• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Politika dhe propaganda naziste….

November 30, 2016 by dgreca

…si shembull për politikën dhe propagandën komuniste shqiptare/1-ilir-harshova-600x400-300x237NGA ILIR HASHORVA/*

Duke paraqitur disa aspekte të politikës dhe propagandës naziste, do të kuptojmë se sa ngjason komunizmi shqiptar me nazizmin gjerman. Nga të parat institucione që krijoi Hitleri kur erdhi në fuqi, ishte Ministria e Propagandës, më 13 mars të vitit 1933. Në krye të kësaj ministrie ai vendosi Josef Gëbelsin, një nga udhëheqësit nazistë më të kultivuar. Detyra kryesore e asaj ministrie ishte të vinte me mjeshtëri nën kontroll të gjitha aspektet e jetës shpirtërore, kulturore dhe intelektuale gjermane. “Sekreti i propagandës është të depërtojë te njeriu tek i cili synon, pa e kuptuar fare ai. Natyrisht, propaganda ka një qëllim, por qëllimi duhet të mbulohet me aq zgjuarsi dhe virtuozitet, saqë njeriu të mos e vejë re fare” – thoshte Gëbelsi për propagandën.

Më 25 mars, Gëbelsi përcaktoi detyrën e ministrisë si “mobilizuese shpirtërore” e popullit për rikrijimin e qëndrueshëm të shpirtit të ri gjerman në mënyrë që “populli të fillojë të mendojë si një, të reagojë si një dhe të vërë veten me gjithë zemër në shërbim të regjimit”. Gëbelsi donte jo vetëm të paraqiste regjimin dhe politikën e tij në mënyrë krejt pozitive, por edhe të paraqiste të gjithë popullin gjerman si mbështetës të bindur të atij regjimi. Hebrenjtë duheshin mënjanuar nga të gjitha aspektet e jetës kulturore gjermane.

Më 22 shtator të vitit 1933, brenda Ministrisë së Propagandës, u krijua Dhoma e Kulturës së Rajhut e cila do të kishte shtatë seksione: atë të literaturës, të teatrit, të muzikës, të radios, të filmit, të arteve të bukura dhe të shtypit. Të gjitha këto, këtej e tutje, do të viheshin nën kontrollin e shtetit.

Nga punët e para që bëri Ministria e Propagandës, ishte vendosja e festave të reja në kalendarin e festave publike. Kështu, u vendos 20 Prilli, si ditëlindja e Hitlerit; 7 Nëntori, si dita e puçit nazist të vitit 1923 dhe 1 Maji, Dita Kombëtare e Punës. Në 1 Majin e parë, kolona të gjata punëtorësh parakaluan me formacione ushtarake duke kënduar himnin nazist “Këngën e Horst Veselit”. Në mbarë Gjermaninë u ndërruan emrat e rrugëve, duke i zëvendësuar me emrat e heronjve të rinj nazistë.

Personaliteti i Hitlerit u bë kudo mbizotërues. Nga marsi i vitit 1933, filloi një garë midis qyteteve për ta bërë Hitlerin qytetar të tyre të nderit. Në gati të gjitha qytetet, shesheve kryesore iu vu emri i Hitlerit. Në ditëlindjen e Hitlerit, qytetet zbukuroheshin me flamuj, parulla e lule. Për të bëheshin dokumentarë të posaçëm filmi që e paraqisnin atë si gjeninë që Perëndia ia kishte dhuruar Gjermanisë.

Një sektor shumë i rëndësishëm propagandistik ishte letërsia. Më 10 maj të vitit 1933, studentët gjermanë organizuan kudo mbledhje kundër shpirtit jo gjerman në letërsi. Ata hartuan një listë të librave që nuk i shërbenin nazizmit, i mblodhën ato, i bënë pirg në sheshe publike dhe iu vunë flakën. Në Berlin, në djegien e librave qe i pranishëm edhe Gëbelsi që, me atë rast, tha: “Çdo libër apo vepër arti që vepron në mënyrë subversive mbi të ardhmen tonë, apo godet rrënjët e mendimit gjerman, të shtëpisë gjermane, apo të forcave lëvizëse të popullit tonë, duhet të digjet”. U dogjën edhe librat e Hanrih Hajne-s, i cili pat thënë: “Aty ku digjen librat, në fund do të digjen edhe njerëzit”. Për djegien e librave të tij, Frojdi tha: “Të paktën u dogja me shokë të mirë”,  ndërsa  Cvajgu – : “E pashë më shumë si një nder, sesa si një turpërim që u lejova të kisha të njëjtin fat me shkrimtarë të tillë të shquar si Tomas Mani, Hainri Mani, Verfeli, Frojdi, Ajnshtaini dhe shumë të tjerë, veprat e të cilëve i çmoj më lartë se të miat”.

Shkrimtarët që nuk shkruanin, apo që nuk kishin shkruar ato që u vinin për shtat nazistëve, u sulmuan. Një numër prej tyre u larguan nga Gjermania, Shkrimtarët që ngelën, ose u kthyen në vegla të nazizmit, ose u burgosën.

Bibliotekat dhe libraritë vëzhgoheshin me kujdes për libra të padëshiruar nga agjentët e Policisë Kriminale, nga Gestapoja, nga Ministria e Brendshme, nga “Rinia e Hitlerit”, nga organizata të studentëve nazistë, nga trupat SA si dhe nga një qendër që quhej “Autoriteti Suprem i Censurës për Literaturë të Ndyrë dhe të Pavlefshme.”

Shtypi u vu i tëri nën kontrollin e shtetit. Gazeta e Partisë Naziste ishte “Vëzhguesi Racial”. Të abonuar në të ishin veçanërisht mësuesit, të cilët e përdornin atë gazetë për të ilustruar mësime në klasë.

Një sulm frontal kundër ndikimeve të huaja në kulturën gjermane filloi me sektorin e filmit. Zyra e Filmit do të kishte nën mbikëqyrje të gjithë industrinë e filmit. Prej industrisë së filmit u larguan të gjithë punonjësit hebrenj, qofshin ata artistë, teknikë apo inxhinierë. Kinematografia gjermane u vu tërësisht në ndihmë të luftës dhe nazizmin, duke luftuar bolshevizmin dhe hebraizmin.

Një sektor tjetër i rëndësishëm për propagandën ishte radioja. Ministria e Propagandës filloi menjëherë spastrimet nga të gjithë elementët e padëshirueshëm: nga hebrenjtë, liberalët dhe socialdemokratët. Për Gëbelsin, radioja ishte instrumenti më modern dhe më i rëndësishëm për ndikimin te masat. U prodhuan radiot e lira, Volksempfanger (Radiomarrës të Popullit), në mënyrë që në çdo shtëpi gjermane të kishte një radio. Radiot e Popullit merrnin vetëm stacione të afërta, në mënyrë që ata që banonin pranë kufirit, të mos mund të dëgjonin stacione të huaja. Fjalimet e Hitlerit zakonisht transmetoheshin me altoparlantë të mëdhenj të vendosur në sheshe publike, në qendra ndërmarrjesh e fabrikash, në shkolla, në restorante etj. Lajmërimet për grumbullim dhe dëgjim në raste të tilla bëheshin me sirena, njerëzit linin punën dhe grumbulloheshin pranë altoparlantëve apo radiove.

Në Ministrinë e Propagandës u krijua edhe Dhoma e Muzikës e Rajhut. Një sulm i vërtetë filloi ndaj muzikës. Trupat SA dhe SS-e futeshin në sallat e shfaqjeve dhe ndërprisnin programet muzikore.

Nuk ishte e vështirë për nazistët të sulmonin këtë apo atë lloj muzike kur kompozitori ishte hebre, apo kishte lidhje me hebrenjtë, por nuk ishte e lehtë për ta, të përcaktonin se cila do të ishte muzika e pranueshme për Rajhun e cila jo. Nuk pati ndonjë muzikë me karakteristika naziste.

Duheshin eliminuar të gjitha ndikimet e muzikës së huaj, sidomos ato të xhezit, për të cilën thuhej se ishte dëshmi e kulturës raciale inferiore, e afro-amerikanëve. Muzikantët nazistë e kritikonin “muzikën neger” si seksualisht provokative, imorale, primitive, barbare, jo gjermane dhe tepër subversive, e prodhuar nga inferiorë racialë, nga afro-amerikanët dhe nga hebrenjtë. Për ta, ajo shprehte degjenerimin amerikan. Ndër veglat muzikore dënohej veçanërisht saksi për tingujt e tij “dalldisës” dhe, ndër kompozitorët kritikoheshin ata hebrenj amerikanë: Irving Berlin dhe Xhorxh Gërshuin. Xhezi nuk transmetohej nga asnjë lloj radioje. Megjithatë, ishte pak e vështirë të kontrollohej  muzika që luhej në salla vallëzimi, në klube nate, në bare të hoteleve etj. Megjithatë, duke marrë parasysh edhe dëshirën e madhe të dëgjuesve të radiove, në emisione të vona të natës, Gëbelsi lejoi të transmetohej pak muzikë me motive xhezi e suingu. Ai lejoi njëherë të luhej një shfaqje me muzikë nga Gërshuini, por revista ultranaziste “Der Stürmer” e kritikoi aty për aty.

Në artet pamore u hoqën pjesët abstrakte e moderniste të cilat u quajtën të degjeneruara. Në to, rol me rëndësi luajti shija e vetë Hitlerit. Për të, duhej të kishte një art të ri gjerman. Arti duhej të reflektonte shpirtin arian të popullit. Ideja se arti ishte ndërkombëtar duhej hedhur poshtë si dekadente dhe si shpikje hebreje. Artistët hebrenj u larguan menjëherë nga punët, po ashtu, u larguan artistët e artit abstrakt, artistët e krahut të majtë, në përgjithësi artistët që kishin njëfarë njohje ndërkombëtare si dhe artistët që në të shkuarën kishin krijuar vepra jo në pajtim me frymën nacionalsocialiste. Të gjitha galeritë e arteve e muzetë si dhe koleksionet personale artistike do të pastroheshin nga “krijime monstruoze e të degjeneruara” të cilat do të konfiskoheshin pa pagesë.

Në verën e vitit 1933, nazistët shpërbënë të gjitha organizatat e rinisë, me përjashtim të asaj katolike. Tashti, vajzat dhe djemtë duhej të bashkoheshin me “Rininë e Hitlerit”. Djemtë futeshin në atë organizatë në moshën 6 vjeçare, por anëtarësia e plotë dhe stërvitja sistematike fillonte në moshën katërmbëdhjetë vjeçare dhe përfundonte në moshën 18 vjeçare. Prej të rinjve kërkohej bindje e plotë dhe mësimi me vështirësitë.

“Rinia e Hitlerit” shkonte rregullisht në kampe verore ku stërvitej fizikisht e ideologjikisht si dhe mësonte të parakalonte në parada. Të rinjtë kishin për detyrë të raportonin para eprorit të tyre çdo gjë që dëgjonin në familje e që ishte në kundërshtim me vijën naziste.

Terrenet sportive ishin vetëm për Të Rinjtë e Hitlerit. Në vitin 1939, “Rinia e Hitlerit” kishte 8.7 milion anëtarë, gati aq sa ishte popullsia që përbëhej nga grupmoshat 10-18 vjeç. Të gjithë anëtarët e “Rinisë së Hitlerit” bënin një betim personal për besnikëri ndaj Hitlerit. Këngët që këndonin ishin këngë naziste, librat që lexonin ishin libra naziste. Propaganda naziste për të rinjtë bëhej në shkollë. Në çdo klasë shkolle duhej të ishte vendosur fotografia e Hitlerit. Mësuesit dhe nxënësit përshëndeteshin në çdo fillim dhe mbarim mësimi në mënyrë naziste. Të gjitha fjalimet politike dëgjoheshin përmes altoparlantëve nga të gjithë nxënësit në shkollë. Të gjithë mësuesit duhej të ishin anëtarë të Ligës Nacionalsocialiste të Mësuesve dhe nxënësit – anëtarë të “Rinisë së Hitlerit”. Tekstet e historisë silleshin rreth konceptit se heroizmi në formën e tij gjermane lidhesh me idenë e udhëheqësit. Detyra e historisë ishte t’u mësonte nxënësve se jeta dominohej nga beteja, nga lufta, se raca dhe gjaku ishin në thelb të gjithçkaje të ndodhur në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen dhe se udhëheqja përcaktonte fatin e popujve. Tema qendrore të mësimit ishin kuraja në luftë, sakrifica për një çështje të madhe, admirimi i pakufishëm për udhëheqësin dhe urrejtja për armikun e gjermanëve – për hebreun.

Temat e hartimeve të nxënësve do të lidheshin me nacionalsocializmi dhe me Hitlerin. Ja një pjesë hartimi nga një nxënës: “Si fëmijë, Hitleri nuk ishte prej atyre që qëndronin në shtëpi. Ai pëlqente të ndeshej jashtë me fëmijë të tjerë. Një ditë ai qëndroi jashtë më gjatë se herë të tjera. Nëna u shqetësua, shihte orën dhe po mendonte se mos i kishte ndodhur gjë djalit. Disa orë më parë e kishte parë atë tek ikte me disa shokë të tjerë më të mëdhenj…. Më pas dera u hap, Hitleri i vogël hyri me kokën me bullunga e me fytyrën të gërvishtur, por me sy që i shkëlqenin. Nëna u frikësua, por ai bërtiti: “Nënë, shokët sot më bënë gjeneralin e tyre”.

Stërvitja fizike ishte e detyrueshme. Edukimi fizik përfundonin me stërvitjen dhe shërbimin ushtarak. Disiplina ushtarake, theksimi i forcës fizike, theksimi i garës, i bëri fëmijët të bëheshin të dhunshëm dhe agresivë.

Nga të rinjtë e universiteteve u krijua “Liga Naziste e Studentëve. Të gjithë ata që mbaronin shkollën e mesme, duhet të bënin njëfarë stazhi pune para se të fillonin studimet në universitet. Gjatë kohës së studimeve, studentëve u kërkohej të bënin dhjetë javë punë në kampe pune, ku do të punonin në ndërtime rrugësh, në tharje kënetash, apo në bujqësi.

Nazistët inkurajuan me të gjitha mundësitë lindjen e sa më shumë fëmijëve, në mënyrë që fuqia ushtarake e Gjermanisë të shtohej dhe popullsia të ishte kryesisht e re, gjë që do të ishte esenciale për shëndetin kombëtar. Emancipimi i gruas do të sillte dashje pa dashje uljen e numrit të fëmijëve të lindur, prandaj nazistët kërkuan që vendi i gruas të ishte në shtëpi, te fëmijët, te familja. Nazistët udhëzonin që çdo grua të lindte një herë në dy vjet dhe gjatë jetës së saj të kishte mundësi të lindte deri në pesëmbëdhjetë fëmijë. Për shtimin e numrit të lindjeve, nazistët jepnin inkurajime materiale e morale. Kryetarja e Grarisë Nacional Socialiste ishte Gertrud Sholtz-Klink, e cila ishte krenare që kishte lindur njëmbëdhjetë fëmijë. Në vitin 1934, për nënat u caktua një ditë feste që quhej Dita e Nënës. Në Ditën e Nënës në vitin 1939, tre milion grave që kishin lindur mbi katër fëmijë, me ceremoni të posaçme të mbajtura kudo në Gjermani, iu dha titulli “Nënë e Rajhut”. U shtypën medalje të posaçme të quajtura “Kryqe Nderi të Nënës”, që ishin prej bronzi për nënat me katër deri pesë fëmijë, prej argjendi për nënat me gjashtë deri shtatë fëmijë dhe prej ari për nënat me tetë ose më shumë fëmijë. Nënat që mbanin këto medalje mund të blinin pa radhë në dyqan dhe anëtarët e Rinisë së Hitlerit ishin urdhëruar t’i përshëndetnin në rrugë. Nënat që kishin lindur dhjetë e më shumë fëmijë kishin një nder më shumë, pasi Hitleri do të bëhej nun për fëmijën e dhjetë që, po të ishte djalë, do të quhej Adolf.  Përpjekjet të mëdha u bënë për të përjashtuar gratë nga puna. Për Hitlerin, ideja e emancipimit të femrës ishte hedhur nga hebrenjtë dhe ishte në thelb jo gjermane. Në Gjermani, deklaronte Hitleri, bota e burrit është shteti, ndërsa e gruas është burri i saj, familja e saj, fëmijët e saj dhe shtëpia e saj.

Emblemat naziste, fjalët dhe konceptet, mbushnin jetën e përditshme. Jo vetëm filmi, radioja, gazetat, revistat, skulpturat, pikturat, letërsia, arkitektura, muzika i shërbenin idealit nazist, por edhe çdo mjet tjetër përdorej për të mbytur ndjenjat dhe mendimin individual dhe për t’i kthyer gjermanët në një masë unike, të vetme, të bindur e të disiplinuar.

Më 27 shkurt të vitit 1933, u dogj godina e parlamentit gjerman, Rajhshtagu. U arrestua një komunisti danez dhe, ndonëse u vërtetua se ai kishte vepruar vetëm, shteti filloi një sulm kundër të gjithë komunistëve. Mijëra telegrame i shkonin gjoja qeverisë nga populli i cili kërkonte masa të forta kundër komunistëve.

Më 20 mars të vitit 1933, në një fabrikë të braktisur në periferi të Munihut, në Dahau, nisi terrorin kampi i parë i përqendrimit. Këtu do të mbylleshin të burgosur politikë.

Më 24 prill të vitit 1934, filloi punën gjyqi special, “Gjyqi i Popullit”, që do të merrej me shpejtësi me “krimet’ politike. Fillimisht, dy gjyqtarë të këtyre gjyqeve ndihmoheshin nga tre persona të tjerë: një nga SS-ët, një nga trupat SA (Sturmabteilung – trupat e sulmit, këmishë kafet, organizatë paramilitare aktive) dhe një nga Partia Nacionalsocialiste.

Informacione për ata që do të konsideroheshin si armiq të regjimit merreshin kryesisht nga agjentë të partisë si dhe nga populli në përgjithësi. Raportet shkonin nga njerëz të kafeneve, pijetoreve, restoranteve, hoteleve, nga kolegë pune, nga berberët, nga njerëz që kishin dëgjuar ndonjë bisedë në rrugë, nga fqinjët, nga njerëz të familjes. Spiunllëku u përhap gjerësisht. Raportet në Gestapo ishin të pafundme, saqë ajo nuk mund t’i përballonte dhe t’i përpunonte të gjitha. Shumica e denoncimeve kishin motive personale, apo s’kishin fare motive. Nxënësit apo studentët shpesh spiunonin profesorët e tyre, zyrtarët spiunonin shefat të cilëve donin t’u zinin vendin, tregtarët spiunonin tregtarë të tjerë konkurrentë. Sipas Ligjit të Thashethemeve, mund të dënoheshin dhe të burgoseshin ata që thoshin se nazistët po kufizonin lirinë e njeriut, se nëpunësit civilë paguheshin më mirë, se revista naziste antisemite “Der Stürmer” po turpëronte kulturën gjermane, se të burgosurit rriheshin në kampe, se Hitleri ishte një dezertor austriak, se figura me rëndësi të Rajhut të Tretë ishin të korruptuara, për shakara të ndryshme që lidheshin me politikën etj.

Qeveria filloi të vëzhgonte jo vetëm kundërshtarët, disidentët dhe të pakënaqurit, por edhe ata të cilët nuk tregonin entuziazëm për Rajhun e Tretë dhe politikën e tij. Në çdo bllok banimi ishte vënë një “Roje blloku”, detyra e të cilit ishte të vëzhgonte se kush hynte e dilte në shtëpitë e bllokut, të shihte e të vëzhgonte se mos ndonjëri nuk vendoste flamurin në ditë feste, apo se nuk shkonte në parada a mitingje. Çdo degë lokale e partisë  kishte nën komandë tetë qeliza, çdo qelizë kishte 15 blloqe dhe çdo bllok kishte nën vëzhgim rreth 50 familje. Në fillim të luftës, rojet e bllokut arritën në rreth 2 milionë vetë. Ata që denonconin fqinjët, kontaktet e para i kishin me kryetarin e bllokut. Një organizim i ngjashëm funksiononte edhe në ndërmarrjet e prodhimit. Vëzhgimet ishin veçanërisht të ashpra në ditë zgjedhjesh dhe plebishitesh. Zgjedhjet dhe plebishitet ishin si njëfarë stërvitje në propagandë, në të cilat qeveria mobilizonte elektoratin me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion për të shfaqur pamjen e një sistemi legjitim. Në këto lloj zgjedhjesh asnjë nuk guxonte të mos votonte dhe asnjë nuk guxonte të thoshte “Jo” për Partinë Nacionalsocialiste. Të gjithë kishin frikë se i përgjonin kur votonin dhe të gjithë e dinin se votimet do të dilnin ashtu si i dëshironte qeveria. Ata që në mënyrë demonstrative refuzonin të votonin, arrestoheshin. Prania e nazistëve dhe trupave SA në qendrat e votimit e shtonte presionin ndaj qytetarëve për të votuar për regjimin dhe për të votuar pa u futur në kabinat e fshehta të votimit. Në disa raste kabinat e fshehta të votimit hiqeshin fare, ose para tyre qëndronin trupa SA me pankarta ku shkruhej  “Vetëm tradhtarët futen këtu”, ndërsa kutia e votimit vendosej jashtë. Për të sëmurët dhe për ata që lëngonin në shtrat ishin krijuar qendra të lëvizshme votimi që u shkonin në shtëpi. Kundërshtarë të njohur të regjimit arrestoheshin paraprakisht para zgjedhjeve dhe mbaheshin ashtu deri sa kalonte dita e votimit.

Me ligjet që dolën në vitet 1934 dhe 1935, kërkohej që çdo punonjës të kishte librezën e tij të punës, ku do të shënoheshin punët e bëra, specializimet, karakteristikat dhe vërejtjet për punën e kryer të cilat e kishte për detyrë t’i vinte qendra e punës. Librezat e punës i mbante qendra e punës. U nxorën ligje që punonjës të padëshiruar të largoheshin nga punët që kishin dhe të çoheshin në vende të tjera.

Veprimet e para antisemite naziste filluan me shpronësimin e hebrenjve dhe me likuidimin e supertregëtoreve (supermarketet) të cilat ishin krijuar në Gjermani që në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Shumica e atyre që i kishin hapur këto supertrgtore ishin hebrenj. Trupa SA rrinin para këtyre dyqaneve me pankarta në duar në të cilat thuhej se ata që hynin në to ishin tradhtarë të racës gjermane. Me kalimin e kohës ato dyqane u mbyllën.

Për të filluar zgjidhjen e problemit të papunësisë, në mars të vitit 1933, Hitleri nisi programin “Ndihma për fshatin.” Sipas atij programi, të rinjtë e papunë të qytetit do të shkonin të punonin në fshat, ku do t’u sigurohej banesa, të ngrënit dhe njëfarë pagese. Deri në gusht, në këtë mënyrë u punësuan 145000 të papunë.

Më 7 prill të vitit 1933, u nxor ligji për “Rivendosjen e Shërbimit Civil Profesional”. Sipas atij ligji, largoheshin nga punët të gjithë ata që nuk kishin formim profesional të përshtatshëm, ata që nuk ishin me origjinë ariane, apo që kishin bashkëshortin jo arian, si dhe të gjithë ata që aktiviteti politik i mëparshëm i bënte të pabesueshëm për shtetin e ri. Drejtues jo nazistë të niveleve të ndryshme, ose detyroheshin të jepnin dorëheqjen, ose të futeshin në parti. Për të ruajtur vendin e punës, shumë nëpunës u bënë anëtarë të Partisë Naziste.

Më 14 korrik të vitit 1933, u dha ky njoftim për likuidimin e sistemit demokratik në Gjermani: “ Partia Nacional Socialiste e Punëtorëve Gjermanë përbën të vetmen parti politike në Gjermani. Cilido që orvatet të mbajë strukturat organizative  të një partie tjetër, apo të formojë një parti të re, do të dënohet me rreptësi”. Gjermania u kthye në diktaturë njëpartiake. Të gjitha institucionet u vunë nën kontrollin e nazistëve.

Nga 5000 profesorë universitetesh që ishin deri në vitin 1934, 1600 profesorë u pushuan nga punët. Ishin vetë studentët që, në bashkëpunim me profesorët nazistë, dëbuan profesorët dhe studentët hebrenj. Në këtë kohë, 960 profesorë, duke përfshirë edhe filozofin Haideger, bënë deklarata publike në mbështetje të Hitlerit, regjimit nazist dhe të politikës së tyre për arsimin.

Nazistët treguan interes të veçantë për nazifikimin e arsimit. Arsimtarët u deklaruan shërbyes civilë, iu kërkua të aderonin në Ligën Nacional Socialiste të Mësuesve dhe të betoheshin për besnikëri absolute ndaj Hitlerit.

Brenda partisë së tij, Hitleri forcoi kontrollin dhe eliminoi rivalët. Brenda pak më shumë se një viti, nga marsi i vitit 1933 deri në gusht të vitit 1934, Hitleri mori fuqi të plotë. Ai përvetësoi makinerinë e shtetit, mbyti opozitën dhe partitë e tjera, vuri autoritetin e tij kudo në parti dhe në ushtri, u bë president, kancelar dhe kryekomandant i ushtrisë. Ai do të thirrej Fyrer, pra udhëheqës, komandant.

  * Shënim: Materiali i këtij shkrimi është marrë kryesisht nga libri im ende i pabotuar: “Antisemitizmi – Nga zanafilla fetare te Holokausti nazist”.

Filed Under: Politike Tagged With: dhe propaganda naziste, Ilir Harshova, Politika

Dialogu në Bruksel-Kosova vendos sistemin unitar të drejtësisë në veri në 10 janar 2017

November 30, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 30 Nëntor 2016-B.Jashari/ Nga bisedimet në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës e Serbisë njoftohet sonte se, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian u arrit dakordimi për finalizimin e zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi me datën 10 janar 2017. 1-tahiri-ne-bruksel

“Bisedimet në Bruksel për këtë çështje zgjaten dy ditë dhe para pak çastesh u arrit marrëveshja për obligimet zbatuese dhe dinamikat e zbatimit të kësaj marrëveshje”, thekson njoftimi i dërguar. Me këtë rast, ministrja për Dialog, njëherit kryenegociatore kosovare, Edita Tahiri, deklaroi se dakordimi i arritur sot në Bruksel për finalizimin e zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë ka rëndësi të madhe për Kosovën sepse kjo marrëveshje mundëson shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të vendit në fushën e drejtësisë. “Kjo Marrëveshje është e rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e saj sepse institucionet shtetërore të drejtësisë me 10 janar 2017 do të fillojnë funksionimin tashmë në tërë territorin e shtetit tonë si dhe më në fund qytetarët do të mund të kërkojnë drejtësi nga institucionet shtetërore të Kosovës”, citohet ajo.

“Zbatimi i marrëveshjes së Brukselit për drejtësi mundëson krijimin e sistemit unik të drejtësisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, që po ndodh pas shumë vitesh dhe këtë e mundësoi dialogu i Brukselit, përkatësisht marrëveshja e Brukselit për drejtësi”, shprehet ministrja Tahiri.

Bëhet e ditur se, sipas marrëveshjes për drejtësi do të vendoset  një gjykatë themelore dhe një zyrë prokuroriale në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen shtatë komuna ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Gjykatat e Republikës së Kosovës.

Ligji për Gjykatat i Republikës së Kosovës përcakton se Gjykata Themelore e Mitrovicës me seli në Mitrovicë themelohet për territorin e Komunës së Mitrovicës Jug dhe Mitrovicës Veri, Leposaviçit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë. Sipas këtij ligji në Kosovë ekzistojnë gjithsejtë shtatë gjykata themelore.Kjo marrëveshje shuan strukturat paralele në sistemin gjyqësor që kanë vepruar në veri të vendit në mënyrë ilegale. Sipas marrëveshjes për finalizimin e zbatimit me 9 dhjetor 2016 Serbia do të shfuqizojë kontratat e punës dhe do të ndal pagat për gjyqtarët dhe prokurorët serb të cilët do të integrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës.Serbia obligohet që ta njoftojë me shkrim BE-në, më së voni deri me 9 dhjetor 2016, se ka realizuar këto obligime zbatuese. Integrimi i tyre në sistemin e Kosovës do të bëhet me  10 janar 2017.

Filed Under: Politike Tagged With: Bisedimet, Drejtesia ne Mitrovice, tahiri

28 NENTORI SI REFLEKTIM

November 30, 2016 by dgreca

Kreu i Shtetit shqiptar ua ka uruar të gjithë bashkatdhetarëve 104-vjetorin e Ditës së Pavarësisë: Gëzuar Festën e Flamurit Kombëtar!/

Presidenti i Republikës, Sh. T .Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani dhanë sonte në darkë në Pallatin e Brigadave, pritjen zyrtare me rastin e Festës Kombëtare, Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit, në të cilën ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetë të Kuvendit, anëtarë të Qeverisë, ish-Presidentë, ish-kryeministra, drejtues dhe përfaqësues të bashkësive fetare, Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, akademikë, artistë, intelektualë, familjarë të nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë si dhe bashkatdhetarë të shumtë.

Në vijim përshëndetja e plotë e Kreut të Shtetit shqiptar:

“I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë,

I nderuar zoti President i Kosovës,

Të nderuar ish-Presidentë, ish-kryeministra,

Të nderuar autoritete të Shtetit Shqiptar,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të Bashkësive Fetare,

Të nderuar autoritete vendore,

Të dashur bashkatdhetarë kudo ndodheni,

Zonja dhe zotërinj, miq e të ftuar!

E përjetoj si privilegj të madh dhe nder të veçantë që në cilësinë e Presidentit të Republikës në këtë ditë të shënuar për kombin tonë të uroj të gjithë bashkatdhetarët tanë: Gëzuar Festën e Pavarësisë kombëtare! Gëzuar Festën e Flamurit! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Si sot më 28 Nëntor 1912, pas një udhëtimi të gjatë nëpër histori mes luftrash, kryengritjesh, rreziqesh e sfidash ekzistenciale, mes kujtimit të mijëra dëshmorëve e gjakut të derdhur, Rilindja e vërtetë shqiptare mbërriti në apogjeun e vet! Si kurrë më parë e shkuara dhe e ardhmja, gegë e toskë, të gjallë e të vdekur ishin pranë njëri-tjetrit në atë ditë të shenjtë rreth Ismail Bej Vlorës për të përmbushur vullnetin e një populli të lashtë për liri, pavarësi e shtetformim. Nder përjetë Atit themelues! Nder përjetë Rilindasve të mëdhenj të kombit! Nder përjetë luftëtarëve dhe dëshmorëve të këtij procesi që bëri të mundur kalimin e shqiptarëve drejt modernitetit, kthimin e tyre në shtëpi, në gjirin e kontinentit që i përkasim që kur zë fill jeta, kthimin në familjen evropiane. Do të na mbetej peng në ndërgjegje nëse sonte vëmendjen nuk e kthejmë me mirënjohje edhe ndaj Vilhelm Vidit, Princit evropian të Shqiptarëve!

Po ashtu do të mbeteshim peng të historisë së ideologjizuar komuniste nëse nuk e kthejmë edhe formalisht Mbretin Zog, këtë burrë të ndritur të kombit shqiptar, shtetformues e konsolidues i tij, atdhetar e politikan i klasit të lartë në panteonin e vlerave të ndritura të kombit. Nder përjetë kujtimit të tyre!

Kanë kaluar 104 vjet nga dita e shenjtë, 104 vjet histori e shtetit shqiptar në të cilën reflektohen të gjitha virtytet dhe cenet tona, të gjitha ëndrrat dhe aspiratat e idealistëve, qëndresa dhe fataliteti, liria dhe tirania, lufta dhe paqja, diktatura dhe antikomunizmi, pluralizmi dhe demokracia, tranzicioni dhe integrimi! Gjatë fundit të kësaj periudhe, problemi shqiptar në Ballkan ka gjetur zgjidhje duke i dhënë paqe e stabilitet rajonit. Pavarësia dhe demokracia e Kosovës janë një provë dhe realitet i patjetërsueshëm i këtij fakti. Nga kjo sallë ceremoniale përftitoj nga rasti të përshëndes të gjithë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, ata në Diasporë i bindur se Flamuri Kombëtar na mbështjell të gjithëve si identitet i patjetërsueshëm.

Të nderuar të pranishëm,

Gjatë historisë ne kemi pasur sukses të gjitha ato herë kur jemi treguar bashkëpunues me njëri-tjetrin! Nuk e kemi pasur atë sa herë jemi treguar egoistë, sa herë i jemi kundërvënë ashpër njëri-tjetrit për interesa të ngushta pushteti, sa herë kemi vendosur partinë mbi Shqipërinë, sa herë kemi braktisur vullnetin e popullit për pushtetin e individit, sa herë kemi vendosur dhunën e forcës mbi forcën e arsyes, sa herë kemi cenuar standardet demokratike. Fjala e lirë është arritja jonë e madhe. Duhet ta ruajmë atë me çdo çmim.

Gjatë këtij viti kanë ndodhur disa ngjarje të mëdha për të na kujtuar të gjithëve ne se ende nuk jemi ndarë plotësisht nga e kaluara komuniste. Shenjtërimi i 38 Martirëve të Kishës Katolike shqiptare nga Papa Françesku na nxit për të reflektuar! Shteti shqiptar duhet të gjejë sa më parë formulën për t’i shpallur ata dhe të gjithë viktimat e diktaturës të pafajshëm. Ne kemi nevojë të konservojmë kujtesën e rezistencës antikomuniste, ta bëjmë pjesë të kurrikulave shkollore dhe të dënojmë krimet pa thënë “ndoshta e sikur” dhe jo t’i relativizojmë ato duke e shndërruar historinë në folklor e folklorin në histori. Ne duhet të nxëmë nga historia dhe jo të vazhdojmë manipulimin e saj.

Kurrë më shumë se sa sonte mund të shpreh kënaqësinë e madhe, timen personale, por edhe të të gjithë shqiptarëve për atë që ndodhi më 4 shtator në Sheshin Shën Pjetër. Shqiptarët tashmë kanë Shenjtoren Terezë. Në çdo situatë nuk duhet të harrojmë se jemi populli i saj.

Të dashur miq!

Në 26 vjet ne kemi shënuar përparim të madh duke pasur parasysh pikën e nisjes. Por nuk kemi mbërritur ende aty ku dëshirojmë, aty ku mundemi dhe kemi vullnet. Pengesa subjektive, të cilat shpesh i krijojmë vetë, na zënë rrugën nganjëherë. Në korrik të këtij viti Parlamenti shqiptar me një konsensus historik bëri ndryshimet kushtetuese duke mundësuar nisjen e reformës në sistemin e drejtësisë. Personalisht kam bërë çdo gjë që ky proces të jetë sa më efikas dhe në shinat e kushtetueshmërisë. Drejtësia mbështetet në ligj dhe ligji është i barabartë për të gjithë. Nuk ka drejtësi as mbi ligjin e as nën ligjin.

Zonja dhe zotërinj,

Edhe viti që po lemë pas ka qenë i mbushur me sfida për paqen, sigurinë dhe vlerat njerëzore, duke sjellë nevojën për një përgjigje më të shpejtë e të koordinuar. Shqipëria ka qenë plotësisht e rreshtuar në krah të aleatëve dhe partnerët e saj strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, në përballjen me sukses të këtyre sfidave, qoftë ndaj terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, e udhëhequr nga respekti për liritë dhe të drejtat themelore, zbatimi i ligjit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Shqipëria tashmë është një faktor dhe aktor aktiv e i pazëvendësueshëm në kontributet për bashkëpunimin, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin rajonal. Ajo është anëtare e të gjitha organizatave rajonale të Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor, duke u kushtuar një vëmendje të veçantë e të madhe marrëdhënieve me vendet fqinje, por edhe me rajonet e tjera të botës.

Me ndjenjë krenarie iu referohem shpesh partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët e vlerësojnë lart rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, në dobi të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sot rajoni i Ballkanit Perëndimor ka hyrë në një fazë të re mirëkuptimi dhe bashkëpunimit. Agjenda e integrimit evropian mbizotëron bashkëpunimin mes të gjitha vendeve të rajonit.

Gjithashtu, Pavarësia e Kosovës demonstroi se ishte një vendim i drejtë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit. Një vendim që nuk drejtohej kundër ndonjë vendi apo etnie tjetër, por një vendim, i cili i shërben një të drejte të mohuar të popullit të Kosovës.

Të nderuar miq,

Kontributin tonë në NATO dhe perspektivën evropiane të vendit, më shumë se çdo gjë tjetër, i kemi parë dhe i shohim si përgjegjësi. Integrimi evropian ka qenë kurdoherë zgjedhja e klasës politike dhe qytetarëve shqiptarë dhe jo një vendim i imponuar nga rrethanat apo kushtet. Si e tillë ai është dhe do të mbetet gjithmone alternativa jonë e vetme. Në këtë optikë, funksionimi i konsoliduar i shtetit ligjor, maturimi në politikëbërje në standardin evropian, ndërtimi i një kulture politike bashkëpunuese e konsensuale, përqendrimi në plotësimin e 5 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë dhe angazhimi më aktiv civil janë sfida aktuale të vendit. Hapja sa më parë e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian do të jetë hapi tjetër cilësor që do na çelë derën për të ecur në udhën e gjatë të reformave edhe më të thella, e ndoshta më të dhimbshme, por të domosdoshme për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Ajo që mbetet pjesa thelbësore e këtij procesi është angazhimi, përkushtimi dhe veprimi i pandalshëm i shoqërise shqiptare dhe aktorëve të saj në përmbushjen e standardeve të kërkuara. Jam i bindur se shqiptarët nuk do të lodhen kurrë në këto përpjekje dhe në këtë rrugëtim.

Të dashur bashkatdhetarë,

Periudha në vijim është një periudhë me dy prioritete të mëdha: zgjedhjet e lira e të ndershme që do të zhvillohen në qershorin e ardhshëm dhe lirimin e vendit nga kanabisi, kjo murtajë që rrezikon të sotmen dhe të nesërmen, ne dhe fëmijët tanë, politikën dhe shtetin, demokracinë dhe integrimin.

Në cilësinë e Presidentit të Republikes i ftoj të gjitha palët politike në vend që sa më shpejt të bëjnë reformën zgjedhore, një reformë kjo që t’u përgjigjet zhvillimeve në vend duke korrigjuar defektet dhe konsoliduar infrastrukturën zgjedhore! Vendi e ka të pamundur të ballafaqohet me zgjedhje të cenuara e të kontestuara. E kemi jetike nevojën për zgjedhje të lira e të ndershme. Unë shpreh besimin tim se Shqipëria dhe shqiptarët dhe të gjitha institucionet do të dinë të ngrihen në lartësinë e sfidave të bashkohësisë duke bërë më të mirën për sot dhe për nesër, për vete dhe për brezat.

Gëzuar Festën e Pavarësisë! Rroftë Flamuri ynë kuq e zi! Zoti i bekoftë shqiptarët dhe Shqipërinë!”

Filed Under: Histori Tagged With: 28 nentori, presidenti Nishani, si reflektim

Ndihmesë e vyer e Çabejt në fushën e psikologjisë sonë etnike

November 30, 2016 by dgreca

anton-cefaNGA ANTON ÇEFA/1-eqerem_cabejEqrem Çabej, duke dhënë një ndihmesë të një rëndësie të dorës së parë në disa fusha të kulturës sonë, e ka renditur veten në një nga kryevendet e sofrës të dijes së botës shqiptare. Në hapësirën e gjerë të veprimtarisë së tij shkencore, që përfshin gjuhësinë, folklorin, letërsinë e kultivuar, etnografinë, etnopsikologjinë, arkeologjinë, ai do të mbetet  gjithnjë një gur themeli dhe një pikë reference për studimet e sotme dhe të ardhme albanologjike. Interesat e tij shkencore, në fillimet e veprimtarisë së tij, u drejtuan në fushat e letërsisë gojore dhe letërsisë së shkruar. Megjithëse disertacioni i tij me temë : “Studime italo-shqiptare” në  thelb lidhej me gjuhësinë, veprat e tij të  para qenë : “Për gjernezën e literaturës shqipe”, botuar në  vitet 1938-39 në  revistën “Hylli i Dritës” dhe “Romantizmi në Europë Lindore e Juglindore dhe në literaturën shqiptare”, shkruar në  vitin 1945; e cila mjerisht, për arsye që dihen, mbeti pa u botuar. Kjo bëri, ndër të tjera, që për ndihmesën e tij në fushën e psikologjisë sonë etnike të mos bëhëj fjalë.

Në veprën e parë, ai hulumtoi kryesisht dukuritë më themelore të botës sonë, duke filluar nga emri ynë tek shpirti etnik, për të vijuar çka plazmoi e frymoi të veçantë ky shpirt: gjuhën, etikën, zakonet, mënyrën e jetesës, poezinë, historinë, veshjet, etj. Ai u radhit ndër studiuesit e parë shqiptarë, krahas Konicës, Harapit, më vonë Koliqit, (pa përmendur studiuesit e huaj), që lavëruan këto lavra shkencore dhe dha mendime me vlera të pakrahasueshme.

Duke gjykuar mbi bazën e trajtesës së  tij, mund të përfundojmë që për Çabejn, shpirti, në kuptimin teorik, është një tërësi atributesh mendore, volitive dhe ndjenjësore etike e estetike; çka përfshin thelbin e identitetit të një njeriu, të një grupi etnik a të një kombi; qenësia që e dallon atë nga njerëzit, grupet etnike dhe kombet e tjera. Kështu, duke u përpjekur të përkapet në të gjitha shtigjet e shpirtit shqiptar si rrrallëkush, ai na ka dhënë shtyllat kryesore të ndërtesës psikologjike të populli tonë, thelbin e identitetit të tij.

Sikurse e kanë cilësuar edhe studiues të tjerë vendës dhe të huaj, shqiptari dallohet në mënyrë të veçantë për individualizmin e tij. Çabej është i vetmi që bën fjalë për një individualizëm kolektiv të shqiptarit, në dukje absurde e paradoksale; por që ka një të vertetë të rëndësishme brenda vetes. Këtë dukuri, ai e lidh me organizimin e hershëm fisnor të popullit tonë. Ai shkruan: “Fisi, forma e zgjëruar e familjes së madhe, është shprehja më e thjeshtë e individualizmit kolektiv, i cili i përshtatet ndjenjës që ka shqiptari për jetë.” Shqipëria, në kohën kur Çabej po shkruante këto  gjëra, d. m. th. , në vitet ’30 të shek.të kaluar, po jetësonte “një proces shoqëror të padukshëm, kalimin prej jetës vetjake të fisit në jetën e përbashkët kombëtare.”

Psikologjia e historisë sonë dhe njësia e kombit. Me shumë interes janë disa përfundime që ka arritur ky studiues në rrafshin psikologjik të historisë së popullit tonë . Para së gjithash, ai ka kundërshtuar pikëpamjen e disa studiuesve të huaj, që mendonin se “përçarja e tokës shqiptare në pjesë të izoluara dhe dyndjet centrifugale (shtegtimet e popullit tonë) nuk e kanë lënë Shqipërinë kurrë të shfaqet si njësi në kuptimin historik të fjalës.” Më pas, mbasi miraton mendimin e studiuesit H. Louis që një aspekt i njësisë historike është shfaqur në mosnënshtrimin dhe rebelimin e përhershëm të shqiptarëve ndaj përpjekjeve të pareshtura të të huajve për t’i nënshtruar, Çabej parashtron disa argumente me rëndësi në të mirë të zhvillimeve historike të përbashkëta të popullit tonë gjatë shekujve. Këto janë :

  • Një rrymë episodike dhe dramatike e përshkon gjithë historinë shqiptare.
  • Një rol “më të rëndësishëm se gjetiu” ka luajtur tek shqiptarët si tek stërgjyshërit e tyre, ilirët, fuqia e personalitetit. Ai shkruan: “Një fytyrë e tillë e fortë i bashkonte shqiptarët dhe ngjallte për pak kohë ndjenjën kombëtare. Historia e Shqipërisë është histori e personalitetit”. E konkretizon këtë me figurën e Skendërbeut dhe të Ali Pashë Tepelenës. Veç kësaj, duke e cilësuar natyrën e shqiptarit për një “remb dramatik”, siç do ta shohim më poshtë , ai ka theksuar që karakter dramatik ka edhe historia e Shqipërisë në fytyrat e saj kryesore.
  • Një argument tjetër me peshë qëndron në faktin se ‘ndarja konfesionale’, siç e quan ai ndarjen në besime, nuk ka dëmtuar në themel njësinë kombëtare. … “Ndërgjegja e fisit dhe ndjenja nacionale kanë qenë gjithmonë më të forta”. Ky fakt i njohur nga shkenca (në “Shënimet”, ai përmend Jereçekun, Stermetz-in, Joklin) duhet marrë para sysh kur studiohet historia shqiptare.
  • Njësinë e kombit, ai e konstaton, gjithashtu, në njësinë e gjuhës, folklorit, krijimtarisë letrare, etj. Degëzimi i gjuhës në gegërisht e toskërisht –  shpjegon Çabej – nuk është i vjetër. “Shqipja e vjetër e përbashkët ka rrojtur deri në Mesjetën e lartë në trajtat kryesore më gjatë se rumanishtja e përbashkët”.
  • Ruajtja pandërprerë që nga kohë të vjetra e traditave i shërben atij si argument për problemin në trajtim: “Trajtat e moçme në mënyrën e jetesës dhe në kulturën materiale e shpirtërore . . . nuk janë ruajtur, them, aq besnikërisht te asnjë nga popujt e sotëm indogjermanë sa ndër shqiptarë . Ky konstatim ka vlerë edhe përkundrejt Ballkanit, i cili është edhe ky mjaft konservativ. Sepse helenët që u civilizuan shpejt lanë heret doket e lashta, popujt e tjerë u dukën në Ballkan në një shkallë më të zhvilluar të kulturës ose u formuan këtu më vonë. Vetëm te shqiptarët mund të flasim për një traditë sedentare dhe të paprerë që nga koha e vjetër.” Për këtë kanë kontribuar dy faktorë: karkteri i vendit, me vlerë për zonat malore, dhe tenaciteti i banorëve, me vlerë për gjithë popullin tonë. Me karakterin konservativ lidhet gjithashtu ruajtja për një kohë të gjatë e strukturës fisnore dhe mënyrës së jetesës.
  • Dhe së fundi, njësinë shqiptare e gjen në mënyrë të përkryer tek “trajtat e brendshme shpirtërore” siç i quan ai atributet në hullitë e të menduarit, ndjenjave, vullnetit, etj., për të cilat do të flasim më poshtë .

Gjithsesi, krahas njësisë, studiuesi ynë i nderuar ka vënë në dukje edhe dukurinë e partikularizmit në historinë tonë. Të parët tanë, ilirët, kanë qenë të ndarë në shumë fise, që kanë rrojtur shpesh në “grindje të ashpër mes tyre”. Lidhur me këtë, ai sqaron se ideja bazë e jetës politike tek grekët ka qenë “polis-i” (qyteti shtet, shënimi im), ndërsa tek shqiptarët “gens” (fisi, shënimi im). Dhe vazhdon: “Rrallë pat mundur ndonjë dorë e fortë të bashkonte shumë fise ndër ilirë, dhe, në qoftë se po, vetëm për një kohë të shkurtër.”

Me një gjykim kategorik, më mirë se kushdo tjetër, Çabej ka shprehur mungesën e predispozicionit të popullit tone ndaj shkencave teorike pa synime praktike dhe njohjes hyjnore iracionale si dhe praktikave të kësaj njohjeje: “Përbri shpirtit të energjisë dhe karakterit rezolut qëndron mungesa e prirjes për mistikë dhe për mendimin spekulativ. Sepse shpirti i popullit shqiptar është krejt realist dhe i kësaj bote.” Ky atribut themelor shpirtëror dëshmohet edhe me faktin që tek shqiptarët, siç e çekëm më lart, “ndjenja etnike ka qenë gjithmonë më e fortë se ndjenja religjioze”.

Shpirti realist e praktik i shqiptarit, mungesa e prirjes për mistikë dhe për mendimin spekulativ, nga njëra anë, dhe energjia dhe karakteri rezolut që e cilësojnë atë, nga ana tjetër, kanë bërë që veprimtaria historike e shqiptarit të jetë zhvilluar kryesisht në lëmë administrative dhe ushtarake. Natyra administrative dhe cilësitë orgnizative janë shfaqur dhe njëmendësuar kryesisht në vende të huaja. Këtë e dëshmon më së miri historia e Perandorisë  Romake, gjatë së cilës stërgjyshët tanë ilirë kanë luajtur një  rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. E njëjta gjë mund të thuhet për historinë e Perandorisë Osmane.

I bashkuar me të gjithë studiuesit vendas dhe të huaj, që kanë gjurmuar në këto rrafshe të dijes, Çabej ka theksuar natyrën luftarake të shqiptarit. Sulmet e huaja të vazhdueshme për ta pushtuar vendin e kanë brumosur shqiptarin më tej me natyrën e tij luftarake. “Zotësia ushtarake i është lindur kësaj race – shkruan ai, – ajo i ka ngjitur shqiptarit vulën e ushtarit të  përjetshëm”. Për ilustrim, ai ka sjellë fjalët e një Anonimi të vitit 1308: “Natyra e ushtarit është një trajtë e përbashkët karakteri, një atribut konstant i këtij kombi; është kryesisht figura e luftarit, me të cilën kombet e tjera e paraqesin më mirë shqiptarin”.

Një hapësirë të konsiderueshme në trajtesën e Çabejt zënë tiparet volitive të karakterit të shqiptarit. Në këtë hulli tematike, ai ka cilësuar natyrën e rezervuar si “thelbin shpirtëror të shqiptarit” dhe e ka vlerësuar si një dallojë të dorës së parë në krahasim me popujt e tjerë të Europës Jugore. Këtë cilësi të shqiptarëve, ai e shpjegon, nga një anë, si veti të trashëguar prej të parëve, dhe, në një anë tjetër, si ndikim nga natyra e ashpër dhe e mbyllur e vendit. Natyra e rezervuar bën që shqiptari jo vetëm ndaj të huajit, por edhe ndaj të afërmit të sillet i rezervuar dhe i mbyllur. “Kjo është sjellja e njeriut që është i zoti i vetvetes, i cili për të ruajtur të drejtat e veta, është i matur në fjalë e në punë”. Por kjo natyrë e rezervuar përmban në vetvete edhe kontrastin: “duke mos përjashtuar edhe karakterin e hapur”, që e gjejmë, gjithashtu, tek shqiptari.

Duke vazhduar me këtë cilësi të vullnetit, Çabej ka vënë në dukje edhe natyrën dhelpërake dhe kokëfortësinë, veti më së tepërmi të banorëve të maleve: “është një shenjë e individualizmit, siç ka qenë gjithmonë shqiptari, që rezervimi i tij, në raste të veçanta të jetës të kthehet në një qëndrim të egër e kokëfortë”. Edhe këtë cilësi Çabej e bie si “pasojë e racës”, pra e trasghëguar, dhe që dëshmohet edhe tek ilirët dhe në kolonitë shqiptare, sado që ato janë shkëputur prej shekujsh prej mëmëdheut.

Nëpërmjet vlerësimeve të Herbert Louis, Çabej ka dhënë shpirtin inisiativ të popullit tonë. Louis ka shkruar: “Një nga përshtypjet më të forta që të lë një pjekje me popullsinë shqiptare është sigurisht kjo, që te çdo shqiptar shohim një njeri që vepron me kokë të tij. Secili, i zgjuar a i trashë, disponon përmbi një fuqi vendimi të konsiderueshme dhe është mësuar të rrezikojë në veprimet e tij kamjen edhe gjakun. Kështu në një situatë të vështirë çdo pjesëmarrës, pavarësisht nga fuqia gjykuese e madhe ose e vogël, tregon një madhësi habitëse, sepse gjithkush është në gjendje të marrë një inisiativë të fortë. Shkurt nuk ka një masë indiferente.”

Nga cilësitë e tjera të vullnetit të popullit tonë, Çabej përmend këmbënguljen, karakterin rezolut dhe natyrën energjike. Karakteri këmbëngulës dhe i qëndrueshëm ka sjellë si pasojë ruajtjen e zakoneve, lidhjen pas tyre, “që është veti tjetër e përbashkët e karakterit të shqiptarit”. Për lashtësinë e zakoneve tona, Çabej shkruan: “Në qoftë se qërojmë një nga shtresat e influencave të huaja në zakone, do të ndeshim më së fundi në thelbin indoeuropian. Të nxjerrësh në dritë këtë shtrat themelor do të thotë të zbulosh rishtas atë që ka qenë dikur e përbashkët në zakonet shqiptare.” Edhe gjuha shqipe e dëshmon këtë. M. Meillet ka shkruar:“Forca e rezistencës së gjuhës shqipe dëshmon tenacitetin e kombit.”

Në gjykimet e tij për cilësitë mendore, Çabej është mbështetur më së shumti tek të huajt. Ami Boué e cilëson shqiptarin për “hollësi e prezencë të jashtëzakonshme të mendjes. Janë popull i përgjigjeve të shpejta e therëse par exellance”. J. Ph. Fallmerayer e ka dalluar si “mendjeshkurtër”, në kuptimin e njësoj përtacie për të menduar gjatë për një problem. Duke shkoqitur këtë kontrast të karakterit të popullit tonë, Çabej ka argumentuar një tipar tjetër të këtij karakteri: një rremb dramatik që e përshkon atë. Ai shkruan: “Meqë kontrasti përmban në vetvete thelbin e dramaticitetit, shohim se një rremb dramatik e përshkon karakterin e shqiptarit, i mësuar më shumë të veprojë me rrëmbim se sa të rrijë e të mendojë.”

Impulse të fuqishme shpirtërore e kanë nxitur shqiptarin drejt shtegtimeve të shpeshta jashtë trojeve të veta. “Këto fuqi shtegtimi na shfaqen si faktor vendimtar që në epokat prehistorike e gjatë gjithë historisë shqiptare gjer në kohët më të reja. Kështu shohim se si që në kohët më të lashta fise ilire shtrihen më njërën anë andej detit në Itali, më anën tjetër në Gadishullin Ballkanik duke kontribuar atje në mbrujtjen e nacionit italik, këtu në formimin e nacioneve helenik e trak, më vonë të nacioneve serbe, greke të re e turke . . .” Dhe më poshtë: “Ky popull malësor i fortë jep gjakun e tij për mbrujtjen e kombeve të reja ballkanike; jo vetëm me anën e përzierjes etnike, por dhe në pikëpamje politike, si kasta luftare e Ballkanit, me armë në dorë.

Këto impulse, të lindura nga lakmia për fushat pjellore përtej maleve të larta të Shqipërisë, ushqyen me kalimin e kohës një dëshirë të pashuar për shtegtim. Por krahas kësaj dëshire në shpirtin e shqiptarit është mbrujtur një ndjenjë fisnike e fuqishme, që Çabej e quan “malli i tokës”, d. m. th. një mall i pashterrur dhe i pamposhtur për vendlindjen. “Dëshira për shtegtim – shkruan ai – dhe malli i tokës bashkohen tek karakteri shqiptar në mënyrë të çuditshme.” (Siç e ka vënë në dukje edhe Hann-i). Dhe më pas: “Lidhja shpirtërore me tokën u është e përbashkët gjithë shqiptarëve. Kështu ne shohim tek i ikuri në dhe të huaj se si, i shtyrë nga malli, dëshiron gjithmonë të kthehet në atdhe.”

Veç kësaj, shqiptarin e dallon një lidhje e ngushtë me familjen, një nderim dhe një predispozicion shpirtëror i veçantë për te: “është qëllim i jetës së gjithkujt të përpiqet për nderin dhe mbrothësinë e njerëzve të vet.”, shkruan Çabej. Këtë botë të pasur e të fisme emocionale e fisnikëron më tej heroizmi dhe një dëshirë e flaktë për liri, çka janë shtysa të forta në karakterin dhe në qëndrimin shpirtëror të shqiptarëve si edhe të stërgjyshërve të tyre ilirë.

Në fushën e estetikës, Çabej ka vënë në dukje aftësitë e popullit tonë për të kuptuar, vlerësuar dhe krijuar të bukurën në veprimtarinë praktike dhe në art, kryesisht në letërsinë gojore dhe atë të shkruar, veçantitë dhe origjinalitetin e folklorit tonë, pa lënë mangut edhe realizimet e së bukurës në rrafshe të ndryshme të kulturës materiale. Ndër të tjera, ai ka theksuar fantazinë trajtuese dhe fuqinë plastike të popullit tonë në krijimin e fjalëve. Për këtë studiues të nderuar, fjalët dhe këngët janë “pjesë shpirtërore”, dhe “një organizëm i gjallë”. Në trajtimin e poezisë epike të vendeve ballkanike, ai ka theksuar se popujt e Ballkanit janë edhe sot “më afër qëndrimit epik të shpirtit sesa p. sh. popujt e Perëndimit. Nderimi i trimave dhe lartësimi i tyre në këngë është në Ballkan edhe tash një dukje e shpeshtë”. Gjerësisht, në dy veprat që kemi përmendur më lart, është pasqyruar fytyra e veçantë dhe origjinale e shpirtit të popullit tonë në hullitë e krijimtarisë së tij letrare gojore dhe të shkruar.

Duke folur për pasurinë e madhe të kostumeve popullore dhe larushinë e mahnitshme të tyre, studiuesi ynë ka vërejtur që “e bardha është ngjyra kombëtare e veshjes shqiptare. Veçanërisht, kësula e bardhë është ajo që, me gjithë ndryshimet e formës  . . . e dallon shqiptarin nëpër gjithë Ballkanin.”

Më duket me interes të them dy fjalë, në përfundim, për metodikën e tij në shtjellimin e lëndës. Përgjithësisht, ai nuk mjaftohet thjesht me parashtrimin e mendimeve të  tij dhe të  dijetarëve të huaj, por flet edhe për burimet, shkaqet dhe rrjedhimet e konstatimeve të  tij; duke i trajtuar, në  këtë  mënyrë , faktet dhe dukuritë  jo vetë m në vijë sinkronike, po edhe në atë diakronike. Kështu, për shumë atribute shpirtërore (si dëshirën e shqiptarëve për shtegtim, dashurinë për lirinë, aftësitë administrative, natyrën luftarake, heroizmin, individualizmin, rolin historik të personalitetit, etj.), ai nxjerr në dritë përbashkësinë iliro-shqiptare, duke ndërtuar edhe në këtë fushë aq të  rendësishme lidhjet e popullit tonë me të parët e tij, ilirët. Në këtë studim rëndësor, ai ka argumentuar, kështu, njësinë etnike, kulturore, historike të kombit tonë, njësi që lidhen me njësinë gjeografike.

Shënim: të gjitha citimet janë marrë nga vepra “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, përgatitur për shtyp nga Brikena Çabej dhe botuar nga MÇM, Tiranë, 1994.

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Cefa, e Çabejt në fushën e, Ndihmesë e vyer, psikologjisë etnike

600 VETE NE FESTEN E VATRES DHE KOMUNITETI NE CLEARWATER, FLORIDA

November 30, 2016 by dgreca

–DEGA E VATRES NE TAMPA MBLODHI ME SHUME SE 600 PJESMARRES NE CLEARWATER/ 1-salla-e-madhe*Feste e madhe e Komunitetit  Shqiptar ne  Tampa Bay  per  104- vjetorin e Pavaresise/1-irma-libohova

* Ambasadorja shqiptare ne Washington nuk iu pergjigj Fteses e Vatres/

1-tasim

Ne Foto:Kryetari i deges se Vatres, z. Tasim Ruko, duke pershendetur 600 pjesmarresit ne manifetsimin e Dites se Flamurit/

1-shkolla-koncertNGA FADIL SHEHU/ FLORIDA/

Me se 600 shqiptare te zones se Tampa Bay ne shtetit te Floridas festuan me nje pjesemarrje massive si asnjehere tjeter ne Clearwater.1-ylli-bakaBuzembremja e se premtes per shqiptaret te ardhur nga qytetet Tampa, Saint Petersburg,Largo,Sarasota,Pinellas Park ,New Port Richey dhe Clearwater kishte dicka te bukur dhe te vecante.1-tampa-anna

Pike takimet e tyre perbenin nje fakt mjafte sinjifikativ,nje motiv te perbashket , festohej 104 vjetori I shpalljes se pavaresise se Shqiperise. Erdhen ketu ne Clearwater,te veshur si ne nje dasem gjigande,ku padyshim te ftuar ishin njerez nga te gjitha moshat.Ishte kjo foleze ,ku me shume se 600 bashkeathetare do te perjetonin,preknin nga afer , flamujt shqiptare,kenget e vallet  shqipe,pra do te shpalosej  me gjithe madheshtine e saj, vete mrekullia shqiptare.1-tasimi-grup

Jane shqiptare te ankoruar ketu 30- 40 vite me pare ne shtetin e Foridas, te tjere te ardhur disa vite me pare.E perbashketa e tyre qendron ne faktin e festimit te dites se 28 Nentorit,e cila kete here i ka gjetur shqiptaret me te bashkuar prane njeri tjetrit. Nuk ka rendesi se ciles fe ,krahine apo qyteti e fshati i perkasin, nuk ka rendesi se jane nga Shqiperia, Kosova ,Maqedonia apo Mali i Zi. Ajo qe te emocionon,te mbush me shume krenari, eshte fakti se te gjithe jane shqiptare.Ka mes tyre te ardhur  dekada me pare,te aratisur  te detyruar nga regjimi i atehershem ,duke mbajtur mbi supe prej vitesh etiketimin, famile balliste apo kulake,dhe mjafte te tjere te ardhur me llotari apo vize Amerikane. Nen ekzekutimin e hymnit tone kombetare,te shoqeruar me zerin e fuqishem te mbi 600 Shqipeve,te pranishem,celet sipari i spektaklit te festes se madhe. Padyshim qe kete here reportazhi do te marre me shume permasa, me shume hapesire ne faqet e gazetes sone “Dielli” nen perkushtimin e drejtuesit te saj.  Dalip Greca,me nje numur faqesh te konsiderueshem prej 100 faqe. Ne fjalen pershendetese ,Kryetari i deges Vatra  Tasim Ruko, do te pershendeste te gjithe te pranishmit ne kete dasem te madhe,do te falenderonte te gjithe ata qe u perkushtuan  dhe kontribuan,  qe vatranet te organizonin sa me bukur  festen e flamurit. Padyshim qe  nuk mund te organizohej perkushtimin dhe pranine e te zoterve te shtepise Isuf Spahiaj, Zamira Rubjeka, Jason Sulisufaj, Greta Monty, Arian Kushta, Piro Poloska, Endri Filipi, Luli Nurka, Mario Mihaj dhe grupi rinor Ari Abdi, Klarenc Novaku , Klevi Bejo e te tjereve, te cilet benin cmos qe te ardhurve te mos u mungonte as “maja e gjilperes”.

Padyshim qe kete feste do e pershendesnin femijet e shkolles Shqipe “Vatra”. Edhe pse shkolla ishte hapur ne shtator te ketij viti, femijet me deshie mesuan vargjet dhe kenget ne nje kohe shume te shkurter. Si cicerima te bukura zogjsh te shoqeruar nga te gjithe te ftuarit, nxenesit e kesaj shkolle te hapur nga vatranet e Floridas, te drejtuar nga mesuesja e palodhur Yllka Bejo,kenduan kenge per flamurin dhe memedheun. Femijet mesuan vargjet ne nje kohe shume te shkurter

Me pas nen duartrokitjet e mireseardhjes te bilbili te jugut,  kengetari Ylli Baka me zerin e tij te fuqishem do te kendonte kenget popullore me motive te jugut. Publiku kendon si nje ansambel gjigante, ku kenga shqiptare si katarakt i fuqishem, ngre peshe te gjithe te pranishmit. Mbremja nuk ka protokoll se si duhet te organizohet ,te gjithe cojne ne skenen e valles dhe kenges shqiptare zemren e tyre. Vallet padyshim cojne te gjithe ne skenen e pushtuar nga motivet shqiptare. Ku ka me bukur, kur syri te ze permetarin, tropojanin, prishtinasin ,tetovarin, ulqinakun, tiranasin, fierakun,  myzeqarin. labin, e malesorin ,te gjithe te zene prej dore ne ekzekutimet e valleve brilante te valles shqipe.

Eshte vertete bukur qe kur shikon te rijnte e te rejat teksa kane marre me “tapi” krejt hapesiren e skenes,si ne nje festival folklorik te vertete. Kercejne e levizin si valltare te talentuar festivalesh.Atmosfera e ndezur  e gezuar e kesaj nate dhuron  gjithcka te bukur ,krenare per dashurine dhe malli qe te zgjon mjegull loti,  teksa interpretohet kenga shqiptare. Midis te ftuarve te terheq vemendjen prania e nje zonje, qe dhuronte buzeqeshje dhe falenderime, e cila merte urime me rastin e marrjes se medaljes te shoqates kulturore atdhetare “Motrat Qiriazi” dhene nga Samiti i Diaspores, i para pak diteve,i cili grumbulloi  per here te pare ne historine e Shqiperise, shqiptare nga me se 40 vende. Quhet Dr. Anna Kohen kryetare e kesaj shoqate  tregon se eshte hera e dyte qe ajo vjen ne keto evenimente historike ne degen ne Vatra Tampa. Ndonese jeton ne qytetin e Sarasotes ajo sfidon moshen e saj. ka mes 25 vjet qe njihet si gruaja e hekurt e ceshtjes shqiptare ne Nju Jork dhe Florida. Motivet shqiptare shfaqen  bindshem  dhe fuqishem kur kengetarja e madhe e kenges popullore, muzikes se lehte dhe asaj moderne, Irma Libohova,nen shoqerimin e duartrokitjeve  do te behej personazhi i kesaj feste. Madheshtia e kenges shqiptare, e bukur, e hershme sa vete historia e shqiperise, do te ekzekutohesh mrekullisht nga zeri brilant i saj,  Serish Ylli Baka ne duet me Irmen ,te cilet njihen te sukseshem ne kenget e tyre, ku dhe ketu ne Amerike, atyre nuk u mungojne fansat e shumte.Gjerdani i kengeve te tyre, behet me i fuqishem kur ate e perforcojne te ftuarit e kesaj feste, nuk eshte e lehte te qemtosh dhe percaktosh personat me te cilet kerkon te komunikosh,  ti vecosh nga te tjeret. Asnje prej tyre nuk percaktohet se eshte dikush, te gjithe kane emertimin e bukur, dasmore  ne kete dasem te madhe shqiptare. Tingujt shqiptare,kenga madhore “Shqiperi o nena ime”,”Rreth flamurit te perbashkuar” … ku gjerdani i tyre do jete i pranishem  gjate 6 oreve te ketij koncerti festiv. Ku muzika shqiptare vjen e permalluar ne kete vend te larget, ku kenga vlonjate,tiranase, tropojane gjirokastrite,prizerenase, ulqinake,korcare ,beratase…. Madheshtia  e kenges shqiptare “can” muret e nderteses,duke bere qe kalimtaret e kesaj nate, te ndalin paksa hapin dhe te shijojne mrekulline shqiptare. Jane gati 65 tavolina te rrethuar nga lule shumengjyreshe, flamuj dhe tullumbace kuq e zi, vendet ku ndizet biseda, vendet ku njihen me nga afer vete shqiptaret .Ketu pothuajse te gjithe kane ardhur familjarisht. Nga belbezimi i foshnjave,  femijeve deri tek te moshuarit 70 dhe 80 vjecare. Te gjithe jane dashuruar me kengen ,vallen, atmosferen e ndezur festive.Ne nje tavoline takohemi me Aliko Hila nga Fieri,Myzafer Muka dhe Arber Novaku nga Pogradeci, Ferdinand Gjyli nga Vlora,Thimaqi Poloska dhe Mirela Armata nga Korca ,ne nje tjeter tavoline poeti Luan Kalana  nga devolli,Arben Jakupi nga fshati Burim i Pejes, Drita Vocaj nga Shkodra, Burbuqe Elezi nga Elbasani, Bert Aga nga Tirana ….ketu kane zbritur gjithe shqiptaret,gjithe trojet e vendet nga ata vijne….nga gjithe shqiperia. Gezohemi qe kete feste historike e festojme se bashku mes gezimit dhe harese te shokeve e miqve tane te hershem dhe te rinj,na thone ne tavolinen 57.Ndoshta atmosfera ne “barkun’ gjigant te nderteses eshte ndezur dhe dollite e urimet pasojne njera tjetren, bene qe kjo nate te jete ndryshe  me shkelqimin ne syte e te gjitheve, me me shume dielll ne zemer.Mesnata ja le vendin trokitjeve te mengjesit ,ora ka kaluar dy e mengjesit dhe serish kengetaret Irma Libohova,Ylli baka,Klarineta mbire ne buzet e Nokes se Beratit, sfidojne lodhjen. Mysafiret dhe kengetaret, krijojne ansambel gjigant te papaerseritshem nga madhesia dhe vlerat e artit shqiptar,te cilat u shpalosen mrekullisht ne kete sofer kenge dhe valleve te shqipes. Mjafte njerez, shkembejne adresa dhe numur telefoni me njeri tjetrin. Organizimi madheshtor i koncertit dhe pjesemarrja kaq massive , vertet na befasoi , thone Zj. Florisiana dhe Ermal Metollari nga Vatra Orlando, ben qe te jemi serish te pranishem ne evenimente shqiptaresh. Pas ores dy, deri ne tre, dasmoret e viseve shqiptare qe sollen motivet e kengeve dhe valleve te trevave te tyre  shpalosur bukur ne kete mbremje festive,largohen me motive mbreselenese duke falenderuar nga zemra organizatoret e Vatra Tampa per kete nate te paharrueshme.

  • DIELLI:Ambasadorja shqiptare ne Washington nuk iu pergjigj Fteses e Vatres, ajo shkoi nje organizim tjeter. 

Filed Under: Featured Tagged With: Dega e Vatres, Fadil Shheu, fetsa e 28 Nentorit, Tmpa-Clearwater

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2357
  • 2358
  • 2359
  • 2360
  • 2361
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT