• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ekspozita “fajikorrupsionit” Pasqyron Efektet e Korrupsionit në Kosovë

December 10, 2015 by dgreca

 
 Për të shënuar ditën Ndërkombëtare kundër-korrupsionit, UNDP dhe KDI organizuan edhe ekspozitën me 20 fotot më të mira, nga mbi 130 foto sa ishin të postuara në rrjetet sociale nga më shumë se 100 qytetarë. Gara ka qenë e hapur për të gjithë duke ju mundësuar aplikim të thjeshtë përmes postimit të fotove në rrjetet sociale: Facebook, Twitter, Instagram me hashtag #fajikorrupsionit.
  Të gjitha fotot e ekspozuara kishin mesazhet e veta të fuqishme, që më së miri u përshkruan nga Arbër Elezi, njëri nga fituesit kur tha se “Si mësues në shkollën e muzikës në Gjilan, është tepër rëndë të fotografosh nxënësit e tu duke mbledhur mbeturina. Ata kërkuan që unë të mos e publikoj këtë foto, por unë nuk mundem të mos e publikoj realitetin e hidhur dhe gjendjen e rëndë që këta po përjetojnë”. Të njëjtin mesazh e kishte edhe Shpëtim Dulaku, fituesi i çmimit të parë në këtë garë: “Unë ushtroj me këta të rinj tre herë në javë dhe kjo është ajo me çka ballafaqohemi tash e shumë kohë”.
  Ceremoninë e dhënies së çmimeve e hapi Andrew Russell Koordinator i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, i cili tha: “Kosova nuk është e vetme në luftën kundër korrupsionit, sepse kjo është luftë globale.” Ndërsa Artan Canhasi nga KDI, degë e Transparency International për Kosovë tha se “Këto foto përfaqësojnë guximin qytetar për të raportuar korrupsionin dhe paraqesin efektet e korrupsionit siç qytetari i sheh”.
  Juria vlerësuese ishte e përberë nga Atdhe Mulla (fotograf), Arben Llapashtica (fotograf), Adriatik Kelmendi (Gazetar), Artan Canhasi (KDI), Lidija Fazlihu (zyrtare në Komunën e Graçanicës).
  Gara e fotografisë “Kape korrupsionin”, e cila përdorte #fajikorrupsionit, #becauseofcorruption apo #zbogkorupcije si fjalë kyçe për të hyrë në garë, është realizuar nga projekti anti-korrupsion i UNDP-së dhe KDI. Projekti anti-korrupsion financohet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Filed Under: Kulture Tagged With: Ekspozita ne Kosove, fajikorrupsionit

12 fakte për Dhjetorin 1990

December 10, 2015 by dgreca

Nga Neritan Sejamini-Exit.al/

Mbas një çerek shekulli shtrembërime e gënjeshtra nga ata që kanë dashur t’i shfrytëzojnë ngjarjet e Dhjetorit 1990 për të veshur veten me legjitimitet, merita e heroizëm, sakrifica, ne që kemi marrë pjesë në ato ngjarje duhet të fillojmë të tregojmë e shkruajmë të vërtetat para se të harrojmë dhe të mbetemi edhe ne viktima të fallsifikimimeve historike dhe dembelizmit tonë intelektual.
Nëse Dhjetori 1990 do të çmitizohet ai do të hyjë në histori si ngjarja që ndau dy epoka më shumë se sa si ngjarja që rrëzoi një regjim.
Më shumë se një goditje shkatërruese ndaj regjimit komunist, Dhjetori 1990 qe momenti kur mijëra studentë u çliruan psikologjikisht e shpirtërisht dhe u bënë nxitësit e çlirimit të madh nga frika të një populli që kishte që kur s’mbahej mend që jetonte në frikë dhe apati.

Ja disa fakte të thjeshta për ato tre ditë të mëdha.

  1. Edhe pse tashmë njihet me emrin Lëvizja e Dhjetorit ajo nuk ishte lëvizje, por protestë që zgjati më pak se tre ditë, nga orët e fundit të datës 8 dhjetor deri në mbrëmjen e datës 11 dhjetor. Protesta filloi spontanisht dhe vazhdoi me vetëorganizim minimal, duke mos u institucionalizuar asnjëherë si lëvizje e organizuar
  2. Gjatë tre ditëve studentët tentuan dy herë për të vërshuar nëpër rrugët e Tiranës, por u ndaluan nga policia. Për rrjedhojë, protesta u zhvillua e gjitha në sheshin kryesor të Qytetit Studenti, sot Sheshi Demokracia. Një vend i ngritur në anë të sheshit u shndërrua në podium, nga ku u luajt me zë të lartë publikisht për herë të parë në Shqipëri muzikë e ndaluar, u mbajtën fjalime dhe u hodhën parrulla nga studentë, pedagogë dhe qytetarë të Tiranës. Regjimi komunist e lejoi këtë manifestim dhe asnjë forcë policore nuk hyri për asnjë çast në Qytetin Studenti.
  3. Protesta filloi të shtunën e datës 8 dhjetor në mbrëmje vonë si një reagim spontan për t’u ankuar për mungesën pothuajse totale të dritave në Qytetin Studenti. Një grup studentësh të revoltuar, kryesisht të degëve të inxhinierisë, ekonomikut dhe shkencave të natyrës, fillimisht tentuan të protestonin para drejtorisë së Qyteti Studenti, por atje nuk kishte njeri në atë orë të natës. Nuk dihet se si ky grup fillestar befas vendosi të kërkonte takim me Ramiz Alinë për t’ia bërë atij të ditur ankesat e tyre dhe për këtë qëllim marshoi në rrugën në dalje të Qytetit Studenti. Nga ky çast filloi vetëdijësimi, vetëorganizimi, por edhe influencimi i studentëve nga persona jashtë rradhëve të tyre, kryesisht pedagogë dhe intelektualë të kohës. Si rezultat, shumë shpejt kërkesat e studentëve nga thjesht kërkesa ekonomike, përfshinë edhe kërkesën për lejimin e pluralizmit partiak.
  4. Në ngjarjet e dhjetorit 1990 pothuajse nuk pati asnjë lloj ushtrimi dhune nga ana e regjimit, përjashto përdorimin e lehtë të shkopinjve të gomës për shpërndarjen e turmës së studentëve që tentoi dy herë të dilte në rrugët e Tiranës. Në orët e para të protestave, sigurimi i shtetit ndaloi e mori në pyetje disa studente të cilët u lanë të lirë pas pak orësh madje u sollën me makina në Qytetin Studenti.
  5. Protesta studentore nuk pati një lider të mirëfilltë, por më shumë një grup studentësh kurajozë dhe me karaktere të forta që u bënë përfaqësues por edhe orientues të të gjithë studentëve. Tre njerëzit më të spikatur të saj ishin Azem Hajdari, Shenasi Rama dhe Tefalin Malshyti. Protagonizmi i tyre u shpreh në ngritjen e zërit dhe kurajon për të denoncuar hapur publikisht regjimin në fjalimet para studentëve. Roli i tyre drejtues qe më shumë rol frymëzues dhe kurajo dhënës dhe vrasjes së frikës që ishte e pranishme mes të gjithë studentëve. Azem Hajdari qe më i spikaturi mes të gjithëve.
  6. Në protestat studentore të dhjetorit nuk ka patur disidentë apo antikomunistë të mirëfilltë. Pothuajse, të gjithë intelektualët që ju ofruan studentëve ishin pjesë e elitës së kohës, mes tyre ishte anëtarë dhe drejtues organizatash të PPSH-së. Disa prej figurave kryesore, student apo intelektualë që u përfshinë në protesta dhe në temelimin e drejtimin e Partisë Demokratike ishin agjentë të sigurimit të shtetit.
  7. Sali Berisha nuk ka pasur asnjë rol në protestat studentore. Përkundrazi ai u përpoq që ditën e parë të protestave për të qetësuar studentët me qëllim ndërprerjen e protestave dhe kthimin e studentëve në mësim, duke ju premtuar, në emër të Ramiz Alisë, që kërkesat e tyre ekonomike do të përmbusheshin.
  8. Edi Rama nuk ka pasur asnjë rol në protestat e dhjetorit. Ai nuk ndodhej fare në Shqipëri në atë periudhë, pasi ishte për një vizitë private në Greqi.
  9. Ramiz Alia dhe Byroja Politike vendosën lejimin e pluralizmit politik mbasditen e datës 11 dhjetor, disa orë para takimit me përfaqësuesit e studentëve. Njoftimi për lejimin e pluralizmit u bë i njohur publikisht që para takimit, duke e bërë në thelb, praktikisht, të pavlefshëm takimin e studentëve me Ramiz Alinë.
  10. Në fund të tre ditëve të protestave, studentët u mënjanuan pothuajse të gjithë nga çdo lloj ndikimi real në zhvillimet politike që pasuan këto protesta dhe veçanërisht nga ndikimi në partinë e parë që lindi nga protestat, Partinë Demokratike. Azem Hajdari qe i vetmi student që ishte ende pjesë e drejtimit të PD-së në vitin 1992 kur PD erdhi në pushtet. Shumica e studentëve që luajtën rolë të rëndësishëm në protestat e dhjetorit emigruan jahstë Shqipërisë.
  11. Protestat studentore të dhjetorit 1990 nuk qenë shkaku i rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri. Ato qenë shtysa e fundit ndaj një ngrehine të rrënuar ekonomikisht e politikisht që mezi qëndronte në këmbë dhe që ishte e destinuar të shembej shpejt.
  12. Të ashtuquajturat ideale të dhjetorit nuk kanë qenë realisht një filozofi, vizion social apo politik. Përgjithësisht mes studentëve nuk kishte as vetëdije dhe as qartësi të madhe politike apo ideologjike. Ideali i tyre qe në fakt aspiratë – aspirata për liri dhe mirëqenie e përmbledhur në parrullat e famshme: “Liri Demokraci” dhe, më pas, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Marrë nga Exit.al – See more at: http://shqiptarja.com/analiza/2709/12-fakte-p-r-dhjetorin-1990-331238.html#sthash.pdX7NmIC.dpuf

Filed Under: Featured Tagged With: 12 fakte, dhjetor 1990, Nerita Sejamini

“Mashtrimi i madh” u promovua ne AAB

December 10, 2015 by dgreca

Te Merkuren me 9 Dhjetor 2015  në Kolegjin AAB në Prishtinë, u bë promovimi i librit “Mashtrimi i madh”, i autorit Bardhyl Mahmuti. Këtë libër e ka botuar Shtëpia Botuese “Çabej”. Ky libër i ka 600 faqe, që është i sistemuar në dy pjesë, përkatësisht në tërësi ka dhjetë kapituj.

“Ky libër, që është i pashoq në krijimtarinë faktike kosovare dhe gjithëshqiptare, karakterizohet me dendësinë e dëshmive argumentuese dhe bindëse përmes dëshmitarëve okular dhe aktorëve dhe veprave vrastare të kryera në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera prof. dr. Ramë Buja, i cili më pastaj shtoi se ky libër ka veçanti dalluese, sepse lexuesi mrekullohet sidomos me formën e vjeljes së fakteve të atyre që kanë shkaktuan tragjedinë në këto troje. Me një fjalë autori ka kurajën që të argumentojë kujdesshëm vërtetësinë e të ndodhurave të të gjitha masakrave gjenocidale në Kosovë, përfundoi Buja.Ndërsa prof. Fatmir Arifi, duke folur për librin “Mashtrimi i madh”, tha se motivimi për t’u shkruar ky libër qëndron në dy ngjarje që e bëri të domosdoshëm daljen e këtij libri në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të huaja. Në fakt, arsyeja kryesore qëndron në ndriçimin e fakteve se në Kosovë ka ndodhur gjenocid i shkaktuar nga shteti serb, kurse arsyeja e dytë është që ky gjenocid edhe sot po synohet të modifikohet nga qarqe të ndryshme. Zotri Arifi ka shtuar se ky libër përmban një vlerë të madhe historike, juridike dhe sociologjike për sa i përket analizës së saktë kronologjike dhe zbulimit të ngjarjeve në dekadën e fundit të shekullit që lamë pas.

 

Duke i falënderuar të pranishmit, e ne veçanti profesorët dhe studentët e AAB-së, por edhe të ftuar të tjerë, autori i librit, Bardhyl Mahmuti ka thënë se tre kapitujt e parë të pjesës së parë të librit tim që trajtojnë çështjen e gjenocidit në Kosovë, i kushtohen tri rasteve më të mediatizuara të vrasjeve së civilëve: “Rastit të Kleçkës”, “Rastit në kafenenë Panda” dhe “Rastit zë Reçakut”. Ndriçimi i këtyre tri ndhodhive, si dhe vrasjet gjatë operacionit “Patkoi”, mundësojnë të shihen të gjitha pasojat e luftës në Kosovë si rezultat i politikës gjenocidale, që e zbatoi shteti serb ndaj shqiptarëve. Në fund autori ka tha se çdokush që do ta lexoj këtë libër do të kuptoj se kush në fakt qëndron prapa vrasjes së civilëve në Kosovë, dhe se çka përmbajnë listat e krimeve që i mëvishen UÇK-së, etj.Në fund të promovimit të librit u zhvillua një debat mjaft interesant në mes të studentëve dhe autorit të librit, ku kryesisht u debatua përmbajtja e librit dhe ngjarjet që pasqyron libri.

Zyra për Marrëdhënie me Publikun, Kolegji AAB

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Mashtrimi i amdh, ne Kolegjin AAB, Promovohet

“Piktura eshte poezi e heshtur” – Sali Shijaku

December 10, 2015 by dgreca

Me piktorin Sali Shijaku/

Nga Sadik ELSHANI-Filadelfia*/

Ne fund te vitit 1978, me rastin e 100 Vjetorit te Themelimit te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit, ne ish Jugosllavi u hap nje ekspozite e madhe me veprat e piktoreve dhe skulptoreve te Shqiperise. Kjo ekspozite fillimisht u hap ne Shkup ne fund te nentorit, per te vazhduar pastaj ne Prishtine e Beograd. Une atehere isha student ne Universitetin e Zagrebit dhe hapja e ekspozites ne Shkup perkonte me festen e 29 Nentorit qe ishte feste kombetare ne Jugosllavi. Ne qe studionim jashte Kosoves zakonisht festat i shfrytezonim per te vizituar familjet tona,  por ne kete rast kisha edhe nje arsye edhe me te forte: pervec familjes, doja ta vizitoja edhe ekspoziten e artisteve figurative shqiptare. Ne Suhareke/Therande familja jone e kishte nje dyqan te pemeve dhe perimeve dhe vellau im i madh, Shefketi,  mallin e merrte kryesisht nga Shkupi. Atehere, nje dite u nisem heret per ne Shkup, vellau me la te kalaja e Shkupit ku ndodhej galeria e arteve dhe vazhdoi per t’i kryer punet e veta. Ishte heret ne mengjes, galeria sapo ishte hapur,  une isha vizitori i pare dhe per nje kohe i vetem. Shikoja pikturat dhe skulpturat e artisteve shqiptare: Abdurrahim Buza, Nexhmedin Zajmi, Ksenofon Dilo, Sali Shijaku, Kristaq Rama, Zef Shoshi, Pandi Mele e shume e shume te tjere. Une deri diku e njihja krijimtarine e artisteve figurative shqiptare, sepse ne vitin 1972 e kisha vizituar  ekspoziten e pare te artisteve te Shqiperise te hapur ne Prishtine.

Pasi isha vetem ne galeri, ishte nje qetesi e thelle, vetem nganjehere degjoheshin levizjet e punonjesve te galerise. Por nuk vonoi shume dhe degjova pak zhurme te dera e hyrjes se galerise, ishte nje grup prej 4 – 5 vetesh. Menjehere e kuptova se ishin artistet shqiptare, sepse te parin qe hyri, e njoha menjehere. Ishte piktori Sali Shijaku. Per mua ishte nje befasi e kendshme, sepse as qe e kisha paramenduar se aty do t’i takoja piktoret dhe skulptoret shqiptare. Ata kishin ardhur per ta shoqeruar ekspoziten.  Shkova ne drejtim te tyre tere i entuziazmuar, i ngazellyer,  u tregova se kush isha dhe iu drejtova te parit duke i thene se, ai ishte Sali Shijaku. Ata te gjithe u habiten: “E njohu Saliun!” Edhe ata, pervec Sali Shijakut qe e njoha, u paraqiten se kush ishin: Muntaz Dhrami, Kristaq Rama, Dhimitraq Trebicka dhe Niko Thana. Per ta shuar habine e tyre, atehere i tregova Sali Shijakut dhe te tjereve se se e kisha njohur ate. Tani po i tregoj edhe lexuesit te ketij shkrimi.

Gjate viteve te mia te gjimnazit ne Suhareke/Therande (1971 – 1975), aty diku nga vitet 1973/74, shkolla jone nen kujdesin e drejtorit te shkolles dhe profesorit tim atdhetar te gjuhes shqipe, Ramadan Shala, e kishte bere parapagimin per disa gazeta e revista nga Shqiperia: “Drita”, “Mesuesi”, “Nentori”, “Teknika”. Gazetat “Drita” dhe “Mesuesi” ne fund te vitit i dergonin ne Prizren te liberlidhesi dhe numrat e nje viti i lidhnin bukur ne nje liber te vetem. Profesori im kishte besim te une dhe m’i lejonte qe gjate pushimeve dimerore t’i merrja dhe t’i lexoja me kujdes ne shtepi. Neve ne Kosove na interesonte shume te dinim per Shqiperine, sepse atehere nuk kishim shume burime te informacioneve, pervec Radio Tiranes dhe Radio Kukesit, qe i degjoja rregullisht (Radio Tiranen, edhe kur isha ne studime ne Zagreb). Me vone, aty nga viti 1979 filloi ta kapte edhe Televizionin Shqiptar. Ne nje nga numrat e gazetes “Drita” e kisha lexuar nje shkrim per piktorin Sali Shijaku qe atehere kishte patur nje qendrim pune ne Divjake. Shkrimi, qe ishte nje reportazh per punen dhe angazhimet e tij  ne Divjake, shoqerohej edhe me nje fotografi te piktorit dhe une e kisha mbajtur mire ne mend. Kur ia permenda kete Sali Shijakut, ai me tha se me shume ishte marre me gjueti sesa me pikture gjate atij qendrimi ne Divjake.

Meqenese dolem te “njohur” me Sali Shijakun, atehere ai me shoqeroi neper tere ekspoziten. Se bashku me veprat e piktoreve dhe skulptoreve tjere, ishin ekspozuar edhe pikturat e tij: “Mic Sokoli” (duke e vene gjoksin ne topin e ushtrise turke), “Vojo Kushi” ( mbi tank), “Zeri i mases”, “Fshati kufitar”, etj. Kuptohet, ato kryesisht ishin vepra te realizmit socialist, me ndonje perjashtim te rralle. Sali Shijaku me pyeti se cila pikture e tij me pelqente. I thashe se nuk mund t’i dalloja, por do ta vecoja “Mic Sokolin”, jo vetem per figuren dhe aktin e tij heroik, por edhe per ngjyrat, dramaticitetin, kompozicionin qe pasqyronte kjo pikture. Pastaj ai me tha se shoket ia pelqenin shume pikturen “Fshati kufitar”, qe ishte nje peizazh i nje fshati kufitar, sic e thote edhe vete titulli. Per pikturen “Zeri i mases”, ai me spjegoi: Nje dite, tha, ne studion time erdhen nje grup punetoresh dhe me propozuan qe te beja me shume tema nga jeta e klases punetore (kuptohet, sipas rrethanave dhe praktikave te atehershme). Atehere une u thashe, vazhdoi piktori, do t’ju pikturoj juve qe me keni ardhur ne studion time te punes. Meqenese ata ishin artiste, atehere bisedat tona pervec bisadave te rastit, kryesisht kishin te benin me artin, shqiptar e boteror. U tregova se ne veren e atij viti (1978)  kisha qene ne nje kurs veror te gjuhes frenge ne qytetin Menton, ne Bregdetin Azur dhe se ne qytetin Cagnes sur Mer e kisha vizituar shtepine e piktorit te njohur impresionist, August Renoir (1841 – 1919). Ata u habiten per kete, por edhe me shume u habiten sesi kisha mundur te shkoja ne France( atehere sistemet ne Jugosllavi e Shqiperi ishin krejtesisht te ndryshme). Pastaj i pyeta se a kishin degjuar per piktorin me fame boterore, Ibrahim Kodra ( 1918 – 2006 ). Po,  thane si neper dhembe, por kuptohet se ata i perkisnin stileve te ndryshme artistike dhe ai jetonte ne Itali, prandaj kjo teme nuk u zgjate me shume. Ne ne Kosove dinim mjaft per piktorin Ibrahim Kodra. Me ate naivitetin tim te atehershem i pyeta se pse nuk merreshin edhe me tema, teknika, stile te tjera, por kryesisht me ato historike, te luftes dhe te punes – te realizmit socialist. Sali Shijaku me mjeshteri, me shume kujdes (delikatese)  m’u pergjigj se, prinderit i kishin shkolluar ata dhe ata donin qe prinderit t’i kuptonit pikturat e tyre. Edhe kete bisede nuk e zgjatem me teper. Ne atehere ne Kosove nuk i dinim shume gjera per jeten ne Shqiperi. Me vone per te vizituar ekspoziten erdhen edhe studentet e gjuhes shqipe prane Universitetit te Shkupit, te shoqeruar nga profesori Zeqirja Neziri, te cilin me vone e kam takuar ne Zagreb ku ai i ndiqte studimet pasuniversitare. Bisedat tani u zgjeruan, edhe te tjeret perfshiheshin ne biseda dhe mua dikur me erdhi koha per t’u kthyer ne Suhareke/Therande. Ekspozita shoqerohej edhe me nje katalog dhe ne fund te gjitheve u kerkova nenshkrimet nen pikturat e tyre perkatese ne ate katalog, te cilin ende e ruaj. Kur eshte fjala per tematiken e pikturave dhe skulpturave te kesaj ekspozite, me kujtohet titulli i shkrimit te nje kritiku arti qe ishte botuar ne nje gazete te Beogradit: “Kazma dhe pushka”. Por nder te tjera ai e vleresonte talentin, perpjekjet dhe punen artistike te piktoreve dhe skulptoreve shqiptare.

Ai takim per mua ishte nje perjetim i kendshem, sepse ne qe mbetem jashte kufijve shteteror te Shqiperise, gjithmone ishim kurreshtare te takonim njerez nga Shqiperia. Meqenese keto takime ishin teper te rralla, ne me shume mall e dashuri i takonim bashkekombasit tane. Nuk dua te zgjatem ne kete teme, por atehere udhetimi per ne Shqiperi ishte teper i veshtire, vetem grupe te caktuara mund te shkonin, ndersa nga Shqiperia vinin kryesisht grupet artistike dhe shoferet qe transportonin mallra te ndryshem. Prandaj ne mundoheshim qe ne keto raste te takoheshim me ta gjithesesi.

I kam shkruar here pas here Sali Shijakut, por ende nuk kam patur mundesi qe ta takoja perseri. Ne vitin 1988 kam ardhur ne Amerike dhe disa here qe kam qene ne Kosove, rrethanat familjare nuk me lejonin qe te shkoja edhe ne Shqiperi. Por ja, ne fillim te shtatorit te vitit te kaluar e shfrytezova rastin per te vizituar Tiranen per nje dite dhe vizita e pare ishte ne shtepine-galeri te piktorit Sali Shijaku. Ajo eshte nje shtepi e vjeter katerqindvjecare, e madhe me nje arkitekture terheqese, karakteristike tiranase dhe eshte shpallur monument i kultures,  i mbrojtur nga shteti. Menjehere sapo hyn ne oborrin e shtepise, e sheh se eshte shtepi artisti: guret jane rregulluar bukur dhe formojne nje mozaik te bukur, qypat, vazot e luleve, oxhaku dhe cdo gje tjeter jane prekur nga dora e kujdesshme e  artistit,  jane te rregulluara bukur me nje shije te holle artistike. Edhe turbina e drunjte e mullirit te vjeter te le pershtypjen e nje vepre arti. Oborrin e zbukurojne dhe i japin gjalleri lulet, portokallet, limonet, ullinjte e palmat. Fatkeqsisht ate dite nuk mund ta takonim Sali Shijakun, sepse ai kishte disa jave qe po qendronte ne Itali. Dy djemeve e tij, Nusetit dhe Orgesit, edhe ata piktore, u tregova se kush isha dhe si e kisha njohur babain e tyre. Mua, vellaun tim, Halitin dhe shokun tone, Shyqri Kuci, ata na priten shume mire, me shume miqesi, respekt e perzemersi. U futem brenda ne shtepine-galeri, ajo edhe brenda kishte nje arkitekture terheqese e mjaft funkcionale: nje dhome e madhe e ndejes me oxhak dhe disa dhoma percjellese ne katin e pare, shkallet ne te dy anet qe te conin ne katin e dyte ku jane koridori dhe dhomat e gjumit. Muret ishin te tere te mbushur me piktura origjinale dhe riprodhime te pikturave me te njohura, origjinalet e te cilave ndodhen ne Galerine Kombetare te Arteve ne Tirane. Nuk mungonin edhe objektet tjera artistike e zbukuruese, si, vazo, qypa, poce, figura tekafsheve e shpezeve te punuara me materiale te ndryshme, qeramike, allci, etj. Ne ate kompleks funkcionon edhe nje restorant – vertet nje mjedis i bukur shlodhes, artistik e turistik i rrethuar me plot art. Kjo eshte shtepia e vetme e ketij lloji ne Tirane dhe ndoshta ne tere Shqiperine. Aty, natyra, historia, tradita, arti tradicional e modern, gershetohen,  bashkejetojne ne harmoni te plote me njeri – tjetrin.

Sali Shijaku lindi me 12 mars 1933 ne Tirane. Ne vitin 1952 kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” me pedagoget Abdurrahim Buza (1905 – 1986) dhe Nexhmedin Zajmi (1916 – 1991). Pastaj vazhdoi studimet e larta ne Institutin e Larte te Arteve “I. E. Rjepin ne Leningrad (sot Saint Petersburg) gjate viteve 1956 – 1961. Diplomen e mbrojti ne Shqiperi ne vitin 1962 ne Institutin e Larte te Arteve me tablone titulluar “Heronjte e Vigut”. Ka punuar si pedagog ne Institutin e Larte te Arteve, piktor dhe skulptor (1962 – 1988). Ne vitin 1979 e mori titullin “Piktor i Popullit”, ndersa ne vitin 2004 u nderua me titullin “Nderi i Qarkut te Tiranes”. Krijimtaria e tij eshte e gjere ne gjini, stil e teknike. Tematika e pikturave te tij eshte e gjere ku mbizoterojne motivet me tema historike, te luftes dhe te jetes se perditshme, peizazhet dhe portretet. Ai radhitet nder peizazhistet me te mire shqiptare. Nje teme e parapelqyer e piktorit eshte lufta e gjelave. Dritat dhe ngjyrat jane karakteristike dalluese e pikturave te tij. Si tradicionalja, ashtu edhe modernja zene nje vend te rendesishem ne krijimtarine e tij artistike, ne artin e tij te fuqishem e me plot ndjenja. Per pikturen Sali Shijaku shprehet: “Piktura eshte poezi e heshtur”. Ne GKA ruhen 92 vepra te artistit ne pikture e skulpture. Veprat e Sali Shijakut ndodhen ne shume vende te botes dhe jane pjese e galerive, koleksioneve te koleksionisteve te shumte brenda dhe jashte Shqiperise.

Nese ndodheni ne Tirane, shkoni e vizitone shtepine – galeri – muze te piktorit Sali Shijaku ne rrugen “Siri Kodra” dhe do te kaloni ca caste te kendshme ne shoqerine e artit dhe te mikpritesve shume te perzemert. Thuani se ju ka derguar Sadiku dhe i beni shume te fala piktorit te nderuar, Sali Shijaku!

Philadelphia, dhjetor, 2015.

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: me piktorin Sali Shijaku, Sadik Elshani

SHQIPTARËT DHE PLURALIZMI NË MAL TË ZI (1990-2015)

December 10, 2015 by dgreca

NGA DR. NAIL DRAGA/*

Pikërisht ne ditën  sotme  25 vjet më parë  me 9 dhjetor 1990 janë mbajtur zgjedhjet e para pluraliste në Mal të Zi. Ishin këto zgjedhjet e para ku qytetarët për të parën herë zgjodhen në mënyrë të drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre përmes votës së lirë si përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike.

Zgjedhjet u mbajten ne të dy nivelet ate lokal dhe qendror ku më pas u be konstituimi i kuvendeve përkatëse, duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre në organet ekzekutive.

Ne këto zgjedhje morën pjesë edhe shqiptarët në Mal të Zi, duke u  bërë pjesë e mozaikut pluralist. Por, para se të mbahën këto zgjedhje shqiptarët varësisht prej rrethanave shoqërore ne sistemin monist, hezituan ne formimin e subjektit të tyre politik. Tubimi i parë pluralist te shqiptarët u mbajt në Ulqin me 26 gusht 1990, në sallën e madhe të Komunës së Ulqinit, duke themeluar Forumin Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi.Ishte ky një moment dhe ngjarje e veçantë për shqiptarët sepse për të parën herë morën guxim dhe formuan një subjekt jopartiak për të parën herë jasht strukturave të pushtetit të kohës.Po ashtu atë ditë një grup qytetarësh pjesëmarres ne këtë  takim me pas  ne një shtëpi private  në  Kodra(Ulqin)  themeluan këshillin inicues për themelimin e subjektit politik te Shqiptarëve në Mal të Zi. Ndërsa ditë më pas pikërisht me 9 shtator 1990 në Tuz  u mbajt  kuvendi themelues i këti subjekti politik me emrin Lidhja Demokratike në Mal të Zi, qe ishte subjekti i parë politik i shqiptarëve në Mal të Zi.

Dhe është pikërisht ky subjekt politik qe u votu në mënyrë plebishitare  nga shqiptarët në zgjedhjet e 9 dhjetorit 1990 në të gjitha vendvotimet në viset shqiptare në Mal të Zi. Kështu në zgjedhjet parlamentare shqiptarët në koalicion me partinë e boshnjakëve(SDA) nga gjithsej 11 deputet, fituan 4 deputetë, ndërsa në Ulqin fituan pushtetin me shumicë absolute. Po ashtu fituan këshilltarë ne komunat tjera ku shqiptarët janë popullsi e konsiderueshme.Me pas janë  formuar edhe subjekte të tjera politike të shqiptarëve duke vendosur pluralizmin politik brenda komunitetit të shqiptarëve në Mal të Zi. Janë pikërisht këto subjekte politike  (UDSH, PPD, FORCA, BDSH, IQ, ASH, PD etj.) qe kanë marrë pjesë në zgjedhjet e tjera lokale e parlamentare në këto 25 vite në mënyrë të vetme apo ne koalicione.Ndërsa themelimi i  shumë subjekteve politike  në një popullsi numërikisht të vogëkl dëshmon qasjen karerieriste dhe atavizmin politik te disa individeve qe është në kundërshtim me interesat e shqiptarëve ne këtë mjedis.

Varësisht prej rezultateve të arritura disa subjekte politike  ende janë në skenën politike ndërsa  disa janë tkurrur e madje larguar nga skena politike.

Por, me të drejt bëhet pyetja si qendron gjendja  me realizimin e të drejtave nacionale e qytetare të shqiptarëve në Mal të Zi ne këto 25 vite të pluralizmit.Pra kemi të bëjmë me një periudhë kohore të mjaftueshme për analiza shumëdimensionale.

Janë pikërisht këto çështje të cilat do të trajtohen ne ketë tryezë të rrumbullakët nga pjesëmarrësit. Eshtë përshtypje e përgjithshme se  nëse përjashtojmë  disa ndryshime kozmetike, statusi i shqiptarëve pothuaj ka mbetur ne statuskuo, e në disa aspekte është nën nivelin e kohës së monizmit.Duke analizuar  këtë periudhë kohore del qartë se pjesëtarët e popullit shqiptarë në Mal të Zi  janë duke u rrudhosur territorialisht e po ashtu duke u zvogluar numërikisht.

Emigrimi i shqiptarëve nga Mali i Zi nuk është më dukuri por fenomn shqetësues qe nuk ka te ndalur, ku nuk do të kaloj shumë kohë ku shqiptarë nga Mali i Zi me shumë do te ketë në botën e jashtme se sa në viset tona autoktone.

Andaj çështje parësore për të gjithë ne duhet te jetë mbijetesa jonë në hapësirën etnogjegrafike shqiptare tash e në të ardhmen, si qytetarë të barabartë me identitet  duke  kriuar kushte  optimale për  jetë e jo politizimi i raporteve  shoqërore për interesa personale, partiake e klanore.

Përvoja e deritashme është e mjaftueshme për të kuptuar se punët tona nuk na i kryejnë të tjerët, andaj nevoitet angazhim konkret me kuadra profesionale dhe të guximshëm për të avancuar çështjet të cilat janë preokupuese për shqiptarët në këtë mjedis. Nuk ka dilemë se koha prej 25 vitesh është e mjaftueshme për të parë si ishim, si jemi dhe si duhet të jemi, ne raport me vetën dhe me të tjerët.

Gjatë kësaj periudhe 25 vjeçare shqiptarët kanë dhënë kontribut ne demokratizimin e skenës politike në Mal të Zi. Madje shqiptarët ishin vendimtar me votën e tyre në pavarësinë e Malit të Zi me 21 maj 2006, por ky kontribut ende nuk është shpërblyer në avancimin e pozitës se tyre ne ketë mjedis.

Andaj, ju të pranishëm qe do të merrni pjesë me  diskutime ne lidhje me temen bosht të kësaj tryeze te rrumbullakët  pres qe te jeni kontribues të çështjeve qe do të   trajtoni. Ndërsa botimi i tyre materialeve ne një botim të veçantë do të jetë dëshmi autentike e një periudhe kohore të cilën e kemi përjetuar të gjithë, qe flet ne mënyrë transparente ne lidhje me pozitën dhe statusin e shqiptarëve ne një mjedis multinacional dhe multikulturor sikurse është Mali i Zi.

Dr.Nail  Draga

 

(Fjala  përshëndetëse në Tryezën e rrumbullakët, mbajtur në Ulqin me 9.12.2015)

Filed Under: Analiza Tagged With: (1990-2015), DHE PLURALIZMI, Nail Draga, ne Mal te zi, shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3282
  • 3283
  • 3284
  • 3285
  • 3286
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT