• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kjo 88-ta që na ka zënë rrugën

June 16, 2016 by dgreca

Opinion nga Ilir Levonja-Florida/

Vetëm një gjë më trishton në gjithë këtë këmbëngulje. Në këtë punën e 88-tës. Këtë të Venecias. Të cilën po e shtrëngojmë. E po i dalim kundër Europës, sikur Venecia mos me qënë në Europë.

Më trishton pretendimi se partia në pushtet i kap të gjitha, nëse nuk zbatohet pikë për pikë kjo 88-ta e Venecias. Ajo për mosdakordimin dhe futjen në skenë, këtë propocionalin e famshëm. Dhe këtu tek këto thërrime formulash zgjedhje do mundemi të bëjmë pjesë edhe ne si opozitë.
Duket si një justifikim i paraprirë për zgjedhjet që po afrojnë. Duket si një justifikim i deklaruar i humbjes së pritshme. I bie shkoqur që po bëjmë zhurmë pasi e kemi të garantuar humbjen në zgjedhjet e ardhshme. Se ndryshe, i thonë që po i presim hakun vetvetes kur të jemi ne në pushtet.
Dhe kjo është absurde për një opozitarizëm në demokraci normale.
Po, po absurde.
Tek kërkoja në internet më shumë informacion rreth këtij të famshmit nen të Venecias. Nga krahu i webeve opozitare, vura re se shumë prej tyre vegjetonin akoma në muajt e vitit të kaluar. I pari webi i Rilindjes demokratike. E dyta kryesia e xhaketave të lodhura me pushtet, mendojnë të fitojnë pikë përmes kundërshtimit të martesave gay etj. Nga ana tjetër ndjehet një panik i madh për rrjedhjen e votës. Apo heqjen e veshit që u bëjnë disa kryetarë partish nga baza. Kësaj qëndrës që delegon aty, me imponimin e pushtetit pikërisht këto xhaketa të lodhura. Këto të cilët e konsiderojnë realitetin e provincës akoma si një meritokraci e të fortëve dhe e grabitjes së votës. Apo të justifikimit me traditë dhe histori si zonë e jona. Zonë e djathtë. Ose janë të majtë ata. Edhe pse morëm një shuplakë të fortë nga Kavaja, shtatë vjet më parë.
Një qëndër që nuk i vë veshin bazës, është e destinuar të dështojë.
Në kushtet e krizës aktuale, duke patur parasysh edhe skandalet e fundit, me kryetarët e bashkive, mandatet e hequra, arrestimet dhe ndjekjen penale të deputetëve etj. Pa përmendur edhe depresionin kolektiv shqiptar, i cili gjen ngushëllim tek entuziazmi i përfaqësimit në eventin e futbollit europian, është miopi të mos përfitosh si opozitë. Por nuk ke se çfarë i bën. Eshtë thelbi tek ato xhaketat e lodhura që janë me Venecian, por jo me Europën. Janë me Amerikën, por jo me ambasadorin e saj. Janë me tregtimin e votës kur u duhet të zgjedhin president deshtak. Kur krijojnë aleanca jo bionatyrore. Kur falin po kolltuqe për hatër të këtyre aleancave. Duke lënë përjetësisht anëtarin militant, thjesht militant.
Ashtu sikur kërcënojnë për integritet kur u prishet vegjetimi. Vegjetimi njëzetë e pesë vjeçar në kolltukun e kuvendit, të vendit të një qytetari që nuk merr as një të dhjetën e pagës së tij. Janë për kompromisin, por për ekzistencën e tyre. Jo për interesat e një vendi të tërë. Dhe kjo ndodh e gjitha nga ajo psikozë me natyrën e fetarizmit radikal, që e kemi thënë e stërthënë, se njeriu ynë doktorohet e shkencërohet, vetëm e vetëm që të bëhet politikan. Që të rrijë gjysmë shekulli jetë në pushtet.
Lëreni 88-tën mënjanë demokratë, prisheni ritin fatkeq të pësimit në fund. Dhe futuni në zgjedhje për të fituar. Ka halle plot që të mbushni torbën. Janë halle populli. Dhe pas përvojës tonë, ne kemi fituar sa herë që jemi bërë një me njerëzit. Jo me taktikat e tregut të mandateve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Kjo 88-ta, që na ka zënë rrugën

DIASPORA- Mbahet Gara e Diturisë në Vjenë

June 16, 2016 by dgreca

*I. Lladrovc: “Ne duhet të zgjohemi nga gjumi e të dërgojmë fëmijët në mësimin shqip.”  Aktivitet kulturore e afirmojnë mësimin shqip në diasporë./

*S.Krasniq:”Apeloj tek mërgimtarët t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin shqip” /

Shkruan per Diellin:Hazir Mehmeti, Vjenë  /

Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri mbajti garën e diturisë në Vjenë. Në sallën e bukur në bashkinë e dhjetë u mblodhën nxënës e prindër nga disa rrethe të Austrisë. Ishin të pranishëm Nuhi Gashi, koordinator për mësimin shqip në diasporë pranë Ministrisë së Arsimit të Kosovës, Shqipe Shasivari e Sabit Krasniqi nga Ministria e Diasporës,   Imer Lladrovci, konsull në Ambasadën e Republika e Kosovës mes tjerash tha: “Austria është vendi i rrallë si shembull se si përkrahet mësimi i gjuhës amtare. Kjo sallë e bukur do duhej të ishte e mbushur sot, kur dihet numri i mërgimtarëve tanë. Ne duhet zgjohemi nga gjumi dhe ta mbështesim mësimin e gjuhës amtare.” Ai falënderoj organet vendore për mbështetjen e vazhdueshme të mësimit shqip.  Sabit Krasniqi, këshilltar ministri, përshëndeti në emër të ministrit Murati. “Apeloj tek mërgimtarët që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin shqip ”shtoi mes tjerash Krasniqi.   Arten Hanku nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë  përshëndeti në emër të ambasadorit Roland Bimo. “Është për t’u vlerësuar puna e mësuesve dhe veprimtarëve, një traditë e mirë në mësimin e gjuhës amtare”. Nuhi Gashi përshëndeti në emër të Ministrisë së Arsimit të Kosovës.  Me pjesëmarrjen e tyre e nderuan kremten.     Ishin prezent edhe Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Krijuesve Shqiptarë  në Austri, Ejup Murseli, aktivist nga Shoqata “Iliria”; Dr.Sabri Osmani e Januz Saliuka,, Mirela Shira, Drita Cocaj. Kuizin e diturisë hapi me fjalë përshëndetëse kryetari i Shoqatës Ismet Sinani,. Rreth kuzit  foli mësuesi Ibrahim Hasanaj.  Moderator, si gjithnjë, ishte mësuesi Osman Ademi, në gjermanisht studentja Albana Hasanaj.

Në Ciklin e Ulët garuan shtatë ekipe, kurës në Ciklin e Lartë vetëm katër ekipe nga i cili   “Dukagjini” fiton pikë më shumë dhe do merr pjesë në garat simbolike që do mbahen në Prishtinë muajin e ardhshëm. Mësuesit  pjesëmarrës ishin Mark Demaj, Ibrahim Hasanaj, Miradije Berisha, Roza Nrecaj, Osman Ademi e Hazir Mehmeti, Ismet Sinani  të ndihmuar nga prindër e veprimtarë.     Nga cikli i ulët morën pjesë ekipi “Dardania” me nxënësit: Delvina Haziri, Fiona Haziri dhe Dinete Halili. Ekipi “Fluturat” Blina Gashi (kl.4), Blerian Istrefi (kl.4), Stela Paskali (kl.3), Valon Tefiki (kl.4) Fiona Murseli (kl.3).  Ekipi “Yjet” Gentian Halimi, Valesa Arifaj,  Alma Mehmeti, Ajmone  Ibra, Leoni Zendeli. Ekipi “Dielli” Jon Bicaku, Besnik Memedi, Vesa Ajvazi,  Ester Kraja. “Anadrini” me nxënësit: Deline Krasniqi, Benart Krasniqi, Artine Seta, Habibe Seta.: Ekipi “17 Shkurti” me nxënësit Hatixhe Alili, Gresa Miftari, Dea Xhelili, Viola Gashi dhe Kaltrina Ramaj. Pas rundit të dytë të pyetjeve me pikë u rëndit i pari “17 Shkurti” nga Badeni i pasuar nga “Yjet” e “Dardania”. Në  Ciklin e lartë ekipi “Flamuri” me nxënësit Elvis Qafleshi, Enis Qafleshi,  Ensar Emini. Ekipi “Dukagjini” me përbërje Largesa Istrefi,  Antigona Azemi, Besiana Memedi, Elona Kabashi. Ekipi “Afrim Zhitia”  nxënësit : Jehona Skeraj, Elona Shurdhani, Leonita Ramaj dhe Elmedina Zhugolli.  Më shumë pikë mori ekipi “Dukagjini” nga Tullni i pasuar nga “Flamuri” , “Afrim Zhitia” e “Rozafa”. Në program pati dhe recitime dhe valle të luajtura nga nxënësit. Juri ishin mësuesit Mark Demaj, Roza Nrecaj e Miradije Berisha. Pytejet ishin të përgatitura në formë alternative, çka e bënë lojën tërheqëse për nxënësin.  Në fund fituesit e pjesëmarrësit u shpërblyen me dhurata modeste.    Ishte e pa arsyeshme, si asnjëherë më parë, pjesëmarrja aq e vogël e mësuesve me ekipet e tyre dhe një publik kaq i vogël, kur dihen harxhimet e mëdha materiale e kohore që kërkon përgatitja e mbajtja e një gare të tillë.  Kjo do një analizë të mirëfilltë e të shëndoshë nga vetë anëtarësia e shoqatës. Shabllonizmi i përsëritur gjatë, përsonalizimet e pa nevojshme të kuizit, po e dobëson atë, në vend të ngritjes së cilësisë, kur dihet mbështetje materiale me 2 mijë Eu nga Ministria e Diasporë dhe nga 14 donator shumica nga të cilët mbështetës të përhershëm.

Në fund u dha drekë me ushqime nga kuzhina shqiptare të gatuara nga nënat e motrat tona të mrekullueshme, për çka Shoqata e Mësuesve i falënderon.

Filed Under: Mergata Tagged With: Hazir Mehmeti, Mbahet Gara e Diturisë, ne Vjene

Gazeta “Kombi”, Në 110 vjetorin e daljes së numrit të parë

June 16, 2016 by dgreca

Nga Dr. Gjovalin Gjeloshi/
Ndërkohë që vendi lëngonte nën zgjedhën otomane shekullore, brenda kufirit shtetëror të Shqipërisë osmane, nuk mund të lejoheshin organizimet apo publikimet në gjuhë të vendit apo për vendin. Librat e parë në gjuhën shqipe, më vonë edhe gazetat e para apo shoqatat e organizimet e ndryshme me karakter të theksuar kombëtar, natyrisht se nuk mund të kishin si vendlindje atdheun e vet të sunduar nga qeveria osmane. Nga jugu e veriu kishte ngado në Shqipëri shkolla greke e serbe, por jo në gjuhën shqipe. Por qeveria, sado që i kishte duart e gjata, nuk mund të ndalonte organizimet e shqiptarëve kudo nëpër botë, qoftë edhe brenda në Stambollin e tyre, ku filloi të botohej revista mujore “Drita” (më vonë “Dituria”), qysh në vitin 1885.
Flamurtari i parë i shtypit shqiptar në botë njihet De Rada me “Shqiptari i Italisë” (L’ Albanese d’Italia, në shkurt të vitit 1848) dhe më vonë më 1883 përsëri De Rada me “Fiamuri i Arbërit”. Shqiptarët e Rumanisë me “Shqiptari-n“ dhe “Shqipëri-në“ në fund të shek. të 18-të e mjaftë periodikë të tjerë si: “Albania” në Bruksel e Londër, 1897-1909;  “Kalendari kombiar”, 1897-1915 dhe “Drita”, 1901-1908 në Sofje; “Besa-Besë”  në Kajro, 1900-1904; “Albania”  në Beograd, 1902-1905); “Shpnesa e Shqypnisë” që u botua në Raguzë, Trieste e Romë më  1905-1908 etj. Në këtë periudhë, gjysma e dytë e shekullit të 18-të e fillimi i shek. 19-të, gjeografia e përhapjes së shtypit shqiptar jashtë atdheut, do të zgjerohej me shpejtësi. Dhjetëra patriotë do të vinin në punë potencialet e tyre intelektuale, por edhe financiare për t’i shërbyer çështjes kombëtare. Gazetat edhe pse botoheshin jashtë Shqipërisë, depërtonin në vendin tonë në forma nga më të ndryshmet.
Një ndër këta patriotë që vunë gjithshka të tyren në shërbim të çështjes kombëtare ishte edhe Sotir Peci një rilindës i shquar, një figurë e madhe e arsimit e kulturës shqiptare. I biri i një tregëtari qeresteje me origjinë nga Dardha e Korçës, pasi u arsimua në Athinë e vende të tjera të Europës dhe meqë ra në sy të autoriteteve osmano-greke për veprimtarinë e tij patriotike në interes të çështjes kombëtare shqiptare, në fillim të shtatorit të vitit 1905, u detyrua të migronte në SHBA. Shkuarja e tij në vendin e respektimit të lirive e të të drejtave themelore të njeriut, përkonte me kohën kur shqiptarët e Amerikës ishin shkundur nga përgjumja e rendja vetëm pas fitimeve vetjake dhe ishte zgjuar tek ata vetëdija kombëtare. Kishin filluar të ngriheshin shoqatat e para të shqiptarëve me programe të drejtuara nga interesat kombëtare dhe i kishin kthyer sytë, veshët e zemrën nga atdheu i tyre i robëruar. Kontributet e tyre për të ndihmuar sa më shumë luftën çlirimtare nga zgjedha otomane, kishin filluar të kanalizoheshin në drejtime të orientuara.
Një ndër këto ishte edhe shoqata “Vëllazëria Mirëbërse Dardhare” që në gjirin e saj përmblidhte shqiptarë me origjinë nga Dardha e Korçës, një fshat prej të cilit ishte edhe vetë Sotir Peci. Shoqata përkrahu pa ngurim inisiativën e patriotit të tyre që të botonte një gazetë kombëtare, që në mënyrë domethënëse u quajt “Kombi”. Gazeta dyjavore, me emrin “Kombi” u botua për herë të parë, më 15.06.1906, në Boston, e vijoi deri në vitin 1909, me 110 numra të botuara. Burime të tjera na bëjnë me dije se numri i parë i gazetës u botua më 9 qershor dhe se gazeta ishte javore. Po sipas të dhënave të tjera, numri i pestë i gazetës qarkulloi me 15 korrik 1906. Si njëra ashtu edhe tjetra datë e numrit të parë, nuk na nxjerrin ne, një gazetë dyjavore me periodicitet të rregullt. E dhëna më e saktë do të anonte nga ajo që, gazeta doli në numrin e parë të saj me 15 qershor dhe ishte javore në numrat e saj të parë. Por nga ana tjetër, shifra prej 110 numrash të botuara në tre vjet e gjysëm, mesatarisht përkon me një gazetë dyjavore. Gji
Gjithësesi kjo nuk është aq  e rëndësishme, sa ç’është themelore vet botimi i kësaj gazete që shënoi fillimin e shtypit shqiptar larg Shqipërisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zgjoi ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve që kishin emigruar në atë vend. Shqiptarët deri në atë periudhë të shpërndarë anë e kënd kontinentit të madh, e kishin mendjen, si çdo familjar që emigron nga një vend i vuajtur e i varfër, “të fitojnë ca para e të kthehen në vendin e tyre”. “Kombi” me Sotir Pecin dhe më pas edhe me Fan Nolin, por edhe me patriotë të tjerë që kontribuan në faqet e kësaj gazete, e “devijuan” emigrantin shqiptar nga rruga fabrikë-shtëpi dhe e bënë të kuptonte se krahas familjes ka edhe diçka të rëndësishme: çlirimi i atdheut nga okupimi osman dhe se për të arritur këtë, duhet edhe kontributi e secilit, ashtu si t’i kërkohej prej organizatorëve.
Vërtet “Kombi” nuk qe gazeta e parë shqiptare në botë. Para saj ishin botuar të tjera, ashtu edhe si i përmendëm, por ishte e para e një kontinenti apo shteti të madh dhe efekti i shkrimeve të saj pati një ndikim më të madh se i çdo periodiku të botuar deri atëhere. Siç e kujtojnë historianët e shtypit, “pa çka se numri i pajtimtarëve ishte i vogël”, ai i lexuesëve ishte tepër, tepër i madh në krahasim me gazetat e tjera pararendëse që ishin botuar deri atëhere nëpër Europë. Gazeta në shumicën e rasteve shpërndahej falas, ky ishte qëllimi i botuesëve, dhe lexuesit kësisoj ishin të shumtë. Duke vazhduar me këtë mënyrë, leximi në radhë të parë dhe jo
fitimi, gazeta do të mbyllej për shkaqe financiare pas tre vjet e gjysëm botimi.
Sipas Prof. Hamit Boriçi, në programin e së përkohshmes “Kombi” theksohej: “…”Kombi” është organ me të cilin populli shqiptar të mbrohet nga lufta e përditshme e armiqëvet, të rrëfejë të drejtat e tij në botën e qytetëruar, të përpiqet për përpunimin e çështjes politike, për lërimin e gjuhës së vet, t’u japë kurajo e ndihmë gjithë atdhetarëve që përpiqen për këto qëllime, t’u hapë sytë duke rrëfyer udhën e drejtë dhe rreziqet e kombit prej intrigave të armiqëve atyre atdhetarëve që nuk interesohen, të futë ndër ta zjarrin e shënjtëruar, i cili quhet patriotizëm dhe, me pak fjalë, të jetë mbrojtës, ndihmës, këshilltar dhe luftëtar i interesave të kombit”. Në kryeartikullin e numrit 3, Sotir Peci bën thirrjen: “Që të humbasë a të dëgjohet emëri shqiptar, është në dorën tonë…”. Sa aktuale edhe sot pas 110 vitesh. Po kështu aktualitet sjellin edhe shkrimet e tjera të Sotir Pecit që shkonin kundër rrymës së kultit të individit, të liderit të vetëm e të pakundërshtueshëm, “sëmundje” nga e cila shqiptarët vazhdojnë të vuajnë edhe sot e kësaj dite, duke treguar prapambetje të pandreqëshme në mendësitë e tyre demokratike.
Vendin e gazetës “Kombi” do ta zinte gazeta “Dielli” e cila botohej në po atë shtypshkronjë dhe me të njëjtat shkronja që botohej ajo. “Dielli” mund të cilësohet si gazeta e vetme shqiptare e rilindjes që vazhdon të botohet edhe sot në SHBA. Krahas “Diellit” e me “Diellin”, një numër i konsiderueshëm gazetash e revistash të botuara nga shqiptarët, kanë lulëzuar në këta 110 vite në SHBA. Nga të dhënat që kemi grumbulluar, gjatë kësaj periudhe 110 vjeçare janë botuar rreth 90 periodikë në gjuhën shqipe, 70 prej të cilave gazeta dhe 20 revista.
Është domethënës fakti që shumica  e periodikëve (rreth 55) janë botuar në periudhën deri në Luftën e Dytë Botërore dhe në periudhën e mëpastajme, aktiviteti i shtypit shqiptar në SHBA ka rënë në mënyrë të ndjeshme, për t’u ripërtërirë disi në fillim të viteve 70-të, koha kur në të cilën forcat demokratike shqiptare që kishin emigruar nëpër botë e kryesisht në Amerikë, punonin për ç’rrënjosjen e sundimit komunist në atdheun e tyre. Pothuaj të gjithë periodikët pa përjashtim, krahas gjuhës shqipe, kanë patur edhe artikuj të veçantë në gjuhën angleze kryesisht, por nganjëherë edhe në frëngjisht apo ndonjë gjuhë tjetër të njohur. Kjo është e natyrshme: një organ shtypi nuk e luan rolin e plotë dhe nuk i shërben qëllimit për të cilin botohet, nëse ai nuk shkruan edhe në gjuhën e vendit ku qarkullon.
Shumica e periodikëve të botuar nuk kanë patur jetëgjatësi më të madhe se sa një vit, të tjerë 2-3 vjet dhe vetëm dy gazeta, “Dielli” dhe “Liria” kanë patur jetëgjatësi më të spikatur. Ndërkohë që e para vijon ende, “Liria” nuk botohet. Pas vitit 1990, shtypit shqiptar në Amerikë i shtohet (krahas të tjerave me më pak emër) edhe një gazetë e qëndrueshme në tregun mediatik dhe që shpërndahet pothuaj në të gjithë territorin e SHBA-ve: “Illyria”, që konsiderohet “zëri i shqiptarëve” nga Alaska në Florida. “Illyria” doli në qershor të vitit 1991 dhe këtë vit ajo ka plot 25 vjet që botohet për shqiptarët e Amerikës.
Duhet theksuar se në morinë e periodikëve shqip në SHBA, një vend të veçantë zënë edhe gazetat e revistat me karakter fetar-kulturor. Ndër to, revista “Jeta Katolike” që e boton kisha katolike “Zoja e Shkodrës” në Nju York, është më jetëgjata në treg. Me disa ndërprerje, ajo vazhdon të botohet rregullisht qysh prej vitit 1966, duke sfiduar çdo periodik fetar që është botuar në këtë vend.
Si përfundim, sot së bashku me 110 vjetorin e gazetës “Kombi” që e kujtojmë “in-memorium”, duhet të kujtojmë edhe vitin jubilar të 25 vjetorit të botimit të gazetës “Illyria” dhe 50 vjetorin e botimit të revistës “Jeta Katolike”, të dyja me seli në Nju York. Natyrisht pa përfshirë vitin e radhës së 97 vjetorit të botimit të gazetës “Dielli”, që si “patriarke” vijon të udhëheqë krejt shtypin shqiptar që botohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Unknown.jpg

Gazeta_Kombi.jpg

Filed Under: Histori Tagged With: Gazeta Kombi, Në 110 vjetorin e daljes, së numrit të parë

KUR VETMJAFTOHESH ME ATË QË TË DHURON FATI I JETËS

June 16, 2016 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA*/ Jeta është një rrjedhë e fuqishme në kohë dhe hapësirë. Atje ku mendohet se ajo është futur tërësisht në brigjet e saj, ngjarje tinëzare gremisin të natyrshmen. Në labirintet e realitetit të saj, në gurgullimat, oshëtimat dhe vështirësitë ndodh që njeriu burgoset brenda kornizave të ndjenjave dhe ndërgjegjes së tij të vrarë. Atëherë shumë pikëpyetje mbesin të ngrira në ajër. Ku është e keqja është edhe e mira. Aty ku është gëzimi është edhe trishtimi. Aty ku është ferri është edhe parajsa. Aty ku është humbja, është edhe lavdia. Aty ku të rrethon trishtimi, angështia, ku t’i thua se tani më mori lumi e u katandisa i pushtuar nga monotonia, duke u kokolepsur,një zë të orienton me urtësi për të dalë nga ky qerthull, dhe për të kapur njerëzoren e rrjedhës.
Të gjitha këto të papritura të larmishme të jetës, mundohet t’i ngërthejë brenda tregimit të saj, “Profil vetëmjaftueshmërie”autorja Lida Lazaj, e njohur tashmë për lexuesin tonë.
Një grua që i ka vdekur i shoqi e vret vetminë, duke i shkuar çdo ditë “në takim” tek varri me një tufë lule në dorë, me mendimin se jeton më shumë me të kaluarën se sa me të tashmen, e zbehur përkohësisht nga ndjenjat e shterpëzuara, dhe vitet e vështira të jetës, mundohet që përsëri kafen e mëngjesit ta pijë me bashkëmoshatarin e saj, Klitin. I tillë është subjekti i tregimit “Profil vetëmjaftueshmërie”, ku jeta monotone ka strukur në një rreze të saj një grua fatkeqe me emrin Elenë. Ajo rri gjithë ditën brenda shtëpisë, fshin pluhura dhe shikon albume, mundohet të ndalë e rikthejë jetën pas, kohën që ka ikur. Mendimet e mbyllin në një zymti dërrmuese, dhe si një sëmundje që gërryen përbrenda shpirtin e ndjen ngushtësinë e tij. Ajo tashmë e thithur nga monotonia e jetës sikur është bërë materie e ngurtë, është sendërtuar. I ngjan vetja send ose objekt mes orendive të shtëpisë, me të vetmen ndryshim: “merrte frymë”, shkruan autorja, për Elenën. I duket se edhe krimbi i mërzitjes, rrezja e diellit që hyn nga dritarja e dhomës e bën të vuaj edhe më shumë, pasi mendon e kupton që bie në donkishotizëm, ndaj nis e loton. “Vajtonte me fjalë, në regjistrin më të ulët të zërit. Qaj-qaj i thoshte vetes, kush tjetër do t’i qajë ëndrrat dhe dëshirat tuaja të vdekura” -shprehet autorja, duke arritur të futet artistikisht në të fshehtat e ndërgjegjes së personazhit. A ka forcë të dalë nga kjo gjëndje rraskapitëse e shpirtit? Elena në butësinë trishtuese, por më shumë me vështrimin e sinqertë për atë që ndodh, përpiqet për një ndryshim të gjendjes shpirtërore, ndjenjë e cila përzihet me brengën dhe në këtë pushtim të vetmisë, ndjen keqardhje për këtë gjendje që nuk e fsheh dot. “Ditët rrokullisen pothuajse njësoj” me vetëmbylljen e saj. Duhet ndryshuar kjo gjendje. Takimi me bashkëmoshatarin e saj, Klitin sikur zgjon diçka shpresëdhënëse, megjithëse autorja këtu nuk thotë atë që lëngëzon zemrën e tharë të vejushës. ‘‘Dy të moshuar shquanin dhe në hapin më të ngadaltë ngutjen që tek ata e kish humbur prej kohësh kuptimin”. Por jo vetëm kaq, të moshuarit edhe pse pleq kanë nevojë të shijojnë jetën dhe më shumë të marrin hak për ato gjëra që u kanë mbetur pishman në jetë. Elena e kupton se jeta jashtë saj gjallon, përtërihet, ndryshon, ecën, herë me ritme të ngadalta e herë të vrullshme, por ajo nuk e ndjen veten zonjë më pas vdekjes së të shoqit, ta ndjekë me hapin e saj të mplakur. Autorja Lida Lazaj, këtu mundohet, duke e zhytur Elenën në kujtime rinore, madje, duke kujtuar libra që kishte lexuar për dashurinë, por edhe atë krahasimin me të dashurën e mplakur të shkrimtarit Gabriel Garsia Markez, në romanin “Dashuri në kohën e kolerës”. Elena mundohet kështu që të mbush boshllëqet e zemrës së saj me ç’të mundet dhe ‘‘që hyjnë si një refren i shkurtër gazmor në mes të një melodie monotone”, ku i ndërthur me takimet e bashkëmoshatarit të saj Klitit, por edhe më shumë, duke dërguar çdo ditë lule tek varri i të shoqit. Nostalgjia te ajo është kalimtare, e nuk i bëhet brengë. Jeton dhe shijon aq sa i premton mosha dhe aq sa i duhet. Kjo është Elena me gjithë vështirësitë e jetës së saj plot tallaze, me largimin e fëmijëve, humbjen e bashkëshortit, ekzistencializmin. Në fund të tregimit, Elena zgjohet dhe sikur rrezaton shpresa të reja. Por ajo nuk mjaftohet me të shkuarën e saj. Dëgjon tingëllimën e telefonit dhe mendon për fëmijët, për rrugën e së ardhmes që ecin ata. “Fëmijët me krahët si zogjtë e forcuar, kishin fluturuar në të tjerë qiej” – shkruan autorja. Ndaj autorja vë në gojën e Elenës edhe këto fjalë: “Koha që tjetërson gjithçka, lastarët i bën lisa, djelmoshat burra dhe vashëzat gra”. Ndaj sikur kënaqet në vetëmjaftueshmërinë e saj. Ëndërra që sheh shpirtin e vet si një shpend, i hyn e i del kraharorit dhe përmbyll profilin e saj të vetmjaftueshëm.

Jeta pulson me ritmin e kohës, dhe këto përmasa ndjesore sikur ja zbusin sëmbimet e dhimbjes. Ç’hapësira paska për dhimbjet koha kur kalon, sepse jeta ecën, vazhdon, e kurrë nuk ka vetëmjaftueshmëri.

*   (Lida Lazaj në tregimin “Profil vetmjaftueshmërie”)

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Profil vetmjaftueshmërie”, Lida Lazaj. Tregimi, Pellumb Gorica

Kuvendi i Kosovës, në axhendë ratifikimi për EULEX-in

June 16, 2016 by dgreca

-Grupi parlamentar i LDK propozoi që në rend dite të hyjë sot Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë si dhe

-Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës, si pika 18 e 19. Propozimi i mbështetur edhe nga grupi parlamentar i PDK u miratua me 70 vota pro, 12 kundër e 1 abstenim/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Qershor 2016/ Kuvendi i Kosovës po zhvillon sot seancë plenare të nisur me deklarime jashtë rendit të ditës, para së cilës në mëngjes qeveria mbajti mbledhjen e 95-të, të 27-tën në vitin 2016, pas asaj të djeshme si dhe të hënës, në të cilën ka miratuar Projektligjin për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, (EULEX Kosova). Ligji është proceduar në Kuvend, por ende nuk ka hyrë në axhendë seance plenare, meqë ndërkohë nuk u  mbajt mbledhja e ftuar e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare dhe kanë vazhduar komunikimet mes krerëve të shtetit dhe përfaqësuesëve të BE-së.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dje në mbledhje të qeverisë ka informuar për arritjen e marrëveshjes me Bashkimin Evropian lidhur me vazhdimin e mandatit të EULEX-it, dhe ka paralajmërur se ky ky ligj do jetë në axhendën e seancës plenare të Kuvendit për shqyrtim dhe miratim, pasi kabineti qeveritar të zhvillojë edhe një takim tjetër, i cili u mbajt sot.

“Kemi pasë një takim me presidentin, me kryetarin e Kuvendit, me përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë dhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, me përfaqësues të Ambasadës Amerikane, dhe është arrit marrëveshja lidhur me EULEX-in”, tha Mustafa dje në mbledhjen e qeverisë.

“Ne presim ta marrim këmbimin e letrës nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian,  Federika Mogherini”, tha kryeministri i Kosovës.

Lidhur me këtë çështje kabinetin qeveritar e ka informuar edhe zëvendëskryeministri i pare e ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili ka vlerësuar arritjen e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për mandatin e EULEX-it për dy vitet e ardhëshme.

 “Në negocimin tonë kemi pasë parasysh dy kritere: e para, që të shfrytëzohet në maksimum mundësia e institucioneve tona për ta ushtruar sovranitetin e plotë në fushën e gjyqësisë dhe prokurorisë dhe njëkohësisht kemi pasë mundësinë edhe kemi shfrytëzuar autoritetin edhe të EULEX-it për ekspertizën e tyre në dy vitet e ardhshme. Kemi arritur një marrëveshje që është në përmbajtjen e letrës së plotë të presidentit që e ka dërguar me datën 9 qershor te Mogherini”, tha ai.

“Mbrëmë e kemi marrë edhe letrën kthyese të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, prandaj kemi proceduar edhe një herë me këto dy projektligje të cilat janë të harmonizuara me letrën e presidentit dhe me Bashkimin Evropian”, tha sot në mbledhjen e qeverisë kryeministri Mustafa.

Kabineti qeveritar fillimisht ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

Pas mbledhjes së sotme të qeverisë, derisa zhvillon punimet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, deputetëve u është shpërndarë projektligji për marrëveshjen Kosovë – BE për vazhdimin e Misionit të EULEX-it deri në 15 qershor 2018 

Grupi parlamentar i LDK propozoi që në rend dite të hyjë sot Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë si dhe 

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës, si pika 18 e 19. Propozimi i mbështetur edhe nga grupi parlamentar i PDK u miratua me 70 vota pro, 12 kundër e 1 abstenim. Votim kundër këtij propozimi paralajmëroi grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, duke kërkuar kohë për shqyrtim dhe procedura për këto projektligje.

 

Kryesia e Kuvendit të Kosovës të hënën, gjatë ditës, në një mbledhje me shefat e grupeve  parlamentare ka ftuar seancën plenare për sot – në 16 qershor, por pas mbledhjes në mbrëmje të qeverisë dhe procedimit të saj të Projektligjit për vazhdimin e mandatit të EULEX një seancë tjetër plenare parlamentare urgjente pritej të mbahej më herët.

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme, sipas axhendës, do të votojë Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, i cili është shqyrtuar në seancën e 9 qershorit.

Votimi për këtë projektligj u shty për në seancën e radhës, me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDK-së, pasi s’do mund të kishte vota të mjaftueshme për miratim, meqë grupi parlamentar i subjektit politik më të madh opozitar, Lëvizjes Vetëvendosje, paralajmëroi abstenim. 

Linja Hekurudhore 10 është 148 kilometërshe nga Hani i Elezit, kufiri jugor me Maqedoninë, deri në Leshak, kufiri verior me Serbinë, duke kaluar nëpër Fushë Kosovë e Mitrovicë, ndërsa është e rëndësishme edhe për rajonin. 

Kuvendi i Kosovës në seancën plenare në 16 qershor do të shqyrtojë një varg projektligjesh dhe raportesh, me axhendën e përcaktuar nga

Kryesia në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare.

Në fillimjavë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim lamtumirës shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Gabriele Meucci, të cilin e falënderoi për angazhimin dhe kontributin e tij gjatë misionit, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës në avancimin e proceseve, gjatë kësaj periudhe.

 Shefi i deritashëm i EULEX-it,  Meucci, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke e falënderuar kryeministrin Mustafa për bashkëpunimin e ofruar.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, në axhendë, ratifikimi për EULEX-in

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2721
  • 2722
  • 2723
  • 2724
  • 2725
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT