• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MJAFT ME LËVDATAT PËR PUTININ, Z. TRUMP!

September 13, 2016 by dgreca

 

1-frankNga Frank Shkreli/

 Javën që kaloi, kandidati i Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se nëqoftse zgjidhet president ai do të ketë marrëdhënie të mira me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.  Gjatë fushatës për president ai ka vazhduar të shprehet në mënyrë të favorshme për udhëheqsin rus, madje kohët e fundit, krahasoi presidentin amerikan Barak Obama me Vladimir Putin, duke thënë se Vladimir Putini është president më i mirë presdienti Obama. Deklaratat lavdëruese të Donald Trump-it për udhëheqsin rus kanë shkaktuar reagime të ashpra, përfshirë kandidaten e Partisë Demokrate për president, Hillary Clinton e cila i ka quajtur deklaratat e kundërshtarit të saj republikan në favor të Putinit, si “jo patriotike”.  Kritikat e ashpra kundër Donald Trump për qëndrimin e tij ndaj Vladimir Putinit po bëhen jo vetëm nga demokratët por edhe nga përfaqsues të lartë të Partisë Republikane. Gazeta Washington Post shkruan se udhëheqsi i Republikanëve në Dhomën e Përfaqsuesve të Shteteve të Bashkuara, Paul Ryan, pa dashur të futej në hollësi në lidhje mbi këtë çështje,  u shpreh  se presidenti i Rusisë, Putin është  “një agresor, i cili nuk mbështetë interesat tona” dhe shtoi se presidenti rus sillet si një kundërshtar i yni. 

Ndërsa Senatori republikan Lindsey Graham i cili ishte kandidat për president i Partisë Republikane gjatë fushatës paraprake, u shpreh se deklaratat e kandidatit republikan për president në lidhje me Putinin, “e shqetësojnë atë deri në palc”.  Ai u citua nga media të jetë shprehurmë  ashpër ndaj deklaratave të Donald Trump për admirimin e tij për Putinin, duke thënë se ai e vlerson udhëheqsin rus si “Një gangster, diktator dhe udhëheqës autokrat, i cili vret përfaqsuesit e opozitës nepër rrugët e Rusisë.”  Senatori amerikan shtoi (duke iu referuar Donald Trump) se, “Nëqoftse bën fushatë për tu zgjedhur si udhëheqës i botës së lirë dhe njëkohsisht je admirues i Putinit, atëherë unë këtë nuk e kuptoj.”  Ai citohet nga Washington post të ketë thënë se Vladimir Putin, “Shkatërroi çdo instrument të demokracisë në vendin e tij, duke i zhdukur fizikisht kundërshtarët e tij politikë.”   Për më tepër,“Ai, me forcë ushtarake copëtoi vendet fqinje dhe po përfiton nga marrëdhëniet e tija me kasapin e Damaskut”, tha senatori republikan Lindsey Graham i Karolinës së Jugut.

Kritikat vazhdojnë  ndaj lavdërimit që Donald Trump i akordon Vladimir Putinit edhe nga media dhe qarqe të tjera.  Një koment që ka tërhequr vëmendjen e medias dhe të publikut është ai i shkruar para disa ditësh nga dy ekspertë të sigurimit kombëtar të cilët kanë shërbyer gjatë viteve në detyra të larta qeveritare, si në administrata republikane ashtu edhe demokrate.  Michael Morell dhe Mike Vickers i drejtohen Donald Trump-it duke shkruar se, “Me gjithë respektin që kemi për ty si kandidat për president i Partisë Republikane, ti nuk mund të shërbejsh si kryekomandant i forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, nëqoftse mbështetë presidentin rus, Vladimir Putin.” 

Në shkrimin e tyre drejtuar Donald Trump, ata nënvijojnë  se udhëheqsi rus ka treguar vazhdimisht se është një kundërshtar i vendosur i Shteteve të Bashkuara dhe se gjatë gjithë karierës së tij, ai ka ndjekur politika kundër interesave amerikane si dhe kundër interesave të aleatëve dhe partnerëve tanë.  Bashk-autorët Michael Morell dhe Mike Vickers përmendin ndërhyrjet e Rusisë në vendet fqinje, okupimin e Ukrainës dhe të Gjorgjisë, përfshirë edhe aneksimin e Krimesë.  Qëllimi i Putinit ka qenë vazhdimisht që kombet e ish-Bashkimit Sovjetik të mos kenë lidhje të ngushta, në të ardhmen, me Europën dhe Perëndimin. Ata i kujtojnë Donald Trump një listë të gjatë veprimesh të mbrendshme dhe të jashtme të Rusisë së Putinit me të cilat ai nuk duhej t’i ishte dakort. Ata shkruajnë se Putini, “Ka burgosur dhe ka vrarë kundërshtarët politikë. Ai ka arrestuar dhe ka vrarë gazetarë. Ai ka neutralizuar median ruse deri në një pikë sa që tani ai ushtron kontroll të plotë mbi mesazhet dhe lajmet që i transmetohen popullit rus. Ai gëzon popullaritetin që ju admironi aq shumë vetëm e vetëm sepse ai vendosë se çfarë duhet të lexojnë, dëgjojnë dhe të shikojnë rusët për veprimtarinë e tij dhe të qeverisë së tij”, shkruajnë dy ekspertët amerikanë të çështjeve të sigurimit kombëtar.

Më në fund, ata i kërkojnë Donald Trump që në vend që ai të lavdërojë Vladimir Putinin, kandidati republikan për president t’i kërkojë udhëheqsit rus që t’i japë fund , “Agresionit jashtë vendit. Dhe t’i kërkojë atij që t’u japë fund veprimeve diktatoriale mbrenda vendit.”  Ata i bëjnë thirrje kandidatit republikan për president që në vend të lavdërimeve, t’i komunikojëudhëheqsit rus, se ai Donald Trump, “Do të zbatojë angazhimet (e Shteteve të Bashkuara) ndaj aleancës euro-atlantike, NATO dhe se do të mbroni, nëqoftse paraqitet nevoja, shtetet baltike. I thuaj gjithashtu” udhëheqsit rus, shkruajnë ata, se natyrisht do të dëshironit të punonit me ‘të për të zgjidhur problemet e botës  — por për një gjë të tillë ai (Vladimir Putin) duhet të jetë më i sjellshëm” si mbrenda vendit ashtu edhe në fushën ndërkombëtare. “Kështu do të duhej të vepronte një kryekomand i vërtetë i forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara”, sfidojnë kandidatin republikan për president,ish-zyrtarët e lartë amerikanë Michael Morell dhe Mike Vickers. 

Gazeta Washington Post shkruan se madje edhe mbështetsit më të zellshëm të Donald Trump do të dëshironin që në vend që ai të lavdërojë Vladimir Putinin, kandidati republikan të kritikojë marrëdhëniet e Hillary Clinton me Rusinë, gjatë mandatit të saj si Sekretare Amerikane e Shtetit.

Por, në mbrojtje të Donald Trump në lidhje me këtë çështje foli ish-kryetari i bashkisë së New York-ut, Rudy Giuliani i cili krahasoi Trump-in e Putin-in me ish-presidentin amerikan Ronald Reagan dhe ish-udhëheqsin sovjetik Mikhail Gorbaçov, të cilët duke bashkpunuar me njëri tjetrin në vitin 1986 arritën një marrveshje në Rejkjavik të Islandës për pakësimin e numrit tëarmëve bërthamore dhe eventualisht,  bashkpunuan me njëri tjetrin,për t’i dhanë fund luftës së ftohtë midis dy sistemeve të ndryshme politike.

Megjithë respektin dhe reputacionin që gëzon në vend Rudy Giulani,  ndryshimi midis Ronald Reagan dhe Donald Trump, si njerëz dhe si politikanë, është shumë i madh.  Donald Trump nuk është Ronald Reagan.  As Putini nuk është Gorbaçov.  Ronald Reagan që në fillim të mandatit të tij nuk lëvdoi Gorbaçovin as sistemin politik produkt i të cilit ishte ai, por përkundrazi e kishte shpallur ish-Bashkimin Sovjetik komunist si, “perandorinë e të këqiave” në këtë botë.Qëndrimi i Ronald Reagan-it ishte parimor dhe i qartë për të gjithë, përsa i përkiste komunizmit dhe udhëheqsve të atij sistemi, përfshirë Mikhail Gorbaçovin.  Pa marrë parasyshë deklaratën e Rudy Giulianit, nuk besoj se Ronald Reagan do të ishte i kënaqur me lëvdatat që Donald Trump i bën Vladimir Putinit, një ish-agjenti të policisë sekrete komuniste sovjetike KGB,i cili tani si udhëheqës i Rusisë po përpiqet me gjithçka mundet dhe me gjithçka di, që – ndryshe nga Gorbaçovi i cili me politikat e tija solli shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik —  të ri-krijojë madje edhe me forcë ish-Bashkimin Sovjetik në një formë ose tjetër, dhe të rivendosë përsëri influencën dhe kontrollin e Rusisë mbi ish-territorin e “perandorisë së keqe” komuniste, duke shpërbërë gjithçka që është arritur në Europë dhe në botë gjatë çerek shekullit të kaluar, si përfundim i shëmbjes së komunizmit në Europë dhe shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik.

Deklaratat lavëdruese të kandidatit republikan për president, Ronald Trump ndaj presidentit rus Vladimir Putin, nuk janë pritur aspak mirë as nga një numër i konsiderueshëm amerikanësh me origjinë nga Europa Lindore.  Ndoshta, drejtuesit e fushatës së Donald Trump nuk e kanë menduar mirë se deklarata të tilla të favorshme në llogari të udhëheqsit rus, sidomos këtij udhëheqsi rus,  nuk priten mirë nga qindra mijëra votues me origjinë nga ish-vendet komuniste të Europës lindore të dominuara nga komunizmi rus për gjysëm shekulli  — votues të cilët normalisht mund të kenëvotuar për republikanët në të kaluarën pikërisht për qëndrimin historikisht të fortë të republikanëve kundër komunizmit – por që kësaj radhe mund të votojnë ndryshe ose mos të votojnë fare.

Filed Under: Analiza, Featured Tagged With: Donald Trump, Frank shkreli, levdata, Mjaft, Putin

TREGIM PËR GJYSHEN TIME DHE NJI FOTO ME NANË TEREZEN

September 13, 2016 by dgreca

Nga: Gresa KAMBERAJ/New York/

… Gjyshen time e duen të gjithë. Edhe djemtë, edhe vajzat, edhe nipat, edhe mbesat. Të gjithë thonë “asht e imja”.Them edhe unë. Por, vonë e kam kuptu’ se, përveç meje, gati të gjithë të tjerët e kanë me ngapak “hile”.

Po ju tregoj pse: e duen për shkak të – trashëgimisë.

image1.jpeg

Me Gjyshen Zade

Të gjithë duen me trashëgu’ diçka prej saj… Anipse ajo s’ka as pallate, as dyçane, as vilë në bregdet. E ka vetēm një konto të pensionit të moshës dhe, nga bota materiale – kaq.

Eh, ç’pasuri tjetër ka Ajo?!

Çfarë trashëgimie të madhe që ka: i ka mbushë 94 vjet, gati nji shekull jetë, pa u idhnu kush prej saj dhe pa e idhnu kend ajo.

Të gjithë çohen dhe e lusin për kafe; e lusin çka don me hangër e me pi.

– Me “hile” e kanë, oj Gjyshe, i kam thanë asaj, yhy … shumë vjet ma parë – se i kam ndëgju tu’ thanë: “Gjenet … gjenet … Kqyrmi sytë! Sytë e saj – sytë e mi. Goja e saj … “.

Dhe, i kam pas’ thanë asaj: kur ta kthejnë shpinën, thonë “ishalla i trashëgoj gjenet e saj”!

94 vjet!

Kur i ndëgjoj, shpesh më vjen me u thanë: veç pritni!

Ajo, jam e sigurt, më ka dashtë dhe më don mu’ ma së shumti. I kam pas’ tregu edhe vjet pse e duen, ose pse thonë se e duen kaq shumë.

Dhe, ajo ka qeshë shumë … Kur qeshte ajo, më dukej se gurgullonte kroni i katundit të Babit.

Vetëm njiherë e kam pa tu’ qajtë;  ka qajtë shumë, fshehtas; ditën që jam nda prej saj, kur jam nisë me shku’ te Babi në Amerikë …

Më kanë pasë marrë me zor, ose ma mirë me thanë m’kanë mashtru, mami dhe motra me dy vllaznit e mi ma të mëdhej se unë. Kam qenë gjashtë vjeçe, por e mbaj mend  se jam mërzitë shumë dhe, ashtu si ajo, kam qajtë shumë, shumë, kur ma ka ba me dorë në Aeroport … Derisa kam hy mbrenda në avion.

Kur ka fluturu’ aeroplani, m’asht dukë se ka fluturu në qiell edhe gjyshja, në anën tjetër të aeroportit. Sikur në atë lojën: “Fluturon, fluturon …”, kur luejshim në Dragodan.

(Tash i thonë Arbëri. Bile, si për inati, mu aty ku dikur rrijshin shumë milicë serbë dhe i rrehshin e i detyrojshin shqiptarët me thanë ‘këtu asht Serbia’, sot po ndërtohet Ambasada Amerikane).

Ku e kisha fjalën? Po, te loja me Gjyshen “Fluturon-fluturon!…”

Eh, çfarë loje ka qenë ajo! Kur më vinte radha mu’ me thanë: “Fluturon, fluturon …” dhe unë thojsha: “Fluturon Gjyshja!”, ajo  e çonte gishtin nalt “gabimisht”, tue ba: uh – uh!, mue më dukej se nuk kishte fëmi ma të lumtun në botë.

Por, kur në Aeroport u binda se nuk do të “fluturonte” Gjyshja, por unë dhe, kur e kam pa se ajo po qante me dënesë, bile ma shumë se të gjithë njerëzit që kishin dalë me i përcjellë të vetët, kam qenë fëmiu ma i pikëlluem në botë.

Ajo skenë kurrë nuk m’asht hjekë prej syve.

*

Para katër muejsh, kur shkova nga Nju Jorku në Prishtinë për vizitë, Gjyshja u gëzu’ pa masë dhe u çu’ me ma qitë vetē nji kafe, për qef.

– Sa vjet i mbushe , oj Gjyshe?, i thashë.

– Shumë. Tash nuk po numroj mâ, – tha ajo me humorin e saj …

Ajo ka kujtesë të jashtëzakonshme. Nuk harron kurrgja. Më pyeti për të gjithë në Amerikë, emën për emēn.

Tu’ pi kafe, ia kujtova lojën “Fluturon, fluturon … “, në Arbëri, kur “fluturonte maca”, “fluturonte tavolina”, “teVelizori” …

– Atëherë fluturonte gjithçka, moj Gresë. Edhe në  Aeroport, kur ke “fluturu'” ti, ka pasë fluturu’ gjithçka … Rruga, automobilat, unë, Gjyshi yt, krejt Prishtina …

Mu’ gati m’u mbushën sytë me lot. Si ishte e mundun t’i dukej edhe asaj atëherë, krejt si mu’, në të njëjtën kohë, me fluturu’ gjithçka në aeroport, kur ndahet njeriu prej njerëzve të dashtun.

Papritmas, ajo filloi me qeshë. “Fluturon – fluturon!, – përsëriti. Edhe tash fluturojnë e shkojnë, po edhe fluturojnë e vijnë, oj Gresë”, tha ajo.

Për fat të mirë, kur kam “fluturu'” unë për Nju Jork, me Gjyshen patën  mbetë në Prishtinë edhe shumë nipa e mbesa, që e donin dhe e duen atë, sa unë.

Dhe, edhe ajo i don të gjithë – sa mu.

Tjetër punë asht se unë po du’ me bâ pak shaka.

– Hë? – ma ban, – dhe pret me e pyet si atëherë kur isha e vogël, – kë e don ma së shumti.

Unë nuk ia ndaj sytë dhe ajo ngutet:

– Krejt, si nipat, si mbesat, janë të barabartë. Po, do të tjerë ishin pak ma të barabartë se nipat e mbesat. Dhe, tha diçka si … “mjalti i mjaltit”    …

–  Çka asht kjo, –  i thashë. – Vete Nânën tane. Ajo asht gjyshe, unë stërgjyshe, oj Gresë!

– Sa i ke gjithsej, gjyshe?, – i thashë.

– I kam, – tha, – shyqyr, shumë. Nalu niherë, nalu, oj çikë … Dhe nisi me i numru: 1, 2, 3 … gjashtë… Manej, nipa e mbesa …

Nuk i dolën gishtat e saj dhe m’i mori hua të mitë .. 11, 12, 13 … 20. S’i dolën as gishtat e mi … 24, djem e çika, nipa, mbesa, stërmbesa, stërnipa … – Kam ni

diçka, – më tha, me zä pak ma të ulët. Po vjen edhe ni stërnip, dhe ni stërmesë.  Mirëseardhshin 26.  Prej tyne, pa nalu pak, niherë … 9 në Kosovë, 7 në Gjermani, 8 në Amerikë. Prej tyne 15 – jashtë Kosovës.

S’di a ju thashë se gjyshja ime mban mend shumë … Ngjarje, emna, jashtëzakonisht shumë …

Ec e mos lakmo të keshë memorje si ajo!

Ajo i ka përjetu’ dy lufta. – Të Parën e mbaj mend mirë, si sot, – thotë ajo. Kishte qenë e fejueme dhe e kishte pritë Gjyshin me u kthy prej ushtrie. Partizanët serbë, tregon ajo, e kishin çu’ me zor larg, deri në Austri, me “i ndjekë” gjermanët. Në  luftën e Dytē, – thotë ajo, – para 17 vjetësh, kemi ikë vetë – tash po prej atij rodi të “partizanëve” serbë, nëpër tym e flakë prej Prishtine, nëpër Bllacë e në Shkup, me e pshtu’ kryet. Prej aty – në Francë. Se, Serbia dojke me i qitë fare krejt kosovarët.

Ajo thotë se kur ka pa shumë aeroplanë tu’ fluturu’ prej Shkupit, plot njerëz, plot thmi, gra, njerëz të smutë, familje të ndame, desh e ka lshu shpirti.

– Luftë e flliqtë. Mos na raftë me e harru’! – thotë ajo.  – Eh, sa aeroplanat kanë fluturu’ … Kanë bajtë njer’z  që ikshin pej zorit …

–  Sot asht tjetër gja. Për gëzim, – thotë ajo, – prapë “fluturon, fluturon.. gjyshja”.

Ajo ka qenē në Gjermani, para lufte, për qef. Atje e ka pasë dhe ka një pjesë të familjes. Dëshiron me shku’ prapë, por, thotë se nuk shkon pa sebep.

– Më duhet me shku’ kur të dilomojnë Miloti e Loni në Fakultet. Edhe për Anilën,  Lirakun e Arditin,  “në m’çofshin fjalë”. Dhe, ngutet: Pēr Lenën, Labin e Malin, s’kam pasë nevojë me “fluturu”. Këta kanë diplomu këtu. Edhe Likun, e pres, kismet!

– Ana e Bledi m’kanë pas’ thirrë n’Amerikë, kur kanë diplomu’, për nji ditë. Kam ardhë, ti e mban mend, me Gjyshin tand. Për Tilin jo, po nashta vi për tjetrin gëzim të tij. A të thashë se kam ni diçka?

– A e harrove dikend tjetër, Gjyshe? Ajo rrudhë krahët. Mu’, – i thashë. – Uh, uh, – bani, – si në atë lojën e vjetër, “Fluturon, fluturon …”.

Atëherë, më ka pas metë pak hatri n’ ty, – i thashë.

– E di, – tha. – I ka fajet baba yt. Kurrë s’e kisha lanë pa ardhë  edhe për ty …

– Të ka hije me ardhë sivjet në Nju Jork, – i thashë, pēr Florën. Të regjistrohet stërmbesa në Fakultet.

– Vi, vi, po ma mirë me ardhë kur të diplomon, – tha tu’ qeshë.

– Unë të fali, – i thashë, – që nuk ke ardhë për mu’. A po ndëgjon? Të fali, (mendova, hajt ta korruptoj) – nëse më jep diçka mu, “ryshfet”. I hapi sytë. Diçka nga “trashëgimia” jote… A po më kupton? – i thashë.

– Po, po, – më tha. Atë për çka më dojnë të tjerët … qysh më ke thanë ti. S’kam nevojë me të thanë as me të dhânë kurgja. Ti je si unë. Krejt si unë…

Kur u sigurova mirë, vendosa ta ndaj me ju këtë status në fb. dhe, sidomos me ata që i kam “konkurentë”, – me vëllaznit dhe motrën time, Ardianën, që thotë se, gjoja, të gjithë thonë se  i ngjan asaj, se “ia ka këputë kry’t gjyshes”.

Bana pak shaka. I thashë se krejt çka kemi folë sot du me e “bâ status në fejs-buk”.  “Në telefon? Jo ishalla!, – tha shpejt e shpejt. Po ban hajgare. Din ti me shkru shqip, a ?”, më pyeti. Kur i thashë se ma përkthen Ardiana prej anglishtes, – se m’ka borxh, – tha se po dojshe me na ba “prrallë”.

– Si ato përrallat që m’i ke tregu’ në Arbëri?, – i thashë.

– Tjera janë ato. Atëherë s’ka pasë telefona me gisht… – tha. Dhe, më dha leje, ma në fund me “çkru” çka të du.

– Me telefon? Keni m’u çorru me këta telefona, – tha dhe filloi me qeshë. Erjoni më ka pasë thanë kur asht kanë i vogël, – kur më patën hupë diku syzat, – ishalla s’i gjen ma kurrë, oj gjyshe, se i ke çorru syzat tu bä vegëza me krrabëza!

Sa e mirë asht Gjyshja, mendova. Si duket e “la” keq Erjonin. Dhe e korrigjoi “gabimin”, pa u hetu.

– A harrova tjetër? – më pyeti. – Rronin, – i thashë. – Uh! – ma të mirin e shpisë, lazdranin e qerdhes!

Gjyshja ka qinda nipa e stërnipa nga ana e motrave dhe vëllazënve të saj, shumicës prej të cilëve thotë se ua din emnat …

Dhe, tash, seriozisht. Do të kisha dashtë shumë me trashëgu diçka nga mirësia, bujaria, zemërgjanësia dhe mbi të gjitha fisnikëria e saj.

Të gjitha gjyshet janë të mrekullueshme, por Gjyshja ime, Zade Bajraktari – Kamberaj, e lindur në janar 1922 në Rudicë të Dukagjinit, asht ma e mira në Botë.

NJË FOTO ME NÂNË TEREZEN DHE VËLLAU IM ‘XHELOZ’

Dje, kur vendosa ta dërgoj për botim si dhe ta postoj në fb. këtë shkrim, kur po mundohesha me e zgjedhë një foto me gjyshën time, Zaden, e gjeta foton që e kisha bâ me Nanë Terezën, në Nju Jork, në vitin 1995, foton time jashtëzakonisht të dashtun. (Bashkë me të, efhe një distingtiv të argjentë, dhuratë prej saj, që e ruej si nji gja të shtrejtë).

image1.jpeg

       Gishtat magjikë të Nanë Terezës

Ky takim e ka nji histori. Sapo kishim ardhë nga Kosova dhe ishim bashku’ me Babin, unë, mami, motra ime ma e madhe dhe dy vllaznit, poashtu ma të medhej se unë. Mbas nji debati të vogël, babi vendosi me më marrë mu’ në takimin që e kish organizu’ me Nanë Terezen, Misioni i Shqipërisë. Ata që do të takoheshin me Nanë Terezën mund të merrshin me veti vetën nga një fëmi.

–  E bajmë me short, thanë motra dhe dy vëllaznit e mi, po babi zbatoi kriter tjetër: vjen ma e vogla. Pikë.

Të tretë varën buzët. Më i ashpër u ba, vëllau im i dytë, Tili. Por, vendimi nuk ndryshoi.

Kur u kthyem nga Takimi, plot krenari fillova rrëfimin tim. Uh, uh, çfarë duersh të ngrohta kishte Nanë Tereza! Ah, sa e lumtun që jam, duer si të Gjyshes! Të ngrohta, të buuuta! I thosha këto me ua shtu’ xhelozinë atyne që u pëlqente shorti ma shumë se vendimi i babit.

– Më ka pyet nga jam. I kam tregu’. Më ka thënë God Bless you, Gresa!

Tili shpërthei plot inat: – Patjetër që të ka thanë. Kur të ka pa kështu si je, ka mendu’ se ke ardhë nga Kalkuta!, – shfryu.     –  Ani pra, plas ti ?, – ia ktheva pa e kuptuar ironinë.

Disa vjet ma vonë, kur e kam lexu’ reportazhin e babit nga Takimi me Nanë Terezen, konstatimi i tij se “fytyra e Nanë Terezës asht mishnim i të gjitha fytyrave të nanave shqiptare, i atyne nanave që sa ma shumë u randojnë vitet mbi supe, fytyrat e tyne bahen gjithnjë e ma engjëllore”, mendoj se asht shumë i saktë.

Gjyshja ime, – padyshim edhe gjyshet tueja, -ka fytyrë të tillë: të butë, me sy që shkëlqejnë, plot dritë e fisnikëri …

Nana Terezë para pesë ditësh u shpall E SHEJTË!

Çfarë fati kam pasë unë që e kam taku’ Nânë Terezën. Ia kam prekë duert, m’i ka përkëdhelë flokët, më ka ledhatu, bash si Gjyshja ime në Aeroport dy dekada ma parë, kur kamë ikë nga Kosova. Ajo kishte gishta magjikë dhe sy që rrezatonin dritë hyjnore.

Ajo tashma asht Shejtorja jonë!

9 shtator 2016

______________________

Shënim për autoren:

Gresa Kamberaj ka ardhë  nga Kosova në Amerikë më 1994, bashkē me familjen, në moshën gjashtë vjeçare.

Ka mbaru studimet për Ekonomi e Financa në New York, ku jeton dhe punon

Gjatë shkollimit të mesëm e ka redaktu’ Gazetën e Akademisë “Saint Catharine” në Bronx.

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: foto me Nene Terezen, Gjyshja, Gresa KAMBERAJ, Tregim

13 Shtatori ne Historine e Amerikes

September 13, 2016 by dgreca

13 Shtatori ne Historine e Amerikes shenon Dite-lindjen e hymnit te flamurit amerikan./
1-albanaNga Albana Lifschin/
Hymni lidhet me nje ngjarje te rendesishme, thyerjen e flotës britanike para Forteses McHenry ( 14 shtator 1814) dhe me emrin e Francis Skott Key (Frencis Skat Ki) autor i vargjeve të himit.
Francis nuk ishte poet, as shkrimtar, por ishte një avokat ri nga Uashington DC. Sado e madhe të kishte qënë fama e tij si avokat, ajo do të qe tretur nëpër kohra dhe askush ndoshta në ditët tona nuk do t’ja dinte emrin, por qenë disa vargje, vetëm disa vargje, që dolën nga shpirti i tij, si nga shpirti i kombit, atë ditë shtatori, që e bënë të pavdekshëm emrin e patriotit Francis Skott Key. Ja si ndodhi:
Ishte 7 shtator 1814, kur Frencis Skott Key arriti flotën britanike në Chesapeake Bay, për të kërkuar lirimin e mikut të tij, Dr. William Beans, i cili qe arrestuar nga anglezët. Frencis mbante me vete një flamur të bardhë. Edhe pse marrëveshja për lirimin e mikut të tij u arrit, anglezët nuk e lanë të largohej, pasi flota britanike do të fillonte sulmin mbi fortesën McHenry. Kështu Frencis u mbajt në një nga anijet nën mbikqyrje, i detyruar të përjetonte sulmin armik mbi fortesë. Admirali anglez qe mburrur se rënia e fortesës dhe pushtimi i qytetit të Baltimorës do të qe çeshtje orësh.
Në mëngjezin e 13 shtatorit 1814, 16 anije të flotës britanike filluan të qëllojnë me top fortesën McHenry. Bombardimet vazhduan 25 orë rrjesht nga një largësi prej dy miljesh…
Pasditja erdhi me stuhi shiu. Skenës së luftës iu shtua edhe shkrepëtimi i rrufeve në qiell. Flakët e betejës dhe rrufetë ndriçonin qiellin pa yje të asaj nate. Imagjinoni çfarë ankthi duhet të ketë kaluar Frencis, sa herë flota britanike godiste me top fortesën McHenry. Përgjigjet e mbrojtësve vinin të dobëta. A do të qëndronte fortesa vallë? Gjithësesi, flota britanike nuk mundi t’u afrohej brigjeve. Kur nata u thye dhe drita e zbehtë e orëve të para të mëngjezit ra mbi të, Frencis i ktheu sytë me drithërimë nga fortesa. Flamuri ishte ende atje! Një valvitje e lehtë zbulonte yjet e bardhë. Gjenerali anglez, Robert Ross qe vrarë dhe flota armike po tërhiqej. Me një gufim zemre të paparë, avokati i ri shqiptoi fjalët e para, ashtu siç i dolën nga shpirti, që më pas do të do të bëheshin vargjet origjinale të himnit të flamurit amerikan.
Titulli origjinal i poezisë qe “Mbrojtja e Fortesës McHenry”
Albana Lifschin's photo.
Albana Lifschin's photo.

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: 13 Shtatori, Albana Lifschin, Hymni, ne Historine e Amerikes

Hyn në fuqi armëpushimi në Siri

September 13, 2016 by dgreca

Armëpushimi i negociuar nga Rusia dhe SHBA-ja që nga mbrëmja (12.09) ka hyrë zyrtarisht në fuqi. Armët duhet të heshtin menjëherë. Eshtë megjithatë e paqartë, nëse palët e konfliktit do t’i përmbahen marrëveshjes.

Syrien Zivilbevölkerung in Aleppo

Deri para pak pas fillimit të armëpushimit kishte dyshime nëse ai do të realizohet, sepse luftimet në orët e fundit para mbrëmjes u intensifikuan. Gjatë sulmeve nga ajri në provincën Idlib të kontrolluar prej rebelëve janë vrarë të pakëtn katër civilë. Avionët luftarakë fluturuan edhe në afërsi të metropolit verior të Sirisë Aleppo, siç njoftuan qendra vorjtimi të afërta me opozitën. Luftime ka pasur edhe në terren.

Armëpushimi prej 48 orësh duhet të vlejë për të gjitha forcat, që nga OKB-ja nuk janë klasifikuar si terroriste. Ndaj milicët terroristë të “Shtetit Islamik” janë të përjashtuar ngamarrëveshja. Nëse armëpushimi respektohet për shtatë ditë, atëherë SHBA dhe Rusia duan të veprojnë bashkarisht kundër grupeve terroriste në Siri.

Ndërkaq kreu i pushtetit Asad demonstron vendosmëri për të rimarrë të gjitha territoret e vendit nën kontroll, siç deklaroi ai gjatë një vizitë në Daraja pranë Damaskut pas një lutjeje me rastin efestës mysliamne të kurbanit Eid al-Adha. Udhëheqja në Damask e miratoi armëpushimin të shtunën, e po ashtu edhe sipas të dhënave nga Moska, marrëveshja është negociuar me qeverinë.

Syrien Aleppo Opfer und Zerstörung nach Luftangriffen

Disa grupe rebelësh sinjalizuan se do t’i përmbahen marrëveshjes së armëpushimit.

Ndërkohë që Turqia do të vazhdojë ofensivën e nisur në fund të gushtit, siç deklaron derisa „të mposhten të gjithë terroristët dhe kufijtë tanë të jenë të sigurtë“. Këtë e tha shefi i shtabit të përgjithshëm Hulusi Akar gjatë një vizite tek trupat, vë në dukje agjencia e lajmeve Anadolu.

Plani Kerry-Lavrov parashikon, që Moska t’i bindë trupat qeveritare siriane të tërhiqen nga qyteti i rrethuar Aleppo dhe të sigurojnë kështu aksesin e ndihmësve humanitarë. Në këmbim SHBA duhet të verënë lëvizje grupet aleate të rebelëve që të mos bashkëpunojnë me me frontin islamist Fateh-al-Scham.

Filed Under: Featured Tagged With: armepushimi ne Siri, hyn në fuqi

MËSIME NGA STUDIMI SHKENCOR I Dr. NUÇI KOTTA “SHQIPËRIA DHE ÇËSHTJA E KUFIJVE SHQIPTARO-GREKË”1 [1]

September 13, 2016 by dgreca

 

1-uran-butka1                                                                                       NGA URAN BUTKA/

Libri “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë” i Dr.Nuçi Kottës u botua në vitin 1946 në Paris në gjuhën frënge dhe pas 60-vjetësh u ribotua në vendlindjen e tij, i shqipëruar nga Viktor Bakillari.

Për mendimin tim, është  punimi më i mirë i këtij zhanri në literaturën shqiptare, ndoshta edhe europiane. Ai i përmbahet rigorozisht një parashtrimi shkencor, mbështetur tërësisht në dokumente dhe dëshmi autentike me origjinë ndërkombëtare e shqiptare të garantuara, si dhe në autorë tejet të njohur, kryesisht të huaj; ai të befason me argumentet historike, juridike dhe llogjike të pakundërshtueshme, që të çojnë tek e vërteta; të bind me ndershmërinë, paanshmërinë, objektivitetin, saktësinë, përballjen dhe debatin konstruktiv;  të bën krenar me  atdhetarizmin e kombtarizmin  e  kulluar, por edhe me respektin e thellë për popujt dhe kombet e tjerë, si edhe për personalitetet e kohës që kanë ndihmësuar në zgjidhjen  drejtë të çështjes shqiptare.

Këtë përkushtim autori e shpreh qysh në krye të punës  së tij dhe  i mbetet besnik gjatë gjithë trajtimit të temës, por edhe e përsiat në përfundim të saj: “E pamë të nevojshme që të përpiqemi  ta studiojmë këtë çështje ndershmërisht dhe me ojektivitet… Ne nuk e fshehëm qysh në fillim se do të mbronim kauzën kombëtare, por, gjithashtu, jemi përpjekur të tregojmë se ajo përkon  me të vërtetën dhe me drejtësinë, si dhe jemi përpjekur që veprën ta bëjmë të dobishme, të paanshme dhe, nisur nga këto, shkencore. Ne nuk besojmë se i jemi shmangur përkushtimit të imponuar vullnetarisht për të mos u rrëmbyer nga pasioni, i cili rrezikon të çojë në shtrëmbërim dhe në përbuzje ndaj së vërtetës”.

Autori ia ka arritur plotësisht qëllimit, që i kishte vënë vetës në këtë përballje të rëndësishme dhe të vështirë historiko-juridike, duke ndjekur një metodë rigorozisht shkencore për dhënien me vërtetësi të marrëdhënieve brendakombëtare, ndërkombëtare , por edhe të marrëdhënieve  shqiptaro-greke dhe shqiptaro-serbe, në veçanti. Kështu studimi merr peshë kombëtare, ballkanike dhe ndërkombëtare, jo vetëm për nga historia e këtyre marrëdhënieve gjatë periudhës që merret në shqyrim, por edhe, çka është më e rëndësishme, për dobinë e njohjes së tyre nga popujt përkatës, për nxjerrjen e mësimeve e të përgjegjësive nga politikat e atëherëshme dhe të sotme të shteteve, qeverive dhe personaliteteve, pra, merr një vlerë sa historike, ashtu edhe aktuale.

Autori, ky njohës dhe analist i mirëfilltë  i  marrëdhënieve ndërkombëtare, i së drejtës juridike ndërkombëtare dhe kombëtare, i konventave dhe marrëveshjeve të fshehta e të hapura europiane, i vendimeve të forumeve më të larta si Konferenca e Paqes në Paris, Konferenca e Ambasadorëve, Lidhja e Kombeve, Gjykata e Përherëshme e Drejtësisë Ndërkombëtare, i skenave dhe prapaskenave kundrejt Shqipërisë etj, shtron, analizon dhe vërteton teza në themel, i ballafaqon ato me tezat e hipotezat kundërshtare, i rrëzon ato me argumente juridike e faktike dhe nxjerr konkluzione të papërballueshme, që i rezistojnë çdo kohe. Një sfidues dhe një vizionar shqiptar i kalibrit europian, por jo i vetmi.

Dhe këtë punë e bën me shumë aftësi, elokuencë dhe kulturë, madje me një thjeshtësi e finesë të admirueshme sjelljeje dhe bisedimi intelektual, që na bën të ndihemi mirë ne si shqiptarë, të akuzuar shpesh si të rrëmbyer, të paditur dhe të pakulturuar.

Në pjesën e parë të studimit “Përcaktimi i kufijve shqiptaro-grekë më 1913 dhe më 1921 dhe pasojat e marrëdhënieve mes dy vendeve”,  autori, së pari, bën një trajtesë historike  të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës kombëtare shqiptare, duke nisur qysh nga Traktati i Berlinit ( 13 korrik 1878), që i jepte një pjesë të Shqipërisë Serbisë dhe Malit të Zi, duke vijuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, që mbrojti kombëtarisht  territoret shqiptare, e duke përfunduar me vendimet e Konferencës së Paqes në Paris për Shqipërinë në vitin 1913 dhe reagimin shqiptar kundrejt coptimit. Ndonëse fare konçiz në këtë parashtresë historike, autori nxjerr disa konkluzione të rëndësishme, që vlejnë të theksohen:

-“Porta e Lartë e kishte përkrahur Lidhjen Shqiptare në fillesat e saj, duke menduar të përfitonte nga protestat shqiptare  për të mos përmbushur detyrimet e caktuara në Berlin, edhe pse ishte, siç dihet, e detyruar të luftonte  nën urdhrat e Fuqive ndëshkuese të Berlinit. Por qëndrimi i saj ndryshoi krejtësisht , kur Lidhja vendosi të ndërpriste lidhjet e vasalitetit të Shqipërisë dhe t’i kthente vendit pavarësinë”.

-“Kryengritja e përgjithshme shpërtheu më 1912 në provincën e Kosovës. Kryengritësit morën Shkupin dhe kërcënuan Manastirin., por nuk ditën ta shfrytëzonin plotësisht suksesin e tyre dhe, duke hyrë para kohe në kontakt me qeverinë turke, u mjaftuan me një autonomi të gjerë në vend që të shpallnin në mënyrë të njëanshme pavarësinë. Ky gabim solli si rezultat lënien jashtë të pothuajse gjysmës së territorit të Shqipërisë”…

-“Për të ruajtur paqen mes Fuqive të Mëdha, Shqipëria paguante  një haraç të madh dhe e shihte veten të gjymtuar pa krahinat e pasura të Kosovës dhe të Çamërisë. Rreth një milion shqiptarë gjendeshin të ndarë nga mëmëdheu”…

-“Sigurisht, ne mendojmë që Kosova, herët a vonë duhet t’i kthehet Dheut Amë”.

Pas këtyre konsideratave dhe parashikimeve, autori trajton me themel marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe veçanërisht problemin e kufijve mes tyre, çështje që vështirësoheshin nga pretendimet absurde të palës greke dhe mbështetjes së tezës së saj të pabazuar nga disa Fuqi të Mëdha. Përpara Konferencës së Ambasadorëve në Londër  1913, qeveria greke kërkonte aneksimin e të gjitha territoreve të pushtuara nga ushtritë greke gjatë Luftës ballkanike, përfshirë vilajetin e Janinës dhe kazatë e Korçës e të Gjirokastrës! Kërkesat greke mbështeteshin mbi argumente të stisura si : karakteri grek i këtyre krahinave me një prani të konsiderueshme të popullsisë me besim ortodoks, duke njësuar besimin ortodoks me kombsinë greke dhe duke i konsideruar ortodoksët shqiptarë grekë; së dyti, me ekzistencën e shkollave greke dhe së treti, nisur nga arsyetimi  që ushtritë greke  gjatë Luftës Ballkanike i kishin çliruar këto krahina nga zgjedha otomane.

Kërkesat e palës shqiptare qëndronin në përfshirjen në teritorin e Shqipërisë të katër vilajeteve të dikurshme shqiptare : Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës, bazuar mbi kriteret historike dhe etnike.

Autori, me paanësi të admirueshme,  i gjen të dyja pretendimet greke dhe shqiptare mbi baza të paqëndrueshme. Ai mendon se kriteri i vetëm i përcaktimit të territoreve dhe të kufijve, duhet të ishte ai etnik dhe  kombëtar i popullsisë.

Sipas tij, kërkesat e palës greke  në vitin 1913 dhe vijimisht më pas, ishin të komprometuara, sepse karakteri i lashtë dhe i pandërprerë shqiptar i popullsisë së i këtyre krahinave të Shqipërisë së Jugut ishte vërtetuar nga dokumente historike dhe autorë të huaj, të vjetër e bashkëkohorë, grekë dhe europianë, të cilët autori i citon; së dyti,  është gënjeshtër që Greqia e ka çliruar Shqipërinë e Jugut  në vitin 1912. Në çastin kur shpërtheu Lufta Balkanike, Shqiptarët e kishin fituar autonominë e tyre, më pas edhe pavarësinë, ndërsa ushtritë greke erdhën në krahinat tona për t’i robëruar e masakruar, siç ndodhi në të vërtetë,  dhe jo për t’i çliruar; nga pikpamja historike janë shqiptarët  e Greqisë Xhavella, Boçari etj që kontribuan fuqimisht në pavarësinë e Greqisë; së treti, të njësosh ortodoksët me grekët, do të thotë të shpërfillësh kriteret e vërteta të kombësisë. Rumunët, serbët, bullgarët, madje edhe rusët janë ortodoksë, por nuk janë grekë. Kriteri fetar nuk vlen fare; së katërti, shkollat greke ekzistonin me lejën e Patrikanës Greke të Stambollit, sepse shkollat shqipe ishin të ndaluara. Për më tepër, shkollat greke u shndërruan në vatra të helenizmit dhe iu kundërvunë të nxënit shqip, kulturës dhe qënies shqiptare. Lufta e ndërmarrë kundër gjuhës sonë është një provë e dukshme e karakterit shqiptar të këtyre krahinave, polemizon autori.

Edhe ndaj kërkesave shqiptare autori ka rezerva lidhur me përfshirjen e katër vilajeteve te kohës së Turqisë në territorin e Shqipërisë së pavarur, sepse përfshirja e krejt viseve natyrore të këtyre vilajeteve, do të krijonte shumë minoritete dhe probleme me ta, edhe me fqinjët.

Autori është i prirë për një Shqipëri etnike, që të përfshinte krahinat me popullsi tërësisht shqiptare apo me shumicë shqiptare, tezë e nacionalizmit rilindës shqiptar, por edhe një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme.

Në fakt, edhe Komisioni Ndërkombëtar për caktimin e kufijve jug-lindorë, e nisi punën në shtator 1913, duke marrë parasysh kombësinë e popullsive kufitare. Mirëpo hyri menjeherë në lojë dredhija greke e manipulimit dhe e mashtrimit. Autori e trajton gjerësisht këtë farsë, që u mor shpesh si e vërtetë. Kjo lojë e rrezikshme vijoi edhe pas protokollit të Firences 17 Dhjetorit 1913. Ushtritë greke detyroheshin të tërhiqeshin brenda muajit mars 1914 nga krahinat e pushtuara të prefekturës së Korçës, Gjirokostrës, nga Delvina dhe ishulli i Sazanit. Autori i Librit rrëfen me dokumente dhe fakte për masakrat  greke mbi popullsinë shqiptare të këtyre krahinave, jo vetëm nëpërmjet ushtrisë së rregullt, por edhe nëpërmjet “batalioneve të shenjta” të rekrutuara nga ortodoksë grekomanë dhe  të destinuara për të luftuar krahas ushtrisë greke. Nga ana tjetër, banda kriminelësh dhe andartësh, kryesisht të sjellë nga Kreta, depëruan nëpër ato krahina, duke bërë presione dhe krime të përbindshme. “Pikërisht më 28 shkurt, në vigjilje të datës së evakuimit, të caktuar nga Fuqitë e Mëdha, ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Z.Kristaqos Zografos, krijoi, nën mbrojtjen e kretasve, një qeveri kryengritëse  të “Epirit autonom”, të përbërë nga personalitete  të huaja me të ashtuquajturën origjinë nga “Epiri i Veriut”- shkruan autori Kotta. Kjo ishte një manovër tjetër greke, për ta marrë kalanë nga brenda. Më 27 mars Gjirokastra u lirua nga trupat e ushtrisë greke, por u sulmua nga kretasit dhe përkrahësit e të ashtuquajturës qeveri e “Vorio Epirit”,. Formalisht edhe qyteti i Korçës ishte zbrazur nga ushtria e rregullt greke, por ky evakuim ishte vetëm në parim- konstaton autori, sepse një numër i madh ushtarësh kishin qëndruar aty si të sëmurë dhe, më 2 prill 1914 shpërtheu një kryengritje e organizuar nga peshkopi grek Germanos. Ushtarët grekë “të sëmurë” dhe “patriotët vorio-epirotë”, të pajisur me armë automatike , pushtuan ndërtesat publike të qytetit, por sakaq ndërhyri gjithë popullsia, që u reshtua në krah të xhandërmarisë shqiptare”.

Dr.Kotta sjell për këto ngjarje dëshmi të oficerëve hollandezë, në mënyrë të veçantë të gjeneralit De Veer, që  ndodhej me detyrë në Korçë, të Justin Godart, që vizitoi Shqipërinë, si edhe opinionet e Z.Albert Musei dhe Profesor Simonardit për kompromisin e turpshëm të Korfuzit dhe përgjegjësinë e qeverisë greke, “Ngjarjet që do të pasojnë  dhe që janë rrjedhojë e këtyre dredhive, në të vërtetë duhet të konsiderohen si kryengritje të rreme. Por Grekët ditën ta vërtisnin mirë versionin e rezistencës spontane, sa problemi u kthye përmbys”- shkruante  Simonardi.

Analisti politik N.Kotta, jep një tabllo të zhvillimeve politike gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërkohë që përqëndrohet tek shpallja e Vetëqeverimit shqiptar të Korçës dhe e qenies së saj shqiptare, apo siç e quan autori “Revolucioni  i 10 dhjetorit 1916”, një bashkëpunim i shkëlqyer franko-shqiptar. Ai zbulon se ishte kryesisht vullneti dhe përpjekja e popullsia shqiptare e qarkut të Korçës, që vendosi për këtë vepër madhore në mes të vorbullës së luftës. E dëshmon edhe protokolli i nënshkruar mes përfaqësuesve të popullit dhe autoriteteve ushtarake franceze. “Në përputhje të plotë me vullnetin e popullsisë shqiptare të shprehur nëpërmjet përfaqësuesve të saj, kazaja e Korçës me krahinat e Bilishtit, Kolonjës, Oparit dhe Gorës, u shndërrua në një rreth autonom i administruar nga autoritetet shqiptare nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze”.( Protokolli i 10 dhjetorit 1916)

Komandanti i trupave frënge,  kolonel Deskuën, shkruante: “Gjë unike në historinë e bërë nga vullneti i lirë i një populli, energjitë e të cilit bashkoheshin në të njëjtin ideal lirie. Revolucioni u krye pa dhunë. Ky popull i vogël po i  jepte botës  një mësim të madh”.

Autori i librit zbulon gjithashtu, se shkaku i shpalljes së vetëqeverimit shqiptar të Kazasë së Korçës, ishte rreziku i aneksimit grek të Korçës, siç e provuan katërcipërisht ngjarjet gjatë dhe pas luftës, Traktati i fshehtë i Londrës 1915, marrëveshja e fshehtë Titoni-Venizellos,1919 etj për aneksimin nga Greqia të Shqipërisë së Jugut. Përpjekjet e qeverisë greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, të ashtuquajtur “Vorio-Epir”, vijuan edhe në vitet e mëpastajmë në Konferencën e Paqes në Paris, po ashtu edhe në Lidhjen e Kombeve, madje edhe pas Luftës së Dytë Botërore, në Konferencën e Paqes më 1946 e më tutje.

Nuçi Kotta, në cilësinë e juristit të shquar dhe njohësit të mirë të së drejtës Ndërkombëtare, ndalet tek reflektimi i marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe e kufijve mes tyre edhe në Lidhjen e Kombeve. Më 2 tetor, me kërkesë të qeverisë shqiptare, Asambleja e Lidhjes së Kombeve ftoi Këshillin të nginte një komision hetimor, i cili duhej të shkonte në Shqipëri për të bërë investigime të thella lidhur me mosmarrëveshjen shqiptaro-greke dhe turbullirat që po ndodhnin në kufi. Komisioni i kryesuar fillimisht nga Ralf Teslefi dhe mandej nga profesor Sederholm, bëri një punë të gjithanëshme dhe të paanshme.

“Dërgimi nga Lidhja e Kombeve  e një komisioni hetimor në Shqipëri ka qenë shumë i dobishëm nga një këndvështrim i dyfishtë. Fillimisht kontriuboi, falë pranisë së tij përkrah Komisionit të përcaktimit të Kufijve, për të shmangur konfliktet midis Shqipërisë dhe fqinjëve të saj dhe për t’i sheshuar këto probleme. Pastaj, nga ana tjetër e këndvështrimit, ky komision përcaktoi me saktësi dhe paanësi karakterin etnik dhe kombëtar të popullsive të Shqipërisë së Jugut. Leximi i punimeve të këtij  komisioni është i domosdoshëm për cilindo që kërkon të njohë një herë e mirë çështjen e mprehtë të kufijve shqiptaro-grekë”- analizon doktori i shkencave juridike të Francës, Nuçi Kotta. Ai evidenton konkluzionet e Komisionit Ndërkombëtar, të vlefshme për në atë kohë, por edhe për sot: “Fillimisht duhet thënë se në Korçë popullsia është krejtësisht shqiptare dhe se atje gjendet nje numër krejt i papërfillshëm elementësh grekë. Është krejt e natyrshme që kjo i kundërvihet në përgjithësi çdo ndërhyrjeje të huaj në punët fetare apo politike të brendshme”( Raporti i prof.Sederholm)

Me këtë rast, studiuesi Kotta trajton edhe problemin e minoritetteve. “Minoriteti grek në Shqipëri, thekson ai, jeton në krahinën e Gjirokastrës dhe në zonën e Çamërisë, përballë pjesës veriore të ishullit të Korfuzit deri në gjirin e Prevezës. Minoriteti grek në Shqipëri, i cili, sipas statistikave të përgjithshme shqiptare të vitit 1930, arrin në 37.270 vetë, shifër kjo që përputhet me të dhënët ë Komisionit të hetimit të Profesor Sederholmit (1922-1923), gëzon të gjitha të drejtat që u njihen minoriteteve nga traktatet ndërkombëtare, si edhe sipas deklaratës të përfaqësuesit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Fan Nolit, më 2 tetor 1921. Madje edhe në regjimin e E.Hoxhës, minoriteti grek gëzonte gjithë të drejtat, bile prova më e mire, z.Manol Konomi, minoritar grek, është ministër i Drejtësisë në Shqipëri.

Ndërsa pakica shqiptare që jeton në greqi, kryesisht popullsia autoktone çame, nuk gëzon asnjë të drejtë, që u njihen minoriteteve nga traktatet”. Kotta denoncon shkeljen e konventës së Lozanës nga qeveria greke, e cila shkëmbeu (dëboi) padrejtesisht popullsinë shqipare në Turqi gjoja si popullsi turke, në vitet 1923-1925, duke realizuar një spastrim të gjerë etnik. Po ashtu, ai denoncon masakrat ndaj popullsisë çame në vitet e Luftës së Dytë botërore, si edhe përzënien e tyre nga trojet etnike. “Kështu, për shkak të dobësisë së Lidhjes së Kombeve, pakica shqiptare në Greqi, vazhdon të mos gëzojë anjë nga garancitë që u njihen minoriteteve, nën mëshirën e arbitraritetit të qeverisë së Athinës” – konkludon N.Kotta.

Ai nxjerr në pah konstatimet e Komisionit Hetimor me ekspertë të huaj të paanshëm, se krahas politikës greke, “ndihej edhe ndërhyrja e klerit dhe sidomos e Mitropolive greke, të cilët punojnë hapur për shkëputjen e Shqipërisë Jugore  dhe bashkimin e saj me Greqinë”. Më tej, ekspertët, major Menihu dhe profesor Sederholmi, tregojnë sesi më i zellshmi i këtyre mitropolitëve, peshkopi i Korçës Jakov, – një grek për nga kombësia dhe zëdhënës i helenizmit në Shqipëri, i cili duket tejet i zënë me çështje sa politike aq edhe fetare, ushtronte ndikimin e vet mbi pjesën tradicionaliste, për të organizuar një fushatë propagandistike në dobi të Greqisë.

Autori  nënvizon se ëndrra dhe depërtimi  i helenizmit  ishte nxitur  e realizuar nëpërmjet propagandës, arsimimit në shkollat  greke dhe kishës ortodokse greke, mbështetur prej rolit të Patriarkut grek të Stambollit. Pikërisht kjo trinitri, e shndërruar nga qeveria greke në mjet politik, bëri ços për të penguar dhe ndëshkuar shkollat dhe mësuesit e shqipes, si edhe për të penguar ngritjen e kishës shqiptare në SHBA, veçanërisht të themelimit të Kishës Autoqefale Shqiptare në Shqipëri me përpjekjen e Fan Nolit, Vasil Markos, Kristo Kirkës, Visarion Xhuvanit  etj dhe të besimtarëve  atdhetarë ortodoksë, por edhe ndihmesën e shtetit shqiptar.

Kjo veprimtari e ethshme dhe e vazhduar e politikës greke, i ka ndërlikuar dhe vështirësuar marrëdhëniet shqiptaro-greke. Filozofi Kotte nxjerr konkluzione shkaksie: “Nëse neve na u duk me vend t’i shtonim në punimin tonë edhe marrëdhëniet e fesë, e bëmë ngaqë mendojmë se shërbejmë për të sqaruar shkakun e vërtetë  të marrëdhënieve të vështira shqiptaro-greke. Populli grek,  më besimtar se populli shqiptar, qysh nga e shkuara e vet e ka ruajtur me besnikëri besimin, ndoshta edhe më shumë sesa ndjenjën kombëtare dhe ai mund ta kuptojë me vështirësi që një shqiptar i krishterë ndihet shqiptar, ashtu si myslimani shqiptar dhe shumë pranë këtij të fundit sesa vetvetes”.

Këto përfundime, N.Kotta i përqas edhe me konstatime dhe konkluzione të studiuesve apo personaliteteve europiane, veçanërisht të Komisionit ndërkombëtar Hetimor, c cili arriti në përfundimin se jo vetëm që ekziston një komb shqiptar, por edhe ekzistenca e tij është një domosdoshmëri. Komisioni shpaloste arsyet mtë cilat ishtë bazuar ky konkluzion:

1.Arsye teknike: Komisioni vlerësonte se raca shqiptare “me shumë gjasa  e vetmja racë krejtësisht autoktone, që gjallonte në ballkan, ka ditur të ruante në malet e saj pastërtinë e gjakut, të gjuhës dhe të dokeve”.

2.Arsye kombëtare, domethënë e karakterit psikologjik dhe ndjesor: me gjithë sundimet, të cilat e kanë penguar të formojë një unitet politik, shqiptarët, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut e quanin veten me krenari  që formonin një kombësi të dallueshme dhe e shihnin njëri-tjetrin si bashkatdhetarë. Duke studiuar në teren akuzën sipas së cilës ekzistenca e tri feve të ndryshme e bënte të pamundur çdo qeveri të Shqipërisë nga shqiptarët, komisioni vuri re një tolerancë të shkëlqyer fetare falë dokeve të njëjta, traditave  dhe lidhjeve të ngushta familjare, që bashkojnë shumë shqiptarë të tri feve”( Përfundime të Komisionit Hetimor ndërkombëtar)

Justin Godart, shkruante pas udhëtimit të tij të parë nëpër Shqipëri: “Bindja jonë është se nuk ka asnjë fanatizëm në Shqipëri, se çdo shqiptar është para së gjithash shqiptar. Në Shqipëri partiotizmi qëndron mbi fenë. Shqiptari, edhe kur është fetar, e ndan besimin nga kombësia, e vë atë në vartësi të kombësisë”.

Polemisti Kotta nënvizon:  Akoma më e vlefshme është dëshmia e një greku, z.Lefkoparidi, drejtor i revistës “Les Balkans”, i cili shënonte, pasi studjoi historinë shqiptare: ”Shumëllojshmëria e kulteve , nganjëherë e ka komprometuar bashkimin kombëtar, por shqiptarët kanë ditur të japin mëse një herë shembullin e një ndërgjegjeje kombëtare, kur janë gjendur përpara konfliktesh fetare. Historia e luftrave  të tyre për fitoren e pavarësisë e ilustron mahnitshëm këtë pohim. Sa herë që atyre u është dashur të luftojnë për liri, çështjet fetare  i kanë kaluar në plan të dytë”.

Zoti Lefkoparidis konkludonte: “Shqipëria është fort e vendosur për të mbrojtur të drejtën e saj për të jetuar dhe se tashmë ka ardhur koha t’i shikojmë problemet e shqiptare në vetvete, duke pyetur veten, jo cili do të jetë qëndrimi i Fuqive ndaj Shqipërisë , por krejt ndryshe, cili do të jetë qëndrimi i Shqipërisë ndaj Fuqive”. Një vlerësim, që ka brenda edhe pofetësinë.

Nuçi Kotta mendon  se populli shqiptar, të cilit të tjerët i kanë rënë në qafë, është treguar gjithsesi paqësor, tolerant dhe thellësisht përëndimor. Shqiptarët dhe grekët as nuk e përbuzin dhe as nuk e urrejnë njëri-tjetrin. Nëse marrëdheniet  shqiptaro-greke kanë qenë të këqia, kjo ka ndodhur vetëm për shkak të imperializmit politik të ndjekur nga qeveritë e Athinës kundrejt Shqipërisë. Ne, thotë vizionari Kotta, nuk dyshojmë se një erë e re marrëveshjeje dhe mirëkuptimi i ndërsjellë do të nisë midis dy popujve dhe do të kontriubojë për të vendosur paqen dhe qetësinë në këtë pjesë të Europës.

[1] Nuçi Kotta, doktor i shkencave juridike në Francë, zv.sekretar I Organizates “Asambleja e Kombeve te Bashkuara të Europës”. Anëtar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, autor i botimeve “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”, “Njeriu me 40 eku” etj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Libri i Nuci Kota, opinion, Uran Butka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2497
  • 2498
  • 2499
  • 2500
  • 2501
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT