Qeveria e Kosovës: Vlerësimet dhe falënderimet më të sinqerta për Ambasadorin e SHBA Greg Delawie
Qeveria e Kosovës: Vlerësimet dhe falënderimet më të sinqerta për Ambasadorin e SHBA Greg Delawie/
-Komunikata e dërguar sot thekson përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për thellimin e gjithanshëm të miqësisë, të bashkëpunimit bilateral dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mikut më të madh të Republikës së Kosovës në botë/
PRISHTINË, 20 Shkurt 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh indinjatë të thellë dhe dënon ashpër përpjekjet e ulëta për linçim publik, iniciativat denigruese me adresa të dyshimta dhe ofendimet ndaj personalitetit të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikut të popullit të Kosovës, Greg Delawie.
Qeveria e Kosovës, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh mirënjohje të përjetshme për përkrahjen e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për popullin dhe shtetin e Kosovës, në të gjitha etapat historike. Komunikata e dërguar sot thekson përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për thellimin e gjithanshëm të miqësisë, të bashkëpunimit bilateral dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mikut më të madh të Republikës së Kosovës në botë.
Qeveria e Kosovës shpreh vlerësimet dhe falënderimet më të sinqerta për Ambasadorin Greg Delawie, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, në fuqizimin e zhvillimit ekonomik, forcimin e shtetit ligjor dhe për avancimin e perspektivës euroatlantike e të demokracisë në Kosovë. Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se përpjekjet e ulëta denigruese të një numri tejet të kufizuar individësh dhe qarqesh parapolitike, të mbështetura edhe nga persona me të kaluar të errët, ndaj personalitetit të Ambasadorit Delawie dhe personaliteteve tjera në Kosovë, janë në kundërshtim të plotë me qëndrimin unanim dhe respektin e palëkundshëm të qytetarëve dhe të skenës politike shtetformuese të Kosovës ndaj personaliteteve të shquara që po e ndihmojnë Kosovën në ecjen e saj drejt vlerave demokratike perëndimore, të përfaqësuara nga SHBA-të.
Me këtë rast, Qeveria e Kosovës shpreh mirënjohje të thellë edhe për të gjithë ambasadorët e kaluar, diplomatët dhe stafin që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, punëtorët e USAID-it dhe shumë organizatave tjera amerikane në Kosovë. Republika e Kosovës do t’i jetë përjetë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit të saj, thekson deklarata e Qeverisë kosovare./b.j/
* Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Qeveria e Kosovës në mbledhje/
Rikthehet problemi i varrezave greke në Shqipëri
“Jo ushtarë pa medaljon”, MPJ: Kërkimet për varret greke me hartë/
Përballë instistimit të palës greke për të nisur menjëherë gërmimet, pala shqiptare i ka bërë të qarta disa qëndrime, iu përgjigj interesimit të Top Channel ministria e Jashtme, nëpërmjet këshilltarit për mediat, Glevin Dervishi.
E para, gërmimet në terren do të bëhen vetëm pasi komisionet e të dyjave palëve të bien dakort, për mënyrën se si do të bëhet në praktikë zbatimi marrëveshjes. Në kërkesat e palës shqiptare thote ministria e Jashtme, është përfshirë edhe përdorimi i detyruar i hartës së gërmimit përmes koordinatave të përcaktuara qartë, miratuar nga komisioni i përbashkët. Në këto kërkesa të palës shqiptare është përfshirë gjithashtu saktësimi i shenjave për identifikimin e eshtrave: dhe kjo shenjë do të jetë vetëm medaljoni i ushtarit, përfundon sqarimin këshilltari i ministrisë së jashtme.
Nëse eshtrave nuk iu gjendet medaljoni, pavarësisht pretendimit të palës greke, asnjë varr nuk do të konsiderohet se i përket ushtarëve grekë.
Top Channel ka mesuar gjithashtu se pala greke nuk po institon më tek shifra e 10 mijë ushtarëve të rënë në territorin shqiptar, duke pretenduar për 7 mijë të tillë, ndërsa arkivat shqiptare, pohojnë burime për TCH është shumë herë më e vogël.
Athinës në krizë ekonomike kjo ulje e numrit të të rënëve mund t’i interesojë vetëm në një pikë: të paguajë më pak para për mbajtjen e varreve, në bazë të ligjit të ri shqiptar për shërbimin e varrimit, për të cilën gjithashtu është vënë në dijeni pala greke.
Në marrëveshjen e nënshkruar plot 7 vjet më parë është rënë dakort për ndërtimin e dy vendprehjeve, njëra pranë Këlcyrës me një sipërfaqe 10 mijë metra katrorë dhe në Bularat të Gjirokastrës, 1610 m2. Mungesa e përcaktimit të kritereve të gërmimit dhe identifikimit të ushtarëve greke në të, ka zgjatur me vite procesin, duke zgjeruar në të njëjtën kohë çështjet e mprehta mes dy shteteve, por që për të cilat pala shqiptare beson se heqja e ligjit të luftës do t’u jepte zgjidhje edhe të ngërçeve të tjera në marrëdhëniet Shqipëri – Greqi.(Kortezi / Top Channel )
Haradinaj: Peticioni për largimin e Delawi i pavlerë, është i drejtuar kundër Kosovës
Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj ka thënë se i ashtuquajturi peticion kundër Ambasadorit të SHBA’së në Kosovë është i pavlerë dhe jokredibil.
Ai ka thënë se inicimi i një peticioni të tillë nuk është vetëm kundër Amerikës por është edhe kundër Kosovës.
“Për mua personalisht dhe AAK-në, i ashtuquajturi peticion për largimin e Ambasadorit Amerikan nga Kosova është jokredibil dhe i pavlerë. Aq më i pakuptimtë bëhët ky peticion kur adresën e ka të dyshimtë. Veprimet e tilla nuk janë të orientuara vetëm kundër Ambasadorit Amerikan dhe SHBA-ve por edhe kundër vetë Kosovës dhe shqiptarëve”, shkruan Haradinaj në reagim.
***
Avokati Dastid Pallaska ka komentuar thënë se armiqësia me SHBA’në e çon Kosovën në vetizolim të modelit të diktatorit Enver Hoxha.
Ai ka thënë se politika e SHBA’së është e qartë: “qofshin ata të korruptuarit e pozitës apo të dhunshmit e opozitës – nuk e kanë vendin në institucione por në burg!”.
“Të gjithë ata që në rrjetet sociale me lehtësinë e një adoleshenti të llastuar po mbjellin armiqësi kundër aleatëve tanë që janë kundër dhunës në Kuvend le ta mbajnë në mend se sot – 8 vite pas pavarësisë – janë pikërisht këta aleatë që garantojnë, ruajnë dhe mbrojnë kufijtë e këtij vendi. Gjuha që po përdoret e dërgon vendin në vetizolim të modelit të Enver Hoxhës”, ka shkruar Pallaska. Ky reagim i Pallaskës vjen pas inicimit të një peticioni nga shoqëria civile në Kosovë për largimin e Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili ka dënuar dhunën në Kuvendin e Kosovës.
Lexojeni të plotë reagimin:
Përpjekja e elitës politike për përvetësim të meritave për çlirimin dhe pavarësimin e vendit i ka bërë ata dhe disa mendjelehtë si ata që të besojnë në gënjeshtrën e tyre dhe të harrojnë se ky vend u krijua dhe ekziston për shkak të aleancës tonë me demokracitë kryesore perëndimore, në krye me Shtetet e Bashkuara.Të gjithë ata që në rrjetet sociale me lehtësinë e një adoleshenti të llastuar po mbjellin armiqësi kundër aleatëve tanë që janë kundër dhunës në Kuvend le ta mbajnë në mend se sot – 8 vite pas pavarësisë – janë pikërisht këta aleatë që garantojnë, ruajnë dhe mbrojnë kufijtë e këtij vendi. Gjuha që po përdoret e dërgon vendin në vetizolim të modelit të Enver Hoxhës.
Kjo ndjenjë e armiqësisë ndaj aleatëve tanë është rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së guximit të elitës politike në vend për me u marrë vetë me vendimet e vështira këto 8 vite. Në secilin sfidë, sado e vogël që ka qenë, këta “trima” e “patriotë” vendimet e vështira dhe jopopullore ia kanë faturuar aleatëve tanë. Kjo sjellje e papërgjegjshme duhet të dënohet po aq sa edhe përpjekjet e politikës aktuale që aleancat tona strategjike t’i sakrifikojnë në garën e tyre për mbrojtje të pushtetit apo ardhje në pushtet.
E për ata që ende kanë dilema, politika amerikane në Kosovë është shumë e thjeshtë: të gjithë ata që shkelin ligjin – qofshin ata të korruptuarit e pozitës apo të dhunshmit e opozitës – nuk e kanë vendin në institucione por në burg!
Kosovë- Cilat janë pasojat e kërkesës për largimin e Ambasadorit të Amerikës?
Korrespodenti i RTK’së në Washington, Sulejman Gashi, ka bërë një analizë për sulmet kundër ambasadorit amerikan, Greg Delawie. Gashi ka shkruar se Delawie nuk është vetëm një individ por përfaqëson interesat politike të SHBA’së në Kosovë. Më tej kërkesën për ndërrimin e tij, Gashi e komenton si një gjest të rëndë diplomatik.
Korrespodenti i RTK-së në Washington, ka thënë se ambasadori Delawie nuk është vetëm një individ, por ai përfaqëson interesat dhe politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
“Në Kosovë ka të pakënaqur me kritikat e ambasadorëve perëndimorë lidhur me mjetet që po përdorin deputetët e opozitës për të penguar mbarëvajtjen e seancave të Kuvendit të Kosovës, e sidomos me deklaratat më të zëshme të ambasadorit amerikan, Greg Delawie. Deklaratat e z. Delawie janë qëndrime të diplomacisë amerikane nga Washingtoni, janë të Departmentit të Shtetit dhe të Shtëpisë së Bardhë. Janë qëndrimet që i ka thënë në fund të nëntorit në Prishtinë edhe vetë kryediplomati amerikan, Sekretari i Shtetit, John Kerry. Ndërkaq ‘neveria’ e thënë nga ambasadori Delawie dje është thënë më shumë se njëherë në zyrat e Departmentit të Shtetit në Foggy Bottom. Kjo ‘neveri’ është përkthyer edhe në moslejim të hyrjes në SHBA tash një vit të gjithë atyre deputetëve të Kuvendit të Kosovës që janë identifikuar si të dhunshëm”, ka konfirmuar korrespodenti i RTK-së, Sulejman Gashi.
Ditë më parë ishte raportuar se edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, është futur në Visa-Ban, gjë që edhe ia kishte pamundësuar shkuarjen në SHBA për Lutjet e Mëngjesit.
Sipas korrespodentit të RTK-së, ambasadorët amerikanë emërohen nga Presidenti dhe një ambasador mund të jetë një zyrtar i karrierës nga Shërbimi i Jashtëm ose një i emëruar politik.
“Ambasadori Delawie është një zyrtar i karrierës me mbi 30 vjet në shërbimin e jashtëm dhe deklaratat që jepë nuk i ka vetëm vlerësime individuale”, ka thënë ai.
Gashi ka thënë se kërkesa për ndërrimin e një ambasadori është një gjest i rëndë diplomatik, qoftë nëse vjen edhe nga opozita apo ‘analistë të pavarur’ dhe mund t’i kushtojë shumë Kosovës dhe marrëdhënieve të saj me Shtetet e Bashkuara.
Ambasadori Amerikan në Prishtinë ka thënë se ‘protestat e dhunshme të opozitës e dëmtojnë shumë të ardhmen e Kosovës, duke ua përkujtuar kosovarëve se “17, 18 vjet më parë, mijëra qytetarë të Kosovës kanë vdekur për liri dhe pavarësi.’ Një gjë që nuk e ka thënë ambasadori amerikan, e që sipas korrespodentit të RTK-së, sigurisht e kishte ndërmend është se 17 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara, me ndërhyrjen e tyre ushtarake duke udhëhequr sulmet e NATO-së ishin vendimtar në çlirimin e Kosovës. Pikërisht për këtë fakt, sipas tij, Shtetet e Bashkuara dhe ambasadori amerikan i japin të drejtë vetes ‘të ndërhyjnë’ në ecuritë politike dhe shtetndërtimin në Kosovë.
“Stabiliteti i Kosovës është interes i SHBA, ndërsa jostabiliteti cenon sigurinë dhe interesat amerikane. Dhe kjo është arsyeja që SHBA duan të ruajnë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, investimin e tyre më të madh politik, ushtarak, diplomatik dhe financiar në gjysmëshekullin e fundit në Ballkan”, ka thënë ai