• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë

January 20, 2021 by dgreca

Mandati i Presidentit Trump përfundon të mërkurën. Ai u largua nga Shtëpia e Bardhë paradite për një fluturim të fundit me avionin presidencial drejt rezidencës së tij të pushimeve në Florida. 

Pas mbërritjes me helikopter në bazën ajrore Andrews në Uashington, presidenti mbajti një fjalim ku përshëndeti të ftuarit dhe foli për arritjet e administratës së tij. Para futjes në avion ai u përcoll me një ceremoni me tapetin e kuq, me bandë ushtarake dhe përshëndetje me 21 gjëmime topash. 

Në të njëjtën kohë që presidenti mbërrin në Florida, në Uashington do të jetë në zhvillim ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri, Joe Biden. Këtë radhë një traditë e vjetër do të thyhet, pasi Presidenti Trump nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri. 

E ardhmja e zotit Trump, përfshirë edhe ndonjë aspiratë politike, mbetet e paqartë. 

“Duhet ta dini që lëvizja që nisëm është vetëm në fillimet e saj,” tha presidenti në një mesazh lamtumire të bërë publik të martën me një videoklip. “Nuk ka pasur diçka të ngjashme më parë. Bindja se vendi duhet t’u shërbejë qytetarëve nuk do të lëkundet, por do të forcohet nga dita në ditë”. 

Presidenti Trump largohet nën hijen e një procesi të dytë gjykues, i vetmi president në historinë amerikane ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkim të mundshëm. Nuk është e qartë se kur Senati mund ta fillojë gjykimin lidhur me rolin e tij në sulmin e dhunshëm të turmës ndaj Kapitolit më 6 janar. 

Të martën, ai foli shkurtimisht për sulmin, duke thënë se amerikanët “ishin tmerruar” dhe se dhuna politike “nuk mund të tolerohet kurrë”. 

Presidenti Trump përmendi edhe një numër nismash të politikës së jashtme të realizuara nga administrata e tij, përfshirë tërheqjen nga marrëveshja tregtare, e njohur si Partneriteti Trans-Paqësor si dhe nga Traktati i Parisit për Klimën, arritjen e një marrëveshjeje të re tregtare për Amerikën e Veriut si dhe tarifat ndaj importeve nga Kina. 

“Rikthyem sovranitetin duke u ngritur për Amerikën në OKB dhe duke u tërhequr nga traktate që ishin në interes të palës tjetër dhe jo tonin,” tha zoti Trump. “Tani vendet e NATO-s paguajnë qindra miliarda dollarë më shumë se sa para administratës sime. Ishte shumë e padrejtë”. 

Ai u shpreh se kishte qenë një “privilegj i jashtëzakonshëm” që shërbeu si president. 

Presidenti miratoi edhe një numër faljesh të reja, përfshirë për ish-bashkëpunëtorë të tij. 

Po ashtu, zoti Trump anuloi një urdhër ekzekutiv që kishte nxjerrë në fillim të administratës ku ish-zyrtarë amerikanë nuk lejoheshin të bëheshin lobistë për pesë vjetët e parë pas largimit nga detyra zyrtare. Kur e shpalli atë masë, presidenti e prezantoi si pjesë e përpjekjeve për të “tharë moçalin” dhe për të çrrënjosur korrupsionin në Uashington.(Kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Largimi, Presidenti Trump, shtepia e bardhe

NËSE SHBA TËRHIQEN EVROPA RREZIKON

January 20, 2021 by dgreca

Nga DANILO TAINO-Përktheu:Eugjen MERLIKA/ Ishte njëherë imperializmi amerikan. Por prej më se dhjetë vitesh përfytyresa ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara është në tërheqje dhe në këtë 2021 sprapsja e mbifuqisë nga udhëheqja e përgjithëshme lajmërohet jashtë të gjithë caqeve. Aq sa do t’I hapen dyert rreziqeve të konflikteve të dhunëshme: siç është parë në kohët e fundit e shpesh në histori, kur fuqia zotëruese nuk e siguron më rendin ndërkombëtar, të tjerë Kombe nxitojnë të mbushin zbrazësirën e pushtetit që mbetet e fillon një garë ndërmjet atyre që duan të pohojnë mbizotërimin e tyre, në shkallë botërore ose në shkallë rajonale. Rreziqet e luftërave shtohen në mënyrë të konsiderueshme.

            Që nga shëmbja e Bashkimit Sovjetik, në fillimin e viteve 90, Shtetet e Bashkuara kanë një politikë të jashtëme të pavendosur, që ndryshon shpesh mendim. Por më shumë së fundi, në presidencat e Barack Obamës dhe pastaj të Donaldit ata kanë filluar të mbyllen në vetvete. Sot Joe Biden gjëndet në kushte vështirësish shumë të mëdha për të hartuar një strategji të jashtëme të çfarëdo lloji. Në muajtë e shkuar, ai dhe skuadra e tij kanë propozuar t’i japin një hov të ri marrëdhënieve me bashkëpuntorët e përhershëm, n’Evropë e n’Azi. Sulmi mbi Capitol Hill më 6 janar ka shkatërruar një pjesë të mirë të mundësive për të ndërmarrë nisma ndërkombëtare serioze. Me gati dy të tretat e votuesve republikanë, të bindur se zgjedhjet presidenciale janë tjetërsuar, zotimi kryesor i Biden-it nuk mund të jetë tjetër veçse tërësisht i brëndshëm, një orvajtje paqësimi që nuk do të jetë e shkurtër. “Si gjithmonë, çdo politikë e jashtëme fillon në shtëpi” ka kujtuar në këto ditë Richard Haas, njëri nga diplomatët amerikanë më të ndigjueshëm. Me Shtetet e Bashkuara në një pështjellim politik që mund të rritet në javët e ardhëshme, qëndra e vatrës do të jetë tërësisht shtëpiake. 

I pari që është futur në kuadrin ndërkombëtar në një çrregullim të plotë dhe me Washingtonin të hutuar, ka qënë udhëheqësi më i lartë i Koresë së Veriut Kim Jong-un, që ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara se don të zhvillojë një strategji të re të papëcaktuar, me gjasë bërthamore. Çasti i dobësisë amerikane është regjistruar gjithandej, nga Pekini në Moskë: i a jep rastin një Amerikë e lidhur nga ndodhitë e brëndëshme. Kina e Xi Jinping-ut është gjithënjë e më shumë e gatëshme të duket n’atë që e quan sferën e saj t’influencës: Hong Kongun, bazat në Detin e Kinës Jugore, në mënjanimin ndëshkues kundër Australisë, tensionet e kufirit me Hindinë. Shumë analistë pyesin se çfarë synimesh ka Xi në drejtim të Taivanit, ishullit që Pekini prej kohësh kërkon t’a verë nën komtrollin e tij: presidenti kinez ka sqaruar se gjëndja nuk i duhet lënë trashëgim brezave t’ardhshëm. Një trysni m’e madhe kineze mbi Taivanin, për të mos thënë një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e ndonjë tipi, do të vinte në vështirësi të pamatëshme Washingtonin dhe do t’i jepte fund politikës amerikane të “dykuptimësisë strategjike” në drejtim të mbrojtjes së ishullit: duke u përgjigjur me rreziqe shumë të mëdha, apo t’i dorëzohet në fakt fitorja Pekinit që do të ndryshonte githë barazpeshat n’Azi, do të zhyste në krizë Japoninë dhe do të shtrinte hijen e Kinës edhe mbi Evropën?

Aftësia e Vladimir Putinit për të kryer veprime oportuniste kur sheh një zbrazësirë pushteti është e duartrokitur. Është parë në Ukrainë, në Siri, në Libi. Nga Biellorusia në Lindjen e Mesme Moska do të përfitojë nga çdo hapësirë e lejuar nga mungesa amerikane pë të pushtuar pozita ndikimi. Më të lirë për të respektuar një rend të pikturuar në Washinton do të ndjehen të tjerë ”burra të fuqishëm”, nga Rexhep Taip Erdogani në Turqi, tek ajatollahët iranianë, nga Abdel Fattah al Sisi n’Egjypt tek Nikolas Maduro në Venezuelë.

            Në këtë paqëndrueshmëri të mëtejshme dhe përballë rreziqeve në rritje të luftërave e t’atyre civile, Evropa natyrisht nuk mund t’i lejojë vetës rolin e sehirxhiut dhe t’atij që nuk kupton se kërcnimet e vërteta nuk vijnë nga Shtetet e Bashkuara – ku politika është jashtzakonisht e ndarë, por ku demokracia ka qëndruar – , por vijnë nga autokratët. Aleanca me Shtetet e Bashkuara, me gjithë ngërçet e tyre, është ende e vetmja mundësi që Evropa ka të mbrojë vlerat e saj, institucionet dhe ekonominë e saj, ndoshta më shumë se dje. Shënja miqësie të drejtpërdrejta Amerikës do të bënin mirë në Washinton. Ursula von der Leyen kishte premtuar se Komisioni i saj do të kishte qënë gjeopolitik. Deri tani nuk ka pasur asnjë gjurmë, madje marrëveshja mbi investimet sapo e përfunduar me Kinën bën të mendohet se BE vazhdon të kujtojë se në lojën e fuqive të mëdha të sotme mund të bëhen allishverishe pavarësisht zgjedhjeve politike. Të pranohet se nuk është ashtu është më shumë se e rëndësishme, tashmë është jetike.

            “Corriere della Sera”, 16 janar 2021       Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Nese SHBA terhiqet, perktheu Eugjen Merlika

KONGRESI I LUSHNJËS

January 20, 2021 by dgreca

Më 21 janar 1920 nisi punimet Kongresi Kombëtar i Lushnjës, i cili miratoi Aktin Kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë dhe të shtetit shqiptar, si edhe zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetash, regjencën, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe  Këshillin Kombëtar me 37 vetësh, në funksion të parlamentit. Kryetar i Kongresit u zgjodh Aqif  Pashë Elbasani. Kongresi formoi qeverinë demokratike me kryeministër Sulejman Delvinën. Kongresi i Lushnjës me vendimet e tij kombëtare i hapi rrugën Luftës çlirimtare te Vlorës dhe themelimit tw shtetit shqiptar të lirë, të pavarur dhe demokratik.

Me këtë rast, po ju dërgoj një shkrim të thuktë të Mid’hat Frashërit për Kongresin e Lushnjës, nxjerrë nga studimi i tij “Probleme të Shqipërisë Indipendente”.

                                               Uran Butka/

Mid’hat Frashëri /

KONGRESI I  LUSHNJËS/

    Situata kishte ardhur në atë pikë fort të vështirë, kur brenda në Shqipëri, prej vetë shqiptarëve, bash nga ana e atyre drejtpërdrejt të interesuar, po përgatitej një ngjarje që do të ndryshonte rrjedhën e punëve brenda në vend dhe do të krijonte një korrent të ri në opinionin politik të botës, duke vënë lakuriq aspiratat e shqiptarëve. 

     Në të marrë fund të luftës, ishte parë agimi i një kohe të re: okupimet e huaja kishin qenë përndryshe edhe një ilaç i çmueshëm për të formuar ndërgjegjen kombi­are; me disiplinën dhe rregullin relativ që kishin prurë sundimet ushtarake, ishte zhdukur edhe dufi i pasioneve, i rivaliteteve personale; ishte ngritur gjer në një shkallë lëngata-fort e vjetër, për fat të keq, e regjionalizmës Këto të mira, në mos me rrënjë të thella, të paktën në sipërfaqe dhe në dukje, kishin ardhur prej kushteve të reja që kishte prurë më tepër se nga çdo tjatër administrata austriake, që kishte stabilizuar autoritetin, kishte shtrënguar botën të punojë dhe të hajë bukën me djersën e ballit dhe kishte krijuar një burokraci thjesht shqiptare, duke shtuar në një mënyrë të çuditshme numurin e shkollave fillore. Këto situata të reja ishin të volitshme për zhvillimin e ideve kombiare, ide, dëshirë dhe vullnet që ishin bukur mani­festuar para dhe në kohën që u mblodh Kongresi i Durrësit, kur u formua qeveria provizore. 

     Shpresat e vëna në qeverinë dhe në dërgatën, që vajti të ankohej përpara konferencës, nuk mbushën premtimet dhe shpejt erdhi një moskënaqësi e shtuar akoma më tepër, kur politika e një mandati italian mbi Shqipërinë dhe projekti i një komisari po merrnin një karakter praktik, tërë duke u konfirmuar dhe me marrëveshjen e re Tittoni-Venizelo: këto janë shtytkat prej të cilave dolli manifestimi kombiar i madh i njohur nën emrin Kongre­si i Luslmjës (28-31 janar 1920). 

     Kongresi i Lushnjes do të kishte efektin e thellë të theksojë në aspiratat e kombit idenë e indipendencës absolute dhe të integritetit të vendit, duke u dhënë të kuptonin edhe të huajve, botës politike, se vendi punon pas parimeve të kombësisë, duke u mbështetur mbi të drejtat e tij pa qënë vegël e ndonjë pushteti të huaj. Mund të thuhet se që nga Lidhja e Prizrenit, ishte manifestimi i parë me një rëndësi fare të veçantë për këtë popull, e një punimi të bërë me fuqinë që buronte vetëm prej trupit të tij. 

      Vendimet e Lushnjës kishin dy detyra: 1- të realizonin brenda në Shqipëri një qeveri thjesht kombiare për të gjithë vëndin. 2-të mbahej një atitudë gjithashtu kombiare dhe larg çdo dyshimi përpara konferencës; të dy punët aq të rënda, njëra sa dhe tjatra. 

     Do të kujtojmë këtu se kur u mbështollën të pesëdhjetë përfaqësuësit në qytetin e vogël të Myzeqesë, vendi gjendej nën okupatën efektive, aq ush­tërore sa edhe civile të Italisë, sidomos nga Vjosa e në kufi të Greqisë: Shkodra ishte nën një sundim internacional (francez, englez, italian) dhe Korça gjendej nën një administratë franceze; megjithëkëtë, pa asnjë për­jashtim, të gjitha viset kishin çuar delegatë, ishin bashkuar në politikë dhe në vullnet. 

     Realizimi i pikës së dytë të programit lypte një durim dhe hollësi veprimi, me qenë indipendentë prej dëshirës së atyre di­rekt të interesuar në punë. Por zbatimi i pjesës së parë varej drejtpërdrejt nga aktiviteti që do të zhvillonte vetë populli, prej besimit që do të inspironte regjimi i ri, ky regjim i inauguruar në kondita kaq të vështira . 

      Marrja në dorëzim e Shkodrës (25 mars 1920) qe i pari sukses politik, bashkë me të dhe një shënjë sim­patie e dhënë prej Fuqive të Mëdha. Ishte dhe shkal­la e parë për grupimin e copëve të ndryshme të mëmëdheut rreth një autoriteti të vetëm. Të marrët e Gjinokastrës (27 prill), të lëshuarit e Korçës prej francezëve (I5 maj) dhe të bashkuarit e saj në një mënyrë paqësore, plotësoi edhe njëherë suksesin e qeverisë së re, shtoi besimin e saj dhe ngjalli ako­ma një herë vullnetin e kombit, i cili kurorëzoi veprën e nisur në Lushnje duke mbajtur tre muaj me radhë një përpjekje të ashpër në Tepelenë dhe Vlorë dhe duke parë që (më 17 gusht 1920) ky qytet dhe gjithë pikat e Shqipërisë të zbrazeshin prej çdo ushtrie, prej çdo administrate të huaj. 

       Kjo pemë s’ ishte arrirë pa vështirësi dhe pa rreziqe të panumurta. Sforci­mi i zhvilluar ishte një send titanik kur barazohet me mjetet që dispononte kombi. qeveria dhe shteti i ri: pa organizim, pa ushtri, pa polici as gjindarmëri, pa një ovull në arkë, i ndarë nga bota e qytetëruar, se udhët ishin prerë prej qeverive pak simpatike, rrethuar prej tre fqinjve aspak të favorshëm dhe më tepër akoma, të zvjerdhur prej çdo mbështetjeje morale. pa ndonjë ndihmë reale ose të paktën, simpati efektive diplomatike. Duke marrë në konsideratë këto rrethana, mund të thuhet se vepra e mbaruar në motin 1920 prej shqiptarëve është prej atyreve që s ‘kanë shëmbuj të shumtë. 

       Edhe kjo energji e dëftyer shfaqet në një formë akoma më kolosale në kujtofshim se kur zhvilloheshin ato përpjekje me ndalimet që ishin ngrehur prej të huajve, një vështirësi jo më pak importente ndezi një flakë të shkurtër brenda në gji të popullit: rreth Tiranës një lëvizje esadiste, një reaksion i vërtetë sërish po ngrinte krye (qershor 1920) duke shpikur një rrezik të tmerrshëm për të lindurin e ri dhe më tepër për prestigjin e tij. Me urtësi të madhe qeveria diti të ndalojë çdo krisje armësh dhe qetësoi nervozitetin duke dërguar një komision pranë Esadit në Paris. Zhdukja e këtij monstre pak javë më vonë, duke thyer idolin e tyre, theu edhe hovin e atyre që vazhdonin të ushqeheshin me ide tradhëtore dhe fanatike, të atyre që kujtonin se lumturia mund të ngrihet mbi çrregullsi, mbi punime arbitrare të influencave personale duke mohuar hamoninë që sjell një autoritet legal dhe kombiar. 

       Por, në qoftë se fuqia e lindur nga mbledhja e Lushnjës regjistroi në aktiv të saj një nga një kaq fitime dhe nderime,  bash kur vendi kishte nevojë për gjithë fuqitë e tij, kur zhvilloheshin përpjekjet në Vlorë, një vështirësi e madhe. me rrënime dhe gjakderdhje krijohej nga ana e serbëve në veri dhe veri-lindje të Shqipërisë: serbët kishin zënë vend fort më brenda vijës së caktuar më 1913, kështu që kufijtë e njohura në Londër, akoma s’ishin liruar të gjitha dhe kjo situatë përgatiste një vuajtje dhe lëngatë të madhe. 

*

Të dy vitet, 1919 dhe 1920, brenda në Shqipëri dhe përpara Konferencës së Paqës, qenë një luftim i paprerë kundër Traktatit të Fshehtë të Londrës, kundër copëtimit të Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës dhe përpjekjet e gjakta të Vlorës kurorëzuan veprën patriotike duke proklamuar botërisht dhe me bujë vullnetin e kombit. Këto gjeste zgjidhën në një mënyrë definitive çështjen, duke siguruar triumfin e dy parimeve: indipendencën politike dhe integritetin tokësor. Pas atyre ngjarjeve Konferenca e Paqës më nuk guxoi të vërë në bisedim cënimin e këtyre dy të drejtave.

            Por efekti më i madh i luftimeve do të ishte për psikologjinë e brendshme tè popullit, për dinjitetin dhe karakterin e tij. Më 1912 ishte shfaqur tek shqiptarët një besim i rrezikshëm dhe fort i dëmshëm, sipas së cilit Shqipërinë s’e bënë shqiptarët, po e bëri Evropa. Ky mentalitet kishte për rezultat fatal një aparati, një mefshtësi dhe një moskujdesje. Meqenëse na bënë të huajt, atëhere ne më s’na binte ndonjë barrë, ndonjë detyrë. Logjika, vërtetë një logjikë e shtrembër, e donte që, kush e bëri, kush u bë shkak të bëhet, ay le të përpiqet ta kërrejë në krye! Gjykim i vdekshëm që vret dhe shkatërron çdo  përgjegjësi për një komb. Kurse tani, më 1920, Shqipëria u bë, u krijua, u gatua jo vetëm prej vetë shqiptarëve, por edhe kundër Evropës, kundër gjithë pushteteve dhe kombeve të mbështjella rreth Konferencës së Paqes. Punën e bënë vetë shqiptarët, kundër keqdashjes së të tjerëve, pa asnjë ndihmë syresh, as edhe makar  një simpati nuk vonoi të vinte, kur pa bota se shqiptari përqipej për veten e tij, me fuqinë dhe mjetet e veta. Një ngjarje e tillë ka një rëndësi të madhe për historinë e një kombi. Ekzerson një veprim, influencon gjithë jetën e tij. Është një kandil: ndrit dhe duhet të ndriçojë kurdoherë që gjendet në errësirë dhe në të keqe, në çdo kohë dhe në çdo rasje. Të mbajturit mend të akteve të mëdha të patriotizmës është një lumturi si edhe një detyrë.

Filed Under: Politike Tagged With: Mit'hat Frasheri, Uran Butka

Bajram Bej Haxhiu, Nismëtari i Kongresit të Lushnjes në 1920…

January 20, 2021 by dgreca

…që Regjimi Diktatorial Komunist në 1951 e bëri “Kulak-un” e dytë në Lushnje/

Nga Kevin HAXHIU/

Bajram Rakip Haxhiu i njohur  nga lushnjarët si Xha Bami lindi më 15 gusht 1887 në Lushnjë.Familja Haxhiu është një familje qytetare,fisnike,patriotike e qytetit të Lushnjes.Bajrami ishte patriot nacionalist, demokrat, antikomunist, anëtarë i Komisionit Nismëtar të thirrjes dhe organizimit të Kongresit të Lushnjës.Bajram bej Haxhiu shkollën e mesme e bëri në gjuhën turke ndërsa të lartën Bajrami e vazhdoi për financë në Kolegj,në Stamboll.Haxhiu shkrim e lexim në gjuhën shqipe i ka mësuar autodidakt.

Bajrami në Stamboll do të njihej me patriotë të shquar të kombit shqiptarë Rilindasit Kombëtarë.Bajram Haxhiu u ndikua nga idetë patriotike të Rilindasve dhe ndaj gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi atdheut dhe çështjes kombëtare shqiptare.Në fillim të shekullit XX Bajram Haxhiu është një nga udhëheqësit kryesor të lëvizjeve antiosmane në Lushnje dhe ishte një pjesëmarrës tepër aktivë në demonstratën e majit 1906 në qytetin e Lushnjës.Ai për pjesëmarrjen në këtë lëvizje do të arrestohej dhe dënohej nga qeveria Osmane.Bajrami pasi doli nga burgu nuk u ndal por përsëri vazhdoi të merrte pjesë në lëvizjen antiosmane.Në 17 janarit 1909 në Lushnje një prej organizatorëve të demostratës antiosmane  ishte Bajram Haxhiu.Gjithashtu ai bashkëpunoi edhe me çetat kryengritëse të Myzeqesë për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të Shqipërisë për Pavarësi.Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 përkrahu qeverinë e Ismail Qemalit duke luftuar kundërshtarët e saj serbë dhe kuislingët e Esat Pashë Toptani-t.Bajram Haxhiu nuk u pajtua me pushtimin e Shqipërisë nga ushtritë ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore.Bajram Haxhiu pas Luftës së Parë Botërore e vazhdoi veprimtarinë e tij patriotike kundër vendimeve antishqiptare të Konferencës së Parisit për copëtimin e Shqipërisë në favor të vëndeve fqinje.Bajram Haxhiu ishte Anëtarë në Komisionin Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës.Bajram Haxhiu ishte caktuar nga Komisioni Nismëtar me detyrën për shpërndarjen e postës në Durrës,Kavajë,Peqin dhe Elbasan.Haxhiu kontribuoj shumë në letërkëmbimin midis Aqif Pashë Elbasanit dhe personaliteteve të tjera.Ai u vu në shërbim të qeverisë që nxorri Kongresi i Lushnjes dhe e përkrahu atë gjatë gjithë kohës që ajo i qëndroi besnike vendimeve të Kongresit të Lushnjës.Bajram Haxhiu përkrahu gjithashtu Luftën e Vlorës më 1920 për çlirimin e Vlorës nga ushtritë pushtuese italiane.Bajram Haxhiu në prill të vitit 1922 ishte Anëtarë në Komisionin e Zgjedhjeve të Para Vendore në Shqipëri për Bashkinë Lushnje.Në vitet ’30 dhe deri nëfillim të viteve ’40 Bajram Haxhiu punoi si tagrambledhës në Zyrën e Financave në Lushnje.Bajram Haxhiu ishte një besimtarë myslimanë i devotshëm dhe në vitet ’30 ka qënë një nga kontribuesit financiar për ndërtimin e Xhamisë së re të Lushnjes.Pushtimin e Shqipërisë nga fashistët italian në prill të 1939 nacionalisti Bajram Haxhiu e priti me urrejtje.Në vitin 1945 regjimin diktatorial komunist që u vendos në Shqipëri Bajram Haxhiu e kundërshtoi gjatë gjithë jetës së tij.Bajram bej Haxhiu ishte një nga pronarët e mëdhenjë të qytetit të Lushnjes dhe që nga Reforma Agrare u shpronësua krejtësisht.Më 25 maj 1951 Bajram Haxhiu ishte i dyti në Lushnje që u cilësua “Kulak”.Më 9 maj të vitit 1967 me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Qytetit të Lushnjes Bajram Haxhiu përsëri u shpronësua pa asnjë pagesë pjesa e vetme që i kishte mbetur bahçeja deri në afërsi të gazhdares ekzistuese.Bajram Haxhiu u nda nga jeta më 11 gusht 1972 në Lushnjë në moshën 85 vjeçare,duke u lënë në harresë nga regjimi diktatorial komunist dhe duke mos iu vlerësuar veprimtaria e tij patriotike.Në 75 vjetorin e Kongresit të Lushnjes,Bajram Haxhiu (pas vdekjes) u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë SH.T.Z.Sali Berisha me Dekretin Nr.1008 Datë 18.01.1995,me Urdhërin “Për Veprimtari Patriotike” të Klasit të Parë.Rruga në lagjen “Kongresi i Lushnjes”,pranë Shtëpisë Muze “Kongresi i Lushnjes” me vendim të Këshillit Bashkiak Lushnje i është vendosur emri “Bajram Haxhiu”.Në qytetin e Lushnjes në vitin 2010 është vendosur edhe busti i patriotit Bajram Haxhiu.Në vitin e 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet,Familja e patriotit Bajram Haxhiu,u nderuar në 4 shkurt 2020,nga Kryetari i Bashkisë Tiranë Z.Erion Veliaj me Çertifikatë Mirënjohjeje me motivacionin:-“Për aktivitetin e çmuar dhe kontributin e vyer në shpalljen e Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë”.Bajram Haxhiu është babai i legjendës së futbollit shqiptarë Abdurrahman (Roza) Haxhiu dhe atdhetarit të shquar për çështjen kombëtare shqiptare në Diasporën Shqiptare të Egjiptit Qerim Haxhiu.

-KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES NË KUJTIMET E NISMËTARIT BAJRAM HAXHIU:

 -“Në kohën kur bëheshin përgatitjet për Kongresin e Lushnjes,unë kam qënë anëtar i komisionit inisiator për mbledhjen e këtij Kongresi,por kanë kaluar 50 vjet dhe pak gjëra më kujtohen.Këtu në Lushnje kishte një lëvizje të gjërë patriotike.Para se të mblidhej Kongresi ne hoqëm një flamur Italian dhe e grisëm.Aty ishte një tufë e madhe njerëzish dhe italianët nuk guxuan të na preknin me gjithë që bërtisnin por kot.Më kujtohet se njeriu që kujdesej më shumë për thirrjen e Kongresit ishte Eshref Frasheri.Unë e njihja edhe më parë se kishte qënë këtu si inxhinier.Mbaj mend se mbasi vendosëm të mblidhej Kongresi na duhej të caktonim edhe shtëpinë ku do të bëhej mbledhja.Për këtë iu drejtuam Kaso Fugës por ai kishte hall se mos binte në bela dhe nuk donte.Atëherë ne vendosëm ta thërresim Kongresin pa dhe në kasolle do ta bëjmë.Aqif Pasha kishte kërkuar që Kongresi të bëhej në Elbasan,por pengesë qe bërë Shefqet bej Vërlaci;ky ishte me kohë me italianët.Unë isha ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së postës në Elbasan,Peqin,Kavajë dhe Durrës, ndërsa Taulla Sinani kishte Tiranën dhe anën e Dibrës e të Shkodrës.Nuk më kujtohet kush ishte tjetër që shkoi në krahinat nga jugu.Veç mbaj mend që ne u ndamë në një mënyrë të tillë që të shkonim aty ku kishim të njohur e të kryenim kështu më mirë punën tonë.Në Elbasan mbaja lidhje me Salim Junikun,në Peqin me Adem Gjinishin,në Kavajë me Idriz Dizdarën dhe në Durrës me Rexhep Shalën.Kudo këtë rrugë e bëja me kuaj duke e hequr veten sikur shkoja mik dhe jo suvari.Rrugës kishte plotë rreziqe,por ne ishim të rinjë në atë kohë dhe i kapërcenim.Pastaj nuk donim t’ia dinim shumë se bënim një punë atdhetare.Ditën kur filloi punimet Kongresi ishte e mërkurë dhe bënte pak ftohtë.

Në kohën kur zhvillonte punimet Kongresi kishin ardhur njerëz nga vënde të ndryshme të Shqipërisë.Por në Kongres kishte shumë lushnjarë.Unë nuk i kujtoj dot të gjithë por mbaj mend se kishin ardhur disa përfaqësues nga fshatrat.Gjatë kohës që zhvillonte punimet Kongresi ndihej se Lushnja ishte në festë.Kudo shifje flamurë kombëtarë bile flamurë te vegjël u vareshin në gjoks njerëzve nga fëmijet e shkollës.Flamurë të vegjël kishte edhe në sallë,aty ku ishim unjur në bangat e nxënësve.Edhe salla e mbledhjes ishte e zbukuruar mirë.E para ishte fytyra e Skëndërbeut dhe pastaj e Ismail Qemalit.Në mur qe një flamure kombëtarë.Në Kongres kishte rregull.Nuk të pranonin po të mos kishje një shkresë me vete.Ne kishim marrë masa për sigurimin e Kongresit.Kishin ardhur njerëz të armatosur.Disa prej tyre i kishin sjellë vet delegatët për t’i ruajtur gjatë rrugës,por pati edhe nga ata që i thirrëm ne.Më shumë forca kishin ardhur nga Darsia e Dumreja.Në të njëjtën kohë kishte shumë edhe nga zona e fushës por unë nuk jam marrë me forcat.Si përgjegjës për këtë punë ishte caktuar Llazar Bozua.Mbaj mend që ishte këtu Jonuz Dervishi,Selim e Rami Rredhi nga Karavastaja,Musa Zagaria nga fshati Koçaj i Fier-Sheganit e të tjerë.Nga Skrapari kishte ardhur Riza Cerova dhe një djalë tjetër që ishte sakat.Të dy ishin djem trima.Tërë kodrat rrotull Lushnjes ishin të mbushura me roje.Disa prej rojëve vinin edhe në qytet.Italianët i shihnin po nuk i ndalonin.Më kujtohet kur u muar vesh se Myfit Libohova pat ardhur me ushtri kundër Kongresit.Njerëzit nuk i mbanim dot se ishin gati të lëshoheshin e ta kapnin të gjallë.U nisën disa por nuk e arritën se në vend t’i afrohej Lushnjes ja mbathi për nga Vlora.Qeveria që u zgjodh nga Kongresi ndenji nja 4-5 ditë këtu,pastaj e përcuallëm me këngë ashtu siç dhe i pritëm delegatët.Vanë mjaftë forca nga Lushnja,por më të rëndësishmet ishin forcat e organizuara në Peqin nga Adem Gjinishi”(Shënim:Kujtimet e nismëtarit Bajram Haxhiu janë marrë nga libri “Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 1918-1920”,Universiteti Shtetërorë i Tiranës,Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë,Instituti i Folklorit,Tiranë 1970).

Filed Under: Opinion Tagged With: Bajram Haxhiu, Kevin Haxhiu, Kongresi i Lushnjes

Biden, Sot betimi si president i 46-të i SHBA-së

January 20, 2021 by dgreca

Pas një prej proceseve zgjedhore më të diskutueshme në historinë amerikane, demokrati Joe Biden do të betohet në mesditën e 20 janarit si president i Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që i tërë Uashingtoni mbetet i rrethuar me sigurim të madh.

Kur të vendosë dorën në Bibël, 78-vjeçari Biden do të bëhet personi më i vjetër që do të betohet si president amerikan dhe do të niset drejt Shtëpisë së Bardhë pak më vonë, për të zëvendësuar Donald Trumpin, dhe për t’u kthyer në presidentin e 46-të të kombit amerikan.

Për herë të parë në 152 vjet, presidenti në shkuarje nuk pritet të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit, ndonëse ish-presidentët George W. Bush, Bill Clinton dhe Barack Obama pritet të jenë aty kur gjyqtari kryesor i Gjykatës Supreme, John Roberts të drejtojë Bidenin në procesin e betimit.

Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter është 96 vjeç dhe ka thënë se nuk do të ketë mundësi të marrë pjesë në ceremoni.

Nënpresidenti i Trumpit, Mike Pence, ka thënë se do të jetë aty, ashtu sikurse shumë ligjvënës republikanë.

Historia do të bëhet edhe kur 56-vjeçarja, Kamala Harris do të betohet si nënpresidente, duke u bërë gruaja e parë dhe personi i parë me ngjyrë që mban këtë pozitë.

Sikurse e do tradita, Biden ka kaluar natën para inaugurimit në Shtëpinë Blair, shtëpinë e mysafirëve të presidentit, e cila gjendet afër Shtëpisë së Bardhë, në qendër të Uashingtonit.


Fotogaleri

Dita e inaugurimit Para ceremonisë së inaugurimit, Biden dhe Harris kanë nderuar 400,000 personat që kanë vdekur me koronavirus.

“Për t’u shëruar, ne duhet të kujtojmë”, ka thënë Biden në një ceremoni para qendrës përkujtimore Lincoln.

Katërqind drita që përfaqësojnë viktimat, kanë ndriçuar mbrapa tij dhe qendrës përkujtimore.

“Në mes të perëndimit të diellit dhe muzgut, le të ndriçojmë dritat në errësirë dhe të kujtojmë ata që i kemi humbur”, ka thënë Biden.

Tensionet kanë qenë të larta në Uashington, pas sulmit të 6 janarit në ndërtesën e Kongresit nga mbështetës të Trumpit.

Si pasojë e sulmit kanë mbetur të vdekur pesë persona.

Mbështetësit e Trumpit janë zemëruar pasi presidenti ka pretenduar disa herë – ndonëse pa ofruar të dhëna – se ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit dhe se procesi ka qenë i manipuluar.

Pretendimet e tij janë kundërshtuar dhjetëra herë në disa gjykata amerikane, duke përfshirë gjyqtarët e nominuar nga vetë Trump.

Në situatë normale, qindra mijëra mbështetës dhe vëzhgues tjerë do të mblidheshin afër ndërtesës së Kongresit për të dëgjuar presidentin duke kryer betimin.

Megjithatë, pas sulmit në Kongres, autoritetet kanë angazhuar rreth 25,000 trupa të Gardës Kombëtare dhe kanë vendosur kufizime për të parandaluar kalimtarët e rastit që t’i afrohen zonës.

Edhe para se dhuna e turmës të raportohej në Kongres, ceremonia e inaugurimit ishte planifikuar të zhvillohej pa shumë zhurmë, për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe dëshirës për të shmangur turmat që mund të përhapnin virusin.

Pas ceremonisë së betimit, Biden do të marrë pjesë në një ceremoni me pjesëtarë të ushtrisë në pjesën lindore të Kongresit.

Biden, Harris, bashkëshortët e tyre, më pas, Obama, Bush, Clinton dhe gratë e tyre do të marrin pjesë në një ceremoni në Varrezat Kombëtare në Arlington.

Biden më pas do të dërgohet në Shtëpinë e Bardhë.

Trump në anën tjetër pritet të largohet nga Uashigtoni për në shtëpinë e tij në Florida më 20 janar.

Në një video-mesazh lamtumirës nga Shtëpia e Bardhë, Trump ka thënë se do të “lutet” për suksesin e administratës së re, ndonëse nuk ka përmendur emrin e Bidenit gjatë adresimit të tij 20-minutësh.(Pergatiti:Krenare Cubolli)

Filed Under: Featured Tagged With: Joseph Biden, sot Betimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 226
  • 227
  • 228
  • 229
  • 230
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT