• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Rugova, 23 Dhjetor 2005: Pavarësia e Kosovës, e padiskutueshme

December 23, 2018 by dgreca

-“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksonte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova para 13  vitesh, në 23 Dhjetorin 2005, në takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës/

1 Behlul Rugova.com

Kalendar historik-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 23 Dhjetor 2018/ Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, ritheksonte se pavarësia është e padiskutueshme, tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

“Unë e vlerësoj si vit të suksesshëm për qeverinë dhe institucionet tona për punën që është bërë, ndërsa në një moment me rëndësi është edhe hapja e bisedimeve për të ardhmen për pavarësinë e Kosovës që është rezultat i punës që e ka bërë qeveria, institucionet dhe populli i Kosovës”, tha Presidenti Rugova, ndërsa përsëriti insistimin e tij për njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës, e cila theksoi se do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

Sa i përket çështjes së decentralizimit, të shtruar nga gazetarët, Presidenti Rugova tha se procesi i bisedimeve ka filluar tash, ndërsa ka pika të ndryshme.

“Decentralizimi siç e kemi thënë është çështje e Kosovës, pra mund t’i dëgjojmë edhe palët tjera. Mund të bisedohet si pako shtesë e pavarësisë, unë kështu e quaj, se pavarësia është e padiskutueshme, prandaj ne siç e dini kemi filluar një fazë të privatizimit me pilot projektet që ka qenë hap mjaft i guximshëm dhe më vonë do të shikojmë një reformë të përgjithshme të pushtetit lokal që më lehtë do ta bënim me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Presidenti Rugova.

Presidenti historik i Kosovës shtoi se gjithmonë mbesin punët që nuk mund të kryhen. “Ne i përmendëm vetëm ato punë që i kemi kryer dhe që janë mjaft të rëndësishme, ndërsa objektivat dhe programin për vitin e ardhshëm e paraqet qeveria dhe institucionet e Kosovës. Punë që ka mbetura e madhe pa u kryer është çështja e njohjes së pavarësisë”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket formimit të ministrive të reja, Presidenti Rugova tha se së shpejti do të vendoset për këtë.

Ndërkohë, në 25 dhjetor 2005, me një shkresë dërguar shefit të UNMIK-ut e autoriteteve më të larta të Kosovës katërmbëdhjetë përfaqësues të jetës publike të Mitrovicës, përmes nënshkrimeve të tyre, kërkonin që, me qëllim të inkurajimit të integrimit të qytetit të Mitrovicës dhe të injektimit për zhvillim ekonomik, dy ministritë e Kosovës në formim – Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të vendosen në qytetin e Mitrovicës, më të madhin verior të Kosovës.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, pavaresia e Kosoves

Mbreti ZOG: Ja arsyeja e themelimit të monarkisë Shqiptare !

December 22, 2018 by dgreca

Mbreti Zog për Daily Express (1928) : Ja arsyeja e themelimit të monarkisë  !

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Dhje1-Mbreti-Zogtor 2018/1 Monarkia pse

“Le Matin” ka botuar, të premten e 7 shtatorit 1928, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me deklaratën e Mbretit Zog për Daily Express, ku ka shpjeguar asokohe arsyen e themelimit të monarkisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Zogu I dëshiron të sigurojë mirëqenien e popullit të tij

Londër, 6 shtator. – Telefon. Matin. – Në një intervistë me të dërguarin e posaçëm të Daily Express në Tiranë, Zogu I ka deklaruar :

Rezultatet e para të themelimit të monarkisë do të jenë çlirimi i vendit tim nga përpjekjet partiake. Presidenti i republikës është domosdoshmërisht i detyruar të favorizojë ata që e zgjodhën atë, ndërsa partitë e tjera manovrojnë vazhdimisht për ta zëvendësuar atë me një nga kandidatët e tyre. Mbreti do të jetë mbi partitë. Ai do t’i shërbejë vetëm kombit. Ministritë, ushtria dhe xhandarmëria do të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me monarkun, pa kaluar nëpëmrjet ndërmjetësve.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Mbreti Zog I, Pse Monarkia?

VATRA, TELEGRAM TETOVAREVE PER 50 VJETORIN E DEMONSTRATAVE

December 22, 2018 by dgreca

1 a Vata1 dr skenderi salla

Kryetari i Federates VATRA z. Dritan Mishto the Kryetar i Deges se Vatres ne Queens-NY, anetar i Kryesise se Federates DR. Skender Murtezani dërgojnë telegram urimi me rastin e Seminarit përkujtimor për 50 vjetorin e demostratave të studentëve, mësuesve, intelektualëve dhe tërë shqiptarëve në Maqedoni./

1-logo-vatra

Të nderuara Zonja dhe Zotërinj!

I nderuar Shkëlqesi ProRektor!

Të nderuar pjesëmarrës, studentë, mësues, pedagogë dhe intelektualë!

Të nderuar përfaqësues të partive politike dhe organizatave të komunitetit!

Të dashur bashkëkombas!

Na lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, të të gjithë vatranëve dhe diasporës shqiptaro-amerikane t’Ju përshëndesim nga zemra me shumë dashuri për mbajtjen e Seminarit përkujtimor për 50 vjetorin e demostratave të studentëve, mësuesve, intelektualëve dhe tërë shqiptarëve në Maqedoni.

Kjo demostratë ishte shprehja më e pastër e shqiptarëve për më shumë liri dhe të drejta, për më shumë arsimim në gjuhën amtare, më shumë hapësirë dhe mbi të gjitha pranimin e pakushtëzuar të faktorit shqiptar.

Në seminarin tuaj, ju do të flisni nga ana shkencore dhe historike për gjenezën, zhvillimin, rrjedhën e kësaj ngjarjeje të madhe të shekullit të kaluar për shqiptarizmën, e sigurisht edhe për rezultatet dhe frymën e saj sot. Ndaj, në këtë urim të shkurtër, Ju urojmë suksese dhe jemi të bindur për mbarëvajtjen dhe suksesin e plotë të punimeve të këtij aktiviteti.

Ne ju falenderojmë nga zemra që Ju me punën tuaj bëni cfarë është e mundur t’i transmetoni brezave të rinj përpjekjet e vështira të të parëve për më shumë liri dhe të drejta. E vërteta është, se ndonëse me shumë vështirësi dhe sfida, shqiptarët në Maqedoni po rriten dita ditës si një forcë e madhe stabiliteti, ndaj cdo përpjekje në këtë drejtim do të ketë mbështetjen e plotë të Federatës Vatra dhe mbarë diasporës shqiptaro – amerikane.

Rritja e frymës proamerikane dhe dashuria për Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe do të jenë e vetmja rrugë shpëtimi për të ardhmen e sigurtë të shqiptarëve në Ballkan, prandaj Federata Vatra së bashku me të gjithë Ju do të shtojë bashkëpunimin në këtë drejtim.

Ne jemi të bindur se vetëm të bashkuar, me respekt dhe besim të plotë ndaj njëri-tjetrit do të ecim përpara në përmbushjen e objektivave tona kombëtare.

Sinqerisht 

Dritan Mishto

Kryetar

Dr. Skënder Murtezani

Anëtar i Kryesisë

Filed Under: Opinion Tagged With: 50 vjetori, demonstratave Tetove, Dr. Skender Murtezani, dritan Mishto, Telegram

Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm

December 22, 2018 by dgreca

Libri “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm” nga profesor Thanas Gjika/

Libri Thanas

Nga Astrit Lulushi/

Nuk është kujtesa, por mungesa e saj që e bën jetën të hidhur. Sado e mbushur me vuajtje të ketë qënë e kaluara, nëse harrohet njeriu do të ndjejë boshllëk në zemër, jeta e tij do të jetë e mangët. Ajo që njeriu ka nevojë është ndryshimi i mendësisë. Me librin e tij, “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm”, profesor Thanas L. Gjika, u kujton shqiptarëve të ndryshojnë mendësinë për të ndryshuar për të mirë veten dhe vendin. Ai bën thirrje për hedhjen tej të mendësive të dëmshme nga të cilët shqiptarët gjithmonē kanë vuajtur. Janë këto mendësi që pengojnë unifikimin dhe modernizimin tonë, thotë Gjika. Autori e pranon mangësinë dhe deformimin e edukimit intelektual gjatë periudhës së diktaturës dhe u bën thirrje bijëve sot në pushtet të ish-udhëheqësve komunistë për kthjellimin e mendjes dhe mbajtjen e një qëndrimi kritik ndaj krimeve të prindërve të tyre.

Një tjetër aspekt që profesor Gjika trajton në librin e tij është ajo e diversantëve shqiptarë të dërguar nga SHBA-ja më 1950-1953 për përmbysjen e regjimit të Tiranës dhe jo për të kënaqur synimet territoriale të Greqisë dhe Jugosllavisë së asaj kohe. Misioni i diversantëve, thotë Gjika, u deformua nga propaganda komuniste, që i quajti ata kriminelë e tradhëtarë, dhe kjo krijoi shijen e keqe sa herë përmender fjala “diversant”.

Sipas prof. Gjikës,  gjatë shekullit XX, populli shqiptar ka humbur tre shanse për krijimin e Shqipërisë së vërtetë; më 1913, kur u vendosën kufijtë e Shqipërisë nga fuqitë evropiane, nën presionin e Rusisë cariste; gjatë L2B, kur emisarët komunistë jugosllavë vunë Enver Hoxhën në krye të PKSH-së dhe ushtrisë partizane dhe pas lufte në krye të shtetit shqiptar; dhe shansi i tretë i humbur zgjatet nga viti 1992 deri më 2018. Autori kritikon klasat politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, të cilat humbin kohën me grindje mesvedi dhe nuk punojnë për një strategji gjithëshqiptare që do të çonte në krijimin e një Shqipërie të vërtete, thotë zoti Gjika mes të tjerash në librin e tij “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm”, nga Shtëpia Botuese KUMI, Tiranë 2018.  I ndarë në 9 kapituj, që përfshihen në rreth 450 faqe, autori shpërndan artikuj, analiza, persiatje, portrete, diskutime e komente, letra, kujtime, një intermexo me shkrime, veç të tjerash,  nga jeta e komunitetit shqiptar të Worçesterit në Masaçusets, ku autori banon dhe kryeson degën e shoqatës Vatra. Libri mbyllet me një vështrim nga Viktora Vllahu mbi dy libra të rëndësishëm të Thanas Gjikës; “Mos dënimi i krimit është krim i ri” dhe “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut”.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Astrit Lulushi, një atdhe i vetëm, Një letërsi kombëtare, Thanas Gjika

40 vite pa Imam Salih Myftin

December 21, 2018 by dgreca

1 Salih Myftija

  Themelues i Qendrës Islame Shqiptaro -Amerikane për shtetet Nju York dhe Nju Jersey/

 1 Leonora

Nga Leonora Laçi/

Imam Salih Myftia (1891-1978) lindi në shekullin e trazirave e përpjekjeve për autonomi, në vitin e largët 1891, bashkëkohës i ngjarjeve më rëndësi kombëtare, siç ishte Pavarësia e Shqipërisë, që u skalit me shkronja të arta në historinë tonë, apo dhe ngjarjeve të dhimbshme për mbarë botën e qytetëruar siç ishin dy Luftrat Botërore. Duke rrjedhur nga një familje shkodrane që ka qenë dhe është përherë kontribuese në çështjet me karakter fetar apo kombëtar, që ka nxjerrë liderë të hershëm të komunitetit mysliman aty. Madje në fillim të viteve 40, njëra nga bibliotekat më të mëdha të Shkodrës ishte biblioteka e familjes Myftia.

Salihi mesimet e para do i merrte në një shkollë turke në Shkodër në vitet 1898-1904, por krahas mesimeve fetare do ketë zell dhe për çështjën kombëtare që po kristalizohej në fillim të shek.XX. Që në moshë të re do të jetë partizan që në shkollat shqipe të mesohej me germa latine, ishte njohës i gjuhës turke të vjetër e arabishtes. Asnjëhere nuk do i humbi shpresat që atdheun ta shihte të përparuar e zhvilluar. Kjo shihet në nismën për pavarsimin e xhamisë shqiptare nga ajo turke, e për këtë do mbahet Kongresi I Mysliman me 24 shkurt 1923 në Tiranë. Po ashtu do jetë inisiator për përkthimin e Kur’anit në shqip për ta bërë lehtësisht të kuptueshëm për shqiptarët mysliman. Salih Myftija përveç mesimeve fetare do nxiste dhe dashurinë për atdheun. Në vitin 1927 do caktohet Myfti në Krujë, e më vonë Kryemyfti i prefekturës së Shkodrës e Kosovës me vendim të posaçëm të Këshillit të Naltë të Sheriatit. Shërbimin e tij si kryemyfti do ta bëj më se miri, kultura e diapazoni i tij i gjërë do reflektohej tek besimtarët ku armë më të mirë kishte :-“Tolerancën, besimin në Zot(Allah) e flamur”.

Imam Salih Myftija asnjëherë nuk u pajtua me pushtuesin fashist, për këtë ai u internua në Gjirokastër për afro dy vite dhe u shkarkua nga detyra e Kryemyftiut me dekret të Viktor Emanuelit III. Cili ishte qëndrimi i Imamit karshi pushtuesit e komunistëve?! Pas kaptiullimit të Italisë në shtator të 1943 do vihet sërisht në radhët e nacionalistëve e kryesisht si simpatizues i grupit të Legalitetit por sërisht si i pakompromis. Këtë e thotë i biri Dr. Fuad Myftija në kujtimet e tij : “Babai ishte figurë në lëvizjen Kombëtare, ka qënë ndër të parët nacionalistë e asnjëherë nuk ka bërë kompromis, as me fashistët e as me nazistët. Ngritëm grupe ilegale dhe çetat kundër gjermanëve…”Ajo që vihet re në këtë kohë delikate për Shqipërinë është se tashme armiku i nacionalistëve nuk ishte vetëm i jashtëm (gjermanët) por dhe i brëndshëm(komunisët). Me gjithë përqarjet mes klerit katolik e atij mysliman, pra ndikonte rreziku i përbashkët që i kërcenohej nga LNÇL, e harruan këtë grindje dhe u bënë miq e bashkëpunëtorë të ngushtë. Bashkëpunimi do të vijë pas zhvillimeve të Mbledhjes së Mukjes ku personalitete si: Salih Myftija, Hafiz Ali Kraja, Mons.Thaçi, P.Anton Harapi, Sulço Begu etj, vendosën që të krijonin frontin antikomunist. U krijuan varg disa besëlidhje krahinore si në Shkodër, Pukë, Lezhë etj. Të cilat kërkuan me ngulm zbarkimin e anglo- amerikanëve… Shtëpia e imam Salih Myftisë ishte bërë pikëtakim për nacionalistët ku u takuan, u pritën e përcollën ngrohtësishtë nga i zoti i shtëpisë, me urtinë që e karakterizonte. Dr. Fuadi vazhdon “Në këtë kohë kishte ardhur Mid’hat Frashëri me Baba Rexhepin e me Zef Palin. Të gjithë krerët ishin mbledhur në Shkodër.” Imam Salih Myftia së bashku me atdhetarët e tjerë, si: Fuad Myftia, kolonel Xhemal Laçi, Teki Xhindi, Hysen Prishtina e dhjetra të tjerë, u larguan nga vendi drejt Tivarit. Pikërisht me 21 nantor 1944 (Gazeta “Atdheu” mars-prill 1988) por pas pengesave, që i solli policia malazeze, për faktin se ishin të armatosur, ata u detyruan të lundrojnë me një barkë të vjetër në drejtim të Detit Adriatik, duke mbërritur në qytetin bregdetar të Brindizit të Italisë. Ata më pas u dorëzuan në komandën ushtarake të aleatëve, të cilët më vonë i vendosën në kampet e  Italisë.

Arratisja- në kampet e Grumos me robërit e luftës. Siç shpreh Dr.Fuadi, ky vend ishte i skuqur gjithandej me flamujt rus e yll të kuq, drapër e çekan. Kampet ishin në gjëndje të mjeruar. Shqiptarët ishin të palarë, pis, pse vinin nga malet. Rregullat e disiplina ishin të rrepta. Përveç se trajtoheshin keq dhe hetoheshin. Imami Salih Myftia shquhej për urtinë e tij madje shpesh herë shuante konfliktet mes zogistëve e ballistëve. Kushtet e këqija të kampit nuk e mposhtën dhe as e përkulën gjakëftohtësine e largpamësine e këtij njeriu paqëdashës ku me besimin në Zot ja dilte mbanë të kontrollonte qetësisht shumë situata, kur shqiptarët e tjerë e kishin humbur durimin. Salih Myftija ia ushqeu dashurinë për arsimin të birit që ishte njëherësh mik e bashkëudhëtar në rrugët e vështira të emigrimit të padëshiruar, pasi qëndrimi në Shqipëri nuk ishte i mundur në një situatë të tillë të disfavorshme për nacionalistët, Fuadi u arsimua dhe u diplomua në Itali.

Konsideratë për Salihin kishte përveç Mbretit Zog që e bëri dhe këshilltar të tij, ai u zgjodh në krye të komisionit që udhëtoi drejtë Egjyptit për një takim me Mbretin e mërguar, ku u mblodhën të gjitha grupet politike. Konsideratë për të patën dhe anglo-amerikanët pasi miqësinë imami nuk e ndërtonte mbi pikëpamje politike apo bindje fetare, prandaj justifikohet pse ata e mbajtën afër. Para ca vitesh është botuar një dokument që mban vitin 1945. Ai thotë: “Në Janar të vitit 1945, dy politikanë shqiptarë, ndonse të internuar në një kamp transit në Bari, i mirënjohuni Mit’hat Frashëri që ishte kreu i Ballit Kombëtarë dhe një klerik nga Shkodra Salih Myftija, ky i dyti në emër të organizatës ”Legaliteti” i kanë kërkuar Sekretarit Amerikan të Shtetit në detyrë , të mos ndërmerrej asnjë nismë për njohjën e qeverisë komuniste të krijuar para çlirimit të vendit.( ky dokument është publikuar nga anglezët në një uebsite” Investigim” viti 2000).

Nga Egjipti, imami udhëtoi në Siri e Liban e së fundmi u vendos në ShBA në vitin 1965, ku si vend i parimeve të lirisë së shprehjes e besimit fetar dhe vend i demokracisë, ai vazhdoi pa problem aktivitetin e tij kombëtar e fetar.

 

Kalvari i familjes së Salih Myftisë

Si shumë familje të tjera nacionaliste dhe familja Myftija provoi internime dhe burgosje. Për këtë na vjen në ndihmë vepra enciklopedike “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”e studiueses Fatbardha (Mulleti) Saraçi, për bashkëshorten e imam Salih Myftisë shkruan:-  “Qamile Myftija (1903-1974), edhe për të jeta erdhi plot peripeci, mbas vitit 1944. I shoqi, Salih Myftija, i nderuem në rrethin e besimtarëve myslimanë e në popullin e Shkodrës (ishte eksponent i organizatës së Legalitetit), mbasi kishte provue internimin e fashistëve italianë, që detyrue të arratisej në fundin e nandorit të zi të atij viti, tue lanë gruen e shtatë fëmijët (nga 3-13 vjeç përveç Fuadit që e mori me vehte). Si fillim ajo pësoi paraburgimin 5-javor. Mandej shpronësimi e të tjera… Pas katër vjetësh, djali i saj 17 vjeçar, nga bankat e gjimnazit u përplas qelive të Sigurimit, për të provue torturat e tij e ma vonë edhe pesë vite burg. Ishte ende heret… Viti 1962 do t’i jepte një goditje edhe ma të randë. Djali tjetër, Mithati, që ishte nga natyra shumë i ndijshëm, tue mos durue përsekutimin, kalon në krizë nervore. Një djalë në burg, një tjetër në spitalin psiqiatrik, burri në arrati. Për çfarë të mendojë ma parë? Prapë, kishte edhe ma zi… Atë vit, ajo dhe dy djemtë e mbetun internohen. Ishte 60 vjeçe e do t’i duhej të nxirrte bukën e gojës, tue ba punë të ndryshme buqjësore. Si, shumë shoqe të saja… Me mendimin se një ditë do të kthehej në shtëpi, me mendimin se i biri do të shërohej. Vetëm ai të shërohej, ani pse në barakë mungonte pothuaj çdo gja, ani pse nuk kishte forca për të përballue punën e randë. Nuk i shkonte mendja, se djalin, pasi do t’ia ndërpritnin kurën, do t’ia përplasnin baltave të Myzeqesë, aty ku ishte edhe vetë. A mund ta duronte zemra e saj e lodhun këtë gjendje? I duhej. Djali kishte nevojë ma shumë se kurgja për fjalën e saj të ngrohtë, që vetëm nga thellësia e shpirtit të saj mund të delte. Ajo i dha qetësinë, ngrohtësinë, butësinë. I dha edhe besimin për një ditë ma të mirë, i hapi horizontin, i tha të shikonte përtej, në kaltërsinë që do të vinte. Nuk do të ishte ma mirë gjendja ekonomike edhe kur do të ktheheshin nga internimi. Të gjithë në punë krahu, të gjithë në punë të randa. Ndonëse të kulturueme, sepse ata nuk e kishin heqë librin nga dora, nuk mund të gjenin punë ma të mirë. E nana e vuante edhe këtë. Vuenin sidomos përsekutimin e njerëzve të veshun me pushtet. Sa herë u vinte rasti. Vuente sidomos Mithati. Atë e vriste edhe keqardhja e dashamirëve, deri një ditë, që me vetëdije mbylli jetën e vet nën rrotat e një kamioni. Historia njihte këso rastesh, por përgjithësisht nuk ishte marrë me botën shpirtërore të nanave që duhej të përballonin dhimbjen që vinte mbrapa. Pas pak vdiq edhe vetë. “Nuk vdiq. Ajo plasi”- do të thoshte e bija. Dhe kishte të drejtë”-kështu mbyllet rrefimi për Qamile Myftinë dhe kalvarin e saj përgjatë regjimit gjakatar komunist që nuk kurseu as fëmijët, as grate.”

Krijimi i Qendrës Islamike Shqiptaro- Amerikane si vatër e ngrohtë e shqiptarëve

Teologu, atdhetari, intelektuali ku Atdheun asnjëhere nuk e harroi por u mundua t’i shërbejë dhe pse nga larg, imami Salih Myftija kontribuoi në ngritjen e qëndrës fetare, atdhetare, shoqërore, arsimore, edukative e kulturore. Meritë për këtë ka dhe imam Isa Hoxha (1918-2001). Nevoja për një Qendër që të shërbejë si vendtakim mes shqiptarëve u rrit me rritjen e numrit të shqiptarëve myslimanë ne ShBA. Mbledhja e 16 majit 1966, nën udhëheqjen e Salih Efendi Myftisë të kësaj qëndre Islamike Shqiptaro-Amerikane arriti në përfundim që të themelohet një Xhami që të shërbente për forcimin e moralit, si dhe të përhapjes së mesimeve fetare e dashurisë për atdheun mes besimtarëve.

Me 12 nëntor 1972 Salih Myftija pas shumë përpjekjeve e punës së palodhur e përkushtuese preu shiritin e Xhamisë në Brooklyn të NY, ku u përshëndet nga mjaft personalitete si dhe shtypi vendas amerikan e shtypi shqiptar i Amerikës. Vlen të përmendet dhe miqësia e ngushtë me monsinjor Zef Oroshin (1912-1989) udhëheqësin e themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare në ShBA.

Imami u nda nga jeta me 19 maj 1978 në moshën 87 vjeçare.  Në ceremoninë mortore morën pjesë përfaqësues nga tre besimet fetare. Një figurë e shquar si Salih Myftija e meritonte që lamtumira e fundit t’i jepej në mënyrë të denjë ashtu siç ishte dhe veprimtaria e tij e admirueshme në rrafshin kombëtar e fetar.

Në një artikull të revistes së përkohshme fetare dhe kulturore “Perpjekja e Jone” vol. X, mars-prill 1981, nr 9-10, (fq 121) i kushton një nekrologji Imam Salih Myftis ku shkruhet mes të tjerash: “Salih Efendija ishte jo vetem udhëheqes shpirtnuer por edhe nji Atdhetar i merituem e i respektue nga e gjithë mergata politike shqiptare. Fesë e Atdheut i ka sherbye me zotsi e dinjitet dhe me nji guxim të pashoq. Ardhja e tij në Shtetet e Bashkueme t’Amerikes i ka ndihmue komunitetit t’onë shqiptar mysliman aq sa me njiherë u vunë themelet e Xhamisë dhe të Qendres s’onë Islame. Kjo gja u ba e mundun vetem me praninë e personalitetit dhe të autoritetit të Salih Myftisë(…)”

Në maj të 2012 ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi vlerësoi me “Medalje Mirënjohje” Sali Efendi Myftinë (pas vdekjes) me motivacion: “Për kontributin e dhënë në krijimin e institucioneve fetare të emigrantëve shqiptarë në ShBA, në mbështetjen e tolerancës fetare dhe të bashkëpunimit në dobi të interesave kombëtare.”

Imam Salih Myftija mbetet një nga personalitetet me të rendësishme të emigracionit shqiptar dhe perbashkues i shqiptarëve të besimeve të ndryshme fetare.

Burimet e ketij artikulli:

Xhemal Laçi përmes dokumentave dhe kujtimeve” Leonora Laçi, 2M Printing, Durrës: 2016.

 “Perpjekja e Jone” Revista e përkohshme fetare dhe kulturore, vol. X, mars-prill 1981, nr 9-10.

“Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”Fatbardha (Mulleti) Saraçi, Instituti i
Studimit të Krimeve dhe Pasovaje të Komunzimit (ISKK), Tiranë:2013.

Leonora Laçi, Imam Salih Myfija, Gazeta Telegraf, Mars 2014. http://telegraf.
al/opinion/leonora-laci-imam-salih-myftija-veprimtar-i-shquar-per-fe-e-atdhe-1891-1978.

Shkëputur nga intervista marr nga Dalip Greca Dr.Fuad Myfise, shkurt
20,2007.

Shkëputur nga kumtesa e Nexhmi Bushatit mbajtur në sesionin shkencor të X të
Shoqatës Trojet e Arbërit.

Filed Under: Opinion Tagged With: 40 vite, Leonora Laci, pa Imam Salih Myftin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1166
  • 1167
  • 1168
  • 1169
  • 1170
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT