• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR NGJYRAT MARRIN JETË….

February 27, 2018 by dgreca

KUR NGJYRAT MARRIN JETË… NË TË PAKONCEPTUESHMEN “KARAKTER SHPIRTI”/

1 FreitagDUKE SHKRUAJTUR PËR PIKTORIN E TALENTUAR GAZMEND FREITAG/

Kur flasim për një pikturë duhet të nënkuptojmë gjithë atë shpirt, atë sy estetik që depërton në magjinë apo trokitjen e një vrapimi ku deti, fluturimi, apo portreti i një njeriu merr ngjyrë vizional. Gjenomi i një pikture ravizohet si pikë referimi dhe në shpirtin e një piktori të talentuar siç është Gazmend FREITAG.

Çdo pikturë e tij sjell një evolim, një njohje të vetvetes ku duhet ndalur, në çfarë prizmi apo karakteri të një portreti duhen sintetizuar shungëllimat e përmasave të ngjyrave që nesër ato të lulëzojnë si skalitje të një shije të hollë. Veprat e tij kalojnë nga një metamorfozë të një kulture të hershme qoftë kjo dhe fetare deri në identitetin dhe nxjerrjen në pah të një tentativë për psikologji të portretit. Të bie në sy ngulmimi dhe mbivendosja e ngjyrave përkundrejt njëra – tjetres duke krijuar një vallzim me elemente ndiesore.

Ajo çka të tërheq në pikturat e Gazmendit është stili i veçantë, i rafinuar që ruan koherencën me një penelatë si e mbivendosur sipas gjendjes shpirtërore të portretit që ai sjell. Të bien në sy ngjyrat e pasura, drita me nuanca gri apo blu, dekorimi i plotë që vjen njëherazi si plan vendosje i pikave apo dekoreve që krijojnë një opus orgjinal me motive jetësore. Pra duke u futur në botën apo shpirtin e karaktereve ai shpalos të bukurën si një kod ngjyrash, si konvercion i emocioneve apo grishjen e një çasti magjik…
RUDINA MËRKURI

Filed Under: ESSE Tagged With: Gazmend Freitag, KUR NGJYRAT, MARRIN JETË, Rudina Merkuri

Presidenti Juncer, nesër në Kosovë, Veseli takon DELAWIE E APOSTOLOVA

February 27, 2018 by dgreca

-Presidenti Juncker dhe Delegacioni i BE-së do të takohen me Presidentin Hashim Thaçi, Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj, bën të ditur njoftimi dërguar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/
2Vesel DelawerPRISHTINË, 27 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, bashkë me Përfaqësuesen e Lartë, Federica Mogherini dhe Komisionerin Johannes Hahn, nesër, do të vizitojnë Kosovën.Presidenti Juncker dhe Delegacioni i BE-së do të takohen me Presidentin Hashim Thaçi, Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj, bën të ditur njoftimi dërguar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.Juncker, Mogherini e Hahn do të mbajnë edhe një takim me qytetarë, përfaqësues të mediave, aktivistë të shoqërisë civile, ndërmarrës, studentë, profesorë, rininë e partive politike, artistë, sportistë kosovarë, bursistë të programeve të BE-së, dhe shefat e Misioneve të BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare.1 Veseli BE

KOSOVË-VESELI ME DELAWIE E APOSTOLOVA PËR VOTIMIN E DEMARKACIONIT

-Kryeparlamentari Veseli dhe Ambasadori Delawie u pajtuan se është momenti i fundit që Kosova ta ratifikojë këtë marrëveshje, për t’i zënë afatet e nevojshme për heqjen e vizave gjatë këtij viti.

PRISHTINË, 27 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim Ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, për të diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë për seancën e nesërme plenare ku pritet të ratifikohet Marrëveshja për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e cila i hap rrugë liberalizimit të vizave.Kryeparlamentari Veseli e ka informuar Ambasadorin Amerikan për takimet dhe konsensusin e arritur mes subjekteve politike të pozitës dhe një pjesë të opozitës për ratifikimin e Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit. Veseli u shpreh optimist se marrëveshja e cila do t’i hapë rrugë lëvizjes pa viza të qytetarëve të Kosovës në Zonën Shengen do të miratohet në seancën e së mërkurës.

Kryeparlamentari Veseli dhe Ambasadori Delawie u pajtuan se është momenti i fundit që Kosova ta ratifikojë këtë marrëveshje, për t’i zënë afatet e nevojshme për heqjen e vizave gjatë këtij viti.Ambasadori Amerikan e ka vlerësuar rolin e Kryeparlamentarit Veseli në gjetjen e konsensusit brenda spektrit politik, ndërsa ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për Republikën e Kosovës në të gjitha fushat.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim edhe Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë- Përfaqësuesen e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, të cilën diskutoi për zhvillimet politike në vend, axhendën evropiane të Kosovës dhe hapat që Kosova duhet të ndërmarrë në këtë proces, me theks të veçantë, çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, e cila do të jetë serish nesër për diskutim në Kuvend.

Kryeparlamentari Veseli tha se populli i Kosovës në histori ka humbur shumë raste dhe nuk do të lejojë të humb raste të reja. Ai tha se Kosova është e përkushtuar plotësisht në përcaktimin e saj euro-atlantik dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të.Veseli shtoi se Kosova do të vazhdojë angazhimet e saj për përmbushjen e të gjitha kritereve që i janë përcaktuar nga Bashkimi Evropian.“Liberalizimi duhet të ndodhë dhe ratifikimi i marrëveshjes do të votohet. Kosova dhe qytetarët e vet kanë nevojë për një lajm të mirë dhe ne do ta sjellim këtë lajm nesër. Ratifikimi jep sinjal të qartë për perspektivën drejt BE-së dhe presim nga BE-ja të na ndihmojnë në rrugëtimin tonë euro-integrues”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se është bërë shumë për të arritur konsensusin dhe kërkoi nga i gjithë spektri politik që nesër të jetë bashkë, në forcimin e sovranitetit dhe ecjen e vendit përpara.“Nesër duhet të kemi një lajm të mirë. Besoj dhe në reflektimin e kolegëve që ende nuk e kanë marrë këtë vendim. Jemi para një dite që do t’i hapë perspektivë Kosovës”, tha kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se në javët e fundit ka pasur hapa të rëndësishëm për Kosovën për kalimin e demarkacionit, të cilat, siç tha ajo, janë vlerësuar shumë.“Dua të them që jemi afër që ta zgjedhim këtë çështje, andaj besoj se ratifikimi i demarkacionit në Kuvend duhet të bëhet nesër, sepse do të jetë hap i rëndësishëm në rrugën e liberalizimit. Kosova duhet të vazhdojë ende luftën kundër korrupsionit. Duhen përpjekje, por ratifikimi na afron te liberalizimi i vizave”, theksoi Apostolova./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambasadori Delawie, Behlul Jashari Veseli, Presidenti Junker

Lavrovi mbron krimin rusocarist

February 27, 2018 by dgreca

eshref-ymeri

Prof.dr. Eshref Ymeri/Para ca ditësh, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov, ishte për vizitë në Beograd. Gjatë asaj vizite ai shprehu shqetësimin e Moskës lidhur me planet për krijimin e “Shqipërisë së Madhe” dhe me pasivitetin e Bashkimit Evropian për këtë çështje. Ai deklaroi:

“Natyrisht që neve nuk mund të mos na shqetësojë pasiviteti i Bashkimit Evropian lidhur me nismën që vjen nga Tirana për të ashtuquajturën “Platformë e Tiranës”, e cila është një thirrje e hapur për krijimin e Shqipërisë së Madhe” (Citohet sipas:“Lavrovi komentoi idenë e krijimit të “Shqipërisë së Madhe””. Faqja e internetit “Ria Novosti”. 21 shkurt 2018).

Ndërsa lidhur me ligjin për gjuhën shqipe në Maqedoni, Lavrovi ka deklaruar me shqetësim:“Fare pak kohë më parë, kur në Maqedoni u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, kryetari i parlamentit, i zgjedhur në këtë post, hyri në kabinetin e vet dhe në tryezën e punës vendosi flamurin shqiptar” (po aty).

Njëkohësisht, mjetet ruse të informimit masiv bëjnë të ditur se gjatë vizitës në Beograd, Lavrovi paska lëshuar edhe një deklaratë tjetër. Ai paska thënë:

“Moska është e gatshme të dalë në rolin e ndërmjetësit në bisedimet e zgjeruara mes autoriteteve të Serbisë dhe të Kosovës” (Citohet sipas: “Rusia është gati të dalë në rolin e ndërmjetësit në bisedimet Serbi-Kosovë”. Faqja e internetit e gazetës “Izvestia”. 21 shkurt 2018).

Për dijeninë e kryediplomatit rus, në leksikun e gjuhës shqipe nuk ekziston absolutisht termi “Shqipëri e Madhe”, një term ky i shpikur nga diplomacia dhe politika grekosllave dhe i përkrahur fuqimisht nga diplomacia dhe politika ruse. Në leksikun e gjuhës shqipe ekziston vetëm termi “Shqipëri Etnike”, e banuar nga shqiptarë rrënjës gjatë shekujve. Se ku shtrihet “Shqipëria Etnike”, Sergej Lavrovi le ta mësojë, duke shfletuar Fjalorin Enciklopedik Rus, botim i Akademisë së Shkencave të Peterburgut,  cili ka dalë nga shtypi në vitin 1896. Le të lexojë atje zërin “Albania”, f. 359.

Me këtë rast, dëshiroj që Sergej Lavrovit t’i kujtoj se me deklaratën e tij kundër të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”, ai, si përfaqësues i lartë i diplomacisë dhe i politikës ruse, vazhdon të mbrojë me xhelozi krimin rusocarist dhe të ndjekë me besnikëri traditën armiqësore të diplomacisë rusocariste kundër kombit shqiptar. Sepse perëndimi evropian na i copëtoi trojet tona etnike pikërisht nën presionin e diplomacisë dhe të politikës rusocariste, duke filluar nga Kongresi famëkeq i Berlinit.

Këtu po ndalem vetëm në ca momente kulmore, për të nxjerrë në pah faktin se politika rusocariste, tradicionalisht, ka mbajtur një qëndrim tejet armiqësor në periudhat e kthesave historike për fatet e kombit shqiptar, qëndrim ky që është kultivuar me shumë kujdes në radhët e mbarë opinionit publik rus.

Së pari, kur diskutimi i çështjes kombëtare shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XIX kulmoi me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit që u mblodh më 10 qershor 1878, fuqitë evropiane u mblodhën në Kongresin e Berlinit dhe më 13 korrik të po atij viti, nën presionin e fuqishëm të Rusisë, nënshkruan një traktat famëkeq për copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Para nënshkrimit të atij traktati, sipas dispozitave të një projekti franko-austriak, përfaqësuesit e Gjermanisë, të Austro-Hungarisë, të Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Italisë i rekomanduan Portës së Lartë që krejt trevat etnike shqiptare t’i bashkonte në një vilajet të vetëm, çka krijonte kushte për shpalljen e autonomisë së tyre në kuadrin e Perandorisë Otomane. Por agjenti diplomatik rus Hitrovo, paraardhës carist i Sergej Lavrovit, interpretoi “qëndrimin e përgjithshëm të qeverisë së tij që ishte kundër çdolloj autonomie shqiptare” (Citohet sipas: Arben Puto.“Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”. Shtëpia Botuese “8 nëntori”, vëll.I (1867-1912). Tiranë, 1984, f.34).

       Së dyti, kur të katër vilajetet shqiptare ishin në prag të shpalljes së pavarësisë dhe kur vendeve fqinje nuk u ishin ndezur ende epshet shoviniste për copëtimin e tyre, pikërisht Rusia ishte ajo, e para, që kishte marrë në dorë hanxharin për një copëtim të tillë dhe për zhdukjen e tyre nga harta e Evropës. Kështu, më 27 tetor  (9 nëntor) 1912, në një telegram sekret që i dërguari rus në Beograd, N.G. Hartvig, i dërgonte Ministrisë së Jashtme Ruse në Sankt Peterburg, thuhej:

       “Për shkak të zgjerimit të ardhshëm të territoreve të të katër aleatëve, një Shqipëri autonome do të dukej si një anomali, si një vatër e përhershme trazirash, të cilat do të ngjallnin shqetësime për paqen në Ballkan… Shqipëria do të duhet të copëtohet mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë” (Citohet sipas librit: “Faktori shqiptar në zhvillimin e krizës në territorin e ish-Jugosllavisë. Dokumente. Vëll. i parë (1878-1997)”. Shtëpia Botuese “INDRIK”. Moskë  2006, f. 57).

Së treti, menjëherë pas këtij njoftimi, vjen edhe reagimi i Ministrit të Jashtëm të Rusisë Sergej Sazonov, paraardhës carist i Sergej Lavrovit. Në kujtimet e veta, ky ministër, si armik i betuar i kombit shqiptar, shkruan:

“Kuptohet vetvetiu se nga ana e Rusisë copëtimi i Shqipërisë mes ballkanasve, në thelb, nuk mund të haste në kurrfarë kundërshtimesh… Lejimi i Serbisë për të pasur një dalje në Adriatik, gjatë një periudhe të gjatë kohe, u shndërrua në një problem qendror të politikës evropiane, megjithëse në vetvete ai kishte një rëndësi thjesht të karakterit lokal. Qëndrimi i zjarrtë ndaj këtij problemi i opinionit mbarëshoqëror serb, nuk vonoi të gjente jehonë edhe në Rusi. Disa qarqe të Petrogradit, shumë të afërta me oborrin e carit, dhe mbarë shtypi i kryeqytetit me kahje nacionaliste…nisën…një fushatë të bujshme, të shoqëruar me demonstrata nëpër rrugë dhe me mitingje, ku mbaheshin fjalime patriotike, në të cilat kërkohej fillimi i luftës në mbrojtje të interesave sllave…” (Citohet sipas: Sergej Dmitrijeviç Sazonov. “Kujtime”. Shtëpia Botuese “Harvest”. Minsk 2002, f.77-79).

Në këtë mënyrë, Rusia përgatiste terrenin për copëtimin e trojeve etnike shqiptare, që u konkretizua me vendimin e Konferencës famëkeqe të Londrës që u mor më 30 maj 1913. Sipas atij vendimi famëkeq, u njoh pavarësia e Shqipërisë së sotme, jashtë së cilës, me këmbënguljen e jashtëzakonshme të Rusisë, mbetën ¾  e trojeve tona etnike.

Së katërti, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, Rusia, që mbante në dorë hanxharin për zhdukjen e Shqipërisë nga harta e Evropës, kishte vendosur të kënaqte përfundimisht epshet shoviniste grekosllave.       Moris Paleologu, ish-ambasador i Francës në Rusi prej korrikut të vitit 1914 deri në maj të vitit 1917, në kujtimet e veta përmend një audiencë që ka pasur asokohe në Carskoje Sjello më 21 nëntor 1914, me kërkesë të carit rus Nikollaj II. Ai shkruan:“Perandori më pret me mirësjelljen e tij karakteristike, me përzemërsi dhe paksa me druajtje… Mandej, pasi shpalosi hartën e Gadishullit të Ballkanit, ai, në vija të përgjithshme, më parashtron këndvështrimin e vet se cilat duhet të jenë ndryshimet territoriale, të cilat ne, sipas vlerësimeve të tij, duhet t’i dëshirojmë: Serbisë t’i aneksohen Bosnja, Hercegovina, Dalmacia dhe pjesa veriore e Shqipërisë. Greqia të marrë Shqipërinë e Jugut, përveç Vlorës, e cila do t’i lihet Italisë” (Citohet sipas: Moris Paleologu. “Rusia cariste gjatë luftës botërore”. Shtëpia Botuese “Mezhdunarodnëje otnoshenjija. Moskë 1991, f. 129).

Në takimin me ambasadorin francez, perandori rus i çelte rrugën zhdukjes një herë e mirë nga harta e Evropës edhe të kësaj ngastre Shqipërie që mbeti pas Konferencës së Londrës, zhdukje që do të shpallej me vendimin e Traktatit të fshehtë të Londrës që u mor më 26 prill 1915 dhe ku Rusia luajti violinën e parë.

Pra, nëse diplomacia dhe politika ruse do të dëshironin të kishin marrëdhënie vërtet korrekte me Republikën e Shqipërisë dhe me mbarë shqiptarët në trojet tona etnike, atëherë ajo, pikë së pari, duhej t’i kishte kërkuar ndjesë me kohë kombit shqiptar për qëndrimin tejet armiqësor që ka mbajtur ndaj tij diplomacia rusocariste, të konkretizuar me hallakatjen e shqiptarëve nëpër disa shtete ballkanike.

Lidhur me deklaratën e Lavrovit për dëshirën e diplomacisë ruse për të marrë pjesë si ndërmjetëse në bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, mund të thuhet ballazi se ajo tingëllon naive, për të mos thënë paradoksale. Si është e mundur që Moska të kërkojë të marrë përsipër rolin e ndërmjetësit në bisedime të tilla, kur ajo nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur? Jo vetëm kaq, por gjatë tërë kohës së luftës dhe pas luftës në Kosovë, Moska mori në mbrojtje Millosheviçin, u radhit përkrah Serbisë gjatë krimeve dhe shkatërrimeve të jashtëzakonshme që ajo bëri në Kosovë, duke e konkretizuar simpatinë e saj për Beogradin me regjistrimin në Moskë ditën për drekë të 70 mijë vullnetarëve para dyerve të ministrisë së mbrojtjes, për të shkuar në frontin e luftës dhe për të vrarë shqiptarë. Jo vetëm kaq, por përfaqësues të lartë zyrtarë rusë dolën dëshmitarë në mbrojtje të Millosheviçit gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Sergej Lavrovi nervozohet dhe ngrihet kundër ligjit që aprovoi parlamenti i Maqedonisë për gjuhën shqipe, si gjuhë të dytë zyrtare. Ky është një tjetër qëndrim paradoksal i kryediplomatit rus kundër popullit shqiptar të Maqedonisë, i cili, faktikisht, përbën 40% të popullsisë së atij vendi. Me sa duket, Lavrovi nuk ka arritur të shkëputet dot nga mendësia e ish-perandorisë sovjetike, kur Moska mundohej t’i rusifikonte ish-republikat sovjetike edhe përpërmjet gjuhës ruse, duke lënë pas dore gjuhët e kombësive.

Kur njihesh me qëndrimin tradicionalisht armiqësor të diplomacisë dhe të politikës rusocariste ndaj kombit shqiptar dhe me mbrojtjen e saj nga ana e diplomacisë dhe e politikës ruse të ditëve tona, sidomos me rreshtimi e saj përkrah kriminelit Millosheviç për masakrat dhe shkatërimet e rënda që bëri në Kosovë, nuk mund  mos të të vijë ndër mend fjalimi i avokatit të shquar rus Vasilij Maklakov, i mbajtur në Dumën ruse në gusht të vitit 1915. Moris Paleologu, në kujtimet e lartpërmendura, ka shkëputur nja frazë mjaft domethënëse nga ai fjalim:

“Rusia është modeli i shtetit, ku njerëzit nuk janë në vendin që u takon” (po aty, f.9).

Mirë është që ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov ta ketë të qartë se Çështja e Ribashkimit të Trojeve Tona Etnike vazhdon të mbetet e ankthshme që asokohe kur perëndimi evropian, nën diktatin e shovinizmit carist rusomadh, i copëtoi në mënyrën më barbare nga trungu amë. Kjo Çështje Madhore e kombit shqiptar kërkon zgjidhje, kërkon zhbërjen e padrejtësisë që atij iu imponua me dhunë nga fuqitë e mëdha evropiane.

Kërkesa për kthimin e atij borxhi që na kanë fuqitë e mëdha evropiane, ushton fuqishëm në vargjet poetike, në këngët popullore që burojnë nga shpirti i popullit dhe në këngët e kultivuara të artistëve të talentuar, apo në intervista dhe artikuj publicistikë.

Çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare nuk mund dhe nuk duhet të heshtë para deklaratave të tilla të papërgjegjshme që ka lëshuar kryediplomati rus gjatë vizitës së tij në Beograd. Normalisht, kundër deklaratave të Lavrovit në Beograd duhej të ngrihej dhe të protestonte fuqishëm klasa politike shqiptare në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup. Por, fatkeqësisht, në trekëndëshin në fjalë, nuk mund t’i kërkohet klasës politike shqiptare të reagojë siç duhet ndaj deklaratave të lartpëmendura të Lavrovit, sepse artin e nënshtrimit dhe të servilizmit para të huajve ajo e ka yll karvani. Kjo është vërtetuar katërçipërisht që në dhjetorin e vitit 1990, kur në Shqipëri u vendos sistemi pluralist. Ishte rasti më ideal që kjo klasë politike të dilte botërisht me platformën e zhbërjes së vendimeve të Konferencës famëkeqe të Londrës dhe të kërkonte me zë të lartë Ribashkimin e Trojeve Tona Etnike në një shtet kombëtar, me një stemë dhe me një flamur. Por klasa politike shqiptare heshti, paçka se pas vitit 1990, në Evropë u ndryshuan shumë kufinj dhe u krijuan 18 shtete të reja.

Le të shpresojmë se një ditë të bukur do të dalë në skenë një tjetër klasë politike shqiptare, me vetëdije dhe me moral të lartë kombëtar, e cila do të luajë rolin që i takon, duke siguruar përkrahjen e mbarë kombit shqiptar. Le të shpresojmë se kjo klasë e re politike do të bëhet Kryezonjë e Idesë Madhore për Ribashkimin e Trojeve Tona Etnike, duke e përzënë nga skena e jetës shqiptare klasën e tanishme politike pa vetëdije dhe pa moral kombëtar, servile të regjur dhe kurrizshtruar shembullore para të huajve.

       San Francisko, Kaliforni

26 shkurt 2018

Filed Under: Opinion Tagged With: Lavrovi mbron krimin, Prof. dr. eshref Ymeri, rusocarist

MARS 1945: TRIMAT E KASTRIOTIT

February 27, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
1 At MatiPrennushi

1948 – 2018 Asht 70 VJETORI I PUSHKATIMIT …/

USHTARËVE TRIMA E BESNIKË TË GJERGJ KASTRIOTIT NË TROJET E TIJ…/

Me daten 8 Janar 1948, në gjyqin e mbyllun që po zhvillohej në mensen e burgut të Kishës së Fretenëve në Shkoder, Provinçiali At Mati Prennushi në fjalën e fundit tha:

“Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hûj e na kanë varë n’ konop ata që nuk deshten as fenë as kombin, por na e kemi thirrë vedin gjithmonë Shqiptarë katolikë të Gjergj Kastriotit. Kemi jetue gjithmonë me popullin si në luftë, si në paqë. Në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njeni na mbante në robni e tjetri donte me na përpî. Ndërsa na nuk jemi nda kurr prej popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë atë kulturë që ka Europa e mos me u dallue për keq prej të tjerëvet. Na kemi hapë shkolla Shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që populli Shqiptar të ecin në rrugën e Zotit.” (Nga E. Merlika, Revista “Buzuku”, nr. 18, me 22 tetor 2005, Ulqin.)

***

JO LARG NGA VORRI I GJERGJ KASTRIOTIT…

1 At MatiPrennushiImzot Luigj bumci

  • 1 MARS 1945 VDES NË LEZHË IMZOT LUIGJ BUMÇI (1872 – 1945)

1920 Asht Kryetar i Delegacionit Shqiptar në Konferencen e Paqës në Paris.

Ka sekretar At Gjergj Fishten. Në 1919 shkon tek Papa Benedikti XV dhe denoncon veprimet e fqinjëve per Korçën e Gjinokastren me marrveshjen Titoni – Venizellos.

Papa takohet me ambasadorët anglez e amerikan, dhe dy krahinat i kthehen Shqipnisë.

Askush perveç Këtij Burra nuk ka mujtë me ua marrë fqinjve grabitës një pllambë Tokë. Vetem shka u kanë dhanë me traktatet e mëshefta per me ruejtë kolltukun e sundimin.

2 MARS 1925 Vritet tradhtisht në Bari Itali Heroi Kombtar Luigj GURAKUQI nga i sapoardhuni nga Beogradi Ahmet Zogu, mbasi nenshkroi Marrveshjen me Pashiqin…

29 MARS 1925 Vritet në Dragobi Trimi i Maleve Bajram CURRI, po nga A. Zogu.

  • 1 Mars 1945: Mbyllet në Tiranë Gjyqi Special ku u dënuen 60 të “pandehun”, prej të cilëve janë pushkatue 17 vetë: Fejzi Alizoti, Terenc Toçi, Aqif Permeti, Gustav Mirdashi, Kostandin Kote, Hilmi Leka, Reshit Merlika, Beqir Valteri, Javer Hurshit, Dik Cami, Ismail Golemi, Zef Kadarja, Tahsim Bishqemi, Shyqyri Borshi, Kolë Tromara, Daut Çarçani, Bahri Omari. Jo pak prej të tjerëve u zhdukën në burgje e kampe shfarosje…
  • 5 Mars 1945 Pushkatohet në Tiranë Don Lazer Shantoja, Martir i Parë i Klerit Katolik Shqiptar. Publiçist në Shqipninë e Veriut aqsa Faik Konica në Shqipninë e Jugut.
  • 8 Mars 1908 asht le At Lek Luli, i vramë tradhtisht në Bytyç të Tropojës në Korrik 1944.
  • 25 Mars 1945 pushkatohet në Shkoder grupi i Prekë Calit. Në muret e qytetit ngjitën afishe të mëdha me titullin: “Pushkatohen kriminelat e Luftës dhe Armiqtë e Popullit”, ku, vijojnë emnat: 1. Prenk Cali, 2. Dom Ndre Zadeja, 3. Luigj Gjeto Kastrati, 4. Ndok Nik Bardhoku, 5. Ndrek Loka, 6. Arif Selim Hyseni, 7. Ded Lulash Smajli, 8. Gjok Nikaj,
  1. Dul Bajrami, 10. Mark Luc Gjoni, 11. Tom Lek Daka, 12. Maliq Bajrami, 13. Gjok Nikoll Voci, 14. Pjetër Ded Gjedashi. Kësaj listë i mugojnë edhe 118 Burra të vramë në Malësi, me Trupat e Tyne të tretun nder lumej e prroje, mbasi ua djegën kullat…
  • 4 Mars 1946 Pushkatohen me grupin e Organizatës “Bashkimi Shqiptar”, në Shkoder: At Gjon Fausti, At Daniel Dajani, At Gjon Shllaku, Seminaristi Mark Çuni, Gjelosh Lulashi, Qerim Sadiku, Frano Mirakaj (Korrik 1946, me urdhen të E.Hoxhës).
  • 23 Mars 1946 vritet Don Nikoll Gazulli, në Malsi të Madhe, në shpella të Vrithit.
  • 17 Mars 1947 arrestohet Don Nikoll Luli. Ka sherbye gjithnjë në Mirditë.
  • 28 Mars 1947 Pushkatohet Don Dedë Maçaj 27 vjeç, kur ishte ushtar në Permet. Fjala e fundit e Tij ishte kjo: “Shpalli perpara Zotit, perpara të cilit shpejt do të dal, dhe para jush të dashtun ushtar, që po vritem vetem per shkak të urrejtjes ndaj besimit Katolik.

E tham këte pa idhnim apo urrejtje per ata të cilët mbas pak do të më vrasin…”

  • 9 Mars 1948 Pushkatohet Don Anton Zogaj (1905 – 1948), në Porto Romano…
  • 11 Mars 1948 Pushkatohen në oren 5 të mengjezit, në Zallin e Kirit në Shkoder, Prelatët e Klerit Katolik Shqiptar me një grup qytetarësh të akuzuem per Lëvizjen e Postribës:

Imz. Frano Gjini, At Mati Prennushi, Imz. Nikoll Deda, At Çiprian Nika, Dulo Kali, Ingj. Fahri Rusi, Abdullah Kazazi, Pjeter Prendush Pali, Cin Serreqi, Bilbil Hajmi, Xhelal Hardolli, Guljelm Suma, Caf Dragusha, Zef Kol Prela, Gasper Simon Gaspri, Murat Hysen Haxhija. (Në Dosje grupi nuk asht si dishmon Dr. Papavrami në 1993).

  • 19 Mars 1949 Vdes në burgun e Durrësit Imzot Vinçenc Prennushi, Argjipeshkëv i Tiranës dhe i Durrësit. Nuk pranoi shkëputjen e Kishës Katolike nga Vatikani…
  • 2 Mars 1950 interrnohet mësheftas At Marin Sirdani, kundershtar i Statutit qeveritar.
  • 26 Mars 1951 Arrestohet Don Marjan Arta dhe dënohet me 15 vjet burg…
  • 20 Mars 1952 vdes në Vaun e Dejës Don Nikoll Sheldija. Nuk ka firmue Statutin e 1951.
  • 19 Mars 1954 Shugurohet Meshtar Don Ndoc Nogaj e At Gjergj Vata nga Imz. E. Çoba.
  • 24 Mars 1963 Shugurohet Meshtar Don Luigj Kçira nga Imz. Ernesto Çoba.
  • 19 Mars 1967 Mbyllja perfundimtare e të gjitha Kishave Katolike në Shqipni, si pasojë e “Revolucionit Ideologjik e Kulturor 1967” nga diktatori terrorist Enver Hoxha.
  • 15 Mars 1974 Mbytet në fabriken gurore Krujë Don Prekë Nikçi. Nuk mohon Fenë!
  • 23 Mars 1976 Arrestohet Imz. Ernesto Çoba dhe Don Lec Sahatçija që vdesin në burg.
  • Me 20 Mars 1991 vizitoi per herë të parë Shqipninë Kardinal Klaudio Çeli, pergjegjës i mardhanjeve të Vatikanit me KSBE, me të cilin jemi takue në Shkoder, kur unë ishe në BSPSH e Shkodres me detyren e mardhanjeve të Sindikatës me Besimet Fetare.
  • 20 Mars 2000 Papa Gjon Pali II shkon në pelegrinazhin e Tokave të Shenjta dhe vendet ku jetoi Krishti. Atje u ndalue dhe bani lutje tek Muri i Lotëve…

            Melbourne, 27 Shkurt 2018.

Filed Under: Politike Tagged With: At Prenushi, Fritz radovani, MARS 1945:, TRIMAT E KASTRIOTIT

Miqësia jonë do të jetojë si guri që kam sjellë nga Rugova

February 26, 2018 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

1 NikciGjyshi im dikur thoshte se: “miqësia është si një lule, sa më shumë e ujit dhe kujdesesh për të, aq më e bukur do të jetë”  V.Nikçi/1 Edhe kezjaE mirëpritëm ftesën për një mbrëmje krejtësisht të veçantë, të bukur, elgante, por mbi të gjitha tejet miqësore që kaluam të shtunën në darkë në restorantin “Portofino” në qytetin ishull në Bronx, New York.

1 frederikNjë vesë e paqtë lagte çatitë e shtëpive, nga ajri i ngrohtë në degët e pemëve kacavireshin ketrushat dhe tek tuk ndonjë zog cicërinte si për të lajmëruar mbledhjen e miqësisë në mjediset e restorantit “Portofino”.  Në hyrje të mirëprisnin çifti simpatik dhe plot mirësjellje të veshur me elegancë Vjosa dhe Valon Nikçi që ishte në një harmoni perfekte me tingujt magjik që dilnin nga gryka e tij që duket sikur është e ndërtuar prej Hyut vetëm me nota muzikore e artistit të shquar Frederik Ndocit.1 IsmetiMiqësia grupe-grupe e çiftit Nikçi, bisedonin të qeshur dhe të gëzuar për mbrëmjen e bukur që do të kalonim.  Gëzuar miqësinë tonë i thashë Markut, Betit, Dritës, Verës, Aferditës, Emmit, Vjosës, Richardit e shumë të tjerëve që ishin bashkë me ne në këtë natë feste miqësie.1 RichardMë pëlqyen shumë disa detaje të vogla, por që peshonin shumë për themelet e një miqësie. Ja na thotë çifti Nikçi afrohuni tek tavolina dhe do të merrni dhuratën që kemi përgatitur.  Brenda pakos do te keni një kartoline të vogël që është emri i qytetit dhe një gurë të bardhë nga Rugova, sipas qytetit do të uleni nëpër tavolina.  Dora ime kapi kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën.  S’tu nda Tirana më tha Vjosa!…  Sa shumë emocione përjetova, m’u duk sikur gjithë Tirana m’u shfaq në oborrin e madh te restorantit, apartamenti im ku rrita dy vajzat e mia dhe së bashku kaluam një pjesë të bukur të jetës sonë, gjithë zogjtë nëpër pemë dhe në fluturim m’u kthyen në nxënës të gjimnazeve tiranase, pemët më dukeshin si mimoza marsi Tirane…

U drejtuam drejt tavolinës kryeqytetase, tiranase dhe u ulëm së bashku me Mark Gjonaj, “Nderi i Kombit”, Këshilltari i Bashkisë së Nju Jorkut, Vjosa dhe Richard Lukaj, “Nderi i Kombit” bankieri dhe humanisti i mirënjohur, Avni Mustafaj ish drejtori ekzekutiv i organizatës jo qeveritare, Këshillit Nacional Shqiptaro Amerikan në Washington.  Biseda midis nesh rridhte e ngrohtë, e dashur dhe plot mirësi ashtu siç dinë të dhurojnë njerëzit e vërtetë…

Në këtë mbrëmje merrte pjesë dhe Ambasadorja Teuta Sahatqija, Konsulle e Përgjitshme e Kosovës shoqëruar nga bashkëshorti i saj dhe disa anëtarë të staffit.

Pasi njerëzit ishin ulur nëpër tavolina sipas zakonit tradicional fjalën e mori z.Valon Nikçi në krah të të cilit ishte bashkëshortja e tij Vjosa, me emrin e lumit tim më të bukur, më kujtimplotë, që kalon herë rrëmbyeshëm e herë paqësor në Luadhin e Mezhgoranit tim në Tepelenë.

Fjala e Valonit ishte tejet mbresëlënëse plot mesazhe dhe do të me ngelet gjatë në kujtesë, por veçanërisht për frazën si: “Ne jemi nga pjesë të ndryshme të trojeve shqiptare, por ne jemi një.”

Fjala e mirëseardhjes së miqësisë nga Valon Nikçi/

Ndërsa shikoj përreth kësaj dhome të mrekullueshme, vërej se është plot me njerëz të mrekullueshëm dhe të mirë. Shumica prej nesh vijnë nga qoshe të ndryshme, male, lugina, fshatra, port-qytete dhe qytete. Ne jemi nga pjesë të ndryshme të trojeve shqiptare, por ne jemi ende një. Për sa kohë që ne e quajmë ujin “ujë” dhe bukën “bukë” ne jemi një dhe duhet të punojmë së bashku për ta bërë Atdheun tonë dhe gjeneratat e ardhshme krenare. Ashtu si vëllai im Mark Gjonaj thotë: “kur të bashkojmë kokat do t’i bashkojë tokat”, e di që kërkon shumë punë dhe sonte nuk duam të përqendrohemi në atë.

Sonte ne duam të përqendrohemi tek njëri-tjetri dhe miqësitë tona.

Ne festojmë përvjetorë të ndryshëm, përvjetorë martese, datat e rëndësishme, festojmë ditëlindjet, angazhimet, ditën e Shën Valentinit, ditën e nënës, ditën e babait, ditën e fqinjëve, ditën e bashkëpunëtorit, ditën e gruas – e cila është e përditshme – shpesh harrojnë të festojnë miqësinë. Sonte ne jemi këtu së bashku për të festuar miqësinë, dashurinë dhe jetën.

 

Jetojmë në një botë kaq dinamike ku vështirë se mund të gjejmë kohë për të shijuar dhe vlerësuar shëndetin dhe marrëdhëniet tona.  Miqësia është një pjesë e rëndësishme e ruajtjes së shëndetit të mirë mendor dhe prandaj është e rëndësishme për të festuar njëri-tjetrin. Gjyshi im dikur thoshte se miqësia është si një lule, sa më shumë e ujit dhe kujdesesh për të, aq më e bukur do të jetë.

 

Për ata që nuk e dinë, unë jam një refugjat i luftës ku ishja I deturuar se bashku me familjen time të largoheshim gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999.

 

Familja dhe unë erdhëm këtu me asgjë dhe nuk njihnim askënd dhe nuk flitnim anglisht, por erdhëm me një zemër të madhe. Unë mund të them me krenari se sot kemi gjithçka, kam Vjosen, djali ynë 10-mujor, Rron, i cili nuk mund të jetë sonte, sepse është në kohën e tij të gjumit, kemi një familje të shëndetshme dhe miq të shkëlqyeshëm si ju. Ju jeni të gjithë shumë të rëndësishme për ne. Unë mund të kem gjithçka në jetë, por pa miq si ju, unë do të ndihesha i varfër, pasi një pjesë e madhe e imja mungon. Ju jeni të gjithë familje për Vjosën dhe mua.  Secili prej jush ka luajtur një rol në vendin ku jemi sot dhe ne të gjithë do të ndihmojmë njëri-tjetrin të arrijmë shumë më tepër qëllime në të ardhmen.  Gjëja më e madhe që disa prej nesh bëjnë gabim është se ne duhet te shprehim vlerësimin dhe dashurinë tonë për njëri-tjetrin, për ata që kanë shumë miresi për ne.

 

Pse festojmë miqësinë?  Ideja më erdhi disa kohë më parë. Qëllimi i saj është që të takohen më shumë njerëz të mrekullueshëm të këtij komuniteti, sepse ka shumë. Ne duam të qëndrojmë së bashku, të bëjmë gjëra të mëdha që të ndodhin në komunitetin tonë, ta lëmë këtë botë më mirë se sa ta kemi gjetur dhe t’i lëmë fëmijët tanë të vazhdojnë miqësinë tonë për gjeneratat që do të vijnë.

 

Ky aktivitet sonte i takon të gjithëve. Ne shpresojmë të vazhdojmë dhe të bashkohemi dy herë në vit.

Ka miq të tjerë që nuk mund të vinin sonte këtu për shkak të detyrimeve, por ne do të kemi shumë mundësi të tjera për t’u bashkuar në të ardhmen.

Gurët që moret sonte në dhuratë, do të thotë shumë për familjen time dhe mua. Ata nuk janë nga Lumi i Bronksit, por nga Rugova.

 

Siç mund ta dini shumë prej jush, Vjosa dhe unë vijmë nga Rugova. Disa javë më parë isha në Rugovë dhe kam zgjedhur këto një nga një nga lumenjtë.  Guri është një dhuratë për ju dhe familjen tuaj nga familja ime dhe unë. Shkëmbinjtë janë të vjetër dhe formojnë historinë e pasur të Rugovës. Këta gurë janë të fortë, këta gurë do të jetojnë përgjithmonë.  Le të jetë miqësia jonë aq e fortë sa  guri, dhe shkëmbi që do të jetojnë në këtë tokë.

 

Miqtë e Valonit dhe të Vjosës kaluan një natë tëkëndshme dhe u argëtuan nga dy komedianë amerikanë dhe vallëzuan e kërcyen nën tingujt e muzikës dhe të këngëve të interpretuara nga Frederik Ndoci, Vedat Ademi dhe Gezim Nika.

Ishte një mbremje frymëzuese e ideuar nga dy te rinj plot botë, plot mirësi, nga dy të rinj që erdhën si refugjatë nga luftrat e egra, por ditën të integrohen me dinjitet në tokën e premtuar amerikane ndërsa rrënjët e tyre në Rugovë nuk i harrojnë kurrë.

Ishte një mbrëmje miqësore që do të vazhdojë përgjithmonë dhe do të jetojë si gurët që solli Valoni nga Rugova…

 

City Island, Bronx,

24 shkurt, 2018

Filed Under: Emigracion Tagged With: Keze Zylo, miqesia, Rugova, V Nikci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1526
  • 1527
  • 1528
  • 1529
  • 1530
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT