• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Kryengritja në moral”!

February 17, 2016 by dgreca

Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/

1.Mizoritë duhet të bëhen përnjëherësh, kurse të mirat ngadalë – këshillonte Makiaveli Princin fiorentinas Mediçi.
Interesi? Krejt pragmatik: që e Keqja të harrohej shpejt, kurse të mirat e pakta të derdheshin kursyeshëm, si balsam mashtrues ndër vite!

Natyrisht, një sundtar nuk do të duhej as të vinte e as ta mbante pushtetin me dhunë. Mirëpo, meqë kjo ngjan pak e vështirë, aherë një soj princësh mënçurakë dhe në fronësohen përgjakshëm – së paku i bëjnë të ligat njëherësh. Dhe ato, si ndodh shpesh me popujt kujtesëshkurtër, arkivohen harrueshëm në kronikën e kohës…

2.Athua do ta kenë lexuar vulgokratët e Prishtinës këtë mësim? Sigurisht jo! Por dhe po t’kenë dëgjuar përshkit, mund të jenë dy arësye pse nuk kanë ndjekur fjalurtën e dijetarit të madh. E para, sepse, me gjasë, nuk e kanë marrë vesh, si shumë vegëza të tjera të holla shtetërore, ndërkohë që, së dyti, është pasioni marrok, verbtan, e kjo domethënë instinkti i ulët parasocial që i greminos përhumbshëm. Ndaj dhe, bëjnë vetëm keq dhe bëjnë vazhdimisht…

3. Kjo është bota e tyre…Një botë që duhet të rroposet me mjetet që kanë fabrikuar vetë. Fundja çdogjë ka një kohë, si rrëfen Libri i vjetër…Veçse mënyra konciliante, e pra e kadifenjtë, e demokracisë nuk bën dot punë. Sepse, thjeshtë, tirania e shumicës vulgare, për ç’fliste qysh moti Aristoteli, ka kapërthyer gjithëçka. Madje dhe ëndrrat që bëhen copë e grimë për ti zbërthyer…

“Çifutët, ky popull i lindur me qenë skllav”, thoshte Taciti, por Niçe, ndonëse evokon historianin romak, thotë se ata janë të parët që nisën epokën e “kryengritjes së skllevërve në moral”!

Që këtej, kur mëndje të tilla farfuritëse tabelojnë popuj inferiorë, disi nuk më shqitet një ndjesi e pamirë. Një aluzion i trishtë…Por nëse teoritë e varieteteve racore, i rrëzoi dinamika e ecjes njerëzore, përse dhe shqiptarët, megjithë akomodimin e gjatë në strehën e ngrohtë robnore, të mos japin provën e “epokës hebraike” të kryengritjes morale e, në fill të saj, rebelimin rrafshues politik?

Kombet e mëdhenj kështu kanë bërë historinë…Dhe tani diktojnë shpirtin e saj!

 *Berlin, fror 2016

Filed Under: Featured Tagged With: "Kryengritja në moral"!, Rexhep Kasumaj

Pesë vjet luftë

February 17, 2016 by dgreca

Redaksionalja e Faik Konicës në 5-vjetorin e Revistës Albania/

nga Rafael Floqi/*

Transkriptuar në shqipen e sotme, duke ruajtur tingëllimin në toskërisht/

Në revistën “Albania” që u botua nga Faik Konica në vitet 1897-1909 u paraqiten rregullisht artikuj redaksionale polemizues. Në trashëgiminë e Konicës vendin kryesor e zë publicistika. Ai paraqitet si një nga themeluesit dhe mjeshtrit e publicistikës shqiptare. Për afro gjysëm shekulli ai shkroi me qindra artikuj, pamflete, polemika, shënime, ese etj. të cilat i botoi në organet që drejtonte vetë. Tema qëndrore e publicistikës së Konicës në revistën “Albania” do të jetë ajo atdhetare, problemet e lëvizjes kombëtare, fati i Shqipërisë, rrugët për çlirimin kombëtar etj. Nga ana tjetër, ai do t`i kushtojë vëmendje të posaçme ndriçimit të historisë së popullit shqiptar, zbulimit dhe propagandimit të vlerave të tij etno-kulturore, e veçanërisht krijimit të një gjuhe letrare shqipe.Por rasti i Faik Konicës, intelektual i dorës së parë në kohën e Rilindjes, është shembulli më flagrant (përvec ai i Gjergj Fishtës) i censurimit, mohimit, të mos themi asgjësimit kulturor të një prej figurave më të ndritura në historinë e kulturës shqipe.

Ai në Shqipërinë socialiste u trajtua si person jo-ekzistues dhe kryevepra e tij, revista “Albania”, u mohua për 50 vite në radhë. Urrejtja e qarqeve sunduese të Shqipërisë ndaj Faik Konicës mori përmasa paranoide. Kjo urrejtje, ky mohim, me të vërtetë shkaktoi një dëme të madhe; pikëpamjet e intelektualëve shqiptarë rreth zhvillimit të kulturës shqiptare u shtrembëruan, sepse e vërteta, se “Albania” kishte luajtur një rol vendimtar në jetën kulturore shqiptare gjatë fazës së dytë të Rilindjes kombëtare, u la në heshtje, dhe kush guxoi të shkruante pozitivisht për Konicën dhe veprat e tij do të bënte vetëvrasje politike dhe shoqërore!  Por dhe ky pamflet redaksional i botuar me rastin e pesë vjetorit të numrit të parë të “revistës Albania” tw gjithw dashakeqwve e anti shqiptarwve u pwrgjegjet

“Munt të pyesin disa — të gjitha këto i paska bërë « Albania ». Atyreve qi pyesin këtë se kujtojnë që unë dua të lëvdoj veten, u përgjigjem : Direktori i « Albanies » s’ bëri gjë fare ; po të gjitha këto e kanë burimin në mundimet e bashkëpunëtorëve t’ « Albanies». Atyreve qi pyesin me shpirt-ligësî, u thomi: Shqipëtarët e nesërm do të gjykojnë”.

****

Me këtë numër, po mbushen pesë vjet që dolli « Albania ». Pesë vjet mundîme, punë, luftë për bashkëpunëtorët e « Albanisë » ; pesë vjet sëmundje e hidhërim për kurvat  shërbëtore te Turkut a almitsa të Moskovit. Ne na kundërshtuan pa pushim, duke shpresuar sot vdekjen t’onë për nesër, duke rënë nesër në dëshpërim, e ashtu gjer me këtë ditë.

E ç’kundërshtim ? Jo faqeza, jo sheshit, jo me arsye, siç u përket burrave të vërtetë, po prapa kurrizit, n’ errësirë, me gënjeshtra, si kurva që janë e do të mbeten. Sa për ne, ç’ do herë q’ u-rëfye nevoja, ua ngjeshëm fora dackat armiqve t’ane, duke provuar se sa do se mos shpirt-ndyrët janë shpirt-ndyrë e harbutët harbutë. Po më të shumët herë pushuam, se atdhetaret qi ligjërojnë të Përkohshmen presin prej nesh punë më të dobishme se të japim mësime të kotta në zuzarë të paturpshëm.

Punet qi priteshin prej nesh, bashkëpunëtorët e « Albanies • me durim, me fie dashuri të thelle t’atdheut, me në hollim te bukur, i vunë mb’ udhe. Vjershëtorë të vërtetë, shkrimtarë të kulluar, gjykatës të drejtë të punëve të politikës, mbijtën pake nga pakë e u-bashkuan tok. Me sa levdatë, me sa të mburrur, mundim të botojmë më postë një vjershë të Geg Postrippes, aq të hieshëm, aq të zgjedhur në fjalët, aq të mbaruara sa meriton t’u- jipet, për shembull gjithë vjershëtorëve t’ anë.

Geg Postrippa e shume te tjerë qi me fie mënyre a me fie tjatër po zbukurojnë gjuhën shqipe,si do kishin rëfyer fuqin’e mjeshterin’e vetë në mos kishin një të përkohëshme të tyre, — në të cilën drejtori e pati kurdoherë për nder të hiqet mbë ane e t’ u lejë vendin e parë ! Shoqëri të nxehta u-krjuan kudo, nënë kryesin atdhetarësh mendje-lartë, libra popullore mbijtën me të gjitha anët si lule, e duke shtyre njeri tjatërin, u-ndesnë vatëra kombëtare ditë për ditë. Shqiperia e sipërme, qi në kohet e shkuara u-be sa herë vegla e Sulltanëve kundër Shqipërisë së poshtme, zuri të përkujdeset edhe ajo me dashuri të madhe, e, në vaftë përpara pa qendruar, fie anë e Gegerisë do t’ i shkojë gjithë viset e tjera të Shqipërisë për punët kombëtare. Do me thënë munt të pyesin disa — të gjitha këto i paska bërë « Albania ». Atyreve qi pyesin këtë se kujtojnë që unë dua të lëvdoj veten, u përgjigjem : Direktori i « Albanies » s’ bëri gjë fare ; po të gjitha këto e kanë burimin në mundimet e bashkëpunëtorëve t’ « Albanies». Atyreve qi pyesin me shpirt-ligësî, u thomi: Shqipëtarët e nesërm do të gjykoinë. Atyreve qi pyesin dhelpërisht e kurvërisht, u pshtyjmë këto fjalë : Mjaft me gënjeshtra, harbutë të poshtër ! S’ kini ju turi të gjykoni punë të tilla, po hiqni e -bëni zaptien siç ‘ e kini pasur ghithmotin « zananë ».

E na rroftë Shqipëria e vertetë !

Fk K-tza

*Botohet me rastin e Vitit Të Faik Konicës(2016),  shpallë nga Federata VATRA

Filed Under: Editorial, Vatra Tagged With: Faik Konitza, Pesë vjet luftë, Rafael Floqi

Mustafa: Kosova, sukses i kosovarëve me aleatët

February 16, 2016 by dgreca

 -Kryeministri Isa Mustafa: Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë: “Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka”. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Shkurt  2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në pritjen zyrtare me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë, të organizuar së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Para të pranishmëve të shumtë në këtë pritje solemne, kryeministri Mustafa tha se 17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë.
“Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës”, tha kryeministri.Më tej, kryeministri Mustafa theksoi se Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre. “Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj”, tha kryeministri Isa Mustafa.  Ndëkohë që opozita ka paralajmëruar për nesër protestë në Prishtinë, lidhur me zhvillimet në skenën politike kryeministri kosovar tha se, ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. “Populli ynë thotë: ‘Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka’. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt”, u shpreh Mustafa. Sepse, vijoi ai, shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt. “Ne kemi vendosur rregullat demokratike, ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyes për Kosovën. Sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes euro-atlantike”, theksoi kryeministri Mustafa.

 FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA, NË PRITJE: 

Ndjehem i nderuar t’u drejtohem sonte, në vigjilje të 8 vjetorit të shpalljes së Kosovës-shtet i pavarur dhe sovran.
17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë. Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës.
Të dashur miq,
17 shkurti i vitit 2008 është, po ashtu, dëshmia më e freksët e ngadhnjimit të parimeve universale të drejtësisë. Duke e ndihmuar për çlirim, duke e mbështetur për rindërtim e pavarësim, Ju jeni shndërruar në miq të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Kosovarët janë të paktë në numër. Por, kanë zemër bujare dhe janë popull fisnik. Tek populli i Kosovës, Ju do të gjeni përgjithmonë aleatin besnik dhe partnerin mirënjohës e të përjetshëm.
Zonja dhe Zotërinj,
Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre. Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj.
Zonja dhe zotërinj,
Këto 8 vjet, ne kemi demonstruar përkushtim për ta bërë Kosovën një vend të denjë për të jetuar. Kemi dëshmuar përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jemi përpjekur të njohim e zbatojmë obligimet tona ndaj fqinjëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Tashmë, Republika e Kosovës i ka bërë të vetat vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Këto vlera nuk mund t’i rrënojë askush, sepse ato mbrohen nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ne do të kultivojmë fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet.
Ne i njohim edhe ngecjet e dëshmtimet që na kanë përcjellë në këto 8 vjet pavarësi dhe gati 17 vjet liri. Sonte dua t’u siguroj se kosovarët nuk e meritojnë dhe jam i bindur se nuk do ta tolerojnë mbisundimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashtu sikurse, jam i bindur që qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës do t’i mundin tendencat e infiltrimit të rrymave radikaliste,  ekstremiste dhe terroriste, të cilat synojnë ta rrënojnë tolerancën dhe bashkëjetesën tonë tradicionale.
Të nderuar të pranishëm,
Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë: “Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka”. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt. Sepse shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt. Ne kemi vendosur rregullat demokratike, ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyes për Kosovën. Sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes euro-atlantike.
Të dashur miq,
Siç e dini, Ekonomia është shtylla kryesore e programit tonë qeverisës. Unë vij këtu para jush, vetëm një ditë pasi që së bashku me Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, lansuam Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, duke cilësuar kapitalin njerëzor, sundimin e ligjit, infrastrukturën dhe konkurrueshmërinë si shtylla të zhvillimit ekonomik të Kosovës në pesë vitet e ardhshme.
Kemi bërë reforma të qëndrueshme fiskale dhe jemi duke e zbatuar një strukturim buxhetor,  të bazuar në kursime, rritje të inkasimit dhe luftimit të ekonomisë joformale.
Të nderuar të pranishëm,
Në Qeveri jemi të vetëdijshëm se lufta kundër papunësisë nuk është e lehtë dhe e shpejt. Për këtë arsye ne kemi identifikuar sektorin e bujqësisë si potencial i madh për rritjen e prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Kemi nënshkruar marrëveshjen për investimin më të madh privat paslufte në Kosovë, ndërtimin e TC Kosova e Re me partner nga SHBA, ndodhemi në fazën finale të dhënies me koncesion të Brezovicës një konsorciumi francez dhe po punojmë për të ardhmen afatgjate të Trepçës. Kemi përgatitur bazën ligjore për tërheqje të investimeve të huaja direkte.
Të nderuar të pranishëm,
Viti që shkoi është historik sa i përket marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimit Evropian, pasi që kemi nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian- Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Por, po ashtu,  është vit në të cilin për herë të parë Kosova përfshihet për tu financuar nga Korporata e Sfidave të Mileniumit, të SHBA, duke përmbushur kriteret e kësaj organizate prestigjioze.
Kosova ka arritur që ta ulë gati në zero emigrimin ilegal dhe ne tani ndodhemi në fazën finale të marrjes së rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave.
Edhe nga ky përvjetor ju ftoj të vazhdojmë ta shohim Kosovën si projekt të suksesshëm të kosovarëve dhe miqve të tyre. Një shtet ku qytetarët e saj realizojnë nevojat dhe aspiratat e tyre, ku diversiteti kulturor, gjuhësor e etnik është pasuri dhe urë lidhëse e bashkëpunimit me vendet fqinje dhe e integrimit në familjen evropiane. Vend në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, me aleatët, Mustafa: Kosova, sukses i kosovarëve

E FALENDEROJ Z-njën NEXHMIE HOXHA PËR INTERVISTEN HAXHIQAMILISTE

February 16, 2016 by dgreca

Shkruar nga Thanas L. GJIKA/
Në këto ditë të ftohta të shkurtit 2016, z-nja Nexhmie Hoxha, e veja e ish diktatorit tonë dha një intevistë, të cilën e quajti të fundit. Pas saj nuk duhet të presim më prej saj intervista e biseda, për të bërë ndonjë korrigjim a evoluim mendimesh. Kjo intervistë e saj duhet konsideruar si testamenti i saj. E pikërisht për faktin se ajo e la testamentin e saj duhet ta falenderojmë, mbasi ish pushtetarët që nuk lenë testament bëjnë një gabim fatal ndaj pasuesve puthadorë të tyre. I lenë këta në një gjendje të turbullt lidhur me qëndrimet që duhet të mbajnë ndaj dukurive të ndryshme politike e shoqërore në të ardhmen dhe kundërshtarëve nuk u japin material për t’i diskredituar.
Z-nja Nexhmie u tha pasuesve të PPSH-së, dhe simpatizantëve të saj, të cilët për fat të keq përbëjnë gjysmën e popullit shqiptar që jeton në atdhe, se Enver Hoxha si burrë shteti kreu vetëm trimërira e bëma të mira, duke jetuar me një rrogë me të cilën e mbyllte muajin me vështirësi. Se rroga e tij prej 16.000 lekësh, ishte në përputhje me porosinë e Leninit, vetëm dy herë e gjysëm më e lartë se ajo e punëtorit, etj. Ajo nuk tha asgjë lidhur me faktin se sistemi socialist dështoi me turp, sepse ishte i ngjizur që në embrion me kërkesa e porosi që ishin kundër natyrës njerëzore. Ajo nuk përmendi asnjë nga krimet e kohës së diktaturës komuniste, madje as nga ato të cilat i gatuante ajo me bashkëshortin e saj. Ajo bëri sikur nuk e dinte se fshatari që punonte në kooperativë merrte rreth 40 lekë për ditë pune, pra 16 herë më pak se diktatori, etj.
Demokratët duhet ta falenderojnë z-njën Nexhmie sepse ajo i la pasuesit e PPSH-së dhe besnikët e saj të çoroditur, mbasi mospranimi i asnjë kritike ndaj diktatorit e diktaturës, është përpjekje për ta kthyer Enver Hoxhën në një tabu të paprekshëm. Kurse sipas Katovicës, që ndiqte Ramiz Alia, diktatura e diktatori duheshin sharë, shaheshin e kritikoheshin gabime e krime të kryera. Pra autorja e testamentit bën hapa prapa në krahasim me rrugën që kishin ndjekur deri sot pasuesit e besnikët e PPSH-së. Me intervistën testament ajo, duke mos kërkuar të falur për krimet e kryera dhe duke mos u bërë thirrje pasuesve të saj për largim nga skena historike edhe mbas 25 vjet nga humbja e betejës, ajo po u le një trashëgim moral shumë të ulët pasuesve të hapur e të fshehur të PPSH-së, . Ajo po ngul këmbë në ruajtjen e mendësisë së vjetër tiranike dhe po kërkon ta maskojë të vërtetën me gënjeshtra, ashtu si kishte bërë në kohën e sundimit diktatorial.
Intervista e saj nuk është gjë tjetër veçse një kushtrim haxhiqamilist Dum Babën, Dum Babën! kur perandoria komuniste është përmbysur pa kthim dhe Enver Hoxha është mbuluar me një mal me krime tashmë të zbuluara e njohura botërisht. Kjo intervistë testament është një vulë turpi në ndërgjegjen e saj dhe të çdo shqiptari që do ta ndjekë atë…

Filed Under: Opinion Tagged With: interviste Haxhiqamiliste, nexhmije Hoxha, Thanas L Gjika

TETË VJET PAVARËSI TË KOSOVËS

February 16, 2016 by dgreca

NGA HARRY BAJRAKTARI/
Tetë vjet më parë, më 17 Shkurt 2008, u shpall Pavarësia e Kosovës, që është ngjarja më e madhe historike e shqiptarëve pas Vlorës së vitit 1912. Me këtë mori fund robëria dhe shtypja e gjatë serbe mbi Kosovën dhe mbi shqiptarët. 17 Shkurti është kurorëzim i një ditë të madhe të historisë sonë, i përpjekjeve dhe luftërave të shumë brezave për liri e me vetësi në këtë pjesë të hapsirës shqiptare. Pavarësia, që u arrit me aq mund, gjak e sakrificë, i hapi rrugën Kosovës për krijimin e shtetit të së drejtës qytetare dhe demokracisë evropiane. Historia e shqiptarëve sot nuk është ajo që ka qenë, kjo ka ndryshuar shumë në këtë shekull dhe dita ditës po ndryshon në kuptimin e lëvizjes përpara. Në këtë periudhë kohore, përkundër problemeve të mëdha që ka pasur, Kosova ka arritur të bëjë një përparim të dukshëm në fusha të caktuar në ndërtimin e shtetit dhe të demokracisë, por këto nuk kanë qenë të mjaftueshme për një stabilitet më të qëndrueshëm të tij, e sidomos në zhvillimin ekonomik, ku problemet janë shfaqur në mënyrë shumë më të ashpër.
Pavarësia e Kosovës, për këto tetë vjet të shkuara, ka arritur të njihet nga më së 100 shtete të ndryshme të botës përballë pengesave të vazhdueshme të Beogradit dhe Moskës. Kjo ndoshta nuk ka plotësuar parashikimim tonë, por ne duhet të punojmë që nesër të kemi më shumë njohje dhe të bëhemi pjesë më e madhe e botës, anëtar të OKB. Tek ne egziston një vullnet i pa lëkundshëm për një bashkëpunim edhe më të ngushtë me SHBA dhe me Bashkësinë Evropiane, që Kosovës, si shteti i ri t’ i mundësohet një ecje e drejtë dhe e sigurtë në integrimet e përgjithshme në komunitetin euro-atlantik.
Kosova mund të ecë përpara vetëm me një luftë të përbashkët, të ashpër e pa kompromis kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dhe në këtë kontekst të forcimit të gjyqësisë për ndëshkimin e këtyre krimeve. Kjo, pa dyshim është pika më e dobët e të gjitha qeveriveve për këto tetë vjet të shkuara të pavarësisë.
Kosova ka kapacitete shumë më të mëdha për hapjen e vendeve të reja të punës, dhe tërheqjen e investitorëve të huaj, por këto mundësi kanë mbetur ende të pa shfrytëzuara.
Pavarësinë e Kosovës, përkatësisht shtetin tonë të ri, duhet ta çmojmë të gjithë së bashku, të kemi vullnet të ecim bashkë me të, ta duam se ky është atdheu ynë i përbashkët. Nëse këtë nuk e bëjmë, nëse këtë nuk e mbrojmë, nëse këtë nuk e ngrehem në vlera të njëmenda kombëtare , do të jemi përgjegjës para historisë dhe para gjithë botës shqiptare.
Në këtë përvjetor të tetë të pavarësisë, unë si shqiptaro-amerikan, dua t’ i falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për atë që bënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për mbështetjen e vazhdueshme që kemi për ndërtimin e demokracisë dhe të shtetit tonë të ri.

Urime të gjithëve përvejtorin e tetë të Pavarësisë së Kosovës!
Gëzuar!

Filed Under: Opinion Tagged With: harry bajraktari, PAVARËSI TË KOSOVËS, TETË VJET

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3081
  • 3082
  • 3083
  • 3084
  • 3085
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT