Përkujtohet 25 vjetori i rivendosjes së mardhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri/
Nga Shefqet KERCELLI/Ambasada Amerikane në Tiranë, përkujtoi më 3 tetor 2016, 25-vjetorin e rihapjes së selisë diplomatike në Shqipëri. Të pranishëm në këtë ceremoni, veç diplomatëve, figurave të njohura të politikës, personalitete të fushave të ndryshme, ishin dhe disa nga personat që kanë qenë të pranishëm një çerekshekulli më parë në rihapjen e ambasadës. Njëri prej tyre, ishte i ngarkuari me punë i SHBA-ve në atë kohë, Shkëlqesia e Tij, Christopher Hill. Në fjalën e tij, zoti Hill rikujtoi premtimin e mbajtur nga Shtetet e Bashkuara se asnjëherë nuk do ta linin Shqipërinë vetëm, dhe kërkoi nga qeveria Shqipëtare që të vijojë të mbajë premtimet, ndërsa politikanët shqiptarë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrit, ashtu siç bashkëpunojnë me Amerikën. Pak ditë më parë në një video të postuar në “You Tube”, ambasadori Amerikan në Shqipëri, Donald Lu u shpreh se, “Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në botë me një shkollë që mban emrin e presidentit Wilson, një rrugë që mban emrin Xhorxh Bush dhe një kafe me emrin e Barack Obamës”. Është e vështirë, theksoi ambasadori Lu, “të besosh se vetëm 25 vjet më parë Shqipëria dhe Amerika nuk kishin marrëdhënie zyrtare. Mund të duket kohë e gjatë, por në historinë e dy popujve dhe dy vendeve është vetëm fillimi”. “Për mua Shqipëria është me të rinjtë e jashtëzakonshëm të saj, pjesa më e madhe e të cilëve kanë lindur gjatë këtyre 25 viteve. Më e mira nuk ka ardhur ende në marrëdhënien tonë. Ne qëndrojmë së bashku me krenari. Ky është vetëm fillimi”, u shpreh ambasadori Lu. Ndërsa ambasadorja Shqiptare në SHBA, Floreta Luli-Faber nënvizoi se, “për popullin shqiptar, SHBA-të kanë qenë gjithmonë simbol i lirisë dhe demokracisë. Kanë qenë shpresa që ka udhëhequr përpjekjet e atyre që luftuan për liri dhe demokaci. Sot, në 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhenive diplomatike mes dy vendeve tona, SHBA-të janë bërë shtëpia e shumë familjeve shqiptare”. “Ne do të qëndrojmë përkrah njëri-tjetrit edhe në të ardhmen. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një partner dhe mik i ngushtë i SHBA-së dhe ky është vetëm fillimi”, theksoi ambasadorja Floreta Luli-Faber.