• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Femra shqiptare, filmi dokumentar dhe realiteti i sotëm

May 11, 2016 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI/

Jemi pak a shumë të ndërgjegjshëm që shoqëria shqiptare është akoma e zhytur brenda një koncepti tepër të prapambetur kundrejt femrave. Ja p.sh, t’ia fillojmë nga lidhja martesore. Martesa përbën një lidhje shpirtërore, ndjesore dhe shoqërore, në të cilën të dy palët pranojnë të ndajnë dhe të gëzojnë në mënyrë të barabartë gjithçka, gjë e cila në Shqipëri akoma mbetet vetëm si ide në shumicën e rasteve. Thonë që burri është koka e shtëpisë dhe gruaja qafa, por, për fat të keq, në një familje tipike tradicionale shqiptare, burri është kokë dhe qafë bashkë. Gruaja është pa mendim ndaj asgjëje, e lehtë si pupla në erë. Në disa zona rurale, ku ende sundon ende psikologjia e Kanunit, gruaja konsiderohet si pronë e burrit. Ai ka lirinë e veprimit, të fjalës, të mendimit. Ai programon dhe marrëdhëniet seksuale. Gruaja është thjesht e detyruar të plotësojë çdo oreks dhe dëshirë të tij, si një marionetë e drunjtë, pa ndjenja…E kanë pakëz në gen femrat grindjen, pakënaqësinë në përgjithësi për gjithçka, ku për to fajin e kanë të gjithë dhe në veçanti burrat. Por mos e kanë tepruar pak, duke ia hedhur fajin shoqërisë apo burrave?! Mos vetë femra shqiptare ka faj për këtë ndrydhje dhe mbizotërim sjelljesh maskiliste brenda shoqërisë tipike shqiptare? Besimi në vetvete është një armë e fortë mbrojtëse për një femër. Nëse një femër është e pajisur me këtë armë të fortë, atëherë mund të ndryshoj gjithçka. Si mundet ta gjejë këtë armë? Është fare e thjeshtë… Jeta është aritmetike Olimbi, -i drejtohej Nikolaqi te “Karnavalet” e famshme të Korçës bashkëshortes. Le të zhvillojmë veprimin e mëposhtëm aritmetik, që mund t’ia drejtoj vetes çdo femër: “Ajo çka mendoj se jam…Doket dhe zakonet e pandryshueshme… Zakonet e dëmshme të mijat… Urdhrat që marr prej shoqërisë… Gjërat e kushtëzuara që duhet t’i zbatoj me doemos…Shuma e ndikimeve ndaj meje…Boshllëku i krijuar nga çka refuzoj, duke zbatuar me përpikëri çdo rregull shoqëror…” Duke bërë shumën e mbledhjes, pa pasur nevojë të bëjmë provë ta vërtetojmë… do marrin si rezultat “pasaportën” e tyre. Dhe, duke qenë tashmë me identitet, gjithsecila nga femrat mund të ndihet e lirë (sipas normave) në çdo çast, përtej ngushtësive të ambientit shqiptar… e lirë jo siç ndihet vetë, por siç e kërkojnë normat…e lirë të gjejë sjelljen dhe reagimin në orën e duhur. E lirë të jetë e pa parashikueshme, pa u ndjerë fajtore ndaj çdo gjëje skeptike që e rrethon dhe ndaj çdokujt, pa frikën se mund të shkaktoj pakënaqësi apo deziluzion. Nuk janë të pakta femrat sot ;politikane, moderator, spikere, deputete, ministre apo drejtuese biznesesh. Por ajo që do veçoj është femra regjisore dhe gazetare. Ka shumë femra të tilla që kanë bërë emër dhe për çdo ditë përcjellin emrin dhe personalitetin e vërtetë të femrës sot. Ka shumë që janë regjisore apo skenariste filmash dokumentarë që kanë marr çmime apo vlerësime edhe në shumë aktivitete ndërkombëtare. Përpos kësaj, shumë prej tyre janë drejtuese të organizmave apo shoqatave femërore që përcjellin zërin e vërtetë të femrës shqiptare kudo në botë. Sot do të veçojmë tre prej tyre, Donika Mustafaj, Tefta Radi dhe Elsa Xhai, si regjisore dhe skenariste filmash dokumentarë dhe si gazetare dhe drejtuese shoqatash për të drejtat e grave (aktiviste) . Pyetja për forum është rreth rolit të femrës si regjisore apo skenariste në filmat dokumentarë dhe këndvështrimi i tyre për tematikat e këtyre filmave.

Tefta Radi, regjisore

Kjo gjini e filmit kishte kohë që flinte brenda meje, por ndoshta duhej koha fizike, duhej koha e bollshme, si dhe një pjekuri gazetarske që të futesha në këtë autostradë të re sa të bukur, po aq dhe të vështirë. Dokumentari është një gjini që kërkon vëmendje, kërkon hulumtime, biseda, arkiva. Dokumentari mbështetet mbi dëshmi autentike, në rrëfimet e personave që kanë pasur kontakte me personazhin (apo njohin mirë vendin apo fenomenin) por gjithashtu pasqyron jetën, veprën dhe virtytet njerëzore që ka pasur ai. Vetëm pas një pune hulumtuese, tek dokumentari përcillen dhe vijnë edhe fakte te reja e te panjohura më parë për personazhin (vendin apo fenomenin social). Të gjitha së bashku zbulojnë personazhin. Figura e çdo personazhi (vendi apo fenomeni social) vjen në dokumentar si një qenie e madhe sociale, me gjenialitetin e mendjes, të rezultateve, arritjeve, dështimeve, përpjekjeve, ku hidhet dritë dhe mbi historitë e dhimbjes e të dashurisë. P.sh, arsyet që më shtyn të bëjë një dokumentar për Migjeni janë të shumta, pasi e kam adhuruar Migjenin në krijimtarinë e tij (krijues për dhimbjen njerëzore), por e kam pasur dhe burim mirënjohjeje, pasi njerëz nga familja Radi kanë punuar me Migjenin në Pukë. Nga ana tjetër, personalisht kam punuar disa vite në Pukë (ku kam shumë kujtime), ku kam hulumtuar rreth tij dhe mbi të gjitha kam pasur fatin të njihem më nxënësit e tij, që mbeten dëshmitarët e fundit të viteve 1930, të cilët si askush më sollën afër shumë detaje jetësore që nuk mund ti gjeje veçse tek ata Një film tjetër… Im’Zot Vinçenc Prennushi. Një prej figurave të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, Im’Zot Vinçenc Prennushi është prelati më i lartë dhe i fundit i fesë katolike në Shqipëri, deri më 1949 kur ai vdes nën tortura të tmerrshme të diktaturës komuniste, në burgun e Durrësit, në duart e Arshi Pipës ndërsa emri i tij ka shkuar edhe në Vatikan për t’u lumturuar. Për realizimin e tij, u jam referuar dëshmive autentike dhe dokumenteve të shumta arkivore. Dokumentari është shumë aktual dhe paraqet histori e materiale të pa dokumentuara më parë. Parë në këtë kontekst dua të them se filmi dokumentar ka një vend të veçantë në këtë gjini krijuese, por ai nuk po vlerësohet. Tematikat për shkak të financimit të dobët janë rrudhur. Kjo bën që të bjerë dhe cilësia. Çdo film ka parametrat e vetë me të cilët duhet të paraqitet, por për shumë shkaqe objektive dhe subjektive (të cilat i bëmë prezent) kjo gjini filmi nuk merr vlerësimet dhe përmasat e duhura. Defekte që nuk po zvogëlohen me kohën….

Donika Mustafaj, regjisore

Dokumentari ka fituar sot në botë një vlerësim të ri, qoftë për publikun, ashtu edhe nga kritika e specializuar. Sa për të dhënë një shembull, le të kujtojmë dokumentarin e Al Gore, i cili i shfaqur në kinema, ka tërhequr një rekord të jashtëzakonshëm shikuesish, duke tejkaluar edhe filmat më të suksesshëm të Hollivudit. Po ashtu, në festivalin më të famshëm të kinemasë, që është festivali i Kanës, para pak vitesh palmën e artë e mori një film dokumentar. Kjo do të thotë se edhe vetë dokumentari është zhvilluar për t’ju përgjigjur pritjes së publikut, është pasuruar me mjete shprehëse, është bërë më artistik. Do të thosha, me keqardhje, se dokumentari shqiptar nuk i ka ndjekur dot këto ritme zhvillimi. Por, tendencën e ka drejt modernes. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dokumentari tek ne vuan, ashtu si edhe filmi, nga mungesa e financimeve për projekte serioze. Sepse edhe prodhimi i një dokumentari të mirë ka kosto të konsiderueshme. Megjithëse, krahasuar me filmin artistik, dokumentari sot ka mundësi më të madhe, në sajë të rritjes së disa televizioneve private, të cilat, krahas TVSH-së, po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi prodhimit të mirëfilltë të dokumentarëve. Një defekt, që më duket me vend ta theksoj në këtë rast, qëndron te një disbalancë midis temave historike, apo atyre kushtuar personaliteteve të ndryshme dhe temave sociale. Duket sikur autorët i kanë më për zemër temat historike apo dokumentaret portrete, dhe shpërfillin temat sociale, që do e afronin dokumentarin më pranë problematikës, me të cilën përballet sot shoqëria jonë. Entet financiare të projekteve mund të shërbejnë edhe si orientuese të prodhimit dokumentaresk. Brenda komisionit të vlerësimit dhe miratimit të projekteve ka personalitete, që e kuptojnë shumë mirë rëndësinë e temave të ofruara. Dokumentari te ne vuan gjithashtu nga jetë shkurtësia. Ai shfaqet njëherë në televizion kur prodhohet dhe me aq vdes. Puna e madhe dhe shumë e lodhshme e ekipit realizues gjatë shumë muajve, mbetet kështu e pashpërblyer, gjë që i dëmton krijuesit. Po ashtu, me vetëm një shfaqje, dhe ajo jo në orët më të shikueshme, dokumentari humbet mundësinë për t’iu nënshtruar një gjykimi të vërtetë të publikut. Kjo bën që autorit, të cilët i kanë kushtuar jetën dokumentarit, mbeten më së shpeshti anonimë, pa marrë respektin e dëshiruar të publikut. Sot numri i grave të përkushtuara ndaj filmit dokumentar është rritur si kurrë më parë. Por edhe vepra e tyre vuan nga të njëjtat mangësi si edhe gjithë prodhimi ynë dokumentaresk.

Elsa Xhai, gazetare, skenariste

Roli i femrave regjisore apo skenariste të filmave dokumentarë ka ardhur në rritje. Por nuk duhet të anashkalojmë një fakt, që ato kanë qenë prezentë edhe në regjimin komunist, po aq sa dhe sot. Në ambientet e Radio Tirana kam pasur fatin të njoh shumë regjisore femra të cilat edhe sot kujtohen me shumë respekt. Mbi të gjitha veçohet Xhanfise Keko një personalitet i padiskutueshëm i regjisë shqiptare si i filmit dokumentar po ashtu dhe i filmit artistik. Personaliteti i saj, përgatitja e saj, vizioni i saj bënte që të krahasohej me çdo regjisor mashkull. Nuk mund të harrohen titujt e filmave “Kryengritje në pallat”, “Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Beni ecën vetë”, “Tingujt e luftës”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Partizani i vogël Velo”, “Kur xhirohej një film”, “Një vonesë e vogël” dhe “Taulanti kërkon një motër” na lidhin të gjithëve pazgjidhshmërisht me këtë emër të madh që ka bërë epokë. Por nuk do lë pa përmendur edhe skenaristen e filmave dokumentarë Angjelina Xharo. emër i njohur dhe në botën televizive dhe për të ardhur tek Tefta Radi dhe Donika Musraja dy realizuese të shkëlqyera të filmit dokumentar. Pra filmi si gjini ka vështirësitë e saj, por formimi, bota e brendshme e femrës, karakteri i fortë, dëshira për ti kapur në rrënjë problemet, eksperienca në media, ka bërë dhe bën që femrat si regjisore, skenariste të jenë po aq të suksesshme sa dhe burrat. Brenda tyre është një botë shpirtërore e pasur, që vetëm ato dinë ta përcjellin natyrshëm dhe bukur në art.

*Ne Foto:Donika Mustafaj, regjisore

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Zh Zholi, dhe realiteti i sotëm, FEMRA SHQIPTARE, filmi dokumentar

Kosovë-Kroaci, marrëveshje për bashkëpunim kulturor

May 11, 2016 by dgreca

-Marrëveshja e nënshkruar në Zagreb përfshinë edhe bashkëpunimin në fushën e pakicave kombëtare dhe pronësisë intelektuale/PRISHTINË, 11 Maj 2016-B.Jashari/ Ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Bashkëpunimit Kulturor ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Kroacisë. Marrëveshja është nënshkruar në Zagreb ndërmjet ministri Kujtim Shala dhe atij të Kroacisë, Zlatko Hasanbegović.

 Njoftimi i dërguar thekson se, ministri Shala dhe ai kroat Hasanbegović biseduan për një varg çështjesh të interesit të përbashkët, si dhe për nevojën e rritjes të bashkëpunimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë. Shala dhe Hasanbegović u shprehën se Kosova dhe Kroacia kanë pasur bashkëpunim të vazhdueshëm kulturor, por kjo marrëveshje e sotme e natyrës politike, këtij bashkëpunimi i jep dimension tjetër, sepse raportet ndërmjet këtyre dy shteteve rregullohen dhe marrin karakter shtetëror. Po ashtu, Shala e Hasanbegović nënvizuan se kjo marrëveshje protokolare i rregullon raportet në fushën e kulturës dhe do të pasohet me bashkëpunim konkret ndërmjet institucioneve të kulturës së dy vendeve.Ministri Shala dhe Hasanbegović e vlerësuan këtë marrëveshje si tejet të rëndësishme për thellimin e raporteve bilaterale mes Kosovës dhe Kroacisë, të cilët janë domethënëse dhe i kontribuojnë paqes dhe stabilitet në rajon, meqë Kosova dhe Kroacia kanë raporte historike, që domethënë raporte politike e kulturore.Me këtë rast, ministri Shala u shpreh se kultura ndikon drejtpërdrejtë në afrimin e popujve, ndaj kërkohet që t’i kushtohet vëmendje e veçantë. Ai më tej shtoi se kjo marrëveshje është bazë e mirë për një prezencë më të madhe të Kroacisë në Kosovë dhe anasjelltas, dhe shtoi se kjo praktikë, duhet të vazhdohet edhe në fusha tjera.Më tej ministri Shala u shpreh se kjo marrëveshje e natyrës politike krijon kushte të volitshme që të konkretizohet me nisma dhe aktivitete të përbashkëta në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore, librit, muzeut dhe sferave tjera të artit.Shala ndër të tjera tha se Kosova i është mirënjohëse shtetit kroat për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë, e cila vazhdon me të njëjtin intensitet edhe tani.Marrëveshja e Bashkëpunimit Kulturor e cila është nënshkruar sot synon të zgjerojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve nacionale në fushën e kulturës, përmes aktiviteteve që kontribuojnë në njohjen më të mirë të dy vendeve, përmes respektimit të të drejtave dhe detyrimeve të përfshira në traktatet ndërkombëtare.Kjo marrëveshje bashkëpunimi, po ashtu specifikon temat dhe fushat e interesit të përbashkët, në ngjarje kulturore, në fushën e arteve pamore, në muze e galeri, pastaj në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për arkivat kombëtare, bibliotekat, si dhe thellimin e formave të bashkëpunimit në fushën e letërsisë, muzikës, arteve skenike, shtëpive botuese, filmit, etj. Marrëveshja përfshinë edhe bashkëpunimin në fushën e pakicave kombëtare dhe pronësisë intelektuale.

Filed Under: Rajon Tagged With: bashkëpunim kulturor, Kosovë-Kroaci, marrëveshje për

KOALICIONI I PRONARËVE SHQIPTARË, LETER PUBLIKE MINISTRIT MANJANI

May 11, 2016 by dgreca

KOALICIONI I PRONARËVE SHQIPTARË/

Tiranë, me 10.05.2016/

LETER PUBLIKE DREJTUAR: Z. YLLI MANJANI – MINISTER I DREJTESISE/

Z. Manjani !

 Jo vetëm sot në ditën e drejtësisë, por edhe ne raste të tjera, ju kemi dëgjuar të flisni për drejtësinë, për padrejtësinë për teorinë dhe filozofinë e jurisprudencës etj. Na keni përlqyer dhe mendojmë se keni “brumë”. Por na ngacmon një shprehje popullore që thotë: “… me sa dëgjojmë, lum si ne; me çfarë shikojmë, mjer ne …”.

A mendoni vërtetë se populli i ha goricat e papjekura që këpusni ju për drejtësinë ?

Ju, sapo u kthyet nga Strasburgu (bëtë dhe fotografi me titullarin e Gjykatës Ndërkombëtare), ku shkuat të shisni si drejtësi një ligj për pronat, ligj i cili turpëron edhe fillestarët e drejtësisë !

Ju po kryeni një mision të turpshëm të injorimit të drejtësisë shqiptare para Botës.

Ju po shpenzoni paratë e popullit nëpër Botë, me mision për të mbjellë padrejtësinë, njëlloj si pararendësi juaj.

Ju po turpëroni veten, Qeverinë dhe popullin shqiptar, duke reklamuar padrejtësinë si drejtësi!

Ju po konfirmoni veten tuaj si Ministër i padrejtësisë.

Të ishim në vendin tuaj, nuk do pranonim që politika të na tërhiqte për hunde  .

Nëqoftëse mendoni se ne po ju rëndojmë pa të drejtë, ju sfidoj në një përballje të hapur mediatike, kur dhe ku të dëshironi ju.

Do ishte në nderin tuaj të mbroni bindjet tuaja juridike.

Në pritje të përgjigjes tuaj.

Për kryesinë e Koalicionit të Pronarëve Shqiptarë

AXHEM IMERAJ

Filed Under: Komente Tagged With: KOALICIONI I PRONARËVE SHQIPTARË, leter publike, MINISTRIT MANJANI

FIGURAT HISTORIKE TË DEBATUESHME NË NJË KËNDVËSHTRIMIN HISTORIK

May 11, 2016 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/
 1.Kjo është vërejtje e famshme e Bonapartit, që thotë: “Historia është një grup i gënjeshtrave, që njerëzit kanë rënë dakord”, ka pak dyshim se mitet, keqkuptimet dhe trillimet të drejta, të plota shpesh janë formuar për të  kuptuar  të kaluarën tonë. Në disa raste, këto legjenda janë rrënjosur,aq  sa errësojnë faktet aktuale të jetës së një figure historike. Në këtë hulli mund të quhet se ka ecur krijuesi Luan Cipi me një botim të fundit, duke u përpjekur të shpërbëjë mjegullnajën, që rrethon mjaftë prej figurave historike  të debatueshme .
Luan Cipi është një ,krijues  cilësor   me 10 botime brenda disa vjetësh  duke përfshirë disa gjini të ndryshme.“Urtësi,trimëri,por dhe humor e shaka vlonjate”,është botimi më i fundit i Luan Cipit.
Që analistët sasiore janë gjetur shpejtë  në “shtëpinë e tyre” dhe pikërisht   në disa fusha si:ekonomi,sociale dhe kulturore,mirëpo  në lidhje me historinë çfarë sjellin  me analizat  e tyre  sasiore ?Çfarë përmbajnë renditja dhe krahasimi me  reputacion historik  duke vlerësuar  çdo  figurë historike, duke  sjell gjurmët e  shumë njerëzve më të rëndësishme të historisë  së një qyteti  në shkencë, politikë, argëtim, dhe në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore.
 Nuk ka mënyrë më të mirë për të kuptuar ngjarjet në të kaluarën e tyre  se sa duke shqyrtuar burimet  si:revista, artikuj, letra, të artit, muzikës apo autobiografi  të lëna në dorëshkrim. Për të analizuar një burim primar autorit i është duhur  informacioni në lidhje me dy gjëra:faktin që mund të jetë dokument ,ky pra që grish mjegullën dhe kohërat për tu zbardhuar drejt  dhe epokën nga e cila ajo vjen.
 Nëse  e gjykojmë në këtë prizëm  edhe librin e fundit të autorit L.Cipi gjejmë të analizuar disa figura historike të qytetit të Flamurit, por edhe të vendlindjes së autorit . Disa prej tyre figurave të sjell në këtë botim janë shkruar si skica,portrete,analizë, reflektim, ese, homazh deri te shakat vlonjate  ose ka sjellë  dorëshkrime origjinale :Luftëtarët e lirisë,kujtoj Cerciz Topullin një dorëshkrim interesant, që vlen të  shikohet me interes nga historianët. Osman Haxhiu legjendar ,një portret  i bazuar fakte të reja .Bahri Omari nderi i kombit….Dr Omer Nishani,që ishte 8 vjet President. Sejfulla Malëshovën si e shoh sot,që është një reflektim. Lame Kodra dhe bota e re .Një analizë ë kushtuar figurës Ago Shero Agaj që ka mbetur ende midis dritëhijeve. Një portret, kushtuar inxhinierit, që studio dhe mori medalje të artë në Vjenës,por u  u pushkatua për kënetën e Maliqit:”Martiri Kujtim Beqiri na thërret një homazh.
 Spiro Koleka një atdhetar i shquar etj . Po shqyrtojmë vetëm dy momente të këtij botimi.  “Luftëtarët e lirisë”, nga Epopeja e Mashkullores  bazuar në dorëshkrimin e të atit të autorit Kaman Bektash Cipi,  është një rrëfim  interesant, që vjen për herë të parë  i zbardhur ,që duhet studiuar ,që duhet të merret  në konsideratë nga historianët e kësaj periudhe për ta pasuruar këtë epope dhe këtë periudhë.
 Duke analizuar, natyrën fizike të burimit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme  sepse kemi të bëjmë me një burim origjinal,d.m.th, një letër të vërtetë të  vjetër, dorëshkrimi i autorit Kaman Cipit ,bazohet në të  dhënat  e tij, që përfshinë harkun kohor kur ka ndodhur ngjarja. Autori  i dorëshkrimit përcjell historian e një prej betejave të zhvilluara në jug  kundër otomanëve, që nisën fillimisht me aksionin e vrasjes së majorit Halil Musa Beu komandant i xhandarmërisë në Gjirokastër dhe më tej  me “ Epopenë e Mashkullorës” ,të  18 mars 1908 ,pra ngjarje që ndodhën 4 vite  para pavarësisë kombëtare  .Për betejën e Mashkullores  ka pasur edhe më parë rajvizime historike me dokumente të kësaj ngjarje sidomos në periudhën 1920-44 dhe 50-90. Nëse kjo ndodhte ishte një arsye, regjimi u vinte detyrë institucioneve për të zbardhur  ngjarjet dhe periudhat e ndryshme historike  si dhe duke i përdorur ato. Janë sjellë dokumente, por dorëshkrimet origjinale janë të pakta, një ndër to është edhe dorëshkrimi origjinal i Kaman Cipit, për ngjarjen e Mashkullores, dëshmitë e tjera janë të mbështetura më tepër në librin e M.Gramenos           dhe më rrallë në botime të tjera.
Cili ishte mesazhi i autorit, ose argumenti? Zbardhja e një periudhe historike e një prej betejave në jug të vendit kundër pushtuesit otomanë. A mund të vlerësojmë burimin si dëshmi historike? Sigurisht duhet vlerësuar ,vetë autori i tij Kaman Cipi jo vetëm, që është nga Gjirokastra, por ai ka jetuar në këtë periudhë kur janë zhvilluar ngjarjet.
Një personazh tjetër historik i mbuluar më tepër nga misteri dhe zbardhur pak për të cilin shkruan autori, është figura e Ago Sherro Agaj,që ishte dikush sipas autorit.
Në fillim autori i këtij botimi , L.Cipi thotë me sinqeritetin  e tij. Nuk është fjala për të rehabilituar çdo kolaboracionist ,por për të shpjeguar jetën e gjithkujt, që duke rrojtur dhe madje edhe veprimtarinë atdhetare të dobishme dhe pse gaboi diku nuk mund ti shuash krejt veprimtarin   e tij dhe ti asgjësosh anët e mira duke e dënuar me heshtje e deri në mohim pa e gjykuar dhe analizuar. Pasi flet për vit-lindjen dhe arsimin e tij Ago,Agaj është ndër studentët shqiptarë që ka studiuar  në Austri,autori ndalet te punësimi dhe zgjedhja e tij si prefekt i Mitrovicës,me votë të lirë pas shumë sprovave Agaj bëhet prefekt i Mitrovicës,gjatë periudhës së luftës së dytë botërore.
 Dy çaste, që mrekullojnë nga qëndrimi atdhetar i A.Agaj në Mitrovicë.
28 nëntori i vitit 1941. Sipas autorit të këtij portreti L.Cipi, në këtë ditë historike, për të gjithë shqiptarët  dolën sheshit për të kremtuar ditën historike veshur me kostume kombëtare  të zbukuruar me ar e gurë të çmuar.
Rasti tjetër, ka të bëjë me detyrën e tij si prefekt. Komanda gjermane  kishte marrë vendim të burgoste gjithë hebrenjtë dhe jevgjit ,shkruan autori L.Cipi. Mirëpo në Mitrovicë nuk kishte shumë familje hebreje,por kishte rreth 4 mijë familje jevgjish ,
i quanin gabelë. Ata flisnin shqip dhe mbanin anën e shqiptarëve. Prefekti Agaj u shpjegoi gjermanëve se jevgjit ishin me orgjinë egjiptiane,kurse ciganët ishin me prejardhje nga India. A u bindë komanda gjermane,sigurisht që jo. Me anë të Vehbi Frashërit  u gjet libri i F.Novak që kishte studiuar racat dhe popullsinë  e tyre. Kjo ndërhyrje e prefektit shpëtoi 4 mijë jetë njerëzore,nga rrëzimi definitiv ,vdekja nga plumbi ose mbytja me gaz, që praktikonin nazistët gjatë periudhës së luftës së dytë botërore.Shkëputëm vetëm dy raste nga libri i fundit i publicistit Luan Cipi.
2. Struktura e librit është organizuar me mjeshtëri nga autori .Janë kapitujt e organizuar në mënyrë kronologjike, tematike nga grupi i aktorëve historike, nga të përgjithshme në të veçanta, ose në ndonjë mënyrë tjetër? Autori Luan Cipi, tregon edhe në botimin e fundit se është një mjeshtër i  vërtetë  i penës  ,një njohës i mirë fakteve dhe dëshmive historike, ai rrëfen  në gjuhën e thjeshtë të pangarkuar shkurtimisht, tregime historike ose përmbajtjen, por  gjithmonë i përqendruar në argumentin historik duke u bërë dhe se si në mënyrë efektive, autori e ka mbështetur këtë argument me prova historike. Si në lidhje me burimet dytësore? A ka një ose më shumë libra të mesme që autori duket të duhet të jetë  konsultuar shumë në mbështetje të argumentit?Them se autori L.Cipi ka studiuar shumë autorë, që kanë nxjerr në dritë  këto figura historike  për të cilat shkruan edhe Luan Kaman Cipi në përmbledhjen:” .“Urtësi,trimëri,por dhe humor e shaka vlonjate”.

Filed Under: LETERSI Tagged With: FIGURAT HISTORIKE TË DEBATUESHME, Gezim Llojdia, historik, Luan Cipi, NË NJË KËNDVËSHTRIMIN

Emigracioni politik Shqiptar

May 11, 2016 by dgreca

*“I vetmi gabim i tyre ( i nacionalistëve intelektualë shqiptarë të përgatitur në perëndim IB.)ishte rreshtimi në krahun e gabuar të Luftës së Madhe dhe bindja e tyre se situata  në Shqipëri do të ishte në favorin e tyre në pak kohë. Por të Mëdhënjëve nuk u interesoi Shqipëria e vogël, e neglizhuan atë

*…Forca intelektuale nacionaliste mbetën pa përkrahje. E vetmja rrugë që u mbeti ishte largimi, sipas tyre i përkohshëm, nga atdheu. Të tjerët “veshën opingat”e iu qepën maleve/

Shkruan: Ismet Balaj*/

 Ky është libri i parë që trajton në mënyrë të posaçme temen e emigracionit politik  shqiptar të dhjetëvjetshit të parë pas Luftës së Dytë Botërore Antifashiste…(1939-1945). Mbasi bën një hyrje të shkurtër për të spjeguar emigracionin si proces  shoqëror e historik, e shtjellon këtë fenomen për një kohë të kufizuar (1944-1955), kohë e cila është më e rëndësishmja në gjithë përiudhën 1944-1990 për sa I përket mërgatës. Kjo temë trajtohet  duke i  vendosur ngjarjet dhe protoganistët në kushte e rrthana të caktuara historike.
Autorja përcakton  shkakun e këtij emigracioni politik. “I vetmi gabim i tyre ( i nacionalistëve intelektualë shqiptarë të përgatitur në përëndim IB.)ishte rreshtimi në krahun e gabuar të Luftës së Madhe dhe bindja e tyre se situata  në Shqipëri do të ishte në favorin e tyre në pak kohë. Por të Mëdhënjëve nuk u interesoi Shqipëria e vogël, e neglizhuan atë , deri në momentin që e kuptuan se kishin një satelit sovjetik që do t`u hapte shumë probleme nderkombëtarëve”. (faqe 21) Ishte ky rreshtim i gabuar që i çoi britanikët, që kishin qëllim kryesor luftën kundra fashizmit, në konkluzionin se e vetmja forcë që luftonte nazistët në Shqipëri ishin komunistët, prandaj edhe Çhurcilli theksonte në gusht të vitit 1944“…politika jonë duhet të pranojë … një qeverie të FNC-së dhe …të forcojmë lidhjet tona me të, që të kundërpeshojmë ndikimin rus”Faqe 25). Ky qëndrim i dha dorë të fuqishme FNC-së që të luftonte njëkohësisht kundra nazistëve dhe gjithë forcave të tjera vendase që nuk po e pranonin pushtetin e këtij fronti. Këto forca intelektuale nacionaliste mbetën pa përkrahje. E vetmja rrugë që u mbeti forcave nacionaliste ishte largimi, sipas tyre i përkohshëm, nga atdheu. Të tjerët “veshën opingat”e iu qepën maleve.
Në përiudhën e parë 1944-1949 pasqyrohet largimi nga Shqipëria i ajkës së intelektualëve-nacionalistë  shqiptarë të përgatitur në përëndim në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kryesisht u vendosën në Itali, Greqi, më vonë në Jugosllavi (pas vitit 1948), në Turqi, Egjipt, Francë dhe SHBA (fq 27). Sipas Nikolla Bethel,”Tradhëtia e madhe” Tiranë, 1993 fq.47 “…kishte mijëra shqiptarë në kampet e refugjatëve në Itali …”(fq.27 të librit :”Emigracioni…”).Ata u përpoqen  që të organizoheshin dhe me veprime luftarake, të ktheheshin në atdhe, të vendosnin një rend demokratik të tipit të Demokracive të Mëdha si Angli, SHBA, Francë e tj.duke  përmbysur rendin e vendosur pas luftës.
Problemi i parë që shtrohej para tyre ishte bashkimi i tyre në bazë të një programi. Ky bashkim nuk u arrit mënjëherë, mbasi ishin me pikëpamje të ndryshme për të ardhmën e regjimit në Shqipëri. Një grup synonte kthimin e mbretit Zog, pra të një rendi monarkist me kushtetutë të vitit 1928. Këtë pikëpamje e mbronin Legalistët, të cilët i përkrahte edhe Mbreti Zog që ishte në mërgim i strehuar  në Egjypt, ku ndodhej mbreti i Egjiptit me origjinë shqiptare, Farruku. Mbreti Zog pranoi edhe çdo bashkim të këtyre forcave, por duke ruajtur të drejtën e Fronit Mbretëror. Grupe të tjera ishin për regjim republikan, sidomos Balli Kombëtar. Pikëpamjet e ndryshme  të mërgatës sollën  krijimin e 10  partive politike me programe të veçanta; veç këtyre kishte edhe disa grupe të vogla, që kryesoheshin prej figurash të njohura me peshë politike në emigracion. Kështu u krijuan  “Partia Balli Kombëtar”,”Blloku Independent”,”Lëvizja e Legalitetit (Monarkistët”, “Partia Agrare Demokratike”,”Komiteti Shqipëria e Lirë”,”Lidhja Kosovare”,”Lidhja e Dytë e Prizrenit”,”Partia e Katundarëve”,, Organizata “Vatra”,”Organizata Shqipëria e Lirë” e  të tjera.
Prej faqes 24 deri në faqen 150 autorja bën analizë të hollësishme dhe të argumentuar mirë secilës parti me programet e tyre dhe veprimet për bashkim; qëndrimet që mban çdonjëra prej tyre; mendimet dhe përpjekja  e mbretit Zog për unifikimin e gjithë mergatës me qëllim që të gjendej një rrugë e përbashkët për aksione kundër pushtetit popullor në Shqipëri. Njëkohësisht analizohet edhe puna që bëjnë fuqitë e Mëdha: SHBA, Angli, Francë, por edhe Italia, Greqia dhe Jugosllavia,(kjo e fundit sidomos pas vitit 1949). Është një analizë reale e gjendjes konkrete në rrethana  historike të caktuara.Të gjitha partitë, por edhe individë të veçantë jashtë partive kishin  një synim: Përmbysjen e regjimit në Shqipëri dhe vendosjen e një rendi demokratik, por ndaheshin  nga njëri-tjetri për fazën e dytë: Çfarë regjimi do të vendosej pasi të kryhej përmbysja. Mbreti Zog dhe Legalistët ishin për kthimin e mbretit në Fronin e humbur më 1939, fron të cilin nuk ia hoqi populli, por pushtuesi. Balli Kombëtar me Mit`hat Frashërin në krye ishte për bashkimin e të gjitha forcave, por me kusht që në Shqipëri të vendosej një sistem republikan. Kjo ishte ndarja më e madhe. Mit`hat Frashëri, jo vetëm nuk arriti bashkim e mergatës, por vet partia e tij u nda në dy partiza të vogla, duke dhënë kështu një shëmbull të keq për bashkimin e të tjerëve. Megjithë këtë, për të pasur një program të njësuar, u bënë një serë takimesh me krerët e partive që ndodheshin në shtete të ndryshme të Europës, SHBA-së dhe në Egjipt.
 Ekspertët e Shteteve të  Bashkuara,të  Anglisë dhe të  Francës ndoqën me vëmëndje gjendjen e mërgatës. Ata arriten  në përfundimin se duhej krijuar një grupim politik i forcave pa dallime në një komitet. Ky grupim  do të ishte një qeveri e përkohshme që u formua me 26 gusht 1949 në Paris. Qëndra e tij u vendos në Njujork të SHBA-së. Ky komitet vazhdoi misionin e tij deri me ndryshimet politike më Shqipëri dhe në gjithë vendet e ish Bllokut komunist në fillim të viteve nëntëdhjetë. Kryetar i këtij Komiteti u zgjodh Mit`hat Frashëri, i cili vdiq në tetor të vitit 1949.Më pas  Hasan Dosti u zodh kryetar.Pikërisht ky komitet  do të drejtonte gjithë aktivitetin e mërgatës për zhvillime diversioniste me qëllim destabilizimin e gjëndjes në Shqipëri.
Problemi i dytë ishte veprimtaria aktive për realizimin e programit, siç ishte nxitja e revoltës së përgjithshme në Shqipëri për përmbysjen e regjimit aktual; ruajtja e terësisë tokësore, e cila rrezikohej nga fqinjët; ndihma që do t`u jepnin fqinjëve që edhe ato të vendosinin një rend demokratik të tipit përëndimor. Realizimit të këtyre qëllimeve u kishte shërbyer edhe partia e Bllokut Kombëtar Independent që ishte formuar më 1946 me Mark Gjon Markun, Qazim Mulletin, Ekrem Vlora e të tjerë proitalian me qëndër në Itali. Kjo parti kishte hedhur disa grupe desantësh nga ajri në zonat Mirditë dhe Pukë.
Komiteti propogandoi qëllimin dhe programin e vet nëpërmjet radios “Shqipëria e Lirë, revistave dhe gazetave të ndryshme. Qeveria e Tiranës, gjatë kësaj përiudhe, e forcoi dhe e konsolidoi pushtetin e hekurt. Sa kohë që kalonte pa veprime luftarake të përbashkëta, aq më i vështirë do të bëhej suksesi.
Në vitin 1948 pësoi ndryshime politika e qeverisë shqiptare. Ajo u orientua drejtë Bashkimit Sovjetik (Rusisë). Shtetet SHBA dhe Anglia i bënë një analizë gjëndjes në Shqipëri dhe mërgatës. Shqipëria vlerësohej si një satelit i vogël i Rusisë, pa lidhje kufitare me shtetet e bllokut sovjetik. Sidomos pas prerjës së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, u mëndua se ishte momenti më i volitshëm për ndërhyrje nga ajri,toka dhe  deti.  Emigrantët, të stërvitur në kampe në Maltë, në Mynyh të Gjermanisë, në Itali, Jugosllavi dhe në Greqi, i zbarkuan gjatë viteve 1949-1953 brënda territorit shqiptar. Këto aksione luftarake diversioniste nuk patën suksesin e pritur. Shumë prej tyre ranë në kurthin e sigurimit të shtetit shqiptar. Po kështu analizohet edhe veprimtaria e secilës nga këto shtete pjesëmarrëse për rrëzimin e Qeverisë së Tiranës. Njëkohësisht autorja portretizon disa prej aktivistëve më të shquar të mërgatës si Alush Lleshanaku, Hamit Matjani etj. Me rëndësi të veçantë janë konkluzionet. Ato tregojnë një formim të ri të autorës. Pavarësisht se është aktivizuar në politikën e ditës, mban një qëndrim të ri ndaj këtyre problemeve historike. Ajo nuk është futur në llogore as djathtas  majtas, siç janë historianët e brezit të vjetër e të mesëm, por me gjakftohtësi dhe kujdes të veçantë nxjerr gabimet e mërgatës dhe të fuqive përëndimore ndaj Shqipërisë. Ky është një shëmbull se si duhet analizuar e gjykuar ngjarjet historike. Natyrisht në këtë drejtim ka ndikuar edhe mosha e saj e re, vetëm 24 vjeç. Kuptohet se nuk e ka jetuar kohën për të cilën shkruan. Është bazuar në mëse 100 dokumente arkivore, libra, gazeta e revista dhe prej këtyre ka arritur në përfundime të logjikshme. Është një fillim i mirë dhe shpresëdhënës në rrugën e formimit të historianëve të rinj për të cilët shoqëria shqiptare ka shumë nevojë.
*Një fillim i mbarë, shpresëdhënës(Mendime për librin “Emigracioni politik shqiptar në vitet 1944-1955”, autore Mr.sc Leonora Laçi)/

Filed Under: Mergata Tagged With: " EMIGRACIONI POLITIK SHQIPTAR, Ismet Balaj, Leonora Laci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2828
  • 2829
  • 2830
  • 2831
  • 2832
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT