• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2026

LE SOIR ILLUSTRÉ (1934) / KUSH ËSHTË EKREM LIBOHOVA, AMBASADORI I RI I SHQIPËRISË NË BELGJIKË ?

March 9, 2026 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Mars 2026

Revista belge “Le Soir Illustré” ka botuar, me 19 maj 1934, në faqen n°3, një shkrim asokohe rreth emërimit ambasador të Ekrem Libohovës në Belgjikë, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Ekrem Libohova, ministër i Shqipërisë

Burimi: Le Soir Illustré, 19 maj 1934, faqe n°3.
Burimi: Le Soir Illustré, 19 maj 1934, faqe n°3.

Ministri i ri i Shqipërisë në Belgjikë, Ekrem Libohova, i dorëzoi të martën letrat kredenciale mbretit Leopold.

Ekrem Libohova nuk është i panjohur për ne, pasi një pjesë të studimeve të tij i ka kryer në Bruksel.

I lindur në vitin 1882 në një fshat të jugut të Shqipërisë, pasi mësoi gjuhën e vendit të tij, ai u kthye në Kostandinopojë. Pasi përfundoi studimet e mesme në liceun e Galata-Serait, u nis për në Belgjikë dhe vazhdoi studimet atje.

Pas Luftës Ballkanike që i dha fund sundimit osman në Ballkan, dhe pasi Shqipëria shpalli pavarësinë e saj, Ekrem Libohova zgjodhi të shërbejë për vendin e tij.

Shumë i vlerësuar, ai iu përkushtua me zemër Shqipërisë, duke vënë në shërbim të saj njohuritë e tij të shumta. I pajisur me një talent të jashtëzakonshëm, Ekrem Libohova, pas një misioni të rëndësishëm diplomatik në Romë, u thirr nga mbretëria e re dhe u bë një nga përfaqësuesit kryesorë të shtetit shqiptar.

Në vitin 1929, Ekrem Libohova u caktua për të përfaqësuar mbretin Zog në Paris. Disa muaj më parë, diplomati i shquar u thirr gjithashtu në postin e rëndësishëm në Bruksel.

Vdekja e mbretit Albert e vonoi udhëtimin e Ekrem Libohovës, i cili u detyrua të ndryshonte në Tiranë letrat kredenciale që fillimisht ishte ngarkuar t’ia dorëzonte sovranit tonë të ndjerë.

Ministri i ri i Shqipërisë në Belgjikë, me të cilin patëm një bisedë të gjatë, na shprehu gjithë gëzimin e tij që përfaqëson vendin e tij në Bruksel, ku ka ruajtur kaq shumë miq.

“Dëshiroj,” na tha ai, “dhe të gjitha përpjekjet e mia do të synojnë këtë qëllim, të zgjeroj marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe kulturore midis dy kombeve. Megjithë distancën që i ndan, Belgjika dhe Shqipëria janë të destinuara të kuptohen mirë me njëra-tjetrën.”

Ekrem Libohova na kujton më pas se në vitin 1929 ai erdhi personalisht për t’i dorëzuar mbretit Albert « le Collier d’Albanie », dekoratën më të lartë të vendit të tij.

R. C.

Filed Under: Mergata

Dr. VLORA MEHMETI – TËRSHANI, NJË FENOMEN I BOTËS SË SHKENCËS

March 9, 2026 by s p

Violeta Allmuça

Shkrimtare
Vjenë/

“E lindur për të qenë shembull, Vlora i kishte të gjitha cilësitë e një studiueseje të madhe: ndjeshmëri, inteligjencë, qëndrueshmëri, kuriozitet shkencor dhe etikë të lartë profesionale. Ajo nuk ishte vetëm një studente brilante, por edhe një shoqe e dashur, një motër shpirtërore për njerëzit, një urë lidhëse mes kulturave dhe zemrave. (Prof. Dr. Rrahman Ferizi)

Në botën akademike nga shkencat natyrore kanë bërë emër studiues shqiptarë e shqiptare në të gjithë globin. Bota jonë informative është e ngathët me shkrime rreth këtij grupi mërgimtarësh që kanë vlera kombëtare e ndërkombëtare. Në mesin e tyre, pa dyshim, është edhe Dr. Vlora Mehmeti- Tërshani studiuesja e shkencave farmaceutike e mikrobiologjike në Vjenë dhe Tokushima të Japonisë. Nga dokumentet e shumta të regjistruara konferencave e kongreseve shkencore në fushën e farmacisë dhe biologjisë molekulare takohemi me emrin e shkencëtares austriake me kombësi shqiptare nga Kosova, Dr. Vlora Mehmeti-Tërshani, e cila përfaqësoi Universitetin e Vjenës dhe Universitetin Tokushima Bunri në Japoni, në shumë kongrese e konferenca shkencore. Jeta e saj ishte e shkurtër, por e mbushur me suksese që mahnitën botën e shkencës dhe njerëzimin. Njohim figura madhore që jetuan pak, por botës i dhanë shumë. Dhe në botën e shkruar shqiptare, po ashtu, kemi disa figura madhore kombëtare që jetuan pak, por dhanë shumë për artin, shkencën dhe historinë e kombit. Po ta studiosh jetën e të gjithë atyre, kanë një emërues të përbashkët: përkushtimin, modestinë dhe shkëlqimin e tyre njerëzor. Ashtu ishte dhe jeta e shkencëtares për të cilën bën fjalë shkrimi ynë. 

Dr. Vlora Mehmeti-Tërshani ishte pjesëmarrëse aktive me punimet e saj shkencore hulumtuese në kongrese dhe konferenca të organizuara nga Asociacione shkencore europiane e botërore. Ajo ishte në grupin përfaqësues të Universitetit të Vjenës dhe projekteve të veçanta studimore me hulumtimet e saj shumë të suksesshme në Tokushima të Japonisë me profesorin e njohur në të gjithë botën Dr. Yoshinori Asakawa. I entuziazmuar me hulumtimet e Vlorës e rekomandon atë t’i prezanton ato në kongrese botërore nga fusha e biologjisë molekulare akoma pa e përfunduar zyrtarisht magjistraturën. Në disa kongrese Prof. Dr. Asakawa mori pjesë krahas shkencëtarëve nga universitetet e njohura të botës dhe ishte krenar me hulumtimet që kishte bërë studentja shqiptare nga Vjena. Ai tha edhe këtë: Asnjë studiues i ardhur nga Austria nuk ka punuar me kaq përkushtim! Ju jeni vërtetë “tigër” në punën tuaj. Asnjë studiues nga vende të tjera nuk e ka respektuar rrethin tonë dhe mua personalisht, më shumë se ju”. Këto dhe shumë përshtypje tjera janë të shkruara në letrat që la Vlora për prindërit e saj, me të cilët ndante kënaqësitë e sukseseve të saj. Edhe në Japoni, Vlora ngjalli respektin e studiuesve të tjerë. Ajo diti gjithmonë të përshtatej edhe në rrethana jo të pa njohura me shkencëtarë që kishin mendime ndryshe.

Në disa kongrese të njohura në botë ku prezantoheshin rezultatet e hulumtimeve molekulare  ishte i pranishëm vetë Prof. Asakawa, krahas kolegëve të tij nga e gjithë bota. Njëri nga këto prezantime më i njohuri në botë, ishte Konferenca  në Washington (SHBA), ku në qershorin e vitit 2012 mori pjesë Vlora Mehmeti me hulumtimet e saj.

Nga hulumtimet e shumta rreth shkencëtares së re shqiptare, mësohet se ajo ishte e ftuar në mesin e shkencëtarëve të shquar ndërkombëtar, ku mbajti me sukses kumtesa nga hulumtimet e saj në universitete botërore në UN e Vjenës, Austri dhe në UN Tokushima, Japoni. 

Jeta dhe vepra e saj ishte krenaria shqiptare e laboratorëve më modernë të fushës dhe kongreseve gjithandej globit.
          Disa prej këtyre kongreseve ku Dr. Vlora Mehmeti-Tërshani mori pjesë me rezultatet e saj hulumtuese janë: Kongresi në Kosovë, Prishtinë, 28 maj – 01 qershor 2008; Kongresi në Itali, Torino, qershor 2009; Kongresi në Kosovë, Prishtinë,  23-24.04.2010; Kongresi në Shqipëri, Tiranë, 31 maj 2010; Konferenca shkencore për biologji Illmiz, Austria 03-05.06 2010; Kongresi në Holandë, Amsterdam, 27.05- 01.06.2010; International Metabolomics Austria, Vienna, Austria, 29.08-03.09.2010; Kongresi në Zvicër -Gjeneva, 09.09.2010; Kongresi në Maqedoninë e Veriut Shkup, 09 -13 maj 2012; International Conference of the  Metabolomics Society, 8th, Washington, USA, 24.06.2012; European Nitrogen Fixation Congress (ENFC) Munich, Germany 2-5.09.2012; Kongresin në Kosovë, Prishtinë KISCOMS, 2013 etj.
Ne do të ndalemi te Konferenca Ndërkombëtare në SHBA. 

Washington
Do të ndalemi me shënime nga  Konferenca Ndërkombëtare në Washington, SHBA, 25-29.06. 2012    
Tema hulumtimit të Vlorës: “Molecular Changes in the Metabolome of Medicago truncatula Induced by Short Term Salt and Drought Stress” 8th International Conference of  the       Metabolomics Society, Washington, USA. 

Nga intervista e studiueses për RTK po nxjerrim disa fjali:
Vlora Mehmeti rreth: “Punimeve të fundit. 

Isha e ftuar dhe isha e dominuar nga organizatori që ta mbaj ligjëratën nga hulumtimet e mia para gjithë pjesëmarrësve në kongres. Kongresi i Washingtonit është kongresi më i madh botëror lidhur me hulumtimet shkencore nga mikrobiologjia dhe biologjia molekulare, ku marrin pjesë profesorët e universiteteve më të njohura nga SHBA, Japonia, Gjermania, Austria, Kina, Britania, Italia … nga të gjitha vendet ku shkenca e thotë fjalën e fundit të saj.”  

Grupi ku bënte pjesë Vlora Mehmeti nga Vjena, Austri përbëhej nga këto/ këta shkencëtarë/ të rinj:
Than to the Team! (Faleminderit grupit prezantues!) 

Doris Dell’mour, Alexander Seidel, Cristiana Staudinger, Vlora Mehmeti, Wolfgang Höhenwarter, Lena Fragner, Luis Recuenco-Munoz, David Lyon, Voker Egelhofer, Wolfram Weckwerth, Pierre Offre (Dept. Ökonetk), Mette Hanak, Robecca Hood-Nowotny. Und, Green Team: Thomas Joch, Andreas Schroll.  Universitet Publica… Estibalz Larrainzer, Esther Gonzalez, Cesar Arrese-Igor.  

Vlora Mehmeti nga Beçiqi i Drenicës nuk kufizohet vetëm me studimet e saj hulumtuese, por ajo merr pjesë në konferenca, kongrese kryesore të shkencës botërore dhe universiteteve më të njohura në SHBA, Japoni, Gjermani, Austri, Kinë, Britani, Itali …  me shkencëtarë nga të gjitha vendet, ku shkenca thotë fjalën e fundit të saj.  Kam prezantuar në Itali rezultatet e analizave nga hulumtimet e mia të masterit në Japoni dhe një pjese që e kam punuar në Austri në Insititutin Ekogjenetikës dhe Biologjisë Molekulare në Vjenë. Në Amsterdam të Holandës ishte Kongresi i Metaboliteve  paraqitur në International Conference of the Metabolomics  Society, Amsterdam, Netherlands. 27.05 -1.06. 2010 

Burimet: 

-University of Vienna, Dept. Of Molecular Systems Biology, Wienna, Austria

Vlora Mehmeti, Christiana Staudiner, Wolfram Weckwerth and Wienkoop

P144 Comparative metabolomics of Medicago truncatula roots and shoots under salt stres and recovery. 

-International Conference of the Metabolomics    Society, Amsterdam, Netherlands. 27.05 -1.06, 2010. “Comparative metabolomics of Medicago truncatula roots and shoots under salt stress and recovery” 6th 

-International Conference of the  Metabolomics Society, Washington, USA. 

“Molecular Changes in the Metabolome of Medicago truncatula Induced by Short Term Salt and Drought Stress” 8th. 25-29.06. 2012

-RTK, intervistë, emision nga Ragip Ramaj, 01.10.2018.

-H. Mehmeti, Studiues austriakë e shqiptarë në Austri”, 2021 

Filed Under: Mergata

Shqiptarët dhe Maqedonia e Veriut midis reformimit dhe stagnimit të procesit eurointegrues

March 9, 2026 by s p

Nëse perspektiva evropiane vazhdon të mbetet e bllokuar dhe procesi i reformave i paralizuar nga kalkulimet e brendshme politike, ekziston rreziku që vendi të hyjë në një fazë të re të paqartësisë strategjike dhe të një balancimi të pasigurt midis orientimeve të ndryshme gjeopolitike. Kjo është edhe një provë për përgjegjësinë historike të aktorëve politikë shqiptarë për të mbrojtur dhe artikuluar në mënyrë të qartë parimet mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti institucional i shtetit.

Nga Prof.dr Skender Asani

Draft-raporti i fundit i raportuesit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, eurodeputetit Thomas Weitz, përfaqëson një moment kritik reflektimi për drejtimin strategjik të shtetit dhe për qëndrueshmërinë e perspektivës së tij evropiane. Dokumenti, i cili pritet të diskutohet dhe të amendohet në kuadër të procedurave institucionale të Parlamentit Evropian dhe në kontekstin më të gjerë të politikave të zgjerimit të Bashkimit Evropian, artikulon një kritikë të thellë ndaj stagnimit reformues, mungesës së vullnetit politik dhe dobësive strukturore që vazhdojnë ta mbajnë Maqedoninë e Veriut në një gjendje të zgjatur pezullimi në procesin e integrimit. Përtej formulimeve diplomatike që zakonisht karakterizojnë dokumentet e zgjerimit, raporti përfaqëson një sinjal të qartë alarmi për rrezikun e humbjes së momentumit historik të integrimit dhe për degradimin gradual të kredibilitetit ndërkombëtar të shtetit.

Megjithatë, një lexim më i thellë i përmbajtjes së raportit dhe i kontekstit politik në të cilin ai është prodhuar sugjeron se kriza e integrimit nuk është vetëm rezultat i stagnimit të reformave teknike apo i polarizimit të brendshëm politik. Në një nivel më të thellë, ajo lidhet me transformimin gradual të arkitekturës politike dhe kushtetuese të ndërtuar pas vitit 2001 mbi parimet e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Kjo marrëveshje, e cila përbën bazën e stabilitetit ndëretnik dhe të konsensusit politik në shtet, kishte për qëllim ndërtimin e një sistemi institucional të balancuar që garanton përfaqësim të drejtë, barazi substanciale dhe mekanizma të ndërsjellë kontrolli midis komuniteteve kryesore të shtetit. Megjithatë, zhvillimet e viteve të fundit sugjerojnë se disa prej komponentëve themelorë të kësaj arkitekture po relativizohen gradualisht në praktikën institucionale dhe në kulturën politike të qeverisjes.

Në mënyrë paradoksale, ndërkohë që institucionet evropiane insistojnë në avancimin e standardeve të mbrojtjes së komuniteteve dhe në përmbushjen e Kriterereve te Kopenhagës, realiteti i brendshëm politik në vend tregon një prirje të heshtur drejt dobësimit të disa prej mekanizmave që garantonin balancën ndëretnike të sistemit. Në vend që Marrëveshja e Ohrit të zhvillohej në drejtim të thellimit të politikave të barazisë substanciale dhe të mekanizmave të diskriminimit pozitiv për komunitetet jo-shumicë, një pjesë e ligjeve bazë që përbëjnë shtyllat funksionale të kësaj marrëveshjeje po përballen me procese relativizimi, zbehjeje apo edhe suprimimi gradual në praktikën legjislative dhe institucionale. Ky zhvillim krijon një kontradiktë të dukshme midis diskursit formal të integrimit evropian dhe realitetit të transformimeve të brendshme politike.

Në këtë kuptim, stagnimi i procesit të integrimit nuk duhet interpretuar vetëm si një problem teknik i harmonizimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, por si një simptomë e një krize më të gjerë të funksionalitetit institucional dhe të kulturës politike në vend. Reformat në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e drejtësisë vazhdojnë të mbeten të fragmentuara dhe pa efekt transformues real, duke prodhuar një perceptim të vazhdueshëm të brishtësisë së rendit juridik dhe politik. Në këtë kontekst, stagnimi i integrimit evropian shfaqet si reflektim i mungesës së një konsensusi strategjik të elitave politike për drejtimin afatgjatë të shtetit.

Pikërisht për këtë arsye, faza aktuale e diskutimit të draft-raportit në Parlamentin Evropian përfaqëson një moment të rëndësishëm politik dhe diplomatik. Deri në fazën përfundimtare të miratimit të raportit, subjektet politike shqiptare në vend mbajnë një përgjegjësi të veçantë historike dhe institucionale për të ndërmarrë një mobilizim të koordinuar politik, akademik dhe diplomatik me qëllim që në procesin e amendimit të dokumentit të pasqyrohen në mënyrë të argumentuar devijimet që kanë ndodhur në zbatimin e parimeve të Marrëveshjes së Ohrit. Një qasje e tillë nuk përbën internacionalizim të debateve të brendshme politike, por një kontribut legjitim për një kuptim më të plotë të realitetit institucional të vendit nga ana e institucioneve evropiane.

Një mobilizim i tillë bëhet edhe më i domosdoshëm në dritën e qëndrimeve të qarta që kanë artikuluar institucionet e Bashkimit Evropian dhe partnerët strategjikë të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve politike që kanë garantuar stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në diskursin euro-atlantik ekziston një përkushtim i qartë që marrëveshjet e arritura në rajon të cilat kanë qenë rezultat i proceseve të ndërlikuara të ndërmjetësimit ndërkombëtar të trajtohen si elemente themelore të stabilitetit institucional dhe të mos relativizohen përmes kalkulimeve të brendshme politike.

Në këtë perspektivë, raporti i Thomas Weitz nuk duhet të lexohet vetëm si një dokument teknik vlerësimi mbi progresin e reformave, por si një mundësi strategjike për të hapur një debat më të thellë mbi drejtimin institucional të shtetit. Nëse në procesin e miratimit përfundimtar të raportit nuk adresohen edhe dimensionet që lidhen me degradimin gradual të arkitekturës konsensuale të ndërtuar pas vitit 2001, ekziston rreziku që analiza evropiane të mbetet e pjesshme dhe e paplotë. Për këtë arsye, artikulimi i qartë i devijimeve nga parimet e Marrëveshjes së Ohrit dhe i procesit të zbehjes së mekanizmave të barazisë substanciale duhet të bëhet pjesë integrale e debatit evropian mbi progresin demokratik të shtetit.

Në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, ky moment përkon edhe me një fazë të ndjeshme të konkurrencës së ndikimeve strategjike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Stagnimi i reformave dhe paqartësia strategjike e orientimit politik krijojnë kushte të favorshme për depërtimin e ndikimeve alternative gjeopolitike, të cilat shpeshherë nuk e shohin integrimin evropian si prioritet strategjik. Nëse perspektiva evropiane vazhdon të mbetet e bllokuar dhe procesi i reformave i paralizuar nga kalkulimet e brendshme politike, ekziston rreziku që vendi të hyjë në një fazë të re të paqartësisë strategjike dhe të një balancimi të pasigurt midis orientimeve të ndryshme gjeopolitike.

Prandaj, draft-raporti aktual duhet të interpretohet si një paralajmërim politik me peshë për të ardhmen institucionale të shtetit. Ai nuk është vetëm një dokument vlerësimi mbi progresin e reformave, por edhe një mundësi për të rikthyer në qendër të debatit evropian respektimin e kontratës politike ndëretnike që ka garantuar stabilitetin e vendit për më shumë se dy dekada. Pa një rikthim të qartë të vullnetit politik për reforma reale, pa respektimin e plotë të parimeve të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe pa një orientim strategjik të pakontestueshëm drejt Bashkimit Evropian, procesi i integrimit rrezikon të mbetet i bllokuar për një periudhë të gjatë. Në këtë kuptim, momenti aktual përfaqëson jo vetëm një test për kredibilitetin e elitës politike të Maqedonisë së Veriut, por edhe një provë për përgjegjësinë historike të aktorëve politikë shqiptarë për të mbrojtur dhe artikuluar në mënyrë të qartë parimet mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti institucional i shtetit.

Filed Under: ESSE

Mes poezisë, këngës dhe mirënjohjes : Komuniteti shqiptar në Montreal feston 7 dhe 8 Marsin

March 9, 2026 by s p

Valbona Ahmeti/

7 Marsi në atdheun tonë festohet si Dita e Mësuesit, ndërsa 8 Marsi si Dita Ndërkombëtare e Gruas. Me rastin e këtyre dy festave të bukura, komuniteti ynë shqiptar në Montreal u mblodh në një aktivitet të veçantë, të organizuar nga Shoqata Shqiptare nën përkujdesjen e zonjave Julinda Basha, Anila Hasko dhe Ilirjana Latifi.

Atmosfera e aktivitetit ishte e ngrohtë dhe plot emocion. Poezi të recituara nga poetja Valbona Ahmeti, pastaj nxënësit e shkollës shqipe “Naim Frashëri” në Montreal recituan me shumë dashuri poezi kushtuar mësuesit dhe nënës, ndërsa të vegjlit interpretuan edhe disa këngë që sollën buzëqeshje dhe duartrokitje nga të pranishmit.

Programi artistik u pasurua edhe më tej nga Suela Mero e cila interpretoi disa këngë të shoqëruara me fizarmonikë nga kompozitori Vlonjat Piro Kola. Një moment shumë i veçantë ishte edhe paraqitja e vajzushës Abigael, e cila na mahniti me zërin e saj plot ngjyra dhe me një vokal të nivelit të lartë, duke interpretuar dy këngë në gjuhën angleze.

Natyrisht, si në çdo aktivitet të komunitetit tonë, nuk munguan as ushqimet tradicionale shqiptare, të cilat i dhanë edhe më shumë shije këtij takimi miqësor. Falënderime të veçanta shkojnë për sponsorët që kontribuuan në këtë organizim: zotëri Prend Tanushi, zotëri Nexhi, Lori Café, si dhe të gjithë ata që ndihmuan për ta bërë këtë festë edhe më të bukur.

Ky takim ishte një dëshmi e gjallë e dashurisë për gjuhën, kulturën dhe traditat tona, si dhe një moment i bukur bashkimi për komunitetin shqiptar në Montreal.

See insights and ads

Boost post

All reactions:

33

Filed Under: Sociale

Arnautët e Damaskut zotohen për riaktivizimin e Shoqërisë së parë shqiptare të themeluar më 1947

March 9, 2026 by s p

Prof. Muhamed Mufaku/

Në Damask, si në shumë qytete në Lindjen e Mesme, mbahen gjatë muajit Ramazan iftare me karakter familjar të gjerë ose shoqëror, që mbledhin një familje të madhe ose një komunitet, ku shtrohen atje muhabete të ndryshme që kanë të bëjnë me preokupimet e ndryshme, e sidomos tani gjatë luftës së re në Lindjen e Mesme, ku raketat iraniane gati kalojnë për ditë mbi Damaskun për në Izrael.

Mirëpo, iftari kësaj here ishte më ndryshe se iftari i 2025 si nga numri i të pranishmëve ashtu edhe nga temat që u shtruan. Iftari në 2025 u mbajt vetëm disa muaj pas rrëzimit të diktaturës së familjes Asad që sundoi gjatë 1970–2024, pra kur vendi sa kishte dalë prej një lufte shkatërruese që i shtyu miliona të ikin jashtë Sirisë. Tani, pasi që regjimi i ri u stabilizua duke marrë përkrahje të mirë ndërarabe (e sidomos nga Arabia Saudite) dhe ndërkombëtare (sidomos nga SHBA dhe presidenti Trump personalisht), e duke hapur rrugën për shpresa të reja në jetën politiko-ekonomike dhe shoqërore, iftari që u mbajt më 5.3.2026 tregoi disa shenja të reja për atë ç’ndryshoi në Siri.

Iftari, si vjet, me nja 90 arnautë, u mbajt në një restorant të madh në qendër të Damaskut shumëmilionësh. Kjo vetvetiu tregon shumë. Në kohën kur u formua Shoqëria e parë shqiptare në Damask (1947) kryeqyteti nuk kishte më shumë se 250 mijë banorë dhe ishte lehtë të kalohej nëpër lagje të Damaskut në këmbë ose në tramvaj midis lagjeve ku banonin shumica e shqiptarëve në veri të Damaskut. Mirëpo, më vonë Damasku u shtri në katër anët nëpër fusha e male dhe shqiptarët u shpërndanë në shumë lagje prej viteve 60 të shek. XX.

Nga ana tjetër, me vendosjen e regjimit njëpartiak më 1963 e më pastaj të sundimit të dinastisë Asad gjatë 1970–2024, liritë politike dhe shoqërore u kufizuan dhe u përqendruan në shërbim të pushtetit, kështu që shqiptarët që janë afër 10 mijë në Siri pësuan më shumë sepse nuk kishin ndonjë të veten në pushtet. Më 1974 u hap një dritare e një shprese të madhe me fillimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhë, Letërsi e Kulturë Shqiptare për të Huaj (SNGJLKSH) në Prishtinë, sepse prej 1975 shkonin atje arnautët e Damaskut për ndonjë paraqitje ose për kurset e gjuhës shqipe. Ky kanal ishte edhe organ frymëzimi pasi që i lidhte shqiptarët e Sirisë, që janë me shumicë prej Kosove, me trungun kombëtar. Mirëpo, nga 2008 u mbyll ky kanal për shkak të ashpërsimit të sistemit të vizave për sirianët, deri kur me një përpjekje maksimale e me një mirëkuptim të MPJ u hap përsëri më 2024 për një kategori të kufizuar.

Në këtë iftar të madh morën pjesë përfaqësues të gjitha shtresave dhe gjeneratave të shqiptarëve të Damaskut: klerikë, intelektualë, biznesmenë, ushtarakë, punëtorë, studentë, pleq e të rinj. Iftarin e hapi solemnisht gjenerali i ushtrisë siriane Andyl Jashari, me origjinë prej Kosove, i cili mbajti edhe një fjalë përshëndetëse. Në fund të iftarit u mbajtën tri fjalime. Fjalimin e parë e mbajti kleriku Abdylkader Numani, imam i një xhamie në jug të Damaskut, përndryshe me origjinë nga Kosova, që e theksoi rëndësinë e këtij takimi që i mblodhi kaq shqiptarë për herë të parë prej 1947, sa që shumë prej tyre u njohën mes veti në këtë rast. Për këtë ai theksoi edhe rëndësinë e gjuhës shqipe që po asimilohej.

Fjalën e dytë e mbajti autori i këtij teksti që e lidhi rëndësinë e mësimit të gjuhës me riaktivizimin e Shoqërisë shqiptare të themeluar më 1947 dhe të pasivizuar më 1949, përkatësisht me grushtetin e parë ushtarak në Siri, pasi që me rrëzimin e diktaturës më 8.12.2024 nuk ka më pengesa as politike as ligjore. Në këtë drejtim u theksua edhe njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Sirisë, që pritet të kurorëzohet me marrëveshje për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e një ambasade ose konsullate në Damask, që do të kishte një domethënie të madhe për arnautët e Sirisë. Në fjalën e fundit, gjenerali Jashari e përkrahu idenë për riaktivizimin e Shoqërisë shqiptare dhe u zotua se pas Bajramit të fillojë sendërtimi i iniciativës për riaktivizimin e Shoqërisë.

Ky iftar që mori këtë drejtim dhe u kurorëzua me zotimin për riaktivizimin e Shoqërisë shqiptare në Damask ka kontekstin e vet më 2026, sikurse ai më 1947 kur u themelua kjo shoqëri. Viti 1947 karakterizohet në Sirinë e dalë prej Luftës II Botërore me një skamje të madhe që përfshinte shqiptarët që me shumicë erdhën dhe u vendosën në Damask midis dy luftërave botërore. Po në atë kohë (1947–1948) erdhën edhe emigrantët politikë nga Kosova e Shqipëria si dhe u vërshuan refugjatët palestinezë sa që qeveria siriane nuk ishte më në gjendje të ofronte më ndihmë për refugjatët. Kjo skamje ishte ajo që e shtyri parinë shqiptare të mblidhej e të formonte Shoqërinë mirëbërëse shqiptare, që kishte për qëllim urgjent ndihmën për nevojtarët.

Ky kontekst del tani edhe më i prekshëm. Pas një lufte të vazhdueshme 15 vjet dhe shkatërrimit deri në themel të një lagjeje shqiptare në jug të Damaskut, shumë shqiptarë mbetën pa strehim e punë. Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare 90% e sirianëve jetojnë në varfëri, që përfshin edhe shqiptarët. Por në të njëjtën kohë kemi tani edhe biznesmenë shqiptarë që janë në gjendje të ofrojnë ndihmë. Njëri prej tyre është edhe Kenan Hixhazi, i cili ishte kosponsor i këtij iftari të madh, po i cili ofroi shumë paketime me ushqim që i prodhon fabrika e tij New Park.

Në këtë kontekst, pjesëmarrësit në këtë iftar dolën me një shpresë të re për ditë më të mira, sepse u përmend se Shoqëria e re shqiptare nuk do të japë vetëm ndihma për nevojtarët por edhe libra dhe kurse të gjuhës shqipe për ata që shprehën interesim ta mësojnë gjuhën shqipe.

Legjenda: Gjeneral Andyl Jashari, i dyti nga e majta, midis arnautëve në iftar.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Toka shqiptare nuk është thjesht mall: midis investimit të huaj dhe mbrojtjes së sovranitetit kombëtar
  • Princi  i gojëtarisë dhe mbledhësi i thesareve të Malësisë…
  • 80 vite nga vrasja e profesor Ymer Berishës 1912-1946
  • Arti si një shije e fituar përtej kufijve të logjikës
  • Serbia, përgjegjëse për krimet dhe dhunën ndaj shqiptarëve 1877–1999: nga dëbimet e Sanxhakut të Nishit te krimet e luftës në Kosovë
  • Filatelia e Kosovës – konsistente në promovimin e ruajtjes biodiversitetit
  • Në shërbim të atdheut!
  • “Gruaja që endej hijeve”
  • “Të kesh” dhe “të jesh”, kjo është çështja në Shqipërinë e sotme…
  • Deklaratat e ministres serbe si qasje e Beogradit ndaj Kosovës
  • Ikja e heshtur e Shqipërisë, kur një komb humbet njerëzit që ndërtojnë të ardhmen
  • Kur Kosova përçahet, Serbia ëndërron rikthimin e së kaluarës
  • Republika e pesë yjeve
  • Shqipëria e Vogël në Bronx: Një Komunitet i formuar nga historia, vështirësia dhe shtëpia
  • TURPI I NJË DEKLARATE QË SFIDON TË VËRTETËN HISTORIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT