• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zotëria dhe shërbyesi

March 10, 2021 by dgreca

Nga Gladiola JORBUS/Dikush shërben, dikujt i shërbehet. Ab assuetis non fit passio. “Ajo që është e zakonshme bëhet si instiktive” – një nga parimet filozofike të Aristotelit. Kjo është motoja apo dualizmi i jetës?!

Përsëri të dy këta njerëz (Zotëria e Shërbyesi) mpleksen bashkë në të njëjtin dëshpërim; që të dy janë përfaqësues të gjinisë njerëzore. Secili e përfytyron jetën sipas mënyrës së vet. Të dy fantazojnë dhe presin, e ankthi  tejzgjatet në kohë.

Po koha?! Ah, ajo është aq abstrakte. Nocioni i saj tretet në hapësirë dhe pritja shndërrohet në përjetësi.Ai të cilit i shërbehet ka mijëra adhurues, ndonëse jeta e tij mund të përbëhet nga episode që kthehen në trajtë ciklike. Qenia njerëzore që shërben trondit, prek dhe shkakton dhembshuri, por nuk adhurohet kurrë.

Shërbëtori ngjall krupë dhe keqardhje njëkohësisht. Nga buka i takojnë vetëm thërrimet.Vallë, a ka shpresë për të ?!  Shpresa. Parodia therëse e jetës njerëzore. Njeriun e trembin njëlloj, suksesi dhe mossuksesi. Ai bie vetvetiu në grackën e dilemës. E më pas ngjizen me radhë: ambicia, paragjykimet, xhelozia, zilia, hipokrizia.  

Teatri absurd dhe pikërisht vepra e Samuel Beket “Duke pritur Godonë” na ofron një shembull tipik varësie nga sho-shoqi të marrëdhënies shërbëtor dhe i shërbyer (thënë ndryshe zotëria) Poco – Laki. Meqenëse nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin, ata shfaqen në aktin e parë të dramës, të lidhur me njëri-tjetrin me litar. Poco, zotëria, hap trastën dhe  ha mish pule, ndërkohë që kockat ua hedh “skllevërve”, që s’e kanë  për turp t’i lëpijnë. 

Në aktin e dytë, Poco e Laki hyjnë sërish në skenë, po tashmë, Poco është i verbuar, kurse Laki është bërë memec dhe në shpinë mban një çantë me rërë.

Pasi rrihen me njëri-  tjetrin, si për të parodizuar të ashtuquajturën “luftë e klasave”, zotëria  Poco dhe shërbëtori Laki largohen, të lidhur sërish me litar me njëri-  tjetrin. Dhe Hegeli, në librin e tij “Fenomenologjia e shpirtit” e trajton raportin zotëri –shërbëtor, ku sipas tij:

•zotëria e predominon shërbyesin dhe e konsideron mjet për të ndërvepruar;

•zotëria kufizohet me konsumimin e gjërave, pra me mohimin, duke arritur kështu një vetëndërgjegje të menjëhershme, pa njohur tjetrin dhe vetveten përmes tjetrit;

•përkundrazi, shërbyesi në punë fiton vetëdijen, superon fazën e ndërgjegjes natyrore dhe zgjeron horizontin e objektivitetit dhe lirisë.

Zotëria “përleshet për vdekje” me shërbyesin , do ta nënshtrojë atë,  e të sundojë krejt  botën, por ja ku vjen momenti final, e ai zbulon se ky qëllim do të mbetet  i papërmbushur dhe i paarritshëm.

Njeriu vjen për të ikur nga kjo botë, qoftë shërbëtor apo i shërbyer, si një anakolutë, në terrin llamburitës të ëndërr-zhgjëndrrës beketiane “Duke pritur Godonë”.

Shikoni, sa thjesht! Në se një këmbë ndihet e lodhur e vendosim të pushojë mbi tjetrën. A mund të vendoset dhe ky raport midis njerëzve, fare thjesht dhe pa shtresëzime sociale ndërmjet?! Pothuajse të gjitha besimet fetare mbështeten tek kompleksi i skllavërisë, po t’u referohemi urdhëresave të tyre: fal, mëshiro, përulu, kthe faqen tjetër.

“Liri, barazi, vëllazëri” ishte sllogani që frymëzoi Revolucionin francez  (1789 – 1799). Pra, në periudha të ndryshme historike, qenia njerëzore shfaqet e etur për barazi.

Po i referohem filozofit grek  Herakliti (540 – 480) para Krishtit, i cili iu drejtua nxënësve të tij, me këto fjalë:“Çdo gjë ndryshon, përveç ligjit të ndryshimeve’’.

Ndryshimi shënon çdo veprim, nëpërmjet të cilit bëjmë diçka ndryshe nga ç’është, e bëhet deri më tani. Ndaj, shërbyesi s’duhet të mbetet i heshtur, i pafuqishëm, i atrofizuar, sepse në fund të fundit është instrumenti përmes të cilit funksionon dhe lëviz gjithçka.

Kushedi, me shumë guxim e pak fat mund të shndërrohej në apogje !

Filed Under: ESSE Tagged With: Gladiola Jorbus, Zoteria

Ferial Vasili, Mësuesja e letërsisë që ishte për mua edhe shenjtore, edhe diell

March 10, 2021 by dgreca

Në foto Elida 18 vjeçare, kohë kur ishte gjimnaziste tek Sami Frashëri/

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Mësuesja e letërsisë që ishte për mua edhe shenjtore, edhe diell…

Këto rradhë që po i shkruaj sot, i kam përsëritur me zë e pa zë, vazhdimisht, sa herë që kam reflektuar rrjedhën e jetës time, i kam shqiptuar pa ndërprerë. Ajo ka qenë me mua gjithnjë pranë. Është njeriu që ka patur rolin më të rëndësishëm si mësuese e pedagoge, sepse më ka rizgjuar identitetin tim të groposur nga lufta e klasave, sikur thotë poeti Robert Frost “Unë nuk jam mësues por një zgjues”, zbulues, kur e bën çdo nxënës Kolomb të zbulojë Amerikën, pasionin e jetës.

Asnjëherë nuk ia kam shprehur mirënjohjen direkt sy më sy. Pastaj midis nesh nisi largësia, largimi ynë nga Shqipëria po aq i përmallshēm sa në baladat shqiptare. Ajo ndofta ka ndjerë trishtim, është zhgënjyer nga heshtja ime larg Alpesh, pas Alpesh. Dhe kjo më mbush me keqardhje, sepse është krejt ndryshe nga e vërteta. Unë e kam patur gjithnjë të gjallë këtë mirënjohje prej periudhës së viteve të gjelbër, kur isha vetëm një teen e deri kur fryma do të ngrihet lart si pupla e lehtë e një trishtili.

I kam folur për të Skënderit, sapo filluam historinë tonë të dashurisë, djemve, sepse im atë dhe mamaja ime e dinin se sa e rëndësishme ishte ajo për mua.

Edukimi nuk është mbushja e një thesi, thotë poeti William Butler Yates, por ndezja e një zjarri. E një zjarri apo pasioni, quaje si të duash, që ia dedikojmë jetën pa u lodhur kurrë.

Kjo ishte mësuesja e letërsisë e gjimnazit Sami Frashërit. Ferial Vasili. Ferial Vasili ishte për mua edhe shenjtore, edhe diell, sepse më ka ndriçuar rrugën, më ka ngrohur në ditë shumë të trishta të një adoleshence gjithë privime e terror psikologjik, të një adoleshence të acartë, kur shoqet dhe shokët e klasës të largoheshin, isha bija e armikut të partisë, lufta e klasave e ushqente urrejtjen klasore që në bankat e shkollës, të damkoste, të tregonin me gisht, pa asnjë lloj pezmi apo dhimbshurie, ishte seleksionimi që impononte diktatura, që shoqëria e mikpriste. Seleksionimi ishte si numrat e hebrejve, si ylli i verdhë Davidit që mbanin hebrejtë gjatë Holokaustit.

Ferial Vasili, e dashuruar me letërsinë, me profesionin e mësimdhënies ishte mësuesja më strikte e Sami Frashërit, në kuptimin se nuk pranonte të ndikohej dhe nuk bënte lëshime sa i përket vlerësimit të nxënësve.

Feriali Vasili ishte etaloni i meritokracisë të cilin e edukonte si vlerë. Tek Sami Frashëri sa vinte nje brez i ri gjimnazistash mësonte prej brezave pararendës se me Ferial Vasilin nuk mjaftonte të mësoje si peshkop, por duhej ta doje letërsinë me pasion, ta doje pa servilizëm apo hipokrizi, sepse Ferial Vasili i shquante menjëherë.

Për Ferial Vasilin, dhjeta në letërsi duhej merituar. Nuk mjaftoje të përsërisje tekstet rrjedhshēm, të mësoje përmendsh Elegjinë e Luigj Gurakuqit apo Fjalët e qiririt, sepse Ferial Vasili i dallonte ata që përsërisnin si papagaj nga ata që i qanin me lot vargjet e Fan Nolit apo të Naim Frashërit. Shkurt, të duhej dashuria për t’u lidhur me letërsinë në mënyrë shpirtërore, duhej të bije në dashuri me lëndën që ajo e bënte aq shumë për ta dashur. Nëse zgjidhej ky ekuacion ezoterik, atëhere po, e meritoje dhjetën. Po të ishe e talentuar, kjo ishte një plus, por të talentuarit janë të rrallë. Nuk janë shumësi kolektive asnjëherë.

Tek Sami Frashëri, gjimnazi nga kanë dalë 80 % e klasës politike në Shqipëri, nga kanë dalë shkencëtarë të sukseshëm sot nëpër botë, nxënësit e donin dhjetën me çdo kusht, në kuptimin se studionin, se ishin më të mirët në rang me gjimnazet e kryeqytetit dhe në dëftesat e tyre dhjetat rreshtoheshin me plotfuqishmëri, por me Ferial Vasilin nuk bëhej shaka. Ajo ishte si balanca e drejtësisë, si Perëndesha Romake Justitia.

Klasës tonë filloi t’i jepte mësim në vitin e tretë të gjimnazit. Përkonte me kohën kur ndaj tim eti regjimi diktatorial kishte ndërmarrë një fushatë persekutimesh të egra, e kishin hequr nga partia, e kishin pushuar nga puna, ia kishin hequr të drejtën e botimit, librat ia kishin bërë karton, dhe pasi i kishim shpëtuar internimit për një qime në një fshat gjeografikisht të Tiranës, i cili ishte tmerrësisht i izoluar mes malesh, afër Malit me Gropa dhe pasi e kishin lënë pa punë, më në fund e kishin dërguar të punonte si punëtor krahu në repartin e plehrave të Kombinatin Poligrafik. Mendoni, të gjitha këto të zeza që hiqte im atë kishin pasoja direkte tek unë. Shoqet e ngushta më kishin braktisur, nuk më ftonin as nëpër ditëlindje, kur kishim aktivitete shkollore më linin vetëm, ndodhte rëndom që shokë nga klasa kishin arritur deri aty sa të më thoshin se mësoja kot, pasi nuk do të më dilte e drejta e studimit, sikur edhe u vërtetua posa mbaruam maturën. Për të shmangur sjelljen e pështirë të shoqeve, detyrohesha të ndryshoja rrugën vajtje ardhje nga shkolla, i bija sa më gjatë, edhe kur shkoja, edhe kur kthehesha, isha vetëm. Shoqet e mia janë të gjitha dhe asnjëra prej tyre nuk mund të më pohojë të kundërtën. Kur Ismail Kadare botoi tek revista Nëntori novelën Nata me Hënë, u identifikova me heroinen e novelës, aq shumë ndeshesha me cinizmin e shoqërisë shqiptare.

Dikush do të thotë se ashtu ishte koha. Po, është e vërtetë. Prandaj në atë kohë tmerri shquhen njerëzit me zemër të madhe. Ishin të rrallë. Ishin konstelacione të rralla si kometa por ishin. Mësuesja e letërsisë Ferial Vasili e afroi të bijën e një poeti të censuruar, të ndaluar të përmendej në librat dhe orët e letërsisë, të një poeti të mallkuar nga regjimi. Mendoni, në mes të atij oqeani cinizmi obskurantist, për mua kishte një liman shprese. Në atë ferr shëmtie për mua kishte edhe dritë parajse, në orën e saj të letërsisë.

Unë mezi prisja që të kishim letërsi, megjithëse isha shkëlqyshëm në gati të gjitha lëndët e gjimnazit, por në orën e letërsisë, unë fitoja dinjitetin e humbur nga ajo që më ngjante në shkollë, sepse kishte edhe plot mësuese konformiste me sistemin, që mendonin ashtu si mendonte partia. Por kishte edhe mësues me dinjitet që i devijonin rregullave të hekurta të diktaturës dhe i respektonin adoleshentët gjimnazistë me prejardhje nga familje të persekutuara.

Kur filloi të na jepte mësim, në vitin e tretë të gjimnazit, ne si klasë ishim të gjithë të ndrojtur në fillim, sepse ishte mësuesja më me autoritet e shkollës. Ndërkohë, më kujtohet si tani, kur bëmë hartimin e parë. Tema ishte për dëshmorët e luftës. Unë shkrova një poemth për Qemal Stafën. Erdhi edhe dita kur kishim orën e korigjim-hartimit. Ishin dy orë të plota. Feriali i kalonte hartimet tona me rradhë, bënte vërejtje, komentonim dhe kështu emër për emër. Hartimi im nuk po dilte gjëkundi.

Gjithë klasa kishte përfunduar pothuaj. Unë në regjistër isha nga fillimi se emri më niste me gërmën „E“. Fillova të shqetësohem. Por nuk kaloi pak ajo më solli fletoren në bankën time dhe më tha: „Lexoje Elida“! Unë kisha shtangur, më kishte mbetur fryma! Ferial Vasili hartimin tim e konsideronte më të bukurin dhe më thosh që t’ia lexoja klasës me zë të lartë. Dhe ashtu bëra, nisa ta deklamoj me gjithë shpirt, sepse deklamoja shumë bukur. Atë ditë unë rilinda edhe për të gjithë kohën që do të vinte pastaj!

Prej asaj dite, midis Ferial Vasilit dhe meje u krijua një lidhje shumë e bukur, e sinqertë, njerëzore, unike. Asnjë nga shoqet e klasës, sado mirë që prindërit e tyre i kishin marrëdhëniet me partinë e punës, nuk e kishte atë lidhje speciale si kjo jona. Ferial Vasili e kishte rizbuluar tek unë rishtas vokacionin tim për të shkruar, të cilin unë e kisha shfaqur më herët dhe që ma kishte varrosur të gjallë diktatura.

Prej asaj dite, që kur deklamova hartimin tim kushtuar Qemal Stafës, heroit të adoleshencës time, unë e rizbulova letërsinë si dritare edhe për të parë botën, edhe si një lloj sfide. Ndërsa Ferial Vasili ishte gjëja më e bukur që kam patur gjatë gjimnazit, periudhë gjithë lot e vuajtje. Ajo më mikpriste edhe në shtëpinë e saj dhe aty më tregonte librat e babit, të cilat ishin hequr nga qarkullimi. Ajo më besonte mua aq shumë, ndërsa unë e shihja si perëndi.

Raporti me mësuesen time të letërsisë ishte i tillë, nga ata që nuk ka rëndësi nëse shihesh apo nuk shihesh, sepse ishte një lidhje nga ato që zgjasin gjithmonë. Pasi mbarova gjimnazin, nuk më doli e drejta e studimit, pa marrë parasysh rezultatet e larta dhe vokacionin tim për letërsi e gjuhë të huaja.

Komiteti ekzekutiv më dërgoi të punoja në fabrikën e pllakave në Kombinatin Josif Pashko, në repartin më të vështirë, atje ku punonin ata që i kishte dënuar partia e punës. Tek Josif Pashko punoja me dy turne, kur dilja në mëngjes ende pa zbardhur dita, në ditët e ftohta të dimrit qaja rrugës, kur nuk më shihte njeri. Pastaj fillova punë tek varrezat e Sharrës, vajzē e re 20 vjeçare.

Në një paradite pranvere, si kjo e sotmja takoj Ferial Vasilin. Më kujtohet si sot, afër kinema Partizanit. U takuam me mall si nëna me bijën. Më pyeti si i kisha punët. I tregova fill e për pe. I tregoja gjithçka, nuk i fshihja asgjë. I thashë se ku punoja dhe se si ishte gjendja. Më pyeti nëse im atë kishte njohje me Rozeta Uçin, gruan e Prof.Alfred Uçit dhe kur i thashë po, më tregoi se ishte një vend pune bosh, dhe Rozeta mund të më ndihmonte. Ishte fjala për arkivin e Istitutit të Kulturës Popullore. Unë i ndoqa fije për pe këshillat e saj. Im atë shkoi tek Rozeta Uçi me të cilën kishte miqësi dhe magjia ndodhi. Nisa të punoj në Institutin e Kulturës Popullore, ku filloi edhe njohja ime e thellë me fondin e baladave dhe mahnitja prej Ciklit të Kreshnikëve. Prej aty m’u krijua mundësia të ndiqja Universitetin për Gjuhë-Letërsi dhe jeta të merrte rrjedhën që mori, ndërkohë që Muri Berlinit ishte përmbysur dhe kishin lindur shpresa për të gjithë të pashpresët.

Ferial Vasili ishte fataliteti mrekulli e adoleshencës sime plot vuajtje e lot, që vazhdon e më ndjek kudo, në profesionin tim si gazetare, në krijimtarinë time, në jetën time si bijë, grua e nënë. Ajo është me mua përherë. Mësuesja e letërsisë në gjimnazin Sami Frashëri! Ajo ishte për mua edhe shenjtore, edhe diell!Pastaj jeta i ndau shqiptarët nëpër të katër anët e botës. U rishfaqën të shpalosura në mijra e mijra forma baladat shqiptare të jetuara në epokën moderne. Ajo ndofta ka menduar me keqardhje se unë mund ta kem harruar, por unë e mbaj përherë në zemrën time. Aty ku ndodhet vendi i posaçëm ku ruhen thesarët. Aty e ruaj kujtimin për Mësuesen time të letërsisë. Në gjimnazin Sami Frashëri./ 2013-2021

Fjalë kyçe:cElida Buçpapaj, Ferial Vasili, Gjimnazi Sami Frashëri, mësuesja e letërsisë

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Ferial Vasili, Mesuesja e Letersise

VANITET

March 10, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/ Kotësia e kotësive është e gjitha kotësi. Çfarë përfitimi ka njeriu nga mundimi i tij nën këtë diell? Solomoni u përpoq të shijojë njohuritë dhe kënaqësitë e botës. Në fund, kur ia arriti qëllimit, zbuloi se gjithçka ishte e kotë. Një brez kalon dhe një brez tjetër vjen, riciklim në tokën mbushur me mbetje që duket sikur vjell vetëveten. Gjithnjë dielli lind, perëndon dhe nxiton për në vendin ku u ngrit. Çdo gjë përtërihet. Edhe të njëjtat gabime duken të reja. Të gjithë lumenjtë derdhen në det dhe megjithatë deti nuk mbushet kurrë plot. Në vendin nga rrjedhin lumenjtë atje përsëri kthehen. Gjëja që ka qenë është ajo që do të jetë dhe ajo që është bërë është ajo që do të bëhet. Po! Ka diçka të re nën diell. Nuk janë kujtime të gjërave të mëparshme. As nuk do të ruhet kujtimi i gjërave që do të vijnë dhe atyre që do të pasojnë. E shkuara jeton. Asgjë nuk ikën. Relikja bëhet risi. 
Kur acari i bardhë praron luginat, i ftohti gjithçka mbyt; njeriu nuk ka asgjë për të bërë për të fituar bukën e familjes; kur përrenjtë e fryrë mbulohen nga ngrica dhe kodrat vishen me dëborë, njeriu kotë i pret pyjet, drunjtë nuk kalojnë dot mbi to. 
Në mençurinë e madhe është pikëllimi i madh dhe ai që shton njohuritë rrit hidhërimin. Sokrati thoshte se ekziston vetëm një e mirë, dija – dhe vetëm një e keqe, injoranca; Aristoteli deklaronte se dija është fuqi; dhe Shekspiri shkruante se injoranca është mallkim; njohuria është krahu me të cilin njeriu fluturon në Parajsë. Dhe mendo pastaj se shumë njerëz janë pa krahë, ose mbi ta rëndon mallkimi.   
Shpesh përpiqemi të bëjmë diçka dhe harrojmë se është koha nga jeta që marrim hua për këtë kotësi. Kur pretendimet funksionojnë dhe të tjerat kërkojnë realitet, të gjitha bëhen kotë fare, si katër stinët brenda një vere që vitin e shkurtojnë; është qëllimi i jetës së shpejtë, që përfundon me shpresë të kotë, ose vazhdon i dehur. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Vanitet

FAMILJA, PUNA, SHOQËRIA: TË RISHIKOHET ROLI I GRAVE

March 10, 2021 by dgreca

Nga CHRISTINE LAGARDE-Përktheu:Eugjen MERLIKA/

Me vërshimin e pandemisë së COVID – 19 gjithë botës i është  dashur të përballojë një vit sakrificash. Shumë kanë humbur jetën, ose të dashurit e tyre. Të tjerë kanë luftuar ashpërsisht për mbijetesë, në rrafshin fizik, emotiv e financiar. Viti që shkoi ka treguar dukshëm  se ndikimi shoqëror dhe ekonomik i pandemisë mbi jetën e grave ka qënë  veçanërisht i rëndë. Një numur jo proporcional i grave punon në sektorët më të goditur nga pandemia. Me shumë gjasë zhvillojnë veprimtari informale të pambrojtur nga programet e mbështetjes publike. Të shumtave u është dashur të kujdesen të vetme për familiarët më të rinj apo më të moshuar, ndërsa detyroheshin t’i bënin ballë detyrave të punës.   

Është shqetësuese se si këto rrethana rrezikojnë të shuajnë përparimet e arritura me çmim të lartë në frontin e barazisë gjinore. Nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë.

Por ka edhe shpresa ndryshimi. Krizat qenësore pështjellojnë mënyrën tonë të jetës së përditëshme e na shtyjnë të rithemelojmë disa prej vlerave tona. Pandemia jo vetëm ka hequr perden mbi mangësitë e rënda të shoqërisë sonë por na ka shtrënguar të veprojmë në mënyrë tjetër. Është pikërisht këtu që shoh mundësinë e një ndryshimi në të mirë. Për këtë sot, në Ditën ndërkombëtare të gruas, ftoj të gjithë të thyejnë skemat e të përqafojnë të reja, më të përshtatëshme ndaj nevojave të së sotmes. Familja, puna dhe roli i jonë i drejtimit janë detyra që kërkojnë shumë zotime.

Puna fillon në familje, zëmra dhe qëndra e jetës sonë gjatë izolimit. Pandemia ka nxjerrë qartësisht në dritë çekuilibrin ndërmjet burrave e grave sa i përket punës së papaguar. Por na ka vërtetuar se edhe shokët tanë mund të marrin peshën e tyre. Në disa raste etërit, të angazhuar në punë nga shtëpia apo të detyruar me një orar të punës të kufizuar, kanë marrë në dorë frenat e familjes, ndërsa nënat kryenin detyra thelbësore përtej mureve shtëpiake.

Një thyerje e tillë e normave, nëse vazhdon, mund t’i sjellë grave lirinë për t’u realizuar gjetiu, në punë e në bashkësi. Një pjesëmarrje më e gjërë e grave në botën e punës, me shërbime të përshtatëshme për ndihmën fëminore dhe një organizim jo të ngurtë në orarin e punës në dobi të grave e të burrave, do të lejonte të kryhej një hap i madh përpara në mbushjen e hendekut pagësor mes gjinive. Në BE gratë fitojnë mesatarisht 14,1 % më pak se burrat. Nëse detyrat shtëpijake janë ndarë në mënyrë më të barabartë në brendësi të familjes, bijtë rriten me një ide më barazuese të rolit në krahasim me brezat e mëparshëm. 

Kësaj i shtohet angazhimi në vëndin e punës. Pandemia ka nxjerrë në pah rolin profesional të pamohueshëm që gratë luajnë në shoqëri. Përfaqësojnë tre të katërtat e 18 milion punonjësve shoqo-shëndetësorë në zonën euro e japin ndihmesën në të njëjtën masë në botën e arsimit. Të dy sektorët kanë qenë të domosdoshëm gjatë pandemisë. Tashmë që kemi parë se cila është vlera e vërtetë e këtyre figurave për shoqërinë, është e rëndësishme që ajo të jetë e mirënjohur e të shpërblehet në mënyrë të përshtatëshme.

Ka nevojë edhe për më shumë gra dhe në fushat e shkencës, të teknologjisë, t’ingjinjerisë e të matematikës. Në këta sektorë të karakterizuar nga një trajtim më i mirë ekonomik, një prani më e madhe femërore do të japë ndihmesën që të pakësohet ndryshimi në pagesa ndërmjet gjinive. Veç asaj profesionet shkencore përbëjnë një faktor përcaktues për risinë dhe për kalimin drejt një ekonomie më digjitale dhe më të pranueshme.

Duhet të shohim përtej karrierave tradicionale: le të nxisim gratë e vajzat të shquhen n’ato fusha në të cilat pak prej tyre janë futur. Sot Banka Kombëtare Evropiane fillon një organizim të ri të programit të bursave të studimit për studentet n’ekonomi, që synon të mbushë praninë e kufizuar të grave në këtë sektor. 

Puna angazhon edhe në drejtim. Pandemia ka treguar vlerën e drejtimit femëror, veçanërisht në kohë krizash. Kërkimet e zhvilluara gjatë pandemisë kanë zbuluar se gratë janë konsideruar nga bashkëpuntorët e tyre më t’efektëshme se burrat. Janë në gjëndje të bisedojnë e të merren vesh më mirë me vartësit.

Por megjithatë janë gra vetëm 18,5% të kryetarëve të qeverive të Vendeve të BE. Edhe se përfaqësojnë më shumë se gjysmën e popullsisë së BE (51%), prania e tyre në parlamentet kombëtare nuk kalon një të tretën e antarëve. Asnjë nga bankat qëndrore të zonës euro, guvernatorët e të cilave janë emëruar nga qeveritë kombëtare, është e drejtuar nga një grua. Përqindja e përfaqësisë femërore është po aq e ulët në organet administrative të ndërmarrjeve. Në shoqëritë më të mëdha evropiane të kuotuara në bursë, gratë zenë vetëm 7,5 % të posteve drejtuese. Në BQE, nga viti 2013 deri në 2019, kemi më se dyfishuar praninë femërore në drejtimin e lartë dhe objektivi i ynë është t’arrijmë një kuotë prej 40% deri në 2026.

Është çasti të rishikojmë drejtimin e të sjellim më shumë ndryshueshmëri në organet e administratës, në parlamentet e në administratat publike. Një ndarje më e barabartë e detyrave shtëpiake dhe mundësi më të mëdha për karrierë do t’i lejojnë më shumë grave të japin ndihmesën e tyre akoma më tepër për shoqërinë, të marrin pjesë veprueshëm në jetën politike dhe t’i japin zë mjaft aspiratave ende të padëgjuara.

Të shkojmë përpara me ambicie drejt këtij qëllimi në mënyrë që shoqëria e jonë të rishfaqet më e fuqishme, më e barabartë e më e pranueshme nga pandemia.

Christine Lagarde ka qënë për tetë vite drejtoreshë e Fondit monetar ndërkombëtar. Mga 2019 ka pasuar Mario Dragin në kryesinë e Bankës qëndrore evropiane.

“Corriere della Sera, 8 mars 2021      Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Christine Lagarde, Eugjen Merlika

Liria e fjalës lidhet me të vërtetën!

March 10, 2021 by dgreca

Portali Gazeta Diaspora Shqiptare e Pandeli Majkos, kreut të ministrisë së përçarjes të diasporës – Nga Elida Buçpapaj/

Liria e fjalës lidhet me të vërtetën!

E vërteta është shpesh e hidhur e sidomos veshët e politikës nuk duan ta dëgjojnë!

“Nëse liri do të thotë diçka, do të thotë të kesh të drejtën t’ju tregosh njerëzve atë që nuk kanë qejf ta dëgjojnë”.

Kështu e përkufizon pak a shumë lirinë e shprehjes George Orwell.

“Nëse liria e fjalës hiqet, atëherë si shurdh memecë mund të na udhëheqin, si dele në thertore.”

Kështu e përkufizon lirinë e fjalës  Xhorxh Washington.

Mbrojtësi i flaktë i lirisë së mendimit Volteri, figurë emblematike e iluminizmit që ka frymëzuar lirinë, sekularizmin dhe demokracinë në të dyja anë i Atlantikut, thotë “Unë mund të mos pajtohem me ty, por unë mbroj deri në vdekje të drejtën tënde për ta thënë atë.”

Despotët, diktatorët e burgosin të parën fjalën e lirë, sepse kur kanë burgosur lirinë e fjalës e kanë burgosur të gjithë shoqërinë!

Ndryshe nga regjimet totalitariste, në civilizimin Perëndimor liria e fjalës është e garantuar me ligj dhe kushtetutë si e drejtë themelore e njeriut.

Amendamenti i parë i Kushtetutës Amerikane, përveçse garanton lirinë e shprehjes, e ndalon Kongresin të kufizojë shtypin ose të drejtat e individëve për të folur lirshëm. 

Pra liria e fjalës që njihet si “pushteti i katërt”, në italisht (quarto potere), gjermanisht (Vierte Gewalt), spanjisht (Cuarto poder)  frëngjisht (Quatrième pouvoir)  është detyrimisht e pavarur nga politika, detyrimisht e pavarur nga tre pushtetet e tjera, që janë legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori.

Kusht themelor i fjalës të lirë është të ekzistojë larg çdo konteksti politik, në kuptimin se qeveria e një vendi demokratik nuk ka të drejtë kushtetuese dhe e ka të ndaluar me ligj të krijojë një gazetë që të mbulojë domenin e informimit të publikut.

Në diktaturën totalitariste enveriste Zëri i Popullit ishte direkt organ i KQPPSH.

Në mënyrë aksiomatike, në diktaturën totalitariste të Edi Ramës portali Gazeta “Diaspora Shqiptare” është organ i qeverisjes të korruptuar. 

Gazeta “Diaspora Shqiptare” është organ i ministrisë të përçarjes të Pandeli Majkos, ministrit më puthador të Edi Ramës.

Ku ve këmbën Pandeli Majko, mbjell përçarje, injorancë dhe shkelje të ligjit.

Perëndimi financon me destinacion të zhvillojë demokracinë në Shqipëri, qeveria e korruptuar e Edi Ramës i financon paratë në Perëndim si pare e zezë për ta bërë diasporën një kopje të shëmtuar e asaj që ndodh në Shqipëri.

Gazeta Diaspora Shqiptare është një portal politik, partiak, aspak profesional, që ka qëllim trushplarjen e diasporësshqiptare nëpër botë! 

Sikur Radio Tirana e kohës të diktaturës Hoxhiste që shpërndante helmin përmes valëve të radios totalisht nën kontrollin e shtetit totalitarist.

Ju kujtohet fotografia e Edi Ramës me presidentin Obama !

Një shqiptaro-amerikan u dënua sepse kishte paguar rreth 80 mijë $ për fushatën presidenciale, me qëllim që Edi Rama të bënte foto me presidentin Amerikan, por paratë kishin ardhur nga jashtë dhe kështu ishte shkelur ligji amerikan dhe personi u dënua dy vjet burg, por Edi Rama ngeli i palagur.

E, pra, ky është stili i ndyrë që kanë sjellë qeveritarët e Edi Ramës në diasporë.

Ne 3 milionë shqiptarë nëpër botë jemi qytetarë të lirë të Perëndimit e prandaj duhet t’i themi “jo” pisllikut që vjen nga qeveria e Edi Ramës!

Ne që jetojmë në Perëndim e dimë se si funksionon demokracia,

prandaj nuk duhet të pranojmë kurrë të kthehemi në marioneta të një qeverisje që e ka kapur sistemin e popullin e ka nënshtruar përmes diktaturës të varfërisë e padrejtësisë.

Diaspora nuk duhet të pranojë një portal që del nga zyrat e Pandeli Majkos, sepse kështu shkelet Kushtetuta e vendeve demokratike ku jetojmë në BE, SHBA, Kanada etj.

Asnjë qeveri demokratike nuk e gëzon atë të drejtë të nxjerrë në qarkullim asnjë lloj gazete për informimin publik veç gazetës zyrtare!

Edi Rama ka arritur deri aty sa ka televizionin e tij ERTV, por kur është në fjalë diaspora, jemi ne 3 milionë shqiptarë, që nuk duhet ta lejojmë të zgjasë duart e tij të gjata e të dhunojë fjalën e lirë!

A mund të ekzistojë e lirë fjala nën prangat e qeverisë të Tiranës dhe ministrisë të përçarjes të Pandeli Majkos ? 

Jo kurrë! 

“Kushdo që do të përmbysë lirinë e një kombi e fillon duke nënshtruar lirinë e fjalës”, thotë Polymath, dijetari Benjamin Franklin, një nga Etërit Themelues të SHBA.


Filed Under: Emigracion Tagged With: Elida Buçpapaj, Gazeta e Diaspores, Lira e Fjales, Pandeli majko

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • 166
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT