• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2026

115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË

March 10, 2026 by s p

Me nder dhe krenari ju ftojmë të festojmë këtë datë historike për kombin tonë.

📅 18 Prill | ⏰ Ora 7:00 PM

📍 Royal Regency Hotel, Yonkers NY

🎶 Këndojnë: Malësori & Viki

🎟 Hyrja:

• Të rritur: $120

• Fëmijë: $50

(Darkë dhe open bar)

📞 Për rezervime:

Agron Lulgjuraj – (914) 319-1959

Kolë Cacaj – (917) 667-7471

Ramiz Nikaj – (917) 294-9656

👉 Të gjithë janë të mirëseardhur!

Filed Under: Emigracion

U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit

March 10, 2026 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

“Në një tokë të huaj, ju bëheni një copëz Atdheu për fëmijët tanë. Dhe për këtë, mirënjohja jonë është e pafund dhe përgjithmonë.” Qemal Zylo

Në mjediset tejet komode në “Nicotra’s Ballroom”, Hilton Hotel në Staten Island, z. Qemal Zylo, themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, një aktivist i shquar për 30 vite në Diasporë, organizoi një festë-spektakël në Ditën e Shenjtë të Mësuesit dhe të Gruas. Rreth 250 pjesëmarrës erdhën plot respekt dhe dashuri për këtë ditë të shenjtë kombëtare të Mësuesit dhe festuam së bashku me krenari.

Shkollat Shqipe “Alba Life”, rrjeti më i madh i shkollave në diasporë, janë në vitin e 19‑të dhe të suksesshme. Ato nderojnë çdo kontribut të mësueseve dhe njëkohësisht përkujtojnë Martirët e Gjuhës Shqipe.

Sa martirë mësues u helmuan, u dogjën, u varën për GJUHËN SHQIPE nga patrikanatet e zeza greke, serbe dhe turke! Mësueset e “Alba Life” mbjellin fara në kopshtin e Gjuhës Shqipe që mund të mos i shohim gjithmonë të rriten, por që lulëzojnë në jetët tona përgjithmonë.

Me dashuri u urua edhe për Ditën e Gruas, pasi çdo grua është një kujtesë e fuqisë, mençurisë dhe bukurisë së shpirtit femëror. Ajo është nënë që rrit me dashuri, motër që mbështet, mësuese që udhëzon, mike që qëndron pranë, punëtore që sfidon çdo ditë vështirësitë me forcë dhe dinjitet. Programin e moderoi me kulturë dhe art sopranoja e shquar botërore nga Dibra, e vetmja shqiptare e punësuar në Teatrin e Shkupit në Maqedoninë e Veriut dhe ish‑udhëheqëse artistike e Shkollave “Alba Life”, Deshira Ahmeti.

Përshëndetje e Z. Qemal Zylo me rastin e Festave të 7–8 Marsit, 2026

Të dashur pjesëmarrës në këtë mbrëmje argëtuese sa spektakolare aq edhe familjare, të organizuar nga TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” – Ambasador i Kombit,

Sot përkulem me respekt dhe mirënjohje të thellë para çdo mësuesi, që me zemër të madhe dhe shpirt të palodhur mban gjallë dritën e dijes në zemrat e fëmijëve tanë.

Po me aq përulje jam për nënat, gratë dhe motrat tona që festojnë Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe ju uroj atyre këtu dhe anembanë botës ta gëzojnë përjetësisht! Një duartrokitje për të gjitha zonjat që na kanë nderuar me ardhjen e tyre këtu në sallë.

Si themelues i Shkollave Shqipe në New York, e ndiej çdo ditë peshën dhe bukurinë e misionit tonë: të ruajmë gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar larg atdheut. Dhe ju, mësuese të dashura, jeni forca që e bëni këtë mision të mundur.

Pas çdo shkronje të mësuar, pas çdo poezie të recituar, pas çdo fjale shqip të thënë me krenari, pas çdo vallëzimi tradicional qëndron përkushtimi, durimi dhe dashuria juaj e pakushtëzuar. Ju nuk jepni vetëm mësim — ju mbillni rrënjë, ndërtoni ura dhe ndizni shpresë.

Ju falënderoj dhe ju shpreh mirënjohjen e pafund mësueseve të vitit akademik 2025–2026 që mësojnë shqip në të gjithë Shtetin e Nju Jorkut dhe online:

Staten Island: Entela Muda, Elona Shkreta, Brooklyn: Fatlinda Bajcinca Gashi, Rozeta Hyseni

Bronx: Helena Ujkaj, Erinda Isufaj, Migena Lelaj, Queens: Nazelie Djaloshi, Genta Cakaj Albany: Ida Mazzitto, Online: Gresila Basha

Tre mësuese të nderuara të “Alba Life” u vlerësuan me mirënjohje nga Asambleisti Charles Fall

Me propozim të Drejtorisë së Shkollave “Alba Life”, sot u nderuan me Mirënjohje të Veçantë tre mësueset e vitit akademik 2025–2026:

Mësuese Elona Shkreta

E ardhur nga Tirana, e licencuar nga shteti amë dhe sot mësuese në shkollën publike amerikane. Ka punuar me profesionalizëm, përkushtim dhe besnikëri prej disa vitesh në Shkollën “Alba Life” në Staten Island, që është edhe fidanishtja e shkollave “Alba Life”. Klasat e saj kanë qenë gjithmonë të pranishme dhe numri i nxënësve ka ardhur në rritje.

Mësuese Fatlinda Gashi Bajçinca Gashi

E ardhur nga Prishtina, me një karrierë të shkëlqyer si Drejtore në Komunitetin Europian dhe mësuese me master në Prishtinë. Klasa e saj e të rriturve në Brooklyn është shtuar në numër falë seriozitetit, përkushtimit, durimit dhe profesionalizmit. Në vitin 2026 u dallua në gjithë Nju Jorkun për numrin e lartë të studentëve. Besnikëria ndaj Gjuhës Shqipe e nderon këtë zonjë.

Mësuese Helena Ujkaj

E ardhur nga Korça, me një karrierë të pasur në mësimdhënie, me master dhe profesionalizëm të lartë. Punon me atdhedashuri, durim dhe përkushtim në Misionin Kombëtar në Bronx. Puna e saj shihet qartë në numrin e lartë të nxënësve, kujdesin për Gjuhën Shqipe, dashurinë e tyre dhe të prindërve. Bashkëpunimi i saj në këtë mision e nderon dhe i shprehim mirënjohjen tonë.

Falënderime të veçanta

Me mirënjohje të thellë i shprehim falënderimet tona Asambleistit z. Charles D. Fall, Zëvendëskryetar i Mazhorancës në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut. Inkurajimi dhe vlerësimi i tij kanë shumë rëndësi për mësuesit tanë, të cilët punojnë pa u lodhur për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe edukimin brenda komunitetit tonë.

Mbështetja e tij forcon misionin tonë. Në emër të komunitetit tonë shkollor, e falënderojmë përzemërsisht!

Falënderim shkon edhe për z. Fitim Shabani, shefi i kabinetit të Assemblyman Charles Fall.

Po ashtu ju transmetoj përshëndetjen e Ambasadores Dr. Suela Janina në Kombet e Bashkuara, e cila më ka dërguar në pamundësi për të ardhur sot në këtë mbrëmje, pasi në të njëjtën kohë zhvillohet edhe një event tjetër në Kombet e Bashkuara ku ajo përfaqëson Republikën e Shqipërisë.

Falënderoj 4 artistët e shquar që do të na argëtojnë sot: si Dëshira Ahmeti, Valbona Peraj, Hajro Ceka, Agim Gerbeshi, grupin muzikor Ceka, DJ Odise Salillari, që është një nga bashkëpunëtorët dhe kontribuesit më të vjetër të “Alba Life”. Falënderoj sopranon e shquar Deshira Ahmeti Kerliu, ish‑drejtuese artistike për disa vite dhe sot moderatore e kësaj mbrëmjeje.

Falënderoj kameramanët Eddie dhe Aaron Suka të studios së shquar dhe medias “Alba Pro”, me pronar Amir Suka, fitues i 5 çmimeve Emmy, njëkohësisht drejtor dhe bashkëpunëtori ynë më i ngushtë prej shumë vitesh i TV “Alba Life”. Falënderoj bashkëpunëtorin e TV “Alba Life” z. Valon Gerbeshi, si dhe zonjushën Klodiana Serraj, që i është bashkuar kohët e fundit TV “Alba Life”.

Nderoj të gjithë mësuesit në sallë që janë pjesëmarrës në këtë aktivitet dhe ju lutem të çohen në këmbë dhe le t’i përshëndesim me një duartrokitje.

Na nderojnë sot me pjesëmarrjen e tyre z. Liman Koxha, pronar i restorantit “Sahara”, dhe znj. Drenusha e Bajram Breshaj, pronarë të nderuar të TV “ALB”, që kanë qenë gjithmonë mbështetës të TV dhe Shkollave “Alba Life” dhe gjithë diasporës. Falënderoj zonjën Beslira Kambe, prind i përkushtuar i Shkollave Shqipe “Alba Life”, që na ndihmoi me dekoracionin dhe rezervimin e një tavoline. Po ashtu falënderoj ata që rezervuan nga një tavolinë si: Mikeljan Agolli, Violeta Likollari, Lumturi Jenisheri, Fatlinda Mashkulli, Tina Lecevic, Suada Saliu Gashi, Besa Lushaj, Albana Sata, Elsa Hoxha e të tjerë.

Në këtë ditë të shenjtë, sipas traditës së mrekullueshme të “Alba Life” për 19 vjet radhazi, ju dhurojmë mësueseve të këtij viti akademik nga një buqetë me lule në shenjë respekti dhe mirënjohjeje.

Ftoj mësueset që janë prezent sot: Entela Muda, Elona Shkreta, Fatlinda Bajcinca Gashi, Rozeta Hyseni, Helena Ujkaj, Erinda Isufaj, Migena Lelaj, Kozeta Zylo dhe Dr. Valbona Zylo Watkins, si dhe Valbona Peraj, Drejtuese Artistike e “Alba Life”, Deshira Ahmeti Kerliu, ish‑Drejtuese Artistike, si dhe dy ish‑mësueset në Shkollën “Alba Life” në Bronx që marrin pjesë në këtë mbrëmje: znj. Mehrije Shala dhe Davida Hasanaj, për t’i nderuar me nga një tufë me lule.

Duke e mbyllur këtë përshëndetje, ju uroj:

Gëzuar Ditën e Shenjtë të Mësuesit dhe Festën e Grave!

Programi vazhdoi me ndarjen e luleve nga z. Zylo për të gjitha mësueset dhe artistet, dhe një foto me të gjitha mësueset!

Nxënësja brilante e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në Bronx, Eliona Shala, interpretoi këngën: “Oj Kosovë, sa fort të dua!”

Nxënësja tjetër e mrekullueshme dhe plot talent në Shkollën Shqipe “Alba Life” në Staten Island, Bora Alikaj, interpretoi poezinë “Çamëria”.

Pjesëmarrësit me plot entuziazëm, dashamirësi u argëtuan me këngëtarët e shquar Dëshira Ahmeti, Hajro Ceka, Valbona Peraj, Agim Gërbeshi, të shoqëruar nga muzikantët Samy Ceka dhe DJ inxh. Salillari.

Aktiviteti, si dhe intervistat e marra nga Klodiana Serraj, do të transmetohen së shpejti në kanalet televizive në paketën digitale TV “ALB”.

Filed Under: Reportazh

Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

March 10, 2026 by s p

Dr. Iris Halili/

Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan së bashku 7 Marsin – Ditën e Mësuesit dhe 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në një atmosferë të ngrohtë mirënjohjeje dhe respekti për gratë dhe mësueset e komunitetit tonë.

Gjatë kësaj feste u vlerësuan mësueset e përkushtuara të Klubit “Flas Shqip”, Liliana Rrumbullaku dhe Bella Pando, të cilat me dashuri dhe përkushtim mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare tek fëmijët tanë.

Me një vlerësim të veçantë u nderua zonja Uarda Seli e cila u shpall “Mamaja Shembull” dhe model për Klubin “Flas Shqip”, për përkushtimin dhe angazhimin e saj në mbështetje të fëmijëve që ndjekin këtë klub.

Po ashtu, zonja Valbona Bushi u vlerësua me titullin “Gruaja e Sakrificës”, si simbol i forcës, përkushtimit dhe dashurisë së një nëne që frymëzon komunitetin tonë.

Zonja Tina Jakupiu vlerësua me një mirënjohje të veçantë për ndihmën e pakursyer që ajo dhe familja e saj i japin Klubit “Flas Shqip” dhe Vatra Miami.

Çmimin e madh “Gruaja e Vitit 2026” nga Vatra Miami e fitoi zonja Vera Zenelaj, e cila është shpallur bankierja private më e suksesshme në shtetin e Floridës në J.P. Morgan Chase, si dhe e pesta në rang të Shteteve të Bashkuara. Ky çmim iu dha jo vetëm për suksesin e saj profesional, por edhe për mbështetjen e vazhdueshme që ajo i jep komunitetit shqiptar dhe për angazhimin e saj pranë Vatra Miami dhe Klubit “Flas Shqip”.

Është gjithmonë kënaqësi të vlerësojmë gra të arrira, sepse së bashku ndërtojmë një komunitet më të fortë dhe më të suksesshëm. Gruaja e vërtetë e suksesshme është ajo që arrin të lartësojë veten duke ndihmuar dhe ngritur edhe të tjerët – fëmijët, kolegët dhe komunitetin ku jeton.

Gëzuar dhe respekt për gra të tilla! 🌸

Filed Under: Komunitet

NJË FESTË E BUKUR E SHKOLLËS SHQIPE NË BOSTON

March 9, 2026 by s p

Nga Fuat Memelli/

U festua 20-vjetori i themelimit të Shkollës Shqipe “Besa”.

Kanë kaluar 20 vjet që kur në qytetin e Bostonit, një qytet me histori të madhe për komunitetin shqiptar, u regjistrua në shtet dhe u hap zyrtarisht Shkolla Shqipe “Besa”. Ishte një ëndërr e emigrantëve shqiptarë, e cila u realizua në vitin 2006. Për të festuar këtë ngjarje të shënuar, organizatorja dhe mbështetësja e kësaj shkolle, Shoqata “Mass. Besa”, kishte zgjedhur datën 7 Mars, që është edhe Dita e Mësuesit. Diku kam lexuar: “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë.”

Nxënës të shkollës, mësues, prindër e shqiptarë të tjerë u mblodhën në restorantin e shqiptarit Leo Koka në qytetin Braintree. Pas himneve të Amerikës dhe të Shqipërisë, të cilët na ngjallin emocione sa herë i dëgjojmë, e mori fjalën kryetari i Shoqatës “Mass. Besa”, Sokol Lushllari, i cili është një nga veprimtarët e palodhur të komunitetit shqiptar të Bostonit.

Ndër të tjera, ai theksoi se Shkolla Shqipe “Besa” dhe grupi i valleve “Bashkimi Dance” kanë një kontribut të veçantë për ruajtjen e identitetit kombëtar këtu në shtetin e Massachusetts. Ai falënderoi mësuesit, prindërit, vullnetarët, ish-drejtuesit e “Mass. Besës” dhe bizneset shqiptare, të cilët e kanë mbështetur shkollën shqipe, që fëmijët të mësonin shkrim e këndim në gjuhën e bukur shqipe.

Një informacion të zgjeruar për rrugëtimin e shkollës në këto 20 vite paraqiti drejtoresha aktuale e shkollës shqipe, Blerina Omari. Ajo shprehu respektin dhe mirënjohjen për nismëtarët e shkollës, të cilët ishin: Adrian Papandili, Mark Kosmo, Albana Orgocka, Enkelejda Kapia, Edlira dhe Agron Gjerasi, Fatmir Beja, Vilma Simeqi, Gentiana Pambuku, Pandeli Dhima, Rolanda Dhimitri, Oltiana Mara, Stefan Koçi dhe Arben Malaj.

“Hapja e shkollës shqipe,” – vazhdoi Blerina – “u bë me mbështetjen e veçantë të Shoqatës Mass. ‘Besa’, të kishave shqiptare në Boston, si dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës në Shqipëri. Shkolla e nisi aktivitetin e saj me dy klasa në Boston University dhe tre klasa në Katedralen e Shën Gjergjit dhe në kishën e Shën Trinisë. Në fillim kishte dy lëndë: abetare dhe gjuhë shqipe, por më pas u shtuan edhe leximi dhe matematika. Në vitin 2015, në Festivalin e Zërave të Rinj që u zhvillua në New York, nxënësit e kësaj shkolle fituan çmimin e parë me këngën që kënduan.”

Pastaj e morën fjalën vogëlushët e shkollës. Recitimet dhe këngët e tyre më ngjajnë si cicërima bilbilash. Recitimet i kushtoheshin mësuesve, gjuhës shqipe, prindërve etj. Vargjet e Naim Frashërit për gjuhën shqipe, këtë “gjuhë perëndie”, siç e quan poeti ynë i shquar, jehuan nga zërat e vogëlushëve:

Gjuha jonë sa e mirë,

Sa e ëmbël, sa e gjerë,

Sa e lehtë, sa e dlirë,

Sa e bukur, sa e vlerë!

Kënga kushtuar mësuesve, e cila këndohet prej vitesh nga fëmijët tanë, ishte pjesë e programit të tyre:

“Festën e mësuesit

Ne do ta festojmë,

Lulet më të bukura

Ne do t’i dhurojmë.”

Pas çdo recitimi e kënge, vogëlushët u “shpërblyen” me duartrokitjet e të pranishmëve. Për themeluesit e shkollës, si dhe për kontribuesit kryesorë, u dhanë dëshmi mirënjohjeje, ndërsa për kontribuesit me fonde u dhanë certifikata.

Si flutura kërcyen pastaj vajzat e grupit të valleve, duke marrë edhe ato duartrokitjet e pjesëmarrësve. Pas tyre sallën e “pushtoi” këngëtari i njohur Indrit Mlika, i cili prej vitesh vjen në Boston. Këngët dhe vallet që vazhduan gjatë ia shtuan edhe më shumë bukurinë kësaj dite të shënuar të Shkollës Shqipe “Besa”.

Filed Under: Komunitet

Kosova mes diplomacisë pasive dhe rrezikut të izolimit të heshtur: a po humbet momenti historik i ingranimit në organizma ndërkombëtar?

March 9, 2026 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Në historinë e shteteve të reja ekzistojnë momente të rralla kur rrethanat gjeopolitike ndërkombëtare krijojnë mundësi të jashtëzakonshme për avancim strategjik. Këto momente kërkojnë lidership të mençur, vizion shtetëror dhe mbi të gjitha një diplomaci aktive dhe të koordinuar me aleatët strategjikë.

Republika e Kosovës sot ndodhet pikërisht në një moment të tillë historik.

Lufta në Ukrainë dhe rritja e rivalitetit global ndërmjet demokracive liberale dhe regjimeve autoritare kanë rikthyer Ballkanin Perëndimor në qendër të vëmendjes së politikës ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Kosova ka një mundësi reale për të përshpejtuar procesin e integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si dhe për të konsoliduar më tej subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Megjithatë, kjo mundësi historike nuk shfrytëzohet automatikisht. Ajo kërkon një strategji të qartë shtetërore dhe një diplomaci energjike që vepron në mënyrë të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.

Fatkeqësisht, perceptimi që po krijohet në disa qarqe ndërkombëtare është se diplomacia e Kosovës po kalon një fazë të stagnimit dhe të pasivitetit.

Në vend të një diplomacie dinamike që synon njohje të reja, integrim më të shpejtë në organizatat ndërkombëtare dhe thellim të partneritetit strategjik me aleatët euroatlantikë, shpesh vërehet një qasje më reaktive sesa proaktive në politikën e jashtme.

Në diplomacinë moderne, pasiviteti mund të jetë po aq i rrezikshëm sa edhe gabimet strategjike.

Një nga shqetësimet që artikulohet në mënyrë joformale në disa qarqe diplomatike është se Kosova rrezikon të perceptohet si një partner gjithnjë e më pak i koordinuar me aleatët e saj kryesorë perëndimorë.

Në diplomaci, izolimi nuk ndodh gjithmonë përmes sanksioneve apo deklaratave publike. Shpesh ai shfaqet në forma shumë më subtile: në uljen e intensitetit të komunikimit politik, në zvogëlimin e mbështetjes diplomatike dhe në heshtjen e aleatëve në momentet kur mbështetja është më e nevojshme.

Kjo është ajo që në terminologjinë politike mund të quhet një lloj “izolimi i heshtur diplomatik”.

Për një shtet të vogël si Kosova, i cili ende është në proces të konsolidimit të subjektivitetit të tij ndërkombëtar, një zhvillim i tillë do të ishte tepër i rrezikshëm.

Kosova historikisht ka qenë një nga projektet më të suksesshme të bashkëpunimit ndërmjet popullit të saj dhe botës demokratike perëndimore. Pavarësia e saj është rezultat i një kombinimi unik të sakrificës së popullit të Kosovës dhe të ndërhyrjes vendimtare të aleancës euroatlantike.

Prandaj, çdo perceptim i një distance politike ndërmjet Kosovës dhe aleatëve të saj duhet të trajtohet me seriozitet maksimal.

Një diplomaci moderne shtetërore nuk ndërtohet vetëm mbi deklarata politike, por mbi veprime konkrete, mbi koordinim të vazhdueshëm dhe mbi një strategji të qartë për avancimin e interesave kombëtare.

Kosova ka nevojë për një diplomaci aktive, kreative dhe ofensive, e cila:

– do të intensifikojë përpjekjet për njohje të reja ndërkombëtare
– do të forcojë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara
– do të thellojë bashkëpunimin me NATO-n
– dhe do të përshpejtojë procesin e integrimit evropian.

Po ashtu, diplomacia e Kosovës duhet të jetë më prezente në forumet ndërkombëtare dhe në debatet strategjike globale që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Nëse Kosova arrin të ndërtojë një strategji të tillë aktive dhe të koordinuar me partnerët euroatlantikë, ajo mund ta shfrytëzojë momentin aktual historik për të bërë hapa të mëdhenj drejt konsolidimit të plotë të shtetësisë së saj.

Por nëse kjo mundësi historike shpërdorohet për shkak të mungesës së vizionit strategjik apo për shkak të përplasjeve të panevojshme politike, atëherë rreziku i stagnimit diplomatik bëhet real.

Historia e shteteve të reja tregon se momentet gjeopolitike janë të rralla dhe kalimtare.Kosova nuk ka luksin ta humbasë këtë moment.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Toka shqiptare nuk është thjesht mall: midis investimit të huaj dhe mbrojtjes së sovranitetit kombëtar
  • Princi  i gojëtarisë dhe mbledhësi i thesareve të Malësisë…
  • 80 vite nga vrasja e profesor Ymer Berishës 1912-1946
  • Arti si një shije e fituar përtej kufijve të logjikës
  • Serbia, përgjegjëse për krimet dhe dhunën ndaj shqiptarëve 1877–1999: nga dëbimet e Sanxhakut të Nishit te krimet e luftës në Kosovë
  • Filatelia e Kosovës – konsistente në promovimin e ruajtjes biodiversitetit
  • Në shërbim të atdheut!
  • “Gruaja që endej hijeve”
  • “Të kesh” dhe “të jesh”, kjo është çështja në Shqipërinë e sotme…
  • Deklaratat e ministres serbe si qasje e Beogradit ndaj Kosovës
  • Ikja e heshtur e Shqipërisë, kur një komb humbet njerëzit që ndërtojnë të ardhmen
  • Kur Kosova përçahet, Serbia ëndërron rikthimin e së kaluarës
  • Republika e pesë yjeve
  • Shqipëria e Vogël në Bronx: Një Komunitet i formuar nga historia, vështirësia dhe shtëpia
  • TURPI I NJË DEKLARATE QË SFIDON TË VËRTETËN HISTORIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT