• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova 115 njohje nga shtetet anëtare të OKB

November 26, 2017 by dgreca

-Madagaskari, shteti i 115-të njeh pavarësinë e Kosovës, zv/kryeministri Pacolli pranon Notën Verbale/1 Madagaskar

-Kosova  ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete/1 Madahask njohje

-Pas më pak se tre muajsh Kosova festoon 10 vjetorin e pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008/

PRISHTINË, 26 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Madagaskari, shtet në brigjet jug-lindore të Afrikës, ka njohur pavarësinë e Kosovës. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka pranuar zyrtarisht Notën Verbale të njohjes së Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Republika e Madagaskarit, gjatë një takimi që zhvilloi me homologun e tij nga ky shtet, në margjina të takimit të vendeve të Frankofonisë, që po mbahet në Paris.

“Urime Kosovë, Faleminderit Madagaskar. Nga sot, Kosova dhe Madagaskari kanë nga një mik më shumë. Falenderimet e mia të sinqerta për popullin, Presidentin dhe Qeverinë e Madagaskarit”, ka thënë ministri i Jashtëm, Pacolli, cituar në njoftimin e dërguar mbrëmë nga Parisi.

Theksohet se, në kuadër të këtij takimi, të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur zotimet e tyre të dyanshme për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve dhe dy popujve si edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike për t’i hapur rrugë përfaqësimit diplomatik në nivel ambasadorësh në mes dy vendeve respektive.

Njohja nga Madagaskari është e 115-ta nga shtetet anëtare të OKB-së, pas të 114-tës nga Bangladshi të njoftuar në 27 shkurt 2017.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kosova  ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Pas më pak se tre muajsh Kosova festoon 10 vjetorin e pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosova 115 njohje, nga shtetet anëtare të OKB

Vdiq në Nju Jork Zonja Elizabeth (Chipi) LEKA, Bashkëshortja e Dr. Agim LEKA

November 25, 2017 by dgreca

 

1 shenje zije

Lajmërim mortor/

1 Zonja Leka

Vdiq Zonja Elizabeth (Chipi) LEKA, (1933-2017)/

Bashkëshorte, nënë dhe gjyshe shëmbëllore  /

Familja Dr. Agim Leka, mjeku i njohur i bashkësisisë shqiptaro-amerikane, lajmëron me pikëllim se mbas një sëmundje të gjatë, vdiq Zonja Elizabeth (Chipi) Leka, bashkëshorte e Dr. Agim Lekës, nënë e djemëve Donald Leka dhe Drini Leka, dhe motër e Zonjës Diana Repishti.  E ndjera ishte në moshën 84 vjeçare.

Familja Leka njofton se të dielën, 26 nëntor, prej orës 2 deri 6 mbasdreke do të bëhet pamja e zakonshme në shtëpinë funerale Frank Campbell Funeral Home, 1076 Madison Avenue, Manhattan, New York (212) 288-3500.

Varrimi do të kryhet ditën e hënë, 27 nëntor, në oren 1:15 në pas dreke në Ferncliff Cemetery, 280 Secor Road, Hartsdale, New York (Rosewood Two – Garden Section).

E ndjera Zonja Elizabeth Leka, lë të pikëlluar burrin Dr. Agim Leka, djalin Donald me familje, djalin Drini me familje dhe motrën e saj të vetme Zonjën Diana Repishti me familje, si dhe shumë shoqe, miq dhe ish kolegë të viteve shkollore.

I përjetëshëm qoftë kujtimi i saj!

*****

Kush ishte Zonja Elizabeth Leka? E lindur në Gjirokastër në vitin 1933 nga një familje e njohur qytetare – babai i saj i ndjeri Kadri Çipi dhe nëna e saj, e ndjera Zonja Tefta (Bejko) Çipi, kanë qenë trashëgimtarë të dy familjeve të vjetra gjirokastrite, të njohura për sjellje shëmbëllore qytetare. Emigrantë, prindët sollën edhe vajzen 4 vjeçare Elizabeth në Amerikë në vitin 1937. Në këte vend, ajo u zhvillua dhe mori nji arsim të plotë në shkollën e mesme, dhe në Brooklyn College ku u dallua për studimet në gjuhën dhe letërsinë spanjolle. Mbas diplomimit B.A. “cum laude” ajo punoi si përkthyese në Federal Reserve Bank of New York, dhe si mësuese, duke vazhduar studimet me kurse nate, dhe fitoi titullin Master’s Degree, me specializim në gjuhën dhe letërsinë spanjolle. Ka dhënë mësime në New York City (Erasmus High School), e në Louisville, KY, të ndërprera për fillimin e familjes.

Gjate viteve 1967-69 Zonja Elizabeth dhe burri i saj Dr. Agim Leka, me ndihmën e Zonjës Diana Repishti, hapën shkollën shqipe për fëmijtë shqiptarë në PS 60, në Woodhaven, Jamaica, Queens, ku bashkë me gjuhën shqipe dhanë dhe mësime mbi historinë e Shqipërisë. Ishte e para herë qe një shkollë shqipe e bashkësisë shqiptare zhvillohesh në një ambient shkollor publik amerikan. Pika kulminante ka qenë çfaqja e një pjese teatrale “Udhëtim nepër Shqipëri”, e kompozuar nga mësuesja Diana Repishti, ku çdo student përfaqsonte nji qytet të vëndlindjes. Ajo që shkaktoi entuziazëm të madh ka qenë përshkrimi i qyteteve shqiptare nga secili nxënës. Nxënësit shpesh të veshur me rroba kombëtare simbas krahinës, kuptuan mirë zhvillimet historike në atë zonë të Ballkanit.

Në mungesë të kontakteve kulturore me Shqipërinë, Elizabeth Leka krijojti këngë të reja shqipe duke përdorur meloditë qe nxënësit kishin mësuar në shkollat amerikane, si per shëmbëll në “Këngë E Skenderbeut”, ajo adoptoj melodinë e “Battle Hymn of The Republic”.  Kështu, nxënësit mësonin gjuhen shqipe duke thithur fjalët nëpërmjet të muzikës së njohur. Të gjitha këto këngë, të cilat përfaqësojnë nje krijimtari të vecantë, do të botohen me qëllim që të jenë të pranishme për mësuesët shqiptarë në shkollat e reja të bashkësive shqiptare ku do që janë.

Një intelektuale e vërtetë, e dashuruar me letërsi, ajo lexonte pa pushim dhe shijonte diskutimet e ideve humanitare. Pushoftë në paqë!

Filed Under: Opinion Tagged With: bashkeshortja e Dr. Agim leka, Elizabeth Chipi LEKA, Vdiq ne Nju nJork

Të trashëgosh me Ligj Kulturën Shqiptare …

November 25, 2017 by dgreca

1 Marjana BulkuNga Marjana BULKU/1 Ruki

Këtë faqe historike po e shkruan Dr Ruki Kondaj me Laura Albanezen në Ontario  të cilat përmes një solidariteti femëror , funksional arritën të bëjnë bashkë si kurrë ndonjëherë parlamentin e Ontarios me komunitetin shqiptar në Kanada përmes një pune profesioniste në grup të drejtuesit të medias Pasqyra Shqiptarë, padyshim ndër mediat më të mira në diasporë, Iliaz Lokut, Ramazan Këllezit dhe tërë Bashkësisë shqiptaro-kanadeze që në cdo hallkë të këtij zinxhiri të gjatë pune demostrojnë vlera. Të sjellësh komunitetin në Parlamentin e Ontarios nuk është një proces i lehtë, mbart me vete hapa dhe punë që vetëm një grua e rrallë si Dr.Ruki Kondaj mundet të realizojë, me vizionin dhe objektivat, me këmbëngulje dhe vullnet të hekurt , me debat dhe refleksion, por gjithmonë pa u ndalur ajo din t’ju dalë sipërmarrjeve të saj në krye. Dhe kush jeton në vende të mëdha e din se sa kosto ka kjo për një grua që është edhe amvisë njëkohësisht. Pa folur për lodhjen(një labe si ajo e sfidon tej lodhjen)por duke u përpjekur të bëjë rreth vetes miq e bashkëudhëtarë, mjeshtra dhe artistë dr .Ruki Kondaj ka arritur të ndërtojë një marrdhënie të rrallë me Parlamentin e Ontarios, kjo duket në vullnetin e tyre pozitiv në këtë partnership me komunitetin shqiptar. Si ndodhi ky femomen; së pari Dr. Kondaj ndërtoi një grup serioz ku televizioni, intelektualët dhe mërgatat e vjetra kishin rol esencial. Së dyti autorësinë e projektit po e sipërmerrte në partnership me një shoqatë ,SHBSHK me reputacion dhe histori gjurmëlënëse. Dhe së treti akumulimi i vlerave më të mira të komunitetit që jeton aty ;në art, në kulinari, në shkencë ,etj e sjell në pikën më të lartë projektin me shqiptarë që në këtë rast ka kryefjalë trashëgimninë. Dhe në fakt kur shikon Ana Goljen tek këndon dhe prezanton rrjedhshëm në mend më vjen Vaçe Zela, kur shikon dhe shijon produktet Adi e Bruna Brari ,në mend më vjen një falenderim special për këto miksazhe arti muzeale të ngrënëshme që prodhohen vetëm nga ATA,kur dëgjon Rudin Lengon të luajë mjeshtërisht në pianon e thjeshtë më vjen ndër mend Ibrahim Madhi që të madh e bëri arti por edhe trashëgimnia  e talentit artistik tek nipi. E pra duket se endesh nëpër një mozaik që rritet e rritet sa herë që Ruki Kondaj e Laura Albaneze çelin dyert e Parlamentit të Ontarios. Miq me shqiptarët e Ontarios tashmë janë edhe deputetët Brad Durguid, Yvan Beker, Shefik Qadri i cili me humor përsërit se po kërkon rrënjët e tij të lidhjeve me Kadarenë bazuar nga ngjashmëria e mbiemrit. Ata janë mrekulluar nga forca e jashtzakonshme persistuese e pathyeshme e Dr Ruki Kondaj për ta sjellë me ligj trashëgimninë kulturore shqiptare në botën e lirisë kanadeze. Dhe aktet po tregojnë se sa e thellë është gjuha jonë, kultura jonë, historia jonë kur rrojnë në liri. Kjo është pavarësi legjitime që i shkon përshtat çdo valëvitje flamuri e mërmëritje himni sepse thellë thellë ka kontribute e projekte që më së fundi kanë strehë “Shtëpinë e Shqiptarit ” për të cilën janë dhuruar aq shumë të holla bujarisht në trashëgim të Bujarisë.

Pasditja e 20 nëntorit 2017 i foli shqip Parlamentit të Ontarios me zërin edhe të shpirtit të sopranos Inva Mula.Interpretimet e saj janë me rrënjë të thella në kulturën shqiptare , traditën e saj ku Avni Mula e Nina Mula hodhën rrënjë me krijime , vepra të paharruara. Zëri i Invës nuk është vetëm zëri i saj, është një kor zërash që vjen nga e shkuara e saj, ndalon në fëmijëri, shtegëton në liri duke i dhëne emër Shqipërisë së vogël, të izoluar,është një zë që këndon në të gjitha gjuhët e botës, jeton nëpër shtatë nota dhe i flet çdo shpirti duke i përlotur.Zërit të Invës iu bashkua Laura Albaneze …e si të mos ?!…kur këndonte “Moj e bukura More” aty ku nis drama e ikjes, ajo dramë e trefishtë që përjetohet këtej dhe andej por që më

fort e vuan Atdheu i zbrazur… Zërit të Invës iu bashkuam edhe ne me “Lule Borë” këtë kompozim të Simon Gjonit që përmbyll festat , gëzimet, tryezat tona me larminë e ngjyrave e të lumturive që lulzojnë kur mblidhemi bashkë. Prezenca e Inva Mulës në Parlamentin e Ontarios ishte një tjetër akt historik ku një emër nga ku arti shqiptar lind dhe buron vazhdon ti dhurojë art e mirësi kauzave shqiptare kudo janë. Sa herë që shkruaj për ditët kuq e zi në Ontario mendoj Ambasadorin Ermal Muça , mikun e butë e të mençur se sa bukur por edhe e vështirë është të jesh në krah të një komuniteti kaq cilësor që nuk ndalon drejt cilësisë duke u bërë lider në mbrojtjen dhe trashëgimin e vlerave në  mbarëbotën shqiptare brenda dhe jasht Shqipërie.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: kulturën shqiptare, Marjana Bulku, Ruki Konda, Të trashëgosh me Ligj

ISMAIL QEMALI NË VLORË

November 25, 2017 by dgreca

1 Shpallja e BavaresiseNë 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë/

Fejzo Enver memshaj

Nga Enver Memishaj/

  1. Familja që për shekuj ka qeverisur Vlorën

Familja Vlora, me origjinë nga Kanina e Vlorës, për shekuj me radhë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë dhe veçanërisht të Labërisë dhe të Vlorës.Kjo familje ka mbajtur ofiqin më të lartë të Sanxhakbeut të Vlorës, mëkëmbësit të Sulltanit, për afro 350 vjet, që nga viti 1481 deri në vitin 1828, jo vetëm “de jure”, por edhe “de facto”. Edhe pas vitit 1828, kjo familje vazhdoi të ushtroi ndikim të madh në historinë e Shqipërisë, veçanërisht në krahinën e Labërisë. Më 28 nëntor 1912, është po kjo familje që i dha historisë Ismail Qemal Vlorën, Atin e Kombit tonë, njeriun që krijoi Shtetin e Pavarur Shqiptar, pas 500 vjet robërie. Si themelues i kësaj familje, njihet Sinan Pashë Vlora, (1455 – 1505). Më 1481, ai ishte admiral i Madh dhe Kapedan i detrave, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane.

Sipas Ismail Qemalit “Familja jonë, falë prejardhjes së lashtë dhe karakterit të  veçantë gjeografik të vendit ku kishte influencë e pushtet, ka ushtruar në të gjitha kohërat një ndikim shumë të madh në punët dhe fatin e Shqipërisë. Për mëse katër shekuj familja jonë ka gëzuar respekt të lartë nga Perandoria Osmane, ndonëse herë pas here edhe ka vuajtur së tepërmi nga mbrapështitë, tirania dhe tekat e sundimtarëve absolut osmanë”.

Rrallë ndodh në histori që kur shkruhet për ndonjë figurë historike të përmendet pak ose aspak familja e tij. Përkundrazi, historianët «gërmojnë» edhe në skutat më të thella për të hedhur dritë mbi paraardhësit dhe pasardhësit e një figure historike.

Me Ismail Qemalin historiografia jonë veproi ndryshe. Për familjen e tij as që u fol ndonjëherë!

Veçojmë këtu Prof. Dr. Bardhosh Gaçen, në krye të shoqatës “Ismail Qemali” dhe Dr. Bujar Leskaj, në krye të Institutit të Studimeve Politike “Ismail Qemali”, të cilët nuk u lodhën asnjëherë për të publikuar dhe lartësuar veprën e Ismail Qemalit dhe pasardhësve të tij.Pema gjenealogjike e Ismail Qemalit, mbetet ende një portret emblematik, për të cilin ka pak njohuri, prandaj është e nevojshme të trajtohet  kjo temë nga studjuesit dhe historianët. Në kuadër të 105 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare po paraqesim disa aspekte nga jeta e Ismail Qemalit.

(Shih për më shumë Enver Memishaj “Kryetarët e Bashkisë së Vlorës 1912-2012”,Tiranë 2014f. 66)

  1. Ardhja e Ismail Qemalit në Vlorë, në vitin 1908

Më 20 shtator 1908, Konsulli i Austro Hungarisë në Vlorë, Kraus, në një relacion që i dërgonte Ministrit të Jashtëm në Vjenë, ndër të tjera i shkruante: “Ismail Qemal beu arriti këtu (më 18 shtator 1908) … i shoqëruar prej një delegacioni të pritjes prej 39 vetëve, të cilët prej Vlore, kishin dalë përpara për ta pritur në Korfuz. Në Skelë ishte mbledhur një mori njerëzish prej shumë mijëra vetësh të ardhur prej qyteteve dhe prej fshatrave përqark. Moloja ishte e stolisur me shumë flamurë. Mastet dhe shtyllat ishin të dekoruara me pëlhura me bojrat kombëtare kuq e zi…

Për festimin e ditës të gjithë dyqanet mbetën të mbyllur. Ismail Qemali u muar nga vapori prej pjesëtarëve të familjes Vlora që jetojnë këtu, Syrja beu dhe Xhemil beu. Kur të përmendurit hipën në urën e Skelës, Kryetari i Bashkisë Abas efendi Mezini, mbajti një fjalim në gjuhën turqishte, me të cilin ai i bëri përshëndetjen, dhe në emër të qytetit i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, lavdëroi patriotizmin fisnik të tij, e siguroi atë për respektin, dashurinë dhe mirënjohjen e bashkëatdhetarëve të tij dhe e përfundoi me një urra për personin e nderuar.

Pastaj mjeku Koleka dhe mësuesi në shkollën greke Minga, mbajtën fjalime patriotike në gjuhën shqipe. Më në fund djali i vogël i një banori të krishter recitoi një vjershë të rastit në gjuhën shqipe dhe i dorëzoi Ismail Qemal beut një tufë me lule, të cilin ai e puthi në ballë…

Pastaj i hipi një karroce që ishte mbuluar me një mbulesë të mëndafshtë të kuqe. Sapo ai, fill i vetëm, kishte zenë vend në të, turma e entusiazmuar, hoqi kuajt dhe e tërhoqi karrocën në triumf gjatë gjithë rrugës, prej afro 2 km deri në qytet, duke shkuar më parë në Bashkinë e qytetit…

Për t’u theksuar do të ishte gjithashtu, se duke udhëtuar prej Skelës në qytet, printe në mes përpara një flamur shqiptar me zhgabën dykrenore që mbante në krahëror një kryq dhe gjysëm hënëz…” (Bardhosh Gaçe “Lëvizja kombëtare në Vlorë, 1872-1912”, Tiranë, 1999, dok. 25, f. 75-76)

Siç do të dëshmonte koha më vonë, qëllimi i Ismail Qemalit, nuk ishte vetëm propaganda për deputet, por kryesisht zgjimi popullit për të fituar pavarsinë nga Turqia. Me mbështetjen entuziaste të patriotëve vlonjatë, me gjithë aktivitetin që zhvillohej kundër tij nga kushriri Syrja bej Vlora dhe i biri Eqeremi, e ngriti popullin në këmbë në favor të tij dhe arriti të fitojë.

“U ftua popullsia në Bashki, për të bërë betimin që të vdesin për atdhe. Të pranishëm ishin, përveç kryetarit të Bashkisë Abas Mezinit, edhe Ismail Qemal beu”.

Nga raporti i konsullit austriak Kraus, si dhe nga shumë dokumenta të tjera, del e qartë se vlonjatët dhe shqiptarët e kishin flamurin në gji dhe në sepetet e tyre, pra e njihnin flamurin e tyre kombëtar dhe nuk u mungoi ai në furtunat dhe dallgët e kohës. Pra nuk është aspak e vërtetë ajo që pohon Eqerem bej Vlora në kujtimet e tij se në nëntor të vitit 1912, delegatët e kongresit të Pavarësisë nuk kishin flamur dhe nuk e njihnin atë, dhe prandaj nga kjo situatë i nxorri e i shpëtoi Eqerem bej Vlora duke u dhënë flamurin e tij !!!

  1. Udhëtimi Ismail Qemalit për në Vlorë në vitin 1912

Në nëntor të vitit 1912 patën ardhë prej Kosove nga Mirdita në Tiranë:  Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Mid’hat Frashëri dhe i ndjeri Sali Gjuka, dhe patën ra bujtës në konak të Abdi Toptanit të cilët e diftuan situatën e rrezikëshme lakuriq. Abdi beu, kishte pas marrë më parë edhe një letër prej z. Syrja Vlora e cila i shpjegonte qartas shpartallimin e ushtrisë turke. Ai ua kishte pas dëftue tiranasve të këtushëm atë letër, por ata s’kishin besue.

Mbasi erdhi Bedri Pejani me shokë, biseduan këtu gjatë e gjerë dhe vendosën me mbledhe krerët e Shqipërisë së mesme në Vlorë për të shpallë indipendencën kombëtare. Prandaj dy nga këta zotni, shkuan në Elbasan dhe dy shkuan në Kavajë. Z. Abdi Toptani muar një akt përfaqësimi, të cilin kam pas fatin me e shkrue me dorën time, prej shqipëtarëve të Tiranës dhe shkoi në Durrës, ku ishte si major Mystafa vëllai Hamdi beut.

Abdi beu, para se të nisej me shkue në Durrës, kishte marrë një letër prej z. Mustafa Krujës, ku i kallëzonte se atje ka ardhë prej Trieste, i ndjeri Ismail Qemali me shokë, i cili don me shpallë indipendencën e Shqipërisë…Atëherë Ismail beu me shokë vendosën me shkue në Vlorë, por nuk gjejshin kuaj, sepse qeveria porositi qiraxhinjtë që të mos ju epshin kuaj me qera shqipëtarëve. Mbi atë u lajmërue Refik Toptani që ti bjerë një tuf kuaj prej Tirane, dhe ai me të shpejtë i çoi vetë kuajt në Durrës e ashtu u nisën këta zotni për në Vlonë:Ismal Qemali, Abdi Toptani, Murat Toptani, Luigj Gurakuqi, Kristo Meksi, Pandeli Çale, Dhimitër Berati, Pandeli Mborja, Mustafa Kruja, Dom Nikoll Kaçorri, Jahja Efendiu, Abas Efendiu, Musa Ali Brahimi, dy djem vlonjatë  dhe një krutan.

Këtij grupi të ndershëm i kishte dalë përpara në Çerm, Dervish Biçaku e i kishte dërgu në çiflik të vet. ( Shih për më shumë: H.I. Dalliu “Patriotizma në Tiranë” T. 1930, f.84, 85).

4.Kastriot Mahilaj: Vizita e Ismail Qemalit në Vranisht të Vlorës.

Në Vranisht ka një rrugë të shkurtër e të ngushtë që fshatarët e quajnë rruga e Ismail Qemalit. Ai kaloi në disa rrugë të fshatit, por vetëm kjo copë rru­gë mori emrin e tij. Gojëdhëna thotë se, ndërsa ecte aty, plakut patriot i shkau këmba; duke qeshur ai nxori nga kuleta një monedhë të shtrenjtë dhe la porosi që ajo t’i jepej atij që do të shtronte këtë rrugë me kalldrëm. Ky nuk ishte kurrsesi një gjest paralliu. Dihet se ai mori shumë herë borxhe gjatë jetës. Dhe më tepër se një gjest shakaje ky episod ishte shprehje sado e vogël e dëshirës së tij të përjetshme për ta parë vendin të përparuar e të qytetruar.

Më të moçmit e fshatit tregojnë se Ismail Qemali erdhi në Vranisht me dy inxhinierë të huaj dhe një krushkun Ahmet Durmishi nga Karbunari. Darkën e ditës së ardhjes e kaloi në shtëpinë e Pasho Ramadanit, mik i Ahmet Durmishit, ndërsa 2 vakte të ditës tjetër ndenji në shtëpinë e Veli Dukës, i cili kishte një odë të madhe, të përshtatshme për kuvend të gjërë burrash. Gjatë shëtitjes që u bë në mal, ditën e dytë, inxhinierët mblodhën copëra gurësh dhe drurësh. Dy të huajt nga Evropa, duhet të kenë shoqëruar Ismail Qemalin në këtë krahinë të largët me kërkesën e këtij të fundit, për të parë parapraktikisht mundësinë e ndonjë përparimi ekonomik të kësaj krahine, sidomos po të zbulohesihin aty pasuri minerale. Janë të njohura interesimi e kërkesat këmbëngulëse të Ismail Qemalit në parlamentin turk për reforma ekonomike në Shqipëri.

Për kohën e kësaj vizite në ndonjë shkrim është përmendur viti 1909. Këtu është vendi për një saktësim. Pas 8 vjet endjeje nëpër Europë i dënuar nga Sulltani, Ismail Qemali u fal me shpalljen e hyrietetit (kushtetutës), në vitin1908. Prej fillimit të gushtit e deri në nëntor të këtij viti kur mori rrugën e Stambollit për të zënë vendin e tij në parlamentin turk, ai ndenji në Shqipëri. Pikërisht kësaj periudhe i përket vizita e tij në Vranisht. Nga ana tjetër vetë vizita u bë në kuadrin e takimit të tij si kandidat për deputet me zgjedhësit.

Ç’e shtyu Ismail Qemalin, që në një moshë të shkuar, 65 vjeç të merrte udhën jo të afërt Vlorë-Vranisht? Për këtë udhëtim atëhere lipseshin të paktën 8 orë dhe ai mund të zgjidhte një fshat tjetër, afër Vlorës, për të bërë takimin zyrtar. Takimi me zgjedhësit si kandidat për deputet i parlamentit perandorak ishte fasada ne shtëpisë; rëndësi kishte se çdo të thuhej brenda mureve të kësaj shtëpie. Dhe, gjithë sa tha e kuvendoi Ismail Qemali në shtëpitë ku bujti, dëshmojnë misionin patriotik të tij.

Pas, kësaj vizite ceta  e Sali Muratit u rrit në numër, u armatos dhe i shpeshtoi aksionet. Kjo çetë luajti rolin e saj në kryengritjen e vitit 1912, u vu në shërbim të qeverisë së Vlorës duke penguar mësymjen e shovinistëve; u dallua në Luftën e Vlorës dhe veproi krahas forcave demokratike, në revolucionin e vitit 1924.

Ismail Qemali ishte ndër të parët, që kuptoi rrezikun e politikës së xhonturqve ndaj kombit shqiptar. Shpallja e Pavarësisë nuk u projektua prej tij në një kohë të shkurtër, qoftë edhe për 2-3 vjet. Krahas kërkesës për një autonomi të gjërë, tokësore dhe ad­ministrative, ai, tok me udhëheqës të tjerë të lëvizjes kombëtare, punonte edhe për rrugën e dytë, atë të kryengritjes së armatosur, rrugë e cila edhe u ndoq. Duke ardhur vetë në këtë fshat të thellë të Labërisë, Ismail Qemali donte të shihte me sytë e tij patriotizmin e masave të gjëra fshatare, ta frymëzonte e ta mobilizonte këtë patriotizëm për betejat e ardhme. Në odat e kuvendit, shkruhet në historikun e Vranishtit, ai tha që fshatrat duhet të jenë gati për komb e atdhe, t’i falin gjakrat që kanë për të marrë. Shqiptari duhet të derdhë gjakun jo kundër vëllait të tij, po për çlirimin kombëtar.

Ka edhe një fakt tjetër të vogël që flet tërthorazi. Në Vranisht patrioti i madh bujti mik në shtëpinë e Pasho Ramadanit. Ky vranishjot pat shkuar disa herë në Korfuz për t’i blerë armë çetës së Sali Kapedanit. Dhe vetë Ismail Qemali, për kryengritjen e Veriut 1911-1912, u mor personalisht me blerjen e armëve nga Evropa. Ka shumë të ngjarë që Plaku i Vlorës ta ketë biseduar punën e armëve me këtë fshatar patriot.

Gjatë kësaj vizite dyditëshe Ismail Qemali gjeti kohë që t’i kërkonrte pleqërisë së fshatit 7 djem të zotë për t’i dërguar me bursë në shkolla jashtë vendit. Këtë punë ai e pat bërë edhe më parë, e bëri edhe më pas, sepse shpresonte shumë te djemtë e arsimuar e të ditur të Shqipërisë. Demokratët revolucionarë Avni Rustemi, Halim Xhelo e të tjerë e përligjën shpresën e Plakut të Bardhë. Edhe djemtë që kërkoi nga Vranishti punuan për mëmëdheun. Këta, si Dan Seferi e Meçan Kallarati, kur u kthyen prej shkollës së Korfuzit, u bënë pionierë të shkollës e të gjuhës shqipe në Labëri. Gjithashtu, në Vranisht ai la edhe dy abetare. Ja se ç’tregohet në historikun e fsha­tit: Në shtëpinë e Veli Dukës oda u mbush cep më cep me burra. Llaf pas llafi, Ismail Beu dëgjoi një potere të vogël te dera. Një burrë qortonte dy djem të vegjël që s’donin të iknin që andej. Miku kërkoi që t’ia sillnin aty fëmijët. Ata erdhën dhe ranë në gjunjë para tij. Ismail Qemali u fërkoi flokët, nxori nga çanta dy libra të hollë, ua zgjati fëmijëve dhe foli që ta dëgjonte gjithë oda e burrave:

– Po ju jap dy abetare, janë shqip. Duhet ta mësoni gjuhën tonë, ta shkruani dhe ta këndoni. I ruani të mos ua shohë hoxha. Ua jepni dhe të tjerëve fshehurazi. Pas këtyre do t’u vijnë edhe abetare të tjera.

Hoxha, «mësuesi i mejtepes», u ra në erë abetareve, erdhi me xhandarë për kontroll, por abetaret nuk i gjetën. Më 1909 ishin disa vranishjotë që dinin të shkruanin e të lexonin shqip. Më 1912 u çel shko­lla shqip e fshatit. Po gurin e parë të kësaj shkolle e pati vënë vetë Ismail Qemali, 4 vjet më parë me 2 abetaret dhe me porositë që la për mësimin e gjuhës amtare.

Në historikun e Vranishtit përmendet edhe ky episod: Për nder të mikut, Pasho Ramadani bëri darkë të madhe. Me mish të pjekur në hell, me këngë e valle. Në mes të kuvendit, një bari vendas, Çelo Jonuzi quhej, ngriti aty për aty një këngë dhe e këndoi para mikut të madh:

Ismail beu me halle/ Gjezdise krale me krale/ Hallë e Shqipërisë qave/ Po s’ta vunë veshin fare…

Patrioti i madh, i çuditur, por edhe i kënaqur, iu drejtua fshatarit: «Mor ti burrë! Bari fshati e i ditke të gjitha. Politikën e Evropës e lojtke me gisht. Ti po na i tregon ngjarjet sikur ke qenë me mua».

Me atë intuitën e tij të pagabueshme, populli e njohu Ismail Qemalin si udhëheqësin e vet. Simpatia dhe besimi që kishte populli ndaj Ismail Qemalit nuk ishin të njëanëshme, këto ndjenja ushqente dhe ai ndaj popullit.

  1. Kujtime të Ali Asllanit për Ismail Qemalin.

Per Ismail bej Qemalin më kishte fjalosur shumë Mulla Xhaferri dhe Osman Efendiu. Mulla Xhaferri kishte qëndruar disa vakte në shtëpi të tij e u jepte djemve të Ismail Beut mësim. Ai e kishte pjekur me Osman Efendinë kur ky shkollohej në “Robert Kolezh”. Osman Efendiu sa herë merrte karta nga Vlora ja çonte Ismail Beut e ky i thosh: “Osman Efendi. Vlora është vendi i shenjtëruar. Me ka pikur malli per atë vend të bekuar e më del në ëndërr.”

Pasi u bë deputeti i Beratit (1909), Ismail Qemali u instalua në shtëpinë e tij në Orta Koy, ku frekuentohej nate e dite prej patriotëve shqiptarë. Gjatë vazhdimit të debateve të parlamentit turk ngjajtën incidente të rënda midis grupit shqiptar dhe xhonturqve. Bile Ismail Qemali u godit me shpullë në sallën e parlamentit prej kundërshtarëve të tij. Shqiptarët deshën të mirrin hakën për këtë ofendim të prijsit të tyre. Por ai, si udhëheqës i zgjuar e ndaloi këtë hapë të ngutshme dhe vijoi veprimtarinë e tij patriotike më me energji per të arritur sa më pare qëllimin e tij kryesor që ishte indipendenca e Shqipërisë.

Në këtë kohë ngjajti revolucioni i 31 Marsit që quhet në historinë turke (31 mart vakassi dmth ngjarja e 31 marsit) prej anës së xhonturqve për të rrëzuar sulltan Abdul Hamidin dhe për të eleminuar grupin shqiptar.

Xhonturqit, me të marrë fuqinë në dorë, çpifin kundër Ismail Qemalit gjoja se ai paska komplotuar kundër xhonturqve. Kjo gjë nuk është e vërtetë, sepse Ismail Qemal beu u arratis për nëntë vjet, se Sulltan Abdul Hamidi deshi vetë ta vrasi Ismail Qemalin si udhëheqës i shqiptarëve. Ismail Qemali e mori vesh planin djallëzor të xhonturqve dhe u arratis në Evropë 1910-1911. Familja e tij iku pas tij dhe të gjithë u instaluan në Napoli e më vonë në Nic-Francë. Adresa e shtëpisë së tij në Nice ishte: Rue de France, Nr. 99, Villa Bore. Nga shtëpia e tij në Nice, vazhdonte aktivitetin e tij patriotik për çlirimin e Shqipërisë. Shtëpia e tij frekuentohej natë e dite prej patriotëve shqiptarë si Luigj Gurakuqi etj.

Ai ishte vazhdimisht në lëvizje nëpër kryeqytetet e Evropës për të gjetur mënyrën e shpëtimit të Shqipërisë. Dhe më së fundi përpjekjet e tia të palodhshme u kurorëzuan me sukses. Ideali i këtij patrioti të veneruar dhe të adhuruar u plotësua me ngritjen e flamurit kombëtar, nga ana e tij në Vlorë më 28 nëntor 1912.

*      *      *

Ditën që po kthehej Ismail Qemali nga mërgimi në Stamboll (pas hyrietit) të gjithë pjesëtarët e familjes së tij bashkë me djalin më të vogël, Qamilin, të cilin e kishte lënë 4 vjeç para se të arratisej, u nisën me araba per në molo.

Gruaja e tij me lot gëzimi në sy po priste çastin që ta përqafonte burrin e saj dhe të hidhte në krahun e tij djalin e tij më të vogël, që po priste me padurim të pushtonte babën e tij që po kthehej nga mërgimi. Nga shkaku i grumbullimit të mijëra shqiptarëve që kishin pllakosur gjithë skelën e Kara Koj-it, arabaja që mbante familjen e Ismail Qemalit nuk mund të përparonte dhe mbeti bllokuar midis kallaballëkut. Me t’u afruar vapori rumun skelës, u duk plaku me mjekër të bardhë në guvertë të vaporrit. Shqiptarët e muarën Ismail Qemalin krah më krah dhe e çuan në klubin e shqiptarëve prej ku vetëm pas një jave mundi të vinte pranë familjes së vet.

*     *     *

Më 1914 isha në Itali. Poqa në stacion të trenit Ibrahim Abdullanë, Osman Haxhinë e Omer Radhimën, kishin qenë në Romë e ishin pjekur me Ismail Bene për hallet e Vlorës e rebelët. Ibrahim Abdullau më dha një kartë me pesë rreshta që ma dërgonte Ismail Qemali. Më thoshte që të kthehem në Vlorë. Meraku i tij ishte të ngrihej prapë flamuri që kishin përdhosur rebelët.

*    *    *

Disa shënime karakteristike të jetës së tij:

Ai ka qenë një tip shumë i shëndoshë që nuk trembej kurrë nga të ftohtit dhe në kohrat më të ftohta vishej vetëm me një pardesy të lehtë.

Ushqimi i tij ka qenë: në mëngjez disa biskota, vetëm reçel portokalli dhe pinte shumë çaj. Zarzavate nuk hante kurrë. Qep dhe hudhëra nuk përdoreshin në gjellët e tij. Hante mish, brumera dhe embëlsira me qumësht.

Studionte vazhdimisht.

Në dhomat e tij të punës në Nicë (Francë) vazhdimisht ishte në kontakt me patriotët shqiptarë dhe veçanërisht me Luigj Gurakuqin.

(Marrë nga arkivi i familjes së Ali Asllanit. Këto kujtime janë shkruar në nëntor 1962 dhe janë botuar në gazetën: “Labëria”, Tiranë, dt. 30. 4. 1998)

  1. Si punonte dhe si i përballonte vështirësitë Ismail Qemali

Ismail Qemali shërbeu si kryetar i qverisë së parë shqiptare nga 28 nëntori 1912 deri më 24 janar 1914, kur dha dorëheqia si rezultat i presionit të të huajve dhe intrigave e presionit të kundërshtarëve të tij në Shqipëri.

Vullneti qëndruar dhe dëshira e popullit por ca më shumë shpresa kombtare u bënë ballë rreziqeve me çdo farë mënyre. Ismail Qemali natë e ditë nuk bën gjumë, nuk trembet aspak nga sulmet e armiqve sepse kumbiset në fuqinë e vërtetë besnike të popullit shqipëtar.

Populli shqipëtar i trëmbur nga rreziqet e tmerruara që kishin shkarkuar mbi shtetin tonë të ri, nga  frika e topave, vijnë njëri pas tjetrit i madh e i vogël me nxitim te kryetari pa mos menduar se është mesnatë ose i pushtuar me punë. Ismail Qemali i priste me gëzim duke i këshilluar të jenë gati për shpëtimin e Shqipërisë, e ata dhe dylmerët e bagëtive i përgjigjeshin: “Jemi me ty dhe e presëm shpëtimin tonë nga ty”.

Kryetari Qeverisë priste çdo sërë njeriu që ti vinte, i dijtur e i pa dijtur, natë e ditë, kurdohera e gjenin të ngritur dhe pa mos u mërzitur fare u përgjigjej të gjith pyetjeve që i bënin. Nuk u tregua i madh dhe i rëndë, nuk u tregua fytyr ashpër si aristokrat ose feudal por gjithnjë tregohej si në sjellje ashtu dhe në punë si një demokrat e si një patriot dhe nacionalist i vërtetë. Tërë dimrin nuk e lanë nonjë natë Të fli më shumë se dy orë gjumë. Kish ngjarë shumë herë që të fli pa xhveshur se e ngrinin nga gjumi.

Dua të them që në këtë kohë ish e pamundur që një njeri tjetër të bëhej udhëheqës i kombit dhe t’ja arrinte qëllimit si Ismail Qemali i cili me këshillimet dhe sjelljet e tij në një popull fare të paorganizuar të fitojë një dashuri, një simpathi dhe me këtë mënyrë të formojë një fuqi të çeliktë e cila i vu fre të fortë Shqipërisë.

Ismail Qemali për të mbajtur fuqinë e vet kombëtare me besnikëri deri në fund, fillojë duke i bërë popullit lehtësira të ndryshme duke mos i shtrënguar në nxjerrjen e havajete, cave ua falte fare, ankesat zyrtare i shikonte sipas zakonit, lutjet i pranonte pa pullë, punëve fetare u bënte më të madhen nder e lehtësi, fatkeqësitë e ndryshme i ndihmonte, fali vergjin e luftës, bëri xhelepin 3 grosh kokën etj. Kujtdo njeriu i fliste me gjuhë të ëmbël, të vogëlit si të vogël, të madhit si të madh, trimit si trim, të frikshmit i jepte kurajo, të diturit i kuvëndonte fjalë filozofike, me pleqtë bënte shaka mbi përfundimin e ëndërrave e të shpatullave të cilat i kish në vënt të lajmeve telegrafike.

Në kohëra të fundit, rrëziku më i madh qe ajo që po mbarohet buka fare, por besnikëria e popullit qe e tillë që linin fëmijët e tyre pa bukë dhe mbanin luftëtarët e lirisë. Ishte një qetësi e madhe sa s’dëgjohej të vidhej ose vritej njeri.                                                                                                                                           (Sali Hallkakondit “Historia e Shqipërisë së re” Vlorë, 1923, Enver Memishaj në “Rilindja”, Tiranë, dt. 24.11.1998)

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Memishaj, Ismail Qemali, ne Vlore

VARRIMI I TOTO RIINЁS DHE SHQIPTARЁT PA VARRE

November 25, 2017 by dgreca

1 riina-fotot    “Respekti i ynё pёr tё vdekurit, kur sapo kanё vdekur ёshtё diçka e mrekullueshme, dhe mёnyra se si e shprehim atё ёshtё ende mё e mrekullueshme.”

John RUSKIN (1819 – 1900), sociolog dhe kritik arti anglez /

1-eugjen-merlika-225x300

Nga Eugjen Merlika/

Kёto ditё opinioni publik italian u pёrballua, ndёrmjet tё tjerave, me njё lajm disi tё veçantё : kryetari i mafies korleoneze, mё tё rёndёsishmes sё llojit nё Siqilinё me famё pёr kёtё dukuri tё shёmtuar, Salvatore Riina, i arrestuar tashmё nё vitin e largёt 1993, e i dёnuar me 26 burgime tё pёrjetёshme, ndёrroi jetё nё moshёn 86-vjeçare nё spitalin e burgut tё Parmёs, ku kryente dёnimin nё formёn e tij mё t’ashpёr, 41 bis. Familjarёt u lajmёruan dhe u lejuan tё qёndrojnё pranё kufomёs, nё morgun e spitalit pёr rreth gjysёm ore. Pastaj ata u larguan, tё ndjekur nga gazetarё e fotoreporterё tё etur pёr hollёsira e intervista, me premtimin se, mbas disa ditёsh, do tё mund t’a varrosnin njeriun e tyre tё dashur nё qytetin Corleone, vёndlindja e tij, premtim qё u pёrmbush plotёsisht me futjen e trupit tё tij nё varrezёn e familjes pa ceremoni publike mё 22 nёndor.

Komentet e kёsaj ngjarjeje qenё tё shumta, me nota tё theksuara ironie deri nё urrejtje, por asnjёri prej tyre nuk vuri nё dyshim drejtёsinё e vendimit qё kufoma e njё mbikrimineli, i cili paditet pёr rreth njёqind vrasje tё llojeve tё ndryshme, tё kryera drejtpёrdrejt apo tёrthorazi, duhej t’i dorёzohej familjes sё tij e tё varrosej normalisht nё tokёn ku lindi. Kjo ndodh pёr faktin se Italia, si mendёsi, ёshtё pjesё e atij qytetёrimi qё respekton jetёn dhe vdekjen, jo vetёm si dukuri themelore tё qёnies njerёzore, por din tё ndajё edhe qёndrimin kundrejt njeriut nё jetё dhe atij nё çastin qё largohet prej saj. Vdekja e njё krimineli nuk asgjёson krimet e jetёs sё tij, tё cilёt mbeten nё analet e gjykatave, nё kujtesёn e individёve apo tё shoqёrisё, shpesh nё historinё e saj, gjithmonё tё gjallё si monumente tё pashlyeshёm tё sё keqes njerёzore.

Dёnimi i tyre mbetet njё detyrё e pёrherёshme e shteteve ligjore, nё tё cilёt krimi nuk arrin tё depёrtojё nё institucionet, veçse nё raste tepёr tё rralla, qё nuk paragjykojnё veprimtarinё e tyre. Akti i vdekjes pёrbёn kufirin skajor tё ekzistencёs tokёsore, njё kufi ndёrmjet jetёs nё kёtё tokё dhe njё jete tjetёr, pёr ata qё e besojnё, qё vazhdon nё pafundёsi. Nё çastin e vdekjes njeriu shkёputet nga bota e detyrimet kundrejt saj, pra edhe nga veprimi i ligjeve njerёzore mbi tё. Trupi pa jetё i njeriut, nё secilёn shoqёri tё qytetёruar, nuk ёshtё mё objekt i ligjeve, tё cilёt nuk duhet tё kenё mё asnjё autoritet mbi tё. Varrimi mbetet njё e drejtё e posaçme e familjes dhe rrethit shoqёror tё tё vdekurit, tё cilёt e kryejnё atё nё pёrputhje me ligjet nё fuqi. Sido qё tё ketё qenё njeriu, nё çfarёdo rrethanash tё ketё ndodhur vdekja, nё çfarёdo forme shtetёrore tё ndodhё, Shteti nuk duhet tё vazhdojё tё jetё pronar i trupit tё tij.

Kjo e vёrtetё, e lashtё sa bota, del nё pah nё mёnyrё tё pёrsosur nёpёrmjet njёrit ndёr monumentet mё madhёshtorё tё letёrsisё botёrore, “Iliadёs” sё Homerit. Qёndrimi i Akilit, i fituesit tё dyluftimit me Hektorin, kundrejt trupit pa jetё tё armikut tё tij, ёshtё jo vetёm njё episod prekёs pёr vlerat e pohuara, por edhe njё mёsim universal e i pёrjetshёm. Trupi pa jetё i Hektorit i dorёzohet mbretit Priam, babait tё tij, me nderimet mё tё larta. Trupi pa jetё i kujtdo qoftё, nё bazё tё njё ligji sa hyjnor, aq dhe njerёzor, i pёrket vetёm vatrёs nё tё cilёn ka lindur. Asnjё autoritet, i çfarёdo rangu qoftё, nuk ka tё drejtё morale e juridike t’a shkelё atё ligj.

Fatkeqёsisht, ky mёsim domethёnёs, jo gjithmonё ёshtё mbajtur parasysh nё historinё e gjatё tё luftёrave mes njerёzve e shteteve tё tyre. Jo gjithmonё ёshtё shfaqur respekti i duhur kundrejt trupit tё vdekur tё kundёrshtarit e jo rrallё “varrezat e pёrbashkёta” janё bёrё streha e fundit tokёsore e atyre qё kanё humbur jetёn nё luftime. Si dukuri, ajo mbetet shprehje e barbarizmёs dhe e dhunimit tё ligjeve bazё etike e morale tё njerёzimit.

Kjo dukuri, sa e shёmtuar aq edhe e dёmshme, fatkeqёsisht ka qenё ligji i shkruar e i pashkruar i Shtetit tonё pёr gati gjysmё shekulli. Komunizmi shqiptar, shёmbёlltyra e pёrvojave mё tё llahtarёshme tё sendёrtimit tё teorive kriminale tё etёrve tё tij shpirtёrorё e biologjikё, n’atё fushё tregoi katёrcipёrisht prirjen e tij famёkeqe. N’atё gjysmё shekulli tё gjithё tё dёnuarit pёr motive politike si kundёrshtarё tё regjimit, qё ndёrronin jetё forcёrisht apo nё mёnyrё tё natyrshme, groposeshin nё fshehtёsi diku, nё njё copё vёnd tё panjohur, pёr tё cilin as nuk ruhej ndonjё dokument nё arkivat, qё ishin tё tejmbushura me miliona fletё tё mbikqyrjes sё Sigurimit tё Shtetit mbi qytetarёt e Shqipёrisё. Qёllimi djallёzor i kёsaj praktike makabre synonte tё zhdukte çdo gjurmё nё kujtesёn e pasardhёsve, e cila do tё ballafaqohej me mungesёn e plotё tё çfarёdo objekti lёndor. Si pasojё e kёsaj strategjie tё urryer deri nё neveri, dhjetra mijra qytetarё shqiptarё nuk kanё njё varr, njё shenjё tё dukёshme nё tё cilёn familjarёt e pasardhёsit tё kenё mundёsi t’i nderojnё kujtimin, nёpёrmjet njё tufe me lule apo njё qiriu tё ndezur, si kudo nё botё.

Kjo ishte njё nga shprehjet mё mizore tё “luftёs sё kllasave” tё sistemit tё markёs enveriste, e cila nuk njihte caqe nё barbarizmin e saj e kufij nё poshtёrsinё e tij. Lufta me tё vdekurit ishte njё “meritё” e udhёheqjes kriminale shqiptare, e cila nuk njihte e nuk respektonte asnjё parim tё bashkёjetesёs njerёzore, qё e shtrinte zullumin e saj nga foshnjet e djepit deri tek eshtrat e tё dёnuarvet. Primatet shqiptare nё kёtё drejtim “ngjethin erёn”. Fatkeqёsisht edhe Shteti i ynё i mbas diktaturёs nuk pati kurrё guximin e kurajёn t’i padisё ata, tё shkёputet prej tyre me njё dёnim tё qartё, tё prerё e nё dritё tё diellit, pёr tё mos i lёnё brezave qё do tё vijnё njё njollё turpi tё pashembullt tё gjyshёrve tё tyre, tё pashembullt nё botёn e sotme, veçse nё pёrvojat mё tragjike tё saj.

Pa varre nё Shqipёrinё komuniste mbetёn qindra e mijra personalitete tё gjitha fushave tё dijes, tё shkencёs, artit, letёrsisё, ekonomisё , besimeve fetare, politikёs. Lista e tyre ёshtё shumё e gjatё dhe emrat e tyre janё stoli shumё e çmuar e kёtij Vendi. Ata mbetёn pa varr, sepse u ekzekutuan apo vdiqёn burgjeve me dёnime tё rёnda, mbasi nuk i u nёnёshtruan shpirtёrisht e intelektualisht sistemit tё diktaturёs, nuk pranuan tё bёhen bashkёpuntorё tё saj. Mjaft prej tyre ranё dёshmorё tё qёndresёs nёpёr male kundёr sistemit, si heronj tё vёrtetё tё truallit arbёror. Mbetёn pa varre ose pёrfunduan nё “varrezat e pёrbashkёta”, shumё njerёz sepse kёrkuan tё gjenin lirinё e panjohur pёrtej kufijve e trupat e tyre u tёrhoqёn rrёshqanё pёr tё kallur tmerrin nёpёr qytete nё fundin e shekullit tё njёzetё nё Evropёn e qytetёruar…….

Kjo qe njёra anё, ndoshta mё e zeza, e trashёgimisё qё na la 29 nёndori 1944, tё cilin ne vazhdojmё t’a festojmё zyrtarisht e solemnisht si prurёsin e “lirisё”, duke anashkaluar apo shkelur vazhdimisht mbi kujtesёn e mbrapshtё tё atyre krimeve qё njollosёn virtutet tona tё trashёguara, pёrmbysёn traditat tona, shkallmuan e pёrdhosёn botёn tonё shpirtёrore. Ёshtё tepёr i trishtueshёm pajtimi shpirtёror e mendor me atё gjёndje, mungesa e kundёrveprimit, pranimi nё heshtje i njё historie qё la pa varre bashkatdhetarёt tanё mё tё mirё, shumё prej tё cilёve do tё na i kishte zili cilido komb i zhvilluar i botёs, nё tё cilin ndoshta do tё kishin pёrmendoret e tyre. Ёshtё akoma mё i trishtueshёm hymnizimi i paskrupullt i asaj historie,  e vёrteta e tjetёrsuar edhe nё sytё e njё brezi tjetёr, mungesa e vetёdijesimit pёr greminёn morale nё tё cilёn ishim zhytur…..

Njё episod i thjeshtё i kronikёs italiane tё kёtyre ditёve, njё varrim i njё kampioni tё dhunёs mё solli ndёr mёnd viktimat e panumurta tё dhunёs nё Vendin tim, qё nuk kanё ende njё varr. I u mohua ai varr sepse u quajtёn “armiq”, “tradhёtarё”, “agjentё”, “sabotatorё”, “tё shitur”, nga njerёz qё atdheun e bashkuar nё vitet 1941 – 1945 u a dorёzuan bujarisht “vёllezёrve” jugosllavё e qё sendёrtuan nё Shqipёri diktaturёn mё mizore tё gjithё historisё sё saj. Ndёrsa ata ishin shqiptare e shqiptarё tё mrekullueshёm sepse flijuan jetёt e tyre pёr tё pohuar deri nё fund vlerat morale e dinjitetin e tyre qё ishte dhe dinjiteti i atdheut tё tyre.

Filed Under: Politike Tagged With: DHE SHQIPTARЁT, Eugene Merlika, pa varre, VARRIMI I TOTO RIINЁS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1664
  • 1665
  • 1666
  • 1667
  • 1668
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT