• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LQSHA me disa anëtarë të Bordit, miqtë e saj, u takuan me Kongresmeni Mac Thornberry

December 9, 2015 by dgreca

Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare për Çështje të Ballkanit në LQSHA, e ka informuar Kongresmenin Mac Thornberry, Kryetar i Komitetit të Shërbimit Uashtarak, në të gjitha dimensionet e saj çështjen shqiptare, deri tek konfliktit ende të pazgjidhura në Ballkan/

Nga Beqir Sina/

NEW YORK CITY : Të dielën, 6 dhjetor, në vazhdën e veprimtarisë së saj 25 vjeçare, duke lobuar në SHBA – për kauzën shqiptare, lobi i parë dhe i vetëm shqiptarë – Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane (LQSHA), dhe Komiteti për Marrëdhënie Publike Shqiptaro Amerikan (AAPAC) ka pasur një takim me Kongresmenin William “Mac” Thornberry, Kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura (Chairman of the House Armed Services Committee) në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është biseduar për çeshtjen e Shqiptarëve dhe ngjarjet në Gadishullin Ilir – shkruajn ata në një mesazh të postuar në statusin e tyre në rrjetin social facebook.Kongresmeni Mac Thornberry, e ka marrë këtë post mbasi – miku i mirë i tyre ish Kryetari Buck McKeon, doli në pension nga Kongresi në fillim të vitit 2015, thotë deklerata e LQSHASimbas këtij mesazhi i shpërndar në rrjetin social thuhet se dy udhëheqësit e Lidhjes Qytetare patën rastin për folur për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe kërkuan vazhdimin e pranisë amerikane në kampin Bondsteel, nevojën për liberalizimin e vizave dhe zhvillimin ekonomik në trojet shqiptare, si dhe është shfaqur shpresë se Shtetet e Bashkuara do të studiojë me kujdes krizën në rritje në Maqedoni, simbas tyre.Duke iu referuar mesazhit të Presidentit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane (LQSHA), ish kongresitit republikan të Nju Jorkut, Xhozef DioGuardi, thuhet se folëse kryesore ka qenë Cloyes DioGuardi, Këshilltare për Çështje të Ballkanit në LQSHA, e cila e ka informuar  Kongresmenin William “Mac” Thornberry, Kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura, në të gjitha dimensionet e saj çështjen shqiptare, deri tek konfliktit ende të pazgjidhura në Ballkan.

Shirley Cloyes DioGuardi, i ka fokusuar vërejtjet e saj në atë pse Shtetet e Bashkuara, në projekt-buxhetin e këtij vit, kan pasur edhe shkurtimet buxhetore të Pentagonit, mbi kampin ushtarakë në Bondsteel – Kosovë, ndërkohë, që në pjesën tjetër të Kosovë, është Serbia që vazhdon duke e rritur  kontrollin e saj mbi pjesën veriore të Kosovës.

Ajo gjithashtu ka deklaruar se “në asnjë rrethanë, nuk duhet lejuar që qeveria e SHBA, të ja jap  Bondstillin – Turqisë ( Liga Qytetare, ka arritur për bindur Kongresin për të bllokuar në vitin 2011, dhënjen e kampit të Bondstilit – Turqisë ), sidomos tani që kryeministri turk Rexhep Erdogan ka mundësuar ISIS të krijojë një rrjet turkë, brenda saj,  dhe që Turqia është duke sjellë fondamentalizmin islamik në Kosovë dhe Maqedoni” citohet të ketë thënë Cloyes DioGuardi, Këshilltare për Çështje të Ballkanit në LQSHA, duke e informuar Kongresmenin William Thornberry, Kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura

Më pas duke folur për Kosovën , dhe problemet e saj, ajo ka theksuar nevojën e domsodoshme për liberalizimin e vizave dhe zhvillimin ekonomik në trojet shqiptare për të ndaluar, edhe inkursionin e paparë të islamit radikal, në trojet shqiptare.    I cili ka thënë Cloyes- DioGuardi, si fe është në kundërshtim edhe me modelin shqiptar të besimit të Islamit dhe kulturës shqiptare, ku thelbi i të cilit është bashkëjetesa ndërfetare, respekti, dhe të kuptuarit mirë të njëri tjetrit.

Me këtë rast, ajo duke vënë në pah atë se shqiptarët janë më pro-perëndimorë, më pro-amerikanë, dhe forca më pro-demokratike në Evropën Lindore, Cloyes- DioGuardi, theksoi se shqiptarët mund të jetë forca më e madhe përkrah SHBA, në përpjekjet amerikane për të ndaluar përhapjen e ISIS në Evropën Perëndimore.

Së fundi, në takimin Kongresmenin William “Mac” Thornberry, Kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura, është prekur edhe çështja e Maqedonisë, ku Cloyes DioGuardi, Këshilltare për Çështje të Ballkanit në LQSHA, shprehu shpresën se Shtetet e Bashkuara do të studiojnë me kujdes krizën në rritje në Maqedoni, veçanërisht atë që duket të jetë edhe një përpjekje, tjetër e partisë në pushtet, një parti etnike maqedonase të kryesuar nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe partneri e saj shqiptar në koalicionin qeverisës të udhëhequr nga Ali Ahmeti për asgjësim  të perspektivës së opozitës përpara zgjedhjeve të përgjithshme, të planifikuara për muajin prill 2016.

Në këtë takim, i cili u mbajt në Shtëpinë e LQSHA, në Westchester County si shihet edhe në fotografitë e postuara në rrjetin social facebook, fotot e bashkangjitur në informacion e shpërndar për shtypin shqiptar – morën pjesë, Këshilltari për Çështjet hebraike Ron dhe Karen Rettner, Besiana Xharra, Luan Bukolla, Ibrahim Kolari, Mirjete Kolari, Agim Aliçkaj, Qamil Lita, Gazmend Lita, dhe Zef Balaj, ,gjithashtu ishin ish Kongresmeni Joe DioGuardi, Cloyes DioGuardi, Frank dhe Helen Suozzi, dhe Josh Martin, shefi i Shtabit të Kongresmenit Thornberry.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: KongresmeniMac Thornberry, Liga, Shirley Cloyes DioGuardi

Imzot Rrok Mirdita në fjalët e Papa Françeskut

December 9, 2015 by dgreca

Mesazhi i Papa Françeskut drejtuar imzot Rrok Mirditës, me rastin e 50-të vjetorit të meshtarisë së tij kremtuar në korrikun e këtij viti./

Një jetë shpenzuar në shërbim të Ungjillit, të Kishës e të Popullit: Papa Bergoglio e paraqet, kështu, angazhimin e kryeipeshkvit imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv metropolit i Tiranës-Durrësit, me rastin e jubileut të hareshëm të 50-të vjetorit të meshtarisë, që  u kremtua më 4 korrik 2015 në Kishën Katedrale të Shën Palit Apostull, në Tiranë.

Papa Françesku, në letrën e urimit drejtuar imzot Rrok Mirditës, përshkoi etapat e jetës së prelatit shqiptar qysh nga periudha e misionit të tij si prift në kryedioqezën e Nju Jorkut e deri në Jubileun e 4 korrikut. Papa Bergoglio kujtoi shërbimet, misionet dhe detyrat të rëndësishme që Imzot Rrok Mirdita bëri dhe pati gjatë 50-të vjetëve të meshtarisë, duke shërbyer me entuziazëm, përkushtim të pakursyer e duke dëftuar cilësitë e gjenisë së shpirtit e urtisë, në situata të ndryshme, jo pa vështirësi, por përherë plot besim në Provaninë e Hyjit.

Ati i Shenjtë Bergoglio përmend edhe shumë nisma e vepra, siç është ndërtimi i Katedrales së Shën Palit në kryeqytetin e Shqipërisë, qendra e gjithë jetës shpirtërore të kryedioqezës. Letrën e Tij drejtuar imzot Rrok Mirditës, Papa Françesku e përfundon me urime të përzemërta e Bekimin apostolik për kremtimin e këtij jubileu meshtarak.

Ja letra e Papa Françeskut për Jubileun e 50-të vjetorit të Imzot Rrok Mirditës

VËLLAUT TË NDERUAR  RROK MIRDITËS, ARQIPESHKËV METROPOLITAN TIRANË-DURRËS

Me lutjet tona i shoqërojmë të gjithë Barinj në botë. Por tani duam ta shprehim mirëdashjen tonë ty, Vëlla i Nderuar, që më 4 korrik do të kremtosh jubileun e artë të meshtarisë. Në këtë rast duhet të përkujtojmë dhe të lëvdojmë angazhimin tënd baritor që për një kohë të gjatë ke zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Shqipëri.

Meshtar i arqidioqezes së New York-ut, e zbatove me entuziazëm zellin tënd meshtarak, duke shpallur të vërtetat shpëtimprurëse, dhe veçanërisht duke sjellë ngushëllim shpirtëror besimtarëve shqiptarë, të besuar kujdesit tënd baritor. Në punët e tua ke dëftuar cilësitë e gjenisë dhe të shpirtit, shkathtësinë dhe urtinë, saqë shën Gjon Pali II, në dhjetor të vitit 1992, të emëroi Arqipeshkëv i Durrës-Tiranë dhe më 25 prill të vitit pasues të shuguroi.

Në mbarështimin tënd të përditshëm je treguar i zellshëm në shtjellimin e doktrinës katolike, në ndërtimin e strukturave dioqezane, në zbatimin e nismave bashkë me meshtarët dhe besimtarët. Në periudha të vështira ke qenë krejt i kujdesshëm për përparimin shpirtëror i të krishterëve, për të cilët në situata të ndryshme ke qenë moderator shpirtëror dhe ndihmës në jetën e përditshme. Jo pa vështirësi, por plot besim në provaninë hyjnore, ke zbatuar shumë nisma, që besimtarët, pas periudhës së ngushtë, mund ta lëvdonin Hyjin e gjithëpushtetshëm me më shumë ngulm. Me kujdes, nëpërmjet lutjeve dhe shembullit të jetës sate të përditshme, je përpjekur t’i tregosh grigjës sate rrugën e drejtë kah e vërteta dhe lumturia. Je kujdesur për ngritjen e selisë së re dhe për ndërtimin e tempullit të Katedrales kushtuar shën Palit në Tiranë, i cili është qendra e gjithë jetës shpirtërore e arkidioqezës.

Duke pasur parasysh këto si edhe të tjera merita dhe cilësi të tua, edhe bashkëvëllezërit ipeshkvij të kanë vlerësuar, ty që të kanë besuar me detyra shumë të rëndësishme në Konferencën Ipeshkëvnore të Shqipërisë dhe dy herë të kanë zgjedhur si kryetar.

Me rastin e gëzueshëm e jubileut tënd, me ndërmjetësinë e së Lumes Virgjër Mari, të urojmë urime më të mira, më së pari ndihmat e Hyjit. Dëshirojmë gjithashtu të të shoqërojë bekimi ynë apostolik, që të përcjellim sikur të ishim të pranishëm, dhe që do të komunikohet të gjithë atyre që do të marrin pjesë në kremtimin e jubileut tënd, duke kërkuar lutjet prej jush, që të mund të zbatoj me besnikëri, sipas vullnetit të Hyjit, detyrën shumë e rëndë si pasardhës i Pjetrit.

Nga Selia e Vatikanit, me 11 qershor i vitit 2015, viti i tretë i Pontifikatit tonë.

Françesku

Ja një biografi e shkurtër e Imzot Rrok Mirditës

Imzot Rrok Mirdita lindi në Kllezën të Ulqinit më 28 Shtator 1939. Studimet elementare dhe të mesme i kreu në vendlindje. Studimet e larta filozofike dhe teologjike i kreu në Zagreb ku u diplomua shkëlqyeshëm. Më 4 korrik 1965 shugurohet meshtar nga Shkëlqesia e Tij Aleksandër Tokic, Arqipeshkëv i Tivarit. Një vit më vonë emërohet Administrator i Kishës së Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Salç ku shërben për më se tre vjet. Më 1970 emërohet famullitar i Kishës së Shën Gjon Pagëzuesit në Kllezën. Nga Arqipeshkvi i Tivarit dërgohet në New York për t’i shërbyer diasporës katolike shqiptare në Bronx në qendrën “Zoja e Këshillit të Mirë”. Në marrëveshje me Dioqezën e Tivarit, Eminenca e Tij Terence Kardinal Cooke, Arqipeshkëv i New York-ut, me dekret special të datës 19 qershor 1981, e pranon si meshtar me shërbim të përhershëm në këtë Arkidioqezë me detyrë pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë”. Në vitin 1985 themelon radio programin fetar “Zëri i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës” për New York-un e rrethe, program të cilin e vazhdon për shtatë vjet deri në emërimin e tij si Arqipeshkëv i Durrës-Tiranës. Më 1 korrik 1986 Hirësija e Tij Kardinal O’Connor – Arqipeshkëv i New York-ut e emëron Administrator të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”. Më 28 shtator 1989 prej të njëjtit Arqipeshkëv emërohet famullitar i famullisë së re “Zoja e Shkodrës” themeluar prej vetë Imzot Rrok Mirditës. Më 25 prill 1993 kur Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë dhe shuguroi 4 ipeshkvij, mes të cilëve Imzot Rrok Mirditën, fillon misionin si Arqipeshkëv i Durrës-Tiranës. Më vonë në 1994 merr detyrën e Presidentit të Caritas-it Shqiptar dhe në 1996 zgjidhet Kryetar i Konferencës Ipeshkëvnore Shqiptare, kryesinë e së cilës e drejtoi për dy mandate. Dje, më 7 dhjetor 2015, në vigjiljen e hapjes së Portës së Shenjtë të Mëshirës Hyjnore, Hyji Atë e thirri pranë në Amshim.(Kortezi-Radio Vatikani)

Filed Under: ESSE Tagged With: e papa Françeskut, Imzot Rrok Mirdita, në fjalët

Protesta e 8 dhjetorit e opozitës, 5 të arrestuar

December 9, 2015 by dgreca

*Aktet e dhunës, procedohen penalisht sekretari organizativ i PD-së Enno Bozdo dhe Besim Ndregjoni i të përndjekurve politikë./

*Basha: Keqardhje për përdorimin e gurëve. Bunkeri I paligjshëm. Mirënjohje atyre që i vunë flakën./

Tirane 9 Dhjetor- Në Shqipëri policia njoftoi sot arrestimin e pesë personave si dhe nisjen e procedimit penal për sekretarin organizativ të Partisë demokratike Enno Bozdo dhe drejtuesin e shoqatës së të përndjekurve politikë Besim Ndregjoni, lidhur me incidentet e dhunshme gjatë protestës së djeshme të opozitës.

Sipas policisë, Zoti Bozdo konsiderohet përgjegjës, pasi sipas saj manifestimi i opozitës devijoi nga plani dhe itinerari i përcaktuar, ndërsa u mbyll me veprimet e dhunshme për shkatërrimin e një bunkeri, pranë ministrisë së Brendshme, pjesë e një projekti për hapjen ndaj publikut të tuneleve të nëndhenshme të ndërtuara nga regjimi komunist. Pikërisht për sulmin ndaj bunkerit është proceduar zoti Ndregjoni, i cili dje në mbyllje të protestës para godinës së qeverisë, i bëri thirrje nga podiumi pjesmarrësve që të drejtoheshin për të shkatërruar bunkerin. Ai akuzohet ,  për veprën penale “Thirrje publike për kryerjen e veprimeve te dhunshme”.

Pesë personat e tjerë të arrestuar, pjesmarrës në protestë, janë prangosur në flagrancë, dhe akuzohen për “Shkatërrim prone”, “Mosbindje ndaj urdhërit të policisë rendit” dhe “Prishje e qetësise publike“, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Aktet e djeshme të dhunës u dënuan nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe delegacioni i Bashkimit Europian. Ato i bënë thirrje Partisë Demokratike që t’i dënojnë këto akte. I pyetur sot nga gazetarët lidhur me këto deklarata, kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha tha se “PD ka qenë dhe do të jetë e distancuar nga aktet e dhunës sepse ka qenë është dhe do të jetë gjithnjë e distancuar nga aktet e dhunës. Eshtë falë PD-së që dje ai vërshim i madh popullor ajo zemëratë që mund të merrte përpara jo një po 10 kryeministri u përmbajt”, tha zoti Basha duke shprehur “keqardhje për përdorimin e gurëve që nuk ka qenë pjesë e skenarit tonë”, ndërsa saktësoi se megjithatë “asnjë fije floku dhe asnjë kapele polici nuk u prek”.

Lidhur me shkatërrimin e bunkerit zoti Basha nuk bëri hapa pas. “Bunkeri është i paligjshëm dhe ilegjitim, se është ndërtuar në kundërshtim me ligjin urban të Shqipërisë dhe në kundërshtim me planin urban të Tiranës. Eshtë ilegjitim sepse është një provokacion i rëndë ndaj gjithë shqiptarëve, ndaj unë shpreh mirënjohjen më të thellë dhe përkulem me nderimin më të madh ndaj heronjve që e kallën dje në flakë”, deklaroi kryetari i opozitës duke nënvizuar se protestat nuk do të ndalen dhe se ajo e djeshme është vetëm fillimi.(Sipas Zerit te Amerikes)

Filed Under: Kronike Tagged With: 5 të arrestuar, Protesta e 8 dhjetorit e opozitës

Kosova me trashëgimi të pasur

December 9, 2015 by dgreca

-Kalaja e Prizrenit, plan menaxhimi në 2016/

-Gërmime në Kishën Katolike të Prizrenit/

 Nga Behlul Jashari/

PRIZREN- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, bashkë me zëvendësministrin Rexhep Hoti, ka qëndruar  të Martën me 8 Dhjetornë Prizren, me ç’rast ka vizituar Kalanë e Prizrenit.Sipas dinamikës së punëve dhe projeksioneve nga Institutit Arkeologjik, Kalaja e Prizrenit, në fund te vitit 2016 do të ketë planin e menaxhimit, stazat e ecjes, ndriçime dhe shume elemente të tjera që janë në shërbim të ngritjes së turizmit kulturor dhe shtojnë kërkesat për të vizituar këtë monument të veçante të trashëgimisë kulturore të Kosovës.Ministri Shala u njoftua me procesin e gërmimeve arkeologjike dhe konservimeve që po bëhen në këtë lokalitet historik, i cili ruan thesare arkeologjike e historike mijëvjeçare.Ministri Shala u shpreh i kënaqur me ecurinë e punëve në gërmime dhe konservimeve në Kalanë e Prizrenit.Po ashtu, ministri Shala falënderoi Ambasadën Amerikanë për ndihmën dhe mbështetjen e fuqishme që i ka dhënë këtij lokaliteti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës, që është shenjë e rëndësishme e identitetit kulturor të Kosovës.Po ashtu, Shala u shpreh se MKRS-ja edhe në vitin e ardhshëm do të vazhdojë të ndihmojë gërmimet arkeologjike, restaurimet dhe konservimet në Kalanë e Prizrenit.

MKRS-ja këtë vit ka ndihmuar gërmimet arkeologjike dhe konservimin në këtë kala me 200 mijë euro, ndërsa mbështetja për këtë lokalitet do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

Gjatë vizitës në Prizren, ministri Kujtim Shala po ashtu vizitoi edhe Katedralen Katolike të Prizrenit “Zoja Ndihmtare”, ku u njoh për së afrimi me gërmimet arkeologjike, gjendjen e këtij objekti dhe restaurimet që po bëhen në të.

Ministri Shala u pritë nga Don Shan Zefi, kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, me të cilin bisedoi për rëndësinë që ka ky objekt për trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Ministri Shala u shpreh se ky objekt është tejet i rëndësishëm për trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të Kosovës, dhe si i tillë do të ketë mbështetjen e MKRS-së.

VIZITË EDHE KALANË HARILAQIT

FUSHË KOSOVË, 8 Dhjetor 2015/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, bashkë me zëvendësministrit Rexhep Hoti dhe i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, vizitoi Kalanë e Harilaqit, ku u njoftua për së afrimi më gërmimet arkeologjike që po bëhen në këtë lokalitet me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Me këtë rast, ministri Shala i përgëzoi arkeologët për punën që kanë bërë gjatë këtij viti në këtë lokalitet, dhe njëkohësisht u shpreh se MKRS-ja është e përkushtuar që të ndihmojë dhe të mbështesë trashëgiminë kulturore të Kosovës, si në gjurmime, po ashtu në konservim, restaurim, promovimin dhe njohjen sa më të gjerë të saj.

Ministri Shala, po ashtu u shpreh se këto gjurmime dhe gjetjet e shumta që po bëhen anë e kënd Kosovës, janë dëshmi e fuqishme se Kosova ka një trashëgimi të pasur që lidhet me kohëra të ndryshme, që nga periudha e hershme dardane, dhe si të tilla, përbëjnë vlerë të posaçme për kulturën e Kosovës.

Ministri Shala u shpreh se Kosova këto pasuri të jashtëzakonshme kulturore, të periudhave të hershme dhe atyre të mëvonshme, janë në interes të shtetit të Kosovës, prandaj nga ne kërkohet t’i ruajmë dhe promovojmë.

Po ashtu, ministri Shala vlerësoi se materialet e pasura arkeologjike që janë zbuluar në këtë lokalitet, si: thika stralli, qeramikë, vegla pune, stoli, monedha, etj., por edhe objektet sakrale dhe profane, janë dëshmi se kemi të bëjmë me një vendbanimi të hershëm e me rëndësi për kohën.

Kalaja e Harilaqit ka domethënie për identitetin kulturo e shpirtërore të Kosovës, u shpreh Shala dhe shtoi se ai dhe MKRS-ja, në synime te tij politike ka prioritet mbrojtjen dhe afirmimin e trashëgimisë së pasur kulturore, njëherësh duke çmuar, ruajtur dhe vlerësuar diversitetin e saj, si vlerë shtesë të Kosovës.

MKRS-ja gjatë këtij viti ka ndihmuar me 40 mijë euro për Kalanë e Harilaqit, dhe po aq janë të parapara për vitin e ardhshëm.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, kosova, me trashëgimi, të pasur

Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave

December 9, 2015 by dgreca

-Qeveria një vit nga zgjedhja, kryeministri Mustafa sot në konferencë shtypi/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Dhjetor 2015/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ministrin e Integrimit Evropian, Bekim Çollaku,  kanë takuar sot ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Kosovë.Temë e takimit ka qenë përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave.

 Kryeministri Mustafa dhe ministri Çollaku kanë njoftuar ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian se Kosova në tërësi i ka përmbushur kriteret teknike për liberalizimin e vizave dhe se Kosova pret që BE-ja të marr vendimin e premtuar politik, i cili do të rekomandonte që nga viti i ardhshëm edhe qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, sot bëri një vit që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.Gjatë vitit, qeveria kosovare ka mbajtur 62 mbledhje të rregullta, ndërsa kishte paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.Një bilanc të një viti të qeverisjes pritet ta prezantojë sot pas mesditës kryeministri Isa Mustafa në një konferencë shtypi.Qeveria e Republikës së Kosovës, në një deklaratë të dërguar javën e kaluar ka bërë të ditur se, deri më tani, gjatë këtij viti, ka miratuar 68 projektligje. Qeveria e Kosovës theksonte se, do të punojë me përkushtim maksimal deri më datë 31 dhjetor 2015, në mënyrë që të kompletohet axhenda legjislative e saj dhe që projektligjet të dërgohen në Kuvendin e Kosovës. Përpos ligjeve të miratuara, sipas evidencave të qeverisë, janë edhe 32 projektligje që duhet të kalojnë procedurat në Kuvend, meqë qeveria i ka miratuar dhe proceduar.Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se, “e sheh të nevojshme krijimin e kushteve dhe kontributin e të gjitha subjekteve politike në Kuvend, në pozitë dhe opozitë, në mënyrë që të përmbushet  axhenda legjislative, e cila ka rëndësi themelore për vendin, si dhe që këto akte, pas shqyrtimeve dhe debatit kualitativ në Kuvend, të jenë sa më të kompletuara dhe në interes të qytetarëve dhe shtetit”.“Qeveria e Kosovës e konsideron të nevojshme dhe të domosdoshme miratimin sa më të shpejtë të këtyre akteve ligjore, të cilat kanë rëndësi parësore për zhvillimin ekonomik, proceset integruese evropiane, arsimin, sigurinë, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e shumë proceseve të tjera të rëndësishme për të ardhmen e vendit”, përfundohet në deklaratë.Në vitin e parë, ka pasur vetëm një ndryshim në qeveri, është zëvendësuar ministri për Komunitete dhe Kthim, pasi Aleksandar Jablanoviç nga Lista Serbe u shkarkua në 3 shkurt nga kryeministri Mustafa, pas një deklarate ku protestueset në Gjakovë, familjare të personave të zhdukur gjatë luftës, i kishte quajtur “egërsira”. Nga fillimi i vitit 2015, deklarata e minstrit serb u pasua me kërkesa për shkarkimin e tij dhe reagime tjera me protesta të opozitës, që ishin edhe të dhunëshme nga grupe protestuesish dhe me demolime edhe të ndërtesës së qeverisë, xhamat e thyer të së cilës më pas rinovuan.Edhe pas katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, qeveria e Kosovës po përballet më kundërshtime të opozitës, të manifestuara në forma të ndryshme,  me bllokim të Kuvendit edhe me hedhje të gazit lotsjellës, edhe me protesta ku ka pasur edhe dhunë, të lënduar, si dhe të arrestuar, përfshirë edhe deputetë opozitarë.Në një takim me Presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga, në fillim të kësaj jave, tre liderët opozitarë, Visar Ymeri, i VV, Ramush Haradinaj i AAK dhe Fatmir Limaj i Nisma, kanë kërkuar  anulimin e mrrëveshjeve që i vlerësojnë të dëmshme për Kosovën ose “t’i nënshtrohen votës popullore përmes referendumit”, e “nëse jo, atëherë vendi të shkojë në zgjedhje të përgjithshme”.Sipas gazetave të sotme në Prishtinë, “subjektet opozitare dhe analistët politikë kanë thënë se kjo qeveri më shumë është marrë me menaxhimin e krizave dhe me plotësimin e kushteve të vëna nga Lista Serbe, sesa me planin qeverisës”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, kriteret, liberalizimi i vizave

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3286
  • 3287
  • 3288
  • 3289
  • 3290
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT