• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shpresë do të thotë të presësh me besim

April 30, 2018 by dgreca

Nga Gladiola  Jorbus/

Dum spiro, spero…/

Kur Pandora, (vajza hyjnore, e cila u martua me Titanin Epimete , vëlla i Prometeut) nga kurioziteti, hapi kutinë që Zeusi i kishte urdhëruar të mos hapë, të gjitha të këqijat e botës dolën, përveç shpresës. Njerëzit, të cilët dikur jetonin të lumtur dhe të pavdekshëm si perënditë, pikërisht atëherë u njohën me dhembjen, sëmundjen, vuajtjen dhe vdekjen, derisa Pandora çliroi gjthashtu Shpresën, gjë që bëri të mundur zbutjen e ekzistencës së tyre të padurueshme.

Shumë e njohin këtë histori të mitologjisë greke të dhënë nga Hesiodi, por disa ndoshta e kanë vënë në pikëpyetje kuptimin e saj në thellësi.

 Në kulturën greke, shpresa ishte shumë e afërt me iluzionin, e cila në mënyrë të pashmangshme u pasua nga zhgënjimi, gjë që e bën realitetin edhe më tragjik; prandaj, ndonjëherë është më mirë të mos shpresojmë (?).

Mendimi se e ardhmja do të jetë më e mirë sesa  e tashmja është një motiv për të vazhduar përpara.

Megjithatë, pavarësisht nga filozofitë dhe fetë, njerëzit kurrë nuk kanë hequr dorë nga shpresa. Pse? A është të shpresuarit një formë arsyetimi apo sentimentalizëm?

Ky nuk është një dyshim abstrakt, (cogito, ergo sum) por një çështje thelbësore, në një kohë kur rrjedha e disfatizmit, me vizionin e vet të autoshkatërrimit të menjëhershëm, nënkupton frikë dhe qëndrime regresive.

Gjithashtu duhet të theksojmë se nuk duhet konsideruar shpresa, një ndjenjë tipike për ata që e gjejnë veten në situata dobësie apo katasrofike; përkundrazi, mbetet një virtyt i fortë, edhe në momentet më kritike. Jeta vetë konsiston pikërisht këtu: të shpresojmë më të mirën për veten, të afërmit dhe të gjithë njerëzimin.

Koncepti biblik i shpresës është më i gjerë dhe më i thellë se ai që përdoret zakonisht nga mjekët, shkencëtarët dhe psikologët sot. Në Bibël, fjala “shpresë” përcjell idenë e dëshirës dhe të pritjes së diçkaje të mirë. Shpresa përbëhet kryesisht nga dy komponentë: dëshira për diçka të mirë dhe themeli për të besuar se diçka e mirë do të vijë. Shën Pali përdor një ilustrim tjetër grafik të shpresës që lidhet me vullnetin e Perëndisë. Ai shkroi: «Këtë shpresë e kemi si një spirancë shpirtërore, të sigurt dhe të vendosur» (Hebrenjve 6:19). Si mbijetues i më shumë se një mbytjeje, Shën Pali e dinte mirë vlerën e një spirance.

Shpresë do të thotë të presësh me besim. Njeriu ka gjithmonë shpresë, edhe në momentet më të vështira. Ai është mbështetur fort te shpresa, sepse e para dëshiron të realizojë projektet e veta dhe e dyta sepse nuk mund ta jetojë jetën pa të (shpresën).

Njerëzit e depresuar e humbasin shpresën, nuk presin asgjë, nuk kanë interes, mbyllen në vetvete dhe nuk identifikojnë dot, domethënien e jetës. Ata nuk mund të rifillojnë nga e para, ndihen të padobishëm, dështakë, e urrejnë veten dhe mendojnë se vdekja është shpresa e tyre, ankora e vetme e shpëtimit.

Secili prej nesh mund të jetë shpresa e dikujt tjetër, ashtu siç janë fëmijët shpresa e prindërve, ashtu si dashuria na mbush plot shpresë dhe na pajton me jetën.

Shpresa ngjizet në momentet e gëzimit dhe janë pikërisht ato që na shtyjnë të besojmë në diçka më të mirë.

Kur jeta duket e mrekullueshme, ne ndihemi më afër qiellit dhe kur dhembja na kërcënon, strukemi në folezën e shpresës.

Jeta është kohë dhe shpresë. Asgjë që duam nuk ndodh në atë moment që mendojmë për të; ne duhet të presim, sepse dhe jeta vetë pret.

Dëshira dhe shpresa i korrespondojnë njëra – tjetrës, sepse dëshira e bën shpresën të mundur dhe pa dëshirë nuk ka shpresë. Pra, për ata që duan të jetojnë, çdo mëngjes është shpresa e një dite të re. Ndaj sa kam frymë, kam shpresë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dum spiro, Gladiola Jorbus, spero

Hebrejtë dhe shqiptarët në Çikago kremtojnë 70-vjetorin e pavarësisë së Izraelit

April 30, 2018 by dgreca

NGA SKENDER KARAÇICA/

Më rastin e 70-vjetorit të themelimit dhe të pavarësisë së shtetit të Izraelit,në zyrën e thesarit të qarkut Maria Pappas në Çikago u organizua manifestim i kujtesës historike me përfaqësuesit e institucioneve të hebrenjve dhe të SHSHA-së.
Në këtë përvjetor historik të shtetit të Izraelit, presidenti dhe kryeministri para popullit izraelit dhe opinionit ndërkombëtar kanë bërë thirrje për paqe me popullin palestinez dhe Lindja e Mesme mos të jetë bombë e kurdisur që tash e 70 vjetë janë vrarë e përgjakur të dy popujt izraelitet dhe palestinezët.Shteti i Izraelit  është në tokën e vet dhe kërkon që populli palestinezë të jetojë i lirë në hisen që ia caktoi në këtë pjesë të Lindjes së Mesme faktori ndërkombëtar.Ka ardhur koha për marrëveshjen e paqes në mes të dy popujve thuhet nga manifestimi i pavarësisë në Izrael dhe në Amerikë.
 
Në manifestimin e sotëm të kremtimit të pavarësisë së shtetit të Izraelit në Çikago,ishin të pranishëm udhëhqja e SHSHA-së Mahmut Skenderi dhe Skënder Karaçica,të cilët tash sa kohë kanë thelluar bashkëpunimin me popullin hebrejë dhe Odën Ekonomike Izrael-Amerikë.
 
Daniel Shure,këshilltar i lartë në këtë institucion ekonomiko-financiar dhe të biznesit,me një fjalë rasti foli për marrëdhëniet në mes të dy popujve të hebrenjve dhe shqiptarëve,që në historinë e tyre të shumëvuajtur kanë të përbashkët qëndresën dhe luftën e drejtë për liri dhe pavarësi në hapësirën e vet etnike.
Në Çikago nuk kemi ditur asgjë për popullin shqiptar në Ballkan dhe mik i sinqertë i shtetit dhe popullit të Izraelit,theksoi në paraqitjen e tij Daniel Shure.Para sa vitesh po në këto zyre të thesarit të qarkut në Çikago,miku ynë shqiptar Mahmut Skenderi nga hapësira etnike në Maqedoni dhe tash e dyzetë vjetë në Çikago,erdhi dhe na u prezentua si shqiptaro-amerikan dhe para nesh shpaloj analet historike se si ky popull mik në Kosovë dhe Shqipëri shpëtoi 3000 hebrejë para asgjësimit nga dora vrastare dhe shfarosëse e Nazi-fashizimit,u tha në takim hebrenjve Daniel Shure.
 
Po këta dy miq dhe bashkëpunëtor të Odës Ekonomike Izrael-Amerikë,Mahmut Skenderi dhe Skender Karaçica,në mundësuan me matrialet arkivore-historike nga Prishtina dhe Tirana që të mësojmë për praninë dhe shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në familjet shqiptare në kohën kur edhe ata vetë ishin të rrezikuar nga makineria fashiste e Hitlerit në këtë pjesë të Evropës,tha në fjalën e tij Dan Shure.
 
Kur mësuam për këtë fakt historik dhe për shpirtin humanë të popullit shqiptar që pranoi dhe shpëtoi popullin tonë hebrejë,atëherë në nismën e dy miqëve tanë në Çikago organizuam Konferencën Ekonomike për Investime në Kosovë me pjesëmarrjen e delegacionit shtetërorë të Republikës së Kosovës me presidenten Atifete Jahjaga si dhe pritja e ish presidentit të Shqipërisë z.Bujar Nishani.Ne jemi të interesuar që ky bashkëpunim të thellohet më tej më të dyja shtetet Kosovën dhe  Shqipërinë,ndonëse me projektet që kemi para vetës atje qëndrojnë resurset njerëzore dhe të pasurive natyrore për klimën e mirë për investime,theksoi ndër të tjera Daniel Shure.
 
Në fund të manifestimit në Çikago,zyra e thesarit Maria Pappas për të pranishmit i nderoi me Certifikatën e nderit për angazhimet dedikuar Komunitetit Hebreiko-Amerikanë në mesin e tyre udhëheqësit e SHSHA-së Mahmut Skenderi dhe Skënder Karaçica.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Skënder Karaçica/Çikago

KRYENGRITËSJA 22 VJEÇARE, ZHANË D’ARK–A SHQIPTARE

April 30, 2018 by dgreca

LE PETIT JOURNAL (1911) : JANICA MARTINAJ, KRYENGRITËSJA 22 VJEÇARE, ËSHTË ZHANË D’ARK–A SHQIPTARE/

image

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 29 Prill 2018

 Le Petit Journal (Supplément Illustré) ka botuar, të dielën e 28 majit 1911, në ballinë, gravurën e shqiptares Janica Martinaj, kryengritëses 22 vjeçare, të cilën gazeta franceze nuk ka nguruar ta krahasojë asokohe më Zhanë d’Ark-ën.

 Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë për publikun shqiptar, shpjegimin e kësaj gravure :

 image (1)

“Shpjegimet e gravurave tona.

 Janica Martinaj, Zhanë D’Ark–a shqiptare.

 Një luftëtare e sapo zbuluar në kryengritjen shqiptare.

 Janica (Zhanë) Martinaj është vajza e një bajraktari. Pas vdekjes se babait të saj, gjatë një përleshje, djali më i rritur u thirr për ta zëvendësuar. Por trashëgimtari i fisnikut shqiptar ishte vetëm tetë vjeç. Çfarë duhej bërë atëherë ?

 – Më ndiqni ! bërtiti Janica, pasi kishte mbledhur ushtarët e babait të saj – unë do t’ju çoj drejt fitores.

 Dhe Zhanë d’Ark-a shqiptare, 22 vjeçare, vërshoi drejt armikut.

 Janica është shtatlartë dhe e fortë. Bukuria e saj magjeps kryengritësit. E armatosur me një pushkë të vjetër, të praruar me argjend dhe fildish, ajo drejton operacionet me një guxim të rrallë. Dhe, këto ditët e fundit, e pamë atë, në krye të kryengritësve që ajo udhëqeh, të sulmojë fortifikimet osmane dhe të detyrojë arratisjen e  ushtarëve të sulltanit.”

 

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Janica Martinaj, Le Petit Journal, Zhane Darka Shqiptare

“The Guardian”: Serbët në Kosovë po e mësojnë shqipen

April 30, 2018 by dgreca

“The Guardian”: Serbët në Kosovë po e mësojnë shqipen – po tentohet të shërohen plagët e vjetra/

1 Policja serbe

Ne Foto:Svetlana Kapetanoviq, me kolegun e saj Isak Hertica në Graçanicë. Foto: Shaun Walker për “the Observer”/

Në një fshat piktoresk në veri të Kosovës, Marko Gjuriqi piu nga një shishe birre e Gazimestanit dhe buzëqeshi para kamerave. Në një vizitë në këtë zonë disa javë më parë, Gjuriqi u arrestua nga forcat speciale, u fut në një furgon policie dhe u deportua shpejt-e-shpejt. Kësaj radhe, njeriu kyç i Serbisë për çështjen e Kosovës u lejua të qëndrojë, ndonëse me një helikopter mbi kokë për të mbajtur rojë.

Gjuriq ishte në Kosovë, të cilën Serbia ende e konsideron provincë të veten, për një vizitë në një mikro-birrari që prodhon birrë me emrin që nderon betejën mesjetare që është kyçe për lidhjen emocionale të Serbisë me Kosovën. Ai vizitoi edhe një vend-pushimi, në ndërtim e sipër për t’u kujdesur për pelegrinët serbë në manastirin e shekullit të 14-të të Banjskës.

“Është detyrë imja të jem këtu dhe të qëndroj me krenari me popullin tonë”, tha Gjuriqi para ekipeve të mbledhura televizive. “Ftoj të gjithë qytetarët serbë të vijnë këtu pa paragjykim, dhe të përjetojnë vendet e shenjta këtu në Kosovë e Metohi”, tha ai, duke përdorur emrin serb për provincën, raporton “The Guardian”.

Pothuajse dy dekada pasi forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 1999 pas një fushate bombarduese ajrore të NATO-s kundër Sllobodan Millosheviiqit, dhe një dekadë pasi Kosova shpalli pavarësinë, çështja më e ndjeshme e vendit është fati i banorëve të mbetur serbë, si dhe statusi politik i zonave ku jetojnë. Masat ndëshkimore nga guerilët shqiptarë të Kosovës pas goditjes së Millosheviqit ndaj popullatës shqiptare në të ’90-at, e përcjellë nga pavarësia, çuan në një largim të qëndrueshëm të serbëve, dhe tani ata përbëjnë rreth 5% të popullatës 1.8 milionëshe të Kosovës, transmeton Koha.net.

Në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar në Bruksel më 2013, qeveria e Kosovës është pritur të themelojë të ashtuquajturin Asociacion të komunave serbe, që do t’i sillte zonat me shumicë serbe në sistemin e saj dhe do t’u jepte edhe zë kolektiv. Beogradi dhe Prishtina ende janë duke u marrë me formatin final, derisa i afrohen një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim të raporteve dhe potencialisht të hyjnë të dyja në BE.

Avni Arifi, shef i stafit të kryeministrit të Kosovës, ka thënë se garancitë kulturore dhe përfaqësimi politik për serbët veçse janë mishëruar në Kushtetutën e Kosovës, dhe ka akuzuar Beogradin se po dëshiron të krijojë një kalë Troje, të ngjashëm me Republikën Serbe, entiteti vazhdimisht e më i pavarur serb në brenda Bosnjës. “Ata po kërkojnë t’u japim më shumë, por falja është krejt çka mund t’u japim sepse gjithçka tjetër është e zënë”, tha Arifi.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, javën e kaluar tha se Kosova ka bërë “asgjë” për të zbatuar premtimet e saja. Vuçiqi ka qenë duke punuar në qarkun diplomatik, duke kërkuar mbështetje për koncesione në Serbi (detajet ende nuk dihen), si dhe të përgatis opinionin publik në vend për kompromise potencialisht të dhimbshme.

Një nga sugjerimet e Beogradit, që vazhdimisht po përmendet në media, është ndarja përgjatë lumit Ibër, që veriu i Kosovës t’i shkojë Serbisë mundësisht si pjesë e një këmbimi që përfshin rajonet me shumicë shqiptare në jug të Serbisë. “Të gjithë serbët do të thonë se kjo është një prej zgjidhjeve”, tha Vuçiq, ndërsa nuk pranoi të komentonte nëse kjo është një prej qëllimeve specifike në negociata, transmeton Koha.net.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hedhur poshtë këtë opsion. “Nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Nuk do të ketë shkëmbim territoresh”, tha ai. Edhe diplomatët perëndimorë kundërshtojnë ashpër këtë ide, së paku pjesërisht për shkak të precedentit që mund të vë për kufij tjerë të kontestuar në Ballkan.

Veç kësaj, shumë serbë jetojnë në enklava në jug të lumit, siç është Graçanica, pak kilometra larg Prishtinës. Një fotografi e madhe e Vuçiqit dominon sheshin kryesor, ku valojnë flamujt serbë. Aty pranohen dinarët serbë, sikurse edhe eurot, valuta zyrtare. Manastiri ortodoks i Graçanicës, i ndërtuar më 1321, është i mbushur me freska të skenave biblike, e më e dukshmja është një e Gjykimit të Fundit bashkë me mëkatarët duke u djegur. Janë manastiret mesjetare të Kosovës që ngjallin emocione për shumë serbë, që e shohin atë si zemër të kombit dhe fesë së tyre.

Këtu, forca policore ofron një fije të hollë shprese për ata që dëshirojnë të shohin një Kosovë të integruar e multi-etnike. Nga policët e stacionuar në Graçanicë, 41 janë serbë dhe 12 janë shqiptarë. Svetlana Kapetanoviq, një police serbe 43 vjeçare që flet shqipen rrjedhshëm, thotë se viteve të fundit incidentet e motivuara etnikisht kanë qenë shumë të rralla, ndërsa pjesa më e madhe e punëve të Policisë ka të bëjë me luftimin e krimit të vogël. Policët të gjithë veshin uniformat me flamurin e Kosovës, në kundërshtim me gjithë flamujt serbë nëpër qytet.

Kapetanoviq tha se vendosi të mësonte shqipen pas një incidenti në fillim të karrierës së saj si police më 2003, kur u thirr me një grup policësh shqiptarë në një incident të dhunshëm shtëpiak ku ishte përfshirë një grua e re shqiptare.

“Isha e vetmja police femër, dhe vajza po me jepte shikime, sikur dëshironte të komunikonte diçka me mua pa ua thënë burrave. E shihja se kërkonte ndihmë nga unë dhe unë doja të flisja me të por s’dija të flisja shqip dhe as ajo s’dinte të fliste serbisht. Dyshova se aty mund të ketë pasur përdhunim, dhe e raportova tek komandanti im. Më vonë, doli se kisha pasur të drejtë. Atëherë e kuptova se më duhet të mësoj shqipen”, ka thënë Kapetanoviq, transmeton Koha.net.

Si person që e flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, Kapetanoviq është serbe e rrallë. Ndërsa ende është një gjeneratë shqiptarësh të Kosovës që e kujtojnë serbishten, në mesin e të rinjve kjo gjuhë është e rrallë. Fëmijët në shkolla serbe, që ende zhvillojnë mësimin me kurrikula të shtetit serb, nuk mësojnë shqip, e edhe e kundërta.

“Fatkeqësisht ende kemi një situatë ku serbët dhe shqiptarët jetojnë jetë të ndara”, ka thënë Dalibor Jevtiq, zëvendëskryeministri serb i Kosovës, që flet shqip. Ndërsa i shmanget çështjes së qëndrimeve të tija për sa i përket statusit të Kosovës, Jevtiq thotë se të gjitha palët duhet të kenë një qasje konstruktive në lidhje me gjuhën. Ndonëse partia e tij, Lista Serbe, ka lidhje të forta me Beogradin, ai thotë se nuk i takon Serbisë t’u tregojë serbëve të Kosovës se si të jetojnë.

“Nëntëdhjetë për qind e serbëve në Serbinë qendrore nuk kanë qenë kurrë në Kosovë. Nuk i kuptojnë jetët tona dhe unë s’i marr shumë seriozisht kur më tregojnë si të jetoj jetën time me fqinjët e mi”, tha ai.

Megjithëse shumica e serbëve të Kosovës janë ende të shqetësuar me idenë e pavarësisë, shumë prej tyre tani e shohin papunësinë dhe diskriminimin ekonomik si kërcënime më të mëdha sesa tensionet etnike. Ka edhe ndasi përbrenda komunitetit, që ilustrohet më së miri me vrasjen e Oliver Ivanoviqit në janar, një politikan serb i Kosovës që kundërshtonte Listën Serbe, që dominon skenën serbe politike. Ivanoviq u qëllua për vdekje në Mitrovicë, qytet ky i ndarë mes palëve serbe dhe shqiptare nga Ibri. Askush nuk është arrestuar për vrasjen.

“Nuk është e sigurt të flasësh lirshëm në këtë qytet, por të themi se nuk ishin shqiptarët ata që e vranë atë”, ka thënë Marko Jakshiq, bashkëpunëtor politik i Ivanoviqit, gjatë një interviste në veri të Mitrovicës, transmeton Koha.net.

Disa serbë të Kosovës thonë se Beogradi dhe Prishtina janë barabar të frustruara në shfrytëzimin e situatës së tyre për të fituar pikë. Vizitat e profileve të larta në Kosovë nga Gjuriqi dhe të tjerët shpesh shihen si të dedikuara për opinionin publik në Serbi sesa për të bërë përmirësime materiale për ta. “Për Beogradin, Kosova është një çip pokeri për t’u luajtur në rrugën e Serbisë drejt integrimit në BE”, thotë Jakshiq. “Vuçiqi është i gatshëm të luajë atë, dhe Gjuriqi është i dedikuar të veprojë si qetësues që i lehtëson gjërat për ne”.

Filed Under: Reportazh Tagged With: serbët e Kosovës, The Guardian

YMCA Amerika, mbështetje për shtrirje në Kosovë

April 30, 2018 by dgreca

-Ministri Gashi viziton YMCA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të qëndrojë në dy selitë e kësaj organizate, në Nju Jork, për të parë nga afër përvojat dhe si i zhvillojnë aktivitet/

1 Kujtim-Gashi

PRISHTINË, 29 Prill 2018-Gazeta DIELLI/ Me ftesë të organizatës për rini YMCA, dega në Amerikë, ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit i Qeverisë së Kosovës, Kujtim Gashi, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Në kuadër të vizitës, ministri do të qëndrojë në dy selitë e kësaj organizate, në Nju Jork, për të parë nga afër përvojat e organizatës dhe si i zhvillojnë aktivitet në SHBA.Gjatë kësaj vizite ministri Gashi do të takohet me udhëheqësit më të lartë të YMCA Amerika, ndër të tjerë, me Adriana Statoviç, që është udhëheqëse e programeve ndërkombëtare, e cila njëkohësisht ndjek programin e YMCA-së edhe në Republikën e Kosovës.

Ministri Gashi synon që përmes kësaj vizite të marrë mbështetje nga YMCA-ja për shtrirje të saj në Republikën e Kosovës, ku te rinjve kosovarë do t’u jepet rasti që të jenë pjesë e këtij rrjeti të fuqishëm në mbarë botën.“Mbetet përkushtim i yni, që përmes marrëveshjeve të nënshkruara që do të arrijmë në këtë vizitë, ta bëjmë shtrirjen e kësaj organizate shumë të fuqishme rinore në të paktën disa prej qyteteve të Kosovës, në Gjakovë, Prizren, Istog, Rahovec si dhe në disa komuna tjera”, është shprehur ministrit Gashi.“Angazhimi ynë nuk do të mungojë që kjo organizatë të ketë shtrirje në të gjithë territorin e Kosovës, përmes së cilës do t’i jepet mundësia mijëra të rinjve për të qenë pjesë e aktiviteteve që zhvillon kjo organizatë”, shtoi ai.Gjithashtu, ministri Gashi, do vizitojë edhe dy kampe rinore të cilat zhvillojnë aktivitete me mijëra të rinj nga mbarë bota dhe për të parë se si ato menaxhohen.YMCA është organizata e te rinjve, e para për nga madhësia në Botë, e themeluar në vitin 1844. Kjo organizatë e fuqishme rinore ka shtrirje në 119 shtete të botës. YMCA i shërben 58 milionë të rinjve në vit në mbarë botën./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Mbeshtetje, për shtrirje në Kosovë, YMCA Amerika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1436
  • 1437
  • 1438
  • 1439
  • 1440
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT