• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Perpjekja”, shoqata e studenteve shqiptare ne Universitetin e Beogradit

November 18, 2017 by dgreca

60 Vite me pare u themelua “Perpjekja”, shoqata e studenteve shqiptare qe studionin ne Universitetin e Beogradit/

1 pastedImagepastedImage ok2 pastedImage (2)4 pastedImage (4)3 pastedImage (3)5 pastedImage (5)

Mbresa e kujtime/

NGA SADIK ELSHANI/

 Me 15 nentor te vitit 1957 ne Beograd u themelua Shoqata Letraro – Muzikore “Perpjekja” e studenteve shqiptare qe studionin ne Universitetin e Beogradit. Eshte kjo nje ngjarje e rendesishme historike ne jeten kulturore te shqiptareve ne ish Jugosllavi, sepse kjo ishte shoqata e pare serioze studentore qe kishte nje veprimtari te hovshme, te begate e te vazhdueshme gjate tere ekzistences se saj. Aty nga fundi i viteve te 40-ta dhe ne fillim te viteve te 50-ta te shekullit te kaluar numri i studenteve shqiptare qe studionin ne fakultete te ndryshme te Universitetit te Beogradit ishte shtuar dukshem. Te rinjte shqiptare te etshem per dituri, me çdo kusht u munduan t’i shfrytezonin ato pak mundesi qe u ishin dhene per te ndjekur studimet e larta. Te mos harrojme se Kosova atehere kishte nevoje per kuadro te çdo lemie. Ne fillim studentet shqiptare zgjidhnin Beogradin per shkak te afersise me Kosoven dhe per shkakun se aty ndodhej e vetmja kateder e gjuhes shqipe ne ish Jugosllavi. Me shtimin e numrit te studenteve lindi edhe nevoja per t’u organizuar, per te zhvilluar nje veprimtari te organizuar, me cilesi e vlera artistike e kombetare. Kjo edhe nuk ishte aq e lehte, sepse rrethanat historike te ashpra per shqiptaret. Shqiparet ishin te shtypur, ishte “Koha e Rankoviqit” (Aleksander Rankoviq, minister i Puneve te Brendshne te Jugosllavise dhe antishqiptar i perbetuar) dhe çdo levizje shqiptare per perparim e emancipim shihej me dyshim nga autoritetet antishqiptare te Jugosllavise se atehershme. (Vite me vone (1977), ne nje takim qe patem ne “Perpjekje” me trupen e Teatrit Krahinor (tani Kombetar) te Prishtines, skenografi i njohur, Nuredin Loxha (1935 – 1992) na tregoi se ne fillim te viteve te 60-ta kishte qene kryetar i “Perpjekjes” dhe gati çdo dite e kishin thirrur ne UDB per ta pyetyr se çka po ndodhte ne “Perpjekje”, me çka po merreshin, etj).

Megjithate, me ndihmen e profesoreve te tyre, Anton Çetta, Idriz Ajeti, qe atehere ishin te angazhuar ne Katedren e Ghuhes Shqipe ne Beograd, ate dite mesnentori u themelua “Perpjekja”.  Meqenese ishte student me i vjeter dhe ate vit kishte botuar nje permbledhje me poezi (“Tufa”), kryetar u zgjodh Latif Berisha (1931 – 1999,  masakruar nga paramilitaret serbe), sekretar, Zekeria Cana (1934 – 2009), dhe kryetar i Keshillit Artistik, Muhamed Kerveshi (1935).Sesi u vendos per kete emer, vite me vone, me 1977 me rastin e festimit te 20 Vjetorit te Themelimit te “Perpjekjes”, profesor Anton Çetta do te tregonte: “Me erdhen nje grup studentesh per t’u keshilluar per themelimin e nje shoqate studentore dhe se çfare emri duhet t’i venin. Atehere, vazhdoi profesori, une u thashe se ata kishin ardhur per te studiuar, per t’u perpjekur per t’i mbaruar studimet, per te dhene ndihmesen e tyre per zhvillimin e Kosoves dhe viseve tjera shqiptare ne ish Jugosllavi, prandaj shoqata le ta marre emrin, “Perpjekja””. Dhe ashtu u vendos. Ky emer gjithmone me kujton emrin e revistes “Perpjekja shqiptare”, botuar ne Tirane, nga Branko Merxhani ne vitet e 30-ta te shekullit te kaluar. Me siguri edhe profesor Antoni kete e ka patur ne mendje, duke e lene te nenkuptohet vete ate pjesen tjeter, “shqiptare”.

Shoqatat krijohen per te zhvilluar veprimtari te organizuara, per te ruajtur dhe per te krijuar vlera kulturore, artistike e kombetare. Pikerisht  kete e beri “Perpjekja” qe nga dita e themelimit e deri ne mbyllje me dhune nga autoritetet serbe ne fund te viteve te 80-ta te shekullit te kaluar. Themeluesit dhe anetaret e “Perpjkjes” ishin te rinj entuziaste me plot enderrime, plot plane per te ardhmen, energji te pashterrshme krijuese. Keta ishin nder studentet e pare qe po studionin ne lemite e tyre perkatese dhe kur perfunduan studimet u kthyen ne Kosove dhe zhvilluan veprimtarite e tyre kulturore, arsimore, shkencore. U ben themelues e drejtues te institucioneve arsimore, kulturore e shkencore. Anetare dhe veprimtare te “ Perpjekjes” ishin ata qe me vone do te beheshin shkrimtaret dhe poetet e njohur te Kosoves: Muhamed Kerveshi, Fafredin Gunga, Din Mehmeti, Agim Gjakova, historiani, Zekeria Cana, piktoret: Muslim Mulliqi, Xhelosh e Mikel Gjokaj, shkencetari i njohur, Dervish Rozhaja, i cili me vone do te behej rektori i pare i Universitetit te Prishtines, aktoret e njohur ne tere hapesiren e ish Jugosllavise: Bekim Fehmiu, Faruk Begolli, Enver Petrovci e shume e shume te tjere: kompozitore, mjeke, inxhiniere, farmaciste, kimiste, fiziciste te njohur kosovare. Çdo shoqate, çdo institucion do te krenohej me anetare, me veprimtare te nje kalibri te tille. Ishte ky ai brezi i arte i intelektualeve shqiptare ne ish Jugosllavi. “Perpjekja” u be edhe nxitese, udherrefyese edhe per shoqatat tjera qe u themeluan me vone nga studentet shqiptare qe studionin ne universitetet tjera ne ish Jugosllavi: Zagreb (“Shkendija”, 1960), Sarajeve (“Lulezimi”), Lubjane (“Shkendija”), etj.

Per “Perpjekjen” dhe veprimtarine e saj kam degjuar qysh kur kam qene femi,sepse babai im ishte i parapaguar per disa vite ne gazeten e perditshme te Prishtines, “Rilindja”, dhe aty here pas here kishte edhe shkrime per veprimtarite e “Perpjekjes”. Ndersa me vone edhe vete u bera anetar e veprimtar i “Perpjkjes”. Ne vitin 1975 i regjistrova studimet e farmacise ne Universitetin e Beogradit dhe qysh ne ditet e para e vizitova Katedren e Gjuhes Shqipe. Ne nje dhome te madhe te mbushura plot me libra, qe ishte biblioteka e katedres, takova dr. Halit Ternavcin, i cili atehere ishte shef i katedres, dhe biseduam per studimet e gjuhes shqipe ne Beograd, per katedren, per studentet shqiptare ne Beograd, etj. Pas pak kohe pasi u stabilizova dhe deri diku u pershtata me mjedisin e ri, e vizitova edhe “Perpjekjen”. “Perpjekja” lokalet i kishte ne bllokun e dyte ne Qytetin e Studenteve ne Beogradin e Ri. Kishte nje dhome qe sherbente si zyre dhe nje dhome me te madhe ku ishte i vendosur televizori dhe e perdornim edhe per takime, mbledhje te ndryshme. Kuptohet,ata  studente te dikurshem emrat e te cileve permenda me lart, nuk ishin me, por ndihej ajo fryme, ato gjurme qe ata kishin lene dikur. Dhe kur te vinte ne mend, kur permendje emrin “Perpjkeje” te dilte para sysh ajo pune e madhe, ato perpjekje te paraardhesve tane. Tani radha na kishte ardhur neve, brezave pak me te rinj. Me hapjen e fakulteteve ne Prishtine ne fillim te viteve te 60-ta te shekullit te kaluar dhe me vone me themelimin e Universitetit te Prishtines me 1970, numri i studenteve qe studionin ne Beograd ishte pakesuar dukshem. Megjithate, kishte mjaft studente qe studionin ne fakultetet qe nuk ekzistonin ne Universitetin e Prishtines, ndersa disa studionin ne Beograd e Zagreb e qytete te tjera, sepse keto universitete ishin me te njohura dhe qytete e medha ofronin edhe diçka me teper qe Prishtina atehere nuk i ofronte.

“Perpjekja” per ne studentet shqiptare, sidomos per at ate vitit te pare te studimeve, ishte nje oaze e qete, qe na ofronte ngrohtesi, ishte nje cope vendlindje. Aty mblidheshin si rreth vatres studentet nga te gjitha trevat shqiptare.  Aty çmalleshim me vendlindjen tone, takonim njeri – tjetrin, miqesoheshim me njeri – tjetrin, i ndihmonim njeri- tjetrit, lexonim gazetat shqiptare: “Rilindja”, “Zeri i rinise”, “Flaka e vellazerimit” dhe publikimrt tjera ne gjuhen shqipe. “Perpjkja” ishte vendtakimi yne me i dashur. Kur takonim njeri – tjetrin ne qytet, pyetjet e para ishin: “A ishe ne “Perpjekje”?”, “Çka ka te re ne “Perpjekje”?”. Shpesh, sidomos ne fundjave mblidheshim dhe kendonim kenget tona te bukura. Dallohej studentja gjakovre, Myzafere Rizvanolli (Myza), me zerin e saj te bukur, interpretimin artistik e repertoarin e saj te pasur, ku spikasnin kenget gjakovare e serenatat korçare. Edhe tani pas 40 vjeteve, ende me kumbon ne koke zeri i Myzes: “O moj korçare sa e bukur je/me ato naze porsi nuse e re/dhe kur me shkoje ti ne bulevard/zemrat tona digjeshin flake e zjarr….”

Qellimi dhe detyrimi yne kryesor ishte ndjekja dhe perfundimi i studimeve, por ne kohen tone te lire mundoheshim te zhvillonim edhe ndonje veprimtari kulturore, letrare, muzikore,sportive. Te paraqisnim vlerate tona kulturore para publikut te Beogradit e me gjere.“Perpjekja” i ka patur mjaft aktiv seksionin  letrar dhe ate muzikor. Vete emri i “Perpjekjes” ishte: “Shoqata Letraro – Muzikore”. Ndoshat nuk ishim edhe aq aktiv sa edhe brezi i arte i “Perpjkes”, por edhe ne mundoheshim te benim diçka brenda mundesive tona. Grupi muzikor udhehiqej me mjeshteri nga studenti i Akademise se Muzikes, Hajdar Elezkurtaj dhe ne gjirin e tij kishte instrumentiste e soliste te talentuar: Hajdar Elezkurtaj, Myzafere Rizvanolli, Indira Kordiqi, Selajdin Doli e me vone ketij grupi iu bashkangjit edhe kengetari i njohur, Fehmi Xharra. Ne ate periudhe ne Beograd qendronte edhe kengetari i njohur, Esat Bicurri, i cili ndiqte nje specializim per doganat dhe shpesh vinte ne “Perpjkje”.

Ne vitin 1977 “Perpjkeja” organizoi nje turne te sukseshme ne qytetet shqiptare te Lugines se Presheves: Presheve e Bujanoc, ku u paraqit me nje koncert te pasur me kenge e valle shqiptare. Ne pranvere te vitit 1977 grupi letrar organizoi nje mbremje letrare mjaft te suksesshme ne bashkepunim me Lidhjen e Shkrimtareve te Kosoves, ku merrnin pjese shkrimtaret e njohur: Ali Podrimja, Anton Pashku, Vlladeta Vukoviq e Nazmi Rrahmani. Punimet e tyre ne poezi e proze i lexuan edhe anetaret e “Perpjekjes”: Nezir Sefaj, Sadik Elshani dhe disa te tjere, qe tani emrat e te cileve nuk me kujtohen. Numri i pjesemarresve ishte i madh, ndersa mbremjen e udhehoqi me plot profesionalizem aktori i njohur, Enver Petrovci, atehere student i Aklademise se Arteve Dramatike. Pas paraqitjes se punimeve artistike u organizua nje koktej i pasur, i cili kaloi ne nje atmosfere te ngrohte vellazerore, duke biseduar me shkrimtaret e njohur gjer ne oret e vona te nates. Ne muajin maj te vitit 1977 ne Beograd, ne organizimin e “Perpjekjes” u mbajten “Takimet e majit”. Ishin keto takimet e studenteve shqiptare qe studionin ne universitetet e Jugosllavise se atehershme ku kishte shoqata te studenteve shqiptare: Zagreb, Beograd, Sarajeve e Lubjane. Ishte ky nje rast i mire per t’u njohur studentet shqiptare ne mes vete, zhvilloheshin gara sportive, shfaqeshin programe artistike me kenge e valle shqiptare, recitime, dramatizime, etj. E çka eshte edhe me e rendesishme, ne keto takime lidheshin edhe miqesi te reja.

Viti 1977 ishte edhe viti i 20 Vjetorit te Themelimit te “Perpjkejes”, prandaj edhe veprimtarite ishin me te dendura. Ate vit ne Beograd po qendronte edhe historian i njohur, Zekeria Cana, qe siç u permend me lart ne kete shkrim, ai ishte nder themeluesit e “Perpjekjes” dhe sekretari i saj i pare. Ai kishte nje qendrim shkencor ne Beograd per te bere kerkime ne arkivat e atij qyteti per marredhenjet shqiptaro – serbe, qe ishte tema e magjistratures se tij. Profesor Cana shpesh vinte ne “Perpjkje” dhe personalisht, kuptohet edhe me ndihmen tone, u mor intensivisht me organizimin e festimit te 20 Vjetorit te “Perpjkjes”. Takimet me profesor Canen mbeten te paharrueshme, sepse haptas bisedonim per shume çeshtje shqiptare, gjendjen ne Kosove dhe perpjekjet tona per t’i dale zot Kosoves, kombit tone. Na tregonte edhe per historine e “Perpjekjes” sfidat me te cilat ishin ballafaquar ne ditet e tyre studentore, qe kishin qene shume me te pavolitshme se koha jone. Na porosiste vazhdimisht qe kurre te mos binim ne ndikimin, ne grackat, kthetrat e qarqeve antishqiptare te Beogradit, te cilet nuk e shihnin me sy te mire “Perpjekjen”, apo thene me mire, e kishin hale ne sy. 20 Vjetori u festua ne menyre madheshtore me nje program te pasur artistik te mbajtur ne Qendren Kulturore te Qytetit te Studenteve dhe pastaj vazhdoi me nje darke solemne ne hotelin me te njohur te Beogradit, “Hotel Jugosllavija”. Ne kete manifestim merrnin pjese shume anetare te hershem te “Perpjkjes”, profesor Anton Cetta, Zekeria Cana e shume figura te tjera te jetes politike, kulturore. shkencore te Kosoves. Merrnin pjese edhe perfaqesues te shoqatave simotra nga Zagrebi, Sarajeva, Lubjana, Subotica, Prishtina. Anetaret e dalluar u nderuan me mirenjohje per punen e tyre me plot perkushtim ne periudha te ndryshme te ekzistences 20 vjecare te “Perpjekjes”.

Ne vjeshten e vitit 1977 kalova ne Universitetin e Zagrebit, por lidhjet me “Perpjekjen” nuk i nderpreva kurre. Sa here qe kaloja neper Beograd, gjithmone shkoja ne “Perpjekje” per t’i vizituar miqte e mi. Ne vitin 1984 ndodhi qe shumicen e sherbimit te detyruar ushtarak ta kryeja ne Beograd dhe kazerma ndodhej ne Zemun, jo shume larg selise se “Perpjekjes”, prandaj shpesh shkoja aty dhe kaloja shume çaste te hareshme me studentet shqiptare. Nje dite po rrinim ne nje dhome studentesh dhe hyri nje student, qe per te mos na trazuar, me ze te ulet po e kerkonte nje fletore nga nje studente. Ajo e nxori dhe poi a zgjat nje fletore me permasa pak te medha, por me mbulesa te hequra (shqyera). E njoha menjehere, ishte fletorja ime. Ne vitin e pare te studimeve ne kuader te lendes se kimise inorganike kishim nje liberth me probleme e ushtrime nga stokiometria (angl. stoichiometry), qe eshte llogaritja relative e sasive te reaktanteve dhe produkteve ne reakcionet kimike. Une i mora dhe i zgjodha te gjitha problemet ne menyre sistematike e shume te hollesishme. Keto detyra, probleme, ishin pjese e provimit me shkrim nga kimia inorganike. Une pasi e kisha dhene provimin, kete fletore ua dhashe shokeve te mi dhe ja qe ajo fletore paska shkuar dore pas dore e brez pas brezi per gati 10 vite te tera. U thashe atyre se ajo ishte fletorja ime dhe nuk e mora prape, por e lashe qe ta vazhdonte “misionin” e saj.Ja, keshtu ndihmonim njeri – tjetrin. Ajo fletore e kishte mbajtur gjalle pranine time ne mes te studenteve shqiptare ne Beograd.

Autoritetet serbe e mbyllen me dhune “Perpjekjen” ne fund te viteve te 80-ta apo ne fillim te viteve te 90-ta te shekullit te kaluar, por ata kurre nuk mund ta shlyejne ate nga kujtesa jone! Mund te shkruaj edhe me shume faqe per “Perpjkjen”, por dua ta mbyll kete shkrim duke e vleresuar lart veprimtarine e gjithanshme, kulturore e atdhetare te “Perpjekjes”, si njeren nga shoqatat me aktive studentore shqiptare te te gjitha koherave. Roli dhe rendesia e saj me plot te drejte mund te matet e te krahasohet me shoqatat e tjera shqiptare te krijuara gjate Periudhes se Rilindjes sone Kombetare.

Anetare te “Perpjkjes” kudo qe jeni: Gezuar 60 Vjetorin e Themelimit te shoqates sone!

Philadelphia, 17 nentor 2017

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtari i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Histori Tagged With: “Perpjekja”, Sadik Elshani, shoqata e studenteve shqiptare qe studionin ne, Universitetin e Beogradit

Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit..

November 18, 2017 by dgreca

“Skënderbeu,  Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës (1413-2017)/

20171118_125844

-Një libër i ri për Heroin Kombëtar në prag të shpalljes së “Vitit Skënderbeu – 2018”-Album – Antologji nga Fotaq Andrea”

Legjenda thotë – në gegërishten e bukur – se “Selim Pasha bâ atëherë me e nalë do kohë në pushim ushtërin në Lezhë, shkoi drejt e te vorri i Skanderbegut e bâni me e çilë. Trupi i tij ishte kênë zhgatrrue, por zemra ishte ené e pa prishëne e gufonte gjak të xetë. Me gëzim e mori Selim Pasha at zemër, e shtij në nji kuti të prarueme e me ‘i herë i-a nisi dhânti Sulltanit, i cili e vendosi në mâ të bukurën qelerë të pallatit të vet. Aty, thonë, se ruehet edhe tashti me kujdes të madh prej njaj roje…”.E tillë është legjenda e “zemrës së gjallë” të Skënderbeut ndër Malësorët tanë, ardhur e shkruar dhe e freskët nën penën e At Marin Sirdanit, tek e mblodhi nga goja e popullit në vitet ’40 të shekullit të kaluar. Në jehonë të Historisë, shekuj mbas shekujsh, këtë zemër të KryeHeroit tonë, kombi shqiptar e ka dashur dhe e ka pasur përherë të gjallë, si një domosdoshmëri jetike, e ka parë me sytë e mendjes të gulfojë e të përhapë pandërprerë “gjak të nxehtë” në krejt trupin dhe truallin kombëtar. Sepse Kujtesa historike e Kastriotit të Madh ishte për të ushqimi i përjetshëm shpirtëror, ishte simboli i qëndresës historike, vetë sumumi i vetëdijes sonë kombëtare.

Album-Antologjia “Skënderbeu, Heroi ynë Kombëtar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës”, që po botojmë me rastin e “Vitit Skënderbeu – 2018”,  është fryt i një pune shumëvjeçare, qëkurse nisëm të qëmtojmë me syrin e antologjistit, aty nga fundi i viteve ’90 i shekullit të kaluar, gjithçka historike me vlerë për Shqipërinë dhe Shqiptarët nën penën e autorëve të huaj. Kjo vepër, e pesta e llojit antologjik që kemi hartuar, synon ta rrokë figurën e Skënderbeut në tre dimensionet e tij madhore shfaqur që në vetë titullin e saj. Është një fluturim panoramik historik në rrjedhë të shekujve me dëshmi dhe dokumente për KryeTrimin tonë që na sjellin 202 autorë, kryesisht të huaj, përmes 920 ilustrimeve, në një diapazon të gjerë kohor që përfshin vitet 1414-2017.

Dhe prapë, vërejmë se pak kemi dhënë, sepse me dhembje e pohojmë që na është dashur të operojmë me bisturi të madhe, duke përzgjedhur nga mbushullia e lëndës tematike skënderbejane atë më të mirën, më tipiken, më origjinalen e më domethënësen që karakterizon figurën e tij, sidomos falë fjalës së autorëve të huaj të nderuar, të cilët kanë pasqyruar historikisht dhe me vërtetësi figurën e Skënderbeut, për të nxjerrë në pah cilësitë e tij të mahnitshme, në radhë të parë si “Mbrojtës i Njerëzimit dhe i Vendit të tij”, si “Mbrojtës i Krishtërimit”.

Të shumta dhe të shumëllojshme janë vlerësimet e tyre për “Shqiptarin e Madh”, cilësuar “Kampion i pathyeshëm i Kryqit”, “Aleksandri i Krishterë”, “Kapiten i parë i shekullit të tij”, “Hero atletik e homerik”, “Një nga shpëtimtarët e Europës”, “Meteor ndriçues dhe dramatik”, “Rrufeja e luftës”, “Bulevard i Krishtërimit”, “Pirrua dhe Aleksandri modern”, “Hero modern i Shqipërisë dhe Epirit”, etj., për të ardhur gjer te “pagëzimi” i Skënderbeut nga Papati “Ushtar dhe Atlet  i Krishtit”, “krye-engjëll betejash” që i vuri shpatullat vendit të tij dhe Krishtërimit duke “vonuar përparimin  e Perandorisë turke dhe duke përgatitur shembjen e saj” (sic!)

Pohime dhe vlerësime të tilla, si tituj të përjetshëm lavdiplotë për madhështinë e Gjergj Skënderbeut tonë, bëhen në këtë Album-Antologji – sipas rrjedhës së kohës – nga figura të shquara të fisnikërisë europiane dhe botërore, princër, kontë, dukë e markezë, nga emra të mirënjohur dhe personalitete të nderuara të Letrave, Filozofisë, Sociologjisë e Fesë, nga dijetarë e eruditë, që e peshojnë me kandar farmacisti vlerësimin që bëjnë, larg frymës panegjirike dhe elozheve artificiale. Sepse Bëma Kastriotine ishte një Realitet i Madh, burim frymëzimi për qëndresë të paepur, për luftë heroike të Goliatit të vogël kundër gjigandëve, një shembull vetmohimi dhe sakrifice në emër të Mbrojtjes së truallit amtar dhe të Fesë së krishterë. Nuk ka si të mos entuziazmohemi në këtë rast për vlerësimet e arta dekoratë që i bëhen Kastriotit tonë nga një Montaigne apo Voltaire, nga një Martin Luther, apo Ludvig Holberg në rangun e tyre si filozofë botërorë, nga historianë me peshë si Sismondi, Jules Michelet a Paolo Jovios, nga André Thevet, Jorga a Marinesku, për të shkuar më tej, te një strateg si James Wolfe a Charles King, te dijetari Elisée Reclus, Princi Manfredi, Konti Urfé, Mirabeau, etj. Dhe pas plejadës së autorëve të mirënjohur botërorë që kanë folur për KryeTrimin tonë me objektivitet të shëndoshë dhe vlerësim maksimal, s’na mbetet tjetër veç të shijojmë ëmbëlsinë dhe forcën e vargut poetik të Ronsard-it, poetit kombëtar francez, pasuar nga emra po aq të njohur poetësh dhe shkrimtarësh, si Chrétien Florient, Jamin Amadis, Gabielle Faerno, Luigi Groto, Marguerite Sarrochia, Edmund Spenser, D’Aubigné, William Temple, Thomas Whincop, Lamartine, Byron, Longfellow (poeti kombëtar amerikan), Clement Moore, Apollinaire, etj. etj. Dhe i shohim të tëra këto pena të ndritura në shkallë botërore të frymëzohen në radhë të parë nga vepra “Histori e Skënderbeut“ të francezit Jacques de Lavardin – vepër kjo e bazuar te Barleti ynë -, që nuk do vononte të përkthehej e botohej në gati krejt gjuhët e Europës.

Dhe jo vetëm kaq, por shpejt do shkëlqenin edhe portretet klasike për Heroin shqiptar, që do të zinin vend të nderuar në muzeumet, galeritë dhe kështjellat e Europës, përkrah portreteve të Njerëzve të Mëdhenj të Historisë Botërore. Të intriguar dhe frymëzuar nga madhështia e Veprës së Arbërorit të Madh që ndali, në krye të një populli të vogël heroik, për një çerek shekulli me radhë furinë e sulmit të Perandorisë osmane, konsideruar si superfuqi e kohës, – piktorë të famshëm të Rilindjes Europiane shpërthyen krejt fantazinë e tyre për të dhënë me gjenialitet Epopenë skënderbejane dhe sidomos për të na shfaqur portrete të Gjergj Kastriotit nga më të bukurat e më të papriturat, të cilat në shumicën e tyre janë bërë me porosi të drejtpërdrejtë koleksionistësh me emër që rendin të kishin kush e kush “Skënderbeun” e vet. Andaj nuk ka pse çuditemi kur shohim shumë portrete “realiste” të Skënderbeut të jenë vepër “Anonime” (në fakt, shumica e piktorëve të mëdhenj të Rilindjes Europiane e gjer te Rembrandi me shokë, nuk i firmosnin veprat e tyre, si një “rregull” i kohës!) Por njihet tashmë peneli i shquar i “plejadës klasike skënderbejane” – të Christofano dell Altissimo, Dominic Custos, Jorg Breu Plaku e i Riu, Jost Amman, Joanot Martorell, Klüpffel, W.Jongmann, Ladon, Barthold Pontanus, Balthasar, Stimmer, Anisson, Zucchi, P.Totti, Santarelli, Flanagan, etj. etj. Me stilin e tyre të hijeshisë klasike, me frymën e kohës dhe sidomos në përputhje me vetë përmbajtjen e “Historisë së Skënderbeut”, ata kanë realizuar portrete nga më të bukurat për Skënderbeun, duke u bërë kësisoj burim frymëzimi për breza të tërë piktorësh që kanë rrahur tematikën skënderbejane, sidomos për brezat e djeshëm dhe të sotëm të piktorëve shqiptarë.

Nga ana tjetër, admirojmë, si një mrekulli hyjnore, pikturat “e fantazuara” apo të hamendësuara për Gjergj Kastriotin, realizuar nga mjeshtër të mëdhenj si Giorgione, Guercino, Rembrand, të cilët e duan “Skënderbeun” e tyre krejt ndryshe nga të tjerët, pa kurrfarë paralelizmi me portretet që i njiheshin deri atëherë. Dhe shi këtu qëndron “teku” i penelit të tyre, forca e fantazisë, për të qenë origjinalë në mënyrë gjeniale, që dëshmon nga ana tjetër edhe nderimin më të madh për Skënderbeun, si një figurë extra, i pazakonshëm, i paarritshëm, përtej realitetit epokal. Luftëtar e luftarak i rreptë, Simbol i Lirisë, veshur në hekur dhe me helmetë aleksandrine në kokë, të stili Da Vinçi, “Skënderbeu” i Giorgiones, Gernicos, Pollaroli-t, Pellipario-s, etj. qëndron po aq bukur e krenar përballë “Skënderbeut” intelektual e humanist të Rembrandit, Jorg Breut, Galanti-t, etj. siç e shfaq në këtë vepër gjithë poeticitet edhe Lamartini i madh, sa Prijës i suksesshëm, sa Intelektual i klasit të parë, aq edhe Njeri i penës e i librit, me bibliotekë e kancelari të pasur, siç e dëshmojnë, krahas shpatave dhe përkrenares, edhe katër kodikët e tij si objekte fizike reale që po ia bëjmë këtu të njohura lexuesit tonë, vlera këto të paçmuara për bibliotekat botërore që i zotërojnë.

Album-Antologjia “Skënderbeu, Heroi ynë kombëtar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës” – edhe pse në masë të kufizuar -, mbështetet në themelin e Historiografinë shqiptare për epokën kastriotine, nisur me Barletin dhe pasuar nga autorë shqiptarë si Gjon Muzaka, Frang Bardhi, Dhimitër Frangu, për të arritur më pas te Faik Konica, Fan Noli, Mithat Frashëri, Athanas Gegaj dhe në ditët tona te Moikom Zeqo e Pëllumb Xhufi. Domosdo, gjatë hartimit të veprës kemi konsultuar një pjesë të mirë të autorëve shqiptarë, problematikën qendrore skënderbejane të ditëve tona, dhe si udhërrëfyes kemi pasur konkluzionet domethënëse të Nolit, At Valentinit dhe prof. Kristo Frashërit, për ta parë figurën e Skënderbeut me përmasë të fuqishme evropiane, në radhë të parë si Burrë Shteti, me diplomaci të zhvilluar, me aleanca e kontakte të shumta figurash historike, në rrafsh të brendshëm e të jashtëm, e mbi të gjitha si themelues gjenial i shtetit të parë të Arbërit, ardhur deri në ditët e sotme me dy shtetet shqiptare në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova.

Është e njohur që historiani francez André Thevet, që në vitet ‘70 të shekullit XVI, kritikonte me të drejtë panegjerizmin e Barletit për Skënderbeun, fjalimet e tij të gjata e të improvizuara, duke shtruar nga ana tjetër me seriozitet çështjen e varrit të Skënderbeut, për ta vënë në pikëpyetje hapjen e tij nga osmanët dhe marrjen e eshtrave të Heroit për hajmali. Mitizimi i figurës së tij erdhi duke u rritur në rrjedhë të Historisë, aq sa në fillim të shekullit XX, Faik Konica me kritikë të rreptë shkencore shtroi ndër të parët nevojën e çmitizimit të Heroit, kur vërente bukur në veprën e Dom Ndoc Nikaj, “T’nodhunat e Shqypnis” një “Skënderbe” plot jetë e vërtetësi, “ndryshe nga Heroi i Barletit, Biemmi-së dhe Lavardin-it”, të cilët e kishin “vendosur atë tepër lart dhe tepër larg nesh”, një figurë që “mbetej e mjegulluar”, siç shprehej Konica. Kësaj çështjeje iu kthye edhe Fan Noli, duke vënë përfundimisht pikat mbi -i-, sepse, në fund të fundit, panegjerizmi i nisur nga Barleti ishte çështje krejt e dorës së dytë, apo siç shprehet Noli, “ishin çështje që u takojnë vogëlsirave, pa cenuar aspak vlerat madhore të Heroit”. Megjithatë, në ditët e sotme nuk mungon dukuria kur nisur gjoja nga “nevoja e çmitizimit”, goditet qëllimisht figura e Heroit për arsye tejet sektare, denigruese dhe poshtëruese nga një ekstremizëm i rrezikshëm regresiv, fetar e antikombëtar.

Nga ana tjetër, historiani Lavardin, mbështetur te punimet e Paolo Giovio-s, parashtron që në parathënien e “Historisë së tij të Skënderbeut”, tezën e helmimit të Skënderbeut, ashtu sikurse do të pasonte dhe do të vinte deri në ditët tona, me argumente të avancuara, edhe teza tjetër se “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit duhet të jetë vepër e Marin Biçikemit. Studjues të sotëm shqiptarë nuk kanë ngurruar t’i rrokin këto tema, të mbetura deri më sot “tabu”.

Sot, përpara Historiografisë shqiptare shtrohen, si një domosdoshmëri shkencore, mjaft çështje që kërkojnë zgjidhje me studime të thelluara. Është koha, për mendimin tonë, e mbajtjes së një Konference të re të Studimeve albanologjike në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar, për të shmangur falsitetet dhe antivlerën frenuese, sidomos të viteve të fundit, dhe për të çelur perspektiva të reja shkencore edhe për vetë studimet skënderbejane, që lypset të fokusohen e thellohen më tej në çështje të tilla madhore si origjina dhe ndërtimi i plotë i pemës gjenealogjike të Familjes Kastrioti dhe e familjeve të mëdha fisnike shqiptare; çështja e ndërtimit të hartës së Shqipërisë, me topografinë e plotë të fushatave të Skënderbeut, ashtu siç u orvat ta bëjë deri në njëfarë mase Faik Konica; çështja e “çmitizimit të figurës së Skënderbeut, larg kuzhinave dhe gatesave politike, fetare, etnike etj; çështja portreteve më të hershme dhe origjinale të Heroit, mbi bazën e skicimeve në natyrë që i janë bërë, që nga medaljoni “Skënderbeu” i Pisanellos (rreth viteve 1450) deri te portreti i Fiocco-s (1465), ndërkohë që synohet të dalin në dritë portrete të Heroit tonë kombëtar edhe më të hershme.

Album-Antologjia “Skënderbeu” është mbi të gjitha fryt i një bashkëpunimi të ngushtë intelektual, profesional e vëllazëror me antikuarin dhe koleksionistin Dritan Muka me të cilin prej më shumë se një dekade kam këmbyer letërkëmbim të dendur në hulumtimin e Vlerës Madhore Historike Skënderbejane nëpër arkiva, biblioteka e antikuarë, duke gëzuar me shoshoq për çdo gjetje e zbulim të ri, dhe shpesh të zhgënjyer që “nuk arrinim dot, për arsyen e thjeshtë financiare, “të qëllonim në shenjë”. E falënderoj publikisht nga zemra mikun tim.

Por vend të veçantë, të shenjtë, të shtrenjtë, mendor e shpirtëror, ia rezervoj si përherë familjes sime, që pranon “harbimet” dhe “tekat” e mija, madje më mbështet fuqimisht e konkretisht në “izolimin” tim hulumtues e dërrmues, e megjithatë përherë ndjellës e miklues.

Në përfundim, nuk mund të rri pa përmendur takimin tim me të Madhin Mirush Kabashi në një lokal të Tiranës, për privilegjin që më bëri duke më recituar kokë më kokë, me atë zërin e tij melodioz à la Chopin apo Mendelssohn, vargjet e Çajupit “Dëshir’ e Skënderbeut ditën që vdiq”, dhe duke më mbajtur të ngrirë për minuta të tëra, me qimet e parakrahëve ngritur përpjetë nga emocioni, me zemrën që më rrihte fort, dhe që më cyti t’i hidhesha në qafë e ta shtrëngoja në gjoks. Edhe tani kam në veshë jehonën e fjalëve të tij çajupiane ; “O vëllezër Shqipëtarë! / U lutem të bëni mbarë, / Gjith’ bashk’ e të pandarë”.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Atlet i krishtit, Fotaq Andrea, liber i ri, Skenderbeu

Post Kreta si verifikim…

November 18, 2017 by dgreca

Replikë me profesorin e greqishtes dhe pinjollin e ekstremizmit fqinj në Shqipëri/

arben-llalla

Nga Arben Llalla/Si përherë Panajot Barka qëndron pas dere tek zyra e informacionit dhe propagandës së Greqisë, duke pritur porosinë për shkrimin e radhës. Ai shprehu opinionin e tij tek gazeta “TemA” më 16 nëntor rreth takimit të Kretës midis Kotzias dhe Bushatit, ku kishte bërë një përmbledhje të historisë së lashtë të Greqisë, nacionalistëve shqiptarë, bashkëpunimit të çamëve me italianët dhe gjermanët. Por, si përherë Panajot Barka vetëm bëri akuza politike dhe nuk na ofroi qoftë edhe një dokument apo citim shkencor rreth Çështjes Çame. Metoda që përdorin grekët dhe Barkat tashmë janë të njohura, pra hidhu në sulm dhe kërko atë që nuk është e jotja, por e tjetrit, me qëllim për ta fituar atë më tej. Ndaj si ndodh zakonisht do i përgjigjem Barkës dhe Barkave të tjerë që janë në shërbim të Megalo Idesë me fakte, duke ua përplasur në fytyrë këtyre mosmirënjohësve, të cilët vetëm bëjnë “blla, blla” për ndonjë honorar Greqie.

Greqia nuk ka patur mesjetë, rilindje, luftë për rezistencë ndaj pushtuesve osmanë. Ajo është banuar pas rënies së Bizantit nga shqiptarët, hebrenjtë, turqit, romeit, sllavo-maqedonasit, bullgarët, të cilët më pas formuan shtetin modern grek. Fakti që në Greqi flitet nëpër rrethet familjare shqipja, turqishtja, hebraishtja, sllavo-maqedonishtja, rrëfen se ende ka popullsi të pa asimiluar, megjithëse shtypja shtetërore ka qenë e egër.

Sllavët e Stefan Dushanit u përplasën me ushtrinë shqiptare të çamit Gjin Bue Shpata dhe nëse nuk do ishin thyer nga shqiptarët e Çamërisë, në Athinë sot do flitej serbisht dhe jo greqisht. Panajot Barka nuk duhet të harrojë se toponimet sllave dhe shqiptare janë ende nëpër Greqi, edhe pse disa herë janë bërë zëvendësimet e tyre me toponime të reja greke.

Për trashëgiminë e grekëve të sotëm me grekët e lashtë që pretendohet, janë shprehur mendjet e hapura të Greqisë si poeti i madh grek i vlerësuar me çmim “Nobel” në letërsi më 1979 Odysseas Elytis që ka shkruar: “Atdheu im, një mural i mbajtur prej shtyllave franceze, shqiptare, vllahe e turke. Kushdo që i përmend, shkon drejt e në burg…”.

Mendimtari, shkrimtari dhe poeti grek Niko Dhimu në 23 qershor 2009, në gazetën “NY Times”, thoshte: “Ne flisnim shqip dhe vetëquheshim romaikos, por pastaj Gëte, Viktor Hugo, Delacroix, na tha: Jo, ju jeni grekë, pasardhës të drejtpërdrejtë të Platonit e Sokratit. Në qoftë se një vend i vogël, një komb i varfër ka një barrë të tillë mbi supet e tij, ai kurrë nuk do të shërohet…” Siç e deklaron shkrimtari Niko Dhimu, grekët e sotëm nuk janë grekët e lashtë që pretendonte historiani gjerman në shekullin XVIII, Johann Winckelmann, i cili sajoi vizionin se Greqia e lashtë është populluar nga njerëz të bukur, me flokë të verdhë e të gjatë, njerëz të zgjuar. Ky përfytyrim i Johann Winckelman, në të vërtetë ka lidhje me ilirët, të cilët kishin këto karakteristika. Me një fjalë ata, grekët e lashtë nuk janë gjë tjetër vetëm se ilirët.

Në Maj të vitit 2012, shkrimtari dhe publicisti grek Dimitris Epikouris në një shkrim të tij për grekët do të shkruante: “Greqia moderne nuk ka asnjë nyje që e lidh atë me Greqinë e lashtë dhe njerëzit që dikur jetonin në atë vend, e parë kjo si në aspektin kulturor, ashtu dhe në atë gjenetik. Grekët e sotëm janë një mishmash i fiseve ballkanike, (shqiptarë, sllavë, vllahë) të cilët gjatë periudhave të ndryshme kohore u përzien gjithashtu me afrikano-veriorë, Armeninë dhe fise të tjera të Anadollit, pa harruar të përmendim këtu dhe frankët me venedikasit, të cilët ishin po ashtu të shumtë në atë rajon.”

Në mars 2010, redaktori i gazetës së njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Andreas Kilb në faqen zyrtare të saj publikoi një opinion të tij me titull “Grekët nuk e kanë origjinën nga grekët”, ku ndër të tjera sqaronte se populli grek që njohim sot, nuk është gjë tjetër veç mbeturinë e asaj që lanë pas sllavët, frëngët kryqëzues, bullgarët, serbët, katalanasit, osmanët dhe shqiptarët. Madje, Kilbi tenton të hetojë edhe aspektin psikologjik të popullit grek, duke përfunduar se ndryshimi nga origjina zëvendësohet me solidarizimin e vazhdueshëm për t’u përballur me një armik të përbashkët. Ai thekson se në çdo të katërtin grek, një është refugjat, kaq të tjerë kanë origjinë sllave, por të gjithë janë të bashkuar kundrejt armikut të përbashkët. Greqia ka qenë e pushtuar nga sllavët të cilët u ndalën dhe u tërhoqën pasi ndeshën në rezistencën e fortë të shqiptarëve në Athinë të udhëhequr nga Gjin Bue Shpata. Ajo ka qenë e pushtuar edhe nga bullgarët, kryqëzata frënge, katalanasit dhe në përfundim të 1450 nga Perandoria Osmane. Por, gjithnjë këta pushtues të Greqisë janë ndeshur me fiset shqiptare, të cilët jetonin që në lashtësi në Thesali, Boeotia, Peloponez dhe ishujt e shumtë. Kjo vërtetohet nga fakti se shumica e kapedanëve të Kryengritjes së 1821, ishin shqiptarë dhe për disa vite shqiptarët drejtuan Greqinë e Re në të gjitha fushat, kryetar shteti, kryeministra, akademikë, e kështu me radhë.

Për themelimin e Greqisë së Re shqiptarët jo vetëm që kanë rolin kryesor, por ishin shumica e popullsisë para se të vinte mbreti Otton më 1832 me rreth 50 mijë bavaresë, ndërsa nga 1913-1930 në Greqi erdhën rreth 2.5 milionë orthodoksë nga Azia e Vogël, të cilët nuk dinin greqisht e kishin tradita dhe zakonet e tyre të ngjashme me ato të myslimanëve arabë, lëre pastaj që nga pikëpamja antropologjike ishin të njëjtë me arabët.

Është fakt, tashmë nuk mund të diskutohet, edhe pse deri tani pjesërisht ishte fshehur, 90 ndër 100 heronjtë e Kryengritjes së vitit 1821 ishin shqiptarë. Që shqiptarët mbajtën peshën kryesore të Revolucionit të 1821-shit, përveç që ishin pjesa dërmuese e popullsisë në Greqi në periudhat e kryengritjes, mund të shpjegohet edhe nga fakti që arvanitasit ishin një popull luftarak, krenaria e të cilit nuk mund të lejonte poshtërimet e skllavërisë.

Shqiptarët janë krijuesit e çetave të komitëve nën pushtimin turk, që ruajtën jo vetëm të vërtetën e mosnënshtrimit dhe liridashjes, por edhe të kulturës, të zakoneve të lashta, muzikës, valleve dhe këngëve popullore të tyre.

Më 1674, Konsulli anglez në Athinë, Zhan Zhiroj, thoshte: “Kleftët e fushës si këtu (në Atikë) ashtu edhe në More, janë të gjithë shqiptarë”.

Në vitin 1850, shqiptari Andoni Kryeziu, kur ishte kryeministër, shpalli Kishën Autoqefale Greke, duke e shkëputur përgjithmonë nga varësia e Fanarit të Stambollit.

Kur arvanitasi Dhimitër Vulgari, ishte kryeministër i Greqisë nga vitet 1855-1875, u bë i mundur bashkimi i shtatë ishujve me Greqinë. Kryeministri Dhimitër Vulgari mbështeti fuqishëm kryengritjen e ishullit të Kretës për t’u bashkuar me të.

Gjenerali Teodoros Pangallos, pasi u zgjodh kryetar i shtetit grek (1925-1926) arriti shumë marrëveshje të rëndësishme në fushën e politikës dhe kulturës me shtetin shqiptar në ato vite. Nga kryetarët dhe kryeministrat e Greqisë që dolën nga fara arvanitase veçojmë: Joani Kapodistria, Gjeorgji Kundurioti, Pavlo Kundurioti, Andoni Kryeziu, Athanas Miauli, Diomidh Qiriako, Emanuil Repili, Petro Vulgari, Aleksandër Koriziu, Aleksandër Diomidhi, Kiço Xhavella, Jani i Ri Kollokotroni, Aleksandër Zaimi, Jorgos Papadhopulos e plot të tjerë.

Për krijimin e shtetit grek, shqiptarët që thirren me emrin arvanitasit kanë ndihmuar në të gjitha drejtimet për përparimin e Greqisë. Arvanitasit ishin profesorët e parë që themeluan Akademinë e Athinës, ndërsa investuesi i ndërtesës së Akademisë së Athinës ishte shqiptari i pasur nga Voskopoja e Korçës, Simon Sina që i bëri një dhuratë të madh Greqisë, duke ndërtuar godinën e Akademisë së Athinës, e cila është edhe sot. Më 1859 filluan punimet e para, për ndërtimin e Akademisë.

Edhe lojërat olimpike u ringjallën pas 1500 vjetësh nga tepelenasi i Labovës, Vangjel Zhapa, prandaj fillimisht i quajtën lojërat e Zhapës.

Nga gjiri i familjeve shqiptare dolën shumë intelektualë të shquar që u bënë akademikë të Akademisë së Athinës si: Dhimitër Egjiniti, Angjelo Gjini, Sotiri Shqipi, Spiridon Doda, Vasil Egjiniti, Gjergj Sotiriu, Kostandin Horemi, Aleksandër Diomidhi, Maksim Miçopulos, Vasil Malamo, Dhimitri Kaburoglu, Teofil Vorea e të tjerë.

Një shqiptar i quajtur Jani Bukura në vitin 1840, ndërtoi të parin teatër në Athinë me mure guri, i cili mbeti në histori si “Teatri Bukura”. Pronari guximtar Jani Bukura, “gjendet” në Muzeun Etnologjik dhe Historik të Athinës, në një kopje allçie që e krijoi e bija Eleni Bukura, për të përjetësuar figurën e tij të pathyer në kujtesën e saj. Nga fara shqiptare, dolën shumë piktorë, disa prej tyre me famë botërore si: Polikron Lebeshi, Eleni Bukura, Jani Altamura Bukura, Niko Voko, Niko Engonopulos, Alqi Gjini, Jani Kuçi, Taso Haxhi, Stamati Lazeru, Thanasi Çinko, Andrea Kryeziu, Niko (Gjika) Haxhiqiriako, Buzani, Gizi, Biskini e të tjerë. Të gjithë këta piktorë të mëdhenj me famë botërore kanë prejardhje shqiptare ngase kanë deklaruar vetë që janë nga zonat e banuara me shumicë dërrmuese shqiptare si ishulli i Hidrës, Eubea, Atikia.

Një dëshmi e P. Jotit që shkroi “Historinë e Shtatë Ishujve” të vitit 1866 na vërteton se suliotët që ishin në Korfuz, kur pastronin armët, këndonin këngët shqipe për heronjtë e tyre. Në këngët shqiptare të suliotëve nuk kishte asnjë fjalë greke. Dy këngë që këndoheshin nga shqiptarët e Sulit, gjenden në librin me titull “Bleta Shqiptare” të autorit Thimi Mitko, botuar në vitin 1878 në Aleksandri. Në vitin 1891, gjermani Arthur Milchkofer, në veprën e tij me titull “Attika und seine Heutigen” ndër të tjera shkruan: “Nga ç’di unë, këngët popullore greke, u janë përshtatur këngëve të vjetra shqiptare të dashurisë, lirisë dhe atyre kaçake.”

Akuza më e rëndë që gjithnjë bën Panajot Barka është se shqiptarët e Çamërisë ishin bashkëpunëtorë të italianëve dhe nazistëve gjerman, por Greqia prej 73 vitesh asnjëherë nuk e vërtetuar shkencërisht këtë akuzë. Prej kaq vitesh e kam ftuar publikisht Panajot Barkën, por edhe akademikë e historianë grekë të vërtetojnë me fotografi dhe dokumenta që çamët ishin bashkëpunëtorë. Historianët grekë bëjnë punë fëminore duke bërë fotomontazh të trupave SS boshnjake dhe na i paraqesin si shqiptarë të Çamërisë. Ata paraqesin trupat SS shqiptare në batalionit “Skanderbeg” të Kosovës dhe thonë se janë çamë. Por, faji i çamëve ishte se ishin shqiptarë dhe partizanë në ushtrinë greke “EAM-ELAS”, ku shpeshherë këto trupa partizane janë përplasur me trupat greke “EDES” të Napoleon Zervës që bashkëpunoi me italianët dhe gjermanët. Nuk ka patur asnjëherë vrasje që kanë bërë shqiptarët e Çamërisë ndaj grekëve. Ndërsa është krejt e vërtetueshme Greqisë dhe botës mbarë se bashkëpunëtorë të gjermanëve ishin Zerva, Konstandin Karamalisë, Konstandin Micotaqi, familja e njohur Meimaraqis, Rallis, e plot të tjera. Unë këto i vërtetoj shkencërisht, me fakte, foto, gazeta të asaj kohe, dokumenta të CIA-s dhe shërbimit inteligjent grek.

Po ju zoti Barka me gjithë Greqinë mund t’i mohoni këto dhe të vërtetoni bashkëpunimin e çamëve? Ua kam thënë disa herë publikisht urdhëroni dhe përballemi si studiues në televizion, konferenca shkencore si njerëz të qytetëruar dhe jo si grindavecë, por ju i ikni të vërtetës duke bërë vetëm akuza politike. Kjo është një metodë klasike për t’i mbyllur gojën atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën.

Pyetje për Greqinë dhe Panajot Barkën

Shqiptarët e jugut janë masakruar nga ushtria e Greqisë. Përse nënat e jugut thonë greku i parë e greku i dytë?

Përse Greqia mban njëanshëm Ligjin e Luftës me Shqipërinë?

Greqia ka kryer gjenocid mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë apo jo?

A e ka shkelur Greqia Marrëveshjen e Lozanës për njohjen e minoritetit shqiptar në Greqi?

Përse Greqia nuk njeh kontributet pensionale për emigrantët shqiptarë, por vetëm për minoritarët grekë?

A ka Greqia pretendime territoriale ndaj Shqipërisë duke përkrahur dhe sponsorizuar zyrtarisht organizatat ekstremiste si MAVI, “Autonomia e Vorio Epirit 1914”, Shoqata “Vorio Epiri”, SFEVA, PASIVA, e kështu me radhë?

Përse ushtria greke gjatë paradave shtetërore ka kënduar këngë duke fyer dhe kërcënuar kombin shqiptar?

E pra, Panajot Barka ma merr mendja e vë re sa probleme kemi si dy vende fqinje që pretendojmë të ndërtojmë fqinjësi të mirë dhe partneritet strategjik. Siç shihet provokacionet janë tepër të hapura dhe të drejtpërdrejta nga Greqia, pa folur për veton për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ju, Panajot Barka jeni njëri nga ata që provokoni herë pas here ndjenjat e shqiptarëve duke mbajtur kallash në duar, duke u fotografuar me elementë ekstremistë nazistë grekë si Babis Karathanos, Kristo Papas i Agimit të Artë e të tjerë. Do të doja të na sqaroni se përse e mbani me krenari flamurin e aneksimit të jugut të Shqipërisë? Kësaj pyetje ende nuk i keni dhënë përgjigje.

Nuk mund të ketë asnjëherë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë të grekëve me shqiptarët, përderisa Greqia nuk kërkon ndjesë për gjenocidin e 1944-1945. Greqia si anëtare e Bashkimit Europian, NATO-s dhe e shumë organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duhet t’ju kthejë pasurinë e grabitur çamëve dhe të krijojë kushtet e rehabilitimin në trojet e tyre.

Për rikthimin e shqiptarëve në Çamëri nuk është se duhet të ndodhi ndonjë çudi, nuk është as e pamundur, por dy popujt duhet të jenë të përgatitur që rikthimi i çamëve të bëhet qetësisht, në mënyrë që paqja të vendoset përfundimisht midis dy fqinjëve.

Grekët duke qenë të ndërgjegjshëm se i kanë masakruar, grabitur dhe përzënë shqiptarët nga Çamëria pa kurrfarë faji, pa asnjë fakt të vërtetuar që kanë qenë bashkëpunëtorë të gjermanëve, gjithnjë në shpirtrat e tyre do kenë një ankth, një brengë për gjëmën e madhe që kanë kryer. Meqenëse grekët kërkojnë të duken si besimtarë të mëdhenj, ku kisha dhe shteti janë të pandarë, atëherë Zoti e mëshiroftë Greqinë dhe grekët ndaj mëkatit që kanë bërë.

Një zgjidhje paqësore e Çështjes Çame, ku shteti grek fillimisht të hiqte Ligjin e Luftës me Shqipërinë që do të lejonte çamët të vizitojnë varret e të parëve, shtëpitë gjysmë të rrënuara, do të ishin hapat kryesorë që do të ndikonin pozitivisht në tek të dy popujt. Këto veprime nuk janë të pamundura, nëse tek klasa politike e dy vendeve ekziston dëshira për paqe dhe miqësi duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën. Atë të vërtetë që duhet ta themi të gjithë bashkë, grekë e shqiptarë, nëse duam një fqinjësi të mirë, nëse duam një të ardhme paqësore dhe të sigurtë.

Historia, pavarësisht shtrembërimeve që i janë bërë ndër vite, nuk mund të zhbëhet, por do dalë në sipërfaqe në vendin dhe kohën e duhur për të na rikujtuar gëzimet apo dhimbjet që na ka shkaktuar.

Në përfundim, Panajot Barka ju drejtohem, nëse vërtetë e doni miqësinë e sinqertë greko-shqiptare urdhëroni dhe bëhuni ju dhe unë bashkë e t’i dërgojmë pleqtë shqiptarë nga Çamëria për të vizituar shtëpitë e tyre, ku kanë jetuar dikur. Bëhuni ju njeriu urë lidhëse që Çështja Çame të zgjidhet paqësisht duke udhëhequr autobusët për në Filat, Margëlliç, Gumenicë, Paramithi, Pargë e gjetkë. E pra, a mund ta bëni ju, profesori i grekëve të Shqipërisë një veprim të tillë sa paqësor, aq edhe njerëzor?

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, Panajot Barka, Post Kreta si verifikim…

Heronjë që i rrinë Shqipërisë kurorë

November 18, 2017 by dgreca

Rrapo hekali

Shkruan: Dr. Nuri Dragoj/

Monografia “Rrapo Hekali dhe legjenda e një fisi martirësh”, të autorëve Nuri Plaku dhe Robert Hamitaj, është një studim me vlerë të madhe historike, pasi ndriçon për herë të parë, në të gjitha përmasat e veta, veprën heroike të Rrapo Hekalit dhe trimave të fisit Hamitaj, të cilët janë sakrifikuar në breza për çështjen shqiptare. Referimet historike, burimet e shkruara dhe të pashkruara më parë, pasqyrimi me kujdes dhe në gjerësi i folklorit të kohës, përdorimi i metodave krahasuese në beteja të kryera nga trima të tjerë, në atë trevë e më gjerë, ka shërbyer për të saktësuar më mirë përmasat e luftëtarit të shquar.Autorët na kanë dhënë me kujdes zhvillimet historike të kohës, reformat perandorake, cënimin prej tyre të popullsisë së varfër shqiptare, reagimin e saj dhe kundërveprimin e shtetit osman me anë të dhunës e terrorit, me objekt nënshtrimin e të pabindurve. Por nuk ishte e lehtë për të, pasi në radhët e popullit gjendeshin individë me ndërgjegje e karakter të fortë, që dilnin vetvetiu në krye të turmave dhe mbronin interesat e tyre. Këtë bëri dhe Rrapo Hekali në shekullin e XIX, pasi nuk pajtohej me taksat e larta dhe marrjen e djemve nizam, të cilët shkonin me vite në luftëra të ndryshme të perandorisë, me objekt zgjerimin e trojeve të saj në dëm të popujve të tjerë. Shumica e tyre nuk kthehej më dhe kjo ishte e dhimbshme për popullin fukara. Mjaft interesante është çimentimi i veprimtarisë luftarake dhe qëndrimit kombëtar të Rrapo Hekalit në folklorin e asaj treve, pasqyruar në gjerësinë dhe thellësinë e vetë, duke i dhënë vend të rëndësishëm në këtë aspekt, mbase direkt pas Skënderbeut. Disa nga paria thanë,/ U zu Rrapua me pashanë,…/ – Jemi popull fukara, / Po rrojmë me lakëra,/ Katër shtëpi me një ka.

Në libër na jepet me kujdes revolta për taksat, e cila vjen në rritje dhe gradualisht kthehet në kryengritje të armatosur, duke u shtrirë në gjithë jugun e Shqipërisë. Aty dalin qartë përpjekjet për organizimin e kryengritjes, zgjedhjen e komandantëve dhe vendosjen e trimave nën drejtimin e tyre. Këto zgjedhje bëheshin me kuvend, pasi vetëm në këtë mënyrë i pari i fshatit, krahinës a gjithë trevës, mund të ndiqej me vullnet nga vegjëlia. Dhe kënga thotë:                                    Folën ca, e pastaj thanë,/ Duhet zgjedhur një komandë,/ Njëzëri të gjithë me radhë,/                                     Të parë vunë Rrapo Hekalë… Dhe ai e justifikoi besimin e tyre, pasi nuk u tërhoq nga fronti për asnjë çast, duke qenë vetë në ball të luftimeve: Hajde more Rrapo Hekali,/                                              Kur thërret, sa tundet mali!

Në monografi pasqyrohet me kujdes karakteri burrëror i Rrapo Hekalit, i cili me veprimet e tij nuk lë më të voglin dyshim që, për interesat madhore të kombit të vet, të bashkimit të popullit dhe plotësimit të kërkesave të tyre, bënte gjithçka, me synim pajtimin e familjeve shqiptare në konflikte hasmërie. Ai e kishte kuptuar që, në moment të tilla historike, ishte e nevojshme të linin pas krahëve mëritë me njëri-tjetrin, madje të falnin dhe gjakun, pasi hakmarrja midis shqiptarëve nuk mund të zinte vend në një kohë që mungonte liria, për fitimin e së cilës kërkohej bashkimi i shqiptarëve. Kjo del qartë kur ai i fal gjakun Mane Goxhajt, i cili kishte marrë jetën e babait të Rrapo Hekalit, një xhest ky që mbart vlera të mëdha për dje dhe për sot, madje për çdo kohë.

Libri na tregon dhe na mëson se njeriu me cilësi të larta morale, nuk ka liri të zgjedhë, pasi zgjedhja e tij është përcaktuar që në gjenezë, ngaqë liria e zgjedhjes te njeriu është pjesë e prirjeve të kundërta të tij. Sido që ta bëjmë zgjedhjen, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, dy janë rrugët: Do të përballemi me zgjedhjen që buron nga një veprim i diktuar nga arsyeja apo nga pasione irracionale, sepse problemi i zgjedhjes nuk është çështje e mundësive të barabarta. Në rastin e personazheve të skalitura në monografinë e Plakut dhe Hamitajt, përballemi me njerëz që kanë përqafuar zgjedhjen e progresit në kundërshtim me regresin, të burrave që kanë preferuar të ushqejnë dashurinë dhe të shpërndajnë urrejtjen, të luftëtarëve që kanë vlerësuar mbi gjithçka pavarësinë dhe lirinë në kundërshtim me skllavërinë.

Me gjithë punën e madhe dhe pasqyrimin e gjerë të veprimtarisë luftarake e patriotike të Rrapo Hekalit, autorët kanë bindjen se materiali nuk është shterues, pasi ende ka nevojë të zbardhen dokumente osmane të panjohura deri tani, të sqarohet qëndrimi i qeveritarëve të kohës, rast pas rasti, deri te sjellja e sulltanit ne raport me jetën e veprën e heroit në fjalë.

Praktika e kombit shqiptar dëshmon në mënyrë të pakundërshtueshme vizionin realist në kërkim të lirisë. Nevoja ka bërë që ata të ndërgjegjësoheshin se liria mund të fitohej vetëm atëherë kur kërkohej nga tërësia e individëve dhe jo nga një individ të veçantë. Vetëdija e shqiptarëve, në shekuj, ka reaguar pa ndonjë vendim politik, i çfarëdo lloi qoftë ai, përherë në kundërshtim me mendësitë e regjimit pushtues, pa iu trembur reprezaljeve që ushtronte makina ushtarake, pa u urdhëruar nga askush, duke u përfshirë vullnetarisht në breza, në luftën për liri. Pra kemi të bëjmë me një moral, me rivlerësim të besimeve që udhëhiqnin sjelljen shoqërore të njeriut të lirë, i cili drejtohej nga nevoja e një koncepti shoqërisht të përbashkët, për një jetë më të mirë, gjë që mbështetej krahas përmbushjes së kënaqësive individuale, edhe në gatishmërinë për të shkrirë krejt pasurinë, pa kursyer as jetën për idealin e lirisë.

Është kjo arsyeja që, përpjekjet e autorteteve osmane, për ta detyruar Rrapo Hekalin të tërhiqej nga qëllimi i tij, apo për ta bërë për vete, të dështonin me turp përherë, në një kohë që nuk munguan luftëtarë të tjerë që u nënshtroheshin kushteve të caktuara nga sulltani, në këmbim të parave, ofiqeve apo pasurisë. Pikërisht këto çedime në radhët e luftëtarëve janë bërë shkak për depërtimin e ujit të ndotur nën rrogozin e frontit popullor. Por Rrapo Hekali nuk mund të tradhëtonte vegjëlinë, të cilëve u kishte dhënë besën, sepse edhe ata kishin bërë atë çfarë ai u pati kërkuar. Dhe kjo reflektohet në këngën popullore që thotë me forcën e fjalës: – O Rrapo, jepu, pse s’jepe? / – Si të jepem, ku të vete? / S’i them dot Sulltanit peqe, / Kam fukarenjtë me vete, / Unë thirr e ata lepe…

Qeveritarët i kujtonin Rrapos edhe pasojat me të cilat do të përballej për shkak të mosbindjes, por trimi tallej me to, duke vënë në plan të parë interesin e shqiptarëve dhe jo jetën e vet: “Mu në djall le të vete”, – ishte përgjigja e tij. Sepse jeta e individit, nuk kishte kuptim pa atë të tjerëve, pa lirinë e mëmëdheut të vetë. Pikërisht pas kësaj, populli do ta gdhëndte në këngë pavdekësinë e heroit: – Rrofsh, o rrofsh, se e rrëfeve, / Si disa ti su gënjeve, / Kafshatën me gjak e ngjeve, / Si xhevahir shkëlqeve.

Kafshatën me gjak e ngjeve! Një varg goditës, shokues, kryevarg i këngës popullore kushtuar Rrapo Hekalit, që i kumbon në vesh për kohë të gjatë, gjithkujt që e lexon, varg që ngre peshë zemrat shqiptare dhe shumfishon dashurinë për atdheun dhe veprën e heroit. Pasqyrimi me mjeshtëri e realizëm i jetës së Rrapo Hekalit apo breznisë së Hamitajve nga autorët e librit, na tregon dhe njëkohësisht na bind se në çdo kohë duhet të bëjmë zgjedhjen drejt të mirës, sepse kështu bëhemi pjesëtarë të veprimeve pozitive të shoqërisë, në dobi të kapërcimit të baticës së njerëzimit. Sjelljet dhe veprimet pozitive përforcojnë vullnetin e shoqërisë njerëzore drejt prirjes së paqes në botë, në shmangien e forcave regresive që na shpien drejt vdekjes. Regresive nuk janë forcat që ngrihen për liri, por ato që ushtrojnë dhunën, ato që tentojnë t’u zënë frymën popujve, ata që luajnë me jetët njerëzore për zgjerimin e trojeve sunduese, apo për shfrytëzimin maksimal të pasurive dhe djersës së kombeve të robëruar. Nga gjithë historia e heroit tonë të Hekalit dhe shokëve të tij, kuptojmë që njerëzimi dëmtohet, gjunjëzohet, shtypet e masakrohet, jo thjesht nga mizoria e brendshme e zemrës njerëzore, por në radhë të parë nga paaftësia e tërësisë së individëve për të qenë të vetëdijshëm, lidhur me rrugën që duhet zgjedhur. Dhe nëse të gjithë do të vepronin si Rrapo Hekali, nuk do të kishte vend për sundim perandorish, për sundues të egër shekullor, të cilët thellojnë errësirën dhe mjerimin.

Autorët sqarojnë dhe momente kritike, të cilat deri tani kanë qenë të errëta, apo të publikuara pa u menduar, pa analizë të fakteve historike, pa bërë ballafaqimet e tyre në kohë. Një prej këtyre momenteve është pasuria e Rrapo Hekalit. Studiuesit e jetës dhe veprimtarisë së personazhit kryesor të librit tregojnë se ai e vuri pasurinë në shërbim të çështjes kombëtare. Dhe këtë e japin hap pas hapi me një sërë argumentesh, pa u mjaftuar me të dhënat e autorëve të ndryshëm. Natyrisht ato nuk lihen mënjanë, por jepen duke iu nënshtruar analizës historike të ngjarjeve me logjikë të ftohtë, por dhe duke i ballafaquar me të dhëna të tjera, të cilat çojnë në përfundimin se pasuria e tij nuk ka qenë produkt i dhuratës së Alush Bej Frakullës, por e trashëguar nga të parët e vet. Pra është pronë e fisit të tij, e cila ka kaluar në breza, nga njeri tek tjetri.

Duke lexuar këtë libër, njihemi në detaje me historinë e burrave me emër që kanë patur në gen dashurinë për atdheun, burrërinë, aftësinë organizuese dhe drejtuese, besën e dhënë. Të tillë janë Hasan Hamit Hekali, Hamit Hasan Hekali, Rrapo Hasan Hekali, Selfo Hamit Hamitaj, Kasëm Selfo Hamitaj, Hamit Kasëm Hamitaj, Sabri Hamit Hamitaj, Hajredin Hamit Hamitaj, Qazim Selfo Hamitaj, Hysen Qazim Hamitaj, Rrapo  Hysen Hamitaj, Namik Qazim Hamitaj, Hajredin Musa Hamitaj, Shaqir Musa Hamitaj, Novrus Shaqir Hamitaj, Fuat Novrus Hamitaj, Qemal Shaqir Hamitaj, Njazi Qemal Hamitaj, Nasibi Qemal Hamitaj, Behar Qemal Hamitaj, Xhevat Novrus Hamitaj, Riza Musa Hamitaj, Shaban Musa Hamitaj, Nishat Shaban Hamitaj, Bastri Novrus Hamitaj, Ali Muhedin Hamitaj, Hysen Halim Hamitaj, Hajdar Halim Hamitaj, Sami Hajdar Hamitaj etj.

Pasi lexojmë librin e kuptojmë edhe më mire, që veprimet njerëzore janë të kondicionuara dhe të programuara, por ndërsa kafshët veprojnë të nxitur nga instikti, njeriu udhëhiqet dhe vepron në mënyrë të ndërgjegjjshme. Kush vepron jashtë ndërgjegjes, është e sigurt që humbet. Ruajtja apo shfaqja e identitetit të njeriut, ruajtja apo fitimi i lirisë, është rezultat i veprimeve të veta, të cilat jo në çdo rast arrihen, madje shpesh herë paguhen shtrenjtë dhe kolektivisht, sepse dihet që e keqja është shmangie ndaj ekzistencës së thelbit tonë. Dhe në rastin e monografisë “Rrapo Hekali dhe legjenda e një fisi martirësh”, shohim që sjellja e Rrapos me shokë bëri që të digjej dhe masakrohej tërë fshati. Por të mos harrojmë që ndërgjegja qytetare nuk u përdhos, madje ajo u ngrit edhe më lart, pasi u bë pronë e gjithë banorëve. Madje, bashkë burrat luftuan edhe gratë. Ndaj kënga thotë: Kur u dogj Hekali mjerë,/ Erdhë me mijra asqerë, / U vu flaka derë më derë, / U bë ngado ylyver, / Dolli tym e mori flakë, / Vranë burrat, therën gratë…

Populli di t’i mbajë në zemër trimat e vetë. Autorët kanë ditur të na japin në mënyrë të veçantë edhe trimërinë e vajzave dhe grave, përkrahë vëllezërve dhe djemve të tyre, shërbimet që ato kanë kryer në vijën e frontit, duke e ngritur edhe më lart prestigjin e gruas mallakastriote në veçanti dhe asaj shqiptare në përgjithësi. Në krahë të luftëtarëve ranë shumë gra, midis të cilave ishte dhe njëra me emrin Merushe, nuse e një djali të rënë në betejën e Beratit. Pa u zhytur në arkiva, një pamje të gjallë të pjesëmarrjes së tyre në këtë betejë e përftojmë nga vargjet e këngës së njohur popullore: Moj Merushe, moj burrneshe / Nuk ke vdek, por je pranë nesh, / Me qendresën e trimërinë, / Ti vulose pavdekësinë.

Rezistenca e mallakastriotëve jepet në libër e plotë, me forcën dhe kohëzgjatjen e saj, por ne e dimë që ushtria perandorake ishte e shumtë në numër dhe me armatime moderne, në një kohë që kur luftëtarët shqiptarë qenë në numër të kufizuar dhe zotëronin armë dhe municion të paktë. Për pasojë, rrethimet me ditë të tëra të trimave, shpesh përfundonin me dëshpërim, ndonëse binin disa dhe ngriheshin të tjerë, njëri pas tjetrit, sikur mbinin nga dheu. Rrapo Hekalë e zunë,/ Në Manastir ç’e shpunë, / Në hapsanë seç e funë….

Pavarësisht nga disfatat e pësuara për arsye të ndryshme, autorët na tregojnë se kryengritjet antiosmane të Shqipërisë së Jugut patën rëndësi të madhe, ngaqë e ngritën lëvizjen çlirimtare të popullit shqiptar kundër zbatimit të reformave të Tanzimatit në një shkallë më të lartë, në aspektin e përmbajtjes, shtrirjes e organizimit të tyre dhe, në mënyrë të veçantë, për bashkimin e shqiptarëve, pavarësisht nga krahina e banimit apo besimi që përfaqësonin. Ato ishin manifestime të karakterit antifeudal të fshatarësisë shqiptare kundër sundimit osman, dëshmuan solidaritet popullor, shërbyen për rilindjen e Shqipërisë, hodhën bazat për kërkimin e autonomisë kombëtare, rritën ndërgjegjen patriotike, forcuan ndjenjën e ruajtjes së moralit dhe indetitetit kombëtar.

Autorët nashpjegojnë hap pas hapi, se nuk ishte vetëm një Rrapo që bënte kërdinë mbi osmanët i pagjunjëzuar para tyre, por edhe dhjetëra shokë të tij që ndiqnin të njëjtën rrugë. Ata që shiteshin për një qese flori, siç ishte rasti i Shaban bej Peshtanit, të personifikuar me epitetin “dhelpra e marsit”, nuk mund të liheshin të gjallë. Dhuratat e marra nga bejlerët dhe agallarët, të cilët i kishin shërbyer dovletit me tradhëtinë e tyre kundër kryengritësve, u bënë të njohura për ta, ndaj i zunë pritë Shabanit në qafën e Sqepurit, ku morën pjesë edhe komandantët Sulo Zeneli, Rrapo Toro, Likë Zeqo dhe Lulo Duraj. I bënë gjyqin po aty dhe e ekzekutuan. Këtë ngjarje e ka përjetësuar dhe kënga popullore: Shaban Peshtani effendi,/ Me atë që na ke bërë ti,/ I thonë puro tradhëti…/ Shumë nëna janë në zi,/…Nuk mund të lëmë gjallë,/ Se plumbin e ke hallallë, / Nuk jemi neve si ti, / Që të shitemi për flori.

Të njëjtin rrugë ndoqën dhe burra të tillë si Like Zeqo, një nga trimat e Rrapos nga Drizari, i cili i rezistoi rrethimit shtatë ditë dhe, pasi iu mbaruan fishekët, vrau veten. Ja si e përshkruan kënga aktin trimëror të tij: Like Zequa nga Drizari,/ Zuri dyfekun i pari,/                                         Shtatë ditë e shtatë netë, / Luftoi Like Zequa vetë.

Lufta për të drejtat e shqiptarëve nuk është ndalur për asnjë çast. Pas Rrapo Hekalit shohim Selfo Hamitin që bënë të pamundurën për mësimin e gjuhës shqipe. Autorët e librit na japin gjendjen në krahinën e Gjirokastrës, Vlorës dhe Beratit, të cilat në vitin 1878 administronin 80 shkolla në gjuhën osmane, 163 shkolla në gjuhën greke dhe asnjë shkollë në shqip. Me përpjekjet e atdhetarëve filloi mësimi i gjuhës shqipe. Në trevat veriore kujdesej kisha katolike dhe në jug, qendra ku lëvrohej ghuha shqipe, ndonëse me alfabet arab, u bënë teqet e bektashinjëve. Focimi i ndërgjegjes kombëtare çoi në mbajtjen e Kuvendit të Gjirokastrës, më 23 korrik 1880, sipas të cilit populli shqiptar do të mund të siguronte të drejtën e egzistencës së tij, si pjestar i familjes së popujve europian, vetëm duke dalë nga prapambetja dhe duke ndjekur shëmbullin e shteteve  më të përparuara.

Në libër na jepet në vijim veprimtaria patriotike e fisit Hamitaj, roli i tyre në kryengritjet e viteve 1911-1912, ndihmesa e dhënë në shpalljen e Pavarësisë dhe stabilitetin e rendit, përballimin e rreziqeve që vinin nga pushtimi grek, serb e malazez, përballja me forcat rebele të Shqipërisë së Mesme, ku u vra dhe Hajredin Fratari.

Vitet rridhnin dhe zhvillimi i punimeve të Konferencës së Paqes së Versajës (1919-1920) thirri në skenë Kongresin e Lushnjës që kërkoi largimin me forcë të trupave italiane nga Shqipëria. Për organizmin e kryengritjes së armatosur u krijua dhe Komiteti Mbrojtja Kombëtare, i cili nuk u pa me sy të mirë nga Roma, ndaj komanda ushtarake nisi një aksion të ri për të neutralizuar veprimtarinë e tij atdhetare. Veprimi i parë ishte përpjekja për të mbledhur armët që gjendeshin në duart e popullsisë civile. Për të patur sukses në këtë aksion, ata u premtuan njerëzve nga 3 deri 5 napolona për çdo armë që do të dorëzohej. Por kryesia e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e kuptoi grackën që po ngrihej prej ushtarakëve të Romës dhe mori masa për të neutralizuar planin e tyre. Komiteti këshilloi banorët t’i bindeshin vetëm atij, pasi ishte institucion i ngritur prej shqiptarëve dhe do t’u gjendej pranë për çdo rast nevoje. Kjo bëri që jo vetëm armët të mos dorëzoheshin, por të shtoheshin radhët e luftëtarëve shqiptarë.

Ardhja e kolonel Castoldit* me detyrën e komisarit të lartë italian në Shqipëri, krijoi debate midis grupimeve politike e intelektuale. Një pjesë ishin për të mos bërë asnjë lëshim, të tjerët këshillonin të mos nxitoheshin. Madje kishte dhe nga ata që mendonin se një vend i vogël, me politikanë që kishin sjellë vetëm trazira, e kishte të vështirë mbijetesën, aq më tepër që nuk kishte ushtri e disiplinuar, financiat qenë në gjendje kritike dhe nevoja për ndihmë morale e materiale ishte e madhe. Pavarësisht nga gjendja e krijuar, patriotët shqiptarë e kuptuan se për të ardhmen e Shqipërisë nuk mund të kishte zgjidhje tjetër veç pushkës, aq më tepër kur dyert e Fuqive të Mëdha ishin të mbylluara.

Situata vinte duke u tensionuar. Komanda e Tepelenës pati deklaruar se nuk e njihte nënprefektin e caktuar nga qeveria shqiptare, pasi ata vareshin nga Vlora. Në këto kushte, forcat shqiptare u detyruan të tërhiqeshin, ndërsa Piacentini u ktheu topat dhe mitralozët xhandarëve shqiptarë në Tepelenë, sepse kërkuan të merrnin në dorëzim administratën. Madje u burgosën disa nacionalistë që nuk pranonin kthimin e vendlindjes së tyre në koloni italiane. Pas kësaj, nënprefektit të Tepelenës, Sulejman Sefedin Shehu, iu kërkua të jepte dorëheqjen, në bazë të ligjeve të shtetit të ri shqiptar, pasi emërimi dhe shkarkimi i tij varej nga qeveria dhe jo nga komanda ushtarake italiane. Por ai nuk pranoi. Atëherë Komiteti Mbrojtja Kombëtare i Tepelenës vendosi që nënprefekti të vritej dhe më 26 mars, në kohën që kthehej nga Luzati, atij iu bë atentat.

Në kushte të tilla gjithë jugu i Shqipërisë u ngrit në këmbë. Autorët e këtij librit na japin me detaje heroizmin e treguar prej fierakëve në Luftën e Vlorës, ku Qazim Selfo Hamitaj kishte marrë hijen e një udhëheqësi politik, ndërsa komandant i përgjithshëm i forcave të Mallakastrës së Sipërme qe zgjedhur Halim Hamiti. Forcat e Mallakastrës së Sipërme nën udhëheqjen e Halim Hamitit mbajtën me sukses frontin e Risilisë. E njëjta gjë duhet thënë edhe për luftëtarët e Bektash Cakranit. Mdje fierakët zbuluan dhe planet e fshehta të komandës italiane, duke ua djegur planin e bërë dhe vrarë qindra ushtarë. Halim Hamiti dhe shokët e tij morën pas vetes djemtë dhe nipërit dhe luftuan heroikisht. Populli nuk harroi t’u këndonte heronjve të gjallë dhe të vdekur, për gjithçka bënë duke e hedhur ushtrinë italiane përtej Adriatikut. Nëntëqintë e njëzetë viti, / Mallakastra seç buçiti,/ Komandant Halim Hamiti, Vegjëlinë seç e ngriti, / Sipër Vlorës e vërviti…

Pjesëmarrja në revolucionin e qershorit 1924 dhe ngjarje të tjera e ngrenë përherë e më lart emrin e luftëtarëve mallkastriot. Ata dalin në plan të parë edhe në organizimin e çetave nacionaliste në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë, i shohim komandat çetash e batalionesh, fis që janë vrarë në shekuj për lirinë e Shqipërisë dhe përsëri djemtë e të vrarëve e pas tyre nipër e stërnipër, kanë bërë të njëjtën gjë. Nuk u dhimbsej jeta kur binin në përpjekje me armikun. Zemra e tyre qe gati të pëlciste kur lufta bëhej për pushtet, kur harroheshin trojet shqiptare të Kosovës e Çamërisë, kur vëllai vriste vëllain, kur urrejtja për njëri tjetrin mbillej me shpejtësi dhe ujitej nga politika e Beogradit. Autorët na japin detaje rreth mendimeve të kundërta që kishin me komunistët, të cilët ndikoheshin nga politika slave. Kjo ndodhte sepse Hamitajt nuk pajtoheshin me yllin e Stalinit, por nga ana tjetër, si nacionalistë që ishin, nuk rezulton për asnjë çast që të kenë hequr dorë nga lufta kundër okupatorit. Megjithatë, terrori komunist i ndoqi hap pas hapi, me synim shkatërrimin e fisit të tyre. Askush mga krerët e shtetit komunist apo të partisë-shtet nuk u kujtua që ata burra të shquar që burgoseshin pa shkak dhe vdisnin qelive, ishin pjesë e asaj familje të lavdishme të krahinës së Mallakastrës. Bukur e thonë autorët e librit. Ndërsa Enver Hoxha fliste me mburrje për traditën luftarake të popullit mallakastriot dhe përmendëte heroizmin e Rrapo Hekalit, pasardhësit e tij vuanin dënimet më çnjerëzore. Është i pakuptueshëm fakti që nxënësit në shkollë edukoheshin me aktin heroik të Rrapo Hekalit, ndërsa stërnipërit e heroit ishin privuar edhe nga e drejta më elementare për arsimim.

E megjithatë, me sjelljen e fakteve të tilla kuptohet lehtësisht se ishte vetëdija ajo që përcaktoi vendimin e zgjedhjes së rrugës më të mirë nga krerët e popullit shqiptar, pavarësisht nga krimet e komunizmit. Kuptohet që kjo nuk ishte vetëdije tradicionale, e sugjeruar nga autoritetet, por një vetëdije që e mëson vetë njeriu, brenda të cilit përfshihen edhe dëshirat e pavetëdijshme. Por nëse kjo zgjedhje nuk bëhej në çastin e duhur, më vonë do të ishte e pafrytshme. Midis skajit kur mund të bëhet veprimi i gabuar dhe anës tjetër kur humbet mundësia e veprimit të drejtë, ka disa shkallë të lirisë së zgjedhjes, ndaj kur merren vendime të rëndësishme në kundërshtim me ndërgjegjen, për shkak të frikës së opinionit, rrezikut të disfatës apo lakmisë së përfitimeve në mënyrë të padrejtë, humbja është e sigurt. Dështimi ndodh kur nuk e shohim që jemi në udhëkryq dhe duhet të vendosim, pasi një pozicion i përcaktuar, në çdo situatë konkrete ka vetëm një mundësi zgjedhje. Pikërisht sepse këta individë kanë bërë zgjedhjen e duhur, kanë siguruar mbijetesën dhe nuk kanë humbur si njerëz. Ata mbetën pjesëtarë të udhëtimit të kombit dhe, me veprën e tyre, do të ndihmojnë vazhdimisht në kapërcimin e baticave me të cilat përballet shpesh njerëzimi. Hamitajt edhe kur dhanë jetën e kishin të qartë se veprimet e mira të çdo kombi përforcojnë vullnetin e shoqërisë njerëzore drejt prirjes së paqes dhe ndihmojnë në shmangien e forcave regresive që na shpien drejt vdekjes. Pavarësisht nga sjellja e komunistëve ndaj tyre, përsëri ata mbeten në piedestalin e atyre heronjëve që i rrinë Shqipërisë, në çdo kohë, kurorë mbi krye, burim frymëzimi dhe shprese për këdo prej nesh. Mospërfillja e sistemit komunist ndaj kësaj kategorie heronjsh, përcaktohet mjaft mirë nga Erich Fromm, i cili në librin e tij “Të jesh apo të kesh”, thotë: “Nëse njeriu bëhet mospërfillës ndaj jetës, nuk ka asnjë shpresë që të zgjedhë të mirën. Atëherë me të vërtetë ai do të bëhet zemërgur deri në atë pikë saqë “jeta”e tij të marrë fund. Nëse kjo do t’i ndodhë gjithë njerëzimit ose pjesës më të madhe të tij, jeta e njerëzimit mund të shuhet në çastin e saj më premtues”.

* Kolonel Fortunato Castoldi, ishte anëtar i Komisionit të përcaktimit të Kufijve Jugor të Shqipërisë më 1913, më vonë ka kryer detyrën e këshilltarit të Princit Vilhelm Ëiedit në vitin 1914. Në vitin 1920 iu besua detyra e komisionerit të lartë italian për Shqipërinë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dr. Nuri Dragoi, Heronjë, që i rrinë, Shqipërisë kurorë

RREZIKU NGA RUSIA NDAJ PERENDIMIT

November 18, 2017 by dgreca

Shkroi Mark Najarian/

1-Kadeli-160x300-1

Perktheu per Diellin Gjon Kadeli/

Zyrtari i nalte i Departamentit te Shtetit Zotni Brian Hook tha se Rusia ka tregue aftesite e saj, si per stervitje te menihereshme ushtarake te permasave te vogla si edhe per stervitje te medha te planifikueme, si ato te koheve te fundit qe u quejten Zapad dhe u zhvilluen ne Belarus dhe ne Rusi.
Zotni Hook, i cili asht drejtor i zyres qe planifikon politiken e jashtme ne Departamentin e Shtetit  tha ne mbledhjen e Entit Transatlantik qe merret me ceshtjet e Rusise prane Qendres qe merret me Studimet Strategjike dhe Nderkombetare, se veprimet e Moskes gjate luftes ne Gjeorgji me 2008 dhe ato perpara disa kohe ne Ukraine jane “shkelje te Kartes se Kombeve te Bashkueme dhe te shume neneve te Marreveshjes se Helsinkit.”
Qendrimi i rrepte ndaj Moskes duket se asht ne kundershtim me perpjekjet e njoftueme nga administrata e Presidentit Donald Trump per te permirsue marredhanjet me Rusine, gja qe ka per qellim me zgjidhe krizat botnore; megjithese zyrtari ne fjale, sygjeroi se ka raste qe mund te bashkpunojme me Rusine.si per shembull per ceshtjen e Sirise dhe te Korese se Veriut.
Zotni Hook tha se rreziqet per Europen nga Rusia jane te ngjashme me ato  qe u perballue Perendimi gjate Luftes se Ftohet.Ai shtoi: si ne te kaluemen,kercnimi fillon  nga Balltikeu ne Detin e Zi.
Huk tha se” kercnimi i zakonshem nga Rusia asht i vertete. Ai premendi perpjekjet e Moskes per modrenizimin e paisjeve ushtarake dhe menyra se si jane te organizueme forcat ushtarake ne Europe,favorizon Rusine.
Zitni Hook,i cili asht nji keshilltar i nalte  i Sekretarit te Shtetit Rex Tillerson, paralajmeroi se Rusia asht tuej modernizue gjithashtu armet berthamore dhe menyrat e hedhjes se tyne;si edhe se Moska ka zhvillue nji rakete me mbushje berthamore, “tuej  dhunue ne menyre te qarte” traktatin per armet berthamore me rreze te mesme veprimi. Ai shtoi”si ne te kaluemen,Rusia perdor nji propagande qellimkeqe dhe disinfomimi, tuej shkaktue keshtu shrregullime shoqnore, shrregullime gjate zgjedhjeve te ndryshme; si edhe insitucionale ne zonen Euro-atlantike. Ai vadhdoi “ndryshimi i madh ndermjet Rusise se sotme dhe formes se kohes Sovjetike asht se ajo nuk ka nji ideologji te percaktueme (koherente), ku jep informata rreth veprimeve te saj. Por megjithe kete Rusia perban nji kercnim serioz.
Zotni Hook permendi si shembuj luften e Rusise kunder Gjeorgjise me 2008, aneksimin”ilegal”te Krimes qe asht pjese e Ukraines, dhe perkrahjen e saj ndaj kryengritesve ne Ukranen lindore, gja qe tregon se Moska nuk rrespektoi zotimet e saj qe nga fundi i Luftes se Ftohet.
Ai vuni perseri ne dukje,kerkesen e Shteteve te Bashkueme qe Rusia te riktheje “sovranitetin dhe integitetin tokesor te Ukraines.”, perpara se sanksionet mund te lehtesohen.” Ai gjithashtu u kerkoi vendeve antare te Aleances se Natos qe te shtojen perpjekjet e tyne pe sigurine dhe qendrueshmenine e zones Euroatlantike; tuej persetie keshtu  e Presidntit Trump qe te shtoje shpenzimet per mbrojtje ne Europe.
Zotni Huk  perfundoi tuej thane se Shtetet e Bashkueme vazhdojne te zotohen per t’iu kundervu rrezikut rus, por ne te njejten kohe tha se”ne e kuptojme, se asht ne te miren e perbashket me bashkpunue, ne qofte se nji gja e tille ndihmon interesat amerikane.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjona Kadeli, NDAJ PERENDIMIT, RREZIKU NGA RUSIA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1676
  • 1677
  • 1678
  • 1679
  • 1680
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT