• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“RINGJALLJA”

December 26, 2018 by dgreca

Tregim i jetuar, nga Memisha Gjonzeneli/

Gjykatësen e quanin Ana.1 MEMISHAU

Anës punët i shkonin shumë mirë, ajo përpiqej shumë që t’iu vinte në ndihmë të gjithë hallexhinjve që i shkonin në zyrë dhe kërkonin ndihmën e saj. Ajo ishte korrekte me të gjithë, serioze, buzëqeshte rrallë. Të tillë e kishte bërë puna.

Në mëngjes çonte Henrin në kopsht, pastaj në punë deri në orën tre, kur shkonte të merrte Henrin nga kopshti. Shkonte shpejt, që të kishte kohë të rrinte me djalin. Ai sa e shikonte gjyshen turrej me vrap dhe i hidhej në qafë. Gjithë pjesën tjetër të kohës, e kalonte në shoqërinë e Nikos dhe të Elenës. Shpesh linte dhe Henrin me ta, dhe në mëngjes shkonte e merrte për ta çuar në kopsht.  

Ornela kishte filluar të shoqërohej me një djalë dhe rrallë e kërkonte Henrin, madje djali mërzitej se donte të rrinte vetëm me gjyshe Anën, ajo kishte makinë dhe e çonte ku të donte dhe blinin gjithçka që ai dëshironte.

Nikua kishte disa ditë që nuk ishte mirë, nuk kishte oreks, kishte temperaturë dhe ishte zverdhur në fytyrë. Ana i lutej ta çonte tek doktori por, ai nuk donte. Një ditë i ra të fikët, lajmëruan ambulancën. Ana nuk ishte në shtëpi. Eleni e telefonoi dhe ajo shkoi menjëherë. I gjeti duke hipur në ambulancë. Të dyja gratë e shoqëruan Nikon në spital. E futën së sallë. Të dyja gratë pritën tek dera. Pas tre orësh dera u hap. Doli një mjek mesoburrë. Ai më kokën të ulur u drejtua nga gratë dhe iu tha:

–         Ju jeni familjarët e të sëmurit?

–         Po. – iu përgjigj Elena, duke qarë. – Të lutem doktor, si është? Doktori tundi kokën i mërzitur.

–         Është shumë keq, ka kancer në mëlçi, metastazat janë përhapur shumë, sëmundja ka përparuar. Ka ardhur shumë vonë, nuk kemi se çfarë t’i bëjmë. Nëse dëshironi mund ta merrni në shtëpi.

–         Të lutem, doktor, edhe sa mund të jetojë? – pyeti Elena.

–         Jo më shumë së dhjetë ditë.

–         Atëherë, po e marrim në shtëpi.

–         Unë po shkoj përpara, të rregulloj shtëpinë, ti eja me ambulancë. – I tha Ana dhe u nis.

Ajo mbërriti në shtëpi, rregulloi çdo gjë. Kur erdhi ambulanca gjithçka ishte gati.

Infermieret e shtrinë, Nikon, në krevat. Ato lanë disa ilaçe dhe u larguan. Nikua dukej sikur flinte.

Në shtëpi mbetën dy gratë. Eleni qante mbi kokën e Nikos dhe e kishte humbur fare toruan.

–         Po shkoj të rregulloj djalin, po e dërgoj tek e ëma, të rrijë atje sonte dhe erdha. Të lutem qetësohu se do sëmuresh edhe ti. – tha Ana dhe iku.

Ana shkoi e mori gjithçka që duhej për këto raste.

Nikua ndërroi jetë pas dhjetë ditësh. E përcollën me nderime shokë të punës së Robertit, shokë e miq të lagjes. E vendosën të prehej afër Robertit.

Elena nuk donte të largohej nga shtëpia prandaj, Ana erdhi të qëndronte me të.

Shpesh Henri kërkonte gjyshin e tij të dashur, e atëherë Elena fillonte të qante.

Koha bënte punën e saj. Ana, si gjithmonë, në mëngjes çonte djalin në kopsht, pastaj shkonte në punë deri në orën tre, merrte djalin nga kopshti (ai mezi e priste, e puthte me shumë mall) shkonin blinin akullore dhe shkonin në shtëpi tek gjyshja tjetër. Shpesh të tre dorë për dore shkonin dhe rrinin në park. Ndonjëherë, drekonin jashtë.

Të shtunën, në orën nëntë, në mëngjes, Ana përgatiste dy tufa me lule, një për Robertin dhe një për Nikon e të tre shkonin në varreza.

Elena merrte Henrin për dore dhe ulej aty afër, në anë të rrugës, ku ishin disa stola. Ana rrinte vetëm, ajo fliste me Robertin sikur ai të ishte gjallë. Nuk i hiqej nga mendja çasti kur kishte parë Robertin, të cilin e la fare të vogël, tre-katër kilogram. Kur e pa, ai ishte bërë burrë, e kishte zënë gjithë krevatin.

–         O Zot, bir, kur të qafova, gjithë trupi mu drodh. Kisha droje dhe frikë mos më thoshte  se

ç’doja atje, por jo, ti vetëm hape sytë e bukur, më pe dhe me zë të fikur më the nënë. Doje të buzëqeshje por nuk munde, buzët të mbetën pak të hapura, nëna erdhi përpara se ti të largoheshe nga kjo jetë. O Zot sa të kam kërkuar, por nuk ishte e thënë të të takoja. O Zot sa fatkeqe jam. – i fliste Ana të birit.


Lotët nuk i pushonin. Të gjitha nënat, në botë, presin me mall, kur fëmija për herë të parë thotë fjalën e çmuar Nënë. Nga ai çast diçka për to ka ndryshuar, ato nuk kanë nevojë ta thonë, por e ndiejnë.  Edhe Ana, kur e dëgjoi atë fjalë, u drodh, pastaj i ra të fikët. Kur u përmend ajo e kuptoi se kishte humbur dy gjërat më të çmuara të jetës: djalin që nuk do ta shikonte më dhe fjalën nënë, të cilën nuk do ta dëgjonte më.

Kushedi sa herë i kishte kaluar nëpër mendje këto gjëra, por sot iu dukën më therëse.

Rregulloi edhe pak varrin dhe u ngrit. I tha vetes “Henri ka nevojë për mua” e u nis drejt tyre.

Kur bënë varrin, të tre vendosën që të shkruanin dhe emrin e babait. E mbi të shkruan Robert Eduard Vanda. Vendosën dhe një foto kur Roberti ishte fejuar. Dukej aq i bukur…

Të shtunën në varreza shkoi vetëm Ana dhe Henri. Ajo nuk donte që Henri të trembej prandaj kur shkonin bashkë në varreza nuk qante. Në ditë të tilla ajo merrej me rregullimin e luleve, i pastronin nga gjethet e kalbura, i ujisnin.

Pranë tyre kaloi një kortezh. Po përcillnin për në banesën e fundit njeriun e tyre. Henri donte vraponte por Ana i foli  dhe e ndaloi duke e kapur për dore. Zëri i saj iu tërhoqi vëmendjen. Ajo dukej shumë simpatike me rroba të zeza me një shall të madh të zi, me çizme të zeza. Të gjithë po e shikonin. Ajo mori Henrin dhe u largua…

                                                          ***

Eduardi u arrestua muajin e fundit kur do mbaronte universitetin. Ai merrej me veprimtari politike. Ishte një organizatë e madhe por, brenda në të ishin futur agjent të policisë, e kështu filloi të dukej se diçka po lëvizte. Ai kishte një të dashur që studionte për juridik, në vitin e fundit. Kishin katër vjet që ishin bashkë, e quanin Ana. Madje ata prisnin edhe një fëmijë, i cili donte dhe pak ditë që të vinte në jetë.

Eduardi u takua në mbrëmje me Anën. Ishte i mërzitur.

–         Çfarë ke shpirt? – e pyeti ajo. – Nuk po të shoh mirë, çfarë ke?

–         Ka mundësi të më arrestojnë, për ato që të kam thënë.

–         Nuk besoj.

–         Po ndodhi na mori lumi. Unë nuk kam askënd tjetër veç teje.

Të dy u ndanë të shqetësuar.

Dy ditë më vonë, atë e arrestuan, në shkollë. Ana e mori vesh pas disa ditësh kur, rektori tha emrat para shkollës. Aty dëgjoi edhe emrin e Eduardit.

Ai qëndroi 11 muaj në hetuesi dhe u dënua 25 vjet, nga të cilat bëri 21 vjet burg. Kur u lirua e çuan në një ishull për pesë vjet. Disa nga shokët e tij u pushkatuan. Kur u lirua nuk shkoi tek njerëzit e tij, ata ishin familje e njohur dhe e pasur. Me ndihmën e shokëve të cilët, nuk e kishin harruar, u rregullua, mori një apartament me qira dhe u fut mekanik në një ofiçinë. Kur e morën vesh njerëzit e tij filluan ta ndihmonin por, pa rënë në sy.

Ai shkoi në universitet të hidhte provimet që i kishin mbetur. Kur ishte në burg, kishte studiuar për mekanikën se e kishte për zemër. Kishte kohë vetëm tre muaj për të dhënë provimet, por edhe atij nuk i duheshin më shumë. Provimet i mori shkëlqyer.

Aplikoi në një kompani që prodhonte makineri bujqësore dhe pas një muaji i erdhi përgjigja që të paraqitej në sekretari. Shkoi dorëzoi dokumentacionin dhe pas dy ditësh filloi punë.

Ai ishte njeri serioz, por edhe burgu kishte bërë punën e tij, kishte trup mesatar, muskulor, i pashëm. Pamja nuk i tregonte pesëdhjetë vitet e tij. Ashtu si kishte bërë kur ishte fëmijë, student por edhe në burg, me pasionin për mekanikën, njësoj vazhdoi edhe në punë. Ai blinte libra dhe studionte. Shumë shpejt ra në sy dhe e emëruan krye inxhinier. Bleu një shtëpi në një kodër të vogël afër detit. Filloi të interesohej për Anën. Nuk e kishte harruar kurrë. Kur ishte në burg bënte veten fajtor për çdo gjë dhe Anën nuk e harroi për asnjë çast.

Kërkimet i kishin shkuar kot, e në fund ia la në dorë kohës. Një ditë në punë u aksidentua një mekanik dhe humbi jetën. Eduardi shkoi në ceremoninë e varrimit. Kur mbërritën në varreza atij i tërhoqi vëmendjen një zonjë e veshur me të zeza me një fëmijë, të cilët po rregullonin lulet pranë një varri.

Kur mbaroi varrimi Eduardi ktheu sytë nga varri ku qe zonja por, nuk pa njeri. U nis për të ikur, eci pak, qëndroi i menduar dhe menjëherë u kthye. Shkoi tek varri ku kishte qenë zonja me fëmijën. Kur mbërriti atje u tmerrua. Nga fotua iu duk sikur ishte varri i tij. Djaloshi në foto ngjante shumë me të. U ul në gjunjë, kapi kokën me duar dhe po i shtrëngonte fort derisa iu duk se erdhi në vete. Ktheu sërish sytë nga fotua. Djali kishte dalë duke buzëqeshur dhe shikonte drejt tij sikur t’i kërkonte llogari. Pastaj hodhi sytë tek emri dhe lexoi: Robert Eduard Vanda.

“O Zot, po ky jam unë!”, mendoi me vete. Vërtetë Roberti i ngjante shumë të atit.  U ul në buzë të varrit dhe nuk po e mblidhte dot veten. Kaloi gjysmë ore, ai po vazhdonte të ndihej i përhumbur. E kuptoi pak a shumë si ishte puna. Ai ishte djali i tij, që kishte ndërruar jetë. Filloi të qante pa zë. Qante për djalin dhe për veten e tij që kishte humbur një nga pjesët më të rëndësishme të jetës së tij. Gjithë trupi po i dridhej, kishte duruar shumë tortura, për njëmbëdhjetë muaj, por këtë nuk po mund ta duronte dot.

U ngrit dhe nuk la vend pa e puthur foton e të birit që nuk e kishte parë kurrë. Kur ishte në burg kishte parë shumë ëndrra për Anën, djalin, familjen, por të gjitha ishin zhdukur. Çfarë realiteti!. U largua, shkoi në shtëpi, u shtri në krevat dhe ashtu të veshur e kishte zënë një gjumë i rëndë. U zgjua shumë vonë e nuk fjeti më deri në mëngjes.

Mezi e priti mëngjesin. Shkoi tek zyrat e varrezave. U takua me një mesogrua dhe një burrë.

–         Me se mund t’ju ndihmojmë? – e pyetën ata.

–         Dua informacion për këtë varr. – dhe iu tregoi fotografinë e varrit dhe vendndodhjen e tij.

–         Çfarë lidhje keni me këtë varr?

Ai nxori pasaportën dhe iu tha se ishte i biri.

–         Për shkaqe të ndryshme unë nuk kam qenë me të. Ju lutëm më ndihmoni!

–         Dakord. – iu përgjigjën ata – ju lutemi, kthehuni pas njëzetë minutash.

Kur u kthye, ata e sqaruan, sa informacion kishin. I treguan se çdo të shtunë ne orën dhjetë e ëma vjen, nuk mungonte asnjëherë.

–         Faleminderit! – iu tha Eduardi. Ai donte t’i paguante, por ata nuk pranuan.

Ditën e shtunë që në mëngjes u nis për në varreza. Gjatë javë kishte shkuar disa herë tek i biri, por këtë të shtunën do takonte Anën.

U ul tek varri dhe mbante kokën poshtë.

Ana rregulloi krevatet, Elena doli në ballkon kur Henri për herë të parë i thotë Anës:

–         Nëna unë jam gati, do ikim?

Ajo kur e dëgjoi i ra të fikët. Nga fjala Nënë iu mbush trupi me mornica dhe sytë me lotë. Vogëlushi sa e pa ashtu shkoi me vrap, e kapi gjyshen për mezi.

–         Të lutem më fal!

Ana e rrëmbeu djalin dhe e mori në krahë.

–         Jo, të keqen gjyshja, – i tha – ti e di që mua më ke gjyshe, mami jot është në punë.

Ajo mezi e pushoi nga të qarat. Elena dëgjoi të qarat dhe shpejt hyri brenda.

–         Çfarë ka djali? – tha ajo, por kur pa Anën të tronditur pyeti përsëri: – Çfarë ndodhi këtu, a

nuk më thoni?

Ana e mblodhi veten.

–         Mos u shqetëso, asgjë nuk ka ndodhur. – i tha Ana dhe mbuloi djalin me të puthura.

Pas gjysmë ore mbërritën në varreza. Kur u afruan, panë një burrë që ishte ulur tek varri. Në fillim, Ana mendoi se mos ishte sherifi por, kur u afrua u bind që nuk ishte ai. Ajo iu drejtua:

–         Zotëri, ju lutem, jeni ulur gabim!

–         Jo! Jam ulur atje ku duhet. – iu përgjigj ai dhe u kthye nga Ana, me sytë e mbushur me lot.

Ana fërkoi sytë me habi.

–         Mos je gjë fantazmë?! – pyeti ajo.

–         Po. – i tha ai dhe të dy ballë për ballë me habi po shikonin njëri-tjetrin.

Nuk e dinin se sa kohë kishin ndenjur ashtu, kur qetësinë e prishi Henri.

–         Gjyshe, eja të ikim, se ky burri na ka zënë varrin e babit.

Eduardi nuk priti, e rrëmbeu djalin e hodhi në qafë dhe filloi ta puthte. Djali në fillim u tremb por pastaj u qetësua. Atij iu duk shumë i dashur xhaxhi që e kishte marrë në krahë.

–         Xhaxhi, të lutem, pse po qan? Mos të vrava gjë? Të lutem më fal.

Edhe Anës iu mbushën sytë me lot. Ajo nuk po lëvizte dot nga vendi. U ul puthi foton e të birit, shpërndau lulet e freskëta.

–         Bir, – i tha – tani jemi gjithë familja këtu. Pse na ndau fati kështu?

Eduardi me djalin në krah u larguan dhe e lanë Anën të rrinte pak më shumë me të birin.

–         Po ti xhaxhi, më ke xhan mua? – pyeti Henri.

–         Po, të kam shumë xhan. – I tha Eduardi dhe filloi ta puthte.

–         Mirë, po a të kam gjë unë ty? Unë kam dy gjyshe dhe mamin.

–         Po, –  tha ai – mua më ke gjysh dhe unë të dua shumë, shumë, ja kështu.. – dhe e shtrëngoi fort.

Eduardi ishte informuar për çdo gjë.

Ana u ngrit. Shkoi drejt tyre. Ajo i dha dorën Edit.

–         Mirë se erdhe.

Ai e uli djalin, vogëlushi sapo uli këmbët në tokë, iu ngjit gjyshes tek fundi. Ai e kapi për dore.

–         Si më gjete pas kaq kohësh? – e pyeti ajo.

Ajo ishte mësuar t’i linte njerëzit të flisnin dhe ajo dëgjonte, pastaj mendonte dhe përgjigjej.

Eduardi filloi të tregonte shkurtimisht historinë e jetës, çfarë i kishte ndodhur. I foli për burgun, për punën, për shkollën dhe në fund i tha se nuk kishte hequr dorë nga kërkimi për të.

–         Tani më trego ti. – i tha ai me të qeshur.

Ajo i tregoi gjithçka me sinqeritet.

–         Po, – i tha ai – unë pak a shumë tani e di se çfarë të ka ndodhur, na i ndërprenë jetën në

mes.

Të dy ishin me kulturë, nuk kishte nevojë të kërkonin fajtorin, por të shpëtonin çfarë të mundnin nga e gjithë kjo.

Dolën në rrugë, djalin në mes dhe ata të dy që formonin një treshe tepër simpatike. E filluan bisedën që nga shkolla, e filluan historinë atje ku e kishin ndërprerë.

–         Vetëm dashurinë mund ta fillojmë atje ku e lamë, gjithë të tjerat harroi.

Mbërritën tek makina, Eduardi kishte makinë të shtrenjtë dhe shumë të bukur. Djalit i pëlqeu shumë dhe vrapoi drejt saj.

–         E kisha ëndërruar takimin tonë, por asnjëherë kështu, s’ka imagjinatë ta kap këtë

çast. – i tha Eduardi.

Ana ishte pak e turbulluar, kaq shumë gjëra të ndodhura për një ditë ishin shumë, vetëm një mendje e fortë si e Anës mund t’i përballonte.

–         Rëndësi ka që ne u takuam dhe u sqaruam, të tjerat nuk kanë vlerë.

–         T’iu shoqëroj deri në shtëpi, të lësh djalin dhe dalim, pimë një kafe, ose hamë diçka, si të

duash? – propozoi Edi.

–         Më mirë nesër, jemi shumë të lodhur. – iu përgjigj Ana.

–         Atëherë, kështu do ta lemë. – tha Edi dhe nxori një kartëvizitë e ia la në dorë Anës. – Të lutem më jep dhe ti kartëvizitën tënde.

–         Po, – tha ajo, hapi çantën dhe nxori një copë e ia dha Edit.

Kaluan ditë, shoqëria e të dyve sa vinte e shtohej. Një ditë Ana i tha Elenës:

–         Ke kohë të bisedojmë diçka, si dy motra?

–         Si jo, – ia ktheu Elena – edhe unë kam diçka për të thënë.

–         Unë kam gjetur babain e Robertit. Për arsye të kushteve, ne kemi qenë të ndarë, pa

dëshirën tonë, tani kemi gjetur njëri-tjetrin dhe duhemi shumë. Të lutëm më ndihmo si t’ia bëj. Ti e di që unë të dua si motrën time dhe do bëj çfarë të më thuash ti.

Elena qeshi.

–         Edhe unë kisha diçka për të të thënë. Para një muaji motrës sime i vdiq burri, siç ti e di, e

tani po më lutet që të shkoj të jetojmë bashkë. Unë mendoj të shkoj. Aty, në sirtar, kam lënë testamentin, ço gjë ia kam lënë Henrit, të shtunën në mëngjes unë do të largohem.

Gjatë gjithë javën Edi, çdo darkë i nxirrte e darkonin jashtë por shpesh darkonin edhe në shtëpi. Një mbrëmje e kaluan në shtëpinë e Edit. U kënaqën shumë, ballkoni me pamjen nga deti, ushqimi i mirë, fjetën shumë mirë. Në mëngjes pinë kafe dhe Edi i çoi në shtëpi. Të nesërmen shkuan në aeroport të përcillnin Elenën. Para se të ndaheshin Elena e hoqi mënjanë Anën dhe i tha:

–         Ke burrë të mrekullueshëm! Të uroj gjithë të mirat e kësaj bote!

U përqafuan të dyja dhe filluan të qanin.

Edi e mori shpejt Anën që të mos qante Henri.

–         Lamtumirë, zonjë e nderuar.

Aeroplani u nis.

Atë natë të tre fjetën në shtëpinë e Edit, ndofta që t’i urojnë çiftit jetë të lumtur përgjithnjë, pas gjithë këtyre peripecive.

Çikago, Nëntor 2018

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Memisha gjonzeneli, Ringjallja

SHQIPERI-Besimtarët katolikë e ortodoksë festuan Krishtlindjet

December 25, 2018 by dgreca

Besimtarë katolikë dhe ortodoksë në mbarë botën festojnë sot Krishtlindjet, lindjen e Jezu Krishtit./

1 mesha1

Në katedralen e “Shën Palit”, në kryeqytet besimtarët katolikë kremtuan këtë ditë të shënuar ku mesha u drejtua nga Imzot Xhorxh Frendo, i cili uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe dashuri dhe mirësi.

“Me mishërimin e birit të vet zhduku errësirat e botës dhe lindjen e tij të lume e shndriti këtë natë. Ai zhduktë prej jush errësirat e veseve dhe ndriçoftë zemrat tuaja me dritën e virtyteve.Hyji ju mbushtë dhe ju me gëzimin e vet dhe ju bëftë lajmëtarë të ungjillit të vet.Ju pajistë me dhuratën e paqes së vet dhe të vullnetit të mirë.Gëzuar Krishtlindjet!,” u shpreh ai.

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u zhvillua mesha për besimtarët dhe po drejtohet nga kryepeshkopi Anastas Janullatos.

Ai iu drejtua besimtarëve me urimin që Viti i Ri 2019 të jetë i bekuar dhe të ketë siguri e paqe.

“Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri le të jetë përplot me sigurinë e pranisë së Krishtit në jetën tonë të përditshme dhe në ecurinë e botës”, tha Janullatos.

25 dhjetori është dita e shënuar e lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në gjithë botën.
Në Shqipëri, Krishtlindja rinisi të festohet pas viteve ’90-të, kur u lejua besimi fetar, i ndaluar nga diktatura. Darka e Krishtlindjeve paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës

Betlehemi është qyteti i lindjes së Krishtit para dy mijë vjetësh, i cili erdhi në jetë në një kasolle.

Në shërbesat që i paraprijnë Krishtlindjes lexohen pjesët e Dhiatës së Vjetër rreth Lindjes së Krishtit, duke theksuar profecinë e Mikeas, e cila e parathotë Bethlehemin si vendlindjen e Shpëtimtarit dhe profecitë e Isaisë rreth ardhjes dhe karakterit të Mesias: Vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, një virgjëreshë do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quajnë Emanuel, që do të thotë Perëndia është me ne (Isaia 7:14-15). Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të jetë mbretërimi dhe do të quhet i Mrekullueshëm, Këshilltar, At i Përjetshëm, Princ i Paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e mbretërimit dhe paqes së tij (Isaia 9:6-7).

Festa e Krishtlindjes quhet dhe Lindja në Mish e Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Në Krishtlindje kremtohet lindja si njeri e Birit të Perëndisë, të atij që së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë është me të vërtetë Perëndi në jetë të jetëve.Prandaj në Kishë këndohet: Virgjëresha lindi sot të përmbiqenshmen Fjalë, edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën; Engjëjt, me barinjtë po lavdërojnë, Magët pra, bashkë me yllin po udhëtojnë; se për ne ka lindur Krishti, si djalë foshnjë, i parëjetshmi Zot.Festa e Krishtlindjes është kremtimi i shpëtimit të botës nëpërmjet Birit të Perëndisë, i cili u bë njeri për ne, që me anën e tij, ne të mund të bëhemi hyjnorë, bij të Perëndisë Atë, me anë të banimin ndër ne të Shpirtit të Shenjtë.

Shkodër, Krishtlindje të gëzuara në qytetin verior1 shkoder Krishtlindje

Besimtarët e krishterë të qytetit të Shkodrës kanë festuar të gjithë së bashku pranë familjeve të tyre.Por, festa e Krishtlindjeve pjesën kulmore të saj e ka në mbajtjen e meshave solemne pranë katedraleve të qytetit.Në katedralen e “Shën Shtjefnit” në Shkodër u kremtua sot mesha e Krishtlindjes, një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë.Në meshën e drejtuar nga Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult Angelo Massafra, ishin të pranishëm qindra besimtarë të krishterë.

“Çdo njeri të jetojë me paqe në shtëpi e kudo, të jetojë në paqe kudo në botë. Këtë natë duhet të tejkalohet çdo vështirësi, urrejtje e mëri ndaj të tjerëve, duke hapur zemrën per dashuri”, iu drejtua Arqipeshkvi Massafra besimtarëve që kishin mbushur katedralen.

Për familjet shkodrane, festa e Krishtlindjeve apo Kshnellat, siç njihen në Shkodër, është ndër më të veçantat për besimtarët e krishterë, përfshirë ato katolikë dhe ortodoksë. Nisur edhe nga përqindja më e madhe që ekziston në Shkodër dhe përgjithësisht në qarkun verior, komuniteti katolik është më në vëmendje të kësaj feste.

Edhe pse më të pakët në numër, me të njëjtën madhështi e përjeton këtë festë edhe komuniteti ortodoks.

Filed Under: Opinion Tagged With: besimtaret, katolikë e ortodoksë, Krishtlindjet

PRESIDENTI META URON KRISHTLINDJEN

December 25, 2018 by dgreca

Meta: Krishtlindja 2019, me negociata të hapura me BE-në/1 meta1-1

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, uroi sot që Krishtlindjet e vitit të ardhshëm ta gjejnë vendin me negociata të hapura për anëtarësimin në Bashkimin Europian.“Është një ditë që na fton të gjithëve të shtojmë urtësinë dhe mençurinë që Krishtlindjet e tjera të na gjejnë jo vetëm më të gëzuar, më të bashkuar dhe të na gjejnë me negociata të çelura për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha Meta në urimin e tij për besimtarët e krishterë nga Katedralja Ortodokse në Tiranë.Kreu i shtetit u vlerësoi gjithashtu punën e komuniteteve të besimit në vendin tonë për sa i përket harmonisë fetare.

“Dua të vlerësoj punën e jashtëzakonshme që bëjnë komunitetet e besimit në vendin tonë, jo vetëm për besimin tek Zoti, jo vetëm për besimin tek e drejta, tek e mira, tek paqja, por mbi të gjitha atë punë të shkëlqyer dhe shembull që japin komunitetet tona duke e rritur çdo ditë harmoninë ndërfetare në vendin tonë dhe kjo harmoni duhet të reflektojë kudo dhe në radhë të parë duhet të reflektojë në politikë”, nënvizoi Meta.

I pyetur për Reformën Zgjedhore, Meta u shpreh që nga kjo ditë feste të shtojmë mençurinë për t’i zgjidhur gjërat.

“Kjo është një ditë që na fton të gjithë të shtojmë urtësinë që Krishtlindjet e tjera të na gjejnë më të gëzuar, dhe me negociata me BE”, tha Meta.

Filed Under: Politike Tagged With: Krishtlindja, Presidenti Meta, Shqiperia dhe BE

Urimi i Papës për Krishtlindje

December 25, 2018 by dgreca

Urimi i Papës për Krishtlindje: vëllazërim ndërmjet kombeve e feve të ndryshme!/

1 a Papa mesazh

Në mesazhin e Krishtlindjes “Urbi et Orbi”. Papa Françesku kujtoi vendet e ndryshme të botës, që kanë nevojë për paqe e pajtim. Një mendim i posaçëm, për të krishterët që e kremtojnë Krishtlindjen në rrethana armiqësore, duke uruar që të gjitha pakicave t’u njihet liria fetare.Uroi vëllazërim për mbarë botën Papa, duke i drejtuar sot Mesazhin tradicional të Krishtlindjes, në përfundim të të cilit dha Bekimin Apostolik:“Ju, besimtarë të Romës, ju shtegtarë e ju të gjithëve, që jeni lidhur sot me Romën, nga të katër anët e botës, ju kujtoj rishtas kumtimin gazmor të Betlehemit: “Lumni Hyjit në më të lartin qiell/ e përmbi tokë paqe njerëzve , që ai i ka për zemër” (Lk, 2,14).

Ashtu si barinjtë rendën të parët tek Shpella, rrimë të mahnitur para shenjës që na dha Zoti: “Një ferishte e lidhur në fasha, e vendosur mbi një grazhd” (Lk 2,12). Në heshtje, gjunjëzohemi dhe  e adhurojmë.

E ç’na thotë ky Fëmijë, që lindi për ne nga Virgjëra Mari? Cili është mesazhi universal i Krishtlindjes? Na thotë se Zoti është Atë i mirë e ne jemi të gjithë vëllezër.

Kjo e vërtetë është në bazë të vizionit të krishterë të njerëzimit. Pa vëllazërinë, që na e dhuroi Jezu Krishti, përpjekjet tona për një botë më të drejtë janë frymëshkurtëra. E edhe projektet më të mira rrezikohen  të katandisen në struktura pa shpirt.

Prandaj urimi im i Krishtlindjes, është urim vëllazërimi.

Vëllazërim ndërmjet njerëzve të çdo kombi e kulture!

Vëllazërim ndërmjet njerëzve me ide të ndryshme, por të aftë  ta respektojnë e ta dëgjojnë tjetrin!

Vëllazërim ndërmjet njerëzve me besime të ndryshme! Jezusi  erdhi t’ua dëftojë fytyrën e Zotit të gjithë atyre, që e kërkojnë.

E fytyra e Zotit u duk në një fytyrë njerëzore konkrete. Nuk u duk në një engjëll, por në një njeri, lindur në një kohë e në një vend të caktuar. E kështu, me mishërimin e Tij, Biri i Zotit na tregon se shëlbimi kalon  përmes dashurisë, mikpritjes, respektit për këtë natyrën tonë të varfër njerëzore, të përbashkët, me një mori etnishë, gjuhësh, kulturash… por të gjithë vëllezër, sepse njerëz!

Atëhere ndryshimet tona nuk janë dëm, as të rrezik, janë pasuri. Si puna e artistit, që dëshiron të bëjë një mozaik: është më mirë të ketë gurë me shumë ngjyra, sesa me pak!

Na e mëson këtë përvoja e familjes: vëllezërit e motrat ndryshojnë nga njëri-tjetra e jo gjithnjë merren vesh, por  kanë një lidhje të pazgjidhshme që i bashkon e dashuria e prindërve i ndihmon ta duan njëri-tjetrin. E njëjta gjë vlen për familjen njerëzore. Veçse këtu “prindi” është Zoti, themeli dhe forca e vëllazërimit tonë.

Kjo Krishtlindje premtoftë t’i zbulojmë lidhjet vëllazërore, që na bashkojnë si njerëz e i lidhin mbarë popujt. Izraelitëve e palestinezëve u ndihmoftë të rifillojnë dialogun dhe udhën e paqes, që i jep fund konfliktit i cili prej 70 vjetësh e copëton Tokën e zgjedhur nga Zoti, për t’i treguar botës fytyrën e tij të dashurisë.

Krishti fëmijë premtoftë që Siria e dashur të rigjejë vëllazërimin, pas gjithë këtyre viteve lufte. Bashkësia Ndërkombëtare bëftë përpjekje të vendosura për një rrugëzgjidhje politike, e cila i lë mënjanë interesat e palëve, që kështu populli sirian, posaçërisht ata, që u detyruan të largohen nga tokat e  tyre e të kërkojnë strehë gjetiu, të mund të rikthehen e të jetojnë në paqe, në atdheun e tyre.

Mendoj për Jemenin, duke shpresuar se armëpushimi i arritur me ndërmjetësinë ndërkombëtare do të mundë, më në fund, t’u sjellë lehtësim fëmijëve të shumtë e popullsive të  raskapitura  nga lufta dhe zija e bukës.

Mendoj, pastaj, për Afrikën, plot me refugjatë e të shpërngulur, që kanë nevojë për ndihmë humanitare e sigurim ushqimor. Krishti Fëmijë, Mbret i Paqes, premtoftë të heshtin armët e të lindë një agim i ri vëllazërimi në mbarë Kontinentin, duke bekuar përpjekjet e të gjithë atyre, që përpiqen të hapin shtigje të reja pajtimi, në nivel politik e shoqëror.

Krishtlindja i forcoftë lidhjet vëllazërore, që bashkojnë Gadishullin Korean, ndihmoftë të vijojë udha e nisur e afrimit e të gjinden rrugëzgjidhje të pranueshme për të dyja palët, që u sigurojnë të gjithëve zhvillim e mirëqenie”.

Në këtë kohë bekimesh, e ndihmoftë Venezuelën të rigjejë harmoninë ndërmjet gjithë pjesëtarëve të shoqërisë, që të punojnë vëllazërisht për zhvillimin e vendit dhe për mbrojtjen e shtresave më të ligshta të popullsisë.

Zoti i lindur, e ngushëlloftë Ukrainën e dashur, në pritje të ankthshme për  rifitimin e paqes së qëndrueshme, e cila po vonon të vijë. Vetëm me paqen, që respekton të drejtat e çdo kombi, vendi mund të marrë frymë lirisht, pas vuajtjeve të mëdha të pësuara e të rikrijojë kushte dinjitoze jete për qytetarët e vet. Jam pranë bashkësive të krishtera të këtij Rajoni e lutem  që të mund të krijojnë lidhje vëllazërimi e miqësie.

Përballë Krishtit Fëmijë, i rizbulofshin lidhjet vëllazërore banorët e Nikaraguas së dashur, që të mos kenë epërsi  përçarjet e  mospërkimet, por të gjithë të përpiqen për pajtim e për ta ndërtuar së bashku ardhmërinë e vendit.

Dëshiroj të kujtoj popujt, që pësojnë kolonizime ideologjike, kulturore dhe ekonomike, duke parë si nëpërkëmbet liria dhe dinjiteti i tyre e si vuajnë  nga uria dhe mungesa e shërbimeve edukative dhe shëndetësore.

Një mendim i posaçëm shkon tek vëllezërit dhe motrat, që e kremtojnë Lindjen e Zotit në rrethana të vështira, për të mos thënë armiqësore, posaçërisht atje, ku bashkësia e krishterë është pakicë, nganjëherë e ligshtë dhe e papërfillur. Zoti u dhashtë atyre dhe të gjitha pakicave, hirin të jetojnë në paqe  e t’u njihen të drejtat, posaçërisht, liria fetare.

Krishti Fëmijë, që dridhet nga e ftohta, të cilin e kundrojmë sot në grazhd, i mbrojtët të gjithë fëmijët e tokës e çdo njeri të ligshtë, të pambrojtur, të flakur rrugëve nga shoqëria. U dhashtë të gjithëve paqen dhe ngushëllimin, që vjen nga Shëlbuesi e, duke e ndjerë se duhen nga i vetmi Atë qiellor, të takohen e të jetojnë si vëllezër.

25 dhjetor 2018, 12:50

Filed Under: Featured Tagged With: per Krishtlindje, Urimi i Papa Francesku

Krishtlindjet në Bondsteeel

December 25, 2018 by dgreca

Krishtlindjet në Bondsteeel sot u Kremtuan më Veçantë se çdoherë tjetër/

1 Bounstille

Nxënësit e CIS Kosova befasojnë ushtarët amerikanë me urimet dhe falëmnderimet më të përzemërta për ta/

1 a bounstille

Camp Bondsteel, 25 Dhjetor 2018—Nuk ka ndjenjë më të mire sesa kur për angazhimin tuaj, vlerësoheni nga më të sinqertitë e shoqërisë, nga fëmijët. Ushtarët amerikanë që janë sinonim i lirisë në Kosovë, sot u vizituan nga një grup prej 20 nxënësish të përzgjedhur të klasave të ndryshme të Shkollës Ndërkombëtare Kanadeze në Kosovë që operon në Gjian, CIS Kosova, si një qendër e mësimit të Gjuhës Angleze për të gjitha grupmoshat.

2 Bounstille

Në ditën më të vecantë të vitit, për Krishtlindje, rreth 350 ushtarë amerikanë në Kampin Bondsteel afër Ferizajit u përqafuan nga fëmijët gjilanas të CIS Kosova të cilët kishin përgatitur kartolina urimi për secilin prej tyre.

Nën përkujdesin e mësuesëve të shkëlqyera të CIS Kosova, si dhe përgjegjësit menaxherial z. Halit Bislimi, nxënësit e CIS Kosova në secilën prej këtyre kartolinave kishin shkruar e dizajnuar me dorë të tyre mesazhe urimi e falëmnderimit për ushtarët e amerikane, si “ju jeni të admiruar nga ne gjithëherë,” “pa përkrahjen dhe mbrojtjen tuaj, liria jonë do mungonte,” “për botën ju mund te jeni vetëm një ushtar, por për neve ju jeni pjesë e pandarë e familjes sonë të madhe që quhet Kosovë,” etj., të gjitha nën temen e urimeve më të përzemërta për Krishtlindjet!

“Ky është një gjest i vogël, por shumë domethënës dhe i vlerësuar tepër mire nga ushtarët. Për ta ishte shumë emocionuese kur nxënësit shpërndanë këto kartolina gjatë drekës solemne të Krishtlindjes që ushtarët e ndanë me këta nxënës,” ka thënë Bislimi.  “Ne i jemi përfundimisht falëmnderues SHBA-ve dhe Ushtrisë Amerikane për ndihmesën e dhënë Kosovës në vazhdimësi, e vecanerisht tash edhe per krijimin e Ushtrise se Kosoves” ka shtuar ai.

Sipas mësueseve të gjuhës angleze që punojnë përditë me këta fëmijë, nxënësit i kanë përgatitë kartolinat me pasion dhe me përkushtim maksimal. Andaj, edhe vlerësimi nga ushtarët nuk mungoi. Për secilin nxënës, ushtarët ndanë nga një dhuratë modeste, gjithashtu.

Falëmnderimi nga udhëheqësin e sektorit për marrëdhënie me publikun të Kampit Bondsteel, pra, të KFOR-it amerikan, nuk mungoi assesi. Ata ishin shumë mirënjohes për këtë dhe shprehën kënaqësinë e sinqertë në emër të të gjithë ushtarëve për gjestin kaq domethënës e human të fëmijëve gjilanas, respektivisht të nxënësëve të CIS Kosova.

Kjo mund të jetë një gjest i vogël, por domethënia ishte shumë e madhe. Ushtarët amerikanë sot morën përqafimet dhe mesazhet me të ngrohta nga gjenerata e re e vendit në të cilin po shërbejnë. Deri sot, nëse ata nuk e kanë njohur Elen, Alisën, Bleronin, e shumë të tjerë, nga sot ata e dijnë se kanë adhurues shumë të mëdhenjë në vendin tone që i admirojnë përzemërsisht. Realisht ky admirim i vogëlushëve tanë shkonë deri aty që në njërën nga kartolinat, një vogëlushe kishte pyetur në fund ushtarin të cilit ia kishtë dhënë kartolinen: “A ka mundësi që edhe unë t’i bashkangjitem ushtrisë suaj?”

Nëse termi “vogëlsirë vlerëmadhe” ju ka bërë përshtypje ndonjëherë, sot ai term ka marrë kuptimin më të plotë të mundshëm nga ky aktivitet i vecantë i nxënësëve dhe stafit të CIS Kosova.

CIS Kosova, është themeluar më vitin 2012 në Gjilan dhe ofron kurse të ndryshme të gjuhës angleze  ne të gjitha nivelet dhe për të gjitha grupmoshat. Vizioni i CIS Kosova është që në të ardhmen e afërtë ky institucion të bëhet shkollë e plotë fillore dhe e mesme me mësim komplet në gjuhën angleze, e para e tillë në rajonin e Gjilanit.

Canadian International School in Kosovo

Gjilan

CIS KOSOVA

www.ciskosovo.org

info@ciskosovo.org

Tel: 044 132 879

Filed Under: Featured Tagged With: Krishtlindjet në Bondsteeel

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1163
  • 1164
  • 1165
  • 1166
  • 1167
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT