• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JETA

December 7, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Vdekja është fjalë e rëndë, ndjell lloj lloj mendimesh, por duhet thënë se duhet përmendur, edhe kur s’ndodh, është mësim i fundit  jetës. Si një udhëtim, kur anija është në spirancë, nëse shkon në breg për të marrë ujë, mund të zbavitesh duke mbledhur guacka ose gjëra të tjera, por mendimet dhe vemendja duhet të jenë drejt anijes, se po të thërrasë kapiteni, duhet t’i lësh të gjitha, që të mos kesh nevojë të mbartin si dele; po kështu në jetë, në vend të guackave, njeriu grumbullon e çfarë s’grumbullon, në shumë gjëra bëhet i pa ngopur, nuk diskutohet; por nëse kapiteni thërret, duhet t’i lërë të gjitha, të vrapojë drejt anijes, dhe të mos shikojë prapa. Nëse është plak, të mos shkojë kurrë larg nga anija, që të mos mungojë kur ajo të niset. Pra, mos kërko që ngjarjet të ndodhin siç dëshiron; por dëshiro që të ndodhin ashtu siç ndodhin, dhe gjithmonë do të jesh në vendin e duhur në kohën e duhur.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, jeta

SOFRA E DIELLI-DITËLINDJA E AT GJERGJ FISHTËS

December 7, 2020 by dgreca

BAJAME HOXHA-ÇELIKU/

DITËLINDJA E AT GJERGJ FISHTËS/

Binjake, toskërishtja dhe gegërishtja, /

Janë dy krahët e shqipes që fluturojnë./

Më t’bukur emër s’do të kish Fishta,/

Shqiptar rrënjosur shekujsh në embrion./

Buka e kulturës e gjuhës sonë amënore,

Gegë, toskë ky komb të puthi në ballë.

Të ngriti në piedestal kjo tokë arbërore,

O At Gjergj Fishta, të bëri të gjallë!

At, të dhanë titullin e madh, dhe shtëpia, 

Plot ndere u ngrit monument kulture!

Se në çdo gur të saj gdhendej Shqipëria,

E ti kryelarti që kurrë s’u përkule!

Ajo penë e fortë mbeti shkëmb në lartësitë,

Valëvitet si flamuri ndër ne dhe sot. 

As dallg’ e furishme kur rrënonin stuhitë,

Çuditërisht penën s’ta rrëzuan dot.

At Gjergj Fishta, na le pasuri të paçmuar,

Vargje brilante plot ajër e frymë.

Na le gjerdane, thesare të pagëzuar, 

Gjuhën Gege e derdhe në himn. 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bajame Hoxha-Çeliku, Ditelindja e Fishtes

Të rikujtosh vitet e burgut komunist, vlen në çdo kohë

December 7, 2020 by dgreca

–Reflektime nga leximi i romanit të shkrimtarit Shpend Sollaku Noè “Filius Hostis ovvero Il figlio del  nemico” (“Biri i armikut”) –

Nga Nini Mano/ 

Romanin e fundit të sapobotuar nga Shpend Sollaku Noe, shkruar në gjuhën italiane “Filius Hostis ovvero Il figlio del  nemico” (“Biri i armikut”) e lexova me një frymë. Në të ka aq shumë Berat, aq episode, që brezi që u rrit në Shqipërinë komuniste i ndjeu në cdo hap, duke humbur aq shumë jetë lirie. 

Kanë kaluar 30 vjet nga rënia e shtetit komunist dhe ne, dëshmitarët e asaj periudhe të përfshirë në përditshmërinë tonë, në luftën për  jetesë, i kujtojmë shumë pak, pse jo, edhe aspak.  Dhe kështu, si padashje, jemi duke bërë gabimin e madh, sepse një histori që harrohet, rrezikon rikthimin akoma dhe më të egër të pasojave të atij sistemi, që na dëmtoi përditë e ngapak. Por ja që ka disa shkrimtarë si Shpend Sollaku Noè, që i risjellin të gjalla, të dhimbshme, që përveçse na prekin kujtesën tonë, na bën të mundur arsyetimin se çdo gabim dhe krim, jetuar aso kohe, duhet të rithuhet me zë të lartë. Historia e popullit tonë që ka kaluar në periudha të dhimbshme, pikërisht tek harresa e ka tragjizmin e vet. Kështu ka ndodhur ndër shekuj dhe nëse do të vijojë njëlloj, ripërsëritjet nuk do të vonojnë.

Romanin “Biri i armikut” po e quaj roman-ditar jete, një kronologji qytetare, sepse autori ja ka dalë të ngërthejë  fort dhe bukur copëza jete, ndjesi të asaj kohe, pasqyruar në jetë të ndryshme personazhesh. Në cdo faqe që lexoja, sikur jetoja ditët tona të asaj kohe në Berat, ku gjithcka zjente nën rrogoz, ndërsa kujtime shoqesh dhe shokësh që vuajtën, më erdhën para syve.  

Mosdhënia e një të drejte studimi në shkollën e lartë aso kohe, ishte nisja e dënimeve për atë që goditej. Për një të ri 18 vjecar, ishte nisja e periudhës së frikës, përndjekjes, revoltës dhe dënimit të pashmangshëm. Kështu ndodhi me Venetik Kazazin, personazhi kryesor në roman, rreth të cilit përsillen  fate të tjerë djemsh  e vajzash, familjet e të cilëve jetuan përndjekjet politike dhe dënimet e formave nga më të ndryshmet. Ai sistem këtë kishte qëllim: të ngulte frikën që të tulateshe, të mos ngrije zërin ndaj padrejtësive, përndryshe, dënimin e kishe mbi kokë.  

Shkrimtari Shpend Sollaku ka përfshirë shumë aspekte të asaj periudhe dhe ja ka dalë. Kronologjia e kohës përfshin rininë më të pafajshme të moshës 17-18 vjeçare, që përballet me mungesën e të drejtës për ta jetuar jetën siç i takon. Çdo përpjekje prindërore për t’ia arritur një të drejte të tillë në roman përshkruhet me shumë gjallëri faktesh mes mundjes dhe pamundjes, mes një injorance të verbër krejtësisht deri lart në Byronë Politike, deri tek udhëheqësi satrap i kohës, ku më së shumti, gjithcka varej nga humori i zgjimit në mëngjes të tij. Sado që ka dhe skena sarkazme në këtë drejtim, revolta e mungesës të së drejtës, mbizotëron teksa lexon faktet e tilla. 

Kushdo që ka provuar mosdhënien e të drejtës për studimet e larta, e ndjen në kockë atë dhimbje, që nuk ikën. Kam qëlluar në biseda me personazhe të tillë gjatë këtyre viteve, që ndonëse ja kanë dalë të bëhen të suksesshëm pas 90-tës në jetë, plagën e mosdhënies së të drejtës së studimit e kanë një plagë që pikon dhimbje shumë fort edhe sot e kësaj dite. Sepse askush nuk mund ta pranojë se dallimi mes të aftit dhe të paaftit që përfitonte shkollimin e lartë vetëm falë biografisë së “mirë” për sistemin komunist, përbën një padrejtësi që nuk harrohet. Dhe në një moshë 18 vjeçare, kushdo që e pati këtë fat, në fakt u bë më vëzhgues dhe kritik për sistemin politik, sepse gjykon cdo veprim që rëndon të ardhmen. Por përvec tyre, në roman përfshihen dhe një kategori tjetër të rinjsh, kryesisht nga familje pa anëtarë partie, të cilëve u jepej e drejta e studimit për degë që nuk i kërkonin, edhe pse mund të ishin fatlum. Por në këtë kategori futeshin dhe bij komunistësh, për të cilët sistemi i kohës kishte kategorizimet e veta, sepse jo të gjithë kishin të njëjtën devotshmëri bindjeje ndaj shtetit.  

Për vajzat që mbeteshin pa studimet e larta, puna me turne në fabrika ishte e ardhmja, ku zhgënjimet edhe nga dashuri të pamundura, shkatërronin jetët. Ndërsa për djemtë, vinin tre vitet e detyrueshme në ushtri dhe personazhit të romanit i ra t’i bënte në ishullin e Sazanit, vendi-burg i vërtetë i sigurisë së lartë. Por me dallimin që ndërsa burgjet në tokë rrethoheshin me tela, burgu i ishullit ishte rrethuar me ujra të pakapërcyeshme. Për më shumë, largësia e detyrueshme dhe e kontrollueshme nga radarët, krijonte një mbytjeje të shpirtit, gati pa u kuptuar. Kushdo që ka kryer ushtrinë aso kohe, e di mirë se ato tre vjet përbëjnë humbjen e një periudhe të shtrenjtë të jetës, ku kuptoje se duhet të përballoje një “armik imagjinar” tek mendja e sëmurë e udhëheqësit, që nuk mbrriti kurrë në prag. Por nga ana tjetër, sistemi komunist duke zgjedhur këtë lloj rruge, forcoi vëzhgimin pas jetesës dhunuese dhe arsyetimeve mes ushtarëve, që përgjithësisht vinin nga shtresat e dënuara nga politika komuniste, për një botë qesharake imagjinare, ku lufta bëhej gati me mullinjtë e erës. 

Duke lexuar këtë roman me titullin domethënës “Biri i armikut” , njeh aspekte të jetës së asaj shtrese të dënuar, ku dhimbja nuk shkëputej nga e përditshmja me aq shumë fate tragjike të personazheve të ndryshëm. Secili prej tyre përbën një histori dhimbjeje, që ngushtonte hapësirat e jetës. Sepse askush sot nuk mund ta kuptojë se si vepronte Sigurimi i shtetit me grupmoshën e 20-vjecarëve për t’i tërhequr në veprimtari spiunllëku tek shokët dhe shoqet e ngushtë. Ne që e jetuam atë kohë, pas viteve 90-të kemi mësuar aspekte të ndryshme, kur shoqja, apo shoku i klasës, kryesisht bij komunistësh, që u përfshinë në këto veprimtari, na spiunonte ne, pa ditur gjë. Ndër ta, edhe nëse gjendej ndonjë që guxonte ta shprehte nën zë këtë fakt, vetëm rriste pasigurinë dhe frikën.       

Romani “Biri i armikut”  përbën tërheqje për tre kategori lexuesish. Së pari për brezin që e jetoi atë kohë me aq shumë pengesa lirie, ku mosha e rinisë piqej dhe ndryshej pa kuptuar asgjë nga jeta që ikte. Për të rinjtë e sotëm ky roman përbën një mundësi për të njohur marrëzitë e asaj jete , që ndrydhte gjithcka dhe për të kuptuar se sistemet diktatoriale pjellin vetëm krime dhe fatkeqësi njerëzore me mungesën e lirisë. Në grupin e tretë përfshij të huajt, të cilët përmes këtij romani, mund të njohin jetën në një shtet të vogël në jug të Europës, ku jeta mbyllej me një ndrydhje të frikshme, të trembur nga gjithcka. 

Besoj se ky roman duhet të përkthehet edhe në gjuhën shqip, si njëmundësi rikujtese për një sistem që shkatërroi njeriun dhe fatet e secilit prej nesh. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Biri i Armikut, Nini Mano, Shpend Sollaku Noe'

Akuzat ndaj lufëtarëve të Kosovës nga Prokurori Special, viktima gjunjëzohet para kriminelit

December 6, 2020 by dgreca

Përgatiti:cEneida Jaçaj/New York/

   Akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit etj, për një sërë krimesh njerëzore gjatë dhe pas luftës në Kosovë 1998-2000, të ngritura nga zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë, është një nga ngjarjet më të trishtuara që pas luftës Kosovë-Serbi. Prokurori i Specializuar i Hagës nxori një aktakuzë prej 10 pikash për të lartpërmendurit dhe për një grup më të gjerë të cilët ishin pjesë e UÇK-së gjatë luftës, për një sërë krimesh kundër njerëzimit, përfshirë rreth 100 vrasje, zhdukje me forcë, përndjekje dhe tortura etj. 

Një njeri me një SNQ normale, në kuptimin parësor logjik, sigurisht që do të ishte kundër torturave çnjerëzore dhe vrasjeve, nga cilido qoftë. Por lind pyetja: a mund të barazohen krimet e UÇK-së me vrasjet makabre dhe çnjerëzore të Slobodan Millosheviçit?! 

Këto akuza të pretenduara nga Prokuroria Speciale mbi ish luftëtarët UÇK-së, a mund të justifikohen para tankeve dhe mitrolozëve të Millosheviçit, që nuk kurseu as fëmijë dhe as gra shtatzëna?! Serbët në tokë të huaj dogjën, vranë e plaçkitën çfarë gjetën para, e donin të bënin ligjin në dhe të huaj. Sa trima u vranë për liri, e sa nëna veshi me të zeza dora gjakatare e serbit, që loti ende nuk u është tharë edhe sot që Kosova ka fituar pavarësinë?! Kosova e lirë u ngrit mbi gjakun e luftëtarëve të saj, mbi luftën e lavdishme që bëri UÇK-ja me trimat e saj, por sigurisht edhe nga mbështetja e madhe që ofroi SHBA.

   Mbaj mend vitet 1998-1999, kur gra, burra, fëmijë e të moshuar, të ngrënë dhe të pangrënë, me torbet në krah, lanë shtëpi e katandi, e morën rrugën duke bërë natën-ditë e ditën-natë drejt Shqipërisë e viseve të tjera, për t’i shpëtuar dorës së kriminelit famëkeq Millosheviçit. Këto akuza të Prokurorisë Speciale ndaj Thaçit e të tjerëve, përdhosin luftën e Kosovës, gjunjëzojne viktimën para kriminelit! Edhe nëse janë bërë krime, kanë ardhur si pasojë e luftës për çlirimin e vendit. Sigurisht që kanë qenë momente të vështira për ushtarët e UÇK, momente tensioni, të cilët mund të jenë detyruar të kryejnë edhe krime, por janë të justifikuara dhe nuk mund të barazohen me krimet e serbëve. 

Nëse këto akuza do të faktoheshin dhe Thaçi me shokë do të dënoheshin, Serbia do ta përdorte si avantazh në favorin e saj duke shtuar pretendimet për territore, dialogu Kosova- Serbi do të minohej dhe njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia, as që do të mendohej. 

   Duket sikur Gjykata e Specializuar e Hagës është ngritur me qëllim për të goditur shqiptarët e Kosovës. Këtë dyshim e ka ngritur edhe drejtori i Komitetit për Punë të Jashtëme, Eliot Engel, i cili tha se gjykata ka si juridiksion edhe mbi autorët serbë të krimeve, por nuk e ka ushtruar atë juridiksion përkundër faktit se krimet e shumta janë kryer nga forcat serbe. Madje, ai i ka kërkuar Drejtësisë Amerikane të hetojë punën e kësaj gjykate dhe të ndërpresë marrëshëniet nëse zbulon se po heton vetëm shqiptarët. Pra, do të ishte më e ndershme dhe e drejtë të hetoheshin së bashku; edhe shteti serb të jepte llogari për krimet makabre, vrasjet, pasi së pari ishte vetë ky shtet që pretendonte territore në një shtet tjetër, dhe krimet më të shumta janë bërë vetë nga Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës. 

   Do të ishte e udhës që shtetet e fuqishme të ndërgjegjësonin Serbinë, për të kërkuar falje për krimet në Kosovë, dhe jo sot në mënyrë të befasishme të dilnin disa akzua ndaj luftëtarëve të Kosovës, për të përdhosur e hedhur baltë mbi luftën heroike për çlirimin e shtetit më të ri. Këto akuza jo vetëm që i shërbejnë Serbisë, por vinë edhe si një shuplakë tinëzare dhe e pabesë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Nëse Thaçi dhe gjithë bashkëluftëtarët do të dënoheshin, çfarë kuptimi do të kishte më pas lufta e Kosovës, po trimat si Adem Jashari që dhanë jetën për liri?! Kjo është e turpshme dhe e dhimbshme! 

UÇK-ja ishte një faktor unifikues në vite krenarie dhe sakrifice, dhe kjo luftë u zhvillua kundër shtypjes së forcave të presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviç. Thaçi dhe gjithë bashkëluftëratë e UÇK kanë mbështetjen e gjithë shqiptarëve. Shpresoj që SHBA-të, si një faktor kyç në pavarësinë e Kosovës, të reagojnë duke e parë sa më drejtë atë çka po ndodh në Dhomat e Specializuara në Hagë, dhe t’i rikthehet edhe një herë respekti, dinjiteti UÇK-së, që në fakt gjatë këtyre muajve fatkeqësisht është përdhosur dhe nëpërkëmbur!

Filed Under: Analiza Tagged With: Akuzat, Eneida Jaçaj, Hashim Thaçi, viktima

IDETË DHE PARIMET E ATË GJERGJ FISHTËS PËR ORGANIZIMIN E KOMBIT E TË SHTETIT SHQIPTAR

December 6, 2020 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

Më 30 dhjetor të këtij viti mbushen plot 60 vjet vjet nga ndërrimi jetë i Atë Gjergj Fishtës. Kishte lindur 69 vite më parë, më 1871. Fëmija, që e bëri të pavdekshëm në kujtesën historike të shqiptarëvet emrin e fshatit ku lindi, pati fatin të pagëzohej me emrin Zef nga poeti e meshtari arbëresh Atë Leonard de Martino. Ky pagëzim prej një poeti, ndoshta, ishte një rastësi profetike e një paralajmërim i atij personaliteti madhor të fëmijës, që do të bëhej një nga personazhet më në zë të letërsisë e historisë shqiptare, para e mbrapa krijimit të Shtetit të pavarur. Personalitet shumë përmasor që arrin maja në poezinë epike, që mbetet i paarritshëm n’atë satiriken, ndër më të spikaturit në lirikë e dramaturgji, me një ndihmesë madhore në publicistikë e në jetën politike e diplomatike, një nga themeluesit e njerzit e mëdhenj të arsimit kombëtar, Atë Gjergj Fishta hyri me të gjithë peshën e tij të stërmadhe në historinë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX.

Gjithë jeta e tij, fatmirësisht e gjatë për treguesit e kohës, qe një dëshmi e gjallë e forcës së dyshes “Fe e Atdhe” që, për epokën dhe prirjet vetiake të personazhit, ishte Ylli polar që ndriçonte rrugën e Shqipërisë, e cila luhatej mes fundit të një epoke të gjatë pushtimi otoman, që kishte kushtëzuar katër shekuj e gjysmë të jetës së saj të hirtë, e çeljes së një tjetre, e cila kishte një lindje tepër të vështirë, mes pasigurish, cungime trojesh, ndarjeje të kombit, armiqësish të jashtme e mendësish frenuese të mbrendshme. Kësaj epoke historike i dhuroi veprën e tij të gjithanëshme, që nga poezitë e para tek “Albania” e Faik Konicës deri tek kryesimi i Kongresit të Manastirit për alfabetin e shqipes, nga mesha e parë në kishën e Troshanit tek drejtimi i shkollës së Fretërve, nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Shkodrën e administruar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit tek veprimtaria në Komisinë Letrare, e cila vuri bazat e shkencës gjuhësore shqiptare, nga pjesëmarrja në Dërgatën e Qeverisë së Durrësit në Konferencën e paqes në Paris tek veprimtaria e dëndur në Parlamentin e parë shqiptar, nga takimet me Papën Benedikti XV, për të kërkuar ndihmën e tij për Korçën e Gjirokastrën, pjesë të pandashme të Shtetit shqiptar tek vizita në SHBA, për të siguruar njohjen e atij Shteti nga diplomacia e atij Vendi të madh.

Në gjithë ata vite të gjata veprimtarie atdhetare nuk e hoqi kurrë zhgunin e françeskanit e nuk reshti së shkruari në gjinitë e ndryshme letrare, duke i lënë trashëgimisë letrare shqiptare e katolike një nga thesarët më të çmuar të gjithë historisë së tyre. Vepra e tij, e përmbledhur dhe botuar në dhjetë vëllime vetëm në vitin 2012, më shumë se njëqind vjet mbas botimeve të pjesëve të ndryshme të saj, tregon se sa mosmirënjohëse dhe e padrejtë, deri në kriminalitet, qe Shqipëria e “dreqit të kuq” kundrejt krenarisë së kombit. Tre breza shqiptarësh nuk i njohën as emrin atij që bota e huaj e kishte vlerësuar si “Homeri i Ballkanit” e që e kishte nderuar me çmime e medalje, që nga Turqia deri tek Austro – Hungaria,  Vatikani e Greqia. I pari poet shqiptar, i pranuar si antar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve, një Shoqatë botërore e themeluar në New York, me përfaqësues nga 60 vende, e mbylli jetën e tij, si i vetmi antar shqiptar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Italisë.

Asnjë nga këto merita të shquara të Gjeniut të Kombit nuk e penguan regjimin kundër kombëtar të komunistëve shqiptarë, të hidhte në lumin Drin eshtrat e tij e të varroste në harresën e shoqërisë emrin e tij të ndritur, duke e mbiquajtur “shovinist”, “fashist”, “obskurantist”, simbas oreksit të komunistëve jugosllavë.

“Dersa t’mundem me ligjërue

E sa gjallë me frymë un jam,

Kurrë , Shqypnî, s’kam me t’harrue

Edhe n’vorr me t’përmendë kam.”

Kjo ishte besojma e Atë Gjergj Fishtës, së cilës i qëndroi besnik gjatë gjithë rrugës jo të lehtë të jetës së tij. Shqipërisë, Poeti i saj kombëtar, i shërbeu me të gjitha dhuntitë e rralla të natyrës së tij, me shpirtin rebel e mëndjen e hollë, me talentin rrezatues e logjikën e ftohtë, me burrërinë e malsorit dhe urtësinë e birit të Shën Françeskut. Por cili ishte mendimi i fratit e i poetit, i politikanit dhe i dijetarit, i oratorit dhe mësuesit për Vendin e tij, si e shihte ai gjëndjen e atëherëshme dhe t’ardhmen e tij? Ishte ky argumenti i shumë shkrimeve, që zuri vendin kryesor në jetën e tij të gjatë publicistike. Në këtë këndvështrim Fishta pasoi dhe parapriu shmë përfaqësues të inteligjencës e të kulturës, të cilët, për nevoja të ngutëshme të jetës politike, i dhuruan kësaj të fundit një pjesë të mirë të kohës, të vullnetit e t’aftësive të tyre. Zhvillimet historike të kombit tonë, me të veçantën e tyre, i ngarkuan mbi shpinë njerëzve të kulturës, të fesë apo t’artit, barrën e ringjalljes, jo vetëm kulturore, por edhe politike të kombit. Prandaj pjesa më e madhe e shkrimtarëve shqiptarë u kthyen edhe në veprimtarë politikë. Atë Gjergj Fishta ishte njëri ndër më të shquarit e asaj plejade atdhetarësh, që i solli freskinë e kulturës perëndimore evropiane jetës politike shqiptare.

“Prandej detyrët qi nieri ka per t’vu mi shekull janë kto : Feja, Atdheu, Gjindja e Dija. Feja, pra, e dashnia e Atdheut e e Gjindies e Dija jânë njato vegla qi e bâjnë nierin t’lum n’ket jetë edhè n’jetë t’amshueme ; pse neper kto nieri kryen detyrët, prej t’cillave rrjedhë t’gjith lumnia e tij….”

Në numrin e parë të Hyllit të Dritës, një nga monumentet më të arrira të publicistikës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të pavarësisë e të robërisë, Atë Gjergj Fishta përcaktoi vlerat madhore, që janë shtyllat, mbi të cilat mbështeten ngrehinat e kombeve, historia e tyre dhe vendi që do të zenë në ecjen e përbashkët të qytetërimit. Nuk është e rastit që, në këtë shkallëzim vlerash, feja është në rradhën e parë. Në të gjithë krijimtarinë e tij publicistike ai do të kthehej herë pas here mbi atë argument, madje edhe nëpërmjet polemikash të fuqishme. Ai ishte një katolik i vendosur, që ushqente idenë se besimi në Krishtin shpëtimtar dhe doktrinën e tij, ishte një nga mjetet më të fuqishme, që ndihmonte moralizimin e jetës së një populli. Urdhërimi kryesor i Jezuit: “Duaje Zotin mbi gjithshka, duaje t’afërmin si vetveten”, është themeli më i qëndrueshëm për  harmoninë e dashamirësinë mes antarëve të një bashkësie e për paqen e bashkëjetesën  ndërmjet popujve të ndryshëm. Kuptohet se pse regjimi komunist dhe kultura e tij e nxinë, përtej çdo përfytyrimi, emrin dhe veprën e françeskanit të madh, mbasi ata kishin në bazë të ideologjisë së tyre vepruese urrejtjen dhe “luftën e klasave”, të cilat nuk njihnin kufij, as në kohë dhe as në hapësirë.

Por feja, në gjithë pozitivitetin e saj në jetën e çdo populli, nuk mund të shkëputet nga koncepti i bashkësisë së njerëzve në të cilët ajo predikohet dhe zbatohet. Atdheu, toka e njerëzve që i bashkon gjuha, doket, zakonet, historia, është trualli mbi të cilin ngrihet jeta e përbashkët, një lloj shtëpie e stërmadhe, në të cilën secili do të gjejë strehën e tij. Nëse feja, kryesisht, është pjesë e jetës shpirtërore, më shumë e prirur të pushtojë sferën vetiake, Atdheu, si shtëpia e përbashkët, mbetet në qendër të vëmëndjes dhe interesit të përgjithshëm, në të cilin lindin e rriten projektet, ëndërrat e synimet. Atdheu është gjindja, njerëzit që flasin të njëjtën gjuhë, është ajo bashkësi e madhe, që i ngjet detit në të cilën derdhen të gjithë lumenjtë që i ngjasin  bashkësive të vogla, krahinavet, qyteteve, fshatrave, lagjeve e deri tek indet e para të shoqërisë, familjet. Tre konceptet lidhen organikisht me njëri tjetrin, për të përqafuar më pas të katërtin, që është Dija, e cila shërben si një lidhëse e fuqishme, pa të cilën ndërtesa e kombit është e paracaktuar të mbetet e mangët dhe rrezikon të shëmbet.

Një komb, për t’u futur në rrugën e përparimit, ka nevojë të besojë tek Zoti për barazpeshat e tij morale e shpirtërore, të ketë si synim lartësimin e idesë s’Atdheut e zhvillimin e tij, i cili duhet të shkojë me të njëjtin hap me mirëqënien e gjindies, të qytetarëve t’organizuar në familje e bashkësi më të mëdha, në harmoni e bashkëpunim me njëra tjetrën e të verë në bazë të punës së tij mëndjen, në të gjitha shfaqjet e saj të larmishme e të pafund, dijen e grumbulluar nga përvoja e brezave dhe e popujve të ndryshëm, kulturën që mbetet pasuria m’e madhe e trashëgimisë njerëzore.

Fishta filloi të botojë Hyllin e Dritës në vitin 1913, fill mbas shpalljes së Pavarësisë e krijimit të Shtetit shqiptar. Problemet me të cilët ballafaqohej Shqipëria foshnje ishin të shumta e të ndryshme. Armiqësia që rrethonte atë prej fqinjëve dhe përkrahësve të tyre dhe fakti që, për herë të parë, në historinë e saj mijëvjeçare, krijohej një Shtet i bashkuar, i jepnin shkas përhapjes së një fryme mosbesimi n’aftësitë vetqeverisëse të shqiptarëve. E formuluar si një teori keqdashëse në librin “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, i botuar në dy gjuhë kryesore evropiane, frëngjisht dhe gjermanisht, nga një serb me origjinë shqiptare Dr. Vlladan Gjorgjeviç, ish Kryeministër i Serbisë, teza mbi paaftësinë shtetformuese të shqiptarëve, qarkullonte jo vetëm në rrethet politiko – diplomatike, por edhe në shtypin evropian. Si edhe të tjerë bashkatdhetarë të dijshëm, drejtori i “Hyllit të Dritës” mori përsipër kundërshtimin e  kësaj teze. E kreu nëpërmjet një artikulli të gjatë me titullin “A janë të zott shqyptarët me u mbajtë shtet m’vedi?” Me logjikën e fortë e kulturën e thellë, pa lënë mënjanë edhe shpotinë karakteristike, ai polemizon me fletoret franceze që “i a kanë dhânë alemit e polemit, se shqyptarët nuk janë t’zott me u ndertue e me u mbajtë shtet m’vedi, porse u duhen lshue sllavve t’Ballkanit n’dorë per me i zbutë e me i gjytetnue.”

Argumenti kryesor i mendimit të Fishtës është ndërtesa morale e shqiptarëve si popull. Është e vërtetë që “populli shqyptàr nuk çfaqet n’histori si nji kòm i organizuem e i pershîmun marë permrêna çarkut t’nji njinìs komtare…”, por arsyet janë jo “barbaria”, që i veshin keqdashësit dhe kundërshtarët, por një seri motivesh historike, politike e topografike, të cilat kanë përcaktuar rrjedhën e ngjarjeve në Ballkan. Ai nuk i kurseu kritikat, edhe shumë të forta kundrejt bashkatdhetarëve të tij, por në një përplasje argumentash e rrahje mendimesh me gazetat franceze, nuk vihet t’i nxjerrë në pah ato, por të kundërshtojë prirjen për ligjësimin e akuzave të përfolura në mjediset kundër shqiptare në drejtim të poshtërimit të tyre. Përbërja shpirtërore e shqiptarëve, ligjet e botës së tyre morale mbështeten mbi “trinomin tagruer : mos me i bâ dhȗnë kujë, me i dhânë sejcillit shka i perket e me veprue gjithmonë me nder.” Ky është qytetërimi i vërtetë, që nuk shfaqet në vepra të mëdha arti apo shkence, por që pasqyron thelbin e moralit e të bashkëjetesës njerëzore, atë “humanitas” të cilin e kanë predikuar njerëzit e shquar, që nga profetët e deri tek gjenitë e fushave të ndryshme. Ka edhe ndërmjet shqiptarëve barbarë e kriminelë, siç ka në të gjithë popujt, por e përgjithëshmja është pozitive. Ndërmjet të tjerash Fishta vë theksin mbi frymën demokratike të Kanunit e të ligjeve shekullore të shqiptarëve, duke i përballur ata me shtetet e mëdha e perandoritë e tyre, ku mbretërit kishin fuqi të pakufizuar.

Një tjetër provë, në mbrojtje të bashkatdhetarëve të tij, kryepoeti e gjen në artin e tyre, në poezinë popullore, aq shumë të vlerësuar nga filologu austriak Prof. Gustav Mayer që i shkruan Prof. Zef Schiro-it se “kurr nuk i ka tokue me lexue nji Poezi Popullore mâ t’hîjshme se ate t’shqyptarve.”  “Prandej dy janë objektet mâ t’para e mâ t’perhapuna t’Poezis Popullore : trimnia e dashnìja. Mnyra, pra, mas t’cilles kuptohet e çfaqet nder kangë burrnìja, trimnìja e dashnìja, na dishmon zhdrivillimin e mêndes e ndîesìt e zêmres s’nji popullit… “ Poezia popullore, si pasqyrë e botës së mbrendëshme shpirtërore të një populli, paraqet të gjitha prirjet e tij, të shfaqura ndër shekuj, jo vetëm në drejtim të shijeve estetike por, mbi të gjitha, të botëkuptimit, të filozofisë së tij jetësore, të parimevet që drejtojnë shoqërinë. Në rastin e shqiptarëve, Poezia popullore pasqyron një popull paqësor e të ndieshëm, në të cilin zotërojnë kultet e dashurisë dhe të trimërisë, të konceptuar si vlera themelore në jetën e individit, por edhe të shoqërisë. Autori gjen në trajtimin e tyre të njëjtat përceptime të popujve të qytetëruar. Trimëria nuk është shfaqje e mujshisë apo dëshmi e fuqisë fizike që shkon në dëm të të tjerëve më të dobët, por mjeti për të mbrojtur veten dhe t’afërmit nga rreziqet e jashtëme, në të cilët gjithmonë shqiptari ka parë kërcënimin e tij. Heronjtë e poezisë epike shqiptare luftojnë me bajlozët që kërcënojnë jetën e tyre, të familjeve apo të katundeve të tyre gjithmonë në trojet e tyre, asnjëherë nuk mësyjnë për të skllavëruar popuj të tjerë. Kjo është e vërteta historike e pamohueshme, që mund t’interpretohet nga kundërshtarët dashakeqë si pazotësi, por që vërteton një prirje morale të lëvdueshme, në përputhje me respektin e vlerave njerëzore e të pohimit të tyre. Poeti merr si shembull balladën “Halili e Hajrija”, ku ndërthuren ndjenjat me detyrën, ndëshkimet me dhimbjen, ku triumfon drejtësia dhe e mira, me gjithë çmimet e tyre. Do të mjaftonte vetëm thesari i folklorit, për të shpalosur botën shqiptare e për të rrëzuar, nëpërmjet vlerave të saj, çdo padi apo insinuatë të padrejtë kundrejt një kombi të shqiptarëve, aq më shumë kur ato vijnë nga një tribunë aspak e hijshme si ajo sllave, e ngarkuar me gjakun e pafajshëm të mijëra shqiptarëve të Kosovës.

Vijon

Filed Under: Politike Tagged With: At Gjergj Fishta, Eugene Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 284
  • 285
  • 286
  • 287
  • 288
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT