• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

Vrasja e Vëllezërve Bytyçi, një krim i vërtetë shtetëror që nuk harrohet kurrë

June 14, 2025 by s p

Imer Xhemail Lladrovci/

Javën e kaluar isha në New York me ftesë të “Vatrës” për të përuruar atje librin tim “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese”. Sivjet në korrik, bëhen plotë 26 vjet nga vrasja e Vëllezërve Bytyçi në Serbi, pra më tepër se një çerekshekulli, një kohë me të vërtetë e gjatë. Si shqiptar nga Europa, që ka kaluar Atlantikun e gjerë, e kisha si detyrim moral që t‘u bëja nderim te varret e tyre këtyre shqiptarëve idealistë që erdhën në Kosovë për të luftuar, eshtrat e të cilëve prehen në tokën e largët amerikane, në Nju Jork që nga marsi i vitit 2003, kur u rivarrosën pas nja 3 vjet pas vrasjes së tyre në korrik të vitit 1999. E njihja mirë historinë e tyre familjare dhe individuale, luftën e tyre në UÇK dhe vrasjen banditeske të tyre prej zyrtarëve serbë nga libri i Uk Lushit “Shqiptaro-Amerikanët e UÇK-së: Kronikë e Batalionit “Atlantiku”. Në këtë libër jepen shumë të dhëna për jetën e tyre dhe për kohën kur ata më s‘jetonin, por si çështje e madhe e të drejtave të njeriut si qytetarë amerikanë ishin me interes për publikun.

Kufijtë shtetërorë, siç dihet, janë barriera që pengojnë qarkullimin e njerëzve, të ideve dhe mallërave. Gjithmonë kanë qenë të tillë. Ata u shpikën në epokën e shtetit kombëtar, kinse për të mbrojtur ekonominë dhe kulturën e kombeve. Një bilanc i më vonshëm i këtyre parametrave tregon se dëmet jorrallë ishin më të mëdha se përfitimet, sepse kështu u krijuan provinca të zhvillimit të të mendjes dhe të ekonomisë kombëtare. Por kufijtë kanë edhe një anë tepër të pazakontë, sepse mund të shërbejnë edhe për gjëra makabre, siç janë vrasjet si një sanksion ekstrem për shpërfilljen e tyre. Nga pikëpamja formale, shkelja e tyre, nuk paraqet ndonjë gjë të madhe. Por nuk është vetëm forma publike që e përcakton ndëshkimin. Ana formale e ndëshkimit nuk mund të jetë më shumë se kundërvajtje, gjë që edhe ndodhi kur u dënuan Vëllezërit Bytyçi me nga 15 ditë burg. Por, ajo që ngjau pastaj në burg, i kalon kufijtë e përfytyrimit tonë për legalitetin, sepse ndëshkimi ishte në shpërputhje të plotë me peshën e veprës. Vrasja e Vëllezërve Bytyçi në Prishtinë u kthye në një lëndë për lloj-lloj legjendash.

Një Zot e di se çfarë u sajua nga nevoja për të futur pak logjikë në këtë kaos, e çka ishte produkt i agjenturave që përmes legjendës i mbulonin gjurmët e tyre të krimit shtetëror. Disa thonin se Vëllezërit Bytyçi ishin në një mision të fshehtë në Serbi. Kundërargumenti se sikur këto hamendësime të ishin të vërteta, ata do të mund të dënoheshin me shumë vjet burg, por jo të vriteshin, i hiqte këtyre spekulimeve çdo të drejtë. Operacione të fshehta ka pasur gjithmonë, por protagonistët nuk janë vrarë kështu me gjakftohtësi si në rastin e Vëllezërve Bytyçi. Kështu mbetet vetëm mendimi i vetëm i arsyeshëm se kufiri shtetëror i Kosovës me Serbinë i shërbente pengimit të njëanshëm të qarkullimit të njerëzve dhe ideve. Ky ishte qëndrimi i atëhershëm i politikës serbe ndaj Kosovës, ku ajo e kishte humbur nga 12 qershori i vitit 1999 çdo të drejtë për përcaktuar rrjedhat politike dhe sociale atje. Serbët bëheshin sikur e kishin fituar luftën, por ata thellë-thellë e dinin se e kishin humbur atë, madje, për më keq, kishin kapitulluar. Kjo vetëdije për poshtërimin shkaktonte një pezm të madh ndaj fitimtarit dhe shqiptarëve. Ky qëndrim politik i Beogradit zyrtar ndaj kufirit ndryshonte kur vinte puna te qarkullimi i mallërave serbe: Serbia nuk donte që ta humbte tregun lukrativ kosovar për gjërat që prodhonte ajo. Vetëm se edhe ky qarkullim nuk duhej të përcaktohej nga parimi i reciprocitetit. Në ato vite Kosova kishte një ekonomi të shkatërruar, kështu që vështirë se do të mund të prodhonte diçka të denjë për eksport. Por gjendja mund të ndryshonte me kalimin e viteve. Sot, edhe pas një çerekshekulli nga përfundimi i luftës, ka më shumë qarkullim të njerëzve dhe të ideve, por mallërat nuk qarkullojnë ende sipas parimit të reciprocitetit.

Serbia përmes tyre fut në Kodovë sasi të madhe mallërash, por nuk lejon hyrjen e mallërave kosovare në tregun e saj me masa të ndryshme administrative në kufi. Kosovarët jashtë dërgojnë me qindramilionë euro në vit në Kosovë, por kjo para nuk qarkullon brenda Kosovës, për të shtuar aty mirëqenien ekonomike të banorëve të saj, por në pjesën më të madhe shpenzohet për blerjen e mallërave ushqimore serbe. Kështu që mund të thuhet deri në njëfarë mase se vetë shqiptarët tërthorazi e financojnë politikën kundërshqiptare të Beogradit, pa llogaritur këtu edhe dëmin që shkaktohet prej konsumit të mallërave jo cilsorë, ndonjëherë edhe helmues. Para pak kohësh shumë vende të BE-së dhe Rusia i kthyen shumë mallëra bimore në Serbi për shkak të tejkalimit të normës së materjeve toksike në to. Fermerët serbë përmes blerjes së pesticideve të lira pa dashur i kishin helmuar bimët që i eksportonin në BE e në Rusi. Shkurt, ne mblejmë mallëra serbe, por nuk ndodh edhe e kundërta. Mungon ende reciprociteti si parim themelor këmbimi mes palëve të barabarta. Ky është realiteti ekonomik që prodhojnë kufijtë tanë me Serbinë edhe në ditët e sotme. Në vitin 1999 ishte shumëherë më keq se tani.

Por, për Vëllezërit Bytyçi, rrjedhojat e këtyre kufijve ishin edhe më të drejtëpërdrejta, sepse lidheshin me jetën e tyre. Ata u vranë, pse patën guximin ta thyejnë një ligj të pashkruar, një tabu: të kalonin kufirin kosovaro-serb në një kohë kur zemërimi serb për brakisjen e plotë të Kosovës nga forcat policore dhe ushtarake ishte në kulmin e tij. Ky kalim atyre iu kushtoi me jetë. Formalisht, ashtu siç e parashihnin ligjet serbe, ata u dënuan vetëm me nga 15 ditë burg, por pastaj ajo që ngjau në burg ishte e jashtëzakonshme. Ata u rrëmbyen nga burgu dhe u ekzekutuan në një vend e datë të panjohur deri më tani në Serbi dhe pastaj i varrosën në një varr masiv të të vrarëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, në Petrovosello. Unë i dija këto gjëra, por historia e tyre ka edhe një pjesë të ngatërruar postmortale, sepse ende asnjë gjykatë serbe nuk ka shpalllur një dënim për dorasit, emrat e të cilëve nuk njihen ende. Ekziston edhe një rezolutë e Kongresit Amerikan për këtë çështje. Kongresmeni Eliot Engëll ( Eliot Engel) ka pas thënë se „dua t’i them Serbisë se ky është një mësim i rëndësishëm, se pas 20 vjetësh ne (Shtetet e Bashkuara) nuk kemi harruar dhe nuk do të harrojmë kurrë. Ne do të këmbëngulim që drejtësia të triumfojë“. Por në 26 vjetorin e vrasjeve të Vëllezërve Bytyçi ende drejtësia nuk ka triumfuar.

Kongresmeni Eliot Engëll nuk jeton më dhe çështja e gjetjes dhe dënimit të dorësve apo dorasit nuk ka bërë asnjë hap përpa. Sidoqoftë, ne nuk e harrojmë asnjëherë shembullin e tyre fisnikë, ndaj dhe pikërisht për këtë gjë shkova edhe unë për t’u bërë homazhe te varret e tyre në Nju Jork. Për mua si shqiptar, befasia nuk ishte e vogël kur pashë me sytë e mi stemën e UÇK-së të gdhendur në gurin e secilit prej varreve të tre Vëllezërve dëshmorë. Kisha menduar se këtë stemë mund ta hasja vetëm në gurëvarret e dëshmorëve dhe heronjëve që i kishin varret e tyre në Kosovë, por, ja, që, areali i shpërnarjes së kësaj steme që tregon diçka të madhe paska shtrirje ndërkontintale. Në Europë nuk gjen askund varre të tilla. Jo pse nuk ka shqiptarë që janë varrosur në ato vende dhe që kanë rënë në fushën e betejës në një kohë kur, edhe po të doje, nuk mund të varroseshe në atdhe, por sepse vendet mikpritëse nuk e lejonin një formë të tillë të varrimit „provokues“. Në Europë, me sa duket, ka ende një tjetër ndjeshmëri për miniimperializmin serb. Disa shtete druajnë nga politika e jashtme serbe, nga reagimet e saj fulminante, disa të tjera ende ruajnë një lloj mirëkuptimi të fshehtë për imperializmin rajonal serb, sidomos kur ai lidhet me shqiptarët.

Vëllezërit Bytyçi ishin lindur dhe rritur në Amerikë dhe, pavarësisht se kishin luftuar për çlirimin e Kosovës nga serbët, ende nuk i njihnin mirë marrëdhëniet serbo-shqiptare. Ata kujtonin se lufta tashmë kishte përfunduar me një epilog të qartë, kështu që nuk shihnin asnjë arsye për një hakmarrje serbe. Vëllezërit Bytyçi, siç e dimë në ndërkohë, u vranë nga shteti serb. Një proces gjyqësor që filloi kundër dy serbëve nja 5-6 vjet pas aktit të vrasjes, u ndërpre me arsyetimin se i akuzuari kryesor nuk gjendej në Serbi. Supozohej se ai kishte ikur nga Serbia në Rusi, por, pas një kohe mediat zbuluan vendqëndrimin e tij në Budvë të Malit të Zi, në një kohë kur Mali i Zi nuk ishte më pjesë e shtetit jugosllav, por shtet më vete. Shihet, qartazi që mungon vullneti politik për dënimin e krimeve të luftës.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi ishin pjesëtar të batalionit „Atlantiku“. Ata morën pjesë nė luftën e Kosovës nga prilli i vitit 1999 e deri në fund. Në korrik të vitit 1999 i përcollën në Serbi dy familje jevge që ishin kujdesur për shpëtimin e një pjese të familjes së tyre që jetoi gjatë luftës në Prizren. Jevgjët shpëtuan nga vrasja nënën e tyre Bahrije, vëllaun Fatos e motrën Bukurije Bytyçi gjatë luftës, por donin tė shpërnguleshim në Serbi në një kohë kur në Kosovë ekzistonte një klimë e egër hakmarrjeje ndaj jevgjëve që kishin bashkëpunuar me serbët.

Filed Under: Komente

Parada e 250 vjetorit të ushtrisë dhe koincidenca që i shqetëson demokratët

June 14, 2025 by s p

Koment nga Rafael Floqi 

Kundërshtarët e administratës së Presidentit Donald Trump do të mblidhen në qindra qytete të shtunën gjatë paradës ushtarake në Uashington për të shënuar 250-vjetorin e Ushtrisë, e cila përkuaka me ditëlindjen e Trump.

Protestat “Pa Mbretër”

Protestat “Pa Mbretër” do të zhvillohen për të kundërshtuar atë që organizatorët thonë se “janë planet e Trump për të ushqyer egon e tij në ditëlindjen e tij të 79-të dhe Ditën e Flamurit. “Pa Mbretër” do të vijë pas disa ditësh protestash mbarëkombëtare kundër bastisjeve federale të imigracionit, përfshirë në Los Angeles, ku vendosja e Gardës Kombëtare nga Trump i acaroi më tej kundërshtarët e tij.

Guvernatori i Teksasit Greg Abbott po ndjek sinjalin e presidentit. Abbott tha të enjten se ka urdhëruar vendosjen e më shumë se 5,000 trupave të Gardës Kombëtare të Teksasit, së bashku me më shumë se 2,000 policë shtetërorë, në përgjigje të demonstratave të vazhdueshme dhe në përgatitje për protestat “Pa Mbretër”.

Festimi i ditëlindjes së Ushtrisë ishte planifikuar tashmë. Por më herët këtë pranverë, Trump njoftoi qëllimin e tij për ta rritur aktivitetin duke përfshirë tanke beteje 60 tonëshe M1 Abrams dhe obusë vetëlëvizëse Paladin që lëvizin nëpër rrugët e qytetit. Ai ka kërkuar prej kohësh një shfaqje të ngjashme të forcës patriotike.  

Tema e lëvizjes  “Pa Mbretër” u orkestrua nga Lëvizja 50501, një lëvizje kombëtare e përbërë nga amerikanë demokratë “me sindromën kundër Trump” që mbështesin “demokracinë” dhe kundër asaj që ata e quajnë veprime autoritare të administratës Trump. Emri 50501 qëndron për 50 shtete, 50 protesta, një lëvizje.

Lëvizja “No King” lindi si një revoltë kundër autoritarizmit, por përfundoi si një klub fansash që e mbante Trump-in në fronin e artë të Twitter-it, ndërsa betoheshin se po luftonin për demokraci. Ata nuk donin mbret, thoshin, por për çudi, vetëm një “biznesmen të ndershëm” që e falte veten para se ta dënonte ndokush tjetër. Në fund, s’kishin më nevojë për kurorë — mjaftonte një kapelë “Make America Great Again” për të sunduar mbi gjithë popullin.

Protestuesit kanë bërë thirrje që Trump të “rrëzohet nga froni” ndërsa i krahasojnë veprimet e tij me ato të një mbreti dhe jo të një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Pse po protestojnë të shtunën?

Dita e Sfidës “Pa Mbretër” është organizuar për të hedhur poshtë autoritarizmin, politikën që vë në plan të parë miliarderët dhe militarizimin e demokracisë së vendit, sipas një deklarate nga organizatorët.  Organizatorët synojnë që protestat të kundërshtojnë festimin e 250-vjetorit të Ushtrisë – të cilin Trump e ka përshpejtuar për të përfshirë një paradë ushtarake të kushtueshme dhe luksoze. Ngjarja do të përfshijë qindra automjete dhe avionë ushtarakë dhe mijëra ushtarë. Gjithashtu, rastësisht është ditëlindja e tij e 79-të dhe Dita e Flamurit.

Një shfaqje të ngjashme të forcës patriotike.  

Ndërkohë Tanket janë vendosur në vend dhe gati për t’u nisur. Gardhet dhe barrierat janë ngritur. Në rrugët e Uashingtonit është vendosur një shtresë mbrojtëse metalike.

Dhe më shumë se 6,000 trupa janë gati të marshojnë pranë Sheshit Kombëtar për të nderuar 250-vjetorin e Ushtrisë të shtunën, që është edhe ditëlindja e 79-të e Presidentit Donald Trump.  Me përgatitjet e kryera mirë, një e panjohur e madhe është moti. Parashikohet shi, kështu që ekziston mundësia që parada të ndërpritet nga stuhitë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha të enjten se me shi apo me diell, parada do të vazhdojë. Por mund të vonohet nëse ka rrufe.

“Sido që të jetë, do të zhvillohet një festë historike e anëtarëve tanë të shërbimit ushtarak!” tha Kelly në një deklaratë.

Festimet njëditore që festojnë Ushtrinë janë planifikuar në Sheshin Kombëtar — me lojtarë të NFL-së, gara fitnesi dhe shfaqje — që kulmojnë me paradën, e cila vlerësohet të kushtojë 25 deri në 45 milionë dollarë. Ushtria pret që deri në 200,000 njerëz të presin. Një zonë e veçantë shqyrtimi po krijohet për presidentin, ku ai do të vëzhgojë çdo formacion ndërsa kalon pranë Shtëpisë së Bardhë. Një total prej 6,169 ushtarësh, si dhe 128 tanke të Ushtrisë, transportues të blinduar personeli dhe artileri do të parakalojnë para presidentit dhe shikuesve, ndërsa 62 avionë do të kalojnë sipër.

Parada do të tregojë historinë e Ushtrisë, duke filluar me Betejën e Lexingtonit – beteja e parë e Luftës Revolucionare – dhe do të vazhdojë deri në ditët e sotme.

Çdo konflikt do të ketë 150 trupa me kostume të periudhës, të ndjekura nga një seksion prej qindra trupash me veshje moderne. Gjatë disa javëve të fundit, planifikuesit e Ushtrisë kanë punuar se si ta caktojnë kohën saktësisht në 90 minuta, tha zëdhënësi i Ushtrisë Steve Warren.   Planifikuesit fillimisht provuan të marshonin trupa pesë përtej dhe 12 deep – por parada zgjati shumë. Për ta arritur kohën e saktë, çdo seksion do të ketë ushtarë që marshojnë shtatë përtej dhe 10 thellë, tha Ëarren. Kjo do të thotë, për shembull, se Lufta Civile zgjat saktësisht tre minuta e 39 sekonda dhe Lufta e Dytë Botërore zgjat 6 minuta e 22 sekonda.

Pastaj janë tanket. Për tifozët, 8 minuta e 23 sekonda në procesion, do të shfaqet tanku i parë Renault i Luftës së Parë Botërore.

Krahasuar me tanket e sotme, Renault-ët janë të vegjël dhe pothuajse duken si një armë robotike nga “Terminatori”. Por ato ishin inovative për kohën e tyre, të lehta dhe mundësonin lëvizjen në luftën vdekjeprurëse të llogoreve të atij konflikti. Avioni i parë do të fluturojë sipër duke filluar nga 13 minuta e 37 sekonda në paradë, duke përfshirë dy bombardues B-25 Mitchell, katër avionë luftarakë P-51 Mustang dhe një C-47 Skytrain. Procesioni do të vazhdojë drejt Luftës së Gjirit, luftës kundër terrorizmit dhe kohës moderne, duke shfaqur tanket M1A2 Abrams të Ushtrisë dhe transportues të tjerë trupash, si Automjeti Taktik i Lehtë i Përbashkët dhe automjeti luftarak Stryker. Do të ketë edhe gjashtë Sisteme Raketash Artilerie me Lëvizshmëri të Lartë, ose HIMARS – lëshuesit e raketave të lëvizshëm që janë vlerësuar shumë nga Ukraina ndërsa është mbrojtur kundër pushtimit të Rusisë.

Një shfaqje masive e fuqisë ajrore të Ushtrisë do të fillojë pas 48 minutash, kur një paradë e gjatë ajrore e helikopterëve UH-60 Black Hawk, AH-64 Apache dhe CH-47 Chinook fluturojnë sipër kokës ndërsa historia e Ushtrisë ndryshon drejt luftës së saj të ardhshme.

Parada pritet të fillojë në orën 6:30 pasdite, dhe organizatorët kanë thënë se do të zgjasë 90 minuta. 

90 minuta paradë njё ditë protesta

Ndërkohë protestuesit do të kënaqin egon e tyre duke thënë : “Flamuri nuk i përket Presidentit Trump. Ai na përket neve”, thotë faqja e internetit “Pa Mbretër”. “Më 14 qershor, ne do të shfaqemi kudo ku ai nuk është – për të thënë, pa frone, pa kurora, pa mbretër.” Por këto përpjekje janë gati qesharake, pasi përvjetori i 250 i ushtrisë më të fuqishme të botës nuk vjen për ditë sado të shqetësuar për koincidencën e kalendarit.

Protesta në gati 2,000 vende janë planifikuar në të gjithë vendin, nga blloqet e qyteteve deri te qytetet e vogla, nga shkallët e gjykatave deri te parqet komunitare. Sado të thërrasin “pa mbret” shumica demokratike ka zgjedhur një president dhe lavdia e këtij përvjetori është e Amerikës dhe jo e Trumpit

Reagimi i pritur i Trumpit

Reagimi i Trump ndaj lëvizjes “No Kings” do të ishte diçka në stilin e tij klasik, si:

“No Kings? Lajm i rremë. Katastrofë totale. Këta njerëz thonë që s’duan mbret, por më luten që të rikandidoj. Besomëni, ata duan një mbret, dhe duan këtë mbret. Lëvizje e jashtëzakonshme, por njerëz shumë të hutuar. Trishtueshëm!”

I pyetur nga një gazetar për mendimet e tij mbi protestat e ardhshme “Pa Mbretër”, Trump u përgjigj: “Nuk ndihem si mbret. Duhet të kaloj nëpër ferr për të marrë miratimin e gjërave.

Lëvizja “Pa Mbretër” — krenarisht pa udhëheqës, por çuditërisht gjithmonë e drejtuar nga dikush me një podcast — ka shpallur me heroizëm luftë ndaj hierarkisë, ndërsa ndërton një hierarki perfekte për të përcaktuar se kush është më anti-hierarki. Të armatosur me slogane si “Poshtë Autoriteti!” dhe me bluza revolucionare të shitura me çmime borgjeze, ata mblidhen çdo javë në kafene artizanale për të denoncuar strukturat e pushtetit duke përdorur smartphone të prodhuar nga perandori korporatash. 

Ëndrra e tyre? Një botë ku askush nuk sundon — përveçse moderatorëve të grupit në WhatsApp.

Filed Under: Ekonomi

Dukuri të artit ushtarak të shfaqura në Luftën e Dibrës

June 14, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Pjesa II

Përcaktim i drejtimit të goditjes kryesore

Forcat kryengritëse përcaktuan drejtimin e goditjes kryesore, përqëndruan forcat e mjetet e shumta në këto drejtime dhe në pika të caktuara, dhe pse ishin inferiore në raportin e forcave, arritën të krijojnë epërsie ose të zbusin raportin e forcave. Kryengritja e gusht-shtatorit e 1920-s e bërë nga populli i Dibrës kundër pushtuesit serb luajti një rol të rëndësishëm edukativ dhe mobilizues për periudhat e mëvonshme. Së pari, u rrënjos edhe më tepër te masat e popullit urrejtja për pushtuesin e huaj, i cili e tregoi fytyrën e vërtetë prej shtypësi e vrasësi. Së dyti, u shtua dhe u forcua edhe më shumë ndjenja e patriotizmit të masave të popullit. U forcua dhe u shtua edhe më shumë bashkëpunimi tradicional midis dibranëve dhe kosovarëve në luftë me të njëjtin armik. Së treti, spikati trimëria, guximi deri në vetëmohim dhe heroizmi masiv i malësorëve dibranë që në kushtet e pushtimit, pa marrë parasysh sakrificat në njerëz dhe në ekonomi, u përleshën me një ushtri të rregullt, të armatosur më së miri dhe në numër shumë herë më të madh. Së katërti, u provua dhe një herë aftësia luftarake dhe taktika popullore. Së pesti, u demaskua reaksioni vendas. Së gjashti, u hodhën poshtë akuzat falso të qarqeve të larta të borgjezisë serbe mbi “egërsinë” e dibranëve, të cilët, megjithëse kishin pësuar shumë në kurrizin e tyre, u sollën në mënyrë njerëzore ndaj të plagosurve dhe robërve duke i mjekuar ushqyer e përcjellë deri në destinacion. Së shtati, u bënë përpjekje, sado të kufizuara, për të bashkërenditur veprimtarinë me qarqet politike maqedone që vepronin kundër politikës serbomadhe, për mevetësinë e Maqedonisë. Së fundi, u bë e qartë për elementët e mashtruar, esadistë të Dibrës, se politika e serbëve ndaj Shqipërisë ishte një politikë armiqësore dhe çdo bashkëpunim i mëtejshëm me ta ishte në dëm të interesave kombëtare.

Mësymja në përgjithësi filloi nga rajonet malore dhe u drejtua mbi garnizone dhe qendra të vogla, sipas vendimit të kuvendit, çetat dhe forcat luftarake u nisën në drejtimin e objektivit të mësymjes sikurse ishin përforcimet serbe. Luftëtarët ju afruan objektit në kolona marshimi dhe rreth 2 km pranë objektit të sulmit, ndalonin në vende të maskuara. Këtu pas njohjes me terrenin dhe objektivat, përcaktuan detyrën luftarake për luftim dhe kohën kalimit në sulm me sinjale. Sulmet zakonisht ishin rrethore dhe të vrullshme mbi garnizonin. Brenda ditës luftimet ishin të përfunduara dhe me fitor të forcave kryengritëse.

Mbrojtja zakonisht fillonte kur luftëtarët kishin kapur pozicione të rëndësisë taktike dhe deri operative dhe ishin afër rajoneve të fortifikuara. Mbrojtja e luftëtarëve u karakterizua gjithmonë nga manovra e shpejtë dhe krahëmarrëse. Pikënisja e luftimeve ishte ndeshja në një vijë dhe pozicion të caktuar terreni, ku luftëtarët organizuan mbrojtje, prita dhe kurthe.

Forcat kryengritëse kaluan në mësymje dhe duke realizuar objektivat operativë me metodat taktike, me goditje të njëpasnjëshme, e nga disa drejtime duke shfrytëzuar sistemin e mbrojtjes armike të përbërë nga garnizone të veçuara, me largësi ndërmjet tyre, si dhe përfituar nga karakteri i thyer i terrenit.

Në rezultat të pushtimit të garnizoneve ushtarake fortifikuese kur armiku u përqëndrua, forcat kryengritëse duke e njohur armikun, në forca e mjete dhe në mbrojtjen e fortifikuar, u përqëndruan në mënyrat e sulmit mbi objektet e fortifikuara. Objektivat u arritën duke gërshetuar drejt sulmet e vazhdueshme me karakter shqetësues, raskapitës e demostrativ, me veprime mësymëse të të gjitha çetave në kushtet e luftës frontale për shpërthimin e rajoneve të fortifikuar. Në këtë mënyrë u shmang luftimi pozicional, u përdorën metoda aktive, dinamike që ndikuan në kompesimin në forca e mjete të luftëtarëve, i dhanë luftës karakter vendimtar duke çuar në shpartallimin e armikut superior dhe çlirimin e Peshkopisë dhe të Dibrës.

Realizimi i disa masave të maskimit, si një nga tiparet e artit taktik, bëri që përgatitja e çetave në fshehtësi dhe shpejtësi, të ishte parësore në drejtim. Risi e re ishte kalimi i pengesave, i transheve deh i luftimeve trup me trup. Masa luftarake të marra nga njëra anë, si dhe qëndrimi në pozicione i ushtrisë serbe, e vunë komandën serbe përballë të papriturave duke u bërë faktor i rëndësishëm për suksesin.

Çështja e furnizimit me ushqime e materiale të tjera luftarake ishte një ndër problemet e ndërlikuara që u zgjidhën në luftë e sipër. Duke vlerësuar kushtet e vështira të furnizimit, u përcaktua si e vetmen zgjidhje, mbështetja në forcat e çdo fshtai për çetën e vet. Burim kryesor i furnizimit u bënë fshatrat e Dibrës. Masa e gjërë e fshatarësisë, megjithëse mjaft e varfër vunë në dispozicion të forcave kryengritëse të gjitha sendet e nevojshme ushqimore, blegtorale e bujqësore e siguruan ndihma të konsiderueshme dhe për mjaft materiale të tjera. Burim shumë i rëndësishëm për furnizimi u bë dhe armiku, sidomos për armatim e municion. Sigurimi i armatimit duke ia rrëmbyer armikut në fushën e luftës, ishte një nga objektivat kryesore të planit të komandës së forcave kryengritëse, veçanërisht gjatë fazën e parë të luftës, i cili u realizua me shumë sukses dhe i përmirësoi në mënyrë të ndjeshme kushtet e armatimit të Forcave Kryengritëse gjatë fazës së dytë të luftës.

Taktika e luftimit përdori forma e metoda orgjinale që u mbështetën në traditën e pasur luftarake të popullit dhe që u mbajtën parasysh në format e organizimit ushtarak e shkallën e pajisjes me teknikë luftarake të Forcave Kryengritëse. Forcat Kryengritëse gërshetuan drejt taktikën e luftës në front të rregullt me format e metodat e luftës tradicionale. Taktika u shqua nga aktiviteti, dinamizmi dhe shpirti sulmues. Nëpërmjet goditjeve të befasishme, sulmeve natën, vendosmërisë në luftim, manovrueshmërisë e shfrytëzimit të terrenit, përdorimit me shpirt krijues i mjeteve rrethanore, etj., Forcat Kryengritëse kapërxyen pengesat me tela, shpërthyen pozicionet e fortifikuara dhe zgjidhin detyra të vështira në luftim. U bënë veçori e taktikës sulmet e pandërprera me forca të kufizuara, që nuk i lanë forcat serbe të merrnin frymë, i mbajtën në panik e në tension të vazhdueshëm nervor dhe u siguruan forcave kryengritëse iniciativën. Në Luftën e Dibrës përdorim të gjerë morën veprimet luftarake mësymëse, por në momente të caktuara u përdorën dhe luftimet mbrojtëse. Taktika e luftimeve mbrojtëse u karakterizua gjithashtu nga qëndrueshmëria, aktiviteti, ndërtimi i kurtheve, pritave etj.

Lufta e Dibrës e viteve 1920-1921 tregoi vitalitetin dhe energjinë luftarake të një populli që u ngrit në këmbë për të mbrojtur me gjak lirinë dhe pavarësinë e vet. Kjo luftë u bë një thesar i paçmuar i traditave luftarake të tij, u trashëgua e u ngrit në një shkallë të lartë nga formacionet partizane të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Këto tradita, kjo përvojë duhet të mësohen e të njihen nga ushtarakët e të gjitha strukturat e sigurisë në interes të rritjes së aftësive luftarake e të përdorimit me mjeshtëri në fushën e luftës të formave e metodave të luftimit sa më të gjalla e më të larmishme.

Filed Under: Histori

FAN NOLI – REBELI, STARTON NË BOSTON

June 14, 2025 by s p

* FAN NOLI – REBELI, ndërsa i fton lexuesit të udhëtojnë në vitet “noliane”, është jo vetëm një mjet i mirë njohës për aktivitetin diplomatik të Fan Nolit, por edhe një burim informacioni shumë i dobishëm, interesant dhe informues për vitet kur vendi ndodhej në udhëkryqe të shumta të historisë!

– BOSTON, 08 Qershor 2025

Nga, Abedin KAJA

Në Katedralen “Shën Gjergji”- Boston, e themeluar nga imzot Fan Noli, e njohur ndryshe edhe si kisha e Nolit, ditën e diel u organizua takimi promovues i librit: FAN NOLI- REBELI, i autorit Ilir Ikonomi.

Eventit i parapriu një dokumentar prej 6 minuta përgatitur nga autori i librit Ilir Ikonomi.

Nëpërmjet dokumentarit, të pranishmit u njohën me aktivitetin e Nolit, në vitet 1920-1924, si dhe udhëtimin e autorit në arkivat e shtetit shqiptar, Austri, Gjermani, Arkivin e Nolit në Katedralen “Shën Gjergji” etj.

Ky libër vjen pas botimit dhe publikimit të një tjetër libri të studiuesit Ikonomi: “FAN NOLI – Apostulli” i promovuar më 16 mars 2024, në një nga ambientet e Universitetit të Harvardit.

Ndërkohë që pritet edhe vëllimi i tretë i librit, gazetarin e VOA, Ilir Ikonomi, njëherazi studiues i personaliteteve me kontribute të çështjes shqiptare, të fillim të shekullit XX-të, e bëjnë Konomin biografin më të mirë të figurës shumëpërmasore, Theofan Stiliano Noli, njëherazi personalitetet i spikatura në fushën e diplomacisë, letërsisë, historisë dhe të klerit ortodoksë shqiptar.

Ashtu si edhe në librin “Fan Noli-Apostulli”, edhe në këtë libër autori nëpërmjet “rebelit” Fan Noli ka arritur të sjellë ngjarje, personazhe, realitete njerëzore, situata dhe ambiente diplomatike ku zhvilloheshin ngjarje të vrullshme, për kohën e vorbullët ku ndodhej Shqipëria, jo vetëm për shkak të problemeve të brendshme, por edhe prej fqinjëve dhe fuqive të mëdha që e kërcënonin deri në mosekzistencë Shqipërinë e viteve 1920.

Në faqet e librit mësojmë përpjekjet e jashtëzakonshme të Nolit, që siç na shprehet autori, adhuronte heroin tonë kombëtar Skënderbeu dhe Napoleon Bonopartit, dhe mbase ëndërronte të ishte po aq i sukseshëm sa edhe ata.

Autori I. Konomi thot se librat studimor për Nolin janë mbështetur në të dhënat e shumta të nxjerra nga arkivat e Shqipërisë, ShBA-ve, Italisë, organet e shtypit shqiptar e të huaj, si dhe nga kujtimet e bashkëkohësve, të botuara, dorëshkrim etj.

Në dinamikën e ngjarjeve të shumta, ku F. Noli është një nga aktorët relevant, autori Ikonomi, pa shprehur vlerësimin e tij ideor, por referuar burimeve arkivore, veç guximit dhe mençurisë nuk nguron të vërë në dukje gabimet e “rebelit” Noli nga njëra anë dhe vlerat e kundërshtarëve të tij nga ana tjetër.

Në libër, autori shkruan se Kryeministri Sulejman Delvina dhe regjenti Sotir Paci kishin kërkuar që mos të lejohej Noli të hynte në Shqipëri në korrik 1920, sepse si pas tyre ishte një peshkop i shpallur në rrugë jo kanonike, por rebele.

Kundër tyre u shpreh Ahmet Zogu, ministër i Brendshëm, por që në fakt për nga forca e vendimmarrjes ishte gati Kryeministër.

Zogu vlerësonte aftësitë Nolit dhe kërkoi që ai të zgjidhej ministër i Jashtëm më 1921, fakt që Ikonomi vetëm e vë në dukje, pa shprehur vlerësimi personal për të. 

Në vitet 1923-1924, kur Noli e shpalli Ahmet Zogun armik të përbetuar, dhe ngulte këmbë që ai të largohej patjetër nga atdheu; Ikonomi e kritikon indirekt Nolin, duke i kujtuar se Ahmet beu kishte qenë politikani që e kishte vlerësuar më shumë se të tjerët, por nuk ndalet për të dhënë vlerësimin e tij ndaj këtij qëndrimi të Nolit.

Edhe në rastin kur Luigj Gurakuqi doli kundër propozimit për ta zgjedhur Nolin kryeministër më 16 qershor 1924, çështje që u zgjidh me lotari.

Ikonomi nuk jep mendimet e veta për ta kritikuar qëndrimin e Gurakuqit, bashkëpunëtorit të afërt të Nolit.

Në fillim të qershorit 1924, kur gjithë anëtarët e qeverisë të trembur nga marshimi i forcave revolucionare drejt Tiranës ikën jashtë atdheut më 7 deri 8 qershor, vetëm Ahmet Zogu qëndroi në Tiranë deri më 10 qershor me 200 trimat e tij. Autori nuk komenton, por nuk rri pa e quajtur këtë akt të kundërshtarit të Nolit, “akt trimërie”.

Intersant është fakti që autori sjell në libër lidhur me Revolucion Demokratik të Qershorit, revolucion që solli Nolin Kryeminstër.

Më 17 qershor, kur Noli njoftoi qeveritë e huaja se krijoi një “qeveri librale, përfaqësuese të aspiratave të vërteta të popullit shqiptar drejt demokracisë”, autori shton se qeveria e tij ishte qeveri “laramane e përbërë nga demokratë, ushtarakë dhe bejlerë”. Më tej Ikonomi ndërsa ngre ppikëpyetjembi legjitimitetin e qeverisë, le të nënkuptohet se qeveria e Nolit nuk ishte legjitime. Këtë mendim ai e shtjellon më tej duke sjellë fakte konkrete, si mosmarrje e votëbesimit të kabinetit sipas statutit, i cili përcaktonte se çdo qeveri e re duhej të dilte para Asamblesë Kushtetuse brenda tri ditësh mbas formimit të saj; se përndryshe ajo do të ishte thjesht qeveri e përkohshme. Legjimilitetin ia dobësonte qeverisë së Nolit, shton autori, edhe fakti se ajo erdhi në fuqi me ndihmën e ushtrisë, gjë që e ndërlikonte njohjen e saj prej shteteve të huaja. Qeveria e Nolit nuk u betua as formalisht para regjentët të vetëm, Sotir Pecit.

Përmes faqeve të librit, mësojmë se Noli i ka njohur vetes disa të meta të karakterit, si “pazotësi për intriga”,

apo “besnikëri absurde ndaj njerëzish të pabesë dhe të korruptuar”.

– Gjithashtu, autori ka renditur momente të Nolit diplomat dhe ligjërues elitar në Lidhjen e Kombeve, kohë kur më 1920, me aftësitë e tij bëri për vete Lordin anglez Robert Cecil, roli i të cilit bëri që Shqipëria më 17 dhjetor 1920 të pranohet anëtare e Lidhjes së Kombeve.

Filed Under: ESSE

12 QERSHOR, 1987 – THIRRJA NË BERLIN E PRESIDENTIT RONALD REAGAN: “Zoti Gorbachov, shëmbe këtë mur”

June 13, 2025 by s p

A stone wall with metal railings

AI-generated content may be incorrect.

Nga Frank Shkreli 

A person standing at a podium with a flag behind him

AI-generated content may be incorrect.

Më 12 qershor 1987, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan në fjalimin e tij në Berlinin Perëndimor i ka bërë thirrje, ish-udhëheqësit komunist të Bashkimit Sovjetik: “Z. Gorbaçov, shëmbe këtë mur!”  Ishte kjo një kërkesë e një Presidenti amerikan që hyri në historinë botërore. Por sot, fatkeqësisht, agresioni ushtarak i Rusisë putiniste në Ukrainë na kujton në mënyrë të dhimbshme, se paqja e shpresuar asokohe duket edhe sot një mundësi e largët për Evropën dhe për botën. Po sjell në kujtesë këtë fjalim historik të ish-Presidentit Reagan nëpërmjet një shkrimi që kam botuar në qershor, 2012, por me disa përditësime për ta bërë më aktual.

Ditët e fundit në median shqiptare përflitet për një raport të Bashkimit Evropian(BE)mbi Shqipërinë – ndërsa thuhet se ky raport që pritet të botohet, zyrtarisht, brenda disa ditësh — më në fund – i thotë gjërat pa dorëza, ashtu siç janë aktualisht në Shqipëri. Ndër të tjera, raporti i BE-së paralajmëron edhe për rrezikun e ndikimeve të huaja në Shqipëri, me lloj-lloj mënyrash e ndërhyrjesh, të dukshme të padukshme. Një fenomen për të cilin, në mënyrën time modeste, jam munduar të sjell vëmendjen ndaj këtij rreziku për Shqipërinë e Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithsi, pothuaj 15-vite më parë. Fjala është për ndikimet dhe ndërhyrjet e Rusisë e të Kinës, por edhe të autoritarëve të tjerë ballkanas e botërorë. Këto ndikime të huaja kanë gjetur livadh për të kullotur dashakeqsit e interesave të Kombit shqiptar – një një hapësirë ku rreziku i brendëshëm – mos funksionimi i shtetit në përgjithësi dhe mungesa e lirive bazë dhe vlerave demokratike në veçanti, përfshirë zgjedhjet e lira — krijon vetvetiu një atmosferë të favorshme për ndërhyrje të dëmshme nga regjime absolute të huja.


ZGJOHU O SHQIPTAR!
Kujdes klyshët e Rusisë dhe ndikimet e tjera të huaja në trojet iliro-arbërore shqiptare!  

Ndërsa isha duke shkruar këtë rreshta, vura se se në median shqiptare nuk u përmend fare përvjetori i fjalimit të Presidentit Reagan në Belirn më 12 qershor, 1987 – fjalim që konsiderohet si fillimi i mbarimit që çoi në shembjen e Murit të Berlinit.  Përveç Ambasadës gjermane në Tiranë, as ndonjë përfaqësi tjetër dkjpomatike në Tiranë nuk e përmendi fare këtë datë e këtë fjalim. 

“Tear down this wall!

Në fjalimin e tij më 12 qershor 1987 përpara Portës së Brandenburgut në Berlin, Presidenti Reagan i bëri thirrje liderit sovjetik Gorbaçov të hapte portën dhe të shembte murin. Ai deklaroi: “Vetëm liria të çon në prosperitet. Liria zëvendëson urrejtjen mes popujve, me konsensus dhe paqe”.. (Ambasada e Gjermanisë në Tiranë) 12 qershor, 2025

Sa shpejt harrojmë!  

A person standing at a podium with flags

AI-generated content may be incorrect.Më 12 qershor, 1987 Presidenti Reagan duke mbajtur fjalimin e tij historik drejtuar banorëve të Berlinit Perëndimor, Gjermanisë dhe gjithë botës.

Kur Z. Ronald Reagan filloi nga detyra e presidentit të Shteteve të Bashkuara në janar 1981qindëra miliona njerëz nga perandoria komuniste e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Evropa Lindore, vuanin nën diktatura të ndryshme regjimesh komuniste. Regjimi komunist sovjetik kërcënonte botën me mijëra armë bërthamore dhe ndihmonte lëvizjet komuniste anë e mbanë botës, të cilat përpiqeshin që, me forcë, të vendosnin në fuqi regjime komuniste edhe në shtete të ndryshme të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine. Me 12 qershor 1987, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan viziton Berlinin dhe para portës Brandenburg mbajti fjalimin historik, ndoshta, sipas disa ekspertëve më i rëndësishmi i presidencës së tij, me të cilin sfidoi botën komuniste dhe udhëheqësin e atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbaçov duke iu drejtuar me fjalët: “Zoti Gorbaçov, nëqoftëse kërkon paqë, nëqoftëse dëshiron begati për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, nëqoftëse kërkon liberalizim, eja tek kjo portë. Zoti Gorbaçov, hape këtë portë.  Zoti Gorbaçov, shëmbe këtë mur.”


Presidenti Reagan, në atë fjalim, që sipas gazetës më të madhe gjermane Bild, ishte një fjalim që “ndryshoi botën”, ka shtuar gjithashtu se “Krushovi më 1950-at kishte parashikuar se do të ‘varroste’ Perëndimin. “Por”, ish-presidenti amerikan ai që ka theksuar në atë fjalim se, “në Perëndim sot ne shohim një botë të lirë e cila ka realizuar një nivel begatie dhe mirëqënjeje për popujt e vetë, e pashëmbullt në histori. Në botën komuniste, ne shohim dështime, prapambetje teknologjike, rënie të standardeve në shëndetësi, madje edhe mungesë ushqimi. Sot, Bashkimi Sovjetik gjithnjë nuk mund të ushqejë popullin e vet. Kështuqë, para botës, sot shpaloset një e vërtetë e pashmangshme dhe e pamohueshme: se liria të çon drejt begatisë, se liria zëvendëson armiqësitë e vjetra midis shteteve. Liria është triumfuesja’’, ka thënë, ndër të tjera, Presidenti Reagan, 38 vjetë më parë në Berlin.

Parë, historikisht, në të vërtetë, ky fjalim ishte në vazhdimësi të politikës së jashtme anti-komuniste të Presidentit Reagan, tonin e së cilës ai e kishte përcaktuar në një fjalim tjetër, që kishte mbajtur pesë vjet më parë në Pallatin Uestminstër të Londrës, ku kishte deklaruar para botës shpresën e tij: “Për marshimin e lirisë dhe të demokracisë”, duke thënë se bota gjëndej në një pikëkthesë historike, se komunizmi si ideologji politike dhe ekonomike, ka devijuar. Kishte dështuar, pikërisht, sepse shtypte lirinë dhe nuk respektonte të drejtat e popujve që sundonte. Fjalimi historik i Presidentit Reagan në Berlin 38 vjet më parë, nuk i drejtohej, vetëm Berlinit dhe Gjermanisë, por gjithë botës komuniste, duke venë në pyetje legjitimitetin e regjimit sovjetik dhe të gjitha regjimeve komuniste të Evropës Lindore e Qëndrore. 

Nga fundi i vitit 1989, pothuaj të gjitha diktaturat komuniste në Evropën Qendrore e Lindore ishin përmbysur dhe më 1991, Bashkimi Sovjetik u shpërnda dhe shumica e vendeve të reja të pavarura ish-sovjetike, filluan të marshonin drejt demokracisë.  Fjalimi i Presidentit Reagan, që për kohën konsiderohej si një sfidë e guximshme dhe serioze ndaj ish-udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov –një thirrje që të provonte me vepra — se ai ishte serioz për zbatimin e politikës reformiste të “Perestrojkës’’ dhe “Gllasnost-it’’ — që predikonte në atë kohë udhëheqësi sovjetik. 

Sipas shumë historianëve, ky fjalim shikohet gjithashtu edhe si një pikëkthesë në periudhën e luftës së ftohtë, sepse nxiti dhe rriti moralin dhe shpresat, jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por dhe anë e mbanë Evropës Lindore dhe Qendrore, pasi, sipas tyre, kjo ishte një thirrje për t’u zgjuar dhe për të rivendosur ndërgjegjen dhe besimin në vetvete. Fjalimi, që disa e patën konsideruar si provokues për kohën, dihet tani se kishte shkaktuar mosmarrëveshje madje edhe në radhët e zyrtarëve të administratës së Presidentit Reagan, disa javë para se të mbahej në Berlin. Fjalimi ishte shkruar nga një shkrimtar në moshë të re i Shtëpisë së Bardhë i quajtur Peter Robinson. Por këshilltarët e lartë të mbrendshëm dhe diplomatë të Presidentit Reagan kundërshtonin përdorimin, pikërisht të thirrjes, tanimë të famshme: “Zoti Gorbaçov, shëmbe këtë mur…’’. Sepse mendonin ata, një thirrje e tillë publike nga Presidenti Reagan do të dobësonte pozicionin politik të Zotit Gorbaçov, brenda në Kremlin. Por sipas ish-ndihmësit të tij, Ken Duberstinë, megjithë kundërshtimet nga këshilltarët e tij më të lartë, Zoti Reagan, më në fund, vendosi vetë që kjo thirrje të mbetej pjesë e fjalimit, ndonëse ishte shprehur se, “do të ç’mendë diplomatët e Stejt Departmentit, por megjithë këtë, unë do ta përdor’’, u kishte thënë Reagan këshilltarëve të tij të ngushtë.

Presidenti Reagan dhe para se të bëhej president i Shteteve të Bashkuara ishte shprehur se Muri i Berlinit nuk duhej të ishte ndërtuar kurrë. Si governator i Kalifornisë ai kishte mbajtur qëndrimin se telat me gjëmba që komunistët kishin vendosur fillimisht për të ndarë Berlinin perëndimor nga ai lindor, duhej të ishin hequr menjëherë. Ai kishte shprehur gjithmonë neveritjen e tij me ndërtimin e Murit të Berlinit dhe ishte i vendosur të bënte çdo gjë të mundur për ta rrëxuar atë mur megjithëse skeptikët ishin të shumtë si në Evropë ashtu edhe në Amerikë — se shëmbja e atij muri nuk mund të sillte ndonjë ndryshim të madh në Berlin ose në Evropë. Por në këtë 38-vjetor të fjalimit, mund të thuhet se të gjithë skeptikët ishin gabim dhe se Presidenti Reagan kishte të drejtë. Ish-këshilltari i Presidentit Reagan për çështje të sigurimit Kombëtar, Frank Carluçi është cituar të ketë thënë para se të mbahej fjalimi në Berlin, se thirrja që Presidenti Reagan i ka bërë ish-udhëheqësit sovjetik për të shembur Murin e Berlinit, “Është një fjali shumë e mirë, por një gjë e tillë nuk do të ndodhte kurrë.” Megjithkëte, ky fjalim sot konsiderohet si njëri ndër më të rëndësishmit në historinë e Amerikës e ndoshta edhe në historinë e botës.  

38- vjetë pas fjalimit të Presidentit Reagan në Berlin, bota përballet sot me probleme të reja politike, ekonomike dhe të sigurimit. Në  mungesë të udhëheqsve botërorë si Reagan dhe Gorbachov, madje, madje këto sfida, në krahasim me ato të shekullit të kaluar, mund të jenë edhe më të mëdha e më të rrezikshme dhe më të pa-parashikueshme.  Për t’u ballafaquar me këto sfida, Shtetet e Bashkuara dhe bota kanë nevojë për një udhëheqës si Ronald Reagan, i cili me optimizmin dhe vendosmërinë e tij, me besimin në vlerat, aftësitë dhe fuqinë e këtij vendi, do të mund të përballen dhe të përballojnë sfidat e sotme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Frank Shkreli

A stone wall with metal railings

AI-generated content may be incorrect.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT