Shqiptarja Erisa Terolli, që fitoi bursë nga “Google”
Lajmi sensacional i këtij fillimviti sigurisht do mendohet ai që Kim Kardashian foli shqip në rrjetin social ‘Instagram’, falë grimierit të saj shqiptar Mario Dedivanoviç, por unë do të fokusohesha në një ngjarje tjetër që ka të bëjë me vlerat e vërteta të shqiptarëve në botë. …
Sigurisht që talentet shqiptare në art marrin një vëmendje më të madhe në media për shkak të interesit publik, po pse jo mos të ketë edhe kjo vajzë shqiptare që ka shënuar një arritje shumë të madhe, edhe pse në një fushë jo me shumë interes për masën e gjerë të popullsisë?!
Quhet Erisa Terolli dhe ka fituar një bursë nga superkompania e njohur në të gjithë botën, “Google”. Historia e Erisës në fushën e Informatikës ka pasur luhatjet e saj dhe ajo vazhdimisht gjendej në dilemën nëse do të vazhdonte studimet universitare në fakultetin ekonomik apo në informatikë.
Pavarësisht se kishte pasur rezultate shumë të larta në Matematikë e Fizikë dhe rrjedhimisht mendohet që Ekonomiku do të ishte zgjedhja e duhur, ajo i vendosi një sfidë vetes duke zgjedhur Informatikën. Në fillimet e programimit pati disa vështirësi duke qenë se nuk kishte aspak njohuri në këtë fushë dhe kështu vendosi t’i futej me përkushtim gjithçka nga librat dhe botimet e tjera.
Dhe kështu ishte ecuria e Erisës në vazhdimësi të universitetit, me shumë vullnet dhe shumë punë. Shumë shpejt ajo ra në sy të profesorëve, falë talentit dhe vullnetit të madh që kishte dhe, mbasi mbaroi studimet universitare me nota maksimale, ajo dëshironte t’i thellonte edhe më shumë njohuritë duke aplikuar për doktoraturë.
Si fillim zgjedhja e parë e saj (e sugjeruar nga profesori shumë i talentuar Ilir Çapuni), ishte Universiteti i Helsinkit, i cili e refuzoi aplikimin e saj. Erisa nuk u demoralizua dhe aplikoi gjithashtu në Universitetin e Turqisë e më pas në “La Sapienza” të Romës, Itali.
Aplikimi iu pranuar nga ky i fundit dhe këtu nisi edhe suksesi i Erisës që të shkëlqente dhe të arrinte deri në “Google”. Nuk është një mit, është një realitet i prekshëm që kërkonte shumë punë, por mbi të gjitha kërkonte vullnet dhe dëshirën e madhe për të arritur diçka në jetë.
Erisa së fundmi organizoi një seminar për ecuritë e saj dhe ta përcillte me studentët e tjera femra të degës së Informatikës dhe të ndante të gjithë informacionin që kishte marr këto kohë, në mënyrë që të nxiste pjesëmarrjen e tyre në kompanit e mëdha si “Google”, “Facebook”, “Amazon”, etj.
Mesazhi që ajo përcolli në këtë event ishte se mundësitë janë të mëdha në jetë për të zgjeruar dituritë dhe për t’i konkretizuar më pas ato në punë, mjafton që gjatë rrugëtimit femrat të mos demoralizohen dhe të mos mendojnë se ato dinë më pak se meshkujt dhe se mundësitë janë më të pakta për to.
Ky event i organizuar nga “Google” dhe i sponsorizuar nga Ministria e Inovacionit dhe Universiteti “Epoka”, provoi të kundërtën.
Në event ishin të ftuar Ministria e Inovacionit Milena Harito, e cila mbajti gjithashtu një fjalim për të inkurajuar studentët shiptare që të ardhmen e kanë në dorë e vet dhe të ndjekin shembuj si Erisa që nuk u dorëzua asnjëherë.
U zhvillua gjithashtu një video-konferencë me një përfaqësuese të “Google”, e cila tregoi rrugëtimin e saj në superkompanine botërore; ajo gjithashtu inkurajoi me fjalimin e saj që të gjitha vajzat janë të ftuara të aplikojnë dhe të mos kenë frikë, pasi gjithçka është e mundur.
FORCA E GRUAS KOSOVARE
Nga Atifete Jahjaga-Presidente e Republikës së Kosovës/
Secila grua e këtij vendi ka histori të çmuar sakrifice, rezistence, besimi, shprese. Histori të cilat mund t’i kemi dëgjuar, të cilat i kemi ndarë me njëri-tjetrin me krenari apo për të cilat kemi kërkuar të veprojmë së bashku për t’i ndryshuar e për të mos lejuar që të përsëriten më. Janë edhe me qindra mijëra histori të cilat përbëjnë jetën e shoqërisë sonë, që na flasin për të shkuarën tonë e që përcaktojnë çdo ditë të sotmen e të ardhmen që na pret. Histori të cilat nuk i dimë e që jo rrallë herë zgjedhim të mos i dëgjojmë.
Në këto pesë vite si Presidente e vendit, kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë t’i dëgjoj nga afër shumë nga këto histori, të përlotëm e të gëzohem me to, të ndjej dhimbje e të ndjehem krenare, të marr forcë prej tyre e kurajo, të bëhem njësh me to e të përbetohem për të punuar çdo ditë pareshtur që forca që ato përfaqësojnë të jetë forca që e shtyn përpara shoqërinë tonë.
Kam ndarë në vende të ndryshme të botës historinë e grave të Kosovës, të zërit të tyre të fuqishëm në kohëra rezistence e lufte, të përpjekjeve të tyre stoike për të thyer izolimin, për të dokumentuar krimin, për t’i kërkuar botës t’i thotë ndal atij, të pathyeshme e të gatshme për çdo sakrificë për të mbrojtur familjen e vendin, për t’na mbrojtur të gjithë ne.
Kam dëgjuar me emocion të veçantë edhe rrëfimet e shumë miqve tanë për forcën e krenarin që kishin parë te gratë e Kosovës si te ato që kishin artikuluar e mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve, po ashtu edhe te ato që kishin takuar në kampet e shumta të refugjatëve në kohën kur kishim humbur pothuajse çdo gjë.
Kam refuzuar të pranoj dhe ende refuzoj, që këtë vlerë të shoqërisë sonë e cila duhet t’na bëj të gjithëve të ndjehemi krenar çdo ditë, ta lejmë në heshtje, apo ta përkujtojmë e ta njohim vetëm në ditë si kjo e sotmja, në ditën ndërkombëtare të gruas.
Sot kur e gëzojmë lirinë, kur e nderojmë sakrificën e gjeneratave të tëra, kur jemi duke e ndërtuar shtetin tonë me përpjekje të shumta, duhet të rikujtojmë se me shekuj rezistuam së bashku, andaj sot duhet të punojmë shumë më shumë që këtë rrugëtim të ndërtimin të shtetit tonë ta vazhdojmë, ashtu siç ia nisëm, së bashku, duke e pranuar që ky vend na përket të gjithëve.
Dy vite më parë, në këtë ditë, morra vendim të udhëheq diskursin institucional e shoqëror për një ndër pasojat më të rënda që lufta la mbi popullatën e pafajshme të vendin tonë, një krimi makabër lufte që ktheu në fushëbetejë trupat e mijëra qytetarëve tanë.
Vendosa ta bëj këtë pasi për shumë kohë kishim heshtur për këtë anë të historisë tonë, duke e kthyer atë në histori të ndaluar e të fshehtë tonën, duke e kthyer padrejtësisht në histori turpi që rëndonte mbi supet e shpirtin e viktimave të këtij krimi e jo mbi ata që e kryen këtë krim.
Me krenari do e kujtoj gjithmonë atë ditë, takimin e parë të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, pasi së bashku institucione dhe shoqëri civile, e ndryshuam kursin e historisë sonë, e njohëm dhunën seksuale si krim lufte, viktimat i quajtëm të mbijetuar duke i respektuar dhe duke njohur publikisht si asnjëherë më parë sakrificën e tyre dhe padrejtësinë e kryer mbi to.
U përbetuam se do të ndërmarrim çdo hap të mundur për të rehabilituar, riintegruar, risocializuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, për të kërkuar drejtësi për to. U mbështetem në vlerën tonë më të madhe që ne nuk lëmë prapa askënd.
Në këto dy vite me anë të Këshillit kemi arritur të shembim njëherë e përgjithmonë heshtjen institucionale e shoqërore, tabunë në adresimin e këtij krimi lufte dhe punuam pareshtur për të luftuar stigmën që ende e rrethon këtë krim.
Arritëm që të ofrojmë njohjen ligjore për të mbijetuarit, t’ju ofrojmë të mbijetuarve kushte e shërbime më të mira psiko-sociale e shëndetësore, të përpilojmë plan të qartë veprimi për të lehtësuar qasjen e tyre në drejtësi dhe t’ju ofrojmë atyre gjithmonë e më shumë mundësi për fuqizim ekonomik.
Ia kthyem botës sytë drejtë këtij krimi lufte që ka ndodhur në Kosovë dhe i kërkuam ta njoh e ta dënoj atë duke u bërë edhe pjesë e nismave globale për ta parandaluar përdorimin e dhunës seksuale si mjet lufte.
Me anë të Këshillit u bë shumë punë, u vendosen objektiva afatgjate për trajtimin e drejtë dhe dinjitoz për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, duke i ofruar edhe vendeve të tjera të botës që përballen me pasoja të ngjashme lufte, shembullin e mirë se si një shoqëri duhet të trajtoj të mbijetuarit e saj, duke e marr nën udhëheqjen e institucionit më të lartë të vendit, atë të Presidentit.
Por institucionet e vendit kanë ende punë për të bërë për të përmbushur obligimet që kanë ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Unë pres nga institucionet e vendit të jenë vigjilent dhe të marrin përsipër përmbushjen e të gjitha obligimeve që u takojnë.
Tashmë unë pres që Qeveria e vendit të përmbush obligimin e saj dhe të formoj sa më parë Komisionin qeveritar për njohje dhe verifikim dhe që procesi i njohjes së statusit ligjor për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe beneficionet e parapara me ligj të gjejnë zbatim. Çdo vonesë në këtë drejtim është humbje e besimit nga të mbijetuarit, besim të cilin e rifituam me aq shumë mund e përpjekje.
Unë pres nga sistemi i drejtësisë i vendit të vazhdoj përpjekjet dhe përkushtimin për t’ju ofruar të mbijetuarve mbrojtjen e duhur dhe qasjen e merituar në drejtësi edhe në të ardhmen.
Pres që të vazhdojnë hapat e ndërmarr në integrimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në të gjithë kornizën legjislative në mënyrë të barabartë dhe të denjë, ashtu siç kemi bërë me të gjithë kategoritë e tjera të dala nga lufta.
Duhet të vazhdojmë të kërkojmë më shumë angazhim nga komuniteti ndërkombëtar për të njohur krimin e dhunës seksuale që u krye gjatë luftës në Kosovë dhe dënim për kriminelët e këtij krimi.
Dhe mbi të gjitha kërkoj dhe pres nga e gjithë shoqëria jonë, që të njohin këtë krim lufte, që të respektojnë sakrificën e të mbijetuarve dhe të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e tyre për të ndërtuar një jetë në paqe larg këtij krimi.
Unë sot këtë ditë ua dedikoj atyre, forcës së tyre, respektit për to duke ju thënë se nuk do të ndalem së ofruari mbështetjen time deri në realizimin e plotë të të gjithë të drejtave të tyre. Do t’ju jem gjithmonë mirënjohëse që hapen zemrën e tyre me mua, që më bën pjesë të tyren.
Ato nuk pëshpërisin më, ato flasin qartë dhe më zë të lartë kërkojnë drejtësi.
Edhe ne e kemi për obligim që të vazhdojmë të flasim shumë qartë, brenda dhe jashtë vendit, si institucione e si shoqëri e tërë, që nuk do rreshtim së kërkuari drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe nuk do të ndalemi deri në realizimin e plotë të të gjitha të drejtave të tyre.
Nuk duhet të ndalemi më derisa drejtësia të vihet në vend.
Një shoqëri e cila di të mburret me vlerat e qytetarëve të saj, me sakrificën e forcën e tyre, është një shoqëri e cila mund të përballoj çdo sfidë e qartë në vizionin e saj për të ardhmen. Unë kam besim në shoqërinë tonë.
Prishtine,E martë, 08 mars 2016
Kosovë-8 Marsi, homazhe e lule te Memoriali Heroinat
PRISHTINË, 8 Mars 2016/ Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vuri lule para monumentit Heroinat në Prishtinë, që simbolizon kontributin dhe sakrificën e gjithëmbarshme të grave dhe vajzave shqiptare.Edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa vendosi sot buqetë lulesh në Memorialin Heroinat në Prishtinë, me rastin e shënimit të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
“Erdhëm së bashku me gratë veprimtare dhe deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, anëtare të kabinetit qeveritar, të vëmë lule tek simboli i Heroinave të Kosovës, grave të cilat me përkushtimin më të madh kanë punuar për Kosovën, të cilat janë flijuar për Kosovën, të cilat si trashëgimi të tyre kanë lënë ardhmërinë për gjeneratat e reja në Kosovë, kanë lënë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, një hapësirë në të cilën njerëzit e Kosovës mund të jetojnë shumë më mirë”, tha kryeministri Mustafa. Kryeministri Mustafa, po ashtu, ka falënderuar nënat dhe gratë shqiptare të cilat si krijuese të jetës janë shprehje e emancipimit dhe kultivimit të shoqërisë duke theksuar se ato meritojnë shumë më shumë në këtë shoqëri sesa që deri më tani iu është ofruar.Me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, bëri homazhe pranë Monumentit Heroinat në Prishtinë.
Në shenjë nderimi për të gjitha ato gra dhe vajza që sakrifikuan për vendin dhe u bënë objekt i dhunës gjatë luftës, kryetari Veseli vendosi lule pranë monumentit.Pas homazheve, kreu i Kuvendit, së bashku me bashkëshorten e tij, mori pjesë në ceremoninë e shfaqjes së dokumentarit “Mendoj për Ty”.Monumenti, i cili i kushtohet sakrificës dhe kontributit të gjithanshëm të gruas kosovare gjatë luftës së fundit në Kosovë, të viteve 1998-1999, është përuruar vitin e kaluar në 12 Qershor, në Ditën e Lirisë së Kosovës.Memoriali Heroinat është ngritur në parkun përballë Pallatit të Rinisë dhe simbolit të Pavarësisë së Kosovës Newborn./b.j/
Vargje shpirti për Nënat dhe mësuesit
Poezi nga Julia GJIKA/
G R U A J A/
Burri ngre trarë me krahët e fuqishëm/
Të gjithë e duartrokasin forcën e tij./
Burri është trau i shtëpisë,/
Rreket fëmijën e parë ta bëjë djalë,/
Që në krah t’i dalë./
Gruas, si merimangës,/
Punët askush s’ia numëron,/
E zonja dhe ajo në mbajtjen e çatisë./
Nga shpirti i saj jeta buron./
Nuk tregon as muskuj, as mendje,/
Aspak s’ndihet për çka bën./
Brenda qerpikëve ruan thesare:
Dashurinë, vetminë, dyshimet,
Dhimbjet, vuajtjet,
Krenarinë e saj aty i mban,
Nga gëzimi, lot derdh syr’ i saj.
Gruas, kur i kujton se sa vlen,
Më të hutuar kurrë s’e gjen.
Gratë në vargjet e mia
(cikël me poezi)
Nga Përparim Hysi
“Çfarë t’i thomë, nënos plakë?” *
Musine Kokolarit
“Çfarë t’i thomë, nënos plakë?”
Musine, o moj zambak!
Diktatori, një dështak
Ta ktheu jetën në farmak.
Ca farmak e ca pelin
Herë me burg e internim
Ti s’u ule, s’u përule
Për shqiptarët mbete lule.
Lule që nuk vyshkesh kurrë
Mbete sharm e mbete nur
Brez pas brezi do mbetesh gjallë
Si mund të të harrojmë, vallë?!!!
* në thonjëza vepër e Musine Kokolarit.
8 qershor 2006
Drita! *
Dritë e kishe emrin dhe mu si dritë ishe
S’e mbajta dot helmin, kur nga bota ike
Fati i keq të ndoqi (regjimi ta nxiu jetën)
Të gjallë seç të “poqi”, të thuash të vërtetën.
S’mjaftoi internimi, një ferr përmbi ferr
T’u shfaq një sëmundje ( vrer e pëmbi vrer)
Ti qe si lule, vyshkesh dalëngadalë
Mallkuar, moj sëmundje! E “hëngre” të gjallë.
Qëndrove trimoshe,edhe hiç veten s’e dhe
Kam një ndjesi boshe, ndjej dhimbje sepse
Sepse je e re, lule në lulëzim
Dridhje kam në zemër, mbytur pikëllimë.
*Drita Çomo – e bija e Liri Belishovës dhe Maqo Çomos.Vdiq nga kanceri.Një zë i veçantë në letërsi.
20 gusht 2003
Ikja e “kometës”
Pianistes, MARIA RAFAEL *
Këtë grua “mëkatare” seç e sollën mu në Fier
Se u shpall si “tradhëtare” ( vendi i saj duhej në”Ferr?!!!”)
Mos kujtoni ju në profka, se mos, ndoshta, kish bërë turp
Por të tillë e shpalli “koha”, se i shoqi ra në burg.
Nga Tirana drejt në Fier ky qe vend si “internim”
Por Maria Rafael këtu punoi me përkushtim
Qe mësuese aq fisnike sa s’ka nxënës mos e doj
Po kështu këtë grua”armike”, s’ka fierak mos e kujtoj.
Se punoi me ndershmëri dhe rrezatonte dritë
E kujtojmë me dashuri, si pianiste s’kish të dytë.
Kjo mësues për në “Ferr”, u bë një ZONJË e Nderuar
E nderon krejt një Fier… kurrë- kurrë s’ka për t’u harruar.
* ka qenë hungareze. Pianistja më e kualifikuar që ka patur Shqipëria (citimi është i Mjeshtërit Robert Radoja). Gruaja e artistit Stavri Rafael. Vdiq në Hungari ku shkoi sëbashku me Stavrin,djalin e vajzën),pasi doli Stavri nga burgu. Është “Nderi i Fierit”.
HAJRIE RONDOS
Kjo, Hajrie Rondo, nusja nga Delvina
Në teatër të Fierit, seç ia bëri prima
Seç ia bëri prima, në aq e aq role
Mbetëm me gojëhapur (mos vallë është “fallxhore?!”
Mos është vallë “fallxhore” dhe na zë magjia
Shpirtin vë në role, artiste Hajria!
Ju kujjtohet Tana? Tana nga Sheperi?*
Nuk është nga Sheperi, por është nga Fieri.
E mori Hajria, e solli në Fier
E ke kot, moj Kote, që pret në Sheper?**
E pret në Sheper, atje, tek mulliri
E pret si për sherr, pesë para sehiri!
Role… edhe role ( ka mbi tridhjetë vjet)
Dhe në të gjitha rolet, krejt si e vërtetë
Sa e mirë na doli, “nusja” nga Delvina
Ndaj dhe lëshohemi ne me brohorima.
Në skenë ka një jetë, vë shpirtin në role
Është kthyer në legjendë:- Të duam, mo “fallxhore”
* personazh nga “14-vjeç dhëndërr”
** personazh nga “14-vjeç dhëndërr”
15 janar 2010
Gruaja në vizionin tim
Çdo grua në vizionin tim është si lule
Dhe me të gjitha “lulet” ngrihet një lulishtë
Lexues, të lutem, këtë mendim në kokë ngule
Dhe me këtë mendim rro përjetësisht.
Çdo grua është punëtore porsi bletë
E bukur çdo grua siç është bukuria
Pa gruan as që do kishte fare jetë
Pa gruan bosh do ishte gjithësia.
Çdo grua është e bukur siç është paqa
Veç gratë lufta nuk duan kurrë
Jeta pa gratë e shkretë si Sahara
Dhe hiç nuk shkruaj vargje me sikur…
Se, sikur gratë të drejtonin botën,
Bota, pa dyshim, do qe më e bukur
Veç burrat ndryshe e kthejnë “rrotën”
Ndaj dhe bota është kaq turbull.
Të gjitha ç’shkruaj, nuk i shkruaj kot
Për të gjitha gratë në botë kam nderim
Veç nga gratë do ishe më e bukur, moj botë
Dhe këtë e dëshmoj me timen firmë.
Tiranë, 7 mars 2016
***
Nga Përparim Hysi
Mësuesëve të mi *
Dhoksi e Sotir Meço në Fier
Ju kam dashur dhe ju dua dhe tani
Ty, mësues Sotiri dhe ty, mësuese Dhoksi!
Nëse më parë nuk shkrova ndonjë vjershë,
Kam qenë i pazoti dhe si”mbetur në vjeshtë”
Po kurrë nuk ju harroj, kur më morët si në krahë
Se qeshë fare i vogël: pesë vjeç dhe ca…
Si mëmë Dhkosia, Sotiri si një “AT”
Me mirënjohje ju shkruaj, për ju imi varg.
Sado jam i moshuar dhe disa herë jam gjysh
NJëlloj ju dua, pa si e pa qysh?
Nëse sot që jam i i thinjur dhe jam bërë njeri
Meritë ke mësues Sotir dhe ti e mira, Dhoksi!
Vij që nga larg dhe duarët e rreshkura jua puth
Nëse më rigon ndonjë lot, aspak s’më vjen turp
Është një lot malli dhe e lë që të bjerë
Ta dini që aq ju dua, o mësues me aq vlerë.
* mësues të mi të fillores 1948- 1952 (janë burrë e grua, mbi 90-vjeç dhe rrojnë akoma).
Panja *
Profesores Vjollca Omari
Mbi panjën e bukur, gjelbëroshe, befas u lëshua një acar
Një kohë e keqe, kodoshe, panjën vendosi për ta “vrarë”
E shkuli nga vendi ku mbiu dhe tutje e flaku në harrim
Po “panja” për çudi rimbiu dhe vendin e mbushi blerim.
Acari atëherë turfulloi dhe mbi “panjën” gjelbëroshe u lëshua
Trungun zu keqas t’ia “kafshojë”, por “panja” hiç s’u ligështua.
Trungu iu mbush me plagë, mbi plagë filiza gjelbërimi
Kjo panjë e fortë si thanë, për njerëzit imazh gëzimi.
Urrejtjen ajo nuk e njeh dhe sillet si të jetë shenjtore
Çuditet me të kush e sheh, e dashur është dhe njerëzore
Trungun vërtet ka me blana, por zemrën e ka plot blerim
Duket sikur vjen nga balada, e urtja, fisnikja pa harrim.
* e persekutuar. Ka qenë e motra e Mustafa Greblleshit. Mëuesja ime e gjuhë-letërsisë në vitin 1954. Është “Nderi i Fierit” dhe sot, më 6 mars 2016, ka përvjetorin e vdekjes. Baban ia pushkatuan me grupin”armiqësor” kundër amabasadës sovjetike.
PROFESORË! *
Profesorëve të mi të Normales së Elbasanit.
Nuk di kë të përmend nga ju më parë?
Se ju ishit të tërë të mrekullueshëm
Nuk e mohoj: për të gjithë kam mall
Dhe bëhem krejt i parezistueshëm.
Që të vij dhe t’ju puth ato duar të rreshkura
JU qetë si shenjtorë që rrezatonit urtësi.
Për mua, edhe sot ato duar janë aq të shtrenjta
Sa dua që t’i puth me mall: nji e nga nji.
Po ç’them kështu? Shumica prej jush ka ikur,
Por unë, ama, ju kujtoj me përmallim
Tek shkruaj, në zemër ndjen një të “krisur”
Dhe hiç nuk e ndjej lotin që më shkimë
* këtë poezi e kam shkruar më 1 dhjetor 1999, me rastin e 90-vjetorit të shkollës Normale.
Albert HABAZAJ
1- KËNGË E VJETËR PËR NËNËN
Dhembja e plakur me këngë,
Shpirt i shtrenjtë, sa shenjtëria,
Më ke rritu me mundime,
Nëpër hallet që s’t’i dija…
Më vështroje ti në sy,
Kur s’kishe gjë në sepete.
Unë ngopesha aty,
Dritë syri ti më jepje…
Moj e pakta nga fiziku,
Loti i patharë në bukë,
Hall i sofrës si nuk iku:
Sos na e prure në futë?!
2- NËNAVE U FALET VLORA
Si bekim nga Perëndia,
si drit’ e bukur hyjnore,
energji nga mirësia
shpërthejnë sot lule Vlore.
Janë lulet e urimit
për nënat tona të mira,
janë gonxhet e gëzimit
për motrat tona të dëlira.
Dëlirësi e bardhë si bora
në majën e lart’ të Çikës,
u falet nënave Vlora,
se nëna ësht’ motër e dritës.
E dritës që na mbush jetën
dhe dritëron dashuri;
nën’ e dhembshur, si ti tjetër
nuk gjej dot në Gjithësi.
Ësht’ e vogël galaktika,
s’e mban dot zemrën e nënës,
bëhet më fisnike dita
me nënën – thelbin e këngës.
Nga një vallëzim ëndrrash dehem
kur përkundet dashuria,
kur në gji të nënës kthehem
në gji më merr shenjtëria.
Mjalt – e bardha nënë – flori,
nga ti qofshim të bekuar,
kur veprojmë për Shqipëri
ballin tënd kemi nderuar!