
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/
Pjesa II
Përcaktim i drejtimit të goditjes kryesore
Forcat kryengritëse përcaktuan drejtimin e goditjes kryesore, përqëndruan forcat e mjetet e shumta në këto drejtime dhe në pika të caktuara, dhe pse ishin inferiore në raportin e forcave, arritën të krijojnë epërsie ose të zbusin raportin e forcave. Kryengritja e gusht-shtatorit e 1920-s e bërë nga populli i Dibrës kundër pushtuesit serb luajti një rol të rëndësishëm edukativ dhe mobilizues për periudhat e mëvonshme. Së pari, u rrënjos edhe më tepër te masat e popullit urrejtja për pushtuesin e huaj, i cili e tregoi fytyrën e vërtetë prej shtypësi e vrasësi. Së dyti, u shtua dhe u forcua edhe më shumë ndjenja e patriotizmit të masave të popullit. U forcua dhe u shtua edhe më shumë bashkëpunimi tradicional midis dibranëve dhe kosovarëve në luftë me të njëjtin armik. Së treti, spikati trimëria, guximi deri në vetëmohim dhe heroizmi masiv i malësorëve dibranë që në kushtet e pushtimit, pa marrë parasysh sakrificat në njerëz dhe në ekonomi, u përleshën me një ushtri të rregullt, të armatosur më së miri dhe në numër shumë herë më të madh. Së katërti, u provua dhe një herë aftësia luftarake dhe taktika popullore. Së pesti, u demaskua reaksioni vendas. Së gjashti, u hodhën poshtë akuzat falso të qarqeve të larta të borgjezisë serbe mbi “egërsinë” e dibranëve, të cilët, megjithëse kishin pësuar shumë në kurrizin e tyre, u sollën në mënyrë njerëzore ndaj të plagosurve dhe robërve duke i mjekuar ushqyer e përcjellë deri në destinacion. Së shtati, u bënë përpjekje, sado të kufizuara, për të bashkërenditur veprimtarinë me qarqet politike maqedone që vepronin kundër politikës serbomadhe, për mevetësinë e Maqedonisë. Së fundi, u bë e qartë për elementët e mashtruar, esadistë të Dibrës, se politika e serbëve ndaj Shqipërisë ishte një politikë armiqësore dhe çdo bashkëpunim i mëtejshëm me ta ishte në dëm të interesave kombëtare.
Mësymja në përgjithësi filloi nga rajonet malore dhe u drejtua mbi garnizone dhe qendra të vogla, sipas vendimit të kuvendit, çetat dhe forcat luftarake u nisën në drejtimin e objektivit të mësymjes sikurse ishin përforcimet serbe. Luftëtarët ju afruan objektit në kolona marshimi dhe rreth 2 km pranë objektit të sulmit, ndalonin në vende të maskuara. Këtu pas njohjes me terrenin dhe objektivat, përcaktuan detyrën luftarake për luftim dhe kohën kalimit në sulm me sinjale. Sulmet zakonisht ishin rrethore dhe të vrullshme mbi garnizonin. Brenda ditës luftimet ishin të përfunduara dhe me fitor të forcave kryengritëse.
Mbrojtja zakonisht fillonte kur luftëtarët kishin kapur pozicione të rëndësisë taktike dhe deri operative dhe ishin afër rajoneve të fortifikuara. Mbrojtja e luftëtarëve u karakterizua gjithmonë nga manovra e shpejtë dhe krahëmarrëse. Pikënisja e luftimeve ishte ndeshja në një vijë dhe pozicion të caktuar terreni, ku luftëtarët organizuan mbrojtje, prita dhe kurthe.
Forcat kryengritëse kaluan në mësymje dhe duke realizuar objektivat operativë me metodat taktike, me goditje të njëpasnjëshme, e nga disa drejtime duke shfrytëzuar sistemin e mbrojtjes armike të përbërë nga garnizone të veçuara, me largësi ndërmjet tyre, si dhe përfituar nga karakteri i thyer i terrenit.
Në rezultat të pushtimit të garnizoneve ushtarake fortifikuese kur armiku u përqëndrua, forcat kryengritëse duke e njohur armikun, në forca e mjete dhe në mbrojtjen e fortifikuar, u përqëndruan në mënyrat e sulmit mbi objektet e fortifikuara. Objektivat u arritën duke gërshetuar drejt sulmet e vazhdueshme me karakter shqetësues, raskapitës e demostrativ, me veprime mësymëse të të gjitha çetave në kushtet e luftës frontale për shpërthimin e rajoneve të fortifikuar. Në këtë mënyrë u shmang luftimi pozicional, u përdorën metoda aktive, dinamike që ndikuan në kompesimin në forca e mjete të luftëtarëve, i dhanë luftës karakter vendimtar duke çuar në shpartallimin e armikut superior dhe çlirimin e Peshkopisë dhe të Dibrës.
Realizimi i disa masave të maskimit, si një nga tiparet e artit taktik, bëri që përgatitja e çetave në fshehtësi dhe shpejtësi, të ishte parësore në drejtim. Risi e re ishte kalimi i pengesave, i transheve deh i luftimeve trup me trup. Masa luftarake të marra nga njëra anë, si dhe qëndrimi në pozicione i ushtrisë serbe, e vunë komandën serbe përballë të papriturave duke u bërë faktor i rëndësishëm për suksesin.
Çështja e furnizimit me ushqime e materiale të tjera luftarake ishte një ndër problemet e ndërlikuara që u zgjidhën në luftë e sipër. Duke vlerësuar kushtet e vështira të furnizimit, u përcaktua si e vetmen zgjidhje, mbështetja në forcat e çdo fshtai për çetën e vet. Burim kryesor i furnizimit u bënë fshatrat e Dibrës. Masa e gjërë e fshatarësisë, megjithëse mjaft e varfër vunë në dispozicion të forcave kryengritëse të gjitha sendet e nevojshme ushqimore, blegtorale e bujqësore e siguruan ndihma të konsiderueshme dhe për mjaft materiale të tjera. Burim shumë i rëndësishëm për furnizimi u bë dhe armiku, sidomos për armatim e municion. Sigurimi i armatimit duke ia rrëmbyer armikut në fushën e luftës, ishte një nga objektivat kryesore të planit të komandës së forcave kryengritëse, veçanërisht gjatë fazën e parë të luftës, i cili u realizua me shumë sukses dhe i përmirësoi në mënyrë të ndjeshme kushtet e armatimit të Forcave Kryengritëse gjatë fazës së dytë të luftës.
Taktika e luftimit përdori forma e metoda orgjinale që u mbështetën në traditën e pasur luftarake të popullit dhe që u mbajtën parasysh në format e organizimit ushtarak e shkallën e pajisjes me teknikë luftarake të Forcave Kryengritëse. Forcat Kryengritëse gërshetuan drejt taktikën e luftës në front të rregullt me format e metodat e luftës tradicionale. Taktika u shqua nga aktiviteti, dinamizmi dhe shpirti sulmues. Nëpërmjet goditjeve të befasishme, sulmeve natën, vendosmërisë në luftim, manovrueshmërisë e shfrytëzimit të terrenit, përdorimit me shpirt krijues i mjeteve rrethanore, etj., Forcat Kryengritëse kapërxyen pengesat me tela, shpërthyen pozicionet e fortifikuara dhe zgjidhin detyra të vështira në luftim. U bënë veçori e taktikës sulmet e pandërprera me forca të kufizuara, që nuk i lanë forcat serbe të merrnin frymë, i mbajtën në panik e në tension të vazhdueshëm nervor dhe u siguruan forcave kryengritëse iniciativën. Në Luftën e Dibrës përdorim të gjerë morën veprimet luftarake mësymëse, por në momente të caktuara u përdorën dhe luftimet mbrojtëse. Taktika e luftimeve mbrojtëse u karakterizua gjithashtu nga qëndrueshmëria, aktiviteti, ndërtimi i kurtheve, pritave etj.
Lufta e Dibrës e viteve 1920-1921 tregoi vitalitetin dhe energjinë luftarake të një populli që u ngrit në këmbë për të mbrojtur me gjak lirinë dhe pavarësinë e vet. Kjo luftë u bë një thesar i paçmuar i traditave luftarake të tij, u trashëgua e u ngrit në një shkallë të lartë nga formacionet partizane të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Këto tradita, kjo përvojë duhet të mësohen e të njihen nga ushtarakët e të gjitha strukturat e sigurisë në interes të rritjes së aftësive luftarake e të përdorimit me mjeshtëri në fushën e luftës të formave e metodave të luftimit sa më të gjalla e më të larmishme.