• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2026

Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes

March 11, 2026 by s p

Prof.dr Skender Asani/

Në kujtesën historike të shqiptarëve, demonstratat e 11 marsit 1981 në Kosova përfaqësojnë një nga ato momente kur historia nuk rrjedh më vetëm si kronikë e ngjarjeve, por shndërrohet në një akt vetëdijeje kolektive. Ato nuk ishin thjesht një shpërthim spontan i pakënaqësisë studentore, por një artikulim i thellë i aspiratave të një populli për dinjitet, barazi dhe vetëvendosje. Në thelb, ato demonstrata përbënin një pikë kthese në procesin e emancipimit politik të shqiptarëve nën federatën e atëhershme jugosllave, duke e vendosur çështjen shqiptare në një horizont të ri historik dhe politik. Rinia shqiptare e asaj kohe, e frymëzuar nga idealet e lirisë dhe të drejtësisë historike, i dha zë një aspirate që kishte kohë që ishte ngjizur në ndërgjegjen kombëtare: kërkesës për një status të barabartë dhe për një të ardhme ku identiteti, kultura dhe e drejta për vetëvendosje të mos mbeteshin më në periferi të realitetit politik.

Në planin historik, demonstratat e vitit 1981 mund të kuptohen si një moment i rëndësishëm në evolucionin e rezistencës shqiptare në Kosovë, një moment kur kërkesat sociale dhe akademike u shndërruan në një platformë të gjerë politike, e cila do të ndikonte drejtpërdrejt në zhvillimet që do të pasonin në dekadat e ardhshme. Ato ngjarje nuk ishin të shkëputura nga rrjedha e historisë, por pjesë e një kontinuiteti të gjatë përpjekjesh për afirmim politik dhe kulturor. Në këtë kuptim, fryma e marsit 1981 ishte një pararendëse e proceseve që më vonë do të kulmonin me shpalljen e pavarësisë së Republika e Kosovës, duke dëshmuar se energjia e asaj lëvizjeje nuk u shua me represionin e kohës, por u transformua në një motivim të vazhdueshëm për brezat që pasuan.

Megjithatë, reflektimi mbi këtë përvjetor nuk duhet të mbetet vetëm në dimensionin memorial apo përkujtimor. Historia e demonstratave të vitit 1981 duhet të lexohet edhe si një tekst politik për kohën tonë, si një udhërrëfyes që na ndihmon të kuptojmë sfidat e së tashmes dhe të projektojmë strategjitë e së ardhmes. Nëse dikur sfida kryesore ishte mbijetesa politike dhe ruajtja e identitetit kombëtar në rrethana represive, sot sfidat janë të një natyre tjetër: konsolidimi institucional, zhvillimi demokratik, integrimi ndërkombëtar dhe ndërtimi i një shoqërie të qëndrueshme ku drejtësia, meritokracia dhe mirëqenia të jenë shtylla të zhvillimit.

Në këtë realitet të ri historik, fryma e vitit 1981 mbetet një kapital moral dhe politik që nuk duhet të mbetet i ngrirë në kujtesë, por duhet të përkthehet në një kulturë të re të përgjegjësisë politike. Elitat politike shqiptare, kudo që veprojnë në hapësirën kombëtare, duhet ta kuptojnë se legjitimiteti i tyre historik buron pikërisht nga sakrificat dhe idealet që u artikuluan në ato demonstrata. Pa vazhdimësinë e atij shpirti të përkushtimit ndaj interesit kombëtar, çdo projekt politik rrezikon të mbetet i zbrazët në përmbajtje dhe i brishtë në perspektivë.

Pikërisht për këtë arsye, sfida më e madhe e kohës sonë është ndërtimi i një kulture të re uniteti dhe pjekurie politike. Historia e shqiptarëve dëshmon se momentet më të mëdha të përparimit kanë ardhur atëherë kur energjitë kombëtare janë bashkuar rreth një vizioni të përbashkët. Në të kundërtën, fragmentarizimi dhe rivalitetet e ngushta kanë prodhuar shpesh dobësi strategjike dhe humbje të mundësive historike. Prandaj, në kohën kur rajoni dhe bota po kalojnë transformime të reja gjeopolitike, shqiptarët kanë nevojë për një kthjelltësi më të madhe politike, për një koordinim më të thellë strategjik dhe për një kulturë bashkëpunimi që e tejkalon interesin e momentit.

Në këtë kuptim, fryma e vitit 1981 duhet të rikthehet si një paradigmë morale dhe politike për brezat e sotëm. Ajo nuk është thjesht një kujtim i lavdishëm i historisë, por një thirrje për përgjegjësi. Ajo u kujton elitave politike se drejtimi i një kombi nuk është vetëm një privilegj institucional, por një barrë historike që kërkon vizion, maturi dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj së ardhmes. Pa këtë dimension etik dhe strategjik, politika rrezikon të shndërrohet në një administrim të përditshëm të interesave të ngushta, duke humbur lidhjen me idealet që e kanë ushqyer historinë kombëtare.

Prandaj, ndërsa përkujtojmë 45-vjetorin e demonstratave të vitit 1981, mesazhi që del nga kjo përvojë historike është i qartë: uniteti dhe pjekuria janë kushtet themelore për të përballuar sfidat e reja. Vetëm përmes një vizioni të përbashkët, një strategjie të menduar dhe një fryme solidariteti kombëtar mund të ndërtohet një e ardhme e qëndrueshme për shqiptarët. Sepse historia na mëson se kur fryma e lirisë, e përgjegjësisë dhe e bashkimit mbetet e gjallë në ndërgjegjen e një populli, atëherë edhe horizontet e së ardhmes bëhen më të qarta dhe më të sigurta.

Filed Under: Rajon

Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë

March 11, 2026 by s p

Arben Iliazi/

Nga biseda me të mbijetuarin e gjenocidit grek në Çamëri, 95 vjeçarin Avdul Sulejmani.

Luftrat, masakrat, dëbimi nga vendlindja, nën tytat e armëve dhe grykave të topave të një ushtrie gjakatare- terroristo-pushtuese, kanë mbetur të memorizuara në gjithë qënien e atyre çamëve që janë ende gjallë.

I mbijetuari i gjenocidit, 95 vjeçari Avdul Sulejmani, me banim në Durrës, ku ka punuar mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe për 35 vjet, jeton brenda kujtimeve, me shpresën se një ditë e kaluara e camëve do të ketë të ardhme, do të shndërrohet në shpresë.

Lindur në vitin 1931 në fshatin Varfanj të Gumenicës, xha Avduli i kujton mirë momentet kur mbërriti ushtria greke për të filluar masakrat, pasi i pa me sytë e tij kur ishte gati 14 vjeç.

Ai i ka gjithashtu të freskëta në kujtesë ato që kanë ndodhur në Çamëri. “Para se të hynin pushtuesit italianë në Greqi më 1940, çamët nga mosha 16-75 vjeç meshkuj u internuan në ishujt e Egjeut, pa e njohur pushtuesin. Midis të internuarve ishte edhe babai im. Kur filluan masakrat në qershor të vitit 1944, unë, së bashku me familjen time ishim në fshat. Na thanë erdhi ushtria greke, e komanduar nga Napoleon Zerva, dhe zuri Paramithinë. Dy javë përpara 27 qershorit, Metropoliti i Paramithisë, mori disa krerë të Paramithisë për të biseduar në mal me zervistët për të kthyer normalitetin. Garant për këtë takim u fut vetë Metropoliti, ku pjesëmarrësit morën grancinë se nuk do të pësonin gjë, por të rrinin të qetë.

Zervistët nuk pyetën kur hynë brenda, Rrini, mos ikni, u thanë paramithiotëve, jemi vëllezër, kemi kaluar mirë. Kështu që nuk iku njeri. Hëngrën dhe pinë gjithë natën. Të nesërmen, zervistët mblodhën burrat dhe filluan masakrat, i therën, vranë, bënë masakra që as gjermanët nuk i kanë bërë. Me sa u mor vesh më vonë, Zervistët kishin rënë dakord me komandën gjermane dhe i lejoi komanda gjermane të nisnin masakrat. I pari që vranë ishte Myftiu i Paramithisë”, shprehet Avdul Sulejmani, dëshmia e gjallë e masakrës ndaj Çamërisë.

Avdul Sulejmani vazhdon të tregojë mes lotësh masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe thotë i mallwngjyer: Sikur qiellin ta bësh letër dhe detin bojë nuk do të mjaftonte për të shkruar mynxyrat që kanë parë çamët nga gjenocidi grek. “Mbi 300 gra i futën në një shtëpi burg… Disa grave shtatzana u çanë barkun dhe u nxirrnin fëmijën. Burrat i çonin në shkollë, aty ishte vendi ku i mblidhnin dhe i torturonin. I vrisnin, i digjnin të gjallë. I bënin copa-copa dhe i varnin në çengela. Pastaj i hidhnin nga dritarja. Vrasjet ishin me armë të ftohta, me thika zakonisht”.

Zervistët hyë në fshatrat tona dhe filluan vrasjet në masë. Ndërsa ushtria e Zervës po afrohej, së bashku me gjyshen, tre vëllezërit dhe motrën, lamë pas vendlindjen tonë, ikëm nga Varfanji në Filat, e më pas në Lops dhe, më në fund, zbritëm në fushën e Konispolit…Kishim vetem ca qilima, që i hodhëm përsipër si strehë.. hapëm gropa septike…krijuam banjo…por shpejt vërshuan semundjet, vdekjet…morrat. Tentuam të shpëtonim nga vdekja e sigurt…Me shumë mundim mbërritëm në Gjirokastër. U nisëm më këmbë nga Gjirokastra në Fier, duke ecur me ditë të tëra… Atje na futën në një kazermë…Pastaj erdhëm në Durrës, ditën që hidhej kryqi në ujë, më 6 janar 1945. U vendosem në Plazh, te vilat e tregtarëve. Por shpejt na hoqën andej dhe na çojnë në Rashbull. Babai merrej me tregti. Shkonim në Kavajë, Shijak. Te Shkëmbi i Kavajës bënim dru…

Ëndërra më e madhe e çdo shqiptari të Çamërisë, në moshën e tij është të shohë edhe njëherë shtëpinë në Çamëri, thotë xha Avduli, gjatë bisedës që patëm. Çamët e moshuar nuk lejohen të kalojnë kufirin grek. Greqia nuk i njeh pasaportat tona. Dhe shteti e qeveria shqiptare heshtin! Pasi tentova disa herë nga kufiri Shqipëri-Greqi dhe nuk u lejova nga autoritetet greke vetëm se në pasaportë shkruhet vendlindja ime Varfanj, unë e realizova ëndërrën time pas 73 vitesh, falë emisionit “Le Iene”, disa vjet më parë, në tetor 2017, duke shkuar në shtëpinë time në Çamëri, nëpërmjet Italisë, me rrugë detare. Në shtëpi ndjeva rrahje zemre shumë…Tani le te vdes rehat…

Të mbijetuarit e gjenocidit nuk janë të përjetshëm. Çdo vit ikin në amshim. Kur ikën në amshim një plak çam është një copëz histori që digjet. I fundit që kam intervistuar në Nju Jork, dy muaj para se të ndërronte jetë, ishte ish kryetari i Shoqatës Çamëria në vitet 1997-2000, Hilmi Saqe, që e kish përjetuar tragjedinë me sytë e një fëmije 8 vjeçar. (Hilmi Saqe: Amerika më ktheu në shtëpinë time në Çamëri – Gazeta Dielli, 12 korrik 2024)

Vështirësia më e madhe në kuptimin e tragjedisë çame rrjedh nga paaftësia jonë për të bindur publikun të besojë të pabesueshmen. Zyrtarët grekë fshihen pas gishtit, duke u justifikuar ende me të ashtuquajturin “bashkëpunim të çamëve me gjermanët”. Krimet ndaj çamëve i tregojnë vetë, me gojën e tyre, historianët, shkrimtarët dhe intelektualët grekë, si Jorgos Margaritis, Jani Sharra, Niko Zhango, Dhimitri Mihallopullo.Të vërtetën për masakrat na e zbulon, dashur padashur, edhe kronisti i Napoleon Zervës, Miridhaqi. Vetë grekët pranojnë 500 partizanë çamë formuan Batalioni IV “Ali Demi” në përbërje të Regjimentit XV të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Greke (EAM).

Duke sjellë në vëmendje të opinionin këto dëshmi me vlerë të jashtëzakonshme, ne bindemi dhe besojmë më shumë te arsyeja historike e popullsisë çame dhe pasojat e tmerrshme që sjell racizmi dhe shpërthimet nacionaliste. Krimet janë pjesë e kujtesës kolektive të botës demokratike. Ndërsa kujtesa është baza e personalitetit individual të popujve. Për krimin duhet të vlejnë të njëjtat norma e standarde ndëshkimi për të gjitha vendet ku kanë ndodhur ato.

Asnjë teori e së Drejtës ndërkombëtare, asnjë teori e humanizmit dhe ekzisencës njerëzore, nuk mund të mohojë dot Çamërinë dhe të drejtën e popullit të saj. Asnjë qeveri greke apo shqiptare, asnjë forum i lartë ndërkombëtar, nuk mund t’i shmanget hijes së vet.

Një projekt kriminal i padënuar është më i rrezikshëm se një organizatë terroriste. Të drejtat e çamëve dhe vuajtjet e tyre nuk mund të shtyhen për më vonë. Çamët u dëbuan andej, pasi ishin bashkëkombës të padëshiruar.

Gjenocidi grek ndaj popullsisë çame nuk duhet të harrohet kurrë. Harresa që prek një brez, prek gjithë kombin apo etninë shqiptare, dhe është shumë e dëmshme. Duke kujtuar gjenocidin dhe duke dënuar masakrat greke ne ngremë lart ndjenjën e krenarisë sonë kombëtare, dinjitetin tonë njerëzor, origjinën tonë, e cila, sipas të gjitha dëshmive, na tregon se nuk kemi qenë një popull që thjesht shtriu kokën për t’u flijuar në tehun e kamës zerviste.

Çamëria, pavarësisht gjenocideve të pësuara, pavarësisht nga kryqëzimi kulturor etnik, ka mundur të ruajë identitetin e saj dhe të dalë fitimtare ndaj historisë, pasi ka preferuar gjithmonë faljen dhe jo hakmarrjen, ka ushqyer gjithmonë frymën e barazisë dhe mirëkuptimin me popullin grek. Zgjidhja më e keqe qëndron pikërisht në fshehjen e historisë kur, në mënyrë fatale, ajo mohohet si vlerë, që mund t’i bashkojë popujt dhe jo t’i lerë të ndarë dhe në armiqësi. Historia mund të jetë vetëm një krijim i përbashkët i njerëzve të lirë.

Filed Under: Interviste

Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar

March 10, 2026 by s p

Konflikti për tokën në Velipojë po ngre pyetje thelbësore për të drejtën e pronës, interesin publik dhe mënyrën se si Shqipëria duhet të zhvillojë bregdetin e saj pa rrezikuar pasuritë natyrore dhe stabilitetin social.

Nga Cafo Boga, MDY – New York, 8 Mars 2026

Debati i fundit rreth zonës së Rrjollit në Velipojë ka nxjerrë në pah një nga çështjet më të ndërlikuara për të ardhmen e bregdetit shqiptar: balancën mes zhvillimit turistik, të drejtave të pronësisë dhe interesit publik. Konflikti mes banorëve lokalë, shtetit dhe investitorëve nuk është një fenomen i izoluar. Ai është rezultat i një historie të gjatë paqartësish në pronësinë e tokës dhe i përpjekjeve për të zhvilluar turizmin në zonat më të vlefshme të vendit.

Zona e Rrjollit dhe Velipojës ka qenë historikisht e përdorur nga banorët për bujqësi, kullota dhe aktivitete tradicionale. Gjatë periudhës komuniste shumë prej këtyre tokave u kolektivizuan dhe u konsideruan pronë shtetërore. Pas vitit 1991, me ligjin për ndarjen e tokës (Ligji 7501), pronësia u riorganizua, shpesh pa rikthyer tokën tek pronarët historikë. Kjo krijoi një situatë ku sot mbi të njëjtën tokë mund të ekzistojnë disa pretendime: pronarë historikë, banorë që e morën tokën me ligjin 7501 dhe shteti që në disa raste e konsideron tokën pronë publike.

Në këtë kontekst lind pyetja thelbësore: kur dhe si mundet shteti të marrë pronën private? Sipas Kushtetutës së Shqipërisë dhe standardeve evropiane të së drejtës së pronës, shpronësimi mund të bëhet vetëm për interes publik të qartë, si ndërtimi i rrugëve, porteve, infrastrukturës publike ose projekteve që shërbejnë drejtpërdrejt komunitetit. Edhe në këto raste, ligji kërkon që pronari të kompensohet me vlerën reale të tregut dhe të ketë të drejtë të kundërshtojë vendimin në gjykatë.

Debati në Rrjoll lind pikërisht sepse shumë banorë pyesin nëse projekti i planifikuar përbën realisht interes publik apo është kryesisht një projekt i investitorëve privatë. Kur toka kalon nga një pronar privat tek një investitor privat, roli i shtetit bëhet shumë më i diskutueshëm dhe kërkon transparencë të plotë. “Toka nuk merret pa të drejtë” thot Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Fatkeqësisht, mënyra si është menaxhuar deri tani zhvillimi i turizmit në shumë pjesë të bregdetit shqiptar nuk ka qenë gjithmonë në përputhje me këto parime. Në vend të një vizioni të qartë për turizëm cilësor dhe të qëndrueshëm, në disa zona është lejuar ndërtim i pakontrolluar që ka dëmtuar peizazhin dhe ekosistemet natyrore. Shqipëria ka një numër të kufizuar plazhesh dhe zonash natyrore me vlerë të jashtëzakonshme, por këto pasuri nuk janë të pafundme. Ato duhet të përdoren për zhvillimin e turizmit cilësor dhe afatgjatë, jo për degradimin e tyre për përfitime afatshkurtra.

Rrjolli dhe Velipoja kanë një potencial turistik të jashtëzakonshëm. Plazhet e gjata me rërë, dunat natyrore, laguna e Vilunit, lumi Buna dhe afërsia me Shkodrën krijojnë një kombinim natyror shumë të rrallë në Adriatik. Krahasime shpesh bëhen edhe me Plazhin e Madh në Ulqin, i cili ka karakteristika shumë të ngjashme. Në fakt, Velipoja, Rrjolli dhe Plazhi i Madh në Ulqin janë pjesë e një zone të vetme gjeografike dhe ekologjike, prandaj zhvillimi i tyre kërkon një vizion më të gjerë rajonal dhe një planifikim të koordinuar.

Një element që nuk duhet neglizhuar është edhe mënyra si është menaxhuar konflikti deri tani. Mungesa e dialogut të hapur me komunitetin lokal, paqartësitë mbi pronësinë dhe perceptimi se vendimet po merren pa konsultim të mjaftueshëm kanë rritur tensionin. Nëse këto probleme nuk adresohen me sinqeritet dhe transparencë, ekziston rreziku që situata të përshkallëzohet në mënyrë të rrezikshme. Konflikte të tilla sociale, nëse nuk menaxhohen me maturi, mund të çojnë në pasoja që askush nuk i dëshiron.

Në rast se pronarët nuk arrijnë të gjejnë drejtësi brenda sistemit gjyqësor shqiptar, ata kanë gjithashtu mundësi të ndjekin rrugë ligjore ndërkombëtare. Shqipëria është palë në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe çdo qytetar që pretendon shkelje të së drejtës së pronës mund t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, pasi të ketë shteruar mjetet juridike brenda vendit.

Në këtë kuptim, rasti i Rrjollit është më shumë se një konflikt lokal për tokën. Ai është një provë për mënyrën se si Shqipëria do të menaxhojë zhvillimin e bregdetit të saj në dekadat e ardhshme. Nëse ky proces bëhet me transparencë, respekt për pronën dhe dialog me komunitetin, Velipoja mund të shndërrohet në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të Adriatikut. Në të kundërt, paqartësitë ligjore dhe konfliktet sociale mund të pengojnë një potencial që është ndër më të mëdhenjtë që ka vendi.

Për këtë arsye, shteti shqiptar duhet ta trajtojë çështjen e Rrjollit me maturi, transparencë dhe respekt të plotë për të drejtën e pronës. Një zgjidhje e drejtë dhe e negociuar me komunitetin lokal nuk është vetëm rruga më e mençur, por edhe mënyra e vetme për të shmangur një konflikt që mund të përshkallëzohet në një skandal të madh politik apo në një krizë sociale të panevojshme. Shqipëria ka pak pasuri natyrore të këtij lloji dhe ato duhet të zhvillohen me vizion, jo me nxitim dhe improvizim. Rrjolli nuk duhet të bëhet simbol i përplasjes mes shtetit dhe qytetarëve, por një shembull se si një shtet modern di të ndërtojë zhvillimin ekonomik duke respektuar ligjin, pronën private dhe interesin afatgjatë të vendit.

“Arsyeja pse njerëzit krijojnë shoqëri është për të mbrojtur pronën e tyre.”— John Locke

Filed Under: Ekonomi

Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë

March 10, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Ka një parim të madh në politikën tonë moderne shqiptare, një parim pothuajse filozofik, që mund të përmblidhet në një fjali të thjeshtë:
“Hajduti i partisë time është hajdut i mirë.”

Madje jo vetëm i mirë.
I dobishëm.
I nevojshëm.
Herë-herë edhe heronj dhe heroina, Robin Hood modernë…

Sepse duhet ta pranojmë: vjedhja është një gjë shumë relative. Nëse e bën kundërshtari, është krim kombëtar. Nëse e bën i yni, është sakrificë administrative.

Të marrim për shembull ato ceremonitë prekëse që organizohen, kur një zyrtar largohet nga detyra. Nëse dikush do të binte nga qielli në atë sallë dhe nuk do të dinte asgjë për akuzat, hetimet apo dosjet, do të mendonte se po përcillej një hero apo heroinë kombëtare. Kujtojmë Lali Erin dhe Belinda Balluken.

Duartrokitje.
Lot.
Fjalime të ngrohta.

Atmosfera ishte aq solemne sa dukej sikur ajo zonjë kishte shpëtuar buxhetin e shtetit nga ndonjë katastrofë financiare, jo sikur kishte kaluar nëpër një stuhi akuzash për tendera dhe miliona euro.

Në rreshtin e parë, disa punonjës të administratës dukeshin të prekur emocionalisht. Disa gra me sy të përlotur, disa burra me fytyra serioze – të gjithë të bindur se po ndodhte një padrejtësi historike.

Sepse në politikë ekziston një ligj i pashkruar: kur bie një ministër i yni, bie një engjëll.

Sigurisht, publiku ka një zakon të keq: lexon lajmet. Dhe ndonjëherë edhe përgjimet.

Por kjo është një çështje teknike. Populli shpesh nuk e kupton kompleksitetin e qeverisjes moderne. Ai sheh vetëm fjalë si “tender”, “miliona euro”, “manipulim”, dhe menjëherë alarmohet.

Ndërsa elita politike e di më mirë.

Ajo e di se tenderat janë si vera: duhet t’i shërbesh tek miqtë e duhur.

Në këto raste, strategjia është e qartë:
mos u merr me akuzat.

Mos u merr me detajet.

Mos u merr me faktet.

Merru me parimet e mëdha.

Flit për drejtësinë.
Flit për reformën.
Flit për demokracinë.

Dhe nëse dikush guxon të pyesë për paratë, përgjigjja është e thjeshtë:

“Çështja është në hetim.”

Kjo është një frazë magjike. Ajo funksionon si një batanije juridike që mbulon gjithçka.

Në fakt, kjo është një nga shpikjet më elegante të politikës shqiptare.

Sepse dikur politikanët përpiqeshin të provonin pafajësinë.
Sot ata kanë arritur në një nivel më të avancuar.

Ata nuk kanë më nevojë të shpjegojnë asgjë.

Sepse publiku, në fund të fundit, nuk është aksioner i shtetit. Ai është thjesht spektator.

Por momenti më prekës mbetet ceremonia e lamtumirës.

Fjalime për arritjet.
Lavdërime për kontributin.
Premtime për vazhdimësinë.

Madje edhe pasardhësi në detyrë shprehet me respekt të thellë për “punën e jashtëzakonshme” të paraardhësit.

Kjo është një traditë e bukur. Një stafete morale.

Njëri largohet nën hetim.
Tjetri merr flamurin.

Dhe gara vazhdon.

Natyrisht, opozita bën zhurmë. Media shkruan. Analistët debatojnë.

Por brenda sistemit ekziston një solidaritet i admirueshëm.

Sepse të gjithë e dinë rregullin themelor:

Sot është radha e tij.
Nesër mund të jetë radha ime.

Prandaj duartrokitjet janë gjithmonë të sinqerta.

Në fund të fundit, politika është edhe një çështje besimi.

Dhe besimi më i madh është ky:
se gjithçka mund të relativizohet.

Moraliteti? Relativ.
Përgjegjësia? Relativ.
Edhe vjedhja? Relativ.

Sepse në momentin që një hajdut shpallet “i yni”, ai transformohet menjëherë në një figurë tjetër.

Ai bëhet:

administrator,
strateg,
vizionar.

Kjo është arsyeja pse ceremonitë e tilla janë kaq emocionuese.

Ato na kujtojnë se politika nuk është vetëm pushtet.

Është edhe art.

Arti i shndërrimit të skandalit në meritë.
Arti i kthimit të akuzës në medalje.
Arti i madh, i përjetshëm, i politikës sonë:

Lavdi hajdutit tonë.

Filed Under: Fejton

TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE

March 10, 2026 by s p

Studiues profileve të ndryshme shkencore të cilët janë marrë me raportët e ndryshme shoqërore të shqiptarëve, kanë spikatur një dukuri e cila është e veçantë tek kombi ynë. Fjala është për tolerancën fetare, qe lidhet me besimin. Pra, kemi të bëjmë me një bashkëjetesë pa armiqësi e konflikte të besimtarëve me fe të ndryshme

Nail  Draga

Dihet historikisht se besimi tek shqiptarët fillon me Ilirët, ku nga paganizmi përmes romakëve pranuan krishtërimin në shek.IV, ndërsa më pas me ndarjën e Krishtërimit në vitin 1054, shqiptarët i përkasin Bizantit, përkatësisht ortodoksizmit, ndërsa nga shek.XV, e më pas me paraqitjen e Perandorisë Osmane në Siujdhesën Ilirike, pjesa më e madhe e shqiptarëve kaluan në islamizëm. Ishin këto periudha të veçanta, me plot intriga, presione  dhe kushtëzime të ndryshme, ku për të mbijetuar shqiptarët ishin të detyruar t´iu përshtatën rrethanave të kohës. 

Konvertimi në kontekst të kohës

Andaj, edhe dukurinë e konvertimit në fe të kohës duhet kuptuar në kontekstin kohor, për arsy politike e etnike. Pikërisht në lidhje me këtë çështje kemi raste të shumta nga klasa politike e kohës. Tashmë dihet se Balshajt në vitin 1369 nga ortodoks kaluan në katolik, pastaj ngjajshëm vepruan edhe Skurajt, Muzakët e Zahariajt. Ndërsa sipas rrethanave politike Gjon Kastrioti, i  ati i Skënderbeut, ishte katolik si aleat i Venedikut më 1407, ortodoks si aleat i Stefan Llazareviqit më 1419-1426, mysliman si aleat i Muratit II më 1430-1438 dhe vdiq si katolik më 1443.Rastet e tilla te asaj kohe por edhe më pas janë të mjaftueshme për të kuptuar tolerancën fetare e cila vazhdimisht ka qenë dhe mbetet preokupim i studiuesve të profileve të ndryshme shkencore.

Pikërisht në lidhje me këtë çështje, studiuesi i njohur i etnologjisë Kahreman Ulqini  kohë më parë opinionit  i paraqitet me librin Toleranca fetare e shqiptarëve në zigzaget e historisë, botuar nga Fiorentia, Shkodër, 2016.

Autori çështjen e tolerancës e trajton në kompleksin e organizimit të vjetër shoqëror të shqiptarët, duke filluar me familjen fshatare, dokeve, duke e  mbyllur me popullsinë qytetare dhe trajtimit të veçantë  në shqiptarizëm. Në pjesën e dytë vend të rëndësishëm zën shtojca, e cila sjell argumente nga çështjet e trajtuara nga vise të ndryshme shqiptare, që janë dëshmi të pakontestuara, për tolerancën fetare  në kohën përkatëse.

Temë komplekse

Duke parë se kemi të bëjmë me një temë komplekse me një periudhë të gjatë kohore autori me të drejt konstaton se hulumtimet rreth tolerancës fetare të shqiptarët  patjetër duhet  që argumentet dhe analizat e të dhënave  dhe metodat e punës të jenë të afërta me  ato të disa disciplinave  shkencore si historia, etnologjia e sociologjia.Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet në përfundime te qendrueshme shkencore, ndaj një teme e cila është intriguese për studiuesit e profileve te ndryshme shkencore.Po ashtu një qasje e tillë është me e pranushme edhe për studiuesit e huaj, të cilët këtë çështje e kanë pothuaj të panjohur sa e si duhet, sepse shqiptarët janë model për botën bashkëkohore sa i përket tolerancës fetare, si pjesë e vetëdijës kombëtare gjatë shekujve.

Sfidë ndaj paragjykimeve

Autori në këto botim na sjell episode të ndryshme që tregojnë tolerancën fetare të besimeve të ndryshme, kryesisht katolikë e musliman, nga krahina të ndryshme etnografike shqiptare por edhe qytete më të kaluar të bujshme historike sikur ishte Shkodra. Ishte kjo ndjenja e solidaritetit të gjakut dhe etnisë për të përballuar rrethanat e kohës.Veprimet e tilla ishin sfidë edhe ndaj elementëve të ndryshëm konfliktuoz të cilët kishin paragjykime të ndryshme apo ishin në shërbim të strukturave të huaja në hapësirën shqiptare. Edhe pse në themel të shoqërisë shqiptare me natyrë konservatore, qendronte parimi i ruajtjës së traditës, ku toleranca fetare mbeti si kod i pranimit të te tjerëve fetarisht,mos fyerjen e besimit të tyre, respekt për praktikat e shfaqjet publike, bashkëjetesë normale në familjet me dy besime dhe pa paragjykime fetare në bashkësi të ndryshme shoqërore. Ishin këto tipare të ngulitura me shekuj në vetdijën e shqiptarëve, dukuri kjo e cila na bën të mburremi në krahasim me popuj të tjerë të cilët janë fetar me fanatizën ekstrem sikurse janë ortodokset fqinjët tanë të cilët si në të kaluarën dhe në ditët tona janë intolerant ndaj çdo kishe apo riti tjetër duke qenë përsekutues të vazhdueshëm nacional.

Shqiptarët model për popujt tjerë

Me këtë botim përveç konsultimit të  literaturës profesionale selektive, autori  dëshmon se gjatë hulumtimeve të tia gjysëm shekullore  ne terren rreth organizimit të vjetër shoqëror e të drejtës popullore  të shqiptarët, ka mbledhur një lëndë me vlerë shumëplanëshe nga trashëgëmia e kultura jonë popullore, ku toleranca fetare paraqet një nder vlerat etnike me sublime të popullit shqiptar. Pikërisht kjo dukuri  është hetuar edhe nga të huajt të cilët kanë kanë vizituar viset shqiptare nga mesjeta e vonë e më pas. Madje ata kanë qenë të befasuar me ketë qendrim të shqiptarëve të cilët edhe pse popull me tre besime, ishin dhe janë edhe sot model për popujt e tjerë.

Andaj duke marrë parasysh rëndësinë qe ka toleranca fetare për të sotmën dhe të ardhmën, është  për tu përshëndetur propozimi i autorit e  qe një lëndë e tillë të mblidhet dhe të botohet në një vëllim të veçantë, si vlerë autentike e trashëgimisë sonë kulturore ndër shekuj. Një botim i tillë do të ishte si testament edhe për brezat që do të vijnë, duke dëshmuar  se shqiptarët kanë se me çka të mburrën, me një vlerë unikate e cila iu mungon popujve të tjerë. Rastet  e tilla janë të shumta, ku disa autori na i sjell episode apo fragmente që kanë vlera autentike të tolerancës fetare.Andaj iu mbetet institucioneve përkatëse shkencore  që një propozim të tillë ta realizojnë në praktikë, sepse është obligim moral dhe profesional për të kaluarën tonë gjatë zigzagëve të historisë, sepse ka ndodhur ajo që është e shkruar.

Përfundim

Një botim i tillë do të ishte i obligueshëm jo vetëm për studiuesit dhe individët e pasionuar pas trashëgimisë kulturore por sidomos  për  studentët e katedrave te ndryshme, ku trajtohen çështje nga antropologjia e kultura popullore. Vetëm në këtë mënyrë  toleranca fetare do të mbetet  pjesë e identitetit tonë kombëtar, si vlerë e veçantë e popullit tonë në te kaluarën dhe në ditët tona.Dhe është pikërisht kjo tolerancë fetare e cila na shfaqet kudo në të gjitha veprimtaritë e ndryshme shoqërore, duke dëshmuar në praktikë një dukuri me vlera të mëdha sa shoqërore dhe kombëtare, duke na bërë unikat për popujt e tjerë në botën bashkëkohore.

Madje ky është edhe mesazhi i këtij libri i cili do të jetë i domosdoshëm për  historianët, etnologët  e  sociologët si  dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të kenë njohuri  për këtë dukuri shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve, në të kaluarën dhe në ditët tona. 

(Ribotohet me rastin e vdekjës së  Kahreman Ulqinit (1935-2026) studiuesit, historianit e  etnologut të shquar shqiptar, i vlerësuar si një nga figurat më të respektuara  të studimeve albanologjike)

Kahreman Ulqini, TOLERANCA FETARE E SHQIPTARËVE NË ZIGZAGËT E HISTORISË, Botoi:FIORENTIA, Shkodër, 2016

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Toka shqiptare nuk është thjesht mall: midis investimit të huaj dhe mbrojtjes së sovranitetit kombëtar
  • Princi  i gojëtarisë dhe mbledhësi i thesareve të Malësisë…
  • 80 vite nga vrasja e profesor Ymer Berishës 1912-1946
  • Arti si një shije e fituar përtej kufijve të logjikës
  • Serbia, përgjegjëse për krimet dhe dhunën ndaj shqiptarëve 1877–1999: nga dëbimet e Sanxhakut të Nishit te krimet e luftës në Kosovë
  • Filatelia e Kosovës – konsistente në promovimin e ruajtjes biodiversitetit
  • Në shërbim të atdheut!
  • “Gruaja që endej hijeve”
  • “Të kesh” dhe “të jesh”, kjo është çështja në Shqipërinë e sotme…
  • Deklaratat e ministres serbe si qasje e Beogradit ndaj Kosovës
  • Ikja e heshtur e Shqipërisë, kur një komb humbet njerëzit që ndërtojnë të ardhmen
  • Kur Kosova përçahet, Serbia ëndërron rikthimin e së kaluarës
  • Republika e pesë yjeve
  • Shqipëria e Vogël në Bronx: Një Komunitet i formuar nga historia, vështirësia dhe shtëpia
  • TURPI I NJË DEKLARATE QË SFIDON TË VËRTETËN HISTORIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT