• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FJALA E DASHURUAR E MËSUESE VALIT

March 14, 2016 by dgreca

Ese nga Xhevair Lleshi/

Përse na pëlqen aq shumë diçka që të tjerët ose nuk e bëjnë ose edhe e përçmojnë? Pyes kot se në të vërtetë ajo e ka përgjigjen me vete. Ne ishim mësuar me një stereotip fjale dhe atë bënim. I kishim futur fjalët në kallëpe dhe me to bënim tulla, tjegulla, qerpiç, blloqe, pllaka, dritare e dyer, rafte e dollapë… Gjithnjë qëndronte në themel fjala e bërë nga një formë e caktuar. Dukej një gjë aq pa vlerë dhe e bezdisur. Kjo ndodhte sepse nuk kishim parë më tej se hunda jonë. Na u duk se kishin ikur kot dy vite shkollë. Pëshpërimat në korridor bënë efekt magjik. Do të vinte për të bërë mësim tek ne të vitit të tretë «C» mësuese Vali, që u jepte mësim atyre të vitit të parë. E shihnim çdo herë me veshjen e saj të veçantë, kostum blu pantallona e xhaketë, kostum gri po ashtu pantallona e xhaketë, kostum i bardhë, kostum bezhë, kostum lejla… E shihnim gjithmonë me kërshëri, madje Alqi Klemo edhe e ngacmonte nganjëherë me të folurën e lezetshme prej durrsaku dhe me mendjemadhësinë e këndshme e të mirëpritur që i jepte të qenit gjimnast klasi. Veç të tjerash Alqin e donin të gjithë, vajza e djem. E pra, na erdhi mësuese Vali në klasë. Ajo na dha vetëm një orë mësimi. Më tepër se gjithçka ajo zotëronte një bukuri të brendshme e ngjizur me shpirtin dhe që sipëranej si një elegancë e jashtëzakonshme intelektuale. Ndihej. Kapej me hundë dhe besohej menjëherë. Trupi me gjatësi pak mbi mesataren dhe elegant me një përsosmëri të skajshme të bënin për vete. Erdhi me hap të ngadaltë (ne ndienim trokitjen ritmike të pllakave të korridorit), hyri në klasë duke e hapur derën me një shtyrje sikur do të kërkonte dikë për ta ndihmuar, buzëqeshi vetëm me një cep buze plot finesë dhe e la regjistrin mbi tryezën e katedrës. Sot kemi bisedë letrare mbi estetikën dhe fjalën e figurshme. Nuk di pse m’u bë sikur e sajoi vetë temën. Bëri apelin si për të na njohur. Kam bindjen se nuk donte të vepronte ashtu. U gjet se asaj ore mungonte Vangjeli Heqimi me Androniqin. Dy kushërirat kalaresha. Na hodhi një vështrim përtej të ngrohtës dhe na mbajti për pak pezull. Ishte një lloj depërtimi simulant dhe dukej i pabesueshëm. Por ne e shihnim dhe e preknim. Ajo ende nuk qe futur në rol. Merrte frymë thellë dhe kjo më tepër ndihej. Ishte ushtrim i përsëritur…

Ne shohim një lule të bukur dhe kjo na bën përshtypje, filloi të fliste. Zërin e kishte të hollë, por melodioz, të këndshëm, që të bënte për vete. Lule e bukur… Po si mund t’i themi ndryshe? Po. Ka njëmijë mënyra për ta përcaktuar bukurinë e një luleje, ashtu siç ka vetëm një formë, një kallëp, për ta thënë thjesht e pa bërë kurrfarë gabimi. Pra, mund të jesh i saktë, cerebral, në përcaktim. Kaq do të mjaftonte. Dhe dihet se kur nuk gabon të takon nota pesë! (Atëherë ishte ende në fuqi vlerësimi me notën pesë.) Dihet që nota pesë ka elegancë! Pa mendoni pak kur ajo nga notë e epërme të kthehet në një notë të ulët? Ku do t’i vejë eleganca, bukuria, përsosmëria? Ka për të humbur vlera e numrit ngaqë nota do të bëhet e papërfillshme? Ja, edhe një numër aq i bukur dhe me thyerje të jashtëzakonshme vjen e bëhet i padëshirueshëm, saqë ty s’të vjen ta shohësh me sy! A nuk të vjen keq për numrin pesë? Po si do ta shihnim shumëfishin e tij, numrin dhjetë? Dhjetë… A nuk duket si një fjalë e egër, që do të na duhet shumë kohë për ta zbutur? Si do t’ia bëjmë, atëherë? Mirëpo keni për ta parë: dhjeta ka për t’u bërë edhe ai numri më i bukur. Sepse rrezaton të pakapshmen, sepse bëhet i lakmueshëm dhe do të marrë fytyrën e një vajze të bukur, do të kthehet shpejt në metaforë. Dhe ne do të duam të vallëzojmë me të, do të duam të bëhemi dashnorë të saj, do të duam ta kemi sa më pranë zemrës. Ajo, dhjeta e famshme do të ketë ritmin dhe muzikalitetin e zemrës sonë. Diçka që duket e habitshme. E kështu me radhë. E di, ju mund të kapeni pas fjalës. Është ndjenja që i jep ngjyrim fjalës, apo është arsyeja e ftohtë, logjika e mprehtë. Të dyja, thotë dikush, si dashuria. Edhe ajo ka ndjenjën ashtu siç edhe është, por s’mund ta zhveshësh nga logjika. Se bukuria, e pabesueshmja e madhe dhe e fuqishme, që na ngre peshë dhe na jep zjarrin e shpirtit, që na mbush me frymëzim dhe na çon peshë, po edhe që na plas për tokë ndoshta me mëri dhe pa kujdesin e duhur. Një amalgamë e papërmbajtur, gati frenetike dhe pse jo edhe elegante. Të dyja janë aty, bashkë dhe e ngrenë në këmbë e madhërisht të bukurën magjepsëse, e bëjnë atë padyshim pjesë të jetës sonë. Po të mos ishte kjo alkimi e mrekullueshme e ndjenjës dhe logjikës do të kishim o zjarr, o akull. Zjarri të djeg, të përvëlon, akulli të ngrin edhe pse të tregon fin. Përfytyroni një njeri të ftohtë, të veshur bukur e me përsosmëri, që ecën drejt, me kokën lart dhe që natyrisht bie në sy, bën figurë… Pastaj shihni një tjetër njeri, sigurisht të veshur pa ndonjë magji, pa ndonjë përsosmëri e që kjo do t’i ulte mjaft pikë nga estetika klasike, por ama ai është zjarr, i shkathët, i qeshur, atij i buit nga çdo qelizë ndjenjë e gjallëri. Ai nuk ecën serbes e me kokën lart, ai ecën sidokudo, si t’i vijë, por gjithnjë buzagaz, me një ndriçim të papërfytyrueshëm fytyre e sidomos të syve. Gjithçka i siglon. Ai do të merrte pesë me yll. Them pesë se ende nuk e kemi dhjetën e ndritshme. Ja, ky krahasim na jep në dorë dallimin midis fjalës së bukur dhe fjalës plot elegancë, fjalës cerebrale të krekosur e me sqimë. Mirëpo revolucionin e bën fjala e ndezur, zjarri, ndjenja, kurse logjika të mban fort tek evolucioni. Fjala e ndezur të hedh ku të kesh dëshirë, aq fuqi e magji ka. Nganjëherë edhe të pamëshirshme, pse jo edhe të kulluar. Një magji shpirtërore e përsosur. Kush nuk do ta donte…

Heshti pak, u mbush fort me frymë dhe na pa të gjithëve në sy.

Po për të vajtur deri te kjo magji, të dashurit e mi, jeta ime, na duhet pak të merremi me një dukuri tjetër. A nuk e ndieni se e ndryshova pak tonin? Sikur isha përfshirë më tepër nga ndjenja, zjarri, energjia e madhe e njeriut që e zotëron këtë flakë. Tani sikur jam më me këmbë në tokë. Thjesht sepse po kërkoj arsyen, rrënjët, thelbin. Dhe kjo sikur m’i zhvesh fjalët dhe ato humbasin fuqinë. Ku, mund të pyesë dikush, ku e gjejnë fuqinë fjalët e veshura me ndjenjë dhe me ngjyrën emocionuese? Ku tjetër, mendoni ju, përveçse në natyrë. Eh, ka dy natyra; një jashtë që e shohim, e perceptojmë dhe e bëjmë tonën përmes shumë formave, me anë të të shikuarit dhe të dëgjuarit, të ndijës, të shijes, të prekjes, të ngacmimit. Kurse kemi atë më madhështoren, magjinë e të vërtetave të mëdha, natyrën tonë të brendshme! Ajo është e papërsëritshme te secili, që ndryshon me gjithsej. Ja, mendojeni pak: një së brendshmi vesh fjalët me një tis trishtimi, një tjetër i thotë me zë të lartë kryengritës, një tjetër të përhitura me një mjegull të lehtë të qeshure, një tjetër akoma i ruan nën një lëvozhgë ironie, një harbon nga mëria… Dhe secili sipas mënyrës së tij, jo vetëm nga magjia e zërit, as thjesht nga eleganca, nga rroba, nga ngjyra e tyre, nga cilësia e përzgjedhjes, por më tepër nga karakteri dhe temperamenti, nga motivimi që marrin fjalët, duke i bërë o të madhërishme, o të bezdisura, të përfolura, hera-herës edhe mbeturina. Estetika, miqtë e mi, është bashkim i përkryer i të pamundurave! Gjejini gjëra të pamundura për t’i bërë bashkë dhe do të shihni si xiglojnë, madje japin një dritë të allasojtë, të paparë ndonjëherë. Ju shikoni ndërkohë një dru të shtrembër dhe kjo, e marr me mend që nuk ju bën përshtypje. Pastaj ju qëllon të shihni një kavak, plep i hollë, i lartë, i drejtë që çan qiellin. Dhe juve kjo ju emocionon, madje ju bën të mendoheni plot gjallëri. Kjo gjë ju shtyn edhe të krijoni një mendim plot estetikë e larmi gjërash. Veçse në çdo rast të tillë kemi elementë të veçuar bukurie ose gjëje të rëndomtë. Atëherë natyra vetë ka ecur e para te bashkimi i gjërave të kundërta, në idenë e të pamundurës: tek bima, pema e kërrusur, e shëmtuar që na jep frytin e mirë e aromatik, ose na jep aromën e përsosur, të dëshiruar. Se edhe trëndafili ferrë është, por trëndafili është kurorë bukurie. Se edhe dafina nuk është një bimë e lartë aq sa e ngre mendimi për të vajtur te kurora e lavdisë! Se ulliri, kjo pemë e shëmtuar, nuk se të tërheq aq me madhështinë dhe lakueshmërinë e trupit, se sa me gjelbërimin e përjetshëm, me frytin magjik, me kurorën e paqes dhe me lavdinë e jetës, me vetë jetëgjatësinë e lakmueshme. Atëherë si mund të puthim gjërat e pamundshme? Ja, tani po shkojmë drejt saj, siç mund të shkojë kryelartësia dhe forca e burrit drejt elegancës dhe përsosmërisë së gruas. E pamundur t’i bashkosh të dy, por ata janë të detyruar të jenë bashkë dhe për këtë duhet të gjejnë rrugën e duhur për ta arritur bashkimin dhe magjinë e jetës. Tek të dy do të kemi përsosmërisht magjinë e jetës, përsosmërinë e amshueshme. Ku dëshironi ju të shkojmë? Ja, vrapojmë drejt detit: dallgë, erë e fortë, fishkëllima, ulërima, stërkala të akullta uji, dimër që duket pakthyeshmërisht i egër, mahnitës në potencën dhe energjinë e tij të llahtarshme. Mirëpo ne jemi mësuar ta shohim detin edhe në verë. Paqe, diell, nxehtësi, dallgëzim i lehtë, fllad, njerëz të qeshur, trimëri lojcake, energji tjetërsoj e të tjera pa fund. Ku ta shohim veten më mirë? Kujt t’i afrohemi? A nuk do qe më mirë që kur flasim të bashkojmë elemente të njërës pamje me tjetrën? A nuk do shohim se figurat e krijuara vetiu do të jenë më të ndjeshme? A nuk fitojnë më tepër energji fjalët, shprehjet? A nuk do të na bëjë kjo edhe më të veçantë? Si thoni? Unë mendoj që pasivisht kjo do të ndodhë. Pse pasivisht? Po ja, nuk do ta bëjnë këtë të gjithë, por disa kokrra të veçuara sigurisht. Ndërsa bashkimi i gjërave të pamundura, domethënë estetika realisht do t’na çojë edhe tek estetika e fjalës! Ndryshe s’mund të ndodhë. Merrni dukurinë më të egër dhe bashkojeni me atë më të pëlqyeshmen dhe do të shihni se do të qëndrojnë mrekullisht më bukur se çdo gjë tjetër që mund të keni provuar. Si një kalë i azdisur dhe që duket në kulm të egërsisë, sapo ndien flladin e bukur shkrofëtin dhe krijon një lëvizje magjike duke na dhënë një hingëllimë të gjatë me një përsosmëri do të thosha të llahtarshme. Se ç’vlerë ka llahtaria me përsosmërinë, eja ta gjejmë së bashku ju lutem. Se ç’të përbashkët ka një buzëqeshje përballë një inati të çartur? Si thoni? A nuk janë të vërteta këto? A nuk janë mendim i hollë dhe i kulluar? Poo! Kjo po e gjallë të bënë për vete, sigurisht, por ajo qëndron bukur ballë përballë me  një jo kryeneçe dhe të krisur mendsh! Ndryshe lezeti i saj do të ishte pa magji, pa sajdinë e dukur. Hë, i kini dëgjuar nënat tek thonë «e kripim me sheqer»? Po, me siguri, po. A nuk janë të dyja të kundërta? E pse të mos i kripim me sheqer fjalët tona? Dy shije kë kundërta, besoj, që rrinë aq bukur pranë njëra-tjetrës. Atëherë, pse, kjo tjetra si iu duket? Ja: e thartoi fytyrën e bukur! Gajasesh së qeshuri! Janë afruar me një përsosmëri të çuditshme ato që largojnë gjërat e zakonshme. Sepse e tharta ta mbledh fytyrën fine dhe ta bën surrat. Prandaj dhe fytyra e bukur thartohet. Nuk e pëson këtë vetëm pse ha një thelë limoni, por mbi të gjitha pse pëson një dackë fjale, një klithmë dashurie, një britmë të bukur, një ethe përvëluese admirimi, një gjak i mirëfilltë armiqësie, një elegancë e paturpshme!… Janë pa fund!…

Përsëri një frymëmarrje e ngrohtë dhe një shikim e zvogëluar, i tkurrur dhe i mbështjellë me një qiqërimë elegance pas syzeve me rrathë të ndryshëm nga rrathët e vërtetë, të vegjël e të kërthndezët. Ne s’thoshim asnjë fjalë. S’ngopeshim duke dëgjuar mësuese Valin. Sa paskëshim humbur! Pa fund. Një botë të tërë! Dhe befas donim ta kapnim me një çast të vetëm. Pak më tej meje pashë një fytyrë të nevrikosur. Iliazi!? Pse? E kishin tmerruar fjalët?…

Mrekulli. Një orë mësimi, nxënës të dashur, aq është. Sa një rrugëtim i shkurtër. Unë doja t’ju lija një detyrë të thjeshtë: sa fjalë të mbarsura me ide të tilla mund të formojmë, thjesht duke parë e dëgjuar, duke prekur e nuhatur a shijuar të kundërtat e bezdisura me të bukurat e pastruara nga pluhuri i kohës apo harresës. Atëherë le t’i pastrojmë fjalët. Të bukura, madje me një bukuri tronditëse e skrupuloze janë edhe lulet artificiale. Po a mund t’i dallojmë dot lulet natyrore me ato artificiale në një pikturë «natyrë e vdekur»? Tek e fundit si do t’i dallonim të dyja, kur s’kemi asnjë element tjetër ndihmës? Dikush do t’i dallonte! E kam lexuar tek Rembrandti, kur pikturonte një saksi lulesh mëllage për t’i dhënë gjallëri oborrit të ngushtë me pllaka guri. Asnjë lule artificiale, e vizatuar me përsosmëri të jashtëzakonshme nuk më doli e gjallë! Kjo është edhe e vërteta e tmerrshme midis asaj që duam dhe nuk duam, mes ulërimës dhe melodisë, midis tmerrit dhe gëzimit…  Një i ikur prej kësaj bote nuk arrin ta kuptojë dot të gjallën edhe kur jeton me siklet të vegjetuar! Kujt i duket përditë të ndahet prej njerëzve, nuk e sheh dot të bukurën e magjishme te njerëzit që përjetojnë jetën së toku. Sepse qenia bashkë mbart humorin, ngashënjimin, tëharrjen e të këqijave, veseve, thith ajrin e pastër dhe aromën e vetë jetës. Po le të futemi pak më thellë. Mendoni pak një shokun a shoqen tuaj teksa thotë një fjalë të gëzuar. Ai, patjetër që e thotë gjithnjë sipas natyrës së tij, me një timbër të veçantë, me theksin ku e mendon ai, me rrobën dhe ngjyrat që ka për hosh, me zë të kthjellët a të bruztë, me sytë ulur apo me vështrimin larg. Dhe gjithnjë është ai vetë tipi që njohim, është bota e tij e brendshme, janë nevojat e tij të domosdoshme, interesat, qëndrimet, motivet, forma e tij trupore, pamja e fytyrës, njohja që ka, kultura që zotëron, gjaku që i vërshon…

Befas u dëgjua tringëllima e tmerrshme e ziles. Mbaroi ora e mësimit. Ne kishim mbetur të shastisur, gati me gojë hapur, si të sfilitur, të tmerruar. Mësuese Vali na kishte thithur brenda magjisë së fjalës. Si ishte e mundur? Po më mirë kaq pak. Do të vinin më vonë për dy vjet rresht orët e mësimit të letërsisë dhe ne do të ndienim një mungesë drobitëse, duke kërkuar kurdoherë fjalët e pathëna të asaj magjie të zhdukur, edhe pse e shihnim çdo ditë, për ato ditë që mbeteshin. Sepse erdhi një ditë që shkolla u gdhi nën thurimën e ca fjalëve të endura hollë si fije merimange, por jo me atë rrjetë që e heqim pa finesë e si me bezdi. Ishte tjetër lloj rrjete ajo. Sikur mësuesi më i bukur i shkollës (mësues i matematikës, të mendosh që mësuesit e matematikës nuk i kishim aq të bukur!) me emrin Nuri Borshi, pak i zeshkët, si i rrahur nga bronzi i detit Jon dhe me një palë mustaqe të holla spicë që i shkonin aq shumë fytyrës së tij dhe kjo mësuese ishin parë diku anës lumit bashkë, sikur ashtu e sikur kështu… Po a mund t’i bashkonim fjalët e kundërta këtu? A mund të thurnim një histori tjetër? Ku e dinin endësit, se ata të dy nuk flisnin për të bukurën? A  nuk mund të thuhet se ata bënin një insert rinor elegant e të zjarrtë, fije të holla që lidhnin talentin me shpirtin e tyre të jashtëzakon­shëm? Pse të mos themi se ata thërrisnin pranë shumë miq, artistë të fjalës së bukur e njerëz të thjeshtë, pse jo edhe gjahtarë e ëndërrim­tarë, letrarë që thurnin papritur serenata, po edhe fotografë të dështuar, alkoolistë të djallëzuar, ndonjë aventurier të zverdhur si ftua, gra të bukura që dilnin edhe ato aty buzë lumit, regjisorë të krimbur, tek-tuk aktorë estrade të përvjelë në fytyrë, dromca hamgjitëse, që në fund të fundit përbënin thelbin e shoqërisë që po këpuste frytet e para universitare… Prej elegancës mund të lindte edhe harrimi. Mësuese Vali nuk e donte harrimin. Por atë dhe Nuri Borshin nuk e harruan, edhe pse nuk deshën t’i nxirrnin në skenë, siç mund të donin zemrat e tyre. Kështu e përdhosën elegancën, të bukurën, përsosmërinë, me një ngashënjim habitës. Askush nuk e mendonte. Fati ynë ishte se e dëgjuam njëherë të vetme dhe ndoshta në zenitin e fjalës, në kulmin e ditës së yllit të saj. Na dukej më vonë se fjalët e bukura u shteruan, humbën në thellësitë e tokës. Sepse nuk i pamë më Valin dhe kostumin e saj blu, aq elegant sa dhe fjalët e saj plot magji dhe përsosmëri.

Kjo natyrisht s’kishte të bënte me asgjë, përveçse me faktin që ne të së tretës «C» na erdhi një mësues kot, një fatkeqësi. Ai mund të ketë qenë edhe i mirë, i ziu, po ne kishim kaluar ylberin të gjithë. Dhe i pari që shtrembëronte turinjtë ishte Iliaz Bregu. Vetëm Vangja dhe Niqi nuk shihnin ndonjë magji, se ato patën «fatin» të mos qenë asaj dite të tmerrshme kur ne dëgjuam për herë të parë dhe të fundit, magjinë e fjalës së bukur nën trysninë e thekrisjes së mendimit e duke mbajtur në duar trëndafila të kuq…

 

Tiranë, më 15.02.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: E MËSUESE VALIT, FJALA E DASHURUAR, Xhevair Lleshi

Diaspora – Rinia shqiptare në Turqi, e vendosur për ruajtjen e identitetit kombëtar

March 14, 2016 by dgreca

-Themelohet rrjeti për të rinjtë dhe studentët në Republikën e Turqisë. Takim me përfaqësuesit e më shumë se 20 shoqatave shqiptare në Stamboll dhe rrethinë/

PRISHTINË, 14 Mars 2016/ Ministria e Diasporës e Qeverisë së Kosovës  ka dërguar sot këtë njoftim:

Angazhimi më i madh i rinisë dhe  i studentëve, si brez i ardhshëm i liderëve, është i domosdoshëm. Shqiptarët janë njohur në botë si një komb me rini kreative, inteligjente dhe punëtore, duke ia shtuar këtyre edhe numrin e madh, me të cilin përfaqësohen.Ministria e Diasporës, në kuadër të përgjegjësive e përmbushjes së objektivave dhe planit të veprimit që dalin nga Ligji i Diasporës dhe Mërgatës, si dhe Strategjia për Diasporën dhe Mërgatën, e ka iniciuar themelimin e rrjetit për të rinjtë dhe studentët në Republikën e Turqisë, në Stamboll,  rrjet ky që do të iniciojë bashkëpunimin ndërmjet shoqatave të të rinjve dhe studentëve në Turqi. Më pas, ky bashkëpunim do të bartet edhe në vendet e tjera të botës.Ky rrjet u krijua në praninë e rreth 20 përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme rinore në Turqi dhe individëve, në mesin e të cilëve i pranishëm ishte edhe kampioni i Turqisë në pingpong, si dhe studentë të tjerë ekselentë në fushat e tyre përkatëse.

Pas një diskutimi dy orësh, në ambientet e një biznesi të suksesshëm shqiptar, u krijua edhe grupi koordinues prej 11 vetash, të cilët në një të ardhme të afërt do ta themelojnë edhe strukturën e rrjetit.Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Diasporës, Osman Shahini, bashkë me konsullin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Stamboll, Rrahim Morina, dhe u.d. drejtori i Qendrës Kulturore në Turqi, Qamil Bytyqi, e përshëndetën organizimin, duke porositur se rinia shqiptare në diasporë është një fuqi e madhe si intelektuale, ashtu edhe artistike, dhe kjo fuqi, pasi të bashkohet, duhet të shfrytëzohet për ngritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e pozitës të të rinjve në vendet ku jetojnë.Po ashtu, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Diasporës, Shahini, mbajti një takim me përfaqësuesit e më shumë se 20 shoqatave shqiptare në Stamboll dhe rrethinë, të cilët i njoftoi për punën e Ministrisë së Diasporës, në veçanti në ruajtjen e identitetit dhe gjuhës, për çfarë edhe kërkoi angazhim nga shoqatat që t’i japin prioritet sensibilizimit për mësimin e gjuhës shqipe nga diaspora shqiptare në Turqi.“Ruajtja e identitetit është një hallkë e rëndësishme e punës së Ministrisë. Por, ajo që,  po ashtu, është  e vlefshme është potenciali ekonomik për ata që mësojnë gjuhën shqipe”, theksoi Shahini, duke cekur shembuj të investitorëve të ndryshëm nga Turqia në Kosovë dhe të atyre që mbajnë pozita të larta në organizata ndërkombëtare në Kosovë e Shqipëri e që kanë prejardhje shqiptare.Në anën tjetër, konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Stamboll, Morina, theksoi kontributin e diasporës shqiptare në ndihmën dhënë Kosovës para, gjatë dhe pas luftës./b.j/

Filed Under: Mergata Tagged With: Diaspora - Rinia shqiptare, e identitetit kombëtar, e vendosur për ruajtjen, ne Turqi

PANAIR NË DITËN E VERËS NË LAÇ

March 14, 2016 by dgreca

Nga Ahmet ZANI/

Atmosfera festive në ditën e verës në qytetin e Laçit është shoqëruar me panairin e prodhimeve bujqësore, blegtorale si dhe nga artizanati. Mjalti, nënproduktet e qumshtit dhe vreshtarisë, gatimet tradicionale të zonave, qendistaria ishin disa nga prodhimet e shfaqura në panair. Qytetarët e shumtë laçianë kanë shijuar prodhimet dhe produktet sidomos nga zonat e malësisë, dhe konkretisht nënproduktet e qumshtit si djathin e dhisë dhe lopës, mjaltin mjaft cilësor, si dhe disa nga gatimet e servirura posaçërisht me rastin e ditës së Verës.

Zef Pjetri me profesion mësues në fshatin Skuraj ka demonstruar prodhimet si dhe gatimet tradicionale nga bashkëshortja e tij dhe kjo me profesion mësuese. Cifti i bashkëshortëve kanë ekspozuar dhe disa prodhime të tjera tadicionale të zonës si rakia e thanës, kumbullës, produkte të natyrës si çaji i malit, luleblini etj.

Ndërsa Gjet Velaj një rritës i njohur i bletarisë ka demostruar mjaltin produkt mjaft i preferuar dhe cilësor, si dhe prodhime nga pemtaria, arra, mollët prodhime të stinës pranverore.

Disa individë të tjerë do të pomovonin në panair artikuj qendistarie të prodhuara në mënyrë primitive si në tezgjah, si dhe kostume kombëtare tradicionale nga zona e malësisë së Kurbinit.

Këtij panairi nuk i kanë munguar dhe prodhimet e vegalve muzikore si çiftelia instrument i preferuar nga zona kurbinase.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ahmet Zani, NË DITËN E VERËS, NË LAÇ, panair

GAZETA DIELLI URON :GEZUAR DITEN E VERES

March 14, 2016 by dgreca

Konica për ditën e verës/

Kur shkrin dimri, kur qaset vera e buzeqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga nje barrë, shijon një qetësi, nje lumturi të ëmbel. Ne kete gezim stergjysherit tane ndjenin nje detyre, tu faleshin perendive qe sillnin keto miresira. Dhe ashtu leu festa hiroshe qe e quajne Dita e Veres….”. Sipas shkrimtarit, kjo eshte nje feste e vjeter e races sonë. “Nuk i bëjnë dëm njeriu, sjellin gëzim të kulluar në shtepi. Ne një vend ku jeta e të vegjëlve eshte aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rast të rralle për t’u defryer. Për më të medhenjtë, Dita e Veres ka nje shije poetike, të hollë e të rrallë….”.

Filed Under: Vatra Tagged With: DITEN E VERES, GAZETA DIELLI URON, Gezuar

UDHËTARI I PËRJETSHËM

March 14, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
GJERGJ KALAJ, UDHËTARI I PËRJETSHËM/
“Dielli” i Amerikës ma dha lajmin e zi në një mëngjez:/
Iku dhe një tjetër Gjergj…/
E prisja një ditë prilli të lumnueme prej Zotit/
Kur do të pinim një kafe në (krye)qytetin e Nju Jorkut./
Asnjani nuk i lamë tjetrit nji të tillë takim,/
Gjergj, askush nuk e dinte se do shkoje kaq shpejt në amshim…/
Ne, me Gjergj Kalajn e Grudës,pa u njoft ndër veti ,/
Prej larg patëm të afërten miqësi./
E, veç një herë, u pamë sy më sy./
Tek Takimi traditë: “Alpet Shqiptare”,/
Në një drekë bujare të Bruno Selimajt/
Në një kullë antike në Guci./
Aty patëm dy orë me të qeshura/
Folëm për ngjarje të reja, për histori të vjetra…/
Gjergji, ky malësor mërgimtar vinte shpesh në Malësi,
Me të madhin mall, me të madhen dashuri.
Me zemrën Ulqin, me shpirtin Shqipëri…
Në shtëpinë e tyre Kalaj në qytetin e Nju Jorkit,
Dy “Gj…”-të shqiptare,
Gjergj e Gjyste,
Si dy shqipe të Kombit.
E donin Shqipërinë Etnike deri në kufijtë e ëndrrës,
ideologjisë, sakrificave vetmohuese, legjendës…
Mbi lartësitë e shpirtit
Përtej mureve të zemrës.
Gjergj, do të vijë në prill e do trokas tek agjensia jote:
E, Ti – do të jesh udhëtar i përjetshëm
I kësaj Kohe. I kësaj Bote.
I këtij Qielli. I kësaj Toke…
E, Gjergji Kalaj do të jetë përjetë në Udhëtim.
Gjergjat nuk i mungojnë Kombit Tim!
Tiranë, 13 mars 2016

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: GJERGJ KALAJ, Ramiz Lushaj, UDHËTARI I PËRJETSHËM

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3000
  • 3001
  • 3002
  • 3003
  • 3004
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT