• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përse dështoi procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në Kosovë

March 28, 2016 by dgreca

“Ne me zgjidhjet e reja urbanistike vetëm bëjmë legalizimin e ndërtimeve informate (pa leje), e asgjë tjetër”/

Nga arch. Ylber Vokshi -Ylli/

Ashtu si është pritur,pas datës 16 mars 2016 u vërtetua se procesi për legalizimin e ndërtimeve pa leje në Kosovë tërësisht dështoi, si rezultat i shumë rrethanave kundër ligjore dhe anti-teknike që kanë ndodhur në Kosovën e pas luftës. Mashtrohen të gjithë ata se lejimi i ndërtimeve pa leje mundet të zgjidhet me direktiva ligjore në mënyrë mekanike,ky proces është shumë ma i ndërlikuar dhe kompleks,                                 kërkon trajtim profesional e jo politik.

Duke u nisur nga numri i madh i ndërtimeve pa leje,gati është e pa mundur të zgjidhet kjo plagë e rëndë,që do ta pllakosë Kosovën në dekadat e ardhshme me pasoja të mëdha. Ndërtimet pa leje do të jenë pengesë e madhe në zhvillimin e ardhshëm hapësinor dhe urban të tërë territorit,do të ketë pasoja të rënda në proceset ekonomike,sociale,demografike,në mbrojtjen e mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore,që pak kush në Kosovë i din dhe i vlerëson.

Publikisht  në një shkrim autorial në dhjetor 2014,kushtuar kësaj problematike, kamë shprehur dyshimin në suksesin e zbatimit  të legalizimeve,në formën se si ishte paraparë të bëhet,dhe kamë kërkuar dhe argumentuar të bëhen ndryshime dhe plotësime të ligjit nr 04/L-188, të aprovuar në dhjetor 2013 në Kuvendin e Kosovës.

A ka bërë pyetje ndonjëri nga vendimmarrësit Kosovar se përse ishte kaq i vogël numri i njerëzve që kishin aplikuar për legalizimin e objekteve të tyre pa leje ( 2.4 %). Numri prej 8493 vetave që kanë aplikuar për legalizim në tërë Kosovën,nga numri  i përgjithshëm 352 836 vetave që janë paraqitur,që janë lejuar me ndërtuar pa leje është alarmant,shqetëson seriozisht, tregon një realitet të hidhët. Situatën e kanë krijuar të gjithë ata të cilët aspak nuk janë brengosur se në cilën humnerë urbane janë duke e dërguar një popullatë të tërë.

Arsyeja kryesore e kësaj jo-dëgjueshmërie qytetare qëndron në faktin se populli ma në fund ka kuptuar se faktorët vendimmarrës nuk janë të gatshëm, e besa edhe nuk kanë guximin me u ballafaquar me zbatimin e ligjit për ndërtimet pa leje,që vetë e kanë aprovuar pas 14 vite liri. E populli i gjorë është detyruar të ndërtoi dhe të blej banesa në objekte të ndërtuara pa leje ,e çka është ma e keqja,pa kontroll teknik shtetëror (mbikëqyrje shtetërore neutrale).Parat që i kanë paguar për “shërbime” komunale për fat të keq të tyre dhe të gjithë neve,kanë shkuar në xhepa private e jo në arkën e shtetit,ashtu si do të duhej. Për këtë e kemi këtë revoltën e heshtur e të gjithë atyre që janë detyruar të ndërtojnë pa leje.

Do të ketë legalizime të ndryshme të grupeve të interesit me ndërhyrje politike,por ma se pakti do të ketë legalizime profesionale duke respektuar normat dhe standardet e Planifikimit Hapësinor dhe Urban,edhe se kriteret janë mirë të definuar në ligj. Po vërtetohet ajo thënia e një urbanisti Shqiptar me nam se “Ne me zgjidhjet e reja urbanistike vetëm bëjmë legalizimin e ndërtimeve informate (pa leje),e asgjë tjetër”. Ky fenomen po na përsëritet me dekada edhe në vitet e pas luftës, në princip jemi të prirë të kemi zhvillime stihikë me inercion të territorit.

U nevojitën ma tepër se dy vite të konstatohet se ky ligj paska mangësi,dhe se duhet një ligj i ri i cili do to marr kohë të çmueshme, një vit e gjysmë, sipas prononcimit publik të Ministrit aktual të MMPH-së. Nëse supozohet të ketë disa ndryshime të dispozitave ligjore të ligjit, që konsiston me shtyrjen e afateve ligjore atëherë duhet bërë korrigjimin,plotësimin (amandamentimin) e tij,proces që merr shumë ma pak kohë,se sa përpilimi i një ligji të ri i cili prapë nuk do të zgjidhë problemet e ndërtimeve pa leje në Kosovë. Numri i vogël i aplikantëve për legalizim (2.4 % ) në tërë Kosovën nuk mundet të jetë argument për shtyrjen e afatit për një vit e gjysmë, sa do të propozohet me ligjin e ardhshëm për legalizim,e jo me AMANDEMINTIMIN e ekzistuesit.

Nuk ka ligj në botë i cili në këtë mënyrë e trajton problematikën e ndërtimeve pa leje,pa pasur guxim me e zbatuar këtë “plagë të rëndë” të shoqërisë kosovare. Kërkohen intervenime të dhimbshme, me pasoja të mëdha për të gjithë aktorët që ishin faktorë vendimmarrës në të dy nivelet shtetërore,çdo njëri duhet të jep përgjegjësi për veprimet e veta. Posaçërisht ata që e monopolizuan tërë situatën urbane në Kosovën e pas luftës,ndërtuan ashtu si deshën vet pa e respektuar asnjë  ligj,udhëzim administrativ apo rregullore të nivelit qendror apo lokal.

Esenciale duhej të ishte se të gjitha këto ndërtimet e ndodhura pa leje duhej kategorizuar sipas kronologjisë së ndodhur dhe interesave klanore e jo vetëm ashtu si është kërkuar me ligjin aktual. Duhet me ndërmarrë veprime të dhimbshme radikale, pasi strukturat ekzistuese udhëheqëse lejuan këtë shoqëri të shkoi drejtë greminës hapësinore dhe urbane në tërë Kosovën e pas luftës. Pasojat e të cilës sot po vërehen,po pengojnë planifikimin e mirëfilltë hapësinor dhe urban. Po ulin në ekstrem kualitetin e një jete të dinjitetshme urbane të cilën ky popull i stër-vuajtur e ka merituar. Duhen ndryshime radikale politike në fushën e urbanistikës,po e cenuar demokracinë e brishtë kosovare,duke i aktivizuar të gjitha mekanizmat për mbrojtjen e sajë si llogaridhënia, përgjegjësia menaxhuese, transparenca etj.

Këtyre ditëve më rastisi të përcjelli një polemikë për rrënimin ndërtimeve pa leje në fshatin turistik të Prevallës, në mes të Ministrit aktual dhe ish Ministrit të MMPH-së. Fare nuk përmendet ajo çka ka ndodhur në kompleksin turistik të Brezovicës, janë lejuar ndërtime pa leje edhe nga këta dy  Ministra të Qeverisë të Kosovës. As imagjinata e shfrenuar e ndonjë shoqërie të degjeneruar nuk do të mundte të paramendonte veprime të tillë,e shteti i ynë “demokratik” i lejoi këto ndërtime në parkun nacional “Mali i Sharit” dhe në tërë Kosovën.

Ka kërkesa absurde në këtë ligj të cilat askujt nuk do ti shërbejnë,për atë çdo garniturë e re ekzekutive (Ministër) do të prolongoi dhe shtyjë procesin në pafundësi, duke propozuar dhe aprovuar ligje të reja. Ky do të jetë fati i të gjitha atyre ndërtimeve pa leje në Kosovë me pasoja të mëdha dhe të pa riparueshme në të ardhmen.

Nuk mundën ata që lejuan këto ndërtime pa leje me e rregulluar situatën e krijuar nga vetë ata,që vazhdimisht e prolongojnë këtë problematikë.Tek tani pas 17 vite po konstatojnë se ligji ekzistues i aprovuar para dy vite po na del i mangët dhe duhet me bërë ligj të ri, e kështu në vazhdimësi. Si duket zgjidhja shihet në shtyrjen e problemit në pafundësi,me përpilimin e ligjeve të reja.

Ligji aktual u aprovua pas presioneve të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare,në dhjetor 2013 për ligjshmëri funksionale, dështimi i plotë i tij do të ketë pasoja të  rënda edhe ndaj obligimeve ndërkombëtare. Ky popull do të tejkaloi edhe këtë katrahurë urbane,do të ripërtërihet dhe do të ndërtoi,i njeh strukturat vendimmarrëse vendore se si kanë punuar këto vite në fushën e planifikimit hapësinor,urbanizmit dhe arkitekturës.

 

Prishtinë                                                                             arch. Ylber Vokshi -Ylli

28.03.2016                                                                             arkitekt i pavarur

ylberv@gmail.com

    

 

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, ne Kosove, Përse dështoi, procesi i legalizimit, të ndërtimeve pa leje

Rilindasit dhe betonizimi i parkut të Tiranës

March 28, 2016 by dgreca

Nga Petro Luarasi/
Duaj më shumë Shqipërinë/
Koha, gjykatësi  më i mirë, provon se thirrja e rilindasve ‘’Duaj më shumë Shqipërinë‘’ishte dhe mbetet e drejtë, përbashkuese dhe tepër aktuale. Ajo nënkupton dashuri, përgjegjshmëri, sakrificë atdhetare, respektimin  e interesit kolektiv nga cilido njeri i ndërgjegjshëm,  pavarësisht përkatësisë fetare, krahinore, politike, niveli arsimor e pasuror. Rilindasit dhe atdhetarët  e tjerë pasues mbi të gjitha janë humanë, e duan dhe sakrifikojnë për popullin e tyre duke patur  ide të qarta mbi raportet: interes personal, familjar, shoqërore e politik, interesin parësor  kombëtar kundrejt atij ndërkombëtar.
Atdhetarët  për të realizuar idealin e tyre formojnë grupime e lëvizje komunitetesh të ndërgjegjësuara,  të cilat iu kundërvihen interesave ekstreme individësh, klanesh dhe partish që  me demagogji dhe dhunë synojnë të diktojnë, zhvasin e shkatërrojnë vendin.
Në çerek shekulli  përpjekjesh  për të realizuar   sistemin  demokratik në Shqipëri, populli është përballur me individë, klane e parti që  kanë mashtruar, grabitur dhe shkatërruar vendin në mënyrë të hatashme,  duke ia shterur burimet natyrore  dhe zhytur  në borxhe të mëdha me pak efektivitet zhvillimi për të ardhmen.  
Krahas skamjes ekonomike dhe polarizimit të tejskajshëm , mbi të gjitha është shtuar  rreziku ndaj shëndetit dhe ekzistencës së njeriut duke shkatërruar barbarisht pyjet me florën-faunën e biodiversitetin përkatës (kujtoni vetëm pyjet e Lurës me 7 liqenet e saj) burimet ujore dhe strukturën tokësore (me erozionin dhe tërmetet nga shfrytëzimi barbar i zhavorrit të lumenjve,  naftës).
Katastrofa është më e dukshme në shkatërrimin e mjedisit  urban, çorganizimin e organizuar në grabitjen e pronës private e publike dhe ndërtimin pa asnjë kriter të ndërtesave e  rrugëve.
Si mund të lejohet  në një vend evropian, që financohet dhe ka lidhje të shumëfishta me organizma ndërkombëtare  sabotimi afatgjatë i planit rregullues të një kryeqyteti apo qyteti, fshati ku duhet të përcaktohen saktë: parcelat e ndërtimit, rrugët, rrjeti rrugor, hidrik, elektrik, etj , dhe pastaj të bëhen ndërtimet me kriteret përkatëse. Mbi të gjitha, duhej të zbatohet parimi : Kush dëmton, dëmshpërblen” dhe të dënoheshin menjëherë penalisht e me kundërvlerë financiare personat dhe klanet përgjegjëse pasi provat janë tepër të dukshme. Vetëm kështu mund  të ndalet keqpërdorimi i Shqipërisë si ‘’tokë e djegur, e nxjerrë për shitje e shfrytëzim nga padronë me  banim të përkohshëm’’.
 
Parku i Tiranës dhe përgjegjësitë/
Projekti mbi ‘’Lodrat e fëmijëve’’ tek Parku i liqenit artificial të Tiranës është kthyer tashmë në një shqetësim dhe shkak për përplasje institucionale dhe shoqërore. Përfaqësuesit e shoqërisë civile, të disa organizatave mjedisore, shoqërore, politike  dhe disa partive në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë protestuar në mënyrë publike dhe  institucionale, madje kanë dërguar padi penale e civile për shkeljet përkatëse tok me kërkesën për pezullimin e punimeve deri sa të zgjidhet konflikti në rrugë ligjore. Ndërkohë me  urgjencë  po kryhen punimet për transformimin dhe betonizimin e mjedisit në parcelën përkatëse të parkut të Tiranës, veprim që ka shkaktuar zemërim, përpjekje për ndalimin me forcë dhe përplasje  fizike me forcat e e policisë bashkiake dhe të ruajtjes së rendit, të cilat në disa raste i kanë tejkaluar kopetencat ligjore duke keqtrajtuar protestues paqësorë, u kanë marrë objekte personale (çadra, veshje, batanije) të vendosura në ambjente të lira publike ku çdo njeri ka të drejtë të qëndrojë e çlodhet në mënyrë paqësore. Akoma më shqetësuese janë aktet kriminale të  keqtrajtimit të femrave me grushta e madje shqelma në bark e ije (rasti i zz.Mimoza  Boçarit dhe Rezarta Çaushaj) Dimë me dhjetra raste kur çadra janë lejuar të vendosur në ambjente të rëndësisë së veçantë, edhe pse kanë penguar transportin e qytetarët, kanë dëmtuar imazhin e vendit, por  nuk kanë ndodhur akte të tilla ekstreme, nga forca të ndryshme politike. Si një nga qytetarët e përgjegjshëm që e duam dhe përpiqemi ta mbrojmë  Shqipërinë, popullin, mjedisin, ligjin dhe dinjitetin e çdo njeriu,  bëj thirrje:
 
1.     Institucionet përkatëse të analizojnë e  pranojne pezullimin e punimeve dhe  padinë e shoqerisë civile   dhe të zbatojnë sa më shpejt detyrimin e tyre për të  gjykuar ndërtimin dhe betonizimin e parkut të Tiranës
2.     Përfaqësuesit në këshillin Bashkiak dhe të shoqërisë civile  të lejohen të shprehin në mënyrë demokratike të drejtat  e tyre, pa pengesa, presione e kërcënime.
3.     Mediat të jenë më të përgjegjshme për rrezikun që i kërcënohet interesit publik, të drejtave, lirive  dhe dinjitetit të qytetarit  kundrejt klientelizmit,  interesave personale, klanore, partiake e oligarkëve.
4.     Populli të bashkohet më tepër rreth komuniteteve të ndërgjegjësuara, për të bërë peticione e  referendum, që janë shprehja më e gjerë dhe thelbësore e vlerave të sistemit demokratik, vlerësimit popullor dhe test për individët, grupimet, çështjet dhe vendimmarjen në interes shtetëror e kombëtar.  Vullneti i popullit Sovran duht të  jetë i patjetërsueshëm .
 
Bëj thirrje si qytetar dhe  pasardhës i një prej familjeve atdhetare shqiptare që historikisht kanë sakrifikuar pasuri dhe jetë  për interesat kombëtare dhe mirëqenien e gjithanshme të popullit, edhe mbarë kombit shqiptar, për rrëzimin e diktaturës,  fitoren dhe zbatimin e parimeve demokratike,  madje  edhe të idealeve të së majtës shqiptare, për mirëkuptim e tolerancë reciproke në zgjidhjen e drejtë, ligjore dhe morale të problemit duke ndërprerë përkohësisht punimet si një akt i arsyeshëm që parandalon përshkallëzime  me pasoja të mëdha.
Partitë e koalicionit në pushtet  dhe veçanërisht Partia socialiste, e cila drejton edhe Bashkine e Tiranës-kryeqytet dhe ka marrë besimin e popullit si forcë kryesore udhëheqëse politike rilindase duke u zotuar të zbatojë mendësinë dhe idealet  atdhetare,  ka përgjegjësi që përfaqësuesit e saj kudo ku veprojnë e drejtojnë të kenë parasysh, të kuptojnë  brendinë dhe të zbatojnë pa mëdyshje  kushtrimin rilindas : ‘’Duaj më shumë Shqipërinë!’’

Filed Under: Opinion Tagged With: i parkut të Tiranës, Petro Luarasi, Rilindasit dhe betonizimi

Koalicioni i Pronareve Shqiptare:Bindje profesionale apo mision mashtrues?!

March 28, 2016 by dgreca

Reagim- (Duke degjuar Ministrin e Drejtesise per pronat)/

Ka disa dite qe qeveria ka intesifikuar propaganden e vet per ligjin e ri te pronave (133/2015) Pothuajse perdite ka shkrime ne shtyp dhe dalje televizive nga qeveritaret ku reklamohen “te mirat” e ligjit te ri te pronave madje, Ministri Manjani e cilesoi nje fatkeqesi te madhe per pronaret neqoftese kete ligj e pezullon Gjykata Kushtetuese

Se sa “i mire” eshte ky ligj per pronaret, e dine mire edhe ata qe e reklamojne, panvaresisht se i sherbejne karrikes se tyre

Realiteti eshte se :

  • Pronaret kerkojne pronat e tyre, qeveria ofron leke!
  • Pronaret kerkojne vleren e tregut, qeveria ofron vleren e vitit 1945!
  • Pronaret duan zerin e sotem kadastral, qeveria njeh ate te vitit 1945!
  • Pronat qe shiten paguhen ne cast, qeveria premton per 10 vjet!
  • Pronaret e kompensuar deri tani sipas vleres reale i kane konsumuar parate, qeveria do t’ju beje rivleresim dhe ti detyroje te kthejne diferencen, edhe per Vendimet e Gjykates se Strasburgut!
  • Pronaret qe kane marre kthimin fizik ne pronen e tyre, qeveria do ti rivleresoje sipas ligjit te ri, duke reduktuar pronen fizike brenda prones se vet!
  • Pronaret i shperblen me cmimet e vitit 1945, qeveria i nxjerr pronat ne ankand me cmimet dhe zerin e sotem kadastral!
  • Pronaret kerkojne pronat e tyre te lira, qeveria i dergon atje ku ajo disponon, tek kasollja e Galigatit!
  • Kullotat ne Shqiperi jane pothuajse totalisht te lira, qeveria ofron leke per to sepse do qe ti shese vete!

Eshte shume i habitshem fakti qe keta pronare nuk e kuptojne “nderin” qe kerkon t’ju beje qeveria e sotme! Per kete gje ka merak ministri Manjani qe ne “nuk po e kuptojme” nderin qe na ben!

Realisht, kemi dy vjet qe jemi lodhur me kete qeveri mashtruese; ndaj nuk kisha ndermend te harxhoja kohen time, por, po e marr kete mundim per te “respektuar” Ministrin e Drejtesise i cili ka marre persiper te jete qeveritari me i zellshem per kete mision mashtrues. Duke qene se kam degjuar zotin Manjani edhe ne prononcimet e tij per reforma te ndryshme, kam konstatuar se ka njohuri te mira ne jurisprudence.

Fakti qe per problemin e pronave prononcohet ne kundershtim me Kushtetuten, ne kundershtim me konventat boterore per te drejtat e njeriut (te cilat jane ratifikuar dhe jane te detyrueshme per zbatim prioritar), ne kundershtim me ligjet e shtetit te se drejtes etj, me ve ne mendime dhe me lindin disa pyetje:

  • A eshte qendrim ligjor kur nje minister drejtesie, bindjet e tij profesionale ja nenshtron misionit mashtrues te qeverise ne sherbim te karrikes se vet?!
  • A e ka te qarte ky zotni se po nuk zuri vend prona shteti nuk ze vend kurre?!
  • A e kupton ky se per faj te qendrimit te tij mashtrues, shqiptaret do vazhdojne te vriten midis tyre?
  • A e kupton ky Minister se duke mbeshtetur ligje qe mohojne te drejtat e njeriut, po pengon te drejtat e shqiptareve ne Europe?
  • A s’po i degjon zotnia sinjalet qe vijne nga Europa?!

Perderisa shteti pranon veshtiresite financiare per kompensimin e pronave te zena per interes publik, si e spjegon ministri qe ky ligj (Neni 5, Pika 11) ofron shperblim financiar edhe per kullota e pyje?!

  • A mos valle nuk e kupton ministri se kullota (sidomos ato bregdetare) ju kane veshur syte qeveritareve dhe po dalin pronaret e pare ne Karaburun, megjithese origjinen e kane 400 km larg keto prona?! Po te germoje thelle, do ti mesoje shpejt, edhe neqoftese nuk i ka mesuar zoti Minister.

I Nderuar Zoti Minister!

Te gjithe ne kemi bere dhe bejme gabime ne jete, por, prononcimi juaj per kete ligj hajdut, perben faj. Po. Perben faj sepse ju jeni profesionist i vleresuar deri aty ku keni detyrim ligjor e moral para popullit qe te shpreheni vetem mbi baza ligjore.

Ju nuk e beni nga padija por veproni me qellim te caktuar politik, per ti bere qejfin dikujt, per ti hapur rrugen korrupsionit e vjedhjeve, per tu “betonuar” ne karriken e ministrit, e pse jo edhe per tu bere pjestar ne korrupsion.

Nje gjyqtar qe ka dhene nje vendim te gabuar, sot do te jape llogari. Por nuk ka si te ngelet jashte dhenies se kesaj llogarie nje Minister Drejtesie i cili formulon dhe mbeshtet nje ligj qe sjell korrupsion, vjedhje, vellavrasje, percarje dhe shkaterrim te moralit njerezor te bashkekombasit e tij. Qendrimi Juaj ndaj ligjit te pronave duhet te ishte ne perputhje me bindjet profesionale e jo ne funksion te mashtrimit politik. Kjo Ju ngarkon me pergjegjesi penale me shume se deputete qe e kane votuar, me shume se Kryeministrin qe nuk di se c’fare ben, me shume se politikanet qe flasin pa dogane. Ky qendrim i Juaji denohet penalisht shume here me shume se se nje tender i dhene me qellim perfitimi nga nje minister, sepse demi qe Ju shkaktoni eshte shume here me i madh.

Ju e dini se bota e qyteteruar ka vemnendje te vecante per prononcimet publike te qellimshme te politikaneve, kur ato sjellin pasoja negative. Madje, ka edhe struktura te posacme qe i kanalizojne keto qendrime ne linjen llogaridhenese jurudike. Kur mbron me dashje padrejtesine, ke pasoja. Qendrimi Juaj eshte ne kundershtim me normat nderkombetare te se drejtes, per pasoje bie ndesh edhe me vullnetin e popullit tone per integrim Europian sepse bllokon celjen e negociatave. Qe te behemi pjese e popujve te qyteteruar, se pari duhet qe Ju si Institucion te respektoni te drejten e individit. Deshmia Juaj per ti sherbyer karrikes, ju fut ne konflikt interesi me misionin e ngarkuar, sepse mbroni nje ligj i cili do te sjelle pasoja katastrofike ne popull. Ju e kuptoni shume mire kete gje si profesionist por e mohoni si politikan, ndaj beheni me faj. Per kete aresye, do vije dita qe t’ju gjykoje jo vetem ligji por edhe historia si Minister i pa Drejtesise.

Po vazhduat ne kete rruge, nuk eshte cudi qe nga Ju te presim edhe shtetezimin e apartamenteve te pashitura akoma, per t’jua shperndare romeve (per nevoja publike) si edhe shtetezimin e depozitave bankare te biznesmeneve per t’jua shperndare fukarenjve (per nevoja publike) sipas filozofise komuniste.

I vetmi shtetar qe sot mban qendrim korrekt ndaj Kushtetutes tone dhe Konventave Nderkombetare eshte Presidenti i Republikes. Do te ishte mencuri nga ana Juaj po ta degjonit fjalen e Tij te urte. Mos shkoni pas qerres se prishur te shokeve te Mero Bazes qe levizin koken sipas lules se diellit. Edhe koleget e profesionit Tuaj ju nenvleresojne ku shisni provesionin per karriken. Do te desheroja te sillja ne vemendjen Tuaj qe pronaret nuk jane 1% e popullsise (sic jeni shprehur Ju dikur) por 45 mije dosje  me nga 40 bashkepronare cdo dosje (mesatarisht) qe dalin sa gjysma e popullsise se vendit tone. Politika shqiptare ka goditur gjysmen duke i pleksur me gjysmen tjeter dhe e ka bere Shqiperine lesh arapi. Detyra Juaj eshte te uleni me pronaret, jo ti terhiqni zvarre. Ne e dime rrugen tone por pasojat dhe turpi jane tuajat. Nuk duhet qe korrupsionin dhe vjedhjet e politikes ti paguajne brezat e ardhshem, kjo pergjegjesi eshte Juaja ndaj mundohuni te thelloheni ne punen tuaj.

Me Respekt per karriken tuaj

Per koalicionin e pronareve shqiptare

 KRYETARI

Axhem IMERI

Filed Under: Opinion Tagged With: apo mision mashtrues?!, Axhem Imeri, Koalicioni i Pronareve Shqiptare:Bindje profesionale

Lunaçek: Serbia s’mund të hyjë në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës

March 28, 2016 by dgreca

“Serbia nuk do të mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian pa njohur pavarësinë e Kosovës, i pëlqeu kjo dikujt apo jo”.Kështu ka deklaruar Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek në një diskutim podiumi në Berlin, organizuar nga Fondacioni Hajnrih Bël me temën “Zhvillimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”, ku kanë marrë pjesë edhe Bodo Veber nga Këshilli për politika demokratike, si dhe Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.Lunaçek ka deklaruar se “vazhdimisht angazhohet dhe kërkon që edhe pesë vendet e BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe sipas saj, kjo duhet të ndodhë.Ndërsa, Bodo Veber tha se “nuk do të lejohet anëtarësimi i Serbisë në BE para Kosovës, pasi askush nuk mund të garantojë që më pas Serbia nuk do ta bllokonte anëtarësimin e Kosovës në BE”.Nga ana e tij kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka deklaruar se “Vetëvendosje nuk është në parim kundër dialogut me Serbinë, por është kundër dialogut pa parime”, transmeton RTK.Ai në fjalimin e tij ka deklaruar se “Serbia nuk po e trajton Kosovën si partner të barabartë në bisedime dhe se deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për krimet që ka kryer gjatë vitit 1999 në Kosovë”.

Filed Under: Komente Tagged With: Jo ne BE, Lunacek, pa njohe kosoven, Serbia

Naim Frashëri:Fet’ e besët t’i kemi, Po të ndarë të mos jemi…

March 28, 2016 by dgreca

“Përpara Krishtit”  tek libri  “Lulet  Verës” të N.Frashërit/

 Fet’ e besët t’i kemi,/

Po të ndarë të mos jemi./

Naim Frashëri/

   Esse nga  Aristotel  Mici/MA-USA/

Poeti Naim Frashëri është mendimtari i parë i Rilindjes që hodhi idenë e mirëkuptimit ndërfetrarë dhe të tolerancës fetare në të mirë të unitetit kombëtar, që duket  edhe në librin e tij poetick,“Lulet e Verës”, botuar më 1890. Midis vjershave  të tjera në këtë libër, ndodhet edhe  ajo qe titullohet “Përpara Krishtit”. Për arsyet më naïve kjo vjershë është lënë në harresë prej studjuesve dhe kritikëve letrarë. Mendimi ynë është se kjo vjershë jo vetëm nuk duhej  injoruar, po të  ishte  analizuar  me seriozitet e dashuri. E para, sepse është  pjesë e përrmbledhjes poetike “Lulet e Verës”. Së dyjti,  se me  këtë poezi  qartësohet edhe më shumë ideja rreth humanizmit të Naimi Frashërit si edhe të kuptuarit e filozofisë së tij për personin e sakrificës dhe të martirizimit. Së treti, poezia “Para Krishtit” nuk duhej lënë në harresë edhe për faktin se është  shprehje e  tolerancës fetare e vetë autorit  në të njëjtën kohë, e gjithë lexuesve, pra e mbarë popullit shqiptar.    Kështu Krishti te “Lulet e Verës” nuk është një figurë religjioze, sepse nuk trajton motive fetare, përkundrazi, me personin e Krishtit  poeti jep  mendimtarin humanist, i cili brengoset për vuajtjet e padrejtësitë në shoqëri.

Madhështia e Krishtit në poezi shprehet në thjështësinë e Tij. I thjështë midis të vuajturve, Ai guxonte  të thoshte të vërtëtën për mirësinë,  për të drejtën, për njerinë. Për t`u mësuar njerzëve të vërtetën , ai nuk u tremb deri në sakrifikim, deri në kryqëzim, duke u bërë ashtu  një  Promethe i ri  i njerëzimit. Jo më kot gjithë bota e qytetëruar  e  ndanë Kohën e Vjetër,  të cilën e quan Para Krishtit,  nga Kohën e Re, Pas Krishtit, pra e kthen Krishtin  kështu, si  pragun kohor  më të madh të njerëzimit.Nisur pikërisht nga   akti i martirizimit, Naim Frashëri e shikon  Jezu Krishtin kryesisht si njeri, pra e zbret nga kupola qiellore  dhe e shikon si njeri tokësor.

Djalëth njeriu i Perëndisë

            Fytyra jote  mua më tregon

Ah ! Të keqijat e njerëzisë,

Që ka punuar dhe punon…

Pra fyutyra e vuajtur e Krishtit si martir i tregon poetit mbrapështitë  e njerëzve të ndjekjes  e të përsekutimit që nga Farisenjtë e deri te Juda Iskalioti, qe nga mbret Herodi deri te Pont  Pilati. Fytyra e zbehtë e  Krishtit është një rrëfim i vuajtjeve dhe i  mundimeve njerëzore.

Se kjo fytyrë/Është pasqyrë/ dhe na rrëfenë/E s’na gënjen.

Pamja e dobësuar e Krishtit është pasqyrim i njerëzve të tortruar, fytyrë e njerëzve që kanë vuajtur padrejtësitë e të tjerëve pa asnjë arsye, që janë dënuar për bindjet e tyre të patundura, që për idetë e tyre  kanë shkuar  vetë drejt flijimit, duke sakrifikuar ashtu veten. Dhe poeti e sintetizon këtë imazh  të Krishtit në vargjet e tij:

Gjithë ç’ ka hequr njeriu i mjerë,

                        Nga vet` e  tinë e nga i vëllaj,

                        Që kanë  vrarë e kanë prerë

                        Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj.

Dihet nga të gjithë dhe është më se e vërtëtë se në jetën sociale  janë shfaqur  fenomene antihumane, dukuri  të dhimbëshme, që kanë  shkakëtuar tragjedi dhe brenga  shoqërore dhe familiare, ashtu siç thotë vargu i poetit si dënime nga ata : ”Që kanë vrarë e kanë prerë/                                                                                                

Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj”                                                                                 

  Dukuri të tilla kanë ndodhur në shekuj, para Krishtit, pas Krishtit , e deri  në ditët tona.

Le të kujtojmë nga historia botërore Galileo Galilenë dhe Xhordano Brunon, Ana Frankun dhe kampet shfarosese të nazitëve hitlerianë, si dhe mijera viktima qe humben jetën , kur u shemben Kullat Binjake me 11 Shtator 2001, në New York,  prej akteve terroriste.  Po kështu na vijnë në mendje nga jeta  në vendin tonë, vrasjet e mësuesve martirë, si Pandeli Sotiri, Papa Kristo Negovani, e Petro  Nini Luarasi, vrasjet e liberatorëve të shquar si Luigj Gurakuqi e Bajram Curri, martirët  e masakrës së 4 Shkurtit 1944, po ashtu vrasja e viktimave me rastin  e ”hedhjes së bombës” në Ambasadën  Sovjetike në fillim të vitëve `50, po kështu dënimet e rënda për inxhinierët e pasionuar të naftës Koço Plaku, Petraq Xhaçka dhe Enriko Veizi, të gjykuar në gjyqe me dyer të mbyllura, vrasjet  e dëshmorëve të demokracisë në Shkodër me 2 Prill, 1991,  si edhe vrasja e  maskrës  më 21 Jannar 2011 në Tiranë, që janë të gjitha ashtu  si si i përshkruan Poeti  vrasje “Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj”.

Merret vesh se të gjitha këto ngjarje tragjike kanë ndodhur  në kohën pas  Krishtit. Po pamja e  Krishtit në vjershën e Naimit si edhe fjalët e poetit për të na bëjnë të kujtojmë  episode të tilla të ndodhura në kohëra të ndryshme midis njerëzve, si padrejtësi mizore, ashtu si i përfytyron poeti: ”Fytyra jotë më tregon …të këqijat e njerëzisë” dhe më pastaj , po në këtë vjershë:  “…kjo fytyrë është pasqyrë /Dhe na rrëfen/ Gjithë ç` ka hequr njeriu i mjerë/  Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj.”

Personifikimi dhe  portretizimi i Jezu Krishtit si njeri real , futja e tij midis  njerëzve  shpreh edhe nderimin që kishtë Naimi për njerinë:

Faltore kemi njerinë,                                                                    

Atje gjejmë edhe Perëndinë.                                                          

Ai besontë dhe kishtë bindjen se:

“Po të nderojë njeriu njerinë,/                                                           

E  ka nderuar edhe Perëndinë”

 Përmes figurës së  Krishtit poeti përpiqet të japë  pamjen e njeriut  të mirë, që i do njerëzit dhe vuan për njerëzinë, prandaj ai i thotë figurës së Krishtit:

Ti u përpoqe për njerëzinë,                                                                                              

Dhe dashurinë e bëre besë/                                                                                         

Njeriut i vure nom miqësinë,

Që kur të lind gjer sa të vdesë.

 Duke medituar para Krishtit, me anë të vargjeve të tij, autori do të hedh dritë rreth përsosmërisë së figurës së njeriut. ”Problemi qenësor i filozofisë  së Naim Frashërit është krijimi i njeriut etik; ai kërkon që çdo njeri, pavarësisht prej fesë, të jetë i kompletuar moralisht”.[1]

Poezia  “Përpara  Krishtit” si gjithë vepra e Naim Frahërit , përshkohet nga  një humanizëm i thellë. I ndikuar prej iluminizmit francez,  si edhe nga  romantika e Viktor Hugoit, poeti Naim Frashëri i shikon me dhembshuri njerëzit në përgjithësi dhe  të varferit në veçanti., siç e verejmë me së miri të  poezia “Varfëria”. Po shpirti i ndijshem i poetit dhembshurohet edhe për një kafshë e për një shpend. Le të kujtojmë  vetëm vargjet  e para të poezisë ”Zogu dhe djali”:

Një zog të bukur zuri një djalë,/Ai po dridhej dhe i thosh ca fjalë:/ Nukë të vjuen keq  që jam i mitur/Si ti, i vogel, e s`jam  dhe rritur. 

Siç shihet gjithë vepra  e Naim Frashërit përshkohet nga  një humanizëm i madh; në çdo varg të tij ndihet prania e njeriut  zemërgjerë e të ndijshëm. Keshtu edhe të  poezia  “Përpara Krishtit” gjejmë një dhembshuri të jashtëzakonshme për njeriun. Po është për të ardhur keq, qe nje studiues  disa dekada përpara në librin e tij “Jeta dhe idetë e Naim Frashërit”, me gjykimin e vet  skematik, ketë humanizem të poetit e quan “abstrakt”. Paradoksi arrin kulmin kur ai po në atë libër rreh të argumentojë se humanizmi i poetit tonë është abstrakt, sepse “njeriu për të cilin bën fjalë  Naimi, është njeri abstrakt , që nuk bën pjesë në asnjë klase”. Pra absurdi filozofik i studiusiot në fjalë të çon tek logjika e mungesës së klasave dhe për rrjedhojë  edhe te mosnjohja e luftës së klasave në veprën e poetit. Absurditeti i autorit të librit të sipërpërmëndur rritetet edhe më shumë kur ai merr të trajtojë poezinë  “Përpara Krishtit”, citon edhe strofën e pestë të saj, por jo pa arsye, nuk shkruan titullin e poezisë. Në vend të atij titulli, pra, “Përpara  Krishtit”, ai ka venë togfjalshin “në një poezi tjetër”… Kështu në të njëjtën kohë, pa titullin e saj, edhe injorohej poezia  po edhe denigrohej.

Me Krishtin e” Luleve të Verës”, siç e thamë edhe më sipër, më tëpër se hyjninë Naim Frashëri përsonifikon njeriun e sakrificës, martirin e drejtësisë, të toloerancës, dhe  të urtësisë; shikon mendimtarin human, që është i gatshëm të flijohet për të mirën  e njeriut dhe përparimin e tij. Ketë kuptim kanë këto vargje:

”Zot ti ke vuar,

Edhe s`ke pushuar,                                                                                                         

Nga njeriu hoqe,

Për të u përpoqe.

Këto vargje të kujtojnë  simbolikën e “Qiririt”, që aludon vetë poetin:

Në mes tuaj kam qëndruar                                                                                                   

 E jam duke përvëluar.                                                                                                        

Që t`u jap pakëz dritë                                                                                                     

 Natën t`ua bëj dite.

Për analogji duhet nënvizuar se është po ajo simbolikë e vetëflijimit edhe te poezija tjetër alegorike “Fyelli”, ku poeti vuan,  rënkon e mallëngjehet për brengat e njerëzisë:

Kraharor e kam çpuar,                                                                                                       

   E kam bërë vrima- vrima

Dhe kam qar` e kam renkuar                                                                                             

Me mijëra psherëtima.

I  përmendëm këto dy motive alegorike të poetikës së Naim Frashërit për të sqaruar edhe më shumë  me anë të anologjisë përkushtimin e madh  të poetit , angazhimin e tij shpirtëror, mendor dhe fizik për Shqipërinë, kombin shqiptar dhe gjuhën shqipe.

Të poezia  “Përpara Krishtit” si edhe në disa poezi të tjera lirike , N. Frsashëri përjeton  thellë ndjenjën e  flijimit si një Krisht në miniaturë. Pra , te  Krishti i “Luleve të Verës”, te sakrifikimi i tij, duhet të shikojmë, përzjerë  me të, edhe autorin, poetin  që me veprën  dhe fjalën e tij ishte bërë ashtu Apostulli i shqiptarizmes.

Dhe së fundi, si konklusion,  themi  se gjithë poezia “ Përpara Krishtit”, është  shkruar me  frymëzim dhe duhet parë e vlerësuar si pjesë përbërse e  veprës së Naim Frashërit. Kjo poezi mbyllet në pajtim me frymën  panteiste të poetit:

Për  këtë fjalë 

 Të qofsha falë,                                                                                    

Se njerëzia                                                                                   

Ësht’ Perëndia/

Kështu, fuqia hyjnore, ”zjarri i  dashurisë qiellore” është kudo dhe gjithë qenia njerëzore është përzjerë me të, ashtu siç meditonte poeti në filozofinë e tij.

[1] Nga Rexhep Qosja” N.Frashëri”, Vepra 1, “Rilindja”, Prishtinë, 1978,  f.18

Filed Under: ESSE Tagged With: Aristotel Mici, Naim Frashëri:Fet’ e besët t’i kemi, Po të ndarë, të mos jemi...

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2962
  • 2963
  • 2964
  • 2965
  • 2966
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT