Nga Det. ALTIN Celoaliaj/
Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Zbatuesve të Ligjit (Albanian American Law Enforcement Association – AALEA USA) mbajti në datë 25 janar takimin e saj të përvitshëm “Cigar & Whiskey Dinner”. Eventi u organizua në The Graycliff, Nju Xhersi, me pjesëmarrjen e mbi 300 personave, duke përfshirë personalitete të shumta nga fusha e policisë, drejtësisë, shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës, biznesit, akademisë dhe edukimit, e të tjera. Është për t’u theksuar interesi i madh për këtë event, brenda komunitetit shqiptar, por edhe përtej tij. Në fakt, mbrëmja u nderua me praninë e gjykatësve federalë, katër sherifave nga Nju Xhersi, por dhe një sërë zyrtarësh dhe ish-drejtuesish të lartë të institucioneve amerikane, si shtetërorë, ashtu edhe federale. Një tjetër personalitet i pranishëm ishte z. Munr Kazmir, Zëvëndës Presidenti i Kongresit Hebre Amerikan, një prej organizatave më të vjetra, më përfaqësuese dhe më të rëndësishme të komunitetit hebre në Shtetet e Bashkuara. Nuk munguan gjithashtu as përfaqësues të trupit diplomatik, duke përfshirë edhe Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në Nju Jork, z. Frymëzim Isufaj. Gjatë eventit, përfaqësues të AALEA USA vlerësuan me çmime një sërë liderësh të rëndësishëm në komunitetin e policisë dhe miq të organizatës, ku spikati vlerësimi për z. Patrick Lynch, presidentin e Police Benevolent Association (PBA) në qytetin e Nju Jorkut. Organizata vlerësoi gjithashtu edhe z. Elton Shametaj, themeluesin e AALEA USA, për veprimtarinë e paepur dhe kontributin e tij. Tashmë komuniteti shqiptar i zbatuesve të ligjit konfirmohet si një nga komunitetet profesionale më të organizuara dhe të konsoliduara brenda komuniteti shqiptaro-amerikan. “Cigar & Whiskey Dinner”, konceptuar si një mbrëmje miqësie dhe socializimi, po kthehet tashmë në një traditë, së bashku me aktivitetet e tjera vjetore të organizuara nga AALEA USA. Përkushtimi dhe kontributi i oficerëve shqiptaro-amerikanëve ka sjellë jo vetëm sendërtimin e një marrëdhënieje të ngushtë me kolegët e tyre amerikanë, por edhe po shërben çdo ditë e më shumë për promovimin e Shqipërisë, Kosovës dhe të diasporës shqiptare në SHBA. Këto oficerë dhe shërbyes publikë shfaqin në përditshmërinë e tyre profesionalitetin më të lartë në ushtrimin e detyrës. Nëpërmjet këtij fakti, ata janë shndërruar në përfaqësues dinjitozë të një komuniteti që është integruar plotësisht në familjen e madhe amerikane, por duke ruajtur elementet identitare shqiptare. Sikurse e tregoi dhe eventi më i rishtë, ata janë tashmë një nyje lidhëse e pazëvendësueshme ndërmjet shqiptarëve dhe Amerikës.