• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U prehsh në paqe Prof.Xhaxhiu!

March 13, 2017 by dgreca

1-elida-bucpapaj-300x130

Nga Elida Buçpapaj/

Ka njëzet vjet që nëpër kuluaret e Tiranës ka qarkulluar rrejshëm se Prof.Myzafer Xhaxhiu ka bërë akt-ekspertizën për poetët e pushkatuar Genc Leka dhe Vilson Blloshmi.Asnjëherë, as shteti dhe as mediat, paçka se ishin në djeni të dosjes, nuk ndërhynë që ta zbardhnin të vërtetën.Megjithëse Prof.Xhaxhiu e kishte ndërgjegjen e pastër, ai reflektoi dramën e një njeriu të pafajshëm që “masakrohej” nga persekutorët e tranzicionit duke manipuluar opinionin publik me qëllimin e barazimit të viktimave me fajtorët sipas tezës famëkeqe bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë!

1 poetet e pushkatur

Ne Foto:Poetet e pushkatuar Genc Leka e Vilson Blloshmi/

Nuk ka si të vihet shënja e barazimit midis viktimës dhe persekutorit, po ashtu faji nuk është kolektiv!

Në diktaturë nuk kemi qenë të gjithë persekutorë.

Në diktaturë nuk kemi qenë të gjithë viktima.

Detyra e shoqërisë sot është t’i ndajë persekutorët nga viktimat.

Persekutorët, si pjesë e regjimit, kanë ekzekutuar krime. Ka patur edhe viktima që nën kushte terrori dhe frike kanë marrë njerëz në qafë. Kjo kategori mbetet prapë viktimë.

Shteti me të gjitha ingranazhet e veta duhet të hedhë dritë! Një shtet si ky yni, që mban të vërtetat në obskuritet prej çerek shekulli, është një shtet obskurantist.

Detyrë e shoqërisë është përpjekja për ta ndryshuar deri kur shteti të jetë i drejtë me qytetarët e tij.

Emri i Prof.Xhaxhiut nisi të lakohej rishtas që kur filloi të lakohej emri i Diana Çulit, duke u aluduar se, si ai, si Diana Çuli kishin bërë të njëjtën gjë.

Akt-ekspertiza e Diana Çulit kishte kontribuar në dënimin me pushkatim të poetit Genc Leka. Kështu insinuohej edhe për Prof.Xhaxhiun. Insinuohej me qëllim dhe dashakeqësi.

Deri kur u shfaq Ilirjan Blloshmi, nipi i viktimave dhe i  poetëve të pushkatuar që jeton në SHBA, i cili shqiptoi të vërtetën.

Ilirjan Blloshmin nuk e intervistuan televizionet në Shqipëri, nuk e intervistuan as gazetaret që do të duhej, nuk e intervistoi askush në Tiranë që pretendon se kryen me profesionalizëm misionin për të mbrojtur të vërtetën.

Ilirjan Blloshmi, që vijon studimet në SHBA dhe ashtu si xhaxhai i tij e ka prirje të shkruarit, u shpreh vetë në rrjetin social.

I shpreh mirënjohjen Ilirjan Blloshmit që ka dhënë kontributin e tij për të hedhur dritë në zbardhjen e së vërtetës, të nxirë nga gazetaria e tranzicionit shqiptar!

Ilirjan Blloshmi që e ka studjuar dosjen e poetëve të pushkatuar tha midis të tjerave se: “Pas ngordhjes së një mushke, me të cilën bënin transportimin e grurit të kooperativës, u arrestuan dhe u dënuan për krim ekonomik: Bedri Blloshmi 25 vjet burg, Rystem Dashi 25 vjet burg, Vilson Blloshmi 22 vjet burg dhe Genc Leka 22 vjet burg. Pas dhënies së pretencës është ngritur në këmbë njeri dhe ka thënë: Fëmijët e “kulakeve” duhet dënuar më rëndë. Ku është lufta e klasave? Vilsoni dhe Genci shkruajnë poezi të ndaluara. Ky njeri quhej Aqif Leka, (pseudonimi Qyskia). Pasi është bere kontrolli në shtëpinë e Vilsonit dhe Gencit, janë gjetur poezitë e tyre. Pas kësaj, prokurori i çështjes i ka kërkuar Lidhjes së Shkrimtarëve ndihmë për dy ekspertë letrarë. Lidhja ka dërguar Diana Çulin, Koçi Petritin, Muzafer Xhaxhiun dhe Nasho Jorgaqin. Nga të 4 ekspertët, Diana Çuli ka bere akt-ekspertize jo recense.  Nasho Jorgaqi dhe Muzafer Xhaxhiu kane bere kritike letrare (mjafton ta shikosh në dosje) prandaj ne nuk i kemi përmendur. Pas akt-ekspertizes, gjyqi vendosi: Bedri Blloshmi 25 vjet burg, Rystem Dashi 25 vjet burg, Vilson Blloshmi pushkatim, Genc Leka pushkatim“, përfundon Ilirjan Blloshmi.

Familjarët e viktimave nuk e kanë përmendur kurrë Prof.Xhaxhiun si pjesë e atyre që morën jetën e poetëve, ndërsa në kuluarët e tij obskurantizmi i tranzicionit është përpjekur ta njollosë përmes qarkullimit të shpifjes. Prof.Xhaxhiu ishte viktimë e obskurantistëve të tranzicionit shqiptar.

Unë po shkruaj për Prof.Xhaxhiun si për pedagogun e antikitetit grek dhe romak. Prof.Xhaxhiu e donte aq shumë lëndën e tij saqë  ishte njëjtësuar me përfaqësuesit e asaj periudhe aq të bollshme me filozofë, shkrimtarë dhe mendimtarë të ndritur. Kjo e bënte të mos ishte hipokrit dhe konformist me studentët sepse kjo periudhë e letërsisë nuk ishte censuruar dhe indoktrinuar nga ideologjia komuniste.

Ideologjia komuniste ndikonte tek të liqtë. Prof.Xhaxhiu nuk hynte në këtë kategori. Prof.Xhaxhiu i kushtoi jetën profesionit dhe studentëve dhe në këtë raport genuin, përjashtohej kategorikisht ligësia.”Studentët  vinin e iknin, për t’u hedhur në valët e jetës, kurse ti, si mësues mbetesh gjithmonë aty, si Feniks, që digjesh në flakën fisnike të rinisë, për t’u ringjallur i përtërirë”. Kështu shkruante Prof.Xhaxhiu për raportin midis tij si dijedhënës dhe studentëve. Ky raport është parim i jetës, që e zgjedh njeriu vetë, që nuk varet as nga partia, as nga regjimi sado kriminal qoftë ai.

Kur lexova statusin e Ilirjan Blloshmit që hidhte dritë dhe e pastronte figurën e Prof.Xhaxhiut nga intriga gati çerek shekullore u lumturova. Nëse Ilirjan Blloshmi do të pastronte edhe figurën e Diana Çulit, do të lumturohesha njëlloj. Por ai bëri dallimin sipas së vërtetës. Dhe e vërteta bën historinë.

Herakliu thosh se karakteri i njeriut është hyjnia e tij mbrojtëse. Prof Xhaxhiu hynte në kategorinë e përkufizuar nga Platoni “se njerëzit e mirë ndërmarrin veprime të përgjegjëshme pa patur nevojën e ligjeve”. Pra qoftë diktaturë apo demokraci, njeriu i mirë, pa marrë parasysh hetuesin, regjimin  nuk e ndyn veten. Ndërsa për njerëzit e liq, Platoni thoshte se “ata do të zbulonin tek ligji mundësinë për të bërë keq”, pra për t’u ndyrë edhe më.

Kush e ka njohur Prof.Myzafer Xhaxhiun, e kujton me një buzëqeshje në buzë. Nuk mund ta marr me mend se si ai e ka përjetuar intrigën. Ndofta e ka injoruar deri sa e ka pasur ndërgjegjen e pastër. Ndofta edhe ka vuajtur “damkën” e inkuizicionit të tranzicionit shqiptar. Kush e di! Por tani ka ardhur koha që të prehet i qetë, sepse e vërteta ka shkuar tek e vërteta. Platoni thoshte se e mira është e bukur. Unë do të thosha se e bukur është e vërteta.

U prehsh në paqe Prof.Xhaxhiu!

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Prof.Xhaxhiu!, U prehsh në paqe

Si mbeti Kosova pa ushtri?

March 13, 2017 by dgreca

skender-bucpapaj-voal1Nga Skënder Buçpapaj/Fëmijët që lindën më 1999, vitin kur nga Kosova u largua makineria serbe e luftës, tash janë 18 vjeçarë. Janë në moshën e rekrutimit në radhët e ushtrisë, ku ata të përgatiten ushtarakisht. Ndërsa ata që ishin 18 vjeçarë më 1999, tashi janë 36 vjeçarë. Kështu 20 vjeçarët dhe 30 vjeçarët e Kosovës, mosha më vitale e një populli, janë sot të papërgatitur ushtarakisht. Askujt nga brezi i ri i vendeve fqinje të Kosovës nuk i mohohet e drejta për t’u përgatitur në shërbim të vendit dhe të popullit të tij. Asnjë vend tjetër në botë, përveç Kosovës, nuk është pa ushtrinë e tij.

Si mbeti Kosova pa ushtri?

Kosova mbeti pa ushtri, ashtu siç mbeti me institucione gjysmake edhe sot, 18 vjet pas çlirimit dhe 9 vjet pas zyrtarizimit të pavarësisë. Në përballjen mes institucionalizmit, të përfaqësuar nga Rugova, dhe antiinstitucionalizmit, të përfaqësuar nga kundërshtarët e Rugovës, fitoi antiinstitucionalizmi.

Fajtori kryesor pse Kosova mbeti pa një ushtri të mirëfilltë, si të çdo vendi tjetër, është Hashim Thaçi. Pas përfundimit të Konferencës së Rambujesë, më 18 mars 1999, miqtë perëndimorë, vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkuan nga faktorët e Kosovës të dalin me një qeveri të unitetit, e cila të kryesohet nga përfaqësuesi i UÇK-së dhe në përbërje të saj të jenë edhe njerëzit e LDK-së. Kjo parakuptonte që çlirimi ta gjente Kosovën me qeverinë e saj, me parlamentin e saj, me presidentin e saj, me ushtrinë e saj, me të gjitha institucionet e saj shtetërore. Rugova dhe LDK-ja e kishin bërë lëshimin e tyre në emër të shtetit të Kosovës që po lindte në flakët e luftës.

Në ato ditë marsi, Bill Clinton, president i SHBA, dërgoi përfaqësues të tij Bob Dollin, republikan, mik i vendosur i shqiptarëve, të kujdesej nga afër që procesi i krijimit të qeverisë së unitetit të përfundojë me sukses. Dolli shkoi në Shkup dhe atje priti të takohej me Hashim Thaçin. SHBA dhe Clinton ishin tejet të përkushtuar e të interesuar që Kosovën çlirimi ta gjente shtet në plot kuptimin e fjalës.

Hashim Thaçi, në mënyrë demonstrative, nuk i shkoi Bob Dollit në takim në Shkup dhe miku amerikan, i dërguari i posaçëm i Presidentit Clinton, u kthye në Amerikë pa e takuar Thaçin. Në këtë mënyrë Thaçi dhe i ashtuquajturi krahu i luftës, të cilin ai e përfaqësonte, nuk e njihte parlamentin e Kosovës, nuk e njihte Presidentin e Kosovës, nuk i njihte asnjë nga institucionet e shtetit të Kosovës, të krijuara dhe funksionuese në mënyrë paralele, në mërgim dhe brenda vendit, në kushtet e pushtimit serb

Ndërkohë që Doll e priste Thaçin në Shkup, Thaçi dilte në televizionin e Tiranës, duke ngjitur dhe zbritur shkallët e Ministrisë së Jashtme së bashku me Paskal Milon. Dhe krijohej kështu Qeveria e Përkohshme e Kosovës e kryesuar nga Hashim Thaçi.

Ato ditë unë e kam ngritur zërin me forcë që Thaçi dhe krahu i përfaqësuar prej tij të pranonin në koalicionin qeveritar LDK-në, në mënyrë që në ditën e afërt të çlirimit, Kosova të ketë të gjitha institucionet e saj shtetërore. Thaçi dhe njerëzit e tij ishin të vendosur që pushtetin të mos e ndajnë me askënd tjetër. Kjo do t’i kushtonte Kosovës mungesën e shtetit edhe sot e kësaj dite dhe kushedi edhe për sa kohë.

Çlirimi e gjente Kosovën me dy qeveri, atë të Bukoshit dhe atë të Thaçit, të cilat nuk e njihnin njëra tjetrën. Në ditët e para të çlirimit, Bukoshi dha llogari para Parlamentit të Kosovës dhe e dha dorëheqjen tek presidenti Ibrahim Rugova. Nga ai moment parlamenti i Kosovës, qeveria Bukoshi dhe presidenti i vendit, të cilët nuk njiheshin nga pala tjetër, pushuan së vepruari. Deri më 19 shtator 1999 Thaçi do të ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme dhe Drejtor Politik i UÇK-së. Nga ai moment qeveria e tij pushonte së vepruari, UÇK-ja çmobilizohej, çarmatosehj dhe shndërrohej në TMK, Trupën Mbrojtëse të Kosovës. Ndërsa krahu politik i UÇK-së shndërrohej në PDK.

Në vjeshtën e vitit 1999 Kosova do të ishte pa asnjë institucion. Qeverisjen e saj e mori në dorë Këshilli i Përkohshëm Administrativ pranë UNMIK-ut, ku kishte anëtarë edhe përfaqësues të Kosovës të të gjitha përkatësive. Shërbimet e rendit, të sigurisë, të mbrojtjes, të drejtësisë i morën në dorë UNMIK-u dhe KFOR-i.

Shkrirja e institucioneve që u trashëguan nga periudha e mosbindjes qytetare, të sprovuara përballë pushtimit më mizor në histori, ishte një humbje e jashtëzakonshme për Kosovën, deri sot dhe, për kushedi sa kohë, e pandreqshme. Këto institucione përbënin themelin, bazamentin dhe katin e parë të ndërtesës së shtetit të Kosovës.

Ndërtimi institucional i Kosovës, e kam theksuar kështu edhe atëherë, nuk do të fillonte as nga themeli, as nga bazamenti, as nga kati i parë, por drejt e nga kati i dytë, si në gazmoret shkodrane. Ndërtesa e shtetit të ardhshëm do të mbështetej vetëm në ajër, në bosh, në zbrazësirë.

Ato do të zinin fill me pushtetin vendor (lokal) në fund të vitit 2000. Kështu, siç ua kam përsëritur shpesh ndërkombëtareve, bualli në Kosovë do të kapej nga bishti, nuk do të kapej nga brirët. Kjo mënyrë do t’i kushtonte Kosovës shumë kohë, shumë energji, shumë humbje të gjithanshme.

Zgjedhjet e para parlamentare u mbajtën në fund të vitit 2001. Më 2002 Kosova do të kishte parlamentin, qeverinë dhe presidentin e saj. Nuk do të kishte Ministri të Rendit, nuk do të kishte Ministri të Drejtësisë, nuk do të kishte Ministri të Jashtme, nuk do të kishte Ministri te Mbrojtjes. Nuk do të kishte fare polici të saj. Më 2008, kur zyrtarizohej pavarësia e vendit, Kosova do të kishte Ministri të Rendit dhe Shërbim të saj Policor. Drejtësia nga duart e UNMIK-ut do të kalonte në duart e EULEX-it. Roli i Ministrisë së Drejtësisë, i Prokurorisë, i Gjykatave të Kosovës do të ishte i vogël. Edhe sot e kësaj dite nuk ka ndonjë përparim të ndjeshëm.

Më 2009, Trupa Mbrojtëse e Kosovës (TMK), do të shndërrohej në Forcë të Sigurisë së Kosovës (FSK). Kjo do të kishte në qeveri rang ministrie, pra juridikisht, nga ai moment, ajo është ushtria e Kosovës, siç e pohon edhe Albert Rohani, zëvendësndërmjetësuesi ndërkombëtar i Ahtisaarit.

Ushtria në çdo vend është pjesë e Forcave të Armatosura, madje pjesë qendrore e saj. Krahas saj janë policia, shërbimet inteligjente, garda kombëtare e tjerë. Këto të fundit Kosova i ka ndërtuar. Ushtria e Kosovës, e quajtur FSK, nuk është e kompletuar. Për t’u kompletuar një ushtri duhet t’i ketë forcat tokësore, forcat ajrore, e tjerë. Ky kompletim do të kërkojë kohë, sepse ndërtimi i tyre do të bëhet me një gradualitet të caktuar.

Problemi më i ngutshëm është se Kosova e vitit 2017 është e papërgatitur ushtarakisht. Nuk mund t’i plotësojë kështu detyrat e saj të brendshme dhe në kuadrin e aleancave dhe miqësive të saj. Për të qenë në gjendje të përmbushjes së këtyre detyrave, moshat aktive, nga 18 deri 55 vjeç duhet përfshirë në shërbimin paraushtarak, në shërbimin nën armë dhe në shërbimin rezervë.

Doktrina e re e Amerikës së Trumpit kërkon nga të gjithë aleatët dhe miqtë e Amerikës, në NATO dhe jashtë saj, të bëjnë pjesën e tyre në kuadrin e sfidave me të cilat sot përballet Amerika, Perëndimi dhe Bota. Kosovës i takon të marrë pjesën e saj, sado të vogël në kuadrin e këtyre sfidave. Ushtria e Kosovës të kompletohet me një program të përbashkët me Amerikën dhe NATO-n.

Është absolutisht e konfirmuar se askush nuk rrezikohet nga kompletimi i Ushtrisë së Kosovës. Serbia, me një mbrojtje të armatosur deri në dhëmbë me të gjitha mjetet bashkëkohore, nuk mund të mëtojë se rrezikohet nga kompletimi dhe aftësimi bashkëkohor i Ushtrisë se Kosovës.

Sa është e domosdoshme prania ushtarake perëndimore, kryesisht amerikane në Kosovë, aq është e domosdoshme një Kosovë e përgatitur ushtarakisht në mënyrë bashkëkohore. Këtë, natyrisht, ta përmbushë nën përkujdesjen e plotë të SHBA dhe NATO-s.

Në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe në cilësinë e veçantë të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur këto ditë vendosmërinë për ta kompletuar sa më shpejt e sa më tërësisht Ushtrinë e Kosovës. Kjo vendosmëri meriton përkrahjen e plotë të të gjithë faktorëve të interesuar dhe të përkushtuar për suksesin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës dhe për paqen e stabilitetin afatgjatë në rajon e më gjerë.

Filed Under: Opinion Tagged With: pa ushtri, si mbeti Kosova, Skënder Buçpapa

Yjet e Javës së Modës Shqiptare në New York

March 13, 2017 by dgreca

5Cilët janë yjet e Javës së Modës Shqiptare në New York? /
Nga: Ermira Babamusta /
2-2
 Java e Modës Shqiptare (24-27 Mars 2017) rikthehet sërish këtë vit në një tjetër lokacion historik të New Yorkut. Kaufman Astoria Studios është një kompleks masiv në Queens, Astoria të New Yorkut, hapur që në vitin 1920. Sot konsiderohet si “lakmia e Hollivudit” në New York dhe bukuria e artë “Golden Age Beauty”. Organizuar nga Agjencia e Modës Shqiptare (Albanian Fashion Agency) në New York me themeluese dhe drejtoreshë Mrika Krasniqi, Java e Modës Shqiptare hapet me natën e tapetit të kuq dhe mbrëmjen gala të Albanian Fashion Show, që do zhvillohet me 25 Mars 2017, ora 5:00-9:00 në Astor Room, Kaufman Studios. 
1-2
 
“Këtë vit presim që Java e Modës Shqiptare të jetë madhështore dhe një mbrëmje artistike e paharruar. Kemi më shumë dizajnerë që janë pjesë të programit dhe vendi  ku do zhvillohet shfaqja është shumë luksoz dhe i bukur. Vitin e kaluar është dëshmuar se interesi për të përcjellë nga afër punën e disajnerëve shqiptarë ka qenë shumë i madh. Ne kishim mbi 500 vetë në sallë, të cilët e pëlqyen pa masë këtë mënyrë të prezantimit të veshjeve të krijuar nga disajnerë shqiptarë nga vende të ndryshme të botës. Ftojmë publikun të marri pjesë edhe këtë vit në Albanian Fashion Show për të parë surprizat dhe argëtimet që kemi përgatitur enkas për shqiptarët e Amerikës,” tha Mrika Krasniqi, organizatorja e AlbFashion Show. 3
 
“Ndjehem krenare që arti shqiptar dhe talentet shqiptare prezantohen në Amerikë, duke sjellë kështu një pjesë të bukur të kulturës tonë, të përfaqësuar nga treva të ndryshme shqiptare. Këtë edicion ne jemi përqendruar kryesisht te kompanitë amerikane, të cilat potencialisht bëjnë blerje të koleksioneve të disajnereve europianë.” shtoi Krasniqi.  
 
Disa nga dizajnerët e famshëm të edicionit të dytë të Javës së Modës Shqiptare në New York janë: Ardi Asllani, Flora Select, Kadrije Brestofci, Jehona Bunjaku, Dashurie  Elshani, Dona Fashion, Aferdita Delaj & Aida Selimi, etj. Supermodele të mirnjohura shqiptare do prezantojnë kreacionet e artistëve të njohur shqiptarë nga treva të ndryshme, duke përfshirë edhe punime nga stilistë të rinj, bizhuteri, veshje popullore dhe punime artizanale.  
4
 
Javën e Modës Shqiptare në New York e bën interesante dhe prezenca e yjeve dhe VIP-ave, midis tyre përflitet të jenë të pranishëm Greta Koci, Eni Koci edhe Etnon. Një nga të ftuarit special të shfaqes është kërcimtarja e talentuar Etrita Abdullahu, e cila do performojë një vallzim klasik të baletit. 
 Për grimin e modeleve do kujdesen: grimerja e suksesshme Shqipe Namani, “NamaniBeauty” bashkë me ekipin e saj, Shqipe Gocaj & Besiana Hoti; si dhe stilisti i njohur Nazim Salihu “Noli Hairsalone” bashkë me ekipin e tij. Në mbrëmjen gala të 25 marsit do të ndahen 500 dhurata nga kompanija BYOB Hair Care. Ndërsa Biletat janë të gatshme në EventBrite 
(www.albanianfashionagency.com). 
7Përveç Javës së Modës Shqitare, regjizorja dhe producentja e njohur Mrika Krasniqi dhe Nil Production zhvillon edicionin e 6-të të Festivalit të Filmit Shqiptar në New York prej datës 26 deri më 29 maj, 2017 (www.albanianfilmweek.net). 6

Filed Under: Featured Tagged With: Ermira Babamusta, ne New York, shqiptare, Yjet e Javës së Modës

…Kur diktatura të vriste natën dhe të qante ditën…

March 13, 2017 by dgreca

…momente nga jeta e Dr. Federik Shirokes…/6 Shiroka ne sallen e operacioneve

Nga Pjeter Logoreci/*

Dr. Federik Shiroka, i konsideruar nga profesorët dhe kirurgët e huaj si një shqiptar me inteligjencë dhe talent të vecantë, përvec se në fushën e mjeksisë, luajti suksesshëm në teatër, zotëronte vegla muzikore dhe shumë gjuhë të huaja, por ishte i suksesshme edhe në sport.8 Shiroka e Dr Selaudin Bekteshi

Federik Shiroka si futbollist/7 Federik Shiroka e Zef Logoreci ne festen e flamurit

Në fillimin e karrierës së tij si futbollist, në adoleshencë, ai u aktivizua me ekipin e futbollit të shkollës së Jezuitëve e më vonë me skuadren e futbollit të Juventus-it, një shoqeri me të rinj katolikë, në Shkoder.

Në përmbledhjen “ Historia e Kulturës Fizike dhe Sportet në Shkoder në vitet 1900 – 1944, të autorëve Enver Bushati dhe Ibrahim Dizdari, një botim i Komitetit të Kulturës Fizike e të sporteve të rrethit Shkoder në vitin 1976, që për fat të keq nuk ka dalë në shitje, në kapitullin e 3-të, Krijimi i shoqërive nga viti 1922 – 1928 dhe aktiviteti i tyre fizkulturalo – sportiv, shkruhet:

Shoqeria “JUVENTUS”, me të rinjë katolike, ku një pjesë e sportistëve, pa marrë parasysh pasojat e rënda që do të kishin nga ana fetare, u bashkuan me shoqëritë laike, sic ishte “Studente Shkodra”. Këta sportistë ishin: Luigj Shala, Federik Shiroka, Anton Mazreku…etj…(faqe 35).

Shoqëria Juventus, ka zhvilluar edhe mjaft ndeshje ndërkombëtare sidomos me “Crnagoracin” dhe “BUDUCNOSTIN” e Malit të Zi, që ishin skuadrat e forta të kohës. Ndër lojtarët më të mirë të kësaj shoqërie përmenden: Pac Kovaci, Federik Shiroka, Lec Ndreka, Zef Kiri, Gac Gurashi…etj…(faqe 36)5 telegramet per vdekjen e Shirokes

Shoqeria “Studente Shkodra”. Kjo shoqëri në kundërshtim dhe në luftë të fortë me dogmat dhe demagogjinë fetare, pranoi që në themelim të saj, anëtarë me besime të ndryshme.  Kjo dha mundësi që aty të bëjnë pjesë elementë të shëndoshë dhe përparimtare pa dallim feje. Nga anëtarët e parë të kësaj shoqërie që punuan dhe kontribuan për mbarëvajtjen e sportit në qytetin tonë ishin: Ahmet Ashikja, Nikolla Verbica, Luigj Shala, Agostin Hila, Federik Shiroka, Anton Mazreku, Bahri Kopliku, Muhamet Halili, etj… Pjesa dërmuese e anëtareve të kësaj shoqërie ishin studente, të cilët ndiqnin shkollën në vendin tonë dhe jashtë atdheut. Në mes të tyre kishte edhe punëtorë. (faqe 37).

Skuadra e futbollit e kësaj shoqërie ka qenë një nga skuadrat më të para dhe më të fortat e asaj kohe, e cila ka zhvilluar shumë ndeshje lokale, kombëtare e ndërkombëtare. Përmendën si ndeshje të mira të saj, loja me shoqërinë “Juventus”, me “Djelmnia Shkodrane”, me “Sport Klub Tirana” dhe me “Ballshiqin” e Malit të Zi, ku dallohen si lojtarë të mirë: Rifat Rroji, Nikolla Verbica, Muhamet Hallili, Federik Shiroka, Refik Shpuza, Xhevdet Luloci, Mahmut Xhyheri etj… (faqe 39)

Edhe pse Dr. Shiroka i donte shumë fëmijët, fati e deshti që cifti të mos kishte trashëgimtare. Këtë mungesë Shiroka e vuante, prandaj ai mundohej kurdoherë që të ndihmonte prindërit në kushte ekonomike të vështira, ato me shumë fëmijë, në mëndyra të ndryshme humane. Shpesh qëllonte që mbas vizitës mjeksore në ndonjë familje punëtorësh me shumë fëmijë, ti zgjatnin para, të cilat gjithmonë i kundërshtonte me mirësi duke i këshilluar që me ato para të blenin ushqim për fëmijët.10 Shkodranet percjellin kirurgun3 diploma si gjinokolog nga Franca

Në dëshminë me shkrim “DISA KUJTIME ME DR SHIROKEN”, autori i saj

Aleko Dhima

…përshkruan miqësinë e tij me ciftin Shiroka me keto fjalë: “…cdo njeri në jetë është i rrethuar nga njerzit e tij, nga shokë dhe miq. Por nga të gjithë këta, më i afërt dhe i dashur është ai që të ndodhet pranë, që të vjen në ndihmë kur ti ke nevojë dhe je në hall, jo vetëm nga ana materiale, por edhe nga ajo shpirtërore. I tillë ka qënë dhe mbetet për mua Dr. Federik Shiroka. Me familjen e Federikut jam njohur për herë të parë në vitin 1948-të, kur isha vetëm 10 vjec, kur familjes time iu dha një hyrje në shtëpinë ku banonte doktori. Nuk më shlyhet nga kujtesa takimi i parë me të, i dashur, i thjeshtë, i qeshur e i afruar si prind i vërtetë. Unë atë kohë isha një djalë i vogël, që për arsye të ndryshme familjare isha i mbyllur, i pa veshur, i pa ushqyer, e mu ndodh pranë ky njeri. Ai më merrte shpesh me vete kur e thërrisnin për ndonjë vizitë urgjente, ku unë kisha dëshirë të mbaja cantën e mjeteve të vizitës. Pasi i vizitonte të sëmurët që i vinin në shtëpi ose u shkonte në shtëpi, të gjithë mundoheshin ti jepnin bakshish, por ky nuk i pranonte, e vecanërisht kur i shihte që nuk qenë mirë nga gjëndja. Për vizitë i vinin dhe shumë fshatar që mbanin qeleshe. Shumë herë kam qënë prezent, kur ata kërkonin ti jepnin bakshish, ky ia merrte, u hiqte qeleshen nga koka dhe jua fuste lekët nën qeleshe e duke ja vënë qeleshen i thoshte: bleja femijëve ndonjë send… Ai sillej shumë mirë me të sëmurët, por edhe me familjaret e tyre, i ndihmonte pleqtë duke ju mbajtur xhaketën, i mbante krahun dhe ngrihej i pari tua japë shkopin, dhe këtë e bënte jo për reklame apo për tu dukur, por se mbi të gjitha ishte njeri e pastaj mjek. Kam dëgjuar shumë pacientë të tij të thoshin…ai ishte shpirt njeriu… Gjatë gjithë kohës që kam jetuar pranë tyre, kanë qënë tepër të radha ditët kur Federiku nuk shfletonte libra mjeksorë. Kur kryente ndonjë operim të vështirë e të vecantë, pas buke, ulej dhe i përshkruante të gjithë veprimet në një fletore të posacme. …Shkruaj vetëm ato operacione, thoshte, që i bëj për herë të parë apo ato që patën dicka të vecantë… Biblioteka e tij personale qe e përqendruar në dy vende: në shtëpi dhe në dhomën e tij në spital. Librat i kishte kryesisht në dy gjuhë: në gjermanisht dhe në frengjisht, por kishte edhe në italisht. Në mes të librave vendoste fletushka të gjata me shënime: “Kryer ky operacion në 1948-ten në Tiranë”, “Operuar me sukses në Tiranë, me 1950-ten”, “kryer në Shkoder në 1945-sen”… Gjatë studimit të literaturës profesionale, nxirrte shënime në një fletore që e kishte kurdoherë me vehte. Aty shpesh bënte edhe skema duke përdorur lapsa me ngjyra. Cdo dy jave vinte në shtëpinë e tij një ish pacient nga biblioteka kombëtare dhe i sillte revista mjeksore në gjuhë të huaj. Tre vitet e fundit të jetës së tij, cdo të enjte shkonte që në mëngjes me bicikletë në sanatorium për të operuar të sëmuret nga bronket. Diten e enjte (kur kthehej heret) apo ditë të diele, lexonte literature artistike. Ai ishte i apasionuar pas Goethes, Heines dhe Viktor Hygoit, por krahas tyre, kisha parë të lexonte edhe poezi të Aleks Cacit e Llazar Siliqit, të cilin e kishte mik. Federikut i pëlqente shumë muzika, kryesisht muzika operistike e simfonike, por vecanërisht i pelqenin këngët shkodrane të kënduara nga Lucie Miloti e Xhevdet Hafizi. Njihte mirë kompozitorët e mëdhej si Verdi, Puccini, Rossini, Bahun, Mozartin, Vagnerin e Listin. Kam qënë shpesh me to në opera si Traviata, Rusalka, Ivan Susanin etj. Shpesh herë na u digjeshin biletat mbasi ai ose nuk vinte ose vinte me vonesë nga spitali. Në muajin maj të 1955-ses u caktua si anëtar i një delegacioni kulturor që do të shkonte në Moskë. Atje ai qëndroj mbi një muaj dhe gjatë kësaj kohe, kreu disa operacione në klinika të ndryshme dhe u cilesua nga specialistët atje si kirurgu me duar të arta. Kur u kthye, i tregonte me zell të madh ato që pa atje, tre shokeve të tij të afërt, Prof. Selaudin Bekteshit, Maksut Drrasës dhe Dhimiter Shytit. Një ditë të muajit gusht të vitit 1955-se, kur ishim në plazh në Hotel Hekurudha, nuk e ndjente vehten mirë dhe kur po delnim nga deti më tha: …mbaje mend Leko se unë do të vdes sivjet nga zemra… dhe ashtu ndodhi. Duke gdhirë 15 dhjetori, rreth orës 3 të mëngjesit dëgjova të shoqen që më thirrte me zë të lartë. Vajta te dhoma e tyre dhe pashë Federikun të zbehtë që me zor merrte frymë dhe me dorën e djathë mbi zemër. Familjarët e mi u nisën për të lajmëruar Dr. Mokinin dhe Feizi Hoxhën, të cilët rrinin jo larg shtëpis tonë. Pas 30 minutash erdhi Dr. Mokini, i cili pasi i dha ndihmën e parë duke i bërë një inxheksion, më përshpëriti vecmas …se Federiku ishte i mbaruar. Këto kujtime për Dr. Federikun më kanë mbetur të pashlyera dhe si fëmijë e kam konsideruar dhe do ta konsideroj gjithë jetën si prindin tim të dytë.”
9 varrimi ne RrmajDekorimet dhe Vlerësime ndër vite

Dr. Shiroka u dekorua, nga Kryetari i Kryesisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor Omer Nishani,  me Urdhërin e Punës të Klasit të I-rë, me dekretin Nr. 922, datë 5 shtator 1949, me motivacionin: I dalluar në mëndyrë të vecantë për punë të palodhur frytëdhënëse, për merita të cquara në aplikacionin e shkencave të mjeksisë, për cilësira të radha teknike, që me reultatet e mira të operacioneve dhe mjekimeve kanë kontribuar në shkallë të gjërë në përforcimin e shëndetit të popullit. (Gazeta Zyrtare e RPSH, 22 Shtator 1949, Nr 71).4 Vorri i Shirokes

Po ashtu, duke lexuar një shkrim të Zërit të Popullit, të ditës së martë 7 Shkurt 1955, vërehet që:..Në sallën e konferencës të Institutit të lartë mjeksor, në prani të ministrit Medar Shtylla e zv/ ministres, shoqes Vera Pojani, e cila foli për punën e palodhur të punonjësve të shëndetësisë u shpërndanë dekoratat që presidiumi i kuvendit popullor, i akordoj punonjësve të shëndetësisë të cilët u dekoruan me Urdhërin e Punës së Klasit të dytë. Në mes të 166 punonjësve të personelit që u vlerësuan ishin dhe mjekët: Dr. Fejzi Hoxha, Dr. Xhavit Gjata, Dr. Federik Shiroka, Dr. Selaudin Bekteshi...

Përvec dekoratave dhe urdhërave për punë të palodhur, (pa orar e që shpesh flinte në spital),  me rezultate të shkëlyeshme në të mirë të njerzve të thjeshtë, Dr. Shiroka punoj gjatë periudhave të ndryshme në qytete të ndryshëm. Ai ka qënë edhe drejtues i reparteve të kirurgjise, gjë që ja shtonte në masë të madhe detyrimin për tu impenjuar me energji të tjera, ne administrimin e cdo problemi që dilte në repart. Në një shkrim përmbledhës të vitit 1962, mbi zhvillimin e mjeksisë në Shqipëri, nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, Fakulteti i Mjeksisë, Katedra e Terapisë, me autor Prof. Fejzi Hoxhën, në kapitullin e 3-të shkruhet:…në vitin 1940, Dr. Federik Shiroka ishte Shef në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Shkodres..(faqe 88)…, ndërsa në përshkrimin e Përsonelit të Spitalit të Tiranës, shkruhet që: …erdhi nga Vjena me kontrate Prof. H. Hocke, i cili punoj prej vitit 1935 deri në 1937-tën si kirurgu kryesor, duke pasur si asistent Dr. Federik Shiroken…(faqe 93).

Me 1939, pak ditë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Prof. Lehmann u largua nga vendi ynë dhe shef i kirurgjisë mbeti asistenti i tij, Dr. Federik Shiroka. Por menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë, kirurgët italianë zunë vendet në repartin e kirurgjisë të spitalit të Tiranës, duke transferuar Dr. Shiroken në Shkoder…(faqe 107). Përsa i perket shërbimit të tij në spitalin e Shkodres, në dosjen përsonale  të Shirokës, egziston një dokument i lëshuar në Janar të 1950-ës nga Drejtori i Spitalit të Shkodres Dr. Tahsin Karagjozi ku shkruhet se:”…vërtetoj që Dr. Shiroka ka shërbyer pa nderprerje në Spitalin Civil të Shkodres me cilësinë e Kirurgut Primar, prej dates 1.12.1940 deri 7.4.1946-te”

 

Dr. Shiroka ishte qysh në vitin 1947, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në një njoftim  të ATSH-së të datës 27 dhjetor 1955-së shkruhet që: Ministria e Shëndetësisë, për të përjetuar kujtimin e kryekirurgut të vendit tonë (pas vdekjes) vendosi ti japë emrin dhe të paisë me bustin e Dr. Shirokes këto institucione:…Klinika Ospitaliere (pavioni i 14-të) që ishte drejtuar prej Dr. Shirokes, Sallës së Operacionit për klinikat e kirurgjisë në spitalin e përgjithshëm civil të Tiranës dhe auditorit për klinikat e kirurgjisë të Institutit të Lartë Mjeksor. 

 

Në DISPENCEN E I, te Kirurgjise se Pergjihteshme, të fakultetit të mjeksisë në Univetsitetin e Tiranës, me autor Prof. P. Gacja, R. Golemi, V. Zogu, S. Dede…në faqen 25 – 29, mbi zhvillimin e kirurgjisë në vendin tonë, shkruhet: “…Një barrë të rëndë mbajten në shpatullat e tyre gjithashtu ata kirurgë të pakët që kishte vendi ynë atherë. Ndërmjet tyre vlen të përmendën Dr. Federik Shiroka si themeluesi i vertetë i kirurgjisë shkencore në vendin tonë. Ky ishte kirurg i talentuar me një përgatitje të mirë shkencore e teknike dhe me një diapazon të gjërë dijesh në  lëmin e kirurgjisë. Ai zotëronte mirë Kirurgjinë Abdominale, Urologjinë, dhe që ndër të parët që filloi kirurgjinë torakale në vendin tonë.”

 

Me rastin e 30 vjetorit të vdekjes së Federik Shirokes, Seksioni i Shendëtësisë dhe Këshilli Shkencor i Shëndetësisë i Shkodres, në dhjetor të vitit 1985, organizoj në nder të tij, në sallën nr.1 të Institutit të lartë Pedagogjik, Sesionin Shkencor – MBI JETEN DHE VEPREN E DR FEDERIK SHIROKES.

Duke ju referuar revistave dhe gazetave të kohës, të 16-17 dhjetorit 1955 (Revistës Shëndetësia Popullore, Zëri i Popullit), në rastin e vdekjes së tij, i gjithë populli i Shkodres me dhimbje, nderim dhe respekt të thellë, e përcjelli Dr. Shiroken në varrezat e Rrmajit. Qindra telegrame ngushllimi i erdhën familjes nga të gjitha krahinat e vendit tonë, nga personalitete, por edhe nga njerëz të thjeshtë që kishin pasë kontakte dhe që e vlerësonin humbjen e një kirurgut të pashoq si ai.

Dëshëroj ta mbyllë shkrimin tim me fjalët e telegramit të ngushëllimit, që ministri i shëndetësisë i kohës Dr. Ibrahim Dervishi, i dërgoj familjes Shiroka me rastin e vdekjes së Dr. Shirokes:..”Me dhimbje të madhe marrim pjesë në hidhërimin tuaj,  për humbjen e papritur e të parakohëshme të birit tuaj dhe kolegut tonë të dashur Frederik. Vdekja e Dr. Frederik Shirokës është një humbje e madhe për shëndetësinë tonë popullore për të cilën ai punoj pa u lodhur duke shkrirë të gjitha forcat e tija mendore dhe fizike deri në momentin e fundit të jetës së tij…”

Si shumë intelektuale të tjerë edhe Dr. Federik Shiroken, rregjimi  komunist e përdori, e shantazhoj, e demaskoj si “antisovjetik”, e kërcënoj me burg, duke i shkaktuar një mbingarkesë psiqike (pas stërmudimit të punës pa orar), deri sa zemra i pushoj së rrahuri…, për ta mbuluar më pas me fjalë të bukura (si ato më sipër)…  Kjo ishte mëndyra që diktatura komuniste trajtonte qytetarët e intelektualët e vet… PASI I VRISTE NATEN, I QANTE  DITEN. Uroj dhe shpresoj që ky gjykim të mos vazhdojë edhe nga politikanët e sotëm të cilët po e nëncmojnë krejtësisht figurën e burrit që shpëtoj jetë njerzore e që i gjithë populli e mban për NDERI I KOMBIT.

 

Me, 7 mars 2017

Filed Under: Histori Tagged With: diktatura, Dr. Frederik Shiroka, Pjeter Logoreci, qante, vriste

Vetëm me kushtetutë zgjidhet Çështja Shqiptare në Maqedoni

March 13, 2017 by dgreca

Vetëm me Kushtetutë mund të zgjidhet çështja e (pa)zgjidhur shqiptare në Maqedoni/

Fillim i debatit:Flet Skënder Karaçica,/
drejtor ekzekutiv i SHSHA-së në Çikago/
Faktori politik,bota intelektuale,organizatat joqeveritare dhe tempulli i dijes së universitetit shqiptar në Maqedoni,duhet të dalin përtej(platformës politike)dhe të kërkojnë ndryshimet e Kushtetutës që të vëhet shenja e barazisë kombëtare(shtetformues)e jo pakicë kombëtare.
Pse po vonohen proceset kombëtare?Pse faktori politik shqiptar përmes partive politike më shumë është i përcarë se sa në udhën e unifikimit për të vënë kauzën e populli shqiptar aty ku e meriton dhe e ka vendin(lexo:hisën e vet të barazisë kombëtare,-nënvizimi im)përmes aktit më të lartë juridik të Kushtetutës.
Ata që mendojnë e flasin jashtë këtij koncepti kushtetues të kohës,për ndryshimet e Kushtetutës (vetëm)me shënjën e barazisë kombëtare(shtetformues)nuk besoj se do të zgjidhet çështja e (pa)zgjidhur shqiptare në hapësirën etnike në Maqedoni.
 Skënder Karaçica
Executive Director
Albanian-American Association 

of Intellectuals Businessmen and Activists

Filed Under: Komunitet Tagged With: ceshtja shqiptare, Kushtetute, ne Maqedoni, Skender Karacica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2139
  • 2140
  • 2141
  • 2142
  • 2143
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT