbështetet mbi këtë të vërtetë thelbësore.

Të thuash se Serbia “e humbi” Kosovën është njësoj si të thuash se një hajdut ka humbur shtëpinë që kishte zaptuar me dhunë. Jo – shtëpia iu kthye pronarit të saj të ligjshëm.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT