• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Minsitri Hoxhaj takime në NATO

September 13, 2016 by dgreca

-Gjatë fundvitit formalizohet raporti i ri me Aleancën/

-Kryediplomati Hoxhaj është takuar edhe me Përfaqësuesin e Përhershëm të SHBA-së në NATO,  Douglas Lute/Bruksel, 12 shtator 2016-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj pas takimeve në selinë e BE-së, është pritur edhe në NATO ku është takuar me Zëvendës/Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Ambasadorin Alexander Vershbow, Ambasadorin amerikan në NATO dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Aleancës.Në këto takime, Hoxhaj ka ngritur nevojën e thellimit të marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe NATO-së që janë të rëndësishme jo vetëm për paqen dhe sigurinë në Kosovë, por edhe mbarë rajonin.Ministri Hoxhaj është shprehur optimist për këtë raport të ri që mund të formalizohet në fund të këtij viti.

“NATO vazhdimisht ka qenë një përkrahës dhe mbështetës i rëndësishëm i Kosovës. Por në takimin që sot kisha me zv/Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, biseduam si të kemi një bashkëpunim më të ngushtë bilateral ndërmjet NATO-s dhe Kosovës. Shpresoj që nga fundi i këtij viti kjo marrëdhënie e re do të formalizohet”, ka thënë Hoxhaj.

Kryediplomati Hoxhaj është takuar edhe me zyrtarë të kabinetit të Sekretarit të Përgjithshëm, si dhe me Përfaqësuesin e Përhershëm të SHBA-së në NATO,  Douglas Lute.

Paradite, Enver Hoxhaj ka zhvilluar takime të ndara me Përfaqësuesen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Frederica Mogherini dhe Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Enver Hoxhaj, NATO, takim

Në tetor takimi i parë Kosovë-BE

September 13, 2016 by dgreca

BE-Kosovës: Liberalizimi, kur të plotësohen kriteret/

1-bisede-ne-tavBruksel-Gazeta DIELLI/Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, pas takimit me Përfaqësuesen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Frederica Mogherini, ka takuar sot në Bruksel edhe Komisionierin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johannes Hahn me të cilin ka diskutuar për raportet Kosovë-BE, liberalizimin e vizave dhe veçmas për zbatimin e MSA-së.Pas takimit, Hoxhaj ka thënë ta ketë informuar Komisionerin Hahn për zhvillimet politike në Kosovë dhe angazhimin e qeveirsë së Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit pas  hyrjes në fuqi të saj.Sipas Hoxhajt, BE-ja edhe më tej është aspirata e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe liderët e zgjedhur të saj do të bëjnë çmos që të punojnë për të arritur këtë.“Gjatë ditës së sotme kam takuar Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Mogherini dhe Komisionierin për Zgjerim, Hahn. Me të dy kam diskutuar për tema të rëndësishme, por fokusi kryesor ka qenë në dy procese të mëdha. Së pari, sa i takon të ardhmes evropiane ku ne presim gjatë muajit tetor të mbahet Këshilli i Stabilizim Asocimit BE-Kosovë, që do të jetë një hap i parë i rëndësishëm i zbatimit të marrëdhënies kontraktuale të Kosovës me BE-në. Dhe së dyti, kemi biseduar që BE-ja, Mogherini dhe Hahn të bëjnë presion mbi Serbinë për zbatimin e marrëveshjeve që Kosova i ka arritur deri më tani”, ka thënë Hoxhaj.Po ashtu, temë diskutimi kanë qenë edhe çështjet e zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, veçmas demarkacioni me Malin e Zi dhe votimi./b.j/

***

BE-Kosovës: Liberalizimi, kur të plotësohen kriteret

-Shtypi: Gjermanët: Liberalizimi, kur t’i plotësoni kriteret. BE-ja kërkon rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit te profilet e larta/

PRISHTINË, 13 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/Ambasada e Gjermanisë ka ripërsëritur se vetëm atëherë kur të plotësohen kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian, mund të liberalizohen vizat.  Sipas tyre Komisioni Evropian ka propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën, deri në miratimin e këtij propozimi nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, Kosova do të duhet të ratifikojë Marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi dhe të fuqizojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Ambasada e Gjermanisë dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë pos demarkacionit kërkojnë edhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si kushte për liberalizimin e vizave, sipas shtypit të sotëm në Prishtinë.

Gazeta Zëri me kryetitull balline “Gjermanët: Liberalizimi, kur t’i plotësoni kriteret”shkruan se, për Ambasadën gjermane në Prishtinë, çështja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi është qartësuar përfundimisht përmes komisionit ndërkombëtar të krijuar nga ish-presidentja e vendit, i cili duhet të plotësohet si kriter, për të mundësuar liberalizimin e vizave.

Anën tjetër, Zyra e Bashkimit Evropian bën me dije se zgjidhja e çështjeve të kufirit për secilin vend duhet të bëhet në fazë sa më të hershme të procesit integrues.

Ambasada e Gjermanisë ka ripërsëritur se vetëm atëherë kur të plotësohen kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian mund të liberalizohen vizat.

Me titullin në ballinë “BE-ja kërkon rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit te profilet e larta”, gazeta Koha Ditore shkruan se, ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nuk ia siguron Kosovës heqjen e vizave. Është edhe kushti tjetër që ka vënë Brukseli- luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit.

Njohës të rrethanave politike dhe integrimeve evropiane kanë thënë se qeveria po insiston në demarkacion më shumë për ta shpëtuar vetveten, duke anashkaluar kriterin tjetër. Sipas tyre, Kosova deri më tani nuk ka dëshmuar përkushtim të madh në ndjekjen e profileve të larta, që dyshohen se janë përfshirë në afera korruptuese, shkruan gazeta.

Institucione të rëndësishme në nivel qendror e lokal vazhdojnë të udhëhiqen nga njerëz që kanë aktakuza, edhe pse BE-ja ka kërkuar që kësaj praktike t’i jepet fund. Ato që kanë munguar deri më tani janë vendimet e formës së prerë në rastet e ndjekjes së rasteve të korrupsionit./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: ne tetor, Takimi Kosove BE

ALGONKUIN NJË MREKULLI NATYRE

September 13, 2016 by dgreca

NGA KRISTAQ TURTULLI/

1-kristaq-turtulliMeditim/

Mëngjes. Qielli është i kthjellët dhe ajri i freskët verior të mbush mushkëritë. Ne jemi të çlodhur pas një gjumi të rehatshëm në rezorsin ‘Pishat shkëmborë,’ pranë qytezës interesante Haliburton, 105 kilometra larg hyrjes në Algonkuin. Rezorsi është ndërtuar mes të pyllit, përpara kaltëron liqeni me mjegullën e përhime që ngrihet shtëllungë, shatërvani hedh stërkala dhe në krah si qilim, gjelbëron fusha e golfit.

Makina jonë vrapon në rrugën e asfaltuar, drejt hyrjes së parkut të Algonkuinit, në të dy anët lartohen pishat hijerënda dhe panjat e drejta. Pyje të pafund lartohen drejt qiellit e shfaqen dhe rishfaqen përpara syve të mi me flladin jetëdhënës. Befasisht shfaqen dhe na mahnitin liqenet e shumtë, kaltëroshë që nanuritin, vezullojnë e vizatojnë në gji të tyre me ngjyrat më të bukura pemët halorë e panjat që kanë filluar shpërthimin e veçantë si rrallë gjetkë të ngjyrave vjeshtake.

Kur s’e prisnim, mbasi sytë na kishin mbetur të mbërthyer te gjelbërimi dhe kaltërsia, njëzet metra përpara nesh, në rrugë, parakaloi me kërcime të hijshme një dre i bukur dhe u hodh në anën tjetër. Qëndroi një moment, me sytë e mëdhenj e të kthjellët na vështroi i habitur dhe pastaj me vrap u fut në thellësi të pyllit.

Kam qenë i informuar qysh herët me Algonkuinin, parkun provincial nga bisedat me miqtë dhe gjithnjë e kam menduar e dëshiruar shkuarjen në këtë vend gati përrallor në veri të Ontarios, ku të lë ndjesinë e një kohe të largët dhe të afërt njëherësh dhe sheh së afërmi sa zemërgjerë dhe e papërsëritshme është Mëma Natyrë.

Instinktivisht të shkon mendja te vendlindja ime e dashur, ku pyjet e larta legjendare janë rrafshuar, kanë mbetur vetëm shkëmb e gurë. Lura e mrekullueshme është bërë në ditë të hallit dhe ‘Syri  i kaltër’ po verbohet prej dertit të madh…

Nejse…

Algonkuin gjendet rreth 300 kilometra në veri të qytetit të madh të Torontos dhe është park provincial në Canada i pa prekur nga dora e njeriut. Ky park i madh me pyje të pafund dhe liqene të pastër si kristali është me të vërtet një vend i mrekullueshëm dhe i paharrueshëm për të gjithë vizitorët që shkojnë e shijojnë këtë vend magjik. Si një ikje gjithmonë më e rëndësishme nga mënyra e jetesës sonë të ngarkuar urbane.

Algonkuin, provincial park është shumë i pasur me histori dhe shumëllojshmëri. Fjala Algonquin rrjedh prej një fisi indianësh të Amerikës që jetonin përgjatë lumit të Otavës dhe në veri të liqenit Superior, të dialektit Oixhibue dhe sipas specialistëve është gjuhë muzikale indianësh.

Hapësira e pyjeve dhe liqeneve në veri të Kanadasë dhe në veçanti të provincës së Ontarios është i pafund. Vetëm parku Algonkuin krijuar në vitin 1893 është parku më i vjetër, natyral dhe më i famshëm i Provincës së Ontarios, me 36 mijë kilometra katrore dhe me mbi 2400 liqene të  madhësive të ndryshme. Këto vende të admirueshme shërbejnë si një lidhje e rëndësishme jetese me një të kaluar, ku mund të dëgjosh zërat e ndryshme të shumëllojshmërisë së shpendëve dhe kafshëve. Ku mund të kalosh disa minuta të papërsëritshme vetmie dhe mund të rilidhesh shpirtërisht me Mëmë Natyrën.

Ecën në monopate mes pemëve të larta, të ndalet fryma nga bukuria, heshtja, qetësia, madhështia, nuk mund të ndalesh dhe është e pamundur sa shijosh të gjithin. Do ta përfshish me një shikim por vështrimi yt tretet, kthehet në një pikë vese dhe gjurmë kënge të lashtë në këtë madhështi natyre…

Pa dyshim kjo tokë është përdorur nga indianët para se të krijohej parku provincial. Në hyrje të parkut Algonkuin lartohet një shtyllë e gdhendur në formën e emblemës të cilën e kanë punuar indianët, Algonkuinët. Kjo shtyllë i prezantohet të gjithë shteteve në shenjë paqeje dhe pajtimi dhe tregon histori të rëndësishme nëpërmjet simboleve që janë gdhendur në këtë shtyllë. Këto histori vijnë nga ngjarjet e paraardhësve dhe të na kujtojnë të gjithëve neve për përgjegjësinë ne kemi për gjeneratat që do të vijnë.

Me një trishtim të brendshëm pak më sipër thashë: ‘Nejse…’

Por…përsëri gjuha shkon aty ku dhemb dhembi. Tek mëmëdheu, …rrëgjimi i tij, te zhurma e madhe për një shesh që prishet dhe shtrohet sa herë vijnë dhe ikin qeveritë dhe partitë. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, qejfpaprishur, lëviz me kalë nga një cep në tjetrën të sheshit, s’mund tu a prishë qeverive dhe partive. (Mirë dhe me kaq, se andej nga Azia e vogël, ku përgjon e ngrehur ëndrra e perandorisë së vjetër, kanë ngritur krye mëritë e vjetra për Gjergjin e madh që mbrojti e luftoi heroikisht si asnjë burrë tjetër për njëzetepesë vjet për një komb dhe një Evropë.)

Më vijnë nëpër mend, malet tona të zhveshura, që duhet të bëheshin pjellore si dhe fushat. Fshatrat e braktisura si Currajt i epërm që është fshati i thellë malor por konsiderohet si fshati më i bukur i alpeve shqiptare, me një bukuri të mahnitshme, ku dikur thoshin se çdo shtëpi i këtij fshati lindte dragonj. ‘Ylberi mbi Alpe’ i është dhënë epiteti këtij fshati, me tradita të mëdha Ky fshat ka qenë i banuar qysh në kohën e broncit të vonë rreth një mijë vjet para Krishtit. Fshatrat rrafshohen  së bashku me pyjet…

Por…kështu ka qenë, është dhe do të jetë te ne, përse?!

Ne rrudhemi, rrëgjohemi dhe themi, punë e madhe,  në s’ do ketë gjë pas nesh..!

Ndërsa vendet e qytetëruara përpiqen të ruajnë vlera dhe t’u a lënë ato të paprekura brezave që vijnë…

Filed Under: ESSE Tagged With: Kristaq Turtulli, Meditim Algonkuin

NJË BANESË AFËR BANKKOS – it TË QEVERISË

September 12, 2016 by dgreca

Nga: Sinan KAMBERAJ/

Një fshatar nga Muçivërci, që kish ra mbas lufte në shehër, ka vendosë ta shesë një banesë katërdhomëshe në Prishtinë. “E shes banesën në qendër të Prishtinës, mbrapa Skënderbeut të Bukoshit, pra afër BANKKOS-it të Qeverisë”, thotë ai. Ai shton se banesën ia ka lanë për shfrytëzim djali i tezes, kur ka ikë drejt Evropës, nëpër Hungari, dukë shtuar se nuk do të kthehet deri sa Hasha e Isa f’i liberalizojnë vizat me Evropën. Shitësi thotë se “blerësi mundet ‘me fjetë dathë’, sepse ka punë veç me mu”. Ja në vazhdim njoftimi i plotë i shitësit: Banesa i ka 4 dhoma. E ka nji dhomë gjumi (me mundësi fjetjejr prej orës 4:00 të mëngjesit deri në 7:00, kur flen kojshia mbi banesë). Dhomat tjera i kam shndërru’, pa e pyet hiç ish-pronarin, dmth. ish – tezakun, në tri sallone pritjeje për mysafirë. * I lindur në një familje të varfër, por tepër bujare, e kam dijtë se ka me ardhë nji ditë kur kam me pritë mysafirë që vijnë për dert në Spitalin e QKUK-së, e ku s’ka me pasë dhoma të lira për akomodim të nafakëpremëve. Parashikimi im ka dalë i saktë, mbasiqë ka kohë që Ministria e Shëndetësisë, që dikur moti i kanë thanë serpçe “za zdravlje”, – që shqip dmth.: kundër zhugës, – Drejtoria ka bashku shumë dhoma të Spitalit, për me i shndërru në sallone – rezidenca për anëtarë të, tashmë, ish – Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që po e vuajnë ose do ta vuajnë burgun, për shkak se pop’llin e kanë “çliru'” prej s’largu, pra prej “Rognerit” të Tiranës, larg vijave të frontit. Ky veprim i Ministrisë ka bërë që të zvogëlohet shumë kapaciteti spitalor për t’i akomoduar dasmorët e dalldisun e të çallamitun me kallasha gjatë sezonit të dasmave kosovare. Sallonet janë të shtrume me qylyma kuqezi me shqiponja dykrenare – dhuratë nga VV (në këmbim të gazit lotësjellës, që i ka pas’ metë prej luftes nji kushërini). Muret e salloneve janë të stolisuna me çiftelia që i ka shpëtu Shtabi i Zonës së Dukagjinit, pa i djegë serbët gjatë luftês – dhuratë nga AAK. Ato janë të stolisuna edhe me kumona të lopëve që kanë cofë mbas lufte në Drenicë nga smundja e gungau’ – dhuratë nga PDK, – ato që kishin pasë fat me shpëtu pa i pre Shtabi i Zonës sē Drenicës, për nevoja të veta. Pastaj, muret janë të stolisuna edhe me defa të madhësive të ndryshme të katundeve të Ferizajt, që i kanë çky gratë në dasma mbas lufte, tu knu kangën “Jena gëzu, jena tranu tu fluturu”, kur pat bâ kUalicion Lë-Dë-Kë me Py-Dy-Ky në zgjedhjet parlamÊntare. Muret janë të veshuna, dyfish, me tulla të Fabrikës së Prishtinës, e falimentume nga AKP-ja, për shkak të konkurrencës me nji të ngjashme në Zonën Opreative të Llapit. Pastaj ka stoli të tjera, si rrotë bicikletash të vjetra, të kohës kur ka lujtë me to në Zhabar, kryetari i Ri i Py-Dy-Ky-së, Zotriu Veseli, pak para se me u ba Shef i SHIK-it , etj.. Ka edhe stoli metalike, si psh. fenerë të ish-Hekurudhave tu Kosovës, zinxhirë të ndalim-parkingjeve të Isës, që i pat ‘zavencu’ me kunxha Shpeni, pastaj llampa të moçme me gaz, që s’janë veç stoli. Ato përdoren kur na çkyq shefi I Operatorit të KEK-ut, me kryeshef (pa kUnkurs) tezakun e nipit të burrit të hallës së shefit të Shefave, Grabovçit, si dhe stoli të tjera. Në muret e sallonit tjetër ka të mbështetun hûj gardhi, që dikur I kanë përdorë si mjete konkretizimi “mësuesit” e Zonës Operative të Nerodimes, që, mbasi e kanë çliru popllin, e kanë çliru edhe Universitetin dhe instUtucionet tjera tê shtetit tonë të p-a-v-a-r-u-r dhe de-mo-kra-tik. Në sallone mund të xhirohen emisione me kangë patriotike, nga RTK, sa me ua hjekë dhimbjet e prostatës disa veteranëve të LDK-së, që u kanë mbetë vathët në cica, qyshkur kanë thithë, disa prej të cilëve janë tezeq e baxhaneq me veteranê të PDK-së. Në Këto Sallone, deri tash janë xhiru emisione me rapsodë tek: nji këngëtare ose nji këngëtar, ose çift: nji këngëtare me nji si-kangëtar, ose e kundërta. Salloni i tretë asht i pajisun me aparate mjekësore që m’i ka pas’ pru dhuratë gabimisht ni nip prej Suedie, për shkak se nuk e kishte kuptu’ porosinë e nji donatori zemërbardhë, kur asht nisë për Kosovë. Momentalisht në këtë sallon asht i shtrimë nji mysafir fatkeq, që e kishte nxanë nata në Lagjen e Spitalit, i cili, tu mos dijtë ku me bujtë, hyn në QKUK. I lodhun, qysh kish qëllu , ia kish futē gjumë në nji dhomë në Pavionin e Kirurgjisë, tu’ menu’ se ndonji pasanik e ka lanë çelë derën e Kullës për mysafirë. “Mysafiri” kishte përfundu në zyrat e Policisë në Lagjen e Trimave, zonê zgjedhore e Ismet Ebu Bekirit. Mbasi kish bâ be e rrëfe se nuk kishte shku me vjedhë në spital, por me fjetë nji natë, sepse, – siç kishte thanë, – atU, pra në Spital, nuk kish mâ kush çka me vjedhë, përveç shiringave të ndryshkun dhe ndonji skalperi që e përdorin motrat me pre suxhuk. Mbas deklEratës, nji rreshter ia kish dhânë nji shkelm bythëve dhe një pusullë për antibiotik. Unë e kam vendosë në sallon përkohësisht, shumë të traumatizuem, – mbasiqë s’ka kush që ia heq dyshimin se në spital, kur ka qenë n’gjumë, e kanë ba synet, për të dytën herë në jetë, me ‘udhëzim’ të Dr. Mulla Krasiqit, një javë para Bajramit, për shkak të nji inati të vjetër. Ky Mullai që po flet gati çdo natë për gra në TV, kur ka qenë i vogël tu lu’jtë guxhaz, me fëmijë, me nder jush, e paska pasë dhi Abetaren në faqe 37 te germa U – e madhe e shtypit, u – e vogël e shtypit, “Ujku ra ndër dele”. Dhe, ‘musafiri i Spitalit’, e paska pasë tregu këtë ngjarje në nji dasmë. Dr. Mullai, e ka mohu’ këtë, por prej atëherë i ka mbetë “ves” me rrejtë. Fatkeqi i Lagjes sê Spitalit ka me banu nê Sallonin tim, deri sa të vjen kysmeti me e shitê banesën. Shitësi thotë se ka qef me e shitë banesën pa ardhë tezaku i tij prej ‘jashti’ dhe shton se për çmim, merremi vesh lehtë. Emnin e shitësit e ka Agjencia e Patundshmërive “PALLATE, KULLOSA e GURËTHYES”

Filed Under: Politike Tagged With: AFËR BANKKOS - it, NJË BANESË, Sinan Kamberaj, te qeverise

IKJE

September 12, 2016 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

“Kur, o Katilinë, do të pushosh të keqpërdorësh durimin tonë? Sa kohë do të vazhdosh me këtë çmenduri? Kur do t’i vijë fundi kapardisjes tënde si kjo tani? – kështu tha Ciceroni më shumë se 2000 vjet më parë, duke denoncuar një komplot në Senatin romak. Dhe ata e ndërprenë, apo vërtet e prenë, fizikisht.

Por ky shkrim ka të bëjë me daljen e njeriut në pension; ngjarje e dhimbshme dhe e lumtur – si dita e lindjes – tejkaluar vetëm nga vdekja.

Në demokraci ju keni një zgjedhje, duke votuar çdo 4 vjet – kur nuk jeni i kënaqur me udhëheqësin, ju votoni për një tjetër që garanton trajtim më të mirë – dhe ngadalë por me siguri, jeta juaj përmirësohet. Në regjim autoritar gjithashtu keni zgjedhje: votoni për tiranin; ikni, arratisuni; ose shkoni në burg. Disa njerëz guxojnë të dytë, dhe jeta e tyre merr për më mirë.

Por, “gjithcka që ju duhet në këtë jetë është injoranca dhe besimi, dhe pastaj suksesi është i sigurt”, thoshte Mark Twain me sarkazëm. Sepse të kujdesesh për për dije, apo cdo gjë tjetër, është akt pjekurie e cila fitohet me përvojë a moshë.

Ju urreni një punë që është nën kontroll të plotë të një njeriu i cili  i bën lajka bosit, ndërsa shtyp të tjerët për t’i bërë ata të ndjehen të pafuqishëm dhe të krejtësisht të varur. Ju e kuptoni se ju kanë uzurpuar kur zemra shtrengohet, ajri që thithni duket borxh, dielli shkëlqen nga bujaria e tjetrit, i cili – si krimb është fshehur brenda sistemit – nga qëndrimi i tij arrogant patronizues bën të mendoni se pa ‘të ju jeni asgjë; trupi bëhet pajetë, lejohet të lëvizë vetëm kur ai zgjedh. Kjo e bën atë snob, dhe ty të armiqsuar.

Njerëzit janë të frikësuar. “Unë kam qenë këtu për një kohë të gjatë. Nëse flas, humbas vendin e punës”, thonë ata dhe tërhiqen. Njerëzit të tillë janë të prapambetur, mendërisht jetojnë në të kaluarën, zakonet e tyre të këqija janë bërë tashmë traditë a normë e sjelljes së tyre. Ata përdorin çdo mashtrim e komplot për të abuzuar tjetrin, për ta shtypur a hequr nga rruga.

“O Tempora o mores”, Ciceroni bërtiti me zë të lartë – “Oh çfarë kohësh! Oh çfarë dokesh!” Të gjithë kundër të gjithëve, dhe në këtë gjendje natyrore, Hobbes shkroi shkëlqyeshëm, frika dominon çdo aspekt të jetës; bota i thyen të gjithë, pastaj disa bëhen të fortë në vendet e thyera, pranon Hemingway në fund të romanit ‘Lamtumirë Armë’.

Dikush diku dikur ka thënë se përpjekja për t’ia mbyllur gojën tjetrit është nderi më i madh që i atij i bëhet, që do të thotë se superioriteti i tij ndaj teje është i padiskutueshëm.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi, IKJE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2498
  • 2499
  • 2500
  • 2501
  • 2502
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT