• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDRYSHIMI

May 2, 2018 by dgreca

1 Astrit Lulushi

Nga Astrit Lulushi/

Si valë të vogla që formohen në lumë, kështu janë lëvizjet e ndryshimit; proces i vazhdueshëm, i thyer në forma të tjera nga goditjet me pengesa. Kjo jep arsyen pse ndryshimi duhet të jetë ose i vërtetë a i plotë, ose hiç fare; ndryshe nga ëndrra e keqe gjatë gjumit pas ngrënies. Ndryshimi pasqyrohet qartë vetëm kur lëvizja e valëve pushon. Në periudhën kur njeriu fle dhe trupi bie në qetësi, pamjet e ëndrrave në tru reflektohen duke shfaqur imazhet e pamjeve të ditës. Në këto ëndrra, herë herë njeriu duket i hutuar, i çuditshëm, palidhje, i ethshëm, a si i dehur. Ka ëndrra që nxisin e frymëzojnë. Ka edhe nga ato që shkaktojnë trazira e shqetësim. Këto të fundit i ngjajnë ndryshimit që shfaqet si imazh i pasqyruar në mënyrë plotësisht të shtrembëruar, duke sjellë pamje krejt ndryshe nga origjinali. Ndryshimi i vërtetë, që duhej të ishte shfaqur, ende nuk ka ardhur.

Filed Under: Komente Tagged With: Astrit Lulushi, ndryshimi

Vështrim nga Larg- Përse ndodh kështu?

May 2, 2018 by dgreca

1 Pirro Mani

Pirro Dollani/ Las Vegas/

Në komunizëm u mësuam me poshtërimin, burgimet, torturimet nëpër qeli, internimet, vrasjet në kufi e brenda hekurave të burgjeve për fajin e rëndë se shkruanim poezi, u mësuam me radhat për bukë, u mësuam me 10 kokrra vezë e 450 gram mish të grirë në muaj, paçka se një familje mund të përbëhej prej 10 veta, me një gjel deti çdo prag viti të ri, dhe me autorizim për fruta për familjet ku udhëheqësit lokalë e qëndrorë do të shkonin të bënin vizita për 5 Majin.

U mësuam me drejtues injorantë, analfabetë, sharlatan e shpirtkazëm që nga brigadier më i thjeshtë e deri atje në “bironë politike”: me palrat, me lenkat, me pilot e milot!

U mësuam të duartorkisnim e të brohoritnim sa më shumë për udhëheqësit e shquar, madje edhe kur njerëzit e familjes na i kishin internuar, burgosur, shtruar nëpër çmendira apo pushkatuar për krimin e rënda se “kishin shkelur normat e Partisë”.

U mësuam që kur të “grabisnim” diçka për të mbajtur shpirtin gjallë, qoftë edhe 3-4 patate në arë, apo një lakër a dy qepë, të mos ia thoshim askujt, ta mbanim të fshehtë, mundësisht edhe nga gruaja, nga motra e vëllai dhe as mos ta flisnim me vete, se muret kishin veshë. Sepse edhe për 3-4 patate e pësoje më keq se Zhan Val Zhani. Por tani në periudhën postkomuniste askush nuk “grabit” më 3-4 patate, një lakër apo dy qepë, por mijëra, miliona para. Dhe këta që vjedhin nuk janë njerëz të thjeshtë, por pushtetarë, drejtues të organeve të drejtësisë, lidera partie, deputetë! Dhe ajo që e bën të çuditshëm shoqërinë postkomuniste shqiptare është fakti që këta hajdutë në vend që t’i fshehin gjërat e blera me paret e vjedhura, si makina disa milionëshe, ora që kushtojnë sa rroga 5-vjeçare e tyre, etj. këta trima shkojnë me to nëpër zyra, në parlament, në takime me popullin. Me paratë e vjedhura ndërtojnë vila me mure të lartë, jo një por disa, në vende të ndryshme të vendit. Kur sheh “sarajet” e këtyre pushtetarve tanë, ato “vilat” e ish-lidërve komunistëtë sot të duken si geto. Kur ra komunizmi dhe lexomin te RD-ja se lenkat, pilot, palrat kishin nga 2 banjo, habiteshim e thoshim me vete: po me bark janë këta të flamosur që na paskan nga dy banjo? Ndërsa tani, s’na bën përshtypje kur lexojmë në shtyp se këta pushtetarë, politikanë, gjyqtarë, etj. kanë jo nga një shtëpi, por nga disa shtëpi, pallate, makina luksoze, miliona para në banka të ndryshme, etj., etj.

Gjatë këtyre 27 viteve u mësuam edhe me fyerjet, sharjet, ulërimat, grushtet jo vetën në rrugë, por kudo, deri atje lart në Parlament. Parlamenti ngjason me një arenë ku janë mbledhur gangsterë adoleshentë, njerëz histerikë e çilimij që vetëm shahen. Si çdo grupim gangsterësh edhe këta kanë fanellat (më fal, “flamurët”) e tyre. Ca mbajnë flamurë vishnje, ca blu, të tjerë mbajnë copëra rreckash të shkëputura nga këto dy flamurë. Dhe as skuqen e as nuk zverdhen fare edhe kur mbarë një popull i shikon nga ekranet e televizorit. Pasi, pavarësisht formimit të tyre gjysmak, të cunguar e pa moral një gjë ata e dinë mirë: se ky nuk është turpi i tyre, por TURPI ynë. Po, po Yni: i çdo shqiptari që ka votuar e voton për njerëz të tillë. I çdo shqiptari që rend pas mitingjeve të tyre e brohorit për ta! Ata nuk erdhën nga hëna, ne i votuam. Madje me votime me “standarte demokratike”.

Vetëm po të bësh një përqasje të thjeshtë ndërmjet “demokracisë” në periudhën e komunizmit, me këtë “demokracinë” e sotme njëzeteshtatë-vjeçare, vërejmë se do të ishim të “lumtur” nëse në kohën e tanishme, procedurat për zgjedhjen e kandidaturave, psh. për deputet të afroheshin të paktën FORMALISHT me procedurat “demokratike” që zbatoheshin nga diktatura. Por fatkeqësisht, mënyra sesi bëhet seleksionimi për zgjedhjen e kandidatëve brenda partive nuk është aspak demokratike, për të mos thënë që nuk gjen as më të voglin element demokratik. P. sh.: në komunizëm kandidatët për në Kuvendin Popullor zgjidheshin nga organizatat e partisë në rrethe (sado formal që ishte ky proces) dhe pastaj shpalleshin emrat e tyre për çdo zonë elektorale. Pastaj, kandidatët bënin takime me popullin e zonës së tyre, kështuqë votuesit e kishin të qartë se për kë votonin, pavarësisht se nuk kishte ASNJË RËNDËSI nëse votoje për Fuatin, Prengën, apo traktoristin Ibrahim, pasi roli i tyre deputetëve të ardhshëm do të ishte vetëm që të ngrinin dorën sa herë u kërkohej kjo gjë.

Po tani në këtë periudhë demokratike, si procedohet? Kryetarët e partive (nënkupto: tiranucët,) bëjnë lista rendore sipas midesë së tyre. Natyrisht, zgjedhin ata individë që do t’i mbështesin edhe kur kryetarët të bëjnë nga një. . . P- të madhe! Askush s’e hap gojën e të vërë në dukje se po shkelen statutet e partive e standartet demokratike, sepse kanë frikë që u fshihet emri nga lista e kandidatëve. Madje, anëtarët e partive duhet të duartrokasin tiranucin, edhe kur vendos në krye të listës idiotë, servilë, gjysmë-analfabetë, hajdutë, vrasës, trafikantë! Dhe kur ndonjë deputet i partisë del jashtë vargjeve që Partia i ka caktuar t’i recitojë në Parlament, ky deputet rrezikon mos të zgjidhet më. Dhe ditën e votimit, ne si popull, (duke qenë gjysmë shekulli nën diktaturë) jemi mësuar ta përkulim kurrizin deri te këmbët e qelbura jo të kryetarit të partisë, por të çdo anëtari fanatik e shkojmë me atë entuziazmin bolshevik të trashëguar nga koha e Diktaturës dhe hedhim votën tonë jo për një individ të caktuar, me mish e gjak, por për ca “iniciale të vdekura” që përfaqësojnë kufomat e dekompozuar të partive që kanë vite që kanë vdekur. Në fletat e votimit nuk ka emra njerëzish konkretë. Vendin e emrave të kandidatëve që do të votohen janë zëvendësuar mes inicialet PS, PD, LSI, PR, dhe K-R! Dhe ne si popull me kulturë demokratike pranojmë të votojmë, pa pasur as më të voglën ide se cili njeri (lexo: hajdut, rrugaç, gjysmëanalfabet, mafjoz do t’na përfaqësojë në instancat më të larta të Pushtetit!) Dhe pikërisht, ky është MËKATI ynë, e njëkohësisht TURPI ynë! Prandaj këta gangsterë adoleshentë tallen me ne, me mbarë një popull, pasi e dinë se çdo katër vjet, ne do të shkojmë të votojmë jo për njerëz konkretë, që i njohim, por për lista të përpiluara plotësisht nga kryetarët e partive! Ngaqë edhe liderit “demokratë” që kanë jetuar nën diktaturë, janë të pavetëdijshmëm që edhe pse flasim e bërtasin për demoraci, japing një kontribut konkret në ndërtimin e një shoqërie autokratike, ku kryetari i Partisë është monarku.

Po përse ndodh kështu? Të vjen keq ta pohosh, por një nga arsyet është se të gjithë, pakashumë, jemi, pinjollë të atij “NJERIU TË RI” të krijuar nga Diktatura gjatë gjysmë shekulli. Pavarësisht se komunizmi fizikisht ka ngodhur, por të menduarit si komunist jeton e lulëzon në mendjen e shumë e shumë shqipëtarëve, veçanërisht të “liderave” të partive, pavarësisht se ç’ngjyrë kanë flamurët e tyre. Pa qenë nevoja të shtojmë edhe një arsye tjetër se përse ndodh kështue: sepse në krye të çdo partie politike, do të gjesh ish-sigurimsa, ish-persekutorë të kohës së komunizmit, sharlatanë dhe bij të atyre prindërve që mbanin pozita kyçe në regjimin diktatorial.

Filed Under: Analiza Tagged With: Përse ndodh kështu?, Pirro Dollani

“MBI VARKEN E KARONTIT”, VAJTJE-ARDHJE, FERR DHE LIBRA…

April 30, 2018 by dgreca

Visar flet2 ok visar1 salle1 dritan flet1 Leka  IMG_2109
NGA VISAR ZHITI/*
– Ligjëratë në perurimin e romanit të Dine Dines në “Vatra” –
 I dashur bashkëvuajtës, Dine Dine,
Të nderuar vatranë, senatorë të “Vatrës”,
i nderuar Kyetar i saj, z. Dritan Mishto,
i nderuar kryeredaktor i gazetës “Dielli”, z. Dalip Greca
Të pranishëm të nderuar!
Eshtë një nder dhe detyrë, kështu e ndiej, pjesëmarrjen time në një veprimtari tuajën. I thashë dhe Ambasadores së R. Shqipërisë në Uashington, zonjës Floreta -Luli-Faber, se ku po shkoja dhe ajo më tha t’ju përshëndes të gjithëve dhe suksese.
Ju falenderoj me zemër për ftesën, është e para që marr nga “Vatra” e madhe, shekullore e shqiptarëve në SHBA. Më emocionoi logoja në krye të ftesës, m’u përhitën profilet e dy themeltarëve, Imzot Fan Noli dhe Shkëlqesia e Tij, Faik Konica, viganë të shqiptarizmës dhe të lirisë, të një kulture të lartë Perëndimore dhe krijues të saj në gjuhën shqipe, që rilindën këtu dhe një “Diell” për ne, që për fat, vazhdon të ndrisë.
Unë kam ardhur dhe një herë tjetër në Nju Jork vite më parë, më sollën librat, në atë që u quajt “Gjyqi i New York-ut”, organizuar nga “Freedom House”, drejtuar nga z. Muç Xhepa dhe folëm për kalvarin tonë, persekutimet, ndëshkimet dhe mos ndëshkimet dhe më duket sikur do të vazhdojmë atë bisedë të lënë përgjysmë, por desha të thosha se e njoh pritjen tuaj aq të ngrohtë e vëllazërore, falenderoj me këtë rast përsëri senatorin Tuaj z. Zef Balaj familjarisht.
Po kështu në ftesën tuaj më prekën fjalët: në përurimin e librit “’Mbi varkën e Karontit’”, të autorit Dine Dine”, ish bashkëvuajtës me ju…”. Po, kemi ardhur nga ferri, por ne bashkëvuajtës jemi të gjithë.
Desha të shtoj se unë tani shkoj atje ku është dhëmbja dhe e shkuara, jo sepse vetëm dua të mërgohem nga e tashmja, por dhe sepse nuk ka të tashme pa të kaluarën që është si rrënjët dhe pa të tashmen nuk ka të ardhme që le ta themi, është si frutat. Dhe duhet punuar së bashku që frutat të mos jenë të hidhura, të mos ketë më gjëmba e tela me gjëmba.
I këtij misioni më duket dhe ky tubim. “Vatra” është dhe e së ardhmes, teksa sot jemi mbledhur në ditën e themelimit të saj, 106 vjet më parë…
* * *
Romani i Dines tonë është vepër e kujtesës, dëshmi e gjallë, me ngjarje të vërteta, me personazhe të vërtetë, që unë, sikundër shumë nga ne, i njohim, aq sa më duket se nuk e kemi të vështirë të futemi dhe të dalim në krerët e këtij romani si në një ngrehinë e në mjediset përreth saj, në mbylljen shtypëse, të bisedojmë, të kundërshtojmë, të vuajmë me ata që vuajnë, të ankthërohemi, të presim, të zhgënjehemi, të urrejmë, të qëndrojmë, të nderojmë ata që s’u thyen, të mëshirojmë, të akuzojmë shkaktarët, të tregojmë… Aty ka një kapërthim ndesish të të rëndës, të të pazakonshmes që po bëhej e zakonshme, e pabesueshme për sot, të absurdit dhe dramës nën një diktaturë nga më mizoret. Aq sa mund të dyshosh se lexuesi i sotshëm, që nuk e ka përjetuar atë kohë e atë vend, do të pyes me dyshim që: ky është roman, fikshën?
Jo, jo, është i vërtetë, për fat të keq.
Pra, është memuaristikë?
Quaje si të duash. Ai vjen që të dëshmojë. Të kujtojmë, se po e harruam, e keqja përsëritet.
Dëshminë e tij autori zgjodhi ta quajë “Mbi varkën e Karontit”, mori në ndihmë mitologjinë, të atij që dërgonte shpirtrat në botën e përtejme, në Had. Në një varkë të tillë dukej se ishte gjindja, në një kohë të vdekur dhe më pëlqen të shtoj se lumi i Ferrit, Akleronti, mendohet se është në Sarandë, Bistrica e sotme, madje ka nga ata albanalogë që thonë se edhe etimologjia e emrit Karont shpjegohet me shqipen, me fjalën haronj, harroj. (Shih: Aristidh Kolja “Gjuha e Perëndive”).
Ishim në atë varkë, por të mos harrojmë, duket se na porosit autori.
T’i afrohemi edhe më librit të Dines. Shkrimtarët, madje dhe ata më të shquarit, kur flasin për procesin e tyre krijues, thonë se është e vështirë, më saktë e rëndësishme, fraza e parë e romanit, se si ajo godet apo tërheq leximin.
Dinia fillon: Edhe një ditë në ndërtim kaloi pa arrestime! Që edhe pse fjalia është pohore, ka “!” në fund. Ishte cudi, pra, vërtet. Edhe pse punonin në ndërtim e s’duhej të kishte lidhje me arrestimet. Dhe puna në ndërtim ishte ndër më të rëndat. Arrestimet ishin bërë të zakonshme.
Duke vazhduar leximin, kuptojmë se jemi në internim, në fushëtira e Lushnjës, ku shpesh, për të mos thënë përditë, ndodhte spektakli i zymtë i prangosjes dhe ata që kishin grumbulluar të jetonin aty me familjet, e prisnin atë gjëmë, ku secili mendonte se tani ishte rradha e tij. Cfare ankthi, e megjithatë mundoheshin të jetonin si njerëz, me atë solidaritet njerëzor, që mungonte, me dashurinë për njëri-tjetrin në familje, punonin të pa përkulur dhe mes lodhjeve bënin dhe humor, të zi patjetër.
E them me sinqeritet që kjo pjesë, fletët e saj, janë antologjike, ndër më të bukurat, si letërsi, se si fakt është i dhimbshëm.
Rrëfimi, pasi e hapi kështu hullinë e vet, vazhdon me një zinxhir ngjarjesh, gjithnjë e më shkretuese, të atij zinxhiri të vërtetë që lidhin protagonistin, kur e arrestojnë, që është autori vetë, bashkëvuajtësi dhe miku ynë.
Duan ta thyejnë qysh në fillim, ta bëjnë bashkëpunëtor të së keqes. E refuzon me vendosmëri, madje me neveri ndaj atyre që ia kërkojnë, duke u dhënë përgjigje të ashpra, më pas dhe polemizon me ata, edhe nga ana ideologjike, që duken si të para nga perspektiva e sotme, mbase janë pjesa romanore.
E gjitha në vazhdim është rrëfimi tronditës i hetuesisë dhe gjyqit, varka metaforike është qelia mbi dallgë të vdekura të një asgjëje përthithëse dhe “Karontë” do të bëheshin me radhë polici, operativi, hetuesi, prokurori, gjykatësi, etj, më larg e më lart, sekretari i parë, Kometiteti Qendror. Ka edhe më, por mjaft. Të gjithë aspak mitologjikë, por karikatura të rrezikshjme.
Hetuesitë duken sikur ngjajnë. Rigjen nga ato që të kanë ndodhur dhe ty, një dialog apo detaj. Autori ndërkaq sikur i mëshiron burokratët e së keqes, aq sa i ngjajnë dhe të pafaj, të paditur, ndonjëherë dhe të mirë, jo s’e ka harruar, por mbase do të thotë tani që është sistemi ai që i bën njerëzit të bëjnë keq, që të shpalosin të keqen e tyre.
Por qëllimi i rrëfimit s’është ky. Autori nuk dënon kurrëkënd, por sistemin diktatorial, ndërsa atë e dënojnë njerëz të atij sistemi, që i shërbejnë diktaturës.
E dërgojnë nga internimi në burg. Autoburgun e nget një Karont tjetër. Për ku? Në Spaç. Dhe unë atje e njoha Dinen, në rrathë të tjerë të ferrit.
Edhe atje ai dinte të ishte i mirë, miqësor, ku nuk lejohej. Fliste per libra, autorë, kujtoj që përmendëte Heminguejin, Kiplingun, Shekspirin, dukej me i familjarizuar me gjuhen angleze, kujtonte Shopenhaurin, autore të ndaluar përgjithesisht. Të ngjallte besim dhe ishte i besës.
 
* * *
Lejomëni të vazhdoj duke kaluar në një libër tjetër, në burgologjinë “Rrugët e ferrit”, i autorit të kësaj ligjërate, ku është personazh dhe Dinia, disa pasazhe fare shkurt:
1.
Erdhi Dine Dinia, më i hareshmi mes nesh, por i trishtuar si të gjithë ne. Më i sinqerti dhe më ëmbëlcaku. Ngjante i sapoardhur në burg, ngaqë gjithmonë kishte diçka prej fëmije tek ai, të pastër deri në dëshpërim. Buzëqeshte e përlotej kollaj e nuk i rrihej pa shpotitur. Me zë kumbues, ngaqë i ka rënë fizarmonikës në internim… mendoja.
2. Pashë profilin e Dines. Vinte ca i rreptë, ministror. Kë ka pasur ministër ai, xhaxhanë, gjyshin apo të atin? Dhe kur erdhën në pushtet komunistët, ai, i gjithë fisi, ikën jashtë, që të organizonin sulmin, kthimin. Do të bien shpejt këta, thuhej. Dhe po arratiseshin maleve, nëpër borë. I qëlluan. Babai i Dines mbeti. Bora u përgjak. U rrit jetim ai, internimeve…
3.I sillnin në burg herë pas here, me radhë. E prisnin dënimin. Kur shihnin “Gazin e Degës” nga larg, që merrte kthesën për andej, nxitonin përmes kanaleve për në barakën e tyre, të bëheshin gati për arrestim, të linin një porosi në familje… vishnin një rrobë më shumë për ta pasur andej, hanin diçka, megjithëse nuk u hahej asgjë, përcilleshin.
4.
Avzi Nelaj përballë. Kuksiani që e mbante kryet pak mënjanë, si ata që varen… Me një buzëqeshje të lehtë, enigmatike. Ti ke qenë mësues afër fshatit tim, më kishte thënë në minierë. Po, por shefin e redaksisë së poezisë, atje lart, në shtëpinë botuese… ç’e ke, një Nelaj, Nelaj? – e pyeta unë. Fis jemi, fis… Nëse do të kishim gjetur kafe vërtet, Dinia, si më i papërtuari, do t’i bënte për të gjithë ne, me të vetmen xhezve që kishim, të vetën sigurisht do ta linte për të fundit. Por do t’i shkrepej të parit të tregonte gjëra mallëngjyese. E ndihmonte dhe zëri melodioz… malli i pashuar për nënën, meraku për djalin e vogël e gruan… Fizarmonika e tij kalbej internimeve… Por andej nga vjehrri i tij kujdeseshin dhe për familjen e Dines. Ia mbanin ata djalin dhe… – Ka qenë mik me Migjenin, – më tha befas Dinia. – Për vjehrrin po tregoja, Lazër Radin, e njeh? Një verë e kanë kaluar bashkë në Pukë, ka shkruar dhe një libër për të, jo vetëm në formë kujtimesh, por dhe përsiatjeje. Nuk ia botuan. Dëgjo, Lazri ka qenë gazetar, është lauruar për jurisprudencë e letërsi në Romë. Botoi artikuj plot shpresë në kohën e fashizmit, nuk ishin thjesht shpresë… Ka dhe polemika me një shkrimtar serb, Duçiq, për çështjen shqiptare. Shto që është kosovar, katolik, në burg ka qenë, shih sa mëkate ka për këtë sistem… Dua të përkthej një poezi-testament të Kiplingut, – psherëtiu Dinia. – Përktheje dhe mos psherëti, – thashë. – Dorëshkrimin e Lazrit për Migjenin e kam lexuar. Balzaku, shkruan yt vjehërr, e përshkroi epokën e vet me 89 libra a më shumë, s’më kujtohet numri i tyre, tregime dhe romane, kurse Migjeni e bëri veç me pothuaj aq vargje, me “Poemën e mjerimit”.
– Po ku e gjete? – u habit Dinia.
– Ma dhanë miq të Lazrit, ishin dhe të mitë, fshehurazi.
5.
Po shfletoj përsëri nga burgologjia, nga pjesa e dytë tani, “Ferri i çarë”, në burgun e Qafë-Barit, një pasazh, monologu i operativit, por që lidhet me Dinen: “Po ai që guxoi dhe bërtiti në zyrat tona, Dine Dinia, unë i bëra nder, i kërkova bashkëpunim, do të kishte lehtësira, ai kërkonte hesap: “ç’patë të keqe tek unë ju, ç’dobësi, që doni të më bëni spiun, ku, kuuuu?!” bërtiste. Po do ta ngordh, se ua ka treguar edhe shokëve për se e thirrëm…”
6.
Tjetër: Dine Dinen e kisha në krah. Si një lloj engjëlli mbrojtës, por me flatra të shqyera. Me sytë e ënjtur…
7.
Pas burgut, prapë në internim, kur kishin nisur protestat për ndryshimin e regjimit:
“Te Dine Dinia e gdhimë. Do të bjerë regjimi, ma thanë djemtë e xhaxhait, që janë në ShBA. Edhe shtatorja e Enverit do të rrëzohet…”
Dhe ashtu u bë vërtet. Shqipëria do të rizbulonte mbështetjen amerikane dhe SHBA do të ishte aleati më i madh i Shqipërisë në rrugën Euroatlantike të lirisë dhe demokracisë. Këtë themi shpesh në takime e konferenca…
 
“LETERSIA E DENUAR – PROBLEME…
 
Bashkë me ne doli nga burgjet dhe internimet dhe një letërsi tronditëse, që i kishte munguar letrave shqipe, e shkruar fshehurazi, që më shumë se sa në letër, ngjante si e shkruar në lëkurat tona, jo me bojë, por me gjak, me shkronja prej koskash. Nisi të quhet Letërsia e burgjeve. Letërsia e dënuar, e quajta unë, për një gamë më të gjerë, Letërsi e penguar, quan dikush tjetër, etj, por ne e dimë që letërsia është një e tërë dhe emërtimet kanë vlera studimore. Rëndësi ka që kjo letërsi u mirëprit nga lexuesi, e përpiu, mund të themi. Po kështu, aq sa iu arrit të përkthehet, si përpjekje vetanake, u vlerësua nga kritika e huaj.
Franc Kafka, aq shumë i ndaluar te ne, me vepra të dënuara, por që përmendej shumë burgjeve tona, thoshte se nuk ka letërsi të madhe pa të vërtetën dhe moralin. Letërsisë së Socrealizmit i mungonin të dyja. Dhe AntiKarontët tani po sjellin nga ferri letërsinë që u shkruajt atje.
Unë jam nga ata që besojnë se Letërsia që na vjen nga burgjet, nga internimet, nga shkrimtarët e arratisur, mbart të Vërtetën dhe Moralin.
Përvec kësaj ajo ka dhe vlera të vëerteta letrare. “Zyrtarisht” kam ndjesinë se u duk që nuk u mirëprit si e meritonte. Ndoshta nisi nga kolegët, shkrimtarët zyrtarë.
“Na zhgënjeu letërsia e burgjeve” – u tha me cinizëm, jo pa strategji të mbrapshtë, dhe u përsërit herë pas here.
Jo, këmbëngul unë dhe jo vetëm, na zhgënjyen shkrimtarët e socrealizmit, që edhe mbetën aty ku ishin, vecse veprat e tyre Karonti tani po përcjell për në ferr bashkë me shpirtrat.
Dhe dua të sqaroj se në burg nuk u fut askush për t’u bërë shkrimtar, por për të kundërtën, për të mos shkruar më.
Dhe nëse nga ferri ka dalë qoftë dhe një varg shpirti, i lartë apo një poezi ëndrre, lirie, një rresht me mendim të pjekur, kundër, një faqe proze të vërtetë, art, qëllimi është arritur.
Duhet t’i përulemi aktit të të shkruarit fshehurazi atje, në ferr, atëhere kur ishte e ndaluar.
Po nëse ka dalë një bibliotekë e tërë? Duhet pranuar. Përshëndetur. T’i hapen portat e letërsisë e të futet nëpër shkolla e të mos harrojmë se Karontët me uniformë na ndëshkonin rëndë, duke na marrë dhe kohën dhe jetën, shpirtin s’na i merrnin dot, se e ka tjetërkush në dorë. Asnjë hakmarrje mbi karontët tanë, ata janë të begatë në lirinë e ndonjëri prej tyre u bë deri dhe president, që jepte vazhdimisht dekorata, deri edhe këtu, por duke “e domokratizuar” dënimin…
Ne e kuptuam që nuk na donin ne, por ëndrrat tona, jo letërsinë tonë, por metaforën tonë që ta adoptonin, u duhej ideali ynë tani, aleatët, por jo ne.
S’ka gjë. Ne po sillnin jo veten, po shpirtrat tanë
Dhe vërshoi “Letërsia e çdënuar”. U ringjallën poezitë e të pushkatuarve, të poetëve nga Kleri Katolik dhe jo vetëm, që kishin studiuar në universitetet e Europës dhe që i vunë të parët para plotoneve, erdhën klithmat e poetit Trifon Xhagjika, të Vilsonit dhe Gencit, dy emra si në baladat e hershme, të Avzi Nelës, të varurit e fundit në të gjithë perandorinë komuniste…
Dolën nga burgjet dhe internimet veprat e Musine Kokalarit, gruas së parë shkrimtare, disidentes së parë grua në të gjithë perandorinë komuniste. Dolën romanet e Astrit Delvinës, Kasëm Trebeshinës, Pjetër Arbnorit, Mustafa Greblleshit, Fatos Lubonjes, sonetet infernale të Arshi Pipës e Uran Kostrecit, poezia e Frederik Rreshpes, Kudret Kokoshit, Pano Tacit, etj, etj, e me te rinjeve, Pellumb Lamaj, Gezim Metolli, vellezerit Coku, e… Ne burg ishin dhe Mitrush Kuteli e Petro Marko e ne internim edhe poeti Vehbi Skenderi… edhe unë nxora poezi nga burgu, jemi shume, s’i permend dot te gjitha, ndjesë, kam lënë dhe përkthyesit e mëdhenj, kam nje liber te vecante, “Panteoni i nëndheshem ose letërsia e dënuar”, aty jane listat e gjata të dhimbjes e të qëndresës, të martirizimit dhe ringjalljes.
U kthyen nga arratia veprat e Koliqit dhe te Isuf Luzajt e Bilal Xhaferrit dhe iken te shkruajne jashtë te tjerë, nga ata që ishin burgjeve s H. Gjoka e M. Bungo e Eugjen Merlika, etj, etj. Marcel Hila ka sjelle subjekte tronditese, etj, etj.
E kë ka gënjyer kjo letërsi, vecse te genjyerit, besoj.
“Erdhi letërsia e burgjeve të zëvendësojë letërsinë shqipe” – dha alarmin një tjetër zë i njohur i socrealizmit.
Jo, jo, camarad, letërsia e dënuar erdhi të sjellë vetveten. Pasuron letërsinë shqipe. Ka forca dhe vazhdon.
Së pari duhet ta besojmë vetë ne, që i përkasim Letërsisë së dënuar dhe ta duam veprën e njëri-tjetrit duke e ditur mirë që vuajtjet, persekutimi nuk janë vlera letrare, të kesh qenë në burg nuk do të thotë se je bërë poet. Por poeti, shkrimatri që del nga vuajtja e madhe, martirizimi është pasuri kombëtare, e njerëzimit mbarë..
Jo varkat e Karontit, por makinat e librit shkarkojnë librat e rinj librarive të Atdheut. Kohët e fundit kanë botuar libra të arrirë, me vlera për kujtesën edhe tre bashkëvuajtësit tanë, Maks Rakipaj, Hasan Bajo, (ndërsa presim nga Lekë Mirakaj) dhe Dine Dine, që na mblodhi sot. Që kur e mbaron së lexuari, e ndjen se do të vazhdojë. S’dihet se ku…
Dëshirojmë vazhdime për të gjithë për një botë më të mirë!

Filed Under: Featured Tagged With: “Mbi varkën e Karontit”, FERR DHE LIBRA..., VAJTJE-ARDHJE, Visar Zhiti

SHKRIMTARI VISAR ZHITI, FUNDJAVË NË NJU JORK

April 30, 2018 by dgreca

 

1 Librin e Vatres1 dritan Visar1 salle em Visar1 balj fam miraka vis1 dine hasan Vis2 pellumbi

Këtë fundjavë, shkrimtari Visar Zhiti, Ministër Këshilltar në Ambasadën Shqiptare në Ëashington, ishte i ftuar nga Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra për të përcjellë Kumtin në Promovimin debat të librit”Në Varkaën e Karontit” e bashkëvuajtësit Dine Dine. Visari, i dënuar nga diktatura për Fjaëlën e Lirë, si folësi kryesor i debatit-promovues përcolli kumtin e shpresës. Ndërsa në Librin e vizitorëve, që mbahet në Vatër, ndër të tjera ai shkroi:”Të vish të Vatër është nder dhe detyrë; këtu merr porosi të larta nag zërate  hershëm konicianë e Nolianë për një të ardhme më të mirë, për një Atdhe më të begatë……”.Përreth, aty në Vatër, Visari kishte dhe ata, shokët e  prangave, natyrisht nuk ishin të gjithë në një mendje tek u debatua, por debati ishte me kulturë dhe të gjithë uruan autorin Dine Dine.

1 Zoja e shkodres1 Snt Patrick2 Zoja e Shkodres1 Snt. Patrick1 dine lek visar2 Mark Visari

Të Dielën, Visari u duartrokit dhe u respektua nga besimtarët e shumtë në meshën që ngriti Famullitari i Kishës Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës” , i cili e prezantoi Visarin, tamam si një Visar i Kombit, qëndrestar e me vlera Kombëtare…

Në Mesditë Visari dhe zonja Eda vizituan edhe Katedralen e njohur Snt. Patrick në Manhatan….( Së shpejti do t’ju përcjellim më shumë informacion nga promovimi-debat në VATËR)

Filed Under: Featured Tagged With: ne Nju Jork, Shkrimtari Visar Zhiti, Vater

PA BASHKIM RRETH SKENDËRBEUT NUK KA GJALLËRIM TË KOMBIT SHQIPTAR

April 30, 2018 by dgreca

1 Skenderbeu

Në Kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skendërbe/

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Ky vit është shpallur viti i Gjergj Kastriotit — Skendërbe për të shënuar 550-vjetorin e vdekjes Heroit Kombëtar të Shqiptarëve.  Në fillim të këtij viti kam botuar një shkrim për të sjellur në kujtesë se si diaspora shqiptare kishte shënuar — 50-vjetë më parë jashtë Atdheut — 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, një përvjetor ky i cili në vitin 1968 pat mbledhur në Romë dhe në Vatikan, shqiptarë pa dallim feje e krahine. Nga mbarë diaspora shqiptare e atëhershme, u bashkuan në frymën më kastriotiane për të kujtuar Heroin tonë, Kryetrimin e Kombit dhe të veprimtarisë së tij epike –Gjergj Kastriotin-Skenderbe.

Me atë rast, në Romë kishin shkuar edhe një grup i madh, përfaqësuesish të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Federata Pan-shqiptare Vatra, të udhëhequr nga Peter Chicos dhe Anthony Athanas.  Ishin këto takime 3-4 ditëshe në Romë dhe në Vatikan, ku mërgimtarët e ri shqiptarë të arratisur nga murtaja e komunizmit e shekullit 20, u bashkuan me arbëreshët e Italisë të cilët ishin detyruar gjithashtu të largoheshin nga trojet e tyre prej otomanëve, pesë shekuj më parë.  U bashkuan të gjithë në Romë dhe në Vatikan për një takim vëllazërimi, rreth Heroit Kombëtar, pa dallim feje e krahine — ashtu si ishte dikur dhe si duhet të jetë edhe sot — të bashkuar – pikërisht ashtu siç i do shqiptarët Gjergj Kastrioti – Skenderbe.

Në vitin 1968 edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qenë organizuar ceremoni me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve në shenjë respekti për Gjergj Kastriotin – Skenderbe, por edhe në shenjë bashkimi midis shqiptarëve.  Një ndër këto përkujtime ishte organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork, “Zoja e Këshillit të Mirë” që në atë kohë drejtohej nga i Përndershmi Monsinjor Zef Oroshi.  Revista e asaj kishe, “Jeta Katolike Shqiptare” e Vitit III, Nr. 4 (12) Tetor-Dhetor -1968) e cila vazhdon të botohet edhe sot pas më shumë se 50-vjetësh, ka shënuar hollësi mbi ceremonitë me atë rast si dhe fjalimin kryesor të Monsinjor Zef Oroshit në 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skenderbe, fjalim i cili, për nga mesazhet që mbartë, është aktual edhe sot 50-vjetë më vonë — mesazhe për bashkimin e shqiptarëve – si trashëgimia kryesore e Heroit Kombëtar, lënë pasardhësve të tij.  Monsinjor Oroshi ka mbajtur fjalimin kushtuar Gjergj Kastritotit në meshën perkujtimore të 500-vjetorit të vdekjes së Skendërbut, fjalim i cili ishte botuar gjithashtu në revistën “Jeta Katolike Shqiptare”.Duke iu drejtuar popullit, pjesëmarrësve dhe përfaqsuesve të Komitetit Shqipëria e Lirë dhe udhëheqësve të tjerë politikë të diasporës së asaj kohe që ishin të pranishëm në një shfaqje bashkimi megjithë dallimet e tyre politike, në “Kishën Zoja e Këshillit të Mirë”, Monsinjor Zef Oroshi ka thënë se lufta e Gjergj Kastriotit – Skenderbe, këtij strategu të madh që habiti botën e atëhershme me fitoret e tij kundër fuqisë më të madhe ushtarake të kohës, ka hyrë në analet e historisë botërore, luftëra të cilat janë përshkruar dhe stolisur në mbi 400 vepra historike dhe artistike.  Kleriku i lartë shqiptar ka thënë se në shumë prej këtyre veprave historike, Heroi Kombëtar i Shqiptarëve, me të drejtë është krahasuar me figura ushtarake historike të botës, siç janë Hanibali i Kartagenës, Jul Cezari i Romës dhe Napoleon Bonaparti i Francës, por me një ndryshim të konsiderueshëm, sipas Monsinjor Oroshit.  Gjergj Kastrioti Skenderbeu – luftoi për mbrojtjen dhe bashkimin e Atdheut të vet, ndërsa këta tjerët shkelën dhe pushtuan vende e popuj, shpesh për interesa personale dhe për t’i bërë nam vedit.

Mësimi që na duhet të nxjerrim nga jeta dhe karakteri i tíj i palodhëshëm, ka thënë në fjalimin e tij përkujtimor me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut, Monsinjor Oroshi, është merita e aftësisë së Gjergj Kastriotit – Skenderbe për të bashkuar shqiptarët e asaj kohe — përballë sfidave me të cilat përballeshin shqiptarët — megjithë tradhëtitë që luheshin kundër tij, madje edhe nga bashkpuntorët e tij më të ngushtë.

1 Oroshi

Dr. Zef Oroshi

Por megjithë problemet me të cilat përballej Skendërbeu, Monsinjor Zef Oroshi ka theksuar se Prijësi i Kombit Shqiptar, “Dijti me qenë i durueshëm me parí që ia merzitëshin shpiritin tue kërkue të drejta e privilegje të pameritueme.  Skendërbeu e kuptoi se pa nji bashkim nuk kishte shpëtim për Shqipní.  Me virtytet e burrënisë e të fés që shkelqejshin në fytyrën e dênjë, dilte pa pritesë në log të kuvendit, si me parí si me vegjëli, secilit tue i ndigjue hallet, e secilin tue e ndezë n’atdhedashuni, secilit tue i naltue flijimet e trimnínë për Atdhe, gati me u flijue ai vetë i pari.  Në këtë mënyrë ai ia doli me bashkue e shkri në nji parí, vegjëlinë e të gjitha krahinave të Shqipënisë”.

Në vazhdim e sipër, ai është shprehur se, “Madhënia e karakterit dhe e vetmohimit të Gjergj Kastriotit, si prijës ushtarak, si diplomat i përkryer dhe si personalitet që përvetësonte filozofinë themelore të burrit Shqiptàr të Malevet, mbështetun në trimní të papërkulshme, besë të pathyeshme deri në vdekje dhe për fisnikí e zemërgjanësí të pa kufî për popullin që udhëhiqte…Nen binomin fé e Atdhé, Skendërbeu brumosi Popullin Shqiptar që të përballonte ato lufta aq të tmerrëshme e aq të gjata.  Ishte koha e luftave fetare atëherë. Vetë Sulltanët, jo vetem që luftuen per fé, në mos tjetër ashtu e mobilizojshin popullin, por edhe me shpatë e me zjarm imponojshin fénë e tyne”, është shprehur Dr. Zef Oroshi.

Disa kritikëve të sotëm që pretendojnë se gjoja Gjergj Kastrioti-Skenderbeu luftoi për fe dhe jo për Atdhe, Monsinjor Oroshi do u përgjigjej se, “Asgjamangu, Skendërbeu fésë i dha vendin e vet e Atdheut e interesave të tij, vendin e vet.  Nuk ka nji dokument ma të voglin ku Skendërbeu të ketë flijue interesat e Atdheut për interesat e fésë; përkundrazi ai e përdori fénë për t’i shërbye Atdheut, gjithsa mujti. Këtë na e difton fakti, që megjithse Venediku ishte shtet katolik dhe gjymsë aleati e shumë herë edhe aleat i Skendërbeut, kur zaptoi Danjen (Dêjen e sotshme), Skenderbegu i dërmoi venedikasit tue vrà në luftë të vjetit 1448, 2500 burra dhe tue xanë rob 1000 vendedikasë të tjerë, dhe do ta kishte çlirue Shkodrën nga pushtimi venedikas, po t’ishte puna që Turqit, në marrëveshje të mësheftë me Venedikun, mos të kishin fillue sulmin kundra Stefi Gradit në kufij të Shqipnisë e të Maqedonisë, kështu që Skendërbeu nuk mujti me e shfrytëzue fitoren ashtu si dëshronte pse qe kapë në mes dy zjarmeve”, është shprehur Dom Zef Oroshi  në fjalimin  e tij, me rastin e shënimit në Nju Jork të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, në vitin 1968.

Nji mësim tjetër me rëndësi të vlefshme për Shqiptarët edhe sot 550-vjetë pas vdekjes së Heroit Kombëtar, sipas Monsinjor Oroshit, është fakti se Skendërbeu, përballë kërcënimeve, përçarjeve dhe vështirësive të tjera me të cilat përballej toka arbërore në kohën e tij, ai e kishte të plotë dhe të theksuar në mendje dhe në zemër, ‘Idénë e nji Kombi’. Ai menjiherë mbledhë princat në Lezhë për besëlidhje të pergjithtë kundra anmikut të Kombit.”   Monsinjor Oroshi ka theksuar se, “Po ta kishin pasë udhëheqsit Shqiptarë para sysh këtë madhni t’idésë së (një Kombi)     që Skendërbeu zbatoi pesë shekuj mâ parë, ndryshe do t’ishin zhvillue ngjarjet e 1939-tës, ndryshe ato të vjeshtës së 1943 e ndryshe ato të nandorit të 1944, sidomos ngjarjet e vitit 1944 të cilat vetëm i krijoi injoranca mbi komunizmin ndërkombëtar, perçamja e korrupcioni dhe apatia mâ e shëmtueme (në radhët e shqiptarëve).  Mjerisht, të gjithë bartim në kurrizë konsekuencat tash nji të katërt të shekullit. Shumë me vend prandej e thonte Ciceroni, oratori i përmendun i Romës klasike, se historia âsht mësuesja e jetës. Kjo vlen për të gjithë popujt, kjo duhet të vlejë dhe për né Shqiptarët”, ka thënë Dr. Zef Oroshi në vitin 1968.

Në fjalimin e tij, Mons Oroshi, na sjellë nder mend një tjetër konsideratë historike, arsyen se pse shqiptarët brez pas brezi adhurojnë Heroin e tyre Kombëtar të gjitha kohërave, si asnjë tjetër hero të tyre.  “Na mburremi, e ndoshta me vend, që shumë Shqiptarë, qysh nga koha Ilire banë karrjera me famë botënore ndër oborre mbretnore të huaja — sikur afër 20 e sa Perandorë në tronin e Perandorisë Romane, ndër të cilët Diokleciani e Konstantini i Madh, tridhetë e sa Vezira, Ministra të mbrendshëm e të Jashtëm, Pashallarë e Gjenerala të Perandorisë Otomane, për mos të permendë Perandorinë Bizantine para sish, sikur Justiniani.  Por, kurrë njënit prej këytne njerëzëve të mëdhej nuk i rà ndërmend me prishë pozitën që kishte dhe me krijue nji Perandori Ilirjane në kohnat e vjetra, as mâ vonë me krijue nji Shqipnì të lirë e të madhe, tue ia dedikue jetën e tyne krejtë çeshtjes së popullit që i lindi, ashtu sikurse bâni Gjergj Kastrioti-Skendërbeu, deri në çastin kur vdekja e rrëmbeu tragjikisht nga zemra e Popullit të vet”, ka deklaruar Dr. Zef Oroshi.

Monsinjor Dr. Zef Oroshi ka përfunduar fjalimin e tij me rastin e shënimit në Nju Jork të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, në vitin 1968, duke thënë se këthimi i Gjergj Kastriotit-Skenderbe në tokën e Arbërit për ta çliruar nga pushtuesit otoman ishte, “Pa asnji dyshim arsyeja për të cilën Gjergj Kastrioti u bâ simboli i lumnísë dhe i bashkimit të Kombit, pesë shekuj mâ parë. Po ajo arsye âshtë edhe sot që e bân Skendërbeun njeriun universal në historí dhe në të njajtën kohë një fuqí morale qendërore t’ideologjive të përçàme të Kombit Shiptàr, mbrenda e jashtë Shqipnie.  Edhe sot, mbas pesë shekujsh nga vdekja e tí, (Gjergj Kastrioti-Skenderbe) âsht endé simbol i gjallë bashkimi mes nesh, i atíj bashkimi, pa të cilin s’ka gjallënim Kombi Shqiptàr”, është shpehur Monsinjor Dr. Zef Oroshi.

Në këtë vit të shpallur si Viti i Gjergj Kastriotit – Skenderbe – Kombi Shqiptar po përballet përsëri me sulme dhe me lakmitë e vjetra qindra vjeçare ndaj trojeve shqiptare prej armiqëve të tij shekullorë, të cilët — për llogari të interesave të huaja, kryesisht, sllavo-otomane — synojnë çkombatirizimin, me qëllim për të zhveshur brezat e rinjë të shqiptarëve nga identiteti dhe nga çdo veti e traditë kombëtare, nepërmjet shtrembërimeve historike, pohimeve dhe premtimeve fatzeza ekonomike dhe ideologjike të momentit.  Mbetet për tu pa nëse udhëheqsit e sotëm të shqiptarëve janë të aftë të parandalojnë këtë proces shkatërrues dhe të mos u nënshtrohen verbërisht interesave dhe përpjekjeve të tilla çkombëtarizuese nga të huajt, përballë kataklizmave të reja, të cilat siç duket, fatkeqsisht, për shqiptarët nuk po marrin fund kurrë. Problemet e shqiptarëve nuk mund dhe nuk duhet t’i zgjidhin të huajt.  Problemet me të cilat përballej Gjergj Kastrioti – Skenderbe, ai i zgjodhi me bashkim.  Bërja e shtetit sot, nuk kërkon asgjë më pak as më shumë se bashkim rreth “Idesë së një Kombi” dhe interesave të përbashkëta të tij.  550-vjetori i Gjergj Kastriotit- Skenderbe bën thirrje për t’u dhënë fund defekteve historike dhe hovit të influencave për llogari të huajve, me shpresë që më në fund, të fillojë një epokë e re për shqiptarët e lodhur, të ligështuar dhe të dërrmuar shpirtërisht gjatë gjithë historisë. Shpresojmë që jo vetëm në këtë 550-vjetor të vdekjes së Heroit Kombëtar, shqiptarët kudo dhe pa dallim, të jenë të bashkuar  rreth idesë si shtet dhe si Komb, ashtu si dikur me Gjergj Kastriotin-Skendërbeun, pa të cilin, nuk ka bashkim as gjallërim të Kombit Shqiptar — as sot — as në të ardhmen!

Filed Under: Politike Tagged With: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Bashkim Kombetar, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1434
  • 1435
  • 1436
  • 1437
  • 1438
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT