• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shoqata “Iliria” në Slloveni; Flamuri dhe gjuha dy simbolet Kombëtare

March 11, 2017 by dgreca

Intervista / Flet Kryetari i Shoqatës “Iliria” Slloveni”, Heset Ahmeti: Flamuri dhe gjuha dy simbolet tona/heset ahmeti

Pinjolli Bruti, nga familje fisnike durrsake, u martua, me Orean,  mbesën e Skënderbeut/

16602903_1567149086647705_3971367544084370790_n

– Si festuam 9- vjetorin e pavarësisë së Kosovës në Slloveni me të nderuarin Bexhet Pacolli

1655247_10152261713464349_1573221826_o

– Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Tinka Kurti, Irini Qirjako, Vitore Sallaku, Silvana Braçe, ngritën në këmbë Slloveninë/

193597_1578349818210_8324663_o

Nga Albert Z. ZHOLI/

Është lindur e rritur në Sllatinë afër Ferizajt ku ka kaluar fëmijërinë e hershme. Ishte  5 vjeç kur u vendos në Shkup për të jetuar. Një pjesë të rinisë si dhe shkollën fillore e ka bërë atje, në Shkup. Më vonë u kthye së bashku me familjen në vendlindje ku ka mbaruar shkollimin. Arsyet e ndryshme si ekonomike apo  politike e bënë të largohet nga Kosova e shtrenjtë në vitin 1984 ku u vendos në Koper të Sllovenisë. Më vonë aty solli edhe familjen ku jeton dhe sot.1 artistet

– Si ishte pritja që ju bënë dhe a ke ndjerë shenja racizmi në Slloveni?

Në kohën që emigrova ishte akoma regjimi komunist e s’mund të them se pati dallim në racizëm, por sigurisht nuk më pritën as me tufa me lule. Thjesht ju nënshtruam  ligjit apo rregullave të qeverisë në fuqi ku as bëhej fjalë për të festuar ndonjë festë kombëtare tonën, apo të mbanim flamurin kuq e zi, simbol i indetitetit tonë, etje. Kjo faktikisht ishte shumë e rëndë për të gjithë ne emigrantët që ishim në Koper, apo në mbarë Slloveninë. Kur u nda Sllovenia në vitin 1991 , them të drejtën ne ishim stabilizuar. Me këtë dua të them se sapo u vendosëm në Koper, unë dhe familja ime (kam parasysh dhe pjesëtar të tjerë të familjes që erdhën me ne), ju përveshëm punës për të siguruar jetën tonë dhe të fëmijëve. Në traditën familjare, të parët e mi kanë qenë punëtor të kualifikuar në ndërtim, zanat që e mora dhe unë dhe mbasi hapa firmën time të ndërtimit. Puna po jepte rezultate. Në vitet që pasuan firma dhe puna u zgjeruan, fëmijët u rritën nën edukatën familjare tonën, ku, zonja ime, (që më është bërë krahë i djathtë gjithë këto vite që unë i jam  kushtuar kombit tim) ka mbajt përgjegjësinë më të madhe në edukimin e fëmijëve apo mbarëvajtjen e shtëpisë me nevojat e saj. Ne të dy,  mbollëm tek të katër fëmijët, atë që prindërit tanë kishin kultivuar te ne, pra dashurinë e pakufishme për kombin tonë të copëtuar, për Kosovën tonë të dashur  dhe për gjuhën shqipe. Sepse gjuha, himni dhe flamuri janë indetiteti i një kombi .

-Ju keni një shoqatë Kulturore Atdhetare, cila është kjo shoqatë dhe kur u formua?

Shoqata emërtohet  “Shoqata Kulturore e shqiptareve të Istres, Sllovene “ILIRIA”.  Shoqata u themelua në vitin 1998, atëherë kur vendi ynë kishte nevojë për ndihmë e edhe ndihmën e ne, mërgimtarëve. Në atë kohë bënim grumbullimin e mjeteve materiale dhe evidentonim vullnetar për të ju dalë krah djemve dhe vashave që ishin ngritur në këmbë për të çliruar vendin dhe dërgonim edhe ndihma të tjera. Ishim dhe jemi shumë shqiptarë me familje  të vendosur këtu në  Koper. Madje ka nga të gjitha trevat shqiptare por më shumë dominojnë shqiptar të Kosovës  dhe Maqedonisë. Të gjithë shqiptarët në këtë qytet kanë hapur aktivitetet e tyre si ëmbëltore (që janë aq të preferuara për sllovenet apo turistët) , furra buke, restorante , argjendari, etj. Pra nga kjo anë jemi pothuaj të gjithë të sistemuar por mungonte diçka… dhe kjo “diçka” ishte organizimi midis nesh, që ti tregojmë Sllovenëve se dhe ne jemi DIKUSH! Se dhe ne kemi traditat dhe kulturën tonë aq të pasur sa në  vitet që nga formim i shoqatës tonë e deri më sot  e treguan këtë kulturë të moçme që kemi.  Në bisedë me disa shokë atëherë  (disa jemi ende) si Naser Krasinqi, Bashkim Ziba, Fadil Vatovci e shume tjerë, kishim dëgjuar për themelimin e një shoqate shqiptare me emrin “Migjeni” që vepronte në Lubjanë dhe  kishte bërë disa aktivitete. Pra ishin iniciatorë të hapjes së shoqatës shqiptare për herë të parë në Slloveni. Ndaj dua të them se ka qenë kjo shoqatë që na nxiti,  kështu që dhe ne me shokët, vendosem të ngremë shoqatën tonë në Koper duke përfshire dhe shqiptarë nga gjithë qytetet bregdetare që ka Sllovenia, e kështu u bë. E pagëzuam me emrin e shumë, kërkuar në shekuj nga Kosova ime pra “Iliria” dhe filluam menjëherë nga puna e organizimit. Meqë kishim shumë të rinj që u regjistruan si anëtarë të saj dhe me kërkesën e tyre, formuam ekipin e futbollit kuq e zinj, me uniformë me ngjyrën e flamurit. Ishin djem të përgatitur që u klasifikuan disa herë në vendin e parë në Ligën Rajonale. Pastaj u formua  grupi artistik. Detyrën e drejtimit të këtij grupi ju lamë anëtarëve të kryesisë Fazli Hoti dhe poetit Mexhid  Hoxhaj, ku në këto vite ky grup ka marrë fromën e një Ansambli  duke dhënë shfaqe te ndryshme qe pëlqehen aq shume edhe  nga  publiku  slloven. Ky Ansambël i ka dhënë një gjallëri të jashtëzakonshme komunitetit shqiptare këtu në Koper, Portorozh, Izolle, Piran, etj ku ne organizojmë tubime  të ndryshme kombëtare dhe ku pas tubimit, grupi i valleve popullore i kënaq me vallet karakteristike të të gjitha trevave tona.

Në vitet në vazhdim shoqata u zgjerua shumë si në aktivitete dhe veprimtari si dhe në kërkesa e nevoja për tu hapur një klase e gjuhës shqipe, ku tre vjet më parë e kemi realizuar me mësuesen Magbule Behrami  dhe dy ndihmëse të saj studente, motrat Liridona dhe Egzona Kabashi. Na ka ndihmuar shumë Ministria e Diasporës Kosovë me librat përkatëse. Mandej 2 herë kemi organizuar Kuizin e diturisë që mbahet në shumë shtete të botës dhe finalja mbahet në Prishtinë. Nxënësit e mësimit plotësues të shoqatës sonë kanë zënë vendin e parë në Slloveni  dy vjet dhe kemi shkuar në finale në Prishtinë. Kemi përkrahjen edhe nga ambasadat, si ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës.  Këtu do ndalesha pak për të falënderuar shumë  ambasadën e Shqipërisë, që nga ambasador , Sandër Kovaçin, më vonë konsullin Adrian Simoni, e së fundi Ambasadorin,  Dr. Pëllumb Qazimi, që na kanë qëndruar shume afër, jo vetëm duke marr pjesë në të gjitha aktivitetet tona, por edhe duke na udhëzuar apo ndihmuar në ndonjë kërkesë e nevojë që kemi pasur. Po kështu edhe ambasada e R. së Kosovës na ka qëndruar pranë në të gjitha aspektet duke filluar nga ambasadori i parë Anton Berisha, mandej znj. Mimoza Ahmetaj e tani ambasador, z. Nexhmi Rexhepi.

– Sa njihet sot Shoqata “Iliria” në Slloveni?

Pra, shoqata “Iliria” ka marrë zgjerim dhe është shumë e njohur në gjithë Slloveninë ku frymon shqiptari dhe ku në çdo aktivitet të saj, marrin pjesë të ftuar nga organizata të ndryshme  sllovene. Para dy vjetësh me iniciativën tonën të kryesisë i bëmë një kërkesë bashkiakut të Koprit për një objekt të vjetër që na e dha menjëherë. Brenda një kohe të shkurtër prej 20-ditësh e ngritëm në këmbë dhe sot është qendra  kulturore dhe po aty kemi selinë e shoqatës Iliria. Në këtë kullë (se kështu e quajmë), ka një dhomë të veçantë (Oda) me oxhak, ku vet dhoma ka karakterin e një ekspozite të vogël me veshje kombëtare nga krahinat tona me sofrën karakteristike, me shilte e qilima,  tamam si dhomat e burrave një herë moti,  ku s’mungon as çiftelia apo sharkia. Karshi saj, në një dhomë tjetër kemi bërë një bibliotekë të pasur me libra shqip nga shkrimtarë të njohur apo edhe nga diaspora, ku herë pas here bëjmë dhe promovim të librave.

Si i mbani lidhjet me atdheun?

Drejt me thënë, në aktivitetet tona jemi ne që thërrasim  qeveritar apo funksionar të ndryshëm e sidomos nga Ministria e diasporës së Kosovës  që na kanë vizituar shumë e ndihmuar për problemet tona. Jemi munduar ne ti qëndrojmë afër atdheut, qoftë dhe me ndihma, pasi të gjithë e dimë aktualitetin Kosovar dhe problemet e tij, por ne si shoqatë e komunitet shqiptar jemi munduar e mundohemi ta mbajmë lart indetitetin tonë, ku prej vitesh, që në themelimin e shoqatës është bërë aq i njohur për publikun Slloven, si kultura si traditat si dhe bujaria shqiptare, që nëse nëpër botë e ka humbur sensin, te ne shqiptarët qëndron akoma fjala e parë që i themi atij që na troket në derë  “Hajde urdhëro!”.

-Me cilat personalitete të artit shqiptar bashkëpunoni dhe kanë ardhë mes jush për aktivitete?

Ne kemi shumë bashkëpunim me të gjithë artistët dhe artistet e shquara shqiptare. Lidhje të vazhdueshme kemi pasur dhe kemi me gratë e Fondacionit “Nermin Vlora Falachi”, dhe ne kemi krijuar degën e fondacionit “ Nermin Vlora Falaschi” për Slloveninë  ku vajzat tona të mrekullishme u zgjodhën në kryesine e degës së fondacionit, kur në delegacionin e fondacionit ishin artistet e mëdha të Kombit si Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Tinka Kurti, legjenda e polifonisë së jugut këngëtarja Irini Qirjako, Vitore Sallaku, Silvana Braçe. Atëherë ishte dhe komiku famoz Skënder Sallaku së bashku me  Presidenten e Fondacionit, gazetaren Zenepe Luka. Në këto aktivitete është gjithmonë e pranishme “Nanë Loke”, Zonja Vitore Stefa, e cila është një ure lidhëse mes shqiptareve dhe shoqatave në gjithë diasporën dhe në këto 27 vjet nuk ka  shqiptar që nuk e njeh dhe e do “Nanë Loken”. Unë personalisht e njoh që në fillim të krijimit të shoqatës tonë,  e cila na u bashkua që në orët e para duke ardhur kastile nga Trieste ku banon.  Veç kësaj, lidhja me të u bë më e fortë në kohën  e luftës në ndihmë të familjeve të shpërngulura  apo marrëdhëniet e saj me  luftëtarët e UÇK-së.

-Si e festuat atë ditë mes këtyre personaliteteve të artit shqiptar?

Ato dy ditë që formuam degën e fondacionit këtu në Slloveni, janë ngulur në kujtesën time se e kthyem sallën e hotelit  ku i pritëm zonjat, në një copëz, Shqipëri të vogël ku buçiste vallja e kënga shqipe nga këngëtaret e njohura Irini Qirjako dhe Ludmilla Baballëku. Nga çdo anë valonte flamuri shqiptar kuq e zi, flamuri Kosovës dhe i Sllovenisë, ku morën pjesë jo vetëm shqiptarë nga gjithë qytetet sllovene por dhe nga Italia,  Zvicra, si dhe miku i popullit shqiptar deputeti Luka Bertoli nga Verona.

-Në këto aktivitete a jeni njohur me ndonjë lidhje mes shqiptarëve të hershëm dhe sllovenëve?

Në këto dy vitet e fundit aktivitetet janë zgjeruar më shumë për arsye se një miku im udhëheqës i bibliotekës Koperit,  Pjeter Shtoka, më dërgoi ftesën për të marrë pjesë në Simpozium që shënonin 300- vjetorin e Pallatit Bruti dhe në promovimin e librave të ipeshkvit, Augostin Bruti, të përkthyera në sllovenisht. Me atë rast, më flet në lidhje me disa dokumente të vjetra që ka zbuluar në këtë bibliotekë, që unë u interesova menjëherë  të dija çafrë fshihej. Mund të them se është gjëja më e madhe, që kemi zbuluar dhe na bënte të krenohemi e të ecim akoma më shumë me kokën lartë. Pra Pallati ku është biblioteka e qytetit quhet Pallati Bruti, dhe i takon familjes, Fisnike Bruti me origjinë nga Durrësi. Por më interesantja është se aty zbuluam një  kuriozitet, se, një nga nipërit e tij, u martua me Orean, mbesën e Skënderbeut. Unë kam arritur të nxjerr në dritë një histori të këndshme për Familjet shqiptare Fisnike që kanë jetuar në Istren të Sllovenisë dhe kanë bërë krushqi me fiset më të shquara të Fisme sllovene. Përpos  familjes fisnike Bruti  edhe shume familje të tjera Fisnike siç janë Brati, Bruni, Borisi, Dukagjini kanë lidhje me familjet shqiptare. Unë kam bërë 2 Simpoziume këtu dhe kam mbledh shumë historianë për këto lidhje duke ftuar dhe qeveritarët vendas, pasi faktet janë shumë interesante.

– Kush është aktiviteti i radhës dhe çfarë qëllimi kanë këto aktivitete?

Së fundi festuam 9- vjetorin e pavarësisë së Kosovës  ku të ftuar veç ambasadorëve apo personalitete të ndryshëm si dhe përfaqësues të bashkisë së Koperit patëm mes nesh dhe të nderuarin Bexhet Pacolli. Ai është miku ynë dhe merr pjesë gjithmonë në festimet tona.  ..

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, dy simbolet Kombetare, Shoqata Iliria

Heshtja e gurit, koha e trurit dhe lotët e burrit për Çamërinë tonë

March 11, 2017 by dgreca

4Nue Oroshi Foto Judith HandyNga Nue Oroshi/Në heshtjen e gurit  ku na sillet vërdallë koha e trurit për t’i parë gjëmat dhe lotët e burrit për Çamerinë tonë. Çamëria sot është loti e varri i shqipes që thërret që nga bregu i pikëllimës t’i dalin zot bijtë dhe bijat e veta. Çamëria sot është plaga shekullore, testamenti i shkruar dhe i pashkruar , kaluar nëpër Konferenca Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Çamëria nuk është vetëm çështje pronash por është tokë Arbërore e trashëguar shekuj me radhë gjatë ecjakjeve historike. Çamëria është zëri i Gjin Bua Shpatës dhe Pjetër Loshës këtyre dy viganëve Arbëror që na thërrasin që t’i dalim zot kësaj toke të bekuar. Çamët dhe Arbërorët në Çamëri u përballën me presionet dhe dhunën greke shekuj me radhë. Masakrat mbi Arbërorët e Çamërisë ishin shekullore ato asnjëherë nuk u ndalën. Ato e mbuluan edhe heshtjen e gurit prej kohërave të lashta e deri në shekullin e informatikës ku përzihen lotët e nënave arbërore të Çamërisë për bijtë dhe bijat e tyre që u vranë, u masakruan dhe u larguan nga tokat e të parëve. A e dini të nderuar lexues se Çamëria apo Principata e Artës mesjetare pas shuarjes së shtetit të Artës se  Arbërorët e Çamërisë mesjetare mërguan në viset etnike shqiptare por një pjesë e tyre mërguan edhe në Itali ku u krijuan viset me shqiptarë në Kalabri dhe në Sicilinë e sotme duke i ruajtur për pesë shekuj me radhë traditat dhe identitetin e kombit shqiptarë. E një poet do të shkruante : ’’ Atë që e bëri Kastrioti me shpatë e bëre ti me pend o i madhi De Radë.’’ Është fjala për poetin e shkrimtarin tonë të madh arbëresh themeluesin e  Rilindjes shqiptare Jeronim de Radën.

Çamëria – Kjo plagë e rëndë e Arbërisë sot është e mbështjellur dhe e ngulfatur nga shofinizmi grek. Çamëria gjaku dhe shpirti Arbëror, sot është e mbuluar me petkun e zisë. Çameria është sot loti dhe varri Arbëror që thërret që prej bregut të pikëllimes, t’i dalin zot bijtë e vet. Po ku është Çameria sot? Ku janë Çamët sot? Ku janë të shpërndarë pasardhësit e Gjin Bua Shpatës dhe të Pjetër Loshës këtyre viganeve të Arbërisë të cilët në fund të shek. XIV dhe në fillim të shek.XV e ngritën dhe e mbajtën në këmbë Principatën Arbërore të Artës.

Sot thërrasin zërat e Gjin Bua Shpatës e Pjeter Loshës ku je katandisur Arbëri. Ku i ke djemtë e tu që janë përgjumuar, i ka nxënë gjumi shekullor dhe ai mortor. Sot me zë të artë thërrasin: Arta, Janina, Ajdonati, Filati, Konica, Margëllaqi, Filipa dhe Parge, Trikalla, Preveza e Gjiri i Artës, Meçovë, Grebenë, Naselicë, Kostur, ata therrasin në ndihmë Arbërinë ngrihuni djemtë e Arbërit e na ndihmoni është koha e fundit të bëni diç për Çamërinë. Derisa Çamëria kjo plagë e hapur e Arbërisë na thërret që në çdo mënyrë të mundëshme t’i dalim zot kësaj pjese të trupit tonë, do të ishte e udhës që edhe intelektualët shqiptarë kudo qofshin dhe ngado qofshin ta humbin një pjesë të kohës së tyre të çmuar për Çamërinë.

Që në fillim dua të theksoj se sot o kurrë është koha e duhur që t’ia kthejmë borxhin shekullor Çamërisë, ta ngulitim në kokat dhe mendjet e gjeneratës së re përmes librave të shkruara se Çamëria është djepi dhe trolli Arbëror, është koha t’iu tregojmë këtyre gjeneratave se në vendin e sotëm të Çamërisë të gllabëruar nga shovinizmi shizofren grek, mu në këto themele në gjysmën e dytë të shekullit XIV, dhe në fillim te shekullit XV, ka eksistuar Principata e Artës me prijësit e saj, Gjin Bua Shpata, Pjeter Losha, Muriq Bua Shpata, Zguro Bua Shpata, Pal Bua Shpata, Jak Bua Shpata, Karull Bua Shpata, të gjithe këta prijësa Arbëror përplot dy shekuj jetë e mbajtën të gjallë Principaten Arbërore të Artës.

Intelektualë shqiptarë kudo që jeni të shpërndarë, anë e kënd botës, mblidhni fuqinë dhe ta shkruajmë dhe flasim të vërtetën e hidhur për motrën tonë Çamërinë.Shoqata e Intelektualëve Gjithshqiptarë ’’ Trojet e Arbrit ’’ më, 4 Qershor 2017  në Gjirokastër do të  mbanë sesionin shkencor me temën : ’’Çamëria dhe Marrëdheniet shqiptaro-greke nëpër shekuj .”  Intelektualë shqiptarë, kudo që jeni të shpërndarë, anë e kënd botës dhe në Trojet tona Arbërore, mblidhni fuqinë e mendjen, e lënë anash heshtjën e gurit dhe lotët e burrit por qitne në përdorim trurin tuaj dhe me duart tuaja të arta të shkruajmë e flasim të vërtetën e hidhur për motrën tonë Çamërinë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Cameria, lotet e burrit, Nua Oroshi

SHQIPTARËT NË ILLINOIS PËRKRAHIN DEKLARATËN PËR PLATFORMËN SHQIPTARE

March 11, 2017 by dgreca

KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN NË ILLINOIS PËRKRAH DEKLARATËN E PËRBASHKËT TË PARTIVE SHQIPTARE PËR PLATFORMËN SHQIPTARE/

ALB USANë një deklaratë që gazeta Dielli ka marrë nga kryetari i Komunitetit Shqiptar në Illinois, z. Bujar Breznica, përcillet informacioni i takimit të organizatave të atjeshme me 9 Mars 2017, ku është diskutuar situata paszgjedhore në Maqedoni dhe deklarata e partive e shqiptare për Platformën shqiptare: Më datë 9 Mars 2017 Kryesia e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illinois me seli në Chicago mbajti mbledhje të jashtëzakonshme ku morën pjesë të gjithë kryetarët e shoqatave dhe asociacioneve politiko-shoqërore që veprojnë në këtë shtet të Amerikës. Në këtë mbledhje tema e ditës ishte analiza e situatës aktuale të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Maqedonisë. Pas shumë diskutimeve, Kryesia e komunitetit lëshon këtë deklaratë:

DEKLARATË

Kryesia e Komunitetit vendosi unanimisht të përkrahet Deklarata e Përbashkët e Partive Shqiptare e njohur edhe si Platforma Shqiptare. Përshendesim këtë akt të bashkimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni, e njekohësisht falenderojmë angazhimin institucional të dy shteteve shqiptare në Ballkan të cilët në këtë moment të duhur dhe delikat kanë dhënë një kontribut të rëndesishëm e historik në përkrahje të kërkesave për zgjidhjen e çeshtjes shqiptare në Maqedoni.

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan jo vetëm që perkrah po insiston me këmbëngulje në realizimin e plotë të kërkesave të përmbledhura në Platformen Shqiptare. Jemi te bindur se subjektet politike shqiptare do të kenë parasysh që veprimet e tyre në të kaluar kane qene e tani janë një nga shkaqet e situatës aktuale, prandaj luten që kjo Platformë që bashkoj faktorin shqiptar edhe të realizohet plotësisht që të parandalohet defaktorizimi i shqiptarëve në trojet e tyre në Maqedoni. Komuniteti gjithashtu kërkon konkretizimin e konceptit të Tryezës sipas Platformës Shqiptare. Ky mekanizëm do të mundësoje vazhdimësinë, bashkëpunimin dhe mbikqyrjen e realizimit të Platformës sipas kërkesave të kohës dhe rrethanave në të ardhme.

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois me seli në Chicago, me kohë ka krijuar marëdhenie të shkëlqyeshme me administratat Amerikane, duke perkrahur politikisht dhe financiarisht luftën e Kosovës dhe atë të 2001 në Maqedoni. Prandaj zotohemi se komuniteti këtu e kudo në Amerikë do të aktivizojë mekanizmat e vet lidhur me perkrahjen e pakursyeshme të kërkesave të Shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë. Ne do vazhdojmë të përcjellim me vëmendje zhvillimet në Maqedoni dhe në rajon e ne bazë të ndryshimit të rrethanave do merren edhe vendimet e ardhshme. Ftojmë antarët të ruajne gjakftohtësinë, mos bien në provokime të ulta dhe të qëndrojnë vigjilent.

Kryesia e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illinois

përcjellim me vëmendje zhvillimet në Maqedoni dhe në rajon e ne bazë të ndryshimit të rrethanave do merren edhe vendimet e ardhshme. Ftojmë antarët të ruajne gjakftohtësinë, mos bien në provokime të ulta dhe të qëndrojnë vigjilent.

Kryesia e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illinois

Kryetari Bujar Breznica

Filed Under: Komunitet Tagged With: Bujar Breznica, komuniteti shqiptaro-amerikan, maqedoni, ne illinois, Platforma Shqiptare

KUPOLA-PENG I VETËVETES, SHQIPTARËT -PENG I KUPOLËS

March 10, 2017 by dgreca

Nga  Skënder Buçpapaj/skender-bucpapaj-voal1

Në komentet mediatike për seancat e të enjteve në Kuvendin e Shqipërisë dëgjohen shpesh thëniet“filani u armiqësua përfundimisht me filanin”.Sipas mendësive të tilla, anëtarët e politikës sonë, përkatësisht të Kupolës së mafies sonë përgjatë karrierës së tyre, më se njëçerekshekullore, disa herë kanë qenë miq, disa herë të tjera kanë qenë armiq, ndërsa tashmë janë përfundimisht amiq, dmth nuk do të bëhen miq kurrë më.

Në mafie nuk ekziston koncepti ‘miqësi’. Ky rregull vlen edhe për komunizmin. Një mafioz mund ta kesh vetëm armik, nuk mund ta kesh kurrë mik. Mafiozët janë armiq të lindur. Edhe komunistët janë armiq të lindur. Sikur botën t’ua japësh, as të parët, as të dytët nuk bëhen kurrë miq.

Ashtu si në komunizëm, një përvojë e njohur dhe e pranuar nga të gjithë ne, edhe në mafia ndjenja që i lidh dy ose më shumë veta është bashkëpunimi në një krim. Dy ose më shumë mafiozë, ashtu si dy ose më shumë komunistë, janë gjoja shokë ose miq sa kohë që janë bashkëpunëtorë në një krim të caktuar. Nga çasti i përfundimit të këtij bashkëpunimi nuk ekziston më kjo ndjenjë. Ajo zëvendësohet me çdo lloj ndjenje tjetër, por kurrë me atë të mëparshmen. Dhe kurrë nuk është miqësi. Më së shumti, ndjenja pasuese është armiqësi.

Sepse momentin e bashkëpunimit e pason gjithmonë momenti i ndarjes së territoreve. Territoret kanë kuptimin konkret të kufizimit të zonës ku mund të shtrihet fushëveprimi apo fushëndikimi i njërës palë apo tjetrës palë, kanë edhe kuptimin fluid të kufizimit të sferës shoqërore a politike të fushëveprimit apo fushëndikimit të njërës apo tjetrës palë. Këto janë territore apo terrene të tregjeve të tenderave, të posteve e tjerë, pra të tregjeve politike, ekonomike, e tjerë.

Lufta e individëve dhe grupimeve brenda mafies bëhet për arsye të pozicionit në hierarkinë e Kupolës, në nivel lokal apo qendror, si dhe për të mbrojtur territoret (terrenet) në kuptimin gjeografik, por edhe në kuptimin e sferave. Rezultat i këtyre përplasjeve janë tronditjet brenda kupolave, rindërtimet e hierarkive, ngushtimet apo zgjerimet e territoreve në dëm të dikujt dhe në favor të dikujt tjetër.

Kjo luftë brenda mafies nuk ka pak ngjasime me luftën e klasave, e cila është i vetmi mjet i brendshëm, e vetmja forcë e brendshme lëvizëse që e rregullon dhe e rirregullon pafundësisht jetën e një partie komuniste dhe të një regjimi komunist, përkatësisht jetën e një vendi komunist.

Mafia jonë, në gjithë Shqipërinë, brenda dhe jashtë kufijve të saj shtetërorë, është një mafia postkomuniste. Reformimi i komunizmit tonë nuk u bë në kahjen progresive, pra nuk u shndërrua në një demokraci evropiane. Ky reformim ndodhi në kahjen negative, duke u shndërruar në mafie. Kuptohet se ishte dhe është shumë më e lehtë që një komunist të shndërrohet në mafioz sesa ai të shndërrohej në një demokrat.

Demokracia është sistem i garës mes më të merituarve, mes më vizionarëve, mes më të përkushtuarve ndaj përparimit të një shoqërie, të një vendi, të një sistemi, garë mes më të besuarve që përfaqësojnë një program të caktuar, një platformë, një alternativë për nxjerrjen nga një prapambetje e caktuar relative dhe përparimin e zhvillimin e një vendi dhe të një shoqërie.

Mafia është përplasje, është luftë e pafundme mes më të fortëve dhe më pak të fortëve, mes më të pabesëve dhe më pak të pabesëve, mes më mizorëve dhe më pak mizorëve në një spirale të pafundme.

Në këtë spirale jemi futur ne shqiptarët. Dhe kemi mbetur duke e pësuar teksa soditim se kur kacafytjet brenda Kupolës do ta dobësojnë e do ta shkatërrojnë atë. Këtë kënaqësi të rreme e jepte komunizmi, kur grupe gjoja antiparti zbuloheshin nga vigjilenca e partisë dhe asgjësoheshin nga udhëheqësi. Edhe këtë kënaqësi e llogariste partia kur jepte goditje të brendshme, pas të cilave ajo dilte më e fortë, ndërsa populli thjesht përjetonte zbavitjen e radhës, duke parë fundin e disave prej atyre që ishin majmur me gjakun e tij.

Në Kupolë vepron logjika e klaneve. Një klan më i fortë, një grupim më i fortë klanesh merr në duar Kupolën. Një klan ose grupim i dobësuar zhvendoset, por mbetet brenda Kupolës. Mbetet i dëmtuar, i dobësuar, por brenda saj, duke pritur fatin e radhës ose duke organizuar revanshin e radhës.

Kjo e bën kupolën peng të vetvetes. Ne mbetemi peng i saj. Kështu shpjegohet rrethi vicioz ku ne vërtitemi pa shpresë – ose me shpresa të kota se ndonjë faktor i jashtëm do të jetë i interesuar dhe do të na nxjerrë nga ngujimi ku na ka grumbulluar mafia jonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: -PENG I VETËVETES, KUPOLA -, Skender Bucpapaj

“VRASËSJA” E POETIT GENC LEKA ËSHTË DIANA ÇULI

March 10, 2017 by dgreca

 

1-elida-bucpapaj-300x1302 Firmat

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Ka rënë heshtja varri, kur duhej të tronditej e gjithë shoqëria, kur duhej të hapej një diskutim publik, kur e gjithë elita dhe mediat duhet të fokusoheshin tek vrasja e poetit Genc Leka. Nga skutat nuk e ka nxjerrë kokën askush për të mbajtur një qëndrim të përgjegjshëm ndaj akt-ekspertizës së Diana Çulit, de facto aktakuza që çoi në dënimin kapital të poetit.

Poeti Agron Tufa përpara disa ditesh bëri një veprim të paparë në historinë postdiktatoriale. Ai kërkoi që të recitoheshin poezitë e poetit të vrarë në një mbrëmje letrare ku Diana Çuli, autorja e akt-ekspertizës kundër tij,  ishte e ftuar si “ikonë” e letrave shqipe.

Po a është ikonë e letrave shqipe Diana Çuli? Natyrisht që nuk është as ikonë e letrave shqipe dhe as eksperte e letërsisë postdiktaturë nuk ka të drejtë të jetë.

Po përse është e pranishme gjithkund, në televizionet, gazetat, mbrëmjet letrare, juritë e konkurseve kur prej kohësh është ditur se ajo ka qenë një eksperte e Sigurimit të Shtetit që ka marrë në qafë jetë njerëzish ?

Kush e ka futur Diana Çulin në listën VIP,  për të vendosur fatin e kulturës postdiktatoriale, kur ajo ka qenë eksperte famëkeqe e letërsisë së diktaturës?

Këto pyetje pa përgjigje tregojnë se Shqipëria jeton nën kupolën e ekspertëve të sigurimit të shtetit dhe të ish-spiunëve që janë përfshirë në këtë tranzicion në çdo qelizë të jetës politike dhe publike të shoqërisë duke vijuar misionin e xhandarit për të promovuar emra të përlyer gjatë kohës së diktaturës dhe për të penguar rrjedhën normale të zhvillimit të kulturës.

Në vend që akti qytetar i Agron Tufës të kthehej në kryetitull e kryelajm dhe Agroni Tufa të ishte i ftuar nëpër të gjitha studiot e televizioneve të Tiranës për të shkundur ndërgjegjen e përlyer të elitës shqiptare dhe të mbarë shoqërisë, veprimi i tij është i mbuluar nga heshtja dhe indiferenca kriminale e kësaj elite e cila me rolin gjoja të “outsder-it”, ka përjashtuar veten realisht nga të qënit.

Akti qytetar i Agron Tufës mund të shërbejë edhe si kauza e një lëvizje për pastrimin e klasës politike dhe elitës nga emra që nuk meritojnë të shërbejnë as si mentorë apo si liderë shpirtërorë  të shoqërisë në lëmijtë e kulturës.

Gazetarja që e kishte të ftuar nderi Diana Çulin botoi akt-ekspertizën  që kjo i kishte bërë vëllimit poetik të poetit Genc Leka, me kërkesë të hetuesit në Librazhd.

Akt-ekspertiza 2) e ekspertes së Sigurimit të Shtetit, pas një analize të thjeshtë që do ta bëj më poshtë a përbën verdiktin fatal që vendosi për fatin e jetës të poetit dhe Diana Çulin e bëri “vrasësen”e Genc Lekës? Po e huazoj këtë term nga shtypi i këtoditshëm i Tiranës duke u rrekur që t’i jap përgjigjen.

Në Shqipëri gjatë kohës së egër të diktaturës ka patur nga ata ekspertë të Sigurimit të Shtetit, apo njerëz të thjeshtë që, nën kërcënim, përmbushnin urdhërat e hetuesve, por Diana Çuli nuk hynte në këtë kategori.  Ajo vinte nga një familje e cila ishte pjesë e kastës së shtetit komunist. Pra Diana Çuli nuk ia kishte frikën hetuesit të Librazhdit që i kërkoi akt-ekspertizën për poezitë e Genc Lekës, por hetuesi i Librazhdit ia kishte frikën Diana Çulit. Në kohën kur e ka shkruar akt-ekspertizën Diana Çuli ishte rreth 26 vjeç, pra jo 22 vjeç sikur qarkullon.

Kur e mori për ta shkruar akt-ekspertizën, jeta e Genc Lekës ishte në duart e Diana Çulit.

Diana Çuli mund ta kishte shpëtuar poetin dhe sot ajo të krenohej me këtë vepër të saj, por akt-ekspertiza e saj shënoi fundin e jetës të poetit dhe ajo pas kësaj është ndjerë me ndërgjegje të pastër, për ndryshe, gjatë këtyre 26 viteve tranzicion nuk do të kishte pranuar të ngjiste  shkallët më të larta të karrierës, si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, si përfaqësuese e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, kryetare e Federatës të Grave të Shqipërisë, aktiviste e zjarrtë e shoqërisë civile, anëtare jurish për çmime të kulturës, mentore, eksperte e letërsisë, me programe të personalizuara nëpër televizione dhe rubrika fikse në gazeta që pretendojnë se përfaqësojë elitarizmin shqiptar, por me duar të ndyra.

Pra Diana Çuli vijon sot të ketë  të njëjtin rol që ka patur në diktaturë, ajo vendos në qendër të vemendjes dhe u jep çmime duke përdorur të njëjtat kritere që ka përdorur në nëntorin e vitit 1976 kur firmosi akt-ekspertizën kundër poezive të poetit. Ky është kulmi i pamoralësisë!

Kush lexon këtë akt-ekspertizë e kupton menjëherë se Diana Çuli ishte ajo që ka firmosur akuzat dhe pushkatimin e Genc Lekës.

Poezitë ishin krimi i poetit i zbuluar nga ekspertja e Sigurimit të shtetit.

Në diktaturën komuniste dihej se edhe një fjale të vetme, regjimi mund t’i jepte kuptimin që vendoste, për të të çuar në burg ose përpara skuadrës të pushkatimit dhe pastaj kaq do të mjaftonte që të shkatërroheshin zinxhir jetët e të gjithë pjestarëve të familjes, për “fajin” e një fjale.

Diana Çuli si eksperte e Sigurimit të shtetit e ka ditur shumë mirë se me atë çka do të shkruante mund t’ia shpëtonte ose mund t’ia shkatërronte jetën përfundimisht Genc Lekës.

Diana Çuli e dinte se jeta e Genc Lekës varej në dorën dhe ekspertizën e saj. Nëse ajo tek poezitë e Genc Lekës do të zbulonte armikun e klasës, rrezikun eminent apo thjeshtë vetëm poetin.

Por përbindshja Diana Çuli zbuloi tek Genc Leka armikun e popullit, sepse ekspertiza që iu bëri poezive të tij, e formuluar në katër faqe, është “faji i vetëm” i Genc Lekës që e çoi drejt vdekjes.

Me ekpertizën e saj kriminale Diana Çuli vendosi fatin e Genc Lekës sepse tek të gjitha poezitë e poetit ajo zbuloi armikun që duhej eleminuar.

Po ju sjell të analizuara pjesë nga akt-ekspertiza. Ja si shkruan Diana Çuli për “Poezinë pa titull” të poetit: “Vjersha është pesimiste, autori shpreh dëshpërim, fëmijëria e tij ka qenë e bukur për të, ndërsa në jetën e tanishme kanë mbetur gërmadha dhe gurë, jeta e tanishme nuk është aspak e bukur dhe ëndërrat që kishte nuk ju plotësuan.”

Pra Diana Çuli bën aluzion të qartë. Sipas aludimit të saj “Genc Leka e urren jetën e tanishme nën regjimin komunist sepse ëndërrat e tij lidheshin me regjimin që diktatura e rrëzoi.”

Aluzioni është një figurë e stilistikës e bazuar në nënkuptimin, dykuptimësinë dhe analogjinë, pra është si kundërvënie me kuptimin eksplicit dhe të drejtë për drejtë. Diana Çuli gjithë pretencën e saj e ka bazuar tek aluzioni, pra jo tek fakti, jo tek konteksti por tek nënteksti, jo tek eksplicitja, por tek inplicitja, tek gërrmimet e saj në ndërgjegjien e poetit nga ku ajo ka shpifur, ka manipuluar “fajin” e poetit.

Diana Çuli që në rreshtin e parë të akt-ekspertizës që shkruan e bën të qartë qendrimin e saj armiqësor kundër Genc Lekës. Aluzioni është gijotina që përdori Diana Çuli për të prerë kokën e një njeriu krejt të pafajshëm që ajo e paraqiti si person me rrezikshmëri të lartë për diktaturën.

Tek poezia e “Këngë për miqtë e parë“,  Diana Çuli bën aluzion sikur këtë poezi Genc Leka ia dedikon ose diversantëve ose ballistëve. Ja si shkruan ekspertja e sigurimit: “Autori nuk i përcakton se cilët janë këta miq, por kujton me nostalgji kohën kur ata vinin natën dhe sillnin veç gëzime, duket se këta miq autori i ka parë kur ishte fare i ri në moshë dhe nuk i ka parë më, këta miq e kanë frymëzuar, i kanë dhënë flamur, këta miq mbanin maliher, ishin trima me fletë dhe kishin parë shumë nga jeta.”

Sipas ekspertes të Sigurimit, Genc Leka ka nostalgji për armiqtë e regjimit komunist dhe e ka si shembull të jetës, faktin që ishin trima dhe luftonin. Dmth sipas Diana Çulit, Genc Leka përbënte rrezik për vendin sepse ai një ditë duke ndjekur shembullin e tyre mund të ngrinte armët kundër diktaturës së proletariatit dhe veglave e saj.

Megjithëse në poezinë në fjalë  poeti shkruan qartë se miqtë e  tij janë çlirimtarët, që u flijuan për lirinë, ekspertja e Sigurimit pasi pohon që “duket se bën fjalë për partizanët”, shton më tutje se “këto strofa bien në kontradiktë me pjesën e parë ku flitet për ca miq që ecin rrugën natën dhe u tretet kënga.”  Diana Çuli insiston për ta inkriminuar poetin: “Nëse autori e ka fjalën për partizanët pse i quan ata miq dhe aq më tepër “miq të parë” kur kjo fjalë nuk është përdorur asnjëherë as në letërsi dhe as në popull – ata janë shkruar gjithnjë dëshmorë”.

Ekspertja e Sigurimit të shtetit ka hyrë gjoja në mendjen dhe shpirtin e poetit dhe pasi ka hetuar ka zbuluar se poeti këto vargje ua ka kushtuar diversantëve dhe jo partizanëve. Paçka se në poezi kishte të dhëna eksplicite që ishte fjala për çlirimtarët dhe në letërinë e realizimit socialist fjala “çlirimtarë” ishte një antonomazi e qartë se kur flitej për ta, nënkuptoheshin partizanët që e çliruan vendin dhe assesi ballistët, Diana Çuli e injoron me ndërgjegje këtë fakt.

Genc Leka nuk është vrarë për ato që ka shkruar drejtë për së drejti, por për ato ka “zbuluar” si nënkuptimësi  Diana Çuli. Edhe tek poezia “Oxhaku”, ekspertja e Sigurimit të shtetit rizbulon tek poeti Genc Leka armikun e popullit dhe për nga rrezikshmëria e barazon “Oxhaku“-n me poezinë “Këngë për miqtë e parë“. Megjithëse poeti ka shkruar qartë se në këtë oxhak janë kënduar këngë partizane dhe kjo do t’i jepte Diana Çulit mundësi që të hiqte dorë nga aludimet dhe ta mbronte e shpëtonte poetin nga nga vdekja, kjo përkundrazi e barazon këtë poezi me poezinë “Këngë për miqtë e parë”, duke insistuar se ajo tek Genc Leka ka zbuluar armikun e partisë. Ja si e varros ajo për së gjalli poetin: “”Oxhaku” ngjan me poezinë “Kënga për miqtë e parë”. Oxhaku ruan diçka të shtrenjtë, kjo diçka nuk përcaktohet. Gjithashtu vargu “dikur rrodhën disa pika gjaku” është i errët sepse nëse autori e ka fjalën për Luftën Nacional Çlirimtare, në atë kohë nuk kanë rrjedhur disa pika gjak. Ndërsa vargu “ky oxhak e dogj një pyll të tërë” nuk merr spjegim në vjershë. Pse e dogjën pyllin ? Kur, si për ç’arsye”, pyet çmendurisht ekspertja e Sigurimit të shtetit.

Edhe tek poezia “Kjo rrugë”, ajo plotëson ekspertizën e saj se poeti është armiku i popullit. Për poezinë “Rrethi i hënës” Diana Çuli e sheh poetin si rrezik për rendin kushtetues të vendosur nga regjimi komunist: “Kjo vjershë është pesimiste, shkruan Diana Çuli , dhe vijon “duket se autori flet se i është nxirë jeta, ka mendime të zymta.”

Megjëthëse Diana Çuli e vë vetë në dukje se poeti është pesimist në këtë poezi sepse e ka braktisur e dashura, ekspertja insiston për ta gjetur në “faj” Genc Lekën. Sipas aludimit të saj: “Vjersha është pesimiste, shpreh trishtim dhe mërzi ndaj jetës”  pasi poetit i është mërzitur jeta e ndërtuar nga partia dhe prandaj ai përbën rrezik si kontigjent që mund të përgatisë kryengritje të armatosur.

Tek poezia “Ciganët”, ajo i vë vulën “fajit” të poetit si njeri që paraqet rrezikshmëri të lartë për shtetin komunist dhe për jetën e lumtur që jetonte ekspertja e Sigurimit. Diana Çuli  arrin në konkluzionin final se i kishte gjetur vargjet për ta kryqëzuar përfundimisht poetin:  “Vjersha “Ciganët” është me dy kuptime, i pari jeta e vështirë e ciganit, i dyti, vështirësitë që mund të heqë në jetë njeriu dhe në të vërtetë ai e ka shkruar për këtë qëllim, sepse në vendin tonë s’ka më karvane me ciganë. Për atë, (Genc Lekën- shënimi im E.B.), jeta është e zezë, më mirë fli e mos qaj, bëj sikur s’sheh, se do të vijë koha kur të nisësh rrugën e gjatë e të lodhshme (pra koha për veprim). Cigani (nënkupto vetë autorin, do të eci vetë në këtë rrugë, por nuk do të jetë kaq e lehtë sepse do të hasë pengesa të shumta”,  konkludon ekspertja e Sigurimit të Shtetit. Siç e shihni me këtë analizë të djallit, Diana Çuli rikonfirmuar zbulimin e saj se Genc Leka duhet eleminuar.

Tek analiza kriminale që i bën poezisë “Harabelët” Diana Çuli  firmos vendimin me vdekle për poetin: “Vjersha ka një farë alegorie, shkruan ajo. Dhe vazhdon: “Me zogjtë që s’mund të jetojnë në dimër mund të nënkuptohen njerëzit që jetojnë në një atmosferë të rëndë dhe kërkojnë të largohen (si zogjtë në vendet e ngrohta”, dmth Diana Çuli  insinuon se Genc Leka është i gatshëm të arratiset nga vendi.

Më tej në ekspertizën e saj monstruoze Diana Çuli del në konkluzionin fatal për poetin se autori sipas saj ka “frymë pesimiste, ai shpreh dëshpërim, kujton me nostalgji të kaluarën, bën aluzion për një të ardhme dhe shkruan me alegori, gjë që tregon se ai ka një çoroditje të theksuar ideologjike, pasi autori nuk është i kënaqur nga realiteti i sotëm dhe e quan të rëndë ambientin ku jeton, se për të ky realitet është mbytës, i padurueshëm prandaj kërkon rrugë të dalë”.

Me këtë përfundim ekspertja e Sigurimit të Shtetit e ka firmosur direkt vendimin me vdekje të poetit Genc Leka. Me këtë akt-ekspertizë Diana Çuli tek poezitë e Genc Lekës ka zbuluar armikun e rrezikshëm për partinë. Genc Leka, sipas aludimeve të Diana Çulit ose do të ngrihej kundër regjimit ose do të arratisej nga vendi, dhe në të dyja rastet ai përbënte armikun e regjimit komunist.

Gjithë ekspertiza e Diana Çulit është e mbështetur jo në vargje ku poeti i shpreh ad literam ato që pretendon ekspertja e Sigurimit të Shtetit, por tek ato që merr me mend dhe bën aluzion apo insinuon Diana Çuli.

Diana Çuli ndaj poezive dhe poetit ka qasjen e xhelates,  për të gjetur tek çdo varg apo fjalë e shkruar “fajtorin” që sipas saj meriton të dënohet me dënimin kapital.

Diana Çuli e dinte shumë mirë se çfarë peshe do të kishte ekspertiza e saj për jetën e poetit, sepse hetuesi nuk mund të ndërmerrte asnjë vendim kundër Genc Lekës, nëse faji i tij nuk do të provohej nga Diana Çuli .

Akt-ekspertiza e nënshkruar me firmën e saj i jep përgjigje pyetjes nëse është apo jo Diana Çuli “vrasësja” e poetit Genc Leka  !

Poeti Agron Tufa i sjell publikut dokumentin nga që rrëzon pretendimet se akt-ekspertiza e Diana Çulit  nuk ka të bëjë me dënimi kapital me pushkatim të poetit martir Genc Leka. Ky dokument është vendimi i Vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të RPSSH.

Vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të RPSSH-së, i datës 2 korrik 19771, lë në fuqi vendimin e Gjykatës të rrethit Librazhd të datës 13 qershor 1976 për pushkatimin e tyre.  Dhe në argumentat që e ka mbështetur vendimin e saj Gjykata e Lartë e asaj kohe përmenden pikërisht pjesë esenciale nga akt-ekspertiza e Diana Çulit për poezinë  “Këngë për miqtë e parë”, ku ajo aludon qartë se Genc Leka ka nostalgji për diverantët dhe armiqtë e pushtetit popullor dhe diktaturës.

Pas vendimit të Gjykatës të Lartë, të dy poetët, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi ekzekutohen me pushkatim më 17 Korrik 1977.

***

DOKUMENTA QË FLASIN SE PUSHKATIMI I GENC LEKËS DHE VILSON BLLOSHMIT U BË PËR SHKAK TË POEZIVE TË TYRE TË OFRUARA NGA AKT-EKSPËRTIZAT E “VËLLAZËRISË KAINIANE”

Nga Agron TUFA/

Argumenti i fundit, kryekrejt spekulativ e nihilist, që përdoret në mbrojtje të Diana Çulit, është se, gjoja, dënimi kapital me pushkatim i poetit martir Genc Leka, nuk ka të bëjë me “Akt-Ekspertizën” e poezive, që shkrimtarja e tyre e preferuar ia ofroi Sigurimit.

Teoria e tyre e fundit thotë, se Genc Lekën “e pushkatuan për sabotim të ekonomisë socialiste” dhe aspak për poezitë e komunetuara nga D. Ç.

Në fakt, në vendimin gjyqysor të denimit të Lekës dhe Blloshmit vërtet janë dy nene a) për “sabotim” dhe b) për “Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”.

Nga përvoja më hartimin e vëllimeve të “Fjalor Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist” në Isnstitutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, e kemi ndeshur praktikën e qëllimshme të përzierjes së neneve politike me ato ordinere.

Kjo përzierje bëhej për të ulur e poshtëruar qëllimshëm imazhin e kundërshtarit me aspekte oridinere, si hajdut, imoral, pijanec etj, etj, por që s’kanë asnjë lidhje me të vërtetën. Kuptohet poezitë me recensat përkatëse të sivëllezërve kainianë, kanë patur një peshë themelore në dënimin e tyrë, por në Vendimin gjyqësor, ato janë përfshirë në nenin e “Agjitacion propagandës”.

Po si ta dallojnë këtë gazetaret tona, që kriter kanë nxitimin dhe sprintin për të ta hedhur në “kthesë”?

Të gjithë që kanë lexuar “Princin e lumtur” të Antuan dë Sent-Ekzyperrisë, do t’u kujtohet skena e fillimit kur Princi i Vogël vizaton një Boa, të cilën e ka fshehur nën një kapelë.

Ai ua paraqet të rriturve vizatimin dhe i pyet se çfarë është. Të gjithë i thonë: “kapelë”. Princi largohet i zhgënjyer me trashësinë e tyre, që nuk kuptojnë një gjë aq të thjeshtë: që Boa gjendet nën kapelë.

Megjithatë, ne po ua rrëzojmë dhe këtë pretendim të fundit dhe do të paraqësim me dokument, se pikërisht poezitë e tyre të interpretuara nga Akt-Ekspertiza (në rastin konkret të Genc Lekës me po ato tituj poezish të analizuara nga Diana Çuli) bëhen argument e provë vendimtare në mosfaljen e denimit të tyre me pushkatim.

Kjo pjesë dokumentash që fokusojnë Genc Lekën, paraqesin përgjigjen dhe argumentin që sjell Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të RPSSH-së, me rastin e lënies në fuqi të vendimit për pushkatimin e tyre.

Për ata që interesohen t’i kenë integralë të gjitha këto dokumenta (për Lekën dhe Blloshmin), mund t’i marrin ato në ISKK, me një kërkesë të thjeshtë. Me tej, vëreni vetë dokumentet, duke u lënë shans gazetareve të konsultohen më ngushtë me shokët pë të nxjerrë ndonjë argument më për të qenë në mbrojtje të klientes së tyre.

1 Vertetimi-Tufadianac2

 

 

EKSPERTIZA/

Kjo është  eskpertiza e bërë nga Diana Çuli që e çoi në pushkatim poetin Genc Leka. Atë kohë në 19 nëntorin e vitit 1976, kur Diana Çuli, e datëlindjes prill 1951, shkroi dhe e nënshkroi, ishte redaktore e gazetës Drita, një vend me shumë rëndësi kur gjykon periudhën që përkon me një spastrim të egër që partia kishte ndërmarrë në ushtri, ekonomi dhe kulturë dhe për të forcuar vigjilencën në poste kyçe kishte vendosur më të besuarit e vet. Diana Çuli ishte mbesa e Sofokli Lazrit, këshilltarit të Ramiz Alisë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, ËSHTË DIANA ÇULI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2143
  • 2144
  • 2145
  • 2146
  • 2147
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT