• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Papa: deklarojmë dhe e quajmë Shenjte të Lumen Terezë të Kalkutës

September 4, 2016 by dgreca

 

1 MotratNë kremtimin e kanonizimit të “Nënës të të varfëve” Papa Françesku e ftoi Kishën t’i ndihmojë të varfrit, refugjatët e të burgosurit, sipas shembullit të Shën Nënë Terezës.

Gjatë ritit të kanonizimit, momenti më i rëndësishëm e domethënës ishte kërkesa, që Prefekti i Kongregatës së Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve, Angelo Amato, i shoqëruar Postulatori, shkoi te Papa Françesku dhe i kërkoi ta shkruajë Të  lumen Nënë Terezë në Librin e Shenjtorëve e kështu të lutet nga të gjithë të krishterët, dhe shpallja, Formula e Shenjtërimit, shqiptuar nga Papa.

Kështu, në fillim të Meshës, Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve e paraqi shkurtimisht jetëshkrimin e Nënë Terezës së Kalkutës.

“Murgesha e përvuajtur, së cilës turma të panumërta njerëzish i drejtoheshin duke e quajtur përzemërsisht “Nënë Terezë”, është e Lumja, të cilën po ia paraqesim sot Shenjtërisë Suaj, në mënyrë që, me shenjtërimin e dëshiruar, mbarë bota të mund ta kundrojë, duke i kërkuar ndërmjetësim e duke i përngjarë  në veprimtarinë bamirëse.

Në jetën e saj, duke ndjekur shembullin e Krishtit, Samaritanit të Mirë, ajo diti të bëhet e afërme me çdo nevojtar, që takonte, duke ndarë vuajtjet me ata, që jetonin në periferitë e skajshme të shoqërisë e duke e dëshmuar dashurinë e pafundme të Zotit për popullin e vet.

Po paraqes, tha kardinali Amato, përmbledhtas çastet kryesore të jetës së saj:

E Lumja Terezë e Kalkutës (në shekull Agnes Gonxha Bojaxhiu), lindi më 26 gusht 1910, në Shkup, në një familje shqiptare. Gjatë adoleshencës,  mori pjesë gjallërisht në veprimtaritë e famullisë, duke dëshiruar gjithnjë më shumë t’i dhurohej krejtësisht Zotit. Si u largua nga shtëpia atërore, u pranua si dëshirtare (postulante) në Kuvendin e Virgjërës Mari të Motrave të Loretos, në Rathfarnam (Dublin).

E dërguar në Indi, në Darjeeling, si kreu noviciatin, bëri kushtet rregulltare  dhe mori emrin Tereza. E caktuar në detyrën e mësueses, kaloi shtatëmbëdhjetë vjet pranë Saint Mary’s Bengali Medium School, në Kalkutë.

Ndërsa udhëtonte me tren nga Kalkuta në Darjeeling, e Lumja ndjeu thirrjen mbi thirrje, me intuitën për t’i dhënë jetë një instituti rregulltar, për të “shuar etjen e Jezusit mbi kryq për dashurinë e shpirtrave, duke punuar për shëlbimin dhe shenjtërimin e të varfërve më të varfër”.

Themeloi, kështu, Kongregatën e Motrave Misionare të Bamirësisë e, më pas, shtoi edhe Kongregatën e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë, organizata laikale  dhe Lëvizjen e hapur për priftërinj dioqezanë.

Nënë Tereza nuk e kursei kurrë veten, duke iu kushtuar plotësisht kumtimit të Ungjillit, përmes veprimtarive të panumërta të bamirësisë e të ndihmës ndaj të varfërve, pa asnjë dallim shtrese shoqërore, feje, etnie. Në themel të të gjitha nismave, Ajo vinte ditë për ditë kremtimin e Meshës Shenjte, adhurimin eukaristik, lutjen e shpirtin e dashurisë universale, që e nxiste ta shikonte Jezusin e  t’i shërbente në të varfrit.

Dëshmia e saj heroike ungjillore ngjalli admirimin e autoriteteve më të larta të Kishës e të botës laike. Në vitin 1979 iu dorëzua edhe Çmimi Nobel për Paqen.

E shkrirë fizikisht, por gjithnjë e fortë shpirtërisht, u shua në paqe, në Kalkutë, më 5 shtator 1997, e rrethuar nga një famë e pafundme, e  fuqishme, e njëzëshme shenjtërie.

Pastaj Ati i Shenjtë Françesku u lutë: Pranoji, po të lutemi, o Zot, lutjet e popullit tënd, e na e jep hirin që, çka po kryejmë me shërbimin tonë, të dalë e pëlqyeshme para teje e të ndihmojë për rritjen e  Kishës sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

E më pas, momenti vendimtar ishte  Formula e Shenjtërimit të Nënë Terezës Ganxhe Bojaxhiut, shqiptuar nga Papa Françesku:

Për nderimin e së Shenjtnueshmes Trini,

për lartimin e fesë katolike

dhe thellimin  e jetës së krishterë,

me autoritetin e Zotit tonë, Jezu Krishtit,

të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal  e Tonin,

Pasi reflektuam gjatë,

kërkuam shumë herë ndihmën hyjnore

e dëgjuam mendimin e shumë prej vëllezërve tanë në Ipeshkvni.

e deklarojmë dhe e quajmë Shenjte

Të Lumen Terezë të Kalkutës

Dhe e shkruajmë në Librin e Shenjtorëve,

duke vendosur që Ajo të nderohet nga Kisha universale

me devocion ndërmjet shenjtorëve.

Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Amen!

Pas kësaj, pranë altarit, në Sheshin e Vatikanit, u vendosën reliket e Shenjtores së Re, Shën Nënë Terezës, për t’u nderuar nga të pranishmit.

Filed Under: Komente Tagged With: E quajme te shenjte, Papa francesku, te lumen e Kalkutes

Nëna e të varfërve, Tereza e Kalkutës, si dhuratë shpirtërore për mbarë njerëzimin

September 4, 2016 by dgreca

Fjala përshëndetëse e Imzot Dodë Gjergjit në Koncertin e Shenjtërimit të Nënë Terezës/

Bazilika e Shën Palit, 3 shtator 2016/

 Eminencë, Ekscelencë, /

zonja dhe zotërinj, /

vëllezër dhe motra,/

 Paqja me ju!

 Në vitet e para të shekullit të fundit, të mijëvjeçarit të dytë, në Shenjtëroren e Kishës tonë në Letnicë, Hyji pa një filiz të njomë të dashurisë së Tij, që ishte rritë nën rrënojat historike të Kishës tonë, në trungun e “djegur të popullit tim”.

Atij i pëlqej shumë ky filiz, e shkëputi, e mori për vete dhe e dërgojë në një kishë të Azisë së Largët, atje e rimbolli këtë filiz të dashurisë së vet, në trungun e varfërisë së popullit të Kalkutës.

Nënë kujdesin e Tij, ky filiz rritej e rritej sa që, nën hijen e saj, gjenin strehë ngushëllimi të gjithë të mjerët dhe nga frytet e kësaj dashurie ushqeheshin të varfëritë, të përbuzurit e të lënët pas dore.

Të pasurit dhe të pushtetshmit e kësaj bote, duke parë se të mjerët kishën diçka që iu mungonte atyre, do të thotë dashuria, kështu ata duke “xhelozua të varfëritë” filluan të përkuleshin me të njëjtin respekt, si të mjerët, për të mbledhë edhe për vete, frytet e kësaj dashurie.

Që kjo pemë dashurie të shtrinte degët e veta edhe mbi ta e mbi  vendet e tyre,  filluan t’i vejnë mundësitë e tyre, në rrejtët e saja, me qëllim që kjo pemë dashurie, që rritej në mesin e të mjerëve, të shtrinte degët e saj  në mbarë botën.

Kjo pemë e njomë e dashurisë së Hyjit ndër ne, i ra në sy Papës Gjon Palit II, ai me plot përkushtim u kujdes për të, që ta mbronte nga rreziku i infektimit me botën.

Në vitet e para të Mijëvjeçarit të tretë, degët e kësaj peme arritën në qiell kurse rrënjët e saja, Papa Françesku do t’i mbjellë nesër, në Altarin e Kishës katolike, duke ia ofrua botës Gonxhen tonë, Nënë e të varfërve, Terezën e Kalkutës, si dhuratë shpirtërore për mbarë njerëzimin, në Vitin e Mëshirës Hyjnore.

Ne, ai trungu i vjetër, të mahnitur me këtë dhunti, që një filiz i trungut tonë u bë pemë dashurie në botë, dhe po mbillet në Altarin e Krishtit, që e frymëzojë, menduam si ta falënderojmë Zotin për këtë dhuratë? Dhe thamë t’ia japim këngës, mblodhëm “harpë e cetër”  e thamë:  Do të shkojmë në Vatikan, që së bashku me shtegtarë dhe me Kishën universale t’i këndojmë Zotit këngën e falënderimit.

Këndej nga zemra falënderoj të gjithë këngëtarët, instrumentistët, dirigjentët dhe solistët që vullnetarisht erdhën për të kënduar me ne.

Falënderoj Selinë e Shenjtë që na mirëpriti në këtë Kishë – Bazilikë Papnore të Ungjillëzuesit tonë Shën Palit Apostull.

Në veçanti dua të theksoj përkudesin e Sekretarit të Shtetit Eminencën e Tij, Kardinalin Pietro Parolin, Shkëlqesin e  Tij, Mons. Juliusz Janusz, delegatin tonë apostolik dhe Kryepriftin e kësaj Bazilike, Kardinalin James M. Hervay.

Falënderoj, po ashtu, Qeverinë e Kosovës për mbështetje financiere, Filharmoninë e Kosovës, Fondacionin “Drita” dhe “Nënë Tereza” për organizim dhe menaxhim të kësaj ngjarjeje dhe gjithë ju Presidentë, Kryeministra, ministra, deputetë, shtegtarë dhe miq që keni ardhur për të gëzuar bashkë me ne.

Tani ja japim fjalën këngës!

Filed Under: Komente Tagged With: Fjala pershendetse, Imzot Dode Gjergji, ne koncertin e shenjterimit

KONCERTI MADHESHTOR I YJEVE MERTONTE NJE SJELLJE ME DINJITOZE

September 4, 2016 by dgreca

 Koncerti per Nene Terezen ne Vatikan ishte madheshtor, por sjellja e nje pjese te publikut la shume per t’u deshiruar/

Nga Sadik ELSHANI/

 Veprimtarite per shenjterimin e Nene Terezes filluan para me nje koncert madheshtor me artiste shqiptare te nivelit boteror. Ne kete koncert u paraqiten yjet e operas dhe muzikes boterore: sopranot, Inva Mula e Ermonela Jaho, baritoni Gezim Myshketa, tenori Rame Lahaj, kengetarja e mirenjohur e shume hiteve boterore, Rita Ora, etj., te shoqeruar me mjeshteri nga Filharmonia dhe Kori i Kosoves,  te perforcuar edhe me instrumentiste nga Shqiperia e Maqedonia, si dhe violinist i njohur, anetari i Filharmonise se Vjenes, Shkelzen Doli. Sic e do rasti, ne kete koncert u interpretuan pjese muzikore fetare e laike te kompozitoreve boterore dhe atyre shqiptare, si dhe disa pjese tradicionale/popullore shqiptare. Kapiteni i kombetares shqiptare, Lorik Cana dhe kengetarja Rita Ora e drejtuan programin per bukuri ne tri gjuhe (shqip, italisht, anglisht), duke paraqitur para botes edhe bukurine dhe elegancen shqiptare. Artistet shqiptare me dinjitet e artisteri te rralle paraqiten para botes talentin, vlerat shpirterore e artistike te popullit tone. Shkurt, ishte nje ngjarje mbreselenese, nje mbremje hyjnore ne nje mjedis te shenjte, Baziliken e Shen Palit ne Rome. Ishin te pranishem edhe perfaqesuesit me te larte te dy shteteve shqiptare, Shqiperise dhe Kosoves.

Programi vertet ishte i mrekullueshem, si ne permbajtje, ashtu edhe ne paraqitje. Por ajo qe na la nje pershtypje pak si te tharte mua dhe bashkeshortes sime qe eshte musiciente profesioniste, ishte sjella e publikut ne pjesen e dyte te koncertit. Gjate pjeses se pare publiku deri diku ishte i sjellshem, i vemendshem dhe salla ishte e mbushur plot. Por ajo qe me shtyri t’i shkruaj keto radhe, eshte sjellja jokorrekte e publikut ne pjesen e dyte te koncertit. Kur pushimi pese minutesh sapo ishte duke perfunduar, publikut iu be thirrje  disa here qe te uleshin ne vendet e tyre, sepse koncerti do te fillonte se shpejti, por nje pjese e mire e te pranishmeve as qe e cante koken per kete. Ishin bere grupe-grupe dhe po bisedonin me njeri-tjetrin. Koncerti filloi, por njerezit nuk i nderprisnin bisedat, nuk uleshin ne vendet e tyre. Silleshin sikur te ishin ne kafene, shetisnin neper salle sikur te ishin ne pazar. Gjate tere pjeses se dyte te koncertit nje pjese e salles mbeti e zbrazet, ndersa njerezit anash bisedonin. Nje sjellje e tille e pahijshme eshte mungese e kultures, miresjelljes, qyteterimit, respektit per artistet dhe vete kete ngjarje te madhe, ngjarje qe nuk mund ta marrim me mend se kur mund te perseritet edhe nje here. Kjo na la nje pershtypje pak si te pakendshme, sikur ia humbi hyjnine, madheshtine ketij koncerti te shkelqyer.

Nga disa filmime u pa se jo vetem nje pjese e publikut, por edhe dy nga udheheqesit qe ishin ulur ne radhen e pare: Kryetari i Kuvendit te Kosoves, Kadri Veseli dhe Ministri i Puneve te Jashtme te Kosoves, Enver Hoxhaj, po “loznin” me telefonat e tyre. Ne te gjitha shfaqjet teatrore, operistike, koincertale eshte ligj: Para fillimit te cdo shfaqje celularet dhe te gjitha pajisjet tjera elektronike duhet te mbyllen, sepse e pengojne mbarevajtjen e programit dhe e bezdisin publikun. Ne kete rast nuk po i fajesoj vetem shqiptaret, sepse ne kete koncert kane qene te pranishem edhe pjesetare te kombesive te tjera. Vetem mund ta marrim me mend se shumica e te pranishmeve kane qene shqiptare. Kjo nuk eshte nje dukuri e re per ne. Gati ne te gjitha veprimtarite e bashkesise sone, takimet me personalitete te shquara, kryetare shtetesh, kryeministra, senatore e kongresiste, etj., kur dikush eshte duke mbajtur fjalen, te gjithe flasin me njeri-tjetrin me ze te larte. Me ze te larte apo me ze te ulet, sjelljet e tilla duhet te jene te papranueshme. Me kujtohet Simpoziumi qe u organizua me rastin e 100 Vjetorit te Themelimit te Vatres, folesit nuk degjoheshin fare nga zhurma e bisedave me njeri-tjetrin, me gjithe perpjekjet, nderhyrjet e drejtuesve te asaj veprimtarie shume te rendesishme kombetare. Per kete dukuri te shemtuar, redaktori i gazetes “Illyria”, Z. Ruben Avxhiu, vite me pare ka botuar nje artikull shume me vend.

Eshte ne traditen e shqiptarit qe miku i shtepise, i ftuari dhe i paftuari, te priten, te trajtohen me respekt e miresjellje. Kur flet miku, mysafiri te gjithe e degjojne me vemendje, atij nuk i nderpritet fjala dhe askush nuk ben zhurme. Per fyerje e sharje as qe mund te behet fjale. Atehere perse nuk sillemi keshtu edhe ne veprimtarite publike?! Te tregojme pak respekt, miresjellje per njeri-tjetrin dhe te tjeret! Eshte kulture, qyteterim, njerezi.

 

Philadelphia, 3 shtator, 2016

 

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro-amerkane.

Filed Under: Komente Tagged With: Koncert madheshtor, Sadik Elshani, sjellje jo dinjitoze

SHËNJTËRESHA SHQIPTARE E KALKUTËS

September 4, 2016 by dgreca

“Ajo që i vodhi zemrën Krishtit” /

SHËN PIU I PIETRELCINËS/

NGA EUGJEN MERLIKA/  Duke shpallur Vitin e Shënjtë të Mëshirës 2015 – 2016, Papa Françesku, “i ardhur nga fundi i botës”, mendoi t’a përqëndrojë këtë Jubile të Faljes e të Bamirësisë në dy figura të veçanta, t’ardhura nga “periferia”, por që janë kthyer në dy ikona të paarritëshme të Krishterimit bashkëkohor : Shën Piu i Pietrelçinës, nga Shën Giovanni Rotondo, në Jugun e Italisë dhe Nënë Tereza e Kalkutës, nobelistja shqiptare, “gruaja më e fuqishme e botës”, simbas ish  Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Xavier Perez de Cuellar. Në kuadrin e kësaj strategjie të Vitit të Shënjtë të Mëshirës, në shkurt u sollën në Vatikan eshtrat e Shën Piut, për t’i dhënë mundësi dhjetra mijra vetëve t’i nderonin e të luteshin. N’atë hulli u caktua 4 shtatori, si dita e Shenjtërimit të Nënës Terezë të Kalkutës, në shekull Anjeze Gonxhe Bojaxhiu.

Ajo ishte fëmija e tretë e një familjeje katolike shqiptare të Shkupit. E mbetur jetime në moshën nëntë vjeçe, nga humbja e parakohëshme dhe e papritur e babait Kolë, së bashku me motrën e vëllain më të madh, u rrit nën kujdesin e dashurinë e nënës Drane që, krahas edukatës së një familjeje qytetare shqiptare, i dha edhe atë katolike, duke shkuar në kishë e duke ndjekur mësimet e saj. “Nëna ime ishte një shënjtëreshë”, përsëriste Nënë Tereza, duke u zhytur në kujtimet e fëmijërisë e të rinisë së parë kur “me gjithë vdekjen e babait, jeta në familjen tonë ishte e lumtur”. Nëna “kërkonte të na edukonte me dashurinë për Zotin e për t’afërmin”, shtonte ajo.

Gonxheja e vogël, të cilën Zoti e kishte krijuar për të kryer një mision tepër të lartë, në shekullin e dy luftërave botërore e t’ateizmit zotërues në një pjesë të mirë të shoqërive e regjimeve politike të botës, e kuptoi shpejt paracaktimin e fatit të saj. Në moshën 18 vjeçe, simbas mësimeve t’Ungjijve e fjalëve të Krishtit, u shkëput nga familja e  saj e vogël e ndërmori rrugën e gjatë të shërbyeses së doktrinës së tij. Vajza e re mori bekimin e nënës me këto fjalë : “Shko, bija ime. Vêne dorën tânde mbi atê të Jezusit e shko përpara. Kujtohu gjithmonë se n’âsht se po na lên , po e bân për t’vobegtit. Mos u kthe kurrë mbrapa ; gjithmonë përpara!” Ai bekim e shoqëroi shpirtërisht në gjithë jetën e saj, që do të ishte e dyfishtë, e kushtuar tërësisht misionit të saj, por që, në heshtjen e çasteve të pakta të vetmisë, do të sillte para syve të mëndjes fytyrat e dashura të nënës e të motrës, të cilat mbetën në kujtesën e saj, ashtu siç i pa herën e fundit, kur u nda prej tyre në stacionin e Zagrebit. Prej këtej, më 28 tetor 1928, me një valixhe të vogël në dorë, ajo nisi ecjen e saj drejt përjetësisë, në një botë të trazuar me shumë probleme, në të cilën ajo do të bëhej një nga udhëndriçueset e vënies në jetë të parimevet bazë të doktrinës së Krishtit, atyre të dashurisë për Zotin, për njerëzit, të faljes e të pendesës.

Ajo rrugë filloi me udhëtimin për në Kuvendin e Murgeshave të Loretos në Rathfarnam, pranë Dublinit. Shkoi atje, me idenë dhe synimin që shpejt të nisej për në Hindi, të pjekur këto tre vite më parë, kur meshtari Jambrenkoviç, i kishës së Zemrës së Shenjtë, i kishte folur për zotimet dhe punën e jezuitëve në krahinën hindiane të Bengalit. Së bashku me shoqen e saj sllovene Betilka Kainec, hipën në një anije me pikëmbrritje Kalkutën, ku arritën më 6 janar, ditën e Epifanisë, mbasi kishin kaluar Krishtlindjen në ujrat e Oqeanit Hindian. Ai udhëtim shënoi ndarjen nga mituria e hyrjen në moshën e pjekurisë së parakohëshme, që do të ketë një tjetër vënd ushtrimi dhe prove, Darjeeling, buzë Himalajës, në Shtëpinë e Murgeshave të Loretos. Mbas më shumë se dy vitesh u kthye në Kalkutë, ku bëri betimin për njetet e virgjërisë, të varfërisë e të bindjes, duke hyrë kështu në bashkësinë e murgeshave të Loretos, me emrin, që këtu e tutje do t’a shoqëronte, atë të Terezës.

Ai emër, ndoshta ishte zgjedhur prej saj heret, kur ende e vogël lexonte historinë e Shënjtëve e të Shënjtëreshave. Ai emër kishte dy para ardhëse të mëdha, dy Shënjtëresha të njohura të Kishës Katolike, të dyja t’urdhërit karmelitan : Tereza e Avilës (1515 – 1582), mistike spanjole, doktoreshë e Kishës, me një veprimtari të rëndësishme në kohën e kundër reformës dhe Tereza e Lisieux (1873 – 1897), e quajtur Tereza e Fëmijës Jezus, shenjtëresha franceze që, në jetën e saj të shkurtër, predikoi “rrugën e vogël”, atë të hapave të përditshëm në kërkimin e shënjtërisë në çdo gjest e në çdo veprim, duke pasqyruar gjithshka në veprën e saj autobiografike “Historia e një shpirti” Me gjasë, ishte kjo e fundit që ka ndikuar më shumë në vendimin e misionares shqiptare, për të marrë atë emër. Tani, në historinë e Kishës Katolike dhe n’enciklopeditë e botës, janë tri shënjtëreshat me emrin Tereza : një spanjole, një franceze dhe një shqiptare, që është e lidhur me Hindinë.

Jeta e Shënjtëreshës shqiptare mund të ndahet në katër periudha : e para është fëminia e rinia e parë e saj, me dëshirën e shprehur për t’u bërë murgeshë në moshën 12 vjeçe, mbas një vizite Zojës së Cernagorës, në Shënjtëroren e Lesnicës ; e dyta është periudha e largimit nga familja, e formimit si murgeshë, e rritjes si e tillë e si mësuese e drejtoreshë shkolle, e vlerësuar në të gjithë Kalkutën, një kohë e qetë e me arritje në fushën e mësimdhënies, por e pamjaftueshme për shpirtin e madh të murgeshës imcake, të cilin e ngacmonte mjedisi tronditës i qytetit të mesit të viteve dyzet. Në këta çaste merr formë ideja qëndrore e gjithë jetës së murgeshës Terezë, ajo e kërkimit të përditshëm të Krishtit, nëpërmjet mësimit falas për fëmijët e vobekët e të ndihmës së njerëzve, të varfër, të sëmurë, të braktisur, të pambrojtur, të përbuzur ; e treta është ajo e sendërtimit të kësaj ideje, nëpërmjet një vullneti të çeliktë që ndjen gjithënjë pranë ndihmën hyjnore, që fiton mbi luhatjet e burokracisë kishtare, mbi mosbesimin e kolegeve dhe t’eprorëve, mbi mungesën e mjeteve lëndore për të çuar përpara projektin e që përbën pjesën më të vështirë të veprës madhore të Nënë Terezës ; e katërta ishte ajo e ikonës botërore të bamirësisë, të respektuar e nderuar në të gjitha skajet e botës jo komuniste, që shëtiste në të gjithë globin për të themeluar institucionet e Misionareve të Mëshirës.

Periudha e parë mbetet ajo më intimja, jeta në familje e në tokën që e lindi, më e dhimbëshmja për ndarjen përjetë nga objektet e dashurisë familjare, nga babai kur ishte fëmijë, nga nëna motra e vëllai, që përbënin mjedisin e ngrohtë, në të cilin ajo u rrit e u formua si kanakarja, m’e vogla, m’e përkëdhelura, më gazmorja me zërin e saj të bukur, me këngët, vallet, shakatë. Sa më lart ngjitej kurba e jetës së saj shoqërore, sa më shumë vlerësohej, në nivel planetar, puna e saj, aq më shumë ajo vuante nga mungesa e takimeve me të shkuarën, me familjen. Ajo gjëndje shpirtërore përbënte një tjetër pamje të personalitetit të saj, e cila mbeti gjithmonë në hije, në heshtje, pa zë, por që mori një goditje fatale kur, me gjithë përpjekjet e stërmëdha të diplomacisë botërore për të bërë të mundur takimin me nënën dhe motrën, u detyrua të vajtojë në heshtje humbjen e tyre e të ngushullohet me një rrjesht të shkruar prej nënës, me po të njëjtin mall e ngrohtësi, me të cilin ishin ndarë më shumë se dyzet vjet më parë : “Gonxhe, po të çoj nji të puthun. Nana”.

Periudha e dytë është më e qeta e jetës së trazuar të Gonxhe Bojaxhiut. Ajo fillon me largimin nga shtëpia dhe mbaron me një vendim “revolucionar” të sajin për t’u larguar nga Instituti i murgeshave të Loretos, nga detyra e drejtoreshës së St. Mary High School, ku kishte patur aq shumë kënaqësi sa t’i shkruante kështu një herë nënës së saj : “Shumë e dashur nënë, më vjen keq që nuk jam aty së bashku me ty, por ji e lumtur, sepse Gonxhja jote e vogël është shumë e lumtur”. Ishte koha kur murgesha e re e quante arsimimin e hindianëve një formë të lartë shërbimi fetar e shoqëror. Krahas punës në St. Mary  drejtoresha Terezë jepte mësim edhe në një shkollë për fëmijët jetimë e të varfër që mbarështohej nga të tjera murgesha e që quhej “Shën Tereza”. “Kur u takuam për herë të parë “ kujton më vonë murgesha mësuese “rrezatonin gëzim nga i gjithë trupi. Këndonin e vinin rrotull meje e nuk qetësoheshin deri sa un mos t’i përshëndesja një nga një. Un vinja dorën mbi kryet e tyre leshtorë e të ndotur. Ata m’a shpërblenin me buzëqeshje dhe më thërrisnin “Ma”, nënë : edhe kështu, mbi të gjitha kështu, lindi Nënë Tereza” Ishte, ndoshta, fillimi i proçesit të Shënjtërimit të murgeshës shqiptare, për një bashkëndodhje të çuditëshme në një shkollë që mbante emrin e saj t’ardhëshëm, Shën Tereza.

Periudha e tretë fillon natën e 10 shtatorit 1946, kur Tereza 36 vjeçare e sheh veten në gjunjë , në këmbët e Virgjëreshës Marie, e rrethuar nga duar të shtrira në drejtim të saj. Zoja e Bekuar i buzëqesh e i thotë : “Kujdesu për ta, çoji tek Jezusi!”. Ndërsa Krishti vetë i kërkon murgeshës së re të bëhet dora e tij ndërmjet të mjerëve. “Vogëlushja ime, eja, më ço në kasollet e të varfërvet. Ji drita ime ndërmjet tyre. Mos u tremb, un do të jem me ty.” Përfytyresa hyjnore e asaj nate e bindën pa mëdyshje të merrte një vendim të papritur e të pazakontë : të ndryshonte jetën e saj, të dilte nga Kuvendi ku qëndronte prej 15 vitesh e të shkonte jashtë, nëpër rrugët e sheshet e Kalkutës, për të çuar atje ndihmën e saj konkrete, për të gjithë nevojtarët e shumtë që vuanin urinë, sëmundjet, moskokëçarjen e një shoqërie që nuk mendonte për ta, që i shihte si peshë, si bezdi, si trup të huaj. Ata fëmijë, burra, gra, pleq e plaka, n’emër të Jezu Krishtit ajo duhej t’i kuronte, t’i pastronte, t’i përkëdhelte, t’u dhuronte ushqim e buzëqeshje, t’i bënte të ndiheshin njerëz të mirëkuptuar, të kujdesuar, të mbrojtur, të dashuruar.

Sipërmarrja ishte nga ato që bënin të dridheshin shtete me te gjithë fuqitë e tyre ekonomike e njerëzore, një absurditet edhe për t’u menduar për mundësitë e një njeriu të vetëm, për më tepër të një murgeshe të re, pa asnjë mjet jetese veç forcës së vullnetit të saj. Projekti, i denjë për titanët e lashtësisë, zë fill mbas dy vjetësh, kur janë kryer të gjitha formalitetet e nevojshme në institucionet fetare. Së fundi Nënë Tereza është e lirë të fillojë zbatimin e projektit të saj për të themeluar Shoqatën e Misionareve të Mëshirës. Dihen mirë vështirësitë që hasi murgesha shqiptare në rrugën e saj të re, që nuk ishte aspak e lehtë, që ishte një autostradë e bamirësisë dhe e predikimit të dashurisë hyjnore e njerëzore. Në synimin e Nënë Terezës ishte ndërtimi i një shoqërie, që i kundërvihej dhunës shtetërore, shoqërore e vetiake, që vinte në qendër të gjithshkaje njeriun, si krijesë të Perëndisë, jo si objekt për t’u përdorur deri sa të japë rendiment lëndor e, më pas, të braktiset në skamje, në pamundësi fizike, në indiferentizëm.

Viti 1948, kur filloi veprimtaria vetiake e Nënës Terezë, përkoi me vrasjen e udhëheqësit politik e shpirtëror të hindianëve, apostullit të mos dhunës, Mahatma Gandhi. Ai mesazh moral historik që, deri atëherë, i a kishte përcjellë Vendit të tij e botës “shpirti i madh”, ideatori i pavarësisë së Hindisë, tani mbeti detyrë e misionares shqiptare për t’a çuar më përpara. Ajo e shpalosi çdo ditë atë mesazh, duke e vënë në jetë në lagjet e varfëra të qytetit adoptiv, duke mbajtur një veshje të grave hindiane, sarin, të stolisur me vijat blu, simbole të pastërtisë e të hirit të Virgjëreshës Marie.

Më 7 tetor 1950, projekti i Nënë Terezës mori zyrtarisht formën e plotë, me miratimin e autoriteteve kishtare të Hindisë për themelimin e Kuvendit të Misionareve të Mëshirës. Në kodin e kësaj Shoqate, betimit të zakonshëm për njetet e virgjërisë, të varfërisë e të bindjes, me ngulmimin e Nënë Terezës, i u shtua edhe një i katërt : me i shërbye gjatë gjithë jetës më të varfërvet, pa pranuar asnjë shpërblim lëndor. U bë një ligj ky për të gjitha shoqatat që u krijuan në Hindi e jashtë saj. Fuqia bindëse e Nënë Terezës dhe e mesazhit të saj bënë që në rrugën e saj t’aviteshin mijëra njerëz, jo vetëm nga ata, të cilëve u shpëtonte jetën, duke i shtruar nëpër spitalet, por edhe nxënëset e saj të shkollës, klerikë e bamirës të ndryshëm. Me kohë sprova e Nënë Terezës dha përfundimet e saj e mesazhi i tyre arriti deri në sferat e larta të Vatikanit e të botës. Ndërkaq veprimtaria e atyre shoqatave rritej në mënyrë të shpejtë, duke marrë edhe forma të tjera institucionesh të ndryshme si shkolla, spitale, azile për të moshuarit, qëndra kurimi për lebrozët, për të sëmurët me Sida, menca për të varfërit etj.

Më 1965 Papa Pali VI miratoi në nivel botëror krijimin e Kongregacionit të Misionareve të Mëshirës, që përfshinte gjithë ata institucione, e që do të varej drejt për së drejti nga Selia e Shënjtë. Kjo i hapi mundësi edhe më të mëdha përhapjes e fuqizimit të tyre në të gjithë botën jo komuniste. E para Shoqatë e Misionareve, jashtë Hindisë, u themelua në Venezuelë në korrik 1965. Këtu mbyllet edhe periudha e tretë e jetës së Nënë Terezës.

Periudha e katërt dhe e fundit është ajo m’e gjata e jetës, lumturisht të gjatë, të Shënjtëreshës shqiptare të Kalkutës. I kalon të tridhjetë vitet dhe është një ec e jakë e përherëshme dhe e pafund në të pesë kontinentet, ku Nënë Tereza e bashkëpuntoret e bashkëpuntorët e saj vazhdonin të ngrinin institucionet e të themelonin shoqatat në realitetet e ndryshme të secilit Vend. Tashmë anglishtja u bë gjuha e Kongregacionit. Bota i priti krahëhapur këta misione edhe se ideatorja i quante, me të drejtë, të pamjaftueshme : “Jemi një pikë uji n’oqeanin e mjerimit, por pa këtë pikë mjerimi dhe vuajtja do t’ishin edhe më të mëdha.” Kur Nënë Tereza u nda nga jeta tokësore, më 5 shtator 1997, murgeshat e Misioneve të Bamirësisë ishin 3914, më 2007 ishin 4923 dhe vinin nga 90 kombësi të ndryshme. Në mes të qershorit 2016, fetaret ishin 5000, të shpërndara në 765 institucione, të pranishme në 139 Vende të botës. Atyre i shtohen edhe 40 institucionet mashkullore me rreth 400 misionarë.

Forca shtytëse e projektit dhe e mesazhit të Shën Terezës së Kalkutës nuk shterron, sepse ajo i përket një qëllimi hyjnor që e nxit dhe e ndihmon. Motoja e Kongregacionit është kjo : “All for Jesus through Mary” (“Gjithshka për Jezusin nëpërmjet Marias”). “Sekreti ynë është t’i drejtohemi asaj me besim si fëmijë në të gjithë gëzimet e mundimet e tyre.”, shprehej Nënë Tereza, për të shpjeguar suksesin e veprimtarisë së shoqatave të saj. Në sajë t’asaj ndihme hyjnpre, që krijoi idenë dhe ndihmoi sendërtimin e  projektit, Nënë Tereza i kaloi të gjitha pengesat e vështirësitë jo të pakta të rrugës së saj, duke arritur suksesin e vazhdueshëm e duke u ngritur n’atë përsosmëri shpirtërore e fetare, që e bëri atë krijesë të vogël në shtat (1.52 m. e lartë), një vigane të jetës morale e shoqërore të shekullit të shkuar.

Atë lartësi e njohën dhe e respektuan Krerët e Krishterimit, Papët Pali VI, Gjon Pali II dhe Françesku që, në këta më pak se 20 vjet nga vdekja, shpallën, më parë lumturimin e sot Shënjtërimin e saj, duke e quajtur atë, së bashku me Shën Piun e Pietrelçinës, si simbolin më të ndritshëm të Krishterimit të kohës sonë. Veç vlerësimeve të Selisë së Shënjtë, që qenë të plota e tepër inkurajuese, Shën Tereza bashkëkohore u prit, u nderua dhe u vlerësua me çmimet më të larta të kombevet në shumë kryeqytete të botës, sidomos asaj Perëndimore. Ndërmjet shumë vlerësimeve që ajo mori në të gjallë të saj, po përmend vetëm disa Ҫmime: Kennedy, SHBA (1971), Gjoni i XXIII për Paqen, Vatikan (1971), Bharat Ratna Hindi (1972), Templeton, Mbretëria e Bashkuar (1973), FAO, Romë (1974), Albert Schweitzer, SHBA (1974), Nobel për Paqen, Suedi (1979), Balzan, Itali (1979), Urdhëri i Meritës, Britani e Madhe (1983), Medalja Presidenciale e Lirisë, SHBA (1985)etj.

“E di shumë mirë, e dashur Nënë, që ju jeni njeriu i fundit në botë që do të kërkonte nderime, por e di mirë se jeni e para që i meritoni.”, i drejtohej më 1973 Princi Filipi i Edimburgut, në prani të Mbretëreshës Elizabeta, murgeshës shqiptare. “Nënë Tereza ka kaluar humnerën që është mes të pasurvet e të varfërvet”, shkruhej në motivimin e Akademisë së Shkencave të Suedisë, me rastin e dhënies së Ҫmimit Nobel të Paqes më 1979. Në po të njëjtin vit Presidenti italian Sandro Pertini, do t’a motivonte kështu Ҫmimin Balzan, dhënë murgeshës së Kalkutës : “Për vetmohimin e jashtzakonshëm, me të cilin i ka kushtuar gjithë jetën e saj, në Hindi e në botë, viktimave të urisë, të mjerimit e të sëmundjeve”.

Po t’i shtojmë këtyre çmimeve laureat “Honoris Causa” të universiteteve të Washingtonit (1971), katolik Francesco Saverio, Kanada (1974), të Santiniketanit, Hindi (1976), Cambridge, Angli (1977), Harward, SHBA (1982), do të kemi më të plotë profilin e jashtzakonshëm  edhe intelektual të Shënjtores së të varfërvet. Në këtë profil duhet shtuar edhe krijimtaria e saj e jashtzakonëshme poetike.

Marrëdhëniet e saj me të fuqishmit e botës ishin të bazuara mbi respektin e ndërsjelltë, por Murgesha e Kalkutës nuk përtonte t’i qortonte hapur ata kur veprimet e tyre nuk përputheshin me kodin etik e fetar të bindjeve të saj. Miqësitë e saj me presidentët e Amerikës që nga Kennedy dhe i vëllai Roberti, deri tek Clintoni duke kaluar nëpër Reganin e Bushin janë të njohura në kronikat e kohës së tyre. Madje në një rast Clintoni, në lidhje me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, më 1999, i rrëfeu dikujt se “ I kishte premtuar Nënë Terezës se do t’i ndihmonte bashkëkombasit e saj.”

E mirëpritur dhe e respektuar nga kryetarë shtetesh e qeverish, ajo mbeti gjithmonë e thjeshtë, e dashur dhe e përvuajtur, pa u shkëputur kurrë nga të varfërit, të sëmurët, jetimët e fëmijët nevojtarë, të cilët e pagëzuan me emrin e Nënës, e të cilëvet u kushtoi gjithë fuqitë dhe energjitë e shpirtit të saj të madh, por edhe të trupit të saj të vogël.

Sot ajo shënjtërohet në vatikan nga Papa Françesku, në prani të njëqind mijë vetave, në prani edhe të mjaft drejtuesve të shteteve, ndërmjet të cilëve edhe atyre të Vendit të saj të lindjes, Shqipërisë.

Emri i saj i shtohet atyre të Shën Laurit, të Shën Florit e të Shën Hieronimit, paraardhësve të lashtë të saj në historinë e krishterimit shqiptar, në rrjedhë të shekujve. Le t’i lutemi këtyre Shënjtëve , të dalë nga toka jonë që të kthejnë sytë mbi Vendin që i lindi e i cili ka aq shumë nevojë për urimin e ndihmën e tyre.

Shtator 2016                                                                       

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, Shenjteresha Shqiptare

Mburrja, kjo vetvrasje e shqiptareve

September 3, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Me 4 shtator 2016, ikonave te Vatikanit do u shtohet edhe nje shenjtore tjeter. Nje rast qe duhet t’i shikosh edhe te verteten tragjike te raportit mes shqiptareve nder vedi. Shtetit, shtetareve, inteligjences se radhitur dhunshem ne tri shtylla, dhune, percarje, sundim. Si te thuash…, atdheu i vdekur i mendesise se celikte gjaku lahet me gjak. Ajo eshte Gonxhe Bojaxhiu, nje shqiptare e lindur ne pjesen nga i vjen dielli Ilirides. Ose Shkupin e shqiptareve, kryeqendren e nje Vilajeti te Perandorise Osmane. Por qe ne rrjedhen e viteve, fragmenteve me vrasje, shitje, dredhi e gjithfaresoje teknikash dhe pazaresh alla veresie, do i mbetej hallkes tashme te shperbere, Perandorise se Sllaveve. Sot Ish Republika Jugosllave e Maqedonise. Por edhe fantazmes shiptare te shperberjes. Te ndarjes mesjetare. Madje per koicidenca te kohes, qe na bien pas kokes ne shqiptareve, shtatori 1928-te viti i emigrimit te Gonxhes drejt katolicizmit, shtator 2016-te, shenjterimi i saj, eshte ndarja per se gjalli edhe e saja me familjen e vet. Ajo drejt Dublinit, apo Indise. Kurse e ema ne atdheun e tkurrur mes diktatit dhe diktatures. Si eshte e mundur te mburremi me vepren e saj. Dhe nuk na vjen aspak turp me ndarjen qe i bem per se gjalli? Ndarje qe ne qe mburremi sot me ‘te…., me foton e saj ne krye te nje qivuri me mermer te thjesht ne varrezat e Tiranes. Ndarje qe nuk e riparuam. Nuk tentuam ta bejme. 
Dhe ketu me perpara se Traktati i Versajes, 1918-te, ashtu si ne kapercyelle te tjera, e keqja e shqiptareve kane qene vet shqiptaret. Ata te turqizuarit, sllavezuarit, grekezuarit etj. Por ne ate linjen me perverse te fanatizmit te kombesive ne fjale, patriotizmin e semure. Duke i dominuar popujt e tyre me gjerat me te keqija nga landfillet e mbeturinave. Dhe qe sot e kesaj dite vazhdojne te sundojne ne perandori te vogla, ndersa flasin papushim, per atdhe, shqiptarizem. Po edhe shenjtore, qe nuk i ben vete, si rasti i Gonxhes, duke e mbajtur kete truall nje atdhe te mburrjes, percarjes. Aq sa ta shpifin, me keto kerkesa per lypje eshtrash, deri ne Indine e malarjes dhe Raxh Kapurit. 
Por ne nuk e njohim peremrin ne. Ne e njohim peremrin vetem ne veten e pare dhe te dyte. Ndaj ka nje mori keqardhjesh pas kesaj shenjterie… Dhe mbi te gjitha nje dominim delirant te mburrjes.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Mburrja, vetvrasja e shqiptareve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2516
  • 2517
  • 2518
  • 2519
  • 2520
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT