• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Doda në Kuvend: Ivanov ka nënshkruar fundin e Republikës së Maqedonisë

March 2, 2017 by dgreca

17097368_10154993864190690_7691237571453642165_o

Nga Mesila DODA/*

Deputete ne Kuvendin e Shqiperise/

…. Sot ky Kuvend do duhej të ishte i mbledhur i gjithi bashkë me një qëndrim unik dhe një çështje themelore; Çështja e shqiptarëve të Maqedonisë.Presidenti George Ivanov sot ka nënshkruar zyrtarisht fundin e Republikës së Maqedonisë, këtij shteti të sajuar në zyra burokratësh e që është e vështirë ta quash edhe eksperiment, pasi është eksperiment i konceptuar keq dhe i realizuar edhe më keq. Paradoksalisht, Presidenti albanofob refuzoi qeverinë e Zoran Zaev, vetëm e vetëm sepse kjo platformë qeverisëse shpallte gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, kusht ky i parashikuar qysh në krye të herës në Marrveshjen e Ohrit dhe kurrë e zbatuar.

Të nderuar kolegë,
Kemi qenë së bashku në këtë sallë, kur kam kërkuar ndërhyrjen urgjente të shtetit shqiptar për të siguruar të drejtat e shqiptarve të Maqedonisë, të asaj krahine që sot, nga kjo sallë po e quaj me emrin e saj të vërtetë Ilirida.
Shqiptarët e Iliridës kanë duruar masakra, vrasje, djegie shtëpish, bombardime ditën për diell nga shteti eksperimental, i cili do duhej teorikisht t’i mbronte. Kanë duruar diskriminimin, dhunën dhe përbuzjen dhe përsëri kanë dashur bashkëjetesën, sepse kanë zgjedhur që të jëtojnë edhe me të ndryshmin e tyre. Në vend të këtij qëndrimi më shumë se njerëzor, sot kanë marrë shuplakën e Ivanovit që shpalli armiqësinë me 800 mijë shqiptarë të Iliridës.
Sot, ata kanë vetëm dy rrugë: ose Presidenti Ivanov jep dorëheqjen si ekstremist i dhunshëm me qëndrime shoviniste antikushtetues, ose forcat politike të shqiptarëve duhet të mblidhen të gjitha bashkë dhe të shpallin mëvetësinë e Iliridës.
Shqiptarët atje janë sot të lënë në varfëri, injorancë dhe mundohen të trajtohen si ekstremistë islamikë. Kësaj fytyre të keqe, ne sot duhet t’i kundërvëmë drejtësinë, qytetarinë dhe bashkimin me një kauzë të vetme.
Kjo që ju them sot nuk është thirrje nacionaliste, është kërkesë e Kushtetutës sonë që të interesohemi për të drejtat e bashkombasve tanë kudo, ku ata jetojnë. E nëse i kanë lënë të jetojnë në një shtet që nuk i konsideron, që nuk i trajton si qytetarë dinjitozë, atëherë ata nuk meritojnë të lihen vetëm në fatin e tyre tragjik.
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës duhet të kërkojnë urgjentisht mbledhjen e përbashkët të tryezës së forcave politike dhe të ndihmojnë vëllezërit e tyre që sot ndodhen në agrip, prej goditjes më të ashpër që i ka ardhur nga kreu i shtetit, jo vetëm ndaj tyre, por edhe ndaj kancelarive botërore e që sot për Shkupin nuk kanë më asnjë domethënie.
Pikërisht, për këtë arsye sot do duhet të veprojmë kombtarisht. Shkelim Kushtetutën tonë, nëse i lëmë vetëm shqiptarët e Iliridës. Do jemi dyfish të dënuar, nëse nuk përgjigjemi në mënyrë të menjëhershme dhe me po aq forcë sa aktet diskriminuese e fyese të një Presidenti që vret shtetin e vet.
Gjeorgje Ivanov duhet të shpallet person “non grata” në gjithë hapësirën shqiptare.
Shteti shqiptar dhe ai i Kosovës të bashkërendojnë veprimet për të ndihmuar mbajtjen e referendumit nga shqiptarët e Iliridës, për të shpallur mëvetësinë e tyre.
Ne jemi një komb! Askush nuk na e fal më të lëshojmë territore për të mbajtur pushtete.
PDIU i ben thirrje gjithe forcave politike te bashkohen ne nje qendrim te vetem pro shqiptarve të Iliridës dhe vendimit që ata do të marrin për të ardhmen e tyre.

*Fjala e plotë e deputetes Mesila Doda në seancën e sotme parlamentare, 2 Mars 2017

***

PDIU i bën thirrje bashkëkombësve tanë  në Maqedoni që të bashkohen/

Deklaratë për media

Deklaratat e presidentit maqedonas Ivanov kundër të drejtave legjitime të shqiptarëve janë një fyerje e madhe ndaj popullit shqiptar si dhe përbëjnë një sulm të rëndë ndaj bashkëjetesës ndër-etnike. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i dënon rëndë këto deklarata të cilat janë të mbushura me gjuhën e urrejtjes dhe shkojnë ndesh me Kushtetutën e Maqedonisë, Marrëveshjen e Ohrit si dhe me standardet evropiane të të drejtave të njeriut. Ne e konsiderojmë vendimin e Ivanovit për mos t’ia dhënë mandatin koalicionit që ka shumicën në parlament, si një goditje ndaj sovranitetit popullor dhe demokracisë në këtë shtet. Ky është një vendim i papërgjegjshëm që godet institucionet demokratike të këtij shteti dhe kërcënon rëndë stabilitetin në Maqedoni dhe mbarë rajon. Ne i kemi ndjekur i ndjek me vëmendje zhvillimet në Maqedoni dhe e kemi të qartë nga përgjimet e publikuara për nivelin e kapjes së shtetit dhe e kuptojmë se klika e përlyer maqedonase po i tmerrohet sundimit të ligjit dhe forcës së votës.
PDIU i bën thirrje bashkëkombësve tanë  në Maqedoni që të bashkohen, që të vetëpërmbahen e të mos bien pre e provokimeve që vijnë nga ata që tanimë nuk kanë më se çfarë të humbin.  Këto veprime  të Ivanovit e Gruevskit janë dëshmi e qartë se klikës që ka kapur këtë shtet po i vjen fundi dhe këto deklarata  janë përpëlitjet e fundit përpara rënies së pashmangshme nga pushteti. Po ashtu i bën thirrje faktorit politik në Tiranë dhe Prishtinë e kudo tjetër ku jetojnë shqiptarët, që të reagojë në mënyrë të koordinuar bashkarisht si një komb përpara këtij kërcënimi që po i kanoset vëllezërve dhe motrave tona në Maqedoni.

Filed Under: Politike Tagged With: Ivanov non grata!, Mesila doda

Maqedonia, atdhe artificial

March 2, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1 MaqedoniEdhe në zgjedhjet e fundit Maqedonia hyri në të zakonshim kolaps politik. Them në të zakonshim, pasi ka qënë shqiptarët ata që i kanë dhënë udhën e duhur vendit. I pari Ali Ahmeti dhe BDI. Kësaj herë ishin prapë ata, shqiptarët. Por disi ndryshe. Më të unifikuar dhe me një kërkesë legjitime. Njohjen e gjuhës shqipe në jetën e përditshme shtetërore. Dhe në fund të fundit, nuk ka asgjë të keqe. Përderisa jetojnë në trojet e tyre, janë shumicë shtetformuese. Në një republikë, e cila qysh pas vekjes së byroistit Kiro Glikorov. I cili qe i pari dhe i vetmi që besoi e pohoi publikisht. We are slavs…, ne jemi sllavë. Sllavë të ardhur këtu në shekullin e VI pas Krishtit. Të tjerët, krejt paturpësisht. Shumë qetësisht. Shumë të bindur. Kërkojnë të ngrejnë një shtet që përpiqet të përfitojë sa nga mitet greke, sa nga ato shqiptare. Po te keni parasysh këtu Aleksandrin e madh apo Nënë Terezën etj. Aq edhe nga kultura sllave. Ku quajnë të tyren edhe logjistikën gjuhësore të bullgarishtes. Një shtet që investon gati çmendurisht në resorset e historike të nëntokës dhe mbitokës. Duke cirilizuar çdo pllakë varri. Aq sa edhe ajo pak kulture e re e një shteti shumëkombësh. Vdiq e vdes pa u rritur mirë. Kjo është një politikë absurde, e cila i bën karshillëk gjithë arsenalit botëror të akademive dhe universiteteve.

Që ta ngrin buzëqeshjen prej vetëdijes anormale të një burri shteti, i cili thotë mendje mbushur se në venat e tij rrjedh gjaku i Aleksandrit.
Ky ishte Ljubçko Gjeorgjevski. Ish kryeministri i Maqedonisë nga viti 1998-2002.
Të gjitha këto vetëm nga strategjitë e frymës së radikalizmit. Nga ata që mendojnë dhe e gjykojnë njeriun, jetën, vendin etj. Në bazë të frymës mbi rracën e pastër, besimin fetar, patriotizmin e sëmurë. Dhe superioritetin.
Jo rastësisht sot, politikat e bijëve të ish byroistëve, janë të egra se ato etërve tyre. Kështu si ky. Edhe shokët e tjerë. Deri tek ty i fundit. Që me pahirin e tij prej mbetje federate. U dha shansin shqiptarëve të dëshmojnë faqe njerëzimit. Se nuk janë ata pengesa që Maqedonia të jetë një Zvicër e dytë e Ballkanit.
Madje shqiptarët, kanë lënë pas dore edhe kombin.
Megjithëse nga ana tjetër, qe pikërisht ky mëkat që mbajti në pushtet kët nevrik me emrin Gruevski. Apo këtë president që e konsideron shantazh marrëveshjen normale, qeveri formuese. Të një koalicioni shumicë.
Të gjithëve na vinte plasja, kur shikonim se partia e një mëndje të madhe. Ajo e Arbën Xhaferrit, pakësohej. Dhe kur një tjetër, ajo e luftës së Sharrit, BDI…, qeveriste.
Na vinte plasja për shkak të grindjeve brenda shqiptarëve.
Kur njëra palë këmbëngul në zbatimin e marëveshjes së Ohrit. Dhe tjetra lëshon për të qeverisur.
Një lloj oportuniteti që nuk i shkon gjaknxehtësisë shqiptare.
Por kështu është. Kemi heshtur. Kemi pjesën tonë të mëkatit në këtë Maqedoni sllave që thotë jam greke. Që flet për kryqe, racë të pastër. Ndërsa dominohet nga salepi, nargjilet. Nga ngërdhjesha e hekurt e uniformave. Gati për dëbime e reprezalje.
Ndofta kjo edhe për shkak të një Kosove të dobët. Që bërtet se është shqiptare, por që realiteti dëshmon se po turqizohet çdo ditë. Shkon e i jep dëshmorë radikalizmit në Mosul. Shikon Erdoganin si president të vendit. Jo Hashim Thaçin.
Një Shqipëri që pasi i shtrydh OJQ-të si Soros, Gylen etj. Kryqin e kuq. Apo gjysmë hënën e kuqe. Fondacione …
Grindet e vritet për mustaqet e Çelos. Pasi ka shitur edhe gëzhojën e fundit. Nga arsenali i saj i rëndë. Një atdhe më vete me tanke, kundërtanke. Kundërajrorë. Flote detare e qiellore. Me gazerma plot. Me logjistikë e platforma mbrojtje. Sot pa asgjë…, i shet pordhë një Greqie që ushqen e mban gjysmë milioni shtetas të saj.
Ndofta në kushte të tjera…, shqiptarët e Maqedonisë do ta kishin ngritur më shpejt. Do e kishin bërë më shpejt europiane Maqedoninë. Do i kishin dhënë me kohë një president bashkëkohor. Që i përket demokracisë. Dhe jo luftës në emër të rracës së pastër. Mos bashkëjetesës. Dhe dashurisë që lind e jeton mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: atdhe artificial, Ilir Levonja, Maqedonia

DJEMTE E ALIZOTIT

March 2, 2017 by dgreca

Nga Avdulla Kënaçi/Kanada/

1 Alizoti kenaci

Ata që kanë provuar emocionet e një udhëtimi të largët, e dijnë mirë se çfarë ndodh kur të ka mbetur vetëm një ditë përpara se sa të ngrihesh në fluturim. Po doktor Selam Shkurti, as donte t’ia dinte për të gjitha këto. Nuk thonë kot “kokë golëmi”.Dëgjo, mos më turpëro me djemtë e Alizotit, duan të të takojnë për një kafe. Ler çdo punë se ata të presin tek Kullat. – Kaq tha Doktori dhe mbylli telefonin.Duke kujtuar tërë ato porosi që më kishin mbetur pa mbaruar, turfullova. Ja edhe Selami tani, më jep ultimatume. Valixhet e udhëtimit i kam akoma të hapura mbi divan. Nuk ka faj, vetë unë ia kam krijuar këtë komoditet. Nuk ia kam prishur kurrë. Na lidh një shoqëri e vjetër, ne jemi jo vetëm rreth miqësie, por shokë që nga fëmijëria, shokë në shkollë të mesme, pastaj të dy me punë në Gjrokastër e më vonë në Tiranë; gjersa unë përpara disa vjetësh u degdisa në Kanada. Me të qeshur unë i thoshja: “Mirë të tjerat, por edhe nuset nga i njëjti qytet, more Selam!?”

U dhashë këmbëve për të arritur në kohë. Librarit Alizot Emiri i kisha borxhe të mëdha. Edhe pse ai ka më shumë se tri dekada që ka ndërruar jetë, nuk mund kurrsesi ta shlyej nga kujtesa. Kur duhej, në moshën time të re, më ushqeu dashurinë për librat duke m’i përzgjedhur sikur të isha një nga fëmijët e tij.

I pari në takim erdhi Imja, arkitekti, me të bijën, Klodin të cilën e shihja për herë të parë. Emri i Ibrahim Emirit, ose Imes, si e thërrinsnin në Gjirokastër shokët e ngushtë të Selamit,  më është ngulitur thellë në memorie që nga shkolla e mesme. Pastaj e kisha njohur vetë. Jo vetëm Doktor Selami , por edhe përmetarët ku ai kishte punuar, nuk e hiqnin nga goja për të mirë. Kur ishim në shkollë të mesme në Gjirokastër, nuk kishte se si ta harroja “çekiçin” e Selamit.  “Imja më tha kështu, Ibrahimi është më i miri i klasës, është i shkëlqyer në matematikë, … dje isha në shtëpi të Imes. … Ka gjithë ato libra. ….E di kush është babai i tyre? Alizoti, ai  që ka atë librarinë poshtë Qafës së Pazarit. … Nuk e merr me mend se çfarë familje e dashur janë ! … Por nuk e di… kanë diçka në biografi”. Biografi!? O zot, kjo është fjala që më ka tmerruar e llahtarisur së tepërmi në atë periudhë. Familja jonë në fshat konsiderohej me “hije në biografi”, ndërsa e Selamit jo. Ai e bënte gjumin të qetë. Kjo e flamosur fjalë paska mbirë edhe në qytet, mendova. Ndoshta kanë pasur ndonjë me qeverinë e Zogut, i thashë Selamit. Ai nuk më ktheu kurrë përgjigje gjersa unë e mësova të vërtetën nga librat biografikë që kanë shkruar për Zoten të bijtë e tij. Zotja ishte dënuar për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Edhe pse bisedën e kthyem përsëri tek librat, ajo fjala “biografi” ishte sikur t’i hidhje ujë të akullt bashkëbisedimit që kishte filluar aq këndësh. Selami e dinte pikën time të dobët, librat. Së bashku, kur sa kishim mësuar shkrim e këndim, ndërtuam me dërrasat e një arke të vjetër “bibliotekën” tonë. Nuk u besoja veshëve, por edhe bëhesha ziliqar si kishte mundur Selami të kishte mik një qytetar dhe akoma më shumë, një gjimnazist me libra në shtëpi, ndërsa unë, edhe një shok klase që kisha nga qyteti, ai ishte me origjinë nga Kurveleshi, për ndonjë armë mund të hamendësoje, por për libra kurrsesi nuk bëhej fjalë që t’ia gjeje në shtëpi.

Kur hyra në librarinë e Aliotit për herë të parë, më dukej se edhe unë kisha “një të drejtë” më shumë, isha një rek Selami. Guxova dhe një ditë i tregova Zotes se çfarë më lidhte me Selamin. Ai më pa drejt në sy e më tha: “Edhe ti nga Golëmi qënke, kini zbritur në qitet, mos mendoni se do vijmë ne gjirokastritët t’u ruajmë bellot (delet)?!” Pastaj u bë serioz dhe m’u drejtua sikur të isha burrë  i rritur “Selami është shok i ngushtë i djalit tim.” Unë këtë doja, këtë prisja.  “Çfarë libri kërkon?”.  Zotja ma kishte blerë mendjen. Mora kurajo dhe “si mik” i thashë “Bija e mallkuar”. Ai qeshi pa e hequr cigaren nga buzët dhe më tha: “Eshtë ca si shpejt për atë libër, por nuk mendoj se na vjen më, por mund ta gjesh në bibliotekën e qitetit, ama po i gjete mik Vangjelit, drejtorit”. Aty për aty nuk i kuptova fjalët e Zotes, por më vonë mësova se ai libër ishte hequr nga qarkullimi.

Por unë kam një tjetër edhe më të mirë, – rrëmoi në raftin e fundit, vuri mbi banak një libër të trashë – ja këtë amerikanin. E ka shkruar një i famshëm, Teodor Draizer. Sa mbaroi Lufta e Ditë Botërore, vdiq edhe i ziu Draizer, po ka lënë vepra shumë të bukura.

Ne fshatarët jemi mosbesues. Veçanërisht qytetarët nuk i besojmë lehtë. Kur vura re çmimin dhe madhësinë e librit, mendova: “Ma ngopi, do t’i ketë mbetur pa shitur dhe ma ngeci mua”. Megjithatë e mora. Nisa ta lexoj me përtesë. Po sa më shumë faqe kaloja, aq më shumë më vinte turp për ato që kisha menduar për Zoten. Përpara meje u çpalos një vend tjetër, Amerika, marrëdhënie të tjera, por të egra, një djalë ambicios, Klajdi dhe një vajzë e thjeshtë punëtore fabrike, Roberta, por e pastër, njerëzore, mirësia vetë. Në fund të dy vdiqën. Histori e trishtur dashurie…U ktheva në librari pas një jave. E falenderova Zoten me përzemërsi.

E di që të ka pëlqier romani që të zgjodha. Ç’o marrëçtjetër? –  më pyeti duke më parë drejt e në sy.

Po ta lë ty.- Ai shpejt e shpejt zgjodhi një libër shumë më të vogël nga i pari.

Ky e ka titullin “Gjeri i vogël” por është shkruar nga një shkrimtar i madh farances. Shkruar nga i madhi Alfons Dode, ky libër është autobiografia e atij vetë.

E përpiva për dy ditë edhe Dodenë. Stili i ëmbël, thjeshtësia dhe madhështia e këtij autori më mahnitën, veçanërisht përshkrimet e natyrës dhe fshati.

Pastaj ai më rekomandoi shkrimtarë të tjerë; Mopasan, Stendal, Balzak, Hygo, Remark, Petro Marko, Flober, Cvajg, etj. mirpo nuk ma mbante xhepi dhe i rrallova vizitat në librari. Njëherë i kërkova librat e një autori rus dhe ai më tha në formë këshille, por edhe me një ton qortues; “Mbaro njëherë këta frënjtë që të jap unë, pastaj shohim e bëjmë për ata sovjetikët e tu”.

Për katër vjet me radhë me Spiro Deden nga Zagoria isha shok banke, shok klase dhe shok dhome në konvikt. Spirua ishte i publikuar si letrar mbasi në gazetën “Pionieri” kishte botuar një poemë qysh në shkollën 7-vjere kur i vdiq e ëma gjatë lindjes së motrës. Librat na lidhën më shumë së bashku. Ato çfarë lexonim ia tregonim njeri-tjetrit. Kur vinte pranvera “arratiseshim” nga dhoma e konviktit dhe ngjiteshim në tarrarcën e mencës. Shtronim batanie, merrnim nga guzhina biskota dhe një ibrik qumësht. Ky ishte “kokteji”. Ato na i jepte ndihmës guzhinierja, Antigoni Kutra, natyrisht “pa lejen” e guzhinierit. E ky i fundit, xha Kiçoja, një burrë i mrekullueshëm, ishte babai i Spiros. Flisnim për shkrimtarët, filmat, personazhet dhe përshkrimin e ngjarjeve që lexonim. Edhe Spirua tek Alizoti e kishte “kokën”.

Më thuaj mor vëlla, si është e mundur që Zotja i di subjektet e librave që ka në dyqan, i del koha atij t’i lexojë të gjitha!? – e pyeta njëherë.

Po, edhe mua më ka bërë përshtypje, më ka folur për librin para se ta blej dhe kur e kam lexuar ka qenë ashtu si më ka thënë Zotja.

Po si ka mundësi?! – Nuk kishim përgjigje. Ishte enigmë. Më në fund i dhamë karar se Zotja bënte lexim diagonal. Unë nuk e di se këtë fjalë “diagonal” e shpiku vetë Spirua për të shpëtuar nga pyetjet e mia dyshuese apo e kishte dëgjuar diku. Ama ne nuk dinim diçka tjetër. Zotja lexonte në gjuhë të huaj, italisht dhe fërngjisht.

Pasi mbarova shkollën e mesme, në një ditë të nxehtë korriku isha drejtuar për në sportelin e kinemasë, kur dëgjoj një zë që erdhi nga klientët e kafenesë së Rrapit:

Ti golëmas, pa eja këtu se të kërkon Doktori! – ishte zëri i Zotes që në atë orë pinte kafenë me Doktor Vasilin e Madh.  Ashtu, i ndrojtur, i pasigurtë, u rrotullova për nga tavolina e tyre. Doktori, një burrë trupmadh dhe i mbajtur mirë, më bëri vend me dashamirësi, më pyeti për mësimet, për librat që lexoja dhe çfarë kisha ndërmend të bëhesha. Pastaj më tha:

Ti je nga fshati i Ismail Golëmit, – nuk priti përgjigje, por vazhdoi – e kam pasur mik, ishte burrë i ditur dhe i zgjuar. Shkonim së bashku për gjah aty nga kodrat e Dervenit.

Hej bela, thashë me vete, Ismail Golëmi është pushkatuar nga Partia si armik dhe ky këtu në hije të rrapit e në mes të ditës më thotë se ishte burrë i mirë. Ktheva sytë nga Zotja, por ai mplikste me nge një cigare duhan dhe aq i përqendruar ishte në atë marifet sa thua se nuk kishte dëgjuar asgjë. Ah, mor Zote, po a e  di ti që jam me “hije në biografi”!? Mblidhe Doktorin se ka ikur nga fiqiri. E kur pra, tani që po pres të vazhdoj shkollën e lartë më thotë nga këto gjëra!? Thuaji ore ç’janë këto gjëpo-gjëpora. – Këto kujtoja kur isha përballë Imes dhe të bijës, Klodit, që kërkonte të dinte sa më shumë për gjyshin e vet.

Ja ku mbriti edhe djali i dytë i Alizotit, inxhinier Shpëtimi. Dinamik, shpërthyes dhe i shpjenguar në bisedë. Ai ngjan më shumë nga karakteri i të atit sidomos me ato romuzet që i ka në majë të gjuhës, por mua nuk më duket se është aq i llogaritur sa Zotja. Ndoshta nuk e njoh mirë. E lëshoi breshërinë e parë:

Librin ta dërguam falas, llogarite të japim falas ne gjirokastritët dhe të mos na shkruash dy fjalë për përshtypjet!? – Sytë lutës i hodha nga Ibrahimi me të cilin ruaj korrespondencë në facebook:

Ia kam shkruar Imes me mesazh. – Ibrahimi pohoi dhe unë ndjeva lehtësim, por Shpëtimi nuk ndalej.

Ia ke dërguar Imes? Pse s’thua që na zuri çatia brënda.- Qeshëm të tre, Klodiana më shumë edhe pse i ati i saj u ngarkua me faj. Ishim brenda atmosferës së familjes Emiri. Unë për ta lehtësuar ca, thashë:

Imja ngjan nga Galua, (ky ishte dajua i tyre), është i urtë e i qetë, jo si ky verveleja.

E po tani nuk do të thërras vëlla Ibrahim, po Dajko Ibrahim. – tha Shpëtimi “shumë seriozisht”. E qeshura gurgulluese e Klodit bëri që klientët e nja dy tavolinave më tej të kthejnë kokën nga ne.

Ashtu si Zoten, unë njihja mirë edhe Galon, shoferin e Sekretarit të Parë të Gjirokastrës. Kur isha gazetar i shtypit lokal, Galua, me urdhër të Sekretarit më merrte në makinë për të dalë “në terren ku merreshin rendimente të larta gruri e misri”. Kur kishte mbledhje të gjata, Galua zbriste në dyqan të Zotes dhe në një cep të librarisë, mbështetur në kangjellat prej druri, lexonte vetëm faqen e katërt të “Zërit të Popullit”. Rralloheshin klientët dhe Zotia pyeste Galon nga kreu i dyqanit:

Hë, mo Galo, çfarë thotë shtipi?

Kina  i ka bërë Amerikës paralajmërimin e 3144.

Po dale mo, sikur dje ishte paralajmërimi 3142, si ka vajtur 44 apo i bën çift e çift.

Jo, mo jo, ka bërë dy lajmërime në një ditë.

Si duket një ka qënë në mëngjes e tjetri në darkë. Nuk janë tërhequr amerikanët nga lufta në Vietnam as me atë të vaktit të mëngjezit e as me atë të darkës.

Por një ditë kryeredaktori i gazetës na mbledh në zyrën e tij dhe na thotë se ka shitës që mbajnë mall të rezervuar për miqtë. Përmendi kasapin, shitësin e djathit dhe Zoten. Ky lajm më prekte edhe mua. Isha një nga ata që Zotja më ruante gazetën letrare “Drita” dhe gjithë librat e reja. Si ta vija në dijeni? U ktheva në dyqan dhe si me të qeshur, i thashë:

Zote, je në listën e atyre që rezervojnë mallra. – Ai mund të më thoshte: “Qëromu nga dyqani, ti je një nga ata që i rezervoj!”. Por jo. Ai u nxi në fytyrë, humbi qetësinë. Ishte e para herë që e shikoja në këtë gjendje.

Mos më tremb mua me të tilla gjëpora. I sheh këto kalldrëmet e Gjirokastrës? Po të shkanë këmbët, nuk e merr më veten…

Përfundon në përrua, duhet të të ketë thënë!- tha Ibrahimi duke vazhduar mendimin e Zotes. Ishte i saktë. Të bijtë e tij e njihnin shumë mirë mekanizmin e të menduarit të babait të tyre.

Qortues, por edhe dashamirës. – tha Shpëtimi duke i dalë në mbrojtje.

Të nesërmen, i merakosur se po humbja një mik të çmuar, i penduar, u ktheva në librari. Zotja më priti si zakonisht, sikur midis nesh nuk kishte ndodhur asgjë.

Kishe të drejtë, më tha, atë problem në Komitet të Partisë e ka ngritur një instruktor që nuk ka haber nga librat. – U lehtësova.

Po mirë, po si e zgjidhe?

U thashë se vetë i madhi Lenin ka thënë se askush nuk duhet të dënohet se vjedh libra, unë nuk i vjedh, u thashë, nuk i mbaj për miqtë e mi, por i rezervoj për miqtë e librit. Nuk mund t’ua jap librat e gazetat atyre që duan të mbështjellin djathë e domate me to. “I paparë Zotja, i lumtë, ua ka mbledhur!”, mendova duke e kundruar me admirim. Ama atë këshillën e këmbëve që të rrëshqasin në kalldrëmet e Gjirokastrës, e vura vath në vesh, nuk e harrova kurrë, madje kohë më parë ia kam treguar edhe doktor Selamit.

Një herë tjetër vura re që midis dy kunetërve nuk shkëmbeheshin më shakara dhe romuze. Galua afrohej tek banaku dhe bashkëbisedimi ishte i tensionuar. Dëgjova që flitej për djemtë. Më theri në shpirt. Me siguri që ajo fjala e llahtarshme “biografi”, u kishte prerë rrugën. Zotia jepte e merrte nga një komitet në tjetrin. Në dy vëllimet, “Alizot Emiri, njeriu, librari dhe gazet fisnike”, të lidhura aq bukur, gjen të zbërthyer dramën e kësaj familjeje  denbabaden gjirokastrite, patriote, por të anatemuar nga teoria mizore e luftës së klasave. Djemtë e Alizotit kanë bërë një punë hulumtuese duke treguar mbijetesën, por edhe humorin që e kishte bërë aq popullor Zoten. Dashur pa dashur, kjo simpati e respekt e mbështolli me një koracë të paprekshme nga regjimi komunist. Unë nuk mund ta kuptoja saktësisht në ato vite se si në një shtëpi prej guri të lagjes Palorto rriteshin me mundime këta djem të mrekullueshëm, model në çdo kohë e periudhë.

Në atë takim të shkurtër Shpëtimi më dhuroi librin e tij “Kujtime me buzë në gaz”, është jeta e tij e mbushur me plot episode gaztore. Një libër me kripë e piper. Nuk thonë kot bëmë baba të të ngjaj. Nuk ke çfarë u thua, humorin e kanë në gjak. Buron vetvetiu si ujët e Viroit. Në çantën e udhëtimit drejt Kanadasë m’u shtua edhe një dhuratë e veçantë, ky libër plot humor, ngjyra dhe jetë.  Jam krenar që jam miku i tyre. Libri i dytë për Zoten mbyllet me një shprehje prej meje: “I paharruar. I madh Alizot Emiri. Dritë i pastë shpirti, ashtu si dritë diturie dhe hare shpërndau gjatë gjithë jetës së tij!”  M’u duk shumë pak, ende nuk ia kisha larë borxhin Zotes. Në shenjë mirënjohje për dashurinë që më ushqeu ndaj librit, edhe kaq sa shkrova tani, mendoj se është e pamjaftueshme.

Kanada, shkurt 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: Avdulla Kenaci, DJEMTE E ALIZOTIT

Dita e 13-të e Protestës: Basha kërkon dorëheqjen e Ilir Metës

March 2, 2017 by dgreca

*Republika e Re, Basha për herë të parë kërkon edhe dorëheqjen e Ilir Metës /

*Berisha: Shqiptarë, mendoni për votën tuaj të lirë. Karteli i drogës është në qeveri/

2 Basha

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka kërkuar për herë të parë edhe dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës, aleatit të Kryeministrit Edi Rama, me të cilin kanë krijuar qeverinë e koalicionit.Basha e ka artikuluar qartë në një intervistë dhënë Report TV: “Skenari i vetëm është largimi i kësaj qeverie.  Rama dhe Meta dhe kushdo tjetër të japin dorëheqjen dhe t’i hapin rrugë qeverisë teknike. Unë u them në emër të qytetarëve: Reflektoni dhe hapini rrugë qeverisë teknike; rrugë tjetër nuk ka.” Sot protesta e opozitës para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e 13.

Berisha: Shqiptarë, mendoni për votën tuaj të lirë. Karteli i drogës është në qeveri /

Ish-Kryeministri Sali Berisha iu ka drejtuar një thirrje qytetarëve shqiptarë sot nga “çadra e lirisë” përpara kryeministrisë.Ai ka bërë thirrje që shqiptarët të mendojnë për votën e tyre që është e rëndësishme. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se qeveria është kthyer në një bandë kriminale, e nuk është më qeveri.

Pjesë nga fjala e ish-kryeministrit Berisha:Thirrjen nëse i besoni apo votës së lirë, nëse duhet apo jo që ne të përcaktojmë votën e lirë si rrugën për të garantuar të ardhmen që meritojmë. Vetëm një moment ju ftoj të dashur shqiptarë, të mendoni për votën tuaj.Unë e di që qindra mijëra nga ju kur dëgjojnë këto fjalë thonë: “Ne s’kemi kafshatën për të ngrënë”. Unë jam me ju se kafshata është jeta, është më e rëndësishme se vota, por unë ju them ju të tjerëve që a ka një rrugë tjetër që këta njerëz të mos numërojnë kafshatën, të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre, përveç votës së lirë?Të votojnë përmes votës së lirë edhe për ata që lotët e mjerimit ua kanë shuar sensin, kuptimin e votës.Problemin e kafshatës mund ta zgjidhim duke votuar të lirë.Këtu para tre ditësh këtu ishte një personalitet shumë i shquar i politikës ndërkombëtare, zonja Betancurt që karteli i drogës e grabiti kur bënte garën për President.Ajo tha këtu se Shqipëria nuk më duket si Kolumbia. Për zonjën ishte e drejtë sepse qeveria e drogës kishte angazhuar ushtrinë për të luftuar kartelin e drogës, kurse këtu karteli i drogës është qeveria. Në dallim nga Kolumbia, drogën e mbjell qeveria, që I ka shndërruar strukturat e saj në struktura kanabiste.

Sa drogë ka shkuar në vitin 2016 deri tani? 150 tonelata me statistika. Por italianët kanë kapur 10-15% se pjesën tjetër nuk e kapin drogë.

Pse u mbush vendi me drogë: u mbush vetëm për një qëllim, që të helmojë votën, që vota të kapet me çdo kusht, që kanabisi të përcaktojë vullnetin e shqiptarëve.

A mund të votohet në një vend ku në të katër anëtar sundojnë bandat e armatosura të kanabisit? Ky kriminel që rri në zyrën e Kryeministrit bërtet si i çmendur se po bën shtet!

Çfarë shteti po bën ti që ke bandat në çdo metër katror të këtij vendi, kur e ke mbushur vendin me banda kanabisi. Po ndërton shtetin e drogës, po ndërton banditokraci!

Filed Under: Komente Tagged With: Basha, Berisha, doreheqje, Droga, Ilir Meta, qeveria

Kjo është Mafia!…

March 2, 2017 by dgreca

Korrupsion helmues dhe vrastar për vendin e popullin! Kjo është Mafia!… /

Nga Denion Meidani/

Një lajm skandaloz e tepër tronditës! Nëse ai është i vërtetë në këto përmasa dhe detaje, siç e përshkruan media ndërkombëtare, ai është dhe tejet kriminal! Të shpresojmë që nuk është i vërtetë; sepse për ndryshe ai do të mishëronte në vetvete një korrupsion masiv helmues për sistemin dhe tejet vrastar për vendin dhe popullin! Një vrasje mjedisore me paramendim, një lloj gjenocidi mjedisor e njerëzor! Kjo është Mafia!…

Të japin llogari doganat, nga i pari tek i fundit, nëse ato paskan lejuar vetëm gjysmën e ngarkesës tranzit që të kalojë në pikën kufitare të daljes pa kërkuar llogari për pjesën e mbetur në territorin tonë! Se kur doganierët shfaqen si të devotshëm ata numërojnë një me një dhe mollët e Korçës që eksportohen për në Maqedoni apo ato të Maqedonisë të importuara tek ne. Të vihet në lëvizje policia e ndershme (jo ajo e zënë me “mbjellje e korrje” apo me detyra elektorale), inspektorati e strukturat e tjera të mjedisit, si dhe, mbi të gjitha, prokuroria të fillojë menjëherë hetimin, për t’u vënë prangat shkelësve te ligjit me uniformë, qoftë të doganës, qoftë të policisë, nëse kanë lejuar, kanë neglizhuar ose heshtur për gjysmën a më shumë të sasisë së tonelatave toksike të hyra tranzit në Portin e Durrësit dhe nuk dolën në pikën kufitare të Qafe Thanës!

Të merren masa të shpejta edhe për kontrollorët e mjedisit në këto pika kufitare apo dhe për ata, që nuk i kanë njoftuar në momentin që ka hyrë një ngarkesë e tillë toksike! Të merren masa për anti-kontrabandën, hetimin doganor apo aposteriorin, që, mesa duket, nuk paskan bërë asgjë, të paktën dhe më pas, sepse nuk flitet për një dy kilogram por për tonelata toksine të zhdukur në tranzit.

Ndërkohë që strukturat e anti-kontrabandës shoqërojnë me shërbime çdo ditë të javës edhe botet më të vegjël me naftë “virxhin”, naftë e gaz transit; përveçse kur urdhërohen ndryshe nga eprorët e majmur e grasatuar prej korrupsionit masiv! Në këtë histori, e përsëris nëse gjithmonë është e vërtetë, nuk ka rënë shteti sepse këtu shteti është kapur nga mafia e plehrave, deri duke u kthyer në shërbyese me tipare të një organizatë kriminale!

Prandaj dhe nuk duhet heshtur më, po ashtu si të harruarit e Zharrës. U desh që ata ta marrin vetë në dorë çështjen e tyre, sepse nuk u ngrit njeri në këmbë nga shoqëria civile dhe media apo zëri i tyre mbështetës ishte tejet i dobët! Tani akoma më shumë, kur rilindja mund të na helmojë të gjithëve kolektivisht, nuk mund të heshtet më. Zëri popullor duhet të buçasë deri sa gjithçka të zbulohet dhe, mbi të gjitha, të mënjanohen deri në fund pasojat e saj?!…(Kortezi:Syri.net)

Filed Under: Analiza Tagged With: Denion Meidani, Kjo është Mafia!...

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2165
  • 2166
  • 2167
  • 2168
  • 2169
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT