• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Qeveria dënon aktin e rrotullimit të një kamioni

March 4, 2016 by dgreca

 -Një ditë më parë, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje e përmbysën një kamion me produkte të Serbisë që shiten në Kosovë/

PRISHTINË, 4 Mars 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës dënon aktin e rrotullimit të një kamioni, veprim i marrë përsipër nga Lëvizja Vetëvendosje. Qeveria e Kosovës, e konsideron të papranueshëm çdo veprim të dhunshëm e joligjor mbi qytetarët, pronën publike e private dhe mbi bizneset kosovare dhe të jashtme, të cilat kryhen për përfitime politike.

 “Akte të tilla të dhunshme dhe në shpërputhje me çdo vlerë demokratike nuk mund të përdoren si mjete të propagandës politike, pa marrë parasysh shpjegimet apo arsyetimet që mund të jepen për to”, thekson deklarata e dërguar sot.

 Qeveria e Republikës së Kosovës, “i bën thirrje subjekteve politike dhe individëve të caktuar të cilët po nxisin dhe po kryejnë veprime të tilla të ulëta, që të braktisin aktet e tilla joligjore dhe joracionale dhe t’i kontribuojnë proceseve zhvillimore demokratike dhe rrugës euroatlantike të Kosovës, procese të cilat po avancohen në vazhdimësi në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet tjera mike”.

Një ditë më parë, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje e përmbysën një kamion me produkte të Serbisë që shiten në Kosovë. “Ky aksion është përgjigje ndaj aktit kriminal të Republikës së Serbisë, e cila dje i ktheu pas mbi 103.000 libra shqip, duke lënë pa shkollë nxënësit shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit”, shprehej VV në një deklaratë.

“16 vjet pas luftës, autorja e masakrave dhe e shkatërrimeve të mëdha në Kosovë, Republika e Serbisë, e kontrollon dhe e shfrytëzon Kosovën ekonomikisht me produktet e saj, pa e njohur atë”, shtonte më tej subjekti më i madh politik opozitar kosovar./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: denon, permbysjen e kamionit, qeveria e Kosoves

Ç`më tha Gjon Keka për Skenderbeun ?

March 4, 2016 by dgreca

Me studjuesin e Skënderbeut , jetës dhe veprës se tij Gjon Kekën është një privilegj të bisedosh mu për atë se si e shpjegon  kryetrimin legjendar . Nga studimet e tija të shumta nëpër arkivat e ndryshme  e sheh  kryetrimin legjendar të gjallë mu ashtu si e përshkruan Petruzi:

“Një hundë butësisht e lakuar si shqiponjë, një fytyrë të bardhë e përzier me pamje të skuqur dhe të shëndetshme, si rezultat i aktiviteteve te tij në diell, ballë të lartë të gjerë, sy të zi në të kaftë dhe mjekër të stilit të heronjve të vjetër me reputacion…Kastrioti është i madh më tepër se madhësia e zakonshme e njeriut, i fuqishëm, muskulor… me dhunti dhe fisnikëri që nga lindja e tij…Ai ka një trup të fuqishëm dhe të pazakontë fizik dhe unë e kam parë disa herë atë në beteja…I veshur me të gjelbër me një rrip shumë të mirë në mes… pantallona të gjera me shtrese tek këmbët të çorapeve ne të kuqe dhe çizme te verdha janë stolia e tij e zakonshme…
Natën, shpata e tij gjithmonë duhet të qëndrojë tek shtrati.
Në paqe ai shkon shpesh i veshur, në bazë të veshjes kombëtare (artit të veshjes se vendit)… Ai është jashtëzakonisht i masës në të ngrënë dhe në të pirë… ndërsa, për nga morali ai mund të shërbejë si shembull (model)…I pastër, i devotshëm, i butë, orator dhe bujar…Ai zotëron një kujtesë të paimagjinueshme, në mënyrë që ai si Pirro, paraardhësi i tij i madh, emrat e pothuajse të të gjithë luftëtarëve të tij i njeh…I urtë dhe i kujdesshëm në këshillat e tij, ai i shqyrton planet e sukseseve ose dështimeve të tij, por kur ai i dizajnon planet njëherë, ai i ekzekuton ato me vendosmëri dhe shpejtësi si rrufeja. Përveç gjuhës së tij amtare, ai flet plotësisht turqishten, tatarishten, sklavonishten, latinishten, persishten dhe Velshisten; po ashtu ai e njeh mirë historinë e lashtë greke dhe romake: librat më të preferuar të tij janë jetëshkrimet e Plutarkut dhe komentaret e Cezarit. Ai përdori historinë e vjetër të Livit dhe përshkrimet (direksionet) e tij duke i nxjerrë ato si rregulla për qeverinë e tij dhe mënyrën e jetës prej tyre…”!(Fjalët e një nga bashkëkohësit e tij i quajtur Petruzi, nga letra dërguar Senatit Venecian. )

Si ta kuptojmë Skënderbeun?

-“Tashmë ka ardhur koha e të kuptuarit dhe e bindjes akademike, nëpërmjet studiuesve dhe individëve, që me arsyetim të mirëfilltë shkencor dhe argumente serioze, nëpërmjet dokumenteve që ekzistojnë në arkivat e ndryshme europiane, të faktojnë se ai jo vetëm që ishte mbret i Shqipërisë, por edhe mbret i kurorëzuar europian (pas vdekjes në Ankona të Papa Piu II). Qëllimi i kurorëzimit mbret, siç flasin dokumentet që i referohen Papa Piu II, ishte dhënia e një kurore jo vetëm si mbret i Shqipërisë, por edhe si mbret europian, pasi ai e kishte marrë ligjërisht të drejtën e udhëheqjes apo të komandës së forcave të aleancës së ushtrive të kombeve europiane kundër perandorisë barbare osmane. Madje, duhet nënvizuar se, me të hyrë në Krujë, populli e përshëndeti Gjergj Kastriotin me fjalën Mbret, pra e pranoi si mbretin e vet. Ky legjitimitet demokratik i asaj kohe përbënte rinjohjen e autoritetit dhe të trashëgimisë së tij, siç edhe theksohet më së miri te “Georgius  Scanderbegus Epirotarum Princeps, a suis Rex salutatur – 1443”.Megjithëkëtë, duhet bërë e qartë se janë autorë të shumtë dhe dokumente arkivore që dëshmojnë se Gjergj Kastrioti ishte mbret sovran dhe legjitim i Shqipërisë, si dhe mbret europian. Aftësitë e tij prej udhëheqësi dhe vizioni që ai zotëronte kërkuan aleancën e përbashkët me Europën e bashkuar, por, mbi të gjitha, kërkuan për një lidhje të ndërsjellë të kombeve për t’i dëbuar turqit barbarë nga kontinenti europian….Për ta përforcuar atë çka u përmend më lart, autorët Jean B. Ladvocat dhe Otto Ch. Von Lohenschiold kanë shkruan në veprën e tyre mbi mbretin e Shqipërisë kështu: “Skandereberg, ose më mirë Skënderbeu, që do të thotë zotëri Aleksandri me emrin Gjergj Kastrioti, Mbret në Shqipëri, një prej heronjve më të mëdhenj…”. Ose edhe sic potencohet kwtu nga kronikat e vitit 1826:”Scanderberg fut reconnu roi d’Albanie le jour même; ce fut le titre qu’il prit, et ‘ qu’il conserva jusques à’ sa mort, pendant un règne glorieux de vingt-quatre ans. Ce furent des fêtes continuelles dans tout le pays. On en conserve encore la mémoire par la haine insurmontable que l’on y porte aux Turcs.”

*E tërë historia e shkruar europiane për Skënderbeun  atë e paraqet  si atdhetar  dhe se lufta e tij  si ishte ?

-.“Po ashtu, duhet nënvizuar fort se çështja e tij – dhe për të cilën ai luftoi deri në vdekje – ishte më tepër  nacionale sesa religjioze, sepse ai erdhi për ta shpëtuar popullin e tij, për t’ia këputur atij zinxhirët e skllavërisë, për të mos i lënë më të jetojnë në persekutim dhe të vdesin si skllevër, por të jetojnë e gëzojnë si arbërorë të lirë dhe me të ardhme të ndritur për brezat në vazhdim.”
*Sipas hulumtimeve tuaja ke gjetur se sa ishte pesha e vertete e Perkrenares dhe shpates se Gjergj Kastriotit Skënderbeut  ?

-“Është shkruar dhe është folur mjafte rreth përkrenares dhe shpatës se Gjergj Kastriotit Skënderbeut, edhe pse ne disa versione qe janë dhëne mbi peshën e shpatës se tij ,ato nuk janë te gjitha te sakta, e vërteta ehte kjo: Ne muzeun historik te artit ne Vjene gjenden dy shpata te Gjergj Kastriotit dhe Përkrenarja, Përkrenarja ka mbishkrimin : * IN * PE * RA * TO * RE * BT *,dhe peshon 3 Kg.

Shpata e Gjergj Kastriotit e modelit italian ka gjatësi 89 cm, gjerësi 5,5 cm ,ndërsa hekuri i mesëm ka gjatësi 7,8 cm dhe peshon 1,9 Kg. II. Shpata tjetër e modelit turk, ka gjatesi 1,22 m

dhe peshon 3,2 Kg.

Ndërsa sipas një kronike hungareze  të vitit 1733 Gjergj Kastrioti ka shkruar me dorë të majtë ashtu siç edhe ka luftuar me shpatë mu me dorën e majtë  “

Testamenti i Gjergj Kastriotit gjendet ne librin „Skenderbeu,ideator i bashkimit europian, Botart 2012, Ndërsa shumica e letrave diplomatike gjenden ne librin „Roli politik dhe ushtarak i shtetit te arberit Qeverisja e urte e Gjergj Kastriotit ,Botart 2015.të autorit Gjon Keka

Fahri Xharra,04.03.16
Gjakovë

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ç`më tha, Fahri Xharra, Gjon Keka, per Skenderbeun

Edhe George Clooney përfshihet në fushatën e zgjedhjeve presidenciale në SHBA

March 4, 2016 by dgreca

Aktori i famshëm, Clooney: Trump, një fashist ksenofobik/

Në 2012 mblodhi më shumë se 12 milionë dollarë brenda një nate për të financuar fushatën e Barack Obames në betejën e tij për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë. Kjo e bën lehtësisht të kuptueshme se cilin krah mbështet sot. George Clooney ka dalë hapur kundër Donald Trump. Në një intervistë për “The Guardian”, aktori i famshëm ka qenë i drejtpërdrejtë në akuzat e bërë kundër Donald Trump. “Trump është një oportunist, më keq akoma një fashist, një fashist ksenofobik”, thotë ai. Megjithatë, aktori shprehet optimist duke iu referuar një shprehjeje të Winston Churchill. “Mund t’u besojmë amerikanëve se do të bëjnë zgjedhjet e duhur pasi të kenë shteruar të gjitha mundësitë e tjera”, citon ai. Me këtë ai i referohet indirekt betejës së mundshme në finale mes Trump dhe Clinton, ku sigurisht që e sheh veten në krah të ish-Sekretares së Shtetit, megjithëse aktualisht simpatizon rivalin e saj brenda demokratëve. “Më pëlqen Bernie Sanders. Më bëhet qejfi që ai është në këtë garë sepse po detyron që të flitet për gjëra që nuk flitet në politikën amerikane; për hendekun dhe pabarazinë mes të pasurve dhe të varfërve që vazhdon të thellohet çdo ditë”, thotë Clooney. Por admirimi për Sanders nuk mjafton që aktori të përfshihet në mbledhjen e fondeve për të, përkundrazi. Clooney njoftoi se është duke mbledhur fonde për Hillary Clinton, për ta ndihmuar atë në fushatën finale përballë republikanëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: George Clooney, ksenofobik, një fashist, Trump

“BASHKIMI SHQIPTAR”, E PARA ORGANIZATË DEMOKRATIKE PAS LUFTS

March 4, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/*

 Ne Foto: MARK ÇUNI (1920 – 1946)/

HAPNI  36 DOSJE!/

■“… Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” – vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” fq. 36, 1993.

■Këte e verteton dhe z. H. Kissinger në librin “Diplomacia”, fq. 443, ku nder tjera thotë:

“Stalini mundi të impononte kufijtë e Europës Lindore pa ndermarrë një risk të tepruar, sepse ushtritë sovjetike i kishin pushtuar këto zona… Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.”…

■Bota vazhdonte me u la në gjak, e bombet binin mbi kokat tona kur Trimi i Nderuem Mark Çuni, mendonte per Liri, Paqë dhe Demokraci Europjano Përendimore…

Mark Çuni ishte nga fshati Bushat i Shkodres, u pushkatue në moshen ma të bukur 26 vjeçare. Ai e formoi këte Organizatë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” me të gjitha besimet, per me realizue zgjedhjet pluraliste në Shqipni, atëherë kur ende nuk diheshin “rezultatet e Konferencës së Jaltës”,  pikrisht kur Enver Hoxha, kerkonte me rrejtë e  me mashtrue në Shkoder, si gjithmonë, me anen e agjentit stalinist  Sejfullah Maleshova, per “zgjedhje demokratike” dhe “Shqipëri të Lirë e të Pavarur”, atëherë kur, thundrat e sllavokomunistëve barbarë Tito dhe Stalin, kishin fillue me zhytë në gjak e terror mbarë Popullin Shqiptar. Sejfullah Maleshova kerkoi me u takue me At Gjon Shllakun, per me i mbushë mendjen me formue një “Parti Demokristjane”… Falë nderhymjes së At Mati Prennushit, Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë tek Imz. Gasper Thaçi, që ishte aso kohe Argjipeshkëv i Shkodres, dhe pengohet mashtrimi i At Gjon Shllakut O.F.M., nga 

agjenti Sejfullah Maleshova, i cili ishte dergue nga Enver Hoxha për atë qellim.

■Dosjet vertetojnë se At Gjon Shllaku nuk ishte në asnjë parti dhe organizatë asnjëherë!

1945  DOSJA E MARK ÇUNIT:

■MARK ÇUNI ASHT THEMELUES I ORGANIZATËS SË PARË EUROPJANE ANTIKOMUNISTE “BASHKIMI SHQIPTAR” NË SHKODER, NË VITIN 1945!

■Ai deklaron para gjyqit që po zhvillohej në Shkoder nga data 31 Janar 1946:

“Unë dhe Prof. Gjelosh Lul Marku kemi drejtue punën e kësaj organizatë. At Fausti ka kenë në Tiranë deri në maji të ’45, pra, nuk ka dijtë gja kur kemi formue organizatën. Fausti e Dajani nuk na kanë folë për politikë… Me At Gjon Shllakun nuk kam pasë asnjë lidhje për këtë punë… Nuk dij se asht bisedue për “dorën e zezë” ndonjëherë. Unë kam veprue në kundërshtim me rregullat e seminarit, por këtë e kam ba në kokën teme, e dij se asht gabim por unë e kam ba… Për traktin e dërguem prej xhakonit Gjon Shllaku tek Tuk Jakova, unë nuk dij gja. As për atentat nuk dij se asht bisedue… Klerikët nuk kanë ba pjesë në organizata politike mbasi e kanë të ndalueme, dhe as na nuk e kemi kërkue një gja të tillë. Faji bie mbi mue…” (Arkivi i Min. P.Mbrendshme, Tiranë 1998)

■Sigurimi i Shtetit akuzoi si pjesëmarrës në këte Organizatë këta persona:

  1. At Giovani Antonio Fausti S.J., vjeç 46, nga Breshia, Itali.
  2. At Daniel Llesh Dajani S.J., vjeç 43, nga Blinishti, Zadrimë.
  3. Mark Ndoc Çuni, vjeç 26, nga Bushati, Shkodër.
  4. At Gjon Loro Shllaku O.F.M. vjeç 38, nga Shkodra.
  5. Gjergj Vat Bici, vjeç 26, nga Gurzi, Milot.
  6. Gjon Prenk Shllaku, vjeç 22, nga Shkodra.
  7. Ndoc Gjelosh Vata, vjeç 24, nga Gurzi, Milot.
  8. Preng Llesh Lezaj, vjeç 24, nga Bulger, Lezhë.
  9. Pjetër Gjok Ejlli, vjeç 20,  nga Beltoja, Shkodër.
  10. Andro Lubo Petroviq, vjeç 32, nga Shkodra.
  11. Ernest Gjok Dema, vjeç 26, nga Shkodra.
  12. Gjelosh Lulash Bajraktari, vjeç 20, nga Ndreaj-Shosh, Dukagjin.
  13. Luigj Ndoc Kçira, vjeç 20, nga Shkodra.
  14. 14. Prof. Gjelosh Lul Marku, vjeç 32, nga Kastrati, Shkodër.
  15. Zef Gjin Mirdita (Buka), vjeç 19, nga Shkodra.
  16. Gjovalin Kol Zezaj, vjeç 17, nga Shkodra.
  17. Nino Zef Kurti,  vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.
  18. Myfit Qamil Bushati, vjeç 18, nga Shkodra.
  19. Qerim Sadik Myftari, vjeç 27, nga Vuthaj, Guci.
  20. Luigj Sokol Shoshi, vjeç 32, shegërt i Kaçulinit në Shkodër.
  21. Frano Pjetër Mark Mirakaj, vjeç 29, nga Iballe, Pukë.
  22. Pjetër Palok Berisha, vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.
  23. Osman Brahim Plaka, vjeç 25, nga Tirana, ish oficer.
  24. Pjetër Sali Pjetërnikaj, vjeç 33, nga Mërturi, Dukagjin.
  25. Pjetër Mark Delija, vjeç 18, nga Shoshi, Dukagjin.
  26. Dedë Mëhill Deda, vjeç 30, nga Palaj, Dukagjin.
  27. Jakë Vas Çunaj, vjeç 23, nga Bushati, Shkodër.
  28. Pashuk Kol Matia, vjeç 22, nga Bërdica, Shkodër.
  29. Pjetër Kokërr Gjoka, vjeç 27, nga Toplana, Dukagjin.
  30. Nik Deli Lekbibaj, vjeç 30, nga Nikaj, Dukagjin.
  31. Rrok Martin Lacaj, vjeç 22, nga Bushati, Shkodër.
  32. Çesk Zef Gjeluci, vjeç 20, nga Shkodra, punëtor në Shtypshkronjën Françeskane.
  33. Ndoc Rrok Jaku, vjeç 44, nga Jubani, Shkodër.
  34. Tonin Nush Bianku, vjeç 18, nga Shkodra, punëtor në Shtypshkronjë.
  35. Lazër Simon Kodheli, vjeç 17, nga Shkodra, punëtor në Shtypshkronjë.
  36. Ndue Bib Doda, vjeç 31, nga Kaçinari, Mirditë.

■Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjegje:

Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946,

(Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë):

“Aprovohet ndëshkimi me vdekje për:

  1. P. Giovani Fausti nga Breschia Itali,
  2. P. Daniel Dajani nga Shkodra,
  3. P. Gjon Shllaku nga Shkodra,
  4. Mark Ndoc Çuni nga Bushati,
  5. Qerim Sadik Myftari nga Vuthaj, Guci,
  6. Gjelosh Lulash Bajraktari nga Dukagjini.

Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.

Ndëshkimi me vdekje i Gjergj Vat Bicaj, kthëhet në burgim të përjetëshëm.

Aktet e fajtorisë të Frano Pjetër Mark Mirakaj, kanë për t’u shqyrtuar më vonë dhe vendimi do t’ju komunikohet mbas shqyrtimit.

Ministri i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare

Gjeneral Kolonel Enver Hoxha d.v.

■“Sot ditën e hënë, datë 4-3- 1946 ora 05.00, në vendin e caktuar u ekzekutuan armiqtë e popullit, dhe vullneti i tyre i fundit ishte:

  1. Gjelosh Lulashi: “Thoni babës të më falin se e kam trazue. Të më falin shokët, se ndonji shpifje e kam ba prej zorit qi kam pasë. Nanës të fala dhe të mi puthin vllaznit. Borxhet që kam mbetë të mi paguejn prindët. I fali me zemër të gjithë ata që më kanë ba keq. Rrnoftë Shqipnia!”
  2. Patër Danjel Dajani: “I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor. T’i japin prindët (far’e fisi), P. Zef Shllakut me pasë me më thanë dy meshë.”
  3. Patër Giovani Fausti: “Jam kondend se vdekja po më vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitve, xhakojve, Apostolikve dhe Argjipeshkvit. Rrnoftë Krishti Mbret!”
  4. Patër Gjon Shllaku: “Lamtumirë mi thoni shokve Françeskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!”
  5. Mark Çuni: “I fali të gjithë ata qi më kanë gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë. I thoni nanës që i kam Ludovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ja paguejnë. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!”
  6. Qerim Sadiku: “I fali ata qi në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënue me vdekje, dhe ata që do të më ekzekutojne. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnija!”

Prokurori  Ushtarak  (Tonin Miloti) d.v.”

■Me daten 3 Korrik 1946, Gjykata Ushtarake Shkoder njoftohet: “Aprovohet ndeshkimi me vdekje i Frano P. Mark Mirakës. Njoftoni daten e ekzekutimit e vullnetin e tij të fundit. Nenshkruen Frederik Nosi d.v.

■Nuk shenohet se: Frano Mirakaj nuk pranoi me nenshkrue bashkpunim me sigurimin.

■Në lidhje me këte “Dosje” u mbyt në hetuesi Av. Muzafer Pipa dhe Prof. Kolë Prela… Pasuen… Av. Paulin Pali, Kolec Deda, Simon Darragjati e sa intelektualë Shkodranë!

***

■Porosia e qeverisë jugosllave u zbatue plotsisht. Prandej, sherbëtori tradhëtar E. Hoxha, me daten 1 korrik 1946, u dekorue “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, dekoratë që e ka edhe sot “atje ku asht”! Po, ky tiran nuk asht i vetmi që u dekorue per Gjenocid!

■Kulmi po shembej… E, Thëmelet, u mbyten në gjak!.. Këte sjellë prap “rilindja”!

Vazhdon Pjesa e IV.

Melbourne, Mars 2016.

*  Pjesa e III

Filed Under: Histori Tagged With: Bashkimi Shqiptar, Fritz radovani, Mark ÇUNI

Mogherini: “Reforma në drejtësi, thelbësore për negociatat me BE-në”

March 3, 2016 by dgreca

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federika Mogerini, deklaroi gjatë një fjale në parlamentin e Shqipërisë se ky vend dhe ky rajon i përket Europës. “Për 25 vjet kam besuar se ju duhet të gjeni vendin tuaj në BE. Unë gjithnjë kam menduar se kjo është në interesin tuaj dhe tonin. Përgjegjësia e brezit tonë ta bëjmë të mundur këtë: Të futim vendet e Ballkanit perëndimor në BE” – tha zonja Mogerini në Parlamentin e Shqipërisë.

Ajo shtoi se Ballkani perëndimor do të ketë ndryshim dhe se kjo është në duart e drejtuesve të këtyre vendeve. “Kjo është një përgjegjësi që ne e ndajmë bashkë. Rrugëtimi në BE nuk ka formula të gatshme. Këtë rrugë ne duhet ta bëjmë së bashku. Ne duhet të punojmë së bashku për përgjigje të përbashkëta” – tha zonja Mogerini. Ajo renditi si sfida të kontinentit sigurinë, punësimin, mbrojtjen e refugjatëve, duke theksuar se ato janë çështje që nuk zgjidhen vetëm, por me punë së bashku mund të vijnë edhe rezultatet.

“Shqipëria ka ecur përpara. Ishte vend i izoluar 25 vjet më parë dhe ishte vendi i tretë më i varfër në botë. Tani Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kandidat për në BE. Jeta juaj ka ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Në një sërë fushash ka shumë për të bërë dhe një numër rezultatesh janë arritur” – citoi ajo raportin e progresit të vitit të kaluar. Ekonomia shqiptare po rritet, ndonëse jo ende me ritmet e pritura.Konkurrueshmëria duhet të përmirësohet dhe, sipas saj, vendet e Ballkanit perëndimor duhet të rilidhen në gjithë mënyrat e mundshme; me investime në infrastrukturë dhe tek të rinjtë. “Rritja e vërtetë është rritja e kapaciteteve. Këtu ka shumë të rinj që punojnë shumë. Kemi nevojë për shkolla më të mira. BE do të japë 30 milionë euro për trajnimin profesional të tyre. Ky është investimi më i mirë për të ardhmen” – tha ajo.Zonja Mogerini bëri thirrje për miratimin e reformës në sistemin gjyqësor, si e quajti ajo “një reformë e thellë dhe tërësore”. Kjo reformë, sipas saj, ka të bëjë me barazinë e gjithë qytetarëve para ligjit, që qytetarët të besojë tek institucionet, ka të bëjë me ekonominë, me investitorët e huaj, që duan të punojnë me të njëjtat ligje. “Qytetarët duhet të dinë që vetem idetë e mira mund të sjellin zhvillim. Kjo reformë do të hapë rrugën për të filluar negocitatat e antarësimit në BE, dhe kjo mund të jetë një fillim i ri për të ardhmen. Kjo reformë është nga më të plotat, më tërësoret që është propozuar ndonjëherë. Të gjithë duan të ecin përpara” – tha zonja Mogerini.

Ajo u kërkoi politikanëve shqiptarë që të lënë pas mungesën e besimit dhe mos-dialogut. “Të pranosh kundërshtarin tënd legjitim është thelbësore për çdo demokraci. Interesat e popullit janë më thelbësore se sa ato të partive. Kemi nevojë që politika dhe institucionet të japin rezultate.

Duhet të përqëndrohemi të gjejmë zgjidhjen e sfidave bashkarisht” – tha zonja Mogerini, duke theksuar se me luftërat dhe regjimet totalitare është humbur shumë kohë. Bosnja sapo ka propozuar një hap, Serbia dhe Kosova janë në një dialog dhe Shqipëria ka luajtur një rol për rajonin, për të cilin duhet të jetë krenare.

“Pajtimi dhe dialogu nuk mund të vonohen më tej. Terrorizmi nuk e ka kursyer as Shqipërinë dhe rajonin. Duhet të jemi së bashku. Kriza e refugjatëve është në prag dhe e ardhmja nuk është e lehtë për të gjithë. Duhet të përqafojmë një qasje bashkëpunuese brenda rajonit dhe institucioneve tuaja” – tha zonja Mogerini.

Ajo theksoi se zgjerimi i BE është jetik për ata që hyjnë rishtas dhe për ata që janë anëtarë. “Zgjerimi kërkon që ne të jemi së bashku dhe të gjemë zgjidhje së bashku. Duhet të tregojmë që bashkëjetesa funksionon” – tha zonja Mogerini, duke kujtuar traditën e bashkëjetesës fetare të Shqipërisë. Ajo tha se emigrantët shqiptarë në 91 e zgjuan Italianë, e cila harroi se si emigruan italianët. Emigrantët studiuan jashtë dhe arritën të jenë në shtresën e mesme.

“Ky parlament ka përgjegjësinë të japë rezultate për punën që po bëjmë. Sugjerimi im është:

Çlirohuni nga ajo pjesë e të kaluarës që ju pengon të ecni përpara drejt BE-së” – theksoi zonja Mogerini në mbyllje të fjalës para deputetëve shqiptarë.(Ilirian Agolli VOA)

Imigracioni, Rama: JO, vendimeve të njëanshme

Kryeministri shqiptar pret Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Mogherini: Nuk do hapim kufijtë e nuk do ngremë mure. Të gatshëm të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë brenda një plani të përbashkët europian.Në Shqipëri, kyeministri Edi Rama tha sot në mbrëmje se “vendime të njëanshme të vendeve të tjera janë pa lidhje me atë cka na takon  të bëjmë së bashku e nuk mund të jenë në asnjë formë e mënyrë imponim për ne”. Këto deklarata, kryeministri shqiptar i bëri në përfundim të takimit me Përfaqësuesen e Lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian Federica Mogherini.”Shqipëria është një vend i vogël, por ne nuk i kemi bërë bisht përgjegjësisë në cdo sfide të përbashkët me partnerët, qoftë në Nato qoftë në BE”, u shpreh zoti Rama duke theksuar se “jemi të gatshëm të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë edhe në këtë sfidë, por nga ana tjetër jemi të vetdijshëm se nuk kemi as mundësinë dhe as delirin se mund të shpëtojmë Europën të vetëm.  Nuk do hapim kufijtë e nuk do ngremë mure. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë brenda një plani të përbashkët europian” nënvizoi kryeministri. Sipas tij, kriza e refugjatëve “është një sfidë europiane, jo e Greqisë apo Italisë, dhe as e Ballkanit e aq më pak e Shqipërisë”.

Filed Under: Komente Tagged With: Mogherini: Reforma në drejtësi, thelbsore per BE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3031
  • 3032
  • 3033
  • 3034
  • 3035
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT